• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn

July 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Ilir LEVONJA/

Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t’i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshinin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjës, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernest Koliqi, Ilir Levonja, Koliqi

Rastësi…

July 6, 2020 by dgreca

….Për opozitën, shprehja anglishte “Scram”, rastësisht përkon me thirrjen “Rama ik”/

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/
Ne jemi folësit e shqipes së re, e cila vazhdon evoluimin; në fund ajo do të shuhet ose transformohet plotësisht, varet sesi do të trajtohet prej folësve. Gjatë historisë njerëzore, ka pasur mijëra gjuhë e dialekte të krijuara dhe të humbura, pasi nuk ndryshuan me kohën. Disa ishin të kufizuar në fise të vogla, të tjerat u përhapën dhe disa u bënë gjuhë perandorish si latinishtja, osmanishtja, frëngjishtja, anglishtja, të folura në mbarë botën në një kohë a tjetër. Të gjitha këto gjuhë u rritën nga nevoja që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe ato evoluan së bashku me shoqëritë, kombet e kulturat e tyre. Pastaj, kemi një kategori tjetër gjuhësh. Këto gjuhë nuk ndodhën natyrisht si mjete për diskutim, por u bënë si një shprehje e krijimtarisë. Ato u quajtën gjuhë të sajuara apo gjuhë zhargonesh të krijuara nga grupe njerëzish që donin që bisedat e tyre të mos kuptoheshin nga të tjerët. Prandaj sot kemi fjalorë sqarues për termat në profesione të ndryshme, përfshi politikë, filozofi, mjekësi e shkenca të tjera.Pig Latin është gjuha më e famshme në listën e gjuhëve të sajuara dhe padyshim më e vjetra. Mendohet se është shpikur në Amerikë nga fëmijët e shkollës në vitet 1800, por u soll në vetëdijen e publikut me këngën e vitit 1919 “Pig Latin Love” nga Arthur Fields. Fjalët që fillojnë me bashkëtingëllore ndryshojnë si më poshtë: fjala përshëndetëse “hello” bëhet “ello-hay”, fjala “duck” (rosë) bëhet ‘uck-day’ dhe termi “Pig Latin” bëhet “ig-pay Atin-lay”… Dy fjalë latine Pig (derr) që kanë hyrë në rrjedhën anglishte amerikane janë “icksnay”, për “nix” (vetë një huazim nga gjermanishtja “nichts”), i cili përdoret si një negativ i përgjithshëm; dhe “amscray”, Pig Latin për “scram”, që do të thotë “largohu” ose “ik”. Për opozitën, shprehja anglishte “Scram”, rastësisht përkon me thirrjen “Rama ik”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Rastesi

KUJTESA- GAZETA RILINDJA PARA 30 VITEVE: OKUPIM KLASIK I KOSOVËS

July 5, 2020 by dgreca

-Gazeta tradicionale e historike Rilindja para 30 viteve fuqishëm kundër Serbisë dhe okupim klasik – suprimimit të institucioneve të Kosovës/

-Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 5 Korrik 2020/ Para 30 viteve, masat e dhunëshme të Serbisë e goditën edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja, në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
 Me titull  “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i Rilindjes në atë kohë ishte Nazmi Misini.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”.
Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Gazeta Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën. E edhe pas ndalimit të Rilindjes gazetërët e punëtorët tjerë të saj  nuk u ndalën, vijuan shkrimet të organizuar nëpër revista, e nga 18 Janari 1991 nxorën gazetën e përditshme të rezistencës e të lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës “Bujku”, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i afër 40 botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit të shtypur – 30 Dhjetor 2008 dhe ridaljes simbolike pas 10 vjetësh botim digjital në 31 Dhjetor 2018.
Si në raste tjera, pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, edhe sot e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Rlndja Demokratike

Ngulmime qiellore për tokën Arbërore apo ditë më shi pranë panteonit të zi

July 3, 2020 by dgreca

Nga Nue Oroshi/
Ngulmimet dhe përplasjet qiellore në mes tokës,diellit, hënës marsit,saturnit dhe jupiterit ecin në lartësinë qiellore pranë ngulmimeve që i bëjnë luftë qiellit Arbëror.Ashtu si çdo herë gjatë historisë nëpër periudha të ndryshme kohore pranë ngulmimeve të qiellit shqiptar janë paraqitur edhe ditët me shi pranë panteonit të zi.Këto ditë me shi të errëta dhe pa diell i patëm të shpeshta.Ato i patëm të shpeshta për faktin se shpesh i përziem rrugët e mbijetesës.Çdo herë kur kishim djem e vajza puntor dhe të ditur, çdo herë na delnin politikan harbutë e kopukë që e orjentonin liburnien shqiptare drejt panteonit të zi, pa u mërzitur fare për ditet e errëta dhe me shi.Edhe sot në Trojet Arbërore po ecin paralel me njëra-tjetrën dy drejtime ajo intelektuale dhe kombëtare që bashkarisht janë duke u munduar që ti nxjerrin trojet shqiptare nga kjo sketerrë dhe nga kjo mjegullnajë që janë mbetur në një rrugë pa krye.E në këtë mjegullnajë politikanët tanë na i ka zënë”Kalikangja” siç njihet në popull dhe ju kanë përzier rrugët.Ecjakët e tyre janë pushteti mbi të gjitha.Madje për pushtet thonë ata nuk njohin as komb e as shtet.Ata kur dëshirojnë të mbrohen kur e humbin prestigjin në sytë e elektoratit shqiptar mundohen të tregohën atdhetarë, e në fakt ata janë vetëm tregtarë flamujsh që ndërrojnë flamujtë sa herë që t´iu kërkohet.E toka Arbërore shpeshherë lëshon gjamën e intelektualëve dhe idealistëve atdhetarë të cilët asesi nuk mund të pajtohen se çka po ndodhë në trojet shqiptare.Është fatkeqësi se në trojet shqiptare sot kemi politikanë shërbëtor dhe servil por asesi politikan mendjendritur që e qojnë përpara çështjen e Arberisë tonë.Në këto kufizime të memorjes, së trurit të tyre janë të regjistruara vetëm numrat.Nuk mbajnë asgjë në mendje përveç shifrës se milionave të fituara pa djersë.E këto miliona shumë shpejt do të bëhen edhe mollë sherri e familjarëve te tyre.Çdo gjë e fituar pa mund shkon ashtu siç fitohet por i lenë shenjat në mur edhe pasi të hiqen gozhdat e ngulura.E në ditët me shi pranë panteonitë të zi qiellor qëndron djelmënia dhe vajzëria shqiptare e cila çdo ditë është duke e shikuar përspektivën jashtë tokës së arbdheut.Sikur tregtarët e flamujve të kishin menduar vetëm njëherë me kokë ata nuk do ta sjellnin gjendjën e shteteve shqiptare në këtë gjendje, ku edhe qielli është duke lotuar pranë rrezeve të diellit që nuk janë duke shëndritur ka kohë.Edhe ajo kënga e vjetër që shumë po shëndritë ky diell dhe pak po nxenë e ka kuptimin e vet.Të paktët kanë mbetur edhe idealistët dhe atdhetarët.Të vjen sot me gjemu kur sheh shqiptar që para Gjergj Kastriotit e qesin Ballaban Pashën, e ma shumë japin kontribut për Sulltan Mehmetin e Sulltan Muratin,dy pushtues të tmerrshëm të tokave Arbërore, se sa për Gjergj Kastriotin e Lekë Dukagjinin.Arbërorët tanë sot nuk dinë çka dojnë.Një pjesë e mirë e tyre e kanë mohuar vetvetën dhe kombin e tyre.Mohimi i vetvetës na ka sjellur në atë gjendje as mish e as peshk.Edhe kjo kohë do të kalon, edhe këto ngjarje do t´i shënoj historia jonë,por ajo që do të mbetët e ngulitur në turpin e politikanëve është fakti se si u tjetërsua shqiptaria për dy dekada.Ky tjetërsim nuk është bërë gjatë shumë shekujve se të parët tanë ishin qendrestarë.Kurse sot na u ka mbushë vendi e kombi me kusarë e tregtarë të flamujve ideologjikë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë vetëm e vetëm mos të ecë shqiptari përpara.Kur ngulmon qielli për tokën Arbërore apo kur kemi ditë, muaj dhe vite me shi pranë panteonit të zi ajo që mbetët të themi është pyetja se deri kur kështu.Pse nuk i kthehemi njëherë e përgjithmonë tek besa e dhënë dhe fjala e mbajtur.Nuk ka qenë në traditën e shqiptarit asnjëherë me gjuajtë gurin e me mshef dorën.
E kur kujtoj ata burra të hershëm shqiptar që për besën e dhënë e dhanë edhe jetën dhe sakrifikuan familjen për tokën e Arbërit, mendja më shkon se sa shumë dallkaukë e kopukë kishim pasur ne shqiptarët gjatë historisë tonë kombëtare,por kam përshtypjen se këta të sotmët ja kanë kaluar të gjithëve, sepse në të kalurën i kemi njohur dhe numëruar në gishta kurse sot janë rritur aq shumë sa që lirisht mund të themi se idealistët kanë mbetur të paktë kurse tregtarët e flamujve janë rritur.E fatkeqësi është se tradhtitë janë duke i bërë në emër të patriotizmit, që po e përdorin vetëm kur bien ngushtë për çështje personale. Arbëria jonë do ti mbijeton këtyre matrapazëve dhe do të kthjellohën por duhet shumë punë dhe angazhim që të sherohën plagët që po na i lenë kjo kastë politike në ikje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nue Oroshi, Panteoni I zi

Ethet e Kabinës

July 2, 2020 by dgreca

Manjola Barçi-Kozi/Dielli New York /

Rastet e Covid-19 vazhdojnë të rriten në botë ashtu siç po ndodh edhe ne Shtetet e Bashkuara të Amerikes, edhe pse shumë njerëz ende vazhdojnë to respektojnë ligjin e karantinës dhe distancimit shoqëror. Ditët e fundit, numri i rasteve të reja ditore të koronavirusit në Sh.B.A ka kaluar mbi 50,000 në ditë, për herë të parë që nga pëhapja e sëmundjes.
“Mendoj se është tepër e qartë që nuk po shkojmë në drejtimin e duhur” deklaroi Anthony S. Fauci, eksperti numër një i vendit për sëmundjet infektive, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në YouTube.
Fauci fajësoi—të paktën pjesërisht, faktin se masat e karantinës në Sh.B.A ishin më të buta se sa ato në disa vende evropiane që nga kanë arritur pak a shumë të ngadalësojnë valën e virusit.
Shumë nga ne megjithatë kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë shumë korrekt në zbatimin e rregullave të karantinës dhe të distancimit social, por kjo padyshim ka ardhur edhe me shumë pasoja, një nga të cilat është “Ethet e Kabinës”.
“Ethet e Kabinës” është një term popullor për një reagim relativisht të zakonshëm që vjen nga izolimi ose mbyllja brenda në shtëpi për një periudhë të zgjatur kohe. Ethet e Kabinës nuk janë një diagnozë specifike, por një shumë simptomash që mund të ndodhin në këto rrethana.
Nëse jeni duke përjetuar Ethet e Kabinës si rezultat i distancës sociale ose vetë-karantinës gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit (COVID-19), mund të ndjeheni tepër të stresuar—përtej asaj që vjen nga thjesht izolimi. Por, ka disa mënyra megjitate, për të luftuar ankthin dhe stresin që mund të ndjeni.
Edhe pse jo të gjithë që vuajnë nga Ethet e Kabinës do të kenë saktësisht të njëjtat simptoma, shumë njerëz raportojnë se ndjehen tepër të irrituar ose të shqetësuar. Sipas healthline.com simptoma të tjera me të zakonshme gjithashtu janë:
Letargjija
Trishtimi i tepërt apo depresioni
Vështirësi në përqëndrim
Mungesa e durimit
Lakmia ndaj ushqimit
Motivimi i dobët
Vështirësi e zgjimit nga gjumi
Gjumë i shpeshtë
Humbje shprese
Duhet të stresohet fakti që këto simptoma mund të jenë tregues të një game të çrregullimeve të tjera përveç Etheve të Kabinës. Megjithatë nëse vini re se këto simptoma janë paraqitur që kur keni filluar të vet izoloheni, atëherë ka të ngjarë që të jenë simptoma të Etheve të Kabinës. Nëse këto simptoma janë shqetësuese ose ndikojnë në funksionimin tuaj normal, një profesionist i trajnuar i shëndetit mendor si një psikolog ose një psikiatër, mund t’ju ndihmojë të përcaktoni nëse keni një çrregullim që ka nevojë për trajtim.
Sidoqoftë, nëse simptomat janë relativisht të buta, marrja e disa hapave aktive për të balancuar ndjenjat tuaja mund të jenë të mjaftueshme për t’ju ndihmuar të ndiheni më mirë.

Hapi #1: Dil nga Shtëpia
Nëse jeni të mbyllyr në shtëpi, kjo nuk mund të jetë gjithmonë e mundur. Gjithsesi, nëse jeni në gjendje të dilni jashtë, edhe për një kohë të shkurtër, shfrytëzojeni mundësinë. Ekspozimi ndaj dritës ditore mund të ndihmojë në rregullimin e cikleve natyrore të trupit, dhe lëvizja, qoftë edhe një shëtitje e shkurtër, ndihmon lëshimin e endorfinës, duke ju ndihmuar të ndiheni më mirë. Nëse nuk jeni në gjendje të dilni fare nga shtëpia, afrohuni afër dritares, merrni pak ajër të pastër, dhe filloni të ecni lart e poshtë. Gjithashtu mund të provoni të vendosni një ushqyes zogjsh në parvazin e dritares, ose të bleni lule të freskëta dhe i vendosni në një vend të dukshëm ku mund t’i shihni dhe ti nuhasni ato gjatë gjithë ditës.

Hapi#2: Ruajtja e Rutinës Normale e Ngrënies

Për shumë prej nesh, një ditë e mbyllyr në shtëpi është një justifikim për të tepruar në ushqim— të shëndetshëm apo jo. Shumë të tjerë mund të “harrojnë” të ushqehen fare. Sidoqoftë duhet bërë e ditur se, të hash në mënyrë të duhur mund të rrisë nivelet e energjisë dhe motivimit. Ndoshta disa mund të ndjehen më pak të uritur sepse të ndenjurit brenda do të thotë më pak aktivitet, por është e rëndësishme të monitoroni zakonet e ngrënies për tu siguruar që të ruani ekuilibrin e duhur të të ushqyerit. Gjithashtu, kufizoni ushqimet me sheqer të lartë, me yndyrë të lartë dhe pini shumë ujë.

Hapi#3 Vendosni Objektiva

Kur jeni të mbyllyr në shtëpi, ka shumë të ngjarë që gjatë kësaj kohë të mos bëni asgjë me rëndësi. Eshtë e rëndesishme që kur nuk keni gjë me rëndësi për të bërë të vendosni qëllime ditore dhe javore dhe ndiqni përparimin tuaj drejt përfundimit. Sigurohuni që qëllimet tuaja duhet të jenë të arsyeshme, dhe shpërblejeni veten për përmbushjen e çdo objektivi.
Ndërprerja e rutinës ditore gjatë izolimit mund të shkaktojë ndërprerje në ngrënie, gjumë dhe aktivitet. Për të krijuar një sens të vazhdimësisë së strukturës ditore, përpiquni të krijoni një rutinë të përditshme, e cila përbëhet nga projekte pune ose shtëpiake, planifikoni kohë për stërvitjes dhe madje edhe kohë joproduktive ku vetëm të meditoni dhe qetësoheni.

Hapi#4: Perdorni trurin dhe Shprehni Anën Tuaj Krijuese

A keni luajtuar ndonjë instrument apo gjithmonë keni dashur ta bëni? A keni qënë të dhënë mbas vizatimit apo pikturës? Apo keni një tufë fotografish nga pushimet e mëparshme që I kishit premtuar dikur vetvetes që do të vendosnit në një album? A keni ndonjë recetë gatimi që gjithmonë keni dashur ta provoni, por asnjëherë nuk keni pasur kohë?
Përdorni këtë kohë për t’u rilidhur me aktivitetet krijuese që I kishit vënë në pritje, sepse jeta ishte shumë e ngarkuar. Kalimi i kohës me aktivitete krijuese e mban trurin në punë dhe si rezultat gjithmonë të freskët dhe aspak të lodhur.
Gjithashtu, plotësoni fjalëkryqe, lexoni libra ose luani lojëra që sfidojnë trurin, si për shëmbull loja Shah. Stimulimi i trurit mund t’ju ndihmojë të ecni përpara dhe të pakësoni ndjenjat e izolimit dhe të pafuqisë.

Hapi#5: Shpenzoni Kohë me Njerezit Tuaj të Dashur por edhe Kushtoini pak kohë Vetes

Gjatë kohës së izolimit është e rëndësishme që të shpenzoni kohë me të dashur, familjarë, miq apo kolegë. Nëse nuk mund ti takoni personalisht mund ti “takoni” me FaceTime, Zoom ose Whats App. Ky veprim padyshim që mund t’ju mbajë në kontakt me botën e jashtme, dhe mund të bëjë që një hapësirë e vogël dhe e mbyllyr të ndihet shumë më e madhe.
Komunikimi me të tjerët që janë në një situatë të ngjashme mund të ndihmojë gjithashtu të ndiheni se nuk jeni vetëm. Shprehja e mendimeve, emocioneve dhe sfidave me të tjerët mund t’ju ndihmojë të kuptoni se ajo që ndjeni është normale.
Duke e mbajtur mëndjen në aktivitet të vazhdueshëm mund të ndihmojë në largimin e ndjenjave të mërzitjes ose shqetësimit dhe të bëjë që koha të kalojë më shpejt.
Megjithate, nëse jetoni me të tjerë, ndjenjat e Etheve të Kabinës mund të intensifikohen nga afërsia e individëve të tjerë.
Prindërit kanë përgjegjësi ndaj fëmijëve; partnerët kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit: Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të gjeni kohë për vetën.
Jepini vetes kohë «larg» nga të tjerët për t’u çlodhur. Gjeni një vend të qetë për të lexuar një libër, meditoni ose dëgjoni pak muzikë qetësuese.
Nëse ndiheni të stresuar, madje mund të dëshironi të dëgjoni ose lexoni diçka që ka të bëjë me shëndetin mendor ose ankthin.
Gjithashtu, mos harroni të lini pak kohë për të bërë pak stërvitje. Njerëzit që nuk stërviten janë më të prirur ndaj ankthit dhe depresionit sesa ata që stërviten rregullisht. Kjo për shkak se aktiviteti fizik ul hormonet e stresit të trupit, siç është kortizoli.
Në të njëjtën kohë, ushtrimi bën që truri të lëshojë endorfinë. Këto neurokimike mund të rritin gjendjen shpirtërore dhe ndjenjën e përgjithshme të mirëqenies.
Nëse nuk mund të dilni jashtë, mund të bëni një stërvitje të forcës në shtëpi duke përdorur vetëm peshën e trupit tuaj ose pajisje, dhe ushtrime të thjeshta.
Më në fund mos harroni të qetësoheni. Jo çdo minutë e çdo ditë që kaloni në shtëpi duhet të planifikohet. Jepini vetes ca kohë për të pushuar. Meditimi, frymëmarrja e thellë dhe ushtrimet qetësuese mund t’ju ndihmojnë të mirëmbani shëndetin tuaj emocional dhe të balanconi ndjenjat e izolimit ose zhgënjimit, që shoqërohen me simptomat e “Etheve te Kabines”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ethet e Kabines, Manjola Barci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 352
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT