• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët nuk duhet të votojnë partitë maqedonase, as LSDM-së…

June 23, 2020 by dgreca

“Thelbi i politikës “neokomuniste” të Zaevit është ti fus shqiptarët në një kazan shkrirës”./

NGA ARBEN LLALLA/

Zgjedhjet vendore që u mbajtën në Maqedoni më 15 tetor treguar se eksperimenti i LSDM-së për të tjetërsuar votat shqiptare doli me suksese. Ky eksperiment u zbatua në fillim në zgjedhjet për deputetë të mbajtura në dhjetor 2016, ku tre shqiptarë kandiduan për deputetë me partinë sllavo-maqedonase LSDM, e cila gjithnjë kur ka qenë në pushtet i ka vrarë dhe masakruar shqiptarët si në rastin e Gostivarit 1997, Sopotit, etj.

Ishte kjo LSDM që i ngritën kurthin shqiptarëve në rastin e Sopotit, ishte po kjo garniturë e qeverisë, kur në Tetovë policia vrau brenda në banesë një student shqiptar nga Kosova me pretekstin se po ndiqnin kriminelët. Gjatë qeverisjes së LSDM pas 2001 u arrestua ish-luftëtarja e UÇK, Rajmonda Maleçka bashkë me babain e saj, të cilët u dënuan padrejtësisht. Ndërsa në të njëjtën periudhë dy intelektualët shqiptarë, profesori universitar Ylber dhe Adelina Lili u shpallën non grata.

Eksperimenti i dhjetorit 2016, tregoi se për interesa të ngushta personale shqiptarët në masë të madhe mund të votojë çdo parti sllavo-maqedonase.

Këto lloj eksperimentesh nxorën në shesh se një pjesë e mirë e shqiptarëve në Maqedoni me dhimbje po braktisin programet kombëtare përballë programeve ekonomike. Pra, gjaku i dëshmorëve i derdhur brez pas brezi mund të mohohet, mund të shkelet dhe nuk është çudi që me mijëra shqiptarë mund të ndërrojnë dhe kombësinë e tyre për interesat e ngushta ekonomike për bukën e barkun.

Por, cilat janë shkaqet që po i çojnë shqiptarët drejt partive vrasëse sllavo-maqedonase?

E pra, çfarë e ka gjetur këtë racë të fortë, trime shqiptare që të degradohet në këtë gjendje? Çfarë i ka gjetur shqiptarët e Maqedonisë që janë varfëruar kaq shumë, kur ishin këta shqiptarë të Maqedonisë që mbështetën ekonomikisht Shqipërinë më 1990, 1997, dhe Kosovën më 1998-1999? Janë këta shqiptarë të Maqedonisë që mbajtën peshën e Kongresit të Manastirit më 1908 dhe mbrojtjes së Pavarësisë më 1912.

Është për të zënë kujën kur shikon familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001 në një varfëri të thellë, por ajo që është edhe më tragjike se vërehet se fëmijë të dëshmorëve kërkojnë ndihmë nga LSDM duke marë edhe librezën e kësaj partie. Nuk e di nëse ka maqedonas apo fëmijë të branitellave që të votojnë për ndonjë partie shqiptare e aq më keq të ketë librezën e BDI?

Duket qartë se LSDM punon për dobësimin e BDI dhe zhdukjen e PDSH sepse vetëm këto dy parti janë të cilat mund ti bëjnë ballë asajtë, por edhe çdo partie tjetër shoviniste sllavomaqedonase. LSDM ka punuar e punon fortë që ti përçajë shqiptarët më tej ti tresë si kripa në ujë, për të ulur peshën e votës shqiptare.

E ardhmja për shqiptarët në Maqedoninë duket e zymtë dhe ndoshta në këto zgjedhje të korrikut 2020 nuk do kemi shumë deputet me ADN dhe ndërgjegje shqiptare. Prandaj votuesi shqiptar bën mirë ti japë një shuplak me votë kundër Zoran Zaevit të cilit më 2016 i besuan rreth 70 mijë vota. Zaevi e ka kuptuar tashmë se me buzëqeshje, mashtrime dhe premtime boshe nuk mund ti manipulojë më shqiptarët dhe zgjodhi si partner në kualicionin e njësuar partinë BESA. Por e vërteta është se LSDM nuk u tregua serioze e korrekte me partnerët e saj qeveritar 2016-2020, partitë BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK duke mos realizuar asnjë premtim të bëra gjatë fushatës së 2016, prandaj edhe me BESËN nuk do jetë korrekte.

Dua të them se i madhi Arbër Xhaferi ka thënë: “LSDM-ja kultivon një nacionalizëm tinëzak, ose të kamufluar, që synon të vërë në gjumë si faktorin shqiptar ashtu edhe atë ndërkombëtar shprehet ai”. Prandaj është mirë që votuesi shqiptar që përpara se të votojnë duhet të mendohen mirë se kujt po ia japin votën, më mirë të votojnë për shqiptarin më të keq se sa për LSDM apo një parti tjetër jo shqiptare. Prandaj unë do bërtas e do çirrem për ti ndërgjegjësuar votuesit shqiptar që të mos votojnë LSDM sepse kam zgjedhur rrugën për të qenë shqiptar me ADN dhe ndërgjegjie kombëtare ashtu siç kanë qenë të parët e mi e më kanë edukuar prindërit. Dhe pse këtë e paguaj përditë shtrenjtë në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirim time. Por duke përbuzur

ofertat për të qenë vasal duke u lëpirë, puthur duart dhe këmbët e përmjerra. Kam preferuar të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat.

Në përfundim, Zoran Zevi e çdo tjetër Zaevit duhet ti jepet shuplakë nga votuesit shqiptar. Askush nuk mund të tallet me sinqeritetin, urtësinë, durimin dhe zgjuarsinë e votuesve shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Historia mban shënime, ajo nuk fal, prandaj duhet kujdes se çfarë do bëjnë me votën e tyre shqiptarët…

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Partite maqedonse, shqiptaret, Zaevi

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin

June 22, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

21 Qershor, 2011

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: homazhe, Keze Kozeta Zylo, Nekibe Kelmendi

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË REPUBLIKËN E SËRBISË, NË VITIN 2020

June 22, 2020 by dgreca

Nga Gjokë Dabaj/
U dha lajmi që, për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Sërbisë, votuan edhe sërbët që jetojnë në Republikën e Kosovës. Duke votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë, këta sërbë e pohuan me votën e tyre se janë banorë të ardhur në Republikën e Kosovës. Ata vërtetuan kështu se janë imigrantë në Republikën e Kosovës dhe, si të tillë, doemos kanë të drejtë të votojnë për atdheun e tyre, në të cilin edhe mund të kthehen një ditë.
Vetë emri i tyre sërbë (srbin) dëshmon që ata janë me prejardhje nga Sërbia. Ashtu si vetë emri malazias (Crnogorac) pohon se ata janë të ardhur nga Mali i Zi.
Tani unë nuk e di: A kanë votuar për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët e Segedit në Republikën e Hungarisë, sërbët e Timishuarës në Republikën e Rumanisë, ata pak sërbë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë Veriore, ata që e quajnë veten sërbë në Malin e Zi të sotmin, ata boshnjakë pravosllavë që e quajnë veten sërbë në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës?
Veç kësaj, unë nuk e di: A kanë votuar sot për parlamentin e Republikës së Sërbisë sërbët që jetojnë në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Skandinavi, në SHBA, në Kanada? Nëse po, atëherë s’ka asgjë të keqe që edhe sërbët në Republikën e Kosovës votuan si popullsi e ardhur, e cila atdheun e vet e ka në Republikën e Sërbisë.
Aq më tepër kur të gjithë e dimë që ka edhe shqiptarë të cilët kandidojnë për t’u votuar në disa vende të Evropës, si edhe në SHBA e Kanada. Jo vetëm në Evropën Perendimore e në SHBA, por edhe në Republikën e Greqisë dhe në Republikën e Turqisë, ka shumë shqiptarë që kandidojnë në parlamentet përkatës dhe kjo, pa dyshim, është gjë e mirë. Sigurisht, nëse deklarohen si shqiptarë e jo të jenë shqiptarë e të deklarohen turq apo grekë. Në këtë pikë, shqiptarët dhe arvanitët që jetojnë në Republikën e Greqisë, si dhe shqiptarët që jetojnë në Republikën e Turqisë, duhet të marrin shembull prej sërbëvet, të cilët kam përshtypjen se asnjëherë nuk regjistrohen si shqiptarë dhe rrallëherë si rumunë, hungarezë, suedezë, gjermanë.
Me këtë rast duhet bërë edhe një dallim midis shqiptarëvet të Anamoravës, që sot kanë votuar për kandidatët e vet në parlamentin e Republikës së Sërbisë dhe sërbëvet, banorë aktualë të Republikës së Kosovës, që gjithashtu votuan për atë parlament. Sërbët e Republikës së Kosovës janë të ardhur, janë imigrantë, siç e thashë dhe siç edhe ata vetë e dinë, kurse shqiptarët e Anamoravës janë vendës, trashëgues historikë të iliro-dardanëvet, prej mija vjetësh në Anamoravë. Mjafton të përmendim vetëm kaq: As Konstantini i Madh, as Justiniani i Madh, që janë perandorë ilirë, nuk kanë qenë të ardhur në këto anë, por ishin vendës. Ndërsa Nemanjiqtë, filluar nga Stefan Nemanja deri te Car Dushan Sillni, që të gjithë kanë qenë pushtues të tokavet tona.
Së fundi, duhet të shënojmë këtu edhe një dedukcion tjetër: Nëse sot nuk kanë votuar për parlamentin e ri të Republikës së Sërbisë, përveç sërbëvet që jetojnë si imigrantë në Republikën e Kosovës, edhe sërbët (apo ata që e quajnë veten sërbë për shkak të përkatësisë fetare pravosllave), në Seged, në Timishuarë, në Republikën e Bosnjë-Hercegovinës, në Republikën e Malit të Zi, në Evropën Perendimore, në SHBA dhe në Kanada, atëherë është shumë keq për kombin sërb. Është shumë keq, madje s’ka ku të vejë më keq, për Sërbinë dhe për kombin sërb, sepse, duke e konsideruar Republikën e Kosovës si “pjesë të Sërbisë”, udhëheqja sërbe, e dirigjuar prej një kaste kallugjerësh mjekërroshë, të dehur, sarhoshë e xurxull gjithë jetën, po e çon kombin sërb drejt një vetëhumbjeje katastrofale.
Askush nuk do të mund ta ruajë Sërbinë nga një asgjësim total, nëse do t’i hyjë aventurës për të zgjatur thonjtë mbi cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, le më mbi krejt këtë shtet, i cili është ndërtuar mbi gjakun dhe eshtrat e qindra mijë shqiptarëvet!
Sërbët duhet ta dinë se nuk është më, as gjysma e dytë e shekullit XIX, as gjysma e parë e shekullit XX! Sërbët duhet ta dinë që, ky vit i zgjedhjevet të tyre, është viti 2020!

21-22 qershor 2020.         

Filed Under: Analiza Tagged With: Serbi, zgjedhjet Parlamentare

Tre artistë-kolosë pa statuja-Nëse jo tani, atëherë kur?!

June 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Melsen Kafilaj/

Njëherë, një mëndje brilante evropiane, historiani holandez Johan Huizinga u shpreh kështu: “Nëse duam që ta ruajmë kulturën, ne duhet të vazhdojmë që ta krijojmë atë.”Befas ky mendim iluminues më erdh ndër mënd kur konstatova se tre artistë-kolosë, artistë nga ata të cilët numërohen me gishtat e dorës dhe që i kanë dhënë kaq shumë këtij vendi fatkeqësisht janë lënë në harresë dhe nuk u është kushtuar respekti i duhur pas vdekjes për kontributin e tyre.Por a mund të lihen në harresë artistë të mëdhenj të një Kombi si ata?! Ata që veshi e syri estetik shpirtëror s’ka sesi të mos dridhet dhe emocionohet kur është në prani të veprave të tyre.

A mund të lihet në harresë kompozitori i madh Pjetër Gaci, ai i cili përmes këngës së pakohë “Për ty Atdhe” i gdhëndi kombit tonë një monument të përjetshëm dashurie?!Ai që ka kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare?!Si është e mundur vallë që gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar nuk është kujtuar kush nga ana institucionale që të propozoj a marr ndonjë nismë praktike për realizimin e një monumenti në bronz për kolosin Pjetër Gaci?! Kombi ynë ka një obligim moral ndaj tij, ndaj tij dhe ndaj të Ardhmes.Sepse Gaci nuk është vetëm një artist, por një simbol atdhedashurie i cili duhet të përforcohet në memorien tonë kombëtare dhe ti bëhet nderimi i duhur.

Që ne jemi një nga kombet i cili e përdor më shpesh kujtesën afatshkurtër, ky tashmë është një fakt.O ironi e Fatit! O marrëzi e kësaj kohe!Po si është e mundur vallë që babai i skulpturës shqiptare, ai i cili realizoi mbi 600 vepra arti, midis të cilave skulpturat e Kristoforidhit, Fan Nolit dhe ato të Heroit Tonë Kombëtar Skënderbeut, ky komb ta lër në harresë dhe të mos i skalit një skulpturë?!Si është e mundur vallë që të madhit Odhise Paskali, atij të cilit veprën e parë “I Urituri”(mjaft e fuqishme për nga shprehia emocionale) Italia (Atdheu i Artit Botëror) ia rrëmbeu si plaçkë lufte ndërsa vepra tjetër i qëndron madhështore në Mauthausen të Austrisë si shënjë triumfi e koalicionit të Humanizmit kundër Nazizmit, pikërisht këtij artisti veprat e të cilit janë vendosur  në disa sheshe kryesore të qyteteve shqiptare të mos ketë një monument për nder të tij, i vendosur ky i fundit përpara Galerisë Kombëtare të Arteve ose Universitetit të Arteve si dy vëndndodhje sinjifikative?! Mendoj se Paskali ynë ka bërë mjaftueshëm për këtë vend aq sa në mënyrë honorifike ky i fundit ta nderoj dhe t’ju dëshmoj brezave pasardhës për trashëgiminë e tij.

Por ka edhe më akoma.Së fundmi,Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit sapo është rikonstruktuar.Një punë që duhet vlerësuar.Po pse të mos ketë përpara tij një bust të divës Marie Kraja, këngëtares së mrekullueshme lirike të mbi 300 këngëve tona popullore, përfaqësuese dinjitoze e Shqipërisë në “Mbrëmjen e Kombeve” në Vjenë, gur-themel i këtij institucioni (TKOB) dhe pjesmarrëse në operën e parë shqiptare “Mrika”?! A nuk e meriton vallë një nderim të tillë një artiste-kolose e cila ia kushtoi gjithë jetën emancipimit të kësaj shoqërie përmes muzikës dhe veprimtarisë së saj pedagogjike?! A nuk është një shënjë e lartë kulture dhe emancipimi për një komb i cili figurat e veta më prominente femërore ti ngrej në piedestal dhe ju mësoj ndër breza fëmijëve të vet se progresi i një shoqërie varet nga edukimi, respektimi dhe energjia jetësore që rrezaton një grua?! Fatkeqësisht bustet e personaliteteve femërore kulturoro-shkencore në vendin tonë janë të rralla ose thuajse mungojnë fare por është koha për të vetreflektuar dhe bërë një hop cilësor edhe në këtë drejtim.

Për tu kthyer edhe njëherë tek Huizinga.Personalitetet kulturoro-shkencore të një kombi duhen respektuar, trajtuar me dinjitet dhe mbrojtur me fanatizëm.Modelimi dhe realizimi i busteve për to është një akt fisnik në shërbim dhe mbrojtje të kulturës tonë kombëtare i cili duhet realizuar sa më parë.Në të tillë mënyrë krijojmë kulturë për brezat, jo vetëm për njohjen e këtyre personaliteteve dhe lidhjen e tyre me kujtesën tonë kolektive por i shtojmë hapësirave publike edhe tre vepra të tjera arti, tre vepra të cilat nëse i kundron përditë e nga pak mund ta bëjnë Homo Albanicus tonë paksa  më të mirë dhe më reflektonjës ndaj Atdheut sesa është në apatinë e tij të zakonshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj, pa statuja, Tre artiste-Kolose

KISHA NË RUMI ILEGALE DHE PËRÇARËSE NDAJ QYTETARËVE

June 19, 2020 by dgreca

Diskursi sociopolitik/

KISHA NË RUMI ILEGALE DHE PËRÇARËSE NDAJ QYTETARËVE/

Më 18 qershor 2020 bëhën 15 vite nga vendosja e objektit metalik në Malin e Rumisë, në organizim të Kishës Ortodokse Serbe(KOS), në mënyrë ilegale, pa leje të punës, duke irituar qytetarët, çështje e cila është kontestuar nga subjektët politike të shqiptarëve por edhe nga Qeveria e Malit të Zi, e cila ndonëse ka marrë vendim për zhvendosjen e objektit nga mjedisi përkatës, por deri më tash vendimet e tilla janë injoruar nga KOS-i duke u sjellur si shteti në shtet, çëshje kjo e cila është aktuale edhe tani kur kemi një polarizim dhe politizim të skenës politike në Mal të Zi/

Shkruan: Nail  Draga

Vendosja e objektit metalik nga llamarina, në malin e Rumisë në vitin 2005nuk ka dilemë së është realizuar me bekimin e heshtur të pushtetit vendor dhe ati qendror. Nëse një veprim i tillë në atë kohë vlerësohej se ishte një lëshim nga ana e pushtetit sepse ishte në përgatitje të referendumit për pavarësi të Malit të Zi(21 maj 2006), qendrimi indiferent më pas ndaj një objekti të tillë të quajtur kishë, ka politizuar skenën politike, duke rikthyer ortodoksizmin si në vitët 90-ta të shekullit të kaluar.

Kujtojmë me këtë rast së në llamarinën e vendosur në Rumi në vitin 2005, arkitektet e këtij montimi metalik, kanë vazhduar me punime tjera duke mveshur fasadën  e këtij objekti me material të fortë përkatësisht me gurë(tetor 2018).Dhe i tërë ky angazhim restaurues është bërë në mënyrë legale, ku patën reaguar disa parti politike e nga shoqëria civile. Duhet theksuar edhe reagimet eargumentuara të subjektëve politike shqiptare, duke i përkujtuar pushtetit së objekti i tillë sa i paligjshëm është edhe provokuaes për shqiptarët  si popull autokton në këtë mjedis, andaj si i tillë duhet të hiqet nga mali i Rumisë.

Deklarata e kryeministrit pa realizim praktik

Nga reagimet  ndaj një objekti të tillë të paligjshëm, duhet përkujtuar deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, D.Markoviqit të datës  24 tetor 2018 i cili në mes tjerash ka deklaruar se “objekti është i paligjshëm dhe si i tillë duhet të hiqet nga ai vend”, duke theksuar së ligji duhet të vlej për të gjithë, për çdo ndërtim joligjor. Por, nga ajo kohë, të gjithë jemi dëshmitar, së në praktikë nuk është realizuar asgjë, por siç duket ishte një deklarim politik  ditor, dukuri që nuk është e panjohur në skenën politike.

Por, më të drejtë behët pyetja si do të kishte reaguar pushteti qendror  nëse rastësisht pjesëtarë të kishës katolike, apo bashkësisë islame të kishin ngritur objekte të kultit të tyre, kishë apo xhami në Rumi. Nuk ka dilemë, se, reagimi do të kishte qenë i mënjëhershëm, me ndëshkime ligjore, por me KOS-in puna qendron ndryshe, sepse ata në heshtje mbeshtetën nga pushtetarët. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, se objekti metalik i vendosur në Rumi, me 18 qershor 2005, është ndërtuar në Tivar, dhe bartur me helikopter të ushtrisë Serbia-Mali i Zi. Pra ishte realizuar me bekimin e miratimin e pushtetit të kohës. Andaj, kjo është edhe arsyeja se pse nuk ka reaguar  me kohë pushteti qendror për të realizuar në praktikë  vendimet e veta për zhvendosjen e objektit metalik në mjedisin përkatës. A është kjo heshtje e rastit  apo  kompromis me përfaqësuesit e kishes serbe, mbetet të supozohet.

Mali i Rumisë i shenjtë për shqiptarët

Nga punimet ne vitin 2018

Mali i Rumisë nuk është mal si të gjithë të tjerët, sepse për shqiptarët është mal i shenjtë, që është pjesë e trashëgimisë popullore shqiptare, që nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona. Si i tillë ai ishte kult edhe për pjesëtarët e popujve të përkatësisë fetare katolike e ortodokse, duke qenë mal i harmonisë nacionale e fetare, e popujve të këtij mjedisi, harmoni që dëshiron ta acaroj KOS-i, me qellime ekskluzive politike.

Në këtë kohë të krizës politike e ekonomike, përfaqësuesit e Mitropolitisësë KOS-it në Mal të Zi, veprojnë me qellim  duke deformuar mjediset publike, ku përveç kishës teneqe në Rumi, ata kanë ndërtuar më parë objekte të ngjajshme edhe në ujdhesa në liqenin e Shkodrës, duke irituar popullatën vendore. Nuk ka dilemë se këto veprime janë me prapavi politike që u dëshmu më herët me iniciativën e ndërtimit të kishës ortodokse në Martinaj(Guci), peligrinazhin në Ostros(Krajë), e në Ulqin si dhe së fundi në Shas(2018) janë dëshmi se atyre  iu intereson të prezantohen edhe në viset shqiptare, për të krijuar incidente me përmasa ndërnacionale.

Në mbeshteje të ideologjisë neofashiste serbe

Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një strategji përfide të ortodoksisë serbe, ideologji ekspansioniste nga shek.XIX e cila vazhdon deri në ditët tona. Një veprim i tillë është edhe kundër vetë malazezëve si popull, e Malit të Zi si shtet, por edhe kundër popujve  të tjerë në Mal të Zi.

Duhet cekur se më rënien e sistemit monist, ata u manifestuan më tërë kapacitetin e tyre, duke iu rikthyer ideologjisë së tyre shekullore. Dhe të ngarkuar me sindormin e tyre panortodoks, ata ishin mbeshtetësit e luftës në ish Jugosllavi. Ishte unifikimi praktik i ideologjisë neofashiste serbe me ate ortodokse serbe, që është dëshmuar me luftërat dhe krimet e tyre gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë e së fundi në Kosovë.

Ortodoksia serbe si në mesjetë

Një veprim i tillë historikisht të kujton kohën e Nemanjiqëve, kur pjesëtarët e qytetarëve që i përkisnin kristianizmit, ishin të detyruar dhunshëm të konvertohen në ortodoksi,  e cila ka mbetur e shënuar në histori për krimet e shumta të pushtuesve serb të kohës. Dhe një dhunë te tillë e kanë përjetuar edhe shqiptarët për tre shekuj, të cilët u konvertuan në ortodoks, duke pasur pasoja të dëshmuara me të dhëna historike.

Por, në rrethana të reja në pluralizëm KOS-i nuk ka dilemë se ka pasur mbeshtetje nga pushteti i Malit të Zi, sepse pa përkrahjen e tyre ata nuk do të vepronin lirshëm  duke keqpërdorur demokracinë pluraliste,  në këtë mjedis. Por ndarja e tyre ka filluar në fund të vitit të kaluar kur u miratu në kuvend Ligji për bashkësitë fetare në Mal të Zi. Dhe, siç duket këtu ishte fundi i tolerancës bashkëpunuese  ku pushteti filloj të reagoj, sepse u cenuan të drejtat e vet malazezëve, që ndikoj në vetëdijësim të tyre, duke kuptuar më së fundi se  hegjemonizmi ortodoks serb, më mbeshtetje nga shteti serb në Beograd, paraqet rrezikun kryesor për shtetin e Malit të Zi. Refuzimi i ligjit të tillë, dhe organizimi i shetitjeve enkas për këtë çështje nga ana e tyre ka marrë përmasa kundërshtetërore, që është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë.

Kryqi ortodoks në Kullën e Sahatit në Podgoricë

Kujtojmë me këtë rast verën e vitit 2017, kur ngjarje mediatike ishte vendosja e kryqit ortodoks, në Kullën e Sahatit në qytetin e Podgoricës. Ishte ky një veprim absurd, që u vepru kundër   qytetarëve të përkatësisë fetare islame, si dhe institucionit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Por  pushteti lokal i kryeqytetit vendosi sipas politikës së tyre, duke lejuar vendosjen e kryqit në monumentin kulturor të arkitekturës islame. Theksojmë me këtë rast së qyteti i Podgoricës  iu dhurua Malit të Zi, në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878), ndonëse deri atëherë ka dominuar popullsia më përkatësi fetare islame, në kulmin e Kullës së Sahatit nuk ka ekzistuar asnjë simbol fetar, por pushteti i ri  vendosi simbolin  e vet fetar, duke dëshmuar ideologjinë e ortodoksisë!

Nuk ka dilemë së vendosja e kryqit ortodoks në objektin e restauruar të Kullës së Sahatit, të financuar nga TIKA, është realizuar  me vendimin e pushtetit lokal përkatësisht me bekimin e Ministrisë së  Kulturës  në Qeverinë e  Malit të Zi.

Një qendrim e veprim i tillë ishte dëshmi se pushteti aktual, është i infektuar me sindromin e ortodoksizmit, dhe e ka të vështirë të shërohet, duke mos reflektuar për rrethanat shoqërore në të kaluarën dhe në ditët tona, që është parakusht për çdo mjedis  të konsoliduar multikultor e multinacional, sipas standardëve demokratike ndërkombëtare.

Përfundim

Ndërtimi i objektëve fetare në ato mjedise, ku nuk kanë qenë të pranishëm më herët por duke u bazuar në mite e falsifikime iriton popullatën përkatëse. Një veprim i  tillë paraqet dukuri të rrezikshme kudo e në veçanti në mjediset multinacionale. Në këtë aspekt në pluralizëm është duke u dalluar KOS-i në Mal të Zi, që me sjelljet e tyre veprojnë sikurse janë shteti në shtet, duke qenë ekspozitur e Beogradit. Dhe një veprim i tillë nuk paraqet çudi sepse kemi të bëjmë me konceptin e tyre gjeostrategjik të bazuar me Naçertanijën(1844), që në formë të modifikuar përmes dy Memorandumeve të Akademisë Serbe nga paraqitën edhe në ditët tona.

Çdo tolerim nga ana e pushtetit në Mal të Zi, ndaj veprimit të tyre të bazuar në ideologjinë klerofashiste serbomadhe, do të jetë me pasoja për kohën e tashme dhe të ardhmën në Mal të Zi, që është në kundërshtim me koncpetin shtetëror  të këtij mjedisi i cili është i veçantë në këtë regjion.

(Qershor  2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kisha ne rumi, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 357
  • 358
  • 359
  • 360
  • 361
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT