• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HONG KONGU, KINA: PAMBROJSHTMËRIA E KOMUNIZMIT

June 7, 2020 by dgreca

Nga Renato Cristin/ Perktheu Eugjen Merlika/

            Trysnia që po ushtron qeveria kineze mbi Hong Kongun e më saktë mbi lëvizjet që kërkojnë një autonomi relative nga pushteti qëndror i Pekinit, ka disa veçanti psikoshoqërore mjaft të dukëshme. Tregon tiparet e një qëndrimi paditës të ankthshëm që, kur kalon kufijtë vetiakë e kthehet në sjellje të Shtetit, bëhet i rrezikshëm në shkallë të gjërë e në shumë nivele. Ky qëndrim ka diçka të marrë e shfaq një vullnet kontrolli (variant i veçantë i vullnetit të përgjithshëm të pushtetit) që tfillohet vetëm nëse mendohet për regjimet totalitare, hamëndjet e tyre teorike dhe teknikat e zbatimit të tyre, nga të cilat fatkeqësisht zotërojmë një gamë shumë të gjërë, që shkon nga mekanizmat rudimentalë e gjaksorë të skllavërimit të tipit kamboxhan tek format e stërholluara (edhe se jo më pak gjaksore) të kontrollit e të përpunimit të tipit nacionalsocialist ose sovjetik. E bashkuar  me praktikën e asgjësimit të rregullt të kundërshtarëve politikë, kjo formë tipike e totalitarizmave e veçanërisht e  komunizmit, ka prodhuar shtypje, zotërim, shkatërrim e vdekje: një shtysë krimsjellëse që vazhdon të jetë një kërcënim për të gjithë, për gjithë botën.

            Veprimi kinez mbi Hong Kongun pasqyron prirjen e përgjithëshme të Pekinit kundrejt pakicave (të çdo lloji, etnike a fetare) duke vënë në dukje një zbatim të posaçëm në një sektor që quhet si një trup i huaj për t’u përfshirë: një hapësirë liberizmi financiar në një ekonomi që nuk është më tërësisht shtetërore, por sigurisht prè e një kontrolli të fuqishëm shtetëror, një ishull kapitalist në një oqean komunist, qoftë edhe në trajtën e shndrruar të komunizmit kinez të shekullit 21. Këtu kontrolli duhet të ketë forma të ndryshme prej atyre që Pekini ushtron mbi pakicat, nga të krishterët tek tibetanët. Në Hong Kong duhet patjetër të karakterizohet si një kontroll institucional, ekonomik më parë se politik. Mbas shtypjes së 2019, që ka ardhur duke u rritur deri në detyrimin e vullnetit qëndrësor, disa ditë më parë janë riparë sjelljet, paralajmërimet e kërcënimet që karakterizojnë një shtypje të tillë. Simbas kësaj logjike autonomia e Hong Kongut duhet të pakësohet deri në zhdukje. I përjashtuar parapëlqimi i para 1997,  ai i “dy Vendeve me dy sisteme”, mbasi u la të kuptohet se mund të ishte e sendërtueshme formula “një Vend dy sisteme”, Kina tani po përpiqet të detyrojë zgjedhjen “një Vend një sistem” e në mënyrë absurde do të arrinte të pranonte ”dy Vende, një sistem”, sepse është themelore për mëndjen mbas maoiste që, nën trajtën e partisë, drejton fatet e Vëndit më të populluar të botës që synon të jetë edhe ai më i fuqishmi, është sistemi, ai që qëndron brënda konceptit të sistemit e që shpjegohet pikërisht me kontrollin. Lëvizja për autonomi të Hong Kongut përftohet nga Kina përtej rëndësisë së saj të vërtetë; është simbol i diçkaje që rrezikon t’i iki dorës së autoriteteve qëndrore, veçanërisht autoritetit epror, atij të Partisë komuniste.

            Shumë gjëra janë ndryshuar në Kinë që nga fundi i maoizmit si kuadër ideologjik i mbyllur e dogmatik; shndërrime të mëdha në jetën shoqërore, në mënyrat e prodhimit, në marrëdhëniet ndërkombëtare, por në gjithë këtë dinamikë ndryshimesh diçka ka mbetur e pandryshuar: qenësia dhe pushteti i partisë komuniste. Veprimtaria e qeverisë kineze, e përqëndruar tek udhëzimet e partisë, nuk është më ngushtësisht e lidhur me ortodoksinë maoiste dhe as e kushtëzuar më nga doktrina marksiste-leniniste. Kjo do të thotë se partia në fuqi, e vetmja dhe e padiskutueshmja, është komuniste me emër por më pak në fakt, për pasojë dhe shoqëria në përgjithësi është më pak e tillë. Komunizmi në të vërtetë nuk është një bllok monolitik i njëjtë në çdo çast historik e në çdo Vend: komunizmi i Jugosllavisë së Titos nuk ishte i njëjtë me atë të Shqipërisë së Hoxhës, ai i Gjermanisë Lindore të Erich Honecker nuk ishte njëlloj si ai i Kamboxhas së Pol Potit, socializmi i Egjyptit të Gamal el-Nasser nuk ishte i njëjtë me atë të Rumanisë së Nikolla Çaushevskit, e mund të vazhdojmë me shëmbujt.

            Nuk i a vlen tani të pyesim se në çfarë qëndronin ata ndryshime e cilat ishin arsyet, por duhet të gjejmë se cilët ishin emruesit e përbashkët e në veçanti të vemë në dukje thelbin e vullnetit të kontrollimit. Kina e sotme është më pak komuniste, ose më saktë, ndryshe komuniste nga epoka e Maos, edhe se mbeten hije shqetësuese të panjohura mbi shkrirjen e vërtetë të laogai, gulagëve maoistë. Drejtuesit e rinj kanë mësuar nga shpërthimi i Bashkimit Sovjetik; kanë kuptuar se sistemi ekonomik komunist, në një periudhë të gjatë, nuk është i durueshëm, prandaj kanë ndërhyrë në pikën e dobët më therëse e më të dukëshme. Por sistemet komuniste kanë edhe një tjetër pikë të dobët: mungesa e lirive vetiake, pasojat e së cilës me kalimin e kohës, nuk janë më pak rrënuese se sa receta ekonomike e dështuar. Me të njëjtën largpamësi drejtuesit aktualë do të duhej të ndërhynin, në mënyrë konkrete dhe zgjidhëse, edhe tek ky tjetër negativitet i sistemit. Le të bëjmë një hamendësi teorike: nëse ndryshimi tashmë i kryer përfaqëson mundësinë e largimit të mëtejshëm nga maoizmi e nëse qeveria kineze don t’a kthejë në vepër këtë mundësi, ajo duhet të shndërrojë në të mirë aspekte të tjera të politikës së saj, si të brëndëshme ashtu dhe të jashtëme, duke filluar nga çështja e lirisë.

            Por a është e mundur kjo? Pengesa në të cilën thyhet çdo orvajtje, çdo qëllim i mirë qeveritar kinez përfaqësohet nga ajo bërthamë atomike dhe e rrënjosur që qëndron në vullnetin për të kontrolluar e që, në vetvete është një detyrim për të përsëritur, nga i cili është i pamundur  çlirimi, si në rastin kur sjell efekte të quajtura pozitive për regjimin, si në atë të kundërt kur sjell pasoja negative siç ishte rasti i virusit të prodhuar në Vuhan, të pa njoftuar menjëherë bashkësisë ndërkombëtare, me pasoja rrënuese për gjithë botën, veçanërisht për Perëndimin. Edhe pandemia aktuale është një efekt, i pavullnetshëm (i klasifikueshëm si heterogjenezë e qëllimeve) i mungesës së përgjithëshme të lirisë dhe i formimit të çistit të prirjes për kontrollin e nyjeve më të përbrendëshme, si psikologjike si doktrinare, të mekanizmit të madh ideologjiko – pragmatik që kryeson regjimin komunist e që në regjim shfaqet, e i funksionimit të të cilit pandemia është një pasojë e tërthortë: kur kontrolli, i marrë në vetvete, funksionon përsosmërisht njerëzit janë të privuar nga liria, shoqëria është e skllavizuar, por regjimi është fitimtar; kur në mbarështimin e kontrollit hapet një e çarë e tipit organizativ shoqëria nuk bëhet më e lirë (veç rasteve kur bëhet fjalë për të çara organike që i paraprijnë shëmbjes së vetë sistemit, si në rastin e Bashkimit Sovjetik e satelitëve të tij, (por sigurisht nuk është ky rasti i Kinës së sotme) dhe as regjimi nuk dëmtohet përtej dëmeve që ai ka prodhuar në Perëndim e për të cilët ky i fundit duhet të kërkojë llogari në hollësi deri në fund, me të gjithë mjetet institucionalë, ligjorë e diplomatikë që ka në dispozicion.

            Siç shihet, çështja vërtitet e gjitha rreth një pike. Nëse nuk ndërhyhet rrënjësisht në këtë strumbullar qënësor të çdo komunizmi, real apo teorik, mund të sendërtohen forma të komunizmit më të buta, siç ka ndodhur në histori, por pa hedhur hapin vendimtar: braktisjen e komunizmit si sistem drejtimi, si model shoqëror. Këtu problemi është politik e logjik në të njëjtën kohë: nëse vullneti i kontrollimit qëndron në themelin e veprimit të përgjithshëm të komunizmit, si mund të ndryshojnë rrënjësisht mënyrat e atij veprimi pa prekur atë themel? E pra, perspektiva e përmbysur, nëse nuk ndërhyhet për të shndërruar vullnetin e kontrollimit, si mund të mendohet të bëhet një shkëmbim modeli, të braktiset komunizmi? Përgjigja është e vetme dhe e njëtrajtëshme: e pamundur. Edhe nëse klasa drejtuese kineze të ketë menduar ndonjëherë të shkëputet përfundimisht (qoftë edhe hap mbas hapi) nga ideologjia maoiste për të arritur në një këmbim paradigme, nuk do t’arrijë kurrë  pa ndërhyrë mbi bërthamën teoriko-praktike të atij modeli.  Meqënëse faktet, të vërteta e objektive, na vërtetojnë se parija politiko – qeveritare  kineze vazhdon të shfaqë të njëjtin vullnet kontrollimi, mund të bëjë ndonjë hap të vogël shkëputjeje nga vija maoiste, por nuk do të mund të shkojë përtej një komunizmi të modifikuar pragmatikisht. Në këtë rrafsh pra fusha e shahut kineze është e bllokuar: asnjë lëvizje vendimtare nuk duket e mundëshme.

            Po atëherë? Hong Kongu duhet të dorëzohet sepse moloku komunist, i shtrënguar nga struktura (dhe shtrembërimi) ideologjik, nuk mund të ndryshojë më shumë? Do të kishte një shteg mundësie, edhe se shumë i ngushtë: një mbifuqi botërore siç është sot Kina, duhet të hedhë një hap vendimtar në drejtim të lirive, të asaj shoqërie të lirë që të mund të përballohet me botën e lirë, me Perëndimin ballëhapur pa gënjeshtrat e përdredhjet sofistike që kemi parë që nga ploja e Sheshit Tienanmen. E duhet t’a bëjë jo aq sepse është e shtrënguar nga bota e lirë, por për zgjedhjen e saj të lirë, sepse duhet të jetë e bindur se ajo është e vetmja rrugë për të mbajtur në këmbë gjigandin që ajo, pavarësisht nga gjithshka, është. Kina duhet të shkrijë partinë komuniste, e bindur nga nevoja historike e këtij hapi e nga dobija që ajo shkrirje do t’i sillte vetë asaj, popullit të saj, qeverisë së saj. Një fuqi e madhe duhet të japë prova që është e tillë, përveçse e fuqishme. E meqë fuqia matet me terma lëndore, por madhësia vlerësohet me kritere shoirtërore e morale, është në këtë fushë që Kina duhet t’i vërtetojë botës e historisë se është një “fuqi e madhe”.

            Përndryshe do të mbetet një fuqi ekonomike e një dobësi shpirtërore, ashtu sikurse një shëmtyrë politike, një dinosaur ideologjik i paracaktuar shpejt a vonë të zhduket, e gjykimi i historisë, jo ai i historianëve por ai i dinamikës historike universale, do të jetë pashmanshmërisht  e thellësisht negativ, si kundrejt krimeve të maoizmit, të cilët objektivisht e moralisht kërkojnë dënim e drejtësi, po ashtu si edhe kundrejt gabimeve të udhëheqjes së mëvonëshme, të cilët subjektivisht e pragmatikisht kërkojnë me ngulm qortim e mosmiratim, si në rastin e fundit të virusit në Vuhan. Gjigandi kinez nuk duhet të ketë frikë nga kërkesat për autonomi të një mize dheu të vogël si Hong Kongu, pra nuk duhet të ngurojë t’i mirëpresë ato kërkesa. Shtypja, që ka ushtruar deri tani, e bën të pabesueshme e krejtësisht të urryer Kinën në sytë e botës së lirë, por do të përfundojë për t’i brejtur konkretisht pushtetin, jo menjëherë por në rrjedhën e kohës. E meqë kultura kineze, përtej çdo lloj ideologjie e çfarëdo forme qeverie, i ka vënë gjithmonë një kujdes të madh historisisë së gjërave dhe afateve të gjata, autoritetet e Pekinit duhet të mbajnë parasysh pasojat në kohë të gjata, duke e riparë veprimin e tyre kundrejt ish-kolonisë britanike, duke i a njohur e respektuar autonominë. Këtë do të duhej të bënte një mbifuqi, edhe duke mbetur e lidhur, fatkeqësisht me fetishin e PKK. Por nëse nuk do të jetë në gjëndje të pakësojë fuqinë e vullnetit të kontrollimit, atëherë nuk mund të japë asgjë dhe me kohë do të bëhet më pak e fuqishme.             25 maj 2020                                                    l’Opinione delle Libertà      

Filed Under: Analiza Tagged With: Kina, Pambrojtshtmeria e Komunizmit, Renato Kristin

COVID-19- Bota regjistroi 6.8 milion të infektuar, nga të cilët rreth 2 milion i përkasin Amerikës

June 5, 2020 by dgreca

  • Shteti i New York-ut ka regjistruar 384 mijë e 975 të infektuar dhe ka humbur 30 mijë e 372 jetë…
  • Të premten u regjsitruan 91 viktima, ndërkohë që Michigani raportoi shifrën më të lartë të vdekjeve 24 orëshe, 260.
  • Ekonomia Amerikane gjatë muajit maj fitoi 2,5 milion vende pune, dhe shkalla e papunësisë ra në 13.3 për qind.

Përgatiti:Dalip Greca

6.8 milion persona në të gjithë botën janë prekur nga koronavirusi deri të premten, 5 Qershor 2020, ndërkohë që në 24 orët e fundit u regjistruan 133 mijë e 579 pacientë të infektuar.Numri i të shëruarëve  është 3 milion 312 mijë e 659. Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan se numri i të infektuarëve po i afrohet 2 milionshit(deri me 5 qershor u regjsitruan 1 milion 953 mijë e 177 persona), gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 29 mijë e 126. Pas SHBA-së Brazili është vendi i dytë më i prekur me 645 mijë e 438 të infektuar(infeksioni ditor kapi shifrat 29 mijë e 518), Rusia vjen e treta me rreth 450 mijë, në vendin e katërt renditet Spanja me 288 mijë, Mbretëria e Bashkuar renditet e pesta me 283 mijë e 311, India 236 mijë e 134, Italia 234 mijë 531, Peru 187 mijë e 400, Gjermania me 185 mijë e 414 etj.

Bota ka humbur deri tani 397 mijë e 411, nga të cilët 111 mijë e 374 janë amerikanë. Parashikimi statsitikor sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, deri më 27 qershor do të regjistrohen në total 127 mijë viktima.

Sipas CNN ka një tregues pozitiv për ekonominë amerikane , e cila gjatë muajit maj fitoi 2,5 milion vende pune, dhe shkalla e papunësisë ran ë 13.3 për qind, sipas Byrosë së Statistikave të Punës.

Komunitetet e pakicave në Shtetet e Bashkuara kanë qenë më të prekura nga pandemia e koronavirusit.

Qeveria amerikane po ndihmon të financojë zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, por me tensionet e protestave ka dale problem nese do te gjenden persona nga njerezit me ngjyre per te pranuar eksperimentimin e vaksines.

Ndërsa protestat kombëtare që drejtohen kundër brutalitetit të policisë dhe sistemin gjyqësor të SH.B.A. vazhdojnë në javën e dytë, zhvilluesit e vaksinave mund të kenë një kohë më të vështirë për të bindur njerëzit me ngjyra për të marrë pjesë në testimin e vaksinave. 

Shteti i New York-ut duket se i ka stabilizuar shifrat edhe pse turmat kanë dalë jashtë kontrollit gjatë protestave, ku nuk respektohen masat e sigurisë.Nëse do t’i kërkonim shtetit të New York-ut një vend në renditjene  shteve të Europës dhe Amerikes se Jugut, për numrin e të infektuarëve, ai do të renditje i treti, mënjëherë pas Brazilit dhe Rusisë, duke lënë pas Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Indinë, Italinë, Perunë, Gjermaninë, Turqinë, Iranin, Francën, etj… Deri më 5 qershor shteti i New York-ut raportonte 384 mijë e 975 të infektuar, por numri ditor i të infektuarëve ka rënë  rreth 1,076 persona, ndërsa për numrin e viktimave krahasuar me shtetet e Europës dhe të Amerikës së Jugut, New Yorku vjen pas Mbretërisë së Bashkuar me 40 mijë e 226 të vdekur, pas Brazilit me 35 mijë e 033, Italisë 33 mijë 774. Shteti i New York-ut ka humbur deri tani 30 mijë e 372 të vdekur. Ditën e sotme u raportuan 91 viktima, nga 117 që ishin ditën e enjte, 86 të mërkurën etj.

Shteti i dytë në SHBA më i prekur vijon të mbetet New Jersey me 163 mijë e 774 të infektuar, në 24 orëshin e fundit u regjistruan 627 të infektuar, ndërkohë që kanë humbur deri tani 12 mijë e 82 jetë njerëzore, gjatë ditës së Premte u raportuan 76 të vdekur,të enjten 100, të mërkurën 123.

Për jetët e humbura i trei ndër shtetet e Amerikës së Veriut renditet Massachusetts me 7 mijë e 235 të vdekur, Pannsylvania me 5 mijë e 969, Michigan me 5 mijë e 855, Illinois me 5 mijë e 795 etj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bota 6.8 milione te Infektuar, COVID-19, dalip greca

Senati miraton kandidatin e Presidentit Trump për drejtor të agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës

June 5, 2020 by dgreca

Nga Katherine Gypson/ Zeri i Amerikes/ Senati amerikan miratoi të enjten kandidatin e Presidentit Donald Trump për të drejtuar USAGM, agjensia federale që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe entitetet e tjera ndërkombëtare të transmetimit.

Me një votim 53-38 në vija partiake, Senati i kontrolluar nga republikanët miratoi regjisorin konservator të dokumentarëve Michael Pack për të kryesuar USAGM për një mandat tre vjeçar. Emërtimi i zotit Pack ka qenë në shqyrtim për dy vjet, i lënë pezull pjesërisht për shkak të shqetësimeve të demokratëve në lidhje me pretendimet e përfitimeve të dyshuara financiare në bizneset e tij.

Përmes kompanisë së tij Manifold Productions, Inc., zoti Pack ka shkruar, drejtuar dhe realizuar dokumentarë të shumtë, shumë prej të cilave janë transmetuar në kanalin PBS. Ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Konservator Claremont dhe ka mbajtur poste në Institutin Kombëtar për Shkencat Humane dhe Korporatën për Transmetimin Publik. Ai ka punuar gjithashtu në projekte filmike me ish-këshilltarin strategjik të Presidentit Trump dhe bashkë-themeluesin e kompaninsë Breitbart News, Stephen Bannon.

Pack ka përvojë të mëparshme me agjencinë amerikane të transmetimeve, pasi kishte shërbyer si drejtor i WORLDNET, rrjetit global satelitor të Agjencisë Amerikane të Informacionit që u bë njësia televizive e Zërit të Amerikës.

“Ky njeri është i kualifikuar në mënyrë unike për të mbajtur këtë pozitë,” tha të enjten Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, James Risch. “Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme – të gjithë duhet të shikojnë dokumentarin më të fundit që bëri për Gjykatën e Lartë- një punë e shkëlqyer. Ka pasur një betejë politike për të për më shumë se dy vjet dhe sot është momenti i së vërtetës.”

Në seancën e tij për konfirmim shtatorin e kaluar, zoti Pack sqaroi shqetësimet se ai do të përpiqej të impononte një paragjykim politik për agjencitë USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës, e cila është e mandatuar me ligj, të jetë objektive dhe e ekuilibruar në raportimin e saj.

“E gjithë agjensia mbështetet në besimin se gazetarët janë të pavarur, se asnjë ndikim politik nuk u tregon atyre se si të raportojnë lajmet dhe çfarë të thonë. Pa këtë besim, mendoj se agjensia është minuar plotësisht,” i tha Pack komisionit.

Me emërimin e zotit Pack në dukje i penguar në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Presidenti Trump muajin e kaluar shprehu zhgënjimin për vonesat, duke thënë se kjo po bëhej për shkak të pengesave të demokratëve. Presidenti më parë kërcënoi të detyronte Kongresin të shtynte punimet për të nxitur miratimin e kandidaturës së tij.

Megjithë njoftimet se marrëdhëniet e biznesit të zotit Pack ishin objekt i një hetimi nga Prokurori i Përgjithshëm i Qarkut të Kolumbia, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e zotit Pack më 20 maj, me një votim sipas vijave partiake 12-10, dhe më pas e dërgoi atë në Senat për miratim përfundimtar.

Në atë kohë, Senatori Risch tha se komisioni ishte i përgatitur të mos e merrte në shqyrtim emërimin “nëse departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, apo Departamenti i Drejtësisë do të kërkonte një gjë të tillë. Kjo nuk ka ndodhur”.

Demokratët thonë se emërimi vendos precedent të gabuar

Senatori Bob Menendez nga Nju Xhersi, anëtar i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se votimi i fundit për emërimin e zotit Pack rrezikon rolin historik këshillues nga Senati për kandidatët e propozuar nga presidenca për nga mënyra se si u nxitua votimi, pa një pamje të plotë të marrëdhënieve të biznesit të zotit Pack.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të qarkut të Kolumbias tha se ka hapur një hetim për të parë nëse Pack ka përdorur në mënyrë të paligjshme fonde nga organizata e tij jofitimprurëse, Public Media Lab.

“Unë e di që presidenti ka folur publikisht dhe privatisht për dëshirën e tij të madhe për të konfirmuar z. Pack, me çdo kusht,” tha senatori Menendez të enjten. “Kundërshtimet që unë kam ngritur sot dhe kam ngritur prej muajsh nuk janë të natyrës politike ose partiake. Ato kanë të bëjnë me pyetjen më themelore dhe kritike – a është i aftë të shërbejë Michael Pack? A duhet të konfirmohet ai ndërsa është nën hetim dhe pasi ka qenë i pandershëm me Senatin dhe agjencinë e taksave IRS? “

Senatori Mendez detajoi pyetjet e demokratëve të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, duke pohuar se Pack kishte “keqinterpretuar marrëdhëniet mes organizatës së tij jofitimprurëse dhe kompanisë së tij fitimprurëse në agjencinë e taksave IRS.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë shqetësimet e demokratëve, duke thënë se, “Presidenti qëndron në mbështetje të zotit Michael Pack dhe është i zhgënjyer, por jo i habitur, që demokratët që nuk bëjnë asgjë, kanë vendosur edhe një herë të hedhin baltë politike mbi përvojën e pastër të një nëpunësi publik.”

Kompania e zotit Pack, Manifold Productions, Inc., mori miliona dollarë grante nga organizata e tij jofitimprurëse, tha Menendez. Megjithatë ai vazhdimisht ka deklaruar në IRS se nuk ka patur marrëdhënie mes të dyjave, kur në fakt ai drejtoi të dy entitetet. Menendez tha se zoti Pack ende nuk ka korrigjuar informatat e gabuara të dhëna në IRS dhe para Komisionit në lidhje me statusin e deklarimeve të tij tatimore.

Menendez tha se zoti Pack nuk i kishte ofruar komisionit dokumentet e kërkuara që detajonin marrëdhëniet mes organizatës jofitimprurëse dhe biznesit të tij, duke pretenduar se informacioni ishte sensitiv.

“Interesat e biznesit të tij janë aq të ndjeshme sa që senatorët e Shteteve të Bashkuara që shqyrtojnë informacionet më të ndjeshme të klasifikuara, nuk mund t’i shohin ato të zotit Pack,” tha Menendez.

Zëri i Amerikës nuk mori përgjigje ndaj një kërkese për koment nga zëdhënësi i zotit Pack.

Qëndrimi editorial i Zërit të Amerikës

Javët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve të Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Trump tha: “Zëri i Amerikës drejtohet në një mënyrë të tmerrshme. Ai nuk është Zëri i Amerikës. Është e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett mbrojti misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane në një deklaratë muajin e kaluar.

“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha ajo.

“Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e audiencës sonë prej 280 milionë njerëzish në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende të botës e shohin punën tonë të besueshme,” shtoi ajo.

Senatori Menendez tha në Senat përpara votimit përfundimtar të enjten se lidhja me audiencën e huaj varet nga mbrojtja e agjencisë nga ndërhyrjet politike.

“Njerëzit në mbarë botën i shohin produktet e të gjitha rrjeteve dhe përfituesve të granteve si burime të besueshme të lajmeve ashtu si ka nxjerr në pah kjo pandemi,” tha ai.

“Është absolutisht kritike që çdo person në këtë pozicion të mbajë një mur të fortë ndarës mes punës së rrjeteve të tij dhe ndërhyrjeve politike, ndikimit nga Shtëpia e Bardhë apo ndonjë tjetër.”

USAGM mbikëqyr pesë rrjete të transmetimit civil të SH.B.A.-së, të cilat përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë (RFE / RL), Zyrën e Transmetimit të Kubës (OCB), Radion Azia e Lirë (RFA), dhe stacionet në gjuhën arabe në televizion Alhurra dhe Radio Sava e Rrjeteve të Transmetimit të Lindjes së Mesme (MBN).-Kortezi-Zeri i Amerikes-

Filed Under: Analiza Tagged With: Kandidatin e Presidentit Trump, Katherine Gypson, Senati miraton

Qeveria e Kosovës miratoi Programin qeverisës 2020–2023

June 5, 2020 by dgreca

-Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive/

PRISHTINË, 5 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e mbajtur sot, e miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale.

Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës.

Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive. Objektivat themelore të Qeverisë janë:

  1. Beteja për ta mposhtur pandeminë dhe
  2. Rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.

Krahas këtyre objektivave, Qeveria do të ketë prioritet:

  1. Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;
  2. Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;
  3. Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;
  4. Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;
  5. Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;
  6. Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për mbështetje financiare në vlerë prej 25,000.00 € (njëzet e pesë mijë euro) për ndihmë familjes së Agon Musliut, që humbi jetën tragjikisht  më datë 3 maj 2020 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e caktuar si Hapësirë karantine.Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm. Tejkalimi sipas këtij vendimi rritet përkohësisht deri në tetë (8) për qind, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar ulet përkohësisht deri në tre (3) për qind. Kërkesa për këtë ndryshim bëhet pasi që Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2020 ndikohen nga situata e krijuar nga pandemia globale “Covid-19”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Programi 2020-23, Qeveria Hoti

DJEGIA E SHKOLLËS NË DACAJ KRIM KUNDËR SHQIPTARËVE NË ROZHAJË

June 4, 2020 by dgreca

Ishte pikërisht koha e pandemisë e cila iu përshtat dorës së zezë, që në kuadër të djegies së pyjeve në Malësinë e Rozhajës, me dinakëri shfrytëzuan rastin të djegin edhe objektin e shkollës së vetme  më mësim në gjuhën shqipe në Dacaj, që ishte vepër kriminale e paramenduar kundër shqiptarëve në komunën e Rozhajës. Ata djegën objektin e shkollës, e jo shkollën sepse si e tillë  ajo është pjesë e  vetëdijës dhe e indentitetit  të  shqiptarëve  në këtë mjedis./

Shkruan: Dr. Nail  Draga/

Opinioni i gjerë shqiptarë, për praninë e shqiptarëve në komunën e Rozhajës, ka pasur rastin të njihet në veçanti  në vitin 1999, pikërisht me rastin e luftës në Kosovë, sepse një numër i konsideruar i shqiptarëve nga Kosova, janë zhvendosur këtu në sajë të dhunës dhe të  aparthejdit të politikës serbomadhe. Ndonëse kosovarët kërkuan strehim dhe shpëtim në Rozhajë, në zonën malore të saj, me 18 prill 1999  në Bukël e Husaj nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave u maltretuan, dhunuan madje duke vrarë 21 civilë, qytetarë nga Kosova. Ndonëse nga ajo kohë kanë kaluar 21 vite, edhe pse janë zhvilluar seance gjyqësore, askush nuk u dënu për këtë vepër kriminale kundër qytetarëve të pafajshëm, që dëshmon se jemi larg funksionimit të shtetit ligjor në Mal të Zi.

Në krahasim me forcat ushtarke dhe ata paramilitare, popullata shqiptare në veçanti e ajo e Rozhajës në përgjithësi kosovarët i mbeshteti më të gjitha mundësitë e tyre, duke treguar solidaritet dhe humanizëm vëllazëror. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse kjo popullsi ishte e vetëdijshme për origjinën jo të largët shqiptare edhe pse tani janë të asimiluar pothuaj tërësisht në boshnjakë. 

Rënie drastike e numrit të shqiptarëve

Në lidhje me numrin e popullsisë shqiptare në Rozhajë ekzistojnë të dhëna të ndryshme që paraqet rastin me drastik, i cili është i veçantë për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Kështu në sajë të dhënave nga viti 1908, pjesëmarrja e shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme të Rozhajës ishte 86.5%, e dhënë kjo e cila në sajë të rrethanave shoqërore ka ndryshuar dukshmëm në disafavor të shqiptarëve. Kështu pas  një shekulli në sajë të dhënave nga regjistrimi i popullsisë(2011), numri i tyre në këtë mjedis ka mbetur simbolik, me 5 % në popullsinë e përgjitshme. Kjo periudhë kohore dëshmon në mënyrë transparente politikën e pushtetit të kohës për spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve që këtu ishte me përmasa drastike më tepër së në asnjë vis tjetër shqiptar  në këtë mjedis. 

Në rënien e tillë të numrit të shqiptarëve në këtë mjedis krahas rrethanave shoqërore dhe  politikës së pushtetit në nivel lokal e shtetëror, ka ndikuar procesi i  asimilimit e ate kryesisht  në boshnjak si  dhe procesi i emigrimit, kryesisht në Kosovë e Turqi e gjetiu në botën e jashtme. Për momentin shqiptarët janë të pranishëm në vendbanimet fshatare si  në:  Dacaj, Husaj, Bukël i Epërm, Bukel i Poshtëm, Buxhov dhe Peshkaj, kryesisht në rrethinën e Rozhajës, më numër të pakët, në kushtet e mbijetesës shoqërore.

Shkolla në Dacaj simbol i identitetit të shqiptarëve

Se sa ka qenë e vështirë të jetohet e të mbrohet identiteti kombëtar për shqiptarët në komunën e Rozhajës, si dëshmi kemi shkollën më mësim në gjuhën shqipe në Dacaj, e cila është ballafaquar me pengesa të ndryshme nga pushteti i kohës. 

Në Dacaj për të parën herë  shkolla më mësim në gjuhën shqipe është hapur  gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1943. Ishte koha kur nën pushtetin e italianëve funksiononte Mbretënia Shqiptare ku mësues në këtë shkollë ishte Spiro Rexha nga Shqipëria. Por, pas tre vitëve më tu vendosur  pushteti komunist në Rozhajë, pas vitit shkollor 1945/46 pushteti i kohës ndërpret zhvillimin  e mësimit në gjuhën shqipe, duke i detyruar nxënësit të mësojnë në gjuhën serbe. Ishte ky  veprim direkt i pushtetit socialist  kundër barazisë kombëtare të shqiptarëve për tu arsimuar në gjuhën amtare në këtë mjedis. 

Ndonëse ndaj një veprimi të tillë të pushtetit shqiptarët parashtruan ankesa, kërkesa e lutje  të shumta, për t’iu rikthyer arsiminin në gjuhën shqipe, rezistenca ishte e vazhdueshme. Por, në sajë të rethanave tjera shoqërore, një angazhim i tillë u realizu në praktikë pas 22 viteve në vitin 1968, ku rifilloj mësimi në gjuhën shqipe që si e tillë vazhdon edhe sot, me statusin e shkollës fillore nëntëvjeçare.Duhet cekur më këtë rast angazhimin e mësuesit Sokol Daci i cili ka merita të veçanta për rikthimin e mësimit në gjuhën shqipe, duke sfiduar rrethanat e kohës. Një dukuri e tillë ndodhi edhe në disa vendbanime tjera shqiptare në Mal të Zi, sepse me herët nxënësëve shqiptarë iu  ishte pamundësuar shkollimi në gjuhën amtare shqipe.

Sulme të vazhdueshme ndaj shkollës 

Në sajë të informacionëve që disponojmë  në lidhje mbi punën e kësaj shkolle nga koha e hapjës së saj në gjuhën shqipe, e deri më tash, del se ajo ka përjetuar sulme të ndryshme si thyerje të objektit, vjedhje të materialit shkollor, grabitje të literatures shkollore, presione ndaj personelit arsimor etj. Ndërsa rast specifik paraqet emërimi i drejtorit  të shkollës në mënyrë të njëanshme duke mos respektuar këshillin e shkollës, vlerat pedagogjike  e meritokracinë duke vendosur drejtor shkolle për njëzet vite me kriterin partiak në kundërshtim me ligjin  personin i cili nuk ka ditur të komunikojë në gjuhën shqipe. Por, përfundimisht para tre vitëve u zgjodh drejtori shqiptar përndryshe pjesëtar i kolektivit të shkollës H.Lajçi, i cili është angazhuar  për investime në shkollë sepse si e tillë nuk ka pasur kushte elementare në zhvillimin e procesit mësimor sipas standardëve e normave pedagogjike. Por, edhe në mungesë të kushteve optimale të punës  kolektivi i mësimdhënësve të kësaj shkolle i ka përballuar të gjitha, duke sfiduar rrethanat e kohës, me të vetmin qellim që është misioni i edukimit dhe arsimimin e nxënësve  në gjuhën shqipe, në favor të identitetit kombëtar shqiptar në këtë mjedis.

Djegia e shkollës akt antishqiptarë

Ekzistenca e kësaj shkolle në gjuhën shqipe si subjekti i vetëm  i identitetit shqiptarë në këtë mjedis ishte pengesë e mëhershme për qarqe të ndryshme antishqiptare. Andaj shfrytëzuan rastin e pandemisë por edhe të zjarrëve në bjeshkët e malësisë së Rozhajës, për t’ia vënë flakën objektit të shkollës në Dacaj. Pikërisht me datën 16 maj 2020, dora e zezë, veproj në mënyrë kriminale, duke thyer grilat e dritarës duke i vënë flakën zyrës së drejtorit, më ç’ rast u dogjën dokumentacioni pedagogjik, biblioteka e shkollës, arkivi, fotografitë e disa figurave kombëtare, ditarët, inventari shkollor etj. Pamjet e prezantuara në mediat elektronike dëshmuan së pothuaj çdo gjë ishte shkatërruar, nga del se qellimi i dorës së zezë, ishte arritur plotësisht. Sepse, ajo çka nuk u realizu në vitin 1999, si duket u kujtuan ta realizojnë në vepër tani pikërisht në kohën e pandemisë si dhe të fërkimeve politike në Mal të Zi, në sajë të veprimeve destruktive të kishës ortodokse serbe. 

Përvoja e deritashme dëshmon së në mjediset e ndryshme  kur janë djegur librat më pas janë rrezikuar autorët e tyre, ndërsa tash kur digjet shkolla, nuk ka dilemë së rrezikohen mësimdhënësit e nxënësit  e tyre shkollave.

Simboli i mbijetesës së shqiptarëve

Ndonëse me numër të vogël nxënësish, në një mjedis ku shqiptarët janë pakicë absolute numërike, angazhimi  me përkushtim i mësimdhënësëve kjo shkollë  ishte  dhe është simboli i identitetit të gjuhës shqipe dhe të shqiptarisë në këtë mjedis,  dhe  si e tillë do të jetë edhe në të ardhmën. 

Mbetët të presim angazhimin konkret nga organët kompetente për të dhënë vlerësimin profesional në lidhje me djegijen e shkatërrimit të objektit të shkollës, ndërsa Ministria e arsimit  e Mali të Zi duhet të angazhohet mënjëherë për ndërtimin e këtij objekti, e jo restaurimin e tij, me të gjitha kushtet optimale për të zhvilluar mësimin. Do të ishte kjo  dhurata me më vlerë për nxënësit dhe kolektivin e shkollës në fillim të vitit vijues shkollor, sepse është  simbol i mbijetesës së shqiptarëve në këtë mjedis.  (Maj 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Dacaj, djegia e Shkolles, Dr.Nail draga, Krim Kunder shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT