• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Botë e aftë

June 4, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota është e mistershme sa edhe njerëzit në të. Mund të jetë edhe e kundërta, dhe e ardhmja nuk dihet si është. Megjithatë, fitorja gjithmonë preferohet. Humbjen të gjithë duan t’a harrojnë. Genghis Khan e quante kënaqësinë më të madhe të jetës: të mposhtësh armiqtë e tu, t’i dëbosh ata, të shohësh miqtë e tyre mbytur në lot, t’i trajtosh pronat e tyre si tuajat. Por si mund të jetohet me një fitore të tillë, ku gjen dot qetësinë e vetes? Sepse të arrish fitore duhet të kesh edhe një farë ndërgjegje a karakteristika leadershipi. Pra, çështja e drejtësisë është problem; çdo njeri bëhet shtypës kur beson se ka të drejtë dhe ata që kanë mendim tjetër shpallen armiq. Duket se e drejta e tij zë fill nga smira, nga mendimi se frutat në kopshtin e tjetrit janë më të shijshme.Bota është një vend ku njerëzit mendojnë se komplotet nuk janë të mundshme, dhe u venë përpara fjalën ‘teori’ për t’i mbajtur ato larg çdo mundësie; tendenca është për t’i dënuar, sepse është pikërisht forca tërheqëse ndaj tyre që shkakton këtë tendencë. Shumë njerëz mendojnë se teoritë konspirative krijohen pikërisht se nuk janë të mundshme për t’u zbatuar. Makiaveli, mjeshtër i komploteve, madje kaloi kohë në burg për shkak të tyre, thotë se një komplot i duhur lëviz nëpër tre faza të veçanta: planifikimi, zbatimi dhe pasojat, dhe secila kërkon aftësi të ndryshme – nga organizimi në të menduarit strategjik deri te rekrutimi, financimi, synimi, fshehtësia, menaxhimi i marrëdhënieve me publikun, lidershipi, largpamësia, dhe, në fund të fundit, se kur do të ndalet. Më e rëndësishmja, një komplot kërkon durim dhe guxim, aq shumë durim sa edhe guximin. Pyetja që mbetet është: Si do të dukej një botë pa këto aftësi? Pra, a do të ishte një botë me më shumë teori komploti një makth apo diçka më e mirë? Kjo është dilema, rrugë me baltë, mbi të cilën njeriu ecën për të shkuar përpara dhe, njëkohësisht, ka frikë se ndotet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Botë e aftë

Nuk ka se si ta dojë Tirana votën tonë…

June 3, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/FLORIDA/

Përfundimisht vendi amë nuk arriti të na mundësoj ne emigrantëve të drejtën e votimit. E ashtuqujtuara reformë zgjedhore na anashkaloi rishtas, madje me një rrudhje buzësh dhe me paraqitjen e politikanit mashtrues klasik që po degradon një nga popujt më vital të Ballkanit Perëndimor, shqiptarët. Dhe ta mendosh që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ndihma financiare e ofruar nga djersa dhe gjaku i emigrantëve kapi shifra që mundën edhe kontributin buxhetor të vet shtetit. Pa përmendur ndihmën ndër shekuj ku edhe Zotin e kemi institucionalizuar po prej tyre, siç është shembulli i emigrantit politik Fan Nolit etj., me kishën e Shën Gjergjit në Boston më 1935. Shteti amë na anashkaloi rishtas dhe jo pa qëllim, diaspora a emigrantët kudo që janë sado prirjeve politike a bindjeve kurrë nuk do ta mbanin vendin në një tranzicion dekadash, kjo fal përvojës jetësore të demokracive ku ata jetojnë. Kurrë nuk do ta bënin Shqipërinë një tryezë bisedash në një sallon ambasade të huaj pasi do dinin të gjenin gjuhën, do dinin të komunikonin, do dinin ta çonin vendin e tyre aty ku i takon pa ndihmën e asnjë të huaji. Sado socialistë, demokratë, ballistë, legalistë, komunistë…, kudo ku janë u ka rënë bytha në ujë rrugëve të globit. Dhe kanë aq gjoks sa të shohin njëri-tjetrin në sy, ta përqafojnë, t’i hapin derën dhe të qajnë bashkërisht për dertet a poshtërsitë që i kanë shkaktuar vetes dhe vendit. Kjo është përvoja e shtegtarit që aq emocionalisht e shqiptoi qiejve një poet i yti atdhe, ne popull muhaxhir ecim nëpër shi. Ai quhej Bilal Xhaferri, aludonte për Çamërinë, truallin e origjinës, por që aq shumë i shkonte vendit për shtat. Pasi kësisoj jemi dhe jo pak por plot 1.7 milion. Por nuk e kemi të drejtën e votës, nuk na do Tirana. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët e vendit amë (se ata në Kosovë e Maqedoni votojnë) fal mutërve të politikës janë gati të vriten për çështjet e popujve në gadishullin arab të Palestinës se sa për fatin e tyre a çifutërinë e tyre nga esnafi politik rrugëve të rruzullit. Përfundimisht vendi amë na degdisi akoma më larg. Dhe shumë syresh mbajnë mend se si i pari i qeverisë e bëri premtim të bujshëm që më 2013, por shpejt e harroi. Nuk harroi të glorifikonte unin edhe me metodat e perëndimit one man show, pasi quan popull teseristët e një formacioni shelegësh. Madje ironia më e madhe është edhe fakti se kemi një gjoja institucion a Ministri të diasporës. Po tashmë nuk është e vështirë për të kuptuar se në zhvillimet pas 90-tës shtetarët nuk e duan, nuk e kanë dashur votën e emigrantit. Jo vetëm të majtët, por edhe të djathtët. Ky është persekutimi klasik dhe më i dhimbshmi ndaj harrojeni vuajtjet nga malet, mes borës, ndjekjen e policive a përndjekjen e të të qenit pa letra botës. Harrojini ose quajeni si asgjë përpara këtyre poshtërsive që na bën vendi amë. Ndaj sot nuk ka faj vetëm ai që qeveris, por edhe opozitarizmi. Diasporën sot më shumë se qeveria e vrau pikërisht opozitarizmi. Një forcë e mefshët që kurrë nuk e njohu sfidën e sojit nga vjen por la të qeverisi për plot 7 vjet një nga fatkeqësitë sociale më të mëdha të këtij fillim shekulli. Një opozitë që kurrë nuk e mësoi se në betejë futesh vetëm me një mendësi, o fiton ose vdes. Për më tepër kur shqiptarët po ktheheshin në një Kolumbi e Eskobarit a Meksika e El Chapos. Për më tepër kur vrasjeve pa emër të rrethinave të Vlorës po u hidhej përsipër imitime asfalti nga gjoja Rio de Zhanjero i largët. Për më tepër ajo pak histori a traditë prindërore me aq sa ishte, me erë vaj kikiriku, por e jona, u rrafshua në emër të një tavoline, sa bëm sonte dhe sa do bëjmë nesër. Ky është vendi jonë të dashur vëllezër emigrantë, më i bukuri në botë. Por i nënshtruar totalisht nga shallvaret, xheli dhe ”mëshironjësit” që ndajnë çanta me ushqime. Nuk na do Tirana vëllezër dhe kjo është e kuptueshme, ujrat do kishin rrjedhur ndryshe.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, tirana

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë Qeverinë e re


June 3, 2020 by dgreca

KADRI VESELI/

Oponeca ne Kuvendin e Kosoves- Veseli: Qeveria e re do të jetë vazhdim i mashtrimit të qytetarëve që ua bënë VV e LDK-/

Prishtinë, më 3.6.2020- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë seancën e sotme se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shtetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik nacional për vendin.
Lideri i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt. 
“Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë”, tha Veseli.
Ai tha se në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.
“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi”, tha Veseli. 
Ai tha se votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë qeverinë e re.
“Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.
“Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha.
Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti. Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush”, tha Veseli.

Fjalimi i plotë i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Të dashur qytetarë,

Shumë nga ju, sot mund ta bëni një pyetje: 

Pse jemi këtu tani? 

Dhe, si u bë që pas gjithë atyre premtimeve, që i shkrepën me aq zhurmë, pas 6 tetorit të shembet gjithçka në më pak se 50 ditë? 

Atë që e quajtën shpresë, e kthyen në një mashtrim të madh dhe të paparë. 
Të dashur qytetarë, 
Kjo është një kohë kur në vendin tonë mashtrimi dhe urrejtja janë instaluar si standard në politikë, që manipulimi është bërë mjet i frikshëm i përfitimit, ndërsa dyfytyrësia normë veprimi.
Të korruptuarit flasin për ndershmëri, e dhunuesit për ligj. 
Urtësia merret për ligësi, e agresiviteti për virtyt. 
Flasin për varfri, por të varfër nuk janë.
Flasin për papunësi, por të papunë nuk janë. 
Flasin për oligarkë, por me oligarkët janë miq.

Ata që munguan në historinë tonë të re, flasin për një çlirim të ri. Mohojnë gjithçka dhe akuzojnë secilin. Sipas tyre, 20 vjet liri janë vite të zeza të Kosovës. 
Por, nuk dimë cilat janë vitet e bardha në Kosovë, që ata i marrin si referencë? 
Çdo gjë vënë në dyshim. Historinë, të tashmen dhe të ardhmen. Përcaktimin për shtetin. Të gjitha vlerat dhe çdo të arritur.  
Vënë në pikëpyetje edhe partneritetet tradicionale ndërkombëtare. 
Dhe, flasin për një utopi bolshevike, që Evropën e tronditi për 45 vjet.
Të dashur qytetarë,  
Pas 20 vjet lirie, këto dilema, kjo urrejtje dhe ky mohim, brenda dhe jashtë, janë rrezik nacional. 
Ato nuk e rrezikojnë vetëm pushtetin e dikujt, fatin politik të individëve ose partive. 
Por, rrezikojnë qenësisht ekzistencën tonë si shtet, sovranitetin, territorin, vetë fatin jetësor të njerëzve të Kosovës, të rinj e patriotë.
E kanë kthyer Kosovën në arenë të tyre mashtrimi.
Por… Kosova shtet – nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë vatër e rrezikimit të Evropës, as për krim, as për korrupsion dhe as për terrorizëm.
Kosova shtet – është sinonim i paqes, stabilitetit dhe tolerancës.
Kosova për 20 vjet nuk e arriti Evropën e zhvilluar, as si standard jetese, as si zhvillim, por nuk mbetëm aspak prapa Ballkanit ku jemi. 
Jemi shteti i fundit i liruar në Evropë, por ende mbetemi shteti më i izoluar.
Të gjithë duam më mirë dhe më shumë për vendin.  
Por, e mira nuk vjen prej fjalëve dhe punëve të këqija. 
Aq më pak, me politika qeverisëse si këta tre muajt e fundit, që premtuan shpresë e parajsë, por sollën dëshpërim e varfëri për qytetarët. 
Në kohën më të rëndë të pandemisë dhe pasigurisë ekonomike, kur ishte i domosdoshëm bashkëpunimi, Kryeministrit i doli punë me të gjithë dhe i shpërfilli të gjithë. 
Nuk pranoi përkrahjen ligjore që ia ofruam në Kuvend, por shpërdoroi jashtëligjshëm paranë e shtetit dhe goditi pa mëshirë biznesin privat. 
Bllokoi investimet publike, që së bashku me remitencat e zvogëluara të bashkatdhetarëve, dobësuan konsumin dhe rrezikuan qarkullimin e parasë në treg.
Nga fundi i vitit, nëse nuk sanohet gjendja shpejt, do ta shohim falimentimin e qindra kompanive private, e me këtë – edhe humbjen e mijëra vendeve të punës dhe pagave në sektorin privat dhe publik.
Në të ardhmen, Kosova do t’i humbë qindra miliona euro, vetëm për shkak të vendimeve të gabuara të kësaj Qeverie. 
Kjo do të jetë gjakderdhja financiare më e madhe dhe më tragjike e Kosovës në 20 vjet, si produkt i qeverisjes 100-ditëshe të Albin Kurtit. 

Si paradoks konfirmimi, edhe me planin afatmesëm të shpenzimeve të kësaj Qeverie, që e quante vetën shpresë, viti 2022 e parasheh Kosovën e zhvillimit të vitit 2019.
A ky ishte premtimi i tyre për shpresë e parajsë?
Nuk qeveriset Kosova me mashtrime, pa politika ekonomike, e me njerëz të diskredituar.
Nuk lihen pa mbështetje në kohën më të rëndë të tyre punëtorët dhe ndërmarrësit privatë dhe nuk rrezikohen pagat e shërbyeseve publikë. 
Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën. 
Këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt. 
Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë.
Në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.
Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit.
Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi. 
Do ta bëjë edhe më të rëndë situatën në vend. 
LDK, kur nuk ka qenë në pushtet – gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet – kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë.
Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas, nuk mund të mos pyesësh: A ka mbetur pak nder e moral te këta njerëz? 
Të dashur qytetarë, 
Ky soj nuk ju ndihmon as juve dhe as Kosovës. 
Përkundrazi. Ju rrezikon juve dhe Kosovën. 
Kosova ka nevojë t’i kthehet agjendës së rimëkëmbjes nacionale. 
Votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi. 
Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë këtë Qeveri.
Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në.
Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet. 
E njoh lojën politike dhe i dalloj mirë strategjitë e përfitimit abuzues në politikë. 
Por, nuk i pranoj, edhe sikur të ma japin tërë pushtetin e mundshëm. 
Sepse, është mashtrim.
Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. 
Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha.
Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti.
Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kadri Veseli, PDK nuk e voton, Qeverine Hoti

Trashëgimi

June 3, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Arti bëhet vetëm, por u mbetet të gjithëve. Në këtë proces, artisti është i vetmi i racës njerëzore që harron veten – sikur ngjason me shenjtorët, si psh., Shën Tereza.
I njohur kryesisht si shqiptar i Kosovës, Bekim Fehmiu lindi jashtë Kosovës. Megjithatë, ku?
Pohimi më i zakonshëm është se lindi në Sarajevë, më 1 qershor 1936, në një familje etnike shqiptare, e cila më pas u transferua në Shkodër, qëndroi atje për disa vjet, përpara se të vendosej në Kosovë. Ky rrëfim vërtetohet nga autobiografia e tij në serbisht “Blistavo i strašno” (Verbues dhe i tmerrshëm) – 1999.
Megjithatë, data dhe vendi i lindjes së tij janë kontestuar. Një referencë në shtypin serb nga koha e xhirimeve të filmit “Aventurierët” 1981, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Kukës, duke vënë në dyshim historinë e lindjes në Sarajevë.
Por në anën shqiptare ka më pak të dhëna. Në Enciklopedinë e Filmit Shqiptar, Tiranë-2002, autori Abaz Hoxha argumenton se Bekim Fehmiu lindi më 1932 dhe jo më 1936, por lë pa-përmendur vendin e lindjes. Ndërsa Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Tiranë-2008, thotë se Bekim Fehmiu lindi në Prishtinë në vitin 1932.
Dhe lind pyetja – A mos ishte thelbësore që Bekim Fehmiu të lindte jugosllav për të promovuar mitin e bashkim-vëllazërimit dhe ky mit u përforcua më tej duke transportuar vendin e lindjes së aktorit nga Kukësi në Sarajevë për të minimizuar lidhjet e mëtejshme me Shqipërinë? Sepse dihet që Bekim Fehmiu nuk realizoi asnjë film me kinematografinë shqiptare, ndërsa vizita e tij më 1972 u përmblodh në një dokumentar 10 minutësh.
Gjuha është vërtetë faktor që çon në nënshkrimin e identitetit kombëtar në karrierën e Bekim Fehmiut.
Për Jugosllavinë e viteve 1960 – ‘70, rrjedhshmëria e Fehmiut në serbisht dhe përdorimi i kësaj gjuhe si mjet krijues dëshmon për mbrojtjen e unitetit dhe vullnetit të mirë midis popujve.
Për Shqipërinë, ishte zotërimi i gjuhës amtare që lejoi hyrjen e Fehmiut, megjithëse e kujdesshme dhe e pjesshme, në dialog me komunitetin artistik shqiptar – – asgjë konkrete në nivel profesional nuk u materializuar nga ky dialog.
Në Perëndim, theksi dallues i anglishtes e bëri Bekim Fehmiun të shihej si aktor prototip edhe ekzotik. Edhe kur luajti rolin e një serbi etnik në filmin hollivudian “The Deserter” (1969), theksi i anglishtes së tij ishte padyshim jo-serbisht, por shqip, dhe i panjohur për shumicën e amerikanëve të asaj kohe. Nga kritikët, aktori Bekim Fehmiu është cilësuar si një përzierje midis Zhan Pol Belmondos dhe Marlon Brandos. Ai ishte i pari aktor nga Europa Lindore të cilit iu hapën dyert e studiove filmike në Perëndim gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Më 1998, Fehmiu u largua nga skena e teatrit në Beograd në shenjë proteste ndaj politikës anti-shqiptare në Kosovë. Po atë vit, lexuesit e revistave kryesore italiane e votuan atë si një nga dhjetë burrat më tërheqës të shekullit të 20-të. Filmat serial L’Odissea (1968) kishin shënuar kthesën drejt suksesit të kinematografisë televizive italiane.
Bekim Fehmiu u shfaq në mbi 40 filma midis viteve 1953 dhe 1998. Ai ishte aktori i parë shqiptar i teatrit dhe filmit që aktroi në të gjithë Jugosllavinë, duke u shfaqur në një seri rolesh që ndryshuan historinë e kinemasë vendase dhe lanë gjurmë në zhvillimet artistike gjetkë. Në fund të karrierës së tij ai kishte luajtur në prodhime filmike në nëntë gjuhë, përfshirë gjuhët ballkanike, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe italisht.
Bekim Fehmiu vdiq më 15 qershor 2010 në banesën e tij në Beograd. Fillimisht u tha se kishte kryer vetëvrasje. Pastaj u njoftua se u gjet i qëlluar dhe arma ishte regjistruar në emrin e tij. Trupi i aktorit u kremua dhe hiri u shpërnda në lum në Prizren, shtëpia e tij e fëmijërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Trashegimi

PSE FRIKËSOHET SERBIA NGA LIGA SHQIPTARO-AMERIKANE ?!

June 2, 2020 by dgreca

Nga Leonora Laçi/

“GRENELL PUNON PËR SERBINË, TRUMP SHKARKOJE” Ky është tituli i artikullit të gazetës serbe Informer të dates 26 Maj, 2020, gazetë pro-qeveritare e cila botohet në Beograd në rreth 100,000 kopje. Më poshtë po sjellim të përkthyer pjesë nga ky artikull i cili vazhdon: “ Shqiptarët në panik, po mundohen ta ndryshojnë politikën e Washingtonit.  Grupi i 165 lobistëve shqiptarë, me influencë të madhe në SHBA i kanë dërguar letër Presidentit Donald Trump me të cilën kërkojnë shkarkimin urgjent të Richard Grenell, i dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë.

         Lobistët shqiptarë e kërkojnë “kokën” e Grenell sepse, siç thojnë ata, ai haptas punon në interes të Serbisë dhe kundër interesave të shtetit  “të rrejshëm” të Kosovës. Diasporës shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe me influence të madhe në qarqet lobiste në SHBA i pengon shumë se në detyrë të ndërmjetësuesit për dialog ka ardhur dikush që ka mirëkuptim për interesat dhe pozitat serbe.

         Letra i është dërguar Shtëpisë së Bardhë me 21 Maj dhe është nënshkruar nga 165 lobistë. Në te ndër të tjera thuhet:“I dërguari special për dialog Serbi-Kosovë Richard Grenell i ka dhënë përkrahje ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, gjë e cila e favorizon Serbinë dhe Rusinë. Ish kongresisti Joseph DioGuardi i cili me vite të tëra merret me situatën politike në Ballkan e kundërshton këtë gjë dhe kërkon nga qeveria Amerikane që Richard Grenell të lirohet nga kjo detyrë dhe të zëvëndësohet me dikend tjetër i cili është i paanshëm. Ne e përkrahim fuqishëm Joseph DioGuardin dhe mendojmë se kjo gjë do të ishte shumë e vlefshme për bisedimet paqësore në regjion”. 

       Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx. Është indikativ fakti se në këtë distrikt, politikan kryesor është lobisti i rëndësishëm shqiptar, kongresisti Eliot Engel, përkrahës i flakët i pavarësisë së Kosovës. 

         Në letrën drejtuar Trump-it, lobistët shqiptarë e mashtrojnë atë se shtetin e rrejshëm të Kosovës e njohin 116 shtete të botës kur dihet se 18 prej tyre e kanë tërhjekë njohjen, pra janë më pak se gjysma e anëtarve të OKB-së. Në fund të letrës së botuar në gazetën Illyria, thuhet se “çfarëdo korigjimi i kufijve mund të shkaktojë luftë të re në Ballkan”

         I pyetur për koment, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç thotë se shqiptarët gënjejnë, i tërë koncepti i tyre është i rrejshëm, siç është i rrejshëm edhe shteti i Kosovës. Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç thekson se pozita serbe është më e fortë në bisedime, se konfirmimi që Grenell mbetet në funksion të ndërmjetësuesit deri në fund të mandatit të kësaj Administrate, tregon se nuk ka ndryshime në politikën amerikane.  Ndërsa Vladimir Marinkoviç, nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, konstaton se Administrata Trump nuk i trajton shqiptarët njisoj si ato të mëparmet. Meritat kryesore për këtë i takojnë Vuçiqit i cili ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Administratën Trump”.Shkruar nga M.Dakiç

Ajo çfarë vëmë re nga ky artikull është se Serbia ende e ka në qendër të vëmendjes Kosovën dhe gjithçka ndodh aty qoftë në politikën e jashtëm apo të brendshme të saj dhe përpiqet me forcë t’i minimizoi njohjet që i janë bërë Kosovës më qëllim të shkatërrimit të saj.  

Liga shqiparo-amerikanë ka lobuar vazhdimisht në dobi të çështjes shqiptare sa herë e ka dashur nevoja. Aktualisht problemi më i madh i Kosovës është përpjekjet e Serbisë për ta shfrytëzuar krizën politike madje dhe të influencoi që pushtetin ta ketë në dorë një forcë politike apo figura politike që Serbia të mund t’i manipuloi lehtësisht.

Serbia i frikësohet shqiptaro-amerikanëve dhe zërit të tyre, i frikësohet lobimit të drejtë që ato po bëjnë në Administratën e Trumpit dhe në Kongresin Amerikan.

Nuk mund të harrohet kurrsesi sesi krimineli Millosheviq, në Hagë u patë shprehur me dëshpërim se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Dhe sot puna e Ligës shqiptaro-amerikan nuk ka ndryshuar, më në krye ish kongresistin Joseph DioGuardin dhe krahun e djathtë të tij, znj.Shirley Cloyes DioGuardi,  këshilltaren për çështjet ballkanike.

Indikator i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës dhe jetëgjatësinë e saj është roli i  Anetarëve te Bordit të saj, biznesmenëve, miqëve e prkrahëseve shqiptarë apo të huaj, duke i dhënë krah dhe mbështetje kauzës së DioGuardit për të levizur mekanizmat e nevojshëm të  politikës së  jashtme amerikane në dobi të kauzës shqiptare, ku dha rezultatet e pamohueshme siç ishte liria dhe pavarësia  e Kosovës, demokratizimin e Shqipërise, dhe përpjekjet për sigurimin e të drejtave të plota për shqiptarët në Kosovwn Lindore, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri! 

Po veçoj punën e veprimtarit z.Agim Aliçkaj ku siç shkruan gazeta serbe: “Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare  Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx.” Z.Aliçkaj ka qënë mjaft aktiv me shkrimet e tij të botuar në shtypin shqiptar në Amerikë, Shqipëri e Kosovë. Artikuj që janë pritur mjaft mirë nga atdhetarët shqiptarë. Artikuj e tij të fundit janë: “Pavarësia e Kosovës dhe përkrahja amerikane.” “Kosova sot dhe ulja në bisedime me armikun.” “Letër e hapur Presidentit Trump -(Mos) respektimi i vlerave demokratike në Kosovë nga Ambasadori Richard Grenell” “Presidenti Hashim Thaçi e keqja më e madhe e Kosovës në 20 vitet e fundit”,  “Marrëveshja Thaçi- Vuçiç- Grenell humbje e lirisë së Kosovës”dhe “Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet evropiane pro-amerikane”.

Këto artikuj kanë në qendër të tyre zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare, dhe vë në dukje se duhet vepruar sa më parë për të mos e humbur Kosovën shtet. Asnjëherë nuk ka mbështetur politikanë të cilët e kanë shitur Kosovën për interesa personale, Kosova duhet të qëndroi mbi gjithçka. Krijimi i qeverisë së shpresës dhe antikorrupsionit Kurti-Osmani, ka qenë hapi i parë që duhej bërë dhe çdo vonesë ishte në dëm të shqiptarëve e në favor të serbve. Në letrën e hapur që i dërgon Presidentit Trump ai ngre disa pyetje mjaft të rëndësishme, citoj: “-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe të dyshuar si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.” Z.Aliçkaj mesa shohim nuk ndalet duke kritikuar politikat e këqija në Kosovë, duke mbështetur kauzat që duhen mbështetur e duke e mprehur penen sa herë që në Kosovë gjërat nuk shkojnë si duhet. Teksa lexoj artikujt e tij më vjen ndërmend shprehja e ish Presidentit Bill Klinton në Kosovë, në vitin 1999: “Ne ju ndihmuam ta fitoni luftën, tani ju fitojeni paqen.”  Sa e vështirë qënka ta ruash paqen.

Duhet theksuar se meritë të veçantë në ngritjen e zërit në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës kanë edhe 165 aktivistët e mirënjohur shqiptarë, të cilët citohen në artikullin serb, që e dërguan letrën e tyre Presidenitit, Senatit dhe Kongresit Amerikan. Letra e tyre me të gjithë emrat e të nënshkruarve është botuar në gazetën Illyria dhe shumë gazeta dhe portale të tjera.

Serbia i frikësohet të vërtetës, luftës së drejtë të shqiptarve, i frikësohet fakteve dhe historisë që është në favor të shqiptarve. Serbët nuk janë viktima dhe sado të lobojnë pranë Administratës së Trumpit, ata e kanë të humbur këtë luftë, ata nuk do ta kenë kurrë Kosovën. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por çështjet e drejta janë gjithmonë aty bashkë me zgjidhjen e duhur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Aliçkaj, Leonora Laçi, Liga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • 365
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT