• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Destinacioni i raporteve midis shqiptarëve

April 8, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Sipas gazetares së tv klan Maqedonia, Xhumadije Brahimi, qeveria e shtetit fqinj ka paracaktuar rreth 16 hotele si pika karantimi për shtetasit e saj që kthehen nga vendet e ndryshme. K informacion u dha nga një transmetim i drejtpërdrejtë nga Shkupi për emisionin Opinion mbrëmë më 7 prill 2020. Pra 16 hotele dhe me shpenzimet e qeverisë. Ndërkohë që të njëjtin problem e patëm edhe ne me emigrantët tanë që ktheheshin nga Greqia dhe që për 4 ditë mbetën në qiell të hapur në një truall neutral midis doganave tona dhe Greqisë. Shteti ynë u përgjigj ashpër, do karantinoheni në hotelet aty përreth dhe me shpenzimet tuaja. Një turp kombëtar që solli deri indinjatën e diasporës. Madje njeriu që do i jepte zgjidhje ishte pikërisht një shqiptar nga Tetova por që njihet tashmë si një biznesmen i suksesshëm në Gjermani e me gjerë, ai quhet Lazim Destani. Sipërmarrje që ministri i gjoja diasporës Pandeli Majko në qeverinë shqiptare e cilësoi si një zgjidhje a një marrëveshje mes qeverisë dhe diasporës. Kjo ka domethënien se sa kot është dikasteri që menaxhon emigracionin me vendin amë, së pari për nga mungesa e fondeve por edhe sa pa brekë është qeveria shqiptare. Se po të ishte me aq ti dhe kaq unë do quhej bashkëpunim. Por e thënë thjesht, ishte një lypje për të mbuluar atë që akoma nuk ka plasur në Shqipëri, ekonominë e vdekur. Dhe ndofta shumë njerëz mendojnë se mbas tërmetit kjo puna e covid-19 ishte gjëma më e madhe, kështu qoftë. Se nga ato që dëgjon specialistët e ekonomisë dhe biznesit, rubrikat e fundit në emisionet tona, është dyshimi mbi të ardhmen pas pandemisë. 

Përse shteti ynë nuk e bëri këtë? I la në qiell të hapur emigrantët. Megjithëse jemi një vend që kemi institucione si Avokati i Popullit, pra për të drejtat kushtetuese qytetare, as ky  nuk u ndie. Përgjigja është fare e thjeshtë, jo vetëm nuk kanë para por janë të mbushur edhe me urrejtje a plot ndjenja bulliste karshi njëri-tjetrit. Madje edhe insistimi i ashpër me izolim total është mjeti më i favorshëm për një qeveri që i ka arkat bosh. Sot Austria, Çekia, kanë nisur hapjen e pjesshme, arsyeja sipas informacioneve presioni social. Në Shqipëri ka vetëm një lloj presioni, ai qeveritar. A nuk po e luftojnë këto vende coronën, sigurisht që po, por po aplikojnë rregullat të ashpra të distancimit publik. Këto të raporte që rregullohen në bazë të marrëdhënies së qytetarit me Kushtetutën. Kurse qeveria shqiptare vetëm urdhëron. Eshtë përgjegjësi kushtetuese t’i dalësh zot qytetarit kur i thua rri në shtëpi. Shto faturat karshi biznesit ndaj me të drejtë plot qytetarë pyesin se kur do jemi si shtetet e tjera? Dhe sa kohë do jemi produkt i showt të lali Erit me ndihma dhe i misionarëve të fesë si Elvis Naço kur bëjnë show me magazina, ku dominojnë qeset me miell, vaj, makarona? Përgjigja është fare e thjeshtë, janë arkat bosh. Po të ishin plot, i pari që do vraponte drejt Kapshticës do ishte Edi Rama. Kur e shikon se sillet Maqedonia e Veriut me qytetarët e saj emigrantë, nuk ka asnjë diskutim që emigranti shqiptar nuk ndihet mirë. 

Dhe në raport me Maqedoninë numri i emigrantëve tanë ishte me gishta, kurse ai i emigrantëve maqedonas kalonte mbi 2 mijë. Ndërkohë që raportet me diasporën janë sa të brishta aq edhe të minuara. Ne kemi emigruar historikisht për një jetë më të mirë, pra për shkak të ekonomisë së dobët në vendin tonë.

Por sado këtij fakti nuk e kemi zbrazur kokën nga ideologjia aq sa edhe sot bash në mes të New York-ut një kapter i diktaturës të mbyt me të kaluarën. Të mbyt ta zëmë njëri për Ramën e tjetri për Berishën a Bashën. Futet si skuth në organizatat e mërgatës megjithëse i ka survejuar ato deri në Zelandën e Re përmes Sigurimit të Shtetit. Pra megjithëse na ka ngrënë shpirtin mospasja, ne i hamë kokën njëri-tjetrit nga bindjet, ideologjia. Janë marrëdhënie të brishta edhe për tmerrin se sa të vështirë e kemi të jemi të pa anshëm aq sa e quajnë patriotizëm të financojnë një shtetar vetëm për një foto me presidentin e Amerikës, kur ato para mund të ishin sot fare mirë bonus në fondin e emergjencave civile. Shto edhe fondet nga vetingjet, plus vetingjet e mungura në politikë, pasi ka ardhur koha e një katarsi të demokracisë, kësisoj si vendet e botës do kishte edhe Shqipëria jonë një plan social të detajuar suporti financiar. Por siç e thamë këto janë pasojat e raporteve të bindjeve dhe të verbërve karshi iks apo ypsilon lideri politik dhe jo me vendin e dhembshur. Për rrjedhojë të gjitha destinacionet, të parave, bindjeve, konstruktiviteti, respekti, shkojnë diametralisht kundër. Kësisoj është e natyrshme të na mbysi demagogjia.

Filed Under: Analiza Tagged With: Raportet ems shqiptareve

Mbreti Zog I gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit

April 8, 2020 by dgreca

…, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve /


Me rastin e 59 vjetorit të ndërrimit jetë/
Nga Ekrem SPAHIU*/

Më 9 prill 1961, ndërroi jetë në Paris Mbreti Zog I. Kombi shqiptar humbi burrin e shtetit më të shquar dhe më me ndikim në historinë e tij moderne. Ndërkohë që vdekja e Mbretit Zog u lajmërua në gazetat më të mëdha botërore të kohës, në vendin që e kishte lindur, udhëheqja e lartë komuniste festonte, ndërsa heshtja për popullin shqiptar që kishte nostalgji për Mbretin Zog ishte e plotë. 
Kolonel Hysen Selmani që shërbeu pranë Mbretit Zog I si adjutant i Tij, i ka publikuar momentet e fundit të jetës së Mbretit si më poshtë:  
Më 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Nuk ishte edhe aq i lodhur. Gjithmonë ishte me ato shaka, por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Javën e parë ishte fare mire. Edhe në spital pranonte vizita, e kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Kur nisi të ndiejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë u thirr profesori Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche.” Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Më 28 Mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës. Ata konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe kancer në mëlçinë e zezë. Profesorët u këshilluan dhe pas ekzaminimesh, vërtetuan se nuk mund t’i bëhej një operacion. E panë të pamundur, sepse kishte arritur në gradën e fundit.
Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhënia e Tij, Zog I – Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut”. Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e …
Më 10 prill 1961, trupi i Mbretit Zog I u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe në një sallon të madh. Për dyzet e tetë orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota erdhën e u përkulën para trupit të Mbretit duke derdhur lot e duke lutur të madhin zot për shpirtin e Tij. Presidenti i Francës, Gjenerali De Gol kishte dhënë udhëzime që refugjatët që vinin për këtë rast, të hynin në Francë pa viza.
Më 11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të NMT Zog I – Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha.” Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve e kishin rrethuar Mbretëreshën dhe Princin Leka. Me një kortezh shumë madhështor u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupit të Madhërisë së Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve për në banimin e përkohshëm në “Thiais Parisien”. 
Në njohje e vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së Tij historike e kombëtare, mbas 51 viteve më 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, ndërtuar pasaçërisht për këtë ditë të shënuar. Ky mauzoleum u ngrit pranë themeleve të mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë Sadije, i cili u shkatërrua më 17 nëntor 1944. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Në këtë mauzoleum prehen eshtrat e Mbretit Zog I, Mbretëreshës Geraldinë, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Suzan.
Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, në këtë ceremoni i ka akorduar Naltmadhnisë së Tij Zog I – Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:
“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
 
*Ish – deputet &, ish kryetar i PLL

Filed Under: Analiza Tagged With: Mbreti Zog

SIKUR TË KISHIM DËGJUAR ISH-PRESIDENTIN XHORXH BUSH-in E RI

April 8, 2020 by dgreca

                                    (Për epideminë e koronavirusit)/

                                               Nga Frank Shkreli/

Ishte viti 2005.  Presidenti Xhorxh W. Bush i riu kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhej të kishin filluar përgatitjet për një pandemi të mundëshme gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. 

Siç dihet tani, e gjithë bota qe krejtësisht e papërgatitur për tu përballur me përhapjen e shpejt të koronavirusit anë e mbanë botës.  Ndërsa Amerika dhe mbarë bota gjëndet në kulmin e përhapjes së koronavirusit dhe të një pandemie me përmasa botërore, dhe ndërkohë që po kritikohet ashpër qeveria federale, shtetërore dhe vendore këtu në Shtetet e Bashkuara për mos përgatitjen e tyre për një situatë si kjo — në një raport të ditëve të fundit, rrjeti i televizionit kombëtar amerikan, ABC vuri në dukje, paralajmërimin që kishte bërë pothuaj 15 vjet më parë, ish-Presidenti Xhorxh Bush i riu, për nevojën e marrjes së masave për t’u përgatitur për një katastrofë të mundëshme epidemie si kjo që po përjetojmë sot, anë e mbanë botës. 

Z. Bush e kishte bërë këtë paralajmërim në një fjalim të mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, fjalim në të cilin ai ka nënvijuar nevojën urgjente të Amerikës për t’u përgatitur në rast të një shpërthimi të një epidemie sëmundje ngjitëse, në shkallë botërore.  “Në këtë moment, nuk ka një pandemi gripi në Shtetet e Bashkuara as në botë, por nëqoftse duhet të mësojmë nga historia, atëherë duhet të jemi shumë të shqetësuar për një mundësi të tillë”, ka thënë Presidenti Bush, në fjalimin e tij mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2005. 

Pandemia është si një zjarr që përhapet në pyll” ka nenvijuar Presidenti Bush në atë fjalim, 15-vjetë më parë.  “Nëqoftse hetohet që në fillim, ka mundësi të shuhet zjarri para se të shkaktojë ndonjë dëm të madh.  Por, nëqoftse lejohet të përhapet pa e diktuar, atëherë zjarri mund të këthehet në një ferr të vërtetë, që nuk mund të kontrollohet dot.”  Sipas ish-zyrtarëve të Presidentit Bush, me të cilët kishte folur ditët e fundit televizioni ABC në lidhje me paralajmërimin e ish-presidentit, Z. Bush, ai ishte i bindur se vendi duhej të ishte shumë më i përgatitur se ç’ishte në atë kohë, për një pandemi të mundëshme, pasi, siç thanë ata ai kishte lexuar një libër  mbi gripin spanjoll të vitit 1918.

Ish këshilltarja e Presidentit Bush për Sigurinë e Atdheut, Fran Townsend, citohet se Z. Bush kishte thënë se, “Një pandemi, si pandemia spanjolle, ndodhë çdo 100-vjetë, prandaj kemi nevojë për një strategji kombëtare”, për tu përballur me një mundësi të tillë, është shprehur Presidenti Bush.  Ndërsa ish-këshilltari Karl Rove u shpreh se, sado të frikëshme dhe shqetësuese që ishin informacionet në lidhje me luftën kundër terrorizmit, në atë kohë, asgjë nuk mund të krahasohej me diskutimet që zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me mundësinë e përhapjes së një pandemie në Amerikë dhe në botë. 

Sipas rrjetit të televizionit amerikan ABC, Presidenti Bush e kishte paraparë situatën në të cilën gjënden sot Shtetet e Bashkuara dhe bota, si pasojë e koronavirusit – me mungesë furnizimesh mjekësore, përfshir maskat, ventilatorët, tejet të nevojshme këto për të luftuar koronavirusin Covid-19. 

 Thuhet se Presidenti Bush, ishte aq i bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin më të përgatitura për një fatkeqësi të tillë si koronavirusi sot, sa që propozoi një buxhet prej 7 miliardë dollarësh për këtë qëllim, por sipas ish-ndihmësve të tij, në atë kohë në Washington nuk ekzistonte një mbështetje serioze e nevojshme që projekti i Presidentit Bush të realizohej në nivel kombëtar.  Paralajmërimi i tij që vendi të përgatitej për një epidemi si kjo me të cilën përballet sot bota, ra në veshë të shurdhër.  Megjithëkëtë, sipas raportit të televizionit ABC, Presidenti Bush bëri plane ambicioze për financimin e teknologjive të reja për të zhvilluar vaksina të reja dhe për fabrikimin e mjeteve të tjera të nevojshme.  Por, sipas ABC, megjithë gatishmërinë e Presidentit Bush për të shtuar përgatitjet e Amerikës për t’u përballur me kërcënimin e një pandemie të mundëshme dhe për të financuar nisma të reja në këtë fushë – prioritetet e politikës amerikane për tu marrë me kriza të tjera botërore të asaj kohe, bëri që kjo nismë të hidhej në harresë, megjithë këmbënguljen e Presidentit Bush, për të përgatitur vendin për një krizë shëndetësore, si koronavirusi – 15-vjet pas paralajmërimit të tij.  Shumë analistë dhe ekspertë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara ishin krejtësisht të papërgatitura dhe se duhej të ishin më të përgatitura për tu përballur sot me një pandemi kaq serioze, si koronavirusi.

Duke lexuar raportin e televizionit amerikan ABC në lidhje me paralajmërimin e Presidentit Xhorxh Bush, të vitit 2005, se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përgatitura për të luftuar një pandemi të mundëshme dhe se diçka duhej të bëhej në këtë drejtim — është e pamundur të mos bëjmë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin në gjëndje shumë më të mirë për t’u përballur sot me koronavirusin – sikur të ishte marrë seriozisht paralajmërimi i Presidentit Xhorxh W. Bush, se Shtetet e Bashkuara duhej të përgatiteshin, me kohë, për një pandemi të tillë.  Sikur të ishte realizuar projekti i Presidentit Bush i vitit 2005, a do të kishim (deri tani) pothuaj 350.000 amerikanë të prekur nga koronavirusi dhe afër 10.000 të vdekur, shifra këto sipas, Universitetit John Hopkins. Eh, sikur…

Thonë se udhëheqsit e mirë dallohen në kohë të vështira dhe kur mund të parashikojnë gjërat para se të ndodhin dhe të cilët u prijnë politikave dhe përpjekjeve qeveritare për të parandaluar të keqen.  Ja e keqja e një pandemie të mundëshme, për të cilën kishte paralajmëruar ish-Presidenti Xhorxh Bush ndodhi, duke prekur jo vetëm Amerikën por mbi 182 shtete anë e mbanë botës, me pasoja tronditëse, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, por edhe për të ardhmen ekonomike të botës.  Ndodhi çfarë ndodhi dhe me ndihmën e Zotit edhe kjo do të kalojë.  Dritat nuk do të fikën anë e mbanë Evropës, siç kishte paralajmëruar ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Edward Grey, në fillim të Luftës së Parë Botërore.  Koronavirusi do të ndryshojë botën, patjetër, por do të kalojë.  Dritat do të shëndrisin përsëri, për ditë më të mira, jo vetëm në Evropë dhe në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës,

Por lind pyetja se çfarë mësimesh të vështira do nxjerr Amerika dhe udhëheqsit e saj aktualë dhe të ardhëshëm, nga kjo tragjedi – dhe jo vetëm Amerika — por edhe bota në përgjithësi dhe çdo shtet tjetër i prekur nga koronavirusi, në veçanti.  A do të jetë Amerika dhe bota më të përgatitur për një epidemi të mundëshme në të ardhmen?  Siç tha edhe Governatori i shtetit Nju Jork, (shteti më i prekur në Amerikë nga koronavirusi), Andrew Cuomo, pasi të ketë kaluar kjo, a do merremi vetëm me dhimbje, me vuajtje, me vdekje — të frikësuar, të dëshpëruar e të zemëruar nga koronavirusi gjithandej, apo do të dalim nga kjo gjëndje e tmershme, më të zgjuar, më të mençur, më të përgatitur se përpara, për tu përballur me një epidemi të mundëshme si kjo në të ardhmen.  Është në dorën tonë, të gjithë jemi në gjëndje ta kontrollojmë këtë situatë, ka thënë i pari i Nju Jorkut.  Uroj që Amerika dhe bota të mësojnë nga kjo përvojë e tmershme duke bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, proceduriale, teknike, shkencore e të tjera, për të qenë më të përgatitur për një epidemi tjetër të mundëshme.  Uroj gjithashtu që të kemi udhëheqës që e kuptojnë seriozitetin e gjëndjes së krijuar dhe që të mos jemi në mëshirën e udhëheqsëve që nuk kanë haber se çfarë po ndodhë rreth tyre.

Sido që ta merrësh, kohë të vështira për të gjithë.  Për disa, shumë të vështira!  Shpresë dhe mëshirë për të gjithë ne!

Filed Under: Analiza Tagged With: Andrew Cuomo, Frank shkreli, George W Bush, Koronavirusi

Nga burgu i virusit

April 7, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Sa lavde do njeriu që të thotë “u ngopa”? Me tepricë! – Derisa ta kuptojë qesëndisjen, sepse çdo gjë e tepruar e ëmbël villet, është qesharake. Facebookoo, – kështu duhet shkruar nëse lakohet, pasi pranohet në shqip – e ushqen këtë marrëzi, e bën njeriun të pangopur. Lavdet që vijnë në formën “like” për “ pëlqim”, dhe “comment” edhe për kritika, janë dy anë të medaljes. Njeriu është ‘medalja’, pas ekranit fshehur, që herë qan, herë qesh. Eshtë mirë ta dallojë se kur a ku është kufiri, në të dy rastet, përndryshe pëson eufori ose depresion.Kur fermeri Ray (Kevin Costner), në filmin “Field of Dreams”- 1989, dëgjoi një zë misterioz që vinte nga fusha e tij e misrit duke thënë “Nëse e ndërtoni, ai do të vijë”, ai (Ray) ndjeu nevojën për të vepruar. Pavarësisht se shumë njerëz e morrën për marrëzi idenë e tij, Ray ndërtoi një fushë bejsbolli në arën ku më parë mbillte misër. Kur fusha mbaroi, fantazmat e lojtarëve të mëdhenj filluan të shfaqen për të luajtur. Kjo fushë e ëndrrave ka të bëjë më tepër sesa për të nxjerrë në lojë ish-yjet e bejsbollit. Ata luajnë ndërsa qindra makina shihen duke iu afruar fushës. Kjo përmbush profecinë e Rayt se njerëzit do të vijnë nëse shohin se dikush luan, qoftë edhe hije. Kur hapet shtegu, bëhet rrugë, kjo është edhe idea. Rrënia e komunizmit u projektua si një ëndërr e ngjashme, por ndërtimi i fushës u la përgjysmë, prandaj askush nuk shkoi për të parë.Kjo ëndërr duket se frymëzoi Mark Zuckerbergun, kur nga dhoma e tij e konviktit të kolegjit, më 2004, filloi të hapë “faqe libri” kompjuterik për të komunikuar me studentët në kampuse. Nga ajo ditë Facebook u zgjerua me shpejtësi përtej kolegjeve dhe sot numëron rreth 2.5 miliardë antarë. Duket se media sociale është rruga virtuale që njeriu i detyruar, sot ka zgjedhur në ëndërr a realitet, mbyllur nga virusi, drejt evoluimit, ndërsa kalon kohēn.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Burgu i Virusit

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.

April 7, 2020 by dgreca

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij /

Nga Eugjen MERLIKA/ Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

                        Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

                        Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi traktativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos : 

                        “Viti 1938

                        30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

                        10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

                        Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

                        19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

                        Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

                        Ishte parahyrja e luftës së dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

                        Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj. 

                        Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

                        “…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..

                        Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

                        Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:  

                        “…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]   

                        Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

                        Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

                        Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

                                                                                                            (VIJON)


[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 prilli, Eugen Merlika, Nacionalizmi shqiptar, Pushtimi fascista

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 380
  • 381
  • 382
  • 383
  • 384
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT