• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maqedoni: Histeri antishqiptare për të fshehur krimin

May 11, 2017 by dgreca

Maqedonia gjendet në krizë politike, por partitë nacionaliste thellojnë ndarjen midis kombeve në Maqedoni, shkruhet në një informacion nga Shkupi të revistës gjermane “Der Spiegel.”

Symbolbild deutsche Presseschau Presse (picture-alliance/dpa)

„Një gjest i vogël, por me përmbajtje eksplozive: pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit, Talat Xhaferri dhe pasi ai u vendos në zyrën e Kryetarit, ai vendosi tre simbole: atë të Maqedonisë, të Bashkimit Europian dhe atë shqiptar. Maqedonia është për momentin shteti më i brishtë në Ballkanin Perëndimor, dhe ky gjest shkaktoi reagime të mëdha në opinion,” shkruan Der Spiegel dhe thekson frikën “nga fantazma “Shqipëri e Madhe”.

Kjo sidomos pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, në të cilën plotësohen të drejtat e shqiptarëve, por vetëm  teorikisht. Në lidhje me këtë çështje, autori Keno Verseck citon më tej analistin Albert Musliu, i cili thotë se derisa Marrëveshja e Ohrit nuk zbatohet plotësisht dhe nuk garantohen të drejtat e shqiptarëve „shqiptarët nuk do t’i shohin institucionet shtetërore si të vetat”.

„Përgjegjësinë për krizën e mban Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE. Gruevski në dhjetë vitet e fundit qeveriste me një autoritet mbretëror, duke i imponuar vendit ideologjinë nacionaliste”. „Ish-komandati i UÇK-së, Ali Ahmeti nuk e kundërshtoi aspak këtë, si partner qeverisës. BDI e shfrytëzoi Marrëveshjen e Ohrit për të forcuar klanin e tij kriminel nëpër institucionet e shtetit dhe që të forcojë fuqinë e partisë duke pretenduar, se janë shpëtimi i vetëm i shqiptarëve të Maqedonisë”, tha për Spiegel , ish -diplomati dhe analisti politik Arsim Zekolli.

„Platforma e Tiranës”

Më tej “Der Spiegel” komenton zgjedhjet parlamentare në vend, paraqitjen e platformës së shqiptarëve dhe deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për bashkimin e Shqipërisë, nëse nuk përshpejtohen bisedimet për integrimet në BE. Revista ndalet edhe në skenarin që e shfrytëzon presidenti Gjorgje Ivanov, që të mos e japë mandatin për formimin e qeverisë së re.

„Edhe pse dokumenti (platforma shqiptare) synon të ngjallë debat, nacionalistët maqedonas protestojnë më shumë se dy muaj kundër Platformës së Tiranës.” „Për zhvillimet e fundit, diplomati dhe avokati Nikolla Dimitrov thotë: “Narrativën etnike e përdorin me qëllim që të tërheqin vëmëndjen e opinionit maqedonas nga strukturat autoritare të partive që ishin në pushtet.”

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Gjabir Deralla shpreh dëshirën për një Maqedoni me një shoqëri larg nga „idetë dashakeqe etnike”. „Në protestat kundër regjimit të Gruevskit ishin të bashkuara të gjitha bashkësitë etnike. Shpresoj që pushtetarët të mos e thyejnë këtë energji pozitive bashkimi dhe të lejojnë hapësirë që të nxiten mardhëniet ndëretnike,” thotë Deralla për “Der Spiegel”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frankfurter Allgemeine, Maqedoni: Histeri antishqiptare, për të fshehur krimin

Komisioneri Hahn: Kosova do të përballet me sfida të mëdha

May 11, 2017 by dgreca

*Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 11 qershor/

*Presidenti i Kosovës shpërndau me dekret parlamentin. Pas konsultave me partitë politike, Presidenti caktoi 11 qershorin si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare./

Nga Bekim Shehu/

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nënshkroi dekretin për shpërbërjen e kuvendit të Kosovës duke u hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Pas konsultimeve me partitë politike për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, si datë u catua 11 qershori. Mirëpo mediet në Kosovë rikujtojnë më datën 18 qershor Kosova ka të planifikuar një ndeshje të rëndësishme futbolli me Turqinë që do të mbahet në Shkodër të Shqipërisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk mori pjesë në takimin e Presidentit Thaçi me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Hahn: Kosova do të përballet me sfida të mëdha

Rrëzimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa, pas një vote mosbesimi në parlament, komisoneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, nuk e ka pritur mirë, duke ju rikujtuar liderëve politikë kosovarë sfidat  që i presin.

“Më vjen keq për votën e mosbesimit të sotëm në Parlamentin e Kosovës. Liderët e politikës dhe institucionet nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha që Kosova do të përballet”, shkroi Johanes Hahn në Twitter.

EU - Erweiterungskommissar Johannes Hahn (DW/A. Feilcke)

Edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë që ishte me e zëshmja që parlamenti ta votojë demarkacionin, moskalimi i të cilit u bë shkas për rënien e qeverisë, thotë se vendi duhet të lëvizë drejt një tranzicioni stabil.

“Kuvendi e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të punëdhënësve të tyre, gjegjësisht të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Sidoqoftë, Komisioni Qendror Zgjedhor, tashmë ka deklaruar se është i gatshëm të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Në momentin që Presidenti i shpallë zgjedhjet, KQZ menjëherë e ka për obligim të marrë masat e duhura në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i rregullt dhe transparent”, thotë Kryterja e  KQZ-së Valdete Daka, duke ftuar subjektet politike që të respektojnë ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e vendit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hahn: Kosova do të përballet, me sfida, të mëdha

Urrejtja sllave dhe rrënimi i demokracisë

May 11, 2017 by dgreca

Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.

vjollca-1

NGA VJOLLCE BERISHA/Pedagoge ne Universitetin e Tetoves/*

Derisa të gjithë, me të drejtë, po flasin për rrënimin e demokracisë nga turma euforike mu në hapësirat prej nga do të duhej të buronin gjedhet më të shëndosha të saj, më bie ndërmend se në sulmet e fundit ndaj Kuvendit të Maqedonisë, si një ujë nëntokësor, mund të ndihet edhe rrjedha e fshehtë e gjithë kulturës politike të vendit, rrjedha e ngjarjeve të panumërta që ravijëzojnë historinë e këtij vendi e që gjithherë pleksen me raportet e brishta ndëretnike, që burojnë nga represoni sistematik institucional dhe joinstitucional i njërës palë ndaj tjetrës.

Në radhë të parë aty mund të lexohet qartë gatishmëria e maqedonasve për t’i shkuar në fund edhe rrënimit të shtetit, që vetëm e vetëm të parandalohet hapërimi i të drejtave bazike të shqiptarëve si komb shtetformues në këtë vend. Përtej orkestrimeve partiake për marrje të pushtetit, që mund të jetë qëllim i drejtpërdrejtë i një grupi të caktuar interesi, në sulmin e pashembullt të institucionit ligjdhënës mu në ditën kur për herë të parë në krye të këtij institucioni do të vinte një shqiptar, si shenjë e “zgjidhjes” së ngërçit te vjetër që e tejkalon moshën e këtij shteti, lexohet qartë urrejtja, mosdurimi i shtresuar thellë në qenien maqedonase ndaj shqiptarëve, urrejtje kjo që ndër dekada ka prodhuar ngjarje nga më të rëndat dhe më irracionalet që ka njohur Evropa.

Bijë e së njëjtës urrejtje ka qenë acarimi i maqedonasve sa herë që përmendeshin Kosova e Shqipëria nga shqiptarët e këtyre anëve. Kushedi ç’mendime ogurzeza u ndillte shqetësimi apo bashkëndjenja me ta (sidomos me Kosovën), mendime që rrënjët i kishin thellë në ndërgjegjen e tyre, siç rëndojnë kurdoherë në ndërgjegjen e popujve faje të vjetra të pariparueshme. Ç’logjikë e mbrapshtë e vinte këtë popull të vogël të vihej në mbrojtje të vëllait të madh serb, duke urryer Kosovën, duke dënuar përpjekjen e saj për liri dhe duke e mbajtur tmerrësisht inat shqiptarin – që jetonte në një pallat me të, që shkonte në të njëjtën shkollë me të, që shihte të njëjtat programe televizive me të (pasi të vetat nuk lejohej t’i kishte), që edhe historinë e vet kombëtare e mësonte nga libra të hartuar keq, plot fyerje e gabime të qëllimshme, duke e dënuar rëndë ndjenjën e tij për ta dashur, për të bashkëndjerë me pjesën tjetër të trupit të vet që drejtohej nga e njëjta zemër e që në tavolina të mëdha konferencash, si një personazhi episodik, i qe shkruar shkarazi fati të ndahej me kufij të rreptë e të kuq hartash dhe jo vetëm?!

Nga po këto mëri të pashpjegueshme, si një atavizëm, vijnë edhe protestat maqedonase sui generis për MOSlejimin e përdorimit të gjuhës shqipe si të barabartë në shtet, si të ishte ajo një bishë që do t’i hante së fundmi të gjithë apo një sëmundje e rëndë ngjitëse që s’do t’u shqitej e do t’i bënte ta flisnin me patjetër të gjithë. Kjo rezistencë irracionale dhe ky qëndrim protestues ndaj një lirie elementare të Tjetrit, liri kjo që s’cenon të drejtën e askujt, është tregues i qartë se sa thellë e sa pa kuptim është ngulitur dëshira për ta mbajtur shqiptarin qytetar të rendit të dytë, madje edhe në kohërat kur kambanat bien nga të katër anët për nevojën e patjetërsueshme të elementit shqiptar në ruajtjen e shtetit në perspektivë, madje edhe kur subjekti që përfaqëson mandatari i ri i qeverisë, në emër të atdhedashurisë, i ka hedhur pas shpine veset e vjetra të urrejtjes së hapur dhe presionit.

As goditjet mizore me grushte, shqelma e gjësende të forta, prodhim i patologjisë psikike të një grupi njerëzish të mëkuar me urrejtje që në vegjëli dhe të një grupi tjetër kriminelësh të amnistuar nga burgu vetëm për përdorim të përkohshëm në gjakpirje, nuk mund ta befasonin e ta tronditnin thellë shqiptarin që është mësuar të goditet sistematikisht, në mënyrat më të ndryshme dhe më të veçanta, ndër dekada, me të vetmen arsye: që ishte shqiptar (Po a s’është ky përkufizimi i pranuar ndërkombëtarisht mbi gjenocidin!?).

Shqiptarin e sotëm e godasin akoma grushtet e vjetra. Shqiptarin e sotëm e godasin grushtet e fyerjeve, burgosjeve, inskenimeve të lloj-lloj situatave, që në kurriz të tij të ndihmohej zhbllokimi i akëcilit proces shkurtpamës, apo rënia e cilitdo pushtet, apo prishja e cilitdo koalicion qeveritar me partinë politike shqiptare, apo dyfishimi i forcave të një pretendenti për diktator të vogël donkishotesk në Ballkan.

Shqiptarin e sotëm e godasin pamundësitë për ta regjistruar popullin e vet (mosnjohja e saktë e numrit të popullsisë në vendin e vet), vështirësitë e pakuptimta që i dalin në marrjen e nënshtetësisë për shqiptarët e ardhur edhe pasi të jenë plotësuar kushtet më të larta, të cilat në gjithë Evropën pranohen si të mjaftueshme për të qenë nënshtetas.

Shqiptarin e godasin grushtet e ndarjes së padrejtë të buxhetit të shtetit, paçka se janë kontribues të barabartë me maqedonasit në të, moskthimi i parave në infrastrukturën e qyteteve të tyre, në arsimin, kulturën e shëndetësinë e tyre.

Shqiptarin e godasin fyerjet e shfrenuara, e godet pesha e rëndë e të jetuarit me njerëz që përditë mendojnë se si t’ia zënë frymën, me njerëz që përditë i ngjyrosin muret e tyre me parulla të egra që kërkojnë vdekjen e tij, pasi shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur, me njerëz që i mësojnë të urrejnë fëmijët e tyre, me njerëz që e kanë shndërruar në instinkt mosdurimin ndaj tij, ndaj gjuhës së tij, ndaj kulturës e historisë së tij, me njerëz që e mbajnë mëri edhe Evropën, e s’e kanë për gjë t’ia kthejnë shpinën, vetëm pse në kriza të mëdha ka ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës kur po e masakronin e përdhunonin pamëshirshëm.

Grushtet që iu dhanë barbarisht deputetit Sela, ngaqë i artikulonte qartë kërkesat dhe nevojat akute të shqiptarëve, nuk e befasojnë shqiptarin. Atij vetëm sa ia lëndojnë ndjenjën më shumë, njësoj sikurse ia kanë lënduar gjithmonë me cilëndo shkelje a fyerje që i është bërë. Shqiptari nuk ka nevojë të shohë vetëm gjak për t’u irrituar. Ai është irrituar e lënduar që nga brohoritë e para përpara Kuvendit, që nga nismat e para të zërit protestues kundër përdorimit të gjuhës së tij, kundër pasjes së një posti udhëheqës në shtet… Ai është irrituar kur, duke e ndjekur betimin e Kryeparlamentarit të parë shqiptar, të bërë në rrugë, teksa në sfond (ose më mirë thënë që vetë betimi ishte sfondi, pasi zërat protestues dëgjoheshin më fort), dëgjoheshin këngë nacionaliste, brohoritje protestuese të pothuajse gjysmës së trupit parlamentar, të përfaqësuesve të popullit, të të zgjedhurve të tij. E populli gati sa s’e shpërthente derën e të futej brenda. E populli, e shpërtheu derën dhe u fut brenda, sepse populli është ai që do dhoma gazi për shqiptarin, që kërkon shqiptari të mos e flasë gjuhën e vet, ta harrojë kulturën e vet, e mundësisht edhe ëndrrat t’i shohë në në njërin nga dialektet sllave.

Midis kësaj hullie, është krejtësisht e natyrshme ta ndjesh se ai që do ta pësojë më së shumti, se ai që do të goditet për vdekje do të jetë shqiptar, e goditja do të jetë vetëm jehona e goditjeve të veçanta që janë bërë gjithmonë mu në palcë të tij, me modele të njohura sllave: te të rinjtë e sapomaturuar, te gratë, te pjesa e shëndoshë, te intelekti, te potenciali… aty ku dhemb dhe dënon më shumë. Edhe kësaj radhe e njëjta gjë: s’goditet deputeti, por politikani i paharxhuar, politikani i artikuluar, politikani që e flet dhe e shkruan drejt gjuhën amtare, politikani që del nga një shkollë e formuar kombëtare politike. Me një fjalë, goditet intelektuali shqiptar.

Duke i njohur mirë këto mjete të represionit e të dhunës, shqiptari s’befasohet. Ai e ka ditur që turma e shfrenuar është produkt i qasjes institucionale ndaj tij. Ajo s’është turmë e pakokë, që, si të gjitha turmat, i udhëheq euforia, ajo është turmë e organizuar, e cytur, e ushqyer me urrejtje ndër breza, turmë dëshmitare e shtypjes sistematike të Tjetrit nga institucioni, turmë që i ka parë ndërrimin emrave të qyteteve, të përdhosjes së simboleve të Tjetrit, të hartimit të teksteve fyese shkollore, të fshirjes së emrave me shkronja latine nga tabelat e rrugëve, vetëm pse edhe shqipja (për dreq!) shkruhet me po këto shkronja, si vazhdimësi e Evropës, si pjesë organike e saj.

S’do mend që mosbefasimi nga të tëra këto nuk ka shkaktuar një qëndrim të plogët te shqiptari, as një qetësi si e atij që është mësuar dhe e ka humbur sensin e kundërshtimit. Përkundrazi, ai është fyer e pezmatuar, por pezmi i tij përsëri ka rënë viktimë e kulturës politike, e largpamësisë dhe e mungesës historike të ndjenjës raciste. Sado që të të duket rrahahagjoks, sado që mburrjet e tij të jenë proverbiale, ai prapë se prapë e di se ku duhet ndalur, ku duhet mosturbulluar ujin në të mirën e përgjithshme. Edhe ky vetëkontroll që shprehën shqiptarët për të mos sulmuar e hakmarrë për deputetin e rrahur mizorisht, qe pjesë e maturisë, që flet se shqiptarët e kanë kaluar moti fazën e të qenit turmë. Ata mendojnë dhe veprojnë politikisht dhe politika e tyre ndahet nga politika e atyre me të cilët rastësisht bashkëjetojnë në shumë pika: në mungesën e racizmit, në tolerancën e kultivuar kujdesshëm, në konceptin mbi lirinë dhe, më kryesorja, në qasjen që kemi ndaj Perëndimit, ndaj Evropës së Bashkuar, rrugën drejt së cilës na e kanë prerë deklaratat e politikat kinseatdhedashëse të maqedonasve, duke na bezdisur e duke na lënë larg Evropës, andej nga prore i mbajnë sytë të gjithë shqiptarët.

*E dërgoi për DIELLIN autorja

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Parlamentin Maqedonas, ngjarjet e 27 prillit, Vjollca Berisha

Kultura politike – Identiteti European

May 10, 2017 by dgreca

Nga Blerta Haxhiaj/Lidhja mes kulturës politike në Europe dhe kriza e demokracisë përfaqësuese duhet të shikohet në rastet që paraqesin këto kriza në kulturën politike dominuese në Europe dhe të tentohet të sugjerohet që demokracia sociale mund të japë një zgjidhje. Krizat ekonomike vetëm sa kanë gërvishtur sipërfaqen e politikës me horizont të gjatë të Europës. Hamendësime të tilla ngrejnë pyetje fundamentale si: A mund të flasim për një kulturë të vetme politike në Europe apo në Bashkimin European? Apo duhet të flasim për proçese që kanë aksese në vendet e EU dhe në sistemet e tyre respektive demokratike dhe sidiqoftë aty a ka kultura individuale politike. Ashtu ne jemi dëshmitarë të sfidave tashmë pothuajse të njëjta atë që George Ë. Bush e paraqitë si Europa e Re ky vend që është i përbërë nga vende që bëjnë pjese në Europe apo në Bashkimin e tyre. Mirëpo si mund të shpjegohet fakti që kushtet e ngjashme që mund ta izolojnë, jep krizat e këtyre vendeve. A ekzistojnë kultura individuale politike në kulturat politike të vendeve në EU? Nocionin e kulturës politike e gjejmë në Enciklopedine Internacionale të Shkencave Sociale ku kultura politike është ‘seti i qëndrimeve, besimeve dhe sentimenteve’ i proçeseve politike që siguron presupozicionet e mundshme dhe rregullat që sundojnë sjelljen në një sistem politik. Kjo ndërthur idealet politike dhe normat operative të politikës. Kultura politike është manifestimi që është në formë të gjeneratorit të dimensioneve psikologjike dhe subjektive të politikës. Një kulturë politike është produk i historisë kolektive të sistemit politik dhe të historisë të jetës së anëtarëve në sistemit qeverisës dhe kjo është e rrënjosur në mënyrë të barabartë në ngjarjet publike dhe në eksperiencën private. Kultura politike referon në qëndrimet, vlerat, besimet dhe orientimet që individët në shoqëri mbajnë duke konstruktuar sistemin politik (Elazar, 1996). Definicionet e kulturës politike i atribuojnë kësaj kulture disa elemente subjektive, ato të cilat e kanë origjinën nga mënyra se si njerëzit veprojnë në një sistem politik dhe se çfarë ndjejne ndaj politikes ku elementet objektive të përfshirë në kohe kanë dimensionin e politikës, trashëgiminë historike, origjinën dhe zgjatjen e disa institucioneve, format e qeverisjes etj. Definicioni i kulturës politike ofron varietete të faktorëve që mund të pranojnë formimin e kulturës partikulare politike. Cdo qëllim tipologjik i kulturës politike është i limituar dhe i vështirë për tu determinuar në përkujdesjen e faktorëve që shkakton krijimin apo ndryshimin në domenin ekzistues të kulturës politike. Për të treguar për kulturën politike mund të shkojmë shumë larg në historinë e politikës dhe në filozofinë e politikës për të argumentuar që kjo lidh fenomenet sociale, supernatyrore dhe natyrore të tipit të regjimit politik që mbizotëron. Teoria e Montesquieu-së nga ‘Letrat Persiane’ dhe e zhvilluar në ‘Shpirti i Ligjeve’ jep tipin e personalitetit që zhvillon dhe si pasojë, tipin e regjimit politik që sundon. Është një afrimitet reduktues në shoqëritë ndarëse përmes botës në dy pole të kundërta; çdo gjë perëndimore ishte progresive, morale dhe civilizuese. Rrjedhimish lindja ishte më ekzotike, imorale, politikisht apatike, intelektualisht regresive dhe i paqytetëruar. Emanuel Rota zgjeron nocionin e Montesquieu-së mbi teoriciene të tjerë të Iluminizmit Francez (Voltaire dhe Rousseau) dhe përfundon duke u pajtuar me ta që njerëzit Verior duhet të punojnë sepse natyra nuk u jep atyre shumë; njerëzit Jugor nuk duhet të punojnë sepse natyra është shumë zemërgjërë me ta. Vetëm domosdoshmëria bën që njerëzit të punojnë; atje ku ka bollek i bën ata përtac. Njerëzit përtacë janë të predisponuar ndaj despotizmit, udhëheqja e burimeve udhëheq qytetarë të mirë. Max Weber kishte tentuar të provonte në një mënyrë komprehesive që protestantët etnikë pranojnë ngritjen e kapitalizmit. Matti Peltonen jep evidencen që shumë historianë ekonomike dhe sociale përmes shek. XX kanë krituakuar Weber-in për këtë tezë. Teza e Weber-it duket që është një keqkonstruksion social dhe më e mira e tij se ajo është vetëm një hipotezë (Hamilton, 1996). Vlerat politike dhe sjellja e saj janë të ndikuara nga faktorët e ndryshem. Një pikënisje e dobishme për klasifikimin e vendeve në dallimin e tyre mes qytetërimeve është ajo e dhënë nga Huntington (1996). Ai jep postulatet e një kufiri kulturor më një Europë që jep këto ndarje – njerëzit e krishterë, njerëzit myslimane, njerëzit ortodoks. Mirëpo Europa ka ndryshuar kulturën e saj politike në sajë të krizës të demokracisë përfaqësuese. Fenomenet mund të shërbejnë si indikatorë të këtyre ndryshimeve si : rritja e popularitetit dhe partive ekzistuese e djathta dhe e majta; krijimi i partive të reja politike, e djathta ose e majta, nacionaliste, ekstremiste dhe populiste, liberal reformist; ngritja e lëvizjeve shoqërore dhe protestat në rrugë. Kriza ekonomike tregon disa ngathtësi strukturale në sistemin e qeverisjes demokratike që mund të sjellë ndryshime në qëndrimin e njerëzve, vlerave, besimeve, orientimeve dhe përballje ballë për ballë me qeverinë. Ndryshimi bazik është në mes vendeve perëndimorë dhe lindorë të Europes, disa nga variablat që pranojnë tipet e kulturës politike mund të gjenden përgjatë traditave kulturore, si të udhëheqësit e fuqishëm, drejtuesit authoritative dhe qeverisja demokratike apo përdorimi i dhunës me prapavije politike. Këtu mund të kenë kuptime të ndryshme të atyre që mbajnë përgjegjësi për jetët e njerëzve qoftë individuale apo shtetërore. Chapman dhe Shapiro (1993), tregojnë se etosi i komunitetit është subjekti i njërit nga më të rendësishmit në teorinë demokratike. Një dimension adreson pyetjen themelore që atij që mbart pergjegjësinë primare për ruajtjen apo heqjen e jetës së një personi. Dimensioni tjetër është fundamental sepse lidhjet mes njerezve, kompeticioni i përformancave mes individëve në tregun e punës kundrejtë korporatave i teston ato. Diferencat mes vendeve Europiane rezultojne në kulturat e ndryshme politike; libertinizmi apo vetepërgjegjësia e kombinuar me kompeticionin e individëve, liberalët apo përgjegjësia e shtetit me kompeticionin mes individëve, republikanët apo vetëpërgjegjësia më bashkëpunimin dhe solidaritetin mes individëve, socialistët apo përgjegjësia e shtetit me bashkëpunimin dhe solidaritetin mes individëve. Përshembull, vendet e Europës Përëndimore kanë zhvilluar një tip të kulturës politikë liberale dhe republikane, ndërkohë që Europa Lindore më shumë tingellon që ka zhvilluar tipin e kulturës politike të zhvillimit socialist dhe liberal. Demokracia athinase ishte e bazuar mbi pjesëmarrjen e masave të të gjithë qytetarëve; ata e ushtronin demokracinë përmes vendimeve te drejtpërdrejta në vendet publike apo Agora. Ky shembull tregon fillin e lindjes të shteteve moderne që përfaqëson demokracinë përfaqësuese ku njerëzit janë të aftë të zgjedhin një qeveri që i përfaqëson ata. Shumë vendime në ditët e sotme merren në vendet përkatëse të direktuara nga qeveria ku votuesit kanë dhe nuk kanë të drejtë të flasin. Një delegacion i dyfishtë i pushtetit tregon se qeverisja e një shoqërie moderne është shumë komplekse. Duke goditur në idenë demokratike votuesit apo të zgjedhurit e tyrë të mëpërparshem edhe ata që do të votohen gjithmonë janë kompetente për ti përfaqësuar ata. Edhe EU bazohet mbi një delegacion të dyfishtë ku J. H. H. Weiler (2011) demokracia nuk është pjesë e ‘ADN origjinale e integrimit European’  dhe se kjo ndihet si një implant i jashtëm apo i huaj. Me kolapsin e origjinalitetit të raison d’ être, mesianizmi politik është i lidhur më qëllimin e ruajtjes së paqes në Europë ku tejtjetërsimi dhe shkeputja e individeve ndodh vazhdimisht dhe ne jemi dëshmitarë. Delegimi i dyfishtë redukton kuptimin e përgjegjësisë demokratike, politikanët mund ta hedhin dhe të djegin përgjegjësitë e tyre kur atyre nuk u dakordohet dicka. Por nëse nga ata janë shumë të rëndësishëm për proçeset vendimmarrëse atëhere nuk mund të bëjmë pa ta. Qytetarët janë të paaftë të kontrollojnë proçeset e tyre të jetës së përditshme, përberësi që mund të krijojë prosperitet është besimi bazik që zgjedhe të gjithë përfaqësuesit që mund të përmbushin premtimet ekonomike, sociale dhe të mirëqënies së tyre. Periudha magjike e postluftës duket që është ideale për bashkimin European, modeli shtetëror dhe tolerance për të huajt paraqet një premise shumëe të mirë për një Europe të bashkuar që globalizmi, emigrimi, intergrimi European po prodhojnë nje lak besimi dhe përfaqësimi mes elitave dhe popullit për identitetin European dhe kulturor. Partitë politike dhe njerëzit në përgjithësi kanë frikë nga sfida e ndryshimit të metodave për të transferuar pushtetin të trupat politike eksperte. Lidhja bazike e demokracisë mes qeverisë dhe qeverisjes mund të thehet dhe kjo mund te japë një fenomen komplet të ri në kulturën politike sic është ngritja e levizjeve kundër qeverisjeve politike dhe parti të reja si emergjenca e fillesa te lëvizjeve të ndryshme. Triumfi i votuesit pasiv tregon një ngritje të paprecedente të besnikërisë së elektoratit. Procesi i vazhdueshëm i globalizimit dhe denacionalizmit te udhëheq drejt formimit të një konflikti strukturor të ri në vendet europeane. Tashmë hapësira e re politike përbëhet nga fituesit dhe humbësit globalizues. Peter Mair (2011) argumenton se pa një ideologji të fuqishme aty ja pak arsye pse partitë e mëdha duhet të qëndrojnë sëbashku dhe gjithashtu ato ideologji tentojnë të lëvizin nga një blok të një tjetër. Lëvizjet sociale përreth Europës dhe kultura politike këto janë që argumentojnë dhe mbështesin ndryshimet politike. Të respektosh diversitetin kulturor të politikave ekzistuese qëndron në kulturën e përbashkët politike te EU, duke përmbushur konditat dhe respektuar rregullat e kësaj kulture politike unifikuese. Si do të mundohemi ta shkruajmë fjalën Europe, European apo Europa – Europeanizmi është kusht që duhet ta plotësojme dhe të njehësohemi apo tashmë të identifikohemi me identitetin e saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: - Identiteti European, Blerta Haxhiaj, Kultura politike

Kadri Veseli i Shqipërisë

May 10, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Pak orë më parë Kuvendi i Kosovës, rrëzoi qeverinë aktuale dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohëshme. Thonë se të gjitha i faturohen kryetarit Kadri Veseli. Një ish themelues i UÇK-së, anëtar i PDK-së, i diplomuar në fushën e bujqësisë në Tiranën e viteve të demokracisë. Ai në fund tha se, një fillim i ri është i nevojshëm për Kosovën.

Në fakt Kosova nuk ka qënë asnjëherë në krizën aktuale që ndodhet Shqipëria sot. Edhe kur fuste në Kuvend deputetet femra me bomba nëpër shale. Në vitin 2015-të nga lëvizja e Vetvendosjes e më pas. Krizat e Kosovës kanë qënë më të lehta. Jo kriza të forta si këto të Shqipërisë. Dhe në gjithë këto vite demokraci. Shqipëria ka qënë një model i keq, që për fatin e mire. Ndofta edhe për efektet nga kultura e shtetbërjes sllave etj. Nuk ka ndikuar aty. Përkundrazi, fillestarizmi politik qëndron në Tiranë.

Ndaj në Kosovë nuk e kanë aspak problem të shkojnë në zgjedhje të parakohëshme. Madje nuk e kanë aspak problem në nxjerrjen e rezultateve. Nuk e kanë aspak problem të njohin fituesit. E të mos testojnë zgjedhjet. Por t’i binden vulllnetit të shumicës.

Krejt e kundërta ndodh në Shqipërinë amë.

Kadri Veseli i saj…, pasi bën ca tentativa fallco. Gjoja për dialog. Për mos mohimin e opozitës. Kënaqet me postin e presidentit. Si ai fëmija buçko që mori për së pari për vete. Pastaj u tha të tjerëve çani kokat. Madje emëroi një pasues të denjë. Për vazhdimësinë e pushtetit, duke ia bërë në kokë demokracisë dhe të gjitha të tjerave.

Kadri Veseli i Shqipërisë, i shkruan urime presidentit të Francës. Pa iu skuqur faqja përballë faktit të masave popullore franceze që zgjodhën. Ndërsa vet u zgjodh me një pëshpëritje veshi. Nga ana tjetër, sapo mbaroi së shkruari urimin, i çon sms mediave të krahut, që të merren me moshën e zonjës së pare franceze. Jo me sfidën politike të një 39 vjeçari që erdhi papritur aty. Përmes po një sfide politike. U tha të merren me moshën e zonjës. Me zanatin si mësuese. Pasi shqiptarët gallatë duan. Jo demokraci dhe rregullat e shenjta të saja. Demokracia është prone e të privilegjuarve. Bijve të nomeklaturës. Jo, e shqiptarëve.

Kadri Veseli i shqiptarëve. Dhe veselët vasalë. Kanë nisur fushatat marramendesë. Drejt zgjedhjeve moniste. Edhe pse Kolegji zgjedhor nuk u ka dhënë akoma fondet për fushatë.

Dhe kur i pyet, të përgjigjen me atë ritin model shqiptar, hë se e dime që ia kemi x apo y-it. Do ia japin. Që këtu fillon regresi. Kultura shushunjëzuese e përqindjeve të fondeve publike. Gjakut të terur të shqiptarëve.

Kadri Veselët e Shqipërisë…, nxjerrin ca biba të njoma që në rrethina katundesh. Pa asnjë plan të qartë të pragmatizmit të ekonomisë së tregut. Te demokracisë, u thonë shqiptarëve, votoni për ne që PD-ja të mos bëj vendin sërish si në vitin 1997-të.

Ndërkohë që PD nuk është në garë fare.

Dhe pa e vrarë mendjen se yshtja e tillë, e veselëve…, është ideollogji. Jo strategji për përmisimin e jetës së qytetarëve .

Dhe sa për dijeni, 97-tën nuk e bëri PD, nuk kishte arsye që ta bënte. Ishte në pushtet. Nuk kishte pse digjte vetveten. E bëtë ju. Madje e varroset Shqipërinë me atë preteksin e piramidave. E ropët të gjallë bashkë me atë allamullin e Fierit, Arapin. Duke i ndarë sipas qejfit fondet e bllokura. Pa pyetur asnjë ekspert. Ose pa ofruar asnjë ekspert se nëse ekzistonin mundësi a mënyra që ato fonde të investoheshin. Dhe jo të ndaheshin si në një reformë agrare. Në bazë të shkërdhatokracisë partiake. Dhe më e keqja, ajo që mund të konsiderohet edhe një gjynah i mbulur i PD-së. Mosndërrmarrja e një transperence. Po sa të tilla la kështu pas dore PD-ja.

Të paktën sot është më e qartë se kurrë politikisht. Të paktën këto javët e fundit. Pasi ka refuzuar kategorikisht gjithë postet e ofruara. Në fund të fundit çështja nuk arrihet me pjesmarrje, por me sfidë politike. Dhe në këtë rast shqiptarët duhet t’i heqin kapelen asaj.

Kadri Veselët e Shqipërisë, janë bijtë e etërve. Nuk e kanë për gjë të të arrestojnë. Shantazhi është teori efikase e tyre. Në vend të ligjeve të demokracisë kanë ligjet e tyre. Ndaj nuk ishte i rastësishëm edhe arrestimi i këtij gazetarit, Kastriot Myftaraj.

Kadri Veselët e Shqipërisë, u ngjajnë etërve pike për pike. Po… sa arrestime, vrasje, dëbime, internime bën etërit. Në emër të Titos, Stalinit, e Maos nga stepat e Azisë. Sa u desh palla dhe qejfi. Revolucioni është bastisje. Kështu edhe sot bijtë, ne emër të një flokëkuqje soroiste, se kishin për gjë me Kastriotin. Dhe ne populli i gallatës. Vdesim për gallatë.

Kështu është Shqipëria jonë. Me qeveri opozitë dhe opozitë qeveri. Pasi një botë e tërë mediumesh…, edhe pse e quajnë sukses, drejtimin e duhur të Veselëve të Shqipërisë. Në vend të merren me projektet e tyre. Ngulin e shkulin çadrën, disfatën, shpërbërjen e PD-së.

Çfarë fatkeqësie. Si nuk na ra për pjesë një Kadri, si ky i Kosovës.?

Filed Under: Analiza Tagged With: “ÇLIRIMI I TRETË I SHQIPËRISË”, i Shqiperise, Ilir Levonja, Kadri Veseli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 568
  • 569
  • 570
  • 571
  • 572
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT