• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE SHQIPTARE:PROBLEME ESTETIKE

March 7, 2017 by dgreca

Nga Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina/ U.S.A.1 ok Spiro Shituni Diktim i shijeve estetike muzikore të artdashësve!  Diktim!  Diktim!  Diktim!/

1.Në një shoqëri me të vërtetë demokratike, shijet estetike muzikore burojnë nga dëshirat individuale të njerëzve:  pë arsye të ndryshme, disa njerëz pëlqejnë më tepër muzikën tradicionale;  dëgjues të tjerë pëlqejnë më shumë muzikën klasike;  një grup i tretë njerëzish parapëlqen vetëm atë pjesë të muzikës tradicionale që i takon vend-lindjes ose vend-banimit të tyre;  një grup i katërt parapëlqen të ashtuquajturën muzikë e lehtë;  një grup i pestë—muzikën operistike;  një grup i gjashtë—muzikën instrumentore e orkestrore, etj.  S’mungojnë as grupe dëgjuesish ose individë që pëlqejnë më shumë se një zhanër artistik muzikor, sikurse as grupe dëgjuesish ose individë shijet estetike muzikore të të cilëve janë me të vërtetë specifike.Sa mirë që në një shoqëri demokratike askush nuk mund t’u diktojë artdashësve se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë dhe se çfarë lloj muzike duhet të mos pëlqejnë!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike artdashësit janë të lirë t’i drejtojnë valët e radios e të televizionit drejt muzikës së stacioneve radio-televizive të çdo vendi e kontinenti të botës!  Sa mirë që në një shoqëri demokratike dëgjuesit janë të lirë të dëgjojnë atë lloj muzike që, ndërsa të tjerët s’e vlerësojnë, për ‘ta është mjaft tërheqëse!  Askush nuk mund t’u diktojë artdashësve shijet estetike!  Askush!  Askush!  Askush!  As një Perandori Biblike!  Lart demokracia, e cila sjell liri!  Poshtë diktatura, e cila sjell skllavëri!

2.-Sidoqoftë, çdo shoqëri është e interesuar për të formuar shije dhe koncepte mbarë-shoqërore estetike mbi muzikën, ashtu sikurse mbi artin në përgjithësi.  Dihet se, shijet estetike, me gjithë praninë e elementit individual në ‘to, kanë gjithnjë karakter shoqëror:  përderisa formohen nën ndikimin e mjedisit shoqëror, ato asnjëherë nuk mund të merren të shkëputura prej tij.  Në këtë qerthull, muzika për brezat e rinj të shoqërisë—pa mohuar aspak natyrën e veçantë të saj—nuk është tërësisht specifike.  Duke marrë në konsideratë veçoritë psikologjike të moshës së brezave të rinj, shijet estetike muzikore të tyre sërish nuk janë tërësisht të ndryshme, në krahasim me ato të brezave të tjerë të shoqërisë.  Një dukuri e tillë shpjegohet me faktin që zhanre, stile, kategori të ndryshme muzikore, tradicionale ose profesioniste, janë njësoj të pëlqyeshme për të tërë brezat e shoqërisë.

3- Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), arti profesionist shqiptar iu nënshtrua plotësisht teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtuquajtur realizëm socialist.  Brenda këtij qerthulli, një ngjarje e rëndësishme artistiko-shoqërore në jetën e shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç ishte Festivali XI i Këngës në Radio-Televizion (dhjetor, 1972), tashmë mund të shihet si një protestë e hapur ndaj dogmave, klisheve, formulave të doktrinës së realizmit socialist.  Kompozitorët, poetët, regjizorët dhe organizatorët e këtij festivali, për herë të parë, synuan për t’u afruar disi me artin muzikor bashkëkohor të kombeve, popujve e grupeve të tjerë etnikë.  Përpara publikut shqiptar thellësisht të izoluar nga Partia Komuniste e Shqipërisë—udhëheqësja e jetës ekonomiko-shoqërore dhe politiko-kulturore të vendit–, këtë herë, u shpalosën një radhë dukurish të panjohura më parë, si:  u shfaq një nuancë e lehtë lirie artistike e shoqërore;  u sollën disa tema të reja të jetës së rinisë;  iu këndua dashurisë jashtë dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste;  u dëgjuan disa këngë metrike/ritmike;  u vërejtën disa formacione të reja instrumentore;  u interpretua në mënyrë deri-diku të lirshme, etj.

Dihet se sa i madh ishte zemërimi i udhëheqjes qendrore të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Festivalit XI të Këngës në Radio-Televizion.  Në të vërtetë, Festivali u vlerësua si një ngjarje e rrezikshme artistiko-shoqërore, e cila mund t’i kushtonte rëndë udhëheqjes komuniste.  Prandaj, e trembur deri në palcë, ajo mbajti Penumin IV të Komitetit Qendror (qershor, 1973), i cili, as më shumë e as më pak, përcaktoi strategjinë themelore që duhej ndjekur në fushën e artit e të kulturës.  Ashtu siç pritej, përveç terrorit të kuq aq masiv, Plenumi u shoqërua edhe me dënime, persekutime e burgime.  Viktimat e para të tij ishin dy ideologë të sistemit politiko-shoqëror në fuqi:  Fadil Paçrami e Todi Lubonja.  Ata vuajtën dënime dramatikisht të gjata e të rënda në burgjet e llahtarshme të diktaturës komuniste!  Krahas tyre, aktori, regjisori, dramaturgu dhe pedagogu i mirënjohur, Kujtim Spahivogli, u internua për shumë vite me radhë, derisa u sëmur për vdekje!

Ndërkohë, edhe përsa u takon pjesmarrësve të Festivalit XI të Këngës në Radio-Television, dënimet nuk ishin më pak dramatike:  Këngëtari Sherif Merdani e regjizori Mihallaq Luarasi u futën në burg!  Këngëtarët Justina Aliaj e Françesk Radi, si edhe kompozitori Aleksandër Lalo, u dënuan ose internuan!  Poeti Sadik Bejko, redaktori i teksteve poetike të Festivalit, u internua! Pak a shumë, të njëjtin fat patën edhe dy konferencierët e kësaj veprimtarie artistike:  aktorët Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, etj.

4.Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, në emër të lirisë së njeriut dhe të krijimtarisë së tij, disa çështje estetiko-sociale që do të kërkonin shqyrtim të  vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:Përse duhej që të mos i këndohej aq shumë dashurisë në Festivalin XI të Këngës në Radio-Televizion?!

Përse duhej që dashuria të konceptohej detyrimisht brenda dogmave të ideologjisë marksiste-leniniste?!

Përse duhej që dashuria të mos shihej si ndjenjë e pastër, e sinqertë dhe e fortë, midis dy të rinjve?!

Partia Komuniste e Shqipërisë, në këtë rast, a nuk mori përsipër që t’u mësojë brezave të rinj të shoqërisë, jo vetëm se çfarë lloj muzike duhet të pëlqejnë, por edhe si të dashurojnë, sa të dashurojnë dhe çfarë të dashurojnë?!  (Sikur Ciceroni të ishte gjallë, para një gjendjeje të tillë, Ai sërish kishte për të thënë:  “O tempora!  O mores!”)

Historikisht, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, janë hequr sikur kujdesen për njeriun, për jetën e tij private e shoqërore, për shijet e tij artistike e muzikore.  Po ashtu, tërë sistemet politiko-shoqërore diktatoriale, pra, edhe diktaturat komuniste, kujtojnë se kanë të drejtën e pronës mbi individin, mbi jetën e tij private, shoqërore e artistike.  Ndërkohë, shkrimtarët, kompozitorët e artistët asnjëherë nuk duhet të harrojnë misionin e tyre të madh:  t’i tregojnë shoqërisë të vërtetën edhe atëherë kur ajo (e vërteta) fshihet në forma nga më të ndryshmet prej sistemeve të caktuara politiko-shoqërore.

Shpërfytyrim i veprimtarisë së përfaqësuesve të muzikës shqiptare!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!  Shpërfytyrim!

1.Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore:  i)  krijues;  ii)  interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.);  iii)  studiues (muzikologë, etnomuzikologë).  Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm.  Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm:  ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin.  Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.

2.Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike.  Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve.  Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues. 1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare.  (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme:  ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!)  (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.”  (Stockmann, Stockmann 1980);  (Leotsakos, Sugarman 2001).)

Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore:  njëanshmërisë së theksuar.  Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht!  Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?!  Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme.

 3. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend:  Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), etj.  Pa dyshim se, hartuesit e tyre—Vasil S. Tole, Sokol Shupo–meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik.  Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si:  pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese, etj.  Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy:  së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre;  së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, etj.

4.Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës:  ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë.  Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si:  i)  autorët që përfaqësohen;  ii)  autorët që nuk përfaqësohen;  iii)  sasia e informacionit për një autor të caktuar;  iv)  interpretimi i informacionit për një autor të caktuar, etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personale të hartuesit me autorët!  (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!)  Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjektive, personale, arbitrare: –prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!

-lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

-ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

                  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat:  ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat:  ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër.  Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave.  Pra, dëmi s’është i vogël:  veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?!  Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

5. Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar!  Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm.  Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive!  Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike:  besueshmërinë shkencore.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai!  Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë.   (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve—Sadie, hartues. 1980;  Sadie, hartues. 2001–, i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!)  Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve.  Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore:  së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë;  së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: :PROBLEME ESTETIKE, MUZIKA TRADICIONALE E PROFESIONISTE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, shqiptare

Urimi i Trampit është një fotokopje administrate

March 3, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa orë që kryeministri i vendit ka hedhur në fb një nga ato letrat me tekst fotokopje, firmë fotokopje. Nga ato të përditshmet, rutinë, me firmën e presidentit. E quaj rutinë, pasi është thjesht protokoll. Thjesht detyrë për të qënë të kujdesshëm në lidhje me kabinetet qeveritare nga bota mbarë. Që denjuan dhe i çuan një telegram urimi. Ku në gjegje të kësaj, këta, amerikanët nuk ta kursejnë aspak letrën dhe bojën. Si me thënë, një punë e bitisur nga rrogtarët. Të cilët përpiqen të mos u shpëtojë edhe grima. Pasi për Amerikën, dhe jo Trampin, praktika e komunikimit është një nivel elementar. Qoftë kur përballë është edhe shteti më modest.

Po kjo është krejt ekzaltuese në Shqipëri.
Madje konsiderohet një eveniment i madh. Dhe si ai fëmija i lumtur…, më përpara se zyra e shtypit. Kryeministri nxiton ta bëj një statut fejsbuku. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, sherri i shqiptarëve në atë rrugicën e komenteve me njëri-tjetrin. Ku një pjesë e madhe, krejt të shfrenuar, u nxjerrin sytë atyre që mendojnë ndryshe. Apo denjojnë t’i thonë shefit se, nuk është sukses qeveritar që në hyn në xhep. Po thjesht, punë e përditshme e administratës amerikane.
Madje pas kryeministrit, shtypi. Sidomos ai që mjel qeverinë. Akoma më triumfator. Duke postuar foto plot buzëqeshje të Edi Ramës. Dhe plot ngërdheshje. Apo të shtrëmbërta të Donald Trampit.
Domethënia…., që Rama e fitoi betejën. Deshi apo nuk deshi Trampi ia njohu forcën liderit të madh të Ballkanit perëndimor.
Ah sikur të ishte kështu.
Këto radhë nuk janë për të denigruar Edi Ramën. Asesi. Nuk kam se çfarë i hedh poshtë. Pasi ne shqiptarët kemi plot shprehje, plot romuse. Por që i përdorim për elokuencë, humor. A për tu dukur simpatik etj. Jo për fakte të gjalla. Ndaj dhe unë me humor po e them atë që flet puna për ‘të. Borxhi publik sapo e kaloi shifrën 72. 2%… E gjeti me 62%. Duke na radhitur në vendin e 18, në europë. Përqindja e atyre që duan të ikin nga Shqipëria. Apo që kanë ikur nga vendi, sapo e la 38% -shin.
Ekonomia informale jo vetëm që nuk u tret. Që nuk e luajti vendit pagesën në kesh 150 mijë lekë në muaj për kamarierët. Nga xhepi i pronarit që pi birrë. Dhe kur t’i ketë ai. Fronti më i gjerë i krahut të punës. Sidomos për të rinjtë. Por u pakësua në 100 mijë. Dhe i sheqerosur me togfjalshin po deshe.
Nga ana tjetër falja e faturave të prapambetura. Dhënia e tapive etj… u bënë orë të propogandës politike. Në vend që të bëheshin mubdësi riaftësimi dhe edukatë. Në raport mes qytetarit dhe faturës. Apo taksës etj.
Statuti i nënpunësit civil u zëvendësua me teserën e partisë.
Sheshi i legenave në qëndër të shtetit gëlltiti sërisht miliarda lekë. Kodrat dhe malet, zonat më të thella u bënë një hambar dhe tokë pjellore e hashashit dhe kanabisit. Policia e shtetit mori sërisht dhuratë nga qeveritë simotra ca mjete. Ku pa frikë mund të pohojmë se jemi i vetmi vend në europë, që brenda një dikasteri operojnë me dhjetra marka të ndryshme mjetesh motorike. Policitë e vendeve të tjera dominohen nga një ose dy marka, kjo o për namus të prodhimit vendas. Ose si produkt i kontratave për mjete e logjistikë.
Arsimi publik u kthye në një garë jo të barbartë. Por mundësi ekselente zgjedhjeje me sira. Dhe konkurimi vazhdon me grupime partiake të hanë të parët njëherë, pastaj të tjerët të marrin çfarë të mbetet.
Shëndetësia…, as që ia vlen të diskutohet. Mjafton të përmendësh një fakt. Që është ministër një person i zhveshur nga mandati i deputetit nga gjykata kushtetuese për abuzim me tendera, konflikt interesi etj.
Ushtria. Jemi sot shteti pas asnjë mbrojtje elementare. Pasi festuam çmendurisht marrjen në mbrojtje nga Nato. Dhe që sot nga një grip midis Moskës, Brukselit dhe Washingtonit, dridhemi e pyesim. Cilit bllok do i përkasim. Lindjes apo perëndimit….
Çfarë të vazhdojë më?
E pra Trampi është njëri i biznesit. Dhe i pragmatizmit tipik amerikan. Që i kushton rëndësi të veçantë rezultave.
Ashtu si vetë qytetarët amerikanë. Rezultave, jo demagogjisë.
Ndaj fitoi duke u thënë amerikanëve që ta bëjmë Amerikën si një herë e një kohë.
E me këto rezultate që ka Shqipëria, do e fshinte me gomë Edin Ramajve. Jo ta përshëndeste. Këtë sokol të parruar të dështimit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: administrate, Ilir Levonja, një fotokopje, Urimi i Trampit është

HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE DHE DEMOKRACIA

March 3, 2017 by dgreca

SI DUHEN TRAJTUAR ‘’HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE’’ SOT NE DEMOKRACI ?/

1 Filip GuraziuNga Filip Guraziu/Demokracia e brishte shqiptare, fatkeqesisht me kalimin e kohes vazhdon te behet edhe me e brishte, kjo per shume aresye, por njera nga  kryesoret qe me rezulton sot pas  25 viteve te veteshembjes se komunizmit, eshte ‘ mosndergjegjesimi dhe mosvemendja serioze  e klases politike ndaj  edukimit te brezit te ri’ . Informacioni qe merr brezi i ri sot eshte kontradiktor dhe kaotik, çka nuk eshte konstruktiv, shembujt jane te shumte; qendrimi ndaj simboleve kombetare (  Skenderbeu, Nane Tereza ); qendrimi ndaj pushtimit turk,  qendrimi ndaj gegnishtes;  qendrimi ndaj luftes civile  ne vitet e lufte se dyte boterore,  qendrimi ndaj denimit te krimeve te komunizmit,…  etj.,  Pra, platforma e institucioneve shteterore, deri sot,  nuk ka arritur te ndertoje nje strategji edukuese te miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe  bashkekohore per brezin e ri. Ne gamen e gjere opinioniste te mesiperme deshiroj te  veçoj   qendrimin qe duhet mbajtur sot ne demokraci ndaj  “ heronjve te ideologjise se diktatures komuniste shqiptare“.

Eshte fakt i njohur, se se paku “ zyrtarisht ”,   te gjitha partite politike parlamentare shqiptare kane mbajtur  qendrim   kritik ndaj diktatures komuniste,  gje fare normale dhe ne perputhje me qendrimin politik ndaj diktaturave ( te majta dhe te djathta) ne te gjithe vendet  e Europes dhe me gjere. Shume   persona qe  kane qene ne formacionet partizane  te drejtuara nga komunistet , dhe qe kane vdekur  ne lufte civile kunder formacioneve   shqiptare nacionaliste jane shpallur ‘deshmor ose heronj te atedheut ’, gje ne perputhje me  parimet   komuniste dhe me periudhen ne te cilen  ideologjia e diktatures ishte paresore, edhe mbi ate kombetare ! (internacionalizmi proletar).  Rastet sa me siper jane te shumta, duke filluar qe nga “Heronjt e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendesve e kryesuar nga Preke Cali, levizja e Llesh Marashit ne Koplik, kryengritja e Postribes, perpjekjet me grupet antikomuniste te derguar ne Shqiperi nga vendet “armike”, SH.B.A dhe Europa perendimore etj. Por a duhet te vleresohen ato tituj sot ne demokraci ?, mendoj qe jo!, pasi ato te vrare nuk e paten  dhene jeten ne lufte kunder pushtuesve te huaj per lirine e atedheut, por per fitoren e idealit   komunist ne lufte me vellezerit e tyre shqiptar, ideal qe me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracise u shperbe, u denua dhe vazhdon te denohet si imoral dhe kriminal , pra sot ne demokraci   eshte absurde dhe krejtesisht e padrejte  qe  ti ruajne perseri  ato tituj. Kaq i rendesishem ishte vleresimi ideologjik partiak ndaj rasteve te mesiperme sa qe ne veri te Shqiperise  “ heronjve te ideologjise ” ju perkushtua nga diktatura nje monument madheshtor ne qender te Shkodres,  kurse ‘ Tre heronjt ‘ qe vdiqen ne perpjekje kunder pushtuesve fashiste, pra per idealin kombetar u lane ne harrese!

Nje kategori tjeter per tu diskutuar eshte ajo e dekorimeve qe ‘ e majta ne pushtet’ realizoi para dy viteve si dhe e nderimeve apo titujve te nderit qe kudo neper Shqiperi nostalgjiket e diktatures i kane dhene kohet e fundit duke shfrytezuar mangesite ligjore egzistuese.  Jam i mendimit qe duhet dhe  meriton te nderohet e te dekorohet çdo person qe ka dhene kontribut te shquar ‘ pro Shqiperise ‘ gjate viteve te komunizmit, pasi i ka sherbyer vendit te tij duke e zhvilluar Shqiperine, por  jo ato  qe paten punuar ne sigurimin e shtetit , prokurori, hetusi, burgje, gjykate, media dhe ne strukturat politike partiake te cilet i paten sherbyer qorrazi ideologjise dhe diktatures komuniste dhe  jane  pergjegjesit kryesor te terrorit komunist ndaj popullsise shqiptare.

Eshte koha qe te kuptojme nje here e mire se  demokracia shqiptare dhe ardhmja e Shqiperise drejte B.E. nuk mund te realizohet duke i thurur lavdi ideologjise komuniste.  E dini perse? Shume e thjeshte, pasi denimi i krimeve te komunizmi eshte nje nder kushtet kryesore qe duhet te plotesoje Shqiperia per te qene pjese e B.E.   Ne vendet  europiane as qe behet fjale qe te dekorohet  ose te nderohet publikisht ndonji hero i fashizmit ose i nazizmit,  perkundrazi  praktikat jane te tilla  sa qe edhe tentativa per sa me siper  denohet ne baze te ligjit. Nje i tille egziston edhe ne vendet ish komuniste te europes lindore; ne Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: ‘ Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi e faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare perben  vepër penale ‘

Del detyre imediate qe legjislativi dhe strukturat e pavarura qe funksionojne sipas udhezimeve te B.E. te trajtojne problemin e mesiperm per ta futur ne rrugen ligjore. Vetem ligji duhet te sundoje ne demokraci, ligji duhe te jete mbi   nostalgjite romantike te nje periudhe tashme te denuar nga te gjithe aktoret politike .Sa me siper nuk eshte hakmarrje, por drejtesi shoqerore qe na e mundeson  sistemi demokratik. E ardhmja e Shqiperise dhe e brezit te ri eshte shume here me e rendesishme se sa nje titull ose dekorate  me karakter ideologjik. Shqiptare te ardhmen e keni ne doren tuaj, veproni.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Filip Guraziu, Heronjte e Ideologjise

Kjo është Mafia!…

March 2, 2017 by dgreca

Korrupsion helmues dhe vrastar për vendin e popullin! Kjo është Mafia!… /

Nga Denion Meidani/

Një lajm skandaloz e tepër tronditës! Nëse ai është i vërtetë në këto përmasa dhe detaje, siç e përshkruan media ndërkombëtare, ai është dhe tejet kriminal! Të shpresojmë që nuk është i vërtetë; sepse për ndryshe ai do të mishëronte në vetvete një korrupsion masiv helmues për sistemin dhe tejet vrastar për vendin dhe popullin! Një vrasje mjedisore me paramendim, një lloj gjenocidi mjedisor e njerëzor! Kjo është Mafia!…

Të japin llogari doganat, nga i pari tek i fundit, nëse ato paskan lejuar vetëm gjysmën e ngarkesës tranzit që të kalojë në pikën kufitare të daljes pa kërkuar llogari për pjesën e mbetur në territorin tonë! Se kur doganierët shfaqen si të devotshëm ata numërojnë një me një dhe mollët e Korçës që eksportohen për në Maqedoni apo ato të Maqedonisë të importuara tek ne. Të vihet në lëvizje policia e ndershme (jo ajo e zënë me “mbjellje e korrje” apo me detyra elektorale), inspektorati e strukturat e tjera të mjedisit, si dhe, mbi të gjitha, prokuroria të fillojë menjëherë hetimin, për t’u vënë prangat shkelësve te ligjit me uniformë, qoftë të doganës, qoftë të policisë, nëse kanë lejuar, kanë neglizhuar ose heshtur për gjysmën a më shumë të sasisë së tonelatave toksike të hyra tranzit në Portin e Durrësit dhe nuk dolën në pikën kufitare të Qafe Thanës!

Të merren masa të shpejta edhe për kontrollorët e mjedisit në këto pika kufitare apo dhe për ata, që nuk i kanë njoftuar në momentin që ka hyrë një ngarkesë e tillë toksike! Të merren masa për anti-kontrabandën, hetimin doganor apo aposteriorin, që, mesa duket, nuk paskan bërë asgjë, të paktën dhe më pas, sepse nuk flitet për një dy kilogram por për tonelata toksine të zhdukur në tranzit.

Ndërkohë që strukturat e anti-kontrabandës shoqërojnë me shërbime çdo ditë të javës edhe botet më të vegjël me naftë “virxhin”, naftë e gaz transit; përveçse kur urdhërohen ndryshe nga eprorët e majmur e grasatuar prej korrupsionit masiv! Në këtë histori, e përsëris nëse gjithmonë është e vërtetë, nuk ka rënë shteti sepse këtu shteti është kapur nga mafia e plehrave, deri duke u kthyer në shërbyese me tipare të një organizatë kriminale!

Prandaj dhe nuk duhet heshtur më, po ashtu si të harruarit e Zharrës. U desh që ata ta marrin vetë në dorë çështjen e tyre, sepse nuk u ngrit njeri në këmbë nga shoqëria civile dhe media apo zëri i tyre mbështetës ishte tejet i dobët! Tani akoma më shumë, kur rilindja mund të na helmojë të gjithëve kolektivisht, nuk mund të heshtet më. Zëri popullor duhet të buçasë deri sa gjithçka të zbulohet dhe, mbi të gjitha, të mënjanohen deri në fund pasojat e saj?!…(Kortezi:Syri.net)

Filed Under: Analiza Tagged With: Denion Meidani, Kjo është Mafia!...

SFIDA ANTISHQIPTARE E GRUEVSKIT

February 26, 2017 by dgreca

Gruevski i ofron Zaevit koalicion kundër shqiptarëve/1 Gruevski Zaevi

Lideri i VMRO DPMNE. NIkola Gruevski dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev/

Shkruan Isuf Kadriu/

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka ofruar liderit të LSDM-së, Zoran Zaev mbështetjen e plotë për t’u bërë kryeministër me kusht që të heq dorë nga koalicioni me partitë shqiptare, me të cilat ka arritur marrëveshje për miratimin e një ligji për gjuhën shqipe.

Madje, Gruevski ka thënë se është i gatshëm të pranojë edhe të arrestohet vetëm të mos rrënohen siç ka thënë “themelet e shtetit maqedon”.

“Le të më arrestojnë, të më burgosin, le të më keqtrajtojnë, vetëm të mos rrënojnë shtetit dhe themelet e tij”, thuhet në ofertën publike të Nikolla Gruevskit të prezantuar në llogarinë e tij në rrjetin Facebook.

Gruevski ka shkruar se VMRO DPMNE është e gatshme të mbështes një qeveri të pakicës që do të drejtohej nga LSDM-ja por me kusht që të heq dorë nga mbështetja për platformën shqiptare, të cilët e quan si “shkatërruese për Maqedoninë” .

Draft-ligji për gjuhët parasheh përdorim të gjerë të shqipes në Kuvend, qeveri, pushtetit gjyqësor, jurisprudencë, në dokumentet personale, organet e sigurisë, përfshirë edhe komunat ku nuk ka popullatë shqiptare, por në rastet kur shqiptarët u drejtohen atyre për marrjen e shërbimeve personale.

Kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski ka thënë se kërkesa e shqiptarëve për zyrtarizmin e shqipes nuk do të ndalet me kaq, por se ata sipas tij “do të vazhdojnë me shantazhet deri në federalizimin e vendit”.

Në një paraqitje në një media të afërt me partinë e tij Gruevski ka thënë se VMRO DPMNE-ja nuk do të rrijë “duarkryq”, por me të gjitha forcat do të mbrojë sovranitetin dhe karakterin unitar të Maqedonisë.

Ai ka thënë se ka shumë opsione për parandalimin e Zaevit ndërsa duket shtuar se “në fund do të jetë populli ai që do të mbrojë shtetin”.

Reagimi i Gruevskit vjen një ditë pasi lideri social-demokrat, Zoran Zaev u mandatua për kryeministër nga partia e tij. Zaev ka siguruar 67 nënshkrime për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re. Nënshkrimet të hënën pritet t’ia dorëzojë Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili i jep mandatin për kryeministër.

Bazuar në reagimin e Gruevskit, por edhe deklarimet e mëparshme të Presidentit mund të ndodhë që ai të mos i jep mandatin Zaevit.

Presidenti ka thënë se nga ai do të kërkonte edhe programin qeveritar, kërkesë që është në kundërshtim me kushtetutën pasi programi dhe përbërja e qeverisë prezantohen dhe miratohen vetëm në Kuvend.

Filed Under: Analiza Tagged With: E GRUEVSKIT, SFIDA ANTISHQIPTARE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 586
  • 587
  • 588
  • 589
  • 590
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT