• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZIKA PROFESIONISTE SHQIPTARE: MBIJETESE NDAJ DOKTRINES SE REALIZMIT SOCIALIST

February 8, 2017 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina/U.S.A./

1-spiro-j-shetuni1

Politizim dramatik/

Shqipëria ishte shteti ballkanik i cili u shkëput i fundit nga Perandoria Otomane e udhëhequr nga turqit, pasi qëndroi si provincë e saj për një periudhë gati pesë-shekullore (1468-1912).  Gjendja e trazuar politiko-shoqërore e vendit gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX nuk e nxiste shumë artin muzikor profesionist.  Gjatë kësaj periudhe historike, vendi thuajse nuk njohu ndonjë lloj arti të tillë muzikor.  Ç’është e vërteta, në qytete të mëdha, si:  Shkodër,  Prizren, Gjakovë, Pejë, Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, etj., s’mungonin muzicienë dhe grupe muzikore profesioniste ose gjysmë-profesioniste.  Megjithatë, thelbi, bërthama, zemra e artit muzikor shqiptar të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX ishte kryesisht arti muzikor tradicional i trashëguar gjatë shekujve në mënyrë orale.  Në vazhdim të shekullit, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, nisin të lindin filizat e parë të një arti muzikor profesionist, i cili njohu arritje përshtyplënëse sidomos në vitet 1930-të të shekullit XX.  Një art muzikor profesionist i vërtetë në Shqipëri lindi pasi sistemi politiko-shoqëror i monarkisë kushtetuese (1928-1939) u zëvendësua me sistemin politiko-shoqëror të diktaturës komuniste (1944-1991).  Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, gjatë jetës gati pesëdhjetë-vjeçare, përmbajtja themelore e këtij arti, njohu një politizim dramatik!  Politizim!  Politizim!  Politizim!

Krizë e thellë

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), muzika profesioniste shqiptare ka qenë ngaherë në krizë të thellë.  Një dukuri e tillë nuk erdhi thjesht për arsye të moshës së re të saj.  Ajo erdhi, kryesisht, për shkak se mbarë arti profesionist shqiptar i kësaj periudhe historike iu nënshtrua plotësisht teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtuquajtur realizëm socialist.  Rrjedhimisht, në të vërtetë, ai u shndërrua në një mjet të fortë ideologjik në duart e Partisë Komuniste të Shqipërisë:  udhëheqësja e jetës ekonomiko-shoqërore dhe politiko-kulturore të vendit.  Kështu, dashur-padashur, ky lloj arti vetëm se idealizonte sistemin politiko-shoqëror të diktaturës komuniste, vetëm se ngrinte lart “fitoret madhështore të vendit nën udhëheqjen e sprovuar të Partisë Komuniste,” vetëm se çorodiste mendjen e shqiptarit, sa të indoktrinuar ideologjikisht, aq edhe të varfër ekonomikisht!

Izolimi i përgjithshëm dramatik, në të cilin sistemi politiko-shoqëror i diktaturës komuniste e futi vendin, solli frytet e tij të hidhura në çdo sferë të jetës së shoqërisë shqiptare, pra, edhe në lëmin arsimor, shkencor, kulturor e artistik të saj.  Ndoshta mjafton vetëm të mbajmë parasysh se marrdhëniet arsimore, shkencore, kulturore e artistike të Shqipërisë me vende të tjera (në këtë rast, me vendet ish-komuniste të Europës Lindore, përfshirë Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike) u shkëputën në fillim të viteve 1960-të.  Duke filluar prej kësaj kohe e deri në shëmbjen e sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste (fillimi i viteve 1990-të), Shqipëria nuk njohu më shkëmbim idesh, përvojash e njerëzish me vende të tjera, qofshin këto edhe të Europës Lindore.  Kurse marrdhëniet arsimore, shkencore, kulturore e artistike me vendet kapitaliste të Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vazhdimisht tërësisht të ndaluara!  Në kushte të tilla, s’është vështirë të merret me mend dëmi i madh që iu shkaktua tërë kulturës së vendit:  përtharja e vazhdueshme e mendimit arsimor, shkencor, kulturor e artistik të tij;  prapambetja e thellë shkencore e kulturore në krahasim me vende sivëllezër, etj.  

Kriza e muzikës profesioniste shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në thelb, s’është gjë tjetër veçse shprehje e konformizmit, bindjes dhe nënshtrimit të plotë të saj ndaj teorisë dhe praktikës markiste-leniniste dhe doktrinës së ashtu-quajtur “realizëm socialist,” dukuri që karakterizoi jetën e tërë artit profesionist shqiptar të kësaj periudhe të gjatë historike.

Kompozitorë të mirënjohur

Midis kompozitorëve shqiptarë të mirënjohur të gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, përmendim:  

Daija, Tish (1926-2004)

  • Deda, Ferdinand (1941-2003)
  • Dizdari, Limoz (1942-)
  • Dungu, Pjetër (1908-1989)
  • Gaci, Pjetër (1931-1995)
  • Gaqi, Thoma (1948-)
  • Grimci, Abdulla (1919-)
  • Gjoni, Simon (1926-1991)
  • Harapi, Tonin (1928-1992)
  • Hoshafi, Tahsim (1922-2008)
  • Ibrahimi, Feim (1935-1997)
  • Jakova, Prenkë (1917-1969)
  • Kapedani, Gjon (1934-2009)
  • Kono, Kristo (1907-1991)
  • Krajka, Agim (1937-)
  • Kushta, Shpëtim (1946-)
  • Lara, Kozma (1930-)
  • Laro, Kujtim (1947-2004)
  • Mula, Avni (1928-)
  • Nova, Vangjo (1927-1992)
  • Peçi, Aleksandër (1951-)
  • Prodani, Agim (1928-1989)
  • Trako, Kostandin (1919-1986)
  • Zadeja, Çesk (1927-1997)
  • Zoraqi, Nikolla (1929-1991)

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, të tërheq vëmendjen fakti se, individualiteti krijues i një radhë kompozitorësh shqiptarë, u formua, si duke u mbështetur mbi lëndën melodiko-modale tradicionale, ashtu edhe duke mbajtur qëndrim krijues ndaj saj.  Kështu, midis të tjerëve, Çesk Zadeja, në veprat më të mira, sjell një përqasje të ndjeshme me lëndën melodiko-modale tradicionale.  Ai nuk mungon të citojë tema tradicionale, vetëm se, më shpesh, krijon në atmosferën e tyre.  Sidoqoftë, në rastet më të shumta, muzika e tij, përmes individualitetit krijues të dalluar qartë, sjell emocione thellësisht shqiptare.  Ndodh kështu mbasi është e pranishme një ngjizje me vetë shpirtin e popullit shqiptar.  Përsa i takon përmbajtjes, tipari kryesor individual i muzikës së Zadejës shfaqet epizmi krenar.

Tish Daija, po ashtu, e mbështet shpesh krijimtarinë e tij mbi lëndën melodiko-modale tradicionale, herë duke cituar, herë duke krijuar në atmosferën e saj.  Me një sukses të veçantë, Ai ka shfrytëzuar elemente melodiko-modale tradicionale sidomos në baletin Halili dhe Hajrija.  Janë, në radhë të parë, temat muzikore tradicionale të Gegërisë dhe të qyteteve shqiptare, të cituara e të trajtuara me mjeshtëri, që e bëjnë muzikën e këtij baleti aq tërheqëse.  Bashkë me thjeshtësinë dhe bukurinë e rrallë të saj, dëgjuesi shquan edhe individualitetin krijues të kompozitorit.  Përsa i takon përmbajtjes, tipari kryesor individual i muzikës së Daisë shfaqet lirika entusiaste.Duke u mbështetur gjithmonë mbi lëndën melodiko-modale tradicionale të Mëmëdheut dhe duke mbajtur qëndrim krijues ndaj saj, përsa i takon përmbajtjes, Nikolla Zoraqi ka, si tipar kryesor individual të muzikës së tij, lirikën dramatike;  Tonin Harapi—lirikën e çiltër, shpesh hymnizuese;  Kozma Lara–lirikën dramatike;  Simon Gjoni–epikën dramatike;  Pjetër Gaci–lirikën gazmore;  Feim Ibrahimi–epikën heroike;  Limoz Dizdari–lirikën e gjerë pasionante;  Shpëtim Kushta–epikën hymnizuese;  Kujtim Laro—epikën ëndërruese;  Thoma Gaqi–epikën e thellë dramatike;  Aleksandër Peçi–lirikën hymnizuese, etj.

Vepra të shquara

Me gjithë nënshtrimin ndaj teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtu-quajtur realizëm socialist, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, brenda muzikës profesioniste shqiptare, u krijuan një radhë veprash të shquara.  Në këto vepra, përmbajtja e shëndoshë, trupëzuar në një formë artistike përshtat individualitetit krijues të kompozitorëve, ka qenë e pandarë nga karakteri etniko-kombëtar.  Midis tyre, lejomëni të përmend krijime, si:  

  • Opera Mrika (Jakova)
  • Simfoni numër 1 (Zadeja)
  • Baleti Halili dhe Hajrija (Daija)
  • Baleti Cuca e maleve (Zoraqi)
  • Koncert për piano e orkestër (Harapi)
  • Baleti Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë (Ibrahimi)
  • Simfoni në si minor (Dizdari)
  • Poema simfonike Alarme të përgjakura (Kushta)
  • Poema simfonike Borova (Gaqi), etj.

Gjatë fundit të viteve 1970-të, muzika profesioniste shqiptare u pasurua me vepra të tjera të shquara, si:  

  • Suitë simfonike (Zadeja)
  • Baleti Tokë e pamposhtur (Zoraqi)
  • Opera Zgjimi (Harapi)
  • Poema vokalo-simfonike Tanë Shqipnia asht betue,

pa gjak malet mos me i lëshue (Ibrahimi)

  • Triua instrumentore Këngët e tokës (Dizdari)
  • Rapsodi-koncerti Toka ime, kënga ime (Gaqi), etj.

Rënie dhe ngritje

Ndërkohë, në mbarim të shekullit XX, gjatë viteve 1980-të e 1990-të, muzika profesioniste shqiptare, duke pasqyruar vetë gjendjen e trazuar politiko-shoqërore e kulturoro-artistike të vendit, mjerisht, u ngadalësua në mënyrë dramatike, u venit dhe sikur e humbi busullën drejt së ardhmes.  Sidoqoftë, me fitoren e sistemit politiko-shoqëror demokratik në vitin 1991, kompozitorët shqiptarë, dalngadalë, me mundim, përpjekje, dhimbje, por edhe besim, nisën që t’u drejtohen shkollave, rrymave e drejtimeve muzikoro-artistike bashkëkohore perëndimore të kompozimit, të cilat, deri atëherë, konsideroheshin si herezi!

Kritikë dhe studiues me emër

Ndër studiuesit muzikorë shqiptarë, historikisht, më i parë është:  

  • Noli, Theofan Stilian (1882-1965)

Figurë e shquar fetare, burrë shteti, poet, përkthyes i talentuar, Noli e afirmoi veten edhe si muzikolog.  Rruga e arsimimit të Tij është pa dyshim një shembull i rallë, i cili meriton të ndiqet nga çdo studiues arti:  

  • në vitin 1912—d.m.th., në moshën 30-vjeçare—mbrojti gradën shkencore universitare Baçelor i Arteve, pranë Universitetit të Harvardit (Boston, Massachusetts, Shtetet e Bashkuara të Amerikës).
  • në vitin 1938—d.m.th., në moshën 56-vjeçare—mbrojti gradën shkencore universitare Baçelor i Muzikës, pranë Konservatorit të Muzikës të Anglisë së Re (Boston, Massachusetts, Shtetet e Bashkuara të Amerikës).
  • në vitin 1945—d.m.th., në moshën 63-vjeçare—mbrojti gradën shkencore pas-universitare Doktor i Filozofisë në fushën e historisë, pranë Universitetit të Bostonit (Boston, Massachusetts, Shtetet e Bashkuara të Amerikës), duke pasur si tezë George Castrioti Scanderbeg (1405-1468).

Sa i mrekulluar me figura të mëdha historike të së kaluarës (Jezu Krishti, Jul Qezari, Gjergj Kastrioti—Skënderbeu, Napoleon Bonaparti), aq edhe i dashuruar pas fushës së muzikës, në vitin 1947, Noli botoi studimin muzikologjik Beithoveni dhe revolucioni francez (Noli 1947).  Në këtë libër, Ai mbrojti pikëpamjen sipas së cilës, kompozitori i madh gjerman, Luduig van Beithoven (1770-1827), u ndikua fuqimisht në veprimtarinë e tij krijuese nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez të shekullit XVIII (1789-1799).  

Midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë shqiptarë me emër të gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, përmendim:  

  • Bello, Pandi (?-)
  • Çefa, Aleksandër (1935-)
  • Filja, Hysen (1935-2009)
  • Hysi, Fatmir (1951-)
  • Kalemi, Spiro Ll. (1937-)
  • Loli, Kosta (1948-)
  • Paparisto, Albert (1925-)
  • Stringa, Hamide (1932-)
  • Shkreli, Kujtim (?-)
  • Shuteriqi, Zana (1953-)
  • Theodhosi, Spiro (?-)

Kritikët dhe studiuesit muzikorë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX janë më shpesh autorë artikujsh, të cilët u botuan kryesisht në gazetën Drita dhe revistën Nëntori:  organe qendrore letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe historike.  Por, midis kritikëve dhe studiuesve muzikorë, ka edhe autorë librash, si, p.sh.:  Spiro Ll. Kalemi (Kalemi 1973, 1982), Hysen Filja (Filja 1979), Kujtim Shkreli (Shkreli 1987), Fatmir Hysi (Hysi 1991), etj.  Kur flitet për kritikën muzikore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duhet mbajtur parasysh edhe ndihmesa e disa kompozitorëve në këtë lëmë, ndër të cilët lejomëni të përmend Çesk Zadejën.  

Ndërkohë, midis studiuesve ndërkombëtarë që kanë shkruar mbi çështje të muzikës profesioniste shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, alfabetikisht, më lejoni të përmend dy emra:

    • Emerson, June (1937-)

 

  • Leotsakos, George (1935-)  

***

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, muzika profesioniste shqiptare, ndonse, për shkak të nënshtrimit ndaj teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste dhe doktrinës së ashtu-quajtur “realizëm socialist,” njohu një politizim dramatik dhe krizë të thellë, sërish mbijetoi!  Mbijetoi!  Mbijetoi!  Mbijetoi!  Një dukuri e tillë materializohet qartë në tregues të caktuar—kompozitorë, vepra muzikore, kritikë, studime teorike, etj.–, disa nga të cilët vetëm sa u përmendën.   

Filed Under: Analiza Tagged With: MUZIKA PROFESIONISTE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, SE REALIZMIT SOCIALIST, SHQIPTARE: MBIJETESE NDAJ DOKTRINES

Komisioni, i gatshëm të nisë punën për matjen e territorit

February 7, 2017 by dgreca

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbledhur dokumentet e nevojshme për të filluar punën në terren.Anëtari i grupit të ekspertëve dhe zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni ka pranuar dokumentet e nevojshme dhe brenda javës do të prezantohen nga institucionet përkatëse për shqyrtim dhe diskutim.“Ne jemi në fazën e rishikimit të dokumentacionit komplet. Me datën 10 do ta kemi një takim të përbashkët ku secili institucion do të prezantojë të gjeturat e veta rreth sipërfaqeve dhe projekteve që i kanë realizuar në territorin e Kosovës”, tha Çela. Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i komisionit, tha po ashtu se përfaqësuesit e komunave nga të cilat është kërkuar dokumentacioni për territor, i kanë dorëzuar në komision.“Ne si komuna kemi dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Atë çka posedon Komuna e Pejës, (është dorëzuar dokumentacion) 602 kilometra katrorë e 58 hektarë është sipërfaqja totale e komunës së Pejës. Në bazë të llogarisë së matjeve që do të bëhet më tutje, do të konstatohet a ka humbje të territorit …a mungojnë ato 83 kilometra që po i propagandon opozita dhe disa deputet të pozitës”, tha Muhaxheri për Radio Evropa e Lirë.Komisioni përbëhet nga ekspertë, të cilët janë deleguar nga institucionet dhe subjektet e ndryshme vendore. Në këtë komision gjatë punës pritet të ketë edhe ekspertë në cilësinë e vëzhguesve nga institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare në Kosovë.Formimin dhe punën e këtij komisioni e kanë kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kanë dashur që të marrin pjesë në ketë komision duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.Në Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës nuk po marrin pjesë as përfaqësuesit e banorëve të brezit kufitar mes Kosovë dhe Malit të Zi.

Ali Lajçi, ishte caktuar nga komisioni si përfaqësues i banorëve, por ai nuk ka marrë pjesë dhe konfirmon se nuk do të përcjellë punimet e komisionit.“Nuk kam shkuar ngase e konsiderojmë si farsë. Është humbur legjitimiteti, kurse tash po bëhen prova për të dërguar edhe një herë (në Kuvend) për ta bërë një kamuflim. Ne nuk jemi të interesuar ta legjitimojmë atë lloj projekti tashmë të dështuar”, tha Lajçi.Partitë politike opozitare në vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur dhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media ka deklaruar se është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës.“Në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të Kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave). Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, duke thënë se në komision “nuk ka asnjë përçarje”.Matja e territorit është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.(Kortezi: Arton Konushevci-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: i gatshëm të nisë punën, komisioni, për matjen e territorit

BRAKTISJA E FSHATIT, 150 VJETE HISTORI

February 6, 2017 by dgreca

– Shpopullimi i fshatit është traumë shoqërore, por një nga zgjidhjet më të mëdha që ka krijuar spontaniteti, për barazpeshat në tregun e punës…/

32 Foto.jpeg

Ne Foto:Illo Foto, Astoria, Nju Jork/

– Si shkas, leximi i librit më të fundit të bashkatdhetarit në Astoria, Queens, Illo Foto“Braktisja Fshatit”/

1 Prenjo Imeraj

Nga Dr. Prenjo Imeraj/E pata lexuar si projekt atë punim të zotit Illo Foto, madje i pata shkruar edhe disa mendime të miat, sigurisht inkurajuese, por libri i sapobotuar në Tiranë nga shtypshkronja “Mirgeerlab” më ka befasuar, pasi e gjeta më të pasuruar dhe përpunuar edhe nga ana letrare dhe stilistike.Autori e rendit atë, ndoshta me modesti si libër publicistik.  Por jo.  Nga rëndësia dhe vlerat sociale mund të renditet pa droje si libër historik, statistikor, politik, madje edhe fillozofik: Statistikor, sepse jep shifra dhe krahasime me fshatrat, krahinat dhe shtetet. Politik sepse krahason jetën fshatit patriarkal me zanafillën tradicionale me të tjerët, duke mos harruar ndikimin e diktaturës komuniste në izolimin e fshatit dhe frenimin e zhvillimit dhe lëvizjeve tradicionale. Filozofik, sepse fillozofinë e fshatit tradicional e zhvillon në korelacion me kohën dhe zhvillimin shkencor botëror.Në pak më shumë se 200 faqe ai i paraqet lexuesit me një gjuhë të thjeshtë e të pastërtë letrare të gjitha e tapat e transformimeve të mëdha të fshatit shqiptar në përgjithësi e atij jugor në veçant gjatë 150 vjetëve të fundit, të cilat ishin edhe më determinantet për identitetin, pavarësinë dhe riafirmimin në Komunitetin Europian të Kombit Shqiptar, prej nga na kishin largua prej kohësh me dhunë dhe diplomaci armiqtë e Kombit tonë. Autori, nuk ka përdorur dhe, jo pa qëllim për titull të librit fjalën e “butë” Evolucion, por fjalën braktisje. Në të vërtetë ashtu pat ndodhur gjatë tërë historisë tonë dhe, jo vetëm gjatë këtyre 150 vjetëve të fundit që janë marrë në studim, ku merren si shembuj disa familie lunxhëriote e më gjërë. Braktisje patën ndodhur gjatë dyndjeve të egra barbare nëpër shekuj si: prej Gotëve, Ostrogotëve, Sllavëve në përgjithësi e Serbëve në veçanti, Tartarëve, Mongolëve të Çingis-hanit, Osmanëve, shovinistëve Grekë, Fashistëve Italianë, Nazistëve Gjermanë; por ajo ikja masive e viteve 90 të shekullit të kaluar me eksodet sporadike drejt Perëndimit, nuk ka të krahasuar; prandaj them se titulli “Braktisja e Fshatit” është më se i goditur.

33 Librat .jpeg

Foto: Një fotomontazh me disa nga botimet e studiuesit Illo Foto botuar në emigracion/

Duke marrë për studim jetën e fshatit Tërbuq dhe Karjan, prej nga autori ka prejardhjen nga gjyshi e gjyshja dhe duke u mbështetur në katër brezat e fundit, autori me ç’ka parë e dëgjuar, ka skalitur karaktere njerëzish të ndryshëm të cilat lexuesit i vijnë si njerëz të gjallë nëpër kohët që kanë kaluar, nëpër vendet historike ku lindën e u rritën; ku jetuan, punuan dhe luftuan njerës krenarë e të denjë për vendin ku patën lindur. E gjithë historia njerëzore e globit tonë qysh nga parahistoria ka kaluar etapa të ngjashme deri në kohët moderne, por ndryshimet midis tyre me kalimin e shekujve u bënë esenciale, në vartësi nga luftimet, pushtimet, kolonizimet dhe emigrimet e ndryshme të detyrueshme ose vullnetare, me grupime apo individuale.  Eshtë interesante se gjatë dy mijë vjetëve të fundit, kohë kur trojet tona fillimisht u okupuan nga Perandoria Romake, e gjithë Shqipëria e Jugut e mbiquajtur Toskëri, e cila ndryshon në të folmen dialektore nga trojet tona veriore, ka të njëjtat zakone, tradita, folklor dhe dinamikë lëvizjeje nga fshati në fshat, nga fshati në qytet, nga krahina në krahinë e më gjërë…

Historia, Zakonet, traditat, dinamika e jetës së njerëzve të Tërbuqit dhe Karjanit të përshkruar me sinqeritet, mall dhe nostalgji nga Illo Foto, ngjajnë si dy pika uji me ato të Labërisë në veçanti dhe Tragjasit tim në veçanti. I vetmi ndryshim qëndron në faktin se, fshati im u shndrua në mysliman në shekullin e 16-17, ndërsa Tërbuqi i Illos mbeti i krishterë, duke vazhduar traditën e të parëve dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore fshati i tij ndoqi vijën politike të Partisë Komuniste, ndërsa fshati im ndoqi pjesërisht edhe vijën politike të Ballit Kombëtar.

Gjyshja e autorit, Kato apo Katerina, sido që ai nuk arriti ta njohë fizikisht, madje nuk gjeti as edhe një fotografi të saj të trashëguar, nga tregimet e familiarëve dhe të farefisit u skalit në mendjen e tij si një hero përrallash për: prejardhjen, inteligjencën, ndershmërinë, papërtushmërinë, trimërinë, bujarinë dhe largpamësinë për shtrirje, kulturë e mirëqenie të fëmijëve dhe pasardhësve të saj.

Kato stavri-Foto mbetet strumbullari i këtij libri interesant, e ngulitur në mendje dhe zemrën e Illos, aqsa ai e ka ndjerë dhe e ndjen për herë pranë gjatë tërë jetës së tij; dëshmi për atë është epiteti simbolik: “Katoja ime” dhe emri që i ka dhënë për mos harresë mbesës së tij më të vogël e lindur në New York.“Kato tjetër nuk ka nxjerrë fisi im”,shkruan Illo me bindje dhe krenari dhe lexuesi bindet për këtë pasi e ka lexuar deri në fund librin e tij modest dhe mbresëlënës.

Autori nuk mbetet prapa edhe në përshkrimin e nënës së tij Poliksenit apo Polites si e patën thirrur të gjithë, e cila me inteligjencën dhe urtësinë e saj arriti t’i hynte në zemër të vjehrrës Kato, duke u qëndruar në ballë të gjitha punëve të vështira për mirëmbajtjen dhe shtimin e fermës së saj, ndërsa bashkëshorti i saj Kiço po përballej me emigracionin e gjatë ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Lexuesi dhe studuesi i interesuar, në të ardhëmen, do gjejë në librin e Illos: cilësinë e jetës në familjen fshatare; mënyrën e të ushqyerit ndër kohë; strukturën e familjes si qeliza e shoqërisë njerëzore; prejardhjen e ç’do familjeje në paralelizëm me atë të familjes Foto, Stavri, Gjergji, Mefsha, Sauli, Puka e kthimin e familjes fshatare në qytetare; shndrimin e families patriarkale në familje të emancipuar e më tutje…

Shpopullimin e fshatit, autori, e kategorizon në shpopullim vullnetar dhe të detyruar nga rrethanat dhe kushtet, duke përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e krijuara.Shpërnguljen vullnetare autori e konsideron hap pozitiv që lind spontanisht; nga nevoja për shtrirje, jetë më të mirë e të qytetëruar, sidoqë të shpërngulurit dhe emigrantët nuk patën gjetur kurdoherë “parajsën”…                Si shembull të shpopullimit natyral autori ka marrë familjen Puka, të origjinuar nga një fshat malor i Shqipërisë së Mesme, si fshati Paftal i Rrethit të Beratit, ku sipas autorit pat qenë vendosur shumica e fshatarësisë shqiptare. Braktisja e fshatit vullnetarisht kërkonte inisiativë, karakteristike kjo për njerëzit e zgjuar dhe pak a shumë më të emancipuar, prezente kjo në familjet e dyerve të “para” të fshatit dhe natyrisht si rrjedhojë ata do ndiqeshin prej më të s’kamurve të etur për një jetë më të mirë materiale.

Kështu pat ndodhur me fisin Puka të Paftalit, të parët e të cilëve lëvizën: katër familje në drejtim të emigracionit të largët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pjesa tjetër drejtimin e muarën drejt qyteteve në brendi të vendit: Berat, Fier dhe Lushnjë.

Si trashëgimtar më të fundit të tyre, Illo Foto sjell figurën e Viktor Pukës, të cilin unë e pata arritur në Lushnje dhe njohur si njeri me kulturë, zootenknik të talentuar dhe drejtor të atij sektori.Viktori, me të drejtë pat tërhequr vemendjen e Illos, të ciln e pat patur koleg dhe epror në profesionin e nderuar të zooteknisë, pasi Viktori dallohej jo vetëm për inteligjencën dhe kulturën e përgjithëshme e profesionale por edhe për inisiativën në drejtimin dhe zhvillimin e pa ndërprerë të Zooteknisë Shqiptare drejt asaj bashkëkohore.

“Shpopullimi i fshatit është traumë shoqërore, por një nga zgjidhjet më të mëdha që ka ka krijuar spontaniteti, për baraspeshat në tregun e punës”, shkruan Illo.  Dhe ka të drejtë:  Nuk është e lehtë të shpërngulesh nga vendlindja, dheu i të parëve, duke lënënë pas dhe ndoshta  përgjithmonë, shtëpinë apo kasollen e barakën tënde, trojet e natyrën që të ka mbetur në mendje qyshsa ke “hapur sytë”dhe sidomos familien e farefisin. Autori, kur nxjerr atë konkluzion, sigurisht ka patur parasysh sistemin demokratik dhe jo atë diktatorial komunist, që e frenon në më mënyrë arbitrare shpërngulien nga fshati pa lejen e administratës…

Duke paraqitur detaje lidhur me funksionimin ditor të families “Stavri”, autori bën një analizë psikollogjike, praktike dhe shkencore të shkaqeve se, pse lindi dhe u zhvilluar familja patriarkale e dikurëshme nga vetë njerëzimi dhe pse ajo sot nuk ka të ardhme:“Punëtori me mëditje nuk është shumë i besuar në bujqësi; bimët dhe kafshët nuk mund t’ia besosh një njeriu të huaj”.  Argument bindës se përse një njeri, zakonisht më i madhi në moshë e eksperiecë pune, por edhe më i zgjuari, më i shkathëti, më punëtori dhe më trimi merr inisiativën për të administruar familjen, pronën dhe për t’i mbrojtur ato me guxim.Kjo gjë, natyrshëm erdhi në zgjerimin e familjes, fisit dhe të pronës duke shkuar drejt families patriarkale me bajraqe, karakteristike kjo, sidomos në familjet patriarkale të Shqipërisë Veriore, që nëpër shekuj arritën të mbrojnë nga armiqtë dhe pushtuesit jo vetëm pronat e tyre të trashëguara, por edhe më gjërë; duke bashkuar shumë bajraqe u përballën me armiqtë në luftra të përgjakëshme për liri e pavarësi kombëtare.             Autori, në punënën e Zooteknikut, pohon se e pat arritur familjen patriarkale në komunitetin vllah dhe ajo është shembull i shkëlqyer mbijetese në një vend me shumicë tjetër etnike, kur duke bërë një jetë nomade, në sajë të families së fortë patriarkale arritën, jo vetëm mbijetesën, por zgjerimin e familjes patriarkale dhe pronën e saj.Komuniteti Rom, në trojet tona, megjithëse nuk e arriti dot ndërtimin e familjes patriarkale duke mos i krijuar dot ngulimet të përherëshme; mbetet për t’u admiruar pasi ruajti gjuhën dhe zakonet e të parëve të tyre në kushte shumë më të vështira jetese dhe mungesë pronësie.Prespektivën e fshatit patriarkal, autori e gjen tek fshati kapitalist. Si shembull për këtë sjell fshatin amerikano-verior dhe vendeve të tjera të zhvilluara, ku fshati i fermerëve nuk ka ndryshim nga qyteti në ç’do drejtim dhe ai ndjehet mirë kur sheh se edhe fshati shqiptar këto 20 vjetët e fundit po ndjek atë drejtim dhe gradualisht edhe fshati kapitalist shqiptar po“rimbushet”, krahas ndryshimeve esenciale demokratike, domethenë vullnetare e mbështetur nga administrata shtetërore, pa marrë parasysh ritmet e ngadalta e të pajustifikueshme, lidhur me korrupsionin…

Monotoninë e ngjarjeve në përshkrimet e tij, autori  e ka mënjanuar me ngjarje interesante nga puna me shumë përgjegjësi e zooteknikut gjatë sistemit diktatorial komunist: vdekjen e motrës së vetme të Lenos-Elenit; shembjen e sistemit diktatorial komunist në Shqipëri e mbetjen pa prespektivë familiare e profesionale, përfitimi i pasaportës Amerikane prej babait të tij të ndjerë Kiço Stavri-i vjetri, fillimi i vështirë i jetës si emigrant në New York, bashkimi përsëri me familjen e tj, e tj…

Dramën e dëmtimit të 23 qingjave nga bisha në sektorin e Plukut të Ndërmarjes Bujqësore Shtetërore “29 Nëntori” të Lushnjës, e gërsheton me dramacitetin më thellë të vdekjes së motrës Leno, gjatë udhëtimit me tren nga Tirana në Lushnje.Ai mori ç’do përgjegjësi mbi vete, duke bërë ç’kishte në dorë për të mos lejuar keqtrajtimin politik të komunitetit vllah që shërbenin kopenë e deleve të Plukut me në krye kryebariun e talentuar dhe njeriun e mirë Xhorxhi Siveri dhe atij qëllimi ia arriti me sukses, por lajmi i paritur dhe i kobshëm se motra kishte mbetur në spitalin e shtetit në Kavajë e bëri edhe më të rëndë atë dramë në shpirtin e Illo Fotos.  Përshkrimi me tërë dramacitetin e atyre ngjarjeve të rënda me një realizmë dhe bindshmëri të lartë të ngelen për shumë kohë në mendje, duke zbuluar me atë rast edhe karaktere njerëzish të ulët, që qendrojnë shumë larg karaktereve njerëzore të shkallës sipërore si ai i zooteknikut Illo dhe kryebariut Xhorxhi.

Duke marrë në studimi bujqësinë dhe cilësinë e jetës në familjen lunxhëriote, autori merr si prototip tezen e tij Vjenon-Evjeni Gjergji Xhavarra, e cila nuk jetoi kurrë për vete, si shkruan autori, por iu dedikua njerëzve të mjedisit rrethues. Autorit i kanë mbetur në mendje nga koha e fëmijërisë punët në bujqësi gjatë të cilave ruan kujtimet më të mira për tezen e tij Vjeno, e cila dallohej si një organizatore e përsosur në përgatitjen dhe kryerjen e të gjitha punëve: që nga organizimi i fuqisë punëtore, orari i fillimit dhe mbarimit të punëve, mënyra e të ushqyerit, rendimenti në punë e gjithçka, që ajo grua e paepur e realizonte me dashuri dhe energji të pashterëshme.

Illo nuk harron edhe për qëndrimin e Vjenos ndaj luftës partizane gjatë rezistencës antifashshisto-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore: Shtëpia e Vjenos u shndrua në “bujtinë” për forcat partizane, të cilët në ç’do kohë dhe çast të vështirë për ta në ato kohë lufte, gjenin tek shtëpia e Vjenos jo vetëm strehim e ushqim, por edhe mbrojtje ndaj kushteve të këqija atmosferike. “Një dite të Operacionit gjerman të dimrit, në shtëpinë e çiftit Xhavarra u fut me dhunë një bandë ballistë, që lidhën me litar Miten dhe Vjenos i kërkuan 100 napolona Flori, në shkëmbim të jetës së Mites”….Të kenë qenë ballistë vallë!?  I bëj këtë pyetje vetes, sepse ballist ishte edhe babai im Sefer Ismail Imeraj-Deshmor i Atdheut dhe Martir i Demokracisë, i cili jo vetëm s’pat grabitur as edhe një zog pule dhe as pat luftuar kurrë kunder partizanëve; përkundrazi pat luftuar krah tyre për kundër fashistëve italianë. E si mund të grabiste familjet e popullit, qoftë dhe të partizanëve, kur në radhët e tyre kishte një brigadë nga gjakut i tij, e prej të cilëve ranë me dhjetra dëshmorë të luftës për liri, derisa ra edhe vetë më 14 shtator 1943. Ballist ishte edhe Hysni Lepenica, i cili kur mori lajmin se renegati ballist Neço Beleri nga rrethinat e Gjirokastrës, po grabiste familjet e partizanëve, shkoi dhe e pushkatoi me gjyq të çastit luftarak!  Ballist pat qenë edhe Haki Ballshi, i cili duke qenë kryetar i Ballit kombëtar të Lushnjës, pat shpëtuar me dhjetra partizanë nga pushkatimi prej nazistëve gjermanë?

U ndala pak aty dhe për atë lexuesit të më falë, jo për t’ju kundërvënë mikut tim Illo Foto, por për të sqaruar se Organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” drejtohej nga biri i madh i Kombit Shqiptar Mid’hat Abdyl Frashëri, i cili kishte në platformë çlirimin e popullit shqiptar edhe nga Komunizmi dhe nuk mund t’i lejonte askujt abuzime në kurriz të popullit të tij; ashtusi edhe Partia Komuniste kishte në platformë çlirimin e popullit, pa e cënuar pronën e popullit, por donte me doemos pas çlirimit një sistem komunist një partiak, që doemos do përfundonte në diktaturë dhe tradhëti kombëtare…  Dihet tashmë, se renegatë ka patur nga të dya palët që për interesa të ngushta vetiake i binin më qafë popullit të thjeshtë, duke e detyruar të therte edhe dhinë e vetme, si pat ndodhur në kasollen e Galigatit gjatë operacionit nazist gjerman të dimrit më 1944, ku pat qenë strehuar renegati Enver Hoxha, apo në shtëpinë fisnike e punëtore të families Xhavarra, nga një bandë hajdutësh e kriminelë të vetquajtur “ballistë”, sic e përshkruan autori.…

Mbetem i impresionuar nga mënyra dhe vendi se si dhe ku i ka vendosur autori i këtij libri të rrallë dhe mbresëlënës aforizmat dhe idiomat; aty Illo Foto tregon se ruan një memorie të shkëlqyer, një talent të rrallë në përdorimin e tyre, karakteristikë kjo për njerëzit me kulturë të gjërë dhe eksperiencë jetësore të tejskajëshme:“Të vraftë qulli” është idiom karakteristike e gjithë Shqipërisë jugore, ndoshta e gjithë kombit, që shpreh paqe dhe urtësi gjë që autori i librit e lidh me të drejtë me shkencën mjekësore…  “Të vraftë e mira”, përveç dashamirësisë paralajmëron edhe hakmarrjen paqësore…“Mos e merr jetën me prapanicë; “mos e merr jetën nëpër këmbë” dhe “jetë qeni”, idioma popullore të cilat, autori, i ka lidhur me fillozofinë e jetës së shqiptarit, karakteristikë kjo për kombet me tradita dhe kulturë të lashtë, të cilat autori i ka futur jo rastësisht.Kur autori ka pëdorur jo pa qëllim, aforizmën kushedi të origjinuar “jeta është udhëtim me pengesa, nga materniteti në varreza” ai futet në fillozofinë njerëzore të jetës dhe vdekjes, kapitull interesant, që ka vënë në mendim dhe lëvizje fillozofët e botës.“Jeta është një shkëndijë midis dy boshllëqeve shkruan Niçe”-Nitzche, por interesantja qendron në faktin se njeriu nuk ka menduar kurrë për boshllëkun përpara jetës, por për boshllëkun pas asaj dhe për të mos e barazuar jetën e njeriut me atë të kafshës, vetë ai, njeriu, krijoi botën e shpirtrave dhe jetën pas vdekjes.

“Jeta më e vlefshme është jeta e motivuar dhe jeta e mbështetur në djersën e ballit”…  “Dhe engjëlli dhe djalli, janë brenda tek i gjalli”. Illo Foto, si njeri i ndershëm dhe i rregulltë në të gjitha drejtimet, mbështet jetën e ndershme e dinamike në shërbim të vetvetes, families, shoqërisë e më gjërë.Ai ngre zërin me forcë kundër jetës perverse të një pjese të shoqërisë njerëzore, që duke përdorur të gjitha mjetet e propagandës demoralizuese mundohet t’a fusi të gjithë shoqërinë në degjenerim moral, psiqik dhe fizik.Ai ka besim se kurrë imoralja nuk do dominojë mbi moralen, prandaj edhe ngre me forcë mbështetjen tek puna për të jetuar me djersën e ballit… “Ushqehemi duke u kuruar dhe kurohemi duke u ushqyer.” Me atë aforizmë popullore autori tregon shqetësimin e madh mbi mënyrën e sotme të të ushqyerit deri në grykësi; duke konsumuar ushqime të industrializuara e konservuara, njeriu po bastardon racën njerëzore, duke shkurtuar edhe jetën e tij.  Mbipeshën njeriu e krijon nga mbingopja dhe dhjamosja, që dikur nuk njihej dhe e illustron këtë me jetën e fshatit në vendlindjen e tij, ku nuk kishte parë as edhe një njeri të dhjamur jo vetëm nga fisi i tij, por në tërë krahinën.  Ishte e natyrëshme kjo, sepse njeriu ishte jo vetëm në lëvizje të vazhdueshme në punë, por edhe ushqehej me gjithëçka gjente në natyrë, prandaj edhe bota po rikthehet sot tek ushqimet “bio”, për dobinë e tyre të padiskutueshme për kundër dhjamosjes, kombinuar kjo me punën fizike dhe me ushtrimet gjimnastikore. Vetë gjendja fizike e autorit, me trupa atleti në moshën 80 vjeçare, dëshmon më së miri se me sa seriozitet Illo Foto e merr punën, lëvizjet, mënyrën e të ushqyerit dhe mënyrën e jetesës.    Dramën e emigracionit në përgjithësi dhe atë shqiptar në veçanti, pas shembjes të sistemit komunist, autori e përshkruan me gjithë dramacitetin e vet, ashtusi e pat hequr edhe vetë mbi kurriz.  Me atë rast ai u bën një analizë të thellë jo vetëm peripecive e vuajtjeve të tejskajëshme, por edhe karaktereve njerëzore që nuk qenë ne gjendje t’i kapërxenin ato vështirësi, si i kapërxeu Illo Foto familjarisht me gjithë bashkëshorten e tij dinjitoze dhe fëmijët e tij të mrekullueshëm.  Vetëm njerëzit me karakter të fortë të mençur e largpamës mund t’i kapërxejnë ato; në të kundërtë, njerëzit me karakter të dobët, të cekët në mendime dhe jo largpamës, jo vetëm nuk e realizojnë ëndrën e tyre n’emigracion, por bien në pesimizmë e ndahen nga jeta shpejt.Në paralelizmë me këtë fakt po risjell për lexuesin një aforizmë të vjetër nga kombi rus:  “Vetëm lulet artificiale i tremben shiut, ndërsa njeriu i talentuar nuk i trembet kritikës dhe vështirësive”.             Lidhur me emigracionin e ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autori i këtij libri mban qëndrim kritik ndaj emigracionit të hershëm Shqiptar, që qëndroi indiferent ndaj e migrantëve të rinj dhe megjithëse prej kohësh i organizuar në dhjetra shoqata, nuk u kujtua as edhe një, jo për t’i ndihmuar, por as edhe për t’i identifikuar. Në këtë drejtim është për t’u admiruar komuniteti hebre, që i dha ndihmë të çmuar të gjithë emigrantëve të sektit të vet, të emigruar nga Europa lindore pas shembjes së komunizmit: duke i identifikuar, regjistruar dhe ndihmuar në të gjitha drejtimet. Autori i librit “Braktisja e fshatit” shpreh mendime shumë të vyera lidhur me proçesin e sëmundjeve të pa kurueshme, plakjes dhe vdekjes: duke u treguar shumë i qytetëruar objektiv dhe modern.Ai e mbron me ngulm problemin më të fundit të shkencave mjekësore si është Eutanazia, duke dhënë mendimin e tij se duhet të ligjërohet në çdo vend. Jep mendime se si duhet të trajtohet trupi i njeriut pas vdekjes dhe me të drejtë mbron proçesin e kremacionit, djegies dhe mua më duket se ka të drejtë dhe e mbështes plotësisht.

lllo Foto është humanist!  Ai mendon se edhe organet e tij po t’i duhen dikujt për transplant, i “dhuron” me kënaqësi…I dashur Illo, lërua të tjerëve altruizmin.Për Ju, gjëja më e mirë do të ishte t’ua lije pasardhësve, që mezi të kanë e të duan shumë.Dhe mos u lodh dhe as mos u step nga të shkruarit.Shkruaj për kënaqësinë tënde, në se mendon se ke shkruar mjaft për të tjerët. Cilido lexues meson shumë prej shkrimeve të tua, gjë të cilën e ke arritur në shkallën sipërore me librin e mrekulluhëm “Braktisja Fshatit”.                                                                                                                                                N.York, Janar 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: “Braktisja Fshatit”, Dr. Prenjo Imeraj, Illo Foto

TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

February 6, 2017 by dgreca

THJESHT ATDHEDASHURI – TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Ta duam atdheun aq sa ai është, ta duam as më të madh se është, as më të vogël se është. Më parë se të jenë fjalët e mia, këto janë fjalët e François-Marie Arouet (Voltair), nga vepra e tij “Fjalori filozofik”. Filozofi i madh optimist francez i shekullit XVIII është shembull i intelektualit krijues të papajtuar me politikën, i cili mbahet mend si kryqëzues i tiranisë e dogmatizmit dhe për aftësitë e tij të mprehta satirizuese e kritike ndaj shoqërisë së kohës.

Pra, thjesht atdhedashuri. Për ne shqiptarët kjo do të thotë ta duam atdheun tonë në të gjithë shtrirjen e tij hapësinore, ta duam atdheun tonë në pesë gjashtë shtetet ku ai ndodhet në vijimësi të pandërprerë gjeografike, në vijimësi të pandërprerë historike prej disa mijëvjeçarësh. Ta duam Republikën e Shqipërisë dhe të mos e duam Republikën e Kosovës, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: Ta duam Republikën e Kosovës dhe të mos e duam Republikën e Shqipërisë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Myzeqenë dhe të mos e duam Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore), kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Luginën e Preshevës dhe të mos e duam Myzeqenë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Tropojën dhe të mos e duam Bujanocin, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Bujanocin dhe të mos e duam Tropojën, kjo nuk është atdhedashuri. Me pak fjalë: Ta duam atdheun tonë në të gjithë hapësirën e tij, në të gjitha nënhapësirat e tij, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e tij, pavarësisht se në cilën njësi shtetërore ndodhen sot. Ta duam njëri-tjetrin pavarësisht nëse është shqiptar i Shqipërisë, shqiptar i Kosovës, i Maqedonisë shqiptare (hapësirës shqiptare të Maqedonisë), i Malit të Zi shqiptar (hapësirës shqiptare të Malit të Zi), pavarësisht nëse ai është myzeqar, lab, malësor, dibran, tetovar, kumanovas, ulqinak, preshevar, çam pavarësisht ku ka lindur, pavarësisht ku jeton apo ku ndodhet. Kjo është atdhedashuri. Është atdhedashuri e kulluar, e dlirë, e kthjellët. Është në të mirën tonë dhe në dëmin e askujt.

Atdhedashuri është një term i brumit të mirëfilltë shqip. Duket se është i vetmi term që i shkon fjalorit tonë. I kam dëgjuar në media dhe i kam lexuar shumë nga teorizimet që këto kohët e fundit i bëjnë, kryesisht në Tiranë, të ashtuquajturat mendje të kombit. Këto teorizime janë absolutisht pakaluese, janë frut i mungesës së ndjeshme të dijes në fushën përkatëse. Në vend që ta ndriçojnë një objekt të shenjtë, siç është atdhedashuria, siç është çështja aq e përbërë shqiptare, këta, qoftë nëpër studio, qoftë nëpër tribuna, vetëm sa e errësojnë, e komprometojnë dhe e ndotin këtë objekt. Kjo e bën të domosdoshme që të heqim dorë nga përdorimet fjalëve të huaja (termave ndërkombëtarë), por edhe nga përdorimet e fjalëve tona me parashtesa apo me prapashtesa të huaja. I njëjti term ndërkombëtar, nëse përdoret nga një i huaj çfarëdo, tingëllon shumë më butë dhe shumë më pranueshëm se kur ai është i shqiptuar nga një shqiptar, qoftë në një jubile, qoftë në një përvjetor të thjeshtë, në një festë zyrtare apo private, në një bisedë në një studio, në një kollonë anash faqes së një gazete.

Ta duam atdheun do të thotë të ndërtojmë një raport të drejtë me atdheun. Të jemi bij të tij dhe jo sundues të tij. Të jemi përkushtues ndaj tij, të jemi shërbyes ndaj tij dhe jo ta vëmë atdheun tek këmbët tona. Të mos e shikojmë atdheun si çifligun tonë, që mund t’ia zhveshim malet nga pyjet, mund t’ia gërryejmë shtretërit e lumenjve, që mund t’ia nxjerrim në shitje për gati kurrgjë pasuritë dhe thesaret e tij të dhuruara nga Zoti apo të krijuara nga njeriu në mijëvjeçarë. Ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të brezave bashkëkohës, por edhe si atdhe të brezave pasardhës, ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të atyre që e banojnë përkohësisht, por edhe si atdhe të atyre që janë detyruar të largohen prej tij dhe ndodhen nëpër botë, duke e mbajtur me bukë shumicën e popullit shqiptar që ndodhet ende në atdhe. Ta duam atdheun do të thotë të rritim mirëqenien e të gjithëve dhe jo vetëm të një grushti të vogël njerëzish.

Të jemi bij të atdheut. Të mos jemi vampirë të atdheut. Hypja në karrike, jetesa me lugë floriri, nuk të jep të drejtë që ta katandisësh atdheun në zhele. Nuk do të thotë ta ndjesh veten gjel dhe atdheun ta ndjesh plehun mbi të cili ti vikat. Të jesh vampir i atdheut do të thotë t’i grumbullosh për vete miliardat dhe të tjerëve, anekënd, t’ua lësh vetëm morrat. Pse sot, pas njëzet vitesh të hapjes ndërmjet shqiptarëve, të hapjes së tyre ndaj botës, nuk ka pasanik që të guxojë ta bëjë transparente pasurinë e tij të vënë në këto njëzet vite? Sepse këta janë vampirë të atdheut dhe nuk janë bij të atdheut.

Paradoksi tjetër është se pikërisht këta, pikërisht vampirët e atdheut, janë ata që bëjnë retorika të mbrapshta se shkrihen krejt për atdheun, për kombin, për shqiptarët. Dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse e komprometojnë çështjen më të shenjtë në botë, çështjen shqiptare.

Duke qenë te kjo pikë e temës sonë, le të kthehemi tek Voltairi (Volteri). Tek fjala Atdheu, ai shkruan: “Një atdhe është i përbërë nga më shumë se një familje; e si rëndom përkrahet familja jote thjesht për dashuri, kur nuk ke një interes të kundërt, kështu thjesht për dashuri përkrahet qyteti yt ose fshati yt që quhet atdhe. Sa më shumë që ky atdhe rritet aq më pak duhet, sepse dashuria e pjesëtuar dobësohet. Është e pamundur që të duhet një familje tepër numerike që sapo e ke njohur.

Kush ka ambicjen të jetë prijës, tribun, udhëheqës, diktator bërtet se e do atdheun, ndërkohë që e do vetëm veten e vet. Secili ka dëshirë të mund të flejë në shtëpinë e tij pa pasur dikush tjetër pushtetin që ta marrë dhe ta çojë të flejë diku tjetër, secili dëshiron të jetë i sigurt për pasurinë e tij dhe për jetën e tij. E kështu, meqë të gjithë kanë të njëjtat interesa, dhe nga interesat e veçanta përbëhet interesi i përgjithshëm: i përkushtohemi republikës, kur në fakt jemi duke iu përkushtuar thjesht vetes sonë.”

Në epokën e integrimeve perëndimore, në epokën e integrimeve globale, në epokën që kërkon më shumë se kurrë integrim, dashuri midis njerëzve, për ne shqiptarët është e pamundur ta gjejmë veten në rajon, në kontinent, në botë, pa e gjetur më parë tek njëri-tjetri. Është e pamundur që interesat tona të jenë të përputhshme me të tjerët, pa qenë të përputhshme mes njëri-tjetrit. Është e pamundur të jemi bindës për të tjerët, kur nuk kemi mirëkuptim dhe mirëpajtim, kur nuk kemi dashuri të mjaftueshme për njëri-tjetrin. Është e pamundur që retorikat tona të mos tingëllojnë të zbrazëta, të pabazuara, prandaj të dëmshme për veten tonë dhe të tjerët. Ata që janë kundër çështjes shqiptare, vërtet bëjnë edhe ata retorikë, por retorika e tyre është pjesë gati e papërfillshme e veprimit të tyre. Kështu çëshjen shqiptare e dobësojnë kundërshtarët e çështjes sonë dhe, njëkohësisht, e dobësojmë ne vetë. Prandaj miqtë dhe aleatët na këshillojnë ne të heqim dorë nga retorikat, të shohim punën tonë, ta përparojmë punën tonë, ta realizojmë çështjen tonë në të gjithë përbërësit e saj dhe në tërësinë e saj. Kështu do ta ndihmonim veten tonë, kështu do të na ndihmonin miqtë dhe aleatët, kështu do të na ndihmonte vetë Zoti. Atdhedashuria jonë, atdhetaria shqiptare, në shenjtërinë e saj, është absolutisht e paparagjykueshme, është absolutisht qytetare, është absolutisht e pandalshme drejt triumfit të saj. Siç do të thoshte vetë Voltaire – ajo është qytetare e botës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nga SKËNDER BUÇPAPAJ, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

Kupolat nepotike të LSI – Rasti Balili dhe rasti Xhixho

February 6, 2017 by dgreca

 Nga Elida Buçpapaj/

Në administratën shqiptare nuk mund të punojë asnjë shqiptar nëse nuk punësohet nga partitë kryesore të Shqipërisë që janë PS, PD dhe LSI.Po kështu edhe në media.Në mediat shqiptare nuk mund të kontribuojë asnjë gazetar nëse nuk i shërben në mënyrë klienteliste një partie apo një politikani të fuqishëm.

Politika shqiptare promovon nepotizmin dhe klinetelizmin duke e minuar sistemin. Prandaj sistemi është kalbur.

Nepotizmi është favorizimi i familjarëve që dominojnë politikën dhe pushtetin duke e kapur atë për gryke për ta mbytur.Nepotizmin dhe klientelizimin në mënyrën më të përkryer midis partive shqiptare e ka ngritur në sistem LSI, por natyrisht që nepotizmin e promovojnë masivisht edhe PS e PD.

Rasti Balili

Disa ditë përpara se të jepte dorëheqjen, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani lëshoi deklaratën rreth klanit të Klement Balili, që sot njihet me nofkën si “Escobari i Ballkanit”.

Ylli Manjani tek Opinioni i Blendi Fevziut tha shprehimisht se: 1.”Vëllai i Klement Balilit ka punuar për LSI në fushatën e vitit 2013.

2.”Nipi i Klement Balilit është kryetari i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga LSI”. Por kjo s’ka të bëj fare, secili e ka kokën në shpatulla të veta” tha Manjani.

3.Manjani shtoi se Escobari i Ballkanit, “Klement Balili nuk ka qenë sponsor i LSI”!

Ndërkohë  Klement Balili ishte pronar dhe biznesmen i fuqishëm me prona dhe pasuri:

1. Klement Balili e kishte pronën e tij kompleksin turistik “Santa Quaranta”, për të cilin Manjani tha se ministrat e PS vinin këtu me dashnoret e tyre. Kush ia kishte treguar Manjanit këtë fakt ?

2. Klement Balili ishte pronar i hotel Olivias në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.

3.Klement Balili, së bashku me vëllezërit e tij ishte pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në qarkun e Vlorës.

Sipas pohimit të vetë Manjanit, i nipi dhe i vëllai i Balilit kanë dhënë kontribute tek LSI.

Po përse të mos ketë dhënë kontribute edhe Klement Balili, i cili del se pas zgjedhjeve të 2013 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës.

A nuk duket sikur emërimi  të jetë direkt shpërblim i LSI për kontributet e tij!

Si Escobar i Ballkanit a nuk i interesonte Klement Balilit, të emërohej Drejtor i Transporteve në qytetin e Sarandës, një post i tillë, si detyrë strategjike dhe logjistike për punët e tij të pista ?

E përse e përjashton Manjani mundësinë që Klement Balili të ketë kontribuar për arkën e LSI, kur ai ishte edhe biznesmen edhe boss i drogës dhe pare të pista kishte me miliona ?

Po si është e mundur që LSI e emëron Klement Balilin Drejtor të Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës, kur ky person ka qenë me precedent penal dhe sipas skedës personale të tij të botuar në shtypin shqiptar, rezulton që në vitin 2006 Klement Balili të jetë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetëror.

 

Rasti i Ambasadores Filloreta Kodra

Ka të paktën dy vjet që në shtypin shqiptar Ambasadorja e Misionit Shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë Filloreta Kodra denoncohet  për shkelje ligjore dhe për trajtim të privilegjuar ndaj një diplomate me emrin Dorina Xhixho, që është Sekretare e Dytë në Mision.

Nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përkundrazi kjo ministri me heshtjen e saj është bërë pjesë e këtyre shkeljeve.

Filloreta Kodra ka qenë nënkryetare e LSI, nënministre etj, pra një nga figurat më përfaqësuese të kësaj partie.

Filloreta Kodra është emëruar në postin e Ambasadores të Misionit Shqiptar pranë OKB-së nga LSI që prej kohës kur LSI ishte në aleancë me PD.

Zonjës Filloreta Kodra i ka mbaruar mandati me kohë, por ajo vijon detyrën e saj.

Për një kohë të gjatë ajo kishte punësuar si sekretar/financier edhe bashkëshortin e saj, çka përbënte konflikt të hapur interesi.

A nuk i di organikat e ambasadave Ministria jonë e Jashtëme. Natyrisht që i di!

Sa për shkeljen e mandateve është një shfaqje rutinë e tre partive kryesore, PS, LSI dhe PD.

Diplomatë të emëruar nga politika pa asnjë meritë dhe pa asnjë vlerë qendrojnë për disa mandate, duke e mjeruar dhe degraduar përfundimisht diplomacinë shqiptare.

 

Rasti Xhixho

Dorina Xhixho, Sekretarja e Dytë e Misionit Shqiptar pranë OKB, që paçka se ka një rang jodomethënës, trajtohet nga ambasadorja Kodra sikur të jetë zvAmbasadore e këtij Misioni, kjo sipas dëshmisë të disa diplomatëve nga ky mision.

Dorina Xhixho, është 33 vjeçare. Ajo është e emëruar nga LSI, përpara 8 vitesh. Pra, nëse mandatet në Misionin shqiptar janë 3 vjeçare, ajo është në mandatin e saj të tretë.

Nuk ka patur asnjë kontribut. Është emëruar në detyrën e diplomates kur ishte 24 vjeçare dhe tani 33 vjeçare vijon të jetë Sekretare e dytë e këtij misioni.

Trajtimi special nga ana e Ambasadores Filloreta Kodra, që tek Dorina Xhixho gjen militanten e LSI ka shkaktuar revolta tek diplomatët e këtij misioni. Por rezultati ka qenë skandaloz, sepse diplomatët që kanë ngritur krye janë dërguar pako postale në Tiranë, ndërsa Dorina Xhixho vijon të ndihet si Nr.2 i  Misionit shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë.

Por kush është Dorina Xhixho?

Një simpatizante, militante apo anëtare e thjeshtë e LSI ?

Natyrisht që jo!

Ajo është pjesë e kupolës nepotike që ka ngritur politika shqiptare.

E motra e Dorina Xhixhos është Erisa Xhixho.

Erisa Xhixho ka qenë Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe prej vitit 2012 është Kryetare e Komitetit Drejtues të LSI, pra eksponente e LSI. Prej shtatorit të vitit 2014 Erisa Xhixho është emëruar Zv. Ministre e Integrimit Europian.

Por nuk mbaron këtu.

I jati i Dorina Xhixhos dhe Erisa Xhixhos është Pirro Xhixho.

Pirro Xhixho është zyrtar i lartë në shtetin shqiptar.

Ai është kreu i AKEP, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare i emëruar nga LSI.

Ky post votohet në parlament dhe ka kaluar me 79 vota pro, pra me votot e PS dhe LSI. Pirro Xhixho e ka mbajtur këtë post të lartë prej kohës kur LSI ishte në mandat qeverisës me PD. Me largimin nga koalicioni, PD e shkarkoi Pirro Xhixhon, por me kalimin e LSI në koalicion me PS, Pirro Xhixho e rimerr sikur ta ketë me tapi përsëri këtë post të lartë shtetëror.

A duhet të funksionojë kështu shteti, që bijtë, nipat dhe etërit të marrin në dorë frenat e shtetit ?

Partitë shqiptare, së bashku me në krye LSI, PS dhe PD e kanë ngritur nepotizmin në sistem dhe prandaj e kanë kthyer sistemin në kalbësirë.

A është nepotizmi dhe shërbimi klientelist shprehje e korrupsionit?

Po përse Prokurori i Përgjithshëm i kërkon të korruptuarit dhe nuk i gjen, kur i ka të gjithë përpara sysh.

Apo se edhe ai vetë është pjellë e këtij sistemi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KUPOLA -, LSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 591
  • 592
  • 593
  • 594
  • 595
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT