• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nuk e kushtëzon BE-në për dialogun

January 20, 2016 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/
Ende mbetet e pasigurt nëse brenda muajit janar do të mund të ketë raund të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe po ashtu mbetet i pasigurt edhe niveli i përfaqësimit në një takim eventual, në qoftë se ai caktohet tash e tutje, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, ata kanë hedhur poshtë pohimet e disa medieve në Kosovë, të cilat, siç thonë ata, kanë theksuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk do të marrë pjesë në një takim eventual në fund të janarit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në rast se Kosova nuk merr përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, janë të ndërtuara mbi bazën e partneritetit dhe jo mbi bazën e kushtëzimeve.
“Çështja e liberalizimit të vizave është çështje shumë e rëndësishme, të cilës kryeministri i Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe, por edhe qeveria”.
“Ne besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët e Kosovës tu jepet mundësia, si gjithë qytetarëve tjerë të komunitetit evropian. Megjithatë, ne nuk do të zhvillojmë marrëdhënie kushtëzimi me Bashkimin Evropian, por marrëdhënie partneriteti”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj.
Megjithatë, zëvendësministri Gecaj, nuk ka pohuar as mohuar nëse kryeministri i Kosovës, Mustafa do të marrë pjesë në takimin e parë të sivjetshëm në Bruksel me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ka theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel do të vazhdojë, ndonëse nuk dihet kur, për shkak se, sipas tij, ende nuk është konfirmuar ndonjë datë e takimit të ardhshëm eventual e as niveli i përfaqësimit.
“Nuk është e konfirmuar ende se do të ndodhë takimi në fund të këtij muaji. Por, dialogu do të vazhdojë. Se kur do të ketë takime, do të shohim, megjithëse ai dialog mund të vazhdojë në nivele të ndryshme. Pra, nuk është e sigurt se do të ketë takim në fund të këtij muaji, të kryeministrave. Tash për tash nuk është i konfirmuar takimi i nivelit më të lartë”.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike Imer Mushkoloaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, përkujton se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë kushtëzuar dialogun me Serbinë edhe më parë, por sipas tij, vetëm në mënyrë deklarative.
Sipas tij, një kushtëzim deklarativ nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ishte bërë edhe lidhur me shuarjen e strukturave jolegale serbe në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës ose zyrtarët e saj – ndonëse, mund të mos ketë dalë si qëndrim zyrtar në ndonjërën nga mbledhjet e qeverisë – kryesisht deklaratat e tilla i kanë bërë për konsum të brendshëm, por që nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë”.
“Nuk është se duhet të merren seriozisht edhe nëse vinë si të tilla. Aq më pak, nuk duhet të merret seriozisht ose të konsiderohet serioze ndonjë deklaratë eventuale që mund të jetë e tipit se ne nuk do të vazhdojmë dialogun për shkak se ende nuk janë liberalizuar vizat për kosovarët”.
Analisti Mushkolaj, ka shprehur mendimin se, deri më tash, Qeveria e Kosovës është dashur që në mënyrë të vendosur të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me Serbinë, në shumë raste, për shkak obstruksioneve të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sipas dinamikës së paraparë.
Në anën tjetër, sipas tij, nëse shihen me kujdes hapat që ka bërë Serbia në drejtim të integrimeve evropiane, atëherë shihet qartë se Serbia ka përfituar nga dialogu në Bruksel.(Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Bislimi, Kosova nuk e kushtëzon BE-në, për dialogun

Djali i mirë është edhe Gatja

January 19, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
E ashtuqujtura lufta kundër drogës, që nisi në qershorin e 2014. Duket sikur mbaroi. Të gjithë webet informojnë pasaktësisht vitet e burgut. Megjithatë të gjithë janë të saktë tek fakti. Që është dënimi. Dhe mbi ‘të një emër burri. Ai quhet Gate një ndër kryefermerët. Ose El Chapo i Lazaratit. Një tjetër sukses i rremë. Pasi po t’i referohemi memories, ndofta zhgënjimin më të madh e ka i pari ai burrë pas hekurave. Se si u përdorua. Së pari ai, Lazarati dhe fermeri shqiptar i jugut. E kanë të qartë ata që shikojnë duart bosh kafeneve. E kanë të qartë edhe ata që kullosin bagëtinë plot dëshpërim nëpër pjerrinat me gurishta të thata në vendin tone. Pasi një kovë kanabis, vlen sa pesë kope. 
Tek ne gjithmonë është bërë një politikë elektorale pasive. E syrit qorr dhe veshit shurdh. Madje me vetdije. Të sigurtë nëpër zyrat konsullore. Me idenë e thjesht, këta këshilttarë ka thënë gjithmonë. Me qetësi dhe kollajllëk…, lëri çfarë ke. Le të ushqehen. 
Aq më tepër që janë edhe me ne. 
Kështu Lazarati përfundoi deri atje, sa u bë ”parajsa” e jugut. Tashmë ata që rrugtonin me torba në shpinë. Nuk emigronin për në Greqi. Por në Lazarat. Tre muaj pune aty ishin sa për tre vjet në Lamia apo Patra. Fama e Lazaratit shkoi deri larg. Nga Parisi e quanin si kryeqyteti i kanabisit. Të rinj holandezë dridhnin cigare me gjethet magjike dhe postonin të qeshur statute në fb për miqtë e tyre. Londra alarmonte përmes BBC-së burimin e tregut të saj.
Vetëm ne i gëzoheshim suksesit të Lazaratit. Madje i morëm erzin edhe patriotizmit. Lazarati kështu, Lazarati ashtu.
Megjithatë, pos luftës klanore…, që sjell droga. Pos të gjitha këtyre syqorrje, informaliteti, veshshurdhje, krenari. Pos etheve të parave. Helikopterëve nga të katër anët e qiellit. Furisë së shtetit tepër të politizuar. Vdekjeve të dëshmorëve të atdheut. Ai neni çudibërës i drejtësisë shqiptare. Neni si ”djalë i mirë lagjeje” nuk u përfol aspak tek Gatja. Humbi diku shkresave dhe veladonëve të nxirë nga padrejtësitë. Në fakt Gatja i bie të jetë katërfish djalë i mire. Një kryefermer që ushqeu kaq e aq frymë. 
Sot në botën ku droga ka lulëzuar bujshëm. Ku ka bërë histori. Duhet të dini se pjesa dërrmuese e njerëzve janë të dashuruar me kryefermerët. Kolumbianët e Rionegros, bëjnë kryq për Pablo Eskobarin. Po ashtu ata të La Tunas në Meksikë për Joakin Guzmanin dhe El Chapon etj. Pra nisur nga një fakt shqiptar. Nga Jurispudenca shqiptare. Me nuance nga fryma ideollogjike e diktaturës që mendojnë se e kanë mundur. Një nen i sojit unik…, ”djali i mire i lagjes”. Nuk u nxorr nga sëdukët. E megjithatë ne po vazhdojmë. Po përpiqemi, po luftojmë të reformojmë drejtësinë.
Në fakt a mbaroi aty lufta e shtetit me drogën. Asesi. Që nga qershori i 2014. Deri tek kjo orë e dhënies së dënimit për këta lazaratas. Shqipëria u kthye e tëra në një Fermë Lazarat. Nga skërkat e qosheve të saja. Si Vermosh, Dibër, etj. Deri tek serat moderne të Myzeqesë. Kjo tashmë jo më për ata syqorrje. Por etheve të arit, hendekut politik që po vazhdon të thellohet e zgjerohet. Mendjelehtësisë së burrave të shtetit që i bëjnë reformat për efekt emrash konkretë. Dhe jo për të mirën e Lazaratit dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Djali i mirë, është edhe Gatja, Ilir Levonja

CFARE JANE DUKE BËRË SYNIT DHE SHITË NË KËTË PËRBALLJE SHEKULLORE?

January 19, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Ditët e fundit u rritën shumë tensionet mes dy vendeve të Gjirit, Iranit nga njëra anë dhe Arabisë Saudite,( me vdekjen e klerikut, Sheikh Nimr el-Nimr, dhe ndërhyrjen që bëri një turmë në ambasadën saudite në Teheran )kanë një fe por që ndarjet mes tyre janë të hershme për shkak të një ndryshimi politik dhe shpirtëror pas largimit nga jeta të profetit islam në vitin 632 .E gjithë kjo përballje lëjoi që armiku i të dy palëvev ISIS të vijojë punësit e tij duke vrarë e prerë.
Mirëpo dihet se Islami sot në botë përfaqësohet me dy degë kryesore: syni dhe shitë ku këta të fundit ndahen më tej. Shumë analistë perëndimorë këtë luftë të hapur mes dy vendeve të Gjirit e shikojnë me syzet e vendeve të tyre perëndimore duke mos hyrë në thellësinë nga i ka rrënjët konflikti. Shitët aktualisht sot në botë mendohet ti përfaqësoj lideri shpirtëror Iranit, por jo të gjithë e kanë pranuar. Synit kanë aktualisht vendin e shenjtë Mekën, vend më i madh i pelegrinazhit islam në botë.
Kështu vrasja e një lideri shpirtëror ishte pritshme se do të ngjallte reagime të mëdha në vendet ku mbizotërojnë popullsitë shite. Ky reagim aktualisht bëhet më i fortë edhe për shkak të konjukturave politike në rajon me mbështetjen e dy prej vendeve më të fuqishme të botës. Nëse do të shikojmë gjeografin e përhapjes së dy degëve sipas rezultateve arabe rezultojnë se shitët nuk shkojnë më shumë se 200 milion dhe se prania se tyre shtrihet, shumica në Iran, Irak, Jemen, Bahrein, Azerbajxhani, Libani.ish vende të Persisë së dikurshme dhe përhapur pakicë në të gjithë botën.
Synitë janë aktualisht rreth milion 1.2b ilion shumica në shumicën e vendeve myslimane,përhapur pakicë në të gjithë botën.Për të parë zhvillimet e fundit në rajon duhet të përqendrohemi te dallimet si dhe të përbashkët,t që kanë aktualisht sot të dy degët e ndara prej shekullit të gjashtë.
Nëse shitët besojnë se:
Muhamedi emëroi një pasardhës
Ali ibn Abu Talib,synit thonë jo.
Nëse shitët besojnë te: 12 pagabueshëm imamët; Ali ibn Ebi Talibi, Hussain, Hussain, Ali ZainulAbideen, Muhamed AlBaqir, Jaafar AlSaadiq, Musa AlKaazim, Ali AlRaza, Muhamed AlTaqi, Ali AlNaqi, Hasan AlAskari, Muhammedi AlMahdi (fshehur).
Synitë besojnë :katër Halifet e Drejtë: Ebu Bekr, Umer bin el Hatab, Uthman ibn Afan, Ali ibn Ebi Talibi.
Shitet besojnë se: Imamët janë të identifikuar si hyjnorë.
Synit-Shenjtorët. I konsideruar si persona me besim të fortë në Kur’an dhe Sunet.
Shitet:Prejardhja e nevojshme për sundimtar duhet të jetë fëmijë mashkull nga prejardhja e Aliut dhe Fatimes.
Synit-Mund të jetë çdo mysliman praktikues i zgjedhur me marrëveshje të popullatës muslimane (ummeh).
Shitët :Imamët konsiderohen udhëzuar hyjnore. Qëllimi është për të shpjeguar dhe mbrojtur besimin aktuale dhe kuptimin e tij ezoterik.
Synit-shpallja autoritar përfundoi me Profetin Muhamed..
Shitët-Për të përkujtuar martirizimin e Huseinit, grupet shite marshojnë në parada masive në ditën e 10 të muajit Muharrem. Nuk është vetëshkatërrim d.m.th. rrahje me kamzhik shpinën e vet, gjoksin me duar, thika, ose zinxhirët. Lejohet nga disa studiues.
Shitet-Engjëjt bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Ata kanë kufizuar vullnetin e lirë
Synitë-Zoti i krijoi engjëjt nga drita. Ata nuk kanë vullnetin e tyre të lirë dhe gjithmonë u bindeni urdhërimeve të Perëndisë.
Të dy palët:Për Jezuesin; mendimi i njëjtë Lindjen e Jezusit
Lindja e virgjër.Të dy palët:Ardhjen e dytë të Jezu Eafirmuar.
Shitët:Jezusi nuk vdiq në kryq, por trupi i tij u ngjit në qiell.
Synit: Jezusi nuk vdiq në kryq, por trupi i tij u ngjit në qiell.
Shitët: Pamje e feve të tjera abrahamike krishterimit dhe judaizmit janë :”Ithtarët e Librit.”Synitë: Christianit dhe Judaismi janë :”Ithtarët e Librit.”
Shitëtë:Jezusi nuk vdiq në kryq. Jezusi do të kthehet nga qielli në të ardhmen.
Synitë: Jezusi nuk vdiq në kryq. Jezusi do të kthehet nga qielli në të ardhmen.
Shitët: Ditëve të Shenjta Ashures, Eid al Fitr, Eid al Adha,Ghadeer Eid al.
Synit: Eid al Fitr, Eid al Adha, Eid-e-Milaad-un-Nabi.
Shiëtë Origjina nga mësimet e profetit Muhamed.
Syniot:Nga mësimet e profetit Muhamed.
Shitët: Lidhur më ngushtë me historinë e pavarur të besimit,Kufa, Karbala.
Synitë: Medina,Mecca.
Shitët:Dita Ashures i dhe vetëshkatërrim (kleri megjithatë bashkëkohore Shi pajtohen me rrahje me kamxhik vetëm për të dhënë një donacion të gjakut në qoftë se asgjë). Vajtim është i zakonshme në xhamitë shiite dhe Imambaras për Hussain.
Synitë lidhur me ashuren:Dita e agjërimit dhe përkujtimit, të Hussain dhe të Musait
Mirëpo skizma midis grupeve daton në vitin 632, kur një mosmarrëveshje u ngrit mbi pasardhësit të Muhamedit.S unitët besojnë se Muhamedi nuk ka caktuar një pasues. Por shitët besojnë se ai e bëri: kushëriri i tij Aliut. Ata gjithashtu besojnë se autoriteti i Aliut ishte uzurpuar nga tre halifëve të parë: Ebu Bekrin dhe Umer ibn Khatab, dhe Uthman ibn Affan. Ndryshe nga Aliu, asnjë nga njerëzit e mëparshën nuk ishin të afërm të gjakut të Muhamedit. Kjo ishte një pikë e diskutueshme për mbështetësit e Aliut, të cilët besonin se vazhdimësisë duhet të jetë i trashëguar.Pas vrasjes së Uthmanit në 656, Aliu u bë udhëheqës,. Ai luftoi dhe mundi kundërshtarët, njëri prej të cilëve ishte Aisha, gruaja e tretë e Muhamedit dhe vajza e Ebu Bekrit.
Pas vrasjes së Aliut në 661, kalifët suni rifitoi pushtetin për më shumë se 20 vjet. Djali i Aliut, Hussein, luftoi ata dhe u vra nga sunitë në Karbala,(Qerbela) në Irak.
2.
Çfarë besojnë shitët?Shitët janë pasuesit e Profetit Profetit Muhamed dhe familjes së tij. Cila është familja profetike e njohur si Ehli Bejti ?Shitët dhe ata besojnë se udhëheqja e kombit islamik dhe udhëheqjes së saj pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut janë të drejtës së Imam Ali ibn Ebi Talibi dhe të bijve të tij mbas tij i pagabueshëm (dhe në bazë të Pejgamberit si të rekomanduara nga Pejgamberi në disa raste. Shumica e Sunitëve janë të mendimit se Ehli-Bejt e Pejgamberit: Fatime el-Zahra, Imam Aliu, Imam El-Hasan, Imam Huseini, Gratë e Profetit .Për Shi’itët, Ehli-Bejti i Profetit (a.s) përbëhet vetëm nga individët në vijim:Fatime el-Zahra,Imam Ali, Imam al-Hasan (a.s), Imam al-Husayn. Nëntë pasardhësit e Imam Huseinit dhe duke përfshirë vetë Pejgamberin Muhamed ata do të bëhen katërmbëdhjetë individë. Largimi i profetit islam Muhamedit në vitin 632, nuk kishte trashëgimtarë meshkuj për të vazhduar udhëheqjen politike dhe shpirtërore përgjatë Gadishullit Arabik .Analistët thonë se :Nuk kishte asnjë marrëveshje të qartë se kush duhet të pasojë atë. Ata që më vonë do të njihet si suni besonin për tu zgjedhur një anëtar besnik, nga origjina e fisit të Muhamedit Kurejsh duhet të bëhet lider i ardhshëm, ndërsa ata që përfundimisht do të jetë e njohur si shiitëve besonte pasardhës i Muhamedit duhet të jetë e lidhur direkt me Muhamedin nga gjaku.Ebu Bekri, i cili ishte mik i Muhamedit, këshilltar, dhe babai i Aishes, u bë kalifi i parë mysliman, ose udhëheqësi shpirtëror, pas një tubim (që e zgjodhi atë në pozitë., një pikë e rëndësishme për shumë njerëz të cilët dëshironin për të parë atë të rritet në pushtet. Kjo doli kundër dëshirave të
grupimit tjetër ,Shitët e cila afërsisht do të thotë “Partia e Aliut.” Aliu ishte kushëriri Muhamed. Shitët besoje Muhamed në mënyrë eksplicite i ka kërkuar Aliut për të zëvendësuar atë në mësimet e tij., shih hadithin e pozitës dhe hadithin e pellg të Khummit. Aliu më vonë u bë halifi i katërt dhe ai është i respektuar edhe nga shitët dhe sunit njësoj. Megjithatë, Shiitët shohin atë si figurën më të rëndësishme historike dhe fetare dhe me rëndësi jetike për besimet sufi islame.
Në mesin shitëve pra vetëm e tyre është e zhvilluar edhe një ide e fuqishme ata besojnë se Mahdiu është Imami i dymbëdhjetë, Muhammed el-Mehdiu, dhe Imami i fundit, i cili ka lindur në vitin 868 pas Krishtit dhe ishte fshehur nga Perëndia në moshën pesë vjeçare. Ai është ende gjallë, por është fshehur “duke pritur kohën që Perëndia ka dekretuar për kthimin e tij.”
Mirëpo deri atëherë priten një sërë ngjarjesh. Madje disa ngjarje të parashikuara janë:
Para ardhjes së tij do të vijë vdekjen e kuqe dhe vdekja e bardhë. Vdekja e kuqe është shpata dhe vdekja e bardhë është plagë. Dielli do të rritet nga Perëndimi dhe një yll do të shfaqet në Lindje duke i dhënë dritën sa më shumë si hëna. Arabët do të hedhin jashtë frenat dhe do të shtinë në dorë vendin e tyre, duke hedhur jashtë autoritetin e të huajve.
Një thirrësi nga qielli. Nuk do të jetë një konflikt i madh në vendin e Sirisë, derisa ajo është e shkatërruar. Vdekja dhe frika do të poshtëroj popullin e Bagdadit dhe Irakut. Një zjarr do ndrijë në qiell dhe një skuqje do të mbulojë ato.
Jezusi dhe Imam Mehdiu kthyer së bashku.
1-Mehdiu do të jetë një pasardhës i profetit Muhamed e vijës së Fatimesë
2. Ai do të bartë emrin Muhamed
3. Ai do të sundojë për ose shtatë, nëntë apo nëntëmbëdhjetë vjet
4. Ardhja e Tij do të shoqërohet me ngritjen e një Standardi të Zi
5. Ardhja e Tij do të shoqërohet me shfaqjen e Dexhallit (anti-Krishtit) në Lindje

Filed Under: Analiza Tagged With: Cfare jane duke bere synite, Gezim Llojdia, shite

Të jesh rugovist

January 18, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Të jesh rugovist do të thotë: 1. Të kesh qëllime në jetë e në politikë dhe qëllimi më i madh të jetë liria, pavarësia e zhvillimi i kombit, interesat e tij. Ibrahim Rugova ishte politikani i vetëm që nga fillimi e deri në vdekje, në një hark kohor prej gati dy dekadash, përcaktoi, mbrojti dhe realizoi të njëjtin qëllim e synim: Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai nuk devijoi as edhe një rast të veçantë, e nuk u ndiku nga asnjë lloj konjukture në përcaktimin e tij për Kosovën. 2. Të jesh i urtë dhe të gjitha vendimet t’i marrësh me urtësinë e mençurinë e trashëguar e të zhvilluar në kushtet e kohës në të cilën jeton. Nuk ka asnjë vendim madhor politik të Ibrahim Rugovës, të cilin do ta qortojë historia e kombit tonë. Të gjitha taktikat e Dr. Rugovës për çlirimin e vendit nga dhuna e sundimi i Serbisë janë dëshmuar në funksion të qëllimit madhor, duke marrë në konsideratë kushtet në të cilat ndodhej Kosova. 3. Të sakrifikosh për të vërtetën, për të mirën, për të sotmen e të ardhmen e kombit tënd, ashtu siç e përcaktoi Ibrahim Rugova sakrificën: “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin jo”. Kjo dëshmoi atë cilësi të jashtëzakonshme të Tij: Këmbnguljen dhe vendosmërinë e palëkundur në qëllimet finale, si dhe lojalitetin e pashembullt në taktikat e luftës për pavarësi. 4. Të respektosh popullin tënd, ta mbrosh atë njësoj si familjen tënde, të kujdesesh për të si në kushte e rrethana të vështira për të siguruar mbijetesën e ekzistëncën, edhe në rrethana të zakonshme e normale të zhvillimit. Respekti për popullin, për njerëzit, për jetën e dinjitetin e tyre është cilësi e udhëheqësve popullorë. Udhëheqësit si Rugova nuk sundojnë, por drejtojnë, frymëzojnë dhe i japin kombit e popullit të vet shpresën për të sotmen e të ardhmen e tyre. 5. Të luftosh për interesat e kombit tënd, duke zgjedhur mjetet dhe format më të suksesshme, pa bërë aventura, të cilat e lëndojnë ose e dëmtojnë atë. Shumica e udhëheqësve revolucionarë nuk llogarisin ekuilibrin e forcave dhe i çojnë kombet e bashkëkombasit e tyre në aventurat e përdorimit të dhunës, përfundimi i të cilave dihet – dështimi dhe kthimi në pikën e nisjes, duke lënë pas viktima të panumërta. Të tillë kanë qenë e shfaqen edhe sot shumica dërmuese e politikanëve shqiptarë. Ibrahim Rugova dëshmoi të kundërtën – luftën për qëllime të mëdha pa sakrificat e heronjve të mitizuar. Ai nuk deshi e nuk pranoi të jetë një hero i një populli në zhdukje. Ai pranoi rrugën e shpëtimit të popullit të vet. Liria dhe pavarësia pa elementin shqiptar në Kosovë ishte për Dr. Rugovën e pa mundur dhe e pavlerë, ndërkohë që për shumicën e politikanëve të sotëm në Kosovë e hapësirën shqiptare në Ballkan, më shumë rëndësi ka pushteti dhe forca e tij, sesa prania e shqiptarëve në trojet e veta mijëvjeçare. 6. Për Ibrahim Rugovën historia ishte bibla dhe kurani i mësimit dhe dijes politike të shqiptarëve. Ai ishte nga të paktët që kishte kuptuar se historia e shqiptarëve ishte një mësim dhe një pësim që nuk duhej përsëritur. Prandaj ndërtoi strategjinë dhe taktikën e rezistencës paqësore, e cila do ta çonte në fitoren e ngadalshme, por të sigurt kundër armikut shekullor serb, i cili e sundonte asokohe Kosovën. 7. Ibrahim Rugova të gjitha energjitë e tij politike e njerëzore i përdori kundër të keqes më të madhe, pushtimit, sundimit e dhunës së Serbisë në Kosovë. Ai çmontoi dhe zhvleftësoi në dhjetë vjet propagandën antishqiptare të 100 viteve, të cilën Serbia e kishte përhapur në Europë e në botë. Ai ishte lideri i vetëm që harxhoi zero energji politike e njerëzore për të polemizuar me shqiptarët, kundërshtarë të tij politikë e në fusha të tjera. Duke ditur karakterin konfliktual të politikanëve shqiptarë, ai asnjëherë nuk ra në grackën e nxitjes ose ndjekjes së këtij konflikti, për ta shndërruar atë në një pengesë të pakapërcyeshme për zhvillimin e përparimin e vendit. Ndërsa politika e atëhershme dhe e sotme në të gjitha trojet shqiptare nuk hoqi dorë asnjëherë nga konflikti i brendshëm, duke dëmtuar rëndë interesat e kombit. Të jesh rugovist do të thotë të heqësh dorë nga konflikti i brendshëm politik e social, ta pranosh partneritetin dhe bashkëpunimin , transparencën dhe dialogun si të vetmen mundësi për zhvillim dhe progres, të vendosësh argumentin në vend të vetos e bojkotit, të përcaktosh prioritete në politikë jashtë dëshirave dhe interesave personale. 8. Nëse ka ndonjë politikan pas Sami Frashërit dhe Vaso Pashës, i cili të jetë përcaktuar njëmijë përqind pro aleatëve natyralë të shqiptarëve, ky ishte Ibrahim Rugova. Ende sot e për shumë kohë nuk do të ketë një të dytë të përcaktuar aq qartë e dukshëm në vendosmërinë e këmbnguljen e tij për miqësi me SHBA-të dhe partneritet me vendet kryesore të kontinentit europian, si e sa Ibrahim Rugova. Ai ishte i gatshëm të sakrifikohej vetëm që kjo aleancë e miqësi të mos dëmtohej. 9. Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet i vetmi lider politik i shqiptarëve që përcaktohej qartë në përballjet e tij me armiqtë e kundërshtarët e Kosovës duke mos lëshuar në asnjë rast në dëm të interesave të kombit të tij. Ai ishte interlekutori dhe interpreti më i qartë dhe vendosur i vendosur i interesave të shqiptarëve si në tavolinat e përballjes me armqitë dhe kundërshtarët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe me aelatët dhe miqtë e saj. Ai mbetet i vetmi lider politik i shqiptarëve që pranoi të artikulojë veset dhe sjelljet e këqia të shqiptarëve, duke u bërë plotësisht i besueshëm në strategjinë dhe diskursin e tij për denoncimin e krimeve serbe në Kosovë. Ky element u ka munguar negociatorëve të mëvonshëm të shtetit më të ri të Kosovës. Në vend të argumentit te shumica e politianëve tanë pas Rugovës shfaqet paranoja dhe mbivlerësimi i vetvetes e për këtë arësye Beogradi ka fituar epërsi politike e diplomatike në raportet dhe bisedimet me Prishtinën. 10. Integriteti, autoriteti moral, dinjiteti njerëzor, përsonaliteti politik, ishin dhe mbeten tiparet themelore të Dr. Ibrahim Rugovës. Përballë këtij integriteti e përsonaliteti u detyruan të përulen shumica dërmuese të politikanëve të huaj e shqiptarë, u përkulën dhe kërkuan ndjesë personalitetet më të mëdha të politikës dhe letrave shqipe, të cilët kishin atakuar me të padrejtë liderin historik të shqiptarëve. Në të gjallë të tij dhe pas vdekjes u përulën para këtij burri në radhë thuajse të gjithë politikanët e Kosovës, të cilët ndoshta dëshironin likuidimin e tij fizik e politik. Megjithatë në radhët e atyre që betohen e stërbetohen për Rugovën shfaqen disa kategori hipokritësh dhe besnikësh. Kategoria më e rrezikshme është ajo e kameleonëve, të cilët në të gjallë e pas vdekjes së presidentit historik kërkon të përfitojë nga ai. Kategori e rrezikshme është gjithashtu grupimi që në të gjallë të Rugovës e ka penguar politikën e tij kombëtare dhe tani, pa shfaqur asnjë lloj ndjese, përpiqet të spekullojë për përfitime e mbështetje elektorale me emrin dhe veprën e Ibrahim Rugovës. Kategoria e tretë lidhet me ish-kundërshtarët e liderit historik të Kosovës, të cilët pa u penduar për luftën kundër tij thirren sot në veprën e tij. Kategoria e katërt është ajo e pak politikanëve dhe intelektualëve, që veprën dhe lavdinë e Rugovës e shohin si hije për shpalosjen e veprimtarisë së tyre politike e intelektuale. Më i vlerësuar mbetet e do të jetë grupimi i atyre që e ndoqën liderin historik nga pas në ditë të mira e të vështira e që vazhdojnë edhe sot të këmbngulin jo vetëm në vlerat e tij, por edhe në modelin e Dr. Rugovës. Përulja e politikës para Ibrahim Rugovës do të mbetet hipokrizi, nëse nuk do të shoqërohet me aplikimin e parimeve të këtij personaliteti të shquar në mbrojtje të shtetit të Kosovës, të popullit e të kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Të jesh rugovist

Lokacioni i Termocentralit “Kosova e Re”

January 18, 2016 by dgreca

“Nëse na kanë çlirua nga sundimi gati një shekullor serb, nuk do të thotë se duhet të na vrasin ngadalë neve dhe gjeneratat e ardhshme, “lobet e ndryshme” të dyshimta edhe politikisht ”/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/
Kur këtyre ditëve mjegulla dhe bora e mbuloi territorin e Kosovës për disa ditë,pos problemeve të shumta që krijoj, ndotja e madhe e ajrit ishte evidente në të gjitha vendbanimet e posaçërisht në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë dhe rrethinë,e cila pos ndotësve standardë i ka edhe ndotjen ekstra nga prodhuesit e energjisë elektrike që e shfrytëzojnë thëngjillin e shumtë për termocentralet ekzistuese në Kastriot. Se në cilin mjedis jemi duke jetuar dhe vepruar,nuk ka nevojë të kesh dituri,mjafton të vëresh ngjyrën e borës së këtyre ditëve,kjo e tregon një gjendje alarmante mjedisore në të cilën janë banorët e kryeqytetit dhe rrethinës. Teknologjitë e reja në shekullin e ri mundësojnë shfrytëzimin e thëngjillit në shumë fusha tjera pa e ndotur ambientin,për këtë ka ardhur koha me menduar seriozisht pasi në Kosovë ka rezerva të mëdha të thëngjillit.
Për të gjithë ne duhej të ishte lajm i mirë iniciativa e Qeverisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Vetëm i marri do të kundërshton zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës, duke respektuar principet e zhvillimit të qëndrueshëm,ku shfrytëzimi i burimeve energjetike te ripërtërishme është njëri prej parakushteve themelore për zhvillim. Duhet respektuar të gjitha direktivat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit,a thua është duke u vepruar në rastin konkret ashtu ?
Ta kemi të gjithë të qartë se dokumenti i nënshkruar së fundmi me kompaninë Amerikane “Contour Global” është vetëm një marrëveshje mirëkuptimi dhe asgjë tjetër,është manovër politikë i cili ka efekte propagandistike. Çmimi prej 1 miliard eurosh është orientues, i cili sipas kundërshtarëve të projektit mundet të arrijë deri në 4 miliard euro,çmim marramendës për rrethanat tona.
Ajo çka tmerrësisht i brengos njohësit e kësaj fushe është se i tërë ky proces është duke u zhvilluar me një fshehtësi jo normale. Jo transparenca e përcjell edhe me dyshime të arsyeshme nga dashamirët apo kundërshtarët e projektit,vetëm e rritë bindjen se diçka e dyshimtë është duke ndodhur me këtë projekt që 17 vite,pasi tentimet për të ndërtuar kapacitetet e reja energjetike deri me tani kanë dështuar.
Është legjitime të kërkohet të ketë kujdes të madh gjatë caktimit të lokacionit të kapaciteteve të reja energjetike,pasi ato do të ndikojnë direkt në parametrat e lejuara të ndotjes së mjedisit jetësorë në këtë regjion. Është një histori e gjatë kërkesa për të ndërtuar këto kapacitete të reja të cilat u emërtuan “Kosova e re”. Kishte shumë obstruksione në procesin e komplikuar të ndërtimit,kapacitetet prodhuese u ndryshuan disa herë,termet e referencave dhe kushtet e kontraktimit u përpiluan varësisht se kush ishte në pushtet. Ma e rëndësishmja nga aspekti hapësinor dhe urban është caktimi i LOKACIONIT të ri të objekteve prodhuese të rrymës, i cili duhej të ishte faktori kryesor pasi rezervat e thëngjillit janë shumë afër vendbanimeve.
Falë politikave të gabuara hapësinore dhe urbane në Prishtinë,afërsia e madhe e tyre me kryeqytetin është zvogëluar me vijën ajrore ekzistues afro 3 km,kjo ka mundësuar ndotjen permanente të kryeqytetit dhe vendbanimeve tjera që janë në afërsi të tyre. Një nga vërejtjet kryesore të mija në “PZhK dhe PZhU 2013” të Prishtinës ishte “Zgjerimi i qytetit në anën perëndimore ku funksionojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike “Kosova A,B”…” Realiteti është ndryshe,zgjerimi në perëndim është duke ndodhur. Deri me tani ky element i rëndësishëm hapësinor është injoruar tërësisht nga vendimmarrësit komunal.
Lokacioni i pretenduar (raporti i VSMS i vitit 2008 rekomandon ndërtimin në lokacionin e “Kosova A”),raporti është punuar me të dhënat e mangëta dhe të varfra që iu janë “servuar” përpiluesve. Ai lokacion do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj çka ka ngjarë me vendbanimet afër termocentraleve ekzistuese. Janë 20 qyteza dhe fshatra,afro 32000 banorë që jetojnë në zonën e rrezikshmërisë së lartë. A thua duhemi edhe dhjetëra vite të tjera (50 vite) të “helmohemi” nga këta ndotës, nëse zgjedhim lokacionin e termocentralit të ri në lokacionet ekzistuese të objekteve energjetike,pa marr parasysh në “mbulesën” me direktivat evropiane të cilat në Kosovë nuk do të funksionojnë gjatë eksploatimit të termocentraleve të reja,ashtu si ka ngjarë në kohën e monizmit,edhe deri në ditët e sotme pa marr parasysh mjetet e mëdha materiale (afër një miliard euro) që janë shpenzuar pas vitit 1999.
Si është e mundur të preferohen lokacionet ekzistuese të elektranave “A” dhe “B” të cilat janë ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë,gjegjësisht tetëdhjetë, në atë kohë vendbanimet për rreth kishin numër të vogël të banorëve, sa i përket Prishtinës si kryeqyteti i Kosovës as që duhet diskutuar. Kryeqyteti i Kosovës pas vitit 1999 është invaduar nga të gjitha anët,sot ka një numër të madh banorësh, kurse lokacioni propozohet ai i njëjti sikur viteve tetëdhjetë, kur Prishtina kishte numër të vogël banorësh,kjo me të vërtet nuk donë mençuri e as profesionalizëm.
Lokacioni definitiv do të duhej detal të caktohej, me të gjitha elementet substanciale të ekzistencës së popullatës,pa cenuar interesin kombëtar pas shumë shekujve e për këto çështje duhet pasur guxim qytetar dhe shtetëror në të gjitha nivelet. Këtë duhet bazuar në kërkesat reale për energji elektrike nga thëngjilli si rezultat i zhvillimit ekonomik vendor.
Pa marr parasysh koston e shpenzimeve, kapacitetet e reja energjetike do të duhej vendosur në një zonë ku do të ketë implikime minimale në mjedis,në jetën e njerëzve (sugjerohet transporti i thëngjillit), për këtë ekzistojnë mundësitë teknike si dhe ato natyrore. E tërë kjo është duke ngjarë në mënyrë stihike pa studime dhe analiza hapësinore dhe urbane,ku do të shihej ndikimi katastrofal në mjedis, në afërsi të kryeqytetit, e sa për vendbanimet tjera afër ata po mashtrohen që 50 vjet me premtime boshe.
Prapë,për të satën herë po e përsërisë kërkesën time profesionale,që të rishqyrtohet nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar,të pa varur nga politika dhe ndikimet e dyshimta të grupeve të interesit. Lokacioni i ndërtimit,pasi ai ekzistuesi dhe i propozuari nga eksponentët e dyshuar politikisht, as për së afërmi nuk i plotëson kriteret, normat,standardet dhe direktivat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. A thua përse është sugjeruar transporti i thëngjillit kosovar për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike për regjionin,para shumë vjetëve në kohën e monizmit, në ish Jugosllavi ?
Të kota,të pa vlera janë arsyetimet e ndryshme “profesionale” të ngjyrosura politikisht për LOKACIONIN e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë,këtë do ta tregoi edhe koha të cilën ne nuk e çmojmë e atëherë do të jetë tepër vonë. Këtë e kemi obligim së pari ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj gjeneratave të ardhshme pasi jemi në fazën e vendimit me shumë përgjegjësi që duhet marr nga kjo gjeneratë aktuale e vendimmarrësve.

Prishtinë
arch. Ylber Vokshi -Ylli
arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova e Re, Lokacioni i Termocentralit, Ylber Vokshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 700
  • 701
  • 702
  • 703
  • 704
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT