• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja si zgjidhet ngerci: Presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidhen direkt nga populli

January 16, 2016 by dgreca

*Mirë reforma ne Drejtesi, po njerzit?
*Në kushtet e Shqipërisë së sotme dhe me mentalitetitn e klasës politike për të qenë besnike e “njëshit” si mënyra e vetme për të bërë karrierë, ndoshta do të kishte qenë më mirë që edhe institucione si presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidheshin direkt nga populli./  
Nga Gavrosh Levonja-Nju Jork/
Aksioni i filluar tash së fundi për reformimin e drejtesisë gjykuar nga protagonistët e inicimit të tij të le të kuptosh se është i diktuar kryesisht nga korrupsioni galopant që ka përfshirë pjesën dërmuese të gjykatësve e prokurorëve, pa lënë në hije edhe ata, funksioni i të cilëve është të mbikqyrin dhe të ndëshkojnë shkeljet e abuzimet e njerzve të drejtësisë. Pasuritë e bizneset në pronësi të gjykatësve e prokurorëve, luksi në të cilin jetojnë, janë një bazë ku mbështeten akuzat apo hamendësimet mbi implikimin e tyre në afera korruptive, pasojë e të cilave janë vendime të padrejta në dëm të qytetarëve dhe mosshkuarja deri në fund të cështjeve të rendësishme që kanë bërë bujë në opinionin publik, karakteristike kjo, kur të lidhura me to figuron emri i ndonjë politikani. Me të vërtetë, nuk mund të mbyllen sytë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por, nga ana tjetër, duhet me qenë të ndërgjegjshëm se korrupsioni ekziston në cdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga njerzit e pushtetshëm, për të shkuar në polici, tek zyrtarët e vegjël në administratë dhe pushtetin lokal, në arsim mjekesi etj. Ndër shkaqet e pranisë së korrupsionit kudo ku njerzit janë të shtënguar të zgjidhin një hall a problem, është mosfunksionimi i institucioneve dhe segmentëve të pushteteve të ndryshëm në vend. Ashtu si dhe për organizma të tjera shtetërore edhe rregullat sipas të cilave funksionin sistemi i drejtësisë në Shqipëri, jane kopjuar nga rregulloret dhe kodet e vendeve perëndimore ose janë formuluar me praninë e ekspertëve të ardhur nga këto vende. Por ashtu si dhe në fusha të tjera, shumë prej tyre nuk zbatohen ose deformohen me vetëdije në mënyrë skandaloze. Një eksperiencë e tillë, të krijon një ndjenjë pesimizmi përsa i përket efekteve të pritshme të reformës në drejtësi. Edhe në rrethanat aktuale, kam bindje se më tepër dominon mungesa e dëshirës për të vënë para përgjegjësisë gjyqtarët që kanë dhënë vendime të paargumentuara ose që kanë shkelur procedurat si dhe prokurorët që nuk janë në gjendje të  argumentojnë akuzat e tyre. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, më tepër përmendet për ndryshimet dhe lëvizjet e antarëve të tij se sa për marrjen në shqyrtim të aktivitetit të gjykatësve. Praktikisht një gjykatësi, të cilit, të paktën i janë hedhur poshtë vendimet e marra nga gjykata e apelit tregon se ky është ose i kapur ose i paaftë. Pra, para reformave, puna vjen tek njerzit, pasi në fund të fundit, këta janë zbatuesit. Dhe nga ky këndvështrim nuk ka asnjë garanci që ata të cilët do të vendosin mbi gjykatësit, do të jenë të ndershëm dhe të prirur për të mos i shërbyer askujt. Mendoj që, para se të flitet për disiplinimin e gjykatësve duke qëmtuar për masa e ndëshkime ndaj tyre, para se të ngrihen institucione për të vlerësusr punën e njerzve të drejtësisë,  më së pari duhen vendosur kritere rigoroze se kush mund të jetë gjykatës ose prokuror. Për këdo që pretendon të japë drejtësi, kupola e drejtësisë duhet të zhvillojnë hetime duke u shtyrë thellë në të kaluarën e pretendentit për të vlerësuar mbi të gjitha, shkallën e ndershmërisë së këtij dhe, në këtë aspekt, qoftë dhe një rast i vetëm negativ, është i mjaftueshëm për të hedhur poshtë pretendimin a ëndrën e tij. Nuk mund të shpresosh të bëjë drejtësi një individ që pavarësisht nga rrethanat, dikur, në një moment të caktuar është detyruar të bëjë një akt apo veprim të dënueshëm a të pamoralshëm në kundërshtim me ligjin dhe rregullat. Logjikisht, ky person me një handycap moral, është shumë vulnerabël ndaj tundimeve për t’u korruptuar pa përmendur presionet e ofertat nga politika. Një gjykatës, presupozohet të jëtë një individ i respektuar në shoqëri, respekt të cilin ta ketë fituar falë qëndrimeve dhe aktivitetit të tij ku një nga cilësitë kryesore  është ndershmëria. Kujtdo që ka pasur rastin të hyjë në gjykatat amerikane duhet ta ketë vënë re që gjatë seancave gjykatësit i drejtohen me “Your Honor”.  Ndoshta mund të jem i gabuar, po duke u nisur nga ato c’ka publikohen në mediat shqiptare për njerzit e pushtetit gjyqësor, si dhe duke pasur në konsideratë edhe 45 vitet e komunizmit kur gjykatësit dhe prokurorit u vinte me zarf nga partia vendimi që duhej marrë s’besoj që në Shqipëri të ketë ndonjë gjykatës i cili të jetë I respektuar dhe i nderuar nga shoqëria. Së dyti, vjen aftësia e cila në rastin e drejtësisë është e lidhur ngushtë me eksperiencën. Gjykatës a prokuror nuk mund të emërohet askush i sapo dalë nga bangat e shkollës, pavarësisht nga rezultatet shkëlqyeshme që mund të ketë pasur. Një gjykatës, në kuptimin e mirëfilltë, duhet të ketë një eksperiencë pune disavjecare si ndhmës e më pas si avokat, ku të ketë shpalosur aftësitë e tij duke demonstruar si shkallën e njohurive në jurisprudencë, ashtu edhe karakterin e tij. Në fillimin e viteve 90-të, “gjykatësit e plepave” ishin në një nivel shumë më të ulët se avokatët, një pjesë e mirë e të cilëve kishin qenë juristë apo dhe hetues në kohën e diktaturës të cilët jo rrallë talleshin me plepistët, duke i vënë në pozita qesharake. Aq më tepër, një rëndësi të padiskutueshme kanë dhe kriteret e mësipërme kur vjen puna tek ndërtimi i organit i cili do të vlerësojë punën dhe vendimet e gjykatësve. Këto 25 vite kanë treguar fare qartë se njerzit e pushtetit juridik e ndjejnë veten të përulur para politikës, gjë që është normale, kur për fatin e tyre vendos politika. Cështjet e pambyllura, në të cilat figurojnë emra politikanësh të rëndësishëm, mosdënimi i asnjë zyrtari të lartë provojnë se kapja e drejtësisë nga politika është jashtë cdo diskutimi. Rasti i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fullani është ndër më të fresktit në këtë aspekt. Akuzohet e prangoset prej prokurorisë, për të dalë i pafajshëm pas përfundimit të procesit gjyqësor. Logjikisht rasti “Fullani” të krijon bindjen se gjithshka ka qenë kurdisur për ta larguar atë nga kreu i bankës dhe drejtësia vetëm sa i ka bërëi ka bërë shërbimin e radhës politikës. Për këtë arsye është iluzion të pretendosh për një drejtësi “të kulluar” pa e shkëputur këtë nga tutela e politikës. Konkretisht, përsa kohë kryprokurori, krerët e gjykatave të niveleve të ndryshme janë produkt i votave të shumicës së radhës në parlament, është e kuptueshme që krerët e drejtësisë vështirë se do të gjejnë guximin për të marrë vendime që nuk i shkojnë për shtat kryeministrit të radhës, i cili, falë kartonave të deputetëve “ushtarë” është një zot i plotfuqishë që mund të shkarkojë e emërojë këdo nga krerët e institucioneve të cilët zgjidhen nga parlamenti. Prandaj sot, kur në rendin e ditës është reforma në drejtësi, shqetësimi kryesor nuk janë vetëm kriteret e përzgjedhjes së njerzve që do të përbëjnë këtë trupë, por edhe mundësia e “kapjes” së këtij institucioni nga politika, përderisa do të jetë produkt i parlamentit. Nisur nga ekperienca, duke qenë një produkt i kartonave të deputetëve “ushtarë”, cilado që të jetë shumica, tre të pestat apo dy të tretat, nuk shpresoj që KLGJ të justifikojë pritshmëritë lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Gjasat më të mëdha janë që KLGJ t’i shërbejë klanit që do e propozojë e votojë. Ndërkohë, më duket e cuditshme që në asnjë rast nuk vihet në diskutim zgjedhja e krerëve të gjyqësorit duke përfshirë dhe ata të qarqeve nga populli, ashtu sic zgjidhen vetë parlamentarët. Të paktën kështu, nuk do të ishin objekt I humorit e tekave të klasës politike në pushtet. Kur kam votuar për herë të parë në SHBA, vec emrave të presidentit, senatorëve dhe drejtuesve lokalë, lista përmbante dhe emrat e atyre që konkuronin për prokurorë e drejtues të gjykatave te shtetit dhe qytetit të Neë Yorkut. Madje dhe në Shqipëri, në kohën e diktaturës, një herë në katër vjet, zhvillohej farsa e radhës,e “zgjedhjeve për gjyqtarë e ndihmës gjyqtarë”, pavarësisht se emrat e atyre që do të “votoheshin”vinin nga “lart”. Në kushtet e Shqipërisë së sotme dhe me mentalitetitn e klasës politike për të qenë besnike e “njëshit” si mënyra e vetme për të bërë karrierë, ndoshta do të kishte qenë më mirë që edhe institucione si presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidheshin direkt nga populli.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, Mirë reforma në Drejtësi, po njerzit?

Rrezja e munguar e historisë!

January 16, 2016 by dgreca

(Mbi një paralele të vështirë)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
Asnjë nga kancelarët gjermanë (përveç Helmut Kohl-it, i alternuar me votë elektorale), nuk është larguar vullnetlirshëm nga arena politike. Ç’i shtyri këta burra shteti, me prejardhje, dhunti e cakvënje të ndryshme, t’katrriseshin për Zyrën e epërme, deri në kufijtë e fundmë të qëndrueshmërisë?
Këtë përfundim do lexoja këto ditë nga A. Baring e G. Schöllgen në librin “Kancelari, Krizat Koalicionet”, sipas të cilëve ardhja e Gerhard Schröder-it ishte akti i kulluar i prerjes: nuk pati më kancelarë që vinin nga frontet a nga rinia hitleriane dhe as u shtrënguan të këpusnin në gjysmë mandatin pushtetar.
Demokracia është një univers sëndertimesh të lirisë njerëzore dhe, prandaj, ata do iknin detyrimisht për ti hapur udhë jetës që priste këtë prej tyre.
I pari kancelar i pasluftës, Konrad Adenaueri i lavdishëm, së toku me CDU-unë bavareze, pati në mandatin e tretë shumicën absolute, por, i prirë rezonit shtetëror, do t’përfshinte në qeverisje dhe Partinë (moti të shuar) Gjermane. Mirëpo do të dorëhiqej në nisje të legjislaturës së katërt, tashmë 85 vjeçar (15 tetor1963), pas aferës së Schpiegel-it që kje përgjuar e akuzohej për trathti të lartë.
Pasrendësi i tij e arkitekti i mrekullisë ekonomike, Ludwig Erhard, do të largohej shpejt e pafatsisht, sepse, thjeshtë, nuk kje i zoti të koaliciononte me SPD-në tek ngjitej furishëm në grafikonin e fuqimatjes pilitike. Epilog të ngjashëm do të përjetonte dhe trashëgimtari i tij, Georg Kiesinger, duke rënë në vitin e tretë të mandatit të cunguar. Në kundërshti të pakalkuluar me njëlloj pakti të nënujshëm, ai s’i rezistonte tundimit për afrimitet ndaj Amerikës, në dëm të aksit europian me Parisin ngadhnjyes, dhe afiniteti atllantist doli të ishte një mëkat i shtuar hakmarrës që do t’përnxiste mbarimin e tij.

Më pas do të trokiste në portën e madhe të kohës Willy Brandt, autori i Politikës zhbiruese të lindjes, për ta drejtuar Republikën e Bonit deri më1972, kur nuk e përballoi dot votëbesimin që do ta lamtumirëte me kupolën e strategjisë së urtë e shpupuritëse gjermane. S’ishte vetëm Günter Guillaume nga rrethi i ngushtë i Zyrës, po dhe dy deputetë të tjerë koalicionistë që rezultuan të rekrutuar nga Sigurimi i fshehtë i Henecker-it, si një fragment deshpërues ndërgjerman në rivalitetet e Luftës së ftohtë.

Ndërkaq Helmut Schmidt, më virtuozi i të gjithëve (i zgjedhur në vitin 1973), po si pararendësi i tij, do të disfatohej nga një votëbesim që mori shkas humbjen e shumicës, pasi dorëzuan pabesisht ofiqet e tyre disa ministra të FDP-së së Dietrich Gencherit, dinak e manovrues i shkathtë.

Këtë rrëzim të beftë do ta pasonin rrufeshëm zgjedhjet e reja parlamentare. Një njeri, tashmë, merrte udhën e vështirë për të bërë histori. Ishte Kancelari i famshëm i bashkimit, Helmut Kohl, që i vetmi (nga moti i largët 1982 deri vonë në ndërrim Rendesh botërorë -1998), do ti vente deri në sosje të katër mandateve shtetprijëse në Bonin, prore modest e të përulur.

Mandej, meritash të tij epokale, Republika e mëkëmbur dhe krenare, do të shpërngulej përgjithmonë në Berlin. Flamuri i Gjermanisë unike do valonte prapë mbi Rajhstagun madhnor plot hir, mistikë e kujtime…Aty do themelonte shumicën e tij Gerhard Schröder, postamenti i të cilit do bëhej Agjenda reformatore 2010 dhe Qendra e re (Neue Mitte), që do ta zbehte identitetin e majtë partisë më të vjetër gjermane. Kjo pati koston të rëndë: plasaritjet idhnake brënda fraksionit parlamentar dhe pakësimin e ithtarsisë. Por kulmi do vinte pastaj kur Partia e tij do humbasë Bastionin 34 vjeçar në Saksoninë e ulët. E ai, në gjurmët e ikonës Brandt, me një korrik 2005, vë në provë besueshmërinë dhe votohet negativisht. Pas tij e akoma sot në Willy Brandt Strasse 1, në krye të Guvernës qëndron tash 11 vjet Angela Merkel, Zonja më e fuqishme e Europës!
E pra, qoftë nga instrumenti i votëbesimit, qoftë nga tkurrja (edhe taktike) e mazhorancës apo, së mbrami, nga trysnia e aferave me temën e trathtisë ose bjerrjen e legjitimitetit moral – ata do të hiqnin mantelin e ftohtë të Kancelarit për të riveshur kostumin e qytetarit të lirë.
Në Kosovë, natyrisht, gjithëçka është ndryshe. Ajo nuk ishte ndër vite pjesë e rrezes së faktorit Habsburg, si hapsira veriperëndimore e Gadishullit ilirik, por nën hijen e gjatë të faktorit të errtë otoman. Por, prapë: përse duhet të jetë kaq shumë ndryshe! A nuk gëzojnë status afere shtetërore në kufi trathtie, Aktet e Brukselit e Vjenës, që i bën firmatarët e tyre jo vetëm moralisht, por dhe kombëtarisht të harxhuar e, madje, të rrezikshëm, për të qenë tutje në krye të punëve shtetërore?
Nëse ndonjë kancelar gjerman (Brandt) qortohej pse s’arriti të shmangë syrin e keq të spiunit komunist – këta duket të jenë spiuj vetë! Rrjedhimisht, a s’është pak vështirë të funksionojë në llojin e tyre arsyeja e shtetit apo ndjesia e etikës!?
Ndaj dhe, me gjasë, i mbetet të tjerëve t’ua rrëfejnë shtegun e zbritjes këtej poshtë, ku i pret frika e makthi i natës..!
Berlin/, kallnor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: e historise, Rexhep Kasumaj, Rrezja e munguar

SKAVICA – tradhëtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë

January 15, 2016 by dgreca

Shkruan:GERI SELENICA/*
SKAVICA – tradhëtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë, kryevepra e artit qeverisës të Edi Ramës
(rënia e shkencës dhe sundimi i pseudo artit)/
Uji dhe energjia janë dy elementët kryesorë të jetës. Mirëmenaxhimi i tyre është menaxhimi i jetës dhe i kombit. Marr shkas për këtë analizë nga Vendimi i Qeverisë për dhënien me konçesion një firme private të HEC Katundit të Ri (Skavicës).
Por ç’është HEC Skavica:
-Lumi Drin ka 50% të rezervave ujore të Shqipërisë dhe energjia e marrë në Drin është 3 – 4 herë më e lirë se në Vjosë dhe shumë më e lire se në lumenjtë e tjerë.
-HEC Skavica është vepra energjitike më strategjike dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë (më i madhi në Europë), 7 miliardë m3 ujë.
-Liqeni i Skavicës (sipërfaqe 100km2, gjatësi 100km) do të ndyshonte pozitivisht klimën dhe ekosistemin në Shqipëri duhe zhdukur krejtesisht rrezikun e thatësirës, me efekt të ngjashëm me atë të digës së Aswanit në Egjipt;
-HEC Skavica disiplinon përfundimisht problemin e përmbytjeve në ultësirën Shkodër/Lezhe. Në se nuk do të ishte kaskada e Drinit, në 7.1.2016 Drini kishte prurje 3’000m3 në sekondë dhe Shkodra do të qe krejtësisht e përmbytur;
-HEC Skavica me digë të madhe 485m është i vetmi varjant zyrtar i aprovuar me vendim Qeverie të vitit 1961 dhe është ratifikuar në 2 marrveshjet e ujrave me Jugosllavinë të vitit 1956 dhe 1961 (që janë ende të vlefshme me Maqedoninë);
-Si pasojë e shpyllëzimeve është përshpejtuar mbushja e digave me aluvione. Konkretisht HEC Fierzës i është mbushur 20% e rezervuarit me aluvione dhe jetëgjatësia e tij është rreth 50 vjet. Ç’ka e bën të domosdoshme nevojën afat gjatë të një rezervuari më të madh në rrjedhën e sipërme, si HEC Skavica.
Krejt për arsye korruptive nga qeveria e vitit 2003, në pamundësi që një investitor privat (TGK) të bënte HEC Skavicën zyrtare, konsideroi edhe 2 varjante më të vogla (studimi Sogreah), por që zyrtarisht s’u aprovuan kurrë.
a – Varjanti maksimal është ende në fuqi me digë 220m, me lartësi liqeni në 485m, 390MW, me prodhim 2 miliardë MWh/vit, me rezervuar ujor 7 miliardë m3 ujë.
b – Varjanti i mesëm është deri në kufirin me Maqedoninë në lartësinë 445m dhe do të krijonte një rezervuar ujor 3 miliardë m3 (43% e varjantit të madh).
c – Varjanti minimal (i aprovuar së fundmi nga qeveria) është me 2 HEC-e të vegjël me rezervuarë ujorë në total 5 herë më pak se varjanti maksimal.
Problemi kryesor i ketij vendimi të qeverisë nuk është korrupsioni, por rrugëzgjidhja inxhinierike. HEC Skavica nuk është një HEC normal (pasi fuqia e tij gjeneruese është më e vogel se e Fjerzës dhe Komanit), por është një rezervuar ujor strategjik kombëtar, 3 herë më i madh se Fjerza ose 2 herë më shumë se e gjithë kaskada e Drinit.
Problemet inxhinierike e menaxheriale që krijon HEC Katundi i Ri janë:
1 – Ndërtimi i tij e bën absolutisht të pamundur ndërtimin e HEC Skavica e Madhe, duke shkatërrur përfundimisht pasurinë më të madhe ujore kombëtare prej 7 miliardë m3 ujë.
2 – Fuqia e instaluar në HEC Katundi i Ri (57MW) e kthen Drinin e Zi në një përrua, duke shkaktuar humbje të mëdha energjitike (200 milionë euro në vit).
3 – Për të rritur efiçencën energjitike, kaskada e Drinit kërkon një menaxhim të integruar nga një operator (KESH), ç’ka rrit efiçencën energjitike në 10%.
4 – Duke qenë se HEC Skavica është një rezervuar ujor dhe jo një HEC i zakonshëm nuk mund t’i jepet një konçesionari, që ka interes të prodhojë energji, ndërsa KESH ka interes të ruajë energji. Dmth kanë dy qëllime krejt të kundërta. Pra ky model eshte kundër interesit publik. Për këtë arsye janë tërhequr investitorët më të fuqishëm në Europe (ENEL, RWE, EVN).
5 – Faktikisht është dhënë HEC Ashta me konçesion. Por dhënia me konçesion edhe e hidrocentralit të sipërm të kaskadës e fut KESH-in në një sanduiç midis dy privatëve dhe e bën shumë të pa menaxhueshme kaskadën e Drinit. Interesi publik e do që Skavica të jetë vetëm pronë e KESH-it.
6 – Në se do të binim dakord që do të bëheshin 2 ose 3 HEC-e të vogla, Katundi i Ri është vendi më i mirë për të ndërtuar HEC dhe e ul shumë interesin potencial për HEC-et e tjera të vogla mbi Drinin e Zi. Pra faktikisht në vend të HEC Skavicës së Madhe mbi Drinin e Zi do të mbetej vetëm HEC Katundi i Ri!!!
7 – VKM nr.1068, dt 23.12.2015 ka shkelje juridike, pasi qeveria duhet të shfuqizojë VKM-në e vjetër, pastaj të marrë një vendim të ri me të njëjtin objekt.
8 – Qeveria nuk ka bërë dëgjesa publike me popullsinë e Dibrës dhe të vlerësojë seriozisht ndikimin social e ambjental të gjithë varjanteve, sipas standarteve më të larta të përcaktuara nga “Hydropower Sustainability Assessment Protocol” (http://www.hydrosustainability.org/). Në fakt Skavica e Madhe përmbyt 10% të Dibrës dhe popullsia është e terrorizuar nga kjo ide. Por me një vizion të përpunuar me ekspertë nga më të mirët në botë, një liqen i madh do ta bënte Dibrën Zvicër.
9 – “Procedura e juridike” e dhënies me konçesion një firme “mike” të një aseti publik është më se e mirënjohur në Shqiperi. Qeveria po e çon në ekstrem traditën korruptive të qeverive pararendëse, por për mua kjo është dytësore në këtë rast. Unë jam në dijeni që qeveria shqiptare ka marrë propozime (bile ka firmosur Letra Mirëkuptimi) për ndërtimin e Skavicës së Madhe si pronë e KESH nga 3 kompanitë më të mëdha në Kinë dhe në botë (PowerChina, GeZhouBa dhe Norinco), që i propozuan qeverisë shqiptare (KESH-it) financimin 100% të Skavicës së Madhe (1 miliardë euro), me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet ‘grace period’ dhe në vazhdim 2% në vit interes. Por qeveria shqiptare edhe pas më shumë se një viti nuk i ka kthyer asnjë përgjigje propozimeve kineze. Disa ministra ma kane thene troç që Rama ja ka premtuar Skavicën turqve. Pra turqit kanë pasur 2 vjet kohë që të përgatisin “Propozimin e Pakërkuar”, kur që çdo firmë tjetër s’është lejuar të marrë pjesë. Tani Ministria e Energjitikes mund ta bëjë ‘tenderin’ e “brenda ligjit”.
KESH është shprehur me shkrim kundër dhënies me konçesion të HEC Katundi i Ri, pasi dëshëron që Skavicën ta ndërtojë e administrojë vetë, por qeveria e ka parë të arsyeshme të mos e marrë parasysh pozicionin e KESH, por të AKBN (të dy inxhiniereve partiake paeksperiencë)!!!
10 – Nga ana politike, për vetë rëndësinë strategjike, HEC Skavica kërkon një konsensus të plotë midis forcave politike kryesore, pasi flasim për një vendim me efekte shekullore në ekosistem, ekonomi dhe shoqëri.
Për motive të tilla janë bërë dhe do të bëhen shumë luftera, kështu që një vendim kaq strategjik politik kombëtar nuk mund të merret nga dy mësuesa (vizatimi dhe anglishte), stimuluar nga avujt e alkoholit të verërave 50’000 euroshe dhe nga shoqëria galante në hotelet luksoze të Stambollit!!! Mungesa e seriozitetit e profesionalizmit në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nga ana e kryeministrit Rama, janë shumë të qarta, që nga politikat ekonomike ekstreme anarshiste e neoliberale, që nuk kanë pikë lidhje me politikat socialdemokrate apo me zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë. Por Skavica është qershia mbi tortë e vizionit dhe menyrës së qeverisjes së Edi Ramës, sepse tregon paaftesine totale në planifikimin strategjik kombëtar, në inxhinieri dhe në ndërtimin e shtetit, tregon shterpësinë e vizionit të tij ekonomik, si dhe është vazhdimësi e metodave të tij korruptive dhe naive të thithjes së investimeve të huaja, që deri më sot i kanë rezultuar krejtesisht jo produktive (pasi ka zero investime). Në se do të qe thjeshtë korrupsion, si pjesa më e madhe e metodave të tij qeverisëse klienteliste e konçesionare (edhe më ekstreme se qeveritë e mëparshme), nuk do të na kishte ndezur llambën e kuqe, pasi ai vetëm këtë metodologji di prej 15 vitesh. Por shkatërrimi i asetit më strategjik të ekonomisë kombëtare, shkatërrimi i punës më të madhe inxhinierike të bërë për dekada të tëra, HEC Skavica, është një vijë demarkacioni, që ka pasoja të pariparueshme kombëtare për breza të tërë, të cilën edhe ai vetë me ministrat e tij, nuk arrijnë ta kuptojnë për shkak të formimit, edukimit dhe moralit të cunguar. Imagjinoni: Edi Rama “Laboratorin Hidraulik” (që e ka çdo shtet) do ta kthejë në “Qendër Arti” (ndërkohë që në një pjesë një miku i tij i ngushtë deputet “socialist” ka ndërtuar një pallat). Ndërsa modelimet e shkarkimit të ujrave inxhinierët e KESH-it po mundohen t’i modulojnë në qiell të hapur tek “Bregu i Lumit”!!!
EDI RAMA me AFERËN SKAVICA s’është thjesht një “KRYEGRABITËS“ i burimeve natyrore (dmth. merr atë që të leverdis sot pa menduar për nesër), siç është bërë traditë politike ketu, por ai ka kaluar VIJËN E KUQE të INTERESIT STRATEGJIK KOMBËTAR. Strategjikisht shkatërrimi i rezervës më të rëndësishme ujore të Shqipërisë është TRADHËTIA ME E MADHE KOMBËTARE në historinë e Shqipërisë, shumë më e madhe se falja e Shën Naumit Jugosllavisë apo tentativa për dhënien e detit Greqisë.
*E dergoi per Diellin Kolec Ndoja

Filed Under: Analiza Tagged With: Geri Selenica, SKAVICA – tradhëtia më e madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë

GJYQTARËT DHE PROKURORËT E DIKTATURËS, JO PJESË E SISTEMIT TË DREJTËSISË!

January 14, 2016 by dgreca

GJYQTARËT DHE PROKURROËT E DIKTATURËS TË JAPIN LLOGARI PËR KRIMET DHE JO TË JENË PJESË E SISTEMIT TË DREJTËSISË!
Besim NDREGJONI/
President i Unionit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politike! /
Të Burgosurit dhe të Përndjekurit Politikë të Shqipërise po ndjekin me vëmdje situatën politike në vend dhe në veçanti reformën në Drejtësi si një akt madhor për shoqërine dhe shtetin tonë , për të pasur një sistem drejtësie të pamvarun dhe në shërbim të qytetarve. Realiteti për këtë reformë po ndesh me arrogancën e mazhorancës aktuale e cila duke mos përfillur rekomandimet e Komisionit të Venecias hartoi një draft vetëm me ekspertët e PS. Drafti i ekspertëve politike të PS , jo vetëm që nuk i shërben drejtësisë por është në shërbim të politikës qeverisëse dhe intersave meskine të juristëve që i kan shërbyer regjimit diktatorial, dhe aspak shoqërisë dhe shtetit të së drejtës për të cilën ka nevojë Shqipëria. Mendjemadhsia utopike e këtyre ekspertëve anashkalojne rekomandimet e Venecias, dhe pa i vrarë ndërgjegjja morale e profesionale kërkojnë të rikthejnë në organet e drejtsisë mbas 25 vitesh gjygjtarë, prokurorë , hetuesa , avokatë që kan qënë pjese e sistemit komuniste dhe kanë dhunuar të drejtat dhe lirite e njeriut.. dhe më keq që këta individe që morën vendime politike, pushkatime, burgosje , internime, ndaj shtresës së të përndjekurve politike sot mbas një çerek shekulli duan të marrin drejtësine dhe ta bëjne monopol të politikës sunduese të një mazhorance e cila dhe pse është trashgimtare e partisë komuniste gjatë kohës së ndryshimit nuk pati kurajon të kërkonte falje për krimet e komunizmit. Shpirtat e të pushkatuarve , e jetët e mijera të denuarve e të internuarve pa faj, nga kjo bandë avokatësh e gjygjtarësh i drejtohen Presidentit të Republikës, mikut dhe aleatit tonë SH.B.A Ambasadorit Donald Lu, përfaqesueses së Komisioni Europian Ambasadores Vllahutin, si dhe faktorit ndërkombëtar, të ndalojnë menjëherë këtë draft sa antikushtetues por dhe anti shqiptar që e kalon sistemin tone demokratik të brishtë në anale diktatoriale . Ambasadori Lu u trondit kur vizitoi kampin e çfarosjes së Spaçit para disa muajsh dhe dha mesazhin që këto krime nuk duhen harruar dhe të u trasmetohet brezave të rinj kjo histori tragjike. Atëhere shtrohet pyetja a mund të jenë pjesë e sistemit të drejtsisë këta ekspertë , avokatë, hetues, prokurorë që me ligjin e xhunglës ndërtuan ekzekutuan këto kampe çfarosëse të jetëve njerzore. Mijëra familje ish të përndjekura politike nga regjimi mizor komunist, si pjesë e kësaj shoqerie, që ma shum se kush do popull tjetër në të gjithë europën juglindore vuajti dhe u masakrua nga e ashtuquajtur “drejtësi diktatoriale” presin një sistem drejtësie që të jetë në shërbim të qytetarve dhe jo të kriminelëve të politikës aktuale. Sinqerisht dhe me faktorin ndërkombëtar shokohemi kur shikojmë nga ana e tyre heshtje sikur në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë nga diktatura staliniste, sikur krimet filluan tani me korrupsionin e politikanëve. Sot të pushkatuarit pa varr të burgosurit politikë shqiptarë kërkojnë njëzëri jo drejtësi me prokurorët dhe gjygjtarët që dhunuan të drejtat e tyre në kampet çfarosëse të Spacit, e Burrelit, të Qaf-Barit e të Maliqit ku akoma nuk ju është tharë gjaku nga këta torturues të cilët në vend që të i nënshtroheshin një Nurembergu shqiptarë për krimet , ata sot po japin leksione demokracie pa asnjë moral njerzor. Jemi në unison për të bërë një sistem drejtësie siç e kërkon aleati i ynë i përjetshëm SHBA nëpërmjet ambasadorit LU.. dhe Komisioni Europian. Ne presim që sistemi i drejtësisë të denoi krimet e komunizmit, të denoi krimet e këtyre që duan të rikthehen në sistemin e drejtësisë, ne kërkojmë drejtësi për të gjithë shqiptarët. Denim krimesh për kriminelët e të korruptuarit, nqs sitemi i drejtësisë sot është i korruptuar dhe kjo është e vërtetë , kjo vjen thjesht se gjygjtarët e djeshëm mbajtën peng sitemin dhe e bënë të korruptuar duke mos denuar krimet makabër të komunizmit , dhe duke e futur në sistem ma anë ligjesh politike korrupsionin krimin që ka përfshirë politikëbërjen shqiptare. Shqipërise nuk i mungojnë kapacitetet dhe nuk ka pse të ngelet peng i këtyre ekspertëve që duan të dhunojnë demokracin me të inkriminuarit e djeshëm duke shfrytëzuar politikishtë sistemin demokratikë. Ne të përndjekurit politike shqiptar mbas 25 viteve pluralizëm , kemi kapacitete intelektuale që të i shërbejmë kësaj reforme pamvarsisht se politikbërja na ka perjashtuar nga kjo e drejtë me ligje “demokratike.” Çdo heshtje ndaj kësaj maskarade ligjore që na paraqitet si draft për sistemin e drejtsisë nga kjo mazhorancë politike është një krim që i bëhet shoqërisë dhe shtetit të së drejtës. Sovrani kërkon drejtësi për të denuar korrupsionin e sotëm në politikberje , dhe krimin e vrasjeve dhe burgosjeve politike pa faj të djeshëm, kur kjo të zbatohet shqiptarët do të kenë qetsinë dhe do të jenë pjese e demokracisë europiane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, e diktatures, gjyqtaret dhe prokuroret

Në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare

January 14, 2016 by dgreca

Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, {QNOD} analizon punën 1 vjecare /
Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 8 janar 2016, në Qëndrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare {QNOD}, Plepa, Durrës, u zhvillua analiza e punës së kryer nga ky Institucion për vitin 2015 për monitorimin e situatës detare në vendin tonë. Në analizë morën pjesë drejtues të QNOD dhe titullarë nga institucionet pjesmarrëse të këtij institucioni, Forca Detare, Policia Kufitare dhe Imigracionit, Antikontrabanda Detare, Administrata Detare dhe Kapitaneria, Drejtoria e Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë, përfaqsues të Ministrisë së Mjedisit, etj. Fillimisht Gjeneralmajor{R}, Maksim Malaj, Drejtor Administrativ i QNOD, i uroi një vit të mbarë të gjithë institucioneve pjesmarrëse në këtë institucion dhe më pas prezantoi disa nga aktivitetet dhe problematikën kryesore me të cilën është përballur QNOD përgjatë vitit të kaluar. Në vijim zoti Malaj evidentoi disa nga operacionet kryesore të realizuara nga institucionet tona detare gjatë vitit 2015, bashkërendimi i mjeteve dhe personelit për realizimin me sukses të tyre, stërvitjet e trajnimet e kryera për përgatitjen e personelit, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA, Flotën e 6-të në Mesdhe, Qendrën e Simulimeve të FA, Guardia Financën, etj. Gjithashtu zoti Malaj theksoi përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor të QNOD dhe subjekteve të tjera detare, vështirësitë e hasura gjatë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbajtjes në gatishmëri të sistemeve vëzhgues të hapësirës detare, zbatimi i ligjshmërisë në det, realizimi i buxhetit, etj. Në këtë analizë ne për herë të parë paraqesim dhe analizën e riskut, atë se cfarë ka ndodhur në operacionet detare dhe efektshmërinë e tyre. Në sajë të punës e përkushtimit të personelit përbërës të institucioneve detare u arrit që gjatë vitit 2015 të shpëtohen 79 persona, 26 mjete detare, kryesisht peshkatore dhe mjete turistike, ndërsa për shkelje ligjore u ndaluan 8 mjete detare, tha Gjeneral Malaj. Në vijim të analizës Kapiten i Rangut të I-rë{R}, Astrit Aliaj, ZvDrejtor i QNOD, trajtoi gjerësisht punën e QNOD gjatë vitit 2015. Gjatë këtij viti, QNOD-ja ka organizuar punën dhe ka pasur angazhimin maksimal për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga aktet ligjore e nënligjore. Direktiva e Mbrojtjes, Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Kodi Detar, Ligji për Peshkimin, VKM për Ndotjet Detare, etj, ka qenë baza udhëzuese për hartimin e planeve e programit 1 vjeçar të punës së QNOD-së. Në vijim zoti Aliaj nënvizoi prioritet dhe objektivat kryesore të QNOD, ndjekja e situatës detare, informacionet e mara nga SIHVD, sistemit Automatik të Identifikimit, sistemit BlueBox, Patrullimet nga Roja Bregdetare, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, trajnimi i personelit e strukturave përfaqsuese në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëengjin me mbështetjen e Ambsadës së SHBA dhe misionit ICITAP, të cilat kanë synuar në njohjne e dispozitave ligjore e nënligjore, rregullave të drejtimit e komunikimit në det, sigurimin dhe analizimin e informacionit, vlerësimin dhe marrjen e vendimit për cdo situatë detare, njohjen e teknologjisë dhe apraturave të reja, etj. Vecojmë këtu seminarin e organizuar në sallën e trajnimeve të Autoritetit Portual Durrës për shtimin e sigurisë në porte nëpërmjet luftës kundër armëve të shkatërimit në masë dhe akteve terroriste, ku morën pjesë përfaqsues të institucioneve ligjzabtuese në det, nga jugu në veri. Krahas trajnimeve janë zhvilluar tre stërvitje të përbashkëta me Flotën e 6-të të SHBA në Vlorë dhe Durrës ku janë trajtuar tema që kanë të bëjnë me luftën kundër akteve terroriste, identifikimi i mjeteve të tyre, aftësimi i grupeve të bordingut për të vepruar në kushte të ndryshme ndaj shkeljeve të ligjshmërisë në det, etj. Krahas programit vjetor, në Qendrën e Simulimit të FA u zhvillua stërvitja “DELFINI 15-01”, për operacionet e Kërkim – Shpëtimit në det, zgjedhje kjo e lidhur edhe me situatën aktuale të fluksit të refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme drejt rajonit të Ballkanit dhe ku ekziston mundësia e përdorimit të rrugëve detare nga ana e tyre. Kjo stërvitje është e dyta që zhvillohet midis QNOD-së dhe Qendrës së Simulimit dhe kishte si objektiv rritjen e aftësive individuale dhe kolektive të oficerëve të shërbimit të institucioneve të Sallës Operacionale dhe koordinatorëve të institucioneve pjesëmarrëse në QNOD, në planizimin dhe drejtimin e operacioneve detare ndërministrore (SAR) duke përdorur Simulimin Taktik dhe të Konfliktit të Përbashkët (JCATS) si dhe me mjete e teknologji të tjera të avancuara trajnuese. Në përfundim të stërvitjes me oficerët e shërbimit dhe koordinatorët e institucioneve u zhvilluan analizat pas veprimit, në të cilat u shqyrtua me përgjegjësi detyra e marrë, vlerësimi i situatës, marrja e vendimit dhe ndjekja e situatës detare. Duhet theksuar se QNOD është institucioni që ka zhvilluar më shumë trajnime e stërvitje të personelit që shërben në gjithë institucionet detare. Shefi i trajnimeve të QNOD, Kapiten i Rangut të II-të {R}Aleko Kamberi, na sqaron se këto stërvitje e trajnime i kanë shërbyer më së miri rritjes së aftësive profesionale, jo vetëm të personelit të QNOD, por gjithë institucioneve shtetërore, ndërsa kanë ndikuar dhe në shtimin e nivelit operacional të tyre. Gjatë vitit 2015, personeli i QNOD-së punoi dhe për përfundimin e planit kombëtar të emergjencave, detyrë kjo në zbatim të VKM-së Nr.480, dt. 25.07.2012 “Për Reagimin ndaj Ndotjeve Detare në Republikën e Shqipërisë”. Po ashtu janë zhvilluar takime të vazhdueshme në prefekturat bregdetare, portet shtetërore e ato private duke dhënë asistencë ligjore dhe teknike në kuadër të hartimit të planeve të reagimit, të cilat janë miratuar për shkallën e parë dhe të dytë. Aktualisht QNOD po punon për përfundimin e detyrimeve për shkallën e tretë të reagimit ndaj ndotjeve detare. Në kuadër të Projektit IPA Adriatik “HAZARD”, nën drejtimin e Ministrisë së Mjedisit dhe me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit, Itali-Shqipëri-Mali Zi, QNOD me përfaqësuesit e saj mori pjesë në stërvitjen e përbashkët PAM-EX 2015, e cila u organizua në muajin maj, në qytetin e Durrësit. Kjo stërvitje kishte si synim të verifikonte gjëndjen e kapaciteteve reaguese si dhe të identifikonte boshllëqet në bashkërendim dhe bashkëveprim të institucioneve të përfshira në reagim sipas Planit Kombëtar. Për të gjitha stërvitjet e zhvilluara, mësimet e nxjerra dhe rekomandimet përkatëse u janë dërguar institucioneve dhe në bashkëpunim me koordinatorët janë marrë masa për trajnimin e personelit dhe përmirësimin e proçedurave të veprimit. Për përmirësimin e komunikimit me kapiteneritë e porteve u mundësua paisja e tyre me radio të sistemit TETRA dhe në kapiteneritë e Vlorës, Sarandës e Shëngjinit u instaluan edhe radiot stacionere me fuqi 10 Wat për fuqizimin e sinjalit. Aktualisht jemi në fazën e përmbylljes së studimit, i cili po realizohet nga PAMECA IV për përmirësimin e këtij sistemi si dhe me ndihmën e misionit EXBS po punohet për vendosjen e stacioneve të tjera shtesë për mbulim të plotë me sinjal radio. Gjithashtu pjesë e studimit PAMECA IV është dhe ngritja e faqes web për shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Përveç sistemeve të monitorimit dhe komunikimit, në QNOD është punuar sistematikisht dhe është bashkëpunuar me përfaqësuesit e ICITAP-it në QNOD, për realizimin e aplikacioneve, për gjenerimin e raporteve ditore dhe raporteve operacionale. Këto aplikacione kanë për qëllim standardizimin e informacionit të gjeneruar për çdo event/operacion, raportimin ditor, si dhe qëllime statistikore, të cilat na vijnë në ndihmë për analizën e riskut. Me miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, QNOD në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Peshkimore dhe Akuakulturës, Policinë Kufitare dhe Migracionit si dhe përfaqësuesve të firmës që e ka marrë në administrim për mirëmbajtje sistemin Blue-Box organizoi grupin e inspektimit dhe ushtroi kontroll në portet e Vlorës, Himarës, Sarandës, Shëngjinit dhe Durrësit ndaj mjeteve të peshkimit, të cilat duhet të kenë sipas kërkesave të ligjit të instaluar në bordin e tyre pajisjen e sistemit Blue-Box. Të gjitha problematikat e evidentuara në inspektimet e kryera janë trajtuar në informacionet që u janë drejtuar ministrive të linjës për marrjen e mëtejshme të masave dhe eleminimin e tyre. Pamvarësisht vendosjes në gatishmëri të sistemit Blue Box në muajin korrik, monitorimi i situatës peshkimore evidenton problematika të ndryshme, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve të Inspektoriatit të Peshkimit për vendosjen nën kontroll të flotës peshkimore dhe zgjidhjen e problemeve. Nisur nga problematikat e vërejtura dhe për përmirësimin e proçedurave të punës, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe ato bashkëvepruese, një rëndësi e veçantë i është kushtuar analizës së ngjarjes, ku në çdo analizë janë ftuar përfaqësues të institucioneve, të cilët kanë marrë pjesë apo kanë drejtuar operacionin detar. Nevoja e një bashkëpunimi në nivel institucional dhe ndërinstitucional, shkëmbimi i informacioneve ndërmjet institucioneve, mirëmbajtja e sistemeve dhe aseteve, kryerja e detyrës funksionale nga personeli, përmirësimi i akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me autoritetin, kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve, etj, janë disa nga mësimet e nxjerra dhe rekomandimet e dala se ku duhet të përqëndrohet puna në të ardhmen. Analizat i shërbejnë jo vetëm rritjes së bashkëpunimit, por edhe aftësimit të personelit në sallën operacionale dhe atyre në terren. E veçantë gjatë vitit 2015 ishte ngritja e grupit të analizës së riskut me përfaqësues të institucioneve pjesëmarrëse, detyrë kjo e përcaktuar dhe në rregulloren e proçedurave të punës së QNOD-së. Gjatë këtij viti, për herë të parë, në ambjentet e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u zhvillua analiza e riskut për periudhën janar-gusht 2015. Analiza pati si qëllim të saj jo thjesht evidentimin e fenomeneve të ndodhura në hapësirën detare, zonat e rrezikshme dhe ato më të nxehta, por edhe për të kërkuar mendime nga ana e strukturave përgjegjëse se çfarë u nevojitet dhe si mund ta përmirësojmë më tej analizën e riskut. Në të gjithashtu u rrahën mendime e pati sugjerime në lidhje me gjetjen e rrugëve të reja për marrjen e informacionit në kohë reale, rritjen e gatishmërisë së sistemeve dhe aseteve nga strukturat përgjegjëse, kualifikimin e personelit në qendër dhe në terren për ushtrimin e kontrollit dhe zbatimin e ligjshmërisë në hapësirën tonë detare. Në konferencën “praktikat më të mira” të organizuara nga misioni EXBS pranë Ambasadës Amerikane me pjesëmarrjen e QNOD-së, strukturave të Policisë Kufitare, Rojës Bregdetare dhe Kapitenerisë së Malit të Zi dhe Rojës Bregdetare të SHBA-së, u vlerësua misioni, organizimi dhe koncepti i funksionimit të QNOD-së, ku në themel të realizimit me sukses të misionit qëndron shfrytëzimi i informacionit dhe aseteve si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. Po ashtu vlerësojmë kontributin e ambasadës angleze, e cila mundësoi hapjen e kursit të anglishtes për njohjen dhe përdorimin të gjuhës operacionale për oficerët e shërbimit të Rojës Bregdetare. Krahas punës të bërë dhe arritjeve të evidentuara më lart, nisur dhe nga eksperienca disa vjeçare e ngritjes dhe funksionimit të qendrës, por edhe problematikave të konstatuara gjatë vitit që sapo kaloi mendojmë se vëmëndja e institucioneve pjesëmarrëse në QNOD, por edhe e personelit të saj duhet të fokusohet e përqëndrohet më tej në drejtimet, si:
-Përzgjedhja e stafit të shërbimit oficer civil të turnit në sallën operacionale, trajnimi i vazhdueshëm i tyre dhe ushtrimi i kontrollit nga ana e institucioneve pjesëmarrëse, me qëllimqë QNOD të rrisë rendimentin e punës dhe të garantojë suksesin e çdo operacioni në det. Informacioni dhe shkëmbimi i tij është një element shumë i rëndësishëm i mbarëvajtjes së punës, veçanërisht kjo në një qendër operacionale sikurse është QNOD. Misioni i qendrës është monitorimi i kufirit dhe hapësirës detare dhe reagimi i menjëhershëm për çdo situatë të krijuar. Informacioni merret si nëpërmjet sistemeve ashtu dhe nëpërmjet informacioneve që duhet të jepen nga institucionet në lidhje me asetet në dispozicion, me planet e lëvizjes së mjeteve detare, zbatimin e këtij plani apo ndryshimet e mundshme, hyrje-daljet në kohë reale të mjeteve detare në porte, etj. Po ashtu shkëmbimi i informacionit i siguruar nga shërbimet inteligjente të institucioneve në QNOD do të ndihmonte në organizimin e zhvillimin e operacionit dhe arritjen e suksesit. Pamvarësisht se evidentohet progres në këtë drejtim përsëri është e nevojshme rritja e besimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Njohja e situatës në hapësirën detare kërkon komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni nga mjetet në patrullim(dhe jo vetëm) me sallën operacionale në QNOD.
Në pjesën e dytë të analizës vjetore, zonja Laureta Zeqja, specialiste IT në QNOD, prezantoi analizën e riskut për vitin 2015. Kështu gjatë vitit të kaluar nga institucionet tona detare u zhvilluan 54 operacione të kërkim-shpëtimit dhe sigurisë në det, 56 operacione për kontrollin e kufirit, 2 raste të luftës kundër trafikut të paligjshëm, 6 raste për mjedisin, 10 raste të veprimeve të kundraligjshme doganore, 31 raste per mbrojtjen e pasurive peshkimore, 240 raste për peshkimin e paligjshmë, etj. Këto operacione janë zhvilluar bazuar në regjimin juridik të Republikës së Shqipërisë, psh. Rregjimi i shërbimit të ndihmës dhe kërkim shpëtimit në det, kryesisht, MM, Regjimi i lundrimit dhe siguria në det, MM, MTI, Regjimi i kontrollit dhe mbikqyrjes së kufirit detar, MPB, MM, MF, MMjedisit, Regjimi doganor, MF, Regjimi i peshkimit dhe akuakulturës, MB, Regjimi i Mbrojtjes së mjedisit detar, MMjedisit, MM, MTI, Regjimi i Mbrojtjes së pasurive detare dhe nëndetare, MM, Ministritë e tjera që kanë interesa në det, Regjimi i Mbrojtjes së pasurive historike dhe arkeologjike, MTurizmit, Regjimi i Lundrimit Turistik, MT, MTI, Regjimi Fito-Sanitar, MB, etj. Ndërsa problematika kryesore gjatë vitit të kaluar konsistoi në përzgjdhjen e stafit të shërbimit oficer/civil të turnit, trajnimi i vazhdueshëm dhe kontrolli nga institucioni përkatës, shkëmbimi i informacionit ndërinstitucional, ruajtja e gatishmërisë së aseteve që ka cdo institucion, mjete, pajisje, teknologji, aparatura, rritja e përgjegjsisë së personelit në zbatimin e detyrave për të garantuar sukses dhe efektshmëri në cdo operacion detar. Në këtë analizë risku, u paraqitet gjithë panorama e operacioneve të zhvilluara, vëndet, periudhat, fenomenet, etj. Kjo do të shërbejë strukturave pjesmarrëse të QNOD, se ku duhet të përqëndrojnë vëmëndjen, forcat e mjetet në funksion të realizimit të misionit. Gjatë paraqitjes së dy materialeve dhe më pas pati pyetje dhe diskutime nga pjesmarrësit në këtë analizë. Kështu Gjeneralbrigade Ylber Dogjani, Komandant i Forcës Detare u ndal në efektivitetin e aseteve që ka vënë Forca Detare në shërbim të QNOD. Këtu përfshihet personel i kualifikuar, Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, {SIHVD}, Anije të klasave të ndryshme, etj. Duhet bërë kujdes në interpretimin statistikor të operacioneve të ndryshme në det, nënvizoi zoti Dogjani. Natyrisht anijet e Rojes Bregdetare, për vetë përmasat dhe koston nuk mund të përdoren shpesh në operacionet brenda kufirit 3 milsh, këtu, kuptohet përdoren lehtësisht mjete të Policisë Kufitare, Antikontrabandës, etj. Gjithashtu Gjeneral Dogjani kërkoi nevojën e një vendimarrje të përbashkët gjatë operacioneve dhe sqaroi punën konkrete për mirëmbajtjen dhe vënien në gatishmëri të sistemit SIHVD nga personeli i QVD dhe kompania fituese. Drejtues të Qëndrës së Bashkuar Operacionale,{QBO}, nënvizuan nevojën e një plani kombëtar të emergjencave detare, përmirësimin e sistemit ligjor dhe ndarjen e zonave të përgjegjsisë me fqinjët, Itali, Greqi dhe Mali i Zi. Zoti Xhevair Karaj, Drejtor i Shërbimeve Operacionale në Policinë e Kufirit dhe Emigracionit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional, gatishmërinë e ssitemeve të vëzhgimit të hapësirës detare, statusi i policisë gjyqësore, planet e përbashkëta të patrullimit, etj. Gjykoj se gjatë vitit 2015 është bërë një punë më e organizuar nga QNOD si në operacionet e zhvilluara ashtu dhe në trajnimet e stërvitjet ndërinstitucionale, tha zoti Ylli Hatellari, Drejtor i Antikontrabandës Detare. Është e nevojshme që në stërvitjet e këtij viti të ketë më shumë situata e variante për antikontrabandën detare dhe përmirësimi i komunikimit. Zoti Arjan Demiri, Drejtor i Shërbimeve Peshkimore në MB, vlerësoi punën e kryer gjatë vitit 2015 si dhe shtimin e kapaciteteve njerzore e logjistike për mbulimin më mirë të situatës në portet e vendit. Gjithashtu zoti Demiri theksoi forcimin e kontrollit dhe zbatimin rigoroz të ligjit të peshkimit si nga inspektoriati i peshkimit ashtu dhe nga institucionet e tjera. Për këtë kërkohet një bashkëpunim më efikas me Sallën Operacionale dhe zhvillimin e patrullimeve të përbashkëta. Përfaqësues të Guardia Financës Italiane, rezidentë në portin e Durrësit, falenderuan titullarët e institucioneve shqiptare për bashkëpunimin e derritanishëm dhe nënvizuan nevojën e shkëmbimit të ndërsjelltë të informacionit për cdo shkeljet ligjore në hapësirën detare, përfshi dhe atë italiane. Në fund Zoti Maksim Malaj, falenderoi dhe njëherë pjesmarrësit për punën e kryer nga institucionet tona detare dhe kërkoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sallë, por dhe në terren, drejtimin e operacioneve, shkëmbimin e informacionit, gatishmërinë e aseteve të cdo institucioni përbërës së QNOD, një valë të përbashkët komunikimi në radio dhe rritjen e përgjegjsisë së personelit të institucionit që ai drejton. Para largimit, titullarët e institucioneve vizituan sallën operacionale “Fiqiri Kupe”, ku panë konkretisht punën dhe gatishmërinë e personelit që shërben në këtë sallë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Në Qendrën Ndërinstitucionale, Operacionale Detare, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 702
  • 703
  • 704
  • 705
  • 706
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT