• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Viti 1990 ishte annus mirabilis për ne shqiptarët

December 11, 2015 by dgreca

Nga Dr. Sali BERISHA/
Mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre studentëve dhe intelektualëve, që me aktin e tyre, trimërinë, guximin shndërruan në annus mirabilis vitin më të mërzitshëm të jetës sime, sepse viti më i mërzitshëm i jetës ishte viti 1990 për faktin se të gjitha vendet po ndryshonin kurse ne, dukej në aparencë se do të mbeteshim Kuba e Adriatikut. Por parashikimet ishin të gabuara sepse studentët, intelektualët dhe qytetarët e Tiranës ia dolën po atë vit ta shndërrojnë pas kaq e kaq vite të tmerrshme, horribilis, vit mrekullie për shqiptarët. Ishte vërtet një annus mirabilis sepse ne erdhëm në dhjetorin ‘90, duhet ta pranoj, si një komb i turpëruar, por dhe i poshtëruar. Nietzche ka thënë një fjalë të cilës ata që kanë provuar shtypjen dhe një mijë herë ta mendojnë nuk i heqin dot as edhe një germë: “njeriu i shtypur është turpi i natyrës, njeriu i lirë është fëmija i natyrës”.
Ne ishim të shtypur dhe të tillë erdhëm. Kjo lëvizje hapi për ne dyert e lirisë, riktheu për ne liritë dhe të drejtat e ndaluara me Kushtetutë, hapi për shqiptarët derën e një seri proceseve falë të cilave sot janë të lirë.
Ne si komb, por jo vetëm ne, çdo familje, çdo komb, çdo individ në udhëtimin e tij përballet me rreziqe, me vështirësi. Rreziqeve s’ke ç’u bën, do i përballosh dhe gabimi më i madh është të mendosh ndryshe, kurse vështirësitë me urti dhe mençuri edhe mund t’i zvogëlosh problemi ynë është se në mënyrë të përsëritur ne nuk kemi patur qëndrime të përshtatshme ndaj vështirësive dhe ja kemi komplikuar më shumë historinë vetes sonë.
Tani jemi në rrugën e lirisë, lavdi Zotit dhe besoj se edhe vështirësitë e përkohshme që janë reale, sepse ne, pas një tranzicioni, pas një pasazhi të rregullt të civilizuar të pushtetit që bëmë 2 vjet më parë, përballemi sot pas 25 vitesh me gjëra që imagjinata nuk mund t’i merrte me mend, përballemi me një përpjekje për të rikthyer kultin e Enver Hoxhës, përballemi me dekorimin e xhelatëve të vërtetë të sistemit komunist.
Sot të përndjekurit politikë donin të shkatërronin bunkerin në qendër të qytetit. Shumë nga ju këtu e keni të vështirë të imagjinoni pse kjo betejë me bunkerin, por për ata ai është simboli i burgut që ata bënë.
Për çdo shqiptar ai është simboli i mjerimit dhe varfërimit të tyre ekstrem. 16 vite me radhë 36% e buxhetit të shtetit u fut në bunker. Kurse për Edi Ramën që ndërtoi bunkerin është një atraksion atëror. Por prapë sot jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vend kandidat i BE, kështu që sado anakronike që duken këto qëndrime unë jam i bindur se do të marrin përgjigjen e merituar dhe se nuk kanë të ardhme.
Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë zoti President për nderimin që më bëtë dhe do të përpiqem që të bëj çfarë të kem mundësi, së bashku me të gjithë shqiptarët, që flamuri ynë të valvitet krahas flamujve të tjerë të Europës në Bashkimin Europian.

* Fjala me rastin e dekorimit nga Presidenti Bujar Nishani

Filed Under: Analiza Tagged With: për ne shqiptarët, Sali berisha, Viti 1990 ishte annus mirabilis

RIZGJIM TEJET I VONUAR APO FASADA E RRADHËS ?

December 11, 2015 by dgreca

*Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit./

* E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi./

*Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite./

NGA EUGJEN MERLIKA/

Vizita e Kryetarit të Shtetit në ish kampin e punës së detyruar të Spaçit është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin që, për herë të parë gjatë një çerek shekulli autoriteti më i lartë “denjoi” të shkojë e të shohë rrënojat e njërit nga “ferret” e socializmit shqiptar, por edhe për fjalën që mbajti dhe dekoratat që shpërndau. Duke mbajtur parasysh faktin se z. Nishani përfaqëson shtetin shqiptar e nuk ka folur atje si qytetar i thjeshtë, duhet të pranojmë se fjalët e tij janë edhe zëri edhe mendimi i politikës shqiptare sot. Do të ishim të lumtur të besonim ne, ish të dënuarit e Spaçit dhe të gjithë kampeve e burgjeve të Shqipërisë, se kjo është e vërtetë. Faktet e gjithë kësaj periudhe, t’ashtuquajtur të kalesës, na lënë dyshimin se edhe veprimi i fundit i Presidentit mund të jetë thjesht demagogji.

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga festimet e 29 nëndorit, përvjetorit të ditës kur komunizmi mori pushtetin në Shqipëri. Ajo ditë ishte fillimi i tragjedisë më të egër të kaluar mbi truallin shqiptar, pavarësisht se ajo ende sot serviret si çlirim nga pushtuesit, të cilët u larguan vetë, si pasojë e humbjeve në të tjera fronte. Në fakt ajo datë ishte robërim, jo për të gjithë, siç thuhet rëndom, por për një pjesë të popullsisë që nuk u pajtua me diktaturën. Nëse hymnizohet ende ajo ditë së bashku me njerëzit me të cilët lidhet kujtimi i saj, nuk mund të dënohen veprimet e regjimit që solli ajo, përfshirë këtu edhe kampin e Spaçit, si pasardhës i denjë i Orman-Pojanit, Bedenit, Vloçishtit, Vlashukut, Gjirokastrës, Burrelit, Tepelenës, Qafës së Barit e sa e sa emrave të tjerë, dëshmitarë, tashmë të heshtur, të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadrot e organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit. Ndërmjet dekorimeve të para një viti dhe atyre të para dy ditëve, të kryera nga i njëjti autoritet, Shteti shqiptar, cili i përgjigjet së vërtetës ? Pyetja është e ligjëshme edhe për logjikën më parake. E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi.

Strategjia e Katovices, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite. Të kujtojmë disa nga pikat e këtij programi të pashpallur, por të përqafuar fort nga e gjithë politika shqiptare pas komuniste :

1- “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”

2- “Brënda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”

3- “Neve na intereson karta e tyre morale. Këta do t’i afrojmë e do t’u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’i lëmë të na e marrin pushtetin….. Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në parà të burgosurve politikë, t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

            4- “…Ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste… “

5 – “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke u dhënë nga një pasaportë dhe duke u bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, të kundërshtojnë apo të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”

6- “Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.”

Sfidoj këdo nga politika shqiptare të mohojë vënien në jetë të këtij programi deri në hollësi.Madje edhe aty ku programi nuk është sendërtuar, ka qënë pika e dëmshpërblimeve për punën e papaguar të periudhës së dënimeve. Si duket, parashikimi i Ramizit u quajt tepër “bujar” nga pasardhësit, sa që e reduktuan kokoshin në thelë. Prej 25 vjetësh është dhënë vetëm një këst prej tetëve për ata që nuk janë më në jetë. Nuk e di nëse mund të ketë një tjetër term, veç talljes dhe mashtrimit, qëndrimi i Shtetit shqiptar kundrejt ish të përndjekurve politikë. Nëse Kryetari i Shtetit shfaq një tjetër qëndrim, nuk besoj të jetë frut i një evolucioni të brëndshëm i cili të ketë ndryshuar bindjet ndaj problemit. Ndoshta arsyeja duhet kërkuar diku tjetër : mësohet se më 27 tetor rrugën e Spaçit e ka bërë Donald Lu, ambasador i Uashingtonit në Tiranë. Zoti Lu ka shkruajtur në Facebook mbas vizitës : “Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.”

Është detyrë e një ish banori të kampit të Spaçit të falënderojë përzemërsisht ambasadorin e SHBA-s për këto fjalë. Në një të katërt shekulli asnjë përfaqësues i atij Vendi nuk është shprehur në atë mënyrë, madje nuk dij nëse ato janë frut i ndërgjegjes vetiake, që ka kaluar edhe vetë një traumë të tillë familiare, apo qëndrim zyrtar i politikës së jashtëme të Vendit të vet. Sidoqoftë ato fjalë kanë shërbyer si një këmbanë alarmi për klasën politike shqiptare që duhet të japë idenë se vlerësimi amerikan përkon edhe me të sajin. Që këtej turri për në Spaç, fjalimi e dekorimet. Në lidhje me këta më bëri përshtypje fakti i mungesës së dy emravet, të cilët, krahas Xhelal Koprenckës, duhet t’a kishin marrë me kohë vlerësimin e Shtetit demokratik, nëse ky do të kishte qënë vërtetë i tillë. Ata emra janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha. Ata të tre, për mendimin tim, janë heronj, sepse kanë shkuar drejt vdekjes, mbasi kanë plotësuar një detyrë qytetare dhe intelektuale kundrejt ndërgjegjes së tyre dhe Atdheut, duke i shkruar nga Spaçi Enver Hoxhës, për t’i thënë me pak fjalë se politika e tij ishte antikombëtare dhe antipopullore.

Ndjesa e pakërkuar është një nga argumentat e trajtuar në fjalën e z. Nishani. Është një argument i prekur me dhjetra herë nga ish të përndjekurit, por pa asnjë farë efekti praktik, mbasi asnjë nga ish nomenklatura e kuqe, për më tepër nga organet e dhunës, nuk e kanë ndjerë si detyrë morale e njerëzore t’a kërkojnë, sepse asnjëherë Shteti demokratik nuk e ka dënuar seriozisht, por vetëm për formë atë dhunë. Sot, kur ambasadorët e huaj po flasin me forcë për këtë aspekt të mjegullt të demokracisë shqiptare, politika nxiton t’a nxisi atë dukuri e presidenti bëhet zëdhënës. Kjo nuk bëhet për të korigjuar një domosdoshmëri morale të shoqërisë e të shtetit, por për t’a fshehur mangësinë mbas një fasade, në dukje të pranueshme, duke gjetur një kompromis në këtë drejtim me zëmërgjërësinë e ish të përndjekurvet.

Krahas kërkesës së faljes përmëndet edhe termi “drejtësi” që, për Presidentin, do të thotë : gjetje e eshtrave, hapje e dosjeve, dënimin ligjërisht dhe sidomos moralisht të kriminelëve gjakatarë etj. Të gjitha këto janë fjalë të bukura, madje shumë të vlefshme, por kush mund t’i besojë sendërtimit të tyre, kur për njëzet e pesë vjet nuk kemi ndigjuar asnjë rast, që të jetë proçeduar ndonjeri, dhe jo më shumë se një vit më parë janë dekoruar për “veprat” e tyre.

Drejtësi do të thotë proçedim penal për ushtruesit e dhunës dhe autorët e krimeve, siç bëjnë në botë edhe me 90-vjeçarë, ish roje të kampeve naziste, të mbijetuar deri në ditët tona. Gjetja e eshtrave dhe hapja e dosjeve janë një detyrim, i lënë tepër gjatë pa u plotësuar, për një shtet që kërkon të ndreqë imazhin e tij të lyer me gjak. Është një turp fakti që, ende mbas një të katërt shekulli, këta detyrime nuk janë plotësuar, madje vazhdojnë të shpalosen si “të mira” që u premtohen ish të përndjekurvet, në mënyrë alternative, nga dy grupet e pushtetit në rastin e fushatave zgjedhore.

Duke nxjerrë përfundimin e arsyetimit mbi fjalën e Presidentit në Spaç, mendoj se kemi të bëjmë me një tjetër veprim fasade, që i shtohet portreteve të martirëve të Kishës, në rastin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë.

Zotërinj qeveritarë, ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të kishit bërë për viktimat e regjimit që ju e trashëguat paqësisht. Besoj se nuk keni nevojë t’u a këshillojë askush, por ju nuk do t’i bëni kurrë ato sepse për ju, sikurse për paraardhësit tuaj në pushtet, ata mbeten “armiq”, edhe se atë fjalë nuk do t’a përmendni kurrë, mbasi nuk jetoni më në “kështjellën e pamposhtur të socializmit në botë”, por jeni në NATO e kërkoni të hyni n’Evropën e Bashkuar.

Duke qënë të vetëdijshëm për këtë të vërtetë besoj se kemi të drejtë t’u kërkojmë vetëm një “nder” : mos u tallni më me ne dhe mos bëni fatkeqësitë tona armë të luftës suaj për pushtet!

Dhjetor 2015                                                 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: APO FASADA, E RRADHËS ?, Eugjen Merlika, RIZGJIM TEJET I VONUAR

TRYEZA: Lufta kundër korrupsionit, dështime dhe progres në Kosovë

December 10, 2015 by dgreca

-Lufta kundër korrupsionit, dështime dhe progres/

-Ambasadori Delawie: Luftimi i korrupsionit është prioritet i imi dhe i SHBA-së në të gjithë botën. Ka vite me radhë që institucionet e Kosovës flasin për luftën kundër korrupsionit, por vetëm kjo nuk mjafton/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Dhjetor 2015/ Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të enjten, ka mbajtur tryezën me temën “Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi”. Në tryezë u publikua edhe raporti i IKD-së “Luftimi i korrupsionit në Kosovë, prioritet në letër” raport vlerësues gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial dhe sistemin gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin ministri Kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadori Amerikan, Greg Delaëie, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit, Laura Pula.

Në fjalën hyrëse, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka vlerësuar lartë raportin e IKD-së. “Kam parë që është bëre një punë e madhe. Përgëzoj hulumtuesit. Raporti paraqet një realitet ekzistues të Kosovës. Luftën, sfidat e ngecjet në luftën kundër korrupsion”, u shpreh Kuçi.

Tutje ai ka shtuar se, aspiratat tona për integrim në BE lidhen me ligjin dhe respektimin e tij, dhe luftimi i korrupsionit është krucial për integrim. Kuçi ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të ketë një adresë të luftimit të korrupsionit në veçanti të nivelit të lartë dhe se duhet të ketë një individ që identifikohet me luftimin e korrupsionit. “Ne duhet të krijojmë një hierarki në luftimin e kësaj dukurie. Sistemi në Kosovë ka shumë njerëz të ndershëm, profesionalë dhe të paanshëm, dhe këta njerëz duhet t’i fuqizojmë”, theksoi ministri i Drejtësisë, Kuçi.

Ambasadori e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se ka ardhur koha kur udhëheqësit politikë dhe zbatuesit e ligjit të venë në radhë të parë interesat e shtetit, dhe të zbatojnë luftën e korrupsionit pa kompromis.

“Kur them luftimin e korrupsionit, mendoj në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Korrupsionit i cili po e pengon Kosovën drejt integrimeve europiane. Korrupsionit që po pengon investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Çdo devijim nga kjo rrugë, do të pengojë Kosovën”, theksoi ai.

Ambasadori Britanik tha se, në këtë luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, organet e drejtësisë nuk duhet dhe nuk guxojnë në asnjë mënyrë të lejojnë zbatim të drejtësisë selektive.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kjo po ndodhë.  Kosova nuk duhet dhe nuk guxon të tolerojë ndërhyrje politike në procese gjyqësore”, tha O’Conell. Tutje ai ka vazhduar me vlerësimin se aktualisht organet e drejtësisë nuk po përmbushin mandatin e tyre në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi dëshmon se në bazë të aktakuzave dhe dënimeve të shpallura në Kosovë, del se kemi korrupsion të nivelit të ulët. Organet e drejtësisë nuk po munden të gjejnë guximin për të ndjekur personat e fuqishëm, pushtetarët e korruptuar që po pengojnë ardhmërinë Kosovës”, tha ambasadori Britanik O’Conell.

Ambasadori SHBA-ve në Kosovës, Greg Delawie, theksoi pjesëmarrjen në tryezën e IKD për të adresuar rolin e shoqërisë civile në këtë përpjekje, duke ia dhënë përgjegjësinë që të vlerësoj në mënyrë të pavarur këtë progres dhe të bëj rekomandime.

“Organizatat joqeveritare si IKD, të cilët shërbejnë si roje për publikun, që rrisin transparencën dhe ofrojnë rekomandime, duhet të jenë partnerë kyç në këtë përpjekje. Gjyqtarët dhe prokurorët duke punuar së bashku me shoqërinë civile mund të ndihmojnë që të ndryshohet realiteti dhe perceptimi mbi korrupsionin dhe të fitojnë përsëri besimin e publikut”, tha ai.

Ambasadori Delawie tha se “luftimi i korrupsionit është prioritet i imi dhe i SHBA-së në të gjithë botën. Ka vite me radhë që institucionet e Kosovës flasin për luftën kundër korrupsionit, por vetëm kjo nuk mjafton. Shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të aftë për ta luftuar korrupsionin. Për shkak të pozitës së rëndësishme që u është besuar ju duhet të mos keni fare tolerancë për rastet që i trajtoni, asnjë gjyqtar i korruptuar nuk duhet të punojnë në sistemin e drejtësisë”, tha ambasadori amerikan.

Ai theksoi se, korrupsioni është sfidë për Kosovën, ndërsa siguroi prokurorët dhe gjykatësit se në këtë rrugë nuk janë vetëm.

“Korrupsioni është sfida më e madhe që ka Kosova por ju nuk jeni vetëm, gjatë viteve të ardhshme SHBA do të investojë 12 milionë euro në infrastrukturën e sistemit gjyqësor”, tha ambasadori Delawie

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës,  Enver Peci, tha se raporti është gjithëpërfshirës me të dhëna më të plota se në raportet e kaluara dhe  se beson që rekomandimet janë të sakta dhe do shërbejnë për punë në të ardhmen.

Koordinatorja Nacionale Kundër Korrupsionit, prokurorja Laura Pula, ka thënë se IKD në procesin e monitorimit të sistemit prokurorial ka përmbushur me korrektësi dhe saktësi detyrat për të raportuar rreth performancës në luftimin e korrupsionit.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin të gjithë kryetarët e gjykatave themelore, kryeprokurorët e prokurorive themelore, gjykatës, prokurorë, përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, Ambasadës Norvegjeze, Ambasadës Holandeze, përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, EULEX-it, Zyrës së BE-së në Kosovë, OSBE-së, UNDP-së dhe Shoqërisë Civile.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari Korrupsioni, dehstime dhe progres

SHQIPTARËT DHE PLURALIZMI NË MAL TË ZI (1990-2015)

December 10, 2015 by dgreca

NGA DR. NAIL DRAGA/*

Pikërisht ne ditën  sotme  25 vjet më parë  me 9 dhjetor 1990 janë mbajtur zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi. Ishin këto zgjedhjet e para ku qytetarët për të parën herë zgjodhen në mënyrë të drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre përmes votës së lirë si përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike.

Zgjedhjet u mbajten ne të dy nivelet ate lokal dhe qendror ku më pas u be konstituimi i kuvendeve përkatëse, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre në organet ekzekutive.

Ne këto zgjedhje morën pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi, duke u  bërë pjesë e mozaikut pluralist. Por, para se të mbahën këto zgjedhje shqiptarët varësisht prej rrethanave shoqërore ne sistemin monist, hezituan ne formimin e subjektit të tyre politik. Tubimi i parë pluralist te shqiptarët u mbajt në Ulqin me 26 gusht 1990, në sallën e madhe të Komunës së Ulqinit, duke themeluar Forumin Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi.Ishte ky një moment dhe ngjarje e veçantë për shqiptarët sepse për të parën herë morën guxim dhe formuan një subjekt jopartiak për të parën herë jasht strukturave të pushtetit të kohës.Po ashtu atë ditë një grup qytetarësh pjesëmarres ne këtë  takim me pas  ne një shtëpi private  në  Kodra(Ulqin)  themeluan këshillin inicues për themelimin e subjektit politik te Shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa ditë më pas pikërisht me 9 shtator 1990 në Tuz  u mbajt  kuvendi themelues i këti subjekti politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi, qe ishte subjekti i parë politik i shqiptarëve në Mal të Zi.

Dhe është pikërisht ky subjekt politik qe u votu në mënyrë plebishitare  nga shqiptarët në zgjedhjet e 9 dhjetorit 1990 në të gjitha vendvotimet në viset shqiptare në Mal të Zi. Kështu në zgjedhjet parlamentare shqiptarët në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA) nga gjithsej 11 deputet, fituan 4 deputetë, ndërsa në Ulqin fituan pushtetin me shumicë absolute. Po ashtu fituan këshilltarë ne komunat tjera ku shqiptarët janë popullsi e konsiderueshme.Me pas janë  formuar edhe subjekte të tjera politike të shqiptarëve duke vendosur pluralizmin politik brenda komunitetit të shqiptarëve në Mal të Zi. Janë pikërisht këto subjekte politike  (UDSH, PPD, FORCA, BDSH, IQ, ASH, PD etj.) qe kanë marrë pjesë në zgjedhjet e tjera lokale e parlamentare në këto 25 vite në mënyrë të vetme apo ne koalicione.Ndërsa themelimi i  shumë subjekteve politike  në një popullsi numërikisht të vogëkl dëshmon qasjen karerieriste dhe atavizmin politik te disa individeve qe është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve ne këtë mjedis.

Varësisht prej rezultateve të arritura disa subjekte politike  ende janë në skenën politike ndërsa  disa janë tkurrur e madje larguar nga skena politike.

Por, me të drejt bëhet pyetja si qendron gjendja  me realizimin e të drejtave nacionale e qytetare të shqiptarëve në Mal të Zi ne këto 25 vite të pluralizmit.Pra kemi të bëjmë me një periudhë kohore të mjaftueshme për analiza shumëdimensionale.

Janë pikërisht këto çështje të cilat do të trajtohen ne ketë tryezë të rrumbullakët nga pjesëmarrësit. Eshtë përshtypje e përgjithshme se  nëse përjashtojmë  disa ndryshime kozmetike, statusi i shqiptarëve pothuaj ka mbetur ne statuskuo, e në disa aspekte është nën nivelin e kohës së monizmit.Duke analizuar  këtë periudhë kohore del qartë se pjesëtarët e popullit shqiptarë në Mal të Zi  janë duke u rrudhosur territorialisht e po ashtu duke u zvogluar numërikisht.

Emigrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi nuk është më dukuri por fenomn shqetësues qe nuk ka te ndalur, ku nuk do të kaloj shumë kohë ku shqiptarë nga Mali i Zi me shumë do te ketë në botën e jashtme se sa në viset tona autoktone.

Andaj çështje parësore për të gjithë ne duhet te jetë mbijetesa jonë në hapësirën etnogjegrafike shqiptare tash e në të ardhmen, si qytetarë të barabartë me identitet  duke  kriuar kushte  optimale për  jetë e jo politizimi i raporteve  shoqërore për interesa personale, partiake e klanore.

Përvoja e deritashme është e mjaftueshme për të kuptuar se punët tona nuk na i kryejnë të tjerët, andaj nevoitet angazhim konkret me kuadra profesionale dhe të guximshëm për të avancuar çështjet të cilat janë preokupuese për shqiptarët në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se koha prej 25 vitesh është e mjaftueshme për të parë si ishim, si jemi dhe si duhet të jemi, ne raport me vetën dhe me të tjerët.

Gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare shqiptarët kanë dhënë kontribut ne demokratizimin e skenës politike në Mal të Zi. Madje shqiptarët ishin vendimtar me votën e tyre në pavarësinë e Malit të Zi me 21 maj 2006, por ky kontribut ende nuk është shpërblyer në avancimin e pozitës se tyre ne ketë mjedis.

Andaj, ju të pranishëm qe do të merrni pjesë me  diskutime ne lidhje me temen bosht të kësaj tryeze te rrumbullakët  pres qe te jeni kontribues të çështjeve qe do të   trajtoni. Ndërsa botimi i tyre materialeve ne një botim të veçantë do të jetë dëshmi autentike e një periudhe kohore të cilën e kemi përjetuar të gjithë, qe flet ne mënyrë transparente ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve ne një mjedis multinacional dhe multikulturor sikurse është Mali i Zi.

Dr.Nail  Draga

 

(Fjala  përshëndetëse në Tryezën e rrumbullakët, mbajtur në Ulqin me 9.12.2015)

Filed Under: Analiza Tagged With: (1990-2015), DHE PLURALIZMI, Nail Draga, ne Mal te zi, shqiptaret

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi

December 10, 2015 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi -Ylli/Për të shkruar për këtë fushë,shumë të rëndësishme,për të formësuar-definuar kufijtë e shtetit të Kosovës,duhet me qenë mirë i informuar,me pas qasje të duhur e transparente në punën e Komisionit shtetëror,aq sa e lejojnë rregullat për sigurinë kombëtare të shtetit.  Për fat të keq ky proces ka qenë tërësisht jo transparent,së paku për opinionin profesional,i cili do të kishte mundësi të kontribuoi me diturit e tyre në këto punë të ndërlikuara të vijave kufitare,posaçërisht në Ballkan. Kufijtë e ndarjes se popullit Shqiptarë në pesë shtete i kanë përcaktuar fuqitë e mëdha,që për ne Shqiptarët në të gjitha rastet kanë qenë të dëmshme,pasi asnjëherë nuk jemi renditur pas ndonjë fuqie të madhe botërore,me fjalë tjera kemi qenë të vetmuar,jetim.Kohë pas kohe opinioni është informuar për reagimet e banorëve që kanë prona në atë zonë kufitare. Komisioni shtetëror i ka përcaktuar disa kritere skajshmërisht të dëmshme për ata banorë, të cilët u detyruan edhe në mënyrë demonstrative të shprehin pakënaqësitë e tyre me punën e komisionit, i cili në mënyrë autoritative ka vepruar duke përdorur vetëm kriteret gjeodezike (ngastrave-parcelat kadastrale),apo Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës, çka tregon jo seriozitet ekstrem në punën e tyre. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë ma komplekse,është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura, për të pasur rezultate sa ma precize në këtë proces të ndërlikuar .

Në rastin konkret nuk është punuar sa duhet me banorët që i kanë pronat atje,nuk është tentuar që me durim dhe me  argumente profesionale të bindin pronarët në të drejtën-arsyet se si kanë vepruar ata si Komision. Vetëm kyçja aktive e tyre në këtë proces do të pastronte shumë dilema,por pushtetarët tonë nuk ishin të gatshëm për këtë pasi kjo kërkon punë shumë,e kjo s’duket po iu kthehet si bumerang.

Nuk duhet përjashtuar as anën manipulative të disave,që dëshirojnë të shfrytëzojnë momentin e favorshëm për të përfituar,por ato tendenca që në start është dashur të izolohen me forcën e argumenteve teknike që janë të shumta,vetëm duhej një punë e mundimshme që si duket ka munguar nga ana e komisionit. Për atë puna e tyre kërkon kohë( në rastin konkret 3 vite),duhet përkushtim dhe angazhim i madh,duhej të ishte punë parësore e Komisionit,e jo si është vepruar në rastin konkret. Natyrisht kjo punë duhet kompensuar si në tërë botën,e mos të trajtohet si punë dytësore,apo si ndonjë “honorar i lehtë përfitues” si janë mësuar disa, pasi ka përgjegjësi ekstrem të madhe si po shihet në rastin konkret, nuk caktohet vija ndërshtetërore për çdo vit.

Nëse do të ishte punuar me profesionalizëm të lartë atëherë edhe ndërhyrja e politikës nuk do të kishte hapësirë,por ajo u implikua mu nga mungesa elementare e bashkëpunimit  e të gjithë spektrit profesional, që u vërtetua se në Kosovë nuk mungon. Edhe Rezoluta e Qershorit e aprovuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me shënimin s kufirit me Malin e ZI,u tregua së nuk ishte obliguese për Qeverinë tonë, që paraprakisht duhej të bënte harmonizimin e qëndrimeve me opozitën dhe të tjerët,para nënshkrimit të marrëveshjes.  Befasoi kryeneçësia e politik bërësve tonë që në princip tërësisht i injoruan sugjerimet,vërejtjet që u shpalosën para nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit,të cilën e bëri me 26 gusht në Vjenë. Fati i mirë është që ajo u aktualizua dhe duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës,ku nëse dokumentohen shkeljet e pretenduara,nuk duhej të kalonte,edhe se pozita me numrin e votave ka mundësi të bënë një veprim të tillë, me premisa të tradhtisë kombëtare,si na ka ndodhur disa herë gjatë historisë tonë.

Sot e kemi GIS teknologjinë me anën e të cilës me një punë të përkushtuar profesionale,shumë lehtë ka qenë e mundur që së bashku me Komisionin Shtetëror të Malit të zi të definohen të gjitha çështjet kontestuese,posaçërisht ato të banorëve të zonës ndërkufitare nga ana e Kosovës,që për shkaqe të ndryshme historike dhe hegjemoniste sllave apo gjeostrategjike kanë mbetur të pa zgjidhura,ashtu si pretendohet nga ana e banorëve. Botërisht dihet se si janë caktuar vijat kufitare para 100 vite,zakonisht në dëm të Shqiptarëve të këtyre anëve.

Së paku kur për herë të parë kishim mundësi të vendosim për vetveten,është dashur që ky proces të jetë transparent,gjithëpërfshirës, detal i analizuar,në mënyrë korrekte i punuar,që të korrigjohen dhe të plotësohen padrejtësitë e mëdha që iu kanë bërë këtyre banorëve të Kosovës,në të kaluarën. Për të arritur këto objektiva është dashur me kërkuar punë të vazhdueshme të Komisionit Shtetëror,bashkëpunim dhe angazhim të tërë spektrit profesional si bashkëpunëtor të jashtëm të Komisionit,pa ndasi politike,pasi Kosova i përket të gjithë neve dhe është absurde të ketë këso dallime.

Kundërshtarët e vijës kufitare po e argumentojnë këtë proces,por vetëm në mjetet e informimit,për mua është indikativë përse nuk pati ballafaqim televiziv pro dhe kontra,ku të dy palët do ti shpalosnin argumentet e tyre. Po supozoi se kanë të drejtë kundërshtarët në punën e Komisionit,kjo mundet të jetë vetëm njëra anë e medaljes,po shpresoi me argumente teknike e jo politike si e kemi ves të bëjmë. Tek tani na pret ballafaqimi i ri me palën Malazeze,ku shpresoi se do të dominojnë argumentet profesionale nga ana jonë,me i korrigjuar gabimet paraprake të Komisionit e që kërkon dituri,punë dhe angazhim të madh e të mundimshëm, që deri me tani nuk i ka karakterizuar shqiptarët e Kosovës.

Janë dëshpëruese veprimet e këtyre ditëve të Qeveris së Kosovës,pas presioneve të mëdha të banorëve të zonës kufitare,të opozitës e së fundi edhe të disa ekspertëve,propozon formimin e një komisioni ndërkombëtar për demarkacion, për të verifikuar atë çka ka bërë komisioni shtetëror e në bazë të cilit është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi. Parësore duhej të ishte puna e përbashkët e të gjithë ekspertëve vendor pa dallime regjionale,klanore apo partiake që duhej të ishte obligim kryesor i Qeveris së Kosovës të iu siguroi kushtet, si bartësi kryesor i procesit. Këtu unë e shoh dështimin ma të madh të vendimmarrësve tonë, e jo formimin e një komisioni tjetër. Ndërkombëtarët munden me u angazhuar vetëm si konsulent të jashtëm në proces,pasi Kosova ka specialist të kësaj dhe fushave tjera,vetëm duhet me i angazhuar të punojnë së bashku në punë ekipore,gjë e cila ka munguar deri me tani me u bërë,e përse nuk është vepruar kështu duhet pyetur vendimmarrësit tonë .

Kjo tregon një të vërtetë tragjikomike se si deri me tani ka punuar Qeveria aktuale,asgjë nuk është e re në këtë aspekt pasi edhe Qeveria e kaluar si edhe ato parapraket,kanë vepruar ngjashëm duke mos dhënë përgjegjësi,llogaridhënie për veprimet e tyre,duke i margjinalizuar,anatemuar,nënçmuar ekspertët e vërtetë të fushave përkatëse,duke favorizuar ”ekspertët partiak” e të pa dijshëm. Nuk duhet harruar edhe obligimet ndërkombëtare që jemi të detyruar ti kryejmë, në të shumtën e rasteve edhe gabimisht nga mos dija dhe mos puna e jonë. Për atë e kemi situatën e tillë në Kosovë,të pa perspektivë për gjeneratat e reja.

Njëjtë si duket është vepruar edhe me caktimin e kufirit me Maqedoninë para disa vite, po banorët e këtyre anëve nuk ishin këmbëngulës si këta të Rugovës. Jo-zyrtarisht flitet për mbi 3000 km2 të humbura,në zonat e Debëldesë dhe Mjakut,por atë duhet argumentuar me fakte relevante e jo me thashethëna.

Dëmet që janë duke iu shkaktuar shtetit të Kosovës janë marramendëse,me pasoja afatgjate. Vendimmarrësit kosovar duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore,si është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi,duhet domosdo të vendosin së bashku pozita dhe opozita në Parlamentin e Kosovës,pasi kemi sfida edhe ma të ndërlikuara që do të pësojnë në të ardhmen e afërme. Faktori KOHË nuk po merret në konsideratë,për këtë të gjitha këto veprime të dëmshme po i paguajmë të gjithë ne, e reputacioni i Shtetit të Kosovës për çdo ditë po degradon, deri kur kështu ?

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK).

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, demarkacioni i kufirit, me Malin e Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 717
  • 718
  • 719
  • 720
  • 721
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT