• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një mendim ushtarak ndryshe”

October 17, 2024 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Ushtaraku i shquar z.Asllan Bushati në serinë e librave seriozë e dinjitozë na ka dhuruar së fundmi nga repertori i tij shkencor një libër fenomenal për çështjet e sigurisë kombëtare dhe temat që ndërlidhen ngushtë me të. “Një mendim ushtarak ndryshe” duhet thënë se është ndër librat më seriozë në diasporën e Amerikës përsa i përket temës së sigurisë e mbrojtjes, hulumtimeve publicistike me bazë sigurinë, kiminë dhe ushtrinë.

Eksperti i sigurisë Bushati me dinjitetin e tij profesional, arsyetimin e analizën, eksperiencën e gjatë dhe karrierën e sukseshme, përmes këtij botimi i ka shtuar vlera akademisë së sigurisë dhe mbrojtjes duke i parë gjërat nga një këndvështrim që pasuron ekspertizën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Mbi 40 artikuj të shkruar të shkruar mjeshtërisht në një hark kohor prej 10 vitesh, botuar në gazetën “Dielli” kryesisht e media të tjera gjerësisht, paraqesin një kontribut të çmuar të një prej ekspertëve më me shumë eksperiencë në ushtrinë shqiptare në ditët e saj më të vështira. Zotit Bushati diaspora shqiptaro-amerikanë i duhet të jetë mirënjohës pasi zë një vend të veçantë në botim. Pjesë shumë e rëndësishme e publicistikës së z.Bushati zë çështja e Kosovës, NATO, UÇK, Batalioni “Atlantiku”, lufta në Ukrainë etj.

Me punën e tij kërkimore e publicistike, arritjet dhe sukseset e vazhdueshme e rendisin Asllan Bushatin ndër emrat meritorë e dinjitozë të ushtrisë shqiptare e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Z.Bushatit i duhet të jemi mirënjohës për veprat e tij, testamentin patriotik, frymëzimin që iu ka dhënë brezave e shërbimin e shquar ndaj atdheut e kombit.

Kontributi i Asllan Bushatit në diasporën e Amerikës duke qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat për çështjen kombëtare në New York, Uashington, Boston, veprimtarinë prej 3 dekadash në Federatën Vatra, ndihma për gazetën Dielli, kontributor i rregullt në Ligën Shqiptaro-Amerikane, nderi i Shoqatës Skenderbej e Mati flasin për një kontribut e trashëgimi madhështore që z.Asllan Bushati ka dhuruar e trashëguar për të gjithë ne. Respekte dhe nderime.

Filed Under: Analiza

AKADEMIK IDRIZ AJETI DHE STUDIUESI BEGZAD BALIU

October 16, 2024 by s p

Skender Karaçica/

Akademik Idriz Ajeti ishte figura intelektuale, shkencore, pedagog i brezave në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë që jetoi dhe mori frymë për një shekull në nënqiellin e Kosovës. Opusin e tij shkencor ndër vite me prorosinë e Akad.Idriz Ajeti iu besua për fushën e studimeve kërkimore-shkencore Prof.dr.Begzad Baliu dhe tevona të angazhimit të Dr.Bahtijar Kryeziu që për frymën në dritën e shkrimit shkencor Akad.Idriz Ajeti ia ndërtuan panteonin e shekullit të dijes akademike për fushën e gjërë të shqipes në vijat e gjuhës së lashtë indoevropiane dhe të kulturës shqiptare.

Në një studim për figurën e albanologut të shekullit të kaluar Akad.Idriz Ajeti në shkrimin e Prof. dr.Begzad Baliu me ka rënë para syve dialogu i shkurtër me profesorin Ajeti në apartamentin e tij në Prishtinë.

Në historinë e frymës shkencore dhe letrare studiuesit dhe shkrimtarët tashti janë bër përmendore në shkencën e gjuhësisë dhe të letërsisë, bartësitë e fushës shkencore-letrare dhe na është prezentuar nga kritika se si ata e parandjejnë orët e fundit të jetës .

Në takimin e tij me Akad.Idriz Ajeti i këndshëm i afërt me taktin e Tij prej shkencëtarit e pedagogut të brezave shqiptarë në Kosovë Prof. Dr.Begzad Baliu pena e tij prej studiuesi hodhi dritë në bisedën në relacionet e jetës që sipas profesor Ajeti tashti ka ardhur fundi i thoshte ai studiuesit të ri Begzad Baliu.

Nuk kam shumë kohë të pres me përseriti duke buzëqeshur.E kishte fjalën profesor Ajeti se mosha e tij një shekull jete në botën kërkimore-shkencore në fushë të shqipes dhe sipas tij trokitja e orëve të fundit të jetës.

– Jo jo i thoshte profesor Baliu, do të keni kohë e do të prisni ju kur do të dalin në dritë botimet e dorëshkrimeve të tij të dijes për shqipen dhe kulturën shqiptare!

Njerëzit e panteonit të dijes shkencore dhe letrare tashmë jemi në dijeni se si e dijnë për orët e fundit të jetës shkruajnë kronikat tona dhe ato të përbotshme.

Profesor Begzad Baliu e mbajti fjalën dhe dorëshkrimet që ia dha në duart e tij Profesor Idriz Ajeti,dolën në dritë dhe u bën pronë e dijes për institucionet shkencore akademike dhe universitare në hapësirën gjithë shqiptare.

Ne të gjithë jemi të tijtë Akademik Idriz Ajeti!

Filed Under: Analiza

KLEMENTIANA, KALAJA APO KËSHTJELLA  QË U SHUA NDËR SHEKUJ PËR  T’I  LËNË AMANET  EMRIN  KELMENDIT

October 16, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ   

Vendi ku quhet Forca e Kelmendit

[

“Kështjella e Kelmendit”

HYRJE

Edhe në trojet e Malesisë së Madhe (si edhe në ato të Shqipërisë ), ndër shekuj nga autoktonët Iliro-Shqiptar janë ndertuar vepra civile e mbrojtëse, të cilat në thelb  tregojnë qytetrimin dhe  zhvillimin e trojeve  Iliro- Shqiptare . Rrebeshet  e moteve që kaluan ndër këto  troje shpesh rrafshuan , qytete, qyteza , fortesa, kala apo kështjella, por fatësisht nuk rrafshuan  kujtesen e banorëve autokton të këtyre trojeve  për historinë e tyre, e cila perveç  gojdhenave, legjendave, dekumentacionit apo historisë së shkruar, kanë  si dëshmi qytetrimi e zhvillimi , toponime, rrënoja, themele , gurë dhe  shenja objektesh të ndryshme, të cilat  vendasit i njohin , dhe kanë trashiguar historinë e tyre nga njeri brez në tjetrin, edhe pse mbi  keto  kanë kaluar,  apo mijera vite.  

HISTORI NGA KËSHTJELLA KLEMENTIANA 

Kështjella  Klementiana (ose shqip kështjella Kelmendi)  është e njohur  të pakten që në shekullin e VI , kur  perandori romak (i lindjes) , Justiniani i parë (me origjinë Ilire)  , do të ndërtonte e rindërtonte qytete , fortesa e kështjella  në trojet e perandorisë tij. Prokopi i Cezaresë , bashkohes i Justinianit parë (527-565)  dhe autor i tre veprave , ku njëra nga këto është ajo DE AEDIFICIS (Mbi ndërtimet) në librin e IV në mes emrave të fortesave të rindertuara e ndertuara në  Iliri shënon emrin e fortesës  Klementiana..1. Ndërsa historiani serb Vladislav Popoviç shkruan se kështjella Klementiana duhet të ketë qënë e vendosur në viset e Kelmendit ose në veri të liqenit të Shkodrës.2. Për Klementianen si kështjellë apo  fortesë  shkruajnë edhe historianë , albanologë dhe studiues të huaj dhe vendas. Studiuesi dhe Albanologu i njohur  Milan Shuflai, për Fortesën (Kështjellen Klementiana),  ndër të tjera shkruan : “ Mbas shekullit VIII  zhduken ngadalë të gjitha keshtjellat romako-bizantine te cilat nuk moren karakter qyteti . Duket më së shumti qëndroi fortesa Klementiana. Në shekullin e XVII nga ky fortifikim merr emrin fisi shumë i fortë i Klementineve (shqip Kelmend)…3. Në këtë mendim është edhe studiuesi e  gjuhtari i njohur shqiptar Eqerem Çabej kur shkruan: “Emri  kështjellës Klementiana… duhet të përmbajnë fazen e lashtë të fisit të sotëm të Kelmendit të Veriut”.4.  Gjithashtu studiuesit  shqiptarë  Lekë  Rrotani dhe Palokë Rrotani   në studimin e tyre me teme : Kelmendi dhe Kelmendasit (mbi vjetërsinë e banimit në Kelmend, mbi prejardhejn e kelmendasve dhe mbi vazhdimsinë e banimit këtu,  ndër të tjera cilësojnë:  “…Vijmë tash tek shekulli VI pas Krishtit. Nuk kemi perse lodhemi e të kerkojmë dokumente të shumta . Dokumenti më i sigurt është vepra “De aedificias” e Prokopit nga Cezareja qe permend Kështjellen e quajtur  KLEMENTIANA, të cilen e vendosë  diku në thellësi të maleve veriore shqiptare. Deri më sot  nuk është percaktuar ende saktësisht  vendndodhja e kësaj  kështjelle  me gjithë hipotezat e ndryshme. Ne mendojmë  se perderisa ai e quan Klementiana  dhe Kelmendi që po marrim në shqyrtim, ka vazhduar jeten në ato rrethina, përse të mos e kerkojmë këtë Kështjellë  brenda Kelmendit, çka do të vertetonte kështu më së miri  vazhdimsinë e banimit  aty ? . Ndonse mund të duket kjo një hipotezë e jona , ne ngulim kembë  se kjo kështjellë  gjendet ne VUKEL të Kelmendit. Përmbledhtas po themi se këtu kemi zbuluar një vendbanim -kështjellë me mure rrethues 1526 metra, me dy porta hyrje  (njëra nga të cilat e mbyllur me gurë më pas ) dhe me dy kulla mbrojtës. Këtu kemi mjaftë gjetje arkeologjike  : qeramike, armë e vegla  hekuri dhe dy monedha bronxi  te shekullit  II – III pas Krsihtit. Brenda rrethimit  ka banesa me një urbanistikë  të rregullt…”.5.  Për  këtë studim interesant vlen të sqarohet se  Prokopi i Cezares ka jetuar dhe shkruar gjatë shekullit VI-të pas lindjes së Krishtit, gjë që  e bënë  të besueshme  ekzistencen e Fortesës apo Kështjellës së Klementianes në trojet e Kelmendit dhe konkrestisht në  Vukel, ku janë konstatuar muriet dhe rrënojat, si dhe për këto ka trashigimi  gojore  në Vukë dhe Kelmend.  Gjetjet arkeologjike të sipercituara që i përkasin shekullit II – III-të  vertetojnë se  fortesa apo Kështjella e  Kelmendit ka  ekzistuar ndoshta  edhe më përpara  shekujve  II dhe III-të  pas Krishtit, si dhe na bëjnë të mendoj se  kjo Keshtjelle  ka sherbyer jo vetem si fortesë apo kompleks fortesash  për qellime ushtarake të perandorisë Romake, por ka pasur edhe karakter të një qytetrimi civil gjë që  na jep të drejtë t’a quajmë, jo thjeshte Keshtjelle ,por nje  qender urbane qe me nivelin me te vogel  ishte Qyteze. Natyrisht muriet dhe rrenojat janë deshmia më e gjallë e një qytetrimi dhe zhvillimi të trojeve të  Kelmendit, ku  duke ditur historinë e  kështjellave –qyteza apo qytete  të  mbreterisë  Ilire, të pakten që nga Teuta e deri tek mbreti Ilir Genci (apo Genti), themi se  kështjella apo në trajtat një qyteze  në Kelmend me emrin e njohur në histori  Klementiana , duhet të kenë një moshë rreth  2250 vjeçare. Kjo moshë e kësaje  kështjelle na  bënë që  të themi pa droje se gjatë se gjatë  luftrave  mbrojtese…,fortunave të moteve dhe rrokopujave historike, ka pasur dëmtime dhe si rrjellojë edhe nevoja për rikonstruksione të bëra në kohen e pushtimit të perandorisë Romake, gjë  që këto rikonstruksione janë shënuar në histori si ndertim i ri i kësaje kështjelle në shkrimet e shekullit VI të Prokopit nga Cezareja, që jetonte dhe shkruante nën Perandorin Romake… Për historinë e kësaj kështjelle është me vlera të citohet edhe studiuesi i  njohur  Ermanno Armao që në një  botim të tij duke ju referuar një kleriku e studiuesi shqiptar,  ndër të tjera citoj: “…Ate Rrok Gurashi  ka vertetuar per mua me mirsjellje  se e quajtura “ Kala e Kelmendit” është e rrethuar në perendim nga Maja e Rriskut, në lindje nga  Maja e Shenikut (Shenkollit) dhe në  jug nga Maja e Kllogjenës…”.6.  Në favor të ekzistences së kështjelles Klementiana  në Vukel shprehet edhe ish konsulli francez ne Shkoder  Hekard  (Hecquard) në mesin e shekullit XIX, ku ndonse ai nuk i “vrojton” rrënojat e saj , ndër të tjera shkruan : ”Jo larg Vuklit, ndodhej siç thonë një kështjelle e fortifikuar, nga e cila sot nuk  gjendet asnjë gjurmë, dhe disa vjet më parë  një banor i këtij fshati, duke mbjellë një hardhi gjeti disa monedha  ari të kohës së perandorëve Kostandin dhe Valentin….”.7. Ndërsa studiuesi dhe  Historiani Marin Sirdani (me orgjinë nga Boga), duke shkruar për “HEROINAT E MALEVE”, në luften antiotomane (gjate shek.XVII) , thotë se : “GJYTETEZA E KELMENDIT, është vendi  ku  është fuqia më e madhe e Kelmendit, dhe ku mblidhen kuvendet, madje në këto kuvende merrnin pjesë edhe gra e vajza, që ma se një herë kishin ra në luftë dhe ishin da me nderë, ku një ndër këto heroina kishte qënë edhe Nora (e Kelmendit) që vrau pashen turk…8.  Mirpo  ky autor Qytezën e vendos ne Nikç e jo në Vukel, gjë që na bënë të mendojmë  se mos vall ka pasur një Qyteze (me fortesën përkatese) edhe në Nikç , apo është një “lapsus”… Albanologu dhe studiuesi Franc Nopça, për pozicionin (tashma thuajse natyror) të kështjellës Klementiana  në Vukel, shkruan: “Kelmendasit në vitin 1624 kishin filluar luftën kundër ushtrive turko-osmane të komanduara nga  Arvat Pasha. Kelmendasit  me të cilët si duket ka qënë i lidhur fisi i Vralit  që banonte në tokat e Vuklit, u terhoq në një vend të fortifikuar të quajtur  FORTESA E  KELMENDIT , që përbëhet nga një pllajë e rrethuar me shkëmbë nga të tria anët dhe nga një anë e pjerrët me majen tatpjetë..”9.  Në shkrime të ndryshme thuhet se Kelmendasit e morën emrin nga kështjella, ku disa studiues këtë e përcaktojnë  tepër vonë, pra ë shekujt e XVI – XVII, gjë që nuk përkon me realitetin kohor pasi  kështjellen Klementiana, dhe emrin e Kelmendit e takojmë shumë më përpara…  Kështjella Klementiana ka qënë qendra e qytetrimit, zhvillimit dhe mbrojtjes të Kelmendit e Kelmendasve gjatë shekujve e motmoteve të historsë së këtyre trojve etnike Iliro-Shqiptare, të njohura kombëtarisht e ndëkombëtarisht… 

REFFERENCAT:

1.Ilirët dhe Iliria te autorët antikë , fq.437-441 , Akademia e shkencave të Shqiperisë ,Instituti i Arkeologjisë ,perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan  Ceka , Skender Anamali, botime Toena ,Tiranë 2002.  

2.Dom Nikë Ukgjini , Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit, fq.84.   

3.Milan  Shuflaj ,Serbet dhe  Shqiptaret  fq.15.  

4. Eqerem  Çabej; Disa faza më të moçme të shqipës në dritën e gjuhëve fqinje, buletini shkencor i institutit pedagogjik të Shkodrës, 1964.54.Lekë  Rrotani dhe 5.Palokë Rrotani   Shkodra ndër Shekuj  fq.284-285 , Vii.II. fq.284-285 ,Muzeu historik Shkoder 1998.  

6.Ermanno Armao ; Vende ,Kisha, Lumenj,Male e Toponime të ndryshme të një harte të lashtë teë Shqipërisë Veriore, Fq.157. ( Harta është e Hartografeve Coronelli dhe Cantelli të shekullit XVII,N.B.).  

7.Hyacinthe Hecquard ….HISTORIA DHE PËRSHKRIMI I SHQIPËRISË SË EPERME OSE I GEGERISË, fq.176.  

8.At Marin Sirdani ; NDRIÇIME TË  HISTORISË, TË KULTURËS DHE TË ARTIT SHQIPTAR ,fq.222.  

9.Franc  Nopça, FISET E MALËSISË SË SHQIPËRISË VERIORE dhe e drejta zakonore e tyre fq.184-185.  

Filed Under: Analiza

Rrethimi i parë e i dytë i Shkodrës antike nga kronistët e kohës

October 16, 2024 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Duke shfletuar faqet e historisë së popullit tonë ndër shekuj, shohim se ngjarjet më të rëndësishme i përkasin shekujve të kaluar, ku dëshmohet më së miri mbijetesa si faza më e lavdishme e ndodhive, që sot pak ose shumë janë të fiksuar në librat e historisë nga autorë të ndryshëm deri në ditët tona. Rrethimi i parë e i dytë i Shkodrës antike nga kronistët e kohës dhe autor të ndryshëm të mëvonshëm jepen me nota të dhimbshme. Aty flitet ose jepen përshkrimet e mjerimit, që kaploi popullin fisnik shkodran. Pikërisht të kësaj periudhe, janë edhe shpërnguljet e dhimbshme të banorëve autokton nepër vende të ndryshme të Europës dhe mbi të gjitha vendosja e tyre si kolonë në Italinë e Jugut, Zarë të Kroacisë etj.

Libri i Marin Barlecit: “Rrethimi i Shkodrës”, u shtyp në Venedik nga venedikasit Bernardin dhe Vitalibus (10 Janar 1504), u përkthye prej origjinalit latinisht në gjuhën shqipe prej Prof. Henrrik Lacaj (Tiranë, 1962) nga Universiteti Shtetnor i Tiranës.

Shpërngulja e parë e vitit 1474 (sikurse njihet në shkencës e demografisë emigrimi masiv i banorëve autokton arbënorë), ndodhi për arsye të masakrave të barbarëve otomanë si shenj hakmarrjeje të rezistencës së armatosur për 26 vjet të popullit të Arbërit nën udhëheqjen e Gjergj Gjon Kastriotit ndaj invazioneve mizore të taborreve të Perandorisë Otomane.

Më shumë se 260.000 arbërorë (shqiptarë) nga trungu amë Arbëria kaluan detin Adriatik dhe gjetën Atdheun e Dytë të tyre dheun latin, duke u vendosur në Kalabri e ishullin e Siçilisë (Italia e Jugut), duke krijuar katunde, qytetëza të reja me kolonë kompakt arbërorë. Ekzistenca e komunitetit të madh arbëresh është prova e një dëshmie historike të mbijetesës të një pjese të popullsisë arbërore në Jug të Italisë.

Ndonëse kanë kaluar afërsisht 6 shekuj traditat, zakonet, gjuha arbërishte me dialektet e nëndialektet, vallet, kostumet popullore, feja e të parëve të tyre të krishterë të ritit bizantin dhe katolik, ende kultivohen dhe dëshmohen me krenari se janë stërnipa të tokës së Gjergj Gjon Kastriotit…Shpërngulja e dytë ishte ajo që ndodhi gjatë kohës që qytetit antik i Shkodrës vuante rrethimin e dytë të vitit 1478. Popullsia vendase grupe – grupe në formë kalvanesh merrte drejtimin e emigrimit drejt tokës helene. Sipas burimeve historike, mendohet se mbi 18,300 banorë të dëshpëruar nga barbaritë e Perandorisë Mizore dhe Shfarosëse Otomane, qenë të detyruar për të mos eliminuar dhe shuar si popullsi autoktone ikën drejt limaneve të Greqisë.Në dy krahë ose drejtime të kundërta filloi ikja e popullsisë shkodrane: në drejtim të pjesës jugore drejt veriut të Greqisë dhe në pjesën veriore ose gjatë bredetit të lindor të Detit Adriatik. Më konkretisht kjo pjesë e popullsisë u vendos si kolonë në trevat e populluara dalmatine.Disa pjesë nga libri i humanistit Martin Barleci:

“E unë sidomos e dija mirë dhe e rrëfeja sinqerisht se për një punë të tillë nuk kisha aq talent, ose nuk isha i paisun me një stil të rrjedhëshem dhe me gjykime të vlefshme, madje, nga kjo anë isha i pagdhenun, i shterpë, i thatë. Edhe në të vërtetë, në kjoftë se asht e vështirë me shkrue mbi çeshtje të tjera, aq ma tepër në histori, që asht e larme, gjenë vështirësi në kulm se aty ngjarjet e ndryshme, digresionet e ndryshme, fatet e ndryshme të njerzimit duhët të përshkruhën herë me një stil e herë me një tjetër, në mënyrë që shpirti i shqetsuem i atij që shkruen të ushqehët me veprën që krijon, gjithashtu, tu kënaqet shpirti edhe lexuesve…Këtej rrodhi që unë i randuem nga pesha e një barre kaq të madhe, e gjykova ma të arsyeshme të rrij në heshtje sesa tua vras veshin lexuesve…Mirëpo, nga ana tjetër kur mu kujtue fatkeqësia e madhe e Atdheut tem aq të dashtun, por edhe besnikia e pashembull që kurdoherë ka tregue populli shumë besnik i Shkodrës… kur, mu kujtue edhe fitoria lavdiplote që korrën shkodranët kundër terbimit të të gjithë atyne barbarëve të pashpirtë, merita këto të cilat në asnjë mënyrë s’duhën lanë në harresë, pse do të ishte mosmirënjohje, madje, mund të japim mbi të gjitha material të shkelqyeshëm për me shkrue e, pra, meritojnë patjetër të nxirrën në dritë, atëherë, vendosa ti përveshëm kambë e krye kësaj pune madhështore.�Qellimi ishte që të dukej se e kryej detyrën teme ndaj Atdheut si qytetar i ndershëm dhe, se u dëshroj nder’ e lavdi atyne qytetarëve aq besnikë. Aq fort i ranë Shkodrës dhe aq i shkallmuen shkodranët me muej e muej ata mijra barbarësh saqë, nuk do të na bante një përshtypje ma të madhe rrethimi i dikurshëm i Saguntit në Spanjë, ose ai i Kasilinit në Itali, kur i pat dermue me ushtritë e veta ai udhëheqësi i tmershëm i Kartagjenasve, ai burri i fortë Hanibali.” (f.17-18).“Sot Shkodra, asht qendra e bregut të Maqedonisë dhe e asaj pjesë së Dalmacisë, që e ka afër…Mbi origjinën e saj nuk kemi fakte, nuk kemi asgja të sigurt, mandej, nuk ka mbetë asnjë kujtim rreth saj; sepse, qyteti mbasi u dogj dy herë nga barbarët dhe mbasi u shkatërrue nga Anici, pretor i Romakëve, u dogj krejt edhe vetvetiu. Edhe dihët fare mirë se, në këte kohë u dogjën të gjithë monumentët e vendit dhe të gjitha shkrimet historike të këtij qyteti… (f.27) “Thonë, se Shkodrën e themeloi njëfarë Johani, princ shqiptar… që u dëbue, kur e detyruan të largohej prej qytetit, ndërsa po nisej, e paska namë Shkodrën tue lëshue mbi té mallkimet dhe namët ma të mëdha. Unë kishe me thanë se i Madhi Zot duhët ti ketë marrë parasyshë lutjet e atij njeriu në kjoftë se ka kenë burrë me të vërtetë i mirë, sëpse, qytetin e Shkodrës dhe krejt atë krahinë gjithmonë e kanë merzitë anmiqtë ma mizorë; të gjitha të zezat i ka provue ai vend…” (f.29) “Ky qytet sot ka fitue nam të madh, sëpse historia e tij asht me të vërtetë madhështore… Asht një qytet i fortë prej natyre, por i fortë edhe prej dorës së njeriut…. Pjesës së poshtme të këtij qyteti i binte përmes lumi Drinit, mbi të cilën ishte ndertue një urë guri e mrekullueshme, që ishte aq e gjatë saqë shkonte e prekte Bunën… (f.30) “… Kur u pa se vetë fortesa paraqitej si vend ma i sigurt, shkodranët filluan ta përqendronin qytetin vetëm mbrenda atij rrethi. Dhe me të vërtetë kjo qytezë, për natyrë që ka bie thik nga të katër anët me përjashtim të asaj anë që asht nga veriu, aty zbret si të thuesh me njëfarë pjerrësie dhe aty afër me distancë sa me hjedhë një shigjetë, ndodhet një kodër plot vneshta e ullishta….e, asht quejt kodra e Pashës. Nga qyteza syni i përlanë të gjitha fushat përreth. Sot rranzat e qytetit andej nga lindja i lagë një degë e vogël e Drinit, kurse nga përendimi kalon Buna…” “Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e detit të Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të Krishtenëve. Pra, Otomani tue marrë parasyshë këte, ka ushqye një shpresë shumë të madhe me e shti në dorë, sëpse në këte mënyrë do ti vinte shumë lehtë me hy edhe në Dalmaci, n’Iliri dhe në Daunie…”. “Maji 1474. Do të shkoja shumë gjatë po të tregoja sesa mijë turq lanë jetën aty me turp, sesi shkodranët tue luftue aq burrnisht mbrojtën vetën, Atdheun, gratë e fëmijët e tyne; kështu Turku, si u lodh mëkot, u tërhoq me turpin ma të madh; … shkodranët fituan nám e lavdi të pavdekëshme për këte fitore të lartë e të shkëlqyeshme nën udhëheqjën e Rektorit Anton Loredanit… E, sulltani, me qellim që shpirti i tij të ndezej gjithnjë e mashumë për atë fushatë, paguante njenin, që dita ditës t’ia kujtonte sulmin që duhej të bante mbi Shkodër.” (f. 31-32) “Me 15 qershor 1474, arriti edhe një numur i madh njerëzish nga garda e Sulltanit, që në gjuhën e vendit i quajnë Jeniçerë (trupa e ré). Këta burra thuajse të gjithë janë të krishtenë edhe u janë marrë me pahir prindëve të tyne… Nga këta burra kishin ardhë rreth pesëmijë vetë. … disa ushtarakë të Sulltan Mehmetit, të cilët dëshmonin se ishin të krishtenë, iu afruan tinëz ledheve të qytetit dhe i lajmëruan shkodranët se Kruja ishte dorëzue… Krutanët kishin kenë të detyruem me iu dorëzue turkut jo nga frika, por vetëm nga nevoja sëpse kishin kalue një kohë shumë të gjatë që e kishte rrethue anmiku dhe ishin mbarue thuejse fare të gjitha ushqimet e, nuk kishin pra mëse të ushqehëshin …Kruja asht një qytet i Shqipnisë, kështjellë shumë e fortë dhe një çels fare i sigurt i asaj krahinë… ajo qëndron mbi një shkamb shumë të naltë dhe nga të katër anët bie thik; rreth e përqark ka fusha të mëdha; në ato fusha luftoi Cezari kundër Pompeut …Thonë, se, Sulltani kur paska pa pozicionin e qytetit të Shkodrës dhe mbasi paska vërejtë mirë nga çdo anë fushat përreth e paska lavdue Shkodrën sa s’ka dhe, paska thanë: “Oh, se ç’vend të shkelqyeshëm e të lartë paska zgjedhë Shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëve të vet” (f. 44).“Atëherë u ngrit një shqiptar, fra Bartolomeu… ishte tregue trim dhe i zoti nën udhëheqjën e të madhit Skenderbe, në luftë kundër turqve… e dini mirë o shokë lufte, se ky tiran dinak e i poshtër asnjë vend të fortifikuem të krishtenësh nuk ka pushtue me armë, por gjithmonë vetëm me dredhi e trathti ose me marrëveshje, me premtime e me besë, të cilat masandej nuk i ka mbajtë aspak… Po a kujtoni, ju, o shkodranë, se po të dorëzoheni do të ju falë ai?… Do ta bajë copë copë mishin tuaj ashtu si ban kasapi me dhentë në thertore, ai do të ju shkyjë gjymtyrët tueja! A nuk i mbyti në mënyrën ma barbare fqinjtë tanë krutanë, të cilët nuk ka dy ditë që u dorëzuan?… E kur u dorëzue qyteti i Theodozizë, që sot quhët Kafa dhe gjindët në bregun Taurik, sa të krishtenë i preu në besë dhe i vrau! Sa burra i nguli ndër hûnjë atje në Lesb! Po çka të tham masandej përsa të tjerë që ka vra e pré mizorisht ndonse në moshë të njomë e, gjithmonë tue i pré në besë?… Shto masandej, veç kësaj, edhe vese të tjera si shfrenimin e tij, mendjemadhësinë, ai (siç thonë) qyshë në moshën ma të vogël i mori këto vese, u ba i pashpirtë, i pafëtyrë, i pafrê, me njëfjalë i poshtër në çdo pikëpamje…�Tashti a mund të besohët se një shpirt kaq mizor e i ndytë, të shporret në pleqni prej të gjitha këtyne të zezave që prej natyre lindin në gjak qysh në moshën ma të njomë?… Çfarë poshtërsishë nuk ka ba ai njeri: çdo flligshti; ai ka shnderue, ai ka thye kunorë. Ai ka dhunue Kishë, ka hjekë të gjithë meshtarët, ka ngatrrue urdhna, ka perly mbretni e, gjithnjë asht orvatë të ngatrrojë e të shuaj çdo gja religjoze, të madhnueshme e të ndershme, a ligjët a kanunët e jetës, a zakone, a besë e nderë, apo çdo disiplinë të drejtë…Né na asht ngarkue barra që të mbrojmë Fenë Katolike edhe të gjithë krishtënimin, pra, mjafton kjo me na nxitë që të derdhim gjakun tonë deri në pikën e fundit… Kjo do të jetë për ju dafina e përherëshme, kjo do të jetë diadema e shkëlqyeshme dhe e pavdekshme, kjo do të jetë palma, ky do të jetë ngadhënjimi i juaj i vërtetë e, qysh sot si ju, ashtu edhe Shkodrës do ti dalë nami në të katër anët e dheut. Që sot të gjithë popujt e të gjitha kombët për hirë të trimnisë suej, me të drejtë do ta quajnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë Fesë së vërtetë… mbrojeni trimënisht me hekur qytetin e Atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun deri në pikën e fundit!” (f. 51) “Sulltani vetë ju drejtue të pranishëmve me këto fjalë: “Ju po e shihni mirë burra se u bane tre muaj që e kemi rrethue këte qytet e me çfarë rrethimi! Edhe plasëm tue e rrahë nga të katër anët me artileri të çdo kalibri; ledhët thuejse i kemi rrafshue përdhé; fortifikimët i kemi rrënue… duhët trimnisht edhe të hakmerreni për kërdinë e dikurshme. Ngopuni sa të mundeni me gjakun e të krishtenëve, sëpse kështu na mëson kanuni ynë; duhët të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë.” (f. 45 – 63). “… Njerëzia as nuk ndigjonin as nuk shihnin ma gja me sy. Toka ishte ba krejt tym e barut e dukëj se deri qielli ish turbullue e po shembëj, kaq mbizotnonte në të katër anët pështjellimi, rrëmuja, errësina.” “Të njajtin qendrim burrnor mbanin edhe gratë, të cilat në çdo pikëpamje s’u lëshonin rrugë burrave, a për zêll a për gatishmëni, a për punën e parreshtun për me pregatitë çdo gja që kishte lidhje me shpëtimin e Atdheut. Gratë, natyrisht, si seks i butë, meritojnë levdata të veçanta për veprime të tilla. Ato bashkë me burra u ngjitëshin fortifikimeve, luftonin trimnisht me armikun; shumë prej tyne mbetën të vrame nga artileria”. (f. 76). “Mirëpo turqit nuk mbaronin kurrë, sëpse ishin të panumër, ata s’pushonin kurrë së luftuemi, u vinin gjithnjë forca të reja; përkundrazi të krishtenët tashma mëzi po rezistonin, mëzi po mbrohëshin. Ndër barbarët njena palë zëvendsonte tjetrën, edhe hypnin mbi grumbujt e kufomave, në këte mënyrë formuen njëfarë shkalle për me iu futë qytetit përmbrenda. Ndërkaq armiku gjithnjë shtinte në top kundër të krishtenëve dhe, asnjë gjyle nuk shkonte bosh, kështu bahej kërdi ndër të rrethuemit. Njëherë u vranë tetëmbëdhetë vetë të krishtenë vetëm prej një gjyles së gurit e, kjo kërdi vazhdonte papushim; gjylet nuk mbaronin kurrë… toka ishte e mbulueme me gjyle e shigjeta, deri litarët e kumbonëve nuk shiheshin ma nga shigjetat e nguluna në to. Shkodranët, për një muaj rresht për me ndezë zjarrin nuk përdornin dru tjetër përveç shigjetave të armikut. Sa neveri të vinte me shikue nëpër ajër gjymtyrët e te krishtenëve, të cilët i coptonte topi; nuk kishte vend në fortifikime e në mure ku mos të gjindeshin copa mishi. Të gjitha lagjët e qytetit, rrugë e rrugica ishin lye e zhye me gjakun e të krishtenëve. Shtëpitë shembëshin, Kishat rrafshoheshin përdhé… Kaq me shumicë vinin predhat dhe kaq të denduna ishin krizmat e goditjet e tyne, sa me të drejtë mund të krahasoheshin me breshnin.” (f. 88) “Ah sikur mos t’ia kisha ndigjue kurrë zanin Shkodrës! Kot erdha; të gjitha përpjekjët e mija shkuan kot!”. Pastaj, mori guximin e çka nuk volli nga goja e vet kundër të Madhit Zot që nuk ia kishte plotsue dëshirat dhe nuk po e lente me sundue botën, ashtusi pat lanë dikur Aleksandrin, mbretin e Maqedonisë dhe Jul Cezarin. Shtonte mbasandej, se po të donte Zoti të mbahej si një rival i tij, Atij i mjaftonte sundimi i qiellit…” (f. 90). “Flor Johima, komandant i rojeve të Shkodrës, shumë i zoti si në luftë ashtu edhe në paqë… Brofi në kambë dhe biseda e tij kjé kjo: Qytetarë trima! Besoj, të gjithë e dini se deri në çfarë pike arrinë zemrimi i padrejtë e i padurueshëm i barbarëve…. pa kenë ngacmue njëherë nga ana e jonë. Na atyne nuk u kemi ba asnjë të padrejtë e ata janë që na kanë plaçkitë tokat tona, na kanë dhunue për turp çdo gja të Shenjtë e njerëzore… për një vit që jemi të rrethuem. Po ku ka besë barbari? Ku ka ai ndjenja njerëzore? Ku ka ai mëshirë? Ai, si i thonë një fjale, nuk ka as idenë e mëshirës. Ai veç në mos kjoftë i zoti, se përshpirt dhambët e vet do ti ngulte në mishin tonë dhe të fëmijve tonë edhe do të na shkyente përsëgjalli. Do të ishte shumë e randë dhe e vështirë bashjetesa ndërmjet nesh e barbarëve, sëpse na jemi shumë larg prej tyne me fé, me zakone e me natyrë. Ata gjithnjë synojnë të hakmerrën tamam si bishat e egra …Po çka të thom pastaj për mënyrën e të jetuemit e për zakonët e tyne? Për kuvendët e djallëzueme të tyne? Për miqësinë e shoqninë e tyne? Na me këto punë jemi aq larg sa janë njerëzit prej kafshëve të egra. Ndërsa, të gjithë popujt simbas rregullave ma të lashta kanë qëndrue të matun e të përkurmë edhe gjithmonë i kanë urrejtë ma së forti flligështitë e trupit, përkundrazi, këta kanë përhapë disa zakone që nuk mund të thuhën me gojë dhe, në këtë mënyrë i kanë hapë shteg vetës së tyne për të gjitha aktet ku janë ma të poshtrat. Ata nuk kanë të ndalueme të thyejnë kunorën e martesës edhe me një njeri të farëfisit, të ndjekin andjet e poshtra të mishit e të gjakut, menjëfjalë, të bajnë çdo poshtërsi e paturpësi.… Prandej, këta nuk kanë asnjë ndryshim nga bishat e egra, madje, mund të thuhët se janë edhe ma të këqij, sëpse bishat veprojnë simbas instiktit ashtusi ua ka dhanë natyra, e këta përkundrazi me një lakmi e etje të furishme, lëshohën si të tërbuem ndër të gjitha mbrapshtitë… nëkjoftëse, nuk doni të kujdeseni për vetën tuaj, të keni parasyshë të paktën fëmijët tuaj dhe mbasardhësit tuaj, sëpse këta tue jetue pranë tyne do ti kapë sëmundja, epidemia, do të infektohën randë. Do të duroni ju që fëmijët tuaj të rritën dhe të edukohën në gjithë këte llom vesësh? Në mes të gjitha këtyne zakoneve kaq të liga? Kujtoni, ju, se fëmijët tuaj do të dalin njerëz të mirë e të ndershëm në mes të një murtaje kaq të randë dhe në gjithë këte pellg mbrapështishë?…E çfarë poshtërsie! Tmer! Ata rrëmbyen nga krahtë e nanava të krishtena foshnjët dhe fëmijët e rritun edhe ua hoqën sytë prindëve, i vërbuan. Ata dhunuan gratë ndër sytë e burrave të tyne; ua çnderuan vajzat; torturuan mashkujt ashtusi u pëlqente atyne, i banë skllavë dhe i mbajtën si bagëti. E kush do të ua ndalojë atyne që të veprojnë prap ashtu? E kush do të ua presë hovin? Ku do të ankohemi na? Kujt do ti kërkojmë ndihmë e mbështetje? Ata do të jenë vetë fajtorë e vetë gjyqtarë. Sigurisht vullneti juaj do ta ndjekë këshillen që po ju jap. Pra, ju, o qytetarë, ju zonja e ju djelmë, mundësisht, mos të humbim kohë: Të ikim nga ky Atdhé i pafat e i mjerë; të shporremi nga këta njerzë mizorë e të humbun!” (f. 99 – 103).

Filed Under: Analiza

35-VJET PAS SHEMBJES SË MURIT TË BERLINIT: ANË E MBANË BOTËS DEMOKRACIA ËSHTË NË RREZIK!

October 15, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë — përveç tjerash – edhe me një mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, drejtuar vendeve anëtare të organizatës botërore që ai drejton, organizatave ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare dhe medias, në mbarë botën, mbi rëndësinë e demokracisë në botë. Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf  Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nënvijoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile dhe shtetit të së drejtës; llogari-dhënjen nga institucionet qeveritare si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”, si domosdoshmëri në procesin e zhvillimeve demokratike në botë. Kjo, tha me atë rast, udhëheqsi i OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi këtë vit, kur më shumë se 50 vende – që, aktualisht, përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e radhës”.  Antonio Guterres, theksoi gjithashtu se këto të drejta demokratike dhe vlera universale po sulmohen në mbarë botën. Liritë, në përgjithësi, po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare në proceset politike po ngushtohet, ndërsa që polarizimi politik po intensifikohet, ndërkohë që mosbesimi ndaj vlerave demokratike, po rritet, ka thenë ai. Për fat të keq, kjo deklaratë tingëllon si deklaratat parlajamëruese të mëparshme ndaj rreziqeve që pëabll demokracia, por që tregon gjithashtu se zhvillimet dhe proceset demokratike në botë, jo vetëm që nuk po përmirësohen, por përkundrazi, problemet e demokracisë po shtohen gjithnjë dhe pa ndërprerje, 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.  Si rrjedhim, anë e mbanë botës, demokracia po kërcënohet dhe po rrezikohet si sistem i preferuar qeverisës.

Për këtë fakt shqetësues për fatin e demokracisë anë e mbanë botës, shkruhet pothuaj përditë në median amerikane, ndërkohë që është theksuar edhe në shumë raporte ndërkombëtare organizatash jo-qeveritare, përfshir një raport të botuar në fund të marsit që kaloi nga Fondacioni prestigjoz gjerman Bertelsmann. Sipas këtij raporti të para disa muajve– siç ka raportuar DW – 63 vendeve të botës që konsiderohen demokratike, ua kalojnë me numër vendet autokratike – gjithsejt 74. Kjo, sipas fondacionit gjerman tregon se ka ndodhur një ndryshim i madh global i një distancimi të dukshëm nga qeverisja demokratike, drejt autokracisë – shkaktuar nga ngjarjet e fundit gjeopolitike, por edhe nga sëmundja Covid-19, sipas këtij fondacioni. 

Sipas këtij raporti, faktet janë tepër shqetësuese për zhvillimet demokratike anë e mbanë botës.  Thuhet se, gjatë 20-viteve të fundit, demokracia, proceset dhe vlerat e saj janë përkeqësuar në 137 vende të botës, vende të cilat konsiderohen në zhvillim e sipër, si nga pikëpamja politike ashtu edhe ekonomike. Sipas fondacionit gjerman, këto janë shtete të cilat nuk mbajnë zgjedhje të lira dhe të cilat nuk kanë një shtet funksional kushtetues. Në raportin e Fondacionit Bertelsmann, që citohet nga DW, thuhet se vetëm gjatë dy viteve të fundit, zgjedhjet që janë mbajtur në 25-vende të botës, cilësohen si më pak të lira dhe më pak të ndershme se ç’ishin më përpara. Për më tepër, sipas raportit, në 39-vende të botës, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë hasur në kufizime gjithnjë e më të mëdha, gjatë të njçjtës periudhë.  

Megjithë retë e zeza në horizontin e proceseve demokratike në shumë vende të botës, Sabine Donner, njëra prej autorëve të raportit të Fondacionit Bertelsmann – një raport më gjithë-përfshirës të këtij lloji në botë — i ka thenë DW se ajo nuk është, krejtësisht, pesimiste mbi demokracinë në botë, sepse sipas saj, vitet e  fundit, popujt dhe qeveritë janë më të vetdijshëm se para 10-vjetësh, për problemet dhe sfidat që paraqesin — për vendet demokratike — regjimet dhe liderët absolut — që formë qeverisje kanë autokracinë – tha ajo për DW.

Në raportin e fondacionit gjerman thuhet se lufta më efektive kundër prirjeve autoritare në një vend, është dhe duhet të mbetet angazhimi dhe mbështetja serioze e qytetarëve për zgjedhje të lira, për lirinë e shtypit dhe për funksionimin e ndarjes/pavarësisë së pushteteve.  Autorët e raportit të Fondacionit gjerman Bertelsmann arrijnë në përfundimin se në vendet ku demokracia funksionon, normalisht, tanimë, qeveritë në ato vende duhet të kërkojnë – më shumë se ç’kanë bërë në vitet e kaluara — një konsensus sa më të madh politik nga një segment sa më i gjërë i shoqërisë. Ndonëse, sipas DW, autorët e raportit pranojnë se një gjë e tillë po bëhet gjithnjë e më e vështirë në një atmosferë në rritje e sipër të polarizimit të forcave politike, anë e mbanë botës.

Sipas, OKB-së, ndër 50-vendet që do mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova, ku kanë filluar tanimë përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Sipas vërejtsve të huaj dhe të brendshëm –në prag të zgjedhjeve në Shqipëri dhe në Kosovë, ndonëse më pak në Kosovë – vihet re një mungesë e dukshme e përpjekjeve serioze për transformime politike drejtë vendosjes së demokracisë së vërtetë, sidomos të sigurimit se zgjedhje do jenë të lira dhe të ndershme.  Fatkqesisht, jemi mësuar tani që dy shtetet shqiptare vazhdojnë të klasifikohen, në raportet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve demokratike, si “pjesërisht të lira”. Kjo ndodhë, për disa arsye, por pikërisht për mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe për kufizimin e të drejtave dhe lirive bazë, siç është fjala e lirë dhe sidomos, liria e shtypit të pavarur.  Është kufizimi i këtyre të drejtave bazë të njeriut, që po rezikojnë lirinë dhe demokracinë e fituar me aq vuajtje e sakrifica që, për fat të keq, po bejnë që edhe dy shtetet shqiptare dhe shoqëritë e tyre të shkojnë drejtë një polarizimi politik gjithnjë e më të ashpër – ndërsa po afrohen zgjedhjet. Një prirje kjo që rrezikon, seriozisht, arritjet e deritanishme të lirisë dhe demokracisë sado të brishtë në trojet shqiptare, e që dalngadal i hap derën distancimit gjithnjë e më të madh të shqiptarëve nga qeverisja demokratike drejt një sundimi absolut. 

Ekspertët janë dakort se demokracitë e pjekura, të stabilizuara dhe me përvojë historike e kanë më të lehtë të luftojnë dukuritë që rrezikojnë sot liritë dhe demokracinë në vendet e tyre – por që është shumë më e vështirë për vendet me një demokraci të brishtë ose “pjesërisht të lira”, si Shqipëria dhe Kosova, të luftojnë prirjet anti-demokratike dhe përpjekjet drejt vendosjes së një regjimi autokratik – prirje të cilat rrezikojnë liritë bazë të njeriut dhe demokracinë edhe të shqiptarëve  Progresi demokratik ka nevojë për një proces. Në krye të listës së këtij procesi janë zgjedhjet, vërtetë, të lira, të ndershme dhe demeokratike, për të gjithë dhe pa dallim.

Për fat të keq, përpjekjet për mbrojtjen e demokracisë sot në botë bëhen edhe më të vështira kur sunduesit autokratikë gjithandej – diktatorë të majtë e të djathtë – bashkpunojnë kundër armikut të tyre të përbashkët – DEMOKRACISË SË VËRTETË – si në kohën e Stalinit e të Hitlerit, bashkpunim i turpshëm që më në fund çoi në Luftën e dytë Botërore.  Mbetet për t’u parë se çfarë do sjellë ky bashkpunim fatkeq midis këtyre forcave të errëta – të djathta e të majta – për të ardhmen e demokracisë dhe lirive bazë për popujt e botës, në vitet në vazhdimësi.

Në shikim të parë, kam drojë se kemi mjaft arsye që të jemi të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në botë, por duke shpresuar se demokracitë e vërteta do zgjohen nga gjumi letargjik përballë kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat përballet sot demokracia kudo.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT