• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Ditë dhune, drojë nga konflikti qytetar

November 19, 2015 by dgreca

“Drojë nga konflikti qytetar”, thekson shtypi i sotëm i Kosovës në një nga titujt. Ndërsa, kryetitujt e ballinave janë: “Shteti me polici, opozita me vandalizëm” – te gazeta Koha Ditore, “No comment!” – te Zëri, “Dhuna nuk i sjell favore asnjërës palë” – te Epoka e Re, “Protesta të dhunshme! Gurë dhe gaz lotsjellës, arrestime dhe kërcënime!” – te Bota Sot, “‘Luftë’në Prishtinë, Thaçi e Mustafa fshihen në Bruksel” – te Kosova Sot/
-Qeveria e Kosovës deklaroi mbrëmë se, dënon ashpër dhunën e skajshme të manifestuar nga opozitarë të dhunshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, e cila ka arritur përmasa absurde, duke e tejkaluar çdo kuptim/
-Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, do të mbajë sot konferencë shtypi, ku do të flasë lidhur me zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës/
-Opozita paralajmëron: Kundërshtimi aktiv do të rritet për çdo ditë e më shumë. Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Nëntor 2015/ “Shteti me polici, opozita me vandalizëm”, është kryetitull në ballinën e shtypit të sotëm kosovar për zhvillimet e djeshme në Prishtinë.
Koha Ditore shkruan se, dita e mërkurë në Prishtinë ka nisur me aksionin e Policisë për të arrestuar katër deputetë opozitarë të dyshuar për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
U arrestua Donika Kadaj-Bujupi e AAK-së, derisa tre deputetët e VV-së – Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli – nuk u zunë nga Policia.
Arrestimit opozita iu përgjigj me protesta, të cilat gradualisht eskaluan në përplasje mes opozitarëve dhe Policisë, ku nga njëra anë u përdorën gurë e kokteje molotovi, e nga tjetra gazi lotsjellës.
Vendimi i pasdites për 30 ditë paraburgim për deputeten e AAK-së nxiti përshkallëzimin edhe më të madh të protestave, të cilat deri në orët e mbrëmjes degraduan në vandalizëm dhe shkatërrim të pronës.
Me rënien e territ, përplasja u ndal, por rrugëve të qytetit mbetën pasojat e saj, derisa gjasat për një zgjidhje të situatës duken edhe më të largëta, shkruan gazeta.
“Drojë nga konflikti qytetar”, është një nga titujt tjerë të gazetës, ku theksohet: “Pushteti e subjektet opozitare kanë ashpërsuar gjuhën midis tyre. Përfaqësuesit diplomatikë janë marrë me motivet që kanë prodhuar këtë situatë. E analistët kanë folur për një momentum të ri në skenën politike, të krijuar nga e mërkura, e që, sipas tyre, mund të përshkallëzojë në konflikt qytetar”.
Ndërsa në një nga shkrimet theksohet se, “analistët kanë folur për një momentum të ri në skenën politike, të krijuar nga e mërkura, e që, sipas tyre, mund të përshkallëzojë në konflikt qytetar”.
“No comment!”, është kryetitulli te Zëri, ku shkruan, se arrestimi dhe paraburgosja e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ngjalli protesta të dhunshme në qendër të Prishtinës. Shumë rrugë janë kthyer në kaos të vërtetë, ndërsa raportohet për 10 të lënduar, në mesin e tyre shtatë policë të njësive speciale. Opozita paralajmëron vazhdimin e protestave, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë zhgënjehen me “pamjen e Kosovës”.
Kryetituj tjerë në ballina gazetash janë: “Dhuna nuk i sjell favore asnjërës palë” – te Epoka e Re, “Protesta të dhunshme! Gurë dhe gaz lotsjellës, arrestime dhe kërcënime!” – te Bota Sot, “‘Luftë’në Prishtinë, Thaçi e Mustafa fshihen në Bruksel” – te Kosova Sot.
Mbrëmë , VV, AAK e Nisma paralajmëruan se, “përballë insistimit të qeverisë, që t’i zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, kundërshtimi aktiv i opozitës së bashkuar do të rritet dhe do të intensifikohet për çdo ditë e më shumë”.
“Nuk do të tolerojmë që Kosova të shndërrohet në shtet policor, e shteti policor në instrument të mbrojtjes së ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit. Nuk do të ketë qetësi derisa pushteti vazhdon arrogancën, duke arrestuar opozitën”, shprehen tre partitë opozitare në deklaratën e përbashkët.
“Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike. Opozita e bashkuar do të vazhdojë aktivitetet dhe protestat deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme dhe lirimin e deputetëve të opozitës”, përfundon deklarata.
Policia e Kosovës mbrëmë njoftonte se, si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, deri në ora 19:30 numri i zyrtarëve policorë të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka arritur në 7, mirëpo ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime sipërfaqësore, por që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ndërsa në bazë të informacioneve të mëhershme lëndime kanë pësuar 2 qytetarë, të cilëve po ashtu iu është dhënë ndihma mjekësore.
Policia e Kosovës përmes njësiteve të saja relevante deri në ora 19:30 ka shoqëruar në stacione policore 22 protestues të dhunshëm, si dhe më parë ka konfiskuar në vendngjarje një çantë të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.
Po ashtu në bazë të informacioneve të Policisë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekte publike, përfshirë ndërtesën e qeverisë. Ka pasur edhe dhjetëra vetura të dëmtuara, mes tyre 4 vetura të Policisë dhe një veturë qeveritare është djegur.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mbrëmë njoftonte: “Isha në Ministri dhe aty ishin shkatërruar shumica e veturave. Ishin bërë dëme edhe në objektin e Ministrisë…”
Ndërkohë, sapo njoftohemi se ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, do të mbajë sot konferencë shtypi, ku do të flasë lidhur me zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës.

KOSOVË-QEVERIA: DHUNA E OPOZITËS, PËRMASA ABSURDE
PRISHTINË, 19 Nëntor 2015/ Qeveria e Kosovës deklaroi mbrëmë se, dënon ashpër dhunën e skajshme të manifestuar nga opozitarë të dhunshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, e cila ka arritur përmasa absurde, duke e tejkaluar çdo kuptim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e indinjuar me lëndimet që iu shkaktuan sot qytetarëve të pafajshëm, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe me dëmet materiale dhe skenat e tmerrshme që u panë sot në Prishtinë”, thuhej në deklaratën e dërguar mbrëmë.
“Hipokrizia e opozitës qëndron në faktin se ata gjoja po protestojnë për mbrojtjen e Republikës, por në emër të mbrojtjes së saj ata po tentojnë ta shkatërrojnë atë, po i sulmojnë institucionet e saj, po përdhosin çdo gjë që është ndërtuar me shumë mund”, theksonte deklarata e qeverisë kosovare.
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet se, “qëndron e palëkundur nga dhuna e shfrenuar e një grushti ekstremistësh e banditësh dhe inkurajohet nga refuzimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtyre skenarëve”.
“Projektet zhvillimore, rritja e investimeve të huaja, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, proceset integruese evropiane dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike, nuk mund të pengohen nga grupe banditeske që po synojnë ta zhysin vendin në kaos”, theksonte qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkrahjen më të fuqishme për Policinë e Kosovës, e cila me përkushtim po e mbron Republikën e Kosovës nga aktet kriminale të orkestruara për përfitime ekskluzivisht politike”, përfundonte deklarata.

Filed Under: Analiza Tagged With: drojë, Kosovë-Ditë dhune, nga konflikti qytetar

Situata në Kosovë dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!

November 19, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Këto dy ditët e fundit situata në Kosovë është tensionuar në kulm. Në parlament dhe para policëve opozita nuk përdori kësaj radhe vetëm gazlotsjellës, por edhe sprajt helmues. Madje vetë sprajthedhësja, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiaj, u dëmtua nga sprajti dhe gazi, sa u detyrua të shkojë në dyert e spitalit.
Përsëri autorë të gazit e sprajtit ishin deputetët Albin Kurti, Kada Bujupi, Albulena dhe një tjëtër protagonist i VV. U bllokuan punimet e parlamentit, buxheti i shtetit për vitin që vjen gjithashtu është bllokuar. Kërkesa e opozitës vazhdon të jetë anullimi i marrëveshjes së Asosacionit të komunave serbe dhe i marrëveshjes me Malin e Zi për kufirin. Ne vend të debatit e argumentit të munguar, në rrugët e Prishtinës ka protesta që shoqërohen me gurë e mjete të forta nga demonstruesit si dhe me gazlotsjellës nga ana e policisë. Gjykata ka urdhëruar arrestin e katër deputetëve, për shkak të të cilit një prej të cilëve, zonja Bujupi, tashmë gjendet në paraburgim, ndërsa tre deputetët e VV kanë ikur në drejtim të paditur, për t’u shfaqur ditën djeshme në protestë bashkë me përkrahësit e tyre e përsëri për t’u fshehur në ndonjë vrimë. Isa me Thaçin ia hypën avionit, se i kishte thirrur Mogerini në Bruksel. U takuan edhe me presidentin e Komisionit, Junker. Ndoshta për ta vazhduar pajtimin “historik” me Serbinë.
E si për çudi, në Beograd askush nuk është shqetësuar për atë që ndodh në Kosovë, edhe pse sa herë presidenti, kryeministri e shefi i diplomacisë serbe flasin, deklarojnë se “Kosovo e Metohi është territor serb”. Edhe unë kam filluar tani të besoj se “Kosova po shndërrohet pak nga pak në një territor serb”. Po të mos ndodhte kjo, pra nëse gazi, sprajti, protesta, korrupsioni i qeveritarëve, përfshi dhe këta të opozitës që kanë qenë në pushtet, do ta largonin Kosovën nga Beogradi e nga Serbia, me siguri që politika, akademia, kisha serbe do të jepnin alarmin. Përkundrazi, askush nuk ka folur kundër veprimeve të Albin Kurtit, madje duket se në Beograd ka një entusiazëm të justifikuar për atë që bën Albini në Prishtinë kundër institucioneve të Kosovës. Askush në Beograd nuk është shfaqur i shqetësuar për faktin se politikanët e qeveritarët, me përjashtime natyrisht, janë zhytur në korrupsion dhe basjkëpunojnë me krimin ekonomik, pa përjashtuar dhe bashkëpunimin me mafien serbe.
Beogrqdi po i vëzhgon ngjarjet në Prishtinë më një qetësi të pazakontë për të. Ndërsa në veriun e Kosovës, të cilën “e mbron” Albini, ekstremisti serb, Dardan Molliqaj është shfaqur solidar për ato që Vetëvendosja po kryen në Prishtinë. Si qeveria me korrupsionin dhe kapjen prej tij, ashtu dhe Vetëvendosja me arrogancën e dhunës kundër institucionit të parlamentit po i bëjnë Serbisë shërbimin e paimagjinueshëm disa vite më parë. Ndërsa bota e qytetëruar po sheh e po tallet me papjekurinë dhe inatin prej injorantësh të politikanëve në Prishtinë.
Miqtë e Kosovës e të shqiptarëve u shfaqën të shqetësuar dhe folën pa ngurim. Një ish-ushtar britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha troç se këto veprime po e bëjnë Kosovën gazin e botës dhe se UÇK nuk luftoi që politika në Kosovë të sillet në këtë mënyrë. Ambasadori amerikan për të disatën herë i ka kritikuar veprimet e opozitës dhe ka bërë thirrje për maturi nga të dy palët. Po kujt po ia kërkon ai këtë maturi? Ai e di se janë në përballje dy palë: Njëra e inkriminuar në korrupsion dhe pala tjetër e dehur nga deliri për të ardhur me dhunë në pushtet, me qëllim që t’i shijojë edhe kjo palë frutet e korrupsionit.
Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, ishte më e drejtpërdrejtë, Ajo konstatoi nëpërmjet një shënimi në faqen e saj të FB se kjo situatë e krijuar nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të marrëveshjeve. Nëse kjo do të ishte për shkak të marrëveshjeve, iniciativa e Presidentes dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm do të ishte shfrytëzuar si një mundësi për t’u angazhuar në dialog dhe diskutim për këto çështje. Kjo mund të jetë një tentativë për të çuar vendin në zgjedhje të reja, për të dëshmuar se Qeveria është e pasuksesshme, tentativë për t’u përfshirë në pushtet ose një tentativë për të spostuar (shtyrë) disa procese të tilla si funksionalizimi i Gjykatës Speciale; hakmarrje ndaj Kryeministrit ose të gjitha këto së bashku. Ose ndoshta janë të tjera arsye, por jo dy marrëveshjet. Kjo është e qartë për ne”.
Unë jam i prirur t’i besoj zonjës ambasadore, jo thjesht se ajo përfaqëson një vend mik të Kosovës, Shqipërisë e shqiptarëve, por se i njoh gjermanët. Ata janë të drejtpërdrejtë, ata edhe diplomacinë e bëjnë të tillë, pa lajka, pa doreza diplomatike, pa patur frikë se humbasin ndikim, nëse shfaqen ashtu siçjanë e siç mendojnë. Por të tillë janë treguar të gjithë diplomatët e vendeve mike. Vetëm ndonjë diplomat mik i Rusisë dhe i Albin Kurtit, mund ta ketë këshilluar këtë të fundit që t’i vejë flakën i Kosovës, kësaj radhe jo për bashkimin e saj më Shqipërinë, por për “bashkimin” ose “ribashkimin” e Kosovës me Serbinë.
Vetëvendosja e shpall “armik” ambasadorin e SHBA-ve. Të shohim çfarë do të thotë për ambasadoren gjermane në Prishtinë. Natyrisht ideologjia, së cilës i përmbahet ajo e detyron të orientohet kah lind dielli e jo kah perendon dielli. Ndryshe nuk mund të ndodh që të shpallësh të padëshirueshëm ambasadorin e vendit që ka kontribuar miliona herë më shumë se Albini e albinët për çlirimin e Kosovës, pra ambasadorin e SHBA-ve.
Nuk e di deri ku do të shkojë kjo verbëri politike e njerëzore, por jam i bindur se policia do t’i ekzekutojë urdhërat e gjykatës për arrestimin e Kurtit, Haxhirajt dhe një tjetri deputeti të VV. A do ta zgjidhë konfliktin kjo masë. Jam dhe do të jem skeptik për këtë. Dhuna gjeneron dhunë. Por shpresoj se qytetarët e Kosovës nuk do të mbështesin aventurat e politikanëve të tyre në pushtet ose në opozitë. Nëse politikanët në rolin e gjeneralëve mbeten pa ushtarë, atëherë ata do të detyrohen të shkojnë drejt arsyes dhe të veprojnë sipas arsyes. Arsyen e veprimit politik e shpreh shumë qartë ambasadorja gjermane. Eshtë e tepërt të vijoj më tej më ndonjë argument shtesë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!, Enver Bytyci, Situata në Kosovë

SHTYPI-Kosovë-Kriza në Kuvend shkallëzon në dhunë

November 18, 2015 by dgreca

-Kryetitujt e shtypit të sotëm në Kosovë: Përshkallëzohet dhuna në Kuvend. Kriza eskalon në dhunë. Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë. Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja. Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2015/ “Përshkallëzohet dhuna në Kuvend” dhe “Kriza eskalon në dhunë”, janë kryetituj ballinash në shtypin e sotëm kosovar, ku theksohet se, nëpër “tym e mjegull” dhe nën ndikimin e gazit lotsjellës deputetët e mazhorancës kanë miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e vitin 2016, se opozita dje ishte më e organizuar, duke përdorur edhe sprejin bashkë me gazin lotsjellës në Kuvend dhe se, tensionet nga brenda janë bartur edhe jashtë objektit të legjislativit.
Gazeta Zëri shkruan se, pas një “armëpushimi” trijavor sërish është kthyer dhuna dhe tensionet në Kuvendin e Kosovës, madje edhe më e përshkallëzuar sesa gjatë tre muajve të kaluar. Dje deputetët e tri partive opozitare në përpjekje për ta parandaluar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme plenare, që në rend dite kishte miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Buxhetin për vitin e ardhshëm, kanë përdorur sërish gaz lotsjellës e madje kësaj here edhe spërkatësin “djegës” kundrejt përfaqësuesve të Qeverisë dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Kështu para se të nisë zyrtarisht mbledhja kryetari i Kuvendit Veseli ka shpallur pauzë dhe më pas deputetët e partive në pushtet e kanë vazhduar seancën në një sallë të improvizuar në katin e pestë të Kuvendit. Në këtë seancë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, të cilët janë shprehur të zhgënjyer me dhunën që kanë parë në legjislativ. Por, derisa seanca po vazhdonte në sallën alternative deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës dhe spërkatës edhe nëpër korridore të Kuvendit në drejtim të sigurimit, pasi nuk po i lejonin të shkonin tek kjo sallë, ku po mbahej seanca. Me këtë rast edhe sigurimi u është përgjigjur me spërkatës, nga i cili është lënduar deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, dhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, të cilëve u është ofruar ndihma mjekësore.
Ndërsa Koha Ditore raporton se, të përlotur dhe nëpërmjet dritareve e kanë lëshuar të martën Kuvendin deputetë të subjekteve në pushtet, pasi paraprakisht në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur në një sallë alternative kanë votuar në parim Buxhetin e 2016-s.
Ata janë përballur me gazin lotsjellës të kolegëve opozitarë, që e hodhën në shenjë proteste për moslejimin e tyre në séance.
Brenda një orë, në Kuvend ka pasur tre raste kur është aktivizuar lotsjellës. Ndryshe nga herët e tjera, të martën është përdorur edhe sprej piperi. Në anën tjetër, deputetët opozitarë që kanë përdorur këto mjete, në disa raste gjatë ditës janë përplasur me Policinë brenda dhe jashtë godinës së legjislativit.
Ka pasur edhe një përpjekje për arrestimin e Albin Kurtit, por ka dështuar. Përplasje ka pasur edhe jashtë Kuvendit. Një numër aktivistësh opozitarë kanë protestuar dhe janë përleshur me policinë. Ka pasur të lënduar nga të dyja anët. Ka pasur edhe të arrestuar. Janë shkaktuar edhe dëme materiale.
“Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë”, është kryetitulli tjetër, ku Epoka e Re thekson se, njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, i ka cilësuar të gabueshme dhe të pakuptimta veprimet e opozitës për ta bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, duhet të reflektojnë në këtë rast dhe të kuptojnë se pakica nuk mund ta imponojë agjendën e shumicës parlamentare. Në këtë intervistë për gazetën, Maliqi ka deklaruar se udhëheqësit e këtyre dy subjekteve politike nuk duhet të bëhen vegla të Lëvizës Vetëvendosje. “Sipas asaj që ka ndodhur në dy muajt e fundit, mendoj se opozita duhet të reflektojë seriozisht dhe të shikojë se çfarë veprime po ndërmerr. Sidomos këtë duhet ta shikojnë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e Nismës. Duhet të reflektojnë se a duhet të jenë ata vegla të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosje-s, e cila është parti e papërgjegjshme në këtë situatë”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se me veprimet e saj opozita po e bën shumë më të arsyeshme Qeverinë para bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas Maliqit, rruga që ka zgjedhur opozita do të sjellë më shumë pasoja për këto tri subjekte politike sesa për Qeverinë. “Deri më tani nuk po shoh se opozita ka një koncept të qartë që do të prodhonte një Qeveri më të mirë sesa që kemi tash. Nëse me të gjitha këto provokime dëshirohet të shkohet në zgjedhje, mendoj se është një strategji e gabueshme e opozitës, sepse krejt këto veprime që i ka bërë në dy muajt e fundit jo që e rrisin popullaritetin e opozitës, por e ulin përkrahjen e këtyre tri subjekteve politike”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për veprimet e deputetëve të opozitës në seancën e së martës, ai ka thënë se hedhja e sprejit në drejtim të sigurimit të Kuvendit dhe kabinetit qeveritar është një protagonizëm i sëmurë. Maliqi ka thënë se përkrahja që po ia jep Qeverisë aktuale bashkësia ndërkombëtare po tregon për rrugën e gabueshme që ka zgjedhur opozita. “Kjo është një porosi e qartë se kjo çfarë po bën opozita nuk është aspak diçka që shtetet perëndimore mund ta përkrahin ose ta kenë ndonjë lloj mirëkuptimi. Me këtë lloj të insistimit, me këtë lloj dhune që po e përdor opozita, kjo Qeveri në sy të ndërkombëtarëve po duket shumë më e arsyeshme sesa do të ishte nëse opozita do ta sulmonte Qeverinë në ato pika që besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo Qeveri është e dobët dhe nuk ka treguar punë sa duhet”, është shprehur Maliqi.
“Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja”, sipas kryetitullit të gazetës Bota Sot, e cila thekson “luftën e pakompromis të opozitës me gaz lotsjellës dhe sprej”.
Ndërsa sipas kryetitullit të Kosova Sot, “Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi”. Kjo gazetë thekson se “shtohen tensionet në Kuvendin e Kosovës” dhe se “gjykata lëshon fletë-arrest për deputetë të opozitës”.
Kuvendi i Kosovës në seancë pa opozitën, në një “sallë alternative”, miratoi dje në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Me kërkesë të qeverisë, e cila u takua edhe në mëngjes, me masa të shtuara të sigurisë Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh paradite në seancë të jashtëzakonshme, ku në axhendë e vetmja pikë ishte shqyrtimi i parë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, i cili në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro është miratuar nga kabineti qeveritar në 30 tetor.
Seanca ishte ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila kishte paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare. Opozita që në fillim pengoi zhvillimin e seancës, dhe derisa gazi lotësjellës përsëri u pa në sallën e seancave plenare ku kishte edhe përplasje me sigurimin, kryeparlamentari Kadri Veseli dha pushim dhe ftoi për një mbledhje të Kryesisë.
Pas pushimit seanca e Kuvendit të Kosovës kaloi në një “sallë alternative”, derisa edhe në ambiente të tjera të ndërtesës opozita hodhi gaz lotësjellës derisa jashtë kishte grumbullime proteste dhe përplasje me policinë./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: shkallëzon në dhunë, SHTYPI-Kosovë-Kriza në Kuvend

Opozita Kosovare para Provës së Madhe

November 18, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Po bëhen gati tre muaj që prej 25 gushtit 2015 që kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë nënshkruar në Bruksel me kryeministrin serb Vuçiç një marrëveshje antikombëtare që ka për qëllim copëtimin e trojeve të Kosovës apo, thënë ndryshe, bosnjëzimin e Kosovës. Kjo marrëveshje shënon aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare që kanë kryer këta mercenarë të shitur kokë e këmbë te Beogardi.
Pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje tradhtarësh, Thaçi me Mustafën, si dy argatë të bindur të Beogradit, gjatë kësaj periudhe që ka kaluar, janë munduar që asaj t’i japin fuqi ligjore, përmes votimit në parlament. Por deri tani nuk kanë mundur t’ia arrijnë qëllimit, për shkak të kundërshtimit të vendosur të opozitës.
Nga mjetet e informimit masiv, deri tani kisha mësuar në vija të përgjithshme se, sipas asaj marrëveshjeje, duhet të krijohet shoqata e komunave serbe (i shtuquajturi asociacion), me atribute autonomiste, me qëllim që hartës së Kosovës t’i japin pamjen e lëkurës së leopardit. Me fjalë të tjera, sipas asaj marrëveshjeje, serbët e Kosovës do të vetëqeverisen dhe varësinë do ta kenë drejtpërsëdrejti nga Beogradi, çka do të thotë se nuk e njohin autoritetin e Prishtinës.
Pra, pas gjithë atyre krimeve të rënda, pas gjithë atij gjenocidi të egër që shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe ushtruan ndaj popullit shqiptar të Kosovës, mbas gjithë atyre shkatërrimeve barbare që shovinizmi gjaksor serb kreu në mbarë territorin e Kosovës, ku minoriteti serb ishte mbështetja më e fuqishme e Millosheviçit në synimin e tij për zbrazjen e Kosovës nga banorët e saj shqiptarë, tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa hedhin firmat për autonomizimin e minoritetit serb brenda territorit kosovar.
Në vend që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të kishin menduar me kohë e me vakt për përgatitjen e një Rezolute të posaçme për gjenocidin serb, për vrasjet barbare, si në skenat e mesjetës, për djegiet dhe shkatërrimet, për përdhunimin e 20 mijë grave dhe vajzave, për vrasjet e mijëra qytetarëve dhe zhdukjen e kufomave të tyre, për kompensimin e të gjitha dëmeve të rënda që Beogradi i shkaktoi Kosovës, dhe këtë Rezolutë, të shoqëruar me prova dhe fakte konkrete, t’ia nisnin Këshillit të Sigurimit, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kongresit dhe Senatit Amerikam, si edhe Brukselit, ata, përkundrazi, vendosën t’i dhurojnë Beogardit vetadministrimin e komunave serbe, përmes autonomizimit të tyre.
Në këto kushte, vjen vetvetiu përfundimi se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë agjentë të regjur të Beogradit, të cilët me siguri që kanë hyrë në shërbim të tij këtu e shumë vite të shkuara.
Unë, siç e përmenda më lart, kisha marrë të dhëna se në themel të marrëveshjes ishte autonomia e komunave serbe. Por nuk e kisha informacionin e duhur se si duhet të konkretizohet kjo marrëveshje. Fatmirësisht, përmes faqeve të internetit u njoha me disa fakte konkrete që dëshmojnë për gjëmën qëi kanë përgatitur Kosovës dy kryetradhtarët e saj me damkë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
Nga një analizë e zotërisë Idriz Zeqiraj, të botuar në internet pak ditë më parë, mësova të vërtetën tragjike që përmban marrëveshja në fjalë. Në atë analizë, sa të argumentuar dhe profesionalisht të realizuar, zotëria i nderuar Idriz Zeqiraj shkruan:
“Mjaftojnë tri çështje që ngërthejnë marrëveshjen për “Zajednicën”:
1. Ushtria e Kosovës nuk lejohet të depërtojë në Veri.
2. Lejet për kthim dhe ndërtim të shtëpive të shqiptarëve, janë në varësinë ekskluzive të komunës, me shefa serbë;
3. Pikën doganore në Veri e vjel komuna, e cila e njeh për shtet Serbinë dhe jo Kosovën. Rrjedhimisht, një shtet i huaj, pra, Serbia, menaxhon pikën doganore!!! Ndërkohë që kudo në botë doganat janë monopol shtetëror” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Veprimet provokuese dhe tërbuese të Hashimit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 nëntor 2015).
Vetvetiu lind pyetja:
Po Brukseli, si ndërmjetës, ç’qëndrim po mban ndaj kësaj marrëveshjeje?
Nënkuptohet që, përderisa tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në prani të përfaqësueses së Bashkimit Evropian Federika Mogherini, kanë pranuar kërkesat e Beogradit që i ka bërë publike zotëria Idriz Zeqiraj që e citova më lart, atëherë Brukseli s’ka pse të ketë ndonjë kundërshtim. Sepse Bashkimi Evropian, fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, mori tërësisht anën e Serbisë dhe atij i intereson vetëm fati i Serbisë, sespe prapa saj vigjëlon Rusia, armikja e betuar e kombit shqiptar. Për këtë përkrahje të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian dhe braktisjen e Kosovës në mëshirën e fatit, dëshmon ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zanieri, i cili, më shumë se katër vjet të shkuara, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka pasë deklaruar:
“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16 prill 2011).
Faktin që Brukseli është tërësisht në anën e Serbisë dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015, informacioni i mëposhtëm e vërteton pa mëdyshjen më të vogël:
“Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që t’i implementojnë detyrat. të cilat i kanë shkruar në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës suspendoi këtë marrëveshje deri në marrjen e një vendimi pas kërkesës së Presidentes së Kosovës, Brukseli thotë se marrëveshja e arritur më 25 gusht ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandër Vuçiq, duhet të implementohet.Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogherini, tha se BE pret zbatimin e marrëveshjes së arritur.
“Ne nuk i komentojmë proceset gjyqësore që janë në rrjedhë, por presim që marrëveshja e 25 gushtit të implementohet.Të dyja palët janë përgjegjëse për pjesën e tyre të punës në implementim”” (Citohet sipas:“Çfarë thotë BE për suspendimin e Asociacionit?”. Faqja e internetit e gazetës “Bota sot”. 11 nëntor 2015).
Qëndrimi prej tradhtarësh me damkë i Hashim Thaçit dhe i Isa Mustafës, të cilët, për të pasur përkrahjen e Brukselit në ruajtjen e kolltuqeve të tyre të turpshme dhe duke shkelur si pa gjë të keqe mbi gjakun e të rënëve për lirinë e Kosovës, pranuan të ulen në dialog me Serbinë millosheviçiane, pa përgatitur paraprakisht Rezolutën e lartpërmendur, më kujton qëndrimin tradhtar të Enver Hoxhës ndaj shovinizmit grekokaragjoz, me të cilin ai pranoi të lidhte marrëdhënie diplomatike më 06 maj 1971, pa kërkuar paraprakisht prej tij abrogimin e ligjit të luftës. Meqenëse ky ligj është ende në fuqi edhe sot e kësaj dite, për shkak të qëndrimit tradhtar të Enver Hoxhës ndaj Athinës shoviniste, Greqia vazhdon të mos e njohë tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, popullsia shqiptare e Çamërisë nuk është kthyer në trojet e veta dhe minoriteti shqiptar në Greqi nuk gëzon asnjë të drejtë.
Analisti ushtarak shqiptaro-amerikan dhe atdhetari i shquar Aurel Dasareti shkruan:
“Qeveria kriminale antikombëtare e Hashim Thaçit dhe e Isa Mu(t)stafës domosdoshmërisht të ndërpresë dialogun me Serbinë dhe të shpallë të pavlefshme nënshkrimet për “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe“Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”” (Citohet sipas: Aurel Dasareti.“A po digjet Shqipëria?”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 11 nëntor 2015).
Në kushtet e krijuara pas tradhtisë së hapur të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, i cili, me urdhër të Beogradit, hyri në aleancë qeverisëse me kryetradhtarin Hashim Thaçi, opozita kosovare, nëse është e zonja dhe udhëhiqet tërësisht nga mbrojtja e interesave të larta kombëtare, duhet të zgjojë popullin dhe ta ngrejë më këmbë, duke trokitur në derë të çdo qytetari të Kosovës, në krejt territorin e saj, për t’i sqaruar tradhtinë e lartë që kanë kryer krerët e dy partive kryesore, tradhti kjo, e cila ka rrezik që popullin shqiptar të Kosovës ta hedhë në një luftë civile, që do t’i vinte shumë në osh Serbisë. Opozita Kosovare tani ndodhet para Provës së Madhe.

Santa Barbara, Kaliforni
18 nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Opozita Kosovare, para Provës së Madhe, Prof. dr. eshref Ymeri

Solidariteti Amerikan me Francën

November 17, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/
Të hënën mbrëma, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry arrijti në Paris për t’i shfaqur popullit francez solidaritetin e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve terroriste në Paris. Ai arrijti kryeqytetin francez nën masa të forta sigurie, për të shprehur ngushëllimet e rastit për viktimat e terrorit, për të theksuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Francën në këtë moment të vështirë, për të nënvijuar marrëdhënjet e forta që historikisht kanë ekzistuar midis dy vendeve dhe njëkohsisht për të venë në dukje vendosmërinë e përbashkët të Washingtonit dhe Parisit për të luftuar terrorizmin.
Me të arritur në kryeqytetin francez, ai shkoi në ambasadën amerikane në Paris të hënën mbrëma, ku mbajti një fjalim duke e cilësuar Francën si “Mikën më të vjetër dhe aleatën e parë të Amerikës.” Ai shtoi se ky fakt vërtetohet më së miri në periudhat më të errëta dhe më të vështira të historisë së marrëdhënjeve miqësore midis dy vendeve, duke thënë se, “Kjo ishte e vërtetë kur Laffayette kaloi Atlantikun 238 vjetë më parë për të ndihmuar Amerikanët që të realizonin lirinë e tyre. Kjo ishte e vërtetë në vitin 1917, kur ushtria e gjeneralit amerikan Pershing zbarkoi në Francë pë t’iu bashkuar frontit të aleatëve. Kjo ishte e vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Amerika bashkoi forcat e saja me luftëtarët guximtarë e trima të rezistencës franceze për të kundërshtuar dhe për të mundur njërën prej ideologjive më të këqia që kishte parë ndonjëherë bota.”
Kjo miqësi dhe aleancë midis dy vendeve tona sigurisht që u vërtetua edhe 14 vjetë më parë, shtoi kryediplomati amerikan John Kerry, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në New York, në Pensilvani dhe në Washington. Duke kujtuar reagimin francez ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai përmendi kryeartikullin në faqen e parë të gazetës së njohur franceze Le Monde në atë kohë, që pasqyronte atëherë ndjenjat e popullit francez në solidaritet me Shtetet e Bashkuara se, (“Nous sommes tous Americains”) ,”Ne të gjithë jemi Amerikanë”.
Zyrtari i lartë amerikan nënvijoi se, “Ai ishte momenti që vuri në dukje qartë se miqësia shekullore midis dy vendeve tona kishte arritur një nivel më të lartë se thjeshtë një nivel miqësie: Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk ishin thjeshtë vende mike. Ne jemi një familje”, deklaroi John Kerry në Paris.
Kryediplomati amerikan vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se, sot mbarë bota i bashkohet familjes tonë në pikëllimin që ndjejmë nga këto akte terroriste. “Terroristët i kanë deklaruar luftë mbarë qytetërimit. Ata vrasin grupin etnik Jeziditët vetëm se janë Jeziditë. Ata vrasin të Krishterët vetëm se janë të Krishterë. Ata vrasin Shiat vetëm se janë Shia, e ashtu me radhë”, theksoi Kerry. “Terroristët përdhunojnë, torturojnë e plaçkisin dhe këto ata i quajnë vullnet i Zotit. Ndërkohë që ai i cilësoi terrroristët si, “egërsira psikopate të rrezikshme, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetërimin”.
Barbarizmi që shkaktoi dhunën, terrorin dhe vrasjen e pakuptimtë të 132 vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Paris – përfshirë edhe katër amerikanëve – nuk është vetëm një sulm kundër Francës, u shpreh Zoti Kerry, por kur të merren parasyshë sulmet e tyre të fundit në Liban, në Irak, në Egjipt, në Turqi, dhe gjetiu, atëherë këto sulme përbëjnë një goditje kundër arsyes dhe objektivave tona të përbashkëta, me fjalë të tjera shtoi ai, ky është një sulm kundër vet qytetërimit. Duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për humbje jete në sulmet teroriste në kryeqytetin francez, ai tha se ata që u vranë në Paris nga terrorizmi nuk mund t’i ngjallim, por duhet të bëjmë atë që mundemi — dhe kjo fillon nga një ndjenë e thellë solidariteti në radhët e njerzve të mirë dhe të ndershëm kudo, “duke u angazhuar se nuk do të frikësohemi kurrë nga terroristët dhe duke premtuar se nuk do të lejojmë që këta vrasës të realizojnë objektivat e tyre të turpshme”, tha në fjalimin e tij në ambasadën amerikane në Paris kryediplomati amerikan. Në këtë moment të vështirë për popullin francez, ai u shpreh duke u premtuar francezve se, “Motërat dhe vëllëzërit tuaj amerikanë do jenë pranë jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht pranëjush dhe me ju”, duke shtuar se “Sonte ne të gjithë jemi parisianë.”
Ndërkohë që Presidenti i Francës, Francois Hollande i quajti sulmet në Paris si “një akt lufte” dhe përcaktoi Shtetin Islamik si përgjegjës për to, këtu në Shtetet e Bashkuara ka patur thirrje ditët e fundit që, si rrjedhim, Washingtoni të bëjë diçka më shumë se shprehje solidariteti. Të djelën që kaloi në një program të rrjetit të televizionit amerikan, ABC, njëri prej kandidatëve republikanë për president, Senatori i shtetit Florida, Marco Rubio tha se sulmet terroriste në Paris nevojitin një përgjigjetë fortë nga organizata NATO.
Ai pasqyroi deklaratën e presidentit francez se sulmet ishin një “akt lufte”, duke u shprehur se sulmet terroriste në kryeqytetin francez ishin në fakt të tilla dhe i cilësoi si, “Sulme kundër njërit prej aleatëve tonë në NATO, dhe si përfundim, shtoi ai, duhet të vihet në veprim artikulli 5 i marrveshjes së NATOs për të formuar një koalicion me qëllim që së bashku të përballohet kjo sfidë”.
Artikulli 5 i marrveshjes NATOs përcakton që një sulm kundër njërit prej anëtarve të saj është një sulm kundër të gjithëve. Ndërkohë, që një kandidat tjetër republikan për president, ish-governatori Jeb Bush tha të djelën se nëqoftse Franca, një prej aleatëve tonë më të vjetër, më të fortë dhe më besnikë në të gjithë historinë tonë, dëshiron invokimin e artikullit 5 të marrvehsjes së NATO-s, atëherë ne duhet të marrim parasyshë kërkesën e saj, pasi sipas tij, sulmet përbëjnë një “kërcënim ndaj qytetërimit perëndimor”. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithëshëm i NATOs, Jens Stoltenberg ka thënë se aleatët e Francës në NATO janë të gatshëm ta ndihmojnë Francën, megjithëse Parisi nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga Organizata e Atlantikut Verior, NATO.
Me ose pa invokimin e artikullit 5 të marrveshjes së aleancës NATO nga Franca, duket se të pakën Shtetet e Bashkuara dhe Franca, pas sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, do të rrisin bashkpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të tyre anti-terroriste. Të martën në Paris, pas takimit të tij me Presidentin francez Hollande, Sekretari Amerikan i Shtetit tha se ata biseduan mbi një numër masash që mund të ndërmerren së bashku për të qenë më të efektshëm në luftën kundër terrorizimit. Kryedipolamti amerikan njoftoi gjithashtu nga Parisi se Presidenti i Francës, Francois Hollande do të vizitojë Washingtonin mbrenda një jave, për bisedime të mëtejshme me Presidentin amerikan Barak Obama.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, me Francën, Solidariteti Amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 728
  • 729
  • 730
  • 731
  • 732
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT