“Drojë nga konflikti qytetar”, thekson shtypi i sotëm i Kosovës në një nga titujt. Ndërsa, kryetitujt e ballinave janë: “Shteti me polici, opozita me vandalizëm” – te gazeta Koha Ditore, “No comment!” – te Zëri, “Dhuna nuk i sjell favore asnjërës palë” – te Epoka e Re, “Protesta të dhunshme! Gurë dhe gaz lotsjellës, arrestime dhe kërcënime!” – te Bota Sot, “‘Luftë’në Prishtinë, Thaçi e Mustafa fshihen në Bruksel” – te Kosova Sot/
-Qeveria e Kosovës deklaroi mbrëmë se, dënon ashpër dhunën e skajshme të manifestuar nga opozitarë të dhunshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, e cila ka arritur përmasa absurde, duke e tejkaluar çdo kuptim/
-Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, do të mbajë sot konferencë shtypi, ku do të flasë lidhur me zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës/
-Opozita paralajmëron: Kundërshtimi aktiv do të rritet për çdo ditë e më shumë. Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Nëntor 2015/ “Shteti me polici, opozita me vandalizëm”, është kryetitull në ballinën e shtypit të sotëm kosovar për zhvillimet e djeshme në Prishtinë.
Koha Ditore shkruan se, dita e mërkurë në Prishtinë ka nisur me aksionin e Policisë për të arrestuar katër deputetë opozitarë të dyshuar për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
U arrestua Donika Kadaj-Bujupi e AAK-së, derisa tre deputetët e VV-së – Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli – nuk u zunë nga Policia.
Arrestimit opozita iu përgjigj me protesta, të cilat gradualisht eskaluan në përplasje mes opozitarëve dhe Policisë, ku nga njëra anë u përdorën gurë e kokteje molotovi, e nga tjetra gazi lotsjellës.
Vendimi i pasdites për 30 ditë paraburgim për deputeten e AAK-së nxiti përshkallëzimin edhe më të madh të protestave, të cilat deri në orët e mbrëmjes degraduan në vandalizëm dhe shkatërrim të pronës.
Me rënien e territ, përplasja u ndal, por rrugëve të qytetit mbetën pasojat e saj, derisa gjasat për një zgjidhje të situatës duken edhe më të largëta, shkruan gazeta.
“Drojë nga konflikti qytetar”, është një nga titujt tjerë të gazetës, ku theksohet: “Pushteti e subjektet opozitare kanë ashpërsuar gjuhën midis tyre. Përfaqësuesit diplomatikë janë marrë me motivet që kanë prodhuar këtë situatë. E analistët kanë folur për një momentum të ri në skenën politike, të krijuar nga e mërkura, e që, sipas tyre, mund të përshkallëzojë në konflikt qytetar”.
Ndërsa në një nga shkrimet theksohet se, “analistët kanë folur për një momentum të ri në skenën politike, të krijuar nga e mërkura, e që, sipas tyre, mund të përshkallëzojë në konflikt qytetar”.
“No comment!”, është kryetitulli te Zëri, ku shkruan, se arrestimi dhe paraburgosja e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ngjalli protesta të dhunshme në qendër të Prishtinës. Shumë rrugë janë kthyer në kaos të vërtetë, ndërsa raportohet për 10 të lënduar, në mesin e tyre shtatë policë të njësive speciale. Opozita paralajmëron vazhdimin e protestave, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë zhgënjehen me “pamjen e Kosovës”.
Kryetituj tjerë në ballina gazetash janë: “Dhuna nuk i sjell favore asnjërës palë” – te Epoka e Re, “Protesta të dhunshme! Gurë dhe gaz lotsjellës, arrestime dhe kërcënime!” – te Bota Sot, “‘Luftë’në Prishtinë, Thaçi e Mustafa fshihen në Bruksel” – te Kosova Sot.
Mbrëmë , VV, AAK e Nisma paralajmëruan se, “përballë insistimit të qeverisë, që t’i zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, kundërshtimi aktiv i opozitës së bashkuar do të rritet dhe do të intensifikohet për çdo ditë e më shumë”.
“Nuk do të tolerojmë që Kosova të shndërrohet në shtet policor, e shteti policor në instrument të mbrojtjes së ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit. Nuk do të ketë qetësi derisa pushteti vazhdon arrogancën, duke arrestuar opozitën”, shprehen tre partitë opozitare në deklaratën e përbashkët.
“Nuk mund të ketë normalizim ngase Kosova po rrezikohet nga defunksionalizimi dhe ndarja etnike. Opozita e bashkuar do të vazhdojë aktivitetet dhe protestat deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme dhe lirimin e deputetëve të opozitës”, përfundon deklarata.
Policia e Kosovës mbrëmë njoftonte se, si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, deri në ora 19:30 numri i zyrtarëve policorë të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka arritur në 7, mirëpo ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime sipërfaqësore, por që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ndërsa në bazë të informacioneve të mëhershme lëndime kanë pësuar 2 qytetarë, të cilëve po ashtu iu është dhënë ndihma mjekësore.
Policia e Kosovës përmes njësiteve të saja relevante deri në ora 19:30 ka shoqëruar në stacione policore 22 protestues të dhunshëm, si dhe më parë ka konfiskuar në vendngjarje një çantë të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.
Po ashtu në bazë të informacioneve të Policisë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekte publike, përfshirë ndërtesën e qeverisë. Ka pasur edhe dhjetëra vetura të dëmtuara, mes tyre 4 vetura të Policisë dhe një veturë qeveritare është djegur.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mbrëmë njoftonte: “Isha në Ministri dhe aty ishin shkatërruar shumica e veturave. Ishin bërë dëme edhe në objektin e Ministrisë…”
Ndërkohë, sapo njoftohemi se ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, do të mbajë sot konferencë shtypi, ku do të flasë lidhur me zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës.
KOSOVË-QEVERIA: DHUNA E OPOZITËS, PËRMASA ABSURDE
PRISHTINË, 19 Nëntor 2015/ Qeveria e Kosovës deklaroi mbrëmë se, dënon ashpër dhunën e skajshme të manifestuar nga opozitarë të dhunshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, e cila ka arritur përmasa absurde, duke e tejkaluar çdo kuptim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e indinjuar me lëndimet që iu shkaktuan sot qytetarëve të pafajshëm, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe me dëmet materiale dhe skenat e tmerrshme që u panë sot në Prishtinë”, thuhej në deklaratën e dërguar mbrëmë.
“Hipokrizia e opozitës qëndron në faktin se ata gjoja po protestojnë për mbrojtjen e Republikës, por në emër të mbrojtjes së saj ata po tentojnë ta shkatërrojnë atë, po i sulmojnë institucionet e saj, po përdhosin çdo gjë që është ndërtuar me shumë mund”, theksonte deklarata e qeverisë kosovare.
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet se, “qëndron e palëkundur nga dhuna e shfrenuar e një grushti ekstremistësh e banditësh dhe inkurajohet nga refuzimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtyre skenarëve”.
“Projektet zhvillimore, rritja e investimeve të huaja, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, proceset integruese evropiane dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike, nuk mund të pengohen nga grupe banditeske që po synojnë ta zhysin vendin në kaos”, theksonte qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkrahjen më të fuqishme për Policinë e Kosovës, e cila me përkushtim po e mbron Republikën e Kosovës nga aktet kriminale të orkestruara për përfitime ekskluzivisht politike”, përfundonte deklarata.