-Kryetitujt e shtypit të sotëm në Kosovë: Përshkallëzohet dhuna në Kuvend. Kriza eskalon në dhunë. Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë. Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja. Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2015/ “Përshkallëzohet dhuna në Kuvend” dhe “Kriza eskalon në dhunë”, janë kryetituj ballinash në shtypin e sotëm kosovar, ku theksohet se, nëpër “tym e mjegull” dhe nën ndikimin e gazit lotsjellës deputetët e mazhorancës kanë miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e vitin 2016, se opozita dje ishte më e organizuar, duke përdorur edhe sprejin bashkë me gazin lotsjellës në Kuvend dhe se, tensionet nga brenda janë bartur edhe jashtë objektit të legjislativit.
Gazeta Zëri shkruan se, pas një “armëpushimi” trijavor sërish është kthyer dhuna dhe tensionet në Kuvendin e Kosovës, madje edhe më e përshkallëzuar sesa gjatë tre muajve të kaluar. Dje deputetët e tri partive opozitare në përpjekje për ta parandaluar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme plenare, që në rend dite kishte miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Buxhetin për vitin e ardhshëm, kanë përdorur sërish gaz lotsjellës e madje kësaj here edhe spërkatësin “djegës” kundrejt përfaqësuesve të Qeverisë dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Kështu para se të nisë zyrtarisht mbledhja kryetari i Kuvendit Veseli ka shpallur pauzë dhe më pas deputetët e partive në pushtet e kanë vazhduar seancën në një sallë të improvizuar në katin e pestë të Kuvendit. Në këtë seancë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, të cilët janë shprehur të zhgënjyer me dhunën që kanë parë në legjislativ. Por, derisa seanca po vazhdonte në sallën alternative deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës dhe spërkatës edhe nëpër korridore të Kuvendit në drejtim të sigurimit, pasi nuk po i lejonin të shkonin tek kjo sallë, ku po mbahej seanca. Me këtë rast edhe sigurimi u është përgjigjur me spërkatës, nga i cili është lënduar deputeti i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, dhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, të cilëve u është ofruar ndihma mjekësore.
Ndërsa Koha Ditore raporton se, të përlotur dhe nëpërmjet dritareve e kanë lëshuar të martën Kuvendin deputetë të subjekteve në pushtet, pasi paraprakisht në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur në një sallë alternative kanë votuar në parim Buxhetin e 2016-s.
Ata janë përballur me gazin lotsjellës të kolegëve opozitarë, që e hodhën në shenjë proteste për moslejimin e tyre në séance.
Brenda një orë, në Kuvend ka pasur tre raste kur është aktivizuar lotsjellës. Ndryshe nga herët e tjera, të martën është përdorur edhe sprej piperi. Në anën tjetër, deputetët opozitarë që kanë përdorur këto mjete, në disa raste gjatë ditës janë përplasur me Policinë brenda dhe jashtë godinës së legjislativit.
Ka pasur edhe një përpjekje për arrestimin e Albin Kurtit, por ka dështuar. Përplasje ka pasur edhe jashtë Kuvendit. Një numër aktivistësh opozitarë kanë protestuar dhe janë përleshur me policinë. Ka pasur të lënduar nga të dyja anët. Ka pasur edhe të arrestuar. Janë shkaktuar edhe dëme materiale.
“Haradinaj dhe Limaj duhet të reflektojnë”, është kryetitulli tjetër, ku Epoka e Re thekson se, njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, i ka cilësuar të gabueshme dhe të pakuptimta veprimet e opozitës për ta bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, duhet të reflektojnë në këtë rast dhe të kuptojnë se pakica nuk mund ta imponojë agjendën e shumicës parlamentare. Në këtë intervistë për gazetën, Maliqi ka deklaruar se udhëheqësit e këtyre dy subjekteve politike nuk duhet të bëhen vegla të Lëvizës Vetëvendosje. “Sipas asaj që ka ndodhur në dy muajt e fundit, mendoj se opozita duhet të reflektojë seriozisht dhe të shikojë se çfarë veprime po ndërmerr. Sidomos këtë duhet ta shikojnë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e Nismës. Duhet të reflektojnë se a duhet të jenë ata vegla të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosje-s, e cila është parti e papërgjegjshme në këtë situatë”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se me veprimet e saj opozita po e bën shumë më të arsyeshme Qeverinë para bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas Maliqit, rruga që ka zgjedhur opozita do të sjellë më shumë pasoja për këto tri subjekte politike sesa për Qeverinë. “Deri më tani nuk po shoh se opozita ka një koncept të qartë që do të prodhonte një Qeveri më të mirë sesa që kemi tash. Nëse me të gjitha këto provokime dëshirohet të shkohet në zgjedhje, mendoj se është një strategji e gabueshme e opozitës, sepse krejt këto veprime që i ka bërë në dy muajt e fundit jo që e rrisin popullaritetin e opozitës, por e ulin përkrahjen e këtyre tri subjekteve politike”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për veprimet e deputetëve të opozitës në seancën e së martës, ai ka thënë se hedhja e sprejit në drejtim të sigurimit të Kuvendit dhe kabinetit qeveritar është një protagonizëm i sëmurë. Maliqi ka thënë se përkrahja që po ia jep Qeverisë aktuale bashkësia ndërkombëtare po tregon për rrugën e gabueshme që ka zgjedhur opozita. “Kjo është një porosi e qartë se kjo çfarë po bën opozita nuk është aspak diçka që shtetet perëndimore mund ta përkrahin ose ta kenë ndonjë lloj mirëkuptimi. Me këtë lloj të insistimit, me këtë lloj dhune që po e përdor opozita, kjo Qeveri në sy të ndërkombëtarëve po duket shumë më e arsyeshme sesa do të ishte nëse opozita do ta sulmonte Qeverinë në ato pika që besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo Qeveri është e dobët dhe nuk ka treguar punë sa duhet”, është shprehur Maliqi.
“Kosova po shkon buzë konfliktit, kërkohet ndërhyrja”, sipas kryetitullit të gazetës Bota Sot, e cila thekson “luftën e pakompromis të opozitës me gaz lotsjellës dhe sprej”.
Ndërsa sipas kryetitullit të Kosova Sot, “Buxheti trafikohet në gjendje shtetrrethimi”. Kjo gazetë thekson se “shtohen tensionet në Kuvendin e Kosovës” dhe se “gjykata lëshon fletë-arrest për deputetë të opozitës”.
Kuvendi i Kosovës në seancë pa opozitën, në një “sallë alternative”, miratoi dje në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Me kërkesë të qeverisë, e cila u takua edhe në mëngjes, me masa të shtuara të sigurisë Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh paradite në seancë të jashtëzakonshme, ku në axhendë e vetmja pikë ishte shqyrtimi i parë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, i cili në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro është miratuar nga kabineti qeveritar në 30 tetor.
Seanca ishte ftuar nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila kishte paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare. Opozita që në fillim pengoi zhvillimin e seancës, dhe derisa gazi lotësjellës përsëri u pa në sallën e seancave plenare ku kishte edhe përplasje me sigurimin, kryeparlamentari Kadri Veseli dha pushim dhe ftoi për një mbledhje të Kryesisë.
Pas pushimit seanca e Kuvendit të Kosovës kaloi në një “sallë alternative”, derisa edhe në ambiente të tjera të ndërtesës opozita hodhi gaz lotësjellës derisa jashtë kishte grumbullime proteste dhe përplasje me policinë./b.j/