• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MSA vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së

October 27, 2015 by dgreca

-Në Strasburg u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës/
-Mustafa: Ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës/
-Mogherini: Do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë/
-Hahn: Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim/
Nga Behlul Jashari/ STRASBURG-PRISHTINË, 27 Tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar sot në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Njoftimi dërguar nga Strasburgu thekson se, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Ai, po ashtu, e falënderoi përfaqësuesen e Lartë, familjet, dhe të gjithë të tjerët, të cilët punuan në muajt e kaluar duke e vlerësuar si një arritje për të gjithë familjen evropiane. “Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi komisioneri Hahn.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, drejt BE-së, e kosoves, MSA vulos rrugën

ALIDA

October 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Intervista e Alida Hiskut është sot më e debatuara. Dhe njerëzit çuditërisht kanë zënë të grinden mes tyre. Disa i besojnë dhe u duken çnjerëzore, puna e torturave, përdhunimi me thes në kokë,gjilpërat etj. Madje shkojnë deri aty sa e quajnë të marrë, të shkalluar. Madje, madje harrojnë Alidën dhe shahen mbarë e mire me njëri­tjetrin. Sërish për hir të radhitjes, të atij rreshtimi shekujsh, unë me këtë dhe ti me atë. Por asnjëherë me vetveten, prezencën e qytetarit bashkëhor.
1)Pyetja më naïve është se përse, Alida Hisku i thotë këto tani? Ndërkohë kur këngëtarja pohon se libri i saj ”Marioneta të politikës së diktaturës së Enver Hoxhës”, ka disa vite që është botuar në Gjermani. Dhe në gjuhën gjermane. Punë e saj si autore përse vendosi ta shkruaj gjermanisht, apo edhe ta botojë gjermanisht.
Ashtu sikur është edhe puna e shtypit që I bie rruga nga Gjermania dhe takon Alidën. Ashtu sikur është dhe puna jonë të shqyhemi, për ditë, pa e kuptuar asnjëherë se sa tifozë të çmendurisë jemi.
Ose të shfrenisë. ”Jena t’shfrenuem, s’jena t’lirë”, kumtonte vite më pare një poete shqiptare me emrin Ledia Dushi.
2)Intervista e Alida Hiskut nuk është tronditëse për një fakt që ia pohon vetë këngëtarja, gazetares. Kur i thotë se përse e tmerrshme, sa vite ke gazetare, nuk i ke dëgjuar ti këto?!
E vërteta është absurd tek ne. Sidomos kur flitet për të shkuarën jo të largët. Ose trajtohet me një delikatesë mosdije. Prej qelqi. Vërtet të kenë ndodhur këto në Shqipëri? Vërtetë t’i kenë bërë njerëzit tanë këto? Ngjajnë si në botën kineze. Ngjajnë si në botën e sovjetëve?! Ngjajnë si në botën e Kamboxhias së Pol Potës etj.
Të Koresë së Veriut, Vietnamit etj.Por ne pjesë e tyre kemi qënë. E kampit, e kampeve që marshonin me plane solidariteti dy, tre,pesë vjeçarë. Jo vetëm për të shqyer malet, nëntokën. Por edhe veteveten, njëri­tjetrin pra.
Që pak a shumë po e bëjmë edhe tani. Por jo përmes kampeve apo gulagëve. Por në mënyrë moderne…, duke u verbuar pas liderëve. Në luftën e tyre plot shkëlqim kollaresh, faqesh edhe pse të parruara. Përballë atyre tonave, të vrara nga lodhja e nervave, të deformuar nga rakia, të bjerrur prej mungesës së ujit dhe të dritave. Apo mosushqimit të duhur etj. Duke e pranuar publikisht, që ata të flasin veten për veten, për njëri ­tjetrin, në emrin tone. Dhe jo për hallet tona. Për hallet e tyre. Që janë apo nuk janë të vërteta kurvëritë e tyre me thes në kokë.
3)Çuditërisht shqiptarët grinden se, vërtetë i përdhunonin femrat duke i vendosur thesin në kokë…? Dhe harrojnë se burrat shqiptarë mburren duke përgojuar fytyrën e një gruaje. Me fjalët e kafshës që, mbuloji kokën me jastëk dhe shfryu. Këtë ma kanë thënë edhe ballkanas të tjerë. E kemi si shprehje lapidare. Por edhe ballkanasit pjesë e kampeve kanë qënë,
Kemi shumë ”padituri” ndaj veprimeve që i bëjmë me ndërgjegje. Me devotshmëri. Edhe pse e dime fare mire që po bëjmë krim. Dhe po ashtu nuk e kemi për gjë të vritemi në emër të krimit.
Sepse vrasjet nuk ndodhin vetëm me plumba, por edhe me këto shqyerjet, habitjet, mos pranimin, mos pendesën etj.
4)Kurse Alidës dua t’i kushtoj pak radhë për zemrën e madhe.
Në botën tonë ka pak si ty…, që konsiderojnë si çmim të madh zemrën e popullit. Jo numrin e medaljeve të komisioneve dhe jurive. Dhe ti ke të drejtë mjeshtre. Je zemra e njerëzve, zëri i tyre.
Pak nga ata që dinë të falin. Që kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se pendesa është hapja e shpirtit.Liria e tij. Dhe ikja një here e përgjithmonë nga burgu i vetvetes. Ka pak artistë apo intelektualë,krijesa apo gjallesa plot bukuri. Që afrojnë dlirësinë shpirtërore, si e si njerëzit të afrohen. Të mos e shqyejnë më njëri­tjetrin. Por ne kështu jemi. Engjujt i nëmin, i akuzojmë. Aty gjithçka është çorbëzuar. Dhe kjo na i mbush sytë me keqardhje.
Kurajo e jote duket shfaqje e huaj. Sepse ka me qindra të përdhunuara që jetojnë me turpin. Që heshtën, heshtin akoma. Që jetojnë duke e mbuluar dhunën, si macja pëgërjen e saj me hi. Ose nga ata që, përdhunimin e kanë kthyer medalje. Dhe përmes ideatorëve të dhunimit, kërkojnë shpërblim. Nga takati i këputur i popullit fytyrë rreshkur. Kjo është arsyeja e tranzicionit të përjetshëm shqiptar. Ne nuk u ndamë nga e kaluara, ndaj sot jemi në depresion. Pasi ideatorët vetëm se ndërruan kostumet, dietat. Kurse ne jemi akoma muhaxhirë.
Dhe kjo mungesa e përgjegjësisë qytetare, për të harruar, mbuluar, shqyer njëri­tjetrin. Do na lëri edhe ca dekada muhaxhirë.
Njerëz me thasë në kokë duke na palluar kafshërisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alida, Ilir Levonja

Thirrja e seancës, ftesë për kaos

October 26, 2015 by dgreca

Kosovë-shtypi: Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje/
-Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”./
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ “Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje”, paralajmëron sot në një kryetitull shtypi në Prishtinë për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe jashtë tij, me bllokadë dhe protesta nga opozita, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Pas skenave të dhunshme brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit fundjavën e kaluar, mes të cilave shumica parlamentare megjithatë ia doli ta miratojë ligjin për shëndetin mendor, kuvendi do të pushojë për disa ditë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo do të bëhet me qëllim që të reflektohet mbi situatën dhe provohet gjetja e një zgjidhje. Mbajtja e seancave nën masa policore dhe jashtë sallës së seancave plenare nuk po shihen si zgjidhje, as nga ndërkombëtarët, të cilat mund t’i kontribuojnë funksionimit normal të institucioneve.
Gazeta merr vesh se qysh këtë fillim javë përfaqësues të vendeve të Quint-it do të zhvillojnë takime me kryeministrin Isa Mustafa për të parë nëse Qeveria ka ndonjë plan në lidhje me kërkesat e opozitës. Të dielën, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, në lidhje me këtë çështje dhe nëse do të ketë ndonjë iniciativë nga Qeveria për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës. Deri më tani, përveç mungesës së propozimeve, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi edhe kanë mohuar se vendi gjendet në krizë institucionale, shkruan gazeta.
“Thirrja e seancës, ftesë për kaos”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila paralajmëron se partitë në koalicion prapë do të thërrasin seancë javën që vjen, se opozita këmbëngul në bllokadë dhe se pritet sërish tensionim i situates.
Gazeta shkruan se, dy blloqet e barrikaduara, pushteti dhe opozita, e kanë ndarë mendjen. Ato nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre, seanca sërish thirret për javën tjetër edhe pse paralajmërohet se do të ketë sërish bllokadë. Kjo situatë shihet si ftesë për kaos nga të dyja anët. Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk guxon edhe këtë javë të luajë me “zjarrin”, duke thirrur seancë të re për aq sa kohë palët (mazhoranca dhe opozita) vazhdojnë të jenë fortifikuara në “istikamet e tyre”. Sipas tyre, në këtë situatë dramatike në të cilën është futur legjislativi duhet dhënë mundësinë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që të vazhdojë më dialogun e nisur me palët me qëllim që të gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e kizës. Analistët politikë konsiderojnë se vetëm përmes një dialogu mund të zhbllokohet Parlamenti. Në anën tjetër, partitë e koalicionit janë të vendosura që t’i mbajnë seancat plenare, qoftë edhe në katin e katërt të Kuvendit, në salla të improvizuara, sikurse ndodhi javën e kaluar, siç thonë ata vetëm për të mos bllokuar proceset e Kosovës. Partitë në pushtet thonë se puna e legjislativit nuk mund të mbahet peng nga një grusht deputetësh, që dëshirojnë të vijnë dhunshëm në pushtet, shkruan gazeta.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta.
Para seancës së javës së kaluar të Kuvendit, Presidentja e Republikës i kishte ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, kishte takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës dhe kishte përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, por kjo nuk ndodhi./b.j/
Ne foto: Pamje nga seanca e Kuvendit te Kosoves jashte salles plenare ne 24 tetor 2015 pas mesnate pa opoziten

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kaos, shtypi, third per seance

Një heshtje kuptimplote

October 24, 2015 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/
Në emisionin e tij të përhershëm dhe mjaft interesant, gazetari i mirënjohur Rezart Xhaxhiu, më 05 tetor 2015 kishte ftuar në studio kreun e Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë Atë Nikolla Markun. Në atë emision, Xhaxhiu i drejtoi mjaft pyetje Atë Nikolla Markut, të cilat lidhen me qëndrimin e këtij të fundit ndaj Anastas Janullatosit. Atë Nikolla Marku, në një hark të konsiderueshëm kohor, ka ngritur zërin e tij të fuqishëm dhe ka kërkuar me këmbëngulje që Janullatosi të largohet nga vendi ynë, sepse misionin e tij ai e ka përfunduar.
Atë Nikolla Marku është figurë e respektuar e ortodoksisë shqiptare dhe mbetet një trashëgimtar i denjë dhe i nderuar i veprës së Fan Nolit, themeluesit të pavarësisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Tufa e servilëve dhe e sahanlëpirësve të Janullatosit që enden natë e ditë rreth veladonit të tij antishqiptar, kanë shpifur për Atë Nikolla Markun, duke e akuzuar si përçarës të ortodoksisë shqiptare. Në të vërtetë, përçarës i ortodoksisë shqiptare, që prej 02 gushtit të vitit 1992 dhe deri tani, ka qenë dhe vazhdon të mbetet Janullatosi, që përfaqëson një vatër infeksioni të rëndë grek në Shqipëri.
Në përgjigjet që u dha pyetjeve të gazetarit Xhaxhiu se pse duhet të largohet Janullatosi nga Shqipëria, Atë Nikolla Marku radhiti një sërë arsyesh dhe faktesh që dëshmojnë se Janullatosi ndodhet në Shqipëri si emisar i kishës shoviniste greke dhe i shovinizmit grekokaragjoz që kanë si pikësynim greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Por, pas dy ditësh, në emisionin e Xhaxhiut shfaqet mësuesi i katekizmit Miron Cako, mbrojtës i zellshëm i Janullatosit, i cili sulmoi me shpifje Atë Nikolla Markun. Miron Cako shpifi në mënyrën më të padenjë si për shkollën Normale të Elbasanit, ashtu edhe për arsimimin e Atë Nikollës.
Stallierit të Janullatosit Miron Cako dhe tërë stallierëve të tjerë që vërtiten rreth veladonit të Janullatosit, u duhet kujtuar se At Nikolla Mrku e ka arsimimin përkatës për të ushtruar detyrën e vet si prift që meshon në kishën Shën Maria të Elbasanit.
Në Deklaratën që Arqimandrit Theofan Koja ka lëshuar më 01 gusht 1995, thuhet:
“Unë i nënshkruari Arqimandrit Theofan Koja, deklaroj me përgjegjësinë time prej kleriku të lartë se zoti Nikolla Marku, banues në Elbasan, ka mbaruar Seminarin Teologjik Ortodoks Intensiv të Durrësit, i cili filloi më datën 07 shkurt 1992 deri më 15 maj 1994”.
Dhe Arqimandrit Theofani e mbyll deklaratën e vet me fjalët:
“Perëndia i bekoftë ata që i shërbejnë Çështjes së Lartë Kombëtare Shqiptare”.
Në letrën që Aleko Dhima i drejton At Nikolla Markut më 12 qershor 1993, thuhet se e njeh atë si autoritet të Kishës Shën Maria të Elbasanit dhe i rekomandon që të sigurohen të dhëna nga Zyra e Kadastrës së Rrethit të Elbasanit për pronat e kishave dhe të manastireve.
Në Deklaratën që Sekretatari i Përgjithshëm i Kryesisë së Kishës Ortodoksel Autoqefale të Shqipërisë Aleko Dhima ka lëshuar më 03 nëntor 1993, thuhet:
“Deklaroj se zoti Nikolla Marku prej 6 muajsh është aktivizuar në problemet e Kishës Ortodokse, duke e pasur një aktivist shumë të mirë. Kohët e fundit, Kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka vendosur që z. Nikolla Marku ta bëjë prift në Rrethin e Elbasanit”.
Kjo Deklaratë shoqërohet me firmën e Aleko Dhimës dhe me vulën e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Sipas dëshmisë ORDINATION – GRAMATA, me nr. 527, datë 02 tetor1995, të lëshuar në qytetin Bitola dhe të firmosur nga Mitropoliti Petar, Atë Nikolla Marku është shuguruar prift nga Sinodi i Shenjtë i Maqedonisë.
Shpifjeve të ulëta të stallierëve dhe të sahanlëpirësve të Janullatosit, që kanë arritur të shndërrohen në bandë që veprojnë kundër interesave tona kombëtare, Atë Nikolla Marku u është përgjigjur si më poshtë:
“Bandës Janullatos, duhet t’i përgjigjemi fort, për të pastruar poshtërsitë dhe invazionin ekonomik tepër të rrezikshëm. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë dhe se kjo punë do burra shteti e patriotizëm pa interes.
Skandali i radhës do të jetë kur Janullatosi nuk do të jetë kryepeshkop për arsye të ligjeve të Zotit. Banda Janullatos do të zgjedhë përsëri një grek në krye të kishës. Janë menduar të gjitha me kohë. Çfarë do të bëjmë ne? Ne duhet të jemi bashkë për ta shembur këtë invazion të pastër grek në dëm të Shqipërisë.
Banda Janullatos nuk është çështje ortodoksësh shqiptarë, është çështje e të gjithëve. Banda Janullatos shoqërohet në historinë e saj me skandale antishqiptare, që nga ndërrimi i statutit të kishës, zhvarrimet në Kosinë, ngjarja në Permet, regjistrimi i popullsisë, mbështetja për Agimin e Artë, bllokimet në kufi të emigrantëve, operacionet fshesa të policisë greke, heshtja për krimet e luftës në Kosovë, mosmbajtja e meshës për viktimat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri, përdorimi i gjuhës greke në kishat shqiptare dhe forume ndërkombëtare, bizneset e tipit coza nostra në Shqipëri, njohja si kryetarë shteti dhe kryeministra jo të Shqipërisë, por ata të Greqisë, ndërtime kishash të stilit grek, zhdukja e ikonave shqiptare me vlera historike, konvertim të shqiptarëve në grekë, përdorim të shtetit grek si presion ndaj Shqipërisë si dhe shumë të tjera. Dhe sa gjëra duhet të bëjë banda Janullatos ndaj Shqipërisë? Dhe sa njerëz do të korruptojë me ryshfete për t’i hedhur kundër atdheut të tyre?” (Citohet sipas: Atë Nikolla Marku. “Kush do të jetë skandali i radhës Janullatos e kompani”. Marrë nga faqja e internetit “silkAT NIKOLLA MARKU natle”. 14 tetor 2015).
Në një reagim të paradokohshëm të Kryeministrit Rama lidhur me zhurmën që bëri Janullatosi dhe skota rreth tij për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit në Dhërmi, thuhet:
“Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë” (Citohet sipas: “Kryeministri që u thotë grekëve të vërtetën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 01 shtator 2015).
Duke iu drejtuar mashës së Janullatosit Vangjel Dule në interpelancën që ky i fundit pati kërkuar në parlament, Kryeministri Rama tha:
““Ju e keni përdorur fenë shpesh për të bërë politikë… Ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë grekë, liria e tyre fetare nuk është në asnjë juridiksion tjetër përveç atij shqiptar” (Citohet sipas: “Edi Rama debat me kreun e PBDNJ-së: Jam mëkatar si ti, Vangjel Dule!”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 15 tetor 2015).
Këto deklarata të Kryeministrit Rama të bëjnë të besosh se Kishës Ortodokse dikur Fanoliane, do t’i kthehet pavarësia dhe ajo do të shpëtojë nga thonjtë e kishës shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grekokaragjoz. Por heshtja jo vetëm e Kryeministrit Rama, por edhe e Presidentit Nishani dhe e Kryetarit të parlamentit Ilir Meta ndaj Përkujtesës së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, Vlorë, që u është drejtuar atyre më 18 shtator 2015 dhe që në të kërkohet largimi i Janullatosit nga Shqipëria, dëshmon se tre krerët kryesorë të shtetit shqiptarë kanë mbetur peng të kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit grekokaragjoz.
Në mungesë të përgjigjes së tre krerëve kryesorë të shtetit shqiptar, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Labëria”, Vlorë, u detyrua që Përkujtesën, më 06 tetor 2015, t’ua dërgonte për botim gazetave kryesore që dalin në Tiranë, si “Telegraf”, “Panorama”, “Dita”, “Shekulli”, “Sot”, “Zëri i Popullit”, “55”, “Nacional” e ndonjë tjetër. Por, fatkeqësisht, edhe këto organe shtypi nuk pranuan ta botonin. Atëherë Shoqata në fjalë vendosi që Përkujtesën t’ua niste për botim 11 gazetave elektronike, të cilat e bënë publike në faqet e tyre. Në Shënimin që shoqëronte Pëkujtesën për gazetat elektronike, thuhet:
“Kjo Përkujtesë u është dërguar tre personaliteteve të vendit: Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta dhe deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima, më 18 Shtator 2015, me letër me përgjigje; na është kthyer përgjigjja vetëm për marrjen e të katër letrave më datën 21 shtator 2015. Pritëm një gjysmë muaji dhe, meqenëse nuk pati reagim nga të mëdhenjtë tanë, më datën 06 Tetor 2015 e nisëm Përkujtesën në disa nga gazetat kryesore që botohen në Tiranë, si: “Telegraf”, “Panorama”, “Dita”, “Shekulli”, “Sot”, “Zëri i Popullit”, “55”, “Nacional” e ndonjë tjetër, por deri më sot asnjëra prej tyre nuk e botoi. Kështu që po e botojmë në faqet e internetit në gazetat elektronike. Nderim për botuesit online!
Vlorë, 16 tetor 2015”
Heshtja e krerëve kryesorë të shtetit shqiptar dhe e organeve të lartpërmendura të shtypit të Tiranës ndaj Përkujtesës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, Vlorë, është mjaft kuptimplote, sepse dëshmon për një të vërtetë tragjike në realitetin shqiptar të ditëve tona: krerët kryesorë të politikës shqiptare, politika shqiptare dhe mjetet e informimit masiv në Shqipëri kanë rënë në gjunjë para kishës shoviniste greke dhe shovinizmit grekokaragjoz dhe vazhdojnë të tërhiqen zvarrë para tyre gjatë një periudhe prej një çerek shekulli. Kjo është edhe arsyeja kryesore që askush nga krerët kryesorë të politikës shqiptare, askush nga përfaqësuesit e mjeteve të informimit masiv në Shqipëri, nuk shkon të takohet dhe të bisedojë me priftin mjaft të nderuar dhe të respektuar Atë Nikolla Maku në Kishën Shën Maria të Elbasanit. Këtu nuk mund të lë pa përmendur vetëm një përfaqësues të shtypit dhe të publicistikës shqiptare, zotërinë Artur Zheji, i cili, në mjediset e Kishës Shën Maria të Elbasanit, në mbrëmjen e 31 janarit të vitit 2012, në nderim të Atë Nikolla Markut, pati përgatitur një emision-intervistë të posaçme me titull “360º. Marrëdhëniet Shqiptaro-greke. Një paqe e armatosur”, që e transmetoi kanali TV News 24. Ndaj këtij qëndrimi mjaft dinjitoz dhe me theks të veçantë kombëtar, unë asokohe pata reaguar me një artikull me titull “Një leksion fort i qëlluar i zotit Artur Zhej për klasën politike të Tiranës”, të shoqëruar me një aforizëm të shkëlqyer të Monteskjesë:“Poshtërsitë e mëdha bëhen nga urrejtja, poshtërsitë e vogla bëhen nga frika” dhe të botuar në faqet e internetit më 04 shkurt 2013.
Nuk mund të lë pa përmendur, gjithashtu, faktin që i vetmi politikan dhe Kryetar i Aleancës Kuq e Zi, zotëria Kreshnik Spahiu, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, i pati bërë një vizitë Atë Nikolla Markut po në mjediset e Kishës Shën Maria të Elbasanit dhe pati kërkuar largimin e Janullatosit nga Shqipëria.
Askush tjetër nga përfaqësuesit e Tiranës zyrtare dhe të mjeteve të informimit masiv nuk ka guxuar dhe nuk guxon të shkojë e të trokasë në derën e Kishës Shën Maria të Elbasanit, për t’u takuar me Atë Nikolla Markun. Sepse u ka hyrë në palcë frika nga Janullatosi, nga kisha shoviniste greke dhe nga shovinizmi grekokaragjoz, Prandaj edhe e kanë tradhtuar veprën e Fan Nolit dhe e kanë shkelur me këmbë shqetësimin e tij kur deklaronte:
“Pas vdekjes sime kishën ortodokse do ta pushtojnë grekët”, siç edhe e kanë pushtuar konkretisht që prej 02 gushtit të vitit 1992 dhe që historiani grek Nikolas Stavros e quan fakt të kryer kur deklaron se “hedhja në dorë e kishës ortodokse shqiptare është fitorja jonë më e madhe e shek. XX”.
Me izolimin që i bëjnë At Nikolla Markut dhe Kishës Shën Maria të Elbasanit, klasa politike e Tiranës dhe mbarë mjetet e informimit masiv që tërhiqen zvarrë pas saj, fyejnë rëndë mbarë ortodoksët e Elbasanit që respektojnë kishën në fjalë dhe vërtetojnë me fakte se kanë një çerek shekulli që e kanë tradhtuar veprën e Fan Nolit dhe të Ahmet Zogut dhe janë shndërruar në raja të neveritshëm të Athinës zyrtare.
Atë Nikolla Marku ngre zërin dhe thotë se mbrojtja e dinjitetit tonë kombëtar para kishës shoviniste greke dhe shovinizmit grekokaragjoz “do burra shteti e patriotizëm pa interes”.
Po ku t’i gjejmë ata burra shteti, si Pandeli Evangjeli, Fan Noli dhe Ahmet Zogu? Ata kanë vdekur. Le të shpresojmë se të tillë burra shteti do të rilindin ndonjëherë. Patëm shumë shpresa te Aleanca Kuq e Zi dhe nuk e dimë nëse ajo do t’i rikthehet herëdokur rolit që pati marrë përsipër dy-tre vjet më parë për ringjalljen e frymës së nacionalizmit shqiptar, themelet e të cilit i patën hedhur rilindasit tanë të mëdhenj në gjysmën e dytë të shek. XIX.

Tiranë 24 tetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Një heshtje kuptimplote, Prof. dr. eshref Ymeri

SERBIA VUAN NGA PARANOJA E KONSPIRACIONIT

October 24, 2015 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/
Paranoja është fenomen që i përket mendjes së njeriut, qoftë të një individi, apo një shoqërie, grupi shoqëror, shteti. Në psikiatri paranoja konsiderohet si sëmundje e identitetit të individit apo shoqërisë të destabilizuar. Individi apo shoqëria paranoike imagjinon dhe trillon armiq, që nuk ekzistojnë. Natyrisht që paranoja në skenarët politikë të një shoqërie-shteti, është shumë më e rrezikshme se ajo e individit. Ta marrim shembullin e paranojës së nacizmit hitlerian kundër hebrenjve, dhe pasojat e asaj paranoje.
Konspiracioni është përpjekja spekulative për përpunimin dhe plasimin e informacioneve dhe shpjegimin e gjërave dhe ngjarjeve shoqërore, politike, historike, duke sugjeruar fakte dhe motive sikur është një plan i fshehtë, i ndonjë shoqërie të fshehtë të personave të fuqishëm, për të arritur një qëllim të fundit të ngjarjes.
Individët, shoqëritë dhe shtetet vuajnë nga paranoja e konspiracionit, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga rrethanat dhe gjendja e stabilitetit. Fqiu ynë verior, Serbia, po edhe ai jugor (Greqia) vuajnë nga paranoja antishqiptare, si gjatë historisë, ashtu edhe aktualisht. Serbia, që është e destabilizuar në këto 25 vjetët e fundit, vuan nga paranoja e konspiracionit të përmasave globale. Ajo imagjinon e trillon armiqë, në mesin e popujve e shteteve; sidomos në Shqiptarët, Kroatët, Boashnjakët, Gjermanët, Amerikanët, Anglezët, por edhe te të tjerët. Konspiracionin e vet paranoik Serbia e sajon ashtu që popujt dhe shtetet e caktuara, por edhe individë të caktuar me ndikim në proceset politike-strategjike botërore, gjoja kishin dhe kanë për qëllim dobësimin deri në shkatërrim dhe zhdukjen e shtetit dhe të popullit serb. Në çdo variant, ajo e paraqet popullin dhe shtetin serb si viktimë e konspiracionit. Dhe kjo paranojë e konspiracionit është ngulitur thellë në mendjen e politikanëve, kishtarëve dhe qarqeve intelektuale të Serbisë. Ata, që vet e shkaktuan shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë, tërë fajin ia lënë Perëndimit. Poashtu, për luftën çlirimtare dhe pavarësimin e Kosovës, e fajsojnë Perëndimin, në rend të parë ShBA-të, Anglinë, por edhe Francën, Gjermaninë etj. Edhe pavarësinë e Malit të Zi e shohin si konspiracion i atyre vendeve. Teoria e konspiracionit në Serbi është shumë e përhapur dhe dominuese në media të shumta, sidomos në internet. Po të kërkoni në gazetat, tabloidet, portalet serbe, do gjeni sa e sa teori të konspiracionit “kundër Serbisë”! Madje, edhe “dronin” e lëshuar në stadionin e futbollit me rastin e ndeshjes futbollistike midis Shqipërisë e Serbisë, e shpjegojnë me teorinë e konspiracionit!
A do bëhet Serbia – Izrael?!
Portali “vesti.rs” e kishte marrë nga “Vaseljenska TV” një analizë, të titulluar “Operacija Mojsije”, nga e cila del se në një kohë, jo shumë të largët, do të ndodhin ngjarje të cilat do të shkaktojnë ndërrim të kufijve dhe formim të shteteve të reja në Evropë, dhe në Lindjen e Mesme, me ç’rast do të ketë çvendosje të popullsisë dhe institucioneve të shtetit të Izraelit, në rast se terroristët islamikë fitojnë luftën kundër Amerikës. Ato ngjarje dhe pasojat, gjoja janë përpunuar në një analize të Shërbimit Izraelit të Zbulimit (“Mosavi”), të cilat i ka marrë në trajtim e komentim televizioni i përmendur. “Vaselenska TV”, është një medium i Kishës Otodokse Serbe, që është e lidhur drejtpërdrejt me Patrikanën e Stambollit. Ato ngjarje do të shkaktojnë ndërrimin e strukturës etnike të shteteve, sidomos në Evropë, e si vend “më i përshtatshëm” për vendosjen e popullsive të shpërngulura nga vendet e tyre, e shohin Serbinë. Dhe natyrisht, në stilin e tyre për vetëlavdërim të vendit dhe popullit serb, dhe lamentim se janë nën konspiracionin botëror, shpjegojnë kushtet dhe rrethanat që do ishin në favor të vendosjes së etnive tjera në Serbi. Në kontekst të këtij konspiracioni, analiza parasheh se në një të ardhme, populli i Izraelit do të detyrohet të çvendoset dhe të kërkojë strehim në Evropë. Si vendi më i përshtatshëm në Evropë, i zgjedhur për t’u vendosur e stabilizuar etnikumi hebrej, është Serbia. Parashihet opsioni që 25% e pasurive të patundshme të Serbisë, do t’iu jepen (shiten) hebrenjve të ardhur. Analiza vazhdon me shpjegimin e shkaqeve, përse Serbia është vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, gjoja se:
* Në popullin serb antisemitizmi është shumë më i butë, se te popujt e tjerë të shteteve të Ballkanit;
* Serbia, sipas kushtetutës dhe sipas përbërjes nacionale (me shumë minoritete), është shtet i qytetarëve, e jo shtet nacional;
* Popullsia shumicë është e krishterë, ndërsa popullsia e besimit islam është e izoluar, që me ngjarjet e mëvonshme është formalizuar në formë të okupimit të Kosovës e Metohisë;
* Serbia është kompakte, kufijtë ndaj fqinjëve datojnë qysh nga Lufta e Parë Botërore, ndërsa kufijtë me republikat e shkëputura do të definoheshin më vonë, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Dejtonit;
* Edhe para 5 tetorit (2000) në Serbi ka pasur tendenca të shkohet në integrime euroatlantike, ndërsa me kthesën që u bë më 5 tetor, ka filluar realizimi praktik;
*Dalja në det, edhe me shkëputjen e bashkësisë me Malin e Zi, do të jetë i siguruar përmes Greqisë deri në Detin Egje;
* Serbia me kohë është e hapur për investime të hueja.
Sa i përket kushtit të fundit, që 25% e pasurive të patundshme të bëhen pronë e hebrenjve të ardhur, realizimi është i mundshëm me ardhjen e qeverisë së “ekspertëve ekonomikë” në nivel federativ dhe atë republikan (sic). Njerëzit në ato qeveri, për interesa të tyre ekonomike ose të përkatësisë së shërbimeve të caktuara të zbulimit, do ishin të gatshëm të marrin pjesë në këtë plan. Fakti që në mënyrë të posaçme i përgjigjet planit izraelit është nataliteti katastrofal (i ulët) i popullsisë shumicë në Serbi. Është vërtetuar matematikisht se pas pesëdhjetë vjetëve Serbët në Serbi do mbetën pakicë. Kjo shansë nuk guxon të anashkalohet. Udhëheqësia hebreje në vendin e zbrazur ka parë parashikimin e Zotit, ndërsa Telavivi ka dhënë dritën e gjelbër për realizimin e operacionit “Mojsije”, thuhet në analizë.
Fillimi i përzierjes së Izraelit në ngjarjet në hapësirën e RSFJ-së përputhet me ardhjen (në pushtet) të administratës demokratike të Bill Klintonit, thuhet në analizë. Pjesëmarrësit më të shquar të politikës amerikane kundër Serbisë nga Kabineti i Klintonit kanë qenë pikërisht ata me prejardhje hebreje. A është vërtetë rastësi që hebrenjët: Medlin Olbrajt, Riçard Holbruk, Xhemjs Rubin dhe Vesli Klark morën pjesën në shkatërrimin e RSFJ dhe në krimet mbi Serbinë, shtrohet pyetja në analizën e përmendur. Përveç mediave të cilat janë nën kontrollin e kapitalit hebrej, në këtë luftë janë bashkangjitur edhe intelektualë evropian me prejardhje hebreje, duke udhëhequr kampanjën e satanizimit të Serbisë,- përfundon analiza e projektit “Operacioni Mojsije”, dhe komentet e “Vaselenska TV”, edhe me shumë gënjeshtra e broçkulla tjera në mediat tabloide e në portalet serbe.
* * *
Pa u lëshuar në qëllimet e kësaj analize, të përtypur e gëlltitur me shumë shije nga paranoja serbe e konspiracionit, shkaqeve për përzgjedhjen e Serbisë si vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, mund t’iu bëhen vërejtje të shumta e të demantohen me fakte. Bile, nga shkaqet e përmendura, fitohet përshtypja se ato nuk janë analizë e “Mosavit”, por e vet institucioneve të Serbisë, të cilat janë të prirura të plasojnë gënjeshtra të pabazë. Së pari, nuk është e vërtetë se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit. Përkundrazi. Dihet me shifra e fakte, se sa hebrenjë kanë qenë në Jugosllavinë dhe Serbinë e para Luftës së Dytë Botërore, e sa kanë mbetur pas luftës, dhe sa janë sot. Të dhënat flasin, se para Luftës së Dytë Botërore, në Mbretërinë e Jugosllavisë kanë qenë 75.000 hebrenjë vendorë, dhe më se 2000 tjerë kanë ardhur nga shtete tjera. Ata kanë ardhur të te afërmit e tyre, për ta shpëtuar kokën nga ndjekja e nacistëve. Prej tyre, 95% janë vrarë e zhdukur, dhe luftën e kanë mbijetuar vetëm 3500 hebrenjë! Komandanti i ushtrisë gjermane, Turnet Llahor, në vitin 1942, e lajmëronte Berlinin, se Serbia është i vetmi vend në të cilin çështja e hebrenjve dhe romëve “është zgjidhur”, që dmth. janë likuiduar e zhdukur.
Nga ana tjetër, botërishtë është e ditur se Shqipëria është i vetmi vend , jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën, në të cilin hebrenjtë kanë gjetur strehim të sigurt e mikpritje, dhe që kanë dalë më shumë nga lufta, se që ishin para lufte. Për këtë, Shqipëria ka marrë mirënjohje nga shteti izraelit. Edhe në Kosovë, ndonëse ishte nën okupimin e Serbisë, gjatë asaj lufte hebrenjtë kanë gjetur strehim e mikpritje, janë fshehur e janë ruajtur në familjet shqiptare. Karshi këtyre fakteve të pamohueshme, si mund të thuhet, se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit?!
Sipas kushtetutës aktuale, Serbia nuk është shtet i qytetarëve të saj, por është shtet puro nacional (dhe nacionalist,a.f.) i popullit serb. Në dispozitën e nenit të parë të kushtetutës aktuale të Serbisë është përcaktuar se “Republika e Serbisë është shteti i popullit dhe i të gjithë qytetarëve që jetojnë në te…”. Shteti i Serbisë është i shenjtë (neni:11:1) ! Stema, flamuri dhe hymni i Serbisë janë simbole shtetërore vetëm me shenja nacionale serbe, me të cilat ushtria, policia dhe paramilitarët serb udhëhoqën dhe, për fat i humbën, të gjitha luftërat e përgjakshme anembanë ish-Jugosllavisë. Asnjë shenjë në ato simbole shtetërore nuk ka elemente të nacionaliteteve tjera të shumta që jetojnë në Serbi: Shqiptarë, Boshnjakë, Hungarezë, Rumunë, Bullgarë, etj. Gjuha zyrtare në Serbi është gjuha serbe dhe alfabeti i çirilicës, të cilat nuk i dinë pjesëtarët e nacionaliteteve joserbe. Gjuha dhe shkrimet e tyre nuk janë paraparë as nuk mbrohen me kushtetutë, veçse është lënë që për to të nxirret ligj i veçantë. Ka edhe shumë dispozita tjera në atë kushtetutë, që demantojnë konstatimin kinse Serbia është shtet qytetar.
Lista e gjatë e hebrenjve “antiserbë”
Paranoja konspirative e Serbisë ka listën e gjatë të popujve, organizatave, shteteve dhe personaliteteve që gjoja janë antiserbe. Prej popujve e shteteve fqinje, vendet e para në këtë listë i zënë populli dhe dy shtetet shqiptare, pastaj vijnë kroatët, boshnjakët, bullgarët, etj. Nga popujt dhe shtetet e tjera, janë Amerika, Anglia, Gjermania, Vatikani, si dhe organizata e kompani multinacionale: SOROS, NATO etj.
Është interesant lista e gjatë e personaliteteve që është dhënë në fund të analizës. Lista titullohet: “Regjistri i hebrenjve të involvduar në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe në agresionin kundër Serbisë në vitin 1999”. Aty janë renditur 118 emra të personaliteteve të njohura shtetërore, publike, shkencore, kulturore, me prejardhje hebreje. Ka prej tyre që ishin kryetar shtetesh, zëvendëskryetar, kryeministra, ministra, ambasadorë, kongresmenë, këshilltarë, nobelista, filozofë, shefa të misioneve, drejtues të institucioneve, fondacioneve, kompanive multinacionale, bankave, mediave. Pranë emrave të disave prej tyre, ka shtuar fjalët: i urren serbët; gjithnjë kundër serbëve; kriminel lufte; ka kërkuar bombardimin e Serbisë; udhëheqës i grupit të urrejtësve kundër serbëve, e kështu me radhë. Janë 45 emra të tillë, ish-funksionarë të lartë të ShBA-ve, duke filluar nga ish-nënkryetari i ShBA-ve (Alfred (AL) Gor), ish-sekretarët e shtetit (Henry Kissinger, Madleine Albright), ish-sekretari i mbrojtjes (William Cohen) e kështu me radhë. Është interesant, se në regjistër janë edhe 25 emra të personaliteteve të larta të Rusisë, duke filluar nga ish-kryetari Boris Jetlsin, ish-premierat: Yegor Gaidar, Sergey Kirienko, zëvendës-kryeministri Alfred Koch, pastaj ministra, ambasadorë e funksionarë tjerë. Edhe ish-kryeministresha e Turqisë (Tansi Ciler) është në atë regjistër, sikurse ish-kancelari i Gjermanisë (Helmuth Kohl), ish-pemieri i Francës (Lorain Fabius), ish-administratori i KB në Kosovë (Bernard Kushner), ish-kryetarja e Konfeeratës së Zvicrës (Margaret Koch), ish-premieri i Ukrainës (Yefim Zviagilsky), për të rënë deri te kryetarja e Fondacionit SOROs për Jugosllavinë (Sonja Licht), dhe i fundit në regjistër, ish- guvernatori i Bankës Popullore të Jugosllavisë (Dragosllav Avramoviq).
Konspiracioni serb emrat dhe funksionet e personaliteteve të përfshira në regjistër, i sheh me dioptrinë e shtrembër, se shumica prej tyre gjoja i përkitnin organizatës së masonëve, të cilët kanë zënë pozita të rëndësishme strategjike në skenën politike, shtetërore, ekonomike, mediale, dhe që kanë pasur e krijuar fuqi të ndikojnë në shkatërrimin e Jugosllavisë, në bombardimin e Serbisë dhe që përherë janë kundër Serbisë!
Duket se duhet të kalojë edhe kohë e gjatë e të vijnë breza tjerë të njerëzve në Serbi, që ajo të shërohet e rehabilitohet nga paranoja e konspiracionit?

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, E KONSPIRACIONIT, SERBIA VUAN NGA PARANOJA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 739
  • 740
  • 741
  • 742
  • 743
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT