• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy shakatarët e Ballkanit

June 15, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Siç bëhej e ditur nga mjetet e informimit masiv, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, para do kohësh i kishte ardhur një ftesë nga një organizatë të rinjsh, për të marrë pjesë në një takim që organizohej në Beograd më 23 prill 2015. Por  kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, para mbajtjes së atij takimi, pati deklaruar se do ta arrestonin Hashim Thaçin nëse shkonte në Serbi. Ai qe shprehur:

 “Ligjet ekzistojnë ende dhe ne do ta arrestojmë Thaçin nëse vjen këtu” (Citohet sipas: “Vuçiç kërcënon Hashim Thaçin: do ta arrestojmë nëse vjen në Serbi”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 18 prill 2015).

Shakatar i madh ky kryeministri Vuçiç. Dhe ja sepse:

Së pari, strukturat juridike të shtetit serb, që gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, pra, kur në pushtet ishte Millosheviçi, kishin vendosur për të arrestuar jo vetëm Thaçin, por edhe disa udhëheqës perëndimorë, si Bill Klintoni, Toni Bler etj, etj. Sipas kryeministrit Vuçiç, vendimet që qenë marrë nga organet gjyqësore serbe në kohën e Millosheviçit, vazhduakan të jenë në fuqi edhe sot, paçka se Millosheviçi përfundoi me duar të prangosura dhe u ul para Tribunalit të Hagës për të dhënë llogari për krimet që kreu ndaj disa popujve të Ballkanit. Pra, megjithëse sistemi qeverisës i Millosheviçit u përmbys se dështoi më turp, ligjet e tij vazhduakan të zbatohen edhe tani, kur Serbia, normalisht, duhet të jetë një vend, demek, i demokratizuar! Por ato ligje u zbatuakan “vetëm për Hashim Thaçin” dhe jo për udhëheqësit e tjerë perëndimorë. Se Toni Bler ka qenë për vizitë në Beograd dhe askush nga strukturat e drejtësisë së shtetit serb nuk qe kujtuar për “arrestimin” e tij. Domosdo që kryeministri Vuçiç ka qenë i detyruar të dilte me një shaka zbavitëse para opinionit publik serb që njihet mirë për çmendurinë e tij politike në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Së dyti, sikur kryeministri Vuçiç të ishte me të vërtetë i interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit, ai nuk duhej të dilte me një deklaratë publike për ndalimin e tij nga organet e drejtësisë serbe. Ai, kuptohet vetvetiu, duhej të priste që Hashim Thaçi të shkonte në Beograd dhe pastaj organet e drejtësisë mund të vepronin për “arrestimin” e tij.

Së treti, kryeministri Vuçiç përsëri ka qenë i detyruar nga halli të bënte një shaka jo fortë të hollë kur pati deklaruar për “arrestimin” e Thaçit nëse ky do të shkonte në Beograd. Sepse, në të vërtetë, Vuçiçi dhe gjithë -içët e tjerë të politikës serbe, nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë të interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit. Sepse Thaçi për ta është “pasuri kombëtare” me vlera të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë. Vallë nuk është Thaçi ai, i cili, gjatë gjithë bisedimeve që janë zhvilluar me Boegradin në Bruksel, duke filluar nga 19 prilli i vitit 2013 dhe deri tani, i ka bërë Serbisë lëshime pas lëshimesh, në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, në dëm të tërësisë territoriale të Kosovës dhe në të mirë të pakicës kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës? 

A nuk dëshmon për fajin e rëndë të Thaçit fakti që Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e bllokuar me pirgje zhavorri se kështu u do qejfi kriminelëve serbë, të instaluar në Veriun e Mitrovicës? Po a nuk ishte vallë ajo pakicë terroriste serbe në Veriun e Mitrovicës, e cila, gjatë viteve të luftës, shërbeu si mbështetje e fuqishme e bandave kriminale të Millosheviçit, të Sheshelit dhe të Arkanit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës?

Këto fakte Thaçi i di fort mirë, por me qëndrimet antikombëtare që ka mbajtur në Bruksel gjatë takimit me krerët e Beogradit, ai ka dëmtuar rëndë interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe kriminelët serbë në Veriun e Mitrovicës i ka bërë me krahë, duke i shndërruar në krekacorë shovinistë, të cilët, shqiptarët rrënjës të asaj treve nuk i lejojnë të kthehen në vatrat e tyre dhe të rindërtojnë shtëpitë e shkatërruara. Ky është një qëndrim antikombëtar jo vetëm i Hashim Thaçit, por edhe i shumicës parlamentare thaçiste, e cila i ka dhënë atij mandatin, si ish-kryeministër dhe tani si ministër i jashtëm, për t’i bërë lëshime të turpshme Beogradit, pa kërkuar paraprakisht daljen e tij me pendesë publike para opinionit ndërkombëtar dhe pa dëmshpërblimin e të gjitha shkatërrimeve dhe krimeve të rënda që shovinizmi kriminal serb kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës.

Po atëherë, pas gjithë këtyre lëshimeve skandaloze që Thaçi dhe klika rreth tij i ka bërë Beogradit në dëm të interesave kombëtare të Kosovës dhe të tërësisë së saj territoriale, si shpjegohet fakti që kryeministri Vuçiç kërkuakej “arrestimin” e tij nëse ai shkonte për vizitë në Beograd? 

Përgjigjja është fare e thjeshtë. Vuçiçi kërkon t’ia rritë aksionet Thaçit, në mënyrë që ky të vazhdojë të mbetet në majat e pushtetit për mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë. Me këtë deklaratë “kërcënuese”, Vuçiçi ka bërë një rrugë e dy punë: nga njëra anë, mundohet t’ia rritë autoritetin Thaçit (që ka si pikësynim të zgjidhet president vitin e ardhshëm) në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, si, demek, “njeri i rrezikshëm” i Beogradit, kurse, nga ana tjetër, qetëson skifterët e politikës shoviniste serbe (që s’kanë fort haber nga marifetet e politikës së fshehtë) në qëndrimin ndaj Kosovës, në mënyrë që ndonjë snajper i kuturisur të mos e bëjë atë të pësojë fatin e ish-kryeministrit Xhinxhiç nëse do të lejonte ardhjen e tij (Thaçit) në Beograd.

Shakatari i dytë i Ballkanit, edhe më zbavitës sesa kryeministri Vuçiç, është zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, i cili, më shumë se një muaj më parë, në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard” ka theksuar se Kosova është duke shqyrtuar disa mundësi për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale në Kosovë.

Sipas tij, ka shumë shqiptarë që kanë përgatitur dosje dhe dëshirojnë ta paditin Serbinë për dëmet e luftës, duke e bërë përgjegjëse qeverinë e Serbisë të viteve ’90 për shkatërrimin e 65% të pronës private të kosovarëve.

Ai ka deklaruar:

“Duke parë që në Serbi ende nuk ka vullnet për të kërkuar falje, ne duhet të gjejmë mënyra ta dokumentojmë historinë dhe të gjejmë sadopak ngushëllim për familjet e mbi 10 mijë të vrarëve dhe 20 mijë grave të dhunuara, duke përdorur instrumentet ligjore” (Citohet sipas: “Thaçi për “Der Standard”: Serbia do të paditet për gjenocid në Kosovë”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 30 prill 2015).

Tani, pasi kanë kaluar 16 vjet nga përfundimi i luftës dhe më shumë se shtatë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçi “kujtohet” për të gjetur mënyra për të “dokumentuar” historinë e krimeve barbare të shovinizmit shtazarak serb, të konkretizuara me shkatërrime dhe me vrasje masive, si edhe me përdhunimin e 20 mijë femrave. Heshtja e deritanishme e Thaçit për ndëshkimin e Serbisë për ato krime të rënda që kreu në Kosovë dhe për dëmshpërblimin e të gjitha shkatërrimeve që la pas, i ka fyer rëndë ndjenjat kombëtare të mbarë qytetarëve kosovarë, ka fyer dhe ka poshtëruar rëndë femrat kosovare që bishat serbe i përdhunuan aq masivisht. Heshtja e deritanishme e Hashim Thaçit ka qenë një investim i fuqishëm në shërbim të shovinizmit serbomadh dhe një shërbim i pallogaritshëm që ai i ka bërë brukselizmit që ky të vazhdojë ta trajtojë Kosovën, si edhe mbarë trojet etnike shqiptare, si një parcel eksperimentale: të ulë në tryezën e bisedimeve kriminelin me viktimën, e cila, me prejardhjen e saj nga radhët e etnisë shqiptare, përfaqësuaka një krijesë mendjelehtë, pa kurrfarë dinjiteti dhe pa kurrfarë vetëdijeje kombëtare. Vallë a nuk i pati vlerësuar mendjelehtë shqiptarët ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, i cili, gjatë vizitës në Maqedoni në vitin 2001 i pati “bindur autoritetet e qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945” (Citohet sipas: Ahmet Qeriqi. “I robëruari s’ka ç’humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. Marrë faqja e internetit. 16 dhjetor 2009).

Pra, kjo është bindja e patundur e Bashkimit Evropian të Brukselit, se shqiptarët janë mendjelehtë dhe me ta mund të sillesh si të ta dojë qejfi, madje deri në atë shkallë, saqë viktima shqiptare duhet të ulet përballë kriminelit serb dhe nuk duhet të kuturisë t’i kërkojë atij llogari për krimet që ka kryer kundër saj.

Shqiptarët nuk janë mendjelehtë. Përkundrazi, populli shqiptar është një popull me zgjuarsi të lindur, me një nuhatje të hollë politike dhe me një vetëdije të lartë kombëtare. Por të huajt dhe kryesisht Bashkimi Evropian, mendjelehtësinë mercenariste të politikanëve shqiptarë, ia faturojnë mbarë popullit shqiptar. Pikërisht mercenarizmi i politikanëve shqiptarë neve, si komb, na ka nxirë faqen në sytë e botës.

Dhe viktimat shqiptare të barbarisë serbe, sipas Hashim Thaçit, u dashka që t’i përgatitin vetë dosjet e krimit për të kërkuar drejtësi në Gjykatën e Hagës për ndëshkimin e Serbisë! Sigurisht, se s’u mbetet rrugë tjetër. Se Kosova është një vend pa zot. Se Hashim Thaçi dhe mbarë klasa politike udhëheqëse e Kosovës, si mercenarë të Beogradit dhe të Brukselit, i ka lënë jetimë qytetarët e vet që ranë pre e barbarisë millosheviçiane. Se Hashim Thaçi dhe parlamenti thaçist, në kundërshtim flagrant me interesat e popullit të vet, kanë rënë në gjunjë para Beogradit dhe para Brukselit. Prandaj unë kam plotësisht të drejtë kur them së Thaçi është “pasuri kombëtare” për Serbinë. A nuk ishte Thaçi ai që u ngrit e erdhi në Tiranë dhe takoi kryeministrin Rama për t’i kërkuar atij rivarrosjen në Vlorë të eshtrave të Isa Boletinit? Vallë a nuk ishte paradoksale nisma e Hashim Thaçit? Sigurisht që po. Se ai kërkonte t’u vinte në osh kriminelëve serbë të Veriut të Mitrovicës dhe politikës së Beogradit, sipas të cilëve eshtrat e Isa Boletinit nuk duhej të rivarroseshin në vendlindjen e tij. Prandaj edhe Hashim Thaçi nuk mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit të Kosovës në vendlindjen e tij se nuk arriti ta çonte dot në vend vullnetin e Beogradit dhe të pakicës kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës.

E meritojnë të përshëndeten të gjithë ata intelektualë shqiptarë që ngritën zërin e tyre të fuqishëm për rivarrosjen në vendlindje të eshtrave të Isa Boletinit. Midis tyre më ra në sy këmbëngulja e prof.dr. Nexhmedin Spahiut, i cili pati deklaruar në internet se nëse eshtrat e Isa Boletinit nuk rivarrosen në vendlindjen e tij, atëherë qeveria e Kosovës Veriun e Mitrovicës e konsideruaka si pjesë të territorit të Serbisë.

Nisma e Thaçit për “ndëshkimin” e Serbisë për krimet e rënda që kreu gjatë luftës në Kosovë, është një parainvestim që ai, sa për sy e faqe, kërkon të bëjë në sytë e opinionit publik kosovar, me qëllim qe t’i ngrejë aksionet e veta për t’u ulur në kolltukun e presidentit vitin që vjen. Prandaj edhe shakaja e tij për “ndëshkimin” e Serbisë tingëllon mjaft e shpëlarë për këdo që i thotë vetes shqiptar me vetëdije kombëtare. Parlamenti thaçist le ta zgjedhë Thaçin president vitin tjetër dhe populli shqiptar i Kosovës, me heshtjen e tij, le t’ia shikojë përsëri “hairin” si president, ashtu siç ia ka parë deri vjet si kryeministër që e çoi  ekonominë  drejt rrënimit katastrofik, me pasojë braktisjen e vendit nga mijëra e mijëra qytetarë kosovarë.

Tiranë, 14 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: dy shaktaret e Ballkanit, Eshref Ymeri

Krimi ekonomik “vret” bizneset

June 13, 2015 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/

Niveli i lartë i krimit ekonomik në Kosovë po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zvogëlimin e të hyrave në buxhetin e Kosovës,thonë ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë.

Sipas tyre, pastrimi iparave, krimeve tjera ekonomike dhe financiare, në pjesën më të madhe konsiderohen krime të fshehura.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se korrupsioni, shkeljet tatimore, krimet që lidhen me prokurimin, kontrabandën, krimet financiare, krimet e drogës janë krimet më të shpeshta, por që ende nuk dihet se në çfarë përmasash.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se kjo dukuri po shkatërron veprimtarinë e bizneseve, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë në mënyrë të rregullt.

“Sipas të gjitha perceptimeve, analizave, hulumtimeve, ekziston krimi ekonomik. Po në çfarë mase asnjëherë nuk mund të vërtetohet kjo, ashtu siç nuk mund të vërtetohen shifrat e sakta për korrupsionin dhe ekonominë joformale”.

“Ky fenomen negativ karakterizohet edhe me haraç, shantazhe të ndryshme, që iu bëhen njerëzve dhe bizneseve”, thotë Shahini.

Ekonomia kriminale është e pranishme në Kosovë dhe kjo po pengon ekonominë reale, zhvillimin e shoqërisë, por edhe buxhetin e Kosovës, thotë edhe Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se krimi ekonomik pengon edhe në mundësitë e zhvillimit të arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarive tjera publike.

Kastrati konsiderojnë se autoritetet kompetente nuk po tregojnë një gatishmëri për të luftuar këtë dukuri.

“Në realitet, ekonomia kriminale nuk luftohet fare , përveç deklaratave dhe formimin e disa grupeve, komisioneve dhe strategjive, të cilat vetëm në aspektin formal e plotësojnë vakuumin,përndryshe në aspektin real kurrgjë nuk bëhet në këtë drejtim”, thekson Kastrati.

Ndërkaq, Agim Shahini thekson se prania e kësaj dukurie në Kosovë është për shkak të mosfunksionimit të duhur të sistemit të drejtësisë.

“Kjo vjen si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, e cila është e nxitur nga njerëzit e papërgjegjshëm, por dhe njerëzit e përgjegjshëm, sepse janë të nxitur nga të parët. Përderisa në Kosovë ende nuk janë të mbrojtur dëshmitarët në nivelin e duhur, kjo do të vazhdojë të jetë në rritje, për shkak se askush nuk e ka atë guxim shpirtëror që të denoncojë gjithë këto dukuri, apo njerëz të caktuar në organet e drejtësisë”, shton Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë pohuar se lufta kundër këtyre krimeve është përparësi e institucioneve të Kosovës. Madje, për luftimin e kësaj dukurie janë krijuar disa strategji.

Në Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve ekonomike për vitin 2014- 2018 thuhet se do të reduktojë shkallën e ekonomisë joformale në 5 për qind mes 2014 dhe 2018.

Kurse, gjatë vitit 2015 deri në 2018, vlera e konfiskimit të të ardhurave nga krimi duhet të jetë 1,000 000 euro për vit.

Filed Under: Analiza Tagged With: krimi ekonomik, Nadie Ahmeti

Shqiptarët e Maqedonisë rrugës së shqiptarëve te Sanxhakut të Novi Pazarit

June 13, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Përvec disa perjashimeve ,shqiptarët e Maqedonisë  jan ë nisur nj ë rruge pa kthim; fotot plot famuj kombetar  shqiptar dhe mendjen plot Turqi dhe Osmani. At ëhere kur na i ndan ë tokat (Kongresi i Berlinit , Konferenca e Londres ) At Gjergj Fishta pati th ën ë ; “ Na e moren Gjakoven , Dibren e Manastirin … “ ,ishte tragjedi   se u shkeputën edhe tri  qendra te mëdha te Shqiptarisë . Por çdo fatkeqësi e ka edhe fatin e saj ; kështu mendonin optimistët . Mendohej që se paku nga këto tri qytete sa do ku do ,  të mbetet fara e shqiptarisë në tokat e shkëputura.
Sllav ët e vetdijshëm per kete , e ndjenin rrezikun e “helmimit” nga këto qendra ( kuptohet me ,malësitë e tyre ) dhe pikë së pari e filluan “ hajken’ ( serb, ndjekjen ) e kokave që vlenin. Atë, qe nuk kishte mundur ta bënte as Turqia  ( jo ,pse nuk donte ) për qindra vjet , për as një shekull e arriten serbët.
Metodat e zhdukjeve , sllavizimieve, turqizimeve ,dhunime të identiteteve u përdoren vazhdimisht.  Gjakova e ngjanë Dibres edhe në një – qellimi sllav i paralizimit te këtyre qyteteve në menyrë ekonomike , ndertimi i nyjeve te forta rrugore duke i  lëne anash kaluar këto dy qendra të dhimbjes dhe krenarisë kombëtare.
Nyjet rrugore dhe degezimet e bejnë që te mos jesh kurre vetem as ekonomikisht.  Të jesh I fortë ekonomikisht , perveq krenarisë kombëtare e ke edhe Jo-në  tende ekonomike.
Dhe u bë, se c`u bë . Filloi dhuna ndaj intelektual ëve dhe dhuna ekonomike dhe pastaj migrimi . Sa dibranë dhe rrethinas te Dibrës jetojne sot neper bote.  Po në Amerikë?
Vitet e “shlirimit” mendor pas viteve 1974 , të ndërrimeve  kushteture në Jugosllavi filloi edhe ndërrimi i mentalitetit tek shqiptarët e Maqedonisë. Më kujtohet shumë  mirë qe edhe ne ne Kosovë e lexonim “Flaken e Vellazerimit” te Shkupit . Koncertet me muzikë shqiptare,; kremtimi i 100 vjetorit te Lidhjes së Prizrenit (1978); shkrimi i teksteve  shkollore pak a shumë ashtu si donim ne. Ndihej , ndihej një lëvizje , një gjallerim kombëtar . Shqiptarët e Maqedonisë , nuk ishim më  vetëm “bozaxhitë” apo  “burekxhitë “ e Jugosllavisë. Universitetet e Zagrebit , Lublanes , Beogradit vlonin nga Shqiptarët .Universiteti i Prishtines kishte hapur krahet per krejt shqiptarinë e ish Jugosllavisë.

Por …tani këto ditë : “ Duket se toleranca shqiptare ka dimensione tjera në krahasim me bashkësit tjera etnike në Maqedoni, posaçërisht kur vjen në shprehje minoriteti turk dhe shqiptarët filo turq që e duan Turqinë si atdheun e dytë. Në Çair të Shkupit si dhe në disa qytete tjera të Maqedonisë veri-perëndimore nostalgjia turko-otomane bën që shqiptarët të ndjejn afër edhe flamurin turk duke e vendosur atë në çdo institucion të vendbanimeve shqiptare pa marr parasysh nëse aty jetojnë turq ose jo. Kështu ndodhi sot edhe në emërimin e shkollës në gjuhën shqipe Jashar Bej Shkupi në Çair ku valvitet edhe flamuri turk. Rikujtojmë se partitë turke nuk kan ndonjë afinitet me partit shqiptare, përkundrazi ata jan në koalicion me partin nacionaliste maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE./klan.mk “. Ku po shkon Maqedonia e shqiptarëve ? Në Turqi apo jo , po gëzohen sllavët se ëndrra e tyre po relizohet ashtu siq e kan paraparë. “ Shqiptari vetëm me turqizëm dhe arabizëm gjunjëzohet”-thoshte Cubriloviqi.

Letë dalim pak  ne Sanxhak” “Çfare është edhe sot diplomacia turke ndaj qështjes shqiptare?. Më sa duket Ahmed Davotoglu ia ka qelluar kur ka thënë: ” se muslimanet në trojet shqiptare jane pasuria e madhe e Turqisë te cilet Turqia do ti shtrydhë deri ne piken e fundit te lëngut për të mbushur gotën e saj te ambicjeve zgjeruese në përmasa otomane “. Qendrimet e Turqisë ndaj Kombit Shqiptar nuk burojnë nga ndonjë ndjenje dashamirësie sepse vllazeria në politike nuk ekziston, por burojne nga nevoja e zgjerimit te ekonomise turke dhe forcimit politik te Ankarase. Sanxhaku në kohën osmane ishte i rëndësishëm me vlera strategjike -ushtarake sepse e siguronte furnizimin ne vijën Stamboll- Bosnje .“ Mund të mirrej me mend se shfaqja e përzierjes asimiluese që manifestihej aty ku me dhunë ndërpriteshin lidhjet me vetveten që doemos do të pasonte me rikëndjelljen e brezave tjera të cilët do të ishin shumë të përshtëshëm për ndërtimin e “njeriu të ri” të pastruar nga kujtesa dhe të gjitha ngarkesat tjera të cilat mund të paraqitnin pengesa drejt ardhmërisë “ (Jusuf Buxhovi : Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit), …. që të bëhen “boshnjakët”.Pasojat e presionit turko-serb ishin asimilimi fetar,humbja e vetëdijes kombëtare,mos hapja e shkollave shqipe dhe si pasojë edhe humbja e gjuhës shqipe.Është interesante se si sot Turqia po e përdorë muslimanizmin e shqiptarëve dhe “ boshnjakëve” të Sanxhakut si ambasada të interesave të tyre për të bër një hap më të madh në Europë. E ne ,pa kurrfarë analize i vehemi pas. “

Armiqtë janë të elektrizuar nga ëndrra se me veprimet antishqiptare do të arrijnë shkombëtarizimin e tyre dhe një ditë, do të ushtrojnë një kontroll të plotë mbi ta. Kodoshët shqipfolës, në bashkëpunim me armikun e jashtëm, duan ta shtrydhin Atdheun tonë. Misioni i tyre është të vazhdojnë të na bezdisin me llomotitje të çoroditura dhe në thelb të pakuptim. Lehjet e tyre janë një përzierje e shushatur vetëmburrjeje primitive, përgojimesh të gjithçka-je shqiptare dhe profeci të flakta të predikuesve injorantë përçarës antikombëtar.( Aurel Dasareti)
Këto ditë e lexova një shkrim në portalin me zë  (http://www.gusinje-plav.com/) që nëse ke plis nuk do të thot që je shqiptar, .ndërsa pë filmin që e permenda thot që është pjellë e propagandës shqiptare ……(Ne dopustivo je kada neko svjesno ispreskace jedan niz historiskih cinjenica, kao sto g. Metjahic to cini kada je govori o Bosnjacima Plava, Gusinja i Sandzaka, a pritom se koristiti propagndistickim materijalom nekih pronacionalista i etno-homogenih bolesnih umova. U dokazivanju nacionalnog identiteta i nacionalne pripadnosti, mnogi Albanci koriste taj propagandisticki snimak u svrhu da prikazu Bosnjake, nacionalno kao “Albance”. Ovime g. Metjahic dovodi u pitanje svoj kredibilitet i reputaciju koju uziva vjerujem kod mnogih Bosnjaka koji drze do argumentiranih povjesnih fakata po pitanju povjesnih i nacionalnih (www.Gusinje-Plav.com) )…… dhe se  gjëja se të gjithë thirrn në vërtetësin e çulahit ( si shkruan aty )- plisit.

A është plisi shenjë që të jesh shqiptarë ? Jo thot autori , se plisi ësht kapuç grek.

“Mua me vjen keq por kam kuptuar që sot jemi një turmë të çmendurish ose skllevërish qe nuk kemi lidhje me shqiptarët e se shkuarës.- më thot miku Erlir
Pse edhe shqiptarët e Maqedonisë po ecin rrugës pa kthim ?
Fahri Xharra, 12. 06.15 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Novi Pazar, Sanxhak:, shqip, Shqiptaret e Maqedonise

ZOTI PROKUROR I PËRGJITHSHËM, HAPI DOSJET E GAZETARËVE TË VRARË OSE IK!

June 12, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo lexova lajmin se Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi ka autorizuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të fillojë hetimet kundër personave që përmes rrjeteve sociale kanë ushtruar një fushatë kërcënuese kundër publicistit Veton Surroi.
Zoti Lumezi ka bërë mirë që ka kërkuar hetim, duke i dalë në mbrojtje zotit Surroi.
E unë në të njëjtën kohë, i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që të nisë hetimet për gazetarët e vrarë në Kosovë.
Janë një listë emrash gazetarësh që fillojnë nga Ali Uka, Enver Maloku, Xhemal Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti të vrarë nga dora kriminale për shkak të ushtrimit të profesionit. Dosjet e tyre qëndrojnë të mbyllura edhe nga organi i akuzës, edhe prej memecërisë së gazetarëve të Kosovës, të cilët ose jetojnë në gjendje letargjie, ose rrinë si lepuj përpara pronarëve, ose u shkojnë bisht prapa politikanëve, rrinë pra sus dhe kot sa janë, sepse në fakt janë vetëm bishta të establishmentit që është duke e lënë Kosovën në mjerim, në papunësi dhe nën terrorin e antishtetit.
Po të kishte shtet të së drejtës në Kosovë, drejtësia do t’i kishte zbardhur vrasjet e gazetarëve dhe përgjegjësit do të duhej të paguanin për krimin e kryer, që është i dyfishtë, sepse bashkë me njeriun kanë vrarë edhe përfaqësusin e pushtetit të katërt.
Që të jesh gazetar në Kosovë duhet ta kesh lidhje ose me establishmentin e ish-pushtuesit ose me këtë të ish-luftës, ose duhet të jesh Baton Haxhi ose Shkëlzen Maliqi ose Berat Buzhala. Nëse nuk je ndonjëri nga këta duhet të jesh patjetër Bajrush Morina, arketipi tipik i përzierjes të dy establishmenteve. Por gazetar nuk je – po të jesh njëri prej tyre.
Janë edhe brezi i ri i gazetarëve, ata që janë të papërlyer nga establishmentet. Kosova pret prej tyre që ta ndryshojnë botën.
Sot i mpreha veshët kur Prokurori i Përgjithshëm i Kosovës kërkoi hetim për kërcënimet që ka marrë Veton Surroi, e në të njëjtën kohë po i them Prokurorit të Përgjithshëm të kërkojë hetim për vrasjet e gazetarëve Ali Uka, Enver Maloku, Xhemal Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti.
Po i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrën urdhërore, sepse kjo është detyra e tij ashtu si e ish-paraardhësve të tij, që të zbulojnë kriminelët, se cilët ishin dorasit edhe ideatorët e këtyre akteve terroriste. Të vrasësh një gazetar shqiptar do të thotë të jesh terrorist, po aq i zi sa ata të IS-it.
Nëse politikanët e Kosovës nuk duan t’ia dinë, të paktën shoqëria civile në Kosovë duhet t’ia kishte prishur gjumin Prokurorit të Përgjithshëm të Kosovës, por mjerisht edhe shoqëria civile është vetëm një ingranazh i kësaj kënete që e quan veten shtet, sepse askurrë dhe asnjëherë nuk e kemi parë në manifestime sensibilizuese. Manifestojnë vetëm partitë dhe militantët e partive, ndërsa shoqëria civile e vë popullin në gjumë. Kur e gjithë bota thërriste në kor: Je suis Charlie, përse në Kosovë nuk manifestohet me emrat e gazetarëve të vrarë, përse nuk thuhet Je suis Enver Maloku, Je suis Bardhyl Ajeti, Je suis Xhemal Mustafa, Je suis Shefki Popova e me rradhë.
Krimi i këtij establishmenti veç të tjerave është se ka krijuar edhe një popull të nënshtruar, i cili nuk i kërkon të drejtat që i takojnë.
Unë po i bëj një pyetje retorike Prokurorit të Përgjithshëm të Kosovës, nëse e ka parë përkushtimin e SHBA për të zbuluar të vërtetën e vrasjes së tre qytetarëve të saj, tre djemve dhe vëllezëve Bytyçi që ishin pjesë e UÇK-së e luftuan bashkë në Batalionin Atlantik! Po zoti Prokuror i Përgjithshëm, përse nuk po e kryen detyrën, veç po e shton pluhurin e harreses mbi dosjet e gazetarëve të vrarë, duke i vrarë edhe një herë me heshtje.
Harresën po e ndihmon edhe komuniteti i gazetarëve të Kosovës, sepse asnjë gazetar apo organizëm gazetarësh në Kosovë nuk është i interesuar dhe nuk ka investiguar për kolegët e vrarë. Ata nuk i kujtojnë kolegët e tyre të vrarë as në 3 Maj Ditën Ndërkombëtare të Lirisë të Shtypit, nuk i kujtojnë as për hipokrizi, nuk i kujtojnë as për të larë gojën.
Po s’ka si të jenë gazetarë atëherë.
Prandaj Kosova ka mbetur pa Ëngjëjt e saj Mbrojtës, sepse gazetarët e vërtetë janë Ëngjëjt Mbrojtës të Kosovës.
Prandaj Kosova po vijon dergjjen.
Po të them: mjaft u dergje Kosovë, Prokurori i Përgjithshëm do të më akuzojë se jam duke ia prishur stabilitetin establishmentit që e ka kapur shtetin e Kosovës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, gazetaret e vare, Kosove, prokurori i pergjithshem

Zëri i njerëzve që jetojnë në robëri

June 11, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)/
Shqiptaria ka lindur shumë bastardë dhe kuisling, por edhe burra të fortë që do të shkëlqejnë në qiell. Ata gjithmonë do të jenë besnikë ndaj Kombit dhe Vendit të tyre. Dhe, do të luftojnë kundër të gjitha tmerreve të brendshme dhe jashtme.
Porosi armiqve: Heshtja është forca jonë. Heshtja jonë është si një stuhi në det. Mos mendoni se heshtja është dobësia jonë, sepse nën sipërfaqen e rrafshët të tokës qëndron vullkani.
***
A nuk është e çuditshme se sa e vështirë mund të jetë për të emëruar gjërat thjesht dhe në mënyrë të qartë?
Ne mendojmë se fjalët e thjeshta dhe më të dobishme janë shumë banale, kështu që zgjedhim disa formulime pak më të përparuara në vend të tyre. Sepse mendojmë se ato janë më të sakta. Ose me cilësi më të lartë akademike.
Pra, fjala është për të quajtur një lopatë një lopatë, plotësisht fjalë për fjalë.
Shumë intelektualë shqiptarë dëshirojnë ta zbukurojnë veten me fjalë. Ata mund të mendojnë se atë që ju doni ta thoni duket më e bukur në qoftë se ju e paketoni në terminologjitë e larta akademike, terminologji shkencore dhe me fjalët e huaja. Unë, një lopatë e quaj një lopatë e jo çokollatë. Edhe motori i kërkimeve në Google pajtohet me mua, ashtu që, nëse ti për shembull dëshiron të mësosh diçka më tepër për laviret, e shkruash fjalën: “lavire” – dhe dalin informatat, llafi vjen për Jankullovskën. Nëse e zbukuron realitetin me termat moderne: “punëtore seksi”, për shkak se kinse ajo është më pak stigmatizuese, atëherë nga motori kërkues nuk do të marrësh përgjigjen e saktë.
Djalli e morri shakanë; pas 17 vitesh pritjeje të kot për barazi, liri, mirëqenie, demokraci nuk kemi më kohë për të humbur. Mos të mashtrojmë më vetveten dhe opinionin, mos e përdorim shprehjen “zonjë” dhe “zotëri” për ata (ato) që nuk janë të denjë për të, për idiotët dhe keqbërësit. Opinioni le ta dije saktësisht, pa doreza, se kush janë politikanët e vetëshpallur që vendosin për fatin e tyre, shkaktarët kryesor të mjerimit, dëbimit, masakrimit, tradhtisë dhe tragjedisë së tyre. Prandaj, sugjeroj kalemxhinjtë ta precizojnë dhe përmirësojnë fjalorin kur të përmendin emrat e personave publik: respekt apo mospërfillje, sipas meritës.
***
Respekti është një term për qëndrimin tonë ndaj njerëzve të tjerë që mund të tregon se ne e pranojmë se tjetri është i denjë për nderim ose si mik, koleg i afërm i nivelit tonë moral/profesional ose si individ që ne e kemi ngritur më lartë se veten. Nderimi dhe reputacioni janë koncepte të tjera që mund të përdoren si sinonime. Në mënyrë të ngjashme, njohja e veprimit ose arritjes së një personi tjetër jepet në formën e një respekti të theksuar. Për shembull, “Është respekt për zgjedhjen që ajo ka bërë.” Koncepti i respektit është një fjalë e ngarkuar pozitivisht. E kundërta e respektit është mosrespektimi, mospërfillje. Për të treguar mungesë respekti mund nga dikush të perceptohet si gjest i pasjellshëm. Por, ne domosdoshmërish të kemi qëndrim mospërfillje e jo respekt ndaj vrasësve, kriminelëve, pedofilëve, tradhtarëve, kuislingëve – përndryshe marrim anën e xhelatit dhe ofendojmë viktimat, identifikohemi me kriminelët.
***
Nuk di ku ta filloj dhe kë të emëroj më parë, djemtë e plehrave të shtetit amë apo djemtë e plehrave të Kosovës… Numri është shumë i madh, lypset të mbushi disa kamion me listat e të gërditshëmve, prandaj po përqendrohem te djemtë e plehrave të FYROM-it. Sikur DUI (bdi) dhe PDSH të braktisnin qeverinë e kryekriminelit Gruevski, pushteti fashist robërues sllavo-ortodoks do të rrëzoheshe menjëherë. BE e dinë se ky shtet nuk është legjitim dhe se partitë kolaboracioniste në realitet nuk përfaqësojnë shqiptarët por vetëm interesat e tyre personale; megjithatë, pasi FYROM është e përkëdhelura e tyre, i mbyllin sytë para realitetit dhe qeverisë ВМРО-ДПМНЕ & DUI (bdi) ia tolerojnë të gjitha krimet ndaj nesh..
Psikopat Alia dhe psikopat Menduhi rrezikojnë shumë që nuk largohen nga qeveria terroriste e Gruevskit. Kur dikush rrezikon shumë ka gjasa të fitoj shumë – ose të humbi shumë.
Sllavo-ortodoksët kanë lejuar që këta dy dylberë dhe gjithë të tjerët nga BDI-PDSH të zhyten në kriminalitet masiv, kanë evidencë për tradhtinë dhe krimet e tyre, ashtu që përdorin shantazh ndaj tyre. Kjo do të thotë: O do të bëjnë gjithçka çka dëshirojnë okupatorët – o do të arrestohen dhe dënohen rëndë për krimet.
O popull, e dijë se mashtroheni nga pseudo-mediumet, pseudo-analistët etj prandaj mos klikoni në plehra. Zgjohuni dhe merreni fatin e juaj në duart e juaja, përndryshe udhëtimi personal i juaj në gërmadhat e ferrit është i pashmangshëm. Lojaliteti i juaj joracional-ekstrem ndaj Alijës dhe Menduhit dhe indiferenca e juaj shumëvjeçare ndaj krimeve dhe tradhtisë së BDI & PDSH dhe partive tjera dështake çuditin botën e civilizuar. Kam menduar se jeni të sertë si speci djegës por qenkeni si speca dollma. Edhe milingonat bëjnë luftëra, edhe bletët kanë një Shtet, edhe kastorët grumbullojnë ushqim për konsum. E ju?! Bëhuni pak kritik, pos u merrni me pallavra, dogma dhe iluzione. Lirinë nuk do t`jua sjellin të tjerët…
Unë kam ndjenjën se ne shumë shpejt do të zgjohemi nga vitet e letargjisë, do të kalojmë në aktivitet dhe do të fillojmë me një fletë të pastër, të rrëmbejmë stilolapsin dhe fillojmë të shkruajmë të ardhmen tonë me duart tona.
PROTESTONI – Shkup 13 qershor!
Protestoni! Të gjithë ju. Pa dallime partiake, fisnore, feje, moshe, gjinie, rangu social. Së bashku ta shporrim kancerin aktual e pastaj shohim e bëjmë. Kush thotë: ”Mos protestoni” e ka mizën nën kësulë, mos e dëgjoni.
Së bashku në luftën kundër djemve të plehrave! Së bashku kundër terrorit shtetëror që kjo qeveri e ushtron mbi ju!
Ne duam që të dëgjohet zëri i njerëzve që jetojnë në robëri.
Ne nuk duam që ajo që ne besojmë të shprehet vetëm me fjalë, por edhe të manifestohet në veprim, për një botë më të drejtë; për heqjen e skllavërisë shekullore në të cilën gjendet Kombi jonë në FYROM.
Unë së bashku me miqtë dhe kolegët e mi qëndrojmë me të gjithë ju; edhe në të keqën edhe në të mirën, gëzimin dhe trishtimin, në luftën për të drejtat dhe lirinë. Qëndrimi jonë i përbashkët është për të vendosur kriminelët para drejtësisë…
Të qëndrojmë fuqishëm për atë që t`i jepet fund 100 vjet shkeljeje të të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve të ish Jugosllavisë dhe Çamërisë: asimilimit, shfrytëzimeve, diskriminimeve, dëbimeve, burgosjeve politike, masakrave, terrorit shtetëror.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, ne roberi, zeri i njerezve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 787
  • 788
  • 789
  • 790
  • 791
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT