Nga Getoar Mjeku dhe Uk Lushi*/
Nuk do të kishte më mirë se sa një njerëzim pa armë— një familje mbarënjerëzore ku njeriu nuk do të sulmohej dhe nuk do të kishte nevojë të mbrohet nga njeriu. Mirëpo realiteti historik dhe i sotëm janë krejt ndryshe prej një ideali të tillë, dhe njerëzit, fatkeqësisht, përdhunojnë dhe madje vrasin njerëzit të cilët nuk kanë kundërarmë të mbrohen.
Armët nuk janë vetëm mundësia e mbramë— por edhe më e efektshme— e individëve për t’u vetëmbrojtur.
Si e drejtë themelore, e drejta për të mbajtur armë ka zënë vend kyç në ligjet e qytetërimeve që në kohët e lashta. Atë e gjejmë ndër doket e të parëve tanë, në shkrimet e mendimtarëve të mëdhenj të demokracisë (që nga Aristoteli e deri te John Locku) dhe sëfundmi në kushtetutat moderne të shteteve të përparuara.
Një shtet është sovran atëherë kur sipër tij nuk ka tjetër fuqi që mund ta përdor dhunën dhe detyrimin. Porse, që një shtet të jetë demokratik, sovraniteti duhet t’i përkasë popullit.
Thomas Jefferson, hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë se SHBA-së, shkruan shumë drejtpërdrejtë që popullit i duhen armët si mjet i fundit për t’u përballuar me tiraninë e mundshme të qeveritarëve. George Mason, bashkëpatriot i Jeffersonit, shton se “mënyra më e lehtë për të skllavëruar popullin është ta çarmatosësh atë”.
Kjo edhe është arsyeja pse SHBA e ka përfshirë të drejtën e armëve në Kushtetutë. Amendamenti II i sajthotë mes tjerash se “e drejta e njerëzve për të pasur dhe mbajtur armë nuk do të guxohet të shkelet.”
Posedimi dhe shfrytëzimi i armës ka luajtur rol thelbësor në mbijetesën dhe ligjet zakonore të shqiptarëve që në kohët e lashta. Për t’i zhdukur doket tona dhe për t’i shmangur kryengritjet kundër nënshtrimit, regjimet shtypëse ngaherë janë përpjekur ta çarmatosin popullin tonë.
Pushtuesit e shumtë, veçmas Perandoria Osmane dhe Serbo-Jugosllavia,ndërmorën aksione për mbledhjen e armëve, duke vrarë pa ngurruar secilinqë provonte të mos dorëzonte pushkën, çiften, koburen, revolen ose mjete tjera për mbrojtje.
Edhe regjimet komunisteme të ardhur në pushtet mblodhën të gjitha armët e zjarritdhe veçanërisht nga malësorët, të cilët ndër shekuj kishin jetuar të lirë dhe ishin kundërshtarët më të natyrshëm të një diktature të re.
Sot, në shumë shtete ka një debat të fortë mbi të drejtën e qytetarëve të jenë të armatosur. Diskutimet përshkohen nga argumente por edhe emocione të pabazuara në fakte dhe pa kuptuar relacionin e të drejtës të mbahen armë dhe nevojës për kontrollin ligjor të posedimit të tyre.
P.sh., Zvicra dhe Izraeli kanë ligjet për armë më së pakut kufizuese dhe krimet me armë më të ulëta për krye banori, kurse qytetet amerikane si Washington DC dhe Chicago ndonëse kanë ligjet për armë më të rrepta, vuajnë shkallën më të lartë të krimeve me armë për kokë banori.
Në fakt, vendet që u mohojnë qytetarëve të tyre të drejtën për të pasur armë janë shtetet me qeveritë më shtypëse, si Republika Popullore e Kinës dhe Koreja e Veriut.
Në vende të lira dhe paqësore, ndërkaq, ka dhe sosh që i detyrojnë shtetasit të mbajnë pushkët gati në shtëpitë e tyre. Zvicra, fjala vjen, e cila nuk ka përjetuar asnjë konflikt të armatosur në dyqind vjetët e fundit, e lidh lirinë e popullit me përgjegjësinë e secilit për të rrokur armët në rast rrezikimi.
Vendet demokratike që e rregullojnë me përpikëri mbajtjen e armëve, ndërkohë, janë të ndërgjegjshme dhe të kujdesshme për sigurinë publike dhe mundësinë që armët të bien në duart e njerëzve të gabuar. Sidoqoftë, rreziku i keqpërdorimit nga njerëz të caktuar nuk e arsyeton mohimin e së drejtës së individit për mbajtje të armëve.
Sepse, në njërën anë, arma është thjesht mjet që, si shumë vegla tjera, mund të marrë padrejtësisht jetë njeriu, kur përdoret për të keq. Për krahasim, edhe automobili mund të jetë shkaktar i vdekjeve, mirëpo shmangia e më së keqes varet përfundimisht nga ligjet për komunikacion dhe kujdesi i ngasësit.
Dhe në anën tjetër, qeveria gjithmonë mund t’ua mohojë të drejtën për armë atyre që nuk janë mendërisht të zotët për t’i bartur ato. Kuptohet, këtë do duhej ta bëjë sipas ligjit, në transparencë të plotë dhe me bekimin e popullit sovran.
Porse nuk mund të ketë rend ligjor kur qeveria s’e dëgjon popullin dhe populli s’ka si ta detyrojë qeverinë që të dëgjojë. Sëkëndejmi, popullit i duhen armët që ta mbrojë veten mu nga armët në duart e liga.
Kur qytetarët nuk kanë mjete për të luftuar, luftën do ta përvetësojnë individët, që mbërrijnë deri te armët.
Ndër këta individë ka liridashës, por ka dhe shfrytëzues rasti që zënë në duar armët dhe i përdorin ato për vete në emër të popullit të shtypur.
Të shumtët që rrokin pushkën i përkasin taborit të luftëtarëve të lirisë.Porse,duke u dhënë pas çlirimit, ata humbin betejën e brendshme me oportunistët që ngarendin pas pushtetit dhe luftëne keqpërdorin për qëllime të veta. Duke kopjuar metodat e armikut, këta të funditmund të bëhen të tillë që e zëvendësojnë armikun.
Prandaj armëpasja është jashtëzakonisht e rëndësishme: është kala para çdo sulmi kundër lirisë.
Mirëpo, sa e respektojmë dhe sa e gëzojmë ne shqiptarët këtë të drejtë sot dhe sidomos kur historikisht jemi të provuar me pushtime dhe qeveri shtypëse dhe çnjerëzore?
Në siujdhesën ku janë tokat dhe plangu ynë, popullata e secilit komb ballkanik është shumë më e armatosur se sa shqiptarët. Gjatë historisë popullit tonë i janë marrë edhe ato pak armë që ka pasur për t’u mbrojtur nga pushtimi apo despotizmi.
Andaj, megjithë pandehjet se kanë miratuar ligje liberale për armët ( Ligji 47/2014 në Republikën e Shqipërisë dhe Ligji 03/L-143 në Republikën e Kosovës), dy shtetet tona kanë shkurajuar me vepër mbajtjen e mjeteve për vetëmbrojtje. Qebesa, ligjet për armët janë ndryshuar vazhdimisht përgjatë pak viteve të demokracisë ndër ne, duke e bërë të drejtën për armë të paqëndrueshme e të varur nga teket e pushtetarëve.
Kurse në shtetet në Ballkan ku shqiptarët janë të papushtetshëm, ata që vendosin se kujt t’i japin leje për armë janë mu autoritetet e rendit që haptazi keqtrajtojnë bashkëkombësit tanë dhe ato që arbitrarisht vendosin se kujt do t’i japin leje për armë. Dhe kështu, në të gjitha vendet e rajonit, ligji i tyre bën që shqiptarët të mos gëzojnë të drejtën e plotë për armëmbajtje.
Ne propozojmë që dy shtetet tona duhet të ndryshojnë kushtetutat për ta bërë të drejtën e armëmbajtjes të drejtë themelore— ashtu siç e ka Amerika. Ndërkaq, shqiptarët kudo në shtetet tjera në Ballkan duhet të aplikojnë masivisht për pajisje me armë vetjake. Dhe nëse refuzohen, të organizohen dhe angazhohen politikisht derisa të realizojnë këtë të drejtë parësore.
Si shqiptarë të lirë, ne, nuk guxojmë kurrë më të lejojmë të na shkelen të drejtat dhe as të jemi viktima.
Nëse forca bëhet e domosdoshme, i takon popullit ta përdorë atë ndaj një okupatori ose edhe ndaj një qeverie të padëgjueshme. Vetëm një popull i pajisur me armë dhe i aftë të mbrojë veten mund ta mbrojë rendin demokratik dhe lirinë, kur mos të ketë rrugëdalje tjetër. Arma është detantë për armën.
Prandaj, ne u drejtohemi pushtetarëve tanë: mos i çarmatosni shqiptarët dhe mos ua shkelni të drejtën e armatimit, por bëni punën tuaj duke e njohur dhe garantuar me kushtetutë këtë të drejtë themelore për të mbrojtur jetën dhe lirinë ashtu si duhet.
* Getoar Mjeku është avokat në Dallas, Texas, kurse Uk Lushi është investitor në Manhattan, New York.
Interesi kombëtar, thelbi i politikës së jashtme të Shqipërisë
Nga KSENOFON KRISAFI/
Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, përsa iu përket tentativave të palës greke për të hyrë dhe për të ndërmarrë veprimtari kërkimore për pasuritë e ndodhura në ujërat detare shqiptare në detin Jon, janë shqetësuese. Për më tepër nëse vendosen në kontekstin gjeopolitik rajonal të gadishullit, i cili kohët e fundit gjendet i ngarkuar me probleme të padëshirueshme, një pjesë e të cilave frymëzohen nga prirje anakronike nacionaliste. Këto ngjarje acarojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e saj jugor, Greqinë, me popullin e së cilës shqiptarët kanë ndërtuar prej shekujsh marrëdhënie miqësie në dobi të përbashkët.
Shqipëria dhe shqiptarët janë dalluar për qëndrimet e veta kurdoherë shembullore, paqësore, konstruktive dhe miqësore ndaj fqinjëve, për frymën e tolerancës edhe kur, forca të caktuara politike të ndodhura në pushtet në vendet përreth i kanë provokuar ose sulmuar. Sjellja e tyre ka qenë e përmbajtur, e ekuilibruar, aspak simetrike, me shumë qytetari. Nuk provohet as edhe një rast i vetëm që shqiptarët të jenë shfaqur në rolin e agresorëve, që të kenë sulmuar tokat e të tjerëve dhe të kenë kryer aty vrasje, masakra, gjenocid, bastisje, krime etj, në një kohë kur vetë kanë qenë objekt i trajtimeve të tilla.
Irritimi i palës greke i ditëve të fundit, retorika ekstreme e politikës dhe sidomos e medias, dëshmojnë më mirë se gjithçka se cili ishte qëllimi i saj i vërtetë gjatë negociatave dhe nënshkrimit të ngutur të të ashtuquajturës “marrëveshje detare”, të cilën, ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis, që në momentet e para, e quajti një “arritje strategjike”. Ai tregon gjithashtu se fqinjët tanë, megjithëse kanë kaluar pesë vjet nga hedhja poshtë e saj, vazhdojnë të insistojnë për ta imponuar me premtime, mashtrime dhe kërcënime.
Acarimet e ditëve të fundit tregojnë edhe se ç’dëme të pallogaritshme mund t’i sjellin vendit politikanë, të cilët e duan pushtetin për të mbrojtur interesat vetjake ose klanore, pasurore dhe politike, që me veprime të papërgjegjshme sakrifikojnë shtetin, territorin e vendit, popullin dhe pasuritë e tij.
Është bërë tashmë e qartë se firma e hedhur nga ish-ministri i Jashtëm, në prani edhe të ish-kryeministrit të asaj kohe i shkaktoi vendit probleme me një fqinj, me të cilin ai dëshiron miqësi. Ajo firmë mund të sillte madje humbjen e një rajoni me rëndësi të veçantë gjeostrategjike, prej 354.4 km katrorë.
Tentativa e dështuar për të ceduar territorin shqiptar, në prillin e vitit 2007, ishte një veprim i fajshëm që duhet ndëshkuar, sepse, siç shkruante Faik Konica, në marsin e 1900, “Shqipëria është e shenjtë, asnjë pëllëmbë nuk falet. Sepse kush ka falë a ka bërë pazare, qoftë edhe në tryezat politike e diplomatike, ka bërë thjesht tradhti kombëtare, është i përçmuar, tek mban mbi kurriz damkën e turpit të përjetshëm dhe peshën e mëkatit të pashlyer”.
Treshja politike e asaj kohe, duket se nuk e ndjen sa duhet peshën e përgjegjësisë për veprimin antikombëtar dhe antikushtetues, prandaj dhe nuk ka bërë ende mea culpa-n. Në këto ditë problemesh krejtësisht të padëshiruara në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilat, shpresohet sinqerisht se do të kalohen pa shqetësime, nga politika në të dy anët e kufirit, ish- kryeministri Sali Berisha dhe shpura e ish-ministrave të tij, që kryesonin dikasteret e punëve të jashtme, të mbrojtjes dhe të drejtësisë, heshtin dhe nuk thonë asnjë fjalë. Gjashtë vjet më parë ata blasfemonin si “sharlatanë” grupin e intelektualëve, studiuesve, gazetarëve etj, që, të frymëzuar nga ndjenja e patriotizmit, e trajtuan çështjen me kompetencë profesionale, e shndërruan në problem madhor të ruajtjes së integritetit kombëtar, dhanë alarmin dhe ngritën zërin për rrezikun e cedimit të detit dhe e konsideruan firmosjen e të ashtuquajturës “marrëveshje” si akt të tradhtisë kombëtare. Në atë kohë grupi i politikanëve, bashkëpunëtorë dhe bashkautorë të këtij veprimi, përbetoheshin se nuk është lëshuar as edhe një centimetër territor. Por alibia e tyre u përgënjeshtrua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të 15 prillit 2010. Pikërisht ata, sot, kur duhet të flitet sepse po krijohen situata të pakëndshme në marrëdhëniet me fqinjët, heshtin dhe nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë.
Zhvillimet në marrëdhëniet shqiptaro-greke tregojnë në të njëjtën kohë se ç’ndodh kur administrata mbushet me militantë partiakë, të cilët nga servilizmi apo injoranca profesionale, nuk gjejnë dot kurajën të hedhin poshtë urdhrat haptas të paligjshëm, të kundërshtojnë dhe t’iu thonë eprorëve të vërtetën.
Irritimi i disa qarqeve ekstremiste politike greke, flet gjithashtu për faktin se Athina është mësuar që, në marrëdhëniet me Shqipërinë, të sillet duke shpërfillur normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke cenuar interesat shqiptare. Në këtë optikë, shkakton pezmatim dhe keqardhje edhe deklarimi i 13 janarit të këtij viti, i kryeministrit aktual grek, Cipras, i cili, lidhur me këtë çështje, pohonte shprehimisht: “Ne si shtet nuk bëmë ato që duhet të bënim pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje, sepse në të njëjtën kohë që pranojmë vendimin e tyre (shqiptarëve) për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, i dhamë “dritën jeshile” Shqipërisë për çështje që kishin të bënin me ftesën në NATO apo Bashkimin Europian. Sigurisht që ishte edhe faji ynë që këtë marrëveshje nuk e sollëm në Kuvend për ratifikim. Sot këto gabime po i paguajmë. Kjo çështje duhet të zgjidhet me seriozitet dhe duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare”.
Në kohët e shkuara Greqia është ndjerë e përkëdhelur dhe nuk ka nguruar të kërkojë gjithçka që ka dashur, pavarësisht se cenohet Shqipëria. Kur autoritetet shqiptare, në pajtim të plotë me normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, i kujtuan se nuk mund të shkelen interesat e shqiptarëve, furia greke u përplas vrullshëm dhe pa mëshirë, pa kufij etike, ndaj një vendi sovran, duke lëshuar epitete lënduese të llojllojshme. Kërkesa normale, e shprehur në notën e MPJ të Shqipërisë, për t’u informuar për veprimet që po ndërmerren në rajonin detar jugor shqiptar si dhe njoftimi që të respektojnë tërësinë territoriale të shtetit shqiptar, u konsiderua nacionalizëm, iridentizëm, pretendim për krijimin e Shqipërisë së Madhe, veprim i nxitur dhe i frymëzuar nga Turqia etj. Nuk vonoi që politika greke e retorsioneve të shfaqej edhe në këtë rast, veçse jo si dikur, në formën e operacioneve “fshesa”, por në mënyra më të “rafinuara”, më “diplomatike”, duke anuluar pjesëmarrjen e kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm grek në dy veprimtari rajonale të rëndësishme në Tiranë etj. Në vijim zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Constantinos Koutras, duke marrë një rol që nuk i përket, gjykoi vrazhdë veprimet legjitime të një shteti sovran dhe u shpreh se “Udhëheqja politike e vendit tonë fqinj dhe mik po degradon me fjalë dhe vepra çdo ditë”. Ai iu referua deklarimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili në një konferencë shtypi, të ditëve të fundit, tha me shumë korrektësi se “me Greqinë … kemi një partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi … nuk shoh asnjë arsye në botë, që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh ose politikanësh në Tiranë, të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore të diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare, informacion për kërkimet në det. …Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë. Nga ana tjetër, ne jemi zotuar të bëjmë një politikë të jashtme me zero probleme me fqinjët, por ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne dhe nuk e ushqejmë ne. Për sa i përket pastaj çështjes që lidhet me zgjedhjen e nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, ashtu siç ne nuk e imagjinojmë që t’i tregojmë Athinës se kë duhet të zgjedhë në krye të Parlamentit apo në nënkrye të Parlamentit apo se kë duhet të përfshijë në qeverinë sovrane, ashtu dhe nuk e imagjinojmë dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër, të na tregojë ne, se si duhet të veprojë Parlamenti i zgjedhur nga populli sovran. Kështu që, besoj se kjo është një çështje e qartë për ne, duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe është një problem tërësisht artificial”. Këtij qëndrimi, zëdhënësi Coutras, iu kundërvu duke tejkaluar normat e zakonshme të etikës diplomatike, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane. I dha vetes të drejtën që t’i tregonte “vendit fqinj dhe mik” se duhet të kthehet te logjika dhe te respekti për ligjshmërinë dhe për të drejtën ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, janë rruga më e sigurt për perspektivën europiane të Shqipërisë. Me keqardhje mund të thuhet se “logjika dhe respekti për ligjshmërinë” që i sugjerohet Shqipërisë është që ajo të shkelë interesat e veta kombëtare, të mos zbatojë një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, që e konsideron nul dhe të pavlerë atë që Athina e quan “marrëveshja e detit”, të pranojë t’i japi Greqisë 354.4 km² nga territori i vet shtetëror. Por, kjo nuk është logjike dhe as respekt për “ligjshmërinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, që i kujtohet vazhdimisht Tiranës zyrtare, bashkë me kërcënimin për përdorimin e vetos për hyrjen në Europë. Ky është abuzim me termat ligjshmëri dhe e drejtë ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare ka përcaktuar se parimet bazë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve janë respektimi dhe moscenimi i tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror, respektimi i barazisë sovrane, mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit, mospërdorimi i mjeteve të tilla si mashtrimi, presioni, kërcënimi, intimidimi etj. Nëse zëdhënësi e ka sërish fjalën për epërsinë e traktateve ndërkombëtare ndaj të drejtës së brendshme, siç është përsëritur shumë herë, duhet patur parasysh se normat e të drejtës ndërkombëtare dhe posaçërisht Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, e vitit 1969, e pranon atë, por vetëm kur traktati është bërë realisht traktat, kur ka përshkuar fazat e domosdoshme dhe ka hyrë në fuqi. “Marrëveshja e detit”, që u realizua në shkelje të parimeve të rëndësishme të së Drejtës së Traktateve, që përjashtojnë mashtrimin, presionet, kërcënimin etj, nuk u bë dot traktat ndërkombëtar, rrjedhimisht nuk mund të referohet si “e drejtë ndërkombëtare”.
Me të drejtë lind pyetja, ç’kërkojnë këto qarqe greke me deklarime të tilla, t’i mbyllin gojën Shqipërisë që të mos guxojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e veta?! Me këtë mënyrë të menduari, që frymëzohet nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja euro-atlantike e popujve, nuk i shërbehet forcimit dhe mbarëvajtjes së marrëdhënieve shqiptaro-greke, nuk i shërbehet shqiptarëve dhe grekëve, që kanë treguar se e duan dhe e respektojnë njeri-tjetrin.
Veprimi i MPJ dhe i qeverisë shqiptare është plotësisht në pajtim me parimet dhe normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve sovrane dhe i shërben ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Reagimet e qarqeve greke janë reminishenca të një të kaluare që i ka rrënjët te Megali Idea dhe i shërbejnë të kundërtës. Veprimi i autoriteteve shqiptare duhet përgëzuar, mbështetur dhe inkurajuar fuqimisht, me qëllim që ato, me urtësi, maturi, qytetari dhe vendosmëri, të mbrojnë interesat e shenjta të shtetasve shqiptarë. Ky qëndrim shkon në të njëjtën linjë me përcaktimet lapidare të rilindasve shqiptarë, të sintetizuara në fjalët e Naim Frashërit, i cili thoshte se “ne me sllavët e grekët, me të gjithë fqinjët tanë, duam të rrojmë ngaherë në harmoni si vëllezër, veçse e drejta e gjithsecilit të respektohet… “. Ai është po ashtu i asaj fryme që përçonte kryetari i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail Qemali, i cili, në ditët e shpalljes së pavarësisë thoshte se “ Shqiptarët …kanë ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjithë shtetet ballkanike dhe të jenë element ekuilibri”.
KANDIDATI I BASHKISE SE KONISPOLIT MBESHTETET NGA GJENERALE E POLICE GREK
*Fushatën e kandidatit për Konispolin, Anastas Gudës, e udhëheqin gjeneral dhe policë grek/
*Nuk dihet roli i gjeneralëve dhe punonjësve të policisë greke në fushatën e kandidatit për bashkinë e Konispolitit të PBDNJ, Anastas Gudës, por këto nuk janë sinjale të mira…/
Ne Foto:Gjeneral Frangos Frangulis, duke folur ne fushaten e Gudes, 17 Maj, Athine/
Nga Arben LLALLA/
Bashkia e Konispolit në këto zgjedhje siç duket do jetë arena e rradhës e përplasjes së fortë midis etnitetit shqiptar dhe minoritetit grek pas historisë disa vjeçare të përplasjeve të forta me tone nacionaliste për bashkinë e Himarës. Me bashkimin e dy komunave me ndarjen e re territoriale të Komunës së Xarrës dhe Markat me komunën e Konispolit në një bashki të vetme minoritetit grek ka ngritur pretendime se mund ta fitojë këtë bashki. Lëvizjet e shpeshta të drejtuesve të OMONIA-s dhe PBDNJ-s në Greqi për të gjetur një kandidat grek për të fituar votat e myslimanëve shqiptar solli në përfundim që kandidati i përshtatëm mund të jetë Anastas Gudas, një njeri i cili nuk ka rënë shumë në sy në Shqipëri sepse e gjithë jeta e tij e pas viteve 1990, lidhet vetëm me Greqinë. Kandidatura e Anastas Gudës erdhi me propozimin e OMONIA-s dhe të organizatës antishqiptare që vepron për aneksimin e jugut të Shqipërisë, SFEVA. Para se ta filloj fushatën Anastas Gudas bëri një takim me ish-shefin e shtabit të ushtrisë greke Frangos Frangulis i cili është parë muajve të fundit dy herë të lëvizi në jugun e Shqipërisë. Nuk e dimë se çfarë këshillash mund të japi një ushtarak i lartë i Greqisë, një kandidatit që garon për kryetar bashkie në Shqipëri, ku minoriteti grek jeton në paqe me shqiptarët!?
Hapjen e fushatës kandidati për bashkinë e Konispolit i PBDNJ dhe i OMONIA-s, Anastas Gudas e bëri në Athinë më 17 Maj, pikërisht në 101 vjetorin e shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit-Aneksimi i Jugut të Shqipërisë. Në këtë tubim morën pjesë përfaqësues të organizatave ekstremiste greke që promovojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë si: Babis Karathanos, kryetar i shoqatës Vorio Epiri, përfaqësues të shoqatës Rinia e Vorio Epirit, zëvendësministri i shtetit, Terenz Kuik, sekretari i përgjithshëm i ministrisë së punëve të brendshme të Greqisë, Angjelos Sirigos, deputeti i partisë Demokracia e Re dhe zëdhënësi i kësaj partie, Konstas Karagunis, etj. Pas takimeve me gjeneral dhe drejtues së ministrisë së punëve të brendshme, Gudas bëri një takim në Gumenicë me Kryetarin e kësaj bashkie, Joani Lolos.
Vallë rastësi Anastas Gudas e hapi fushatën në Athinë më17 Maj? Përse në hapjen e fushatës së Anastas Gudës morën pjesë drejtues të lartë të ushtrisë, policisë, përfaqësues të partive dhe shoqatave ekstremiste greke?
Kandidaturën e Anasastas Gudën po e mbështesin drejtues të lartë ushtarak dhe policë të Greqisë, kjo duhet të ngrejë shumë pikëpyetje tek votuesit dhe strukturat e shtetit shqiptar sepse nuk janë sinjale të mira për bashkinë e Konispolit nëse e fiton Anastas Gudas.
Më 22 Maj, në Mursio erdhi për të takuar kandidatin e PBDNJ, Anastas Gudën, deputeti i partisë së djathtë të Andoni Samaras, Vasileos Gjogjaka, i shoqëruar nga përfaqësues të bashkive të Gumenicës dhe Filatit. Vasileos Gjogjaka është mik i ngushtë i greko-amerikanit Nikolla Geixh, i cili njihet si një antishqiptar i tërbuar që punon për aneksimin e Jugut të Shqipërisë. (Ironike është fakti se drejtuesit e bashkive të Gumenicës dhe Filatit mund të vijnë në Konispol lirishtë, ndërsa shqiptarët nga Çamëria që banojnë në Konispol nuk mund të shkojnë për të vizituar varret e gjyshërve në Gumenicë dhe Filat.)
Pas këtij takimi, më 24 Maj, Anastas Gudas pati takim me minoritarët grek që jetojnë në Larisë, pikërisht me anëtarët e shoqatës PIRRO, një shoqata që shpesh herë jemi parë ta shohim duke protestuar për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Siç duket vizioni i Anastas Gudës është vetëm shkëputja ekonomike e Konispolit nga Tirana dhe për ta lidhur atë me Greqinë e varfëruar tashmë. Gjatë kësaj periudhe Anastas Gudas nuk ka bërë asnjë takim me votuesit shqiptar, por ai e filloj aktivitetin politik për zgjedhjet e 21 Qershorit në Athinë, Filat, Gumenicë e Larisë. Kryetari i OMONIA-s, Leonidha Papas, anëtar i organizatës ekstremiste SFEVA, është shprehur se do ta fitojnë Konispolin nga përçarja e shqiptarëve. Vërtetë shqiptarët do jenë aq budallenj sa për inat të vjehrrës do të shkojnë të flenë e mullixhiun!?
Gudas shkruan se është inxhinier i zoti, cili ka punuar vetëm nëpër firmat e ndërtimit greke dhe jo shqiptare. Pyetjet që votuesi për bashkinë e Konispolit duhet të jenë: Anastas Gudas pasi të zgjidhet kryetar i bashkisë mos do të sjellë qindra emigrantë grek për të punuar në këtë bashki? Ashtu siç bëri dikur ministri Spiro Ksera i cili jepte pagesa nga tatim-taksat e shqiptarëve për drejtuesit e shoqatave antishqiptare në Athinë.
Votuesit e bashkisë së Konispolit duhet të shikojmë mirë se nga u servir kandidati Anastas Gudas, i cili kishte më se 20 vite që e kishte harruar Konispolin dhe Mursinë. Përse është takuar në Athinë me ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Greke më 17 Maj? Përse Anastas Gudas ka bërë disa takime me deputetët e partive ekstremiste të djathta greke? Përse Anastas Gudas deklaron se mursiotët janë kokë e madhe dhe duhet ta udhëheqin ata bashkinë e Konispolit?
Prandaj, mendoj se e mira e banorëve të bashkisë së re të Konispolit është që të votohet kandidati i PS, Shuaip Beqiri, që mbështetet edhe nga aleanca ASHE, kjo do ti sillte shumë investime dhe mbështetej nga qeveria në të ardhmen bashkisë së Konispolit. Janë disa projekte të mëdha afatgjate për tu investuar në atë zonë, por nëse vota nuk shkon atje ku duhet, investitorët e huaj do largohen sepse ata nuk duan përplasje midis qeverisë dhe pushtetit vendor. Përplasjet e fundit midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit të detit Jon, bëhen pikërisht për Thembrën e Akilit që gjendet në cepin e bashkisë së Konispolit dhe flitet se ka rezerva nafte dhe gazi deri në rreth 100 miliardë euro fitime.
Aleksandër Vuçiqi dhe fshehja e gjenocidit
VRASJA E VËLLEZËRVE BYTYQI ËSHTË AKT GJENOCIDAR/
Nga Bardhyl Mahmuti*/
Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit në OKB se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid dhe se do të kërkojë dëmshpërblim për krimin më të rëndë kundër njerëzimit që aplikoi shteti serb në Kosovë nxiti reagime të menjëhershme të palës serbe. Nga të gjitha reagimet serbe po veçoj reagimin e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili deklaroi se gjoja “Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e kupton se çfarë është gjenocidi sepse ai nuk është jurist dhe deklarata e tij nuk është e bazuar në fakte”.
Çështjen e “domosdoshmërisë” për të qenë jurist apo “për t’u bazuar në fakte” për krimin e gjenocidit serb në Kosovë, e kam trajtuar në librin «Mashtrimi i Madh». Kryeministrit serb nuk po i citoj juristë të huaj apo fakte nga pala shqiptare për të dëshmuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi dhe se falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s përmasat e gjenocidit ishin më të vogla se sa kishte paraparë shteti serb. Në këtë rast po përmendi vetëm deklaratën e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi haptazi se “nëse ua dorëzojmë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë ju do ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”
Besoj se Aleksandar Vuçiqi nuk ka harruar se Ministrit i Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviqit ishte jurist i diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Beogradit. Goran Svilanoviqit e dinte fare mirë, madje edhe nga këndvështrimi i juristit, se të gjitha faktet dëshmonin në mënyrë të pakontestueshme se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Prandaj, ai refuzonte ta dorëzojë arkivin përplot dëshmi për gjenocid.
Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, qofshin juristë, politologë, historian apo të disiplinave tjera shkencore dhe që kanë njohuri me atë që ka ndodhur në Kosovë e dinë fare mirë se krimi i shtetit serb në Kosovë nuk ka emër tjetër pos GJENOCID!
Edhe Aleksandër Vuçiqi, jurist i Universitetit të Beogradit, që bënte pjesë në aparatin shtetëror që kreu këtë gjenocid, është plotësisht i vetëdijshëm, në cilësinë e juristit, se Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e shprehura në OKB. Aleksandër Vuçiqi e di fare mirë se të gjitha faktet e krimeve serbe në Kosovë dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Por sot, në cilësinë e Kryeministrit, përpiqet të mohojë vërtetësinë e krimit me qëllim të dekurajimit të shqiptarëve që të mos akuzojnë Serbinë për gjenocid.
Në funksion të kësaj strategjie dhe me qëllim të krijimit të një imazhi të ri, dy ditë para se të niset për në SHBA, Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit paralajmëroi se do të formojë një komision lidhur me vrasjen e shtetasve amerikan me origjinë shqiptare, tre vëllezërve Bytyqi (Yllit, Agronit dhe Mehmetit).
Në vijim, duke u bazuar vetëm në faktet serbe, do të nxjerr në shesh se vrasja e vëllezërve Bytyqi është akt gjenocidar dhe se Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është pjesëmarrës në strategjinë e fshehjes së kryerësve të gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Si u vranë dhe kush i vrau vëllezërit Bytyqi?
Goran Radosavljeviq Guri, që ishte drejtpërsëdrejti i implikuar në krimin e kryer kundër civilëve shqiptarë në fshatin Reçak pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova u emërua komandant i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë. Me gjithë avancimet në funksion, gjurmët e krimit e ndiqnin gjithkund.
I pyetur nga gazetari i gazetës serbe «Blic», se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit dhe Vladimir Lazareviqit, që kishin përfunduar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar, komandanti i aksionit policor në Reçak, Goran Radosavljeviq Guri, përgjigjet: “Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga.”
Goran Radosavljeviq Guri mendon se nuk dihet se “cilët janë autorët e vrasjeve” në Kosovë dhe përpiqet të fshihet prapa funksionit që ka pasur në zinxhirin komandues. Kur është fjala për përgjegjësitë komanduese në kryerjen e krimeve kundër shqiptarëve dhe “shpëtimi nga dënimi vetëm për shkak të funksionit”, po sjell për lexuesin vetëm një shembull: «Rastin e vëllezërve Bytyqi».
Krahas vazhdimit të krimeve të këtij gjenerali të policisë serbe, ky rast do t’i mundësojë lexuesit të shohë mungesën e vullnetit të autoriteteve të Beogradit për të nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë.
Në përshkrimin e «Rastit të vëllezërve Bytyqi» do t’u referohem kryesisht burimeve zyrtare serbe. Aktakuza e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, Vendimi i Gjykatës së Lartë, Seksioni për Krime Lufte dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit përmbajnë informata të mjaftueshme për të kuptuar se çka ndodhi në Qendrën Mësimore të Petrovo Selo-s, të komanduar nga Goran Radosavljeviq Guri.
Në vijim po sjell për lexuesin pjesë nga këto vendime.
Sipas të dhënave që përmenden në Vendimin e Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012 “çdo gjë filloi më 26.06.1999”.
Në këtë ditë qershori, tre vëllezër: Yll Bytyqi (1974), Agron Bytyqi (1976) dhe Mehmet Bytyqi (1978), shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, duke dashur t’u ndihmonin dy familjeve rome që udhëtonin për në Serbi, i marrin në veturat e tyre dhe në vend që të ndaleshin në afërsi të kufirit, duke mos njohur vendin, kishin kaluar kufirin administrativ të Kosovës dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Ndalohen nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në një checkpoint në vendin Rudar. Dënohen nga Gjykata për Kundërvajtje e Kurshumlisë me nga 15 ditë burg për kalim ilegal të kufirit shtetëror. Më 27 qershor dërgohen në Burgun e Qarkut të Prokuples për të vuajtur dënimin. Për shkak të sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, u pranua kërkesa për lirim me kusht dhe u parashikua të liroheshin para kohe, më 8 korrik. Megjithatë, për rastin e tyre u njoftuan instancat më të larta në Beograd, madje edhe ministri i policisë, Vlajko Stojiljkoviqi.
“Një ditë para se vëllezërit Bytyqi të liroheshin nga burgu, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviq Rogja, shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, nëpërmjet telefonit kontaktoi me Qendrën Mësimore në Petrovo Selo. Në mungesë të komandantit Goran Radosavljeviq Guri në linjën telefonike u përgjigj Sreten Popoviqi, zëvendëskomandant i kësaj qendre. Gjenerali Gjorgjeviq e urdhëroi të akuzuarin, Popoviqin që të angazhonte disa pjesëtarë të njësisë së vet, të shkonin në Prokuple dhe sapo të dilnin nga burgu vëllezërit Bytyqi të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në Qendrën e Petrovo Selo-s. Sipas të njëjtave udhëzime, vëllezërit Bytyqi duhej të mbaheshin në këtë qendër deri sa të vinin pjesëtarë të MPB-së të RS-së që t’i merrnin. Për këtë operacion ishin të informuar shefi i Seksionit Policor të Prokuples dhe Drejtoria e Burgut të Qarkut të Prokuples. Të gjithë së bashku koordinuan aksionin dhe kjo dëshmon se kishim të bënim me një aksion të organizuar mirë”, theksohet në vendimin e lartpërmendur.
Duke vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Sreten Popoviqi, Milosh Stojanoviqi, qi, Dejan Stamenkoviqi dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së të RS-së arrestuan tre vëllezërit Bytyqi, i dërguan në Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, i mbajtën të lidhur në një lokal me derë të hekurt dhe me 9 korrik ua dorëzuan personave të panjohur (!!!) të MPB të Serbisë. Këta pjesëtarë të policisë serbe, që në dosjen e vëllezërve Bytyqi përmenden si persona NN (të paidentifikuar!), “i lidhën me tel këta shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, i dërguan rreth 500 metra nga Qendra Mësimore, hapën zjarr nga armët e tyre dhe i goditën në pjesën e pasme të kokës.”
Me kërkesë të vazhdueshme të SHBA-ve, autoritetet e Beogradit urdhëruan hapjen e hetimeve. Kjo detyrë iu ngarkua Gjykatës së Qarkut në Negotin. Për të hedhur dritë mbi këtë krim u ngarkua ekipi i ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Nishit, nën udhëheqjen e dr. Vujadin Otasheviqit. Kohë pas kohe, hetimet u monitoruan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nga Qendra Juridike Humanitare dhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Në afërsi të Qendrës për trajnimin e njësive speciale të forcave policore serbe, që ishte nën komandën e Goran Radosavljeviq Gurit, u zbuluan dy varreza masive.
Zhvarrosja nga varreza e parë, që hetuesit e emëruan «Petrovo Selo I», përfundoi më 26 qershor 2001, kurse në varrezën e dytë, të emëruar «Petrovo Selo II», hulumtimet përfunduan më 28 qershor 2001.
Të njëjtën ditë, më 28 qershor 2001, Qeveria e Serbisë emëroi Goran Radosavljeviq Gurin në detyrën e shefit të Xhandarmërisë së Republikës së Serbisë. Ngritja në funksionin e ri, që ishte si shpërblim për krimet e kryera kundër shqiptarëve, bëri që të heshtej përgjegjësia e komandantit të Qendrës Mësimore në Petrovo Selo për dy varrezat masive.
Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për të dy varrezat masive në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Zhvarrosja “hoqi dheun” me të cilin autoritetet politike, ushtarake dhe policore të Beogradit ishin përpjekur t’i mbulonin krimet. Një vendim të rëndësishëm në drejtim të ndriçimit të rasteve miratoi edhe Kuvendi i RFJ-së. Më 11 prill 2002, ky kuvend miratoi Ligjin për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në ditën e miratimit të këtij ligji, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljkoviqi, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte ngritur padi penale për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrau veten me plumb në kokë! Vetëvrasjen e bëri publikisht para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së, në orën 19:10.
Sado shpresëdhënës që ishte vendimi për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, praktika dëshmoi se realizimi konkret i tij hasi në pengesa të mëdha, që janë të lidhura me logjikën e moçme të “fshehjes së krimit në rrugë institucionale.”
Pesë vjet pas zbulimit të kufomave të vëllezërve Bytyqi, më 23 gusht 2006, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktpadi penale kundër zëvendëskomandantit të Qendrës Mësimore të Petrovo Selo-s, Sreten Popoviqit dhe pjesëtarit tjetër të policisë serbe, Milosh Stojanoviqit. Akuza i ngarkoi “për krim lufte ndaj robërve të luftës.” Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë të MPB-së të RS-së, Aleksandar Nikoliqi dhe Dejan Stamenkoviqi, përkundër asaj se përmenden në faqen 2 të aktakuzës si bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi, ndaj tyre nuk u ngrit akuza. Në vend të përgjegjësive penale, me të cilat duhej të ballafaqoheshin, ata u ftuan në cilësi të “dëshmitarëve”, në të njëjtën mënyrë siç u veprua edhe ndaj “Milenko Arsenijeviqit, Aleksandar Gjorgjeviqit, Marjan Mijatoviqit, Milovan Vuçiqeviqit, Milisav Vuçkoviqit dhe policëve të tjerë të implikuar në këtë krim.”
Për të humbur gjurmët e implikimit në këtë krim, “më 17 gusht 2004, Goran Radosavljeviq Guri largohet nga posti i shefit të Xhandarmërisë Serbe dhe transferohet si këshilltar në MPB-së të RS-së. Por, në dhjetor të vitit 2006, me urdhëresë të Gjykatës për Krime Lufte, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për shkak të implikimit në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.”
Më 14 shkurt 2007, gazeta qeveritare e Beogradit, «Politika» solli në ballinën e saj artikullin e titulluar «Guri në arrati», në të cilin jepeshin detaje për motivet e kësaj arratie. Në të njëjtën kohë, gazeta informoi se Goran Radosavljeviq Guri ndodhej në Libi, ku trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit. Ikja e tij nuk ishte e papritur, theksohej në këtë artikull.
Krahas komandimit të forcave speciale të policisë serbe në krimet e bëra në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri komandonte edhe forcat famëkëqe “paramilitare” «Tigrovi», të krijuara nga krimineli i njohur Zheljko Razhnatoviq-Arkan. Këtë informatë e pohoi Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, as funksioni i komandantit në strukturat që u dëshmua se kishin kryer krime në Petrovo Selo, nuk ndikoi që ky kriminel të përgjigjej për veprat e kryera.
Në shkrimin lidhur me proceset gjyqësore në Serbi për krime lufte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd përmend mungesën e vullnetit për të ndriçuar krimet e bëra dhe për të dënuar ata që ishin implikuar në krime. Në këtë kontekst, ky fondacion serb theksonte: “Karakteristika kryesore e këtyre gjykimeve është fakti se nuk ndërmerret asgjë kundër urdhërdhënësve e as kundër ekzekutuesve të drejtpërdrejtë të krimeve. Ka indikacione se udhëheqësi i Kampit në fshatin Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri, ka ikur jashtë vendit dhe me dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Qeverisë së Serbisë dhe të Prokurorisë për Krime Lufte, para fillimit të procesit edhe pse është ditur se dyshohej për përgjegjësinë e tij për këtë krim.”
Pas procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet, me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi u liruan nga aktakuza si të pafajshëm.
Edhe Gjykata e Apelit në Beograd, Seksioni për Krime Lufte, në seancën e 18 janarit 2013 hodhi poshtë ankesën e prokurorit dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit të datës 12 prill 2012.
Sipas këtyre vendimeve “nga ana e Gjykatës së Lartë të Beogradit janë dhënë mjaft arsye të argumentuara, ku nuk ka asgjë të paqartë, asgjë jologjike dhe asnjë kundërthënie se vëllezërit Bytyqi nuk kanë qenë robër lufte:
sepse lufta kishte përfunduar më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës;
edhe pse kanë qenë pjesëtarë të «Batalionit Atlantiku», në momentin e arrestimit nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë njësiti ushtarak ose policor dhe nuk kanë qenë duke kryer ndonjë detyrë ushtarake ose policore;
në ditën e arrestimit nuk kanë qenë në ndonjë mision të armatosur luftarak, por misioni i tyre ishte skajshmërisht humanitar dhe bamirës;
në momentin e arrestimit nuk kanë qenë të armatosur, nuk kanë pasur uniformë ushtarake ose policore;
kanë qenë të veshur me tesha civile (bluza, këmisha, pantallona, xhinse…) dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohen robër lufte që kanë rënë në duart e armikut.”
Nga ana tjetër, u vërtetua se:
“të akuzuarit, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi, nuk kanë mundur ta dinë se personat NN, pjesëtarë të policisë, do t’i vrasin vëllezërit Bytyqi. Askush nuk u ka thënë një gjë të tillë dhe se ata kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre;
në bazë të ekspertizës së profesorit të Mjekësisë Ligjore të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqit, vëllezërit Bytyqi kanë mundur të dërgohen në Beograd dhe pas një kohe të konsiderueshme të vriten e pastaj të sillen në varrezën masive të Petrovo Selo-s; “Ata kanë mundur të jenë vrarë një ditë, dy ditë, tre ditë, pesë ditë, një muaj, dy muaj, tre muaj para se të varroseshin këtu. Këtë gjë, në aspektin mjekoligjor, nuk mund ta konstatoj. Por, është i e sigurt se nuk janë vrarë pranë varrezës masive!”
Në bazë të ekspertizës së këtij profesori të Mjekësisë Ligjore u “vërtetua se eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave, nuk kishin qenë pasojë e torturës dhe se në aspektin mjekësor nuk mund të thuhet se si ka ndodhur. A janë shkaktuar nga ekskavatori apo në ndonjë formë tjetër, nuk mund ta dimë.” “Janë gjëra që ndodhin. Nuk duhet të kesh shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë e thyen këmbën. E lëre më të hidhet nga lartësia e kamionit ose nga ndonjë lartësi tjetër dhe të bjerë në ndonjë dru, në ndonjë gur ose në ndonjë send të fortë”, deklaroi dr. Vujadin Otasheviqi gjatë procesit gjyqësor kundër Sreten Popoviqit dhe Milosh Stojanoviqit. Në vend të ekspertit mjekoligjor, ai u shndërruar në avokat të këtyre dy të akuzuarve.
Në fund të këtij procesi, meqenëse nuk u konstatua se kur ishin vrarë vëllezërit Bytyqi dhe këmbënguljes së dr. Vujadin Otasheviqit se vëllezërit Bytyqi nuk janë ekzekutuar pranë varrezave masive, gjykata liroi Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin si të pafajshëm! Ata i liruan nga akuza dhe ua kthyen pasaportat që u ishin marrë më parë.
Në vendimin e 9 majit 2012, Gjykata e Lartë e Beogradit, Seksioni për Krime Lufte, theksoi se “Prokurorisë i mbetet një detyrë e rëndë ta zbulojë se kush, pse dhe me urdhër të kujt u vranë këta tre të rinj. Jemi thellësisht të bindur se askush, madje as tre vëllezërit Bytyqi nuk e kanë merituar që jetën e tyre të re ta përfundojnë me plumb në kokë, me sy të mbyllur, me duar të lidhura me tel dhe të varrosen në varrezë masive në periferi të Serbisë.”
Sado revoltuese të jetë një vendim i tillë dhe tallës “keqardhja” e lartpërmendur për fundin e jetës së tre të rinjve “me plumb në kokë, me sy të mbyllur dhe me duar të lidhura me tel” kjo dëshmon se sa thellë janë të rrënjosura në strukturat politike, ushtarake, policore, gjyqësore dhe mediatike format e mentalitetit të vjetër ku “tjetri” shihet si “objekt që duhet asgjësuar!”
Nga të gjithë të implikuarit në këtë krim, vetëm shefi i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi, që u arrestua në bazë të akuzës së ngritur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, u dënua me 27 vjet burg.
Gjatë procesit të gjykimit të tij, ai, për rastin e vëllezërve Bytyqi fajësoi ministrin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Vlajko Stojiljkoviqin. Eprorin e vet, që bëri vetëvrasje publike para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së!
Është me rëndësi të përmendet fakti se gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi e pranoi akuzën, pranoi se ndihet fajtor për pjesëmarrjen në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe u kërkoi falje familjarëve të shqiptarëve të vrarë të Kosovës.
“Në Kosovë, në vitin 1999 u bënë krime. Ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta kthej kohën prapa do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vlajko Stojiljkoviqit. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndjej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe ndaj dhembjen e tyre…” – deklaroi Vlastimir Gjorgjeviqi në Hagë.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, pranon publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaron se ndihet përgjegjës pse nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve të bëra në Kosovë.
Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Le të mbetet e drejta e secilit lexues!
Ajo që nxit të theksohet në këtë rast ka të bëjë me etikën profesionale të mjekëve ligjorë, që ishin ngarkuar të ndriçonin vrasjet e kryera me urdhër të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.
Profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, tenton të na bindë se “eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave të varrezave masive në «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk kishin qenë pasojë e torturës (…), por ishin shkaktuar nga ekskavatori ose në ndonjë formë tjetër. Edhe më neveritëse janë banalizimet e tipit se nuk duhet të kemi shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë dhe e thyen këmbën (…).”
Këmbënguljet e tij se vëllezërit Bytyqi nuk ishin vrarë pranë varrezës masive kishin për qëllim të vetëm të shfajësonin Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin, që ishin vetëm dy të akuzuar nga tërë zinxhiri komandues në kuadër të policisë serbe që rrëmbyen, keqtrajtuan dhe ekzekutuan vëllezërit Bytyqi. U ekzekutuan për të vetmen arsye se këta amerikanë ishin me prejardhje shqiptare dhe qëllimi i shtetit serb ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve, si të tillë.
Po përmend rastin kur avokati kërkoi sqarime nga ky “ekspert i Mjekësisë Ligjore”, se pse kufomat i kishin pasur të lidhura duart me tel dhe sytë e mbyllur me shirit, nëse nuk janë ekzekutuar në atë vend, dr. Vujadin Otasheviqi u përgjigj me arrogancë: “Jo, nuk e di! Kjo nuk ka të bëjë me profesionin tim!” Atë që ai mundi të pohonte në përputhje me “fushën e tij profesionale”, në mënyrë të ngjashme si të Slaviša Dobriçaninit në Rastin e Reçakut, ka të bëjë me “faktet” se “gjatë zhvarrosjes u zbulua se njëra kufomë kishte uniformë me shenjën e UÇK-së, te tjetra u gjet e vizatuar harta e Kosovës, te i treti ishte harta e Gjermanisë në një bluzë e kështu me radhë…”
Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit “nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak”, profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, do ta kishte përgjigjen e gatshme, në të njëjtën mënyrë, siç veproi anëtari tjetër i ekipit serb të Mjekësisë Ligjore për “Rastin e Reçakut”, profesori i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Beogradit, dr. Dushan Dunjiqi, në «Rastin e Srebrenicës».
Në pyetjen e njëjtë, por në kontekst tjetër, si dëshmitar në mbrojtje të liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dr. Dushan Dunjiqi deklaroi se “në Srebrenicë janë ekzekutuar vetëm 400 njerëz, përderisa shumica e njerëzve që janë gjetur në varrezat masive të Srebrenicës nuk janë aspak viktima të ekzekutimeve të kryera në korrik të vitit 1995. Shumë prej tyre kanë mundur të kenë qenë vrarë pas korrikut të vitit 1995 ose para korrikut 1995. Shumë plagë kanë mundur t’u bëhen viktimave pos mortem dhe nuk kemi arsye t’i konsiderojmë si viktima të rastit të njëjtë. Madje, vetëm një numër shumë i vogël nga 400 të vrarët mund të konsiderohen si viktima të ekzekutimit. Ata që, kur u zhvarrosën, u konstatua se kishin duar të lidhura me tel ose me konop mund të konsiderohen të ekzekutuar. Ndërsa, për ata që kishin sy të mbyllur me shirit nuk mund të pohohet nëse u janë vendosur këto shirita, por se shiritat e këtillë janë shenja që i kanë mbajtur viktimat për t’u dalluar dhe pasi janë vrarë u kanë rënë mbi sy! ”
Po e përsëris! Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit më 26 qershor 1999 nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak dhe se kishin qenë në një mision humanitar, dr. Vujadin Otasheviqi do të kishte përsëritur atë që kishte thënë kolegu i tij, Dushan Dunjiqi për “shiritat që u kishin rënë nga balli dhe ua kishin zënë sytë!” Së paku ky është mendimi im. I mbetet lexuesit të gjykojë për etikën profesionale të këtyre profesorëve të Mjekësisë Ligjore që minimizojnë krimin dhe tentojnë ta paraqesin nga një këndvështrim ideologjik dhe propagandistik!
Shfajësimi i kriminelëve që urdhëruan rrëmbimin, keqtrajtimin dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, është revoltues. Po aq revoltues është fakti se për viktimat e tjera të zhvarrosura nga varrezat masive «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk u bë fjalë aspak! Është revoltues kur dihet se nuk u dënua askush nga zinxhiri komandues i kësaj qendre “mësimore”, ku njësitë speciale të policisë serbe kishin civilët shqiptarë si “lëndë të parë” për trajnimin praktik të ekzekutimit me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit!
Shpërthimi i revoltës që njihet si «Pranvera arabe» e detyroi Goran Radosavljeviq Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për implikimin e tij në krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ai u prit si hero në Serbi! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi.
Po i sjell për lexuesin, që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit që kryeson këtë parti qeveritare të Serbisë, Goran Radosavljeviq Guri nuk mundi t’u ikte pyetjeve të gazetarëve lidhur me «Rastin e Reçakut».
Aleksandar Vuçiqi e di fare mirë se nën udhëheqjen e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit, shqiptarët ishin shndërruar në “lëndë të parë” në Qendra “mësimore” në Petrovo Selo ku njësitë speciale të policisë serbe trajnoheshin praktikisht se si ekzekutoheshin shqiptarët me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit! Qëllimi i këtyre vrasjeve ishte që të shkatërroheshin shqiptarët tërësisht ose pjesërisht si të tillë. Ky akt gjenocidar, si të gjitha vrasjet tjerra të orkestruara dhe të kryera nga shteti serb në Kosovë janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit. Këtë gjë e di edhe Kryeministri i Serbisë dhe juristët serbë që reagojnë ashpër sa herë që përmendet ngritja e akuzës së gjenocidit në Kosovë.
Pa arrestimin e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit dhe të gjithë të përfshirëve në këtë akt gjenocidar dhe pa pranimin publik se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid, të gjitha deklaratat për “krijimin e komisioneve gjoja për të ndriçuar rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi” nuk janë asgjë tjetër pos deklarata tani më të njohura që kanë për qëllim të fshehin kriminelët e vërtetë dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës.
*(Të gjitha të dhënat për citatet e mësipërme gjenden në librin tim «Mashtrimi i Madh», f.162-177)
Miell për gallatë
Nga Ilir Levonja-Florida/
Nuk e di me saktësi se çfarë distance kuptimore ka midis propogandës dhe politikës. Por që të dya janë pjesë e komunikimit me një komunitet të caktuar. Me një qëllim të caktuar, sensibilizimin. Ose e thënë shqip, vënien në dijeni të kësaj mase. Le të themi, edhe për të pasur një përfundim me një arritje. Bindjen e po kësaj mase dëgjuesish. Të të besojnë, të të ndjekin nga pas etj. Ndofta propoganda i përket ideologjisë. Dhe politika pragmatizmit kapitalist. Megjithatë nëse e para është ndërkryer, keqpërdorur, abuzuar. Dhe vështirë se mund të ngrejë kokë më, për shkak të luftrave botërore, kampeve të socializmit, diktatuarve të ndryshme. E dyta po e riprodhon. Por e bën këtë në formën më të keqe të saj. Pra duke e ridënuar sërish. Edhe pse ka një vetëdije tashmë botërore mbi keqpërdorimin e saj. Dhe vëndet më të prapmbetura janë pikërisht ato që bëjnë politikë përmes propogandës.
Para disa kohëve, e kam përkitur këtë fakt përmes asaj këngës së famshme të Minës dhe Çelentanos. Parole, parole, parole. Pra fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë… Ky është dominini i përsëritur edhe në plolitikën tonë. Veçse nga shekulli i kaluar, e deri më sot. I kanë shtuar kësaj propogande elementin miell. Dhe nëse ajo këngëtarja, tërësinë e fjalëve përmbledh në një fragmet muzikor, duke thënë se karamale nuk dua më. Shqiptarët ka ardhur koha të thonë. Miell nuk duam më.
Po a ka bërë efekt mielli? A ka qënë bindës? A ka qënë propogandë e arrirë?
1)Nga 1944 e deri në 1990-ën, ne dinim se ballistët dolën malit për të gjuajtur miell.
2)Nga 1991-92 . U harrua për pak. Pastaj ia plasi në Elbasan. Prag shekulli i ri. Miell për vota. Nga ajo kohë e këtej, si mall i parë për blerjen e votës. Madje u perfeksionua në formën e paketimit. U fut, vaji, orizi, sheqeri. Megjithatë mielli mbeti dominant.
3)Nga 2013 u afrua edhe një lloj mielli tjetër. Ai kanabisit. Në një treg brilant në mes të ditës. Me pista rrugësh të cilat diktatura i bëri qëllimisht të ngushta, që të mos uleshin avionët e armikut. Por prapë, ata u ulën. U ulën dhe pushuan në breg të detit. Bën edhe show.
4)Në 2015-ën!
Tani ka plasur keq. Eshtë bërë sheshi i betejës. Mielli është kthyer në makth politik. Duke ia ditur vlerën, sidomos në kohë fushate ka një luftë për zotërimin e tij. E ardhmja politike?
Të qëndrojmë më konkretisht. Në emisioni Topstory, të para pak ditëve, 28 maj 2015, kryeparlamentari i Shqipërisë atakoi drejt për drejt një fabrikë mielli në Vorë.
Shumë nga analistët e quajtën si një ndeshje derbi. Pra mes opozitës dhe pozitës. Unë nuk e di historikun e mandateve të bashkisë në Vorë. Aq më tepër kur në politikën tonë ngrysesh i djathtë dhe gdhihesh i majtë. Shikoni produktin Gjici në Kamëz. Halili në Kukës, etj. Ose ngrysesh, socialist, gdhihesh lësëist, fiton si demokrat dhe përfundon prapë lësist.
Megjithatë jemi tek mielli. Çfarë ishte përshembull ajo e kryetarit të Kuvendit. Propogandë për çmitizimin e miellit.? Apo luftë e hapur për zotërimin total të tij.?
Unë them se janë të dyja. Ose pjesë e një gallate të vjetër kur ballistët gjuajnë njëri-tjetrin miell. Pasi është e çuditshme, se ndërsa jam duke shkruar dhe kërkuar, shoh në internet kamionçina me miell. Foto që simpatizantët vet i nxjerrin si trofe tiumfi. Me një fjalë, grini ju grini se ecim përpara.
Dhe ky interneti edhe pse po i dëshmon kudo, nuk po bëhet i bezdisshëm fare për politikën. Madje ata kënaqen me sportivitetin e gallataxhinjëve. Thonë, a ma me fejsbukun merreni ju. Ndërsa nuk përtojnë të postojnë edhe moralin e tyre ”të kulluar” në foto familjare.
Kurse gallataxhinjtë vazhdojnë me qejf. Të gjithë kanë celulare vërtet, të bëjnë foto. Kamionçina, plot flamuj partish. Thasë mielli, kuti me makarona, sheqeri orizi. Futen në youtube. Dhe aq, gallatë.
Një lloj gallate që ata i kënaq si spektatorë. Ndërsa këta të miellit, i kënaq nga që po u hedhin miell fytyrës gallataxhinjëve. Aq sa edhe zoti duhet të thojë, nga ta zësh këtë vend gallatë. Nga koka apo nga këmbët?
Eshtë koha e miellit. Të bëjmë gallatë.
Kurse ai që nuk bën pjesë. Që nuk është as tek propoganda as tek politika. Por tek realiteti. Eshtë i jo i besueshëm. Qoftë ky edhe heroi kombëtar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 794
- 795
- 796
- 797
- 798
- …
- 975
- Next Page »