• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dokumentet Hapësinore dhe Urbane në Prishtinë

March 23, 2015 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi –Ylli/
Kur asamblistët e opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës,këto ditë e akuzuan pozitën se përse nuk është punuar dokumenti hapësinor,“Harta Zonale e Komunës”,e cila kërkohet të bëhet sipas Nenit 16 të Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor,edhe se shumë mirë ishte e theksuar se “Ministria me akt nën ligjor përcakton elementet dhe kërkesat themelore për hartimin,zbatimin dhe monitorimin e Hartës Zonale të Komunës”,atëherë ishte e qartë se kjo kërkesë tërësisht e pa bazuar kishte konotacione puro politike,e asgjë tjetër.
Se si janë aprovuar dokumentet hapësinore (PZhK dhe PZhU) në Kuvendin Komunal të kaluar, më duhet ta njoftoi opinionin, pasi e kamë përcjell atë proces që nga fillimi,shtator 2012, deri te aprovimi i tyre,në gusht dhe shtator të vitit 2013. Atë kohë isha në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të ekspertëve të planifikimit komunal të K.K. Prishtinë ( KEPK).
Gjatë kohës mbi një vjeçare, të përcjelljes dhe monitorimi të procesit të punimit të dokumenteve,është nevojitur një angazhim i madh profesional i cili nuk ka munguar. Ishin të angazhuara katër byro projektuese,nga Kosova,Italia dhe Kroacia,duke e supozuar volumin e madh të punëve që priteshin,e që në realitet doli tërësisht ndryshe. Në faza të caktuara janë mbajtur takime,punëtori dhe diskutime publike,ku ne si Këshill kemi qenë konstruktiv,me vërejtje dhe sugjerime,me të vetmin qellim që të fitojmë dokumente të mira dhe të aplikueshme,pas 12 vite pritje pas luftës. Koha e vërtetoi se ato vërejtje aspak nuk u respektuan nga përpiluesit e dokumenteve,pasi ato veprime i toleroi nomenklatura komunale e asaj kohe. Edhe sot nuk i di arsyet pse ashtu vepruan ashtu,kur vet e kishin angazhuar trupin konsultativ dhe këshillëdhënës të ekspertëve,që vepronin në kuadër të Këshillit.
Më duhet të theksoi se puna e Këshillit që në fillim ishte e vështirësuar me neglizhencën e organeve përgjegjëse komunale,si dhe pasivitetin e disa anëtarëve të Këshillit. Me angazhimin maksimal në tërë kohën e përgatitjes së dokumenteve, është arritur një nivel i dëshirueshëm i përcjelljes së punës. Anëtarët e Këshillit në faza të ndryshme nuk kanë pasur trajtim adekuat profesional, sa i përket anës materiale janë nënçmuar maksimalisht, me mos pagesën e punës dhe ekspertizës së kryer në tërësi.
Ishte qasje tërësisht e gabuar e strukturave komunale të Prishtinës, në këtë proces të rëndësishëm për përpilimin e dokumenteve të mirëfillta hapësinore komunale. Ashtu ishte vepruar edhe me planet rregulluese urbane në vitet e fundit, ishin punuar mbrapsht, thua se Prishtina ishte në një planet tjetër, aspak të bazuara në të dhëna reale, duke mos përfillur ligjin, standardet ndërkombëtare për ndërtimet, rehabilitimet apo zgjerimet urbane, të cilat i diktoi edhe perioda e pas luftës së vitit 1999.
Për të gjitha këto çështje e kam ngritur zërin në MMPH ku punoja,në Komunën e Prishtinës (Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Planifikimit Komunal të K.K.Prishtinë), në MMPH (Kryetar i Këshillit të Planifikimit Hapësinor të Kosovës),me anën e debateve publike dhe profesionale,e në dhjetë vjetshin e fundit edhe me shkrime në shtypin ditor,në revista apo simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për të gjitha këto ecuri të kaluara as që do të kisha reaguar,po mos të ishin reagimet e këtyre ditëve të Qeverisjes së re komunale,të cilët për çdo ndërmarrje në hapësirë po kanë vështirësi të mëdha,në implementimin e Dokumenteve Hapësinore dhe Urbane,të aprovuara në përbërjen e Kuvendit Komunal të kaluar.
I çuditshëm ishte aprovimi i atyre dokumenteve nga ana e asamblistëve të Kuvendit Komunal në gusht edhe shtator të vitit 2013. Tani një nga ish-këshilltarët në Kuvendin Komunal, deklaron se “ky është një mashtrim nga përbërja e kaluar e KK-së”.përse ai u mashtrua, apo i kishte kalkulimet e veta personale !? Kjo e tregon një të vërtetë se asamblistët (50 veta) fare nuk ishin interesuar apo njoftuar me përmbajtjen e “Vërejtjeve,sugjerimeve dhe Rekomandimeve për PZhU 2012-2022 + dhe PZhK 2012-2022 +”,të cilat Këshilli i ekspertëve të planifikimit i K.K. të Prishtinës,me kohë iu kishte dërguar.
Për hir të vërtetës do ti theksoi vetëm disa “Vërejtje dhe sugjerimet të PERGJITHSHME të cilat KEPK i ka theksuar në raportet voluminoze përfundimtare, për të dy dokumentet (PZhU dhe PZhK) të Komunës së Prishtinës.
E meta ma e madhe e dokumenteve (PZhU dhe PZhK) është mungesa dhe saktësia e të dhënave sipas të cilave janë përpiluar këto dokumente hapësinore. Për objektet private të infrastrukturës komunale nuk kemi evidenca fare ose të pakta dhe të mangëta.
Prishtinën duhet trajtuar si kryeqytet i Kosovës,të dhënat për fluksin e madh ditor,javor,mujor,dhe vjetor të popullsisë në Prishtinë nga aspekti hapësinor dhe urban duhet trajtuar veçmas me një studim të mirëfilltë i cili duhej të ishte pjesë e PZhU-së. …
Kufijtë e qytetit të cilët grafikisht janë definuar nga AKK (Agjensioni Katastral i Kosovës),duhet të jenë të plotësuara detal me numrat e parcelave apo ngastrave kadastrale,që mos të kemi probleme ndër-komunale si në të kaluarën me Fushë Kosovën. Si dhe të mundësohet të definohen aktivitetet urbane saktësisht.

Më duhet të theksoi se janë dhënë edhe “Vërejtjet dhe sugjerimet DETALE”, gjithsejtë 88 (39+49),të cilat së bashku me Rekomandimet për K.K të Prishtinës, që përpiluesit e dokumenteve në afatin e paraparë ligjor, të bëjnë plotësimet, korrigjimet, argumentimet e të gjitha vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna nga Këshilli. Këto rekomandime tërësisht janë injoruar, prandaj situata në Komunën e Prishtinës ende është si është në aspektin hapësinor dhe urban.
Nga kjo shihet qartë se nga ana ynë që nga fillimi i procesit është kërkuar që të respektohen elementet kryesore teknike që duhej të përmbanin ato dokumente,si është saktësia e të dhënave hapësinore,caktimi i kufijve të ri të qytetit i bazuar në të dhënat kadastrale (numri i parcelave). Këto do të mundësonin të definohen zgjidhjet dhe aktivitetet urbane saktësisht, ku do të vinte në shprehje edhe kreativiteti artistik i përpiluesve të dokumenteve.
Por as këto kërkesa elementare teknike, për shumë arsye, nuk janë përfillur. Për atë i kemi këto dokumente hapësinore në pjesën ma të madhe të pa zbatueshme,edhe së nga ana e Këshillit shumë herë kanë qenë në dijeni të dy palët. Intenca ynë ishte që në të njëjtën kohë Prishtina të ishte model se si duhet të punohen këto dokumente,edhe për komunat tjera në Kosovë,pasi ato i kishin të njëjtat mangësi. Janë harxhuar mjete të mëdha materiale në tërë vendin, por ma tragjike është ajo se ende nuk kemi dokumente realiste hapësinore askund,e ky është dëmi ma i madh që po i shkaktohet Kosovës.
Kjo mënyrë e punës, ky nivel i përgatitjes së planeve të ndryshme urbane, në të njëjtën kohë ka mundësuar mos respektimin e tyre, janë bërë abuzime të ndryshme me hapësirën urbane dhe shumë veprime të jashtëligjshme, jo vetëm në komunën e Prishtinës.
Reagimi im tani dikujt do ti duket paksa i vonuar, është bërë ekskluzivisht për shkaqe të mos ndikimit në proceset politike, të cilat janë shumë të ndjeshme në Kosovë, Të vetmin qëllim e kamë pasur me e ndryshuar qasjen ndaj kësaj problematike, jetike për funksionimin e një kryeqyteti si është Prishtina. Domosdo duhet ndryshuar praktikat e gabuara ndaj hapësirës urbane në Prishtinë dhe në të gjithë vendbanimet tjera në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Urban, Dokumentet Hapësinore, ne Prishtine, Ylber Vokshi

“NJERËZ“ TË URITUR PËR PUSHTET!?

March 23, 2015 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Vite me radhë në gazetat tona të përditshme opinionistët “hedhin” shpesh pikëpamje a vështrime që llafosin a lakojnë vaki të ndryshme. Kur t’i lexosh mes rreshtash, të krijojnë përshtypjen kinse janë shkruar me stilin e mendimtarit të madh shqiptar, gjegjësisht “me atë fjalorin cinik dhe mosbesues konician”(!?). Disa prej tyre me kësi “shkarravinash” mëtojnë ashtu padrejtësisht të vihen në nivelin intelektual të Faikut, madje edhe kur janë të ndërgjegjshëm për pamundësinë, ata bëjnë përpjekje, pa marrë parasysh kaçikun e vet, që në shkrimet e tyre të përçojnë mesazhe ashtu “identike” si të Konicës. Disa prej këtyre shkrimeve “thuren” me qëllim që të na “çarmatosin” nga ai “tarafllëk” yni (politik) kolektiv, disa sikur duan ashtu me “zor” ta ushqejnë e ta mbajnë gjallë atë kujtesën tonë pamore dhe dëgjimore edhe ashtu të brishtë…, ka edhe shkrime të tilla që kanë në “shënjestër” “kotësitë dhe iluzionet” tona të trashëguara…, pastaj ka shkrime, opinione a vështrime që ndjellin pesimizëm, që ndjellin trishtime, që ndjellin mërzi dhe gjumë…, ka vështrime që asnjëherë nuk shkojnë përtej “veshit të shurdhër të lexuesit, sidomos të atij që i ka punët në “terezi”, shkrime që nuk shkojnë në vesh të “miletit” e aq më pak në vesh të lexuesit serioz…, ka edhe të tilla vështrime a opinione që janë pa “bojë”, ca të tjera të stisura a të sajuara me atë gjuhën e zymtë e të zbehtë dhe me “zërin e ftohtë”. Marrë në përgjithësi, këto vështrime ta rikujtojnë atë punën e mëllenjës me ngjyrë të bardhë, e cila kur s’ka “për të bërë punë tjetër”, vend e pa vend e lëshon glasën dhe mandej shkel mbi të. Ndërtohen edhe opinione të mirëfillta, të cilat kanë për kryefjalë njerëzit me dilema nga më të ndryshmet, me dilema në identitet, me “dilema gjinore”, me “dilema hamletiane”, me dilema politike etj., ndërkaq opinionet që “hartohen” aty për aty, kanë kryetemë “urrejtjen e argatëve injorantë të politikës ditore”, si dhe “kryeplakun dhe klerin e fshatit të harruar“, të cilëve dikur moti, në burgjet famëkeqe, ua kishin hequr ca dërrasa(!?).
Neve nuk na “takon të dimë” se çka ndodh me shkrimet që u ka “dalë kallaji”, neve nuk na intereson fakti se pse ato editoriale “duhej të dalin domosdoshmërisht” nga sirtarët e partive politike a edhe të pushtetarëve, neve nuk na “duhet të dimë” se nga dalin analizat dhe vështrimet, sidomos ato të cilat vakitë dhe meseletë i shtrembërojnë deri në atë “derexhe”, saqë “ta çojnë pordhën në zemër(!?)”, ta kallin neverinë dhe të detyrojnë të dyshosh në moralin e atij “shkarravitësi”, i cili asnjëherë nuk mban përgjegjësi për atë që shkruan. Tekefundit, opinionet, analizat, vështrimet, editorialet etj. përherë kanë qenë pjellë e politikës ditore respektivisht asaj aktuale…, të asaj politike që ka ngatërruar drejtimin, asaj politike grabitqare, e politikës së grushtit të hekurt…, e politikës së kulaçit dhe të kërbaçit që bëhet herë me premtime të bukura herë me kërcënime!?…, të ca politikanëve “axhami” që “sundojnë” këtu në nënqiellin e Gadishullit Ilirik dhe përreth tij, opinione që dalin nga mexhlise provinciale ku kryefjala a kryeshtylla e tyre është politikë mëhallësh, politikë “kalamajsh”, politikë çajtoresh katundi e të tjera, politikë e dalë nga njerëz provincialistë të cilët në të “u futën pa ftesë e pa leje”, pa merita, pa përgatitje paraprake e pa taban…, njerëz që morën vendin e njerëzve të merituar, njerëzve të cilëve ashtu padrejtësisht iu nëpërkëmb dinjiteti, njerëzve që iu nëpërkëmb trashëgimia familjare, njerëzve që iu nëpërkëmb e drejta e të qenit i barabartë me të tjerët e tillë si ata…, njerëz që iu nëpërkëmb e drejta e të menduarit ndryshe…, njeriun që e mallkuan me atë thënien e poshtër dhe johuman: “të rëntë damllaja e të vdektë plaka(!?)”…, njeriun, të cilit dikur i kishin thënë, “mblidh mendjen a fiqirin dhe ik nga këtu dhe mos na e prish rehatinë…, nëse nuk e bën këtë, atëherë do të duhet të heqësh dorë nga nacionalizmi yt i fëlliqur, do të braktisësh vendin a vatanin, ose do të ndërrosh mbiemrin që ka lënë nishan në jetën e familjes dhe të fisit për të keq”(!?).
Që ky vështrim yni të mos futet në “strajcën e shkrimeve të sajuara”, do bëjmë çmos që në fillim ta pezullojmë “tarafllëkun” tonë, gjegjësisht do të përjashtojmë çdo anim qoftë dedikuar opozitës a pushtetarëve. Ne në vijim të këtij vështrimi do të shkruajmë vetëm për atë që po ndodh këtejpari në “kazinotë politike” të Gadishullit Ilirik, qoftë në Tiranë, në Prishtinë a në Shkup. Ajo ç’po ndodh me “zaret politike” në Tiranë, çuditërisht do të bëjë vaki edhe në dy qendrat e tjera shqiptare. E përbashkëta e tyre është e lidhur ngushtë me grumbullimin e aktivistëve të partive politike opozitare. Se ato do t’i “emërtosh” si manifestime paqësore e dinjitoze, se do t’i quash mitingje apo tubime, është çështje e “shijes së fjalorit politik të gjithsecilit”(!?). Një gjë është e vërtetë, ato tubime, mitingje pothuaj edhe manifestime, në instancë të fundit, mbeten vetëm “blof-mitingje, blof-tubime apo edhe makijaveliste”, ku opozita “e përgjumur” politike me atë “komunikimin e saj ungjillor” kërkon me çdo kusht “shporrjen e pushtetit aktual dhe bashkë me të edhe shkuljen dhe sikterisjen e së keqes së trashur”…, “sikterisjen” e politikanëve të cilët për “një çerekshekull, lëre që nuk bënë gjë tjetër, por edhe shkatërruan e grabitën gjithçka që ishte ndërtuar e ngritur prej djersës së popullit…,”, politikanë që për një çerekshekull premtuan, gënjyen dhe u tallën me votën deliberative të votuesit, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin shitës të përrallave politike, të përrallave për fëmijë, politikanë të cilët për një çerekshekull ishin dëshmitarë të heshtur të korrupsionit, politikanë të cilët për një çerekshekull “aminuan” punët e pista të aparatit shtetëror të korruptuar, politikanë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë mëtojnë me çdo kusht ta (ri)marrin pushtetin (e ko-rruptuar) dhe po këta politikanë “çuditërisht harrojnë”(!?) ta pranojnë të vërtetën se vetë ata ishin krijues “të së keqes të trashur”.
Sot, të heshtësh a të mos heshtësh, kjo (s)është çështja, të shkruash a të mos shkruash me a pa “tamam”, askujt nuk i plas fare, të ulërish a të mos ulërish, është njësoj sikur ta pranosh atë hilen a zullumin që ta kanë bërë, të dërdëllisësh a të mos dërdëllisësh, nuk çon peshë, sepse asnjeri nuk të dëgjon dhe mbase edhe nuk ta fut…, paçka se ne ndërtuam një shkrim a vështrim me moral të dyfishtë, kur kjo askujt nuk i hyn në punë, sidomos sot kur gjithsecili prej nesh është “dalldisur me dertet e veta”. Paragrafi i fundit i kësaj “shkarra-vine” ma kujtoj atë çudinë e mbretëreshës së Danimarkës, njëqind vjet më parë, kur i kishin thënë se njerëzia (populli) kishte dalë në demonstratë dhe kërkonte bukë, ishte përgjigjur e habitur: “Duan bukë!? Po pse nuk hanë biskota”(?!). Se kryeministri Isë (në Prishtinë), se kryeministri Nikollë (në Shkup) dhe se kryeparlametari Ilir (në Tiranë) ç’u thanë protestuesve, unë nuk dua të paragjykoj…, dhe se cili ishte morali i mesazhit të shkrimit tonë, as që e mora vesh(!?). Mua më mbetet që njëherë e përgjithmonë “ta braktis” të vërtetën lakuriqe. Dikur moti, im at më thoshte: “Bajgës hidhi sheqer sa të duash, ajo bajgë do të ngelet”.

Filed Under: Analiza Tagged With: “NJERËZ“ TË URITUR, Fadil Lushi, PËR PUSHTET!?

LAMTUMIRË BE – ALO PUTIN, ERDOGAN, AJATOLLAH?

March 21, 2015 by dgreca

Në vigjilje të takimit të radhës BE-Shqipëri të martën në Tiranë/
Nga Frank Shkreli/
Në portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë lexova fjalën e mbajtur javën e kaluar nga Ministri i Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri. Ky takim është një platformë komunikimi midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë me objektivin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministri Bushati falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen që i ka dhënë deri tani vendeve ballkanike, duke theksuar se “Falë kësaj mbështetjeje”, nënvijoi Ministri shqiptar, “Ballkani Perëndimor ka njohur zhvillime të rëndësishme dhe pozitive”, por paralajmëroi se megjithëkëtë, “siguria e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në rajon nuk duhet të merren për të mirëqena”.
Ai shtoi se, “rajoni ynë mbetet ende hapësira brenda Evropës ku ka mosmarrëveshje dhe procese demokratike të ngrira, për sa kohë çështjet dypalëshe të pazgjidhura dhe deficitet e shtet-ndërtimit demokratik kanë potencialin të rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve tanë.” Ministri Bushati bëri thirrje për një riangazhim strategjik të BE-së, duke paralajmëruar parlamentarët europianë se në të kundërtën, sipas kryediplomatit shqiptar, “mund të krijohet një boshllëk që mund të kërkohet të mbushet nga aktorë të tretë, të cilët me incentiva politike apo ekonomike, mund të zbehin interesin dhe vendosmërinë e vendeve të rajonit për projektin Europian”.
Kjo deklaratë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë u interpretua nga disa analistë si një kërcënim që i bëhet Europës, se në mungesë të një procesi të hapjes së shpejt të negociatave BE-Shqipëri, Tirana mund të shikojë gjetiu për aleatë. Në të vërtetë ky kërcnim nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë javën e kaluar, ishte bërë më parë edhe nga “bosi” i tij, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fund vitin që kaloi, kur media raportoi në atë kohë se udhëheqsi shqiptar ashpërsoi gjuhën e tij ndaj BE-së duke kërcënuar se Ballkani s’ka më durim të presë BE-në. Kryeministri Rama në të vërtetë pohoi në mënyrë të prerë gjatë një vizite në Prishtinë dhjetorin që kaloi, se durimi i vendeve të Ballkanit duke pritur për zgjërimin e BE-së ka mbaruar.
Analistët thonë se kërcënimi publik i Ministrit të jashtëm shqiptar mund të jetë i pari i këtij lloji gjatë një takimi zyrtar me përfaqsues të Parlamentit Europian, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria mund të shikojë për mundësi të reja bashkpunimi jashtë zonës së BE-së.
Po ku do të shikojë Shqipëria për aleatë? Sipas Agjencisë së lajmeve noa, “Disa analistë dhe ndjekës të çështjeve europiane kohët e fundit kanë përmendur gjërësisht idenë që Shqipëria të këthejë sytë nga të tjera mundësi jashtë BE-së.” Noa thotë, në një raport të para disa ditëve se, “Ata kanë përmendur mundësinë e (Shqipërisë) për bashkpunim me Rusinë — një rivale e qartë e BE-së dhe SHBA-ave, ose me Kinën, apo Konferencën Islamike.” Kjo ide sipas agjencisë shqiptare të lajmeve, nuk është e re dhe e veçantë e qeverisë së tanishme shqiptare, sepse sipas saj, “Një tentativë të tillë kishte bërë edhe kryeministri i mëparshëm, Sali Berisha, por me nota më të buta”, raporton agjencia noa.
Kushtet e BE-së për hapjen e negociatave BE-Shqipëri kanë qenë të qarta ç’prej fillimit dhe nuk janë ndryshe nga ç’kanë qenë dhe ç’janë për secilin vend që është antarësuar si dhe për çdo vend tjetër që ende aspiron të bëhet anëtare e BE-së, pra nuk janë diskriminuese ndaj Tiranës. Kushtet që i mbeten Shqipërisë për tu plotësuar për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, janë pesë dhe janë të njohura për lexuesit:
1. Zbatimi i reformave në administratën publike
2. Pavarësia e sistemit të drejtësisë
3. Lufta kundër korrupsionit
4. Lufta kundër krimit të organizuar
5. Mbrojtja e të drejtave të njeriut
Ministrja e Shqipërisë që merret me Integrimin europian të vendit, Klajda Gjosha në një takim të premten me Komisionerin e BE-së për zgjërimin, Johannes Hahn deklaroi se vendi i saj është i vetdijshëm se procesi i integrimit do të vlerësohet bazuar në bazë të meritës dhe në plotësimin e pesë kushteve të përmendura më lartë. Ndërsa Komisoneri Hahn tha, me fjalë të tjera, se e gjithë varet nga Shqipëria, sa më shpejtë që të plotësohen këto 5 prioritete, aq më i shpejtë do të jetë procesi i integrimit në BE.
Secili që e do Shqipërinë dhe shqiptarët në Europë dhe të integruar në organizmat euroatlantike e ndjenë vetën të mërzitur, plot frustrime e zhgënjime, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, por BE-ja e ka bërë të qartë se ajo nuk do të ulë standardet dhe kushtet për integrimin e shqiptarëve. Disa kritika ndaj BE-së mund të jenë edhe me vend, por nuk është se Europa nuk ka njohur përparimet e bëra nga Shqipëria gjatë viteve, në rrugën e saj drejtë integrimit europian. Kjo vihet re në deklaratën që lëshoi për media, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, pas takimit që zhvilloi muajin e kaluar me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Z. Tusk pohoi se Shqipëria ka bërë mjaftë përparime, përfshirë luftën kundër krimeve që kanë të bëjnë me drogat, por shtoi ai, gjëja që është e nevojshme është që të shënohet sukses në të gjitha fushat. Presidenti i Këshillit të Europës lavdëroi Shqipërinë për rolin e pozitiv që ajo luan në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e Tiranës për të mos pasur asnjë problem me vendet fqinje. Udhëheqsi i Këshillit të Europës lavdëroi gjithashtu përputhshëmërinë, 100% siç tha ai, të politikës së jashtëme shqiptare me atë të politikës së jashtëme të BE-së. Kjo sipas tij, ka një rëndësi të madhe në procesin e integrimit, sidomos kur të merret parasyshë gjëndja në Ukrainë dhe sfidat e të tjera të përbashkëta.
Por Presidenti i Këshillit të Europës, ia bëri të qartë Kryeminstrit shqiptar se megjithë përparimet e shënuara, mbetet ende shumë për tu bërë. Ai theksoi sidomos, “Nevojën për një dialog politik më të madh dhe më të mirë” midis palëve, duke shtuar se “politika konfrontuese, bojkotet dhe qëndrimi se ‘fituesi duhet t’i marrë të gjitha’, nuk do të ndihmojë qytetarët shqiptarë.” Për tu bërë një shtet i mirëfilltë modern europian, Shqipëria — theksoi ai pas takimit me Kryeminstrin Edi Rama në muajin shkurt — duhet të krijojë një atmosferë për një kulturë kompromisi, bazuar në dialogun politik”. Shqipëria, tha Donald Tusk, “duhet të jetë aq konstruktive dhe e arsyeshme në politikën e saj të mbrendshme, ashtu siç është në politikën rajonale.”
Ndërkaq, gjëndja në rajonin e Ballkanit duket se po tërheq vëmendjen dhe shqetësimin e Shteteve të Bashkuara. Zëri i Amerikës, në një analizë të gazetares Keida Kostreci bazuar në intervista me dy ekspertë amerikanë, raportoi të premtën nga Washingtoni se Shtëpia e Bardhë konsideron se Ballkani gjëndet sot nën trysninë e dy forcave — si një pikë takimi e rreziku të ndikimit rus dhe radikalizmit islamik. Dy ekspertët, Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut, i thanë Zërit të Amerikës se përveç rrezikut që këto ndikime përbëjnë për të ardhmen e këtij rajoni, përballja me këto dy sfida — d.m.th. me rrezikun që pararqet rritja e ndikimit rus në rritje e sipër dhe të ndikimit të radikalizmit islamik në Ballkanin Perëndimor – është një përparsi edhe e interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara në atë rajon.
Po Shqipëria dhe shqiptarët a e shikojnë agresionin rus dhe shtimin e ndikimit të Moskës si dhe ekstremizmin e dhunshëm në rajon si sfida ndaj interesave të veta kombëtare, a por udhëheqsve të saj u ka mbaruar durimi, janë lodhur nga procesi i gjatë i integrimit në BE dhe si rrjedhim po u hapin dyertë “aktorëve të tretë” siç janë Rusia, Kina, Turqia ose Konferenca Islamike? A është ky vizioni që udhëheqsit shqiptarë kanë për të ardhmen e kombit të vet, 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit?
Zëri i Amerikës transmetoi se si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet e interesuara, si Shqipëria, përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.
Gjëndja e tanishme ndërkombëtare në Europë dhe në botë kërkon që — nëqoftse Shqipëria është me të vërtetë e përkushtuar seriozisht ndaj procesit të integrimit në Europë – takimi i radhës i nivelit të lartë midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë që do të mbahet në Tiranë të martën më 24 mars, të jetë me të vërtetë fillimi i një angazhimi urgjent dhe serioz nga ana e të gjitha niveleve qeveritare, shtetërore dhe parlamentare të Shqipërisë me qëllim të përshpjetimit të procesit të integrimit të vendit në BE me qëllim që t’u mbyllen dyerët “aktorëve të tretë”, të cilët nuk ia duan të mirën afatgjatë kombit shqiptar.
Deklaratat kërcnuese të kohëve të fundit nga përfaqsuesit më të lartë të Tiranës zyrtare në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë nga të tjera mundësi aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit. Për më tepër, deklarata të tilla, janë kundër interesit afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar dhe njëkohsisht prononcime të tilla dëmtojnë, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara, dhe dëmtojnë interesat e tyre në atë pjesë të Europës. Një përfundim i tillë nuk është i dobishëm për askënd! Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale dhe të vendosur për përmbushjen e pesë prioriteteve — në një atmosferë dhe kulturë kompromisi, bazuar në dialogun politik midis palëve të ndryshme, sidomos midis pozitës dhe opozitës.

Filed Under: Analiza Tagged With: AJATOLLAH?, Erdogan, Frank shkreli, LAMTUMIRË BE - ALO PUTIN

Çfarë do të kemi pas 1460 ditësh nga kjo qeverisje?

March 21, 2015 by dgreca

Nga ARTUR AJAZI/
Pak ditë më parë Rama mori në analizë dhe renditi arritjet e qeverisjes së tij, duke nxjerrë me rradhë ministrat për të lexuar raportet e parashkruara. Dhe viti i pare dhe mbiviti i qeverisë në fakt është i mbushur me ngjarje, të cilat janë padyshim përcaktuese për vlerësimet që japin qytetarët, dhe veçanarisht votuesit e majtë. Mendoj se çdo shqiptar kërkon dhe shpreson të shohë bërjen e shtetit ligjor, duke nisur nga komponentët e tij kryesorë, drejtësia, e cila merret me zbatimin e ligjit, dhe ekonomia e cila është tregues i mirëqenies. Shteti forcohet me zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Bërja e shtetit ngjason me një proces organik, ku komponentët përbërës janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin. Të bësh shtetin ligjor,nuk mjafton dëshira dhe pasioni, por duhet vullneti dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët përbërës duke zbatuar ligjet. Kjo është logjika e shtetit solid, me të cilën kanë ecur ata që kanë bërë shtetin në Europë apo dhe përtej Atlantikut në SHBA. Bilanci i arritjeve të deritanishme tregoi se fragmentizimi problematikave si KLD apo reformimi sistemit të drejtësisë mbeten për momentin sfidat me të cilat nuk është e lehtë të ndeshesh. Shumica e analistëve politikë mendojnë se situata në Shqipëri, kërkon imediatisht njerëz të kualifikuar dhe pasionantë në politikë, dhe të tillë ka sot.Ka mbi dy dekada që Shqipëria dhe klasa e saj politike ka treguar se nuk di të bëjë shtet, dhe se moda dhe parade e “sukseseve” ka rezultuar e dështuar. Më shumë se çfardo tjetër, shqiptarëve u intereson se çfarë do të rendisë kjo qeveri pas 1460 ditëve, kur mbaron edhe mandati i fituar nga vota e 23 qershorit. Çdo 4 vjet, me shqiptarët bëhen eksperimente, jepen premtime, dhe çdo qeveri betohet për “300 ditët e para”. Por realiteti 300 apo 900 ditëve është i mbushur me ngjarje të cilat shpesh shqiptarët drithërohen kur i kujtojnë. Të kesh rezultate në qeverisje nuk do të thotë të largosh patjetër çdo vartës të gjetur në zyrat e shtetit dhe të emërosh militantë, numërues votash. Në 2 vitet e para të kësaj qeverie, veç bilanceve pozitive që përmendi Rama dhe ministrat, janë edhe ato që kanë hidhëruar qindra e mijëra familje shqiptare. Janë të larguarit nga puna, janë të rrënuarit e biznesit të vogël që u përballën me rritjen 15 per qind të taksave, apo ata që nuk po shohin mbajtjen e premtimeve elektorale si heqja e TVSh nga faturat e energjisë, shëndetsia falas, ulja e çmimeve etj. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur, nuk meritojnë më eksperimente, nuk duan më premtime , ata duan angazhim, transparencë, dhe rezultate të prekshme pozitive për jetën e tyre. Shqiptarët nuk duan më justifikime , nuk duan më fjalime dhe përbetime, ata meritojnë më shumë, meritojnë një klasë politike të moderuar dhe jo të llastuar. Vetëdija e shqiptarëve sot është ajo e çdo qytetari tjetër të Europës, emancipimi i tyre është sot garancia për të mos lejuar askënd të qëndrojë gjatë në pushtet në rast se nuk e meriton . Pyetësorët tregojnë se shqiptarët nuk u kënaqën as me 300 ditët e para, as me vitin e pare e më tutje dhe besojnë se edhe pas 1460 ditëve ( deri në fund të mandatit) zor se do të jenë të kënaqur me recitimet e çdo ministri të këtij kabineti qeveritar, që padyshim sërish do të dëgjojmë të rendisë arritje, arritje dhe vetëm, arritje. A thua vallë se për “arritjet dhe sukseset” e qeverisë ka nevojë i papuni, ai që nuk ka bukën e gojës, ai që ka mbetur mes katër rrugëve pasi është larguar nga detyra, ai që jeton mes çadrave të plastmasit, apo ai që çdo ditë mbush fletoret e dyqaneve me ushqime me listë ?

Filed Under: Analiza Tagged With: Artur Janazi, pas 1460 dite, qeverisje socialiste

Mbahu Tom… Ti heroi i Partise dhe …i analistëve

March 21, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Sot më shumë se kurrë ti e ke kuptuar se sa i përdorur je. Ti heroi. Jo vetëm i partisë por edhe i analistëve. Ti munde i vetëm Berishën. More Shkodrën. Ti bëre kryeministër Edi Ramën. Kryetar kuvendi Ilir Metën. Shkrive pasurinë për partinë. Ngjyrose autobuzë, seli, fotobanderola me shumicë. Ia mveshe epokës më të ndritur të shqiptarëve, rilindjes, ngjyrën mavi. Binde Priftin të çmontonte dhe montonte video. Dogjët dhe shtetin. Disa makina të ndodhura rastësisht. Vratë militantë provincash. Njerëz të varfër që të këpusin shpirtin. Nga ata që për dhjetëmijë lekë se kanë për gjë të udhëtojnë edhe nga skajet e vendit. Të vinë aty në Tiranën e lavdishme dhe tu vënë zjarrin pikërisht shtetit. Godinës që ju përpiqeni ta bëni më të mirë. Të paktën kështu pretendoni.
Çfarë nuk bëre për ta hequr nga demokratët Ilirin. E bëre ndofta me zellin e atij njëriu që me një gur kërkon të vrasi dy zogj. Ose edhe me strategjitë e presionit. Mendonit se ato pak numra, do ju ndihmonin në pasigurinë e fitores. Pasi ju e dinit mire që në historinë zgjedhjeve shqiptare, fiton 1)nga konsumimi i pushtetit, pushtetarit, 2)nga thasët me miell, 3)nga shtrimet përciptas i disa rrugëve periferie, 4) nga blerja e votes, 5)nga llogaritë se sa mund të fitohet nga një drejtori, 6)nga përqindjet e tenderave etj. Ti këto i dije, por nuk kishe parashikuar shkathtësinë e Ilirit
pasi e mendoje të rëndë. Sot e kuptove se sa shumë gabim ke luajtur.
Je krejt i vetëm. Sot e ke kuptuar se sa me shpejtësi drite, u dha urdhëri tëmblidhet kuvendi. Se sa lehtë mund ë rrëzohesh. Se sa pa peshë
është të sakrifikohesh për partinë. Për miqtë e politikës. Që edhe pse u mburrën me ty për gjithë këto legjislatura, si heroi i tyre, si shëmbulli i tyre.
Me po kaq zell të kanë shpallur armikun e klasës, armikun e parties, armikun e demokracisë. Ja ky është shteti që ti pretendon se ke ndërtuar gjithë këto vite. Shteti ynë. Shteti i së drejtës. Shteti i miqve. Dhe jo i ligjit dhe i qytetarëve. Mbahu Tom, nesër mund të marrësh edhe ndonjë dekoratë nga Iliri.

Filed Under: Analiza Tagged With: heroi, Ilir Levonja, Tom Doshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 820
  • 821
  • 822
  • 823
  • 824
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT