• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Cfare zbulon Ukraina

February 19, 2015 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/
Në një përpjekje të minutës së fundit për të evituar Luftën e Dytë Botërore, Kryeministri i atëhershëm anglez Çamberlein propozoi një konferencë të katër fuqive në Mynih për të diskutuar e pranuar një marrëveshje sipas një plani të “propozuar” nga Musolini për të ardhmen e zonave të diskutueshme, siç ishin, midis të tjerash, edhe Sudetet Çeke të pretenduara nga Hitleri. Kur anglezi u kthye në Londër, i kumtoi opinionit publik britanik se kishte arritur “një paqe me nder,” gjë që u sfidua menjëherë nga pasardhësi i tij Çërçill: “Ju patët shansin të përzgjidhni midis luftës dhe turpërimit. Ju zgjodhët turpërimin, por do të keni luftë.”
Tashmë rolet janë përmbysur: Gjermania, e cila atëherë duhet të menaxhohej, sot duhet të menaxhojë. Gjermania e atëhershme ishte një fuqi në rritje dhe arti i parandalimit të luftërave qëndron pikërisht në menaxhimin e fuqive në rritje. Në të kundërtën, sot duhet të menaxhohet Rusia, por jo se është fuqi në rritje. Përkundrazi, thjeshtë sepse është një fuqi në rënie.
Vite më parë Presidenti i sotëm rus do të konkludonte se shpërbërja e ish BRSS ishte “katastrofa më e madhe gjeostrategjike e shekullit të njëzetë.” Ndërhyrja ushtarake ruse për të bërë zap Gjeorgjinë tregoi se ky nuk ishte një konkluzion akademik, por një platformë veprimi për të sjellë botën në modelin dypolar apo shumëpolar. Në kulmin e zhvillimeve në dhe për Ukrainën ai e shpalli akoma më hapur: “Ka një përpjekje për të përmbysur rendin egzistues botëror…” dhe se ky rend botëror “kurrë nuk do t’i përshtatet Rusisë.”
Natyrisht Rusia është një fuqi dhe kjo lidhet me sipërfaqen e paanë, popullsinë relativisht të madhe, armët bërthamore dhe gazin. Ndaj sipërfaqes dhe popullsisë ruse dështoi Bonaparti, dështoi edhe Hitleri – dy fuqi të mëdha të atyre kohëve. Veçse do thënë: në luftëra konvencionale, ashtu siç do thënë se në botën e sotme nuk është më në fuqi rregulli i sipërfaqes apo i popullsisë si rregull fuqie. Prandaj zor se do të kemi këtu e tutje një luftë botërore apo edhe rajonale ku mizëritë njerëzore të ushtrive të zvarriten e kacafyten për të pushtuar hapësira tokësore e detare.
Fuqia ruse është arma bërthamore. Por fuqi do të thotë që të jesh në gjëndje të neutralizosh fuqinë e një tjetri – një mision që fuqia bërthamore nuk e njeh, sepse i shuan të gjithë. Pastaj, si çdo armë, edhe arma bërthamore e ka një kundërarmë. Ndërkohë, armën bërthamore e zotërojnë të paktën dhjetë shtete. Dhe më në fund, armën bërthamore mund ta përftojnë apo ta prodhojnë edhe persona e grupe terroriste. Por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye, të gjithë këta këta duhet të përbëjnë klubin e të pyeturve për rendin e ri botëror.
Fuqia ruse është gazi rus. Por edhe kjo fuqi është me një efekt të dyanshëm: aq sa Rusia e mban atë si mjet presioni duke mos e shitur, po aq presion e nevojë ka edhe vetë për ta shitur. Siç dihet, sektori rus i energjisë përllogaritet të mbulojë afro dy të tretat e eksporteve dhe përbën rreth 30 përqind të GDP-së apo pothuajse gjysmën e të ardhurave të buxhetit federal.
Politika ruse e ka mbështetur kërcënimin pikërisht mbi faktorët e mësipërm të fuqisë. Po a janë të mjaftueshëm? Dihet se ka një marrëdhënie midis fuqisë dhe kërcënimit. Kërcënimi “pi ujë” vetëm kur mbështetet nga një fuqi proporcionale. Për më tepër që në kontekstin e rendit botëror të aspiruar nga Putini, kërcënimi duhet të jetë në koncert të paktën me një fuqi tjetër të botës. Kina do mund të ishte një fuqi e tillë, prandaj Rusia u kujdes aq shumë për të lidhur me Kinën një marrëveshje 30 vjeçare miliarda dollarëshe për furnizimin me gaz. Gjithsesi, zor se Pekini do të bëhej pjesë e një koncerti me Moskën. Nuk mund të harrohen mosbesimi dhe armiqësia historike midis Kinës e Rusisë. Në një reagim ndaj “referendumeve” të mbajtura kohë më parë në dy rajonet e Ukrainës Lindore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, deklaroi qartazi se “Kina respekton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës”.
Presidenti rus e ka “hapur lojën” duke akuzuar Perëndimin për “komplot ndaj Rusisë.” Në botën e komuniste të shekullit të kaluar shpikeshin patjetër komplote për të justifikuar dështimet që natyrshëm sillte ai rend social e ekonomik. “Komplot perëndimor” u quajtën revoltat e atëhershme në Hungari, Çekosllovaki e Poloni. Por çuditërisht kohët treguan se as Hungarinë, as Çekosllovakinë dhe as Poloninë nuk i tërhoqi askush me zor apo në mënyrë komplotuese të përzgjidhnin modelin perëndimor të zhvillimit. Ashtu si carët e dikurshëm të Perandorisë Ruse, as udhëheqësit e sotëm rusë nuk do të mund t’i ndalojnë as rusët, të cilët, me vullnetin e tyre të lirë priren të përzgjedhin shkollat perëndimore për të shkolluar fëmiijët, të përzgjedhin bankat perëndimore për të vendosur kursimet dhe vendet perëndimore për të emigruar.
Propaganda ruse thotë se lufta në Ukrainë bëhet për sigurinë e popullsisë ruse në këtë vend. Natyrisht që interesi dhe interesimi për popullsinë ruse në Ukrainë është një e drejtë legjitime ruse, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të përmbysë rendin e pranuar ndërkombëtar. Precedenti i Kosovës (që e ka aq shumë për zemër ta përmendë Presidenti rus) nuk është në të njëjtin plan të së drejtës ndërkombëtare me të ashtuquajturën Republikë e Donetsk-Krivoy-Rog. Kjo e fundit, historikisht është vetëm e vetëpohuar por jo e pranuar, as kombëtarisht, as ndërkombëtarisht dhe ndaj popullsisë ruse të saj nuk është ushtruar spastrim etnik sikurse u ushtrua nga regjimi i Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës. Përkundrazi, janë pikërisht formacionet hibride të orkestruara nga Moska që kryejnë spastrim etnik ndaj popullsisë ukrainase. Praktikisht, ushtria ukrainase është inegzistente, ndërkohë që ushtria ruse e ka kthyer Ukrainën në një poligon ku eksperimenton llojet e luftimit, të armëve e mjeteve sipas mësimeve të nxjerra nga operacionet e demoduara në Gjeorgji.
Për të arritur “misionin” e tij Presidenti rus ka përzgjedhur dhunën dhe jo garën paqësore të zhvillimit, duke injoruar kësisoj faktin se ndryshimin në Luftën e Ftohtë nuk e bëri dhuna e Perëndimit ndaj Lindjes por efektiviteti i demokracisë si vlerë politike dhe ai i tregut si vlerë ekonomike. Dhuna është thjeshtë një instrument, një gjëndje psikologjike, një përzgjedhje personale, jo fuqi, as forcë. Përkundrazi, fuqia, në radhë të parë, është legjitimitet dhe, mbi këtë bazë, kërkon edhe mbështetje. Zor se dikush që pretendon të ndryshojë rregullin ndërkombëtar t’ia dalë vetëm me dhunë apo pa aleatë. Nëse këtë e arriti me Krimenë, kohët do tregojnë pse u hesht e po heshtet ndaj saj.
Për arritjen e këtyre qëllimeve nga pikëpamja ushtarake Putini ka përzgjedhur formën hibride të luftës, domethënë luftën në bazë të së cilës qëndron kaosi i mbajtur nën kontroll nëpërmjet gërshetimit të formacioneve të fshehta me uniformë ushtarake, zbulimit, informacionit e terrorit, të gjitha të bashkërenduara nga një qendër e vetme për të arritur qëllime strategjike. Në rrafshin gjeopolitik synimi është shkatërrimi i shtetit viktimë, përkatësisht i Ukrainës, neutralizimi i peshës së saj gjeopolitike, sakatimi i përmasave të saj shtetërore, i territorit, popullsisë, ekonomisë, fuqisë luftarake, statusit të saj në botë, degradimi i prestigjit të saj, etj. Gjithsesi, luftërat hibride mund të sjellin, e shumta, rezultate hibride.
Përhapja gjeografike dykontinentale dhe kompozita shumëkombëshe e detyron Rusinë ose të përzgjedhë një qeverisje e ekonomi rreptësisht të centralizuar, ose të rrezikohet të shpërbëhet nga tendencat nacionaliste. Shteti pothuajse sundohet nga vetëm një parti politike ku udhëheqësi bën ligjin dhe jo politikat e programet, ku oligarkia shtetërore, ekonomike e financiare transferon pushtetin në dy-tre individë të përjetshëm. Ndërkohë, një ekonomi e padiversifikuar, e mbështetur kryesisht në eksportin e gazit, veçse fuqi nuk është. Për më tepër, gjysma e GDP së Rusisë bashkëshoqërohet si produkt i drejtëpërdrejtë i korrupsionit, prandaj edhe vlerësohet se korrupsioni në Rusi nuk është thjeshtë një problem, por një biznes.
Në këto kushte, ndërmarrja e një lufte në terma klasikë do mund të kishte pasoja të paparashikuara në radhë të parë për vetë Rusinë. Gjeopolitikisht Rusia ndihet gjithnjë e pasigurtë dhe e izoluar në pikëpamje tregëtare për shkak të mungesës së aksesit në oqeane. Për më tej, Rusia nuk i ka aleancat dhe as mundësitë për aleanca të qëndrueshme, si për nga vlerat, ashtu edhe për nga numrat. Si rrallë ndonjë shtet tjetër, Federata Ruse, në jo pak raste, ka qenë e detyruar të shtypë me luftë vetë pjestarët e saj. Kësisoj nuk është fuqia, por rënia e saj që e shtyn klasën politike ruse drejt autoritarizmit në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Prandaj kursi i Putinit nuk mund ta çojë Rusinë shumë larg. Prandaj ka pak gjasa që i dyti Minsk të dështojë me sukses si i pari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Cfare zbulon, Ukraina, Zeno jahaj

“Kisha ortodokse serbe” në Prishtinë-Muze i holokaustit shqiptar!

February 18, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Së pari objekti në fjalë nuk është kishë , sepse nuk i ka elementet që e vërtetojnë këte.
Nëse ne e dijmë se çka donin serbët , ndërtesa e pa përfunduar nuk e plotëson fundin e dëshirës së tyre. Ata mendonin që me shqiptar të Kosovës çdo gjë përfundoi dhe menduan që me ndërtimet e “kishave” të reja pravosllave t`i legjitimojnë dhe ato të vjetrat që ishi të gjitha shqiptare , si të vetat. Atyre me orientimin tonë të pa menduar mirë , po iu ndihmojmë që të dalin para botes se janë të parët e kësaj ane , sepse ne gojë e me shkrim po themi që historia e jonë fillon pas shekullit të 16-të.
Por bota e civilizuar vepron ndryshe , ata nuk humbin asgjë nga kujtesa : “Muzeumi në territorin e ish-kazermës Dosin në qytezën belge Mechelen në veri të Brukselit, ku në kohën e pushtimit gjerman kalonin trenat për në kampet e shfarrosjes, hapi portat për publikun të shtunën (01.12.2012). Ekspozita synon të nxjerrë në pah se si njerëzit u detyruan të përjashtojnë e madje të shfarrosin njerëz të dhe grupe njerëzish të tjerë.
Kampi SS i grumbullimit midis viteve 1942 – 1944 ishte epiqendra e deportimit të organizuar nga gjermanët nga Belgjika dhe veriu i Francës. Vetëm prej këtej, sipas të dhënave të muzeut, janë deportuar për në Aushvic-Birkenau rreth 25.500 hebrej dhe rreth 350 sinti e romë, shumica e të cilëve u vranë.( http://www.dw.de/muzeu-i-holokaustit-dhe -drejtat-e-njeriut )
Po shkruhet :”Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” (“Shën Nikolla”) e cila është e ndërtuar brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Millosheviçit, shumë herë është bërë temë diskutimi, herë për ndërtimin e imponuar nga regjimi, e herë për ndërtimin e paligjshëm.
Përderisa shumë shpesh është thënë se ajo duhet të rrënohet për shkak se nuk është e legalizuar, fati përfundimtar i saj do të vendoset pas pesë shkurtit. Nëse askush nuk aplikon për regjistrimin e këtij objekti, pas këtij afat, ai do të trajtohet si të gjitha objektet e tjera.”
Ky objekt ka dhe një problem tjetër. Për të paraqitur kërkesën për regjistrim, sipas nenit 16 të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me numër 04/L-188, Kisha Ortodokse duhet të ketë të bashkangjitur edhe pëlqimin e Universitetit të Prishtinës.
“Nëse aplikuesi i një njësie të ndërtuar pa leje në një ndërtesë në bashkëpronësi të ndërtuar me leje, paraqet një kërkesë për t’u përfshirë në regjistrin komunal të ndërtimeve pa leje, aplikacionit duhet ti bashkëngjitet pëlqimi i pronarëve i cili duhet të jetë i verifikuar tek organet kompetente”, thuhet në këtë nen. Ok , shumë mirë .
Por pse të rrëzohet . Pse nuk e bëjmë një muze , muze të holokaustit shqiptar ? A kemi fakte? Sa të duam, Kemi artistë , kemi arkitekta, kemi ide dhe ajo më e madhja e kemi ende të freskët luftën , masakrat, dhunime dhe përdhunimet A mjafttojnë këto për një muze ?

“Kisha ortodokse serbe shume e brengosur per fatin e njerezve dhe popave te tyre ne Kosove e Metohi. Para disa ditesh ne Kongresin amerikan eshte promovue monografija “Trashigemija e Krishterimit ne Kosove e Metohi: Qendra historike e shpirtnore e popullit serb” e zgjeruar dhe e plotesuar me nje botim libri ne anglisht dhe disa prkthyes kerkonin qe te ndalet shkatrrimi dhe demolimi i faltoreve ne Kosove e Metohi dhe qe te mbrohen manastiret e kishat serbe -lajmronte ABC NEWS dhe gazeta New York Post.
Libri eshte paraqitur ne biblioteken e Kongresit amerikan neWashington dhe ne promovim e ati libri Haris Grant udheheqesi i paraleles per librin e Evropes tha se eshte ndere per biblioteken ta kete nje liber te rralle kulturore te monografise historike te krishterimit serb. Publikimi i ketij libri me pare qenka bere ne Univerzitetin e Beogradit ne institutit Hierarhise se Kishes Ortodokse per Ballkan.”
Si t`i kundërvehemi kësaj ?
Historikisht shqiptarët nuk kanë rrënuar objekte të kultit,e aq më pak ato të kultit të krishter të cilat janë pushtuar dhe uzurpuar nga të ardhurit e më vonëshëm , shumë të vonëshem historikisht .. ATO ISHIN DARDANE..
Historia e jonë nuk fillon në shek 15, as 16 -të epokës së re , por dikur më herët kur “
“ lindi dielli dhe hëna “(Dhimiter Pilika ) .
Prandaj ndërtimi i një muzeu të holokaustit shqiptar nga serbet , më së i nevojëshëm.
Tjetra , ne Kosovë kishim shqiptar ortodoks.ata ose mëshifen nga ne ose kanë ikur.
Le të jetë objekt edhe si siguri për ata që duan të kthehen në trungun e vjetër kombëtar.
Por së pari , muze!

Fahri XHARRA 18.02.15 , Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: “Kisha ortodokse serbe” në Prishtinë-Muze, Fahri Xharra, i holokaustit shqiptar!

Qasje- Shqetësim me arsye

February 18, 2015 by dgreca

Nga Cenë Pushkolli/
Derisa Serbia në Kushtetutën e saj Kosovën e sheh si pjesë përbërëse të saj, dialogut nuk do ti kisha dhënë hapësirë as që kisha pranuar të bisedojë me serbinë. Zyrtarët e Kosovës të të gjitha niveleve institucionale si hapë të parë për me dialoguar me serbinë do të duhej që ajo(lexo: Serbia) fillimisht të kërkojë të falur për atë se çfarë i ka bërë Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës 98/99, të tregojë se ku janë (të gjallë apo të vdekur) robërit e luftës, pastaj të kryente obligimet ndaj fondit pensional të Kosovës, ti kthente të gjitha dokumentet kadastrale dhe jo vetëm ato, aty, ku i ka plaçkitur, atëherë kur të gjitha këto punë do ti kryente Serbia, atëherë do të pranoja të dialogojë me Serbinë. Bile-bile në fillim të bisedimeve do të kërkoja nga Serbia që menjëherë të heq dorë nga përkrahja dhe mbështetja e strukturave paralele të vendosura nga Serbia, pra të heq dorë prej të gjithë atyre që i kundërshtojnë institucionet e Kosovës, pastaj të vazhdojë dialogu
Qytetarët e Kosovës si ata pa pozita shoqërore si ata që merren me analiza të ndryshme janë të një mendimi: Me dialogue me çdo këndë madje edhe me Serbinë nëse është në interes të Shtetit të Kosovës, por në asnjë mënyrë të mos bisedohet me askënd pra as me Serbinë nëse preken interesat shtetërore të Kosovës. Ajo(lexo: Serbia) për pa i kryer të gjitha ato që u than më sipër, madje edhe pasi ti ketë kryer në asnjë mënyrë të mos bisedohet se si do të organizohet rregullimi i brendshëm dhe ai i jashtëm i Shtetit të Kosovës.
A ka kuptim dialogu Kosovë-Serbi në këto kushte? Në këto kushte dhe rrethana jo se jo, por nëse Serbia fillimisht do ti bënte të gjitha ato që u than më sipër, atëherë bisedimet do të kishin kuptim. Po, po dialogu do të kishte kuptim nëse do të bëhej vërtetë dialog i mirëfilltë, pra dialog me interes shtetëror, respektivisht dialog vetëm me karakter nacional. Marrëveshje të tilla do të ishin në të mirë të vendit e të popullit të saj. Marrëveshje që do të përfitonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Këto dhe marrëveshje të tilla të ngjashme i japin frymë dhe gjallëri dialogut me Serbinë. Përndryshe në rast se edhe më tutje dialogohet me serbinë për çështje të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, nëse edhe më tutje dialogohet me serbinë pa pëlqimin e parlamentit të Kosovës jemi të bindur se pavarësisht se kush qëndron në anën e Kosovarëve të dialogimit është baras me tradhti kombëtare. Këtë që po e themi kemi parasysh këtë element: Në bisedimet e fundit të datës 9 shkurt na bindën se nuk pati vetëm dialog ndërmjet delegacionit të Kosovës e të Serbisë, por në ato bisedime i lejuan serbisë që të kërkojë kushte favorizuese për popullatën e vet, gjë që drejtpërsëdrejti Kosovës, Serbia iu përziu në punë të brendshme, pra ajo i diktoi Kosovës se si mund të organizohet në fushën e drejtësisë. Pas këtyre bisedimeve të dyja palët(lexo: Kosova dhe Serbia) deklaruan në mënyra çfarë atyre politikisht u duhet. Mjerisht Kosova mbante qëndrimin se me këto bisedime Kosova ka arritur që ta shtrijë sovranitetin në fushën e drejtësisë edhe në pjesën tjetër të Kosovës (lexo: pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës.
Për të gjitha këto që u thanë deri më tash një është e sigurt, se me shkaun njëherë e përgjithmonë duhet ti ndajmë rrugët tona. Ne me serbinë mund të bashkëpunojmë vetëm atëherë kur ajo do ta njihte Shqipërinë Etnike, në kuadër të së cilës do të ishte edhe Kosova. Por për ta ribërë Shqipërinë Etnike fillimisht Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj tek pika e organizmit të referendumit në mënyrë që populli i Kosovës të ketë mundësi të deklarohet se a dëshiron të rikthehet në “gjirin” e nënës Shqipëri. Ndonëse për Ribashkim Kombëtar nuk të pengon aspak Kushtetuta e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës sipas nenit 3 të saj e pamundëson bashkimin me një shtet tjetër ose pjesë të shtetit tjetër, e pra derisa kjo (lexo: bashkimi kombëtar) qenka i ndaluar, Ribashkimi Kombëtar fare nuk përmendet, rrjedhimisht për Ribashkim Kombëtar, Kushtetuta nuk na pengon. Ndërkaq Kushtetuta e Shqipërisë Bashkimin Kombëtar nuk e pengon, përkundrazi i jep të drejt për Bashkim Kombëtar. Çka pra do të duhej të bënte Shqipëria Londineze? Ajo, pra klika politike e saj në krye me presidentin Nishani duhet që të tregojnë pak më shumë pjekuri politike si dhe dispëonim e dëshirë për me e jetësuar Kushtetutën e saj.
Rilindasi ynë i shquar dhe i pa vdekshëm dikur kishte pas thënë: ”Për Shqipërinë, ditë të mira do të vinë, lumë kush të rrojë e ta shohë… (Naim Frashëri), unë do të thoja: Lumë ai politikan shqiptar qoftë i Shqipërisë Londineze qoftë i Kosovës Historike, apo i Iliridës, respektivisht trojeve të tjera shqiptare, që do të angazhohej menjëherë dhe pa hezitime të punohet rrethe Ribashkimit Kombëtar.
Zaten ditëve të fundit dy kryeministrat shqiptar kur prenë shiritin e krijimit të rrethanave të reja doganore e bënë një hapë që domethënien e ka te Ribashkimi Kombëtar. Në këtë shkrim jo pa dashje i kam lënë pa i përmendur dobësit e politikanëve të ndryshëm me shpresë se ata do të kthjellen një ditë dhe do të punojnë në interes Kombëtar.
Cenë Pushkolli
cenpushkolli@hotmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: Cenë Pushkolli, me arsye, Qasje-, Qasje- Shqetësim me arsye, Shqetësim

DILEMA HAMLETIANE E BUROKRACISE SHQIPTARE DHE FYERJA NDAJ VISAR ZHITIT

February 18, 2015 by dgreca

“Politika qëndron përmbi ndërgjegjen”/
William Shakespeare/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Ka disa ditë që opinion publik shqiptar, në Shqipëri e jashtë saj, po përtyp e ripërtyp një problem të krijuar nga klasa politike në nivelet e saj më të larta. Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit Bujar Nishani emërimin e Visar Zhitit në postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, një vend vakant prej më shumë se një viti, gjë që shënon një mungesë të madhe në veprimtarinë e diplomacisë shqiptare. Ka shumë muaj që emërimi i ambasadorit në Vatikan është kthyer në “dilemën hamletiane” të burokracisë së lartë shqiptare. Për hir të së vërtetës duhet thënë se zgjedhjet e Kryeministrit për atë post të rëndësishëm kanë qenë, për mendimin tim, më të mirat e mundëshme. Por si prof. Ardian Ndreca si poeti Visar Zhiti nuk kanë gjetur miratimin e Presidentit. Arsyet i din më mirë ai vetë, ndoshta mund të jenë vetiake, mbasi deri tani në të dy rastet nuk ka dhënë një spjegim bindës e të qartë. Që duhet të ketë arsye vetiake, së paku për Ardian Ndrecën, është e dukëshme, sepse Nishani ka thyer edhe rregullat më parake të protokollit kur, në pritjen për nder të Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk e ka ftuar atë që ishte përfaqësuesi zyrtar i Shtetit të tij në atë të mikut të nderuar. Nuk po zgjatem me këtë episod, aspak të hijshëm, mbasi ai i përket së kaluarës.
Me daljet e fundit në Facebook (një mënyrë bashkëkohore për të bërë politikë), që pasojnë një bisedë telefonike “të stuhishme”, simbas shtypit, qëndrimet e dy autoriteteve të lartë duket se marrin një formë të përcaktuar mirë. Të dy mbeten në mendimet e tyre që janë në kundërshti njëri me tjetrin. Rama rithekson me bindje e, ndoshta, edhe me ndonjë dozë llogarie politike konceptin e tij për personalitetin e kandidatit që propozon : “Poet i rrallë, i burgosur politik i diktaturës, shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.” Portreti është i plotë, një curriculum vitae për t’u pasur zili, për pasojë propozimi nuk respekton përkatësinë politike, por meritokracinë, pra është një zgjedhje që i shërben interesit të Shtetit, për të qenë i përfaqësuar në nivel cilësor në Vatikan. Kjo konsideratë nuk mund të tjetërsohet nga stërhollime apo prirje demagogjike për të gjetur prapaskena.
Presidenti e hedh poshtë propozimin. Argumentat e tij ndryshojnë në vartësi edhe të qëndrimit të kishës katolike e cila, mbas një ngurimi të shprehur nga sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, largon çdo pengesë për emrin në fjalë. Atëherë Presidenti shprehet kështu, duke ligjëruar vendimin e tij : “Visar Zhiti është propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor e proçedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur, Konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës.
“Kryeministri duhet të mësojë njëherë e përgjithmonë se dekretimi apo mos dekretimi i ambasadorëve është e drejtë ligjore dhe e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës”
Ky është koncepti i Presidentit Nishani, por t’i hedhim një sy Kushtetutës, së cilës i referohet ai. Neni 92 i saj, që trajton kompetencat e Kryetarit të Shtetit, në gërmën “DH” shprehet kështu : “Me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizma ndërkombëtare.” Në Kushtetutë nuk bëhet fjalë për “konsultim paraprak” për emërimet e përfaqësuesvet diplomatikë. Ndoshta mund të ketë ndonjë akt nënligjor n’atë drejtim, por do të ishte një mënyrë për të ligjëruar kompromise të ndryshme, në të cilat nuk dihet se ku mbaron publikja e ku fillon vetiakja. Normalisht nomenklaturat e diplomacisë kudo janë kompetenca të Ministrisë së Jashtëme. Kjo bën organigramën e përfaqësuesve të saj jashtë shtetit, në bashkëpunim me Kryeministrin. Presidenti ka funksionin ligjërues, për të zyrtarizuar këta vendime, por kushtetuta e jonë i njeh edhe të drejtën e diskutimit të tyre, madje edhe të mos miratimit. Kjo është praktika botërore për republikat parlamentare dhe diplomatët mund të ndryshojnë selitë e tyre, të emërohen apo të shkarkohen kur ndërrohen qeveritë, por jo kur ndërrohen kryetarët e shteteve.
Shkaku që nxjerr Nishani, për të mos dekretuar përsëri ish diplomatin Zhiti, nuk ka bazë ligjore, vendimi mbetet subjektiv. Ai vazhdon të ngulë këmbë në të edhe se kërkesat për t’a ndryshuar kanë ardhur nga të gjitha anët, duke filluar nga vendimi unanim i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, ku zonja Jozefina Topalli është shprehur pozitivisht me vlerësimin më të mirë për kandidatin. “Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën” shkruan Kryeministri. Në atë drejtim janë shprehur të gjithë përfaqësuesit e jetës publicistike të Vendit e bashkësive shqiptare jashtë, Shoqata e ish të Përndjekurve politikë në Shqipëri, “Vatra” e ShBA, kosovarët, arbëreshët, personalitete të politikës e kulturës italiane etj. Lind natyrshëm pyetja : cili është motivi i vërtetë i kundërshtimit të Presidentit dhe a është ai i vetëm në ngulmimin e tij ?
Hipotezat që mund të bëj janë tre llojesh : së pari do t’a konsideronja këtë kundërshtim si një “kushtrim të të parëve”, një reminishencë atavike të luftës së klasave të kujtesës enveriste, që një ish oficer i shkollës “Enver Hoxha” shfaq kundrejt një ish të dënuari politik, një nga përfaqësuesit më në zë të inteligjencës antikomuniste ; së dyti mund të jetë një përcjellje e vullnetit negativ të një pjese të ish partisë së tij, kundrejt së cilës ai mbetet gjithmonë i detyruar për postin e lartë që mban, pa patur asnjë meritë të veçantë ; së treti mund të jetë shprehje interesash vetiake, të lidhura me ndonjë emër të përveçëm të gazetarisë apo të biznesit.
Në të tre supozimet figura e Presidentit del tepër e dëmtuar për opinionin publik. Qëndrimi i tij kundrejt Visar Zhiti, si njeri, është një fyerje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë që i bëhet dy shtresave të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të cilat diplomati poet i përfaqëson njëherësh më së miri, asaj të ish të përndjekurvet politikë të diktaturës dhe asaj të inteligjencës, jo rastësisht dy më të luftuarat nga regjimi i Enver Hoxhës. Në rastin e dytë të hamendjes kujtoj një shprehje të një shkrimtari e diplomati italian C. Dossi (1849 – 1910) : “Në politikë është si në teatër : janë autorët që shkruajnë veprat për t’u recituar dhe nuk duken në skenë dhe aktorët që e recitojnë në publik e nuk e kanë shkruar” Nëse Presidenti vazhdon të mbetet rob i segmenteve të caktuara të ish partisë së tij e që arrijnë të përcaktojnë edhe vendimet institucionale, nuk mund të kryejë funksionin e tij të arbitrit të pavarur, që i ngarkon kushtetuta. Supozimi i tretë do të ishte më pak i urueshmi se do të krijonte idenë se në krye të Shtetit është një njeri që mendon vetëm për interesat e tij vetiake.
“Visar Zhiti nuk është një nga poetët e”rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga vlerësimi “I rrallë”. Ky është gjykimi i Presidentit, një përzjerje padijeje në fushën e letërsisë e paaftësie në të njohurit e njerëzve. Visar Zhiti është i pranishëm në antologjitë poetike të shumë Vendeve të Evropës, veprat e tij në poezi e prozë janë të përkthyera në shumë gjuhë të kontinentit, çmimet ndërkombëtare të marra janë të shumta. Në gazetat italiane lexohen këto vlerësime të kritikëve : “Visar Zhiti, së bashku me Ismail Kadarenë konsiderohet një nga pikat më të larta të letërsisë bashkëkohore shqiptare..” “është padyshim absolutisht një nga poetët më të mëdhenj evropianë” “është një nga poetët më të mëdhenj të kohës sonë” “ poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare.” Poeti irlandez Higgins porosit lexuesit : “Lexoni Visar Zhitin, se keni për të ndërruar vizionin për botën.”
Këta ishin disa nga vlerësimet e botës së huaj për shkrimtarin tonë të madh, besoj të mjaftueshme për të bindur Presidentin e painformuar për vlerën e tij, se nuk është “i rrallë”, siç e quan Rama, se është i vetmi, më i miri në gjininë e tij. Refuzimi i kandidaturës së tij nga Presidenti Nishani, për mendimin tim modest, është një dhunim që i bëhet vlerave të kulturës sonë dhe imazhit të Shqipërisë në botë, një dëm që i shkaktohet diplomacisë sonë në një nga pikat më nevralgjike të saj. Emërimi i një personaliteti si ai i Visar Zhitit si ambasador do të ishte një nder e kënaqësi për cilindo burrë shteti të botës. Uroj që edhe Presidenti i ynë të ndryshojë mendim sepse, siç thotë Franz Grillparzen (1791 – 1872), një poet e dramaturg gjerman : “Ka gjithmonë një ilaç për çdo faj : t’a njohësh atë.”
Shkurt 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fyerja e Presidentit

SHTETI BRENDA SHTETIT SHQIPTAR

February 17, 2015 by dgreca

Nga Rasim Bebo/
Shqipëria është i vetmi vend në botë, cili në parlamentin e vet, nuk ka krahun nacionalist. Prandaj greku Janullatos, ka ngritur në Tiranë, shtetin e vet shumë më të fuqishëm se shteti zyrtar shqiptar.(1) Një shtet “Brenda shtetit shqiptar”. Kjo principatë greke e krijuar prej tij në Shqipëri, vlerësohet realisht nga Kryeministri grek Cipras, i cili shprehet hapur, se Janullatosi: “Ka punuar mirë për greqinë”. Dhe për këtë apendiks shtetëror të formuar me sukses prej tij, siç deklarohet nga Athina zyrtare, Janullatosit i afruan vendin e presidentit të Greqisë. Por këtë detyrë, ai nuk e pranoi pasi, “Arsyetoi se fronti më i mirë për të, do të ishte vijimi i punës në dobi të Greqisë, brenda në Shqipëri”. (2)
Firma e ish presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, solli Janullatosin këtu në vitin 1991, duke mos pranuar lidhjen me Gjermaninë. Ai zgjodhi afrimin me Greqinë, në emër të internacionalizmi proletar, për të mbrojtur shtresën politike të nomenklaturës komuniste, nga ndonjë vërshim i urrejtjes së popullit, kundër diktaturës së Enver Hoxhës. Në këtë mënyrë, Greqia do të luante rolin e xhandarit mbrojtës, për të mos e pësuar si Çaushesku në Rumani. Pra, elita komuniste shqiptare, për t’u mbrojtur nga shqiptarët, pranoi armikun shekullor të tyre, grekun, kryesisht për të shpëtuar lëkurën dhe vazhdimin e komunizmit të ri në Shqipëri, të quajtur “Demokraci”. Për të arritur këtë lloj shpëtimi, Ramiz Alia ligjëroi strategjinë tij tashmë të njohur: “ Kurrë nuk do t’i lëmë kundërshtarët tanë politik, të na marrin pushtetin. Por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre. Kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen. Nëse lind nevoja, do të kemi mbeshtetjen e aleatëve të jashtëm ideologjik në pushtet, me ta na bashkon kauza e jonë e përbashkët… pavarësisht nga nuancat dhe diskordancat e përkohshme”. (3)
Janullatosi ka ardhur në Shqipëri me cilësinë e ekzarkut fetar, duke deklaruar, se misioni i tij ishte ngritja e KOASH-it dhe për këtë do t’i duheshin vetëm pak kohë. Gjatë këtyre 24 vjetëve, z. Janullatos ka synuar krijimin e një sinodi të Shenjtë, me shumicë greke dhe as ka diskutuar ndonjëherë faktin kushtetues, se kryepeshkopi shqiptar duhet të jetë me kombësi shqiptare, në funksion të parimit “vend i pavarur, kishë e pavarur”.
Propozimi i kryeministrit të ri grek për z. Janullatos, është një vlerësim i lartë për të, sepse i ka kryer shumë mirë detyrat në shërbim të kombit grek… një karrierë kushtuar tërësisht atdheut të tij Greqisë, në Shqipëri, ku roli greqizues që ai ka luajtur për asgjësimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ia ka arritur qëllimit. Ndërtimi i strukturave me peshkop grek , si rasti i Gjirokastrës e Beratit, meshat nëpër kisha në gjuhën greke, miratimi i një statuti, ku nuk figuron kombësia shqiptare, janë hapa prapa që ka bërë kisha shqiptare në këto vite. Duke zhvlerësuar kështu edhe arritjet e bëra që klerikët e lartë shqiptarë, si Fan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi etj. Të cilët vunë themelet e kësaj kishe. Mbi të gjitha, kryeministri grek Cipras tha shkoqur një të vërtetë të madhe: “Janullatosi ka punuar shumë për Greqinë.” (4)
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi I KOASH Thoma Dhima thekson: “Kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Prof. Dr. Anastasi, i pyetur nga gazetarë të ndryshëm, si në Greqi ashtu dhe brenda vendit, lidhur me lajmet e përhapura mbi propozimin e tij për president të Greqisë, u përgjigj në mënyrë lakonike: “Hierarku ortodoks ka një detyrë të caktuar kishtare. Ai nuk mund të marrë poste politike”. (5)
Prof. Dr. Eshref Ymeri shkruan: “Tirana zyrtare duhet të jetë e ndërgjegjshme se gjatë këtyre më shumë se 22 vjetëve, e ka lejuar Janullatosin të ngrejë një shtet brenda shtetit. Janullatosi është marrë me ngritje kishash, edhe atje ku nuk ka këmbë ortodoksi” (6).
Në vitin 1996 Janullatosi me Teodor Pangallosin, patën thënë se në Shqipëri ka 200,000 minoritarë. Atëherë ata e rritën 4 herë (4 X 50 = 200.000) popullatën e minoritetit. Më vonë e rritën 10 herë, i bënë 500.000 minoritarë, si dhe 10.000 vllehë, sllavo- maqedonë, u shtuan një zero dhe u bënë 100.000, pra kemi, 500.000 + 100.000 = 600 mijë minoritarë. Por në regjistrimin e popullatës, doli se minoritet zbriti poshtë, me 0.87% të minoriteteve në Shqipëri, turp për doktoraturën e Janullatosit. (7).
Ministri i jashtëm grek, Venizellosi, flet me ton urdhërues, duke e ndjerë veten se është në shtetin e tij grek, brenda shtetit shqiptar. Nga zyra e kryeministrit në Tiranë urdhëron: “Dëgjoni, ju, Shqiptarë!… Kujdes, mos bëni naze për plotesimin e kërkesave të Athinës, siç janë: kufiri detar, problemi i çështjes çame, mosprekja e ligjit të luftës, ngritja e varrezave të reja, përvehtësimi i pushtimit të kishës ortodokse etj. (8).
Sot, Shqipëria po qeveriset me të vërtetë nga një bandë e lidhur me krimin e organizuar. Në një debat qeveri – opozitë, thuhet se ajo po e çon vendin në një katastrofë ekonomike. Mungon transparenca që do të zbulonte bandat që terrorizojnë Shqipërinë. Shqipëria u kthye në një Kolumbi e dytë në Evropë. Fabrika e drogës që u zbulua nga gjermanët, ka qenë e lidhur me mafien shtetërore, si dhe kapja e majorit shqiptar në Spanjë i ngarkuar me drogë. Mafia shqiptare përdor tritolin që shqetëson të madh e të vogëlinë këtë vend. Stacioni meteorologjik i Austrisë, kishte lajmëruar ditë më parë se “do të kishte përmbytje në Jugun e Shqipërisë”. Por qeveria nuk u ndije. Si është e mundur, që nuk u njoftuan njerëzit, t’i nxirrnin bagëtitë në vende më të larta, ku nuk i arrinte përmbytja?… Të sigurohej strehimi dhe ushqimi për familjet në vende të sigurta. Kjo është qeveria që bënte sehir, teksa njerëzit ishin nën pushtetin e ujit dhe të tmerrit. Me mijëra bagëti të ngordhura dhe shtëpi të shkatërruara”. (9).
Të gjitha këto prapësi që i bëhen vendit tonë, janë produkt i shtetit grek brenda shtetit Shqiptar. Kurdoherë greku ka kërkuar dhe kërkon eleminimin e kombit Shqiptar. Nga Aurel Dasareti citojmë: “… nuk ka qeveri të mirëfilltë që të ketë kontroll efektiv në të gjithë territorin e saj, por Jugun ja ka dorëzuar Greqisë, e cila ka uzurpuar KOASH, e tani kërkon naftë në ujërat tona. Kërkon Verio-Epirin … kërkon dru b… Nuk ka aftësi për të pasur lidhje të pavarura me shtetet e tjera, sepse më përpara duhet që ato të miratohen nga shteti grek. Konstruktorët e mëdhenj të botës shqiptare do të mbizotërojnë aty ku, pseudo-intelektualët, pseudo tradhtarët dhe partitë politike mafioze kanë dështuar. Urdhërimi i dashurisë vëllazërore, është i dënuar të jetë i pavlefshëm, por konstruktorët e mëdhenj do të ngjallin një jetë të re; në të kundërtën, sipas studimeve të mia… brenda 40 viteve do të shkombëtarizohemi, tjetërsohemi, asimilohemi dhe zhdukemi tërësisht si komb, si racë. As varret nuk do të na mbeten… Te rreshtohemi pas konstruktorëve, të vetmit subjekt që mund të shpëtojë kombin nga agresioni i jashtëm”. (10).
Referenca:
1. Aurel Dasareti “Jo zhdukja e Shqipërisë…” DIELLI” 22 janar 2015.
2. “Kryeministri I Greqisë vlerëson Janullatosin…” Gazeta 55, 4-2-2015.
3. “Strategjia e Ramiz Alisë”. Gazeta “ILLYRIA”, 19-12-2004, f.11.
4. “E vërteta që na deklaron Athina”, gazeta 55, 4-2-2015.
5. Thoma Dhima “Emri i kryepeshkopit kandidat për president…” , 3-2-2015.
6. Prof. Dr. Eshref Ymeri “Ka ardhur koha …” në internet 25-12-2014.
7. Rasim Bebo “Dodona Tempulli …”, bot. 2008, f. 329.
8. Prof. Dr. Eshref Ymeri, internet: “Ministri i jashtëm grek…” , 24-10-2013.
9. Sejdi Peka, “Me të vërtetë Shqipëria po qeveriset…”, online 55, 8-2-2015.
10. Aurel Dasareti “Jo zhdukja e Shqipërisë”, 22-1-2015.
Rasim Bebo Addison Çikago, shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: rasim bebo, SHTETI BRENDA, SHTETIT SHQIPTAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 841
  • 842
  • 843
  • 844
  • 845
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT