• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BUNK – ARTI DHE MJERIMI I SHQIPTARËVE

December 9, 2014 by dgreca

”Kush nuk don t’arsyetojë është një fanatik ; kush nuk din t’arsyetojë është një trupeshk ; kush s’guxon t’arsyetojë është një skllav.”/- W. Drummond (Poet skocez 1585 – 1649)/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jubileut të 70 – vjetorit të ikjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria, qe hapja e Bunk – Artit , jo për vlerën reale që paraqet ky objekt faraonik në Vendin më të varfër t’Evropës, por për faktin që ai i u bë i njohur publikut të gjërë. Së bashku me pohimin e Kryeministrit për mundësinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mendoj se bëhet një hap i madh përpara, jo për të dënuar komunizmin haptas e pa mëdyshje, mundësi tepër abstrakte për formimin dhe vullnetin e klasës sonë politike, sidomos të së majtës, por së paku për të nxjerrë në dritë një pjesë të veprimtarisë së tij kriminale në dëm të shqiptarvet.
Natyrshëm në këtë rast shtrohet pyetja : a ishte kaq e rëndësishme për t’u ruajtur me kaq ngulm e fshehta e këtij bunkeri dhe ajo e sivëllezërve të tij në gjithë Shqipërinë edhe mbas një çerek shekulli të tjetërsimit të sistemit e shfaqjes në skenën politike të partive “antikomuniste” të cilat, në pothuaj 13 vjet qeverimi, nuk thanë asnjë gjysëm fjale për qënien e tyre ?
A thua se edhe “paria” e Tiranës e këtij 23 vjetori “demokracie”, i besonte tezës së Enver Hoxhës se ne jemi “qendra e botës” në mbrojtje të marksizmit e, si e tillë duhej të ishim gati të përballonim një sulm të kombinuar të dy superfuqive, nëpërmjet bunkerëve të mbirë si këpurdhat mbas shiut, mbi dhe nën tokën e lashtë të Arbërit.
Dikush mund të qeshë me këta rrjeshta, por i nënëshkruari atë argument e ka patur në akt-akuzën që i kushtoi një dënim prej 8 vjetësh privim lirie e pune të detyruar. Madje një oficer i lartë i Hetuesisë së përgjithëshme, në një ballafaqim në hetuesinë e Lushnjes, në mënyrë “dashamirëse” më tha se pohimi i im për pamundësinë e përballimit të sulmit të dy superfuqive, rridhte ngaqë un nuk njihja aftësinë mbrojtëse të Shtetit tonë.
Misteri i “mbrojtjes” nëpërmjet bunkerëve vazhdoi të zotërojë edhe në këta vite, kur bota ka ndryshuar kaq shumë e Shqipëria, si pasojë e interesave strategjike të NATO-s, sot është antare e saj. Të më falë lexuesi për parantezën vetiake që hapa, por mendoj se pushtetarët e lartë të PD-së gjatë këtyre viteve, do të duhej të jepnin një shpjegim mbi arsyet e ruajtjes së “sekretit” të bunkerëve, kryesisht t’atij që u hap në ditët e shkuara. A mos qe një sakrilegj vendimi i Kryeministrit aktual e çfarë “dëmi” i solli ai Shqipërisë së sotme ?
Duke lexuar komentet në gazeta, sidomos të ish ushtarakëve të regjimit, tejduket një farë “pezmi” për vendimin e hapjes. Madje ndonjeri prej tyre si ish Kryetari Shtetit, z. Alfred Moisiu, në një intervistë në të përditëshmen “Panorama”, mundohet të bindë shqiptarët se ai pallat trekatësh, me 501 dhoma në thellësi të tokës, me strukturë qëndruese edhe kundrejt një sulmi bërthamor, nuk ishte ndërtuar për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë !!! Është qesharak ky pohim i ish Kryetarit, që i trajton shqiptarët si një grumbull të paaftësh mendorë, me koefiçent zgjuarsie të barabartë me atë të fëmijëve të foshnjores, saqë çfarëdo pallavre t’u thuash mund t’a besojnë. Por nuk ka vetëm motiv për të qeshur në fjalët e tij, që mundohen të përligjin vendimin e ndërtimit të këtij objekti, me garën e armatimeve të shteteve të tjera. Është për të vajtuar që këto ide vazhdojnë të kultivohen ende e, për më tepër në kokën e një ish Kryetari të Shtetit demokratik.
Askush nuk ve në dyshim masat mbrojtëse që secili shtet duhet të marrë në truallin e tij, për të përballuar një agresion të mundshëm nga jashtë. Shqipëria, për historinë e saj dhe pozitën gjeografike, mbetet një subjekt mjaft i ndjeshëm n’atë drejtim. Por strategjitë për mbrojtjen kudo janë të kushtëzuara nga dy faktorë : përmasa e rrezikut që kërcënon dhe mundësitë në fushën ekonomike-financiare për të përballuar shpenzimet e nevojshme. Mbetet parësore në këtë drejtim edhe politika, sistemi i aleancave, shfrytëzimi me zgjuarsi i konjukturave. Autarkia n’atë kontekst është një lluks që pak popuj mund t’i a lejojnë vetes.
Po t’i hedhim një sy gjëndjes së Shqipërisë, të rajonit e botës në fillim të viteve 70-të, do të bindemi se rreziku imperialisto – revizionist, aq shumë i përfolur nga Enver Hoxha dhe idhtarët e tij, ishte thjesht një prodhim i fantazisë për të justifikuar mbylljen hermetike të Vendit e terrorin brënda tij. Blloku lindor e kishte kaluar tronditjen e “Pranverës së Pragës”, madje dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës nuk kishte patur asnjë kundërveprim, gjë që tregonte se rëndësia jonë për të ishte krejt e papërfillëshme. Kina, referentja kryesore e regjimit shqiptar, kish kuptuar se “revolucionet kulturore”, teoritë e Lin Biaos dhe ekstremizmi i grupit të gruas së Maos, nuk sillnin asnjë dobi në planin e jashtëm apo të brëndshëm. Drejtuesit kinezë po i hapnin rrugën hyrjes së Vendit në fushën e politikës që peshonte, nëpërmjet “diplomacisë së ping-pongut” e bisedimeve me administratën Nixon në SHBA. Lufta në Vietnam po shkonte drejt zgjidhjes paqësore, nëpërmjet bisedimeve të Parisit dhe në Ballkan nuk frynin erëra lufte.
Regjimi i Shqipërisë mundohej të krijonte një forcë autonome të komunizmit botëror, me disa grupe t’ashtuquajturisht marksistë – leninistë, nga Vende të ndryshme t’Evropës e të botës të cilët, krejtësisht të panjohur e mikroskopikë në Vendet e tyre, kishin gjetur një mënyrë të mirë financimi nga Shqipëria, duke bërë propagandë për të dhe drejtuesin kryesor të saj. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar të moshës së re që ka në kujtesën e tij emra si Fosko Dinuçi, Jak Gripà, Joao Amazonas, apo të tjerë “udhëheqës” të proletariatit botëror, që faleshin 2 – 3 herë në vit në teqen e Enver Hoxhës në Tiranë.
Pikërisht në këtë kohë, kur edhe ndihmat kineze në perspektivë do të ndërpriteshin, si pasojë e kundërshtimeve të udhëheqjes shqiptare ndaj “hapjes së Kinës”, kjo e fundit hartonte një plan të stërmadh për ndërtime bunkeresh e tunelesh. Nuk e dijmë me saktësi se cila ka qenë përqindja e shpenzimeve ushtarake në buxhetin e shtetit të viteve 70, mbasi askush nuk ka vendosur të heqë perden e misterit mbi to por, nga një llogari e thjeshtë vetiake mbi kostot e ndërtimeve, më rezulton se me paratë e shpenzuara për 700.000 bunkerë mbi tokë mund të ishin ndërtuar 1,4 milion apartamente banimi me dy dhoma e guzhinë. Po t’i shtojmë atyre shuma edhe më të mëdha për tunelet e nëndheshëm që mbaheshin të fshehtë, si ai i Bunk – Artit mund të përfytyrohet se sa rrugë, shkolla, spitale, qendra turistike etj. do të ishin ndërtuar në Shqipëri, sikur ato para të mos varroseshin në objekte të kota e pa asnjë dobi reale.
Sa mijra familje shqiptare, n’ato vite, jetonin duke ndarë më dysh një apartament me banjo të përbashkët, të kthyer edhe në vend gatimi. Sa mijra fëmijë që nga fillorja bënin mësim në klasa të përbashkëta, apo me dy ndërresa, sepse mungonin hapësirat e nevojshme. Sa njerëz të sëmurë vuanin sepse spitalet, një për çdo rreth, nuk kishin shtretër të mjaftueshëm, për të mos folur për aparatura bashkëkohore e barna të domosdoshme. Sa qindra km. rrugë t’asfaltuara mungonin në një Vend ku kalldrëmet ishin shumica dërmuese e lidhjeve të zonave rurale me rrugët kombëtare. Po t’i shtojmë këtyre domosdoshmërive edhe gjëndjen e mjeruar të kooperativave bujqësore, ku fshatarët punonin në një pjesë të madhe për një bukë e, në rastin më të mirë, për një kg. sheqer në ditë, do të kemi një tabllo të qartë të krimit shtetëror në dëm të popullit shqiptar, nëpërmjet shpërdorimit mizor të parave për ndërtimet ushtarake.
Z. Moisiu, si përfaqësues i kastës ushtarake, pjesa më parazitare e më e privilegjuar e regjimit, nuk mban parasysh asnjë nga këto konsiderata, kur justifikon atë politikë shkatërrimtare për interesat e vërteta të shqiptarëve. Në vend që të tregojë se cila ishte shuma e përdorur për Bunk – Artin, duke hedhur dritë mbi të vërtetën, mundohet të na bindë se se ai ishte ndërtuar jo për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë, duke harruar se objekte të tilla, në botën e qytetëruar, nuk ndërtohen afër kryeqytetit, ku rreziku i bombardimit të popullsisë civile mbetet tejet i mundshëm. Madje nuk është aspak i besueshëm pohimi i tij, duke marrë parasysh përmasat e objektit i cili, pa dyshim, ka qenë i paracaktuar për kastën drejtuese e familjet e tyre, një lloj “Arke të Nuhut”, i parashikuar për të qëndruar edhe për një kohë të gjatë, edhe nën një sulm bërthamor, që do t’i kishte kthyer të gjithë qytetarët e Shqipërisë në fosile.
Që të mos ketë ekzistuar asnjë njeri me kurajo n’atë kastë kriminale, që të kundërshtonte një program të tillë, të marrë e aventuresk, mund t’a kuptoj. Vetë fakti i asgjësimit të klasës së lartë ushtarake pa as më të voglin kundërveprim në vitet 70, tregon një mungesë të madhe karakteri e guximi dhe shkallën e nënështrimit ndaj diktatorit. Të mbrohen sot ato politika, kur mund të diskutohet lirisht mbi to, e kur arsyeja më parake nxjerr si përfundim se kanë qënë më të dështuarat e më kriminelet, përsa i përket pasojave në mjerimin e përgjithshëm, nuk është vetëm shprehje mëndjengushtësie e verbërie të pakrahasueshme, por për më tepër e një mungese të plotë të ndërgjegjes qytetare e kombëtare.
Krimi komunist nuk është përqëndruar vetëm në asgjësimin e kundërshtarëve ose të supozuar të tillë, së bashku me familjet në harkun kohor të tre brezavet. Ai është edhe hartimi e zbatimi i politikave ekonomike që e çuan popullin shqiptar në gjëndjen e bagëtisë, së cilës i kërkohej “të hante bar por të mos dorzohej” Nëse ka ende shqiptarë që bëjnë se nuk e kanë kuptuar këtë dukuri të tmerrshme të së shkuarës sonë t’afërt, shpresat për Shqipërinë evropiane mbeten vetëm një ëndërr e pasendërtueshme. Evropën duhet t’a pranojmë së pari në mendësinë tonë, në mësimet nga përvoja jonë, në prirjen për të ruajtur pjesën e shëndoshë e morale të saj e për të hedhur poshtë pa mëdyshje çdo shfaqje të trashëgimisë negative të diktaturës komuniste.
Dhjetor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: BUNK – ARTI DHE, Eugjen Merlika, MJERIMI I SHQIPTARËVE

MOS HARRONI, JEMI EDHE NE!

December 9, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/
Ndoqëm me vëmendje kremtimet me rastin e ditës së rinisë, 8 dhjetorit 1990, nga të dy anët e politikës shqiptare.. Secila anë përpiqej t’ia ngarkonte vetes së saj meritat e kësaj dite të shënuar. Për sa i përket krahut të majtë unë sot nuk dua të merrem, pasi ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë karshi kësaj force politike. E kemi të qartë pasi shohim se çdo ditë kjo forcë përpiqet të ringjallë figurat e kompromentuara të regjimit totalitar komunist. Nuk janë të rastit të ashtuquajturat kremtime të “70 vjetorit të çlirimit” me shallet e kuq të komunizmit në qafë të udhëheqësve të kësaj force. Nuk janë të rastit shfaqja e portreteve të diktatorit përkrah figurave udhëheqëse të kësaj force. Nuk janë të rastit dekorimet e figurave të tilla kriminale si Fiçor Shehu dhe tani së fundi Vito Kapo nga organizma apo individë të kësaj force. Ato tregojnë më së miri se çfarë përfaqëson në të vërtetë kjo forcë e errët politike që, për fat të keq, ndodhet në krye të shtetit shqiptar.
Shkrimi im ka si qëllim kremtimin e kësaj dite përkujtimore nga forcat e djathta shqiptare. Ndoqëm me vëmendje ceremoninë e zhvilluar nga kjo forcë politike në qytetin e studentëve. Mendonim se në këtë ceremoni duhej të ishin edhe përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, gjë që nuk ndodhi. Asnjë ftesë për Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë që përfaqëson pjesën dërmuese të kësaj shtrese, me degë në të gjitha rrethet e vendit, ku dega e Tiranës, që unë përfaqësoj, ka mbi 9000 anëtarë, një shoqatë që është e vetmja përfaqësuese e vendit në Shoqatën Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit në Europën Lindore me qendër në Berlin. Përse? Harresë apo mosdashje? Le të përgjigjen, po mundën, kush ta ndiejë.
Edhe diçka tjetër, madje kjo është edhe më e rëndësishmja. Në të gjitha fjalimet e mbajtura në këtë ceremoni nuk dëgjuam gjë tjetër veçse elozhet e ngritura në drejtim të kësaj dite. Të kuptohemi. Nuk duam të errësojmë rëndësinë e kësaj ngjarje që ka hyrë në historinë e vendit tonë. Por, si nuk u kujtua ndonjeri nga ligjëruesit të përmendte edhe rezistencën 46 vjeçare që është zhvilluar në vendin tonë? Mos vallë nuk paska patur asnjë rezistencë? Mos vallë përmbysjen e sistemit totalitar e sollën vetëm ato katër ditë të revoltës studentore të vitit 1990. Një interpretim në këtë mënyrë i historisë shqiptare më duket i ngjashëm me atë që kemi dëgjuar për vite të tëra gjatë periudhës obskurantiste komuniste. Kemi parë edhe atëherë fshirjen e figurave qëndrore të historisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me figura të reja sipas oreksit të sundimtarëve. Edhe sot po shohim të ngrihen në qiell figurat e reja, të pasviteve 90-të dhe të lihen në heshtje ato të rezistencës së vërtetët. A duhet vazhduar kështu?
Po e konkretizoj me shembuj konkret. Si nuk u tha gjysëm fjale për Patër Anton Harapin që në gjyqin special të komunizmit, në vitin 1945, do të deklaronte:
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
Ja pra ky ishte ai që etiketa shqiptare i ka vendosur epitetitn “kolaboracionist”.
Si u harrua grupi i deputetëve që guxuan të ngrihenm kundër pushtetit totalitar. Dëgjoni se ç’farë shkruhet në internet për këtë grup”
Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur: “Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t’ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parrulla të ndryshme”. Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm te aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur: “Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu”.
Ja dhe dialogu me prokurorin:
Prokurori: – Çfarë pushteti predikonit ju?
Shefqet Beja: – Ne donim një pushtet me parimet demokratike të Perëndimit.
A e dëgjoni? Qysh në vitet e para kishte zëra që kërkonin dhe u sakrifikuan për një demokraci perëndimore që mundi të arrihet vetëm ne ditët tona.
Si mundet të harrohet grupi i ashtuquajtor i bombës në Ambasadën Sovjetike, një masakër e pa shembullt me 22 viktima të pafajshme, ku krimineli Mehmet Shehu do të deklaronte në mbledhjen e Byrosë Politike:
Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kasaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.
Si nuk foli asnjeri për revoltën e paharruar të Spaçit ku u sakrifikuan katër martirë dhe u ridënuan shumë të tjere, revoltën që nisi më 21 maj 1973 si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, dhe kjo ishte vetëm një shkas për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e tij me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës së rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës. Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, me zhgabën dykrenore të vizatuar nga i paharruari Mersin Vlashi, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; Me dhjetra u gjymtuan. Oraganizatorët u izoluan forcërisht dhe u ridënuan rreptë. Katër syresh Hajri Pasha, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Pal Zefi u pushkatuan me vendim të rrufeshëm. Plotë 18 të tjerë, Bedri Çoku, Luan Koka, Luan Burimi, Kostandin Papaj, Sali Çuni, Shefqet Gjana, Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa, Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Njazi Bylykbashi, Sherif Allamani, Mirash Gjoka, Refik Beqo, Gëzim Çela, Rexhep Lazri e Bebi Konomi, u ridënuan me masa ekstreme.
Si nuk u kujtua asnjë të fliste për revoltën e Qafës së Barit, ku u pushkatuan dy martirë
Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ku u masakrua deri në vdekje Sandër Sokoli dhe u ridënuan Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Haxhi Baçinovski, Vllasi Koçiu, Kostandin Gjordeni, Barjam Vuthi, Martin Leka, Lazër Shkëmbi, Hysen Tabaku dhe Ndue Pisha.
Përmenda vetëm këto raste të reszistencës antikomuniste por ato janë të shumta. Duhen faqe dhe faqe të tëra për t’i përshkruar. Unë mora ato më sinjifikativet. Është pikërisht kjo rezistencë e pakrahasuesjhme së bashku me revoltën e fundit të studentëve që solli përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Ndaj mos i ndani. Mos bini pre e grackës së mentalitetit komunist që gjysmën e shqiptarve i deklaronte “bashkëpuntorë dhe kolaboracionistë” dhe gjysmën tjetër patriot dhe revolucionarë. Mos harroni se ishin pikërisht ata që kishin si parullë kryesore “Për Liri, Për Shqipëri, Për Flamurin Kuq e Zi” nismëtarët e luftës për përmbysjen e sistemit komunist. Secili ka pjesën e tij në këtë luftë.
Ndaj ju themi:
– Jemi edhe ne që sakrifikuam jetët tona, ndaj duam të përfaqësohemi në çdo aktivitet
që një e djathtë e vërtetë zhvillon në vendin tonë. Ne do të na keni përkrah për çdo aktivitet në mbrojtje të një shteti ligjor, të së drejtës së mendimit të lirë, të një demokracie të vërtetë, pasi për atë jemi sakrifikuar. Por nuk duam të jemi një fasadë për vota në raste zgjedhjesh. Duam të jemi një faktor vendimtar, të barabartë midis të barabartëve.
Këtë mos e harroni

Filed Under: Analiza Tagged With: Jemi dhe ne, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, mos harroni, reshat kripa

HIMARA, CAMERIA DHE …Provokimet antishqiptare te Vangjel Dules

December 8, 2014 by dgreca

Provokimet antishqiptare nga Vangjel Dule pjesëtar i pakicës greke në Shqipëri dhe zoti Edi Rama që i tregoj dhëmbët për interesat ton kombëtare!/
Nga Asllan Dibrani/
Vangjel Dules (kryetar i PBDNJ-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë) një njeri i pakicës greke në Shqipëri, një ultra nacionalist . Shpesh provokon integritetin e Shqipërisë përmes një minoriteti fantazmë grek në Shqipëri!?.Toleranca dhe nëpërkëmbja që bëjnë institucionet shqiptare vetvetes pa u penguar ky antishqiptar mbërrini deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë të jetë. Një minoritar që të mohon shtetin dhe sovranitetin e tij , te jetë nënkryetar në Kuvendin e Shqipërisë, është si pasojë e vet lidershipit dhe shqiptarëve në Shqipëri!
Ne Shqiptarët ishim shumë me të mire se sa duhet ,shumë ma tolerant se sa duhet, shumë ma paqësor se sa duhet? . Sepse minoritarëve jo vetëm qe u kemi dhënë të drejta të barabarta, por sipas traditave, zakoneve e kulturës shqiptare i kemi respektuar si miq me shumë se veten, i privilegjuam me shumë se sa duhet si serbët, po ashtu edhe grekët. Nuk e kuptoj se dikush në emër të drejtave të minoritareve po kriminalizojne kushtetutën e Shqipërisë, kombin shqiptar duke zhvilluar një politike antishqiptare, me një politikë të korruptuar duke kërkuar qe me paranë e Evropës , po përpiqen të konvertojnë sa me shumë shtetësi greke në jug të Shqipërisë , pa i marrë në konsideratë shkeljet e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, po edhe te vet popullit çam . Nga kjo rrjedh se si arriti një minoritar si Vangjel Dule të jete në një post aq me peshë në Shqipëri, kur atje cenohen të drejtat e shqiptareve. Le të kujtojmë gjenocidin grek ndaj Çamërisë. I njëjti nxit konflikte në Himarë duke kërkuar të drejta, liri dhe përfaqësim më të lartë për minoritetet (sidomos për minoritetin grek në Shqipëri), kur ai si pjesëtar i minoritetit grek ka arritur të jetë, edhe Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky avaz politik u ndoq edhe në qeverisjen e Salih Berishes që një numër të madh shqiptarësh të komunitetit ortodoks i përvetësuan si grekë Athina zyrtare duke ju ndërruar emra e mbiemra. Siç duket kjo politikë dal nga dal po troket në dyert e zyrtarëve dhe qeveritarëve të Shqipërisë si përballje reale me synimet dhe provokimet serbo -greke të herëpashershme kundër sovranitetit tonë kombëtar me të cilin rast zoti Edi Rama , kryeministër i Shqipërisë ka filluar për se mbari që ta ngreh zërin kundër këtyre hordhive si ne rastin e Beogradit po ashtu edhe për rastin Himara . Ai u shpreh se nuk është problem Himara dhe jemi shembull konkret de fakto dhe de jure që flet se, liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri po respektohen me konsekuencë, në shkallën më të lartë dhe në frymën e reformave, të axhenadës, të ligjeve dhe të standardeve të BE-së, si dhe të së drejtës ndërkombëtare? Zoti Edi Rama Himarën e konsideron si pjese të Shqipërisë sikurse Tropojen, Kukësi, Dibrën Gjirokastrën etj u shpreh ai ne një interpelancës diskutimi kundër … Dule , që po kërkon qiqra në hell, që nuk ekzistojnë…Himara është shqiptare… u shpreh ndër të tjera zoti Rama . Për ta ngrit zërin është për Çamërinë qe konsiderohet në një të ardhme të shkurtër të jetë një problem ballkanik dhe ndërkombëtar.


Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Provokimet antishqiptare, te Vangjel Dules

Ku gabon Dritan Hila në shkrimin e tij “Enveri Ynë”

December 8, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ Nju Jork/
Zëvendës Ministri i mbrojtjes, Dritan Hila, në një shkrim të pak ditëve më parë me titull “Enveri “Ynë”, pas një hyrje disi të gjatë, përsërit ato që janë thënë mijëra herë për “meritat” e Enver Hoxhës si gjatë luftës, edhe pas saj. Nga sa m’u duk mua, rëndësia e atij shkrimi qëndronte te hyrja dhe jo te lavdet për Enver Hoxhën për të cilat ishte shkruar artikulli e me të cilat tashmë jemi mësuar.
Thotë Dritan Hila në hyrje:
“Në Shqipëri gjermanët patën mbi 2 mijë të rënë. Si gjithë humbjet në Ballkan, edhe kjo shifër është modeste. Por në raport me popullsitë respektive, rezultojnë më shumë gjermanë të vrarë nga partizanët shqiptarë se ata jugosllavë apo grekë. Ishte ky fakt që i bindi aleatët e mëdhenj të llogarisnin vendin tonë tek fitimtarët si për kontributin e dhënë në eliminimin e kundërshtarit, ashtu edhe në jetët njerëzore të humbura. Ishte ky rreshtim që nuk mundësoi copëtimin e vendit pas lufte. Nëse kujtojmë se Polonia e sotme ka gati gjysmën e sovranitetit mbi ish- territore gjermane ku shtrihej Prusia e dikurshme, se Hungaria u përgjysmua, Italia humbi Istrian, Japonia humbi ishujt Sahalin, Rumania humbi Besarabinë, se mbi 12 milionë gjermanë të pasluftës u zbuan nga trojet e tyre historike, Istria u shpopullua nga italianët, atëherë kuptojmë sa afër rrezikut ka qenë Shqipëria të pësonte fatin e saj të përhershëm të copëtimit. Është po ky fakt, që tregon sa kriminale dhe dritëshkurtër ishte politika e kuislingëve shqiptarë ku asgjë përveç fëlligështisë së tyre morale nuk e justifikonte aleancën me Italinë fashiste dhe Gjermaninë hitleriane; sa i papërgjegjshëm është ngulmimi i së djathtës së sotme për të ulur kontributin e gjakut të shqiptarëve dhe lotët e pisët për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë nën suazën e Hitlerit….”

Shifra prej 28000 dëshmorësh, përsëritet me mburrje sado herë që afron 29 Nëntori, ditë kur duam t’i japim vlera Luftës Nacional Çlirimtare. Është cinike të përmenden humbjet që i ke shkaktuar armikut, por është budallallëk të mburresh me humbjet që të ka shkaktuar ty armiku e, aq më tepër, kur ato humbje janë krejtësisht të shproporcionuara me humbjet që i ke shkaktuar ti armikut. E ne, mburremi me humbjet që na ka shkaktuar armiku!
Për herë të parë, Dritani jep shifrat e të vrarëve të gjermanëve në Shqipëri dhe me atë shifër ai mburret njëlloj si historianët e tjerë komunistë që mburren me numrin e dëshmorëve partizanë. Dritani thotë se në Shqipëri pati mbi 2 mijë gjermanë të vrarë. Ndoshta kjo shifër është e saktë, sepse del nga një funksionar i lartë i ministrisë së Mbrojtjes, por Dritani nuk i ndan gjermanët në të vrarë nga partizanët, nga forcat e tjera alternative shqiptare antikomuniste dhe nga ata që u vranë nga aviacioni i aleatëve. Megjithatë, le të pranojmë se të gjithë gjermanët i kanë vrarë partizanët komunistë.
Kemi mësuar në shkollë, dhe po dëgjojmë pa ndërprerje edhe sot prej atyre që u ka mbetur ora te Lufta Nacional Çlirimtare, se Shqipëria pati 28000 dëshmorë që ranë në përpjekje për atdhe, dhe s’ka se si të mos të pyesim tashti që na sqaroi Dritani se si është e mundur që nga një anë të ketë pasur 2 mijë të vrarë dhe nga ana tjetër 28 mijë? Sikur nuk shkon, apo jo. Shpëtimin nga ky absurditet mund të gjendet në qoftë se pranojmë versionet e historianëve jo komunistë të cilët thonë:
1. Shifra prej 28000 dëshmorësh, është një shifër e dhënë në nxitim e sipër për nevojat e çastit, nuk është e saktë dhe duhet ulur shumë.
2. Në numrin e 28000 dëshmorëve janë përfshirë edhe viktimat e luftës.
3. Ka pasur një luftë të fortë civile dhe partizanët janë ndeshur më shumë me forca të tjera shqiptare kundërshtare të komunizmit dhe janë vrarë prej tyre, sesa janë vrarë në ndeshje të drejtpërdrejta me gjermanët.
4. Partizanët janë ndeshur më shumë me njëri-tjetrin dhe janë vrarë në atë mënyrë.
5. Partizanët janë vrarë në Kosovë e më tej, duke luftuar edhe kundër shqiptarëve.
Po të pranojmë shifrën që jep Dritani, domethënë, 2000 gjermanë të vrarë dhe 28000 partizanë të vrarë dhe të pranojmë se partizanët kanë luftuar vetëm kundër gjermanëve, i bije që për çdo gjermanët e vrarë, të jenë vrarë 14 partizanë! Pra, del të kemi pasur humbje jashtë çdo standardi që do të justifikonte një luftë dhe Lufta Nacional Çlirimtare del të ketë qenë një vetëvrasje e kotë.
Shumë nga ata që shkruajnë e flasin për Luftën Nacional Çlirimtare si veprën më të lavdishme të popullit shqiptar i janë shmangur dhënies së shifrave për të vrarët e armikut, sepse e kanë kuptuar se dhënia e atyre shifrave krijonte probleme. Dritan Hila.me shifrën që jep të gjermanëve të vrarë, në vend që të vejë vetulla, nxjerr sytë.
Të vijmë tashti te teza hipotetike që e përsërisin pa pushim edhe Pëllumb Xhufi, edhe Paskal Miloja, edhe Arben Putoja, edhe Xhelal Gjeçovi e të tjerë si këta se Shqipëria do të copëtohej pas lufte, në qoftë se partizanët komunistë nuk do të ishin radhitur me aleatët fitimtarë. Dhe Dritani për ta mbështetur këtë tezë, jep shembujt e Rumanisë, Hungarisë, Italisë, Gjermanisë e Japonisë që pas lufte u copëtuan. Dihet se Italia, Gjermania dhe Japonia ishin pjesëtare të Boshtit, ishin ato që nisën luftën, ishin ato që pushtuan vende të tjera, ishin ato që masakruan popuj të tjerë dhe do të ishin ato që me fitimin e luftës do të fitonin edhe territore të tjera, ndërsa me humbjen e saj do të humbnin territoret e tyre. Rumania dhe Hungaria u copëtuan vërtetë, por u copëtuan se ishin të lidhura me aleancë ushtarake të drejtpërdrejt me Boshtin dhe me Gjermaninë naziste, se kishin vënë në dispozicion të ushtrive gjermane ushtritë e tyre dhe ato ushtri kishin marrë pjesë në luftime krahas gjermanëve edhe në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ishte krejt ndryshe. Ajo ishte e ngjashme me Danimarkën e cila pas lufte nuk pësoi asnjë copëtim, madje as Norvegjia nuk pati asnjë copëtim e cila gjatë okupacionit gjerman nxori Kuislingun. Shqipëria, ashtu si Danimarka, nuk lidhi asnjë aleancë me Gjermaninë naziste, ajo nuk i dha asnjë ushtar Vermahtit. Në Shqipëri nuk u krijua asnjë organizatë paramilitare naziste, ashtu siç u krijuan në pothuaj të gjitha vendet e tjera të pushtuara nga nazistët. Shqipëria nuk nxori asnjë ligj nazist, siç bënë shumë vende të tjera. Shqipëria u gjend e pushtuar nga gjermanët e megjithatë qeveria shqiptare ishte qeveria më e pavarur e ndonjë shteti të pushtuar nga gjermanët në atë kohë, duke përfshirë edhe Danimarkën. Ajo në shumë raste nuk iu bind edhe kërkesave, relativisht të themi, të pakta të gjermanëve.
Shqipëria nuk kishte gjasa të copëtohej pas lufte edhe sikur të mos kishte luftuar kundër gjermanëve. Shqipëria u mbrojt fill pas shpalljes së pavarësisë nga fuqitë evropiane që e kishin krijuar edhe kur një pjesa e saj, zona e Shkodrës, ishte pushtuar nga Mali i Zi. Shqipëria nuk u copëtua as pas Luftës së Parë Botërore, kur ajo u shkel nga shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Serbinë e Greqinë, dhe nuk luftoi kundër tyre. Është fakt që Shqipëria nuk u copëtua as kur pas lufte, ajo bëri armiqtë më të mëdhenj të saj pikërisht dy fuqitë kryesore aleate: Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur Britanisë së Madhe, me ndihmën e minave jugosllave, u mbyti anijet e i vrau ushtarët ne Kanalin e Korfuzit.
Për sa i përket gjendjes së Shqipërisë pas lufte, ajo u copëtua vërtet, asaj iu hoq Kosova. Ndoshta Kosova do t’i hiqej Shqipërisë si të luftonin si të mos luftonin partizanët shqiptarë kundër gjermanëve; si të donin, si të mos donin shqiptarët ta lëshonin Kosovën, sepse ashtu ishte vendosur në Londër, qysh në vitin 1913, kur u krijua Shqipëria si shtet, por është e pafalshme që, për t’ua bërë më të lehtë serbëve marrjen e Kosovës, Enver Hoxha çoi në Kosovë ushtritë e tij, të cilat derdhën aty gjak shqiptari. Dhe, jo vetëm Kosova iu dhurua në atë mënyrë Serbisë, por për pak do t’i ishte dhuruar edhe vetë Shqipëria nga politika e vasalit të Titos, Enver Hoxhës, po të mos ishin prishur, për fatin e Shqipërisë, Stalin me Titon.

Nju Jork, nëntor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: “Enveri Ynë”, Dritan Hila, Ilir Harshova, Ku gabon, në shkrimin e tij

HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT TË KUJTON SKANADALET BANKARE NË SHQIPËRI

December 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri këto gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur dy krime ekonomike të nivelit më të lartë shtetëror. Vrasja e drejtorit të Credins Bank Artan Santo dhe vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar, që u shoqërua me arrestimin e Guvernatorit dhe të disa zyrtarëve të këtij institucioni.
Deri tani shteti shqiptar nuk ka zbardhur asnjë nga këto krime, të cilat duhet t’i zbardhë me çdo kusht. Asnjë investitor i huaj nuk ka siguri të vijë në Shqipëri, nëse vendi nuk garanton shtetin ligjor. Shtet ligjor i dënon shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh postet e larta që ata mbajnë, prandaj thuhet se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
Megjithë pengesat, barrierat, vështirësitë, gjithçka duhet të jetë e tejkalueshme, sepse në një sistem demokratik, shteti i së drejtës duhet të triumfojë. Ne të gjithë duhet të besojmë se në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë shtetarë të aftë e të ndershëm që ta kryejnë me devocion detyrën ndaj shtetit dhe qytetarit. Sepse ndryshe sistemi demokratik do të degradojë në sistem mafioz.
Këto ditë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin – “Qualunque cosa succede” –Çfarëdo që të ngjasë-, një miniseri televizive kushtuar Giorgio Ambrosolit. Një film kushtuar po Ambrosolit, me titullin “Un eroe borghese“, mban firmën e Michele Placidos.
Po kush ishte Giorgio Ambrosoli? Duke cituar Carlo Azeglio Ciampi, ish-Presidentin e Italisë « Giorgio Ambrosoli ishte një qytetar italian në shërbim të Shtetit, i cili thjeshtësisht dhe normalisht kreu detyrën». Ndërsa në fjalët që motivojnë Medaljen e Artë të Vlerave Qytetare midis të tjerave thuhet se “Giorgio Ambrosoli ishte shembull i shkëlqyer i sensit të lartë të detyrës dhe të integritetit moral absolut, deri në sakrificën ekstreme”.
Më thjeshtë, Giorgio Ambrosoli ishte një avokat profesionist me kompetenca, shumë i aftë dhe i ndershëm që sakrifikoi jetën për hir të vlerave të shtetit ligjor.
Pas crack-ut të Bankës Private të Italisë, Giorgio Ambrosoli emërohet në shtator të 1974 prej guvernatorit të atëhershëm Guido Carli komisar likuidues i kësaj banke, me qëllim hetimin e situatës ekonomike, ku dyshohej për krim ekonomik. Siç rezultoi, në këtë aferë mafioze kishte përfshirje të politikës, eksponentëve të financës së lartë, deri të figurave të Vatikanit si dhe mafies siçiliane këtej e përtej oqeanit, do me thënë në SHBA, që e kishin kthyer Bankën Private të Italisë në një kupolë të krimit të malavitës dhe shtetarëve të korruptuar.
Duke qenë se fjala ishte për fitime me miliona e miliona dollarë, Giorgio Ambrosoli merr sinjale kërcënimesh menjëherë sapo emërohet dhe pesë muaj pasi kishte marrë detyrën, në shkurtin e vitit 1975, i ndërgjegjshëm për situatën kritike, ai do t’i shkruante një letër së shoqes, ku i linte amanet rritjen e fëmijëve. Në fakt, ajo që priste do t’i vinte 4 vjet e sa më vonë, në 12 korrikun e 1979, kur ai gati e kishte mbaruar detyrën që kishte caktuar vetes, të paraqiste prova të mjaftueshme kundër Michele Sandonan, pronarit kryesor të Bankës Private të Italisë që kishte shumicën e aksioneve. Sandonan drejtësia do ta dënonte me burgim të përjetshëm, me akuza të provuara për veprimtari kriminale mafioze dhe si mandant (porositës) i vrasjes të Giorgio Ambrosolit.
Që kur e mori detyrën e deri në vrasje, Giorgio Ambrosoli pati pak mbështetës nga ana e shtetit, aq sa dukej sikur shteti mbante anën e mafies. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e guvernatorit të Bankës të Italisë, Paolo Baffit, i cili kishte zëvendësuar Guido Carlin dhe të Mario Sarcinellit, që atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës së Italisë dhe përgjegjës për mbikqyrjen e bankave të kreditit.
Për t’i dhënë goditjen përfundimtare Giorgio Ambrosolit, drejtësia e kapur italiane, në marsin e 1979, vetëm katër muaj përpara vrasjes, arreston edhe të dy mbështetësit e tij, Guvernatorin Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli, që akuzohen nga Prokuroria e Romës për shpërdorim të detyrës dhe favoritizëm personal. Sarcinelli u arrestua dhe doli nga burgu vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa Baffit iu shmang burgu për shkak të moshës.
Arrestimi i dy figurave të shquara të botës të financës u prit me indinjacion të thellë dhe manifestime solidariteti, ku vlen të përmendet një apel publik i firmosur nga 147 ekonomistë nga më të famshëm të Italisë. Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli dolën të pafajshëm, por Baffi nuk pranoi më të vijonte detyrën e Guvernatorit të Bankës të Italisë, të cilën pas tij në gushtin e 1979, vetëm një muaj pas vrasjes të Giorgio Ambrosolit, e mori Carlo Azeglio Ciampi, i cili në vitin 1999 për dy mandate rresht, do të ishte Presidenti i Republikës Italiane.
E tregova këtë histori e cila ka shumë ngjashmëri me aktualitetin shqiptar, sa i përket krimit ekonomik, për të treguar se lufta kundër shkelësve të ligjit nuk ka lindur as sot dhe as dje, se kjo luftë është permanente dhe ku fitues duhet të jetë gjithmonë shteli ligjor dhe qytetari, pavarësisht bindjeve politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT, ne Shqiperi, SKANADALET BANKARE, TË KUJTON

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 856
  • 857
  • 858
  • 859
  • 860
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT