• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAPJA E DOSJEVE :”NJERËZIT E MIRË JANË TË GJYKUAR TË BËHEN SKLLEVËR TË TË KËQINJVE”

December 16, 2014 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
1. Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve, thotë S.Frashëri.Kuptimi filozofik i kësaj urtësia është i lidhur me çështjen më të debatuar në 20 vjet nëpër kafene,seanca parlamenti,këshilli bashkiak,kuvendi partish,grupim shoqatash e gjithë farë bashkimi që është krijuar në këtë vend si dhe jo pak i ndjerë e i prekur nëpër familjet shqiptare ,pra hapja e dosjeve të spiunëve të sigurimit të shtetit shqiptar. Në dimensione të kohës është përsëritja ,histori 20 vjeçare tipike shqiptare ku gjithë secili hedh nga një urë zjarri që shërben për të mbuluar misterin ose heq nga një gur për të zbuluar të vërtetën. Dihet ,që regjimi që përshkoi 50 vjet jetë në Shqipëri krijoi dhe ngriti një sistem të sofistikuar një armatë të tërë ,për të mbajtur gjatë qoftë edhe duke u zvarritur, por në këmbë pushtetin e dalë nga lufta e dytë e përbotshme. Historia e krijimit të dosjeve dhe mekanizmi i veprimit të saj janë të njohura dhe të panjohura,mirëpo ajo që e mundon rëndshim këtë popull është mos hapja e dosjeve. “Sinqerisht, të gjitha palët duhet të merren me të tashmen dhe të ardhmen kështu që zgjidhja jonë është vetëm kjo:… Hapni dosjet,”tha
S. Burany, një socialist i cili e ka hartuar legjislacionin dhe beson se dokumentet mund të verifikohen për të mbajtur spiunë aktuale të sigurt dhe për të ndaluar materiale të ndaluara. Që nga viti 1997, vetëm një pjesë e dosjeve të policisë së fshehtë të Hungarisë ka qenë e hapur, bazuar në shqyrtim individual nga stafi i arkivit, për njerëzit që i frikësohen ata që ishin spiunuar,thotë në një artikull të datës 30, January 2005 Christine Spolar,në Hungary’s ex-insiders ëant spy files opened botuar në Chicago tribune.
Në diskutim janë oxhaqet e dosjeve të tjera në arkivat e shtetit, nga tri degët e sigurimit, që përmbajnë emrat e bashkëpunëtorëve nga i gjithë vendi prej 10 milion njerëz. Kjo Hungari, më shumë se 15 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, vazhdon të luftoj me të cilët duhet të jenë në gjendje për të lexuar çdo gjë që është e fshehur në milionat e faqeve të dokumenteve me emrin e koduar flet vëllime për vështirësinë e duke u përpjekur për historinë e djathtë pas dekadash diktaturës.Shqetësimet e saj rezonojnë nëpër një rajon të Evropës së re, ku shumë vende ish-komuniste kanë tentuar të vë në dukje ish-bashkëpunëtorë.Gjermania Lindore, e cila kishte një aparat më brutale të sigurisë, ishte i pari për të lejuar qasjen e publikut në dosjet e saj të sigurisë. Çekosllovakia, e cila më vonë u ndanë në dy vende, i hapi dosjet për të penguar ish-spiunë nga postet publike. Sllovakia, pas pavarësisë nga çekët, në 1993.Polonia dhe Hungaria u përpoqën për të mbrojtur dosjet e tyre në ditët e pasigurta të tranzicionit demokratik por trajtoi një llogaritje të madh dhe metodike në fund të viteve 1990. Në vitin e kaluar, Sllovakia ka postuar numrat në dosjet dhe emrat në një faqe Ëeb.Në kohën e trazirave të kohës komuniste, grupet perëndimore e të drejtave të njeriut kritikuan vendet e reja të lira për hapjen e dosjeve, me shumicë, nga frika se të pafajshmit do të nga akuzoheshin dhe se të dhënat janë jo të besueshme dhe të dyshimta në dokumentet. Megjithatë, për Lindore evropianët të cilët donin një kompensim për vite të tiranisë, thotë reporteri i gazetës të cituar më sipër. Përpjekje e Hungarisë me “lustrimin” – një fjalë aplikuar për hapjen e dosjeve që rrjedh nga një term latine për pastrimin – ka qenë larg nga të kënaqshme për disa që kërkojnë ndëshkim.
2.
Aso kohe,viti ‘93 si date ndërkaq orën nuk e kam të memorizuar në kujtesë kur policia ato ditë po imbarkonin thasë me dosjet e krijuara gjatë 50 vjetëve në Vlorë për tu dërguar në kryeqendër të vendit. Brenda asaj sasie të madhe thasësh linë, dremisin prej vitesh qindra histori ,të mbuluar me pluhur ku deshifrimi pra kërkonte pikë së pari vullnetin politik të mazhorancave, që këmbenin karriget në pushtet, por kurrsesi asnjë nuk pranonte faktin, që historitë e shkruara brenda atyre dhjetëra tonë letër e bojatisur e sajdisur me shkrimin duhej të shfaqeshin,pra të kalonin nga errësira e bodrumeve në dritë të diellit. Pak përpara ardhjes së dimrit të parë imbarkimi morri fund dhe dosjet përfunduan në kryeqendër të vendit në pritje të fatit të tyre me histori, që tashmë ishin vjetruara shumë,ngase edhe vitet vjetroheshin akoma më shumë. Ç’praj asaj kohe, dosjet filluan të përdoren politikisht, ndërkaq mediumet shqiptare tronditin mijëra shpirtra ndërsa tregonin pjesë nga dosjet, që nuk dihet si kanë përfunduar në dorën e tjetër kund pa ligj. Mirëpo dhe vitet ndërsa rrëzoheshin para syve ,aq sa edhe urat që na kanë nxjerrë në limane,u rrëzuan dosjet shqiptare si historia jonë e ndërtuar në 50 vjet nuk u hapën kurrsesi.
3.
Çfarë bënte me dosjet një nëpunës i shtetit apo si formulonte ato, një miku im që tash nuk rron më,rrëfen bukur te:”Gjenerali i dosjeve”.
“Brenda vitit Zihniu u be specialist i vërtetë kuadri. E njihte kuadrin emër për emër, po jo fytyre për fytyre. Atij i duhej jo kuadri vetëm, po dosja e tij. Jo njeriu, po hija e tij. Jo puna konkrete, po biografia përkatëse. Jo si ish ai në të vërtetë, po ç’thoshin dhe ç’shkruanin të tjerët për te. Pra kriteri kryesor për vlerësimin e kuadrit ishte biografia, jo puna. Zihniu pothuaj s’i lexonte fare karakteristikat e punës për secilin. Gjithnjë ato ishin te mira ose shume te mira. Njerëzit qe s’kanë biografi te mire, mendonte ai, punojnë nga frika e transferimit për me keq apo pushimit nga puna, qe vazhdonte ne mënyrë te përhershme, po jo gjithnjë me te njëjtin intensitet dhe rreptësi. Me pak se çdo gjë tek kushdo ai njihte dhe vlerësonte anën njerëzore. Ai nuk mund ta kuptonte dhe ta besonte se dikush punonte mire nga pasioni për punën, nga dashuria për nxënësit, profesionin, lenden. E shumta ai këto i quante kritere te pranueshme për Bashkimet Profesionale për te ndare pakot e Vitit te Ri. Shkurt. Njeriu është dosja e tij… Sipas kriterit klasor, qe sipas tij ishte i vetmi kriter i drejte dhe i plote. Ai armatën e madhe te arsimtareve, si gjeneral i tyre qe ishte, e ndau ne tri pjese te mëdha. Arsimtare qe aktualisht punojnë e duhet te punojnë vetëm ne qytet, vetëm ne fshat apo sipas rastit edhe mundësisë, edhe ne qytet edhe ne fshat. Te paret ishin te privilegjuarit, komunistet, fëmijët…
Dhe ca më poshtë Y.Bora thotë:” Nga dosja ime. Na fal, poet, se te lashë për ne fund. Pa fillo na rrëfe sinqerisht biografinë tende, se te gruas tende e di unë me mire tashti. Shkurt se s’kemi kohe. Sot gjerat kryesore sa për t’u njohur… Pooo, lindur me…. ne… fshat, pooo, prandaj duhet te shkosh ne fshat familjarisht. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare, jooo, s’je treguar i sinqerte, ke qene familje e pasur feudo-borgjeze, vete me ke thënë ne konfidence, ke pasur dhe dyqane ne qytet, shtëpi dykatëshe, makine. Nga na dole fshatar i mesëm ti i dashur poet. Na dashke te punosh edhe burrë e grua ne qytet. Pa vazhdo, vazhdo me poshtë… Futu ne Luftën Nacionalçlirimtare. Ç’qëndrim ka mbajtur familja jote?… “Ne përgjithësi familja ime ka mbajtur qëndrim te mire gjate Luftës Nacionalçlirimtare, me përjashtim te babait tim, i cili për një periudhe te shkurtër kohe mori pjese me Ballin Kombëtar…” Mjaft poet, kaq me duhej. Te tjerat m’i thuaj njëherë tjetër, se s’kemi kohe… Kam tre mije e dyqind dosje për t’u njohur me to. Një ushtri e tere me arsimtare te qytetit e te fshatit. Dhe mori një dosje radhe…
… Kaluan kështu edhe dy vjet. Unë për “pune te mire” vazhdoja punoja ne fshat. Edhe Zihniu po për “pune te mire” kaloi nga inspektor i arsimit ne inspektor kuadri per arsimin. Une po largohesha gjithnjë e me shume nga rrethi im shoqëror intelektual i qytetit dhe po i afrohesha atij te fshatit. Duke mos botuar dot asgjë, ne heshtje u përjashtova nga Dega e Lidhjes. Një përjashtim ne heshtje, një përjashtim qe te mos dukej si përjashtim, te mos kishte diku ne një sirtar vendim për përjashtim, qe te mos kisha te drejte te ankohesha diku… për përjashtim. Po njëkohësisht i përjashtuar te isha. Realisht te mos botoja dot poezi, por po te ankohesha për një gjë te tille, te me jepej përgjigja sikur e kisha ketë te drejte, po përsëri te mos botoja dot poezi… Një rebus i pashembullt. Një mënyrë trajtimi tepër e sofistikuar. Njerëzve t’u duket sikur kane… Ose te paktën t’u duket sikur do te kenë ne te ardhmen, ndoshta deri ne fund te jetës se tyre. Njerëzit te mos kenë pune dhe t’u duket sikur puna s’u mungon, megjithëse nuk firmosin ne asnjë bordero. Fëmijët e tyre te kenë te drejte te shkojnë ne shkollat e larta, po realisht te mos lejohen te hyjnë ne auditorët e tyre, për arsyen e vetme, se s’kanë emrin ne liste… Njerëzve t’u duket sikur kane rroga te larta, pavarësisht se s’kanë as te ulëta… Shumica e popullsisë te vuajnë tmerrësisht nga lufta e klasave, po çdo rast konkret te trajtohet si i veçante, qe s ‘duhet përgjithësuar, si gabim qe s ‘duhet
përsëritur, si devijim i korrigjueshëm nga “Uji lart rrjedh i kulluar, po poshtë turbullohet”… e megjithatë çdo gjë te ndodhe si me pare, te përsëritet po ashtu, me këmbëngulje, me kokëfortësi, me ashpërsi me te madhe, vetëm me një kusht. Çdo gjë qe ndodh te mos duket e drejtuar nga një dore e vetme Zeusi. Ne pegjithesi te duken sa me pak duart e atyre qe drejtojnë, qe sundojnë, qe shtypin, gënjejnë, shpifin, falsifikojnë, plagosin, vrasin dhe rivrasin pa gjak viktimat e tyre te pafajshme.
… Kur Zihniu mori çelësin dhe hyri për here te pare ne zyrën e kuadrit, iu duk sikur mori komandën e një ushtrie te tere. Ushtrie te dosjeve. Kjo ishte një ushtri e rregullt, e disiplinuar, e rreshtuar, e futur neper dosje individuale, e lidhur mire dhe e gazermuar neper kuti metalike te lyera ngjyre vaji si arkat e fishekëve ne repartet e vërteta ushtarake. Dukej qe ish një ushtri e mbajtur mire dhe e mësuar me urdhra. U kthye dhe pa dhomën e rregullt rreth e rrotull. E pëlqeu. Dhoma e ngushte, po e mjaftueshme për kaq ushtri. Këtu ishte vetëm armata e arsimtareve te qytetit dhe fshatit, bashke me familjet dhe te afërmit e tyre. Prindërit, vëllezërit, motrat, tezet, hallat, hallet… Dajot, xhaxhallarët, te cilët mund te ishin me kleçka biografie dhe te jepnin dore qe kur te doje te plagosje apo te vrisje nipërit apo mbesat e tyre.

4.
Dosjet duhen hapur për të mbyllur një herë e mirë dhe gati përgjithmonë një plagë që ka vite e mahisur dhe ka vite, që ka qelbur krejt shoqërinë tonë. Hapja e dosjeve do të shpëtojë një shoqëri të tërë të mbërthyer në makth. Nëse një grup nismëtarësh të djathtë paraqiten një projekt në kuvend , mund të them se rrezja e tij është shumë e gjerë dhe prek mjaftë shtresa. Mirë do të ishte që gjithsecili të shikojë dosjet e tij për të mësuar gjithçka çfarë është shkruar nëpër fletët bardhë e zi ,prapa shpine për të njohur miqtë e vërtetë dhe armiqtë. Por duke bërë kujdes për të shmangur tragjeditë. Një i njohuri im ka punuar me dosjet në fillim të viteve ‘90 më ka shpjegonte se aty gjendet gjithë xhevahiri i ligësisë,kur të gjithë spiunonin të gjithë nga brenda familjes,në punë,ndërmarrje, lagje,mëhallë,fshatë, katund. Çdo të ndodhte nëse hapen fletët e zverdhura ku gjendet gjithë kjo kuturbirë dhe del në dritësim?A do të përmbajnë dot vetën të prekurit nga gjithë kjo padrejtësi?Për të hapur dosjet duhen mirëzgjedhur një ligj nga shtete që kanë kryer më parë këtë proces dhe në radhë të parë me konsensus të gjithë palëve të politikës.
Kategoritë, që mund dhe duhet të përfshihet dhe hapja e tyre të bëhet për politikën dhe medien dhe për të gjithë nivelet e administratës shtetërore,që paguhen me taksat e qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Llojdia, HAPJA E DOSJEVE :”NJERËZIT E MIRË, JANË TË GJYKUAR, TË BËHEN SKLLEVËR, TË TË KËQINJVE”

Marshe urrejtje për Dhjetorin e 90-tës apo kenge malli dhe dashurie per sigurimin !

December 15, 2014 by dgreca

(Replike me Sigurimin e Shtetit)/
Nga Bislim AHMETAJ/
Këtë vit si asnjëherë më parë në këtë çerek shekulli, një grup i njohur shkruesish i është vërsulur Dhjetorit 90 për ta deheroizuar, për “t’ia nxjerrë të palarat” në shesh. Për ta ligshtuar, për ta neglizhuar, për ta barazuar me asgjënë, për ta nënshtruar, për ta barazuar me hiçin me vetën e tyre të mbuluar me pluhur, me harres, me turp , me krim dhe përbuzje. I bindur se për majat e larta të historisë së vendit tonë do të gjenden gjithmonë baltëhedhës , mendje e këmbëshkurtër, nuk do të kisha marrë mundimin t’u përgjigjesha apo të polemizoja me ta. (A nuk na e kanë sharë deri edhe Skenderbeun? A nuk e quanin edhe nënë Terezën, “shtrigë të Imperializmit”?) Ajo që më bëri më shumë përshtypje është se duke hedhur baltë mbi Lëvizjen Studentore, ata shkruesit e specializuar në zyrat e errësirës glorifikuan pothuajse në kor Sigurimin e Shtetit. Ky glorifikim i masakruesve të shqiptarëve, i vë ata në krahun e Sigurimit, kundër Lirisë së Shqiptarëve. Ky është dhe ndoshta ka qenë gjithmonë pozicioni i tyre. Në këtë kohë rilindjeje të fjalorit e veprave të dhunës, burgjeve, arrestimeve, në këtë periudhë minash e dinamiti, në këtë ringjallje të brutalitetit shtetëror,në këtë ringjallje të simboleve të diktaturës dhe diktatorit ishte e pritshme që hijet e tulatura deri dje të Sigurimit, të ringriheshin përkrah Partisë që i lindi e i farkëtoi.
Misioni: Deheroizimin e dhjetoristëve, Paraqitja e Dhjetorit si vepër e Sigurimit dhe liria e shqiptarëve si derivat i mençurisë së PPSh-së, dhe bijës së saj me emër të ri, PS-së. A e imagjinon kush një intelektual apo gazetar gjerman duke e quajtur rënien e Murit të Berlinit, si vepër të KGB-së, apo Stas-it!!!
Pse e bëjnë? Për t’i hyrë në qejf Partisë që themeloi Sigurimin e Shtetit sipas mësimeve të armiqve më të mëdhenj të kombit shqiptar serbëve e rusëve? Për të poshtruar një grup ish studentësh që dhanë gjithçka në dhjetor 90, e deri sot, deri edhe jetën e tyre për të çliruar Shqipërinë nga diktatura? Për t’u spikatur si “vizionar”? Si njerëz gjoja të mendjes e të vizionit, që kanë të drejtë të dyshojnë në gjithçka? Apo se janë “thirrur nën armë” si kontigjent në rezervë i ish Sigurimit?
Duke refuzuar me neveri sulmet e tyre, në emër të grupimit civil që drejtoj, një grupim njerëzish të lirë e ish studentësh liberator u bëj thirrje ta ribotojnë organin e tyre “Në (ri)Sherbim të Popullit” të dalin haptas kundër lirisë së fituar! Shkrimet e tyre janë të denja për kryetituj të numrit të parë, të ribotimit të asaj reviste propagandistike të Sigurimit.
Me keqardhje për këto sulme të padenja e aq më pak të nevojshme.
*Kryetar I Grupimit “Dhjetor ‘90”(Kortezi:Panorama)

Filed Under: Analiza Tagged With: bislim ahmetaj, dhe dashurie, kenge malli, Marshe urrejtje, për Dhjetorin e 90-tës apo, per sigurimin !

“MUHAXHIRËT” E FAIK KONICËS

December 15, 2014 by dgreca

Noli ka thënë: Ne shqiptarizmën e mësuam nga Faik Konica./
Nga KOLEC TRABOINI/
Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën?! Lexova me shumë vëmendje shkrimin e Konicës ” Muhaxhirët” botuar në nr.8, faqe 21 të revistës së vet “Albania” 1901 ndryshe nga se shkruhet nga disa në median elektronike me një pasion mohues e me ndjenjë revoltuese për gabimin e”madh” Faik Konicës, duke u kapur pas shprehjes se “edhe të mëdhenjtë gabojnë”…- ju ktheva shkrimit sërish e sërish dhe nuk po e kuptoja se ku qënka ky gabim i të madhit që…”edhe gabon”. U përpoqa të jem edhe unë “kritizer” por ngado që e vërtita pozicionin tim, shkrimin “Muhaxhirët” nuk munda ta konsideroj kurrsesi një shkrim antishqiptar. Mendoj se ka ngutje në gjykimin e atij shkrimi dhe të mesazhit që përcjell autori tek lexuesit e vet këtu e një shekull më parë. Gjithashtu nuk shoh që ata të cilët e konsiderojnë shkrimin si antishqiptar, të kërkojnë ti referohen kohës kur është shkruar, rrethanave, shqetësimeve apo ngjarjeve të kohës, po fundja kujt i drejtohej me këtë stigmë. Më duket se ata që po duan ta e vënë përposhtë me kritika Konicën nga pozita fanatike, nisën nga sedra e tyre e besimit mysliman. Është krejt gabim që në gjykimin e një shkrimi të nisësh nga pozitat e besimit tënd. Duhet të jemi realist dhe të mos e fusim fenë si institucion në këtë mes. Në shkrimin e Konicës nuk është fjala për fenë si besim, por për individ apo grupe njerëzish që vinin në Shqipëri me qëllim që të bënin propogandë në dobi të pushtuesve otomane, ti bënin shqiptarët besnikë të verbër, dhe e lidhnin besnikërinë ndaj besimit me besnikërinë ndaj portës së lartë. Kjo kategori njerëzish, mish i huaj për mjedisin shqiptar tolerant, ishin një pengesë e madhe për zgjimin e ndërgjegjësimin e popullit. Ata kërkoni që edhe më tej ti mbanin shqiptarët të lidhur pas qerres së Stambollit e cila aso kohe ndjehej se do të merrte rrokullimën historike. I shqetësuar nga lajmet që vinin prej atdheut, Faik Konica merr penën e i stigmatizon muhaxhirët, siç i cilëson ai, ata sipas Konicës janë të huaj, nuk janë shqiptarë. Dhe në qofshin disa syresh shqiptarë nga origjina, ishin vegla qorre të pushtuesve. Ka që fjalën muhaxhirë e keqkuptojnë me fjalën mërgimtarë, por nuk është ashtu. Faik Konica me fjalën muhaxhirë nuk kishte parasysh mërgimtarët, emigrantët, sepse edhe vetë ishte mërgimtar.Ai nuk mund të konsideronte muhaxhirë mërgimtarët shqiptarë nëpër botë, si ta zëmë ata të kolonisë shqiptare të Bukureshtit apo Misirit që ishin bërë vatra të zjarrta atdhetarie. Me fjalën muhaxhirë ai ka parasysh misionarët ardhacakë e që fanatizonin e përçanin popullin, që bëheshin pengesë për punën e mëmëdhatarëve rilindas. Faik Konica që në krye të shkrimit të vet bën një sqarim se është fjala për ata që po lënë vendin e tyre e po na vinë në Shqipëri… që vijnë e bëhen spijun të qeverisë,….që fusin shqiptarë në burg…. e në fund konkludon se ….duhet të ishin çuar në Anadoll. Pra e përsëris është fjala për ardhacakë e jo për vendas. Është fjala për tradhëtarë. Është fjala për spiun të qeverisë turke. Ku e gjeni antishqiptarizmin e Konicës, ju lutem! Jo vetëm që stigma “Muhaxhirët” është një shkrim me frymë atdhetare por shkrimi më duket edhe aktual. Pse harruam kaq shpejt sa e sa muhaxhirë e sa e sa shoqata gjoja bamirëse fetare u shfaqën, e sa ndër to ishin vegla të organizatave terroriste. Harrojmë se terroristët që u zbuan nga Shqipëria në vitet ’97-98 ndonjë madje shkoi në litar në vendin e vet, siç është rasti i dy egjyptianëve. Le të sjellim një përqasje historike të shkrimit të Konicës me çfarë ngjau në vitet e para të demokracisë në Shqipëri. A mos është sot ndonjë shprehje shqiptarizmi po të shkruash se kushdo që vjen në Shqipëri si misionar i fshehtë( muhaxhirë pra) , a që gjëndet në Shqipëri dhe e ndjen vetën të huaj, që punon për agjentura të huaja nën etiketën shoqërive bamirëse, apo firmave pseudo tregtare, ngado qofshin, por veçmas ato nga Lindja a Afërme dhe e Mesme, Arabi Saudite, Siri, Libi, e co. që kanë tendencë për radikalizimin e fese, duhen çporruar. Të shkojnë ku të duan, në tërë hapsirat e botës por jo në Shqipëri. Më duket se mesazhi që sjell Konica është aktual. Ti thërrasim mendjes. Të mos e përdorim fenë si casius beli për të krijuar përçarje, e mos o zot, gjakderdhje në mes të shqiptarëve. Dhe ata që llomotisin gjithë ditën për të mirat që na kanë sjellë pushtuesit, mjaft më se jeni bërë vërtetë të neveritshëm. Pa le kur një historian na thotë se “ne me turqit e sunduam Ballkanin për pesë shekuj”. Çfarë çmendurie. Çfarë njerëz me lëkurë të shitur në Anadoll. Nuk ka pushtues e pushtim që i sjell lumturi një populli, veç në qoftë ky një popull urithësh të cilët nuk ja ndjejnë nevojën dritës. Nuk ka qënë kurrë Faik Konica antishqiptar. Ka qënë antitradhëtar. Ka qënë antifanatik. Ka qënë kundër atyre që kërkonin ta shkatrronin kombin e nuk donin ta linin që Shqipëria të shkëputej prej kthetrave grabitqare të sulltanëve të Stambollit. Ka qënë modern. Ka përçuar idetë e qytetërimit perëndimor sepse tek ajo shihte të ardhmen e popullit shqiptar. Nëse Lindja, në vitin 1901 kur e ka shkruar shkrimin, do të ishte më e përparuar, padyshim do të predikonte lindjen. Faik Konica ka qënë i vërtetë. Ka qënë realist në gjykimet e tij. Përjashto afrimin me Zogun, që ka qënë një afrim për mjete jetese e jo për shkak të ideve, të cilat i kishin të kundërta, nuk gjen ndonjë qëndrim inkoseguent në jetën e tij prej mëmëdhetari. E sot na del një zë e na thotë se shkrimi i tij është antishqiptar. A mos po rifillojmë ta dënojmë Faik Konicën, burrin më të madh të pavarësisë, siç e dënoi regjimi i komunistëve fanatike Hoxha, Shehu, Kapo? Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën i cili prej të gjithëve është konsideruar babai i shqiptarizmës. Para se Konica të shkonte e të hapte revisten “Albania”në Londër kurrkush në Europë nuk i vinte në hesap shqiptarët në të drejtën e tyre për autonomi, se për pavarësi as që mund të mendohej. Më tepër respekt për Konicën, ju lutem. Duhet të mendojmë thellë para se të flasim një fjalë për të. Fjalë të rëndë kurrsësi. Këtij kombit tonë nuk i lindin përditë njerëz si beu madh i Konicës, burri më mendjendritur ndër shqiptarët e kohës së vet, për të cilën edhe Noli i madh e pranonte se ishte mësuesi ynë i shqiptarizmës.

Filed Under: Analiza Tagged With: “MUHAXHIRËT”, e Faik Konices, Kolec Traboini

NJË ÇMIM I MERITUAR, NJË SFIDË E FITUAR

December 15, 2014 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/
Ditët e fundit Juria e posaçme për letërsinë e Ministrisë së Kulturës i dha çmimin e vitit 2014 Prof. Gulielm Dedës, për përkthimin e poemës madhore “Orlandi i Çmendun” të Ludovik Ariostos. Edhe se i ndjeri përkthyes nuk arriti t’a marrë, në të gjallë të tij, këtë kënaqësi tejet të merituar, këtë vlerësim të lartë që kultura zyrtare i blatoi, për t’afërmit, miqtë, shokët, bashkëvuajtësit dhe amatorët e letërsisë ai vendim përbën një gëzim të madh.
Komisioni dhe Ministria, në rastin konkret, duhen përgëzuar për dy arsye : e para se kanë çmuar një përkthim të një cilësie spikatëse të një vepre, nga më të shquarat e letërsisë klasike italiane, dhe e dyta, e më e rëndësishme, sepse në vendimin e marrur nuk është mbajtur në konsideratë politika, me të gjitha dogmat e paragjykimet e saj të trashëgimisë komuniste. Nuk do të ishte një gjë për t’u shënuar kjo ngjarje, nëse i ndjeri profesor do të kishte qënë një intelektual i lënë të punonte në profesionin e tij, si disa të tjerë, edhe se i mbikqyrur e i privuar nga çfarëdo privilegji që gëzonin intelektualët e regjimit.
Gulielm Deda u konsiderua nga regjimi komunist, kundërshtar në mendime i të cilit Ai ishte që në rini të tij, një armik me A të madhe, duke pësuar në gjithë jetën e tij pasojat e dhunës policore. I dënuar me pesë vjet burg në vitet e para të diktaturës, u pasua me një jetë të tërë internimi e pune të rëndë në ndërtim apo bujqësi. Në këta vite të gjata stërmundimi fizik e brengosjeje të pandërprerë shpirtërore, ish studenti i njërit nga universitetet më të vjetër e më të famshëm t’Italisë e t’Evropës, atij të Padovës, gjeti forca në vetvete për të punuar me ngulm, me pasion e me entuziazëm djaloshar, për të shqipëruar “Orlandin e çmendun”, nji poemë 40.000 vargjesh e cila, simbas kritikut më të shquar të letërsisë italiane, Françesko de Santis, “për shkëlqimin artistik është puna më e përsosur e imagjinatës italiane dhe për kuptimin e thellë të ironisë së tij një shtyllë ndriçuese e historisë së shpirtit njerëzor”
Kam patur fatin të jetoja me Të në një gazermë beqarësh, në sektorin e Plukut të N.B. “29 nëndori” të Lushnjes, e të isha dëshmitar i një pune titanike që përkthyesi bënte çdo mbrëmje në kushte absolutisht të pamundura edhe për një durim prej Jobi e një vullnet prej Prometheu. Mbas një dite pune të lodhëshme, duke shtyrë karrocën me llaç, beton, tulla apo gurë në ndërtimin e stallave të lopëve të fermës, Lemi (kështu e thërrisnim të gjithë) ulej në shtratin e tij me një laps e një fletore me vija duke mbajtur përpara tekstin italisht dhe një fjalor italisht – shqip të Fulvio Cordignanos. Ishte viti shkollor 1959 – 1960 dhe un ndiqja vitin e fundit të gjimnazit. Si tani më del para syve të mëndjes ai burrë fisnik e shpirtmadh që, në një zhurmë të pazakontë njerëzish të lodhur e të pashpresë që mundoheshin të gjenin në lodrat, shakatë, apo bisedat e shpesh diskutimet me zë të lartë për futbollin mënyrën për të kaluar orët e “pushimit”, vazhdonte të shkruante në fletore vargjet shqip të Ariostos. Shpesh i afrohesha me kurreshtjen e 16 vjeçarit të cilin e tërhiqte letërsia e, pa e trazuar në punën e tij, sodisnja lëvizjen e majës së lapsit mbi fletët e, shpesh edhe gomën që fshinte ndonjë fjalë apo ndonjë shprehje.
Ajo fytyrë e çiltër që pasqyronte një përsiatje të vazhdueshme e të heshtur të dukurive të mjedisit që e rrethonte, por edhe të së shkuarës, që herë herë shpërthente në një të qeshur të fortë me humorin e shkodranit në shpirt e në buzë, më frymëzonte besim e më jepte tërthoraz një mësim të madh : vullneti për të studjuar e për të punuar duhet t’ishte gjithmonë shoqërues i përditshëm edhe atëherë kur jeta vinte mure në çdo hap që hidhej. Ai më jepte shëmbullin se si ata mure shëmbeshin nëpërmjet vargjeve që shkruheshin mbi një fletore të thjeshtë, vargje që stoiku Lem i skaliste me daltën e gjuhës së tij, duke i marrë nga gjuha e vjetër e Ariostos, për t’i futur në thesarin e kulturës shqiptare.
Ajo punë vetmitare, që nuk kishte asnjë siguri se do të shihte dritën e botimit, ishte jo vetëm shprehje e pasionit të madh për letërsinë e vullnetit për t’i shërbyer tempullit t’artit e kulturës së popullit të Tij. Ajo ishte dhe forma më e mirë e kundërveprimit shpirtëror kundrejt një rendi gjërash që kërkonte t’a kthente në një frymor të thjeshtë, me muskuj të fuqishëm për të shtyrë karrocën e llaçit, por pa botë shpirtërore, pa mendim, pa shpresë, pa t’ardhme, një qënie që duhej të vegjetonte në një tunel t’errët e frymëmarrës…. Për të sendërtuar këtë kundërveprim të heshtur, pa bujë e pa zhurmë kishte zgjedhur librin e një kollosi të letërsisë së Vendit ku u diplomua. I ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha të përkthimit zgjedh një vepër që është frut i fantazisë e që nxit fantazinë, pasqyrën e një bote të shkuar, në të cilën mbizotëronin kalorësit e damat e ëndërruara, dashuria e nderi, por edhe respekti për vlerat njerëzore si bujaria e shpirti kalorsiak, që ishte shprehje e vullnetit të lirë “të pa lidhur me ligje”, siç do të shprehej shekuj më vonë Karl Mori, heroi i “Cubat” të Shilerit, mbasi”ligjet kanë bërë të zvarriset si kërmilli atë që do të fluturonte si shqiponja”.
“Ajo që e gjallëron dhe shqetëson është një ndjenjë eprore që është për të besim, moralitet e gjithshka ; është kulti i formës së bukur, frymëzimi i kulluar artistik. E sheh të ndryshojë e përsëri të ndryshojë, deri sa mos t’i ketë dhënë krijesave të tij formën e fundit që arrin t’a kënaqë. Nga ky seriozitet e gjenialitet pune doli epopeja e Rilindjes, tempulli kushtuar të vetmes hyjni të nderuar ende në Itali : Artit.
Ludoviku dhe Danteja qenë dy flamurtarë të qytetërimeve të kundërta. Të ndarë njëri nga tjetri prej dy shekujsh, të paralajmëruar nga yje më të vegjël, qenë sintezat në të cilat u krye dhe u mbyll koha e tyre. Tek Danteja mbaron Mesjeta, tek Ludoviku mbaron Rilindja”
Këta opinione të de Santis na japin me pak fjalë përmasat letrare e artistike të poetit e dramaturgut të madh Ariosto, bashkëmoshatar i Mikelanxhelo Buonarotit në kapërcyell të dy shekujve 15 e 16, aq të pasur në protagonistë të letërsisë, artit e kulturës evropiane.
Profesor Gulielm Deda i kushtoi mundimin më të madh intelektual të jetës së tij shqipërimit të këtij personaliteti të shquar të Rilindjes italiane. Ishte ndihmesa e një biri të Shqipërisë, që kishte studjuar e ishte formuar me kulturën e vendit fqinj të përtej detit, një formë e krijimit të urave që lidhnin dy popujt në shekuj të gjatë edhe se në kontekste, jo gjithmonë korrekte e miqësore. Urat i ndërton kultura me forcën e saj, edhe se shpesh herë i rrëzon politika me verbërinë e saj. Përkthyesi i Ariostos i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që, në kohën e Mbretërisë u shkolluan në Evropën Perëndimore. Shumica dërmuese e tyre përfundoi në mishgrirësen e luftës së klasave të “demokracisë popullore”, duke e varfëruar Vendin në pasurinë më të madhe që mund të ketë një popull, n’atë të mëndjeve njerëzore. Shumica e të mbijetuarve u shkim dalëngadalë në galeritë e minierave apo “Kënetat e vdekjes” të socializmit shqiptar, nën trysninë mbytëse të një diktature që nderin e meritën më të madhe të saj quajti asgjësimin e tyre.
Lexuesi shqiptar, që ka në dorë prej dy vjetësh, “Orlandin e Çmendun” në gjuhën e tij, është në gjendje të vlerësojë talentin epror të Prof. Gulielm Dedës, i cili hyn pa ndrojtje në Panteonin e atyre që kanë bërë të flasin shqip njerëzit më përfaqësues të dijes e të artit njerëzor, të fjalës së yjeve të ndritshëm të gjithësisë kulturore të njerëzimit. Ai i bashkohet emrave të nderuar të Fan Nolit, të Dom Lazër Shantojës, Pashko Gjeçit, Frano Allkajt, Mark Demës, Henrik Lacajt, Paparistos, Vedat Kokonës e të tjerëve përkthyes të suksesëshëm, të vjetër e të rinj të letrave shqipe.
Vlera e Gulielm Dedës shtohet madhërishëm nga kushtet në të cilët u detyrua të jetojë e të punojë. Vepra e tij është pasqyrë e sfidës kundrejt diktaturës, sfidë të fituar plotësisht me çmimin e marrë dhe fjalët përcjellëse të Ministres Kumbaro :”… e nderojmë sot duke i kërkuar ndjesë që shoqëria shqiptare, bota e letrave dhe njerëzit e fjalës nuk ditën, nuk mundën, nuk arritën t’i a shprehin se sa çmëndurisht e bukur është vepra që na ka lënë.”
Profesor Deda, nëpërmjet veprës së Tij na la edhe një mesazh të përjetshëm e përherë aktual : vlerat e vërteta njerëzore, ndihmesat në kulturën e jetën shpirtërore të nji populli e të nji shoqërie janë flakë që nuk shuhen kurrë, por shpejt a vonë ndriçojnë rrugën e përjetëshme të ecjes së tij përpara. Kundërvlerat, prodhime të errësirës, të dhunës, të urrejtjes, të mashtrimit, sado jetë të gjatë të kenë, nuk i shmangen një fundi të hidhur, harresës e dënimit në vetëdijen e njerëzimit.
Duke falënderuar ata që pregatiten dhe realizuan botimin e veprës së Gulielm Dedës, falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës e komisjonin e saj që, me vendimin e tyre, tërthoraz na përcollën edhe mesazhin e tij.

Dhjetor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, NJË ÇMIM I MERITUAR, NJË SFIDË E FITUAR

Maqedoni- Shqiptarët ortodoksë, një mision i mundshëm

December 13, 2014 by dgreca

Nga Mr. Delvina Kërluku*/
Historia e rilindjes së ndjenjës kombëtare të shqiptarëve ortodoks në Republikën e Maqedonisë, është histori e përsëritur te një numër i madh popujsh, ose pjesë të tyre. Rrethanat shoqërore dhe historike, siç janë trysnitë, masat gjenocidale dhe asimiluese, joshjet e ndryshme, presionet ekonomike, etj., ndikojnë në tjetërsimin kombëtar apo fetar të popujve, sidomos nëse për një kohë të gjatë gjenden nën sundimin e ndonjë pushtuesi superior në planin ekonomik, ushtarak apo kulturor. Këtë fat e kanë përjetuar edhe shqiptarët ortodoks të krahinës së Rekës, territor ky që gjendet në mes të Gostivarit dhe Dibrës. Këta banorë kanë të njëjtën gjuhë, histori, kulturë me shqiptarët e tjerë, por ata nuk i përkasin të njëjtit besim fetar të cilit i përket shumica e shqiptarëve të kësaj ane, atij mysliman. Pra, janë të besimit ortodoks. Dhe pikërisht kjo ishte thembra e Akilit, nga ku u sulmua komponenti kombëtar i tyre. Por jo vetëm ky. Por, ç’është e drejta, kjo çështje kërkon një hulumtim më të gjithanshëm dhe këtë duhet ta bëjnë njerëz me dije përkatëse dhe me guxim shkencor e njerëzor. Kushtet shoqërore kanë ndryshuar dhe më kryesorja është rizgjimi i tyre dhe deklarimi i tyre. Por, atyre patjetër që u duhet përkrahje permanente nga forca konstruktive dhe nga organe shoqërore, qarqe shkencore, shoqëria cilivile etj. Ky proces nuk duhet të kuptohet si fushatë dhe as të veprohet si në kushte fushate. Kjo çështje tani më nuk është kufizuar vetëm brenda kufijve të Maqedonisë dhe e shqiptarëve të kësaj republike. Se kjo çështje ka gjasa të jetë kuptuar si obligim mbarëkombëtar, flet edhe interesimi i masmedias nga Tirana. Rilindja kombëtare e këtij komuniteti po preokupon qarqe të ndryshme shkencore dhe shoqërore. Edhe këta njerëz, por edhe ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se vetëdijesimi është proces shumë i vështirë, aq më tepër kur rrethanat shoqërore, nuk janë aq të favorshme. Reagimi i qarqeve politike maqedonase, nuk është miqësor, të mos përdorim edhe ndonjë kualifikim më të papërshtatshëm. Këtu duhet të kemi parasysh edhe reagimin ekstrem negativ të Kishës Maqedonase rreth propozimit për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni. Habia bëhet aq më e madhe, kur dihet se sa e ndjeshme është kjo çështje, pasi ata po e vuajnë mbi shpinë prej 5-6 dekadash. Shtrohet pyetja: përse këto qarqe kishtare, pse jo edhe politike, janë ngritur peshë kundër një vendimit të një komuniteti për t’u kthyer në identitetin e vërtetë, duke zhveshur petkat e prera e të imponuara nga qarqe dashakeqëse, pse mos themi edhe shoviniste. Ka vetëm një përgjigje: të rritet me çdo kusht numri i radhëve të tyre, e të zvogëlohet ai i të tjerëve. Më në fund, vetëdijesimi i shqiptarëve ortodoksë ka edhe komponentin human. Ata zgjohen nga kllapia, duke zhdavaritur iluzionin e imponuar se janë ata që s’janë dhe se duhet të sillen sipas një kodi të huaj për ta. Dhe, që ky gjumë ka zgjatur kaq gjatë, një pjesë të fajit e kemi edhe ne shqiptarët e besimit myslimanë, që gati-gati i kemi flakur nga vatha jonë vëllezërit tanë. Ne, me vetëdije apo pa të, hoqëm dorë nga trashëgimia kulturore dhe historike e përbashkët. Por, derdhja e lotëve për të shkuarën nuk të shpie kund. Tani vala e kthjellimit duhet të na zgjojë të gjithëve, duke na obliguar të bëjmë secili aq sa mundet. Por, është shumë me rëndësi, që në këtë rrugëtim e veprim, të mos na bashkëngjiten pseudo shkencëtarët, pseudo dashamirësit, pseudo kontribuuesit, ata që duan të përfitojnë, në çdo aspekt, ndonjë trofe nga kjo luftë e gjatë, e vështirë, e ndershme, konstruktive.
Për lexuesin e interesuar do ishte mirë që këtu të nënvizohet edhe fakti që këtë betejë e ka filluar Shoqata “Josif Bageri”, e cila botoi librin mbi Josif Bagerin, mbi shqiptarët e Rekës me autor Branislav Sinadinovksi, organizoi konferenca shkencore, tribuna dhe aktivitete të ndryshme, për të hedhur dritë mbi këtë çështje, duke dashur ta sensibilizojë edhe opinionin më të gjerë. Ajo që bëri shoqata mbase mund të konsiderohet edhe modeste, por në kohën kur e filloi betejën, ishte ngjarje. Këtu nuk duhet harruar edhe kontributin e gazetarëve shqiptarë të televizionit të Shkupit, të cilët në një kohë shumë më ndryshe se kjo jona, guxuan të flasin për këtë kauzë. Kontribut për të ruajtur vlerat artistike dhe kulturore kanë dhënë edhe mbledhësit e folklorit dhe veshjeve kombëtare të kësaj krahine shqiptare, të cilat, bashkë me poezinë e rilindësit Josif Bageri, flisnin dhe flasin aq qartë për përkatësinë e trungut të përbashkët tonë kombëtar shqiptar. Kontributi i çdo njërit në zgjimin dhe afirmimin e këtij zgjimi, i kalon kufijtë e një kontributi normal – ai merr përmasat e misionit.
*Autorja ka qenë kryetare e parë e Shoqatës “Josif Bageri”

Filed Under: Analiza Tagged With: Delvina Kerluku, i mundshëm, Maqedoni- Shqiptarët ortodoksë, një mision

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 866
  • 867
  • 868
  • 869
  • 870
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT