Nga Mr. Delvina Kërluku*/
Historia e rilindjes së ndjenjës kombëtare të shqiptarëve ortodoks në Republikën e Maqedonisë, është histori e përsëritur te një numër i madh popujsh, ose pjesë të tyre. Rrethanat shoqërore dhe historike, siç janë trysnitë, masat gjenocidale dhe asimiluese, joshjet e ndryshme, presionet ekonomike, etj., ndikojnë në tjetërsimin kombëtar apo fetar të popujve, sidomos nëse për një kohë të gjatë gjenden nën sundimin e ndonjë pushtuesi superior në planin ekonomik, ushtarak apo kulturor. Këtë fat e kanë përjetuar edhe shqiptarët ortodoks të krahinës së Rekës, territor ky që gjendet në mes të Gostivarit dhe Dibrës. Këta banorë kanë të njëjtën gjuhë, histori, kulturë me shqiptarët e tjerë, por ata nuk i përkasin të njëjtit besim fetar të cilit i përket shumica e shqiptarëve të kësaj ane, atij mysliman. Pra, janë të besimit ortodoks. Dhe pikërisht kjo ishte thembra e Akilit, nga ku u sulmua komponenti kombëtar i tyre. Por jo vetëm ky. Por, ç’është e drejta, kjo çështje kërkon një hulumtim më të gjithanshëm dhe këtë duhet ta bëjnë njerëz me dije përkatëse dhe me guxim shkencor e njerëzor. Kushtet shoqërore kanë ndryshuar dhe më kryesorja është rizgjimi i tyre dhe deklarimi i tyre. Por, atyre patjetër që u duhet përkrahje permanente nga forca konstruktive dhe nga organe shoqërore, qarqe shkencore, shoqëria cilivile etj. Ky proces nuk duhet të kuptohet si fushatë dhe as të veprohet si në kushte fushate. Kjo çështje tani më nuk është kufizuar vetëm brenda kufijve të Maqedonisë dhe e shqiptarëve të kësaj republike. Se kjo çështje ka gjasa të jetë kuptuar si obligim mbarëkombëtar, flet edhe interesimi i masmedias nga Tirana. Rilindja kombëtare e këtij komuniteti po preokupon qarqe të ndryshme shkencore dhe shoqërore. Edhe këta njerëz, por edhe ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se vetëdijesimi është proces shumë i vështirë, aq më tepër kur rrethanat shoqërore, nuk janë aq të favorshme. Reagimi i qarqeve politike maqedonase, nuk është miqësor, të mos përdorim edhe ndonjë kualifikim më të papërshtatshëm. Këtu duhet të kemi parasysh edhe reagimin ekstrem negativ të Kishës Maqedonase rreth propozimit për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni. Habia bëhet aq më e madhe, kur dihet se sa e ndjeshme është kjo çështje, pasi ata po e vuajnë mbi shpinë prej 5-6 dekadash. Shtrohet pyetja: përse këto qarqe kishtare, pse jo edhe politike, janë ngritur peshë kundër një vendimit të një komuniteti për t’u kthyer në identitetin e vërtetë, duke zhveshur petkat e prera e të imponuara nga qarqe dashakeqëse, pse mos themi edhe shoviniste. Ka vetëm një përgjigje: të rritet me çdo kusht numri i radhëve të tyre, e të zvogëlohet ai i të tjerëve. Më në fund, vetëdijesimi i shqiptarëve ortodoksë ka edhe komponentin human. Ata zgjohen nga kllapia, duke zhdavaritur iluzionin e imponuar se janë ata që s’janë dhe se duhet të sillen sipas një kodi të huaj për ta. Dhe, që ky gjumë ka zgjatur kaq gjatë, një pjesë të fajit e kemi edhe ne shqiptarët e besimit myslimanë, që gati-gati i kemi flakur nga vatha jonë vëllezërit tanë. Ne, me vetëdije apo pa të, hoqëm dorë nga trashëgimia kulturore dhe historike e përbashkët. Por, derdhja e lotëve për të shkuarën nuk të shpie kund. Tani vala e kthjellimit duhet të na zgjojë të gjithëve, duke na obliguar të bëjmë secili aq sa mundet. Por, është shumë me rëndësi, që në këtë rrugëtim e veprim, të mos na bashkëngjiten pseudo shkencëtarët, pseudo dashamirësit, pseudo kontribuuesit, ata që duan të përfitojnë, në çdo aspekt, ndonjë trofe nga kjo luftë e gjatë, e vështirë, e ndershme, konstruktive.
Për lexuesin e interesuar do ishte mirë që këtu të nënvizohet edhe fakti që këtë betejë e ka filluar Shoqata “Josif Bageri”, e cila botoi librin mbi Josif Bagerin, mbi shqiptarët e Rekës me autor Branislav Sinadinovksi, organizoi konferenca shkencore, tribuna dhe aktivitete të ndryshme, për të hedhur dritë mbi këtë çështje, duke dashur ta sensibilizojë edhe opinionin më të gjerë. Ajo që bëri shoqata mbase mund të konsiderohet edhe modeste, por në kohën kur e filloi betejën, ishte ngjarje. Këtu nuk duhet harruar edhe kontributin e gazetarëve shqiptarë të televizionit të Shkupit, të cilët në një kohë shumë më ndryshe se kjo jona, guxuan të flasin për këtë kauzë. Kontribut për të ruajtur vlerat artistike dhe kulturore kanë dhënë edhe mbledhësit e folklorit dhe veshjeve kombëtare të kësaj krahine shqiptare, të cilat, bashkë me poezinë e rilindësit Josif Bageri, flisnin dhe flasin aq qartë për përkatësinë e trungut të përbashkët tonë kombëtar shqiptar. Kontributi i çdo njërit në zgjimin dhe afirmimin e këtij zgjimi, i kalon kufijtë e një kontributi normal – ai merr përmasat e misionit.
*Autorja ka qenë kryetare e parë e Shoqatës “Josif Bageri”