Nga Frank SHKRELI/
Të mërkurën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ndërpreu pushimet verore për të dënuar në mënyrën më të ashpër dhe më të theksuar vrasjen makabre, ekzekutimin me prerje koke të gazetarit të rëmbyer amerikan James Foley nga militantët terroristë, të të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIL), që vepron në territoret e Sirisë dhe të Irakut. Në një deklaratë televizive të mërkurën pas dreke, Presidenti Obama, duke venë në dukje zemërimin e tij, si rrallë herë më parë në publik, tha se vrasja e gazetarit James (Jim)Foley “ishte një akt dhune që tronditi botën mbarë”, dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të bëjnë çdo gjë të mundur që të venë drejtësinë në vend”.
Presidenti Obama tha se “Jim Foley ka raportuar nga zona të vështira dhe të rrezikshme lufte, duke qenë dëshmitar i vuajtjeve të njerëzve anë e mbanë botës”. Presidenti amerikan theksoi se veprimtaria e gazetarit Foley, i cili ishte marrë peng pothuaj dy vite më parë ndërsa raportonte mbi vuajtjet e njerëzve të pafajshëm në konliktin në Siri, “është në kontrast të thellë me ato që bëjnë vrasësit e tij. Le të jemi të qartë për ISIL-in”, shtoi Presidenti Obama. “Ata kanë shkatërruar qytete dhe fshatra të tëra, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe të të pa-armatosur, në akte dhune prej frikacakësh”. Ata tha Presidenti Obama, “Kanë rrëmbyer gra e fëmijë duke i torturuar, duke i dhunuar dhe duke i trajtuar si skllevër.” Z. Obama tha se grupi terrorist ISIL ka “vrarë edhe myslimanët — si të sektit sunni ashtu dhe shia — me mijëra. Ata kanë venë në shënjestër të krishterët dhe pakica të tjera fetare, vetëm e vetëm se pse praktikojnë një fe tjetër. Ata deklaruan qëllimin e tyre për të kryer gjenocid kundër një populli të vjetër”, deklaroi shtoi Presidenti Obama. Në prononcimin e tij të ashpër dhe shumë të prerë kundër grupit ISIL, Presidenti amerikan tha se ai grup, “Nuk flet në emër të asnjë feje. Numri dërmues i viktimave të tyre janë vetë myslimanët dhe asnjë fe nuk mëson vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Asnjë Perëndi e drejtë nuk favorizon masakrën që ata bënë jo vetëm dje por për çdo ditë tjetër. ISIL nuk ka asnjë ideologji, me ndonjë vlerë njerëzore”, tha udhëheqsi amerikan. Ata deklarojnë”, shtoi Presidenti Obama, “se janë në luftë me Shtetet e Bashkuara ose me Perëndimin, por fakti është se ata terrorizojnë fqinjtë e tyre”, tha Presidenti Obama në reagimin e tij ndaj lajmit për vrasjen brutale të gazetarit James Foley.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë “vigjilente dhe të pamëshirshme” në operacionet kundër grupit ISIL të cilat do të vazhdojnë, nënvijoi ai dhe u bëri thirrje irakianëve që të bashkohen për të përjashtuar këta terroristë nga komunitetet e tyre. Ai shtoi edhe se “as populli sirian, për fatin e të cilit raportonte gazetari James Foley, nuk meriton të jetojë nën hijen e një tirani ose nën kërcënimet e terroristëve” duke thënë se sirianët dhe irakianët ” kanë mbështetjen tonë në luftën e tyre për një të ardhëme më dinjitoze”, përfundoi presidenti Obama.
Vrasësit e James Foley kërcënojnë të gjithë gazetarët, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë vajtur atje për të raportuar mbi luftërat dhe terrorin kundër vendasve në atë zonë. Këtë javë u publikua edhe një video që tregon Steven Sotloff, një gazetar amerikan tjetër, fati i të cilit nuk dihet, por që merret me mendë se edhe ai është i rrëmbyer.
Në lidhje me këtë situatë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një deklaratë të mërkurën, shfaqi shqetësimin e tij të thellë për të gjithë gazetarët që sipas tij — shumica janë sirianë — por që mbahen gjithnjë peng nga grupi ISIL, i cili ka rrëmbyer, ka vrarë dhe ka kërcënuar gazetarët në territorin që ai kontrollon. Sipas Nën Drejtorit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Robert Mahoney, “Gazetarët e kanë ditur se Siria është vendi më i rrezikshëm për të punuar si gazetar, madje edhe para se t’i pritej koka gazetarit James Foley-t”. Ai citohet në dekaratën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se,”Pjestarët e Shtetit Islamik, që vranë James Folye, përdorin dhunë dhe kërcënime me qëllim për të mos lejuar raportimin e pavarur nga zonat që ata kontrollojnë.” Megjithëkëtë, shtoi ai, “Gazetarët sirianë dhe korrespondentët e huaj si Jim Foley janë të gatëshëm të rrezikojnë jetën, “në përpjekje për të qenë dëshmitarë”, sipas fjalëve të një gazetarje tjetër amerikane Marie Colvin, gjithashtu e vrarë më heret në Siri.
Organizata për Mbrojtjen e Gazetarëve e cila ndjekë me vëmendje të drejtat dhe liritë e gazetrave në mbarë botën, thotë në deklaratën e saj me rastin e vrasjes së gazetarit James Foley, se gjatë dy viteve të fundit, Siria ishte vendi më i rrezikshëm në botë për gazetarët, ku përveç tij, thotë ajo, të pakën 69 gazetarë të tjerë janë vrarë gjatë atij konflikti, përfshirë disa që janë vrarë matanë kufijve të Libanit dhe Turqisë. Organizata në fjalë nënvijon se gazetarët janë subjekt sulmesh nga të gjitha palët dhe se në një situatë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, më shumë se 80 gazetarë janë rrëmbyer në Siri, gjë që nuk është shënuar asnjëherë më parë në botë. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, përafërsisht 20 gazetarëve — shumica e të cilëve janë sirianë – sot për sot nuk u dihet fati.
Të gjitha këto raste, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarve, venë në dukje rrezikun me të cilin përballen çdo ditë në punën e tyre, gazetarët dhe korrespondentët vendas dhe të huaj në zonat që kontrollohen nga grupi ISIL. Si rezultat, njerëzit e thjeshtë mund të pyesin, pasi dihen mirë rreziqet, atëherë pse shkojnë gazetarët në ato zona të njohura mirë për veprimtari terroriste. Ndoshta përgjigja më e mirë, por më e pabesueshme nga një nënë që posa ka humbur djalin e saj në dorë të terroristëve, vjen nga nëna e gazetarit James Foley, Diana e cila me lotë në sy tha për medien se, “Kurrë më parë nuk kemi qenë më krenarë për djalin tonë. Ai dha jetën duke u përpjekur që t’i tregojë botës vuajtjet e popullit sirian”. Edhe Presidenti Obama lavdëroi gazetarin James Foley për kurajon e tij gazetareske dhe për raportet e tija nga Siria, duke thënë se ai ka shërbyer si “dëshmitar” i vuajtjeve të njerëzve aq larg. Ndërsa babai i James Foley-t, John Foley, kur u pyet se pse djali i tij kishte vendosur të shkonte në një zonë aq të rrezikshme për gazetarët, ai u përgjigj: “Pse futen zjarrëfiksit në një shtëpi të mbuluar nga flakët? Ky, ishte profesioni i tij.”
Ndërsa Kryetarja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Sandra Mims Rowe, duke reaguar ndaj vrasjes së gazetarit James Foley, tha se, “Ai shkoi në Siri për t’i ekspozuar botës vuajtjet e popullit sirian, për të qenë dëshmitar i luftimeve në atë vend dhe duke bërë një gjë të tillë, ai luftoi dhe dha jetën njëkohësisht edhe për lirinë e shtypit.”
Makthi po bëhet keq e më keq në veri të Irakut
Ushtarët e Lëvizjes të Shtetit Islam po përhapin edhe foto për mizoritë barbare, e cila gjë garanton një kërcënim të besueshëm në atë rajon.-Qëllimi xhihadist është që Kalifati Islamik të këtë shtrirje në pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë e ndërtuar në një interpretim shtazarak të Sheriatit
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Kur Lëvizja ekstremiste sunite, Shteti Islam, pas një ofensive rrufe në qershor mori kontrollin në qytetin Mosul, mijëra banorë ikën në panik. Terroristët e kësaj lëvizjeje kanë pushtuar edhe disa qendra të krishtera dhe etnitetit Jezid i është dhënë ultimatum që ose të konvertohet në fenë Islame ose duhet të zhduket apo të vdes. Për t’iu ikur, ndoshta, përkohësisht sulmeve të hordhive gjakatare të IS mijëra njerëz të dëshpruar po qëndrojnë në malet e Sinjarit pa ushqim dhe pa asnjë shpresë se do të mund t’i shpëtojnë kësaj tragjedie që po iu kanoset nga çasti në çast. Kryetari i SHBA-ve Barack Obama këtë që po ndodh në veri të Irakut e quan gjenocid, por edhe kërcenim global. Ky shtet i fuqishëm ka filluar t’iu dalë në ndihmë popullsisë së kërcënuar duke iu hedhur ushqime nga ajri, por edhe duke i sulmuar caqet ushtarake të IS.
Cili është qëllimi xhihadist?
Qëllimi xhihadist është që Kalifati Islamik të këtë shtrirje në pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë e ndërtuar në një interpretim shtazarak të Sheriatit. Në cilën pjesë të Sheriatit flitet e shkruhet që fëmijës t’i hiqet koka pa bërë asgjë apo për të bërë aso masakra makabre që me forcë po i dënon i gjithë opinioni botëror. ICE është vetëm një mile larg Erbilit, kryeqytetit të Kurdistanit në Irak. Përveç kësaj ajo ka pushtuar edhe digën më të madhe të Irakut dhe në këtë mënyrë kontrollon furnizimin me ujë të një zone të madhe. Sipas informatave që vijnë nga terreni IS nuk ka ushtri aq të madhe pavarësisht fluksit të ekstremistëve të huaj, përfshirë këtu edhe shqiptar, dhe besohet se kjo nuk do të jetë në gjendje për të zotëruar një territor të gjerë me kalimin e kohës. Përkundër terrorit që po zhvillon, Lëvizja IS po ka mbështetje nga popullsia sunite në disa rajone, pjesë këto që ishin të margjinalizuara nga qeveria e Nuri al- Malik në Bagdad.
Propaganda me prerje kokosh po fut tmerr
Ushtarët e IS kanë përvojë luftarake nga atentatët e përgjakshme terroriste, por edhe nga lufta në Siri dhe Afganistan. Ata po përhapin edhe foto për mizoritë barbare, e cila gjë garanton një kërcënim të besueshëm në atë rajon. Ushtarët e IS, po ashtu, janë shumë mirë të armatosur, sepse ata janë pajisur me armë të sofistikuara amerikane, të cilat i lanë ushtarët irakian në fushën e betejës nga sulmi që IS bëri në qershor.
Ushtria irakiane nuk është një forcë që mund të përballet me këtë Lëvizje pavarësisht paisjeve të sofistikuara dhe të shumë viteve të arsimit nga amerikanët në fushën luftarake. Nuri al- Malik bartë një pjesë të përgjegjësisë dhe fajit për shkak të përçarjes dhe fragmentarizmit të vendit dhe shi për këtë është ca problematike që SHBA-të të dalin në “ anën” shiite si forcë ajërore. Ndërkaq, Obama ka kushtëzuar ndihmën ushtarake me formimin e një qeverie të Unitetit Kombëtar.
Si mund të ndalet turri i IS
Në veri të Irakut po zhvillohet një dramë e tmerrshme dhe nga i gjithë opinioni botëror po shtrohet pyetja se si do të mund të ndalet turri i IS. Ndërhyrja eventuale e SHBA-ve në këtë konflikt do të mund të shpjegohet si një intervenim humanitar, plus që diplomatët dhe këshilltarët amerikan duhet doemos të mbrohen. Në anën tjetër kundërshtaret politik të Obamas e kanë akuzuar atë se e ka lënë rrugën e lirë për ekstremistët në Irak dhe Siri pa paraqitur alternativa të besueshme. Mirëpo, çfarë ndodh nëse triumfalisht IS avancon më tutje. Shteti i lirë i udhëhequr nga talebanet në Afganistan mbëtet edhe më tej në kujtesë. Përpjekja e fundit për të sjell rendin me forcën e armëve është një dështim masiv dhe opinioni amerikan është thellësisht skeptik në aventurat e reja në Lindjen e Mesme. Ndërhyrja, për fat të keq, edhe e kufizuar ushtarake gjithmonë ka sjell një përshkallëzim të situatës.
Megjithatë, sunitët në Irak duhet ta dinë dhe të jenë të bindur se IS është edhe armiku i tyre më i keq, ndaj edhe ata duhet të inkorporohen dhe të kenë rol në të ardhmen e vendit. Po ashtu, edhe ndihma ushtarake, sidomos ajo amerikane, duhet të vijë në shprehje ja sot ja kurrë pavarësisht interpretimeve, nganjëherë edhe të gabuara, që vijnë qoftë nga kundërshtarët politik apo nga qarqet tjera, sepse ajo çka po ndodh sot në veri të Irakut, por edhe në Siri është një kërcënim global. S’do mend se në këtë betejë aspak të lehtë duhet të inkuadrohen edhe organet kompetente të Republikës së Kosovës në ndaljen e përhapjes së radikalizmit ekstremist islam në vendin tonë. Edhe qytetarët duhet të marrin pjesë në pengimin e përhapjes së kësaj të keqeje.
A e dini që serbët po na e vjedhin historinë ?
Tetë mijë vjet ” histori” serbe në Ballkan!/
Nga Fahri XHARRA?
Deri sa ne , mirremi me qështje të huaja të cilat aspak nuk na japin as nderë e as lavdi ; serbët e shkruajnë ”historinë” e tyre e cila nuk është gjë tjetër vetëm se një përvetsim ”shkencor” e një të kaluare të një vendi dhe të një populli ; popullit që e harron vetvetën , popullit shqiptar.
(Historia e Islamit daton qysh herët. Madje 200 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhamed (a.s.) mendohet se shqiptarët e parë e kanë pranuar Islamin, në periudhën e viteve 800-të të erës sonë.Gjurmët e lashtësisë së Islamit vite para ardhjes së Perandorisë Osmane vërehen nga mbishkrimet e xhamisë së gjetur në fshatin Milkë (Gorë) të Dragashit, që është e vjetër që nga viti 1289 konkretisht 200 vjet para ardhjes së Perandorisë Osmane. Dëshmitë historike të kësaj xhamie janë konfirmuar dhe bërë të njohura vite me parë. Sipas dijetarit të shquar shqiptar Mr. Jakup Asipi, populli ynë filloi të pranojë Islamin, nga tregtarët që kanë ardhur me “shit” Islam (me bë thirrje dhe shpjegim të Islamit) në Zar, në Dubrovnik, në Tivar, në Vlorë, në Durrës, nga këto skela, nga këto limane detare.( Islami në Kosovë, Gentian Jetishi )
Nermin Vlora Falaski, në librin e saj “Linguistikë dhe gjenetikë” (shkruar në italisht), i ka deshifruar shkrimet etruske dhe Pelasge, me gjuhën e sotme shqipe.. Kjo dëshmon se shqiptarët (pasardhës të ilirëve) janë pasardhës modernë të Pelasgëve, një nga qytetërimet më të vjetra që kanë jetuar në Evropë.
Por ç`thonë serbët:”” Zakonisht historia serbe përshkruhet nga shekulli i 6-të ,koha e dyndjeve sllave , thuase që ne ( serbët) para kësaj kohe nuk egzistonim. Po ku na rrnonin stërgjyshërit? Me atë zbritje në Balkan serbët e kishim një gjuhë të përsosur ,një rregullim perfekt shoqëror , me aftësi të shtetformimit me zakonet tona dhe themelet kulturore. Ku ishte djepi i ynë? ” Me këto shihet që ata kurrsesi nuk duan të mbesin ardhës të shekullit të 6-të psK. Fajin ua lënë shkollës së Berlinit -Vjenës që gjëja se me qëllim ata e kanë shtrembëruar historinë e tyre ,dhe me këtë është falsifikuar autoktonia serbe në Ballkan që nga kohërat e lashta.
.Si qëndron puna me ne ? Sa jemi të aftë të këmbëngulim në historinë tonë , në të vërtetën tonë. A është për ne si njësi matëse se kur erdhi islamizmi në këto toka? Derisa në këto anë në shekullin 12 -të zhvillohej një luftë e ashpër e ortodoksizmit ndaj katolicizmit , si mundën shqiptarët e kohës të përqafojnë islamin? Por edhe një herë ,sa është relevante për ne se kur u muslimanizuam ?
”Fillimtari e paraqitjës se autoktonisë së herëshme serbe është kronisti i shek. XII-të , Nestor Çasni i Kijevit dhe mbrojtësit e kësaj teorie janë të mëdhenjt e historisë serbe : Olga Lukoviç-Pjanoviç, Jovan Deretiç, Ranka Kuiç, Milosh Milojeviç, Sima Lukin-Laziç, Laza Kostiç, Pavel Shafarik, Ilija Zhivanqeviç, Svetislav Bilbija, Milan Budimir, Dragoslav Srejoviç dhe të gjithë me fakte të pathyeshme të Burimit të Lepencit dhe Vinçës.” Po kronistët e kujt ishin ata që na i lanë trashëgim datat për të kaluarën tonë?
Në periudhën e fundit të akullit (40.000 vjet më herët) ,është paraqitur njeriu i parë në Ballkan. Sipas gjetjeve në shpellat e fshatit Gradac dhe në Risovaçë ( në Grykën e Gjerdapit,Serbi) vihet në përfundim për jetën e njeriut në atë kohë. Gjetjet arkeologjike në Gjerdap e kanën vërtetuar se në tokat e Sebisë së sotme është zhvilluar kultura më bindëse e parahistorisë (7.000- 5 500 vjet prK) . Egziston edhe fakti që djepi i Europës ishte në Shpellën e Rajkut ,në Rudna Glava të Majdanpekut ; dhe që njerëzit e kësaj kulture shumë të vjetër jetonin në bashkësi prej dy deri në katër familje. Ata paskan pasë qenë serb?
Sipas këtyre shenimeve athua kur e morrën muslimanizmin këta banorë ? Serbët nuk flasin aspak për këtë ”ardhje”. Ata flasin ndryshe për historinë që aspak nuk është e tyre , kurse ne ngarkohemi me histori që aspak s`është e jona.
” Heroizmi serb gjatë shekujve na ka cilësuar në rendin e parë në historinë botërore dhe na e ka dhënë të drejtën e qytetarisë në mesin e kombeve të famshme” serbët thonë me krenari .Por si u sollën ata kur erdhi turku :” Serbët u tërhoqën nëpër male dhe kryesisht mirreshin me blegtori e bujqësi dhe sipas kësaj turqit na quajtën Vllahë deri sa historianët e vjetër Serbëve iu dhanë emrin Ras , për njeriun e Rashkës.”
Marria historike e serbëve ,paranoja e tyre për të qenë të parët në këto anë ( e kundërt me intencat tona) shkon aq largë që thonë se “ sipas Herodotit ,populli serb qenka qenë populli më i madh në botë.thrakët ,Venetët ,tribalët dhe Ilirët paskan qenë serb.” Dhe sipas spjegimit serb në mungesë të një bashkëtinglloreje të greqishtës trakët ishin rashan( pra të Rashkës)
Serbët janë fetarë më të mëdhenj se sa ne shqiptarët ; por kur është në pyetje rrena kombëtare,shtrembërimi i prejardhjës së tyre atëherë e harrojnë fenë.
Si nuk e ndjeva askend nga prijësit tonë fetar nga rradha e muslimanëve që të thotë të bile një fjalë për “ Historisë së Kosovës “të Jusuf Buxhovit. Pse prej tyre nuk kërkohet asnjëherë një përgënjeshtrim të kësaj vjedhjeje të historisë sonë ,nga ana e serbëve?
Spjegimet serbe: “ që nga kohët që mbahen në mend në mes të serbëve paska pas jetuar fisi i madh Rashqanët apo Rasët , që e simbolizoka ngjyrën e kuqe , ngjyrë të cilën serbët e paskan pas dashur gjithmonë. Edhe nga kjo del se Rashqanët qenkan quajtur Serbët e Kuq. Në kohën e Herodotit këta paskan jetura në Azinë e Vogël , në Ballkan dhe Thraki”
A po i vjen era përvetësim kësaj teorije.?
Ilija Zhivanoviç shkon edhe më largë kur thot se sllavët (serbët) ishin nga Vladivostoku e deri në Adriatik dhe si të tillë ishin ”boshti kurrizor i njerëzimit”
”Të gjitha shkrimet dhe mbishkrimet asire dhe misire si dhe përmendoret prej gurit që i njef njerëzimi janë rreth 8.000 vjet të vjetra. Sipas tyre ,po aq e vjetër na qenka edhe historia serbe. ”E çka më shumë se aty përmendet emri Sërbib ( serb) dhe jo sllav.
Edhe historiani Emil Burnoff nuk është i vetëm kur thot se gjuhët greke dhe latine kishin lindur nga Pellazgishtja . Pellazgët ,identifikohen me serbët e stërlashtë.?!?
”Populli i vjetër,i nxjerrë njerëzit e mëdhenj,të cilët i dalin krah vendit të tij,krijimit të tij dhe historisë së tij. Ky është vetëm se fillimi .Kemi njrëz ne ! Kemi të dijtur ne! Historija e jonë gjatë shekujve na është vjedhur, na është përbaltur dhe na është përdhosur. Pa dëshirën tonë! ashtu na e diktonin dhe ne ashtu si të tillë ne e pranonim. E tani kur ne po e shkruajmë ashtu si ishte : Beogradi filloi të çmendet ! Tani kur ata menduan se fazën e përgjumjes sonë e kaluan me sukses,llogaritën në fazën e tretjës. Por Jo! I kemi të mëdhenjt tonë që as nuk flejnë e as nuk përgjumën,por shkëlqejnë nga lartësitë e kreshtave dhe i godasin me fakte përgjumësit tonë.(FXh.”Jusuf Buxhovi e shkroi Historinë”)
Pse juve ,nuk iu brengosë vjedhja e historisë sonë?
Një farë Shafarik në librin e tij:” Starozhitnosti” po shkruante:” Serbët jetojnë në Europë që nga kohërat shumë të lashta ,dhe si popull i tillë e ka origjinën shumë të lashtë. Serbët e paskan banuar krejt Europën dhe shumë pjesë të Azisë dhe nga kjo rrjedhë thënja serbe :” fol serbisht që të kupton bota e tërë” Gjuha e vjetër serbe sipas tij . qenka plotësisht e ngjashme ate të të sotmen serbe, e që qenka një fenomen i rrallë.
” Milosh Milojeviç po shkruajka se serbët kanë jetuar që nga parahistoria në tokat e sotme; prej Italisë ,Detit Mesdhe e deri në Greqi , prej Adriatikut e deri në Detin e Zi ”
Edhe bualli kishte për të pëlcitur sikur të dëgjonte edhe këte: ”Serbët e kanë filluar numrimin e vitëve që nga viti 5508 para Krishtit. dhe se Stefan Brankoviqi paska pas vdekur në vitin 6935. Car Lllazari paska vdekur në vitin 6893 . Nëse Mesopotamët e paskan filluar numrimin e vjetëve 3200 vjet paraKrishtit , Egjiptasit 3000 vjet prK. serbët ishin të parët në historinë e njerëzimit (Draško Šćekić -”Srbi – istina o srpstvu od iskone”)
Kurse unë gjer sa po e shkruaj këtë shkrim ,sipas kalendarit serb qenkam në vitin 7521.
Po ju me cilin kalendar jeni?
Mos të harroj se edhe Athinën dhe Akropolisin e paskan pasë ndertura serbët?
Torturuesit e kampit të interrnimeve në Rumani, i dorëzohen drejtësisë për krime dhe gjenocid
*Shqipëria, që kaloi diktaturën më të egër kur do e bëjë një diçka të tillë?/
*Metodat e torturës ishin përdorur tek të burgosurit politik në Rumani : Ion Ficioru ish komandant i kolonive të punës në periudhën 1960-1963 në Periprava doli para gjyqit./
Nga BEQIR SINA, New Yrok/
BUKURESHT ROMANI: Ndërkohë, që në vendet ish kampit në Europën jug-lindore vazhdon gjykimi i presekutorve të regjimeve komuniste, në Shqipëri, për fat të keq, ende nuk është bërë, qoftë edhe një gjyqë për krimet gjatë sundimit gjysmë shekullorë të komunizmit.
Madje, për ironi të kohës, jo vetëm që nuk ka ndonjë gjykim për rastet të tilla, por edhe Ministri i Drejtësisë, sot në qeverinë e “Rilindjes”, është një nga ish Prokurorët, që ka dënuar më shumë se 100 të burgosur politik. Kurse, Ministri i Jashtëm – është i biri i njërit prej eksponentëve më famëkeq të ish Ministrisë së Brendeshme, së bashku me Ministrin e Brendeshem – tani nipi i njërit prej eksponentëve të Sigurimit të Shtetit dhe ish Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pra, të dilte në gjyq ashtu si po dalin sot në Rumani, e cila ësht e vetme të ish kampit që egzekutoi kryetarin e saj së bashku me gruan – në rrëzimin e pushtetit në vitin 1999. Ndërkohë, që në Shqipëri, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha me kastën e tyre u dënuan me gjykime “qesharake” për “kafe dhe shpenzime qejfi” në atë kohë.
Dje , ka qenë një gjykatë në Bukuresht , e cila ka nisur qysh të hënën gjyqin ndaj Ion Ficioru, ish- komandant i një kampi pune gjatë periudhës së komunizmit, që akuzohet për krime kundër njerëzimit.
Ky ish oficer i Sicuritatit, me gradën kolonel me detyrën komandat kampi në vitet 61-63′ thuhet se ka qenë një tjetër torturues, dhe përgjegjës për vdekjen e 103 të burgosurve politikë, gjatë regjimit komunist,
Ai i është dorëzuar drejtësisë, në bazë të fakteve të nxjerra nga Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Memori në Diasporën rumune, njoftoi të hënën Prokurori i Përgjithshëm i Rumanisë, i cili ka autorizuar organet kompentente të arrestoin ish, Kolonelin në pension Ion Ficioru, me akuzën se ka përdorur metodat e torturës, tek të burgosurit politik, në Rumani .
Në aktë-akuzë, thuhet se më shumë se 103 të burgosur politikë, kanë vdekur, gjatë asaj kohe vetëm në kampin në Periprava, i cili, ka qenë një prej kampeve më famë keqe të Rumanisë
Ai së bashku me ish komandatin e Burgut në Sarat për komandimin që i ka bërë burgut, ku ishte e burgosur elita e Rumanisë, 87 vjeçarin Alexander Visinescu, është i akuzuar tashmë për gjenocid.
Koloneli në pension Ion Ficioru – i cili tani është 85 vjeç, dhe jeton në një qytet ku ka blerë dhe ka bërë pronë të tij disa pallate, është në mesin e 35 ish kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendeshme dhe Sikuritatit që shërbyen në atë kohë në burgjet politike Sighet, Jilava Ramnicu Sarat, Pitesti dhe Aiud Periprava, e cila thuhet se ishte një nga “thertore njerëzore”, e cila pati asgjësuar njërën prej elitave politike, ushtarake dhe kulturore midis dy luftërave në Rumani.
Simbas, shtypit rumun të 35 ish kuadrot e lart të policisë, janë shpallur si torturuesit e të Burgosurve politik, nga Instituti i Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe Memori në Diasporën rumune (IICCMER) që hapi procedurat e hetimeve, të krimeve dhe abuzimeve në burgjet komuniste.
Ashtu si në rastin e Visinescu, studiuesit e këtyre krimeve, thonë se faktet IICCMER, vijnë në dritën e së vërtetës, në kuadër të hetimeve që janë bër gjatë këtyre dy dekadave, të fundit, ndaj krimit dhe gjenocidit, të përdorur në kohën e sundimit komunist, në burgjet poliitike dhe kampet e interrnimit në Rumani.
Megjithëse, kanë kaluar më shumë se 50 vite që nga vdekja e të burgosurve, por sipas ligjit rumun, nuk ka afat kohor për të hetuar krimet e rënda, ish – komandanti i kampit të punës për të interrnuarit politik në Periprava – Rumani, John Joseph Ficioru, akuzohet se ka duke abuzuar me detyrën dhunë ndaj të burgosurëve politikë, që ata t’i nënshtroheshin kushteve të ekzistencës ose trajtimit të egër deri në shkatërrimin e tyre fizik dhe mendor.
Akuza ndaj tij është se kolonel Ficioru, në atë kohë, ka tejkaluar veprimet juridike – duke iu hequr të burgosurve dhe mohuar kujdesin mjekësor, mungesën e ilaçeve për të ofruar ndihmën e duhur, deri në degradimin shëndetësore të të burgosurve nga mungesa e ushqimit, mungesa e ngrohjes, dënimeve diskrecionale dhe abuzimit, kushteve çnjerëzore të burgjeve, keqtrajtimin, rrahjeve dhe të veprimeve të dhunshme të tjera.
Këtë fakt e pranoi edhe Prokurori i Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë, shkruan shtypi rumun, i cili theksonë se” simbas regjistrimit të denoncuar nga hetimet e Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Memori në Diasporën rumune, nisë gjykimi kundër Ion Ficioru, ish-komandant i kampeve të punës në Periprava i akuzuar për tortura dhe gjenocid ndaj të burgosurve politikë”.
Koloneli në pension Ion Ficioru, është konsideruar si një nga oficerëve të burgje politike të regjimit komunist, nga më të këqijtë, shrkuajn gazetat e Bukureshtit, duke shtuar se Ficioru, ai ishte i “tmerrshmi” që solli frikën në mesin e të burgosurve.
Koloneli Ion Ficioru (me gradën Major, kur ai ishte komandant në Periprava) ka mbetur në kujtesën e të burgosurve si një kafshë e egër me fytyrë – njeriu thonë, ish të burgosurit, sot. Në kohën e tij të burgosurit nuk kishin “të drejtë as me pa diellin dhe ajrim nuk kishin.”
Ai rrezikon 15 vite burg, nëse gjendet fajtor.
Biografia e Ioan Ficioru
I lindur më 4 prill 1928, në fshatin Cucerdea Qarkut. Mures, Ion Ficioru erdhi nga një familje, e mesme e ndjekëse e besimit Baptist fetare. Ai u bashkua me Partinë Komuniste në pranverën e vitit 1946, duke punuar në Zyrën e Qarkut në Tarnava .
Në tetor 1946, John Ficioru ishte martuar me pëlqimin e organit të partisë, me Mary Calutiu babai i të cilës ishte një prift Baptist (Dumitru Calutiu).
Ai ishte sekretar i termocentraleve celular në PCR / PRM në Târnaveni (mars 1947-Shtator 1948) dhe instruktor në Departamentin e problemeve organizative organizative të partisë qarkut Tarnava Little (dhjetor 1948-Qershor 1949).
Në tetor të vitit 1949, ajo u përfshi në ushtri ( Aviacionit Regjimenti 2 Craiova).
Në janar 1950, Ficioru u rekrutuar në Ministrinë e Brendshme, me referenca të mira politike nga eprorët e tij, dhe të Qarkut
SOCIALISTA APO SPECIALISTA
-Seks për një vend pune/
Nga Kolec TRABOINI/
Kishim dëgjuar në dy dekada në këtë pseudodemokraci që nëse je femër në Shqipëri e je në hall për një vend pune, gjatë gjithë viteve të sundimit të ekipit batall të Saliut por edhe të Fatos pijanikut kishte vetëm dy mundësira për të mbijetuar:
1- Duhej të paguaje 4 deri në 5 mijë euro për një vend pune. Kjo pa dallim seksi. Këtë fenomen e kanë ditur dhe e dinë të gjithë, por ky popull që di shumë, është urtësuar po aq shumë saqë ia ka prerë gjuhën vetes dhe nuk ankohet. Po edhe të dojë të ankohet, kujt t’i trokasë në derë?! Mentaliteti i popullit të mjerë ka mbetur në kufinjtë e ekzistencës, “kush ka ha, kush nuk ka vjedh” se edhe të presësh vdekjen duarkryq nuk ka kuptim. Më keq nga të gjithë në këtë sistem absurd e katrahurë e kanë gratë, sepse ato nuk janë dhe aq zonja sa të dalin e të vjedhin, por edhe atyre, u ka lënë një palo zgjidhje në mënyrën më mizore ky palo shtet patriarkal me mashkulloritet të neveritshëm, një zgjidhje si të ishin skllave mesjete. Po cili vallë është ai shteg për mbijetesë për gratë e vajzat e mjera?
2- Nëse ryshfeti për punësim nuk është në axhendën e punëdhënësit, grave e vajzave u ofrohet një mundësi tjetër më e rafinuar, tatimi në natyrë, thënë ndryshe ta shpërblejë punëdhënësin me një seks të fortë në krevat. Burrëria e shpifur e kombit që zë kyçet e partive, të shtetit, të institucioneve kërkon haraç nga seksi i dobët. E jo vetëm një herë. Në fakt ata nuk e thonë kaq hapur dëshirën e shfrenuar, mund të përdorin termat mbërthecka, a diç tjetër, por qëllimi është i njëjtë. Pa u palluar nuk ka punë. Kjo mënyrë u bë kaq e njohur sa vajti deri në atë derexhe sa ta zinin edhe Ministrin e Kulturës në linjën zyrë-shtëpi duke ia lyp punëkërkueses, pra seks për një punë. Ministri si një hamshor i harbuar në livadhet e demokratëve doli dhe e pa mbarë Shqipëria.
Gjyqi e stimuloi perversitetin me qindra mijëra euro që duhej të paguante Top Channel TV , gjykata e Apelit e rrëzoi, ndërsa ish/kryeministri Berisha e bëri drejtor të një drejtorie këtë hamshor blu të pafre. Por populli nuk u çudit fare sepse kjo praktikë është ndjekur nga më të shumtët e punëdhënësve, se kush në Shqipëri të jep një vend pune xhaba, falas, fjalë turke që e përdorin xhambazët. Flasim për punët në administratën e shtetit se në privatët bëhët kërdia e askush nuk e vret mëndjen sepse konsiderojnë të drejtën e padronit, si të beut në natën e parë të “Dasmës së Sakos” në romanin e Vath Koreshit.
Këto ishin dy alternativa që na i afroi në mënyrën më shpërftyruese pushteti Berisha – Nano. Po koha u ndërrua. Luftuam të ikë qeverisja e keqe e vrastare e të vijë më e mira e mundshme. Buzëqeshëm. Disa u buzëqeshën aq shumë e lodhshëm deri në ngërdheshje. Ishin ata që skërmisnin dhëmbët për një copë kolltuk e pushtet jo për të punuar për popullin. I vetmi qëllim ishte glorifikimi i vetvetes, sundimi mbi njerëzit.
Tabloja sinoptike pas rrotacionit shpresëdhënës:
1-Kapitulli euro për vendin e punës ekziston, por është bërë shumë i sofistikuar dhe pak vështirë është të ta thonë hapur se duam 5 mijë euro për një vend pune anipse fjalët qarkullojnë edhe për disa deputetë se i kanë blerë vendet në lista elektorale për 200-400 mijë euro e më shumë. Por hipoteza janë. Edhe Don Full Hajni i Bankës Shqiptare kështu thotë, mos u merrni me hipoteza e se çdo gjë shkon mirë e bukur në Bankë dhe paratë tuaja janë të siguruara. Por ky nuk po e dimë a garanton siguri se edhe punësimet nuk i ka bërë siç bënin ata të kohës së përmbysur. Deri tani ka patur vetëm një shenjë që Fullani të ketë shprehur ca dëshira e kjo nëpërmjet faktit të lakuar gjërë e gjatë në shtyp se në rinovimin e Bankës së Shqipërisë(lexo e Fullanit) kishte në plan për të krijuar një dhomë gjumi me krevat dopjo. Tani kushdo që ka dy para mend në kokë e kupton se pse duhet një krevat dopio në institucionin që e drejton si një pasha vilajeti. Dihet, por nuk flitet.
Kësisoj pra kemi gjurma sado të mjegulluara, por disi të fshehta të këmbimit të punës me mish të bardhë e të freskët dhe deri sa nuk e ke kapur faktin me dorë nuk mund të flasësh. Pra kapitulli 5 mijë euro për një vend pune hë për hë mbetet evaziv, kjo nuk bëhet dot pa u konsoliduar administrucët nëpër kolltuke e të ndjehen të paprekshëm vip-rripat tanë.
2-Problemi qëndron më i ndërlikuar në alternativën seks për vend pune pas ndërrimit të pushtetit. Kjo është një alternativë që nuk ka njohur zbritje, qëndron jo vetëm në biznese private, por edhe ato shtetërore. Një vajzë në një bisedë të rezervuar bëri me dije se një botues që kërkonte një sekretare që të rrinte në zyrë i kish thënë se puna është pak e ndërlikuar, duhet ndënjur me orë të zgjatura por ndonjëherë, të paktën një herë në javë edhe natën. Por ti mos u shqetëso se do rrimë bashkë e do ia kalojmë mirë. Të gjithë fjalorët e perversëve një natyrë kanë. Do vemi me makinë edhe jashtë Tirane, do të kënaqemi. Më hapur nuk kish si thuhej. Kish ikur e llahtarisur vajza me universitet të mbaruar por pa punë, se ai katundar që kishte zbritur në kryeqytet e që ishte bërë botues i kishte kallur dhe datën si të ishte një përbindësh dhe jo një njeri.
Po në sektorin publik si vete puna? Shih e shkruaj. Se kështu, reklamë e publicitet bëhet me bujë sikur gjithçka në këtë vend, po shkëlqen nga përsosmëria. Lulka. Se ja ja ku plasi në Sarandë, del sekretari i Deputetit që ka mbështetje në ambicie për t’u bërë edhe Kryetar Bashkie, që pa ia bërë syri tërr i thotë punëkërkueses nënë e katër fëmijëve jetimë, ta jap punën, por më parë duhet të më sjellësh vajzën 14 vjeçe e të bëjmë seks të tre së bashku në krevat. Dhe ky matuf argumenton perversitetin e vet kësisoj, se vajza është e re dhe ka plot hormone që duhen shkarkuar. I tejkalon kufinjtë njerëzorë kjo egërsi e cinizëm ndaj një vajze që ende është një fëmijë i brishtë dhe aq më tepër jetime dhe pambrojtje. Ky pervers e ka menduar mirë viktimën e tij.
Një kërkesë e tillë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë, apo mbase ndodhin përditë, por njerëzit nuk kanë kurajo t’i denoncojnë, sepse mostrat hakmerren. Akoma më keq është kur në vend që njerëzit që kanë lidhje me këtë monstër sociale ta denoncojnë, përpiqen edhe ta mbulojnë. Bëhet presion për ta mbajtur ngjarjen nën kontroll sepse na u prishka reputacioni i deputetit që të gjithë e dinë se kush është pa patur nevojë të thërrasin në ndihmë një poshtërsi të tillë. Po fundja mor deputet me se merresh, kë ke rreth vetes? Merr fundërrinat e na i bën sekretarë, po ti e di se po u përzieve me krundet të hanë pulat. Në diktaturë more zoti deputet, që atbotë që ke qënë ushtarak, e zunë një drejtor si këtë birbon e Sarandës, sekretarin e tënd, e zunë në zyrë tek bënte një intervistë picak-lakuriq me një punëkërkuese dhe do ta dënonin. Po si ta bënte Partia se e kish kuadër. E thirrën. U tha ai: po kemi luftuar bashkë bre si do të më dënoni. Ata ia kthyen: O Luto, të gjithë e duam atë gjënë e ëmbël, por nuk guxojmë, ti që guxove haje tani.
Fjala që vjen këto këmbimet e vendit të punës me para apo me sekse nuk janë një gjë e re në Shqipëri, ato përditë ndodhin, po të kishim një mijë kamera të fshehta të jeni të bindur se njëmijë emisione skandaloze do të realizonit. Por Media jonë që herë ka guxim në zbulim e herë guxim në mbulim, ia jep publikut me pikatore se u duhet mbrojtur dinjiteti palltarëve punëdhënës dhe shefave të tyre më lart..
Në zyrë të deputetit bën fole perversiteti
Shumë debate po bëhen në këtë vend dhe meqë politika nuk rri dot pa futur duar në punët e pista edhe kësaj radhe nuk mund të rrinte në një anë. Dëgjohen sulme të tilla absurde se kështu janë të gjithë socialistat, konkluzione marroke keto. Pozita në pushtet, që duhej të nxirrte mësime me kërkim falje se u përdorën zyrat e deputetit të vet për perversitet seksual, del e thotë se “ju ministrin e rehabilituat, ne perversin e futëm brënda ditës në burg”, kësisoj duke vënë shënjat e barazimit për dy raste që në thelb janë një, por shkalla e poshtërsisë në rastit e dytë shemb edhe tavanat e zyrës së partisë socialiste në Sarandë.
Pra nuk dalin me një kërkim falje si shërbëtorë të popullit e jo padronë të tij, se populli heq të zezat e paguan edhe qeverinë, edhe deputetët, por edhe këta zagarët që duan të tundin dybekun në zyrat e deputetit. Më skandaloze është dalja e zyrës së deputetit me një komunikim me shkrim, ku më shumë se me dënimin e aktit, merren me mbrojtjen e përversit pedofil Agron Cane. Ja çfarë shkruajnë ndër të tjera në faqen elektronike të deputetit Koço Kokëdhima:
“Agron Cane është familjar, 61 vjeç, me arsim të lartë dhe me karrierë të spikatur në ushtri, ka qenë komandant brigade. Në qytetin tonë është i njohur si një person serioz. …”. Absurditeti nuk njeh kufi. Cinizmi i paskaj. Papërgjegjësia një çmënduri delirantësh. Ky deputet dhe stafi i tij vërtetë e kanë humbur si Xhaferri simiten. Në vënd të bëjnë një analizë të thellë, t’i kërkojnë banorëve të Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë një falje të madhe, sepse këtu bashkë me vajzën jetime adoleshente është cënuar tërë elektorati socialist e më gjërë, janë përdhosur 1 milion shuplakat që iu dhanë pushtetarëve të zbuar, e pra pikërisht këta gjejnë kohë të formulojnë një konsideratë të tillë sikur pedofilin Agron Cane do ta propozonin për dekorim. Që ky pedofil kishte miqësi të fortë me deputetin Kokëdhima, kjo është e kuptueshme, i bashkon shërbimi ushtarak e ia dinë vlerat njëri-tjetrin në të bardhë e në të zezë, por që të dalësh e t’i thuash shqiptarëve se pedofili ka karrierë të spikatur dhe është person serioz, kjo nuk ka vend ku të rrijë, o i nderuari deputet. Në vend të flitet se si është e mundur një monstre të tillë t’i bëhet vend në zyrat e deputetit të partisë që ka në lajtmotiv Rilindje, bën një karakteristike të tillë në shkallë marramëndëse. Kjo nuk është vetëm një turp, por edhe një sfidë, është një dhunim i idealeve të partisë tënde. U mësuam me sfita tashmë. Kjo klasë politike në të dy krahët as që pyet më për opinionin publik. As që pyet se çfarë mendon populli të cilin e thërrasin vetëm të hedhë votën për listën që paraqesin e kurrkush tjetër nuk ka të drejtë të ketë asnjë opsion. E lemerishme mënyra se si zgjidhen njerëzit për deputetë, për pushtet e për kolltukë madje deri në rang ministri, thjesht se i do qejfi të parit të partisë që bën ligjin e Maliqin, që e merr tjetrin nga ana e anës dhe e bën drejtor institucioni vetëm për mjekrrën e bukur. Është e trishtueshme se si ju mbijnë të tillë koncepte shpërfillëse të gjithë atyre që vijnë në pushtet. Një ministre që u katapultua nga Franca na thotë hapur e në sy duke ju regjistruar EMEI e celularëve “ne nuk ju vëzhgojnë, por ju ndjekim”. Të tronditesh vërtet. Ku janë këta në “Animal farm”? Këta paskan ambicie më të mëdha se diktatura komuniste që të dinte sa lugë e pirunj ke në shtëpi. Këta dashkan edhe më shumë, t’u hyjnë njerëzve edhe në brekë.
Deputeti me sejmenin e vet nën sqetull, socialista apo specialista?!
A mos dolëm jashtë teme ndoshta? Mos e bëmë qimen tra në këtë diskutim publik të ankthshëm? Jo, besoj se përversiteti nuk është vetëm ajo çfarë bëri ai pedofili i deputetit, por edhe shtrati që e ka pjellë, se diku e gjeti terrenin që lulëzoi kjo farë e keqe që kërkon vajza 14-vjeçare si të ishte një pasha i kohës moskurrit.
A nuk ju kujton ngjarje me Aishe Vatën 18-vjeçare me kokën e prerë në një arë me misër? Sa shpejt e harruat. Ky është trajtimi ndaj vajzave shqiptare, të mjerat vajza kur janë jetime e të pambrojtura nga shteti e shoqëria. Ndaj të duket skandaloze që më shumë se e akuzojnë na tregojnë meritat e ish-ushtarakut Agron Cane. Mbrojtja që salistët i bëjnë Full–Hajnit guvernator i Bankës Shqiptare, heshtja e pushtetit në këtë rast vjedhje si një kompromis i ndyrë, është bërë një kancer i vërtetë në jetën politike, por edhe shoqërore shqiptare veçse me të njëjtin stil po punohet edhe në këtë rast skandaloz.
Desha t’ju them edhe gjithë atyre atyre që e lehtësojnë Koço Kokëdhimën me sejmenin e tij pedofil duke menduar gabueshëm se kështu mbrojnë PS-në, se për mua përgjegjësi më të madhe ka Deputeti sesa Pedofili. Kokëdhima u kish dashtë të japë dorëheqjen, sepse është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme e sa për atë që nuk e dinte se çfarë mënxyre ishte Agron Cane, mos gënjeni veten. Agron Cane këto ka bërë edhe më parë dhe madje në ushtri ia kanë mbuluar raste të kësaj natyre. Ky marrok e ndjente vetën hamshor, që i jepte guxim qënia si sekretar i i përkdhelur i deputetit, i cili nuk ka asnjë justifikim në mbajtjen e tij si sekretar. Por duhet të ketë diçka më shumë në këtë mbrojtje. Po kush t’i bëjë hetimet? Ata që nguten ta paraqesin një rast patologjik i vetmuar?
Është e vërtetë se incidente të tilla njihen gjithë botën, por kësisoj zullapërie si në Shqipëri nuk ka bota, këta nuk e njohin institucionin e dorëheqjes, sikur krimi më i përbindshëm të ndodhë në sektorin, dikasterin apo zyrat e tyre. Mendoni sikur në zyrën e një kongresmeni amerikan do të ndodhte kjo gjë me një 14-vjeçare. Katastrofë për kongresmenin. O shqiptarë të marrosur pas partive, e dini se ka patur një Nikson në këtë botë, President Amerikan që për një përgjim, nga ekipi i tij zgjedhor dha dorëheqjen.
E keqja më e madhe e këtij vendi në të vërtetë nuk janë perverset si Agron Cane, por ata që i bëjnë shtrat të ngrohtë Agron Canëve që nuk janë të pakët, prandaj nëse ka dinjiteti deputeti Koço Kokëdhima duhet të lëshojë Kuvendin e do të jetë më i nderuar, përndryshe emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me emrin e një pedofili.
Si pjestar i deritashëm i barrikadës tuaj kundër të keqes në këtë vend, marr guximin t’ua them hapur të nderuar pushtetarë, se kësisoj deputetësh nuk i duhen Partisë Socialiste se të ngjallin imazhin se këta janë jo socialista, por specialista-thënie proverbiale e Pjetër Arbnorit. Ndaj mund të them se deputeti me atë perversin që e mbante nën sqetull është e mira të dalin nga sytë e opinionit publik, të tërhiqet nga jeta politike e t’i lëshojë vendin dikujt që është më i devotshëm për popullin sesa për miqtë, tarafin xhepat dhe dhe pronën e vet. Të tillë specialista nuk i duhen Partisë Socialiste e nëse kryetari që është dhe kryeministër do të vazhdojë të mbajë afër të tillë figura, që më shumë jetojnë në delire se në realitet, duhet ta dijë se po shkel në një dërrasë të kalbur, po prish reputacionin e vet. E kjo nuk është në të mirën e askujt.
17 gusht 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 873
- 874
- 875
- 876
- 877
- …
- 970
- Next Page »