Nga Enver Hoxhaj*/
Zhvillimet e ditëve të fundit përkitazi me përfshirjen e shtetasve tanë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste që rezultuan me një aksion të madh policor në Kosovë janë njëra hallkë e reagimit shtetëror ndaj këtij fenomeni.
Arrestimi i dhjetëra prej tyre është kundërpërgjigjja ndaj kërcënimi fizik dhe të sigurisë sonë përderisa dilemat më të mëdha që kemi para vetes si shoqëri është si ti qasemi ekstremizmit fetar në një plan më afatgjatë. A kemi vullnetin dhe dijen për tu përballur me këtë fenomen në rritje në të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe më gjerë? A mund dhe duhet ta marrë këtë barrë vetëm shteti përmes institucioneve të sigurisë apo është obligim i të gjithëve? A përbën ndër rreziqet kryesore për Kosovën në dekadën para nesh së bashku me sfida tjera në planin e jashtëm sikurse ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme?
Historikisht, islami në Kosovë nuk ka traditë të përdorimit të tij për qëllime politike ekstremiste dhe radikale. Feja islame nuk ka përbërë orientim apo mënyrë të sjelljes në jetën publike të saj tek shqiptarët. Gjatë dy shekujve të kaluar elitat shqiptare duke vepruar në Perandorinë Osmane kanë formësuar një botëkuptim të qartë politik dhe paqësor për të ardhmen e shqiptarëve. Ata promovuan idenë se për shqiptarët ‘dielli lind në Perëndim’, që flet për dëshirën dhe orientimin pro-perëndimor të popullit shqiptar. Aspirata, këmbëngulësia dhe domosdoshmëria për tu shkëputur nga Perandoria Osmane bëri që ndikimi i islamit në shoqëri të dobësohej. Në shekullin XX, gjatë sundimit komunist, për shqiptarët, feja nuk e kishte rolin dhe hapësirën e duhur në jetën publike.
Tendencat e para të mësimeve radikale islame nisën me rënien e komunizmit dhe pas ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare përfshirë edhe Kosovën e pjesë tjera të botës. Ky zhvillim i ri u manifestua nëpërmjet shfaqjes së tendencave për ekstremizëm fetar e deri tek pjesëmarrja e qytetarëve nga Ballkani në luftërat në Lindje të Mesme. Në vitet e fundit shfaqet dukshëm krijimi i disa premisave të vogla dhe shpesh të kamufluara të cilat mund të shndërrohen në një realitet të përbashkët kërcënues për sigurinë e Kosovës. Pashmangshëm kjo varet edhe nga fakti se si do të sillet shteti i ri i Kosovës dhe shoqëria e saj ndaj ekstremizmit fetar.
Premisa e parë është shoqërore dhe ka të bëjë me përhapjen e herëpashershme të ideve dhe mësimeve radikale. Përkundër faktit që Kosova është shtet laik dhe shoqëria e saj është sekulare, kohëve të fundit dëgjohen zëra radikal nga disa prijës fetar islamik të cilët janë arsimuar në vendet arabe dhe islame. Ata predikojnë një islam tjetër larg islamit tradicional shqiptar dhe një mënyrë jetese i ndryshëm me realitetin kosovar. Pa ndikim nuk janë as asociacionet e ndryshme të financuara që nga paslufta prej botës arabe të cilat mundohen ti tjetërsojnë botëkuptimet e të rinjve dhe njerëzve me ndikim në Kosovë. Herë pas here ka edhe intelektual e njerëz të kulturës të cilët në mënyrë të vetëdijshme dhe këmbëngulëse e interpretojnë gabimisht por me qëllim për rolin që kinse ka pasur feja në Kosovë dhe fuqinë që ajo përfaqëson sot.
Premisa e dytë është politike dhe ka të bëjë me lindjen e partive të vogla politike të cilat nuk gëzojnë mbështetje elektorale. Disa prej tyre në mënyrë të pavetëdijshme përpiqen ta kthejnë islamin në një ideologji reaguese dhe rezistuese në Kosovë. Këto parti me orientim fetar radikal synojnë që të gjejnë hapësirë të re, të krijojnë elektoratin e vetë, të shtyjnë dhe nxisin tema kundërthënëse të karakterit fetar. Është një përpjekje aktive për të islamizuar jetën publike dhe politike në Kosovë. Njëherësh, këto përpjekje për islamizim të jetës publike kanë për qëllim që të promovojnë një identitet konkurrues anti-evropian që është kundër interesave vitale të Kosovës.
Premisat e sipërpërmendura në përmasa të vogla por në dukje shumë aktive e kanë kokën e tyre ideologjike dhe mbështetjen financiare jashtë Kosovës tek grupe dhe ideologji në Lindje të cilat e shohin Kosovën si një zgjatje të tyre. Në disa vende islame ka grupime politike të cilat i shohin shtetet e tyre si një qendër të islamit dhe trajtojnë myslimanet në Evropë si instrumente dhe kontingjente të politikës së tyre. Natyrisht që këto rryma në Kosovë u shërbejnë interesave të jashtme. Ato janë kundër islamit tradicional të Kosovës të kultivuar me shekuj i cili ka qenë çdo herë larg çështjeve politike e publike, dhe i cili asnjëherë nuk ka synuar të dominoj apo kontrolloj sferën publike. Rryma të tilla radikale padyshim që synojnë kontrollimin e jetës publike duke promovuar një rend të ri dhe të huaj kulturor dhe moral, që nuk përkon me orientimin perëndimor të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Përtej kësaj, ekstremizmi fetar ka për qëllim që t’a armiqësojë Kosovën me Perëndimin, që SHBA-të dhe BE-ja të humbin besimin tek shteti dhe shoqëria kosovare. Diçka e tillë do t’i shërbente natyrisht propagandës serbe dhe asaj ruse kundër shtetit të Kosovës.
Në adresimin e tendencave të tilla radikale, Kosova duhet të ketë vullnet politik të pathyeshëm dhe konsensus shoqëror të plotë për ti marr ato si një kërcënim për sigurinë e vendit. Ky zhvillim i ri nuk kanë të bëjnë vetëm me sigurinë në kuptimin fizik, por edhe me përpjekjen për të parandaluar formësimin e një shoqërie të mirëfilltë evropiane në të cilën rrugëtim gjendet Kosova tani dhe shekuj më parë. Përtej reformave të rëndësishme për Kosovën sic janë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, Kosova nuk duhet të lejoj ngadalësim apo degradim të agjendës euro-atlantike. Po ashtu, partnerët strategjik të Kosovës karshi vendit tonë dhe rajonit duhet të asistojnë që ekstremizmi fetar të mos dëmtoj orientimin euro-atlantik dhe demokratik të rajonit.
Në këtë drejtim, Kosova duhet të përforcoj tutje strukturat e sigurisë dhe inteligjencës të cilat do të punojnë në parandalimin e çdo tendence radikale për ta privuar jetën dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, strukturat e Bashkësisë Islame në Kosovë që ruajnë traditën shqiptare të islamit duhet të angazhohen fuqishëm për të larguar elemente ekstremiste përmes inkurajimit të një islami të moderuar dhe paqësor. Për më shumë, elitat kosovare duhet të mos bien preh e një naiviteti që shoqëria kosovare është diçka mes Lindjes dhe Perëndimit por ta mbështet fuqishëm orientimin tonë euro-atlantik edhe për shkak të lidhjeve gjeografike e kulturore më Evropën. Shoqëria kosovare është pjesë e qytetërimit evropian në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk ka kapacitet që ta luaj rolin e një faktori ndërlidhës mes Lindjes dhe Perëndimit. Madje askush nuk kërkon nga shoqëria kosovare ta luaj një rol të tillë. Përfundimisht reagimi i shtetit ndaj këtij fenomeni ka ndodhur dhe na takon të gjithë neve si shoqëri si do të sillemi më tutje.
Autori është Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
*Minister i Jashtem i Kosoves
Obama’s Iraq
By Peter Lumaj*/
Regardless of the rhetoric animating the relaxed posture of team Obama, we are at war again in Iraq for the third time in 25 years.
Maybe this time, he’ll finish the job!
Least we forget, he was handed a ‘win’ on a war he characterized as ‘lost’. Will he execute, fight it vigorously enough to defeat the jihadists who threaten both human rights, the region and American interests?
The sad part is this: we can’t tell.
That’s the larger political storyline missing from the emerging chaos inside Iraq.
Prime Minister Nouri al-Maliki is refusing to accept the political decision from Iraq’s newly elected Prime Minister, one elected from al-Maliki’s own Dawa Party, that he be replaced by Haider Al Abadi.
How will this play out? Its possible that the Iraqi Army will split into warring factions. The best Al Abadi can do is to guarantee immunity and protection for Maliki. Regardless of how Iraq transitions politically, it is NOT the nations main challenge. Defeating an emerging Sunni Caliphate is. The Islamic State in Iraq & al-Sham now controls western Iraq and regional border with Syria & Jordan. It holds territory and the Iraqi Central Bank!! Something Lenin could only dream of.
Although the U.S. has bombed to stop ISIS, its advance against Kurdish territory north of Bagdad must be stopped. Both the White House & the Pentagon have badly misjudged the strength and political ambitions of ISIS, only ‘boots on the ground’ can stop it.
The twin oil producing cities inside Kurdish territory, Kirkuk and Erbil and now besieged. Obama’s ‘JV Team’ is winning on the ground. A bad mischaracterization has now morphed into a regional foreign policy crisis. American progressives can’t bring themselves to acknowledge that this JV team is a ruthless jihadi army on the move.
Our major interest and strategic priority should be engaging and defeating ISIS so that it cannot establish a Caliphate in Baghdad. If we fail here, we should expect the entire Iraqi state to become a mecca for global jihadis who will train and export terror.
A strategy of containment is insufficient.
Just as Clauswitz taught that war is politics by other means, US strategy to defeat ISIS will also make it easier to solve Iraqi political disputes. Sunni sheiks in western Iraq don’t trust nor cooperate with an emerging Shia in Baghdad. If they anticipate a continuation of non-accommodation, Iraq will splinter into regional groups. Just ask the Kurds.
Can team Obama learn what C.O.I.N. teaches? Namely that any enduring political solution must be proceeded by a definitive military defeat.
Team USA has no regional influence given how we have treated the Iraqi ‘problem’ under team Obama. Since the withdrawal of troops in 2012, we have reduced our capacity and institutional posture rendering us impotent. The WSJ reported that we pledged to rebuild the military airfield at Baldad but failed to do so. We have delivered only one F-16, its in Arizona for Iraqi training!! A third of Iraqi 150 M1 tanks are not in local service because U.S. contractors are not present in Iraq.
The more we have neglected our regional influence, the more the Iraqi’s turned to Russia, China and IRAN.
We have refused to arm the Kurds. We’re inundated with the ideological prerequisite that Iraq discover and field political solutions first.
The result: an emerging ISIS on the ground with assets and an IMPOTENT US. None of this is lost in Tehran.
A policy of rollback would include the following: immediate bombing of regional ISIS outposts, arming Kurdish leadership with US forward moving air power moving south, maintaining a defensive wall around Kurdish territory, New US political commitments to gain and field a confident Iraqi military. Then assist the Iraqi’s in retaking lost territory. Invite regional players like Turkey and smaller Sunni neighbors to assist.
The political and strategic myopia that procured this regional mess must be uncovered. A blunder of US withdrawal invites defeat.(Examiner.com)
* Pjerin Lumaj, Esq., is a Civil Rights Attorney in New York City. After obtaining his BA in Political Science from CUNY in 1996 and his LL.B from the University of Wolverhampton in 2005, he earned his Master of Laws (LL.M) from Benjamin N. Cardozo School of Law. He has been admitted to the Washington D.C. Court of Appeals
PUNË KULTURASH- NGA TIRANA NË PRISHTINË
E di që Bibliotekën Kombëtare në Tirane e kanë rrudhur keq e më keq, e kanë vendosur me dalje nga pjesa anësore e Pallatin të Kulturës si apendiks, me shkakun se ky shtet që shet edhe brekët e veta, ua ka dhënë me qera hyrjen kryesore të këtij Pallati që e ka mbiemërtimin Kulture, disa kompanive e firmave private, por edhe Biblioteka Kombëtare e Prishtinës nuk më pelqen, më duket si saraj sulltanësh./
Nga Kolec TRABOINI/
Gjithmonë i kam vlerësuar bibliotekat sepse ato janë thesari i dijeve njerëzore dhe kam vënë re se në Amerikë bëjnë kujdes dhe japin fonde të mëdha për biblitekat e shteteve. Nëse do të merrnim një shëmbull në Boston do të thonim se godina e “Boston Public Library”është me të vërtetë një ndërtim i madh mbrëslënës, një ndërtesë me kollona larta që sapo e sheh të çon mendjen tek stilin glorioz romak. Gjithçka flet për lavdinë e dijeve brenda një trukture solide sikur të thoshte se në këto tempuj dijesh qëndrojnë themelet e shteteve. E di që Bibliotekën Kombëtare në Tirane e kanë rrudhur keq e më keq, e kanë vendosur me dalje nga pjesa anësore e Pallatin të Kulturës si apendiks, me shkakun se ky shtet që shet edhe brekët e veta, ua ka dhënë me qera hyrjen kryesore të këtij Pallati që e ka mbiemërtimin Kulture, disa kompanive e firmave private. Madje njëra nga ato e ka modifikuar për sallë filmash apo mbledhjesh përkundrejt shumave të mëdha 400 apo 600 euro për një ore promovin apo premiere filmi. Me e trishtueshme është se masakrat ndaj institucineve të artit vazhdojnë të jenë të pandryshuara edhe me ndrrimin e qeverisjes. Kësisoj në qëndër të Tiranës kemi një Pallat Kulture që nuk ka të bëjë në asgjë me kulturën, e fale zotit që nuk e kanë mbyllur dhe Teatrin e Operas dhe Baletit, salla e të cilës është katandisur si një teater provincial me ndenjëse erë djersë a diç më shumë.
Po le të kalojmë në kryeqytetin tjetër të shqiptarëve se tashmë kemi si shqiponja me dy krerë edhe dy kryeqytete. Kisha parë në fotografi shumë herë Bibliotekën Universitare të Prishtinës por asnjë herë nuk e kisha kuptuar pamjen e saj. Që në fillim kishte lindur një lloj mospëlqimi mes meje e atij ndërtimi që e konsideroja apokaliptik. Këto ditë gushti u gjenda pranë ngrehinës së Bibliotekës së Kosovës. Këtu problemet nuk qëndronin si në Tiranë. Shteti këtu nuk ja kish shitur shpirtin bizneseve siç ndodh në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Madje në këtë pikëpamja vumë re se Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka aty pranë ishin në hapsira të lira dhe gjelbrim, por gjithsesi nuk rri dot pa shkruar për ndjesinë në lidhje me ndërtesën e Bibliotekës së Kosovës që ka jo pak por 5 mijë antarë të regjistruar. Një stukturë e mbyllur me kube që të kujtojnë orjentin, hamamet e lindjes së mesme, a ndoshta diçka edhe nga fryma mistike bizantine. Gjithë kjo më ngjallte mendime të ndryshme por asnjë herë me dritë. E sodita gjatë, dhe u përpoqa ta largoj sadopak ndjesinë që kisha marrë prej imazheve kartolineske por nuk qe e mundur. Zymtësia më shoqëroi që nga pamja e jashtme madje edhe hyrja si në koridoret e errta të ndërtimeve mesjetare. Mu duk se papritur do të më shfaqej trimërisht ndonjë luftëtar mesjete i veshur deri në dhëmbë me hekur.
Nuk e di kush e ka krijuar këtë model, nga janë frymëzuar arkitektët dhe sa vlerë i japim si zgjidhje një ndërtese guri futur në një strukturë hekuri që të krijojnë imazhin e një saraji mesjetar, a përndryshe të ngjallte ndjesinë e përjetimëve filmikë kur ndodhte që zinin një kryengritës, e fusnin në kafaze prej hekuri dhe e shëtisnin në popull. Asgjë në këtë konstruksion nuk më kujtonte dritën, as dijen, as të ngjallte ndjesinë se në zemër të kësaj ngrehine gjënden dritëzat që ndriçojnë mendjet njerëzore. Përkundrazi. Po qellimi im i ardhjes këtu nuk ishte të prekja me dorë një imazh arkitekturor që më kishte krijuar një ndjesi të turbullt sa herë e kisha parë në foto, por ngase doja të sillja një sasi librash nga krijimtaria ime, sepse mjaft gjatë kemi shkuar në mosnjohje të njëri tjetrit. Se njohja nuk është vetëm të takohemi e të pimë një kafe në një lokal veror të Prishtinës apo ish Bllokun e Tiranës, por edhe të dimë çfarë mendojmë e çfarë ndjejmë si bashkombas pa fare dallimi në mes nesh, anipse ca fjalamanë profesionistë Tirane i kanë përrallisjet e ndarjeve në maj të gjuhës. Po dihet, flet më shumë paraja e serbit se sa mendja e shqiptarit mediatik.
Kësisoj dhurova 6 tituj librash, “Flamuri në Deçiq”, “Aristidh Kola”, dhe katër vëllimet e mia të fundit me poezi. Ndërkohë që po dorëzoja librat nënpunësi plot respekt më njoftoi se Biblioteka tashmë ishte ndarë, në atë Universitare dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës që është e emërtuar “Pjetër Bogdani”. Më erdhi mirë për këtë emër megjithëse mendoj se emërtimi i bibliotekave kombëtare që janë unike në një shtet, nuk ja ndjejnë nevojën ndonjë emri për tu dhënë identitet.
Edhe tek dilja u përpoqa ta zbus vështrimin, me dëshirën ta shoh ndryshe këtë ndërtesë që më ngjallte një ndjesi të turbullt por nuk munda. Gjithçka mund të ishte, një muze armësh të ndryshkuara mesjetare a diç tjetër por jo një qëndër prej të cilës buron drita e dijes. Të paktën ta kishin dhënë me qera e ta bënin bibliotekën në ndonjë ndërtesë tjetër- thashë me vete,- ta bënin si pushtetar-tregtarët e Tiranës të cilët duke mbetur peng të mosdijes, ndërkohë që Bibliotekës Kombëtare i kanë gjetur një furrik,ballin e Pallatit të Kulturës ja kanë dhënë tregtarëve, si te ishte shteti një fajdexhi qiradhënës. Kush e di ndonjë ditë do të shitet aty edhe djath kaçkavall si mënyja më preferuar e honxho-bonxhove të kulturës shqiptare. E akoma më tej ndërtesën e quajtur Piramida në bulevardin Dëshmorët e Kombit e kanë lënë të rrënohet madje edhe ta zhveshin nga pllakat e mermerit të blera si frëngu pulën në Itali. Vërtetë kush e mori mermerin e Piramidës, banjot e cilit deputet a ministër zbukurojnë? E këto nuk janë vetëm punë kulture por edhe punë vjedhjesh e matrapazllëqesh shtetërore. Për ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë, që shteti i Salit në mënyrë banditeske ua mori me forcë krijuesve duke i nxjerrë në rrugë të madhe do flasim një herë tjetër. Meriton vemëndje për faktin se ky akt despotik i shfaq shtetarët e qeveritarët tanë si urithët e antikulturës paçka se në të vërtetë vishen firmato nëpër dreka e darka qeveritare apo partiake, por të shkretën mëndje e kanë kashtë e byk.
gusht 2014
“NE DUHET T’I THEMI STOP PUTINIT, TANI”
Nga Frank Shkreli/
Kështu u shpreh në një intervistë me Radion Europa e Lirë, ish-disidenti anti-komunist polak, Adam Michnik, duke e krahasuar njëherazi agresionin e Rusisë së Putinit kundër Ukrainës me aneksimin e Çekosllovakisë nga Adolf Hitleri në vitin 1938. Kundërshtari veteran i komunizmit tha se Europa duhet patjetër të gjëjë mënyra për të “Ndaluar Putinin” për t’i thënë stop agresionit të tij në Ukrainë, megjithë koston ekonomike që mund të rezultojë si rrjedhim.
Paralajmërimet për një ndërhyrje të mundshme dhe të shpejtë ushtarake ruse po bëhen nga të dy anët e Atlantikut: nga aleanca e NATO-s, si dhe nga zyrtarë amerikanë dhe europianë, të cilët pohojnë se ditët e fundit, Rusia ka grumbulluar forca të shumëta ushtarake përgjatë kufirit të saj me Ukrainën lindore. Një ndër ta ishte Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk i cili të mërkurën u tha gazetarve në Varshavë, se duke u bazuar në informacionin që ai ka marrë gjatë disa orëve të fundit, sipas tij, sugjeron se mundësia për një ndërhyrje të drejtë për drejtë ushtarake nga ana e Rusisë në Ukrainë, është më e madhe tani se ç’ishte disa ditë më parë. Ndërsa Ministri polak i Punëve të Jashtëme, R. Sikorski paralajmëroi se Putini po përgatitet për një invadim të Ukrainës nën pretekstin e një ndërhyrjeje, gjoja për qëllime humanitare, për të mbrojtur minoritetin rus atje.
Burime të ndryshme, zyrtare dhe jo zyrtare, sugjerojnë se Rusia ka grumbulluar rreth 20-mijë trupa në kufirin me Ukrainën. Ndërkaq, edhe Kryeminsitri holandez Mark Rutte u citua nga media të ketë thënë të mërkurën se po ndalohet puna për identifikimin e viktimave të aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë, që sipas zyrtarëve ukrainas dhe atyre perëndimorë, është rrëxuar nga forcat pro ruse më 17 korrik. Kjo masë, tha ai, po merret për arsye se gjëndja e sigurisë në Ukrainën lindore po keqësohet gjithnjë e më shumë, në vendin ku është rrëxuar në mënyrë barbare aeroplani civil nga forcat pro-ruse, ku gjetën vdekjen pothuaj 300 pasagjerë të pafajshëm. Një akt barbar ky, në të cilin, që sipas të gjitha gjasave mesa duket kishte gisht Moska, në mënyrë direkte ose indirekte.
Në lidhje me mundësinë e një agresioni të shpejtë ushtrarak rus kundër Ukrainës, janë venë në lëvizje një numër takimësh diplomatike dhe po bëhen paralajmërime nga zyrtarë të ndryshëm perëndimorë, me qëllim për të parandaluar një gjë të tillë, ndërkohë që edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka mbajtur seanca. Njoftohet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Fogh Rasmussen vizitoi Kievin të ënjtën, i ftuar nga udhëheqsit e Ukrainës për të biseduar mbi takimin e ardhëshëm të partneritetit të NATO-s me Ukrainën, që ishte caktuar më heret, por siç duket, përball situatës së krijuar tani, bisedimet midis dy palëve mund të përqendrohen mbi atë që thuhet se është një kërcënim i menjëhershëm ushtarak rus ndaj integritetit territorial të Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen gjatë vizitës së tij në Kiev i premtoi mbështetje Ukrainës përballë atij që ai cilësoi si agresion rus dhe sipas lajmeve i bëri thirrje Moskës që të tërheq forcat e saja nga kufiri.
Ndërkaq, në fillim të kësaj javë u njoftua nga Organizata e NATO-s takimi që Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore Rasmussen pati me Kryeministrin britanik, David Cameron dhe me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura të NATO-s, Gjeneralin Philip Breedlove, në kryeqëndrën e aleancës në Belgjikë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi gjatë këtij takimi se aleanca, “është e vendosur” të mbrojë të gjithë Aleatët nga çdo kërcënim. “Ne jemi”, tha ai, “në një periudhë kritike të historisë, ndërkohë që po kujtojmë shkatërrimet e shkaktuara nga Lufta e parë Botërore (në 100-vjetorin e saj) — paqa dhe siguria e jonë po kërcnohen përsëri, kësaj radhe nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.” Udhëheqsi i NATO-s, shtoi se rrëximi kriminal i aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë muajin që kaloi, e ka bërë të qartë për të gjithë se konflikti në një pjesë të Europës, rezulton në pasoja tragjike anë e mbanë botës.” Aleanca NATO, nga ana e saj, ka njoftuar se ka ndërmarrë tanimë masa të menjëhershme për të përforcuar mbrojtjen e përbashkët në ajër, në detë dhe në tokë, si përfundim i agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe për rreth saj.
Ndërkaq, gjatë një vizite të mërkurën në kryeqëndrën e Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara në Stuttgart të Gjermanisë, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha se përball keqësimit të situatës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara, së bashku me vendet e tjera anëtare të NATO-s, janë të angazhuara në këtë drejtim, ndërkohë që aleanca ka shtuar masat ndaj kërcënimit rus, përfshirë vendosjen e forcave të saja në Poloni dhe në tre shtetet baltike, anëtare të NATO-s. Duke reaguar ndaj grumbullimit të forcave ruse në kufirin me Ukrainën, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes tha, se “këto nuk janë shënja të mira”, dhe shtoi se “për derisa Rusia shkakton dhe nxitë tensionet në atë zonë, gjëndja atje do të keqësohet”, duke theksuar se, “këto masa duhet të marrin fund ashtuqë që problemet të zgjidhen nepërmjet një procesi paqësor, ashtu siç ndodhë zakonisht midis kombeve të qytetëruara”. Ai i quajti rusët si, “të rrezikshëm, provokues dhe të pa përgjegjeshëm”, duke thënë se Rusia me masat e saja, po vazhdon gjithnjë të izolojë veten nga komuniteti ndërkombëtar”.
Thonë se historia përsëritet. Në rastin e Ukrainës, kjo nuk është hera e parë që Rusia sillet në këtë mënyrë ndaj saj. Gjatë viteve 1932-1933, Rusia komuniste nën udhëheqjen e Stalinit ndërmori një gjenocid të vërtetë ndaj popullit ukrainas duke e zhytur vendin në një uri të tmershme që shkaktoi vdekjen e miliona ukrainasve. Ishte ky një mjet djallëzor komunist për të minuar krenarinë kombëtare të popullit ukrainas dhe për ta nënshtruar atë. Ky gjenocid shërbeu në atë kohë edhe si një mënyrë për të shtypur popullin ukrainas për një periudhë afatgjatë, duke i mohuar atij gjërat më elementare të nevojshme për të mbijetuar, siç është buka e gojës. Kjo periudhë urie, e imponuar nga Rusia komuniste në fillim të shekullit të kaluar kundër Ukrainës, njihet nga ukrainasit me emërin “Holodomor” që do të thotë, “vdekje nga uria”. Regjimi komunist sovjetik donte të zhdukte çdo kërcënim nga nacionalistët ukrainas, të cilët sipas Moskës në atë kohë, mund të kërkonin pavarësi e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Historianët thonë se përveç “Holodomor-it”, Stalini zhduku më shumë se 5000 mijë intelektualë ukrainas, kolektivizoi fermat dhe kishte venë në shënjestër për t’i zhdukur si klasë, ata që quheshin kulakë, një politikë kjo e qëllimshme nga rusët për të zhdukur kulturën dhe nacionalizmin ukrainas.
Edhe Putini, si një karikaturë e Stalinit që është, i trajnuar mirë si aparatçik i sistemit shtypës komunist rus, ka shprehur shpesh keqardhjen e tij për shbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, duke e quajtur atë si, “Katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit 20”, e që sipas tij, ka frymëzuar lëvizjet separatiste mbrenda Rusisë. Si e tillë, ishte një tragjedi e vërtetë për Rusinë, ka thënë Putini. Ai ka theksuar gjithashtu se si përfundim i shbërjes së Bashkimit Sovjetik, dhjetëra miliona rusë mbetën jashtë kufijve të Rusisë, por Putini nuk thotë se shumë prej tyre nuk ishin homogjenë atje, por ishin dërguar në vendet në periferi të Rusisë pikërisht për t’i mbajtur nën kontrollin e perandorisë komuniste sovjetike të drejtuar nga Moska, popujt dhe kombësitë e zonës së Euro-Azisë, për pothuaj një shekull.
Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry e ka cilësuar invadimin e Ukrainës nga Rusia si një “Akt i shekullit të 19-të, në shekullin 21”. Sipas analistëve, shihet qartë se, në një mënyrë ose një tjetër, Rusia e Putinit ka për objektiv rivendosjen e perandorisë sovjetike. Ukraina është vetëm fillimi, nëqoftse ia del, thonë ata. Europa dhe bota kanë të bëjnë me një barbar të egër të mentalitetit të shekullit 19-të, që sipas njërit prej komentatorëve më të njohur amerikan, George Will, “Është e vështirë për njerëzit e civilizuar për t’a kuptuar”, një njeri i cili shkruan ai, “ka disa karakteristika të veçanta, institucionale dhe emocionale, me një të kaluar aq të keqe e të ashpër, sa që është vështirë të imagjinohet.” Besoj, komentatori Will i referohet të së kaluarës së Vladimir Putinit si ish agjent i policisë sekrete famë keqe sovjetike, KGB-së.
Është e pa evitueshme që Ukraina e sotëme të mos krahasohet me Çekosllovakinë e vitit 1938. Pushtimi i Çekosllovakisë nga Hitleri ishte hapi i parë i agresionit nazist anë e mbanë Europës. Putini e konsideron veten si një car i ri i Rusisë, si i “predestinuar” nga Perendia dhe i “bekuar” nga Kisha Ortodokse ruse për të shpëtuar “Nënën Rusi” dhe për të mbrojtur interesat e Rusisë në zonën e Euro-Azisë dhe më gjërë, por ama në kurrrizë të popujve që dëshirojnë liri dhe vetvendosje, pa ndërhyrje nga Moska. E kush nuk ua ka pa sherrin carëve të Rusisë dhe pasardhësve të tyre? Europa dhe bota bëjnë mirë që të mësojnë nga historia dhe të mos bëjnë të njëjtin gabim si në vitin 1938, dhe të dëgjojnë thirrjen e ish-disidentit anti-komunist polak, Adam Michnik, që Putinit t’i thuhet “Stop” tani, para se të jetë vonë, ose bota dhe Europa do të përballen shpejt me pasoja të pa-parashikueshme për të gjithë.
KOSOVA POST-TRAUMË
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Dua të përmend kryehere se nuk bëj pjesë në racën e atyre opinionbërësve që mëtojnë t’i kenë vënë pikat mbi i në shkrimet e tyre apo të atyre që mëtojnë të japin direktiva me këto shkrime politikës, diplomacisë, shoqërisë ose tjetërkujt.
E bëj këtë para se të nënvizoj që temën e post-traumës e kam trajtuar pareshtur (sistematikisht) në shkrimet e mia të dikurshme. Kam theksuar atëherë dhe e përsëris sot e në vazhdimësi dhe pafundësi se trauma që pësoi populli i Kosovës në vitet e luftës ishte nga më të pashembulltat në historinë e njerëzimit, e quajtur me të drejtë nga mediat botërore si traum biblike, pra e krahasueshme me tragjeditë më të rënda të njerëzimit ndër mijëvjeçarë.
Kështu kam ngulmuar se trauma do vetëtrajtuar nga populli i Kosovës, por, në radhë të parë, do trajtuar nga faktorët miq e aleatë dhe nga faktorët e saj që e udhëhoqën vendin dhe popullin në proceset e kohës. Në aspektin e trajtimit i kam mëshuar rëndësisë së veçantë të aftësisë integruese, pra përfshirëse dhe jopërjashtuese që ngërthen gjithmonë në vetvete populli i Kosovës dhe shoqëria e Kosovës.
Rastet e tilla, si individuale ashtu dhe kolektive i nënshtrohen një terapie shpirtërore tejet të vëmendshme dhe tejet të kujdesshme nga faktorët përkatës ndërkombëtarë dhe vendës. Përvojat shekullore, deri tek më të vonat, kanë treguar dhe kanë dëshmuar se traumat nuk shërohen me trauma ashtu si mund të shërohet zjarri me zjarr, të ftohtët me të ftohtë e tjerë. Pra, nënkuptohej që popullit të Kosovës t’i kurseheshin sa më shumë përballjet e reja të rënda në periudhën e tranzicionit drejt shtetit të saj të pavarur dhe sovran, drejt ndërtimit të institucioneve të demokracisë së saj perëndimore.
Kjo jo për gjë tjetër, fundja, përveçse për të shmangur mundësisht pasojat me dëme vështirë të ndreqshme, natyrisht edhe ato me rëndësi për imazhin e vendit. Kjo nuk mund të arrihej, natyrisht, duke i fshehur plagët, duke mos i prekur plagët dhe duke mos i prekur plagët, pra, në fund të mbramë, duke mos i trajtuar plagët. Lënia e tyre të mahisen, dihet, bën që ato të shpërthejnë diku e dikur në forma të vrazhda e të rënda, të pahijshme, deir edhe shëmtuese e tronditëse.
Ata që më së paku kanë pasur lidhje me sakrificat e popullit të Kosovës në vitet e konfliktit 1998-1999, në krye të një shekulli pushtimi nga më të egrit, i harruan këto sakrifica dhe mbi to vunë heroizmat e tyre individuale, në të vërtetë të paqena.
Me veprimet e mosveprimet e tyre, ata ia ngushtuan ose ia mbyllën perspektivën popullit nga vijnë. Përvojat kanë treguar, në mënyrë të pagabueshme, se, sa më të gjera e sa më të mëdha të jenë perspektivat, aq më shumë një popull, një vend, një shoqëri integrohet në të ardhmen, progresin, përparimin. Të njëjtat përvoja kanë treguar se ngushtimi i perspektivave, mbyllja e perspektivave vetëm sa e tundon një popull, një vend, një shoqëri drejt pashpresave, drejt regresit.
Vonesat e gjata drejt zyrtarizimit të pavarësisë, vazhdimi i tyre në rrugën e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës, natyrisht, nuk i shërbejnë aspak qartësimit të perspektivës. Kosova, absolutisht pa e merituar, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa afate të integrimit të saj në BE dhe në hapësirën veriatlantike, mbetet vend pa shtet funksional, pa institucione të plota të sigurisë, mbetet vend ku investuesi kryesor, ndonjëherë i vetëm, mbetet emigracioni saj.
Në këtë kontekst, është shumë i kuptueshëm alarmi i këtyre kohëve, sidomos i këtyre ditëve, për lajmet e fundit nga Siria, ku një shqiptar, kryen një akt makabër e publik, absolutisht të dënueshëm, absolutisht të papranueshëm, madje “në emër të Zotit”. Çdonjëri nga ne, si pjesëtar i kësaj shoqërie dhe këtij kombi, njeri i mediave apo jo, nuk do të kishte dashur kurrë që të vinte një ditë kur do të ndeshej me një rast të tillë. Ky është një deformim të cilin nuk do ta kishim dashur kurrë në qenien tonë. Ne tashmë po ndeshemi me të dhe na takon ta shikojmë e trajtojmë realisht, pa tabu dhe pa komplekse. Por, natyrisht, barrën më të madhe dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë duhet ta marrin institucionet drejtuese të vendit, sidomos ato të sigurisë. Dhe Kosovës, popullit dhe shoqërisë, të mos i krijohen mbipesha të tepërta psikologjike.
Të mërkurën, në Prishtinë, komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha se radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri. Breedlove tha se përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjet radikale në Siri dhe vende të tjera është shqetësuese dhe se ky është një shqetësim jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e NATO-s, që radikalët që dalin nga zonat e konfliktit, radikalët që vijnë nga të gjitha vendet e NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilët stërviten dhe kthehen në vendet e tyre, janë problem për të gjithë. Ai tha se vendet e NATO-s po bashkëpunojnë në shumë fusha për të luftuar këtë çështje.
Deklaratën e Breedlove e solla edhe për të thënë se përgjithësimi i faktit, zgjerimi i fajit apo autorësisë, çorientimi dhe hutimi i opinionit, krijimi i dyshimeve e mosbesimeve ndaj aftësive imune të Kosovës, popullit dhe shoqërisë së saj kundër çdo negativiteti në trupin e tyre vetëm sa e gërricin plagën përkatëse, e cila luftohet vetëm duke u atrofizuar, frenuar dhe çrrënjosur dukurinë nga ka lindur. Përvoja e vendeve të tjera në këtë drejtim rritja e kapaciteteve të sigurisë kombëtare, funksionalizimi dhe fuqizimi i plotë i shtetit janë ndihmë e drejtpërdrejtë për Kosovën.
Pra, pa rënë në alarmizëm çmobilizues dhe fatalist, pa rënë në inflacion propagandistik, kërkohet nga ne përballja reale me problemin, duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo veprimtari radikalëve që kthehen nga zonat e konfliktit, si dhe duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo rekrutim të mëtejshëm. Për këtë kërkohet bashkëpunim i ngushtë i pareshtur e i shumëfishtë me të gjitha vendet e NATO-s. Në këtë mënyrë, jam absolutisht i sigurt se Kosova do ta përballojë me sukses të plotë edhe këtë sfidë, sikurse të gjitha sfidat e tjera, sado të rënda që kanë qenë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 888
- 889
- 890
- 891
- 892
- …
- 984
- Next Page »