Nga Enver Hoxhaj*/
Zhvillimet e ditëve të fundit përkitazi me përfshirjen e shtetasve tanë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste që rezultuan me një aksion të madh policor në Kosovë janë njëra hallkë e reagimit shtetëror ndaj këtij fenomeni.
Arrestimi i dhjetëra prej tyre është kundërpërgjigjja ndaj kërcënimi fizik dhe të sigurisë sonë përderisa dilemat më të mëdha që kemi para vetes si shoqëri është si ti qasemi ekstremizmit fetar në një plan më afatgjatë. A kemi vullnetin dhe dijen për tu përballur me këtë fenomen në rritje në të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe më gjerë? A mund dhe duhet ta marrë këtë barrë vetëm shteti përmes institucioneve të sigurisë apo është obligim i të gjithëve? A përbën ndër rreziqet kryesore për Kosovën në dekadën para nesh së bashku me sfida tjera në planin e jashtëm sikurse ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme?
Historikisht, islami në Kosovë nuk ka traditë të përdorimit të tij për qëllime politike ekstremiste dhe radikale. Feja islame nuk ka përbërë orientim apo mënyrë të sjelljes në jetën publike të saj tek shqiptarët. Gjatë dy shekujve të kaluar elitat shqiptare duke vepruar në Perandorinë Osmane kanë formësuar një botëkuptim të qartë politik dhe paqësor për të ardhmen e shqiptarëve. Ata promovuan idenë se për shqiptarët ‘dielli lind në Perëndim’, që flet për dëshirën dhe orientimin pro-perëndimor të popullit shqiptar. Aspirata, këmbëngulësia dhe domosdoshmëria për tu shkëputur nga Perandoria Osmane bëri që ndikimi i islamit në shoqëri të dobësohej. Në shekullin XX, gjatë sundimit komunist, për shqiptarët, feja nuk e kishte rolin dhe hapësirën e duhur në jetën publike.
Tendencat e para të mësimeve radikale islame nisën me rënien e komunizmit dhe pas ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare përfshirë edhe Kosovën e pjesë tjera të botës. Ky zhvillim i ri u manifestua nëpërmjet shfaqjes së tendencave për ekstremizëm fetar e deri tek pjesëmarrja e qytetarëve nga Ballkani në luftërat në Lindje të Mesme. Në vitet e fundit shfaqet dukshëm krijimi i disa premisave të vogla dhe shpesh të kamufluara të cilat mund të shndërrohen në një realitet të përbashkët kërcënues për sigurinë e Kosovës. Pashmangshëm kjo varet edhe nga fakti se si do të sillet shteti i ri i Kosovës dhe shoqëria e saj ndaj ekstremizmit fetar.
Premisa e parë është shoqërore dhe ka të bëjë me përhapjen e herëpashershme të ideve dhe mësimeve radikale. Përkundër faktit që Kosova është shtet laik dhe shoqëria e saj është sekulare, kohëve të fundit dëgjohen zëra radikal nga disa prijës fetar islamik të cilët janë arsimuar në vendet arabe dhe islame. Ata predikojnë një islam tjetër larg islamit tradicional shqiptar dhe një mënyrë jetese i ndryshëm me realitetin kosovar. Pa ndikim nuk janë as asociacionet e ndryshme të financuara që nga paslufta prej botës arabe të cilat mundohen ti tjetërsojnë botëkuptimet e të rinjve dhe njerëzve me ndikim në Kosovë. Herë pas here ka edhe intelektual e njerëz të kulturës të cilët në mënyrë të vetëdijshme dhe këmbëngulëse e interpretojnë gabimisht por me qëllim për rolin që kinse ka pasur feja në Kosovë dhe fuqinë që ajo përfaqëson sot.
Premisa e dytë është politike dhe ka të bëjë me lindjen e partive të vogla politike të cilat nuk gëzojnë mbështetje elektorale. Disa prej tyre në mënyrë të pavetëdijshme përpiqen ta kthejnë islamin në një ideologji reaguese dhe rezistuese në Kosovë. Këto parti me orientim fetar radikal synojnë që të gjejnë hapësirë të re, të krijojnë elektoratin e vetë, të shtyjnë dhe nxisin tema kundërthënëse të karakterit fetar. Është një përpjekje aktive për të islamizuar jetën publike dhe politike në Kosovë. Njëherësh, këto përpjekje për islamizim të jetës publike kanë për qëllim që të promovojnë një identitet konkurrues anti-evropian që është kundër interesave vitale të Kosovës.
Premisat e sipërpërmendura në përmasa të vogla por në dukje shumë aktive e kanë kokën e tyre ideologjike dhe mbështetjen financiare jashtë Kosovës tek grupe dhe ideologji në Lindje të cilat e shohin Kosovën si një zgjatje të tyre. Në disa vende islame ka grupime politike të cilat i shohin shtetet e tyre si një qendër të islamit dhe trajtojnë myslimanet në Evropë si instrumente dhe kontingjente të politikës së tyre. Natyrisht që këto rryma në Kosovë u shërbejnë interesave të jashtme. Ato janë kundër islamit tradicional të Kosovës të kultivuar me shekuj i cili ka qenë çdo herë larg çështjeve politike e publike, dhe i cili asnjëherë nuk ka synuar të dominoj apo kontrolloj sferën publike. Rryma të tilla radikale padyshim që synojnë kontrollimin e jetës publike duke promovuar një rend të ri dhe të huaj kulturor dhe moral, që nuk përkon me orientimin perëndimor të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Përtej kësaj, ekstremizmi fetar ka për qëllim që t’a armiqësojë Kosovën me Perëndimin, që SHBA-të dhe BE-ja të humbin besimin tek shteti dhe shoqëria kosovare. Diçka e tillë do t’i shërbente natyrisht propagandës serbe dhe asaj ruse kundër shtetit të Kosovës.
Në adresimin e tendencave të tilla radikale, Kosova duhet të ketë vullnet politik të pathyeshëm dhe konsensus shoqëror të plotë për ti marr ato si një kërcënim për sigurinë e vendit. Ky zhvillim i ri nuk kanë të bëjnë vetëm me sigurinë në kuptimin fizik, por edhe me përpjekjen për të parandaluar formësimin e një shoqërie të mirëfilltë evropiane në të cilën rrugëtim gjendet Kosova tani dhe shekuj më parë. Përtej reformave të rëndësishme për Kosovën sic janë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, Kosova nuk duhet të lejoj ngadalësim apo degradim të agjendës euro-atlantike. Po ashtu, partnerët strategjik të Kosovës karshi vendit tonë dhe rajonit duhet të asistojnë që ekstremizmi fetar të mos dëmtoj orientimin euro-atlantik dhe demokratik të rajonit.
Në këtë drejtim, Kosova duhet të përforcoj tutje strukturat e sigurisë dhe inteligjencës të cilat do të punojnë në parandalimin e çdo tendence radikale për ta privuar jetën dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, strukturat e Bashkësisë Islame në Kosovë që ruajnë traditën shqiptare të islamit duhet të angazhohen fuqishëm për të larguar elemente ekstremiste përmes inkurajimit të një islami të moderuar dhe paqësor. Për më shumë, elitat kosovare duhet të mos bien preh e një naiviteti që shoqëria kosovare është diçka mes Lindjes dhe Perëndimit por ta mbështet fuqishëm orientimin tonë euro-atlantik edhe për shkak të lidhjeve gjeografike e kulturore më Evropën. Shoqëria kosovare është pjesë e qytetërimit evropian në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk ka kapacitet që ta luaj rolin e një faktori ndërlidhës mes Lindjes dhe Perëndimit. Madje askush nuk kërkon nga shoqëria kosovare ta luaj një rol të tillë. Përfundimisht reagimi i shtetit ndaj këtij fenomeni ka ndodhur dhe na takon të gjithë neve si shoqëri si do të sillemi më tutje.
Autori është Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
*Minister i Jashtem i Kosoves
naim ternova asht personi qe ka inspiru te rijt ne kosove dhe shqipri per perkrahur islamizmin extrem.
ky person te meret ne pyetje pa vonese,naim ternova ka kohe
qe predikon exremizem islamik ne kosove.keta te rije jane viktim te naim ternoves.
mendoj se naim ternova asht vegel e serbit,pse don me na paraqit para botes se na jena turq dhe keshtu ay do ta kete ma lehte me na shperngul prej shtepija tona e prej kosove ne turqi. na ket nuk e dona, na ja dim per nder amerikes dhe europes qe na shpetoj prej serbit.