• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të ushqesh frikë

April 25, 2014 by dgreca

Nga Sami MILLOSHI/
Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët?!!! Drejtoria Arsimore e Tiranës, u paska kërkuar mësuesve që ata të dorëzojnë librezat e pagesave të energjisë elektrike në drejtoritë e shkollave. Qëllimi? Të mësohet nëse e kanë paguar apo jo ata faturën e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre.
Unë këtë çudi nuk e kam dëgjuar dhe nuk e besoj se ka bërë vaki në ndonjë vend tjetër të rruzullit tokësor. Ca kohë më parë, pata dëgjuar se Ministria e Brendshme kishte kërkuar që ata qytetarë që nuk kanë paguar gjobat që u ka vënë policia për arsye të ndryshme, nuk do të lejoheshin të dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pasi njeriu njihet me këtë lajm, pyetja e parë është: “More, po çfarë i duhet Ministrisë së Arsimit nëse unë i paguaj apo jo dritat? A është kjo puna e saj në bazë të ligjeve që ka një shtet normal nga trutë e kokës?” Nuk e besoj se ka njeri me dy pare mend në kokë që të thotë se Ministria ka bërë mirë. Pse? Sepse nuk është punë saj. Është komplet problem privat i mësuesit në rastin konkret.
Ta supozojmë se një mësues nuk ka paguar energjinë. Ka organe të caktuara që e detyrojnë atë me ligj ta paguajë. Është sistemi i gjykatave që futet në lojë. Kur shuma e mospagesës është e madhe, gjykata mund të vendosë edhe për konfiskim pasurie. Të merr makinën, të merr shtëpinë, të merr nga depozitat bankare, etj, etj,. Kështu bëhet në një shtet ligjor. Të paktën, kjo është atmosfera që përjetoj dhe di unë këtu në Amerikë.
Po pse e bëjnë kështu, pse e anashkalojnë gjykatën? Sepse padrejtësisht e paragjykojnë si “të korruptuar”. Dhe në vend të ligjit fusin një urdhër ekzekutiv, të një zyrtari të rëndomtë të hierarkisë arsimore, që nuk ka kurrfarë forcë ligjore. Përveçse të një “force” iluzore, për të futur frikë te mësuesit, që nëse nuk paguajnë energjinë e kanë të rrezikuar edhe vendin e punës. Thjesht fare, duan ta bëjnë mësuesin e gjorë të ketë frikë zyrtarin që ka përsipër, i cili merret me mend, ka “moral” të lartë dhe “garanci” 100 % se ai vetë, pra zyrtari, e ka paguar faturën e energjisë. Po ky, ky zyrtari kujt do t’i dëshmojë se e ka paguar faturën e energjisë? Nëse është drejtor i drejtorisë arsimore, i bie që t’ia tregojë faturën Ministres, dhe kjo e fundit nga ana e vet, sigurisht, i duhet t’ia tregojë Kryeministrit.
Jo, kjo nuk është rruga e ndërtimit të shtetit ligjor. Kjo është rruga e mbjelljes së Frikës. Frikë nga zyrtarët e ulët, ndaj zyrtarëve më të lartë, frikë nga qytetari ndaj zyrtarit, frikë, frikë, frikë gjithandej. E megjithatë, askush nuk ka siguri që nga ushqimi i kësaj frike faturat do të paguhen…. Po ta zëmë se nuk do të paguhen edhe pas “kërcëllimit të dhëmbëve” të drejtorëve ndaj mësuesve, çfarë do të ndodhë? Do t’i pushoni mësuesit automatikisht? Mbi ç’ligj? Ku do të shkojnë nxënësit? Ku do t’i gjeni mësuesit e tjerë? Do t’i merrni nga rruga dhe do t’i shpallni mësues? Kjo është të futesh në labirintet e katrahurës dhe nga një problem i pazgjidhur, të prodhosh probleme të tjera edhe më të mëdha. Dhe mbi të gjitha, kjo do të thotë të prodhosh urrejtje për zgjidhjet voluntariste, që në thelb nuk janë zgjidhje ligjore.
Kur ia tregova këtë lloj “ndëshkimi” një miku tim këtu në Amerikë, ai bëri një spirale shakaje duke më drejtuar disa pyetje: “Po nëse mësuesit i kërkohet të paraqesë raportet seksuale me gruan? Po nëse i kërkohet të raportojë nëse e ka shëtitur qenin apo jo? Po nëse i kërkohet të raportojë se çfarë kanalesh televizive shikon? Po nëse i kërkohet të raportoje kë ka miq në Facebook? Po nëse i kërkohet të deshifrojë ëndërrat që ka parë natën e kaluar? Po nëse i kërkohet të përpilojë një plan strategjik për t’i vënë fre ambicieve të Putinit në Ukrainë??”.
“Miku im, shkove shumë larg me këto pyetje, i thashë. Por, gjithsesi ti ke të drejtë. Nëse i kërkohen të gjitha këto, ai do të duhet të jepte atë përgjigjen që jepte në diktature: Edhe jetën ia jap Partisë”. Me fjalë të tjera, të ktheheshim nja 30 vjet mbrapa dhe të humbnim kohë. Siç zakonisht kemi humbur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sami Milloshi, Të ushqesh frikë

Filozofija e nacionalizmit mistik të Putinit

April 24, 2014 by dgreca

Veprimet e fundit por edhe ato të mëparshme të Putinit e kanë bërë shumë të kujdesshëm Kryetarin e SHBA-ve Barak Obama që të mos e thirrë Rusinë për t’iu bashkuar “ fuqisë rajonale” dhe kështu mund të konstatohet se këta burrështetas nuk janë partner të barabartë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Samiti i mbajtur në Gjenevë në mënyrë të qartë dëshmoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në territorin e Ukrainës dhe shi për këtë partnerët u pajtuan që të filloi plani i çarmatimit të grupeve të armatosura pro- ruse që i kanë zënë ndërtesat qeveritare në pjesën lindore të këtij vendi. Mirëpo, separatistët pro- rus nuk duan t’i ulin armët. Ndaj, shlirshëm mund të thuhet se situata në Ukrainë është serioze. Shumë serioze.
Tani pretendohet se lufta e ftohtë është rikthyer. Këtë term e kemi të njohur tash e njëzet vjet më parë. Rritje tensioni mes Rusisë e Perendimit mund të jetë një shenjë alarmante. Nga shumë debate që po zhvillohen lidhur me krizën e kapluar nga aneksimi i territorit ukrainas nga Rusia , vlen të përmendet ai që po zhvillohet nga intelektualët gjerman të cilët me të drejt pyesin nëse Gjermania është në të vërtetë shtet perëndimor apo lindor. Ç’është e drejta, për shumë njerëz në perëndim krahasimet e gjendjes aktuale janë në shpërpjesëtim me pretendimet se tani kemi të bëjmë me rikthimin e Luftës së Ftohtë sepse , nëse mund të thuhet kështu, konflikti i fundit i madh është “ “ fituar” nga perëndimi. Putini është ai që Luftën e Ftohtë e ktheu prapa, por në të njëjtën kohë edhe Rusinë e ktheu prapa. Sa mund të jenë të sakta pohimet se Putini “ mbanë mend shumë deri sa ishte punëtor i shërbimit sekret KGB, për poshtërimin rus gjatë kolapsit ekonomik, pastaj grabitjet oligarkike dhe zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë që është një dimension që flet shumë për fillimin e kësaj krize. Dhe shtrohet pyetja se në këtë situatë të imponuar nga Rusia a mund të jenë si partner të barabartë kryetari i SHBA-ve Barak Obama dhe ai rus Vladimir Putin. Zatën, kjo është arsyeja kryesore pse Obama tregohet kaq i kujdesshëm për të thirrur Rusinë për “ fuqi rajonale. Pra, sillesh kah të sillesh Rusia nuk mund të jetë një partner i barabartë as i perëndimit e as i SHBA-ve.
Putin përpiqet me siguri të “gatuaj” diçka vet, por edhe të marrë diç edhe nga filozofët e vjetër rusë. Pra, filozofia e tij është nacionalizmi mistik i kohës kur Rusia ishte bashkësi e shpirtërave. Historiografia e komunizmit e mbërthen veprimin e Putinit dhe asesi një formë e nostalgjisë kombëtare si një ëndërr e një rusi që besonte në diçka. Fakt është se simitizmi i Putinit nuk është një histori e madhe e botës. Kjo, në të vërtetë, është një histori që ka të bëj me vetë Rusinë.
Prapë po i kthehemi Luftës së Ftohtë. Ka mbaruar ajo, apo është aktuale edhe tani. Mendoj se ajo ka mbaruar që moti dhe është “ fituar” nga perëndimi, sepse ajo çka shihet e po ndodh është diçka tjetër. Kuptohet, ideologjitë e perëndimit dhe lindjes janë diametralisht të kundërta, por lidhjet e tyre ekonomike janë të forta. Tash edhe Rusia edhe SHBA-të janë më të forta se sa ishin dikur, edhe moralisht edhe financiarisht. Historia në këtë rast nuk mund të përseritet. Kjo mund të jetë një “ triller spiunazhi”, por një “ triller spiunazhi” i formës së re.
Dhe krejt në fund. Mafiozët rusë dhe oligarkët mund të ndërhyjnë si “ djem e burra” të këqinj kudo e kurdo në territorin e tyre sepse kjo i takon natyrës së fuqisë dhe ideologjisë së pushtetit të tyre i përcjellë me karakterin e tyre të pastër të lakmisë. Është vështirë për të përshkruar më shumë dimensionin e mafiozëve rusë të goditur nga “ paratë” në shuma miliardësh. Sigurisht se në këtë punë është e përzier edhe qeveria e regjimit rus dhe për të çorientuar popullin nga kapitullimi ndaj kësaj strukture të rrezikshme, Putini zgjodhi aneksimin e Krimës, por ndoshta edhe pjesëve tjera të Ukrainës. Nuk është vetëm kjo. I ardhur në pushtet sipas dëshirës së tij me ndërrim funksionesh sikur të ishte pronë e tij, populli rus nuk e pëlqeu këtë dhe është e natyrshme se e dënon këtë me gjithë forcën. Thënë konkretisht, reputacioni i tij kishte rënë në pikën më të dobët dhe për ta ngritur atë u deshtë të aneksoj toka të huaja. Kësisoj kishte vepruar edhe Daçiqi me prangimin e dy policëve kufitar të Kosovës dhe arrestimit e dënimit me burgim të shumë qytetarëve të pafajshëm të Luginës së Preshevës. Kësaj i thonë politikë sllave. Caku qëllohet në taborin e huaj. Dhe siç dukët këto aktivitete çmendurake po “hutojnë” popullin për t’ua dhënë votën e për t’i përkrahur haptas. Edhe ky është një nacionalizem mistik sllav apo jo. Po ashtu edhe historiografi e komunizmit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Filozofija e nacionalizmit mistik të Putinit, Xhavit Citaku

MALI I ZI, INTEGRIMET EUROPIANE DHE PROTESTAT E SHQIPTARËVE

April 24, 2014 by dgreca

Nga Xheladin Zeneli*/
Pothuajse gjithë faktorët relevant ahqiptar,si politik dhe jo politik, janë në pajtueshmëri të plotë me faktin se pozita e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon gjithënjë të jetë e pavolitshme.Mjafton vetëm që t’ju hidhet një sy programeve të subjekteve politike shqiptare dhe të vërtetoheni në listën e tyre të gjatë të kërkesave dhe çështjeve të pazgjidhura të shqiptarëve.
Gjithashtu,gjatë 23-vjeçarit të fundit jemi dëshmitarë të bashkëqeverisjes dhe marrëveshjeve të shumta në mes subjekteve të caktuara politike shqiptare dhe partisë që udhëheq me pushtetin qendror, por pa rezulltate apo me rrezulltate të kufizuara.Njëkohësisht jemi dëshmitarë të premtimeve të vazhdueshme ,nga ana e qeverisë së Malit të Zi dhe kryeministrit Gjukanoviq kur janë në pyetje realizimi i të drejtave të shqiptarëve,premtime këto që kanë mbetur të zbrazta. Gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur projekte ,elaborate të ndryshme, reagime,propozime të amandamenteve ligjore nga ana e përfaqësuesve shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, por pa një sukses të konsiderueshëm.
Duke u nisur nga këto parametra, si dhe nga shqetësimi i diasporës shqiptare për pozitën e përkeqësusar të bashkëkombasve të tyre në vendlindje, organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet etnike në Mal të Zi që veprojnë në SHBA ,organizuan demonstratën paqësore në Washington me 8 Prill 2014, në të njëjtën ditë kur kryeministri malazez, Gjukanoviq u takua me z/presidentin amerikan,Biden,në Shtëpinë e Bardhë .Kjo demonstratë pati përkrahjen e shumë organizatave tjera shqiptare në SHBA dhe pati një jehonë të madhe në mediumet dhe në hapësirën shqiptare. Gazeta shqiptaro – amerikane ” Illyria” e përshkruan këtë demonstratë si “Protesta më e madhe shqiptare e dekadës në Washington”,kurse Albanian News Agency ( AlbPress) shkruan:”Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni”.Si rrezulltat i kësaj demonstrate ,anëtari i Komitetit për marrëdhënie të jashtme i Kongresit Amerikan, z. Eliot Engel,menjëherë pas përfundimit të demonstratës,ftoi në zyrën e tij të Kongresit,përfaqësuesit e disa shoqatave shqiptare dhe disa aktivistë të tjerë të komunitetit me në krye anëtarin e Asamblesë së New York-ut, z. Mark Gjonaj,ku u parashtruan kërkesat kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në të njëjtën ditë,pra me 8 Prill 2014 dhe në koordinim me shoqatat shqiptare në SHBA, u mbajt në Plavë protesta paqësore me moton ” Kërkojmë të drejtat tona”, e organizuar nga Unioni i pavarur i studentëve shqiptar në Mal të Zi (Dega Plavë -Guci). Këto djem dhe vajza meritojnë mirënjohje të veçantë për vendosmërinë dhe kurajon e tyre që treguan me rastin e realizimit të kësaj proteste. Kurse,dy ditë më parë me 6 Prill, në Tuz të Malësisë u mbajt ,gjithashtu protestë kundër politikës diskriminuese të pushtetit malazez ndaj shqiptarëve, e organizuar nga Forumi Demokratik për Integrim (FDI) dhe e përkrahur nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë si i vetmi subjekt politik i cili i ka dhënë përkrahje paraprake protestave të shqiptarëve.
Pyetjeve që nuk mund ti shmangemi dot është se përse protestat paqësore nuk patën përkrahjen e duhur të subjekteve të tjera politike shqiptare ? Përse nuk u përkrahen protestat e studentëve shqiptar në Plavë të cilët dualën në rrugë pa kurrfarë interesave politike por thjeshtë që të ngrisin zërin e tyre ndaj padrejtësive që iu bëhen shqiptarëve ? Gjithashtu,përse nuk u përkrah demonstrata e diasporës shqiptare në Washington ?. Këto janë vetëm disa pyetje,përgjegjën e të cilëve e dijnë vetëm subjektet politike shqiptare.

Një ndër arsyet e organizimit të protestave në fjalë ishte edhe ajo,se ky vit është vit i vendimtar për Malin e Zi në aspektin e përmbushjes së kushteve dhe kriteriumeve lidhur me anëtarësimin e tij në NATO dhe në BE. Prandaj,ky është moment i rëndësishëm që shqiptarët të riaktualizojnë çështjen e tyre duke sfiduar integrimin europian të Malit të Zi në aspektin e mos realizimit të të drejtave të plota të shqiptarëve sipas standardeve të vetë asaj bashkësie ,pjesë e së cilës Mali i Zi pretendon të bëhet,pra pjesë e BE. Është i papranueshëm fakti që Podgorica zyrtare, në njërën anë aspiron të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE, kurse në anën tjetër iu mohon të drejtat elementare të shqiptarëve.Prandaj edhe një ndër parrullat e protestuesve shqiptarë në Washington ishte “Nuk ka integrim në NATO për Malin e Zi pa të drejtat e shqiptarëve !”

Kur dialogu dhe rruga institucionale nuk jep rrezulltate të pritura të zgjidhjes së problemeve,atëherë protestat paqësore duhen të kuptohen si vazhdimësi e një proceci demokratik dhe si mekanizëm mbrojtës ndaj padrejtësive evidente të pushtetit malazez dhe si element plotësues i aplikimit të trysnisë ndaj këtij pushteti.
Duke u nisur nga kjo premisë, atëherë përse pjesa dërmuese e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi ngurrojnë apo hezitojnë që të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore? Të drejtën për të protestuar iu mundëson edhe kushtetuta e Malit të Zi ( neni 52). Derisa në të kaluarën ka pasur protesta të shqiptarëve në Mal të Zi me karakter lokal,deri më sot nuk ka pasur asnjë protestë masive të tyre.Një protestë masive eventuale e gjithë faktorit politik shqiptar bashkë me organizatat joqeveritare shqiptare,para institucioneve ku legjitimohet diskriminimi i shqiptarëve siç është parlamenti dhe qeveria në Podgoricë, do të dëshmonte unitet të pashembullt, dhe do ishte një mesazh i fortë i vendosmërisë së tyre në zgjidhjen e problemeve që preokupojnë shqiptarët si dhe do të tërhiqte vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.

Një dukuri tjetër ,që pak a shumë dominon në opinion shqiptar e posaçërisht dominon në retorikën e strukturës udhëheqëse të partisë së Gjukanoviqit ( PDS), është logjika sipas të cilës “nuk bën që të kundërshtohet diçka që përputhet me kundërshtimet e serbëve në Mal të Zi “!? Nëse serbët në Mal të Zi kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, këtë ate e bëjnë për arsyet e tyre, kurse shqiptarët e bëjnë për shkaqe të tjera. Serbët e kundërshtojnë anëtarësimin e Mali të Zi në NATO sepse e urrejnë NATO-n ,kurse ato shqiptarë që kundërshtojnë anëtarësimin e Malin e Zi në NATO, e adhurojnë aleancën ushtarake të Përendimit, por njikohësisht kërkojnë që Mali i Zi ti respektojnë të drejtat e tyre ,si anëtare e mundshme e NATO-s.
Me vite të tëra, një ndër strategjitë e pushtetit malazez ka qenë edhe ajo se shumë prej kërkesave të tyre janë kategorizuar si kërkesa të cilat “çojnë ujë në mullirin e pakicës serbe” (!?). Shembulli më i mirë i kësaj është kërkesa për statusin e komunës së pavarur dhe të plotë të Tuzit ( Malësisë). Qeveria e Malit të Zi dhe partia udhëheqëse e saj ( PDS) e arsyeton mos realizimin e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë) me preteks se me shkëputjen eventuale të Tuzit si komunë në vehte mund të ndikojë në ate që udhëheqja politike e Podgoricës të “kalojë në duart e opozitës serbe”, arsyetim ky i cili mund të merret edhe si llojë kërcnimi. Si rrjedhim i kësaj kemi të drejtë të pyesim se përse shumica shqiptare e Malësisë duhet të vazhdojë që të sakrifikohet apo të përdoret për interesat politike të partisë në pushtet ( PDS) ? Deri kur shumica shqiptare e Malësisë do të mbahet peng e llogaritjeve politike të partisë së Millo Gjukanoviqit e cila ka për qëllim vetëm vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit , dhe jo plotësimin e mirëfilltë të kërkesave të shqiptarëve ?.

Deri tani,përkrahja që shqiptarët i kanë dhënë partisë në pushtet dhe Malit të Zi,ka qenë më e madhe se asnjë popull tjetër pakicë në këtë shtet. Gjukanoviq dhe partia e tij kanë përfituar më shumë ndaj përkrahjes së shqiptarëve se sa shqiptarët kanë përfituar nga politika e tij. Në të vërtetë përkrahja dhe lojalizmi i tyre asnjëherë nuk iu është kthyer.
Prandaj,për dallim nga e kaluara, tani është koha që shqiptarët të mendojnë për vetëveten dhe interesat e tyre .Ata nuk duhen të brengosen shumë me faktin se a do të anëtarësohet Mali i Zi në NATO apo BE, por duhet të mendojnë se cili do të jetë statusi i tyre në një Mal të Zi europian.Vendimi për anëtarësimin e Malit të Zi do të merret në qendrat vendim-marrëse siç është Washington-i dhe Brukseli dhe shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë avokatë i integrimit të Malit të Zi në strukturat euro-atlantike. Shqiptarët,në rend të parë duhen të jenë avokat të vetëvehtes sepse askush tjetër nuk do t’a bëjë këtë,nëse ata vetë nuk angazhohen për çështjen e tyre.
(* Ne foto: Autori i shkrimit gajte protestes se 8 prillit 2014 ne Washington)
24 Prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: integrimi i Malit te Zi, protestat e shqiptareve, xheladin Zeneli

REZISTENCA NACIONALISTE KUNDRUALL TRADHËTIVE KOMUNISTE

April 24, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Historia nuk na ka përkëdhelur ne shqiptarët.Përkundër kësaj,në mjaft raste,fati ynë më tepër se me syrin e nënës na ka vështruar me atë të njerkës.Por gjithsesi nëpërmjet dallgëve të vuajtjeve që rezonojnë me aspiratën tonë për liri,ka shkëlqyer kurdoherë dëshira për demokraci të vërtetë,për dinjitet kombëtar, për krenarinë e racës më të drejtë e popullit ndër ma të lashtët e Ballkanit.
Nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit,udhëhoqi me autoritetin e mendimit dhe veprimit,popullin tonë në udhëkryqin e madh të coptimit të perandorisë Osmane,kjo ishte përveç të tjerave edhe refleksioni i asaj ndjenje të rrënjosur tek shqiptarët për lirinë e vërtetë.Dimensionet e kësaj lirie janë shprehur edhe pse në mungesë të shtetit ligjor kanë ditur të realizojnë deri në përkryerje mbijetesën.
Koha që rrodhi më pas tregoi se liria jonë aq shumë e kërkuar mbeti vetëm një aspiratë,duke lërë shkak për trazira më të egra ballkanike,duke e bërë Shqipërinë të lakmuar jo vetëm gjeografikisht por më tepër politikisht për të ashtuquajtur kombe të favorizuara.
LIDHJA GJENETIKE E SHPIRTËRORE E NACIONALISTËVE
Kësisoj,duke parë e ndjerë për së afërmi rrezikun fashist nga njëra anë dhe atë komunist nga ana tjetër,rishfaqet shpirti liridashës e demokratik i shqiptarëve.Mendoj se këtë shpirt dhe aspiratë të popullit e përfaqsoi në fillim të viteve dyzet grupimi i forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar,e ideuar dhe udhëhequr nga mendimtari i shquar Mit’hat Frashëri,kjo Organizatë do të mblidhte rreth vetes intelektualë të penës dhe trima të pushkës të cilët veç të tjerave do të luftonin për Shqipërinë Etnike,për ata që përpara se të na i ndryshonte Evropa na i kishte caktuar vetë Zoti.
Edhe pse i krijuar dhe me aktivitet luftarak në Shqipëri,grupimi i forcave demokratike nacionaliste të Ballit Kombëtar do të sugjerohej dita-ditës madje deri në thellësitë e Maqedonisë Shqiptare.Hapësirat e kësaj toke shqiptare u konturuan të pastra në dëshirën e tyre për prosperitet duke parathënë në këtë mënyrë edhe lidhjen gjenetike dhe shpirtërore të shqiptarëve nga të dy anët e kufirit që ndante padrejtësisht jetë njerëzish të një gjaku.Në vitet 41-42 ngrihen grupet e para me prirje nacionaliste në qytetet e Gostivarit,Tetovës,Shkupit,Kërçovës,Strugës,Prespës,Manastirit si dhe të Kumanovës. Të pranuara krejtësisht në popullin e përgjakur të këtyre trojeve,këto grupime shpejt formuan çetat e tyre ku pushka do të shkrepte e frymëzuar vetëm prej patriotizmit.
Në kuintesencë,çetat balliste të kësaj periudhe do të ishin zëdhënëset e para për demaskimin e asaj tragjedie që përgadisnin fashistët dhe komunistët në kurriz të popullit tonë.Luftimet e shumta që këto çeta,(rradhët e të cilava mbushesin çdo ditë me luftëtarë të rinj)kryen ndaj invazioneve maqedono-malazeze dhe maqedono-serbe,treguan jo vetëm shpirtin e papërkulur deri në vetmohim të shqiptarëve,por edhe tendencën e tyre të shpërdorur për Atdheun Etnik
Është pikërisht kjo një nga arsyet që në horizontet e Luftës së Dytë Botërore u ravijëzua flirti komunist midis Hoxhës,Titos dhe Stalinit.Shqiptarët e ndershëm duke menduar më të rrezikshëm fashizmin e ardhur nga Italia,Gjermania e Bullgaria,arritën deri aty sa të bienë në betejë,duke mërmëritur në çastet e mbrame nën emrin e baba stalinit.Ata e harruan historinë e afërt të Carëve dhe ëndrrën e tyre të ortodoksizmit për daljen në Adriatik.Ky flirt që simbolizoi në vetvete tiraninë më të egër të luftës së Dytë Botërore,përveç të tjerave do të nëpërkëmbte dinjitetin tonë.Lufta civile tashmë kishte marrë flake kur pushztimi fashist Italian kishte përfunduar,ajo tashmë po zavendësohej nga intrigat serbo-sllave komuniste përmes gulsheve të gjakut shqiptar për të rivendosur gjeografinë londineze.Komunistët shqiptarë të etshëm për pushtet e pranuan kët lojë të fëlliqur tradhëtie antishqiptare.

DIBRA E STRUGA NËN GJEOGRAFINË E TRADHËTISË KOMUNISTE SHQIPTARE

Në hartën topografike të krimeve komuniste të divizioni të pestë tretë dhe brigadave të dyte dhe katërt, kriminelët si Mehmet Shehu e Shqfqet Peçi përveç trojeve verilindore,Kosovës e deri në thellësitë e luginës së Preshevës do të vendosnin së pari edhe krahinën e Dibrës,Strugës e Resnjës,për ti lënë duar të lira Haxhi Lleshit e Qemal Agollit që në “besë” mos trë rrezistonin nacionalistët ndaj brigadave të tyre të cilat për të kaluar në ato zona flamurin kuqe zi me shqiponjën dykrenare dhe me yllin pesëcepësh,do ta fshihnin sa për të depërtuar,mbase për nacionalistët shqiptarë të atyre zonave do të ishte I pa pranueshëm e aq më tepër jo ato brigade sllavomaqedonase-shqiptare.Por “besa” e tyre shpejt u shëndrua në tradhëti.Kjo u kuptua nga Murat llabunishti e Faik Dobovjani udhëheqës të Ballit Kombëtar.Nga Kalishte e Lladorishte e gjithë fshatrat e Strugës deri në Dibër,rezistenca nacionaliste provonte forcën e shpirtit atdhetar e patriotic duke mos njohur pushtues e sundimtar sllavishtfolës mbi vatrat dhe familjet e tyre arbërore.Por krimet dhe maskartat komuniste shqiptaro-sllavomaqedonase skishin të ndalur,rrethimi I gjithanshëm dhe përforcimet e brigadave serbosllave bënë të veten.Drini tashmë kullonte lotët e pabesisë vëllezëtore të ardhura nga shteti amë,ndërsa fushat e kodrat vaditeshin me gjakun e nacionalistëve të ndershëm shqiptar.Pas kësaj gjeografia e tradhëtisë tashmë do merrte rrugë drejt trojeve atnike tjera të Shqipërisë Lindore apo Maqedonisë Shqiptare.

NËPËRKËMBJA E NDJENJËS KOMBËTARE DHE BETEJA E KËRCOVËS

Historia për atë periudhë të dhëmbshme për popullin tonë sjell çaste trishtuese që s’ka „pluhur“ që i mbulon.Si rast tipik i kësaj nëpërkëmbje të ndjenjës kombëtare ishin betejat e zhvilluara për marrjen e Kërçovës.Dihet pse u sulmua Kërçova nga brigadat partizane malazeze,serbo-maqedone dhe bullgare.Historia e këtij qyteti kreshnik kish treguar se nacionalizmi aty nuk vdiste kurrë përpos se rritej çdo ditë.Jo vetëm çetat nacionaliste,por edhe mbarë populli i Kërçovës,tregoi në betejat e gusht-shtatorit 1944(veç tjerave) se mbi gjithçka ishin idealet e mëdha të lirisë.Sulmi përfundimtar për marrjen e Kërçovës u realizua më 8.nëntor.1944.Edhe në këtë sulm,forcat sllavo komuniste u zbrapsën,duke lënë me qindra të vrarë.Sidoqoftë,komunistët luajtën dhe karën e tradhëtisë duke rithënë edhe një herë se për hirë të internacionalizmit proletar prosllav duhej vënë thika në fyt nacionalizmit shqiptar.Kësisoj,çetat partizane të Dibrës,të udhëhequra nga Haxhi Lleshi,i dhanë besën kërçovarëve se lufta do të mbaronte sa të hynin në qytet pa forcat partizane sllave,mirëpo ende pa kaluar besëdhënja as 24 orë nga hyrja e „partizanëve“ shqiptarë,qyteti u gdhi në një terror të paparë.Qyteti u plaqkit,shtëpitë u dogjën,qindra nacionalistë u pushkatuan e u masakruan si „tradhëtarë“….. Në panteonin e madh të lavdisë nacionale do të shkruhen kurdoherë me gërma gjaku emrat e të rënëve për kauzën e madhe si ;
Mefail Mehmeti(mefaili i Vogël),Mefail Shehu(Mefaili i Madh),Begzat Aliu,Azem Lani,Atem Ismaili,Rushit Sadiku,Muhedin Zajazi,Qerim Qerimi,Azem Kasa,Medi Qerimi,Mehmet Grashica ,Rexho Mefaili,Hysen Selimi,Daut Selimi,Sadik Qerimi,Nazim Ramadani,Mehmet Ollomani,Halim Sali Rexha, Ibrahim Ali Deda,Latif Jagodini,Ismail e Dervish Ibrahimi,Ajdin Hajroja,Habib Kaleshi, Shefki Jagodini , Nuredin Elezi,Sulejman Bajrami, e trimëresha nacionaliste vajza Zelije Bajrami e qindra patriotë të tjerë.

METAFORAT E PËRGJAKURA DHE MASAKRA E PRESPËS

Është po vjeshta e vitit 1944 kur pas letrës së dytë që titoja i dërgonte hoxhës,duke i kërkuar ndihmë internacionaliste që ndryshe përkthehej luftë vëllavrasëse në trojet shqiptare.Pas largimit të gjermanëve në drejt jugut shqiptar,Hoxha urdhëroi brigadat e III-të dhe të V-të sulmuese,të inkuadruara në Korparmatën e Parë,që të vëheshin nën komandën jugosllave për të luftuar ndaj armiqve dhe „bashkëpuntorëve“ të tyre shqiptarë si në Kosovë ashtu dhe në trojet tjera shqiptare.Kuptohet që termi bashkëpuntor kish të bënte me nacionalistët trima,atdhetar e të ndershëm shqiptarë që për kauzë kishin vënë jetët e tyre.
E nëse inkursioni i këtyre brigadave do të niste nga Dibra,shumë shpejt trojet tona në Maqedoninë Shqiptare do të ndjenin jo pa dhimbje shkëlqimin e rremë të yllit të kuq komunist.Nëse shqiponja e lirë në qeleshet e nacionalistëve u shpërfill dhe përgojua për vite e decenie me radhë,asesi ajo nuk humbi metaforën e saj të lirisë.Edhe pse u përgjakën,këto metafora mbijetuan duke kujtuar shqiptarëve se për ideologji të huaja nuk ja vlente të vrisnin njëri-tjetrin.
Edhe Prespa dhe Manastiri do të luftonin kundra Yjeve bollshevike.Madje do të luftonin kundra „vëllezërve“ që vinin nga larg në emër të internacionalizmit.Fshatrat e Kranjës,Arvatit,Nakalecit,Gërces dhe rrethina të tjera u bënë simbole të vetmohimit për Shqipërinë Etnike dhe të lirë.Në kujtesën e kombit tonë,do të mbetet e pashlyer masakrimi i një çete të tërë(në „besë“) të Ballit Kombëtar afër përroit të Shtërbovës ku gjysëm të vdekur e gjysëm të plagosur u varrosën për së gjalli në një gropë si ; Riza Mehmeti,Ejup Mehmeti,Memish Neziri,,Myslim Shabani,Nazmi Myftari,Dalip Hasani,Camil Rexhepi,Eshtref Limani,Sabri Lika,Shaban Zeneli,Tasim Rexhepi,Shaban Demiri,Eshref Nexhipi,Feti Rustemi,Abdyl Rexhepi,Veiz Lika e dhjetra nacionalistë të tjerë. Po ashtu është I dhëmbshun të kujtosh britmat e dhimshme të tërë një fshati rrethi i Manastirit që quhet Ostorec,ku gjithë familjet fshatare i mbyllën në shtëpija dhe i djegën për së gjalli,krimi i tyre se ishin nacionalistë dhe e doshin Atdheun dhe Lirinë.Kjo masakër ishte vazhdim i tragjedisë po e njejtë të fsh.Buzëmadhes në Kukës,ku Mehmet Shehu groposi po ashtu dhjetra nacionalistë,që ndërkohë do të përbënte vetëm një nga aktet e tragjedisë mbi gjysëm shekullore,që u luajt në shpinën e shqiptarëve të këtyre trojeve.

DITA E BAJRAMIT TË MADH DHE BETEJA E KUMANOVËS DHE PRESHEVËS

Tradhëtitë e komunistëve të pabesë i ndiqte nacionalistët shqiptarë kudo,pushkatime,masakrime ishin në rend dite nga arradhat partizane.Kjo gjendje ngriti dhe Kuvendin e Qëndrorit të Ushtrisë Ballit Kombëtar në Malin Shar,mbi Tetovë,aty u mblodhën Xhem Gostivari,Mefailat e Kërçovës,Arif Dragomasi i Tetovës,Syllë Hotlla,Mulla Idrizi i Gjilanit,Hafëz Xhemil Efendiu i Tetovës,Kadri Saliu,prefekt i Gostivarit,e Xhevdet Kallajxhiu e ushtarak tjerë, kuvendi diskutoi planet për realizimin e veprimtarive ushtarake në pa mundësi prezence i pat dërguar,Prof.Ibraim Kelmendi nga Presheva,i cili ishte antar i Qëndrorit të Ballit për Kosovë.Në befasi u dha lajmi i pregaditjes së një ofenzive për „çlirimin“e Kumanovës,Preshevës.Ndërgjegjja patriotike ndërpreu kuvendin dhe secili iu nis në teritorin e vet.Kështu që vetëm një ditë më vonë komunistët do të dëshmojnë se ishin dhe mbetën pa Fe.Dy brigada partizane(njëra serbo-malazeze dhe tjetra me çetnikë serb e mercenarë shqiptarë) iu vërsulën popullatës preshevare në orët e herëta të mëngjezit në Ditën e Bajramit të Madh,teksa popullata i kryente ritet fetare në xhami.Fare pak çaste u deshën dhe legjendari Sylë Hotlla vikati“Pushkët o,burra se po hyn shkjau në votër!,kurse në Viti e Budrikë të gjilanit ishin forcat nacionaliste të Mulla Idrizit i cili prite në lajm kështu dhe thirja e shenjtë e Mulla Idrizit“Allahu Ekber,për Komb e Vatan“,ishte thirje vetëtime,bëri që armët ti rrëmbejnë burrat e fëmijt duke nisur kësisoj një betejë të paparë në mbrojtje të Preshevës,tek hekurrudha,dhe pas 12,orësh luftimesh të rrepta“luftëtarët internacionalistë“ u thyen keqas dhe u larguan në panik e sipër.Falë Sylë Hotllës e Mulla Idrizit në krye me prof.Ibraim Kelmendin,falë vizionit të tyre trimëror dhe ushtarak,pushka e preshevasve shkrepi duke shkruar epopenë më të lavdishme të saj.Pas kësaj menjëherë brigada e Sylë Hotllës u nis në betejën e shkupit,s’bahku me Mefailat e Xhemë Gostivarin çliruan Shkupin dhe ngritën flamurin mu në qendër tek urra e gurit,këtu ranë dëshmorë kapedanët e çetave,Kadri Azemi,Ferit Saliu nga Dobroshti dhe Zylçe Emini nga Nerashti, mes shumtë tjerëve që ranë në kte betejë.
Edhe në këtë rast me një flakë atdhetarie e patriotizmi të paparë të këtyre luftëtërëve të Lirisë,shqiponja e qelesheve të nacionalistëve doli fitimtare mbi yllin sllavo-komunist.Vetë historiografia komuniste,duke dashur t’i thurë hymne diktatorit Hoxha,sqaron mjaft saktësisht lidhjet e tij me Titon të përkrahur nga ideali internacionalist.Madje jo vetëm Hoxha por janë një aradhë e ndyrë komunistësh që nën hijen e diktatorit thuajse e mbërthyen prej fyti ndjenjën atdhetare të Shqipërisë Etnike.Ja se ç’far udhëzimesh u dërgon njeri prej tyre,partizanëve shqiptarë që do të luftonin në trojet e tyre tash nën ish -Jugosllavinë:
„Hysni Kapo,me cilësinë e antarit të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Komisarit Politik të Korparmatës I,duke marrë parasysh se Brigada e III dhe Brigada e V-të në Kososvë do të vepronin në një gjendje tepër të ndërlikuar në pikpamje politike,e quajti të domosdoshme t’u dërgonte komisarëve të këtyre brigadave udhëzime të posaçme.Në këto udhëzime theksohej në mënyrë të veçantë qendrimi i lidhur me problemin kombëtar.Kuadrot dhe partizanët e UNCSH,të brumosur me ndjenjën e internacionalizmit proletar,duhej të tregonin kujdes shumë të madh duke luftuar çdo shfaqje nacionalizmi“(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Vëll.IV,fq.815).
Pra sidoqoftë komentet janë të tepërta.Më së shumti ato vetëm mund të na trishtojnë për vetëasgjësimin absurd të atdhetarizmit në kapërcyell të Luftës së Dytë Botërore.

ZJARI I SHQIPTARIZMËS DHE BETEJA E TRESKËS

Tetova është një tjetër emër i cili do të kërkojë përherë të drejtën qytetare për t’u futur në historinë e luftërave për Shqipërinë Etnike,burrat nacionalistë të këtij vendi me traditë,në periudhën e luftës së Dytë Botrore,të udhëhequr nga komandantët trima nacionalistë,si Arif Dragomasi,Islam Drenica,Ejup Llacën, Hafëz Xhemil Efendiu,Demir Sejda,Sali Halimi,Sadush Hyseini,Aqif Elmazi,Shefqet Preshevca,Aqif Mustafa,Kadri Azemi,Refik Saliu,do të japin shembuj më të mirë se kjo fole patriotizmi ishte dhe ngelet e pamposhtur,si vullkan atdhetarizmi.Këta burra patriot me trimërinë e guximin e tyre jo vetëm që mbanin Tetovën e Pollogun të çliruar nga këmba e përgjakur sllavo-komuniste,por zhvillonin dhe beteja të tjera si në Karadakun e Shkupit,Vratnicë,Ferizaj e më tej s’bashku me kryekreshnikun Xhem Gostivarin,Syl Hotllën e Mefailat e Kërçovës etj,kudo ku kërkohej pushka e tyre.
Beteja e Treskës,është një betejë krejt e dhimbshme por dhe dëshmi krenarije e trimërije,ku jetët e këtyre atdhetarëve për ta s’kishin vlerë meqë përballë kishin dy brigadat bullgaro-maqedone,luftë e ashpër,por fitorja përfundimtare ishte flaka e lirisë që dilte nga xhoksi i luftëtarëve nacionalistë.në këte betejë rranë luajt komndantë çetash të ballit si Aqif Reçani,Ejup Llaca,Arif Dragomasi dhe Islam Drenica e tj , luftëtarë lirije.Ideali i tyre se Partia e jonë është Shqipëria,ngriti peshë mendjet dhe zemrat e mijëra shqiptarëve në trevat e Maqedonisë Shqiptare,duke u bërë simbole të patriotizmit të ndershëm shqiptar.

KRYEKRESHNIKU NACIONALIST XHEM GOSTIVARI

Betejat e zhvilluara nga çetat e Ballit,veç të tjerave u inicuan dhe u udhëhoqën edhe prej trimërisë dhe shpirtit atdhetar të nacionalistëve të Gostivarit të udhëhequr prej Xhem Hasës(Gostivarit).Me një nivel të lartë dijesh ushtarake,por me shpirtin dhe moralin e lartë të atdhetarizmit,Xhemë Gostivari do të takohej me Mit’hat Frashërin,do të merrte porosi prej tij e do të organizonte më tej punën në Gostivar e më gjërë.Ndër të parët ishin trimat e atdhetarët e paharuar të nacionalizmit shqiptar si ; Aqif Reçani,Izmit Raveni,Lokë Llakavica,Ilmi Tërnova,Ilmi Strajani,Merë Sërmnova,Zaim Simnica,Izet Gjenovica,Kadri Salihu,Izmit Fejzullahu,Xhevat Kallajxhiu,Shazë Sërmnova e tj.Këta atdhetarë me zemër Luani e sy shqiponje,nuk i dorëzuan fatet e popullit në duart e përgjakura komuniste,duke parandjerë rrezikun e murtajës së kuqe nuk pranuan të bënin asnjë kompromis me çfardo force ushtarake ata njihnin vetëm lirinë,atdheun ,racën shqiptare,dhe flamurin lavdiplotë të Skenderbeut.Pa hyrë në detaje e sqarime për betejat e këtij Kryekreshniku të njohur në historinë shqiptare,pa bërë sqarimin e betejave të shumta,si në Dibër,Kërçovë ,Debarcë,Beliçicë,Shar ,Koritë,Mavrovë, Treskë,Vratnicë,Rekë, e shum e shum tjera,mund vetëm të them se ato i ngelin për studjim historianëve të ndershëm e atdhetarë që të miren me zbërthimin e këtij realiteti,s’ë paku le ta ndjenjë si obligim moral ndaj pasardhësve të këtyre herojnjëve dhe atdhetarëve nacionalist shqiptarë.
Por realiteti është se këto luftime treguan veç të tjerave se Shqiptarët nuk u pajtuan kurrësesi me komunizmin,këtë utopi me pamjen e parajsës dhe forcën vepruese të ferrit në tokë.Ky makth,kjo ëndër e ligë që për pesë decenje me rradhë u porpoq të na denatyronte ekzistencialisht.E pra epopeja e luftërave dhe betejave të zhvilluara nga nacionalistët e trojeve shqiptare të Maqdonisë Shqiptare mund të kumtohet si shpallje lufte ndaj dogmës së arrdhur nga karpatet Ruse.Në luftë do të flitet gjithmonë për fitimtarë e të humbur.Në këtë luftë vëllavrasëse do të përgjakeshin shqiptarët përmes metaforave të dhimbjes,andaj Lavdi këtyre Martirëve të Kombit, gjaku dhe vepra e tyre le të jetë udhërëfyese për brezat e ardhshëm.Le ta përfundoj dhe këte shkrim me fjalët e poetit të madh të kombit shqiptar;
Gjergj FISHTA në vargjet e Lahutës së Masisë për Dëshmorët e Kombit ku i vajton ;
„O, ata t’lumët që dhanë jetën,
O, Ata t’lumët që shkrinë vetën,
Për Atdhe e gjuhë të t’Parëvet,
Për Shqipninë e Shqiptarëvet,
Ata kurrë mos u-harofshin,
N’këngë e n’valle por,u-këndofshin.
Nacionalizmi i ndershëm shqiptar ishte dhe vazhdon të mbetet ende në shënjestër të elementit shqipfolës i xhveshur nga kauza kombëtare për bashkim e prosperim kombëtar.Por edhe Nacionalizmi Shqiptar duke ditur që të kapi kupolat e elitës intelektuale shqiptare do të forcojë pozicionin e saj nën kauzën për një komb e shtet të bashkuar shqiptar,për Shqipërinë e Shqiptarëve.
Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Shehu, rezistenca nacionaliste, tradhetite komuniste

N´emër të çkafit, ne duhet të harrojmë?

April 24, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Sipas koncepteve të njohura gjithmonë, në themel të bashkëveprimeve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë politike, të fuqisë në pushtet, ekonomike, morale e shpirtërore e, në rastin konkret tonin, më shumë se kurrë interesat duhen të jenë gjithëkombëtare. Në raste të ndryshme normat morale po përjashtohen nga rregullat e përgjithshme, duke vepruar me metodologjinë nihiliste të të menduarit dhe me metodologjinë absurdiste të të vepruarit..Po shkruajmë , po këndojmë dhe po mundohemi të bindim vetën dhe ta trashim mendimin tonë se nuk mbajmë në mend asgjë nga kaluara . Me ane te këtyre mëndimeve po e bëjmë që të tjerët të ndërrojnë mendjen për ne ; bota po mendon që ne s`e kemi mendjen të shkëputemi nga e kaluara,që ne jemi po ata të shekullit të 18 –të, po ata si të shekullit të 19-të, po ata si të fillim shekullit të 20-të . Kur bota e ndërron mendimin për ne dhe i këthehet bindjës së vjetër që e kishte , për të cilën edhe ata menduan që e kishin gabim atëherë Serbia e merr krihë….dhe vepron…dhe i ka sukses.
Historiani Gjokë Dabaj duke sjellë në studimet e tij, krimet dy shekullore raciste ndaj shqipetarëve, të serbo-sllavëve në veri dhe hellenëve në jug, shprehet: “Ky kalendari ynë, i martirëvet, nuk do të përkujtonte vetëm 1 martir në një ditë të caktuar, por sejcila nga datat tona do të bartte mbi shpinë me dhjetra, me qindra e, disa herë, me mijëra martirë, përjetësisht të pangushëllueshëm”.Me veprimet tona “ jo nacionaliste” “pro evropiane”,dhe me shkrimet tona më mirë të kisha thënë të porositura jo vetëm që Serbia po e ndien vetën mirë por po myket populli, po e harron vetveten ,po katandiset në mendje e në shpirt dhe po na lindin për ditë e më tepër adhuruesit e asaj që po i shkon për shtati Serbisë.

Por , Sërbia as që e ka ndërmend të ndalet. Sa më e pa bindur që të jetë aq më vështirë e kemi ne. Mirëpo lojërat e saja ,mashtrimet e saja ,edhe më i pa informuari i Europës i ka kuptuar, e ne ende jo.
Popullit duhet t i bëhet e ditur se kanë kaluar kohërat ,kur Serbia bënte krime mbi ne ,e Europa heshtëte. Por Serbia nuk e harron ” hujin” e vet. Europa si zonjë e rëndë ,vetëm ka vrojtuar,dhe ka marr në shënime. Jo, nuk i harron ajo jo ,të bëmat e Serbisë. Ato shfaqen në një mënyrë apo tjetër.Ja se çka shkruante The New Tork Times ,me 31 12.1912 duke raportuar nga Londra,: “Vrasjet dhe egzekutimet-Sport ditor: “Gjenerali Zhivkoviq ,afër Sjenicës (Sanxhaku i Novi Pazarit) i vrau dhe i masakroi mbi 950 shqiptarë”
Tmerret nuk kanë fund: “Në muajin Mars,nëpër Shqipëri e deri në det ,Serbët jo vetë të armarosurit që i mbytnin,por me një vrazhdësi shtazarake ne pabesi i zhduknin e dhe të pa mbrojturit ,pleq ,fëmijë ,gra dhe foshnjet në gjinj “… Midis Kumanovës dhe Uskubit( Shkupit). mbi 3 000 shqiptarë u mbytën. Afër Prishtinës , mbi 5000 të tjerë Arnaut(shqiptarë) ,ranë në duart e Serbëve,jo në një luft të nderëshme por në mbytje të pa arsye.”
Serbet ,kanë qenë gjithmonë si bishat “ Duke i vazhduar krimet e tyre të marra ,ushtarët serb përdornin metoda të ndryshme të kënaqin epshin e tyre prej vrasësi. Fshatarët duke ikur nga zjarri i shtëpive të tyre vriteshin si minjtë.”
“ Sekretari Tomiq i i Premierit Pashiq,thoshte se në një ditë nga Prizreni në Pejë ,nuk shifje asgjë përveq fshtrave të djegura. Anash rrugëve ,vareshin shiptarët e varur ,ne varëset speciale. Rruga për në Gjakovë ,quhej Aleja e Varjeve.”
“ Në Uskub( Shkup) ,shqiptarët e pa armatosu vriteshin thjeshtë pse ne shtëpinë e tyre gjindej ndonjë brisk” Një doktor i Kryqit të Kuq raportonte: Edhe një shqiptar që hasej ,ai duhej patjetër të vritej. Gra ,fëmij ,pleq , nuk kurseheshin, Afër Kratovës (Fyrom) ,Generali Stefanoviq ,i kisht renditur shqiptarët në të dy anët e rrugës ,dhe ne rreshta ashtu i mtralonte”
Dëshmitë rrënqethëse mbi krimet e serbëve ndaj shqiptarëve na i pasqyron edhe Leo Freundlich (1875-1953) ,një publicist Hebrej e që rrjedhte nga një familje e shëndoshë hebreje, që jetonte në Vjenë. Kur në Vjenë ,bëhej jeta për hebrenjt e pa durueshme ,ai iku ne ZVicër ,dhe kryesonte misionin Shqiptar në Ligën e Kombeve në Gjenevë. Pas luftës ,me kot e pa sukses i u kërkonte komunistëve të rimerr vendin e Konsullit të nderit në Vjenë.
Leo Frojndlih (Freundlich) ,kishte qëllim që me shkrimet dhe zërin e tij të ngjallte ndërgjegjën e Europës,dhe opinionit publik të saj ,ne vitet kur e “ Sëmura e Ballknait” u largua,por i la hijenat që të na gjakosin dhe të na bënin atë që nuk mundi e sëmura të na bëj për shekuj të tërë. Kurse ne sot në frymën e komunizmit dëshirojmë të bëhëmi internacionalist duke e bërë vetën qesharak karshi botës. Leo Freuendlich shkruante (Vjenë , E shtuna e Pashkëve ,1913) , Fuqitë e mëdha duhet që të iu thonë një herë e përgjthmonë ,bishave barbare : ‘Hands off!’ nga tokat dhe populli shqipëtarë. I bëj ë thirrje civilizimit ,në emër të popullit fatkeq shqiptarë që të pengojnë Greqinë ,Serbinë dhe Malin e Zi ,në qëllimet e tyre zhdukëse të një race të tërë. Një popull i tërë me fatin e tij të keq bën thirrje për shpëtim.” Këte nuk duhet harruar !
Një njeri tjetër ,profesori Schiemann në një arikull në” Kreutzzeitung” shkruante:”… serbet dhe grekët janë duke e bërë një luftë të fëlliqur, ata janë duke e udhëhequr një luftë çfarosëse ndaj shqiptarëve,dhe sikur të mundëshin do tëçrrënjosëshin një popull të tërë” Nuk heshtënin as gazetat britanike .” The Daily Chrinicle” me 12 Nëndor 1912 ,dëshmonte se me mijëra Arnaut ishin masakruar nga serbët. Mbi 2000 shqiptarë musliman ,janë vrarë afër Shkupit., e mbi 5000 të tjerë afër Prozrenit. Por as Messaggero i Romës nuk rrinte pa lajmëruar që hijenat serbe masakronin në Vilajetin e Kosovës.Pas rezistencës shqiptare ,qytetet si Ferizaji,Lipjani,Babushi dhe të tjera ishin rrafshuar me tokë.. Menjë herë pas këtyre masakrave,familjet serbe i zaptuan pasuritë e shqiptarëve. “L`Humanite “ e Parisit , në të njejtë mënyrë e përshkruante tmerrin çfarosës serb ,grek dhe sllavomaqedonas.
Fritz Magnusse, gazetar i gazetës Daneze “Riget,”i përshkruante krimet e kohës ,si krime që i tejkalojnë të gjitha normat e një lufteje,

Europa nuk ka heshtur asnjëherë. Neve na kanë keqinterpretuar heshtjen e saj,.Europa ka qenë me ne . Popujt e civilizuar të Europës ,ishin ata që nuk e lane të mbyllet dosja e krimit të serbëve ndaj nesh. Heshtja e qeverive europiane të viteve ,të fillim shekullit 20 ,ishte e pakuptimt.Por ,ne e kuptuam ,se heshtja e tyre ishte e përkohëshme ,kur u bombardua Beogradi ne vitin 1999. Europa nuk na kishte harruar,
Viti 1912, gazeta Reichspost e kompletoi dosjen dhe i publikoi krimet serbe te kohes mbi popullin shqiptarë në kosovë .Shqipëri ,Maqedoni : “ Qyteti i Shkupit dhe rrethina e tij,ishin dëshmitarë të krimeve jonjerzore kundër shqiptarëve. Për tri ditë rradhazi shihja vetë tymin nga fshtarat shqiptare. .. Pas Kështjellës së Shkupit e shihja grumbullin e të vrarëve nga sulmi sllav. Sa shumë të vrarë por edhe atyre qe ende nuk iu kishte dalë shpirti ishin hudhur në Vardar. Dhe serbet ankoheshin që janë shumë shqiptarë për t`u vrarë dhe se plumbat po harxhohen. Lumi i Vardarit që kalon përmes Shkupit i bante çdo ditë së paku njëzet deri tridhejtë trupat e shqiptarëve të vrarë…

Gazetari i kohës së” Reichsposts” tregonte: “ me qenë se flisja serbisht ,ushtarët serb më mbanin për të vetin dhe më tregonin se si në rrethin e Kumanovës i mbysnin shqiptarët pa harxhuar plumba. Ata (shqiptarët) mëshifëshin ,dhe ne me anën e tymit i qitnim jasht dhe ashtu pa kry nga frika që ishin , dilnin si minjtë duke kërkuar shpëtim ,ne vetëm me bajoneta i therrnim dhe kryenin punë me ta.”
E gjatë është historija e krimeve serbe mbi shqiptarët. Unë e përmenda vetëm një kohë të shkurtë,kur dëshmitë e Europës ishin dhe janë të gjalla.
Shkrimi e ka qëllimin e dukshem që të ripërshkruhen krimet e sebëve të bëra në një kohë jo aq të largët e të përsëritura në një kohë që ishim dëshmitarë edhe vetë. ,qëllimi tjetër është t`iu bëhet e dijtur serbëve që Europa asgjë nuk ka harruar nga e kaluara.Që Europa është shumë e ndjeshme kur janë në pyetje shqiptarët.

Për deri sa themi se: “Nacionalizmi shqiptar nuk lindi si një deshirë e domosdoshme për çlirim nga Turqia,siç ndodhi me nacionalizmin grek ose serb(Fatos Lubonja),” atëherë e vejmë në pikëpyetje ndërgjegjen tonë kombëtare.
“Perandoritë e mëdha gjatë qëndrimit të tyre plogështojnë dhe shkatërrojnë fuqinë e vendësve që ata i kanë pushtuar…dhe kur ata dështojnë gjithçka shkon në shkatërrim dhe vendësit kthehen në pre të vetvetes” (Bakon). Dhe me këte pak a shumë spjegohet qendrueshmeria e skajshme ne “dokrrat “ e “ internacionalistëve” të sotëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, N´emër të çkafit, ne duhet të harrojmë?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 893
  • 894
  • 895
  • 896
  • 897
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT