Nga Sulejman Gjana/
Kryetar i PLL/
Legalistët shprehin solidaritetin e tyre me grevën e urisë nga (ish) të persekutuarit politikë. Greva e këtyre ditëve na rikujton se kërkesat legjitime dhe të përsëritura pa ndërprerje prej më shume se 23 vitesh nga kjo shtresë në përgjithësi, kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër. Kjo shpërfillje dhe nëpërkëmbje mashtruese që i është bërë kësaj shtrese nga politika, tregon se kapitulli i persekutimit komunist nuk është mbyllur, por mbetet ende një plagë e hapur për mbarë shoqërinë shqiptare.
Dëmshpërblimi i kësaj shtrese nuk lidhet vetëm me atë monetar. Sepse nëse lidhet vetëm në këtë mënyrë, atëherë nuk do kishte thesar shteti për të dëmshpërblyer gjithë ato vuajtje dhe jetë të marruna e të shkatërruara padrejtësisht nga komunistët. Nisur vetëm nga aspekti monetar, mund të përfitojnë edhe elementë që janë dënuar kryesisht për vepra të rëndomta, duke u anashkaluar fisnikëria e kombit që e ka derdhur gjakun pa llogaritur edhe flijimin për kauzat që shqiptarët dhe politikanët e derisotëm i përqafuan me vonesë dhe veç kur nuk patën rrugë tjetër.
Nëse një ish i burgosur i mëshon vetëm idesë ”Duam paret tona”, kjo tregon se qëllimi vet nuk synon shpërfaqjen e skrupujve të fisnikërisë, por shpalosjen e instinkteve materialiste të vegjëlisë.
Çdo lloj orvatje tinëzare nga cilido lloj pushteti për t’i përzier të burgosurit e veprave ordinere me të burgosurit e ndërgjegjes, është helmi që klasa politike kripto e neokomuniste përdor për të goditur djallëzisht ashtin e kësaj shtrese fisnike deri ne vdekje. Qofte letrat me vlerë e qoftë premtimet në erë, janë mënyra më e sofistikuar që çështja e të burgosurve të ndërgjegjes të vonohet derisa të përgojohet nga shoqëria si diçka e bezdisshme, e të kaloje kështu në harresë. Prandaj, trajtimi me seriozitet dhe emergjencë i këtij problemi nevojitet të ketë përparësi për klasën politike, sidomos për ata që nuk e kanë nëpërkëmbur deri me sot një kauzë kaq të shenjtë.
Por, a nuk është hapja e dosjeve domosdoshmëria vetë që do të hedhë dritë në të kaluarën e errët dhe të errësuar qëllimisht nga klasa politike? A nuk është më e udhës që fillimisht të njihen publikisht persekutorët, e me pas edhe bashkëpunëtoret e tyre? A nuk është kjo mënyra qe bën të dallohen qartë të burgosurit e ndërgjegjes (ata që vërtet vuajtën për arsye politike nga lufta e klasave – dhe më pas ata qe vuajtën nga lufta brenda llojit – te pushtetit diktatorial) nga ata të materies; si dhe të përcaktohen shkaqet dhe pasojat e veprimeve të dënueshme penalisht apo edhe moralisht?
Hapja e dosjeve nuk duhet të përdoret më për presion politik dhe trajtimi i çështjes se ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë nuk mund të ndahet nga dekomunistizimi i vendit, aq më tepër në kushtet aktuale kur qarqe te caktuara synojnë rehabilitimin e diktaturës dhe diktatorit Hoxha. Shoqëria shqiptare dhe vendi kanë nevoje te ballafaqohen me realitetin e hidhur dhe të mbyllin një herë e mirë faqen e errët të historisë komuniste. Në këtë kuptim, dënimi penal i krimeve të komunizmit, në bllok, apo i individëve që kanë shkaktuar krime në emër të pushtetit që gëzonin gjatë diktaturës komuniste, vlen të jetë parakushti i çdo shpërblimi civil të mëtejshëm për shtresën e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politik.
Në kuadrin e dekomunistizimit të vendit, është e papranueshme që rishikimi i historisë t’u ngarkohet atyre pseudo historianëve që e kanë deformuar e përdhosur në shërbim të ideologjisë komuniste; por historia dhe tekstet shkollore duhet të rishikohen nga historianë te mirëfilltë, me qëllim që të ndërgjegjësohet shoqëria dhe sidomos brezat e rinj për dëmet e rënda që periudha komuniste dhe sistemi i tij i sollën vendit dhe popullit tonë.
Vetëm pasi të realizohet kjo, ish të përndjekurit dhe të burgosurit politikë nuk do te jenë më të mashtruar dhe do të mund të rehabilitohen e integrohen plotësisht në shoqëri. At’herë do të mund të justifikohet në thelb edhe dëmshpërblimi i tyre.
Ky dëmshpërblim mund të realizohet pa vonesë nëse verifikohen pasuritë e ish kuadrove të niveleve të dyta e të treta të ish-nomenklaturës komuniste dhe të familjarëve të tyre. E në rastet kur këto pasuri janë siguruar falë lidhjeve të tyre me pushtetin komunist, pse vallë mos t’u sekuestrohen dhe të shërbejnë për dëmshpërblimin e atyre që vuajtën për arsye të ndërgjegjes?
Kështu, edhe haka do të mund të shkojë te i zoti. Sepse kështu, të gjithë familjarët e të rënëve dhe ata që vuajtjen gjatë diktaturës komuniste për vlerat e shenjta të lirisë, demokracisë, kombit dhe orientimit perëndimor, nuk do të ndjehen më të tradhtuar dhe do të gjejnë paqe me vetveten dhe shtetin e tyre.
Pse nuk e fajësoj Janullatosin ?!
Nga Nebil Çika/
“I ka rënë tavolinës me grusht dhe e ka bere “për një lek” kryepeshkopin serb Irinej” . Kjo ishte gënjeshtra me të cilën media pro qeveritare u mundua të lante” mutin me shurrë” e të shfajësonte kryeministrin Ram nga skandali apo më mirë të themi skenari greko- serb i inaugurimit të katedrales ortodokse të Tiranës. Por si të gjitha gënjeshtrat edhe kjo u zhvleftësua shpejt pasi problem nuk ishte vetëm serbi Irinej por pothuaj të gjithë elementet kryesor te kësaja ceremonie që kishte gjithçka përveç, shqiptares dhe autoqefales . Nga mesha greqisht tek prania zyrtare e një prej zërave me antishqiptar në botë Nikola Gaxojani , Nikola Geixh, një nga krerët e Lëvizjes Pan-epirote një organizatë ultra nacionaliste greke që kërkon aneksimin nga Greqia të Jugut të Shqipërisë. Shume media e autorë e politikane ,kryesisht pro qeveritarë , janë munduar ta konsiderojnë Shenjtërimin e Katedrales Ortodokse si ngjarje historike veçuar faktin se për një ditë Tirana ishte kryeqytet i ortodoksisë botërore. Por në fakt ky “kryeqytet i ortodoksisë” u përdor me shumë për interesa të të tjerëve se sa të shqiptarëve dhe kjo kryesisht për shkak te qasjes greke të kreut të KOASH Anasats Janullatos dhe hapësirave të krijuara për këtë qasje nga politika dhe veçanërisht qeveria shqiptare . Tirana u caktua në vitin 1920 kryeqytet i shqiptarëve jo i ortodoksisë botërore dhe çdo përdorim i sajë në kundërshtim me këtë mision është i pa pranueshëm përfshi edhe skandalin me ceremoninë e KOASH . Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare mund të mos jetë pjesë e shtetit shqiptar por ajo është pa dyshim pjesë e kombit shqiptar dhe si e tillë duhet të këtë si përparësi interesat tona kombëtare. Ka qenë pikërisht ky motiv që shtyu ortodoksët shqiptar të luftonin e të siguronin autoqefalinë e sajë që në vitin 1922 dhe për ta ruajtur e orientuar te drejt interesave kombëtare u përcaktuan edhe rregulla që garantonin në krye të sajë një ortodoks me gjak e shtetësi shqiptare ligj që u shkel me ardhjen e peshkopit grek Janullatos në vitin 1991. Por jo vetëm kaq. Statuti i 1922 përcakton në mënyrë te qartë edhe detyrimin për ty kryer meshat dhe shërbimet e tjera fetare në gjuhën shqipe gjë që u shkel serish dhe te gjithë e panë që edhe shenjtërimi u bë në gjuhen greke . Me pak fjalë ajo që tellallët e qeverisë e konsiderojnë si konsolidim të autoqefalisë se KOASH ishte ne fakt ligjërimi i shkeljeve te rregullave dhe ligjeve qe garantojnë pikërisht kokëmevetësinë e e sajë , elementët që e dallojnë nga kishat e tjera ,drejtimin nga një shqiptar dhe meshën në gjuhen shqipe. Ne fakt këto janë edhe të drejta kryesore që KOASH ka fituar me atoqefalinë e sajë. Ne këto kushte kokmëvetësia KOASH është vetëm një formalitet , një iluzion. Po ti shtosh kësaj edhe përjashtimin e dhunshëm nga shenjtërimi i elementeve shqiptar qe tentuan te marrin pjese në të si At Nikolla Marku apo një zonjë që guxoi të demonstronte me portretin e një prej figurave më të ndritura të ortodoksisë shqiptare imzot Noli tabloja bëhet edhe më trishtuese dhe turpi i përgjegjësve politik e fetarë edhe më i madh. KOASH është konsideruar si shtyllë kurrizore e kombit shqiptar dhe si e tillë cenimi i saj ka pasoja më shumë se fetare, më shumë se ortodokse. Prandaj të gjithë shqiptarët pa dallim feje janë të ndjeshëm ndaj cenimit të autoqefalisë së sajë gjë që z. Janullatos si grek që është o nuk e kupton o nuk e pranon dot.
Pati shumë debate e komente mbi këtë ngjarje por problemi me i evidentuar ishte vetë kreu i KOASH Janullatos. Ai po mundohet ta mbajë kishën jashtë trendit e orientimit kombëtar shqiptar për mos thënë kundër tij . Jo me kot, baballarët e autoqefalisë , kanë vendosur që kreu i KOASH të jetë me gjak shqiptari. Kjo ka qenë e kushtëzuar nga detyrimi që kreu i kishës të ketë qasje shqiptare ne veprimtarinë e tij dhe besimit që drejton . Dhe ja ku jemi përballë faktit të kryer dhe shembullit qe na bind se themeluesit e KOASH kishin të drejtë. Janollatos në asnjë moment nuk ka pasur qasje shqiptare por greke ashtu siç është edhe gjaku i tij. Ka disa momente të theksuara ku kreu i kishës ka demonstruar qasjen e tij greke në veprimtarinë e tij dhe të kishës përfshi edhe shenjtërimin e katedrales . Nga injorimi i statutit dhe figurave themeluese si Xhuvani, Kisi, Noli. Kirka e të tjerë ,tek skandali i shenjtërimit mund të përmendim disa momente të qasjes greke te kryepeshkopit Janullatos. Një nga skandalet më të mëdha ku është përshirë kisha e drejtuar nga Janullatos janë varrezat e ushtarëve grek të vrarë gjatë luftës italo- greke në Jug të Shqipërisë . Sigurisht që vet ndërtimi i varrezave nga qeveria shqiptare është një akt antikombëtar, por përfshirja në të e kishës është jo vetëm antikombëtare por edhe e pa ligjshme . Besoj se ju kujtohet skandali i Kosinës në Përmet ku prifti ortodoks i fshatit ,një farë Themollari, ishte në krye të një veprimtarie kriminale ku skelete e eshtra të banorëve shqiptar të zonës nxirreshin nga varret në varrezën e fshatit e shiteshin si eshtra ushtarësh grekë të luftës së dytë botërore për të mbushur varrezat fiktive të tyre ne Përmet të ndërtuara me lejen e qeverise e nën kujdesin e kishës . Se ç’lidhje ka KOASH me varret e ushtarëve grek dhe sidomos falsifikimin eshtrave të tyre një dreq e di . Kjo mund të shpjegohet vetëm me qasjen greke të kryepeshkopit Janullatos. Ai mendon e ndjen si grek dhe ushtarët e renë ne luftën italo- greke i konsideron si “heronj të çlirimit të vorioepirit”, siç i njeh edhe historia zyrtare greke. Shteti grek këmbëngul ti varros këtu dhe nuk i merr në Greqi pasi e vetmja lidhje e “historike” që Greqia ka kanë me territorin që e konsiderojnë si “vorioepiri” anë ata , kockat “greke” të Kosinës . Pra përfshirja e KOASH në këtë aksion antishqiptar është pasojë e drejtpërdrejtë e qasjes greke të z. Janullatos . Po ashtu kisha u bë protagoniste e prishjes se varrezave shqiptare ne Boboshticë ku në bashkuam me organizatën politike të minoritetit grek “Omonia” vendosen një kryq gjigant mbi varret historike te fshatit. Nuk besoj se është detyre e Ominia-s vendosja e kryqeve dhe shenjave te tjera fetare por ajo u përzije në këtë punë e lejuar nga Janullatos i cili si grek ndjehet më shume afër Omonia-s se sa kishës shqiptare . Një tjetër skandal i z. Janullatos që deri tani nuk është bere publik është vete ndërtimi me simbole e gjurme te falsifikuar greke të vete katedrales se Tiranës . jo vetëm kubeja me ngjyrat dhe simbolet e flamurit kombëtar greke por qe nga themelet kjo kishe është ndërtuar e tillë. Punëtorët shqiptar që ndërtuan kishën raportuan se në themelet e sajë u vendosën ne gurë me mbishkrime të vjetar greke të sjella nga Greqia , veprim që mendohet se lidhet me pretendime të më vonshme për origjinën greke të sajë. Guri i themelit me mbishkrime greke ne mes te Tiranës ashtu si edhe varrezat e sajuar te ushtarëve ne Jug janë një përpjekje për të sajuar prova të historike greke ne Shqipëri dhe kishën e sajë .
Por qasja greke e z. Janollutos u shpreh më shumë se kurrë në ceremoninë e shenjtërimit të katedrales së Tiranës. Dukej sikur ftesat e krerëve të kishave te tjera i kishte bere kish greke dhe ajo shqiptare . Shpërndarja e ftesave ngjante e anonte shumë nga politika e jashtme e interesat kombëtare të Greqisë se sa politik e jashtme e interesat e kombit shqiptar . Greqia vazhdon të mos njohe Kosovën si aleate e vjetër e Serbisë ndërkohë që të njëjtën gjë bëjnë edhe kishat e të dy vendeve. Për kishën e shtetin grek është me se normale madje nder i madh të ftohet e të nderohet kryepeshkopi serb por për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është kështu përkundrazi . Kosova dhe gjenocidi serb mbi popullin shqiptar atje, ishin normale për kishën greke e cila si shumica e Greqisë mori hapur anën serbe gjatë konfliktit që fatin e keq të tyre solli pavarësinë. Por për shqiptaret ortodoksë Kosova ishte dhe është gjysma e kombit të tyre të gjakut . Ndryshe nga ata , kisha “e tyre” mbajti e po mban një qëndrim me afër interesave të Greqisë se sa të besimtareve të vet. Nuk di që z. Janulltos apo drejtues te tjerë te KOASH tu kenë kërkuar “vëllezërve” të tyre te besimit ,serbë e grekë, të njohin Kosovën e pavarur . Nuk di që KOASH dhe z. Janullatos ti kenë kërkuar kishës serbe dhe peshkopit Irinej të ndalojë deklaratat antishqiptare apo te paktën të tregojë varret masive të shqiptarëve në Serbi një detyrë humane e çdo kishe për më tepër kur bëhet fjalë për pjesëtarë te një kombi . Un nuk pretendoj që KOASH të marrë eshtrat e serbeve të vdekur e ti prit si shqiptarë të vrarë siç beri në Kosinë e gjetkë me ushtarët greke , por të beje thirrje për të na treguar varrezat e civileve të masakruar nga Millosheviçi besoj se është një detyrim . Jam i bindur qe Xhuvani. Kisi e Noli do ta kishin bërë me zell po të kishte ndodhur në kohën e tyre. Ata kishin gjak shqiptari !
Maqedonia është një vend ku jetojnë pothuaj ¼ e kobit shqiptar . Për këtë arsye marrëdhëniet tona me Maqedoninë jo vetëm me shtetin por edhe me organizimin fetar të këtij vendi janë të veçanta . Ne do ta respektojmë Kishën Maqedonase ashtu siç kërkojmë prej tyre të respektojnë besimin fetar të shqiptarëve atje. Peshkopi i Maqedonisë nuk ishte i ftuar pasi kisha greke nuk e njeh as shtetin e as kishën e këtij vendi. Kjo është një tjetër qasje greke e Z. Janullatos . Kjo qasje vërtetohet edhe nga shkresat e botimet zyrtare të KOASH ku ndryshe nga shteti shqiptar që e njeh Maqedoninë me emrin kushtetues “Maqedoni” , përdoret emri FYROM ose Shkupi si në Greqi e cila kundërshton fort këtë emër . E njëjta sjellje e politike aplikohet edhe me Malin e Zi . Në ceremoni ishte ftuar “peshkopi serb” i Malit te Zi i emëruar nga Beogradi pasi kish serbe e kundërshton autoqefalin e kishës malazeze dhe nuk ftohet peshkopi i zgjedhur nga e i njohur nga shteti malazez. Ky qëndrim i z. Janullatos sigurisht që vë në vështirësi edhe shtetin shqiptar garant të funksionimit normal te kishës por rrezikon edhe raportet midis besimeve shqiptare me besimet maqedonase e malazeze në këto vende. Çdo zyrtar e besimtar ortodoks në Maqedoni e Mal te Zi( ka edhe shqiptar të tillë ne këto vende) ka të drejte të zemërohet me injorimin që i bën KOASH e kjo mund te ndikoje ne sjelljen e tij me besimet e tjera shqiptare atje . Ata nuk e dinë e as duan ta dine që kryepeshkopi ynë është grek. Ata e njohin KOASH si kish shqiptare dhe çdo qëndrim te saje si qëndrim shqiptar .
Ka edhe shumë argumente prova e fakte që vërtetojnë qasjen greke të Janullatosit në veprimtarinë dhe politiken e tij në krye të KOASH por besoj se deri tani kemi thënë mjaft për të kuptuar realitetin, atë që ka ndodhur e po ndodh këto ditë. Unë vazhdoj të këmbëngul se skandali me Irinej , flamurin serb , meshën greqisht , praninë e qarqeve shoviniste vorio-epirote e të tjera janë vetëm pasoja te ndërgjegjes dhe qasjes greke të kryepeshkopit. Un nuk besoj se fajin për këtë e ka Kryepeshkopi Janullatos dhe të gjithë ata që bëjnë atë përgjegjës apo drejtojnë gishtin tek ai besoj se kanë shumë gabim . Ai është grek dhe si grek do ketë pa tjetër ndërgjegje , qasje e interesa greke. Të njëjtën gjë do bënte edhe një kryepeshkop shqiptar ne se do të mund të emërohej ne krye të Kishës Greke, do kishte qasje e interesa shqiptare. Po kisha e shteti grek nuk janë kaq pa dinjitet kombëtar e njerëzor , sa ta pranojnë apo edhe ta mendojnë një gjë të tillë . Besoj se fajtoret dhe përgjegjësit janë ata qe prunë e mundësuan ligjërisht emërimin e një greku ne krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare . Ata që e sanksionuan me ligj detyrimin qe kryepeshkopi te kishte gjak shqiptar nuk ishin budallenj e as ekstremiste nacionalistë. Ata e dinin nga përvoja se vetëm kështu mund të ruhej autoqefalia që kishte marrë kaq sakrifica e jetë njerëzish . E dinin dhe e kishin provuar se kërcënimi më i madh i sajë vinte e vjen nga Greqia. Prandaj them që Janullatos nuk ka asnjë përgjegjësi. Ai vepron e sillet si një patriot i vërtet grek dhe për ketë e kam vlerësuar dhe admiruar gjithnjë. Ashtu si nuk mund të më kërkojë mua dikush të mos kem qasje shqiptare kudo që të jem, ashtu edhe un nuk mund t’ia kërkoj Hirësisë së Tij të mos ketë ndërgjegje e qasje greke kudo që të jetë, përfshi edhe kreun e KOASH.
Mos na fyeni, zoterinj!
Ndoshta, tani për tani, jeni në majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por, do të vijë dita që ato t’i villni të gjitha. Ju nuk mund të ndërroni dot rrotën e historisë. E vërteta do të triumfojë mbi mashtrimin. Pasi, siç shkruante shumë vite më parë, i paharruarai Ali Asllani:/
“Ja, ja grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarve,/
Koha është e maskarenjve, po Shqipëria është e shqipëtarëve!”/
Nga Reshat Kripa/
Mos na fyeni, zoterinj!
Ne ishim te paret, qysh ne ditet e para të restaurimit të sistemit komunist në Shqipëri, që guxuam të ngriheshim kundër tij, në një kohë kur ju ekzaltonit vendosjen e diktaturës në vendin tonë. Ne ishim të parët që guxuam ta vazhdojmë luftën, në kushtet e tmerrshme të shtypjes dhe diskriminmimit, në një kohë kur ju i mbushët duart plot kallo duke duartrokitur për diktatorin dhe pasuesit e tij. Ne ishim të parët që nuk na thyen as pushkatimet masive, as burgjet e tmerrshëm, as kampet mizore të internimit, në një kohë kur ju, të shndërruar në lepuj, iu servilosët atij regjimi. Ne ishim të parët që parullë tonën kishim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” në një kohë kur ju kishit parullën e “internacionalizmit proletar”. Ne ishim të parët që luftonim për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me baza shoqërore moderne, për një Shqipëri ku të mbretëronte liria e fjalës dhe mendimit, për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptar që nuk ishin kursyer, në çdo kohë e çdo rethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë dhe të ndershëm, për një Shqipëri që do të dënonte pseudopatriotët, tradhtarët, të shiturit, spiunët, për një Shqipëri ku nuk do të kishte vend për dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së re, kurse ju jeni pinjollët e pikërisht atyre që e çuan vendin tonë në buzën e greminës, atyre që na vranë e prenë, që zhdukën pronën private, që humbën besimin në Zotin e madh dhe të madhërueshëm, që keni vendosur në krye të organeve të larta administrativo-shtetërore pikërisht ata që i shkaktuan mënxyrën këtij kombi, ish sigurimsat, prokurorët, gjyqtarët dhe lakejtë më të pështirë të atij sistemi.
Mos na fyeni zotërinj!
Pikërisht për ato arsye, që përmenda më sipër, sot janë në grevë urie një pjesë fare e vogël e jona. Është e vërtetë që numri i tyre është shumë herë më i vogël se sa numri ynë i përgjithshëm, por ata na përfaqësojnë të gjithë ne. Mos u mundoni ta shtrembëroni kriterin e asaj greve. Ata nuk janë futur për pesë lekë që ju mundoheni t’ua vishni. Ata janë futur për zbatimin e parimeve për të cilat u sakrifikuan paraardhësit e tyre.. Ata janë futur pasi po shohin se nga ana juaj ka filluar një fushatë e egër për ringjalljen e së kaluarës diktatoriale dhe bashkë me të edhe të diktatorit të urryer. Ata nuk duam të dëgjojnë më për ngjarje dhe individë që historia dhe vetë populli i këtij vendi i ka hedhur në koshin e harresës qysh prej vitit 1990. Ata duan një Shqipëri demokratike, brenda gjirit të kombeve të tjera që janë bashkuar në aleancën e madhe perëndimore.
Mos na fyeni, zotërinj!
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën numër 1096 ku bënte thirrje për ndëshkimin e krimeve komuniste të regjimeve totalitare. Kjo rezolutë, për shkak edhe të ngjarjeve të vitit të zi 1997, qëllimisht, kaloi në heshtje nga ana e organeve qeveritare. Duke iu referuiar asaj rezolute, Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, më 25 janar 2006, miratoi rezolutën numër 1481 “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Mbështetur në këto rezoluta, Kuvendi i Shqipërisë, në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Për fat të keq, në atë kohë, me urdhër të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, deputetët socialistë u larguan nga salla e parlamentit në çastin e votimit. Pra, për zbatimin e pikave të kësaj rezolute që, në fakt, pothuajse ka mbetur në letër, janë sot në grevë të përndjekurit politikë të vërtetë të këtij vendi.
Mos na fyeni zotërini!
Ne kërkojmë zbatimin e pikave të asaj rezolute. Ne kërkojmë dënimin e diktatorit Enver Hoxha, si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial në Europën Lindore. Kërkojmë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore. Kërkojmë bërjen publike të të gjithë dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist duke përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-intitucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve. Kërkojmë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të sigurimit dhe të atyre që i detyruan për një gjë të këtillë, për politikanët, drejtuesit e institucioneve drejtuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara. Kërkojmë hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor, lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, në një kohë sa më të shpejtë dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të rënëve dhe pushkatuarve për liri dhe demokraci pra për arsye politike. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe si rrjedhojë rishikimin e teksteve shkollore, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve të tmerrshme politike si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarve të ndershëm për kundërvënien ndaj regjimit totalitar. Së fundi kërkojmë organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përsekutuarve, akademikëve, historianëve dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.
Mos na fyeni, zotërinj!
Këto janë kërkesat tona. Për këto jemi në grevë urie. Mos u mundoni ta zhvendosni vëmendjen e opinionit publik nga këto kërkesa të drejta në të tjera me karakter ordiner. Ne nuk jemi të dënuar ordiner. Ne jemi të dënuar politikë dhe kërkesat tona kanë karakter politikë. Mos u mundoni të na ngatërroni me elementë që nuk kanë të bëjnë aspak me çështjen dhe parimet tona. Mos u mundoni të na ngatërroni me elementë që kanë qenë të dënuar për motive ordinere, grabitje, mashtrimi, prostitucioni e të tjera dhe që tani na i paraqisni si kryetarë të shoqatave të të përndjekurve politikë, siç është rasti i njerit, të cilit më vjen të pështirë t’ia përmend emrin dhe që ju vetë e keni arrestuar si mashtrues, por që pak më shumë se një vit më parë e ngritët në qiell duke e paraqitur si hero të një greve urie që paskish organizuar. Dua t’ju pyes juve, por edhe një pjesë të gazetarëve të shtypit të shkruar dhe atij viziv:
– Ku jeni bazuar që ende e paraqisni këtë sharlatan si kryetar i një shoqate të
përndjekurish politikë? Cila është kjo shoqatë? A ka vendim gjykate? Kush janë kryetari, sekretari, nënkryetarët e saj? A kanë anëtarë apo janë vetëm drejtuesit e tyre? A kanë degë nëpër rrethet e vendit dhe kush janë kryetarët e tyre. A kanë libreza antarësie dhe libra të regjistrimit të anëtarëve?
Ndoshta ju do të thoni:
– Po ju a i keni këto?
Ejani, të nderuar zotërinj, ejani në zyrat tona! Ato ndodhen në godinën ku, dikur, sundonte
diktatori. Aty do t’i gjeni të gjitha, madje të hedhura edhe në kompjuter. Do të gjeni edhe dokumentin e antarësimit të shoqatës tonë në Shoqatën Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, me kryetar zotin Jure Knezovic, nga Kroacia dhe sekretar zotin Rudolf Guenther, nga Gjermania.
Ju, të nderuar gazetarë, thoni se materialet, për të qenë të besueshme, i merrni të paktën nga dy burime. Në cilin burim figuron që i lartpërmenduri qenka kryetar shoqate? Për të qenë realist, do t’ju rekomandoja të bënit një verifikim për të gjitha shoqatat e të përtndjekurve politikë dhe, atëherë, do të shikonit se sa të tilla janë në të vërtetë.
Mos na fyeni, zotërinj!
\ Është turpi juaj të përdorni një pjesë të të përndjekurve politikë kundër shokëve të tyre. Është turp për një të përndjekur politikë të përdoret kundër shokëve të tij për një shpërblim që mund t’i japin padronët. Një fenomen i tillë ndodhi me të ashtuquajturin Instituti i të Përndjekurve Politikë, ku një përfaqësues i tij volli fjalët më të ndyra për pjesëmnarrësit e grevës. Nuk e dimë nëse e kishte nga vetja apo kështu e kishte mësuar drejtori i tij apo padronët e tjerë. Sidoqoftë grevistët ia dhanë përgjigjen. Ata i nxorrën përjashta dhe mbyllën me dry portën e atij instituti.
Zotërini qeveritarë! Hiqni dorë nga demagogjia dhe mashtrimi! Hiqni dorë nga skenat komike të dëmshpërblimit fallso që zhvilloni në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale! Zoti Ministër! Jeni ende i ri për të mësuar gjuhën e demagogjisë dhe mashtrimit. Hiqni dorë nga shpërndarja e dokumentave falso të dëmshpërblimit kur në degët e bankave nuk keni derdhur ende asnjë shumë për dëmshëprblimin e këtyre të përndjekurve, megjithëse kanë kaluar disa muaj. Keni filluar me premtime qysh para një viti, qysh kur zhvillohej fushata elektorale. Kanë kaluar dhjetë muaj dhe ju ende nuk keni mbajtur asnjë premtim.
Ju drejtohemi të gjitha partive politike që e quajnë vetën parti të modelit europian dhe ju bëjmë thirrje të bashkohen me grevën tonë, të bashkohen me parimet tona të paraqitura më lart. Ndërsa partive në pushtet u themi t’i thërrasin mendjes. Kthehuni në rrugën e drejtë europiano-perëndimore, përndryshe rrugët e Europës për ju do të jenë të mbyllura.
Ndaj, mos na fyeni, zotërinj! Ne ju themi, dhe kjo është e vërteta, se ne jemi fitimtarët e vërtetë të bëtejës së madhe midis komunizmit dhe antikomunizmit midis socializmit dhe kapitalizmit, midis totalitarizmit dhe demokracisë. Ndoshta, tani për tani, jeni në majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por, do të vijë dita që ato t’i villni të gjitha. Ju nuk mund të ndërroni dot rrotën e historisë. E vërteta do të triumfojë mbi mashtrimin. Pasi, siç shkruante shumë vite më parë, i paharruarai Ali Asllani:
“Ja, ja grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarve,
Koha është e maskarenjve, po Shqipëria është e shqipëtarëve!”
Kryetar i Shoqatës Antikomnuiste
të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës
Vetëurrejtësit
Nga Uk Lushi/
Është viti 1994. Jam duke shkuar në një diskotekë në Stuttgart bashkë me një djalë as të bukur as të shëmtuar nga Gjilani. Para se të na vije radha të paguajmë biletat hyrëse, ai më flet me zë të ulët: “Mos thuaj që jemi shqiptarë brenda! Kur të pyesin nga jemi, thuaj që jemi italianë! Vetëm kështu mund të zëmë femra të bukura! Gjermanet nuk i duan shqiptarët!”
Është viti 2006. Jemi mbledhur në një restorant në Boston rreth njëzet punëtorë të dy firmave globale. Mësoj që në mesin e përfaqësuesve të kompanisë që kishte shtruar darkën ishte një shqiptare nga Tirana. I gëzuar filloj e bisedoj shqip me të. E trazuar, ajo më pëshpëritë: ”Unë u kam thënë kolegëve që jam nga Greqia. Ju lutem flisni anglisht dhe vetëm për tema profesionale!” Dy latino-amerikanë, njëri nga Argjentina dhe tjetri nga Venezuela, e kaluan gati tërë kohën duke folur në spanjisht.
Është viti 2008. Jam duke vizituar një shqiptaro-amerikan të lindur dhe rritur në Ulqin, menaxher i një rrokaqielli madhështor, në zyrën e tij në New York.Mbi tavolinën e punës vërej flamujt e Malit të Zi dhe Amerikës. I çuditur i drejtohem: “ Ti nuk ka ngjarje në komunitet që nuk luan patriotin e përunjur! Ku e ke flamurin shqiptar?!” Ma kthen në një anglishte të rëndë: “Nuk kam dëshirë që banorët e ndërtesës ta dinë që jam shqiptar! Ne shqiptarët nuk kemi nam të mirë!”
Është viti 2011. Jemi me pushime me nusen time në Pragë. Ditën e dytë futemi në një dyqan stolish që vizëllonte nga shndritja e smeraldeve, qelibarëve dhe garnetëve. Bisedojmë me pronarin që tregon që kishte 12 vite që prej se kishte ardhur në kryeqytetin çek. E pyesim prej nga. “Jam kroat.”— na kthen ai dhe vazhdon të provojë të na shesë gurët dhe kristalet e tij. Dy-tre minuta më vonë, nga mbrapa tezgave, shfaqet një fëmijë rreth dhjetë vjeçar, që thërret:“U ktheva! O bab’, u ktheva!” I shokuar e pyes zotin e dyqanit: “Ne jemi shqiptarë. Ju thatë që jeni kroat. Fëmija juaj foli shqip. A jeni shqiptar?!” Burri pa ju dridhur qerpiku u përgjigj: “Jemi nga Shkupi, por para se të vinim në Pragë kemi jetuar në Zagreb përmbi 30 vite. Të thuash je kroat është më mirë për biznesin!”
Këto anekdota të vërteta kanë vetëm qëllim ilustrues. Jam i bindur që ka edhe shqiptarë apo shqiptare tjera që kanë përjetuar raste të ngjashme si përvojat e mia më lartë kur bashkëkombës tonët projektojnë frustrimet, mungesat,inferioritetin apo mosplotësimin e ambicieve vetjake në kombin shqiptar. Sigurisht që shumica e madhe e shqiptarëve nuk i kanë këto komplekse dhe e duan me gjithë zemër popullin tonë, mirëpo athtësia e disave nga ne është aq acidike, sa nganjëherë është gati e pabesueshme. Anëtarët e një populli të cilët ndihen keq dhe e fshehin përkatësinë e tyre, që shprehin indinjatë, aversion dhe urrejtje ndaj kombit të tyre, gjenden edhe ndër popuj tjerë.Këta njerëz profesionistët e psikologjisë dhe psikiatrisë i quajnë vetëurrejtës.
I pari autor që përdori termin “vetëurrejtës” ishte filozofi hebrenjo-gjerman Theodore Lessing në librin e tij “Jüdischer Selbsthass” (“Vetëurrejtja hebrenje”), botuar në vitin 1930. Lessingu i kualifikoi si vetëurrejtës hebrenjtë të cilët zgjidhnin asimilimin dhe përpiqeshin të largoheshin nga rrënjët e tyre hebrenje. Nocioni i vetëurrejtjes hebrenje u popullarizua në Amerikë në vitet 1940 nga psikologu Kurt Lewin dhe sidomos në mesin e viteve1980 nga profesori Sander Gilman, sipas të cilit vetëurrejtja hebrenje haset në hapësirat mes asaj se si hebrenjtë kujtojnë që grupet tjera dominuese i shohin ata dhe si ata e projektojnë frikën e tyre se do të shikohen nga hebrenjtë tjerë si mishërim i statutit të ankthit të tyre kundrejt këtij shikimi.
Në përgjithësi vetëurrejtja konstatohet në të gjitha grupet njerëzore. P.sh. në Gjermani ajo shënoi një rritje sidomos para ribashkimit të popullit gjerman me 3 tetor 1990. Vetëurrejtësit gjermanë nuk donin t’ ja dinin që populli gjerman kishte vlera, kapacitete dhe aftësi të bënte vepra të mëdha. Vetëurrejtësit ndiejnë antipati të fortë për çdo gjë të popullit të tyre.Njëjtë sillen edhe vetëurrejtësit shqiptarë të cilët nuk duan të pranojnë asgjë të mirë, por vetëm të këqijat e kombit. Vetërrejtësit tonë përqendrohen vetëm në të metat dhe me logjikën e tyre edhe të mirat janë arritje të vogla dhe nuk ka rëndësi se sa i madh ka qenë disavantazhi para realizimit të së mirës. Sipas tyre popujt e tjerë janë superiorë dhe t’u takosh popujve tjerë, pavarësisht karakterit, aftësive dhe punës personale, automatikisht je më i mirë apo më e mirë. Sidoqoftë, vetëurrejtësit shqiptarë kanë një dallim kardinal nga vetëurrejtësit e popujve tjerë: k’ta urrejtësit e vetes shqiptare nuk urrejnë përfitimet që u vijnë në emër të popullit shqiptar dhe kur u jepet rasti për donacione, ndihma apo asistencë, i pranojnë ato duarhapur, paçka që, sapo t’ik enë ato në posedim, harrojnë popullin shqiptar dhe rinisin urrejtjen menjëherë dhe përsëri.
Populli shqiptar është një popull i vuajtur dhe i cili është goditur nga çdo anë. Ne padyshim kemi të bëjmë shumë dhe, ndërsa tjerët ndoshta kanë komoditetin të ecin, ne duhet të vrapojmë. Secili shqiptar apo shqiptare duhet të ndihet rehatshëm si pjesë e popullit shqiptar sepse nuk ka popuj më të mirë apo më të këqij, por ka individë që zgjedhin të jenë shqiptarofobë ose shqiptarofilë. Për pjesëtarët e popullit shqiptar ka një gjë që duhet bërë medoemos kur kryqëzohet rruga me vetëurrejtësit— ata dhe/ose ato duhet quajtur me emrin e vet. Vetëurrejtësit duhet ta dinë që dashuria gjithmonë fiton mbi urrejtjen sepse dashuria është lule e cila ujitet nga shpresa. Dashuria si ndjenja më e bukur dhe bujare njerëzore natyrisht që është e mbushur me rrezik për zhgënjim, por gjithsesi që është diçka që i jep kuptim të thellë dhe fisnik jetës. Prandaj nuk është mirë të urrehen as të tjerët, e as vetvetja.
“KRIMI KOMUNIST I PADENUAR QE FLET!
Nga Prof. Sami Repishti/
Me inisiativen e Unionit Mbarkombetar te Integrimit te Burgosureve dhe te Perndjekureve Politike te Shqiperise, te Premten me 30 maj 2014, para dite u organizue nji tubim i veçante me qellim te vumjes ne dukje te faktit te pafalshem te “harreses” qeveritare per 23 vjet me rradhe te fatit te viktimave te komunizmit ne Shqiperi.
Me kete rast, u theksue gjithashtu edhe nevoja urgjente per dokumentimin e plote te krimit komunist ne Shqiperi, nji mungese qe ka lejue rilindjen e manifestimeve pro-komuniste dhe nji levizje qe synon rihabilitimin e terrorit komunist dhe te kryekriminelit Enver Hoxha dhe ndihmesve te tij, xhelate te popullit shqiptar.
Per kete qellim ishin ftue foles viktima te komunizmit. Per randesine e tij, Tubimi kishte ftue edhe Presidentin e Republikes Sh.T. Bujar Nishani, si dhe anetare te trupit diplomatic te akredituem ne Tirane.
Ne flete-lajmerimin e leshuem nga organizatoret –nenshkrue nga Presidenti Ii Unionit Z. Besim Ndregjoni- rreshtohen edhe perpjestimet e perbindeshme te komunizmit ne Shqiperi gjate sundimit te tyne 45 vjeçar. Aty lexojme se
-5.037 burra, dhe 450 gra jane ekzekutue me gjyq e pa gjyq per motive politike.
-21.788 burra dhe 7.360 gra jane denue me burg per motive politike
-48.217 burra dhe 10.792 gra jane internue per motive politike
– 11.536 familje jane debue nga qytetet dhe zonat kufitare per motive politike
-64 qytetare te huej jane pushkatue ose kane vdeke ne burgjet komuniste
-1.215 burra, dhe 38 gra te hueja jane burgose per motive politike
-95 shqiptare kosovare jane ekzekutue ne Shqiperine komuniste
-120 klerike katolike shqiptare jane ekzekutue
-83 klerike bektashiane jane ekzekutue
-60 klerike myslimane jane ekzekutue
-39 klerike orthodoks jane ekzekutue
-2.169 institucione fetare jane shkaterrue ose mbylle. (740 xhami, 608 kisha dhe monastire orthodokse, 157 kisha katolike, dhe 520 teqe bektashiane.
Ka pase burgje dhe kampe internimi ne : Tirane, Burrel, Shkoder, Peshkopi, Bulqize, Spaç, Qafe-Bari, Gjirokaster, Tepelene, Vlore, Korçe Berat, Elbasan, Durres etj.
-4,500 shqiptare te ekzekutuem, me gjyq e pa gjyq, nuk kane varreza, Per 23 vjet me rradhe familjet e tyne kerkojne vend-varrosjen pa sukses. Nderkaq, Qeveria mbetet ne heshtje…
***
Per arsye te moshes, nuk kam qene ne gjendje te marr pjese fizikisht ne kete tubim kuptimplote dhe shume emocional. Por me kerkesen e Kryesise se Unionit, kam pergatite nji Pershendetje, te cilen e bashkengjes ma poshte:
Sami Repishti, Ph.D.
“Regency” -638 Danbury Road # 49
Ridgefield, CT. 06877 USA
sdrepishti@att.net
30 maj 2014
I nderuemi Z. Kryetar,
Te dashtun bashkevuejtes, viktima te terrorit komunist,
Miq te dashtun,
Nga Amerika e larget, sot perulem para dhimbjes suej ne tubimin qe synon nji kauze te shenjte: dokumentimin e krimeve te padenueme komuniste ne Shqiperi.
Njizete e tre vite mbas levizjes studenteske te dhetorit 1990, – per liri e demokraci- Shqiperia ka levize. Gjendja ekonomike e shoqenore ka pesue permiresime, populli jeton pa friken e kerbaçit policor. Me gjithe vorfenine e te metat sociale qe e mundojne, Shqiperia ka avancue drejt anetarsimit ne Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone!
Ne kete udhetim te gjate, vendi i jone ka deshmue dhe padrejtesi te medha, njena nga te cilat ashte keqtrajtimi i viktimave te komunizmit, ju vellazen e motra, sakrificat tueja, qendrimi i juej heroik qe nuk pranoi nenshtrimin ndaj “luftes se klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-. Me fitoren tuej morale kunder shnjerezimit komunist, ju keni fitue te drejten me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”.
Kete te drejte e konfirmon pafajesia e juej qe ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik ne Shqiperi. Ju gjetet guximin me i thane “JO!” diktatures, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrezise kineze, jo krimineleve injorante te PKSH dhe PPSH-se. Sot ju keni te drejten me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare ne vendin tuej, sepse jeni te pafajshem. Pafajesia ashte thelbi i sakrificave tueja, i rezistences anti-komuniste ne Shqiperi!
Koncepti i qeverisjes ne kohen tone ashte nii sfide qe Shqiperia nuk e fitoi, fatkeqsisht. Mungesa e nji “pranevere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rande i shqiptareve, tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone, siç e tregojne grevat tueja qe perfunduen tragjikisht. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymes se bashkesise qytetare.
– Grindjet dhe perballimet nuk kane te ardhme.
– Trajtimi partizan i problemit nuk perfaqeson interesat legjitime te popullsise.
– Mashtrimi ne politike ashte genjeshter qe ka rrjedhime .
– Poshtrimi i kundershtarit politik nuk ashte fitore; ashte shkaterrimi i gjysmes shqiptare qe mendon ndryshe.
– Na, jemi per nji Shqiperi ma njerezore!
Pushteti ashte mjet ne demokraci; ashte qellim ne diktature! Qellimi i pushtetit ashte forcimi i kohezionit social shqiptar, e jo “lufta e klasave”. Ne rastin tone kohezioni social kerkon pastrimin e krimit dhe te kriminelit komunist, ne nji proces te mbeshtetun ne drejtesi; ashte rikthimi i plote ne liri dhe dinjitet per te gjithe, ashte mbrojtje nga “dora e shtetit” e nga“grushti i hijeve te zeza” ….
Nji shtet dhe shoqeni e ketill nuk mund te ndertohet mbi padrejtesi! Keshtu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftes, qe dermoi diktaturen fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 23 viteve nuk ashte denue krimi komunist 45 vjeçar, me gjithe sjelljen tuej fisnike qe perbuzi hakmarrjen. Ju jeni breznia qe keputi zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Megjithate, duhet denue PKSH dhe PPSH-ja si parti kriminale.
-Duhet dokumentue krimi per hir te breznive te reja qe te mos perseritet.
-Duhet hjedhe drite mbi erresinen 45 vjeçare qe te mos perseritet.
– Duhet informue breznia e re per te kaluemen tone tragjike, qe te mos perseritet.
Kjo ashte nji detyre primare per te gjithe, por sidomos per ju.
Dokumentimi i krimeve komuniste ne Shqiperi do te nxjerre ne drite genjeshtren, urrejtjen e dhunen qe kane karakterizue rregjimin e gjakut Flitni, shkrueni, organizoni veprimtari kulturore dhe politike qe synojne zbulimin e krimit komunist ne Shqiperi. Kerkoni perkujdesjen e viktimave qe i shpetuen krimit komunist dhe familjeve te tyne te abandonueme ne duer e fatit mosperfilles.
Sot, ne Shqiperi, viktima e komunizmit vuen per buken e gojes, per nji strehe mbi koke, per nji sherbim mjeksor – vuen per nji fjale te mire. Ashte mekat, ashte harrese, ashte vrasja e dyte e viktimes!
Vellazen, motra! Ju duhet te udhehiqni nji kryqzate qe do te shpetoje ju dhe Shqiperine tuej, Shqiperine e te gjithe shqiptareve.
Dhe mos harroni fjalet e nji te burgosuni spanjol: ”Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste derisa çdo rresht, çdo faqe te lexohet nga te gjithe”.
Me nderimet ma te thella,
Sami Repishti
ish i burgosun politik ne Shqiperine komuniste (1946-56),
dhe ne Jugosllavine komuniste (959-1960)
—————————————————————————————————
- « Previous Page
- 1
- …
- 895
- 896
- 897
- 898
- 899
- …
- 984
- Next Page »