• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

March 28, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/Më heret këtë muaj në Budapesht të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956.  Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.  Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe  ndërkombëtare,  ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë.  Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.

Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend,  Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist.  Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit — krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati.  Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve  në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare  i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë.

Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij.  Dihet se pas shtypjes barbare të  revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë.  Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqët, dhe për t’i eliminuar ata pa mëshirë.

 

Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës.   Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze  të mësojë, më në fund,  të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.  Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit.  Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre.

Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore,    është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori.  Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe.

Pas më shumë se 20-viteve ç’prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste.

”Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë”, gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet.   Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel –në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie – të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës — si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë.  Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se “personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë”.   Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet,  kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat.

Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit.   Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi.  Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!

I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi — të pakën nga pikëpamja morale — për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist?

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesi per viktimat, e komunizmit, Frank shkreli

Historia përsërit vetveten, por për fat të keq udhëheqësit rusë asnjëherë nuk kanë nxjerrë mësime

March 27, 2014 by dgreca

Nga Hajro Çini-M.A. Economics/

Po ti referohesh historisë, që nga koha kur Xhenxhiz Khani formoi kombin rus, drejtuesit rusë, me përjashtim të Pjetrit të Madh dhe pas tij Katerinës së Madhe (që ishte gjermane), pothuaj të gjithë të tjerër kanë treguar një nivel shumë primitiv drejtimi shteti dhe po ashtu edhe nivel shumë të ulët sjellje ndërkomëtare.  Kjo ka shkaqet e veta, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është analiza e këtyre shkaqeve, por çfarë ka ndodhur realisht nëpër shekuj. Nuk gjendet asnjë rast, kur Rusia nuk i ka shërbyer, pa dinjitet, me statusin e luftëtarit primitiv fuqisë më të madhe perëndimore të kohës (më saktë anglosaksonëve), kur kësaj fuqie i është dashur kjo shërbesë. Natyrisht nuk ka qënë as parimi, as nderi, bile shpesh as edhe vetë interesi i Rusisë, thjesht ka qënë pagesa që ata kanë marrë. Jo rrallë në mënyrë të neveritsheme.

Kur Turqia ishte shtet shumë i fuqishëm dhe modern, Rusia, të paktën në pjesën Europjane ishte gjysmë vasale e saj. Kur Turqisë po i kalonte koha e shkëlqimit, dhe në Europë, Britania e Madhe, pasi kishte bërë e para Revolucionin borgjez dhe kishte hedhur sytë nga Lindja e Mesme, ajo pagoi Rusinë, dhe kjo e fundit luftoi për 20 vjejt kundër Turqisë dhe Britania e Madhe mori Lindjen e Mesme. Kur Napoleoni mbyti revolucionin e përgjakshëm francez, dhe nuk lejoi Britaninë e Madhe të kontrollonte Francën, por përkundrazi, ju kthye asaj me një bllokadë kontinentale, Britania e Madhe i kërkoi shërbimin e radhës Rusisë. Por cari ja kishte frikën Napoleonit dhe nuk kërceu. Britania Madhe bleu të birin e carit, që pasi vrau të atin me ndihmën e agjentëve anglezë, mori pushtetin dhe ju bind diktatit të Zotit të radhës. Rusia luftoi për 20 vjet, dhe shpesh u disktretitua në fushën e betejës nga Napoleoni. Por këto luftëra e lodhën shumë Francën dhe në një betejë përfundimtare me Anglinë në Waterloo, ku kjo e fundit pothuajse e humbi luftën dhe po të mos kishte qënë për mareshalin Prusian Blyher do të ikte me bisht ndërshalë nga fusha e betejës, siç i kishte bërë Napoleoni të gjitha fuqitë europjane. Pagesa që Anglia i pagoi Rusisë gjatë epokës napoloeniane ishte kaq e rëndë, sa Kryeministrit anflez William Pitt, (I riu) ju desh 40 vjet të lante borxhet.

Vetëm në kohën e Bismarkut, që me një dorë të hekurt i kontrolloi të gjitha fuqitë kontinentale europjane, Rusia nuk pati shans të fitonte këstin e vrasësit me pagesë, sepse kançelari i hekurt ja kishte prerë të gjitha shtigjet.

Erdhi lufta e parë botërore. Rusia ju shtrua përsëri fatit si shërbyese e bindur e anglosaksonëve, por edhe në këtë rast Gjermania ja doli mbanë nëpërmjet agjentit të rekrutuar të spiunazhit të saj, Leninit, të cilin e hodhi në Rusi të krijonte trubullira. Ai duke përfituar nga injoranca dhe primitivizmi i llumit rus, arriti të marrë pushtetin dhe të dalë nga lufta duke firmosur paqen e Brest Litovskit, në kushtet më të rënda për Rusinë.

Por fati i buzëqeshi përsëri pak vite më vonë, kur po ashtu si edhe me Francën, Rusia ishte në fillim në krah të Gjermanisë. Anglosaksonët, si mjeshtra të vërtetë të rusëve, e gjetën të çarën, dhe e kthyen Rusinë në anën e tyre. Rusët luftuan dhe me ndihmën e Anglisë fituan edhe gjysmën e Europës. Kur anglosaksonët nuk kishin më ndonjë fuqi që ti konkuronte, dhe që të ishin gjithnjë të freskët, sepse pa një kundërshtar edhe ata përgjumen, e kthyen Rusinë (tashmë BRSS) në armik të ftohtë dhe e mbajtën në këtë status deri sa e gjunjëzuan totalisht, dhe kur situate ndërkombëtare po ri konfigurohej.

Tani edhe në marëdheniet Anglosaksonë – Rusë ka moment që ngjajnë si dy pika uji. Kur Amerika ishte e angazhuar në Vietnam, BRSS fitoi një farë gjallërie, dhe sapo në Amerikë u bë president një njeri i ndershëm, i urtë dhe mjaft paqësor (Jimi Karter) BRSS shkëputi frerin dhe u hodh në mësymje jashtë zonës që anglosaksonët i kishin lejur. Shkuan dhe pushtuan pa asnjë provokim Afganistanin. Edhe atë e pushtuan me një efiçensë dhe efikasitet të frikshëm. Brënda 48 orëve. Ky akt e shkundi Amerikën dhe populli paqedashës amerikan ju kundërpërgjigj me një president shqiponjë. Të madhin Ronald Reagan, i cili shpalosi të gjithë pathosin e tij për lirinë e njerëzve dhe të gjithë energjinë e tij për të shkatërruar perandorinë e djallit. Brënda 12 vjetësh BRSS u tkurr në një Rusi të zvogluar, të shkatërruar ekonomikisht, moralisht dhe në çdo pikëpamje tjetër.

Pas disa luftërash jo shumë të suksesshme në Afganistan dhe Irak, dhe pasi në krye të USA erdhi një demokrat tjetër paqësor, i urtë dhe paqedashës (Presidenti Obama), si në vitet 70, Rusia tregoi se nuk kishte nxënë asnjë lloj mësimi nga historia. Pa asnjë pikë llogjike pushtoi me të njëjtin intensitet si dikur Afganistanin, Krimenë.

Krimeja

Rusia në Krime kishte arritur më të mirën e mundhshme me marrëveshje ndërkombëtare të garantuara nga USA dhe Anglia. Nuk i duhej asgjë më tepër. Ajo marrëveshje kishte çarmatosur nga armatimi bërthamor Ukrainën, i kishte dhënë të drejta të garantuara bazës së rëndësishme te Sevanstopilolit etj. Krimeja është një nga zonat më të varfëra të asaj pjesë të botës. Kievi harxhonte 1 miliard euro në vit, që të rriste nivelin e jetesës nga mjerimi në varfëri atje. Këtë barrë financiare e mori përsipër, krejt pa mend, Rusia tani. Dhe jo vetëm kaq. Agresioni rus zgjoi përsëri botën për primitivizmin, mungesën totale të civilizimit të udhëheqësve rusë. Ajo zgjoi Europën, që kishte rënë në gjumë letargjik deri në mosmirënjohje të plotë kundrejt USA, kërcënimi ushtarak i të cilës kishte mbajtur nën kontroll edhe BRSS-në. Ai akt zgjoi përfundimisht edhe USA, dhe unë jam i bindur se populli amerikan do ti kundërpërgjigjet me një Reagan të ri, me një shiponjë republikan. Brenda 8-12 vjetësh bota do të shohë përsëri, pas një kuazi lufte të ftohtë, një Rusi të nëpërkëmbur. Ajo do të lëshojë edhe ato pjesë në Çeçeni apo ish republika që ajo ka ndërhyrë brutalisht me pretendime alla-Milosheviçiane. Thënë shkurt, Putin ka korrur një fitore si të Pirros sonë në portat e Romës. Por ndryshe nga Pirro, kjo e Putinit nuk ka pikën e dinjitetit.

Rusofilizmi si një tregues sinjifikativ i nivelit të ulët të ndërgjegjes kombëtare të shqipfolësve të majtë.

Ngjarjet në Krime nxorrën nëpër rrjetet sociale edhe një dukuri të venitur prej kohësh në Shqipëri. Rusofilinë. Kjo ndjenjë nuk ka eksiztuar asnjëherë midis shqiptarëve deri në fillim të shekullit XX, kur policia sekrete ruse e Xherxhinskit, kishte filluar të rekrutonte disa kokrra. Ndër të parët Ali Kelmendin, të cilin e sollën të përhapte idetë e komunizmit internacionalist (në thelb rusofilinë). Ky aktivitet u rrit dukshëm gjatë viteve 1941-1944 për të arritur kulmin në periudhën 1948-1959, kur një pjesë e konsiderueshme e llumit shqiptar, të inkuadruar në Partinë Komuniste, shkuan të “shkolloheshin” nëpër akademitë e spiunazhit rus. Edhe pse pas prishjes me Hrushovin, diktatori shqiptar, vrau dhe burgosi shumë rusofilë, jo për patriotizëm, por për sigurinë e tij personale, edhe nëpër burgje, rusofilët vazhduan të jenë të tillë, dhe besnikërinë kryesore ata edhe sot ja kanë Rusisë, edhe pse jo rusë. Ndoshta të vetmit jo rusë, kaq rusofilë. Duke ju referuar historisë së trishtë që Rusia ka qënë një nga armiqtë shekullor të shqiptarisë, mua më duket se rusofilët shqipfolës janë ose totalisht injorantë dhe nuk shohin përtej “legjendave” që ju kanë treguar prindërit e tyre mëndje ndryshkur, ose nuk kanë pikën e patriotizmit apo të ndërgjegjes kombëtare. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe.

Sodoqoftë, kombi shqiptar është pozicionuar tashmë në një zonë shumë komode gjeopolitike. Një luftë e re e ftohtë, nuk mund ti bëjë atij ato dëme që ju bënë nga 1941 e deri më 1999, përkundrazi. Dhe për këtë meritën më të plotë e kanë dy burrat e shquar të Shtetit Shqiptar, Dr. Sali Berisha dhe Dr. Ibrahim Rrugova. Brezat e mevonshëm do ja njohin shumë më shumë këto vlera të aktivitetit të tyre, se sa i njihen sot.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hajro Cini, Historia perseritet

Përsiatje për një deklaratë të shkrimtarit amerikan Glen Donovan

March 26, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/

Në ditët e para të Vitit të Ri 2014, në faqet e internetit qe botuar një deklaratë e shkrimtarit amerikan Glen Donovan(Glenn Donovan), lindur në Nju Jork në vitin 1962. Me sa duket, deklarata e tij lidhet me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit patën zhvillime shumë dramatike. Deklarata e tij titullohet “I hate the Russian people” (Unë e urrej popullin rus).Para përsiatjeve të mia për deklaratën në fjalë, lexuesve të nderuar po iu përcjell fillimisht përkthimin e plotë të saj:Ju ende nuk e keni takuar kurrë një njeri si puna ime që e urren kaq shumë popullin rus, për faktin që ai e ka braktisur lirinë, të cilën ne, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, patëm synuar aq shumë për t’ia dhënë.

Që ta merrni vesh, në vitin 1973, kur isha 11 vjeç, unë pata lexuar “Arkipelagun Gulag” të Aleksandër Solzhenjicinit. Unë u rrita, duke vëzhguar baraspeshën e forcave në botë, e cila po kolovitej mbi tehun e thikës dhe e dija se sa i tmerrshëm ishte Bashkimi Sovjetik, si për vetveten, ashtu edhe për gjithë të tjerët në botë.

Unë ndihesha krenar për faktin që ndodhem në anën e duhur, përballë sovjetëve, dhe herë-herë mendoja se populli rus do t’u jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e vet. Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen (si tani gjatë qeverisjes së BO – kështu e quajnë amerikanët Barak Obamën – KC) vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili, çdo ditë, na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale. Unë rri e vras mendjen herë-herë: mos ndoshta rusët e kanë pas merituar Stalinin? Ka mundësi që, si në rastin e Sadamit në Irak, ky popull, brenda sekondës, kur t’ia heqin çizmen nga qafa, do të fillojë nga vrasjet me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të papërfillshmet. Kjo për mua është diçka vërtet e parëndësishme. E qartë është një gjë: që Rusia dhe populli i saj nuk janë të denjë të ulen në një tryezë si të barabartë me vende, shoqëri dhe njerëz të qytetëruar dhe të lirë. Unë e urrej popullin rus për faktin që ai e ka lejuar një gjë të tillë. Ne duhej t’i kishim atomizuar ata me bomba dhe Rusinë ta kishim degdisur drejt mosqenies dhe natyra atje të riniste nga fillimi

Ajo që për dikë tingëllon si propagandë, për dikë tjetër është e vërtetë. Qeveria jonë duhet të jetë plotësisht jashtë lojës, përderisa ne nuk jemi në gjendje lufte me vendin përkatës, siç kemi qenë në kuptimin më konkret me Bashkimin Sovjetik gjatë dyzet vjetëve.

Për mua nuk ka rëndësi se çfarë po bën Rusia tani dhe nëse janë të lira ose jo masat e saj të çmenduara. Kjo nuk është punë për mua. Mua më shqetëson vetëm fakti se çfarë po bën Putini kur një gjë e tillë ndikon mbi interesat tona kombëtare. Për ne nuk është e nevojshme të mundohemi “të përhapim kulturën tonë”, duke ndikuar përmes mjeteve të informimit masiv. Kultura jonë tashmë njihet mirë. Unë kam ardhur në përfundimin se rusët janë të mangët në aspektin filozofik, ata vetë nuk janë të aftë për të qeverisur dhe ata këtë e dinë: këtu e ka zanafillën dashuria e tyre për tiranët. Ata kanë qejf të kenë gjithçka, të shtypin dhe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin, deri sa t’u mbushen zemrat me kënaqësi. Unë nuk dua të harxhoj as edhe një santimë në përpjekjen për ta ndryshuar një gjë të tillë. Ne kemi harxhuar miliarda dollarë për shembjen e Bashkimit Sovjetik, kurse rusët na kthyen krahët shpejt e shpejt dhe vendin e tyre, me vullnetin e vet, e lanë në dorën ish-kreut të KGB-së. “Boll më!”, si i thonë një fjale. Nuk duhen harxhuar paratë për gjëra të liga. Populli rus e meriton gjithçka që mund t’i ndodhë” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “I hate the Russian people”. Marrë nga faqja e internetit “KAVKAZCENTER.com”. 03 janar 2014).

Që ta duash apo ta urresh një popull të caktuar, në këndvështrimin tim, duhen ndjekur rrugët e zhvillimit historik, nëpër të cilat ai ka kaluar në rrjedhën e shekujve. Sepse në këtë mënyrë mund të krijohet një ide më e plotë për formimin psikologjik të tij. Sepse kështu do të kuptohen dhe do të interpretohen drejt raportet e popullit me pushtetin, me elitat drejtuese, me mbretërit apo me diktatorët.

Në këtë aspekt, dëshiroj të theksoj se duhen parë etapat historike të formimit psikologjik të popullit rus, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ndërtimin e raporteve të tij me pushtetin.

Kjo për faktin se populli rus asnjëherë nuk ka qenë i lirë: në fillim ka qenë nën shtypjen e bujarëve dhe të oborrtarëve, nën zgjedhën tataromongole që vazhdoi 250 vjet, nën vargonjtë e çifligarëve në kuadrin e të drejtës së bujkrobërisë që zgjati disa qindra vjet dhe nën diktaturën komuniste, e cila rusët i shndërroi në bujkrobër të shtetit.

Pikërisht në kushtet e një shtypjeje të tillë, në psikologjinë e popullit rus ka ardhur e është formuar këndvështrimi i tij rreth mitit të pushtetit.

Për pasojë, krejt historia e Rusisë përfaqëson në vetvete historinë e autokracisë në njërën ose tjetrën formë. Njerëzit e kanë shtyrë dhe vazhdojnë ta shtyjnë jetën me shpresën tek agai “zemërmirë”, te cari, te sekretari i përgjithshëm i partisë apo te presidenti. Shumicës dërrmuese as që i bie ndër mend fare se në këtë jetë punët mund të ecin ndryshe. Se fati i tyre nuk mund të varej dhe nuk mund të varet as nga Jelcini dhe as nga Putini, por nga vetë ata.

Një dukuri e tillë sot vihet re sheshit. Opinioni i njerëzve duket në pëllëmbë të dorës, prirja e tyre e jashtëzakonshme për autoritarizmin e pushtetit bie menjëherë në sy. Pra, sipas mendësisë së rusëve, problemi qenka më i thjeshtë kur dikush tjetër përkujdeset për ta. Nën peshën e një mendësie të tillë, njerëzit nuk janë në gjendje të vetëdijësohen se ndokush do të kujdeset më shumë për vetveten sesa për të tjerët.

Sipas Nina Shçerbinës, profesore e politologjisë në Universitetin e Tomskut (qytet në Siberi), “në traditën politike të Rusisë “modeli i pushtetit” ka ardhur e është formuar nga tiparet e mëposhtme: nga fryma hyjnore (fetare, qiellore, përtejtokësore, irracionale, mistike që ndryshon nga gjërat, nga nocionet, nga dukuritë e zakonshme), nga fryma personifikuese, nga fryma e barazimtarisë dhe nga etatizmi apo nga ideologjia absolutizuese e rolit të shtetit në shoqëri… Në “Rregulloren Klerikale” të Pjetrit I (1672-1725), cari emërtohej drejtpërsëdrejti si “Krishti Perëndi”. Më vonë, në fjalët e lutjeve me rastin e kurorëzimit të shenjtë, çdo car i ri që hipte në fron, quhej, gjithashtu, “Krisht”. Madje qe ndaluar zyrtarisht “që t’i kushtohej vëmendje seksit dhe moshës të sovranit dhe të sovranes”, se, demek, cari, si njeri-perëndi, nuk mund të kishte tipare “tokësore”! Jo më kot portretet e perandorëve zakonisht vendoseshin në ikonostasin e qoshes së shenjtë të shtëpive fshatare, kurse pas Luftës Patriotike kundër Napoleonit, në radhët e fshatarëve patën një përhapje të gjerë ikonat që pasqyronin Krishtin me fytyrën e sovranit-perandor” (Citohet sipas: Anton Çablin.“Rezervati i liberalizmit. Aktiviteti përmes protestave në Rusi ka arritur një minimum historik. Cila është arsyeja që shoqëria “ka rënë në gjumë”?”. Marrë nga faqja e internetit “kavpolit.com”. 26 janar 2014).

Me sa duket, kjo duhet të jetë edhe arsyeja që në gjuhën ruse haset një shprehje kuptimplote: “Zoti është lart, cari është larg”, që do të thotë: njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën (drejtësinë). Sipas mendësisë popullore, njeriu i thjeshtë, për të zgjidhur një hall, Zotit nuk i qahej dot se ky ndodhet lart, në qiell, dhe ishte e pamundur ta takoje. Por edhe për të takuar carin (mbretin), ai, po ashtu, e kishte të pamundur, meqenëse cari ndodhej shumë larg. Kësisoj, sipas kësaj mendësie, cari nuk na qenkej fajtor për padrejtësitë që njeriu i  thjeshtë provonte mbi kurriz, meqenëse shërbëtorët e tij e quanin si zëdhënësin e Zotit mbi dhé.

Nga sa më sipër, rezulton se rusët heqin dorë me vetëdije nga vetvetësia (individualiteti) në të mirë të një të tillë pushteti “të hyjnizuar”, i cili, në historinë ruse quhet “pushtetbesnikëri” ose besnikëri ndaj pushtetit. Prandaj edhe populli është i gatshëm t’i durojë të gjitha fatkeqësitë që i bien përsipër për faj të pushtetit.

Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar.

Nga një sondazh që është bërë para disa vjetësh, rezultoi se  “njerëzit që e konsideronin veten klasë të mesme në vitin 2008, përbënin 20% të popullsisë, kurse në vitin 2011 kjo shifër zbriti në 12%. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë për t’u shënuar sepse kur njerëzit u pyetën nëse do të dilnin në rrugë për të protestuar, 73% e tyre dhanë përgjigje negative” (Citohet sipas: Sean Guillory. “Pse nuk e prekën Rusinë protestat e vitit 2011” (“Al Jazeera”, Katar). Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 nëntor 2011).

Prandaj me shumë të drejtë mund të arrihet në përfundimin se prirja instinktive e rusëve për të pasur një “dorë të fortë”, mund ta shpjegojë dështimin e Jelcinit, i cili, mbi mbeturinat e mitit komunist, u mundua të ngrinte një “botë” liberale. Dhe, në heshtjen e tij dëshpëruese, jo rastësisht një ditë para Vitit të Ri 2000, ai iu drejtua rusëve nën zë:

       “Ju nuk më deshët mua, atëherë e gëzofshi dorën e fortë të pushtetit të Putinit”.

       Për studimin e psikologjisë së popullit rus janë marrë sociologë rusë dhe të huaj. Ndër më kryesorët mund të përmendet Nikollaj Berdjajev (1874-1948), Ksenia Kasjanova (1034-2010) etj. Në njërin nga studimet e veta, Kasjanova shkruan:

“Para nesh shfaqet një kulturë shumë e hershme dhe e rreptë, e cila kërkon nga njeriu një vetëkufizim të fuqishëm, një represion të impulseve të brendshme dhe të qëllimeve të veta të drejtpërdrejta, në të mirë të vlerave kulturore globale” (Citohet sipas: Prof. Ludmilla Poçebut (1949). “Psikologjia e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “rosbalt.ru”. 05.03. 2014).

Mes studiuesve të huaj që janë marrë me këtë temë, mund të përmendet antropologu social amerikan Klajd Klakhon (Clyde Kluckhohn – 1905-1960). Në veprën e vet me titull “Pasqyra për njeriun. Hyrje në antropologji”, ai thekson se për rusët është karakteristike “nevoja për t’iu nënshtruar pushtetit” (Citohet sipas burimit të lartpërmendur).

Një psikolog rus në moshë të re nga qytetit i Novosibirskut, shkruan:

“Populli rus, psikologjikisht, është gati t’i nënshtrohet nje pushteti të fortë dhe madje diku thellë, në nivelin e nënvetëdijes së vet, ai e kërkon një gjë të tillë. Si provë e këtij fakti mund të sillet dështimi i plotë i reformave demokratike perëndimore të njëzet vjetëve të fundit. Dhe po të sjellim ndër mend historinë, atëherë mund të thuhet se periudhat më të mira, kur Rusia ka qenë “në ngritjen” e vet, janë pikërisht ato periudha, kur pushteti ka qenë i përqendruar në një mënyrë monarkiste” (Citohet sipas: Pjetër Zarubin. “Psikologjia karakteristike e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “peter-zarubin.ru”. 06.03. 2013).

Në fjalët e këtij psikologu të ri bie në sy një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e pati pohuar edhe politikani i shquar britanik Çurçilli (Sir Winston Leonard Spencer-Churchill – 1874-1965) që dikur pati deklaruar:

“Stalini ishte diktatori më i madh që nuk mund të krahasohej me askënd në botë, por që Rusinë  e gjeti me parmendë dhe e la me armatim atomik”.

       Popullit rus, gjatë shekujve, i kanë futur në gjak “shenjtërinë” e pushtetit, para të cilit duhet të jesh i bindur dhe i nënshtruar, sepse, sipas politikës zyrtare, cari na qenkej “vetë Jezu Krishti” dhe prandaj, “kur pushteti të shuplak njërën faqe, populli duhet të kthejë faqen tjetër për të pritur shuplakën e radhës”.

Duke pasur parasysh qëndrimin nënshtrues të rusëve ndaj pushtetit, kreu i bashkësisë moskovite të tatarëve të Krimesë Ernest Kudusovi, deklaroi publikisht se rusët janë skllevër brez pas brezi. Këtë deklaratë ai e lëshoi në studion e televizionit publik rus. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit se në ç’masë Krimeja, sipas mendimit të tij, është e ndarë mes pjesëve të popullsisë rusishtfolëse dhe të tatarëve të Krimesë, ai deklaroi:

“Ne duhet t’i kthehemi një çikë historisë. Së pari, populli tatar i Krimesë është popull rrënjës. Së dyti, ai është popull i përndjekur. Domethënë, në vitin 1944 atje nuk mbeti asnjë tatar për be. Stalini vendosi t’i zhdukte tatarët e Krimesë sepse ai nuk është popull që përulet si skllav, ai asnjëherë nuk e ka njohur skllavërinë. Kurse Stalini ishte mësuar të qeveriste skllevër. Prandaj ai i donte aq shumë rusët, ish-skllevërit, skllevër brez pas brezi. Është një skllavëri mijëshekullore, nuk ke ç’i bën” (Citohet sipas: “Kreu i bashkësisë së tatarëve të Moskës: “Rusët janë skllevër brez pas brezi”. Marrë nga faqja e internetit “smi2.ru”. 21 janar 2014).

Por dikush mund të pyes se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë inteligjencia, e cila duhej të kishte marrë përsipër me kohë rolin e vet historik për emancipimin e njeriut rus, në mënyrë që ky të ndërtonte të tjera raporte me elitat qeverisëse, jashtë bindjes dhe nënshtrimit kristian para autoritarizmit të pushtetit? Pyetja është me vend, por halli është se edhe inteligjencia ruse, e dalë nga gjiri i popullit rus, ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e po të njëjtit mentalitet që mbizotëron në formimin psikologjik të popullit rus në apektin e marrëdhënieve me pushtetin. Prandaj edhe ajo ka rënë në gjunjë para pushtetit.

Politologu, analisti, gazetari dhe publicisti ukrainas Viktor Kaspruk, duke u ndalur në qëndrimet e fundit të Putinit ndaj Ukrainës, shkruan:

“Gjithë vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: Viktor Kaspruk. “Putini gaboi rëndë me Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).

Qëndrimi i inteligjencies ruse të ditëve të sotme ndaj pushtetit, zbulon po të njëjtin qëndrim që ajo ka mbajtur tradicionalisht ndaj tij edhe në kohën e carit. Prandaj edhe Anton Çehovi (1860-1904) e stigmatizon me rreptësi një qëndrim të tillë:

“Unë nuk i besoj inteligjencies sonë, një inteligjencie kjo hipokrite, e paqenë, histerike, e paedukuar, mashtruese, nuk i besoj madje edhe kur ajo vuan dhe ankohet, sepse përndjekësit e saj dalin po nga radhët e saj”. (Citohet sipas: “Letër N.I. Orllovit”. 22 shkurt 1899. Marrë nga faqja e internetit “livejournal”. 22 mars 2009).

Nga sa vërehet, mund të thuhet pa mëdyshje se fatkeqësia e popullit rus qëndron në faktin se ai është i prirur për t’i besuar shumë më tepër propagandës së pushtetit, sesa bëmave të tij. Një dukuri e tillë nuk mund të mos i binte në sy fiziologut të shquar rus, akademikut I.P. Pavllov (1849-1936), i cili, katër vjet  para se të kalonte në pasjetë, ka shkruar:

“Më duhet të shpreh pikëpamjen time të trishtuar për njeriun rus: ai ka një sistem trunor kaq të dobët, saqë nuk është i aftë ta rrokë realitetin si të tillë. Sipas këndvështrimit të tij, ekzistojnë vetëm fjalët. Reflekset e tij të kushtëzuara janë të bashkërenduara jo me veprimet, por me fjalët” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”.  15 shkurt 2010).

Santa Barbara, Kaliforni

25 mars 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: deklarata, Glen Donovan, Prof. dr. eshref Ymeri

RINDEZJA E DRITAVE MBI EUROPË

March 25, 2014 by dgreca

Betejat e Amerikës për Kontinentin mëmë/

Nga Rexhep KOSUMAJ/ Berlin/

1. “Dritat po fiken mbi Europë dhe s’kemi për ti parë më të ndizen sa të jemi gjallë”! A nuk ishte ky trishtim i E. Grey-t, tek shihte të fikeshin dritat në Whiteholl, natën kur britë e gjermanë filluan përballjen e armëve, një thirrje përligjëse e ndihmës në pragun e “megavdekjes”? Dhe, poashtu, shpresë e përkorë e një bekimi? Po nga të vinte? Nga qielli demoniak i luftës?

S’ishte e para herë që ato shkimeshin mallkueshëm e pa shpresë. Europianët ishin përgjakur luftërash kronike që, ndonjëherë, zgjasnin dhe 100 vjet. Veçse e mnershme e totale dhe idhujtare e fantazmagorike, do t’kje epoka e re, kur ajo ndodhej akoma e vetmuar në kobet e saj. Ishte jehu i Monrosë (James Monroe, President i Shteteve të Bashkuara) dhe e doktrinës së tij të vitit 1823, që përskajonte pikëthemele strategjike të Amerikës: njëra, izolacionizmin selektiv, pra ajo mund të identifikonte interesa gjithandej botës, mjaftonte të mos përzihej në punët e Europës dhe, tjetra, funddhënja e kolonializmit, hapsirë, vakumin e së cilës gatitej ta rimbushte ajo vetë.

Por doktrina e famshme do të evoluonte. “Ajo ( interpretuar sugjestivisht nga G.G.Smith, Prof. i Yale-it), si fjala e Zotit, parathoshte shumë gjëra, për njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme”! Përshtatja e saj me sprovat e botës dhe fuqizimin planetar, deri aherë modest, të kolosit që po lindte, do ta bënte Amerikën në nisje të qindvjetit  të shkuar, pjesë e arbitër fatprerës të zallahive të Europës. Megjithatë dijetarë të temës ngrejnë akoma dilemën se ç’do të ndodhte sikur Hitleri, të mos ishte ngashnjyer nga Londra e Parisi për të invaduar në Poloni, i gjendur ashtu papritur e frikshëm përballë Rusisë e Amerikës dhe, poashtu, sikur t’mos i shpallte luftë kësaj të fundit, luanit që dremiste? Sidoqoftë, ai u zgjua dhe u nis për të rindezur prapë dritat mbi Europë!

Pa u tretur në përimtime historike, biografia e bujshme politike e Europës rrëfen për shumë beteja që do ti shkaktonte vetë, për të ngelur në fund veçse një peng i tyre i plagosur. E kush i zgjidhte ato ndër vite? Ndër “mote fluturakë kur e shkuara nuk kthehej, e ardhmja kje shtyrë dhe e tashmja ishte e hidhur” (Hobsbawn)? Aleatja dhe, njëherësh, rivalja e fuqisë që i ka llastuar paq europianët me komocionin e zotërisë i cili ka gjithë të drejtën të punojë, të kamet e gëzojë lirshëm – se për të tjerat punë është strehësi i madh i përtejdeteve…

 

2.

Është, prandaj, krejt logjike pyetja: do ta fitojë Amerika (me mënyrën dhe mjetet e mundshme) si kampione e lirisë, dhe “betejën e re ukrajinase” për Europën?

Në fakt, kjo do ishte beteja e pestë për qenien e saj. E para kje arritur në mbyllje të Luftës së parë të 14-tës, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur fuqitë e errta latino-sllave kishin shkrojtur kartat e zeza, ku shlyheshin si një njollë, popuj të tërë, midis të cilëve sidomos populli i lashtë shqiptar. Padrejtësia kishte ndodhur. Trungu shqiptar ishte prerë. Mirëpo Wilsoni legjendar me parimin etnikogjuhësor të vetëvendosjes së “një komb-një shtet-i”, së paku, do të shpëtonte atë gjysmë trualli Atdheu, të lodhur Azie e të shqyer Sllavie.

Mandej, e dyta betejë e Amerikës, e cila tash e tutje do të inaugurohej në instancë vendosjeje e ikonë moraliteti planetar, ishte çlirimi i Europës nga hekurat e makthit arianist të messhekullit, kur pëllumbat, të trëmbur nga gjakprishja njerëzore, nuk fluturonin më mbi Katedralen e Salzburgut dhe as trëndafilat e përbuzur nuk çelnin më në fushat e Shlezisë!.. Ajo Luftë në Europë s’ishte më një përplasje e kufizuar aristokratësh e nuk kallej për hire të fisnikërisë. Ishte, si e cilësojnë paksa përçudshëm, “demokratike”, e kjo dmth totale e popullore, plot armë shfarosëse, urrejtje e helm. Për të mposhtur Gjermaninë që ndehej nga tokat spanjole e deri në Ural, u deshën afro 4 vjet, ndërkohë që Japonia e sertë do të mposhtej vetëm për tre muaj!..Ndaj, sikur Amerika të mos impenjohej në katrahurën e saj vetëshojtëse, Rajhu i tretë, nëse aq, do të mbijetonte shumë gjatë, harrueshëm gjatë!

Një mesbetejë tjetër që do ti printe asaj të mëpasmes, ishte dhe ribërja e Europës së rrënuar nga vetë bijtë e saj. Natyrisht, kjo nuk rezultonte vetëm një dalzotësi familjare (mes ëmës e të bijes) dhe as mbëltim idealesh të lirisë. Ishte poaq, si sot e përherë, interes i saj kombëtar. Vetën një ekonomi dhe treg i riaftësuar europian, do të konsumonte mbiproduket amerikane. Po interesat e ndërsjellë, nuk hijesojnë askurrë solidarësinë: rrethimi rus i Berlinit, ura ajrore dhe duart e të pandihmëve që zgjateshin drejt qiejve – janë prova e saj e gjallë dhe e paharruar.

Amerika do të mandatohej, kështu, misionarisht për ta rilindur Kontinentit mëmë: me rimëkëmbjen e ekonomisë së rrëzuar (Plani Marshall –oficialisht ERP- që përfshinte kredi, mallra e ushqime në vlerë prej afro 14 miliardë dollarësh), mandej me arkitekturën e sigurisë (Nato, që do të ngrihej pas idesë çërçilljane të Perdes së hekurt, 1949), dhe me asistencë kultivimi politik të demokracisë. Qarkullonte, tashmë, ngutshëm shprehja apotheotike “përtrirje materiale”, sepse duhej të shprishte ekuivalencën paraprake të saj që kishte shpikur imagjinata negative naciste. “Materialschlacht”, krahas mortit kolektiv, ishte nocioni programatik për asgjësimin e të mirave materiale të armikut, si taktikë ndihmëtare për gjunjëzimin e tij. Rinisja e një jete të mirëqenë duhej, njëkohësisht, të zvetnonte agjitacionin e bolshevistëve që, si rregull, vigjëlonin gjasën e nxënjes së idesë në gjëndjen e demoralizuar dhe skamnore të turmave. Sovjetët imnspironin e nxisnin grupe ekstreme majtiste për të destabilizuar botën e “kalbur” kapitaliste, porse do të ndeshej me doktrinën e Trumanit (Harry S.Truman, President i Shteteve të Bashkuara), të vitit 1947, që angazhohej “të mbështeste gjithandej kombet e lira nga ataku i pakicave të armatosura”! Pikërisht për këtë, do t’rrjedhonte më e lehtë ringritja infrastrukturale e ndërtesave, fabrikave, udhëve e shkollave të bëra hi e pluhur, sesa ana tjetër vitale e misionit madhor: rikuperimi shpirtëror i njeriut!

E mëtej, beteja e tretë e kurorëzuar prapë, kje triumfi në Luftën e ftohtë dhe disfata spektakulare e komunizmit. Ajo do ti printe frontit paralel kundër së “Perandorisë së të keqes”. Si u quajt drejtësisht (nga  furiozi Ronald Regan) shteti lubi i Sovjetëve. Përmes prangash vorfnore që i shtrëngonte gara e pandjekshme në armatim (“Lufta elitare e yëve”), do të gërryhej përtokshëm ngreha mizore e carëve të kuq. Shkërmoqja e Murit berlinez dhe bashkimi i dy Gjermanive i pararendnin ashtu, si një sihariq historie, bashkimit të të dy Europave: të vjetrës, të lirë dhe të së resë, të shtypur e robnuar 50 vjet nën sundin e zotërve barbarë të Kremlinit! Berlini i ri (që kishte bërë katarsis e nuk ushqente më andrrallat e “shpirtit superior që do të përtrijë botën”) merrte përsipër rolin e Piemontit për tu dhënë krahun e për të këndellur jo veç bashkëkombësit e saj, por mbarë fqinjësinë e sfilitur.

Dhe kur dukej se dielli do ndrinte të gjithë, në zemër të kontinentit të harbuar, kishte ende terr. Populli i viktimizuar në altarin e paqes së pistë të një “Belle Époque”-e të dytë dëshirake, (si e thotë diplomati anglez në përfundim të Konferencës së Londrës, 1913), ishte pranguar ende nën zinxhirët e pushtimit serbian, barbarë e të vjetër sa bota. Ishte një epigon i vonë e voglan, i shartuar egërsisht nga mbeturinat ariozofike dhe frymësia testamentale e Naçertanies hegjemoniake, me emrin përjetësisht të urryer, Millosheviq, që orvatej me hekur e gjak të përligjte stau-quo-në koloniale edhe në Rendin e ri, të vranshëm e të pakthim. Kishte provuar të pamundshmen, holokaustin e dytë në mbarim mijëvjeçari. Por, Amerika, në gjurmë flijimi, gati biblik, të vetë shqiptarëve, do ta fitonte dhe këtë betejë: betejën për ndreqjen e ligësive fatale të europianëve miturakë, për mëvetësinë e Kosovës dhe arkivimin e gjithmonshëm të Jugosllavisë serbiane, sajesë e trilluar burgëtare nga ruso-francezët për ta vënë në unazë rrethimi hapsirën jetike gjermanike. E, pra, kishte bërë dhe betejën e katërt sublime për Europën: lirinë dhe natyrshmërinë e saj.

Në fakt, mëvetësia e Kosovës nuk është akoma epilogu, kapitulli i fundmë i lirisë së Europës. Ka gjithnjë popuj a pjesë të tyre (shqiptarë në Iliridë, Malit të zi, Preshevë, pastaj baskë të shumëvuajtur, katalonës, skocezë…), për të cilët kuptimi dhe shija e lirisë janë një ëndërr e ndaluar.

3.

“Koncerti” i Fuqive të mëdha të Europës (si shkruan H.Münkler) patën dikur dy tipe ose nivele kufijsh: kufijtë e qartë e të paprekshëm të shteteve territoriale dhe, poashtu, kufijtë e tjerë alternativë të perandorive koloniale. Europa e sotme, ndërkaq, ndërdyshet midis kufijsh të shteteve territoriale dhe kufirit të jashtëm, kuazi-perandorak të saj, krejt fluid e i pahorizont! Dhe pikërisht ky është, shpesh, nyjëtimi i orientimor: hapi i pasigurtë dhe e ardhmja e amullt e saj. Nëse më parë kufijtë kolonialë kishin prerje të rreptë, por nuk përfaqësonin njësojshmëri identitare, Europa tani ka përmasë e strukturë tjetër: gjeografia (kufijtë) dhe filozofia (vlerat) mund të pleksen në një tërësi traditash e asimetrish të pashmangshme, po të bukura dhe unike të saj.

Së mbrami, pra, a kanë marrë mësim europianët për të mos krijuar kriza e nyjëtime që nuk mund ti zgjidhin vetë? E prapë: a do laurohen ata ngadhnjimësisht apo, si kurdoherë, do të jetë sërish Amerika që do ta bëj këtë për Europën, e cila konfirmohet a goditet këtoditshëm në votrën e Kijevit?

Real-Politika, mbi të cilën Putini mbajti një leksion shkollaresk, ka përcaktuar përherë marrëdhëniet ndërkombëtare. E drejta, etika a parimet janë përfillur, ose është parë ashtu, vetëm kur kanë përkuar me interesat e zhveshur. “Bota tjetër” ku, sipas kancelares Merkel vegjeton Putini, është e vërtetë dhe e arsyeshme (konsideron kolumnisti i “Sternit”). Është, vijon ai, bota e të mashtruarit në vitet 90-të, kur mori premtimin jokontraktual se sistemi i Nato-s nuk do të përshtrihej në Lindje dhe tani, aspiratës së rishfaqur, iu gjegj me Politikën e Fuqisë, që së paku, Flota 200 vjeçare e Detit të Zi, të mos bjerë në radiusin e tyre. Cila do të jetë hullia, poashtu, real-politike e Europës dhe protektorit të saj ndanë revanit rus? Do të pozicionohet maturisht si pledon, bie fjala, Laschet i CDU-së diktuar nga sensi i përfitimeve (gati 200 miliardë dollarë europianë gjenden “në flakë” në Rusi), ose me abstinencën absolute të majtistëve dhe ekologjistëve, që i pat bezdisur zbarkimi i aleatëve në Kosovë (viti çlirimtar 1999) dhe tash lexojnë Krimenë si faturë për të? Apo, ndoshta, me Politikën e pashmangshme të Fuqisë, që nuk nënkupton përherë vringëllimën e armëve?

Europa? Do të bëj ajo politikë krye në vete? Dhe a ishte vrulli lindor vetëm ide e menagjim i saj? Vështirë e besueshme!

Sidomeqenë, Rusia despotike, e njëj populli të skamur e nëpërkëmbur, që hodhi gurin e precedentit me ngasjen dinake për ta turbulluar Europën, nuk bën të dalë e fituar kurrësesi! Do të ishte, që s’mund të jetë, një traumë kundërhistorike dhe, rrjedhimisht, një brejë në portat e trandura të perëndimit të lirë.

Berlin, mars 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: mbi Evrope, Rexhep Kasumaj, Rindezja e dritave

Njohja e “Kosovës” nëpër Botë

March 25, 2014 by dgreca

Nga Faton Bislimi*/

Pesëmbëdhjetë vite më pare, po më këtë date, tek shqiptarët e Kosovës ishte kthyer edhe njëherë shpresa e vërtetë për lirinë. Sulmet e NATO-s kundër Serbisë dhe ish-Jugosllavisë së asaj kohe, kishin shënuar edhe intervenimin e parë ushtarak në historinë e NATO-s. Bota tani më kishte kuptuar se lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi ishte gjithësesi e drejtë. Djemtë dhe vashat më të mira të kombit, nën siglën e UCK-së, tani më po shndërroheshin në heronjë e heroina të gjalla. Sensibilizimi ndërkombëtar i cështjes së Kosovës, që nga viti 1989 e deri në fillimin e luftës, e kishte trasuar kogja mire rrugën drejtë përkrahjes ndërkombëtare, e vecanërisht asaj Amerikane, ndaj kauzës sonë kombëtare.

Tani më që Kosova e lire dhe e pavarur po konsolidohet si shtet, përkundër të gjitha sfidave dhe barrierave që po e përcjellin e që i ka përpara, është koha që imazhi i saj dhe popullit të saj të debuton ashtu sic i ka hije në katër anët e botës.  Pesëmbëdhjetë vite më pare, Kosova u bë e njohur për ‘të madh e të vogël’ nënpër gjithë botën—për shkak të brutalitetit dhe mizorisë që po përjetonte populli i saj. Mirëpo, ‘shkëlqimi’ që pati Kosova atëherë, me kalimin e kohës normalisht se është shuar.

E për një vend të ri, sikur Kosova, është shumë e rendësishme që imazhin e vet ta projektojë si duhet ndërkombëtarisht—dhe këtu, nuk nënkuptojmë vetëm anën politike të imazhit, dmth atë që bëhët përmes punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadave, Konsullatave, etj. Por, ndoshta edhe shumë më e rendësishme është projektimi i imazhit të Kosovën anekënd përmes fushave tjera—si sportit, kulturës, e shkencës.

Në sport, shkëlqimi i Kosovës sa vjen e shtohet. Yje të shumta të sportit nga Kosova po ndricojnë nëpër Evropë e botë—qoftë në futboll, boks, xhudo, etj. Edhe në muzikë nuk jemi keq—yjet që i lindi ky vend i vogël po ndricojnë hit-listat e muzikës në Britani, SHBA, e gjetiu.

Por, si duket ende kemi ngecë në shkencë e letërsi apo publikime relevante akademike. Skandalet e fundit ne UP e vertetojnë mungesën e një vizioni të duhur drejtë casjes në botën akademike të publikimeve—që realisht është një ndër fushat më me influence në krijimin e opinionit ndërkombëtar karshi vendit tone. Të pyesim, për shembull, sa libra të tipit akademik ose letrar të bazuar në të vërtetën, janë botuar në anglishtë, nën recension ndërkombëtar, nga autorë kosovarë? Mund të ketë ndonjë që unë nuk e dij, por dyshoj. E, ka me qindra të tillë nga autorët serbë e pro-sllavë që shtrembërojnë dhe keqinterpretojnë historinë, kulturën, popullin, dhe vet të kaluarën e Kosovës, e që fatkeqësisht ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës nëpër botë. Po, ka edhe libra që janë bërë nga autorë të huaj e që e thojnë të vertetën (të paktën deri dikund) për Kosovën. Por, këto janë të pakta, shumë të pakta!

Së fundi, një shkrimtar e publicist i khtyer në historian bëri bujë në Kosovë e botën shqiptare me librin e tij në tre volume, “Kosova.” Autori në fjalë, Jusuf Buxhovi, u lavdërua e u kritikua, u përfolë e u nderua, nga qarqe të ndryshme intelektuale, akademike, e bile edhe politike nëpër gjithë trojet shqiptare. Libri i tij, “Kosova”, u ribotua disa here në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” në Houston. Duket se u ble hovshëm nga lexuesi shqiptar. Puna e tij është voluminoze. Referencat janë të shumta, dhe burimet kogja relevante. Nuk më takon mua të komentoj përmbajtjen në aspektin shkencor, sepse nuk jam historian. Mirëpo, në aspektin akademik, vepra e Buxhovit duket të jetë një punë që duhet konsideruar seriozisht si një projekt i rendësishëm i përmbledhjes së histories së këtij shteti të ri që nga koha e Pellazgëve e deri më tani. Sidoqoftë, vepra e Buxhovit nuk është as e para e me gjasë as e fundit për historinë tone.  Por, ajo që bëri Buxhovi, e respektivisht botuesi i tij në SHBA, z. Ramiz Tafilaj është me të vërtetë edhe historike edhe e para e llojit të vet.

Një atdhetar i devotshëm përkundër fatktit që gati një gjysëm shekulli jete e kaloi në SHBA, një njeri i përkushtuar ndaj vendlindjes dhe popullit të vet, i pasionuar ndaj shkencës dhe letrares, dhe një vizionar që realisht ka kapur mu në dhjetëshe nevojën për ndërtimin e mire të imazhit të Kosovës, z. Ramiz Tafilaj dhe shtëpia e tij botuese, Jalifat Publishing, e bënë historike vepren e Buxhovit sepse e përkthyen atë në Anglishte dhe e botuan ndërkombëtarisht duke e bërë kështu trilogjinë e pare të një autori shqiptar të botuar ndërkombëtarisht në gjuhën angleze.

Në javët e kaluara, Buxhovi i shoqëruar nga Tafilaj, paten rastin ta promovojnë librin në disa vende nëpër SHBA—në universitete, takime me komunitetin, librari, etj. Libri tani gjendet për blerje edhe online dhe përmes rrejtit ndërkombëtar te distribuimit që Jalifat Publishing si një botues me bazë në SHBA ka, “Kosova” tanimë është prezente nga Alaska në Brazil e Argjentinë, nga British Columbia në Japoni, si dhe nga Kina në Australi.

Se vepra e Buxhovit mund të ketë vend për kritikë, nuk diskutohet; por se ajo, me përkrahjen vetmohuese dhe tejet të kushtueshme të z. Tafilaj po bëhet libri i pare, i një autori nga Kosova, i botuar dhe distribuuar ndërkombëtarisht në gjuhën angleze paraqet thyerjen me të rendësishme të miteve dhe historive të njëanëshme të serbëve e pro-sllavëve që deri më tani e kanë patur primatin nëpër libraritë e bibliotekat e vendeve të ndryshme të botës.

Projekti i z. Tafilaj për ta përkthyer dhe botuar ndërkombëtarisht librin e Buxhovit nuk ishte e as nuk është i ndërlidhur me promovimin e autorit, më shumë se sa me promovimin e historisë së vendit dhe popullit tonë. Kur ky libër në tre volume do zërë vend nëpër bibliotekat më të rendësishme të botës akademike nëpër gjithë globin, ai do të jetë një reference bazike për akademikët, politikbërësit, opinion-krijuesit e huaj, në lidhje me Kosovën. “Kosova” tani më do të jetë një përfaqësues i qetë, i urtë, por definitivisht i rendësishëm dhe shumë i nevojshëm për shtetin tone të ri nëpër mbarë botën.

Lufta që Kosova tani duhet ta fitojë është ajo e diplomacisë publike dhe intelektuale, përtej asaj zyrtare. Kështu, projektet si ky i fundit me “Kosovën” i z. Tafilaj janë përgjigja më adekuate kundrejtë propagandës disa shekullore serbe ndaj shqiptarëve. Ne jemi ende mbrapa në këtë drejtim, por si duket kemi një fillim të mbarë. Andaj, uroj që pesëmbëdhjetë vite pas fillimit të fitores ushtarake të Kosovës ndaj Serbisë, po fillojmë edhe fitoren në sferën e publicistikës akademike dhe displomacisë publike.

*Faton Bislimi, ligjërues i lendëve të zhvillimit ekonomik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, është studijues pranë Qendrës së Ekselencës së BE-së në Universitetin e Albertës në Edmonton, Kanada. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Bislimi, Njohja e “Kosovës” nëpër Botë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 902
  • 903
  • 904
  • 905
  • 906
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT