• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Takimi Shqipëri-BE: 11 përfundimet e dialogut të nivelit të lartë

March 7, 2014 by dgreca

-Qeveria publikon përfundimet e përbashkëta të dialogut të nivelit të lartë mbi përparësitë kyçe/

Ne Foto: Takimi i Dytë i Dialogut të Nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian/

TIRANE 7 Mars-Publikohet dokumenti im përfundimeve të dialogut të nivelit të lartë mes BE-së dhe Shqipërisë, dialog që u kryesua nga Komisioneri Europian i Zgjerimit, Stefan Fule. Dokumenti përmban 11 pika mbi përfundimet e dialogut.

1.      Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Štefan Füle drejtuan takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) mbi Përparësitë Kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 6 mars 2014. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë, si dhe një pjesëmarrje të zgjeruar të opozitës përmes Kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, Znj. Ms Majlinda Bregu, dhe dy anëtarëve të tjerë të parlamentit.

2.      Takimi përshëndeti Rezolutën e Parlamentit mbi integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Zbatimi i angazhimeve të ndërmarra sipas nëpërmjet kësaj rezolute është thelbësor. Lidhur me këtë, Komisioneri Füle theksoi rëndësinë e sigurimit të koherencës dhe një përqasje përfshirëse ndaj gjithë reformave të ndërmarra nga Shqipëria duke marrë në konsideratë programin e vendit për BE-në. Konsultimi sistematik dhe përfshirja e Parlamentit, si dhe palëve të tjera të interesuara në procesin e reformave është kyç.

3.      Takimi i dytë i DNL zhvillohet pas Këshillit të dhjetorit 2013 që “mirëpriti miratimin me konsensus ndërpartiak nga Shqipëria të masave përkatëse kyçe për reformën e gjyqësorit, administratës publike dhe  reformën parlamentare, si dhe kryerjen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në qershor”. Këshilli përshëndeti gjithashtu “masat e mëtejshme të marra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe angazhimin e qeverisë së re, përgëzon intensifikimin e përpjekjeve në këto fusha dhe nxiti autoritetet ta ruanin këtë vrull të ri”. Këshilli vendosi “të shqyrtojë, në bazë të një raporti që do të paraqitet nga Komisioni, vazhdimin e zbatimit të strategjive të reformës kundër korrupsionit dhe asaj gjyqësore dhe  legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe prirjen e vazhdueshme për hetime dhe ndjekje penale proaktive, përfshirë fushën e krimit të organizuar”. Këshilli shtoi se “me mirëkuptimin se Shqipëria vazhdon të mbështetet në progresin inkurajues të bërë deri tani, pret me padurim vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat asaj në qershor 2014, në varësi të miratimit të Këshillit  Evropian”.

4.      Takimi vendosi se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova  të rezultateve të arritura duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioneri Füle përshëndeti progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat që lidhen me BE-në gjatë periudhës së kaluar dhe nënvizoi se puna e përbashkët konstruktive e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në Parlament, është kyçi për konsolidimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre përpjekjeve. Lidhur me këtë Komisioneri theksoi se politikat konfrontuese nuk e ndihmojnë procesin e integrimit në BE. Komisioneri kujtoi gjithashtu rëndësinë që Shtetet Anëtare të BE-së i japin kulturës së bashkëpunimit dhe përfshirjes në Parlament, çka do të lejonte një proces të qëndrueshëm reformash. Lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura të vendit ai theksoi se si opozita ashtu dhe qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje dhe të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij. Komisioneri përshëndeti masat e marra në kuadrin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si konsultimin e zgjeruar të strategjisë kundër korrupsionit të kryer në dhjetor dhe ngritjen e një rrjeti pikash kontakti kundër korrupsionit, nënshkrimin e marrëveshjes operative me Europolin dhe punën e vazhdueshme me rëndësi për reformën në polici. Ai mirëpriti gjithashtu fokusimin te miratimi i akteve nënligjore për Ligjin mbi Shërbimin Civil.

5.      Komisioneri Füle përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste. Ai theksoi rëndësinë e vëmendjes së veçantë gjatë muajve të ardhshëm për të garantuar zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe në kohë, veçanërisht lidhur me masat afatshkurtra në fushën e shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

6.      Komisioneri Füle theksoi se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

7.      Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për forcimin e mëtejshëm të progresit të madh të arritur në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht për vazhdimin e zbatimit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë politikën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kryeministri Rama shprehu besimin se zbatimi në vazhdimësi i reformave kyçe përbën një bazë të shëndoshë për vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014. Ai konfirmoi gjithashtu angazhimin e qeverisë së tij për krijimin e një lidhjeje të fortë mes qeverisjes ekonomike dhe shtetit të së drejtës, çka do të çojë në një mjedis më transparent biznes. Lidhur me këtë ai përshëndeti shtimin e fokusit nga ana e BE-së ndaj çështjeve të qeverisjes ekonomike.

8.      Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e  procesit të reformave. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare e sheh DNL si një instrument të dobishëm përmes së cilit Shqipëria dhe BE-ja vlerësojnë dhe rishqyrtojnë progresin e bërë nga vendi në kuadrin e diskutimeve gjithëpërfshirëse.

9.      Komisioneri Füle përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë; për angazhimin me Komisionin e Venecias lidhur me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe për garantimin e zbatimit të qetë të legjislacionit në këtë fushë; si dhe për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar përmes veprimtarive specifike dhe bashkëpunimit të përforcuar mes organizmave të zbatimit të ligjit.

10.      Qeveria mbetet e angazhuar ndaj përfshirjes së organizatave dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave.  Për këtë qëllim, Udhërrëfyesi për 5 Përparësitë Kyçe është ndarë me aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile për komente dhe sugjerime. Duhet ngritur mekanizmi i konsultimeve me palët e interesuara, siç u vendos në takimin e parë të Dialogut të Nivelit të Lartë, bazuar mbi hapat fillestarë të ndërmarrë. Ky proces i zgjeruar konsultimi do të kontribuojë për konsolidimin e konsensusit mbarëkombëtar mbi integrimin në BE dhe do të sigurojë një kuadër për kanalizimin e ekspertizës dhe energjisë brenda shoqërisë shqiptare në politikëbërje dhe zbatim.

11.      Për t’u përgatitur për takimin tjetër të DNL të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare. Shqipëria do të japë kontribut lidhur me Raportin tjetër të Komisionit. Komisioneri Füle nënvizoi se në këtë periudhë Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me të gjitha pesë Përparësitë Kyçe, me fokus të veçantë mbi reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore.

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 perfundimet e dialogut, Takimi Shqiperi-BE

KORRUPSIONI DHE TË DREJTAT E NJERIUT

March 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Protestat dhe demonstratat anti-qeveritare të cilat shkaktuan dhunën dhe trazirat politike në Ukrainë gjatë disa javëve të fundit, e që  çuan në largimin nga froni të ish-presidentit Viktor Janukoviç dhe më në fund në agresionin ushtarak të presidentit rus Vladimir Putin kundër sovranitetit territorial të Ukrainës — ishin një pasqyrim dhe një shpërthim i zemërimit dhe i moskënaqsive ndaj dhunës dhe korrupsionit të regjimit të ish-presidentit Janukoviç dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Në të vërtetë, enti ndërkombëtar që kryeson përpjekjet anti-korrupsion, “Transparency International”, i cilësoi ngjarjet e fundit në Ukrainë si “një revolucion kundër korrupsionit”, megjithëse vendimi i Janukoviçit për të mos nënshkruar marrveshjet për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian, në favor të marrëdhënjeve më të ngushta me Moskën, luajti gjithashtu një rol kryesor në shpërthimin e protestave.  Në një deklaratë, Transparency International tha se  mbështet  përpjekjet e ukrainasave për të jetuar një një shtet, ”pa politikanë dhe burokratë të korruptuar”.  Organizata anti-korrupsion  thotë se ndonëse regjimi Janukoviç mund të jetë rrëxuar nga pushteti dhe si përfundim, së shpejti do mbahen zgjedhjet,  kjo në vetvete nuk do të shërojë plagët e disa viteve të fundit dhe nuk do të zgjidhë problemet e mëdha që ai ka lën pas, ndërkohë që ukrainasit po shohin tani se çfarë jete luksoze bënte ish-presidenti i tyre Janukoviç, në pallatet e tija të shumta moderne, me makina luksoze antike, me restorante private, me llogari bankare jashtë vendit, e tjera.

Por korrupsioni nuk është vetëm një problem për Ukrainën, është një problem, në të vërtetë është më shumë se një problem, është një sëmundje globale.   Në raportin e fundit vjetor të Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) botuar muajin që kaloi mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, theksohet se vitin që kaloi, korrupsioni ishtë njëri prej problemeve kryesore i shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën.

Në raportin mbi Shqipërinë thuhet se problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, kanë të bëjnë “me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë” përfshirë “bllokimin e reformave në lidhje me luftën kundër korrupsionit”.   Raporti thekson se pandëshkueshmëria është një problem kryesor në Shqipëri, duke shtuar se politikanë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe gjykatës si dhe përfaqsues të interesave të mëdha të biznesit, shpesh i ikin drejtësisë.  Raporti vjetor i DASH mbi të drejtat e njeriut thotë se megjithëse disa zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për keqpërdorime të pozitës së tyre, të tjerë zyrtarë më të lartë të qeverisë, që sipas raportit — ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh — thjeshtë janë hequr nga postet e mëparshme për tu vendosur në detyra të tjera qeveritare, pa kurrfarë ndëshkimi ligjor.

Edhe në Kosovë, sipas raportit të DASH ka korrupsion, ndërkohë që qeveria kishte ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar zyrtarët që kanë kryer shkelje, si në shërbimet e sigurisë ashtu edhe në sektorë të tjerë të qeverisë, por megjithkëtë thekson raporti, shumë zyrtarë të lartë të Kosovës të dyshuar, ishin të përfshirë në korrupsion dhe vepruan pa asnjë ndëshkim nga ligji.

Në parathënje të raportit të DASH mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në botë, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri, tha se “Qeveritë që  zbatojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të cilat janë përgjegjëse për veprimtarinë e tyre ndaj qytetarëve të vet, janë më të sigurta, njëkohësisht mbështesin paqën dhe sigurinë ndërkombëtare dhe njëherazi gëzojnë gjithashtu begatinë e përbashkët me vendet e qendrueshme demokratike.  Ndërsa vendet të cilat nuk mbështesin zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, mund të përballen me privime ekonomike dhe izolim ndërkombëtar”, tha kryediplomati amerikan.

Por nuk është vetëm Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit ai që ka  theksuar lidhjen midis fenomenit të korrupsionit dhe mos respektimit të të drejtave të njeriut në botë.  Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Europian (BE) e kanë lidhur gjithashtu korrupsionin me mos zbatimin dhe me mos respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarve.  OKB-ja thotë se, “Të drejtat e njeriut janë të pandara dhe të ndërvarura dhe se pasojat e një qeverisjeje të korruptuar janë të shumëta dhe se ato prekin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut — ato civile, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore.  Korrupsioni çon në shkeljen e detyrimeve që kanë marrë përsipër qeveritë me nënshkrim, për të marrë masa — me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion — për realizimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave që njihen nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.”  OKB-ja thotë se parimet bazë të të drejtave të njeriut, siç janë transparenca, llogari-dhënja,mos diskriminimi dhe pjesmarrja serioze në jetën politike të vendit — kur të zbatohen këto parime, ato janë mjetet më efektive për të luftuar korrupsionin.

Muajin që kaloi edhe Komisioni Europian botoi për herë të parë “Raportin mbi Korrupsionin” në vendet e Bashkimit Europian në të cilin pasqyrohen sukseset dhe dështimet në luftën kundër korrupsionit në eurozonë.  Raporti identifikoi të meta serioze në luftën e vendeve anëtare kundër korrupsionit anë e mbanë Europës.  Në një deklaratë për media, Transparency International, komentoi raportin e (BE) duke thënë se, “Besimi në udhëheqsit e Europës po bie sepse marrveshjet midis biznesit dhe sektorit publik bëhen në terr, pa transparencë, duke i lënë qytetarët të pa informuar dhe duke pyetur ata veten se interesat e kujt po merren parasyshë në këtë mes”.   Transparency International këshillon se “Për të zhdukur hendekun  e mos besimit midis politikës dhe popullit, duhet të ketë një transparencë më të madhe në jetën politike dhe se më shumë zyrtarë publikë e politikë duhet të mbahen përgjegjës për shkeljet dhe abuzimet e tyre korruptive.”

Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Europën, sipas raportit të parë të posa botuar mbi këtë problem nga Komisioni Europian.  Sipas raportit, korrupsioni prek të gjitha vendet anëtare të BE-së, me një kosto prej 120 miliardë euro në vit, në dëm të ekonomisë.  Sipas disa sondazheve të kohëve të fundit, pothuaj gjysma e europianëve besojnë se korrupsioni në vendet e tyre është shtuar gjatë tre viteve të fundit.  Thuhet se gjatë kësaj periudhe, vendet anëtare kanë ndërmarrë një numër nismash për të luftuar korrupsionin, por Komisioni Europian thotë se duhet bërë më shumë për të parandaluar dhe për të ndëshkuar dukuritë e korrupsionit në çdo vend.  Ndërkaq, edhe Transparency International përkrah tezën se lufta kundër korrupsionit është njëherazi edhe luftë në mbështetje të të drejtave të njeriut, dhe si e tillë duhet të mbetet një objektiv i përbashkët i politikës, biznesit dhe i qytetarëve anë e mbanë Europës.

Prandaj siç dëshmuan ngjarjet e fundit në Ukrainë, një qeveri që në zemër të sistemit politik ka korrupsionin,i cili pasuron disa dhe varfëron shumicën, nuk mund të vazhdojë gjatë pa revoltuar masat mbarë popullore.  Kështu ndodhi edhe me diktatorin Viktor Janukoviçin e Ukrainës, pasi korrupsioni që ka prekur atë vend, ishte një prej arsyeve kyçe për protestat në masë dhe me dhunë në Kiev, protesta  këto të  cilat shkaktuan ngjarjet e fundit që tani po kërcënojnë jo vetëm paqën e sigurinë midis Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të mbarë Europës dhe po rrezikon gjithashtu të zhytë botën në një luftë tjetër të ftohtë.

Ja, ky është çmimi i korrupsionit!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, korrupsioni, te drejtat e Njeriut

Konflikti ukrainas – një duel i hapur midis BE dhe Rusisë

March 5, 2014 by dgreca

Rusia, u përball me koalicionin europian të mbështetur fuqishëm nga SHBA./

Nga Zaim Kuçi/

Për një gjerësi informacioni, analiza për konfliktin e radhës duhet të fillojë me pyetjen, Çfarë po ndodh me vendet e Eurozonës, të Europës Lindore dhe të Rajonit të Ballkanit, krizë reale ekonomike apo gjeopolitikë e sforcuar ruse drejt tyre? Le ta shohim zgjidhjen e këtij konflikti tek kjo tendencë zhvillimi europian.Situata e datës 01 mars: Zëdhënësi Dmitri Peskov u shpreh: “situata është në duar të presidentit Putin. Është presidenti Ai që merr vendimin. Për momentin nuk ka ndonjë vendimmarrje edhe pse ka lëvizje dhe mobilizim trupash, edhe pse shtabet luftarake kanë marrë postin e luftimit në zbatim të miratimit nga parlamenti rus “të urdhërit” të ndërhyrjes luftarake në Ukrainë.

Situata e datës 05 mars

Një javë më pas presidenti rus thotë se “ne nuk luftojmë me popullin vëlla ukrainas”, duke  shtuar se Rusia është gati të përdorë forcën nëse rusët në Ukrainën lindore dhe Krime do të jenë në rrezik.  Rusia bëri edhe tërheqjen e parë duke deklaruar të mbyllur stërvitjen e trupave ruse në kufi me Ukrainën por nuk ka sqaruar asgjë mbi fatin e konfliktit.

Çfarë ndodhi realisht në këtë fushatë të nisur luftarake? Fillimisht, le të vlerësojmë gjendjen e dy palëve në konflikt.

Bashkimi Europian: “Në kërkim të zgjidhjes së krizës…”

Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vetë shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe: nga njëra anë shihen interesa të vendeve anglosaksone për shkëputje, nga ana tjetër kemi qëndresën franceze si ideatore dhe ajo gjermane si investitorja kryesore e BE, kurse vendet e tjera europiane që janë zhytur në krizën ekonomike janë për një forcim të saj, pra duket ndarja e shteteve elitë nga shtetet europiane në nevojë. Megjithë këtë situatë jo të qartë europiane, vendet e saj unanimisht dhe forcërisht dënuan lëvizjen ruse drejt ukrainës. BE sapo edhe pse në nevojë ajo akordoi dhe 11miliard euro për rimëkëmbjen e ekonomise.SHBA, kërcënuan se, në rast se Kremlini do të vazhdojë të ndjekë kursin e tij aktual, atëherë mund të ketë masa ekonomike dhe diplomatike që do të çonin vendin në izolim. SHBA akuzuan Rusinë se po shkel ligjin ndërkombëtar dhe tha se Moska “është në anën e gabuar të historisë”. Në Kiev, Sekretari i Shtetit Kerri tha: “Ne nuk (do) kemi alternativë tjetër, por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht”.

Rusia: “Mbron rusët e krimesë….”

Por, ajo që duhet vlerësuar në këtë konflikt të ri është fakti se, situatat e reja ekonomike kanë shtuar dëshirën e një gjeopolitike të re gjithnjë në ndryshim të saj. Rusia e ardhur nga një “fitore” e përgjakur në Siri, ka rritur ndjenjat për një zgjerim real të saj drejt vendeve ish aleate. Ajo kësaj radhe, iu drejtua Ukrainës.Disa situata favorizuese që shkojnë në interes të Rusisë: Nëse analizojmë krizat e ekonomike të kohëve të fundit, duket se vendet e vogla të ndodhura në hartën gjeografike europiane, të keq menaxhuar nga vet strukturat e tyre, kur bien në krizë kërkojnë daljen prej saj duke aktruar dhe luajtur kartën e gjeopolitikës së tyre.

Analistët duhet të vlerësojnë përballë kësaj krize, zhvillimet e dukshme ekonomike të viteve të fundit të Rusisë, afrimi i sforcuar i saj me superfuqinë aziatike kineze e konfirmuar dhe me vizitën për herë të parë të presidentit të sapo zgjedhur kinez duke nënshkruar kontratën më të madhe në fushën e mbrojtjes (24 avionë luftarake SU- 35, 4 nëndetëse të klasit “Lada”, avionë transporti IL- 476 dhe IL -78, raketa Senit S-400 etj), kontratë e cila u analizua dhe si një sinjal force edhe për SHBA, se Moska dhe Pekini duan të bashkojnë forcat e tyre për të bërë një kundërpeshë gjeopolitike ndaj saj, kanë ngjallur nostalgjitë e gjeopolitikës globale me prioritet rajonin e Ballkanit dhe të Europës Lindore, prej këtej për të kapur tregjet në Lindjen e Mesme.

Është koha kur gjeoekonomia vendos mbi zhvillimet e pritshme në gjeopolitikën e shteteve. Vlerësohet se qëllimet strategjike ruse, për të gjetur territor në hapësirën e BE, realizohen duke lëvizur kujdesshëm, rast pas rasti me shtetet e vegjël që akoma nuk kanë arritur të instalojnë demokracinë dhe të zhvillojnë ekonominë në standard perëndimor.

Zhvillimi i ekonomisë informale dhe të dobët në këto vende janë premisa për krizë, më tepër se kaq Rusia gjen terren për t’i stimuluar këto ekonomi në rënie.

Në këto vende diplomacia ruse është aktive (sidomos ato në rajonin e Ballkanit, më pranë Bosnje-Hercegovina) duke iu afruar ndihmë ekonomike. Këto vende, për të mos u zhytur në kaos dhe për të përfituar imazh në vend (kredibilitet politik), lehtësisht shtrijnë duart për ndihmë drejt Rusisë, kjo shihet dhe si një presion të vet vendeve të hartës gjeografike europiane kundër BE-së.

Hapja e portave për Rusinë nga këto shtete, vështirëson ekonominë dhe politikën europiane jo vetëm për mos prishjen e balancës ekonomike por në planin afatgjatë dhe për mos humbje territori në hapësirën e BE-së. Mbajtja prej kohësh peng e Serbisë nga rusët ka krijuar hallakatjen e rajonit tonë.

Të detyruar nga situatat e krijuar në hapësirën e eurozonës, vendet europiane detyrohen dhe paguajnë borxhin e stimuluar dhe të keq menaxhuar të shteteve të vegjël. Pas Greqisë, rasti Qipriot ishte identik me atë të krizës Islandeze, kohë kur Europa po mbyllte dyert ata iu drejtuan Rusisë. Për të shmangur këtë orientim drejt Rusisë, FMN zgjidhi thesin e ndihmave për të nxjerrë nga kriza këtë vend. Këto janë shembuj të së kaluar së vonshme që tregojnë nisjen e një gjeostrategjike ruse ku është përfshirë dhe Ukraina.

Rusia, për shumë arsye kësaj radhe iu “afrua” Ukrainës për të cilën ajo e ka filluar kohë më parë nëpërmjet shërbimeve të fshehta që kanë mbajtur nën kontroll regjimin dhe situatën ukrainase, si një element bazë strategjik të saj. Por ajo që merret si shqetësim dhe si para kohe për Rusinë ishte vënia në gatishmëri të trupave të saj ushtarake (150 mijë – trupa speciale e helikopterë luftarakë, forcat të Këmbësorisë Detare dhe ato të Mbrojtjes Bregdetare e të tjera).

Në fokusin e një analisti ushtarak, sjellja ushtarake ruse, që kupton përgatitjen e fazave të zhillimit të operacionit nga gjeneralët dhe admiralët, dalja e forcave të luftimit në rajonet e veprimeve luftarake, miratimi njëzëri në parlament i “pushtimit” , vlerësohet jo vetëm si një presion i hapur për të përftuar territore nga shteti i ukrainës por dhe një sinjal i qartë për mundësi ndërhyrje ushtarake. Për të justifikuar këtë prezencë, Rusia shfrytëzoi Bazën Ushtarake në Portin e Sevastopolit, me synim ndarjen e Krimesë nga Ukraina duke formuluar të drejtën për të mbrojtur bashkëkombësit e saj.

Për një shpërndarje vëmendje, ushtarakët rusë nisën një anije luftarake zbulimi drejt Kubës me mision “vizitë” miqësore dypalëshe. Kjo vizitë ushtarake në këtë vend të largët, nga shtypi është vlerësuar si një memorie paralajmëruese të viteve 1962 hrushoviane që stimuloi krizën raketore kubaniste me tendencë për të krijuar konfliktin bërthamor të asaj kohe.

Lind pyetja, cili ishte mesazhi rus? A mos vallë Rusia ndjehet e forte ekonomikisht dhe ushtarakisht dhe kërkon të rimarrë pozicionin superfuqi globale? A mos vallë ky globalizëm i përshpejtuar dhe i pakontrolluar po sjell nevojën e një situate paralufte? A mos vallë përsëri po maten forcat e superfuqive botërore? Janë pyetje që në këtë fillim shekulli kanë mbetur pa përgjigje edhe pse bota mbarë u mobilizua një pjesë për të bërë luftë dhe tjetra për ndalimin e saj.

Nëse Rusia vërtet synoi të shkonte në këtë aventurë të kohës dhe sipas saj i llogariti forcat që të përballonte këtë sfidë të re në gjeopolitikën të menduar globaliste të sajuar prej saj, atëherë logjikisht ajo mund të shkonte drejt një strategjie për t’u sakrifikuar për të pushtuar Ukrainën. Nga ana tjetër, SHBA, BE dhe NATO e mirë vlerësuan situatën, këtë radhë në kohë, ndoshta dhe të “djegur” nga aventurat diktatoriale të liderve të papërgjegjshëm, siç dhe po ndodh shpesh, duke marrë edhe rastin banal të ndërhyrjes të Rusisë pak vite më parë në Gjeorgji.

Po përse Ukraina ishte e privilegjuara e radhës për Rusinë?

Së pari, gjeografikisht Ukraina vlerësohet një pozicion i favorshëm dhe të menduar, të fituar nga rusët. “Molla e artë” e rusëve është Krimea (dymilion banorë që flasin rusisht) e cila ndodhet në pozicionin më strategjik të rajonit ku historikisht dy portet e saj Sevastopoli dhe Odesa kanë qenë skalionime bazë për arritjen e kontrollit të Detit të Zi duke afruar dhe një tjetër mundësi hapësinore më të largët se ky det, ai i Detit Mesdhe, si dhe lehtëson daljen në Detin e Veriut dhe atë Balltik të Rusisë.

Së dyti, Ukraina duke qenë një kombësi (lindore e juglindore) pothuajse ruse, me kohë ka favorizuar zhvillime të përbashkëta në të gjitha fushat, pra nostalgjia ruse është prezent. Në fakt ndodhi e kundërta. Rusia duhej të merrte në konsideratë në këtë konflikt edhe faktin që, apo të zgjidhte dilemën nëse ushtarët e tyre do të qëllonin mbi ata ukrainas dhe anasjelltas. Gjendja morale e luftëtarit është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar në fushën e luftimit.

Së treti, pasuritë bujqësore dhe ato minerale vlerësohen të konsiderueshme, që për Rusinë janë vlerësime strategjike që rrinë zgjuar në planet aventureske të saj.

Fillimi i veprimeve luftarake, gjithmonë kërkon një akt legjitimi për të hapur një luftë ndërshtetërore. Kjo ishte fondamentale për Rusinë, e cila duhej të gjente argumente bindëse edhe pse kemi përvojë të papranueshme me këtë shtet, si rasti me Gjeorgjinë apo vendosja shpesh e “vetos” kundër OKB, Nato-s, BE, SHBA dhe thyerja e shumë marrëveshjeve diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në vatrat e nxehta të globit.

E vetmja arsye për rusët do të ishte e ashtuquajtura e drejta e mbrojtjes të “bashkëkombësit” të tyre, rusët e Ukrainës. Propaganda ruse ka qënë me akuza të forta kundër perëndimit që sipas tyre ka mbështetur grushtin e shtetit. Rusët janë të favorizuar dhe nga deklaratat dhe kërkesa për ndihmë nga ish presidenti ukrainas për të mbrojtur qytetarët e saj.

Protestuesit dolën në sheshin pavarësia kur presidenti i tyre nuk nënshkroi marrëveshjen me BE. Viktimat e Kievit ishin qytetarë ukrainas të cilët kërkuan të drejtën legjitime për të qenë pjesë e të drejtës gjeografike – qytetarë të Europës. Angazhimi i BE-së ndaj Ukrainës nuk mund të personalizohet “interesa” dhe se kërkon zgjidhjen përmes forcës siç dhe pretendohet nga rusët. Sigurisht edhe NATO, si një organizëm gjithështetesh nuk mund të ndërtojë interesa personale strategjike të një shteti të vetëm elitë të saj. Këto organizma kanë si armë fillimisht dialogun diplomatik të shoqëruar me presione ekonomike siç dhe po ndodh me këtë vend.

Ushtarakisht, potencialet ruse janë në rritje dhe të mëdha, të përftuar dhe nga fakti se  vendet më të zhvilluara të botës janë në zvogëlim të buxhetit ushtarak. Nga kjo pikëpamje thjesht ushtarake e raportit të forcave, lufta mund të ishte e suksesshme edhe pse pritej një katastrof njerëzore. Në kohën e sotme çështja e luftës, merr gjerësi post saj. Për Europën dhe më gjerë problemet më të mëdha do të vinin pas lufte. Tashmë nuk supozohet analiza për fitoren thjesht ushtarake të rusëve ndaj ukrainës. Ajo që vlerësohet sot është: cila do të jetë strategjia e daljes nga lufta? Çfarë do të bëhet pas saj? Europianët, më tepër Rusët, duhet të merrnin në konsideratë popullsinë 45 milionëshe ukrainase. Shembujt e post luftës në Irak e Afganistan tregojnë për një tjetër “luftë” ajo e rivendosjes dhe ruajtjes së paqes kur lufta ka mbaruar.

Nëse i referohemi sjelljes së luftës, pas këtij kërcënimi të Rusisë për luftë, nga të gjithë organizmat e sigurisë botërore (OSBE, KS, NATO, OKB) u dënua dhe aspak nuk ishte një çështje e drejtë, apo një zgjerim të konfliktit për përfshirjen rikoshet të mundshëm të Rusisë, por ishin dhe mbeten përpjekje strategjike të Rusisë për të kthyer mundësisht Perandorinë e Madhe Ruse (Le Grand Tsar).

Gjeostrategjia ruse, me ardhjen në pushtet të Putinit, riformuloi konceptin e orientimit, ajo që konsiderohet si koncepti euroaziatik duke e vlerësuar shpërbërjen e Ish Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”. Në interes të kësaj strategjie, ai ka nisur politikën ruse për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian, të ashtuquajturin “Bashkim Eurazian”, i cili do të gruponte: Ukrainën, Bjellorusinë dhe Kazakistanin me Rusinë, domethënë bazën ekonomike, industriale, ushtarake të Ish Bashkimit Sovjetik. Analistët rus prej kohësh kanë sjellë si alternativë zhvillimi doktrinën –Multipolaritet- si një forcë kundër asaj amerikane -Njëpolariteti. Rusia është një fuqi tokësore euroaziatike, edhe Kina sipas saj është fuqi kontinentale tokësore, të cilën e fton si aleate, në përplasje me Shtetet e Bashkuara, ky është një koncept strategjik rus.

Kërkesa të tilla janë absurde, e gjithë kjo do të jetë një katastrofë për Rusinë, si dikur me Luftën e Ftohtë, ajo nuk i ka potencialet ekonomike për një forcë ushtarake globale, që të përballojë vendet e zhvilluara të BE-së dhe SHBA-së.

Në se vlerësojmë situatat, duket se po rihapet kapitulli i Luftës së Ftohtë, që mund të çojë edhe me ndryshime kufijsh. Gjithsesi, ndryshime territoresh mund të ketë, por këto ndryshime nuk do të vijnë nga përdorimi i forcës, bota është e tejngopur me armatime, nga ku në se fillon konflikti luftarak, nuk do të ketë fitues por vetëm humbës, më e pranueshmja do të jetë loja e kompromisit në gjithëpërfshirje formatesh qofshin këto diplomatike, politike dhe ekonomike.

Në këtë forbull pasigurie apo euforie, ndoshta Rusia nuk i ka bërë mirë llogaritë me kërcënimin e forte të kartës së “Gazit” (edhe pse Gjermania është në vartësi të këtij projekti) që, nëpërmjet kësaj strategjie mund të mbajë të hapur Luftën e Ftohtë. Politikisht Rusia mban në presion vendet e angazhuara dhe luan bindshëm me këtë “kartë” por, ekonomikisht ajo është në nevojë shitjeje për të fituar nga rezervat e kësaj ekonomie strategjike.

Situata në Ukrainë ishte dhe mbetet një lojë ruse, një test për BE-në e cila është në dilemat e saj por dhe për SHBA. Vlerësoj se, e gjithë kjo erdhi nga momenti i duhur rus, si triumfator politik në Siri, Iran dhe pse jo dominim të saj në Lindjen e Mesme. Gjithsesi kjo lëvizje ruse ndoshta do t’i shërbejë apo do të jetë një ëndërr e saj për shkëputjen e Krimesë drejt Federatës Ruse, kjo direkt apo me referendum, apo kompromis i heshtur, lufta them se nuk ka mbaruar ajo do të vazhdojë të jetë në “bazën e nisjes” në se forca goditëse e SHBA dhe BE nuk do të jetë më e fortë se ajo e sulmuesit.

Nga ana tjetër, kjo situatë e kaluar duhet të përshpejtojë iniciativat europiane për të hapur dyert e integrimit të Ukrainës në BE, më e kërkuar në urgjencë mbetet integrimi sa më parë në NATO. Vendimi tashmë i deklaruar i Rusisë për pushtimin e Krimesë, pjese e sovranitetit të Shtetit të Ukrainës, është një kthim tepër i gabuar i këtij shteti në të kaluarën, që për botën dikur ishte mbrojtjes i lirive, komb vital që në luftën e Dyte Botërore përgjaku popullin e vet në hapësirat europiane në luftën kundër nazifashizmit, sot fatkeqësisht ajo po ringjall konflikte luftarake.

Rusia e njohur si kombi i letërsisë moderne botërore, i artit që udhëhoqi epokat po rikthehet në të padëshirueshmen në kulturën e hegjemonisë së forcës. Ajo po e bën këtë në një kohë kur po ecet në një globalizëm human e njerëzor, reagimi kundër saj duhet të jetë global, nesër do të jetë vonë.

 

Filed Under: Analiza

FUNDI I NJË EUROPE TË TËRË, TË LIRË DHE NË PAQË?

March 3, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

25 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush në Mainz të Gjermanisë më 31 Maj, 1989 mbi vizionin e tij për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqë”, Ukraina dhe bota e qytetëruar po akuzojnë Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin se është në proces e sipër të një invadimi ushtarak brutal të territorit të një shteti të pavarur dhe sovran.  Kriza filloi si përfundim i refuzimit të  ish-presidentit ukrainas, Janukoviç që të  nënshkruante një marrveshje politike dhe ekonomike me Bashkimin Europian,  gjë që u pasua me protesta të përgjakshme në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës, ku gjetën vdekjen dyzina protestuesish paqësorë.  Është kjo një atmosferë që i përngjanë periudhës së luftës së ftohtë, një situate që ka shkaktuar reagime dënuese nga Shtetet e bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se, “Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara nga lajmet mbi masat ushtarake që ka ndërmarrë Federata Ruse, mbrenda territorit të Ukrainës.”  Presidenti Obama shtoi duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar për të theksuar se do të ketë pasoja serioze për çfarëdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë.  Dhunimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Ukrainës do të ishte një akt tepër mos-stabilizues”, u shpreh presidenti amerikan dhe shtoi se çdo ndërhyrje ushtarake nga forcat ruse do të konsiderohej si një përzierje e thellë në të drejtën e popullit të Ukrainës për të vendosur vet të ardhmen e tij.

Gjatë intervistave në programet televizive të së djelës, përfaqsues të administratës Obama, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, si dhe anëtarë të Kongresit, shfaqën shqetsimet e tyre mbi kërcënimin e fillimit të një lufte të re në Europë.  Sekretari Kerri në intervistën e tij në rrjetin e televizionit amerikna, ABC i dënoi masat ruse në Krime si, ”Një akt i paturpshëm agresioni në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Ky, tha Xhon Kerri, është një akt i shekullit të 19-të, në shekullin 21-të.   Në një deklaratë tjetër, kryediplomati amerikan e cilësoi agresionin rus, si një “Kërcënim ndaj paqës dhe sigurisë së Ukrainës dhe rajonit më të gjërë.”

Ndërkaq zëdhënës të Partisë Republikane në opozitë dhe të të tjerë reaguan më ashpër se përfaqsuesit e administrates Obama ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë.  Senatori republikan nga shteti Florida, Mark Rubio, prindërit e të cilit janë arratisur nga Kuba komuniste si kundërshtarë të regjimit të Fidel Kastros, tha se  “qeveria ruse është një qeveri gënjeshtarësh”. Ndërsa në përgjigje të intervistuesit të rrjetit të televizionit amerikan NBC, nëse rusët janë një popull armik i Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan u përgjigj pa hesitim, duke thënë se, “Besoj se ata po sillen gjithnjë e më tepër si armiqë të paqës  dhe të normave ndërkombëtare. Me mbarimin e Luftës së dytë Botërore dhe sidomos ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, përhapja e demokracisë dhe e lirisë ka vendosur disa normame qëllim qëkombet të mënjanojnë mundësinë e shpërthimit të një lufte tjetër botërore. Duket se Rusia, nën udhëheqjen e Presidentit Putin nuk është e interesuar për këto norma ndërkombëtare. Kështuqë nga kjo pikpamje, po, ata janë armiqtë tanë… armiqë të Shteteve të Bashkuara.  Dhe po të shikosh qëndrimet që ata kanë marrë vazhdimisht mbi çështje të ndryshme, Rusia paraqet pengesë pas pengese ndaj interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, ish-senatori Xhim DeUit  i shtetit të Karolinës së Jugut dhe tani kryetar i Fondacionit  Konservativ, Heritage, kritikoi deklaratat e Presidentit Obama në lidhje me gjëndjen në Ukrainë. Ndërsa u shpreh se presidenti, si kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, “meriton mbështetjen tonë në këtë krizë ndërkombëtare”, në deklaratën e tij ai tha se, “Do e s’do krahu i majtë i partisë së tij, ai është udhëheqsi i botës së lirë dhe prandaj është e natyrshme që në këtë periudhë historike, bota shikon kah Shtetet e Bashkuara për udhëzim. Popujt liridashës e kanë ditur gjithmonë se, megjithë të metat tona, ata kanë gjeturkurdoherë  një mik tek Shtetet e Bashkuara”.  Nuk është mjaft, shtoi ai,të thuhet — siç tha Presidenti Obama se Shtetet e Bashkuara, “do të qëndrojnë krah për krah me komunitetin ndërkombëtar. Bota pret që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në situate të tilla.”   Kryetari i Fondacionit Heritage, tha se, “Ajo, që jo vetëm miqët por edhe armiqët tanë duhet të dëgjojnë në këtë moment nga Shtëpia e Bardhë duhet të jetë një deklaratë e fortë bindëse në mbështetje të lirisë dhe të vet-vendosjes, por njëkohësisht të përfshijë edhe kërcënimin për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që i shkelin këto parime ndërkombëtare.  Ukrainasit, të cilët u ngritën në këmbë për të kërkuar lirinë, kanë nevojë të ngushëllohen nga fjalët dhe qëllimet tona dhe njëkohësisht vrasësit dhe gangsterët e Kremlinit duhet tua kenë frikën”, përfundoi ish-Senatori Xhim DeUit, që tani drejton Fondacionin Heritage.

Janë interesante  reagimet e Shqipërisë dhe të Kosovës mbi agresionin ushtarak rus, — e sidomos ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, deklarata e së cilës nuk përmend fare Rusinë si agresoren kundër integritetit territorial të Ukrainës. Gjëja tjetër që bie në sy është se deklarata tepër e butë dhe e pa parim, po të merret marrë parasyshë serioziteti i situatës së krijuar,prononcohet në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtëme, e jo në emër të Shqipërisë. A është kjo deklaratë në emër të Ministrit të Jashtëm po në emër të shtetit shqipgtar?  Për më tepër, kush e shkaktoi këtë situatë, a janë këta dhunues të sovranitetit ukrainas të ardhur nga Marsi,ende të paidentifikuar?  Në deklaratën e Ministrisë së jashtëme të Shqipërisë  nuk dënohet agresioni, vetëm shprehet shqetësim, sikurë nuk duan të zemërohet Putini. Putini thotë se ndërmori agresionin në Krime për të mbrojtur rusët atje.Edhe Millosheviqi dikurë arsyetonte para botës gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, me pretekstin se serbët në Kosovë ishin në rrezik.Shqiptarët, si askush tjetër duhet të mbrojnë të drejtën e popujve për vetvendosje, për liri dhe demokraci, pa ndërhyrje nga jashtë.Ja deklarata në emër të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi situatën në Ukrainë:  “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës. MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se një veprim i sinkronizuar dhe vendimtar i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për stabilizimin e situatës dhe për krijimin e frymës së besimit”,- përfundon deklarata e MPJ-së e Shqipërisë.

Kosova nga ana tjetër, mori një qëndrim më të fortë, ashtu siç e kërkon edhe situate, duke e bërë deklaratën në emër të Republikës së Kosovës — e jo në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtëme — duke theksuar se “Republika e Kosovës dënon agresionin mbi territorin e Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Memorandumit të Budapestit të vitit 1994. Veprimet e ndërmarra nga Federata Ruse janë një kërcënim ndaj paqës dhe sigurisë së Ukrainës dhe të rajonit më gjerë”.

Megjithëse okupimi rus i territorit dhe sovranitetit ukrainas është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara e Marrveshjes Përfundimtare të Helsinkit dhe e Memorandumit të Budapestit, nuk besoj se agresioni rus në Ukrainë do të shkaktojë shpërthimin e Luftës së tretë Botërore, por sipas ekspertëve  do të prekë për një kohë të gjatë marrëdhënjet e Rusisë me shtetet europiane, dhe veçanërisht  marrëdhënjet e Moskës me Shtetet e Bashkuara, ndërsa sipas disa ekspertëve ndoshta mund të shkaktojë edhe rikëthimin e Luftës së Ftoftë numër II.  Por, agresioni rus i udhëhequr nga ish agjenti i policisë sekrete sovjetike, KGB, Vladimir Putin kundër sovranitetit të Ukrainës, mbi të gjitha, i dha një grusht të rëndë  ëndërrës dhe vizionit të Presidentit Xhorxh Bush të vjetër,i cili   para 25 viteve, u deklarua për një “Europë të tërë, në liri dhe në paqë”, dhe përbën njëkohësisht njëgoditje serioze  ndaj përpjekjeve prej jë çerek shekulli, për realizimin e këtij vizioni.  Një vizion dhe nocion ky që sipas, ish-presidentit Xhorxh Bush, bota perëndimore e kishte kuptuar me kohë se, “Baza e një sigurie të qëndrueshme nuk garantohet nga tankset, nga forcat e armatosura e policore, dhe as nga telat me gjemba — por ajo ndërtohet mbi vlera të përbashkëta humane dhe në bazë të marrveshjeve që lidhin popujt e lirë me njëri tjetrin.”

Ish-Zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Nikolas Burns i tha gazetës Miami Herald se “Nëqoftse Putini del me sukses në ofensivën e tij ushtarake kundër Ukrainës”, atëherë shtoi ai, “Europa është në rrezik të ndarjes”.   Ironia e kësaj situate është se mundësia e ndarjes së re të Europës, po ndodhë pikërisht për arsye të Krimeas, pikërishtaty ku më 1945 u mbajtë Konferenca historike e Jaltës, për të biseduar ndarjen e Europës të pas Luftës së dytë Botërore.

25 vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush ka thënë se, Lufta e Ftohtë pat filluar me ndarjen e Europës.  Kjo luftë, e cila falë agresionit rus në Ukrainë duket se po rikthehet  në marrëdhënjet ndërkombëtare, mund të marrë fund vetëm kur Europa të jetë e tërë, në liri dhe në paqë me vetveten.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, FUNDI I NJË EUROPE TË TËRË, TË LIRË DHE NË PAQË?

A mund të shkojë Rusia në luftë për Ukrainën?

March 2, 2014 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/

Pas delirit të kënaqësisë që përjetoi në Siri, tashmë Rusia është përfshirë në një gjendje tjetër akute deliri, shqetësimesh, iluzionesh e çregullimesh të mendjes politike: kësaj radhe, në Ukrainë. Krahas ushtrisë së fshehtë të inteligjencës, e cila prej dhjetëvjeçarësh kontrollon të gjitha qelizat e jetës në Ukrainë, nuk vonoi që Rusia të vejë në gatishmëri edhe 150 mijë trupa ushtarake për të dhënë mesazhin se mund të ndërhyjë edhe hapur në këtë vend. Ndërkaq, përmes Bazës Ushtarake në Portin e Sevastopolit, Rusia ka izoluar tashmë Krimenë nga Ukraina duke shtuar praninë me anije zbarkimi, trupa speciale e helikopterë luftarakë të dërguara nga Flota e Detit të Zi. Forcat e Këmbësorisë Detare dhe ato të Mbrojtjes Bregdetare të Detit të Zi kanë marrë tashmë nën ruajtje Istmin jetësor prej 5-7 kilometrash të Perekop, që lidh gadishullin e Krimesë me hapësirat tokësore të Ukrainës. Si për ta plotësuar këtë pejsazh, një anije luftarake zbulimi ruse “viziton” këro ditë Kubën, për t’i kujtuar botës Krizën e Raketave të Kubës, të nisur nga Hrushovi në vitin 1962, e vlerësuar tashmë si çasti kur Lufta e Ftohtë mund të kishte marrë kthesën për t’u shndërruar në një konflikt bërthamor!

Mendjet e nxehta politike të Kremlinit thotë se me këto lëvizje mund të japë përshtypjen se bota është në praglufte, të nxehtë apo të ftohtë dhe se Rusia është në gjendje ta përballojë këtë sfidë.

Por a mund të shkojë Rusia në luftë për Ukrainën?

Për Rusinë, Ukraina përbën një hapësirë ku pleksen tre interesa të mëdha jetësore: pozita gjeostrategjike, pasuritë e mëdha minerale e bijqësore si dhe fakti i një përqindjeje të ndjeshme të popullsisë me kombësi ruse që jeton kryesisht në rajonet lindore e juglindore të vendit. Nën sovranitetin e Ukrainës gjendet edhe Krimea dymiljonëshe kryesisht ruse dhe me pozitën e saj tepër të rëndësishme gjeostrategjike të përbërë nga dy porte kritike (Odesa dhe Sevastopoli) për mbajtjen nën kontroll të Detit të Zi. Pa këto dy porte, Rusisë i asfiksohet aksesi për në Detin Mesdhe, veçanërisht në kushtet kur aksesi në drejtime të tjera (Detin Balltik, Detin e Veriut dhe në detrat në kufijtë me Japoninë) është gjithnjë ose i dyshimtë, ose i pamundur.  Ndërkohë, largësinë prej rreth 480 km të Moskës nga kufiri ukrainas, Rusia nuk e sheh si avantazh të madh tregtar, por si një dizavantazh sigurie.

Që Rusia të shkojë në luftë, asaj në radhë të parë, duhet t’i lindë e drejta për të shkuar në luftë. Rusia thotë se është kërcënuar rëndë jeta apo të drejtat njerëzore e politike të rusëve të Ukrainës, duke e quajtur atë një grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi. Në vijim, ligjvënësit rusë kërkuan lëshimin e pasaportave ruse për të gjithë rusët etnikë në Ukrainë. Por a i ishin protestat e fundit të adresuara kundër rusëve të Ukrainës? A ishin këto protestat një konflikt etnik? Jo. Të dhënat nuk vërtetojnë këtë version rus. Të vrarët në Sheshin e Pavarësisë në Kiev janë thjeshtë qytetarë ukrainas që protestuan pse iu privojnë të drejtën natyrale të jenë pjesë e Europës.

Nëse nga pikëpamja ruse lufta është e justifikuar, ajo duhet të bëhet mbi bazën e një autoriteti politik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pikërisht nga ai organizëm të cilin Rusia e ka shfrytëzuar apo, më saktë, shpërdoruar, për ta bllokuar komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë në kohën e duhur kur ndaj një populli të tërë është ushtruar dhunë shtetërore, sikurse ishte rasti i Kosovës.

Një argument tjetër rus mund të jetë se SHBA apo NATO, duke përfitituar nga situata e krijuar, do të mund të ndërmarrin veprime për ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Por as NATO, as SHBA nuk janë aq të kufizuara sa të ndërtojnë interesa strategjike vetëm në Ukrainë apo vetëm për Ukrainën e, aq më pak interesa jetësore. Natyrisht që ka interesa të fqinjëve europianë ndaj Ukrainës, por askush prej tyre nuk e dëshiron që këto interesa t’i zgjidhë përmes luftës. Historia e hidhur e dy luftërave botërore është mjaft mësimdhënëse për të mos përsëritur atë zgjidhje, e cila nuk rezultoi përveçse në një luftë tjetër që u pagëzua me emrin “Luftë e Ftohtë”, por që kushtoi shumë më tepër sesa vetë dy luftërat e nxehta.

Nëqoftëse mendjet e sëmura të Kremlinit do t’i injorojnë të tre këto parakushte (sikurse bënë në Gjeorgji disa vite më parë) e do të injorojnë gjithashtu edhe një fazë të ndërmjeme negociatash për të hulumtuar mundësitë e zgjidhjes paqësore, a do të kenë probabilitet për suksesin e një luftë të mundshme ndaj Ukrainës? E vërteta është se Forcat e Armatosura të Rusisë kanë epërsi dërmuese ndaj atyre pothuaj inegzistente të Ukrainës dhe nga kjo pikëpamje thjeshtë ushtarake e raportit të forcave ushtarake, lufta mund të jetë e suksesshme. Por çështja e luftës, sidomos në kohët moderne, nuk mbetet vetëm këtu. Pyetjet e dyshimet janë më të mëdha sesa një fitore thjeshtë ushtarake: Po të nesërmen e pushtimit? Cila do të jetë strategjia e daljes nga lufta? Çfarë do të bëhet pas saj? A mund dhe si do të mbahet nën pushtim një popull i tërë prej 45 miljonë banorësh dhe për sa kohë?

E vërteta është se  pas këtij kërcënimi të Rusisë për luftë nuk fshihet as nevoja për të vënë në vend një çështje e drejtë, as një proporcionalitet rreziku e rrjedhimesh, por diçka më shumë: në radhë të parë janë përpjekjet strategjike të Rusisë për të riinstaluar Perandorinë e Madhe Ruse, fjalë për fjalë, etja për të rikrijuar Luftën e Ftohtë, ndoshta me kufij të rinj, por sidoqoftë, rinisjen e një Lufte të Ftohtë. Presidenti aktual i Rusisë e pat përshkruar dikur shpërbërjen e Ish Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të ’20-të”. Ai ka nisur madje edhe planet për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian, të ashtuquajturin “Bashkim Eurazian”, i cili do të kishte në përbërje Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Kazakistanin, domethënë zemrën ekonomike, industriale, ushtarake dhe financiare të Ish Bashkimit Sovjetik.

Por Rusia nuk a i ka “këllqet” për të mbajtur gjallë një gjendje si ajo e Luftës së Ftohtë. Ajo i ka armët bërthamore, por në dallim nga Lufta e Ftohtë, kësaj radhe ato janë nën vëzhgimin e rreptë të një ombrelle të fuqishme kundërraketë, që zor se le hapësirë për të guxuar në përdorimin e një opsioni të tillë ku tragjedia do të mbetej vetëm mbi territoret e nismëtarit.

Rusia ka një armë të dytë me të cilën shpreson se mund të mbajë gjatë dhe ndezur një Luftë të re të Ftohtë: armën e gazit. Por edhe kjo armë është me një efekt të dyanshëm: aq sa Rusia e mban këtë armë si mjet presioni duke mos e shitur, po aq presion e nevojë ka edhe për ta shitur. Siç dihet, sektori rus i energjisë përllogaritet të mbulojë afro dy të tretat e eksporteve dhe përbën rreth 30 përqind të GDP-së apo pothuajse gjysmën e të ardhurave të buxhetit federal.

Një strategji rreziqesh e kërcënimesh të përhershme i nevojitet Presidentit paranojak dhe tërë oligarkisë ruse në justifikim të pushtetit ushtarak dhe të shërbimeve sekrete për të mbajtur nën kontroll Rusinë e “kudokërcënuar” nga një gjeografi e tërë: me Japoninë për sovranitetin mbi ishujt Etorofu, Kunashiri, Shikotan dhe Habomai, të njohura nga Japonia si “Territoret e Veriut” e nga Rusia si “Kurriljet Jugore”, të pushtuara nga Ish Bashkimi Sovjetik në 1945, aktualisht nën administrimin e Rusisë, por të pretenduara nga Japonia dhe që mbeten si “gozhdë” për shkak të së cilës dy vendet nuk kanë ende një Traktat Paqeje zyrtar që i jep fund armiqësive të Luftës së Dytë Botërore; mbështetja ushtarake dhe njohja zyrtare nga ana e Rusisë e pavarësisë së Abkazisë dhe Osetisë së Jugut në 2008 përbën një tjetër burim fërkimesh në marrëdhëniet me Gjeorgjinë, Azerbaixhanin dhe Kazaistanin; në mënyrë të njëanëshme Rusia ka bërë delimitimin e shtratit të Detit Kaspik të bazuar në baraslargësi, ndërkohë që Irani vijon të këmbëngulë në pretendime tej kësaj ndarjeje; Finlanda ka ende pretendime për rikthimin e Karelisë dhe disa zonave të tjera që iu kaluan Ish Bashkimkit Sovjetik menjëherë pas përfundimiut të Luftës së Dytë Botërore si fuqi fitimtare e kësaj lufte; me Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë Rusia, përveçse ka çështje të pazgjidhura kufitare, ka edhe problematika të shumta popullsie me kombësi të ndërsjelltë; me Ukrainën mbetet i pazgjdhur problemi kufitar për Ngushticën Kerç dhe Detin Azov; Duma Ruse nuk e ka ratifikuar akoma Marrëveshjen e vitit 1990 me SHBA lidhur me kufirin detar të Detit Bering; me Danimarkën e Norvegjinë Rusia ka pretendime të ndërsjellta për kufijtë e Shelfit Kontinental, etj.

Rusia vuan si frikërat nga zgjerimi, edhe frikërat nga tkurrja. Frikërat nga zgjerimi lidhen me nevojën për të patur dhe mbajtur një ushtri të stërmadhe, të cilën ekonomia ruse nuk mund ta përballojë. Për më tepër, plakja e popullsisë ruse – një prirje tanimë e pakthyeshme (në vitin 2030 popullsia 150 miljonëshe e Rusisë pritet të pakësohet me 18 miljonë njerz, domethënë me rreth 13 përqind), ia kufizon këtë luks që dikur quhej krenaria e këtij vendi.

Por rreziku më i madh që e kërcënon Rusinë është kontradikta midis nevojës për të ruajtur kompozimin perandorak, me nevojën për demokratizimin e mëteshëm të saj. Demokratizimi është një proces që filloi në mes të Europës me bashkimin e dy gjermanive dhe lëvizi drejt lindjes me shpërbërjen e vetë Ish Bashkimit Sovjetik. Askush, as Rusia, nuk mund t’i kundërqëndrojë një ideje që i ka ardhur koha. Kësaj ideje po i nënshtrohet edhe Ukraina. Por kjo prirje demokratike është në kontradiktë me mënyrën perandorake se si mbahet në këmbë fuqia ruse. Federata Ruse përbëhet nga rreth 90 entitete, dhjetëra republika, rajone autonome e provinca, shumë prej të cilave të ndara në kombësi e besime të ndryshme fetare. Kjo Rusi, sipas mentalitetit perandorak, mund të mbahet vetëm me dorë të hekurt, e mishëruar tashmë në staturën e krijuar nga Presidenti delirant Putin.

Çka po ndodh, pra, në Ukrainë nuk është  fillimi i një lufte, as lokale as botërore, as të ftohtë, as të ngrohtë. Është thjeshtë sinjali se atij procesi që nisi në Jaltë këtu e afro 70 vjet më parë, tashmë i ka ardhur fundi, duke u xhiruar në krah të kundërt, për të përfunduar pikërisht aty ku nisi, në Ukrainë. E shumta që mund apo pritet të ndodhë është bashkëngjitja “vullnetare” e Krimesë në Federatën Ruse. Prej këtij çasti e tutje, dyert e BE-së dhe të NATO-s do të jenë të hapura edhe për Ukrainën.

Falë këtyre kushteve dhe zhvillimeve, Rusia nuk ka shanse të shkojë në luftë.

Filed Under: Analiza Tagged With: A mund te shkoje, ne lufte per Ukrainen, Rusia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 918
  • 919
  • 920
  • 921
  • 922
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT