Rusia, u përball me koalicionin europian të mbështetur fuqishëm nga SHBA./
Nga Zaim Kuçi/
Për një gjerësi informacioni, analiza për konfliktin e radhës duhet të fillojë me pyetjen, Çfarë po ndodh me vendet e Eurozonës, të Europës Lindore dhe të Rajonit të Ballkanit, krizë reale ekonomike apo gjeopolitikë e sforcuar ruse drejt tyre? Le ta shohim zgjidhjen e këtij konflikti tek kjo tendencë zhvillimi europian.Situata e datës 01 mars: Zëdhënësi Dmitri Peskov u shpreh: “situata është në duar të presidentit Putin. Është presidenti Ai që merr vendimin. Për momentin nuk ka ndonjë vendimmarrje edhe pse ka lëvizje dhe mobilizim trupash, edhe pse shtabet luftarake kanë marrë postin e luftimit në zbatim të miratimit nga parlamenti rus “të urdhërit” të ndërhyrjes luftarake në Ukrainë.
Situata e datës 05 mars
Një javë më pas presidenti rus thotë se “ne nuk luftojmë me popullin vëlla ukrainas”, duke shtuar se Rusia është gati të përdorë forcën nëse rusët në Ukrainën lindore dhe Krime do të jenë në rrezik. Rusia bëri edhe tërheqjen e parë duke deklaruar të mbyllur stërvitjen e trupave ruse në kufi me Ukrainën por nuk ka sqaruar asgjë mbi fatin e konfliktit.
Çfarë ndodhi realisht në këtë fushatë të nisur luftarake? Fillimisht, le të vlerësojmë gjendjen e dy palëve në konflikt.
Bashkimi Europian: “Në kërkim të zgjidhjes së krizës…”
Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vetë shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe: nga njëra anë shihen interesa të vendeve anglosaksone për shkëputje, nga ana tjetër kemi qëndresën franceze si ideatore dhe ajo gjermane si investitorja kryesore e BE, kurse vendet e tjera europiane që janë zhytur në krizën ekonomike janë për një forcim të saj, pra duket ndarja e shteteve elitë nga shtetet europiane në nevojë. Megjithë këtë situatë jo të qartë europiane, vendet e saj unanimisht dhe forcërisht dënuan lëvizjen ruse drejt ukrainës. BE sapo edhe pse në nevojë ajo akordoi dhe 11miliard euro për rimëkëmbjen e ekonomise.SHBA, kërcënuan se, në rast se Kremlini do të vazhdojë të ndjekë kursin e tij aktual, atëherë mund të ketë masa ekonomike dhe diplomatike që do të çonin vendin në izolim. SHBA akuzuan Rusinë se po shkel ligjin ndërkombëtar dhe tha se Moska “është në anën e gabuar të historisë”. Në Kiev, Sekretari i Shtetit Kerri tha: “Ne nuk (do) kemi alternativë tjetër, por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht”.
Rusia: “Mbron rusët e krimesë….”
Por, ajo që duhet vlerësuar në këtë konflikt të ri është fakti se, situatat e reja ekonomike kanë shtuar dëshirën e një gjeopolitike të re gjithnjë në ndryshim të saj. Rusia e ardhur nga një “fitore” e përgjakur në Siri, ka rritur ndjenjat për një zgjerim real të saj drejt vendeve ish aleate. Ajo kësaj radhe, iu drejtua Ukrainës.Disa situata favorizuese që shkojnë në interes të Rusisë: Nëse analizojmë krizat e ekonomike të kohëve të fundit, duket se vendet e vogla të ndodhura në hartën gjeografike europiane, të keq menaxhuar nga vet strukturat e tyre, kur bien në krizë kërkojnë daljen prej saj duke aktruar dhe luajtur kartën e gjeopolitikës së tyre.
Analistët duhet të vlerësojnë përballë kësaj krize, zhvillimet e dukshme ekonomike të viteve të fundit të Rusisë, afrimi i sforcuar i saj me superfuqinë aziatike kineze e konfirmuar dhe me vizitën për herë të parë të presidentit të sapo zgjedhur kinez duke nënshkruar kontratën më të madhe në fushën e mbrojtjes (24 avionë luftarake SU- 35, 4 nëndetëse të klasit “Lada”, avionë transporti IL- 476 dhe IL -78, raketa Senit S-400 etj), kontratë e cila u analizua dhe si një sinjal force edhe për SHBA, se Moska dhe Pekini duan të bashkojnë forcat e tyre për të bërë një kundërpeshë gjeopolitike ndaj saj, kanë ngjallur nostalgjitë e gjeopolitikës globale me prioritet rajonin e Ballkanit dhe të Europës Lindore, prej këtej për të kapur tregjet në Lindjen e Mesme.
Është koha kur gjeoekonomia vendos mbi zhvillimet e pritshme në gjeopolitikën e shteteve. Vlerësohet se qëllimet strategjike ruse, për të gjetur territor në hapësirën e BE, realizohen duke lëvizur kujdesshëm, rast pas rasti me shtetet e vegjël që akoma nuk kanë arritur të instalojnë demokracinë dhe të zhvillojnë ekonominë në standard perëndimor.
Zhvillimi i ekonomisë informale dhe të dobët në këto vende janë premisa për krizë, më tepër se kaq Rusia gjen terren për t’i stimuluar këto ekonomi në rënie.
Në këto vende diplomacia ruse është aktive (sidomos ato në rajonin e Ballkanit, më pranë Bosnje-Hercegovina) duke iu afruar ndihmë ekonomike. Këto vende, për të mos u zhytur në kaos dhe për të përfituar imazh në vend (kredibilitet politik), lehtësisht shtrijnë duart për ndihmë drejt Rusisë, kjo shihet dhe si një presion të vet vendeve të hartës gjeografike europiane kundër BE-së.
Hapja e portave për Rusinë nga këto shtete, vështirëson ekonominë dhe politikën europiane jo vetëm për mos prishjen e balancës ekonomike por në planin afatgjatë dhe për mos humbje territori në hapësirën e BE-së. Mbajtja prej kohësh peng e Serbisë nga rusët ka krijuar hallakatjen e rajonit tonë.
Të detyruar nga situatat e krijuar në hapësirën e eurozonës, vendet europiane detyrohen dhe paguajnë borxhin e stimuluar dhe të keq menaxhuar të shteteve të vegjël. Pas Greqisë, rasti Qipriot ishte identik me atë të krizës Islandeze, kohë kur Europa po mbyllte dyert ata iu drejtuan Rusisë. Për të shmangur këtë orientim drejt Rusisë, FMN zgjidhi thesin e ndihmave për të nxjerrë nga kriza këtë vend. Këto janë shembuj të së kaluar së vonshme që tregojnë nisjen e një gjeostrategjike ruse ku është përfshirë dhe Ukraina.
Rusia, për shumë arsye kësaj radhe iu “afrua” Ukrainës për të cilën ajo e ka filluar kohë më parë nëpërmjet shërbimeve të fshehta që kanë mbajtur nën kontroll regjimin dhe situatën ukrainase, si një element bazë strategjik të saj. Por ajo që merret si shqetësim dhe si para kohe për Rusinë ishte vënia në gatishmëri të trupave të saj ushtarake (150 mijë – trupa speciale e helikopterë luftarakë, forcat të Këmbësorisë Detare dhe ato të Mbrojtjes Bregdetare e të tjera).
Në fokusin e një analisti ushtarak, sjellja ushtarake ruse, që kupton përgatitjen e fazave të zhillimit të operacionit nga gjeneralët dhe admiralët, dalja e forcave të luftimit në rajonet e veprimeve luftarake, miratimi njëzëri në parlament i “pushtimit” , vlerësohet jo vetëm si një presion i hapur për të përftuar territore nga shteti i ukrainës por dhe një sinjal i qartë për mundësi ndërhyrje ushtarake. Për të justifikuar këtë prezencë, Rusia shfrytëzoi Bazën Ushtarake në Portin e Sevastopolit, me synim ndarjen e Krimesë nga Ukraina duke formuluar të drejtën për të mbrojtur bashkëkombësit e saj.
Për një shpërndarje vëmendje, ushtarakët rusë nisën një anije luftarake zbulimi drejt Kubës me mision “vizitë” miqësore dypalëshe. Kjo vizitë ushtarake në këtë vend të largët, nga shtypi është vlerësuar si një memorie paralajmëruese të viteve 1962 hrushoviane që stimuloi krizën raketore kubaniste me tendencë për të krijuar konfliktin bërthamor të asaj kohe.
Lind pyetja, cili ishte mesazhi rus? A mos vallë Rusia ndjehet e forte ekonomikisht dhe ushtarakisht dhe kërkon të rimarrë pozicionin superfuqi globale? A mos vallë ky globalizëm i përshpejtuar dhe i pakontrolluar po sjell nevojën e një situate paralufte? A mos vallë përsëri po maten forcat e superfuqive botërore? Janë pyetje që në këtë fillim shekulli kanë mbetur pa përgjigje edhe pse bota mbarë u mobilizua një pjesë për të bërë luftë dhe tjetra për ndalimin e saj.
Nëse Rusia vërtet synoi të shkonte në këtë aventurë të kohës dhe sipas saj i llogariti forcat që të përballonte këtë sfidë të re në gjeopolitikën të menduar globaliste të sajuar prej saj, atëherë logjikisht ajo mund të shkonte drejt një strategjie për t’u sakrifikuar për të pushtuar Ukrainën. Nga ana tjetër, SHBA, BE dhe NATO e mirë vlerësuan situatën, këtë radhë në kohë, ndoshta dhe të “djegur” nga aventurat diktatoriale të liderve të papërgjegjshëm, siç dhe po ndodh shpesh, duke marrë edhe rastin banal të ndërhyrjes të Rusisë pak vite më parë në Gjeorgji.
Po përse Ukraina ishte e privilegjuara e radhës për Rusinë?
Së pari, gjeografikisht Ukraina vlerësohet një pozicion i favorshëm dhe të menduar, të fituar nga rusët. “Molla e artë” e rusëve është Krimea (dymilion banorë që flasin rusisht) e cila ndodhet në pozicionin më strategjik të rajonit ku historikisht dy portet e saj Sevastopoli dhe Odesa kanë qenë skalionime bazë për arritjen e kontrollit të Detit të Zi duke afruar dhe një tjetër mundësi hapësinore më të largët se ky det, ai i Detit Mesdhe, si dhe lehtëson daljen në Detin e Veriut dhe atë Balltik të Rusisë.
Së dyti, Ukraina duke qenë një kombësi (lindore e juglindore) pothuajse ruse, me kohë ka favorizuar zhvillime të përbashkëta në të gjitha fushat, pra nostalgjia ruse është prezent. Në fakt ndodhi e kundërta. Rusia duhej të merrte në konsideratë në këtë konflikt edhe faktin që, apo të zgjidhte dilemën nëse ushtarët e tyre do të qëllonin mbi ata ukrainas dhe anasjelltas. Gjendja morale e luftëtarit është një element i rëndësishëm për t’u vlerësuar në fushën e luftimit.
Së treti, pasuritë bujqësore dhe ato minerale vlerësohen të konsiderueshme, që për Rusinë janë vlerësime strategjike që rrinë zgjuar në planet aventureske të saj.
Fillimi i veprimeve luftarake, gjithmonë kërkon një akt legjitimi për të hapur një luftë ndërshtetërore. Kjo ishte fondamentale për Rusinë, e cila duhej të gjente argumente bindëse edhe pse kemi përvojë të papranueshme me këtë shtet, si rasti me Gjeorgjinë apo vendosja shpesh e “vetos” kundër OKB, Nato-s, BE, SHBA dhe thyerja e shumë marrëveshjeve diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në vatrat e nxehta të globit.
E vetmja arsye për rusët do të ishte e ashtuquajtura e drejta e mbrojtjes të “bashkëkombësit” të tyre, rusët e Ukrainës. Propaganda ruse ka qënë me akuza të forta kundër perëndimit që sipas tyre ka mbështetur grushtin e shtetit. Rusët janë të favorizuar dhe nga deklaratat dhe kërkesa për ndihmë nga ish presidenti ukrainas për të mbrojtur qytetarët e saj.
Protestuesit dolën në sheshin pavarësia kur presidenti i tyre nuk nënshkroi marrëveshjen me BE. Viktimat e Kievit ishin qytetarë ukrainas të cilët kërkuan të drejtën legjitime për të qenë pjesë e të drejtës gjeografike – qytetarë të Europës. Angazhimi i BE-së ndaj Ukrainës nuk mund të personalizohet “interesa” dhe se kërkon zgjidhjen përmes forcës siç dhe pretendohet nga rusët. Sigurisht edhe NATO, si një organizëm gjithështetesh nuk mund të ndërtojë interesa personale strategjike të një shteti të vetëm elitë të saj. Këto organizma kanë si armë fillimisht dialogun diplomatik të shoqëruar me presione ekonomike siç dhe po ndodh me këtë vend.
Ushtarakisht, potencialet ruse janë në rritje dhe të mëdha, të përftuar dhe nga fakti se vendet më të zhvilluara të botës janë në zvogëlim të buxhetit ushtarak. Nga kjo pikëpamje thjesht ushtarake e raportit të forcave, lufta mund të ishte e suksesshme edhe pse pritej një katastrof njerëzore. Në kohën e sotme çështja e luftës, merr gjerësi post saj. Për Europën dhe më gjerë problemet më të mëdha do të vinin pas lufte. Tashmë nuk supozohet analiza për fitoren thjesht ushtarake të rusëve ndaj ukrainës. Ajo që vlerësohet sot është: cila do të jetë strategjia e daljes nga lufta? Çfarë do të bëhet pas saj? Europianët, më tepër Rusët, duhet të merrnin në konsideratë popullsinë 45 milionëshe ukrainase. Shembujt e post luftës në Irak e Afganistan tregojnë për një tjetër “luftë” ajo e rivendosjes dhe ruajtjes së paqes kur lufta ka mbaruar.
Nëse i referohemi sjelljes së luftës, pas këtij kërcënimi të Rusisë për luftë, nga të gjithë organizmat e sigurisë botërore (OSBE, KS, NATO, OKB) u dënua dhe aspak nuk ishte një çështje e drejtë, apo një zgjerim të konfliktit për përfshirjen rikoshet të mundshëm të Rusisë, por ishin dhe mbeten përpjekje strategjike të Rusisë për të kthyer mundësisht Perandorinë e Madhe Ruse (Le Grand Tsar).
Gjeostrategjia ruse, me ardhjen në pushtet të Putinit, riformuloi konceptin e orientimit, ajo që konsiderohet si koncepti euroaziatik duke e vlerësuar shpërbërjen e Ish Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”. Në interes të kësaj strategjie, ai ka nisur politikën ruse për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian, të ashtuquajturin “Bashkim Eurazian”, i cili do të gruponte: Ukrainën, Bjellorusinë dhe Kazakistanin me Rusinë, domethënë bazën ekonomike, industriale, ushtarake të Ish Bashkimit Sovjetik. Analistët rus prej kohësh kanë sjellë si alternativë zhvillimi doktrinën –Multipolaritet- si një forcë kundër asaj amerikane -Njëpolariteti. Rusia është një fuqi tokësore euroaziatike, edhe Kina sipas saj është fuqi kontinentale tokësore, të cilën e fton si aleate, në përplasje me Shtetet e Bashkuara, ky është një koncept strategjik rus.
Kërkesa të tilla janë absurde, e gjithë kjo do të jetë një katastrofë për Rusinë, si dikur me Luftën e Ftohtë, ajo nuk i ka potencialet ekonomike për një forcë ushtarake globale, që të përballojë vendet e zhvilluara të BE-së dhe SHBA-së.
Në se vlerësojmë situatat, duket se po rihapet kapitulli i Luftës së Ftohtë, që mund të çojë edhe me ndryshime kufijsh. Gjithsesi, ndryshime territoresh mund të ketë, por këto ndryshime nuk do të vijnë nga përdorimi i forcës, bota është e tejngopur me armatime, nga ku në se fillon konflikti luftarak, nuk do të ketë fitues por vetëm humbës, më e pranueshmja do të jetë loja e kompromisit në gjithëpërfshirje formatesh qofshin këto diplomatike, politike dhe ekonomike.
Në këtë forbull pasigurie apo euforie, ndoshta Rusia nuk i ka bërë mirë llogaritë me kërcënimin e forte të kartës së “Gazit” (edhe pse Gjermania është në vartësi të këtij projekti) që, nëpërmjet kësaj strategjie mund të mbajë të hapur Luftën e Ftohtë. Politikisht Rusia mban në presion vendet e angazhuara dhe luan bindshëm me këtë “kartë” por, ekonomikisht ajo është në nevojë shitjeje për të fituar nga rezervat e kësaj ekonomie strategjike.
Situata në Ukrainë ishte dhe mbetet një lojë ruse, një test për BE-në e cila është në dilemat e saj por dhe për SHBA. Vlerësoj se, e gjithë kjo erdhi nga momenti i duhur rus, si triumfator politik në Siri, Iran dhe pse jo dominim të saj në Lindjen e Mesme. Gjithsesi kjo lëvizje ruse ndoshta do t’i shërbejë apo do të jetë një ëndërr e saj për shkëputjen e Krimesë drejt Federatës Ruse, kjo direkt apo me referendum, apo kompromis i heshtur, lufta them se nuk ka mbaruar ajo do të vazhdojë të jetë në “bazën e nisjes” në se forca goditëse e SHBA dhe BE nuk do të jetë më e fortë se ajo e sulmuesit.
Nga ana tjetër, kjo situatë e kaluar duhet të përshpejtojë iniciativat europiane për të hapur dyert e integrimit të Ukrainës në BE, më e kërkuar në urgjencë mbetet integrimi sa më parë në NATO. Vendimi tashmë i deklaruar i Rusisë për pushtimin e Krimesë, pjese e sovranitetit të Shtetit të Ukrainës, është një kthim tepër i gabuar i këtij shteti në të kaluarën, që për botën dikur ishte mbrojtjes i lirive, komb vital që në luftën e Dyte Botërore përgjaku popullin e vet në hapësirat europiane në luftën kundër nazifashizmit, sot fatkeqësisht ajo po ringjall konflikte luftarake.
Rusia e njohur si kombi i letërsisë moderne botërore, i artit që udhëhoqi epokat po rikthehet në të padëshirueshmen në kulturën e hegjemonisë së forcës. Ajo po e bën këtë në një kohë kur po ecet në një globalizëm human e njerëzor, reagimi kundër saj duhet të jetë global, nesër do të jetë vonë.