• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akinxhinjtë modern!

February 19, 2014 by dgreca

Nga Fahri  XHARRA/

Për akinxhinjtë ne flet Kadareja. Për akinxhinjtë do te flas edhe unë , por për akinxhinjtë modern , të kohës  të cilët e kanë një ndryshim të madh me ata te sulltanëve turq. Ata mbjellnin terror  në vendet që sulltanët donin t´i pushtonin . Kurse akinxhinjtë e sotëm që janë shqiptarë ,dhe flasin shqip po e përdorin një taktikë tjetër të përgatitjes së terrenit për… Por , nuk po e di se çka po duan të përgatisin.Sot ,koha e akinxhinjëve të vërtetë ka kaluar dhe në modë është akinxhiu me shkrime ;mbjellja e frigës dhe tmerrit në masën e lexuesve për të t ´íu friguar historisë sonë dhe me qëllim të krijimit të një bindjeje dhe indentiteti tjetër shqiptar dhe falënderues vetëm për atë qe jemi gjallë.

Deri te koha e Sulltan Orhanit (1326- 1362) , akinxhinjtë ishin ushtri jo e rregullt kalorësish. Pra , në epkspansionin osman në  anët tona  ishin ata që s’ pari ia mësuenin një vendi për të plaçkitur , shkretuar, djegur dhe pushtuar, zënjen rob të vendasve dhe dobësimin e fuqisë mbrojtëse të vendit të cilin me më shumë lehtësi e pushtonin pastaj ushtria e rregullt osmane. Ata udhëhiqeshin nga urdhëruesi i tyre. Ata sulmonin befas dhe ashpër , mbillnin tmerr. Taktika e tyre ushtarake ishte : e kryenin ”detyrën” dhe pastaj shpërndaheshin në drejtme të ndryshme . Shpërblimi i tyre ishte vetëm preja e tmerrit.Luftonin gjatë gjithë vitit .Prenë e luftës nuk e ndanin me askend. Koha më e ”lulëzuar” e akonxhinjëve ishte  prej Sulltan Muratit I deri te Sulltan Murati II , si Sulltan Bajazidit  të parë.Me kalimin e kohës, nga fundi i shek.të 15-të filloi të zbehet roli i tyre. Në rradhët e akinxhinjëve kishte edhe shqiptarë.

Si veprojnë akinxhinjtë modern ? “Antiturqizmi sado të mbështetet me propagandë nuk maskon dot armiqësinë serbo-ruse ndaj shqiptarëve, as e përligj rusofilinë e serbofilinë midis shqiptarëve. Cilatdo të kenë qenë marrëdhëniet shqiptaro-osmane në kohën e Perandorisë 600-vjeçare të Sulltanëve, Turqia e re, që nisi jetën si shtet kombëtar në vitet 1920, doli si mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë. Duan apo nuk duan disa shqiptarë të trullosur nga antiosmanizmi e antimyslimanizmi, Turqia e re dhe kombi i sotëm turk e kanë dëshmuar veten si miqtë më të sinqertë të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Edhe sot Turqia është i vetmi vend që dyert i saj i mban të hapura me dashamiërsi për shqiptarët, i vetmi vend ku po të thuash se je shqiptar (arnaut) rrethohesh menjëherë me kujdes e dashuri, i vetmi shtet që nuk mendon si të izolojë shqiptarët e zakonshëm në botë. Dhe pikërisht me këtë vend duan t’i armiqësojnë shqiptarët njerëzit që u japin “këshilla Djalli” në shkrime si ai mbi “borxhet historike të Turqisë ndaj Kosovës”. Pikërisht këtij shteti e kombi i dërgojnë herë pas here mesazhe provokuese disa shqiptarë që duan të njollosin në sytë e turqëve gjithë shqiptarët e tjerë si “mosmirënjohës” ndaj mikut, që të kënaqen hasmit e shqiptarëve./Veriu.info Abdi Baleta)/”

Heshtas , pa luftë pa gjak dhe vetëm me shpërlarje truri.

Deri sa Faik Konica thoshte : “Levizja jone eshte e mbeshtetur ne parim te kombesise dhe jo ne parim te fese (1907).”, Baleta  dhe Krasniqi na thonë : “Islami është faktor vendimtar për shpëtimin e kombit.”

Për të parë se çfarë tezash mbrojnë këta horra- akinxhinjë  modern, kerkoni të gjeni dhe shkrimet e Hysamedin Ferajt. Ndërmjet shumë marrinave , ky i fundit shkruan:

” Deri ne shekullin e 18, osmanet ishin fuqia me e perparuar, me humane dhe me demokratike e kohes…. ishin osmanet qe e bene Shqiperine te ishte nje nder vendet me te perparuara te europes, ku kulmin e zhvillimit e ka pasur Kosova, te cilen mjerisht e shkateruan luftrat e Austrise, Serbise dhe forcave shqiptare katolike te udhehequra nga P.Bogdani kunder Perandorise Osmane”  Milazim Krasniqi  përmes  një videoje  pozicionohet hapur në anën e ish pushtuesve osman nga e cila poezitë e Çajupit të madh i quan idiotiste dhe e përsërit disa herë se Anton Zako Çajupi është “idiot” që përmes poezisë së tij e luftoj pushtuesin pesë shekullor. Ky njeri me deklaratat e veta po shihet se është i shtyre nga pikëpamja ideologjike e tij të hapë plagë të reja mbi vlerat tona duke i minimizuar dhe duke e çmuar atë të pushtuesve , nga e cila vetvetiu rrjedh pyetja se ku janë ata student? . Ku janë ata profesor ?. Ku janë ata intelektual dhe ky brez qe lejon një bir otomani , një vehabist, një ekstremist fetar me apetite islamike ta terrorizoj epokën e Rilindjes sonë kombëtare të letërsisë, që pjesë e saj është edhe i madhoi Anton Zako Çajupi. Akinxhi , e jo mahi!

“Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj  edhe në Kuvend, (deputetët “tonë” votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homenit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave “bamirëse” është shpërndarë gjithandej.( .(Gani Mehmetaj)

Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde ,  e kjo pjellë e akinxhinjëve  modern.

“Të kërkosh Islamin si normë shoqërore, juridike dhe politike do të thotë të kërkosh ndërtimin e shtetit fundamentalist islamik, siç qe shteti i talebanëve në Afganistan, ku femrat janë të mbuluara me ferexhe dhe ku burrat rrijnë me mjekrra dhe fustane, ku xhamia është vetë shteti dhe ku Ligji Kuranik, Sheriati është Kushtetutë, Kod Penal dhe Kod Civil dhe baza e krejt legjislacionit në përgjithësi. Ky është vizioni i Baletës për shtetin shqiptar. Baleta kërkon t’ i ktheje shqiptarët, në të dy anët e kufirit në kohën e Mesjetës islamike ku na futi pushtimi turk.(Kastriot Myftaraj)

Baleta  Krasniqi feraj etj, etje e shohin vetëdijen nacionale dhe kulturore shqiptare si një vetëdije islamike. Shqiptarët kanë vetëdije nacionale për aq sa janë muslimanë. Në rast se nuk do të jenë më muslimanë, atëhere nuk do të jenë më as shqiptarë. Pra, me zhdukjen e Islamit tek shqiptarët do të zhduken edhe vetë shqiptarët. Pra, sipas Baletës dhe të akanxhinjëve tjerë, në fundament të qenies nacionale shqiptare qendron feja islame. Ja pra, se ku është fundamentalizmi islamik! Ai nuk ka brirë. Kjo lidhje organike mes Islamit dhe qenies nacionale shqiptare është pjesa më diabolike e doktrinës «Akinxhi» të fundametalizmit islamik shqiptar. “Nuk do dhe madje nuk arrin të kuptojë ky i fandaksur me urrejtje antiislamike se qënien kombëtare të shqiptarëve nuk mund ta konceptosh e ta perceptosh pa elementin e besimit mysliman, duke lënë mënjanë faktin që shqiptarët u formuan si komb modern nga popull mesjetar në procesin e islamizimit, pa elementin e tiparin karakteristik të fizionomisë së tyre të sotme kombëtare, përkatësinë e shumicës dërrmuese të njerëzve në besimin islam” , i drejtohet Abdi Baleta , Ismail Kadaresë
19.02.14, Gjakovë

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Akinxhinjtë modern, Fahri Xharra

MILLO GJUKANOVIQ,SYNON T’I MBAJË SHQIPTARËT NËN KONTROLL

February 19, 2014 by dgreca

Nga Xheladin ZENELI/
Lidhur me formimin e kualicionit paszgjedhor në Komunën e Ulqinit,këto ditë u prononcua edhe kryetari i PDS-së dhe kryeministri  i Malit të Zi, z.Millo Gjukanoviq i cili tha se “qeveria e re e përbërë nga Forca, Koalicioni “Bashkë për të Ardhmen e Ulqinit”dhe Mali i Zi Pozitiv,  do të jetë jetëshkurtër”. Gjithashtu ai tha se “PDS, prej tani, do ti trajtojë ndryshe partitë shqiptare,dhe do sillet ndaj tyre sipas meritave”.
Gjuha tipike e z. Gjukanoviq është karakteristikë e gjuhës së diktatorëve të cilët pretendojnë që me çdo kusht të kenë nën kontroll çdo gjë dhe kur diçka iu del jashtë kontrollit dhe diktatit të tyre ata,(pra diktatorët), bëhen të patolerueshëm,agresiv dhe kërcnues. Kështu ndodhi edhe me rastin e kryeministrit malazez Gjukanoviq të cilit iu prishen planet e ardhjes në pushtet të partisë së tij në Komunën me shumicë shqiptare të Ulqinit.PDS fitoi betejën në Ulqin por humbi luftën dhe kjo iritoi pa masë z. Gjukanoviq i cili u shpreh ashpër kundër kualicionit aktual të forcave politike në Ulqin.
Vertetë që PDS, si subjekt i vetëm muar vota më shumë në krahasim me subjektet e tjera që garuan në zgjedhjet e 26 Janarit, mirpo z. Gjukanoviq harron se subjektet politike shqiptare,me votat e tyre të kombinuara,fituan më shumë se PDS dhe më shumë se partitë e tjera sllavo-malazeze. Kryeministri malazez që njëherit është edhe kryetar i PDS- së angazhoi makinerinë e tij partiake dhe shfrytëzoi resurset financiare shtetërore në fushatën parazgjedhore dhe gara zgjedhore ishte një garë e pabarabartë duke pasur parasysh mjetet e kufizuara financiare të partive shqiptare të dedikuara për këtë qëllim.
Megjithate, subjektet politike shqiptare fituan rreth 54% të votave të përgjithëshme dhe si rrjedhim i kësai formimi i pushtetit paszgjedhor reflektoi rezulltatin e zgjedhjeve. Kështu që dy subjektet poltike shqiptare që fituan më shumë vota , Forca e Re Demokratike dhe Kualicioni ” Për të ardhmen e Ulqinit”,të cilat fillimisht negocuan edhe me UDSH- në,për formimin e shumicës parlamentare,por pas tërheqjes së kësai të fundit,kualicionit të bashkëqeverisjes në mandatin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit,iu bashkangjit partia opozitare  “Mali i Zi Pozitiv”.
Pra, formimi i kualicionit paszgjedhor është ligjor, demokratik dhe në përputhje me normat e marrjes së vendimeve në mënyrë të lirë dhe të pavarur  nga ana e palëve garuese të dala nga zgjedhjet e 26 Janarit.Është e pakuptueshme që kreu i një partie e cila e quan vetëvehten Partia ” Demokratike” e Socialistëve , përmes deklaratave tendencioze mundohet të pengojë proceset demokratike në një komunë me popullsi shumicë shqiptare. Dhe jo vetëm kaq.Kryeministri i një shteti, nga qendra e Podgoricës tenton të përzihet dhe t’ju impunohet proceseve zgjedhore të administrimit lokal të një komune,pra të Komunës së Ulqinit dhe vullnetit të tyre të lirë në formimin e shumicës qeveritare.
Për të gjithë ata që e njohin mirë z. Gjukanoviq nuk janë të befasuar me deklaratën e tij të fundit dhe gjuhën e tij urryese e cila  dëshmon edhe një herë fëtyrën e vërtetë të Gjukanoviqit dhe është dëshmi se Ai nuk i dëshiron shqiptarët të bashkuar,por të përçarë. Gjithashtu edhe një herë u dëshmua se z. Gjukanoviq ka pasur dhe gjthënjë vazhdon të ketë një synim: të kontrollojë me udhëheqjen politike e administarative të Komunës së Ulqinit ,por edhe me udhëheqjet administrative të vendbanimeve të tjera  shqiptare me qëllim që të dominojë me resurset dhe pasuritë e tyre natyrore dhe t’i mbajë ata nën kontroll.
Sa i përket asaj se a do të ” ndëshkohen”, apo a do të ketë ndonjë hakmarrje eventuale politike ndaj partive shqiptare në të ardhmen, për mos bashkëpunim me PDS- në ,çka z. Gjukanoviq aludon në deklaratën e tij, kjo nuk do të jetë diçka e re sepse Komuna e Ulqinit është e ndëshkuar tash 24 vite nga ana e pushtetit qendror të Podgoricës me të cilën udhëheq PDS. Rikujtojmë lexuesit se në vitin 1990 kur pushtetin për herë të parë në Ulqin e fitoi një parti shqiptare dhe atëherë ishte Komuna e vetme opozitare në Mal të Zi, ku jo rastësisht shumë shpejt pasoi ligji i parë diskriminues i të Mirave Detare përmes të cilit 57% e bregdetit të këtij qyteti,me dallim prej komunave të tjera në Mal të ZI, u shëndrrua në pronë shtetërore të qeverisë së kësai republike.
Vlen të përmendet se Komuna e Ulqinit është ndëshkuar edhe atëherë kur partitë shqiptare kanë bashkëpunuar me PDS ,si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.
Gjatë tërë kësai kohe sa është në pushtet qendror PDS me në kry z.Millo Gjukanoviq, Ulqini ka pësuar rënien më të madhe ekonomike ,në rend të parë ka pësuar shkatërrimi i resurseve turistike dhe objekteve të tjera industriale me rëndësi jetike për banorët e kësai Komune.
Sjellja e fundit e z. Gjukanoviq dhe  tentimi i tij i shtypjes së vlerave demokratike të popullit autokton shqiptar do të duhet të jetë alarm për qendrat e vendosjes së Bashkimit Europian ,pjesë e të cilit Mali i ZI aspiron që të bëhet, kurse për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare do të duheshin të konsideronin rishqyrtimin e marrëdhënieve me një “lider” të Ballkanit me mentalitet mesjetar i cili n’a përkujton kohën e kaluar të Millosheviqit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjukanovic Millo, shqiptaret i mban ne kontroll, xheladin Zeneli

“SECILI PËR VETE, ZOTI PËR TË GJITHË“!

February 18, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Shkrimin në vijim do mundohem ta bëj “për inat të mbamendjes sime”, pavarësisht se në fund mund të dalë si ai muhabeti me “zarar”! Ndoshta këtij shkrimi që në fillim do t’i  nëpërkëmbet pjesa humane dhe ajo emancipuese. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, do të bëj përpjekje që sa më pak të hetohet ana johumane e saj. Dashamirësit e fjalës së shkruar thonë se nëse do “ta vrasësh” poetin “vidhja” idetë dhe stilolapsin, nëse do “ta asgjësosh qemanexhiun dëmtoja” gishtat, nëse do që ta “hidhërosh” historianin, rishkruaja historinë, nëse do “ta zymtosh” një nënë të re, hiqja fëmijën e sapolindur nga gjiri…, nëse do “ta përlotësh” mërgimtarin, “vidhja” kujtimet, shpresat dhe ëndrrat. Unë, si shkrues i këtij artikulli, nuk i dua fjalët denigruese që u përmendën më lart.

Kryepersonazhi i këtij shkrimi do të jetë një mik imi nga fëmijëria. Mbase sot e gjithë ditën e Perëndisë, nuk është një njeri dokushdo. Kohë më parë ishte kthyer nga një vend shumë i largët. Po përgatitesha emocionalisht për takimin me të. Thënë intimisht, që në fillim “nuk e doja dhe nuk e parapëlqeja” këtë takim. Thash më vete, e “ç’ta dua”  këtë takim pas plot pesëdhjetë motesh. Nuk doja ta “bëj a ta realizoj” këtë, sepse e dija paraprakisht se më mungon “takati emotiv”? Që në fillim më tha se kthehet nga një vend i madh dhe shumë i pasur. Këtij “vatani të dytë” të tij ia shtoi një “të keqe” duke thënë: “Ha, merr dhe ik, po nuk ike, të hëngër”!? Se pse “kishte ikur” nuk më tha gjë, po as që më dha mundësi t’i parashtroj pyetje shtesë rreth kësaj vakie. Më dukej një njeri krejt tjetërfare, sikur kujtimet e tij, po edhe të miat, i kishte futur në strajcë dhe i kishte varur diku në një cep të asaj anijes tejoqeanike, me të cilën kishte rrugëtuar shumë kohë më herët drejt tokës së premtuar!? Më dukej sikur mallin për vatanin e stërgjyshit donte ta godiste me kokë.

Eh sa me zotnillëk e aristokraci e vazhdoi muhabetin. Fjalët i thoshte me karar me temsil dhe me atë filozofinë popullore…, fjalë të qëlluara dhe të denja për trashëgiminë familjare. Fjalët që i dilnin nga goja sikur ishin të heshtura, të pathëna, të përgjysmuara, të shkurtra…, kohë pas kohe i tërhiqte zvarrë…, ca i thoshte me atë theksin geg…,  pavarësisht se disa prej tyre nuk i thoshte  me “tamam”! Sikur koha si “për inat” e kishte bërë të veten. E gjithë kjo më krijoi përshtypjen se ishte një evokim i tij personal dhe i papërsëritshëm. I parashtrova pyetjen se ç’hall e solli këtej afër nesh. Vonë u ndërgjegjësova rreth pyetjes së gabuar dhe idiotike, më iku dhe pse më iku nuk i di!  “Hazërxhevapin” e kishte majë gjuhës, por që fare nuk përkonte me pyetjen time të parashtruar! Sikur e preu fjalën me sëpatë dhe duke mos u hamendur më tha: “Edhe ti, miku im, do të merresh me hallet e mia…, edhe ti do ma qash hallin”!?? Ç’është e vërteta, halli dhe malli i tij përkonte me vatrat e stërgjyshërve dhe vaktet e tyre, me vaktet e rebeluara, përkonte me dëshirën që donte ta shfaqte botërisht edhe atë pak nostalgji dhe pak dashuri që i kishte mbetur për vatanin, sikur donte ta fshihte mllefin e tij me shumicë ndaj njerëzve që e kishin harruar.

Për të mos e zvarritur e stërholluar paragrafin hyrës të këtij shkrimi, do të them se njeriu që duhej ta takoja, nuk është dokushdo, ai është pinjolli i vetëm dhe i fundit i familjes më të njohur në historinë e Tetovës. Ky nuk është i vetëshpalluri patriot, s’është as i vetëshpalluri pinjoll i familjes së tij elitare…, atë familje ka shumë kohë që për elitare e ka shpallur historia kombëtare. Ai nuk kishte ardhur në vendin e stërgjyshërve, për “të bërë” pazarin e historisë e të të qenit patriot a populist…, ai kishte ardhur për ta prishur atë pazarin e madh të heshtjes dhe indiferencës sonë kolektive sa u përket emrave që ndërtuan një kapitull të ndritur të retrospektivës sonë! Nuk kishte ardhur “të shesë dhe as të shfaqë” historinë e familjes, nuk kishte ardhur të kërkojë tokën e zaptuar…, thjesht donte të thoshte se kjo histori nuk mund të shtrembërohet apo të keqkuptohet nga kalorës të vonuar të kauzës së përbashkët. Nuk arriti dot “ta prish këtë treg”, sepse mbamendja kolektive e njerëzve, sidomos e atyre që mashtrohen lehtë dhe që nuk dallojnë mikun nga armiku dhe që sot jetojnë në trevat e stërgjyshërve të tij, moti kishte dhënë shpirt! Vendin e atij shpirti të çiltër e kishte zëvendësuar pamirësia, çmenduria, egoizmi, harresa, dashakeqësia, inati homerik (ndërshqiptar) si dhe shpirtvogëlsia!

Se kjo ishte bisedë, takim, se ishte një evokim i njëanshëm, se ishte një këmbim fonetik dhe në instancë të fundit edhe një fundajë e një muhabeti emocional, nuk e kuptova dot. Një është e vërtetë: secili prej nesh bënim përpjekje “të vjedhim” nga njëri-tjetri kujtimet adoleshente, sikur shtireshim si të rinj, sikur gënjenim njëri-tjetrin, sikur përballeshim me kohë të humbura, sikur e gjithë kjo bisedë të ishte e sajuar paraprakisht. Aq shumë kishim për të thënë, saqë në fund nuk e thamë atë që duhej ta thoshim dhe ta dëgjonim. Në “fund” të bisedës më tha: “Mik i dashur, më ndihmo ta gjejmë mejhanen e Sazanit, atë pijetoren ku venë lloj-lloj njerëzish që bëjnë zhurmë”!? E pyeta se ç’i duhej “mejhania”! Ma ktheu: do shkoj të paguaj një borxh që i kam mbetur kamerierit për dy pije! Dhe kur vajtëm për ta “shlyer borxhin”, pronari i ri i mejhanes, na tha se Sazani ka shumë kohë që nuk ka shkelur në derë të mejhanes sime. Ku ta dijë njeri se ku kishte degdisur.

Gjithsecili që do ta lexojë këtë histori ka të drejtë ta pëlqejë a të mos e pëlqejë, në veçanti ata që fare pak e njohin, assesi nuk kanë të drejtë t’i shtojnë a t’i heqin asnjë të vetme provë, pikë a presje. Në fund të këtij shkrimi, dedikuar një historie të lavdëruar, do të themi se kryepersonazhi në fjalë, nuk lejoi që t’i “.., nënshtrohet atij parimi tribal, ku pos të tjerash thuhet: Secili për vete, Zoti për të gjithë…, andaj sot, në këtë rrëmujë dhe zhurmë të madhe, nuk ka rëndësi kush je, e ç’ke bërë, por si dhe ku di të shfaqësh (d.m.th. ku do të shesësh) veten”!, do të thoshte Kiço Blushi nga Shqipëria. Miku im nuk erdhi këtu as ta shesë e as ta shfaqë veten…, sepse këtë që moti e kishte bërë për të historia jonë kombëtare. Shoku i fëmijërisë sime përgjithmonë mbetet pinjoll i kryefjalës së kryeqytetarisë tetovare!

P.Sh.Në këtë shkrim kam përdorur qëllimisht pjesë të nëndialektit të Fushës së Pollogut.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, Secili per vete, Zoti per te gjithe

Rusofilia e serbofilia s’duhet të zëvendësohen me turkofili

February 16, 2014 by dgreca

Është qesharake të shtrojmë pyetjen a ishin më pak mizor serbët, turqit apo grekët? Është më e arsyeshme të përqendrohemi në aleancat properëndimore më ata që s’na përgjakën asnjëherë gjatë historisë. /

Nga Gani MEHMETAJ /

“Në përputhje me traditën që ekzistonte më parë… të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…”. “Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe”.

“Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra… Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. …Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”, shkruan në kronikën e tij Tursun Beu. .
Ka ndonjë shqiptar me mend në kokë, pasi ta ketë mësuar edhe këtë fakt që do të thoshte  se turqit ishin më të mirë se serbët, grekët e rusët?  Ka fytyrë dikush të shpif kinse u islamizuam me dëshirë? Njeh dikush shqiptar që i di 36 shkronjat, që do të vazhdoj të mbroj diçka që s’mund të mbrohet? Në mbrojtje të turqizmit e islamizmit nëpër faqe elektronike kryekëput janë gjysmë analfabetët e ndonjë mercenar shqipfolës, të cilët e flasin dhe e shkruajnë për faqe të zezë gjuhën tonë.

Me kot përpiqet edhe Abdi Baleta t’i veçoj turqit, të cilët sipas tij duhet t’i duam, ndërsa t’u ruhemi Serbisë, Greqisë e Rusisë. Ku dallonin Turqia, Serbia e Greqia në mizoritë ndaj shqiptarëve? Askund. Por koha e mizorive ishte e ndryshme. Kujtesa historike nuk mund të shlyhet me një të rënë lapsi as me ca lira turke që janë shpërndarë gjithandej. Turqia duhet ta dëshmojë miqësinë, por jo me nxitje të përçarjes fetare përmes mercenarëve të vet.  Një mike me tregoi në FB se vetëm Arabia Saudite ka dhënë 70 milion dollarë për përhapjen e vehabizmit. Po Turqia e Irani për përhapjen e islamizmit agresiv, sa kanë dhënë në Kosovë e në Shqipëri? Vëllazëria myslimane e Egjiptit më rrëmujë brenda shtetit të vet, sa para u jep ithtarëve në Kosovë? A janë futur këto fonde edhe në xhepat e 30 deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës? Nëpër kuluare dyshohet më të madhe.  “Deputetë-talibanë”, kanë nis t’i quajnë nëpër kafenetë e Prishtinës.
Pra nuk duhet t’u ruhemi vetëm Serbisë, Greqisë e Rusisë, por edhe Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite e Egjiptit. Të gjitha këto shtete janë rrezik real me talibanizmin e tribalizmin.

Baleta në një thirrje publike na këshillon t’i hidhemi në përqafim Turqisë!? Pse? Sepse sipas tij është i vetmi shtet që po na i hap dyert. Me çka po na i hap dyert: me korruptimin e bizneseve, e të politikanëve tonë, me rekrutimin e shqiptarëve për luftë kundër sirianëve, me blerjen e hoxhallarëve që flasin pastaj kundër personaliteteve shqiptare.

Sa për freskim kujtese: Çekia e vogël e Vacllav Havelit dha më shumë ndihma materiale e mbështetje morale se sa Turqia e madhe. Mos ti përmendim SHBA-n që na shpëtoi, Britaninë e Madhe që i futi e para trupat tokësore në Kosovë e na çliroi, pastaj Gjermania, Italia. Madje edhe Franca bëri më shumë se sa Turqia sot e dje.

Ti quash të gjithë ata që s’ta pranojnë këshillën për dashurinë ndaj turqve, filoserb e filorus, është diskualifikim tipik stalinist.

Nuk mendoj se duhet ta kemi aleat strategjikë Turqinë, por SHBA-n, Gjermaninë e Britaninë e Madhe. Nuk duhet të ndryshojmë kursin properëndimor me asnjë çmim. Është gabim fatal po e bëmë një gjë të tillë.

Si do t’i dukej A. Baletës po e tha sipas simpatisë fetare shqiptari ortodoks se Greqia është shpëtimtari ynë? Vetëm shpirti i shitur apo mendja e skllavëruar do ta thoshte një gjë të tillë për Greqinë e për Turqinë.

Ndërkaq, rusofilia të cilën e dramatizon aq shumë Baleta është një episod enverist, mbetjet e të cilit besoj janë fare të pakta në Shqipëri, nga ndonjë plak i rrjedhur, që e kujton me nostalgji rininë e humbur, ndërsa serbofilia (apo jugosllavofilia) ka shkulm nostalgjie në Kosovë e Maqedoni, por jo sa të krijojë rreziqe. Duhet të ndryshojmë mendësi e jo të bëjmë turrë e vrap të hidhemi në përqafim të atyre që na vranë e na përvëluan.

Kemi aleatë që bënë shumë për neve. Ata nuk do të na braktisin, na e përsëriti zyrtari i lartë amerikan në Bruksel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Rusofilia, serbofilia, turkofili

Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë

February 16, 2014 by dgreca

(Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/

  Në faqen e internetit albcameria të datës 15 shkurt 2014, ishte botuar një material me titull “Fronti Demokristian Shqiptar”. Materialin e botonte zoti Alban Daci. Materiali ishte botuar si intervistë apo autointervistë e zotërisë në fjalë, meqenëse nuk përmendej emri i  intervistuesit. Në këtë material, zotëria Alban Daci prezantohej si këshillëtar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë.

Të bën përshtypje fakti që zotëria Alban Daci ka qenë figurë me shumë peshë në formacionin politik “Aleanca Kuq e Zi”, të themeluar prej zotit Kreshnik Spahiu. Megjithëse zoti Kreshnik Spahiu, dikur, në një intervistë, dhënë gazetarit të mirënjohur Bashkim Hoxha, pati deklaruar se deri në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, “Aleanca Kuq e Zi” do të kishte në radhët e veta 1 milion anëtarë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 rezultoi se e vërteta qëndronte ndryshe: ky formacion politik nuk arriti të fitonte dot as edhe një deputet të vetëm. Pra, rezultoi një flakë kashte.

Gjatë kohës që “Aleanca Kuq e Zi” vazhdonte aktivitetet e veta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë para zgjedhjeve të 23 qershorit, jam njohur me mjaft shkrime dhe intervista të zotit Alban Daci, të cilat i kam vlerësuar për përmbajtjen e tyre. Dukej që zoti Alban ishte një figurë me një kapacitet të admirueshëm kulturor. Kryerja e studimeve të larta jashtë vendit kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual. Dihet që “Aleanca Kuq e Zi”, në themel të programit të vet kishte ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, duke nisur fillimisht me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, “Aleancës Kuq e Zi” i ra gjuha e këmborës dhe pothuajse nuk ndihet më për “e gjallë”. Në këto kushte, zotëria Alban Daci e paska braktisur dhe qenka përfshirë në një tjetër formacion politik, me qendër në Diasporë, në Frontin Demokristian Shqiptar.

Nga nëntë pyetjet e intervistës, dy prej tyre më bënë më shumë përshtypje, bashkë me përgjigjet që jep zotëria Alban Daci:

A është Fronti Demokristian Shqiptar një lëvizje politike lokaliste?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar”. 

Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshillëtar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme:

Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE?

Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”. 

Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian!

Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.

Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demikristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të thmelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare:

“Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014).

Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, dekalaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike.

Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: “Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”.

Kjo deklaratë skandaloze, me të cilën mohohet një e vërtetë e shenjtë për historinë e kombit shqiptar, të bën të hamendësosh se miqtë e ngushtë të Serbisë në Vatikan, kanë vënë në lëvizje Selinë e Shenjtë për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, i cili pretendon se përfaqësuaka Diasporën Shqiptare në kuadrin e këtij formacioni të ri politik.

Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqipar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë.

Me sa duket, paria e Frontit Demokristian Shqiptar, e yshtur me drogë jashtëshqiptare, i paska mbushur mendjen vetes se, që të fitojnë dashurinë e Bashkimit Evropian, shqiptarët duhet të “demokristianizohen” dhe të “antinacionalizohen”. Ç’ka Bashkimi Evropian, problemet nacionale brenda vetes i ka zgjidhur me kohë e me vakt, kurse me kombin shqiptar sillet ndryshe: pasi e copëtoi në një mënyrë kriminale në vitin 1913, vazhdon të ngulë këmbë që tapitë e tokave shqiptare që ua dorëzoi sllavogrekëve, këta të mos i lëshojnë kurrë nga dora.

Prandaj, kur mbarova së lexuari intervistën e zotërisë Alban Daci për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, menjëherë më erdhën ndër mend dy vargjet e para të një kënge të vjetër labe, me të cilët titullova këto shënime:

Shumë “këngë” përmëndi zotëri Alban Daci në intervistën e vet, por nuk përmendi atë “këngën” kryesore: Çështjen Kombëtare Shqiptare – ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur.

Santa Barbara, Kaliforni-15 shkurt 2014

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: por me te miren e lame, Prof. Dr. Eshref Ymeraj, te gjitha i thame

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 921
  • 922
  • 923
  • 924
  • 925
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT