• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nuk është shtet islamik

February 13, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

”Me sot lirisht mund të thuhet se përfaqësues radikal të Islamit në Kosovë i kanë ofruar një argument Rusisë dhe Serbisë që këto dy shtete asnjëherë nuk e kanë pasur deri më tash. Sidomos përfshirja e shqiptarëve në luftën e Sirisë është përdorur gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga përfaqësuesi rus si një rrezik që po vjen nga shqiptarët. Historikisht Rusia dhe Serbia janë munduar të paraqesin shqiptarët dhe të drejtën e tyre për shtet si rrezik për tërë Ballkanin, pasi sipas tyre “ata vetëm duan krijimin e shtetit Islamik”. (Lajme 10.12.14).Ky lajm më goditi shumë, jo pse nuk e prisja  por e kundërta se e dija që një ditë do të na thonë në gojë.Dhe na e thanë.
Vetëdija e ultë kombtare shqiptare në Kosovë është pasojë e një pas lufteje plot skandale shoqërore , turbulenca mediale dhe e një varfërijeje të pa kuptueshme dhe të papritur.Zakonisht për zhvillimin e e ndonjë sëmundjeje ,bakterjeve apo virusëve trupi i lodhur ,i cfilitur dhe i pa yshqyer iu ofron një mjedis shumë të lehtë për shumëzim. Po na  a jemi ata që po ia përgatisim vetës sonë terrenin për një sëmundje të rëndë deri vdekje prurëse? Pak e rëndë kjo pyetje , por tmerruese në suazat e luftës së madhe serbe kundër nesh në arenën ndërkombëtare.
Serbia është ajo e njejta gjithë kohën .Serbët janë të njejtë që kur erdhen kendej pari , me të njejtat apetite për zvoglimin tonë apo edhe mundësisht zhdukjen tonë të tërësishme si komb.Ata e dinë se ku të qëllojnë , i kanë caqet e tyre të shenjuara mirë , i kanë planet e tyre, i kanë stratëgjitë e tyre kundër nesh. Në çdo kohë janë të gatshëm dhe të përgatitur me ”argumentet” e tyre që të na sulmojnë. E ne heshtim , mashtrohemi dhe bijmë pre e propagandave armiqësore të përgatitura posaçërisht për ne.

A jemi shtet islamik ? Jo. A po manifestohemi si i tillë ? Po. Nuk futet muzdraku në thes.

I kam me mijëra pyetje të cilat lypin përgjegje nga të gjithë ne , por kryesorja është se si po arrinë Serbia të na mashtron me lojën e radikalizmit islamik.

Te kalojmë në planet e tyre , në ato plane që janë në publik, të cilat çdo shqiptar që di shkrim -lexim mund ti kupton dhe ta sheh vetën se a është lojtar në lojën e përgaditur antishqiptare.

Botës dhe neve  ,na janë të njohura planet e Garashaninit,Çubriloviqit dhe Ivo Andriqit.Ato janë dhe me ato shërbehet edhe sot politika serbe . Por e keqja që ne nuk i lexojmë dhe nuk bindemi që ujku është gjithnjë tek dera.Dhe , i besojmë buëqeshjës së tij.

Vaso Çubriloviöi ishte një historian , mësues dhe politikan. Në rini kishte marrur pjesë në vrasjen e Franc Ferdinandit në Sarajevë Në Jugosllavinë e vjetër ishte këshilltar politik i shtetit. Pas  Luftës së dytë botërore ishte edhe anëtarë i Akademisë së Shkencave të Serbisë- Çka thot ai në planin e tij për ne? :” Si  që dihet Masat Muslimane , në përgjithësi janë lehtë të ndikuara ( mashtruara ) nga feja dhe besimet e kota dhe janë shumë fanatikë.Kështu ne duhet që  shqiptarëve të iu marrim nën kontrollë njerzit e tyre të fesë me kërcnime apo me para që të kemi më të  lehtë për dirigjimin me ta ( me shqiptarë fxh)….Duhen të gjinden agjitatorët sa më shpejtë të jetë e mundur , dhe special ata të Turqisë , sepse atyre iu besohet më shumë”..Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata duhet të ngacmohen në këtë pikë Kjo mund të arrihet nëpërmjet keqtrajtimit të tyre . Klerikët e tyre duhen manipuluar , të ndalojmë poligamin e tyre dhe sidomos të mundësojmë mos shkollimin e vajzave te tyre..”.

“Në momentet e fundit të jetës , para se t’i pushoj edhe për pak qaste rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi i Dibrës e kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.” Pra siç po shihet Saidi nuk e humbte shpresën se do të vijë dita kur edhe zogu edhe bilbili do të këndojnë lirisht shqip.” po juve cka t iu shkrujnë ne gurin e varrit , apo do që të varrosin në zallin e Afrikës ,pa shenjë e pa dokë?

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova nuk eshte, Shtet Islamik

ËSHTË E RREZIKSHME NOSTALGJIA KOMUNISTE NË NJË DEMOKRACI TË PAPJEKUR

February 13, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Duket se kohët e fundit në Shqipëri po frynë një erë e re nostalgjie për ish-regjimin komunist, ku politikanë, historianë dhe intelektualë, me vepra dhe me fjalë po përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një rivlersim të ri të regjimit komunist dhe të diktatorit Enver Hoxha. Mjaftë, thonë ata, është folur keq dhe boll është denoncuar regjimi komunist, tash 20 e sa vite. Ka ardhur koha, sipas tyre, të këthehet rrota e historisë, duke shikuar mbrapa! Me rastin e 29 nëntorit të viti që kaloi, portreti i diktatorit Enver Hoxha ishte i pranishëm gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, ku  morën pjesë udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare.Mediat shqiptare njoftuan me atë rast se portreti i Enver Hoxhës ishte vendosur aty në përputhje me protokollin dhe me dijeninë e plotë të zyrtarëve përgjegjës për atë ceremoni.Ndërsa pak ditë më parë, udhëheqës politikë dhe historianë duke folur për rolin historik të 4 shkurtit, me rastin e 70-vjetorit të vrasjeve në Tiranë, kanë bërë thirrje për rivlersimin e figurës së Enver Hoxhës,  për të vendosur drejtësinë, sipas tyre, por pa dhënë asnjë vlersim kritik të krimeve dhe dështimeve kolosale të regjimit komunist. Zbulimi i së vërtetës mbi 4 shkurtin, si edhe i shumë ngjarjeve të tjera të gjysëm shekullit të kaluar, do të bëhet nga historianët e ardhëshëm të Shqipërisë dhe nuk mund të imponohet nga ideologët dhe mësuesit e makrsizëm-leninizmit dhe as nga politikano-historianët.  Për më tepër, debati mbi vendimin me konsensus të palëve, dhe tani  thirrjet nga disa për ç’emërimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, të kujton   termin përbuzës për një vend që vepron si ”republikë bananash” –sot kështu nesër ashtu– e që përshkruan një diktaturë servile, ose një vend që qeveriset si një ndërmarrje tregtare për përfitime dhe interesa private, politiko-partiake të përkohëshme.   Fatkeqsia është se këto deklarata për rivlersimin e rolit të Enver Hohës,  nuk bëhen nga njerëz që mund të kenë vetëm një kuriozitet i një teme anësore historike, por bëhen nga pjesëtarët më të lartë të elitës politike dhe intelektuale të vendit, të cilët e kanë përjetuar atë sistem çnjerzor e të cilët i dinë mirë pasojat  e atij regjimi, dhe si të tillë duke e ditur influencën e tyre politike dhe shoqërore, ata duhej të ishin më të ndërgjegjëshëm moralisht dhe politikisht, kur bëjnë prononcime të tilla.
Me deklarata të tilla të papërgjegjëshme, ata as nuk i shërbejnë së vërtetës historike as paqës dhe pajtimit kombëtar, për të cilin shqiptarët kanë aq shumë nevojë.  Nostalgjikët e komunizmit enverist, ndërsa bëjnë thirrje për rivlersimin e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, ata nuk thonë asgjë, as nuk tregojnë asnjë mëshirë ndaj të ashtuquajturës “klasë e pëmbysur”,  sikurë të deklasuerit dhe armiqtë e përhershëm, siç quheshin ata, nuk kanë vuajtur mjaftë. A ishin/a janë edhe këta shqiptarë?  Megjithëse çdo gjë që bëhej kundër tyre nga regjimi komunist –përndjekjet, arrestimet, burgosjet, kampet e përqendrimit, ndarja e familjeve e tjera — bëheshin në emër të popullit,  sikur këta të mos ishin pjesë e atij populli, as njerëz, lere më të konsiderohen si vëllëzër e motra të një gjaku.  Por, e vërteta është se ishin këta “armiq të popullit”, të cilët me punën e tyre ndërtuan “veprat e mëdha socialiste” me të cilat krenohej Enveri dhe regjimi komunist dhe me të cilat mburren edhe sot nostalgjikët e tij.  Ata të shkretët thanë kënetat, ndërtuan  rrugë, aeroporte dhe hekurudha dhe punuan në minjerat e vendit.  Është e vështirë të merret me mend se si dikush mund të ketë vizione nostalgjie për një sistem që ka abuzuar në këtë mënyrë me të drejtat e qytetarëve të vet për pothuaj një gjysëm shekulli.   Megjithëse kuptohen zhgënjimet që njerzit në përgjithësi mund të kenë me zhvillimet politike dhe ekonomike pas përmbysjes së komunizmit, nostalgjia për ferrin komunist të Enver  Hoxhës nuk mund të jetë sot një alternative dhe me shprehje të tilla i bëhet një shërbim shumë i keq brezave të ardhëshëm. A është e mundur se krimet e njërit prej sistemeve më brutale të ish botës komuniste  po zhduken nga kujtesa kolektive në Shqipëri?
Kjo është një temë që duhet të debatohet seriozisht!  Këta njerëz që flasin dhe shkruajnë në këtë mënyrë, a kanë me të vërtetë, vetëm vizione nostalgjike të gabuara, apo janë gjithnjë  ideologë mbështetës të atij sistemi —  apo është një elitë ish komuniste e zemëruar që konsideron se ka humbur statusin dhe privilegjet e saj, megjithëse shumë veta do të thonin se këta që flasin me mall për regjimin enverist, si dhe ata që heshtin ndaj deklaratave të tilla, janë e njëjta elitë politike dhe intelektuale, ose pinjollët e ish-elitës komuniste, ata që kanë udhëhequr Shqipërinë këto 20-vitet e fundit.  Një debat i tillë i sinqertë,  është tepër i nevojshëm që vendi më në fund, të përballohet njëherë e mirë me të kaluarën komuniste të vendit, por më me rëndësi janë efektet që kjo histori vazhdon të ketë në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, tani dhe në të ardhmen.   Është kjo një histori, trashëgimia e së cilës meriton të denoncohet dhe jo të mbrohet, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara dhe të integrohet në Europën e bashkuar.

Udhëheqsi rus,Vladimir Putin ka thënë se e konsideron përmbysjen e komunizmit në ish Bashkimin Sovjetik, si “Tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të.”  Pasi  ai ka siguruar tanimë se do të qëndrojë në krye të pushtetit në Kremlin për jetë, ai me përpjekjet e tija politike, diplomatike dhe ushtarake është duke bërë ç’mos për të ringjallur, në mos në emër, atëherë në fakt, ish-Bashkimin Sovjetik.  Vall mos mendojnë kështu edhe nostalgjikët e regjimit komunist në Shqipëri?  Njëzet e sa vjetë më parë, shqiptarët i thanë jo komunizmit duke  shprehur dëshirën e tyre për liri e demokraci dhe për një jetë më të mirë, madje duke rrezikuar edhe jetën, në përpjekjet e tyre për të përmbysur një tirani që e kishte këthyer Shqipërinë në një burg në midis të Europës, duke mos lejuar askënd të hynte as të dilte. Shqiptarët e rrëxuan murin e tyre të berlinit.  Kjo revoltë ishte një alternativë e qartë që shqiptarët kishin zgjedhur më shumë se dy dekada më parë, duke u përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për fitoren e së mirës mbi të keqen.

Prandaj deklaratat e elitës politike dhe intelektuale, të kohëve të fundit, për rivlerësimin e rolit të Enver Hoxhës, si dhe vendosja e portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare nëntorin që kaloi dhe heshtja, në përgjithësi, ndaj këtyre fenomeneve në shoqërinë shqiptare 20 e sa vjetë pas përmbysjes së regjimit komunist, venë në dukje një dështim të përgjithshëm moral dhe politik për tu përballuar me të keqen dhe për tu marrë me trajtimin e drejtë të historisë.  Por për më tepër, në fakt këto fenomene, që në të vërtetë nuk janë të reja, të bëjnë të dyshosh nëse, siç ka thënë edhe Ismail Kadare, “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqës, po ngrihet”, në Shqipëri.  Ngritja e një muri të ri në mbrojtje të së keqes, do të ishte tepër e rrezikshme për një vend që ende cilësohet nga organizatat ndërkombëtare i të drejtave të njeriut si pjesërisht i lirë dhe si një demokraci e papjekur.  Shqipëria dhe kombi shqiptar meritojnë më shumë përgjegjësi morale dhe politike se kaq nga udhëheqsit dhe nga elita intelektuale dhe politike e sotëme!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, ne nej demokraci te papjekur, nostalgjia komuniste

Beogradi dhe Prishtina afër zgjidhjes

February 13, 2014 by dgreca

Beogradi dhe Prishtina finalizojnë marrëveshjen për organizimin e gjyqësorit në veri të Kosovës. Zgjidhja është gjetur në kuadër të ligjeve të Kosovës, por duke respektuar specifikat e komunave me shumicë serbe.

Beogradi dhe Prishtina thonë se është afër zgjidhja në fushën e gjyqësorit, që ka të bëjë me juridiksionin e gjykatës komunale në Mitrovicë. Raundi i 22-të i dialogut, i mbajtur në Bruksel më 12 shkurt, çoi në një afrim të qëndrimeve, të cilat nga njëra anë plotësojnë kërkesat e Prishtinës për organizimin e gjykatës dhe të prokurorisë në veri në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nga ana tjetër respektojnë kërkesën e Beogradit për “specifikën dhe individualitetin” e serbëve në veri.

“Nëse është një gjykatë për shtatë komuna, atëherë kjo strukturë në kuptimin etnik të paktën, në ato pjesë të departamentit në veri, duhet të ketë shumicën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë, e përsëri të mos ndahet vetëm sipas kritereve etnike, që nuk është patjetër praktikë në gjyqësor dhe ne as nuk do të donim të ishte kështu. Megjithatë, specifika e veriut duhet të respektohet”, tha Daçiç.

Grupit të ekspertëve, që ka qëndruar, i mbetet të finalizojë detajet dhe të dy kryeministrat më së voni pas dy javëve do të takohen përsëri në Bruksel dhe të arrijnë marrëveshjen politike lidhur me zgjidhjen e çështjes së gjyqësorit.

Zgjedhjet nuk duhet të ngadalësojnë dialogun

Në kabinetin e kryediplomates së Bashkimit Evropian, edhe para takimit të djeshëm midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, u theksua se është e domosdoshme që sa më parë të bihet dakord për implementimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Brukselit, në radhë të parë në fushën e drejtësisë. Në të njëjtën kohë edhe Serbia edhe Kosova janë të vetëdijshme se ngecja në negociata në një situatë, kur të dy palët presin zgjedhje parlamentare dhe mandati i Catherine Ashtonit përfundon në fund të vitit, mund të ndikojë negativisht në proceset e integrimit evropian të të dyja palëve. Në Bruksel theksojnë se dialogu, pavarësisht nga procesi zgjedhor, vazhdon dhe të dy kryeministrat kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar punën në procesin e dialogut.
“Shpresoj se Serbia do të jetë edhe më shumë e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes, pavarësisht nga zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se në Bruksel është biseduar, se si të zbatohet sa më parë dhe më mirë marrëveshja e Brukselit.

Njëra prej temave edhe ajo e serbëve të arrestuar në Kosovë

Krahas çështjes themelore të drejtësisë, Beogradi insistoi në Bruksel edhe për çështjen e serbëve të arrestuar në Kosovë. Me këtë rast nga Bashkimi Evropian u kërkua që përmes autoriteteve të tij të sqarojë arrestimet, të cilat sipas fjalëve të kryeministrit të Serbisë, mund të çojnë në destabilizimin e rrethanave në Kosovë. U bisedua edhe për mënyrën e organizimit të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi për qytetarët serbë, që jetojnë në Kosovë.

Bisedime mbi gjendjen në Bosnjë- Hercegovinë

Në kuadër të dialogut janë shkëmbyer edhe informacione mbi gjendjen në Bosnjë- Hercegovinë. Me këtë rast shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Ashton njoftoi se do të zhvillojë një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë javën e ardhshme dhe Serbia është e angazhuar për një Bosnjë-Hercegovinë të qetë dhe stabile.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: afer zgjidhjes, Beogradi dhe Prishtina

Kapinova bën kauzë me historianin shovinist grek Nikolas Stavros

February 13, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

 Profesori i nderuar Vedat Shehu, shkencëtar, intelektual i shquar i kombit shqiptar, në artikullin me titull “Pyetje për Klajd Kapinovën”, të botur në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 12 shkurt 2014, ka bërë skanerin e qëndrimeve antikombëtare të Klajd Kapinovës, i cili ka disa ditë që nëpër faqet e internetit sulmon shoqatat shqiptaro-amerikane që protestuan kundër dekorimit të Janullatosit me titullin “Peace of Honor” nga presidenti i Fordham University në Nju Jork zoti Joseph M. McShane S.J. dhe sidomos dy intelektualët e nderuar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, zonjën Kozeta Zylo dhe zotin Dalan Luzaj, sulmon gazetën “Dielli” dhe “Iliria”, dy vatra të shqiptarizmës në diasporë, se pse nuk botuan shkrimin e tij në mbrojtje të Janullatosit, një shkrim që s’ishte gjë tjetër, veçse një paçavure antishqiptare.

       Me qëndrimin e tij në mbrojtje të hapur të Janullatosit, Kapinova rreshtohet përkrah historianit shovinist grek Nikolas Stavros, i cili, në librin e vet me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj”, ka deklaruar botërisht:“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.

Kjo deklaratë e këtij historiani grek vërteton katërcipërisht se Janullatosi është Kali i Trojës për të vënë në jetë planet e Megaliidesë kriminale që zënë fill që prej vitit 1844. Prandaj Kapinova, duke marrë në mbrojtje Janullatosin, është vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit grekomadh, në shërbim të kishës shoviniste greke dhe të komisarit politik të shtetit shovinist grek në Tiranë, Janullatosit. Prandaj profesori i nderuar Rasim Bebo ka plotësisht të drejtë kur deklaron se Janullatosi është kancer në trupin e Shqipërisë. Prandaj profesori i nderuar Vedat Shehu ka plotësisht të drejtë kur deklaron se “Klajd Kapinova rekomandohet të dënohet si agjent sllavo-bizantin i Megaliidesë antishqiptare”.

Njerëz të kallëpit të tillë, tradhtarë të kombit shqiptar, të cilët janë shndërruar në sahanlëpirës dhe në vegla të verbra të të huajve, si puna e këtij Kapinovës që e ka katandisur veten në një copë dordoleci pa nder e pa dinjitet, me të cilin fshin këmbët Janullatosi dhe lobi antishqiptar grek në Amerikë, Gjergj Fishta i ka demaskuar pa mëshirë në veprat e tij poetike.

Lexuesit e nderuar atdhetarë që e kanë të shtrenjtë mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, le të lexojnë vargjet e mëposhtme të Gjergj Fishtës dhe aty do të zbulojnë Kapinovën e ditëve tona:

……………………………………….

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë…
A thue mos fola keq?… Po lypi t’falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n’zemër t’fryt m’e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s’don vendin,
A prej së tjerëve s’don me ia lshue rendin
A thue ai s’asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota…
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M’visar t’Atdheut me t’huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun’ prej t’huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t’i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?… 

………………………………………………..

Ju rrugaça sallahana,

vagabonda shakllabana,

rricna t’ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë me ne,

do t’na qelbi fis e atdhè?

Me siguri që Kapinova është i bindur se, prej shërbimit që po i bën shovinizmit grekomadh, si tellall i kishës shoviniste greke dhe si puthador shembullor i Janullatosit dhe i lobit antishqiptar grek në Shtetet e Bashkuara, si njeri “detyrë e nder harrue”, atij  “do t’i vijë çuda”, siç thotë Fishta i Madh. Domosdo, se Kapinova nuk mund të veprojë dot ndryshe. Se, siç i mbyll me shumë të drejtë profesor Vedat Shehu 13 pyetjet e veta për Kapinovën, “zagari leh atje ku ha”. Më se e vërtetë.

Santa Barbara, Kaliforni

13 shkurt 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: ben kauze, Klajd Kapinova, me historianin shovinist, Nikolas Stavros

NJË PRESIDENT ME (PA) TARAFLLËQE!?

February 11, 2014 by dgreca

  Nga Fadil LUSHI/

Sot votuesit shqiptarë dhe të përzgjedhurit e tyre politikë më shumë do të “parapëlqejnë që të përgojohen” për tolerancë të tepruar, për çallëm, megalomani provinciale, për mosunitet ndërpartiak dhe kohë pas kohe edhe për patriotizëm të rremë (sidomos tani në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në mos edhe ato të parakohshme parlamentare), sesa të akuzohen për arrogancë, shovinizëm, nacionalizëm dhe rebelizëm. Parashtrohet pyetja se a ka ndonjë njeri që do të mundet t’i përjashtojë këto përgojime, akuza pothuaj edhe etiketime që u ngjiten vijimisht shqiptarëve, etiketime që ndoshta edhe paraqiten si pengesa të politikës sonë në rrugëtimin e saj drejt strukturave euroatlantike. A mos vallë partitë politike shqiptare që veprojnë në Republikën e Maqedonisë, edhe kësaj radhe do të duhet të ballafaqohen me inatet e tyre homerike, a mos vallë edhe kësaj radhe do thyejnë kokat e njëri-tjetrit në kërkim të një kandidati  konsensual (gjithsesi maqedonas), për president shteti! A mos vallë edhe kësaj radhe do t’u mundësojmë të tjerëve të na paragjykojnë për politikëbërje joparimore. A mos vallë partive politike shqiptare edhe kësaj radhe do t’u mungojë “takati mental karshi shkrirjes së akullit antarktik”(!?) (që shumë vështirë se do shkrihet edhe në këtë pranverë), a mos vallë nuk do të mund ta  mbulojnë me beton atë gropë të madhe dhe të zezë që është e mbushur me gjymtime, ndasi, makiavelizëm provincial dhe mbase edhe me inate histerike! A mos vallë edhe kësaj radhe edhe dreqi do të ikë nga “kjo vaki”, e lëre më ai qytetari  i rëndomtë të cilit e gjithë kjo as që i hyn në punë. E gjithë kjo që u tha më lart sikur shqiptarëve nuk u mjaftoi sidomos përvojat e deritanishme mbase të hidhura. Pse shqiptarëve u duhet gjithë ky vrap sa i përket kërkimit të një figure politike dhe karizmatike për president shteti (që (nuk) do t’u shkojë për shtati të gjitha komuniteteve). Pse ky kërkim figure duhet të bëhet lajm i ditës, një lajm bajat, i zbehtë, sidomos për ata që nuk kanë kurrfarë roli në tregun politik të Maqedonisë. Dhe, tani, shqiptarët ç’duhet të presin nga zgjedhjet presidenciale. Do të themi, asgjë të veçantë.

Për partitë politike shqiptare, sot, nuk është me rëndësi emri dhe mbiemri i kandidatit (qoftë ai të jetë edhe konsensual), me rëndësi është se çka do të “prodhojë” ai në mandatin pesëvjeçar, a do të jetë një kopje e zbehtë e këtij që aktualisht është në detyrë apo diçka tjetër! A do të duhet që shqiptarët t’i besojnë edhe më tej historisë së deritanishme që llafos ciklin e zgjedhjeve të organizuara qofshin ato vendore, parlamentare a edhe presidenciale. Kjo histori ka treguar se partitë politike maqedonase si VMRO-DPMNE, LSDM e të tjera, sa herë kur kanë qenë fjala për partitë politike shqiptare (PPD, PDSh, BDI, RDK e të tjera parti), aq herë do të  rreshtohen në një front të vetëm politik…, dhe po aq herë do të na urrejnë për vdekje. A mos vallë partitë politike shqiptare nuk kanë nevojë për këtë “përvojë” maqedonase, apo edhe më tej duhet të nënshtrohen dhe t’u besojnë deri në fund marrëveshjeve politike që nuk respektojnë parime dhe standarde…, marrëveshje të njëanshme, të papërgjegjshme, të pandershme…, që nëpërkëmbin idetë e të tjerëve apo institucionin – mendim ndryshe.

Politikës së Shkupit nuk i duhet ai “ruleti i kazinosë ku hidhen zaret me emra të shkruar të kandidatëve të mundshëm për president shteti”! Në këtë gjysmëshekull nga mëvetësimi, Republikës së Maqedonisë i duhet një intelektual i rafinuar, një njeri i cili do mbajë shikimin a vështrimin nga Europa…, një politikan (por jo vetëm politikan) i cili nuk do të lejojë që virtytet e tij të shndërrohen në gjymtime, një figurë e ndritur dhe e urtë, i duhet një personalitet me një kostum politik krejt tjetër, i duhet një figurë që në rrethana të caktuara politike, do ta njohë dhe do ta respektojë deri në fund institucionin e dorëheqjes! Maqedonisë do t’i duhet për president “një aristokrat i fjalës dhe i mendimit politik…”, një personalitet që do të jetë i sajdisur a i respektuar nga të gjithë shqiptarët. Duhet patjetër të jetë një president, i cili kurrën e kurrës nuk do të lejojë që për çfarëdo kapricesh politike t’u nënshtrohet urdhrave të diletantëve dhe xhelatëve politikë…, një figurë me moral të ri. Presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë do të duhet të zotërojë të gjitha kompetencat që i takojnë me Kushtetutë, një president që do të duhet të jetë mbi të gjitha palët politike, një president që nuk ka nevojë për “mentor politik, qoftë ai të jetë edhe gjeniali i diplomacisë maqedonase”(!)…, ai nuk duhet të lejojë që prej tij të bëjnë një “kukull politike”!

Sot, Maqedonisë, “si shtet gjysmëshekullor”, nuk mund t’i propozosh gjithfarë emrash për president shteti, nuk mund t’i propozosh edhe asi emrash që prej fillimi do t’u mungojë “… ndjenja e përgjegjësisë dhe integriteti intelektual”, siç do të thotë Max Veber…, asaj (Maqedonisë) nuk mund t’i propozosh politikan, të cilit do t’i mungojë guximi që “kryeministrit t’ia plasë derën para hundës apo edhe ndonjë politikani tjetër me ndikim”! Maqedonisë duhet t’i propozosh një njeri a një personalitet që do të  “… prezantojë-përfaqësojë shumatoren e vlerave dhe interesave të shqiptarëve dhe të tjerëve…, një personalitet që shquhet në fushën e shkencës, kulturës, politikës…, një njeri që do të nderojë kulturën dhe gjuhën e të tjerëve…,” një njeri i cili nuk do t’u shërbejë klaneve të partive politike dhe makiavelizmit të tyre…, një njeri që do t’i bindet kushtetutës dhe ligjeve të vendit…, një njeri që do të gëzojë reputacion ndërkombëtar në profesionin e tij…, një personalitet që me lehtësi dhe pa ndjenjën e inferioritetit do të mund të ngjitet shkallëve të diplomacisë evropiane, një intelektual që do të perceptohet a dallohet me zërin e tij të kualifikuar.

Njeriu i cili do të jetë president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë në radhë të parë duhet t’i shërbejë popullit, duhet t’i shërbejë Kushtetutës, duhet t’i shërbejë përgjegjësisë, duhet t’i shërbejë institucionit të kujdesit dhe jo partive politike, kryeministrit e të tjerëve…, ai nuk duhet t’u “shërbejë çudirave”, por së vërtetës.

Dikur shteti i Shqipërisë u kishte kërkuar Gjermanisë dhe Italisë dëmshpërblime lufte. Ata kishin qeshur duke thënë: “Në Shqipëri nuk kemi shkatërruar gjë, sepse Shqipëria s’kishte gjë për t’u shkatërruar…, ne në atë shtet vetëm ndërtuam! Rruga e parë nacionale në Shqipëri u ndërtua nga Italia fashiste”! Kjo pa fije dyshimi është një e vërtetë e madhe dhe, kështu siç shpjegohet, assesi nuk mund të kontestohet, siç nuk mund të kontestohet edhe hiseja e partive politike shqiptare në ndërtimin e pluralizmit politik në Republikën e Maqedonisë, sidomos në pjesën e ndërtimit të institucionit kushtetues siç është ai presidenti i shtetit!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, me(pa) taraflleqe, nje president

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 922
  • 923
  • 924
  • 925
  • 926
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT