• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË PALËKUNDËSHME JANË MARRËDHËNJET AMERIKANO-SHQIPTARE

December 2, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javët e fundit dukej sikurë marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po kalonin nepër një periudhë “prove” dhe ankthi, si përfundim i refuzimit të Shqipërisë që të pranonte shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj,  kërkesë këjo që Shtetet e Bashkuara i paraqitën një numëri vendesh, përfshirë Shqipërinë.   Mënyra se si Tirana zyrtare e trajtoi këtë çështje ishte subjekt i dy tre shkrimeve të mëparshme, andaj kësaj radhe deshta vetëm të theksoj se si ky rast pasqyroi edhe një herë rëndësinë dhe angazhimin e palëkundshëm që Uashingtoni zyrtar u kushton marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, pa marrë parasyshë ndonjë pengese ose keqkuptimi të përkohëshëm të rastit, siç ishte vendimi për shkatërrimin ose jo të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.   Janë raste të tilla, kur me të vërtetë provohen marrëdhënjet midis shtetesh.   Marrëdhënjet midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqipërisë e Shqiptarëve treguan se janë të qendrueshme dhe miqësore, ndonëse edhe  në kohë krizash e sprovash e treguan qendresën dhe cilësitë e karakterit të tyre.

Historikisht, Uashingtoni i ka konsideruar marrëdhënjet me kombin shqiptar si të veçanta, madje edhe pas përjashtimit të diplomatëve amerikanë  më 1945 dhe prerjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe më pas gjatë periudhës së Luftës së Dytë botërore.  Udhëheqsit më të lartë amerikanë, në të shkuarën dhe tani, përfshirë Presidentin Barak Obama kanë ritheksuar për të satën herë marrëdhënjet e forta dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve.  Këjo shprehje e miqësisë midis dy vendeve  nuk mungoi as në mesazhet që përfaqsues të politikës dhe diplomacisë amerikane i dërguan Shqipërisë javën e kaluar me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë.   Në mesazhin  që Presidenti amerikan, Barak Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  shkruan se, “Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.”    Presidenti Obama, në letrën e tij drejtuar presidentit Nishani, flet për bashkpunimin e ngushtë midis Uashingtonit dhe Tiranës në fushën ndërkombëtare dhe atë rajonale duke thënë:  “Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqës dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.”   Duke shikuar drejtë zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënjeve në të ardhmen, udhëheqsi amerikan, shpreh gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë, dhe përfundon mesazhin e tij, duke u shprehur se  “Pres që të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona në të ardhmen.”  Ai shtoi duke thënë se, “Ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”, përfundon mesazhin e tij Presidenti amerikan Barak Obama.

Nuk mungoi as Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Xhon Kerri, i cili në mesazhin e tij duke uruar Pavarësinë e Shqipërisë, vlerësoi ato që ai tha se ishin, “hapa të rëndësishëm që kishte bërë Shqipëria drejt mbajtjes me sukses të zgjedhjeve shumëpartiake”.   Kryediplomati amerikan theksoi gjithashtu bashkpunimin e ngushtë midis dy vendeve në fushën ndërkombëtare dhe shtoi se, “Kalimi paqësor i pushtetit dhe përparimet në fushën e legjislacionit këtë vit”, thuhet në deklaratë, “nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.  Duke shkruar se Shtetet e Bashkuara, “mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe të reformave ekonomike”, kryediplomati amerikan shpreh optimizmin e tij se Shqipëria do të plotësojë kërkesat e Bashkimit Europian duke përfunduar se vendi i tij, mirëpret, “rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.

Përveç përfaqsuesve kryesorë të degës ekzekutive të qeverisë amerikane, edhe  përfaqsuesi i degës legjislative, Senatori i shtetit të Nju Jorkut, Çarls Shumer — në një deklaratë botuar në gazetën Dielli — tha se e ka “për nder t’i urojë Shqipërisë dhe shqiptaro-amerikanëve Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane” dhe shton se, “është nder për mua që të ve në dukje dhe të ripohoj lidhjet e ngushta midis këtyre dy kombeve të mëdha, si dhe angazhimin tim personal ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan.”   Senatori amerikan Shumer uroi gjithashtu “Shqipërinë për rritjen ekonomike dhe përparimet shoqërore  që janë bërë gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që vendi po punon drejtë antarësimit të tij në Bashkimin Europian.”

Ndryshe nga marrëdhënjet, “miqësore” të Shqipërisë gjatë 50-viteve të kaluara me shtete të ndryshme komuniste, si ish-Jugosllavia, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina komuniste, marrëdhënje këto që bazoheshin në ideologjinë komuniste dhe në kultin e personalitetit të udhëheqësve, siç ishte Tito, Stalini e Mao Tse Tungu — marrëdhënjet e Shteteve të Bashkuara me kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk i kushtohen ndonjë politikani as ndonjë ideologjie as ndonjë partie politike, por konsiderohen si marrëdhënje popull me popull, pa marrë parasyshë se cili person ose cila parti udhëheqë qeverinë shqiptare, përderisa ata të kenë ardhur në pushtet me anë të votës së lirë.  Ishte mungesa e votës së lirë, ose refuzimi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira më 1945 dhe si rrjedhim disa muaj më vonë, Uashingtoni mbylli misionin e tij diplomatik në Tiranë.

Pak më shumë se 22-vjetë më parë, Shqipëria më në fund iu përgjigj miqësisë së Shteteve të Bashkuara me miqësi, dhe me 15 Mars, 1991, përfaqsuesit diplomatikë të dy vendeve nëshkruan memorandumin për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis dy shteteve.  Ky ishte një fillim i ri për marrëdhënjet amerikano-shqiptare, por njëkohësisht hapi derën e pëpjekjeve që Shqipëria të integrohet në organizmat ndërkombëtare, përfshirë edhe antarësimin në NATO.  Gjatë kësaj periudhe edhe Shqipëria është treguar e denjë e kësaj miqësie, si dhe një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara ndërkohë që  ka përkrahur përpjekjet anti-terroriste të Shteteve të Bashkuara dhe ka dërguar qindra ushtarë si pjesë e forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në Afganistan dhe në Irak.

Duke folur për marrëdhënjet amerikano shqiptare, Fan Noli  ka thënë se  Shtetet e Bashkuara kishin  në Abraham Linkolnin një president i cili nuk mund të toleronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm skllave.  Amerika, ka thënë Noli, në figurën e Presidentit Uodrou Uilson kishte një president i cili nuk duronte një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm në skllavëri.   Një prioritet kryesor i politikës amerikane karshi Shqipërisë ka qenë dhe është procesi i integrimit të Shqipërisë në Europë, ashtuqë që Shqipëria të bëhej pjesë e botës së lirë.  Administratat amerikane, qofshin ato të partisë republikane ose demokrate e kanë bërë vazhdimisht të qartë, se pa marrë parasyshë mosmarrveshjet ose keqkuptimet, nga koha në kohë midis dy vendeve,ato janë të një natyre midis miqësh dhe aleatësh.   Dhe se politika e Uashingtonit, siç demonstrojnë edhe deklaratat e javës së kaluar të udhëheqsve më të lartë amerikanë drejtuar Shqipërisë me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë së saj, mbetet një politikë e marrëdhënjeve të interesit të përbashkët dhe e angazhimit serioz e diplomacisë amerikane për një Shqipëri stabile dhe të begatë, në paqë me vetveten dhe me të tjerët.  Njëkohësisht, diplomacia amerikane vazhdon të jetë një politikë që përkrahë aspiratat e kombit shqiptar për integrimin e tij në të gjitha organizatat euro-atlantike duke inkurajuar forcimin e rendit dhe zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupcionit dhe zhvillimin e mundësive dhe të drejtave ekonomike për secilin qytetar shqiptar.

Megjithë përparimet e dukshme në marrëdhënjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pas 22 vjetësh të rivendosjes së lidhjeve diplomatike shqiptaro-amerikane, mbetet ende shumë për tu bërë në marrëdhënjet dypalëshe.  Por duke gjykuar nga deklaratat e fundit të përfaqsuesve më të lartë të diplomacisë amerikane, madje edhe “prova” e armëve kimike siriane u tejkalua pa ndonjë dëm të madh, megjithëse kishte njerëz që pritshin që ky episod të shkaktonte probleme serioze në këto marrëdhënje shembullore midis dy kombeve tona.  Përkundrazi, episodi i armëve kimike siriane dhe refuzimi i shkatërrimit të tyre në territorin shqiptar  nuk shkaktoi asnjë dëm në marrëdhënjet e tanishme as në të ardhmen midis dy vendeve.  Në mesazhin që Presidenti Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, ai tha se, “Pres që në të ardhmen të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona dhe njëkohsisht ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike” dhe drejtë një të ardhëme më të mirë, më stabile dhe më të begatë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.  Të pakën ky është angazhimi serioz dhe i palëkundshëm i udhëheqësve më të lartë të politikës dhe diplomacisë amerikane.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, mardhehniet, shqiptaro-amerikane, te palekundshme

JO 29 NËNTORIT – E MAJTA TË MOS RILINDË ME RETORIKË, POR ME VEPRA!

November 29, 2013 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.
Sot më 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup, e tjetra për Shkodër, si dy drejtëza që vrapojnë në drejtime diametralisht të kundërta.
Kemi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit gjermane. Këtë dilemë e kanë zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografët që e retushuan historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit. Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit. Dhe shoqëria sa vjen 29 nëntori thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston tjetra e mohon. Por edhe kjo që e mohon, pseudo e djathta e mohon sa për show. Sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku dhe jo vendi ku krijohet statura e shtetit.
29 nëntorin e respekton edhe Presidenti i Republikës, kësaj here si përfaqësues i unitetit kombëtar! Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28 nëntorin! Jo! Presidenti i Republikës kështu respekton ndarjen dhe përçarjen kombëtare!
29 nëntori është një nga simbolet që denoncon thelbin e katrahurës të kaosit politik këta 23 vjet. 29 nëntori është njëri nga simbolet që ka lidhje me problemin thelemor i cili duhet të zgjidhet një herë e mirë nga politika shqiptare. 29 nëntori është vija e kuqe që ndan të djeshmen me të sotmen dhe që obligon dekomunistizimin e shtetit e shoqërisë shqiptare.
I pyes politikanët e së majtë, duke nisur prej kryeministrit të Rilindjes nëse e konsideron 29 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë, kur në vend u vendos një sistem totalitar barbar? Këtë pyetje ia drejtoj edhe të majtës!
Lufta partizane nuk ka asnjë lidhje me 29 nëntorin. Lufta antifashiste duhet të vlerësohet, ashtu si edhe dëshmorët e saj dhe të gjithë ata që i kontribuan. Kush konfondon Luftën antifashiste me 29 nëntorin, ose është i marrë ose synon vazhdimin e çoroditjes të shqiptarëve drejt një konfrontimi social.
Siguria, stabiliteti i vendit, ashtu si dhe standartet e një vendi demokratik nuk tolerojnë dilema të tilla. Prandaj i bëjmë thirrje politikës që ta vendosë në prioritetet e saj sanksionimin e parimeve themelore përmes Kushtetutës  ku Shqipëria përcaktohet eksplicitivisht si një demokraci perëndimore.
Në fund të fundit, e përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur kjo ditë shënon instalimin e një diktature!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet pikërisht me emrin e diktatorit Hoxha, regjimi i të cilit i masakroi shqiptarët dhe izoloi e bunkerizoi vendin?
Le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit. Le të jetë 5 Maji. Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin.
Ka ardhur momenti kritik kur politika shqiptare duhet të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe, e cila është e parehabilitushme.
Liderët e të majtës të mos bëjnë lojra në pikën që dallon civilizimin Perëndimor nga totalitarizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre. Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Po ashtu, as e majta dhe as trashëgimtarët biologjikë nuk mbajnë asnjë qendrim mëshirues dhe nuk lypin as ndjesë për viktimat e diktaturës.  Gjermania vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka 70 vjet që ka përfunduar!
Po ashtu e majta vazhdon të ketë si gazetën e saj, Zërin e Popullit, themeluar nga diktatori, që për 50 vjet u ka shplarë trurin shqiptarëve.
Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shqipëria rrezikon të degradojë sepse është një shtet pa rregulla, pasi mban qendrim konfondues dhe aspak të qartë ndaj të shkuarës, ku përfshihet edhe 29 nëntori.
E majta shqiptare ka plot argumenta që kjo datë të mos jetë data e çlirimit të Shqipërisë, sepse populli shqiptar u çlirua nga nazizmi por vari në qafë vargojtë e diktaturës. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve, që diktatori i likuidoi gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli prej paranojës staliniste, që e majta të reflektonte për të rilindur me vepra jo me demagogji.
Nëse e majta e pranon që periudha 50 vjeçare e diktaturës ishte një regjim mizor, kriminal, antishqiptar, antinjerëzor që mbolli vdekjen, frikën, izolimin, luftën e klasave, depersonalizmin, varfërinë dhe katastrofën kombëtare, atëherë duhet të ketë një reagim adeguat.
Nëse e pranon realitetin që ka ndodhur për 50 vjet diktaturë, atëherë duhet të gjejë kurajo për të reaguar në mënyrë civile dhe të përgjegjëshme, çka e kërkon domosdoshmërisht formati i një shteti demokratik.
Nëse nuk e pranon, dihet përgjigja!

Filed Under: Analiza Tagged With: 29 nentori, E majta, Elida Buçpapaj, retorika

Flamuri i aneksimit te Shqiperise ne Dervican ne prani te Janullatosit

November 29, 2013 by dgreca

Në Derviçan shpaloset Flamuri i Aneksimit të Jugut të Shqipërisë, i pranishëm edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos/

 Nga Arben LLALLA/

Kur ofrova për lexuesit të dhëna rreth origjinës nga Çamëria të kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit kisha parasysh rrënjët e tij të gjakut shqiptar, por jo ndërgjegjen e tij kombëtare.

Sot do të sjellim fotografitë ku shihen qartë ngritja e flamurit për Aneksimin e Jugut të Shqipërisë (Autonomis së Vorio Epriti) në Derviçan më 15 Gusht 2013, në festën e Zonjës së Madhe (Panagias) ku i pranishëm ishte edhe kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anasasios. Besoj se hirësia e tij Anastasios nuk do të mohojë pjesëmarrjen e tij gjatë shpalosjeve të simboleve antishqiptare që provokojnë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.

Më 15 Gusht 2013 në sheshin e fshatit Derviçan gjatë festës fetare dhjetra të rinjë kishin veshur bluze me simbolet të ushtrisë së andartëve grek që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitin 1914 dhe shpallën shkëputjen e jugut të Shqipërisë duke krijuar një qeveri fantazmë me ministra të ardhur nga Athina.

Tolerimi i shtetit shqiptar ka bërë që në fshatrat ku jeton minoriteti grek të zhvillohen aktivitete antishqiptare që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe nëse ne reagojmë grekët do na të ngrenë akuza pa argumenta si nacionalistë. Kjo është metodë klasike për tu kyçur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Siç duket afrimi i 100 vjetorit të shpalljes së Auronomisë së Vorio Epirit (17 Shkurt 19142014), ka ndezur zemrat dhe shpirtrat e disa minoritarëve grek që nuk duan fqinjësinë e dy vendeve por acarimin e tyre duke zhvilluar aktivitete të ndryshme antishqiptare në territorit e Shqipërisë. Nuk është hera e parë që grekët e sotëm i çojnë të vdekurit e mëdhenj prej varrit që ti shfrytëzojnë për nevojat e veta, duke i treguar kështu në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë. Sëmundja greke për një aneksim të jugut të Shqipërisë, për një autonomi politike nuk janë ndjenjat anë të jashtme të tyre. Ato i kanë rrënjët në vetëdije dhe në nënvedije, në mentalitet, në dëshira e pasione, ku të shprehura, ku të pashprehura, të realizueshme e të parealizueshme, ato vijnë prej thellësive të historisë njerëzore për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.

 Vërej: Pas botimeve të dy studimeve të mia në lidhje për origjinën shqiptare të kryetarit të Greqisë z.Karlos Papulia dhe të kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit, ka patur disa reagime të publicistëve grek në gazetat e printuara dhe elektronike, por unë do ti këshilloja që të reagonin me kundër argumenta dy personalitetet me ndërgjegje kombëtare greke z.Papulia dhe z.Janullatos për origjinat e tyre shqiptare, pra atë të gjakut dhe jo të reagojnë disa papagaj që vetëm çirren me akuza politike.

(Ne Foto: Te rinjte ne Dervican me flamurin e pavaresise se jugut te shqiperise, 15 gusht)

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, flamuri i aneksimit te jugut, Janullatos, ne Dervican

KRYEHEROI ADEM JASHARI DËSHMON DIFERENCAT POLITIKE E PUBLIKE TË LULZIM BASHËS ME EDI RAMËN

November 28, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.

Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)

Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.

Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor,  bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.

Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi  deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji

Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Lulzim Basha, Ramiz Lushaj

Masakra është e ndaluar në fenë Islame

November 27, 2013 by dgreca

Nga Ervin SHKULAKU/

Para disa ditesh doli video ku kryetari i partisë AAK në një pronocim në një media te huaj tregonte diçka nga jeta e tij personale rreth besimit në Zot. Fatkeqësisht menjëherë filluan debatet në Kosovë. Menjëherë grupet fetare filluan që të bejnë komentë fyese në drejtim të kryetarit të kësaj partie. Gjithashtu për shkak të klimës zgjedhore edhe partitë e tjera po kënaqen nga ky sulm ne drejtim të kryetarit në fjalë.

Unë i kam dy fjalë në drejtim të kryetarëve të grupeve fetare. Fillimisht në fene Islame nuk ka dhune në fe. Por po ndodh e kundërta me ju kryetarë që çdo dite dilni duke u munduar që të krijoni një “perëndimfobi” në Kosovë. Ju ftoj të shikoni videot në Youtube ku grupet fetare në emër të Zotit  në Siri po bëjnë vrasjet më mizore. Këto lloj vrajse nuk janë bërë kurrë në luftrat e kohës së profetit. Atëherë pse po luftojnë shqiptarët që kane shkuar në atë luftë? Ata të gjorë u mashtruan sepse nuk e dinin që atje është luftë civile. Pamjet tregojnë qarte qe duke jua prere kokat njerëzve bertasin emrin e Zotit. Masakra është e ndaluar në fenë Islame, prandaj ju bej thirrje shqiptarëve myslimanë mos u mashtroni nga tregimet shumëshekullore, mos lejoni që të tjerët tju frikësojnë me Zot’in. duajeni Zotin dhe mos lejoni të tjerët tju frikësojnë me Zotin. Askush prej atyre drejtuesëve te grupeve fetare nuk k ate drejtë të bëjë thirrje për luftë e ti çojë njerëzit në luftë për të vdekur. Nëse ju besoni që ka xhihat atëherë bëjeni xhihatin duke mesuar, duke lexuar libra. Mos u bëni pjesë e grupeve fetare sepse në këtë mënyrë ideologjia e tyre do ju bëjë më agresivë dhe do ju bëjë që të mos I doni njerëzit që janë pjesë e saj. Merrni shembull Sirinë ku sot është future në një rrugë pa krye. Njërëz të të njëjtit besim po vriten me njër, tjetrin. Shikoni dhe analizoni gjëndjen e sotme dhe jo nostalgjinë e shumë shekujëve më parë. Nëse mendoni që bota pot ë udhëhiqet nga myslimanë do të jetë e drejtë gaboheni. Bota asnjëherë nuk do jetë me atë drejtësi që degjoni nga prijësit fetarë. Do të jenë përseri këta prijës që do të udhëheqin dhe në emër të Zotit do të bëjnë shumë ekzekutime. Por edhe sot mos mendoni që myslimanët janë të varfër. Sot njerëzit më të pasur në botë janë Arabë. Po po arabë janë por ju do thoni që këta Arabë janë mashtruar nga perendimi. Nuk është e vërtetë sepse pikërisht këta njërës po lejojnë që të bëhën vrasje masive në shtetet Arabe. Edhe janë po këta njerëz që I financojnë të gjitha grupet fetare.

Nëse sot feja Islame ka një imazh të keq, shkaku I këtij imazhi të keq nuk ka faj perëndimi por pikërisht “perëndimfobia” që është krijuar në lindje.

Sot Siria po shkon në ndarje. Në një pjesë e saj po krijohet pjesa Kurde, gjithashtu sipas një shkrimi të djeshëm të gazetës Turke Taraf grupet Selefi, po masakrojnë fiset Turkmene në kufirin midis Irakut e Sirisë. Arsyeja e masakrimit është që keto fise kanë dalë nga feja pavarësisht se janë të besimit Islam. Gjithashtu sipas tyre femrat e tyrë merren robëresha sepse kështu janë rregullat e fesë.

Gjithashtu në fenë Islame lirija e besimit respektohet. Por gjithmonë del në media ku nuk respektohet besimi në Evropë. Po në Lindje sa respektohet liria e besimit? Fatkeqësisht është pothuajse shumë pak. Nëse sot një katolik shkon për vizitë në Irak, Siri, Afganistan, Liban, Somali etj, ai ka shumë pak mundesi te jetojë biles

Prandaj që çdo njeri ka të drejtë që të respektojë besimin e tjetrit, qoftë ky edhe kryetar partie.

* Bashkepunetori i Gazetes Dielli, Ervin Shkulaku eshte Korespodent  i gazetes  ZAMAN/Turqi

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ervin Shkulaku, turp te keni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 929
  • 930
  • 931
  • 932
  • 933
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT