• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në kurth: Fitoi luftën, po rrezikon paqen

October 27, 2015 by dgreca

NGA DALIP GRECA/
Kosova në Kurth. Ka rënë në kurthin e vetëvetes. Me ndihmën e aleatëve të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës (Kjo e fundit e penduar për padrejtësitë historike ndaj Kombit Shqiptar), fitoi luftën, por tash, 16 vite pas fitores, 7 vite pas shpalljes së Pavarësisë, e dehur nga Liria, ka rënë në kurthin e vetëvetes, po humbet Paqën.
Kryearkitekti amerikan i betejës finale, që udhëhoqi kualicionin(defacto) Presidenti Bill Clinton, në agimin e Lirisë së Kosovës, ua pat lënë një mesazh kuptimplot shqiptarëve të Kosovës:”Ne e fituam Luftën, por dëgjoni-Paqen mund ta fitoni vetëm Ju”!
Shkrimtari Ismail Kadare shkroi 12 vite pas lufte se: “Fraza e famshme e Presidentit Amerikan Clinton, të fitojmë Luftën, por të mos humbim Paqën, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqsisht, i saktë”!
Përse nuk e dëgjoi Kosova këtë këshillë? Përse nuk e mori në sy këtë paralajmërim që vinte nga Atdheu i Presidentit Willson?
Duket se liderët e Kosovës, klasa politike, me naivitetin e saj, me padurimin e saj të skajshëm, me ngrefosjen burracake, me mllefin për kundërshtarin politik deri në urrejtje, po i bënë gropën lirisë në Kosovë, po e minon Paqen, duke e bërë të pasigurtë të tashmen e duke rrezikuar të ardhmen.
Harresa është vetëvrasje. Duket se Kosova e harroi shpejt pushtuesin serb që për një shekull e robëroi dhe ia vrau lirinë. Tek përgatiste opinionin publik botëror që ta pranonte luftën e kualicionit SHBA- EUROPE; të pranonte bombardimet e NATO-s mbi Serbi, Presidenti Clinton, u qante hallin shqiptarëve dhe kësisoj bëhej avokat i popullit martir të Kosovës, që po kanosej nga një katastrofë shfarosëse, ku popullsia kishte marrë arratinë, kishte lënë shtëpitë dhe endej natë e ditë maleve, pyjeve, ku fëmijë, pleq, gra, mbanin mbi kokë rrezikun e vdekjes, dhe Presidenti jepte shpresa:”…Ata do të kthehen…dhe kur të kthehen do të jenë të sigurtë. Do të kenë mundësi t’i rihapin shkollat e tyre, të flasin gjuhën e tyre, të ushtrojnë fenë e tyre, të zgjedhin liderët e tyre(ndoshta jo këta që kanë sot-shënimi im dg) dhe farkëtojnë fatin e tyre. Nuk do të ketë më ditë të mbushura me kërkime ushqimesh në mes të ftohtit të maleve e të pyjeve; nuk do të ketë më net fshehjesh nëpër qilare, duke vrarë mendjen nëse e nesërmja do të sjellë vdekje apo shpëtim. Ata do të mësojnë se ushtria e Millosheviçit dhe forcat e tij paramilitare do të largohen; fushata e tij 10 vjeçare e shtypjes do të marrë fund…”. Presidenti Bill Clinton dhe Amerika e mbajtën fjalën, Millosheviçi me ushtrinë e tij vrasëse u përzunë nga Kosova, po ku është Liria? Atë po e vret përditë, pa mëshirë klasa e vet politike, që i mungon atdhedashuria dhe inteligjienca.
Përdorimi i mjetëve luftarake në Tempullin e Drejtësisë, ku hartohen Ligje për Paqen është dhunuar në ekstrem. Vendi është buzë greminës, ndërsa klasa politike, kërkon ta fundosë i t’i japë rrokullimën. Nuk mund të zgjidhen mospajtimet me akte terroriste në Parlamentin e Republikës. Klasa politike është e barrikaduar ekstremisht në mënyrë të papajtushme, pa lënë vend për mjetet demokratike siç është dialogu.
Gjendja duket e pashpresë- Opozita i ka dekonspiru mjetet e saj; bllokadë dhe protesta , në kundërshtim me katër marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Nga ana e saj, Qeveria e ka deklaruar publikisht se nuk tërhiqet nga marrëveshjet me argumentin se në to nuk ka tradhëti Kombëtare dhe se janë nënshkruar në konsulencë me faktorin ndërkombëtar? Cila është e vërteta dhe cila e pavërteta? Ose Qeveria ka tradhëtuar Kosovën dhe i ka dhuruar tokat shqiptare Malit të Zi, përveç Asoscionit në komunat serbe, ose opozita ia fut kot duke manipuluar opinion publik, edhe me ndihmën e mediave. Natyrisht, njëra nga të dyja gënjen, ose qeveria ose opozita. Po cila është zgjidhja në këtë situatë kaosi? Gazilotsjellës? Dhuna? Natyrisht jo, demokracia ka mjetet e saj, ka foltoren e Kuvendit, ku debatohet, në asnjë mënyrë nuk janë mjetet e terrorizmit ato që çojnë në zgjidhjen e problemit, përkundrazi, ato vënë në kërcënim Paqën.
Personazhet e rebelimit duket se vuajnë ca nga mllefi, ca nga padurimi, por ca edhe nga harresa. Ka ndodhë ajo që konstatonte shkrimtari Kadare tek ”Mbi Krimin në Ballkan”. Është harruar e djeshmja, nuk u zbardhën krimet, nuk u vunë para drejtësisë kriminelët. U harrua pushtuesi. Krimi mbeti i pandëshkuar. Kosova nuk arriti të bëjë transparencën e krimit dhe ai, krimi dhe kriminelët mbetën të pandëshkuar deri në fund. Tani krimi është në sulm. Serbët po përfitojnë. Beogradi po fërkon duart duke i tundur gishtin Amerikës dhe Europës: Ju thamë, ata(shqiptarët) nuk dijnë të bëjnë shtet….Mos e pranoni Kosovën në UNESCO se kosovarët po shkatërrojnë Parlamentin e tyre, e jo të ruajnë kishat tona!…
Ramush Haradinaj, që duket inatçor, pasi fitoi Gjyqin e Hagës, nuk po fiton gjyqin e arsyes, gjyqin e paqës. Zoti Haradinaj duhet të çojë ndërmend edhe amanetin e dëshmorëve, që dhanë jetën për liri, jo për karriget e pushtetit. Dhuna revolucionare përbën aksion komunist, ndërsa gazi lotsjellës në Parlament, nuk është më pak se sa akt terrorist, i dënushëm nga ligjet që ka hartuar Parlamenti, ku është deputet edhe Ramushi, dhe Albini dhe Ftamir Limaj e Co!
Kosova nuk e ka kryer detyrën në zbardhjen e krimit shtetëror serb dhe tash po kriminon veten. Opinioni Botëror, siç konstaton Ismail Kadare, pikërisht ai që kishte nxitë qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim që të kryhej dëshmia shqiptare kundër krimit, por ajo vonoi, edhe sot nuk është realizuar, sepse vetë Kosova ka rënë në kurthin e armikut pushtues, në kurthin e harresës dhe të inkriminimit të vetes.Inteligjencia e saj, akademikët, historianët, jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por përkundrazi, kanë pranuar edhe mënjanimin publik nga arena e ngjarjeve politike dhe kombtare!
Eshtë pozitiv fakti që në Kosovë kemi në krye të shtetit një grua, zonjën Atifete Jahjaga, (edhe pse burrat e opozitës nuk ia dëgjojnë fjalën). Po ashtu, përfshirja e disa femrave në radhët e Kuvendit, përbën shenjë emancipimi për shoqërinë konservatore kosovare, mirëpo ka ndër ato gra që tentojnë të bëjnë punët e burrave. Është një deputete grua në parlamentin e Kosovës, Deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, më e zellshmja në punët e burarve të fortë, të atyre që hedhin lëndë plasëse në Kuvend, që duket se i kaluar limitet e gjinisë. Është pritë tjetër gjë nga Donika apo dhe nga koelget e saj femra në Kuvend: Në mos mundeshin që të ngrinin dinjitetin e femrave në Kosovë edhe përmes Faltores së Parlamentit, të paktën të bëheshin avokate te femrave të përdhunuara në kohën e luftës nga kriminelët serbë, krime të pandëshkuar, edhe për faj të Kosovës. Një nga krimet më monstruoze të shekullit që shkoi, që ka tronditë botën e civilizuar. Si mund të ndjehet e qetë kjo deputete dhe koleget e saj, kur krimi serb i përdhunimit të rreth 20 mijë femrave Kosovare mbetet i padenocuar,i pa dënuar, i pazbardhur ? Ç’i duhet kësaj gruaje me lëndët plasëse dhe punët e rambove të Kuvendit? Kanë shumë halle femrat Kosovare, që mund t’i zbusnin sado pak Donika me deputete femra të Kuvendit të Kosovës.
Burrat e politikës së Kosovës duket se kanë harruar të djeshmen dhe vazhdojnë ta harrojnë çdo ditë. Paslufta i ka gjetë ata të etur për pushtet, për para dhe Lavdi. Ngrehosja se do t’ia përmbysin karrigen kundërshtarit me çdo mjet, i ka verbuar para fateve të shtetit të brishtë, që ende nuk ka njohjen e domosdoshme nga Kombet e Bashkuara.
Burra dhe gra të Kosovës: Largojuni dhunës, kthejuni Demokracisë! Dialog, vetëm dilaogu të çon tek zgjidhja e problemit. Kjo aksiomë është vlerë e Demokracisë dhe klasa politike e Kosovës duhet ta përvetësojë dhe ta praktikojë. Jo më dhunë!

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, fitoi Luften, Kosova ne Kurth, po rrezikon Paqen

POZITË DHE OPOZITË DUHET TA GJEJNË RRUGËN E DIALOGUT

October 15, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/
Bllokada e kuvendit që po vazhdon me javë duke ndodhur edhe ditën e sotme ka ngritur tensionet nënjë shkallë dëshpëruese në Kosovë dhe kjo paraqet rrezik të një eskalimi të situatës së përgjithshme me pasoja të paparishikueshme. Keqpërdorimi i Kuvendit dhe përdorimi i dhunës brenda tij në shoqëritë demokratike janë të pa pranushme dhe si të tilla çdo kund gjykohen. Kuvendi është arenë dialogu dhe debati për probleme të ndryshme me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe askush nuk ka mandat nga të zgjedhurit e popullit, qoftë pozitë, qoftë opozitë t’ i mbyllë dyert e këtij institicioni më të lartë ligjevënes të shtetit tonë. Vurja e dryrit, kështu siç po i vëhet Kuvendit, duke përdorur metodat jo demokratike dhe jo ligjore, po i vëhet bllokada shtetit, të cilin siç e dimë të gjithë e krijuam me sakrifica të mëdha të të gjithëve, me gjak dhe vuajtje.Nuk kanë qenë të pakta edhe krizat tjera në të kaluarën që i shkaktuan partitë politike për të ardhur në pushtet. Tani kemi një situatë shumë më të ndërlikuar, do të thoshja tepër të rëndë, që u krijua për shkak të nënshkrimit të dy marrëveshjeve: asaj për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe Demarkacionit, vijës kufitare me Malin e Zi, ku opozita nxjerrë si pretekst se në të dy rastet është shkelur kushtetuta e Republikës së Kosovës, dersa pozita në pushtet i ka demantuar këto pretendime. Tani në vend të dialogut në Kuvend, ku do të bisedohej lidhur me këto dy marrëveshje, opozita ka zgjedhur rrugën tjetër të bllokimit, duke përdorur format e ndryshme të dhunës. Dihet se dhuna prodhon dhunën dhe ne jemi dëshmitarë të asaj çka ndodhi para pak ditësh në rrugë të Prishtinës. Mbyllja e dyerve të Kuvendit dhe pamundësia e shpjegimit të përmbajtjes së këtyre dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në prani të zonjës Mogorini, tek qytetarët e Kosovës, u krijua një situatë konfuze.Skenat e gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët e opozitës, ku ka edhe pasoja shëndetësore, flasin se ne ende jemi larg tolerancës parlamentare dhe respektimit të ligjeve që janë miratuar po nga deputetët. Fatkeqësisht me këto sjellje jo demokratike dhe jo parlamentare po krijojmë imazhin e keq në botë në kohën kur Kosova, këto ditë, me një shpresë të madhe do të pranohet në UNESKO dhe hapi tjetër do të jetë liberalizimi i vizave dhe inkuadrimi në proceset tjera në Bashkimin Europian. Patriotizëm është hapja dhe jo mbyllja, jo dhuna, po dialogu dhe respektimi i shtetit.Një gjë është e qartë se kushdo që mund të vijë në pushtet në të ardhshmën s’ do të ketë mundësi që këto marrëveshje të nënshkruara në prani të Bashkësisë Ndërkombëtare t’ i zhvleftësojë. Këtë e dinë edhe ata që janë kundër tyre dhe ata që kanë vendosur firmat mbi to. Po çka tash?Në një situatë të tillë të papërmbajtur, pozitë dhe opozitë, duhet të lënë interesat partiake dhe të mendojnë për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e popullit të saj, nga i cili u zgjodhën dhe të gjithë së bashku të gjejnë rrugën për të dalë nga kjo krizë e rëndë. Vetëm dialogu, toleranca dhe mirëkuptimi garantojnë sukses dhe asesi veprimet jashtëkushtetuese. Ky dialog mes partive politikë, pozitë dhe opozitë, duhet të ndodhë sa më parë dhe Kuvendi t’ i kthehet punës normale të miratimit të ligjeve dhe të kryrjes së obligimeve që ka në kompetencat e tij ndaj qytetarëve.Zgjidhja më e mirë sipas meje në këtë situatë të ndërlikuar për këto dy marrëveshje të nënshkruara në Bruksel do të ishte shpallja e një
referendumi ku populli do të përcaktoj, pasi që do të kishte marrë të gjitha shpjegimet e mundshme.
Populli pret nga qeveria dhe parlamenti të kryhen punët që kanë mbetur pa u përfunduar, siç është zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ndalja e korrupcionit, zbatimi i ligjeve dhe krijimi i besimit që është luhatur.Një përshkallëzim i gjendjes dhe qitja e njerëzve në rrugë do të ishte fatal për ne dhe, veç pasojave përbrenda, do të humbim përkrahjen që kemi pasur deri tash nga SHBA dhe nga Bashkësia Europiane. Kjo do të ishte baraz me paralizën e shtetit.
Reagimet e SHBA dhe të Bashkësisë Europiane flasin më së miri se cila është rruga që duhet ndjekur!

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Editorial Tagged With: harry bajraktari, opozite, pozite, rruga e Dialogut

MISIONI- I GËNJESHTRAVE

October 15, 2015 by dgreca

Nga Dr. Athanas Gegaj*/
Kur arrijti në Amerikë delegacioni komunist i Shqipërisë, po atë ditë filloi koha e gënjeshtrave në gjirin e komunitetit tonë. Shtypi i kohës këtu në Amerikë, pa dijtur se cka ishte duke bërë dhe pa i njohur, filloi të laudërojë këta “clironjës”, që u paraqitën me arrogancë dhe përulën komunitetin tonë. Ishte koha kur qeni nuk e njihte të zonë dhe bota po dilte nga një katastrofë, ku u cdukën dy tiranii dhe vendin e tyre në Europë lindore e mori tirania ruse, shumë më e keqe e anti-njerzore se ato të dy të tjerat. Bijët e kësaj tiranie janë ata, që sot kanë në dorë fatet e popullit shqiptar. Po qe se këtë të vërtetë nuk e kuptojnë shqiptarët e komintetit tonë këtu në Amerikë, atëherë këta s’kuptojnë gjësend në situatën e sotme në Shqipëri dhe në vende tjera ku dominon komunizmi. Fashizmi dhe nazizmi ishin me karakter kombëtar, por nuk njihnin të drejtat e ca popujve të tjerë dhe shkelnin ligjet nderkombëtare. Shkurt donin të themelonin perandori dhe të krijojnë një hegjemoni mbi popuj të tjerë.Komunizmi është nderkombëtar në politikë, po ku vë këmbë, aty krijon skllavë dhe shtetet bëhen vegla të politikës rë shtetit-komunist no.1, të Rusisë.
Komunistët e Nacional-Clirimtares ndoqën po këtë udhë: Gënjyen, mashtruan popullin, i ndanë nacionalistët e më në fund i vranë dhe e robënuen një popull. Kjo qe e kjo është situata sot në Shqipëri.
Por misioni i komunistave të Shqipërisë nuk mbaron këtu. Këta krijuan qëndra në Amerikë, në ca vende të Amerikës së jugut, në Francë e në Itali. Në Romë, pasi një nga të Legatës zgjodhë lirinë, dorëzoi listat e emerave të spiunëve dhe ngjanë ca skandale; në Paris ngjanë skandale, u dëbuan ca zyrtarë të Legatës së Tiranës dhe shumë nga agjentët ikën në vended të tjera. Në Amerikë agjentat po punojnë tash më se 20 vjetë dhe kurrkush nuk u thotë gjësend ! Këta deklaruan botërisht se vetëm ata që ishin të mirë për qeverinë e Tiranës, ata ishin të mirë dhe për komunitetin tonë! E nuk kishin faj !. Komunizmi ku vë këmbë, aty ai komandon dhe themelon organizime qënndrore(brigada) me cellule e qëndra të tjera spiunllëkut. Këto bëjnë rekrutime, bëjnë anëtarë, dhe preferojnë ata që kanë far’ e fis në Shqipëri. Këta i komprometojnë e më në fund i bëjnë skllav, sa që nuk është e mundur të dalin me nga rrjeti i komunizmit. Këso kallëpesh e tipesh kemi edhe në Amerikë. Kur “brigada” e Organizatës Qëndrore është formuar mirë dhe janë të zgjedhur ata që do të veprojnë, jo kurrë të gjithë së bashku, po tak-tuk, aherë fillon lufta, në fillim e mësheftë, pastaj më e qartë. Kjo luftë ka për qëllim qëndrat kombëtare, si p.sh. Vatrën dhe Kishën, faltoret e organizatat politike. Në cdo degë të tyre e ke agjentin e Tiranës. Luftën më të madhe ia bëjnë Kishës e Vatrës, sepse Kisha dhe Vatra janë dy shtylla të patronditura të popullit shqiptar dhe të komunitetit tonë në Amerikë. Por, mos harroni, se cdo organizatë fetare ose edhe politike i ka i ka agjentat mbrenda. E më të shumtën e herës këta diftohen më patriot se patriotët e vërtetë, më atdhetarë e më Amerikanë se Amerikanër e vertetë.
Agjentat e Tiranës në Amerikë nuk lozin një lojë por një qind lojëra. Ke për të parë në botimet e tyre gjëra patriotike Amerikane, ke për të konstatuar se këta janë liridashës, por mos harroni kurrë se këta nuk e ndërrojnë lëkurën e tyre të kuqe. Në fillim këta agjenta jepshin leje për pasaporta, i këshillonin anëtarët e komunitetit tonë të shkojnë në Shqipëri, dhe si shpërblim ju merrnin paratë ! Më vonë ia nisën me telefon e vizita. E qe se pse organi i brigadës qanë sot Behar Shtylllën, e nesër do të qajë edhe Halim Budon, sepse këta kanë ngrënë së bashku dhe janë përqafuar me Hysni Kapon i cili përdoronte edhe shputat për hajvanë e agjenta !
Përpara kësaj situate ca veta që mejtojnë se janë ata dhe asnjë tjetër, që jetojnë me spekulime dhe kurrkush nuk u aka parë hajrin tallen. Anëtarët e komunitetit tone cudhëzohen. Dhe sot këtu e nesër atje del ndonjë kendez i Tiranës dhe këndon fitore. Për agjentat e Tiranës të ckëputesh nga Vatra është një fitore e madhe ! Nuk kanë faj ! Është urdhëri ! Tirana sulmon Amerikën, agjentët e Tiranës sulmojnë Kishën dhe Vatrën dhe fusin përcarje në cdo organizatë që nuk i përulet Tiranës së kuqe, d.m.th, qeverisë së Hoxha-Shehu & Co.
Vatra sot e një mot është dule luftuar agjentat dhe po mbron Kishën nga ndërhyrjet e jashtëme. E shqiptaët e komunitetit tonë cka bejnë. Bejnë sehir e karavan’mileti shkon përpara ! Lumturisht në gjirin e komunitetit tonë kemi shumë burra, që nuk cajnë kokën për Tiranën dhe janë të vendosur të pastrojnë këta agjenta dhe të respektohen ligjet e Kishës dhe të Amerikës. Është luftë e ashpër, por do t’a fitojmë.
*SHËNIM: Ky editorial i Dr. Athanas Gegaj ishte botuar në gazetën “Dielli” më 27 prfill të vitit 1966. Zoti Gegaj ishte nje antikomunist i vërtetë, sic kishin qënë edhe editorët: Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi dhe Arshi Pipa. (Pergatiti:Gjekë Gjonlekaj)

Filed Under: Editorial Tagged With: Athanas Gegaj, Misioni i genjeshtrave

Leter Editorit- AVOKATI YLBER DAUTI E BERI DJALIN TONE MULTIMULIONER

October 1, 2015 by dgreca

Vetëm pasi e larguam çështjen nga një zyrë avokatësh amerikanë dhe ia besuam avokatit shqiptar YLBER DAUTI, djali ynë arriti të sigurojë dëmshpërblimin prej disa milionë dollarësh. Faleminderit Avokat!/

Editorit të Gazetës”DIELLI”, New York/

I nderuar Editor;/

Dëshirojmë si familje të publikojmë në Gazetën më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës”DIELLI”, një falenderim publik për avokatin Shqiptaro-Amerikan YLBER DAUTI. Ju lutem publikoni nën përgjegjësinë tonë si më poshtë:

Dëshirojmë të falenderojmë përzemërsisht Avokatin Ylber DAUTI për punën e përkryer dhe rezultatin e shkëlqyer që ai arriti në çështjen gjyqsore të djalit tonë për gabimet mjeksore që i ishin shkaktuar atij nga personeli mjekësor, duke i rrezikuar shëndetin.

Pas dëmeve që i ishin shkatuar djalit tonë nga gabimet e mjekëve, ne morëm një avokat amerikan nga një firmë e madhe ligjore në Nju Jork. Të pakënaqur me ritmin dhe cilësinë e punës së avokatit amerikan, një njeriu ynë i afërt, na këshilloi të konsultoheshim me avokatin shqiptar, YLBER DAUTI.  Kështu që pas disa vitesh pritje me avokatët amerikanë, ne vendosëm t’ia kalonim çështjen avokatit shqiptar, YLBER DAUTI. Ndjehemi me fat që na u rekomandua ky avokat i shkëlqyer. Sinqerisht, ne u mahnitëm, dhe krenohemi me aftësitë dhe përfaqësimin dinjitoz që avokat DAUTI bëri për djalin tonë gjatë takimeve dhe në seancat gjyqsore.

Avokati Dauti punoi jo vetëm me mendje por edhe më zemër për të mbrojtë djalin tonë në betejën e gjatë gjyqsore kundër disa mjekëve dhe spitaleve që nuk pranonin fajin për dëmin që i ishte shkatuar djalit tonë nga gabimet e tyre mjeksore.

Ne ishim me fat që u informuam në kohë për aftësitë e shkëlqyera të avokatit DAUTI dhe ndjehemi mirë që ia besuam atij çështjen, pasi ai arriti në kohë të korrigjojë gabimet e avokatëve amerikanë, sepse ata- nga padija apo pakujdesia- nuk kishin hapur padi kundër të gjitha palëve neglizhente.

Pas shumë përpjekjesh dhe pune të palodhshme, Avokati DAUTI, arriti të siguroi një shpërblim prej disa milionash dollarësh për djalin tonë-një nga shpërblimet më të larta në Nju Jork.

Si pasojë e punës dhe aftësive të shkëlqyera profesionale të Avokatit DAUTI- djali ynë është tashmë multi-milioner- dhe për këtë ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës avokatit shqiptar, Ylber DAUTI.

Ne jemi një familje e thjeshtë dhe sinqerisht nuk dëshironim të bënim asnjë publicitet në lidhje më çështjen gjyqësore të djalit tonë. Por shpresojmë, që duke ndarë eksperiencën tonë me komunitetin, do të arrijmë t’i ndihmojmë të tjerët, që në raste të ngjajshme, të dinë ku të trokasin, duke dëshiruar që të zgjedhin një avokat të aftë shqiptar siç është Avokat Ylber DAUTI, i cili punoi me mjeshëtri të lartë profesionale, me mendje dhe me zemër për çështjen e djalit tonë.

Ju lutem z. Editor, nëse keni ndonjë pyetje, mund të kontaktoni (Vijon numri i telefonit, qe ruhet ne letren origjinale drejtuar editorit)

Me respekt

  1. G(Firma)
  2. G(Firma)

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Avokati Ylber Dauti, dalip greca, djali yne multimilioner, Leter Editorit

NË KËRKIM TË NJË DATE TË MUNGUAR

September 29, 2015 by dgreca

NË KËRKIM TË NJË DATE TË MUNGUAR PËR MARTIRËT DHE VIKTIMAT E DIKTATURËS KOMUNISTE/

EDITORIAL I DIELLIT/

Në Shqipërinë tonë postkomuniste, humbja e kujtesës historike mbetet sëmundje e pashëruar në 25 vitet e tranzicionit alla shqiptar. Për 25 vite nuk ka një datë të çlirimit të vendit, por kemi dy të tilla, një për socialistët dhe një për demokratët, kemi një 5 Maj të dëshmorëve të kontestuar (Dita e Qemal Stafës) të papranushëm nga të dy krahët e politikës, por çuditërisht kemi të kontestueshme edhe Ditën Martirëve dhe Viktimave të Diktaturës Komuniste. Është e papranushme që 25 vjet pas përmbysjes të sistemit, Shqipëria jonë, që krahasuar me numrin e popullsisë, ka numrin më të madh të viktimave të sistemit komunist, nuk ka një datë të saktë të përkujtimit të këtyre viktimave, ndërkohë që ka ende të pushkatuar e të pagjetur anë e mbanë Shqipërisë!

Ish Presidenti demokrat Bamir Topi, në vitin 2010 pat dekretuar një ligj të kontestueshëm, ku 20 Shkurti, dita e rrëzimit të përmendores të diktatorit Enver Hoxha, shpallej si dita e viktimave të komunizmit. Presidenti Topi, pat dekretuar ligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, ku në bazë të atij ligji, të miratuar nga Kuvendi, data 20 shkurt shpallej si dita e “Përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”.
Mirëpo, përfaqësues të shtresës së ish të përndjekurve politikë, drejtues të sindikatave të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, reaguan duke i kërkuar presidentit Bamir Topi të mos e dekretonte ligjin e propozuar nga qeveria demokratike, që përcaktonte datën 20 shkurt si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit.Në argumentin e tyre, kundërshtohej kjo datë sepse “emërtimi qeveritar i 20 shkurtit nuk pasqyronte anën historike të ngjarjes dhe kontributin e madh të popullit shqiptar”. Si gjithëmonë në Shqipërinë tonë oponenca nuk u mor në konsideratë. Fuqia e kartonit!
Me dekretimin nga ana e presidentit Topi,ky vendim pati hyrë në fuqi, dhe siç është bërë zakon në Shqipëri, ndryshimi i qeverive, ndryshimi i mazhorancave,apo dhe i fraksioneve brenda partive, sjellin edhe ndryshime datash përkujtimore a festash Kombëtare.

Presidenti Bujar Nishani, që zuri vendin e paraardhësit Bamir Topi të Partisë së vet, sipas shtypit të Tiranës, kur mbërriti në Presidencë, kërkoi zhbërjen e kësaj date, me argumentin se nuk përfaqësonte realitetin historik.Zoti Nishani, jo vetëm e kundërshtoi 20 Shkurtin si datë përfaqësuese për viktimat e diktaturës, por ai solli aletrnativën e tij, që kjo datë fare mirë mund të zëvendësohej me 27 Shkurtin, e cila i referohej ngjarjes tragjike që kishte lidhje me 27 Shkurtin e vitit 1951, e etiketuar si ” masakra ndaj intelektualëve pas hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike”, ku u masakruan dhe u çuan në plumb, pa proces hetimor, pa proces gjyqsor, me një vendim të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxhës, 22 intelektualë, që u ekzekutuan me plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.

Në prononcimin e tij për mediat, presidenti Bujar Nishani e la aso kohe problemin të hapur, kur ai shfaqi mendimin se” mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit siç mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, pat thënë publikisht Presidenti Nishani.

Por çfarë ndodhi pas kësaj? Asgjë, vetëm fjalë!

Është e pafalshme që edhe sot e kësaj dite, krahas problemeve të shumta të pazgjidhura për shtresën e ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë, nuk ka një datë historike të pakontestueshme, ku të përkujtohen viktimat e diktaturës komuniste.

Nga ana e saj Europa e ka caktuar një Ditë për Viktimat e sitemit vrasës komunist, siç e kanë dhe të gjitha vendet ish komunsite të Europës Lindore. Kështu psh Bullgaria ka përcaktuar 1 shkurtin si Dita e kujtimit të viktimave të komunizmit. Vendimi për këtë datë përkujtimore në shtetin bullgar u mor në vitin 2011 nga kabineti “Borisov”, i cili miratoi ofertën e dy presidentëve bullgarë, Zhelju Zhelev (1992-1996) dhe Petër Stojanov (1997-2002), të cilët ranë në një mendje për shpalljen e një dite të tillë përkujtimore.

Logjika: “Dita e kujtesës kombëtare nderon viktimat, por në të njëjtën kohë shërben edhe si një pikë mbështetëse për kuptimin më të mirë të ngjarjeve nga e kaluara e afërt, gjë, pa të cilën, nuk mund të ecet përpara si një shtet i lirë, i denjë dhe demokratik në Evropë”-, patën vënë në dukje në letrën e tyre dërguar kryeministrit të atëhershëm Bojko Borisov dy ish presidentët Zhelev dhe Stojanov.Në qendër të kryeqytetit bullgar, Sofjes, është ngritur Memoriali i viktimave të komunizmit, ku përkujtohet kjo datë historike.

Presidentët shqiptarë(pesë pas përmbysjes të diktaturës komuniste-22 Mars 1992) ende nuk e kanë gjetë gjuhën e përbashkët, që dhe Shqipëria ta ketë një Ditë përkujtimore për viktimat diktaturës komuniste, ndërsa në vend të një Memoriali përfaqësues, Shqipëria provokon me bunkerë në mes të Kryeqytetit, ku të përndjekurit kanë kontestuar duke u lidhur me zinxhirë dhe duke protestuar, jo shumë larg në kohë, por gjatë shtatorit 2015..

Në 2 prill të vitit 2013, Parlamenti Europian, shpalli 23 gushtin si Ditën Europiane të Përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, por Shqipëria ende nuk e ka një ditë specifike, të pakontestueshme, edhe pse e kujton këtë ditë europiane, të përcaktuar nga Parlamenti Europian! Në Shqipëri nuk e kundërshtojnë, madje kryeqeveritari bën thirrje per Kujtesë historike ndaj viktimave, por nga e thëna tek e bëra, është në mes një det i tërë!

Shqipërisë më shumë se kushdo shtet tjetër ish komunist i takon që të vlerësojë shtresën e ish të përndjekurve politik. Një shtet i vogël ishte kthyer në një burg gjigand me kundërshtarët e sistemit dhe në gulagë vdekjeprurës për familjet nacionaleste. Në Shqipëri, më shumë se në çdo shtet tjetër, krahasuar me numrin e popullsisë, janë regjistruar 6109 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, mes tyre 89 gra; 17900 të dënuar politikë, mes tyre 450 gra; 30383 të internuar, 23 burgje në të gjithë vendin, 48 kampe internimi. Rreth 70 mijë persona ndiqeshin çdo vit nga sigurimi i shtetit! Cili shtet tjetër ish komunist, krahasuar me numrin e popullsisë, përjetoi një tragjedi të përmasave të këtilla? Në vend që shteti demokratik të integrojë plotësisht shtresën e ish të përrndjekurve, të nderojë martirët qëndrestarë dhe viktimat e diktaturës, stimulon rikthimin e simboleve të komunizmit dhe rikthimin e fantazmës të diktatorit, duke i fyer viktimat. Kjo është e dënushme.

Shqipëria i mbetet borxh demokracisë, jo vetëm pse nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e sistemit komunist, jo vetëm pse nuk ka ngritur një monument të denjë për martirët dhe viktimat, por edhe pse fut në Parlament e vesh me pushtet kriminelë e tarfikantë, edhe pse nuk po kryen dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, që mbetet një Amanet i papërmbushur” i martirëve dhe viktimave.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, ne kerkim, per te perndjekurit, te nje date

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT