• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rehabilitimi i Enver Hoxhës

December 7, 2014 by dgreca

Rehabilitimi i Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë nga Edi Rama, kthim drejt të shkuarës por dhe drejt putinizmit!/
Nga Dr. Sali BERISHA/
Dy ditë më parë ministrat e jashtëm te BE pralajmeruan Vladimir Putinin dhe Rusine te qendrojne larg Ballkanit Perendimor. Ky ishte nje paralajmerim shume serioz i bazuar ne perpjekjet e paskrupullta te Vladimir Putinit per te rilindur te gjitha llojet e lidhjeve te fetare, ideologjike, politike, ushtarake, kulturore, tregtare etj, te Rusise jo vetem me Serbine e njohur historikisht ne rajon edhe si “little Russia”, por dhe me vende te tjera te rajonit me rajonin. Ketu, natyrisht lidhjet me te para jane ato fetare me vendet me shumice ortodokse te rajonit nen moton e pansllavizmit apo “bratja sllavjani”.
Ne epiqender te ketyre perpjekjeve padyshim eshte Serbia, e cila historikisht eshte njohur jo pa arsye si “litlle Russia”. Po rikujtoj ketu se ne viziten e tij ne Beograd ne vitin 1990 Mihail Gorbachov i vleresoi si gjenetike lidhjet midis rusve dhe serbeve. Jo pa domethenie eshte ne kete kontekst vizita pompoze e Putinit ne Serbi shoqeruar me nje parade ushtarake te stilit rus te spostuar dhe te mbajtur 4 dite para afatit ne nder te Carit te ri te Rusise. Po ne kete drejtim shkon edhe mbeshtetja e hapur e Moskes per Dodic, i njohur per serbomadhine e tij.
Shqiperia dhe Kosova nuk jane ne grupin e vendeve “bratja sllavjani”. Mirepo vet Putin, per te justifikuar pushtimin e Krimes, iu referua disa here Kosoves jashte çdo konteksti, sikunder Gorbaçov ne 25 vjetorin e renies se murit te Berlinit u shpreh se pavaresia e Kosoves dhe anetaresimi i Shqiperise ne NATO kane qene gabime te perendimit, pra qe kane ndikuar ne ekuilibrat midis NATO-s dhe Rusise.
Por ne rast se Shqiperia dhe shqiptaret nuk kane lidhje fetare dhe historikisht kane patur tek ruset dhe serbet armiq te eger te qenies dhe ekzistences se tyre, mjerisht ka patur nje periudhe qe na bashkoi dhe vllazeroi me armiqte tane shekullor, dhe kjo periudhe ka qene diktatura komuniste. Edi Rama, sipas burimeve zyrtare publike ruse, ministri i pare i jashtem qe takoi ne OKB, vetem dy jave pas votbesimit te tij, ishte Ministri Lavrov. Madje ne ate kohe mediat shkruan se Rama me se pari i premtoi atij dhe me pas aleatit tone kryesor shkaterrimin e armeve kimike ne Shqiperi. Luften e Dyte Boterore dhe te renet e saj i nderojne te gjithe popujt qe luftuan kunder boshtit nazifashist, por klika Rama – Meta zgjodhen per te nderuar luften e shqiptareve per liri kombetare, rehabilitimin e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes, armikut me mizor te lirise se shqiptareve, armikut me te eger te çeshtjes sone kombetare, njeriut qe renditi Shqiperine me armiqte e saj shekullor dhe kunder miqve tane tradicional perendimor. Ata, gjate nje viti, si per te sfiduar NATO-n dhe aleatet tane, festuan Luften e Dyte nga qyteti ne qytet me portrete te Enver Hoxhes duke perdhosur keshtu Luften dhe gjakun, idealet e te reneve tane.
Reagimit te drejte te Ambasadorit Amerikan, mikut te tij, qe u detyrua me vendosmeri te reagoje me te drejte kunder festimit te ngjarjeve te Luftes me portrete te Enver Hoxhes dhe e quajti Enver Hoxhen monster, Edi Rama iu pergjigj ketij qendrimi flake per flake duke shnderruar ne muze per Enver Hoxhen nje bunker te kohes se Luftes dhe duke e stolisur jo vetem me fotot e diktatorit, tashme te marra direkt nga arkiva familjare e Hoxhes, por dhe sende e objekte te tjera personale qe kurre ndonjehere nuk kishin ekzistuar aty. Madje duke bere personalisht guiden per ate dhe per diplomate e ofiqar ne muzeun e monstres.
Keshtu sot, vetem Skenderbeu dhe Enver Hoxha kane muzete e tyre shteterore. Gjate nje viti, i vetmi evokim qe i beri ndihmes se aleateve perendimore per Luften ishte citimi i pacipe i trillimit te Enver Hoxhes per palet e kepuceve te dyja te nje kembe, te kembes se djathte. Ne kuadrin e rehabiltimit te nomenklatures Hoxhiste, Edi Rama ka dekoruar mbi 1000 ish ministra bllokmene, xhelate persekutor te shqiptareve, agjente te sherbimeve ruse dhe jugosllave, dhe Vito Kapo eshte vetem njera prej perfaqesueseve me tipike me te larte te ketyre te dekoruarve. Nje festim te tille Luftes se Dyte e ka bere vetem Lukashenko. Duke rikthyer dhe evokuar me miresim diktaturen, kohen e afrise sone fatale me armiqte tane, Rama çon uje ne mullirin e tyre!

Filed Under: Editorial Tagged With: i Enver hoxhes, Rehabilitimi, Sali berisha

25 VJET PA REDAKTORIN E ZERIT TE AMERIKES, EDITORIN E DIELLIT,BOTUESIN E DEMOKRATIA….

November 24, 2014 by dgreca

NË KUJTIM TË XHEVAT KALLAJXHIUT, NJËRIT PREJ DEKANËVE TË GAZETARISË SHQIPTARE/
Nga Frank Shkreli/
Ne Foto:Fotografi e gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra – Xhevat Kallajxhiu në krye të tavolinës me disa bashkatdhetarë, emërat e të cilëve mund të lexohen më lartë./
Xhevat Kallajxhi, gazetari dhe autori shqiptaro-amerikan ndërroi jetë nëntorin e vitit 1989, në prak të ndryshimeve rrënjësore historike me shembjen ekomunizmit ndërkombëtar anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore dhe në Shqipërinë e tij të dashur.Ai u largua nga kjo jetë 25 vjetë më parë qetësisht, ashtu si edhe jetoi jetën — të pakën jetën gjatë të cilës e njoha unë. Megjithëse i pëlqente debati dhe kishte një njohuri të gjërë mbi subjekte të ndryshme, ashtu siç ndodhë me gazetarët e mirë, Xhevati nuk turbullonte as nuk grindej me askënd, madje as me ata që nga ndonjëherë e kritikonin me pa të drejtë, përfshirë këtu edhe bashkqytetarin e tij gjirokastrit, diktatorin Enver Hoxha i cili në disa raste në kujtimet e tija kishte kritikuar Xhevatin si “njërin që pretendonte të ishte gazetar”. Xhevat Kallajxhiu vdiq më 8 nëntor, 1989, në moshën 85-vjeçare, në një lagje të shtetit Maryland, afër Washingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara ku kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës. Ndonëse komuniteti shqiptar në Washington ishte tepër i vogël në atë kohë, Xhevati u përcoll në atë jetë vetëm nga familja e tij e ngushtë dhe nga një grusht bashkatdhetarësh nga Gjirokastra ku kishte lindur dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe disa të ardhur rishtas në Amerikë — refugjatë politikë të arratisurish nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Xhevatit ishin edhe miqë amerikanë të familjes Kallajxhiu.
Xhevat Kallajxhiu kishte punuar për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës, aty ku e kisha takuar për herë të parë në qershor të vitit 1974, kur unë fillova punën së pari në të njëjtën zyrë. Gjatë disa viteve që punova me të, Xhevat Kallajxhiu, për mua ai ishte një shkollë gazetarie. Për më tepër, ai ishte ndër shqiptarët e pakët që kisha takuar e që besonte me mish e me shpirt në të drejtat e njeriut për çdo qënje njerzore, për lirinë dhe demokracinë për çdo popull, por mbi të gjithë, për kombin shqiptar. Ai ishte plot frymëzim për një ditë më të mirë për kombin shqiptar dhe për njerëzimin, ndonëse kishte edhe momente kur ankohej për vuajtjet e shqiptarëve kudo.
Si redaktor përgjegjës i gazetës Dielli, Xhevati si asnjë herë më parë, shumë shkrime të tija ia kishte kushtuar Kosovës dhe gjendjes së shqiptarve nën ish-Jugosllavi dhe gjithashtu i hapi faqet e gazetës edhe e për të tjerët për të rrahur çështjen e Kosovës dhe të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta. Interesimin dhe dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e pasqyroi me vepra dhe me fjalë gjithë jetën e tij, ashtu siç demonstroi edhe dashurinë e tij njëkohësisht edhe për Amerikën, ndërkohë që promovonte me gjithë potencialin e tij miqësinë midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte një gazetar dhe autor i denjë, i cili me ushtrimin e gazetarisë, ai jepte nder kësaj fushe, sidomos gazetarisë shqiptare. Në krijimtarinë e tij krijuese, si në gazetari, ashtu edhe në prozë dhe deri diku edhe në poezi, megjithëse thonte se nuk ishte poet – ndërkohë që i kërkonte lexuesit që të “gjykonte vjershat e tij nën prizmën e ndjenjës” – Xhevati mbeti gjithmonë i lidhur me dhe pranë lexuesit shqiptar. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij në Zërin e Amerikës ose me shkrimet e tija të shumëta me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” në gazetën Shqiptari i Lirë dhe në gazeta e revista të tjera, por sidomos në periudhën që ai ishte Kryeredaktor i organit të Organizatës panshqiptare Vatra, gazetës Dielli –Xhevati e tregoi se ishte jo vetëm pjesë e pa ndarë e Gjirokastrës dhe Shqipërisë që e lindi por edhe i të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan. Si shumë patriotë të gjeneratës së tij, Xhevat Kallajxhiu i ndiqte për së afërmi vujajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shkruante shpesh për fatin e tyre.Ishte me të vërtetë i përkushtuar ndaj fatit të Kosovës.Shumë artikuj dhe kryeartikuj kanë dalë nga dora e tij, numri të cilëve ndoshta nuk do të dihet kurrë, mbi shumë subjekte, përfshirë Kosovën. Në një kryeratikull në gjuhën anglisht, me rastin e 5-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Xhevati shkruante, se “Ndërsa kujtojmë 5-vjetorin e demonstratave në Kosovë, ne jemi të bindur se shqiptarët anë mbanë botës do të kujtojnë me respekt të thellë të gjithë ata që dhanë jetën në demonstratat si edhe ata që tani po vuajnë në burgjet e Jugosllavisë për pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. Të gjithë ata janë heronjë të një kauze të drejtë, kauzë e cila heret ose vonë, do të triumfojë”, përfundonte kryeratikullin largpamës Xhevat Kallajxhiu të shkruar më 1986.
Gjatë periudhës që ai punoi tek Zëri i Amerikës, Xhevati me kolegët e tij — në radhët e të cilëve ai gëzonte një respekt jashtzakonisht të madh si koleg dhe si profesionist — gjatë luftës së ftohtë shërbeu si shembull i lirisë së shtypit dhe të debatit të lirë dhe megjithë rrethanat e vështira ata u përpoqën t’i jepnin dëgjuesve shqiptarë kudo — nepërmjet radios me valë të shkurtëra — një alternativë ndaj një shtypi që dominohej dhe kontrollohej plotësisht nga regjimi komunist në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare. Kurrë nuk lodhej dhe nuk ankohej asnjëherë për punën e rëndë si rrjedhim i mungesës së stafit të kualifikuar. I vetmi shqetësim i Xhevatit ishte se mos po e bënim gjithë atë punë kot sepse nuk kishim asnjë të dhënë nëse nandëgjonte njeri. Shpeshherë duke u këthyer nga studio, Xhevati këthehej e më pyeste: “E mo Frank, e bemë gjithë këtë punë, thua na dëgjoj njeri sot?” Fatkeqsisht, ai si shumë të tjerë të brezit të tij, nuk pati fatin të ishte dëshmitar i fruteve të punës së tij prej dekadash për lirinë e popullit të vet dhe të përjetonte më në fund shëmbjen e komunizmit në Shqipërinë e tij të dashurdhe lirinë e pavarësinë e Kosovës. Në shkrimet e tija, ai i kishte kushtuar një hapësirë të madhe kërkesave legjitime të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi.Por Xhevati mund të mbetet i kënaqur në atë jetë, se puna dhe mundi i tij tek Zëri i Amerikës nuk i kishte shkuar më kot. Po të ishte gjallë, ai do të mësonte ashtu siç mësuam të gjithë pas rënjes së regjimit komunist, se Zëri i tij dëgjohej — ndonëse fshehurazi — dhe se për një kohë të gjatë përbënte të vetmen alternativë ndaj shtypit të kontrolluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Veprimtaria gazetareske e Xhevatit kishte filluar në rini në qytetin vendlindjes së tij në Gjirokastër. Fillimisht, më kujtohet të ketë përmendur bashkpunimin e tij me gazetën Labërija, por nuk më kujtohet se në çfarë kapaciteti dhe për sa kohë ka punuar pranë kësaj gazete. Por, ai fliste me krenari për punën e tij pranë gazetës “Demokratia”, e cila u botua nga viti 1925 deri më 1939 në Gjirokastër. Përveç gazetarisë serioze, Xhevati merrej edhe me humor të cilin ai e kishte shprehur në revistën “Pif-Paf” në Shqipërinë e para luftës, por nga humori nuk hoqi dorë as në Amerikë, ku kishte botuar librezën humoristike “Për të Qeshur”.
Pasi u largua nga Zëri i Amerikës, Xhevat Kallajxhiu shërbeu si kryeredaktor i gazetës Dielli për 10-vjetë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave, nën rrethana shumë të vështira për ‘të personalisht sepse jetonte afër Washingtonit, ndërkohë që kryeqendra e organizatës Vatra dhe e gazetës Dielli ishte në Boston. Por, ky ishte përkushtimi moral dhe patriotik i Xhevatit,ndonëse në rrethanamjaft të vështira materiale dhe financiare për gazetën Dielli, në një kohë që ekzistonte rreziku të shuhej gazeta, Xhevat Kallajxhi ndonëse në mosh të shkuar, i del zot Diellit, i cili në kohërat më të vështira për Shqipërinë dhe për shqiptarët lëshoi rreze drite me shkrimet dhe artikujt e peshkop Fan Nolit, diplomatit Faik Konicës dhe shumë shkrimtarëve dhe gazetarve të tjerë shqiptaro-amerikanë, ndoshta më pak të njohur se këta, por me mundësitë e veta edhe ata kontribues ndaj kulturës dhe gazetarisë shqiptare në mërgim dhe më gjërë — të cilët Xhevati i inkurajonte të shkruanin dhe të bashkpunonin me gazetën Dielli.
Me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, Kryeredaktori i tanishëm i gazetës Dielli, Dalip Greca, si pasardhës i denjë i Xhevat Kallajxhiut dhe të tjerëve që kanë udhëhequr Diellin për më shumë se një shekull, iu përgjij kërkesës time që të vlerësonte punën e Xhevatit si kryeredaktor i gazetës Dielli, si dhe përfshirjen e subjekteve që trajtonte Xhevati gjatë një dekade me shumë rëndësi për fatin e shqiptarëve: “Xhevat Kallajxhiu mbetet një ikonë e rrallë në gazetarinë e mërgimit”, tha Z. Greca. “Kontributi i tij prej një dekade në gazetën Dielli, është me vlera jo vetëm për kohën kur shkroi dhe editoi Diellin, por edhe për brezat në vazhdim. Ishte njohës i mirë i historisë botërore, vecanërisht asaj amerikane dhe shqiptare, çka pasqyrohen në artikujt e tij historikë. Ai e orientoi Diellin drejt shqetësimeve reale të komunitetit, të Vatrës, dhe Çështjes Shqiptare në tërësi”. Dalip Greca, si njohës i mirë i shkrimeve të Xhevatit për gazetën Dielli, shtoi se Kallajxhiu,“I dha hapësirë mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi e në Shqipëri, denoncoi shkeljen e të drejtave njerëzore, shtroi me guxim probleme para komunitetit, evokoi historinë Kombëtare, evidentoi vlerat e Vatrës dhe të Diellit, shkroi e përcolli me shpirt e sy të përlotur bashkadhetarët që ndërruan jetë. Xhevati ka lënë pas gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor, të dashur, të respektuar.Flet pena e tij në rreshtat e Diellit”, shtoi Dalipi.
Si njohës i mirë i kontributit dhe shkrimeve të Xhevat Kallajxhiut për gazetën Dielli, ku ruhet koleksioni i shumë shkrimeve të tija, Z. Greca e vlerëson kështu rolin e Xhevatit si kryeredaktor i Diellit për një dekadë:”Ai ishte gazetari që të imponon edhe sot t’ia lexosh artikullin. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë. Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo, fjalori i tij rridhte natyrshëm dhe kishte parasysh lexuesin e Diellit. I përshtatej.Stili i tij është i vecantë.Them se e kishte krijuar stilin e vet.Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë. Mendoj se editorialet e tij mund dhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Shkup.Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit, të shkrimit; edhe sot kur i shfletoj koleksionet e Diellit, harrohem me orë të tëra sepse më fusin në kurth titujt.Pasi shoh titullin provoj një thirrje të brendshme që ta filloj dhe s’mund të heq dorë pa i shkuar në fund.Ka qenë shumë prodhimtar.Nuk ka numër të Diellit për 10 vitet që e editoi Xhevati, që të mos gjesh editorialet e tij me emër. Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit:”U mbars Mali dhe polli një mi”; Hakmarrja-Një zakon i keq; Të njohim njëri-tjetrin; Fati i të burgosurve të Kosovës, Gjallëria e racës shqiptare, “Arratisen nga “parajsa e Kuqe”, Mirënjohje shqiptare për Amerikën”, e tjera .
Është e vërtetë se bazuarjo vetëm në shkrimet e tija gjatë një dekade që ai drejtoi Diellin, por edhe në biseda private e shoqërore — megjithëse ishte kulmi i luftës së ftohët dhe komunizmi dukej më i fortë se kurrë — Xhevati shihte tek e ardhmja me optimizëm për kombin shqiptar. Në kryeartikujt e tij, Xhevati shtroi problemin e bashkimit Kombëtar, si ndreqje e padrejtësive të Europës, që e kishte coptuar Kombin shqiptar, tha kryeredaktori i Diellit.
Përveç kontributit të tij prej dekadash në fushën e gazetarisë me qindra artikujsh e kryeartikujsh të nënshkruar prej tij jo vetëm me emërin e tij të saktë por edhe me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” — si njëri prej dekanëve të gazetarisë shqiptare — Xhevat Kallajxhi është edhe autor injë numri librash e librezash botuarkëtu në Shtetet e Bashkuara, me prozë dhe poezi. Ndër ato që dallohen janë libri me poezi, “Tingëllimet e Zemrës”, dhe Lot e Shpresa, të cilin ai ua ka “kushtuar me nderim shokëvet që kanë vdekur në mergim”. Disa nga vjershat, Xhevati ia ka kushtuar Kosovës siç janë poezitë “Kosova Martire”,“Kosova” dhe“Marshi i Djelmënisë Kosovare”. Xhevati i këndon gjithashtu“Çamerisë”, “Arbëreshve të Italisë”, “Statujës së Lirisë” dhe vjershën kushtuar, “Dom Ndre Zadesë”, patriotit të flakët, klerikut dhe shkrimtarit, siç e quan atë Xhevati, i cili ishte nga viktimat e para që u pushkatua nga komunistët, pranverën e vitit 1945 në Shkodër.
Duke qenë me mundësi të kufizuara financiare,vjershat patriotike kushtuar dëshmorëve dhe si edhe punimet e tjera të Xhevatit janë botuar me ndihmën bujare të bashkatdhetarve të tij në Amerikë. Kjo bëri të mundur që Xhevati të botonte disa libra shqip në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Linkolni, Xhon F Kennedy, Për të Qeshur, Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë. Thuhet se Xhevati mund të ketë lënë edhe disa dorëshkrime pa botuar, siç është edhe romani Larg Atdheut.
Xhevati njihej, bashkpunonte dhe vlerësohej pa dallim nga mbarë elita politike dhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan. Si rrallë të tjerë bashkohas të tij të cilët shpesh tregonin paragjykime mbi arsyen — atë nuk e pengonin ndryshimet politike, krahinore ose fetare në punën e tij drejtë realizimit të qëllimeve të përbashkëta. Një bashkohas i tij, ish-profesori i njohur shqiptaro-amerikan, i ndjeri Peter Prifti ka vlerësuar se Xhevat Kalljaxhiun si gazetar, si njeri dhe si patriot duke thënë se Xhevat kallajxhiu, “Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari.Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit. Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori.” Duke vlerësuar Xhevat Kallajxhiun jo vetëm si njeri dhe si gazetar por edhe si patriot, si demokrat dhe si besimtar i fortë në liri dhe demokraci, Profesor Prifti ka shkruar se, “Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëtën kohë, ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë, ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë wilsoniane”. Peter Prifti vlerëson lartë edhe spirtin demokratik të Xhevatit duke thënë se, “Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjarrt i parimeve dhe idealeve demokratike.Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqeja – këto nuk kanëqenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur”, përfundon vlerësimin e tij Profesor Peter Prifti.
Xhevat Kallajxhiu ishte njeri i mirë e i ndershëm, atdhetar i patundur — e donte Shqipërinë me gjithë zemër, por donte edhe Amerikën që i kishte dhënë strehimin, lirinë dhe mundësinë për të ushtruar gazetarinë dhe për të shprehur lirisht mendimet dhe pikëpamjet e tija, të cilat tani janë bërë pjesë jo vetëm e thesarit të çmueshëm të gazetarisë dhe të kulturës shqiptaro-amerikane, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Një bashkohas dhe mik i Xhevatit, Nexhat Peshkëpia ishte shprehur sei“hidhur është mërgimi dhe të hidhura janë rrugët e tija”. Edhe për Xhevatin, si edhe për shumë bashkombas të tij, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu i tyre,rrugët e mërgimit ku vdiq me mall për Atdheun, ishin vërtetë të hidhura, por megjithëkëte ai ishte gjithmonë optimist se do të vinte dita e lirisë, shpresë që ai e kishte shprehur me vjershën, “Do të vijë dita”:

Do të vijë më së fundi dit’ e madhe e çlirimit,
Do të shuhet skllavëria, do dërmohet trathëtija,
Do gjëmojë an’ e mbanë këng’ e ëmbël gëzimit,
Do të zhduket llahtarija, do t’ shpëtojë Shqipëria.

Dhe shqiponj’ e arratisur do të zërë vend’ e saj;
Do të ndizet sërish vatra, do të hiqet fut’ e zezë,
Do të marrë frymë biri, s’do të ketë lojë e vaj,
Do qindiset Shenj’ e Kombit veç me fjalë të lirisë.

Eh, zinxhir’ i tiranisë do të thyhet më në fund.
Mbaju, mbaju Mëma jonë, si që moti, gjith’ krenare
Edhe ti o bir i shqipes qëndro burrë mos u tund,
Se së shpejti do agojë dit’ e bukur shqipëtare!
——————————————————-

Me nderim, mirënjohje dhe me mall përkujtoj mësuesin dhe bashkpuntorin, njërin prej përfaqsuesve më të denjë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe të intelektualizmit shiqptar në përgjithësi – Xhevat Kallajxhiun – me rastin e 25-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë.

Filed Under: Editorial Tagged With: “Demokratia”, 25 vjet, botues i gazetës, editorin e Diellit, Frank shkreli, pa Xhevat Kallajxhiun, redaktorin e Zerit te Amerikes

QËNDRIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA NDAJ REGJIMIT TË ENVER HOXHËS

November 20, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Në një intervistë që zhvilloi në programin televiziv shqiptar, “Ilva Tare Tonight”, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Z. Alexander Arvizu u prononcua në lidhje me fotot e ish-diktatorit komunist Enver Hoxhës që u shfaqën në ceremoninë zyrtare me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe i gjithë kabineti i ministrave, me fjalë të tjera, e gjithë Tirana zyrtare ishte aty, plus portretet e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Ambasadori amerikan kishte shënuar menjëherë pas ceremonisë në faqen e tij facebook, se shfaqja përsëri e fotografisë së Enver në një ceremoni zyrtare ishte, “një fyerje për shqiptarët”. I pyetur mbëmjen e ditës së mërkurë në programin televiziv të Ilva Tares mbi këtë çfaqje të shëmtuar të portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare, për të disatën herë kohët e fundit, Ambasadori amerikan pohoi se, “Po ndiqja ceremoninë dhe po e shihja në televizor dhe pashë gjithë kabinetin, kryetarin e kuvendit, personat qe mbanin foto të Enver Hoxhës dhe thashë se kjo është një qeveri që ka punuar kaq fort dhe ka bërë një punë shumë të mirë përsa i përket projektimit të një imazhi pro eruopian për statusin në BE dhe arriti që të ishte edhe vizita e Papës”, dhe shtoi se fjalët”,‘një fyerje për shqiptarë’ në fakt ishin të miat. Stafi imë më tha që kjo fraza e fundit “një fyerje për shqiptarët është e fortë”, dhe unë uthashë që ashtu dua që të jetë, e fortë.”
Z. Arvizu duket se me intervisten e tij dhe me këto fjalë donte të nënvijonte se ai, si përfaqsues i Shteteve të Bashkuara në Tiranë ishte duke shprehur qëndrimin zyrtar dhe të qartë të Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje, dmth., mbi çfaqjen e portretit të diktatorit komunist në ceremonitë zyrtare dhe jo vetëm aq. Në lidhje me këtë deklaratë të tijën ai u shpreh qartë, seriozisht dhe pa i munguar fjalët: “Kjo është një deklaratë serioze. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë një qëndrim të qartë për një çështje të tillë.Ky(Enveri) ka qenë një monstër që ka sjellë vuajtje. Nuk ka asgjë për ta glorifikuar dhe shumë prej sfidave (me të cilat përballet vendi sot) janë trashëgimi e Enver Hoxhës, kjo quhet “Enverizëm”, këtë e shohin edhe të të majtët por edhe të të djathtët. ”
I habitur dhe vështirë të imagjinohet një fenomen i tillë në Shqipërinë e 2014-ës, Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu u shpreh gjatë intervistës se është vështirë të kuptohet se cilat janë motivacionet e kësaj qeverie që lejon shfaqje të tilla të portretit të diktatorit Enver Hoxha në ceremoni zyrtare, qeveritare e shtetërore! Diplomati amerikan në lidhje me këtë u shpreh kështu në intervistën me gazetaren Ilva Tare: “Është e vështirë që të mund të vlerësosh se cilat janë motivimet, unë thjesht nuk e di.”
Megjithëkëtë, diplomati amerikan shprehu besimin e vendit të tij se qeveria e tanishme si dhe qeveria e mëparshme shqiptare nuk kanë lidhje me trashëgiminë e diktatorit, duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim te kjo qeveri dhe te qeveria e mëparshme se nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgiminë që ai përfaqëson. Por disa prej këtyre pleqëve shfaqen sërish, por nuk është shqetësimi për personat 80 vjeç, por janë të rinjtë. Më kujtohet imazhi i atyre fëmijëve me grushtin dhe kjo është vërtetë një fyerje”, për shqiptarët u shpreh Ambasadori i Amerikës në Tiranë.
Jo se ka ndonjë rëndësi të madhe por unë kam shkruar disa artikuj modestë mbi këto çfaqje kohët e fundit të portretit të Enver Hoxhës, përfshirë edhe rastin e fëmijve me grusht në kokë, të cilës i referohet ambasadori Arvizu, mos gabofsha në Përmet. Ambasadori Arvizu ka të drejtë që revoltohet nga pamje të tilla dhe është e rëndësishme që në emër të Shtetve të Bashkuara, ai shfaqi revoltëne tij dheu shpreh në këtë mënyrë të qartë dhe të prerë, se kjo nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e sotëme, në Shqipërinë anëtare të NATO-s, në Shqipërinë vendit-kandidat për në Bashkimin Europian, në Shqipërinë që e konsideron veten si një prej popujve më pro-amerikanë në botë. Fatkeqsisht, as antarësimi në NATO as antarësimi eventual i Shqipërisë në Bashkimin Europian, as deklaratat pro-perëndimore të politikanëve shqiptarë e madje as vizita e Papa Françeskut në Tiranë, nuk shlyejnë imazhin e keq të Shqipërisë që u formua nga ceremonia zyrtare me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës, për shqiptarët po se po, por edhe për të huajt, siç ishte ambasadori amerikan dhe të gjithë përfaqsuesit e huaj në kryeqytetin shqiptar.
Do të dëshiroja që ambasadori amerikan të ketë të drejtë kur thotë se Shtetet e Bashkuara besojnë se “kjo qeveri dhe qeveria e mëparshme nuk kanë asnjë marrëdhënie me Hoxhën dhe trashëgiminë që ai përfaqëson”. Por veprat ose mungesa e veprave gjatë pothuaj 25 viteve të kaluara për tu larguar nga kjo trashëgimi, tregojnë se kjo elitë politike, si përfaqsuese e Shqipërisë pas komuniste — pothuaj si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Europë — nuk ka bërë asgjë për të distancuar vendin dhe brezat e rinjë të shqiptarëve nga trashëgimia e këtij diktatori dhe regjimit të tij. Për më tepër, kjo klasë politike nuk ka bërë asgjë për të përkujtuar viktimat e shumëta të atij regjimi monstër, ashtu siç kanë bërë, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjitha vendet ish-komuniste të Europës lindore dhe qëndrore. Pse të jetë Shqipëria ndryshe nga të gjitha vendet ish-komuniste në lidhje me këtë qëndrim moral ndaj një trashëgimie diktatoriale? Europa ka caktuar ditë përkujtimore për të nderuar miliona viktima të deportimeve në masë, të ekzekutimeve, të burgimeve dhe të kampeve dhe fushave të përqendrimit komunist, ndërkohë që ka promovuar vlerat demokratike të pajtimit, të paqës dhe të stabilitetit në çdo vend të kontinentit.
Distancimi nga trashëgimia e kaluar komuniste dhe përkujtimi zyrtar i viktimave të komunizmit anë e mbanë Europës, nuk ka shkaktuar asnjë mos stabilitet ose prishje të rendit shoqëror,në asnjë vend të kontinentit europian, përkundrazi si rrjedhim I përballimit me të kaluarën, vihet re një rregull dhe pajtim mbarë shoqëror. Fatkqesisht, në Shqipëri deri në ditët e sotëme — jo vetëm që nuk është caktuar asnjë ditë kushtuar atyre viktimave shpesh të pa emër e të pa varr –ose lere më ndërtimin e një monumenti për viktimat siç kanë vepruar vendet e tjera ish-komuniste. Në të kundërtën, historianë e pseudo-historianë, shumicën e viktimave të komunizmit enverist ende ikonsiderojnë si armiqë të popullit, tradhëtarë, kuislingë e ku ta dijë unë, të etikuar me lloj lloj epitetesh, për viktimat që u burgosën, u vranë dhe eshtërat e tyre u zhduken,vetëm e vetëm, sepse nuk u pajtuan me regjimin komunist që Enver Hoxha i imponoi me forcë brutale Shqipërisë dhe Shqiptarëve, pas çlirimit të vendit.
Nuk ka faj Ambasadori Arvizu kur thotë se nuk di se cili është motivacioni që të lejohen portretet e diktatorit Hoxha në ceremoni zyrtare të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Në një reagim, pas ceremonisë në Tiranë, Kryeministri Rama nuk dha ndonjë arsye ose justifikim për praninë e fotove të diktatorit në atë ceremoni, por u shpreh në facebook-un e tij, duke thënë se “të vdekurit me të vdekurit dhe të gjallët me të gjallët”. Fatkeqsisht, i nderuar Z. Kryeministër, duket sikur Enver Hoxhai vdekur po ngjallet për të marrë pjesë në çdo ceremoni zyrtare, ku madje ministrat përulën para portretit të diktatorit.
Më vjen keq të them, por nga këto shfaqje të kohëve të fundit të portretit të Enver Hoxhës, sidomos në ceremoni zyrtare, njeriu vjen në përfundiminqë tëduket se njerëz me përgjegjësi të këtyre dy dekadave të funditsikur të kenë humbur busullën morale, nëqoftse e kanë patur ndonjëherë. Kjo mos-balancë morale, ose më miër të themi mungesë dhe dlshtim moral për të dalluar të keqen nga e mira, kam drojë se vazhdon të mishëroj dhe të pasqyrojëedhe gjëndjen e sotëme politike në vend. Fatkeqsisht, pa një qartësi të vendosur morale, jo vetëmtë klasës politike shqiptare që ka udhëhequr vendin për më shumë se dy dekada pas shëmbjes ssë komunizmit, por edhe në mungesëtë një vizioni moral të shoqërisë shqiptare në përgjithësi në lidhje me krimet dhe me trashëgiminë e vërtetë të sundimit komunist — kombi shqiptar ka shumë pak mundësi që të mënjanojë një të ardhme të zymtë.Për derisa institucionet shtetërore dhe shoqërore, përfshirë klasën politike që kontrollon qeverinë dhe shtetin shqiptar, nuk përballen me të kaluarën dhe përderisa nuk njohin dhe nuk pranojnë të këqiat e sistemit komunist dhe përderisa – në shenjë pajtimi –ata nuk kujtojnë mijëra viktimat e pafajshme të atij regjimi — Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jetojnë në një botë të hutuar morale. Prandaj, sa më parë që të përballen me historinë e vërtetë të trashëgimisë së Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij komunist, aq më shpejt busulla morale e klasës politike shqiptare do të tregojë drejtimin e duhur dhe rrugën e mbarë që duhet të marrë kombi shqiptar në të ardhmen! Ende nuk është vonë!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, QËNDRIMI I SHTETEVE TË BASHKUARA NDAJ REGJIMIT, TË ENVER HOXHËS

Presidenti Obama: Kombet e vogla të mos frikësohen nga të mëdhatë

November 16, 2014 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se siguria në Azi nuk duhet të bazohet në frikësimin e shteteve të vogla nga ato të mëdhatë.
Obama u ka thënë studentëve në Brizbën të Australisë, ku po merr pjesë në samitin e vendeve më të industrializuara G20, se siguria në rajon duhet të varet nga aleancat reciproke.
Ai po ashtu ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” në përkushtimin e tij ndaj aleatëve të Azi-Paqësorit, duke iu refereuar përpjekjeve amerikane për të forcuar lidhjet strategjike me këtë rajon.
Obama i ka kushtuar një pjesë të fjalimit krizës në Ukrainë. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, i cili është kërcënim edhe për botën.
Ai ka thënë se kërcënimi rus është dëshmuar me hedhjen poshtë të një aeroplani malajzian të pasagjerëve, më 17 korrik. Aeroplani është goditur me raketa nga një territor në pjesën lindore të Ukrainës, i cili kontrollohet nga separatistët pro-rusë.
Të 298 njerëzit në bord, në mesin e tyre 38 shtetas të Australisë, kanë humbur jetën.
“Si aleate dhe mike e juaja, Amerika ndan pikëllimin e këtyre familjeve australiane. Ne ndajmë edhe vendosmërinë e vendit tuaj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka thënë Obama.
Presidenti amerikan është zotuar para studentëve se vendi i tij do të ndihmojë në adresimin e të gjitha sfidave që kërcënojnë botën.
“Si super-fuqia e vetme në botë, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të veçanta. Ne jemi duke udhëhequr komunitetin ndërkombëtar në luftë kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik. Ne jemi duke udhëhequr trajtimin e Ebolës në Afrikën perëndimore dhe jemi duke kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë”, është shprehur Obama.
Roli i Rusisë në konfliktin në Ukrainë është duke zënë vend të rëndësishëm edhe në samitin dy ditor të G20-ës – që ka nisur sot – edhe pse nuk ka qenë në agjendën formale të tij.
Ka qenë e paraparë që liderët e G20-ës të përqendrohen më shumë në nxitjen e rritjes ekonomike. Por, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka thënë se Moska ka dërguar trupa dhe armatim të rëndë në lindje të Ukrainës. Ai ka kërcënuar me aksione të mëtejshme ndëshkuese, nëse Rusia nuk ndalon këtë praktikë dhe nuk i tërheq të gjitha asetet ushtarake nga Ukraina.
Duke folur në Brizbën, Rompuy ka thënë se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen më 17 nëntor për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm kundër Rusisë. Moska tashmë po përballet me sanksione nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të aneksimit të Krimesë dhe ndihmës që u jep separatistëve pro-rusë në lindje.
Samiti i G20-ës është duke u zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, me rreth 6,000 policë të vendosur në rrugë. Njëzeteshtatë grupeve të ndryshme u është dhënë leja për të protestuar në zona të caktuara.
Qeveria e Australisë është duke u përballur me kritika për shkak të poltikave të saj për klimën.
Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Editorial Tagged With: Kombet e vogla, nga të mëdhatë, Obama, të mos frikësohen

MANIA E ARTIKUJVE

November 10, 2014 by dgreca

NGA BAHRI OMARI/*
Shqiptarët e Amerikës kanë maninë të shkruajnë artikuj nëpër gazeta dhe e shkojnë çdo kufi me këtë mani. Sicili që ka zënë të mësonjë Abecenë, ndjen fuqi në vete të shkruajë një artikull, qoftë për politikë, qoftë për kritikë. Pas eksperiencës që kemi patur, afro këto dy vjet, nuk mundim të ndajmë më tepër se 40-50 veta që t’ua zërë dora pëndën dhe të dinë se ç’shkruajnë.
Shkrimi me fjalimet ndryshon tepër; shumë dinë të fjalosen bukur, po nuk dinë të shkruajnë. Gjithashtu ka shkrimtarë mjaft të lartër që nuk flasin dot si shkruajnë. Po shqiptarët nuk i ndajnë këto gjëra dhe duan të gjithë të bëhen artikullshkronjës.
Një shkrimtar duhet të marrë para sysh vështirësinë e asaj që do të shkruajë. Duhet të dijë si niset dhe si përfundohet një artikull.
Dimë njerës që e kanë prerë të marrët e gazetës sepse nuk ia botoj Redaktori artikullin.
Munt të themi që artikullshkronjësia është bërë sëmundje nër ne, dhe shumë shqiptarë kanë idenë që pajtimin e tyre në gazeta e japin që të kenë të drejtë të shkruajnë. Shtypi përkrahet si vegël përparimtare, si gjë e cila mpron të drejtat e kombit dhe jo për një ide aq foshnjarake.
Kjo mani i bën shqiptarët t’i përsëritin artikujt mi një themë. Po kjo bëhet kur i zoti i artikullit të dytë kërkon ta zhvillojë çështjen ca më mirë, ose ta gjykojë nga një pikëpamje tjatër.
Sikur t’i marrim t’i studiojmë festimet e ditërave të shënuara dhe t’i kqyrim raportet që vinë nga kollonitë, shumë pak ndryshim do gjejmë nga njëri te tjatri. Gjithashtu mi lëvizjen e grekomanëve, nuk do gjejmë nonjë mendim të ri, gjithë përsëritet e para, me një mënyrë që e velin njerinë fare.
Në çdo gjë ka një mënyrë, ka një rijësim (nouveauté) e cila bëhet me qëllim të mos e mërzitë njerëzinë. Kur do shkruajmë gjësendi, të përpiqemi t’u servirim nonjë gjë të re këndonjësve që t’u heqim vrejtjen ta këndojnë atë që shkruajmë. Artikuj që shkruajnë shqiptarët e këtushmë – përveç disa të pakëve – janë ja personale, ja për grekomanët, ja për fillimin e nonjë shoqërie. Shumë të pakë janë ata që mundin të shkruajnë gjëra mi thema të përgjithëshme.
Le të heqim dorë nga mani e artikujve se nuk u japëm rast atyre që dinë ta ndritojnë gjëndjen me shkrime të vyera. Duhet ta përkrahim shtypin jo për të botuar artikuj, po si vegël përparimtare të qytetërimit.
Botoi, DIELLI,4 janar 1917

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, MANIA E ARTIKUJVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT