Nga Sulejman GJANA/
Në bazë të Rezolutës 65/209 të dt. 21 dhjetor 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB e ka shpallur datën 30 Gusht si “Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve/Humburve”. Tashmë kjo datë shënon në shume vende të qytetëruar kujtimin e të gjithë të zhdukurve e të humburve nën regjimet diktatoriale, mbështetjen për viktimat dhe familjarët e tyre, rëndësinë e veprimeve që duhen ndërmarrë kundra krimeve të këtij lloji, si dhe për gjetjen ose kthimin e të zhdukurve dhe zhdëmtimin e tyre.
Sigurisht që kjo datë do të mund të ishte një përkujtimore e mirëfilltë për të gjithë ato viktima shqiptare që jo vetëm kanë humbur jetën, por edhe për ato viktima që ende rezultojnë të humbura (të pagjetura). Bëhet fjalë për viktimat e sistemeve totalitare, nazizëm e komunizëm, sisteme këto që shpesh kanë vepruar në simbiozë dhe kanë pasur si emërues të përbashkët dhunën dhe krimin.
Për shqiptarët pa dallime ndërkufitare, humbjet më të mëdha dhe të humburit (të pagjeturit/të zhdukurit) më të shumtë rezultojnë si pasojë e dhunës dhe represionit mizor komunist. Komunizmi në Kosovë e Shqipëri nuk njihte vërtet kufij kur Dushani, Miladini dhe të ngjashmit e tyre, jo vetëm që drejtonin skalionet goxha të ideologjizuara e antikombëtare të shqipfolësve, por ishin edhe porositësit e ekzekutimeve për sa e sa nacionalistë shqiptarë që luftonin për Atdheun mbi të gjitha, për Shqipërinë dhe shqiptarët etnikë. Këto krime vazhduan përgjatë gjithë kohës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe gjatë pushtimit të Kosovës nga Serbia. Zhdukja e atdhetarëve shqiptarë shkruhej në projektet antikombëtare dhe ishte po ashtu edhe një prej mënyrave për të krijuar terror ndër shqiptarët për ti mbajtur ata të nënshtruar.
Në Kosovë, 30 gushti 2014 pati një jehone për t’u admiruar. U përsërit kërkesa e kthimit nga Serbia të 1700 shqiptarëve të zhdukur. Nderim e vlerësim për të gjithë politikanët e Kosovës që e çmuan këtë ditë duke dëshmuar se plaga është ende e hapur për mbarë shoqërinë dhe se vërtet nuk duhen harruar viktimat dhe familjet e tyre që ende nuk kanë mundur as të mbyllin zinë. Do të vijë pa dyshim dita kur në rend të ditës të bisedimeve me Serbinë do të shënohet edhe kërkesa për kthimin e të gjithë shqiptarëve të humbur (zhdukur) gjatë pushtimit serb.
Ndërkohë që ne Shqipëri, fati i shqiptarëve që u zhdukën gjate luftës civile të viteve 1943-44 dhe gjatë diktaturës komuniste e që ende nuk u dihen varret, nuk është përmend ndonjëherë nga ata që ua morën votën shqiptarëve për 23 vjet (dhe sigurisht, jo më 30 gushtin që sapo kaloi). Duket sikur partitë parlamentare shqiptare dhe politikanët e ‘’lartë’’ janë gjithnjë me pushime kur bëhet fjalë për çështje që prekin të kaluarën e errët komuniste dhe traumat që la ai sistem në shoqërinë tonë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe as këtë vit. Komunizmi dhe trashëgimia e tij, jo vetëm vazhdon që të ketë pushtet, por është edhe model për shumicën e politikanëve shqiptarë që sot qëndrojnë në ndenjëset e Kuvendit.
Për këtë arsye, nuk mund të gjendet edhe shtysë apo motiv për të ngritur në këmbë politikanët tanë, kryesisht parlamentarë, që të përkujtojnë me respekt e mirënjohje kontributin e të rënëve dhe të humburve për Shqipëri të njësuar dhe në kundërshti të hapur e pa kompromis ndaj totalitarizmit komunist, të ndryshuar gjatë rrugëtimit djallëzor edhe në nacional-socializëm.
Ndodh kështu se shumica e politikanëve shqiptarë, kryesisht parlamentarë, nuk janë ndarë ende nga hijet e së shkuarës moniste. Janë vijuesit e asaj ideologjie vrastare, që sot ka ndryshuar vetëm mjetin e luftës, por jo mentalitetin. Janë bijtë ideologjikë të atyre që kryen masakër pas masakre, pa e vrarë shumë mendjen se i kryenin këtej apo andej Drinit të Zi, në dobi të shovinistëve serbë; këtej apo andej “gjakut lumë” të Devollit, në dobi të shovinistëve grekë.
Për vrasjet e nacionalistëve shqiptarë, internacionalistët kuqalashë vepronin në të tërë hapësirën e Shqipërisë Etnike, edhe pse truallin që përshkonin dhe e spërkasnin me gjak shqiptari, e urrenin ta shihnin të njësuar. E për këtë ogur të zi antikombëtar, ishin gati dhe bënë kurban jo vetëm ato viktima që u dihet nami e nishani, por edhe ato viktima që mbeten ende pa nam e pa nishan.
Heshtja ndaj krimeve të komunizmit është bashkëfajësia moderne e bashkëjetesës së politikanëve e parlamentarëve në Shqipëri, pavarësisht sa prej tyre ulen majtas e sa djathtas (apo sa kalojnë nga majtas në djathtas, apo edhe anasjelltas) poltronit të kreut të kuvendit.
Çka mbetet e rëndësishme në këtë dukuri, lidhet me krimin që ka mbetur ende pa ndëshkim real. Hapja e dosjeve do të ishte fillimi i terapisë më të mirë për të kuruar këto plagë të së shkuarës së largët e të afërt që ende kullojnë gjak.
Ky veprim i përligjur do të mundësonte në mënyre reale edhe ndërmarrjen e hapave të duhur e ligjore për t’i shkuar kurës deri në fund; dhe jo duke belbëzuar tek-tuk, sa për të larë gojën, përpara politikanëve të lartë perëndimorë ose para elektoratit shqiptar në kohë fushate.
Në të kundërt, të pagjeturit do të mbeten gjithmonë të humbur si për të provuar se kjo është interesi i kësaj kaste politikanësh; që e djeshmja të humbasë në harresë, të mbetet e pagjetur. Sepse kështu humbet mundësia për ‘pastrimin’ real të politikës shqiptare, sidomos asaj parlamentare, që ka llogari ende të pambyllura me krimet e komunizmit dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Koha nuk pret, madje jemi vonë. Integrimi real i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë mund të kryhet veç atëhere kur krimi të njihet, e me pas të ndëshkohet ligjërisht.
Kjo mund të ndodhë kur xhelati dhe porositësi të mos jenë të vetmit që e dinë se ku e kanë groposur viktimën. Ndryshe, viktimë dhe peng i së shkuarës mbetet fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kjo do të ishte e pafalshme për gjeneratën tonë që mezi pret të integrohet në Europën ku ishim të integruar deri nga fundi i viteve ‘30-të, por që fatkeqësisht, për 70 vite, mbetemi ende të pa integruar, për arsye se shumica e politikanëve janë akoma peng të sistemit komunist.
NGA LËVIZJA ANTIKOMUNISTE POLAKE – NË KRYE TË EUROPËS
Nga Frank Shkreli/
Këshilli i Europës vendosi javën e kaluar të zgjedhë si President të Këshillit të Europës (KE), Kryeministrin e Polonisë, Z. Donald Tusk, në mandatin që fillon më 1 Dhjetor, 2014 deri më 31 Maj, 2017. Këshilli Europian emëroi gjithashtu italianen Federica Mogherini në detyrën e Përfaqsuesës së lartë të Bashkimit Europian (BE) për Punë të Jashtëme dhe të Sigurisë, por ajo që tërhoqi vëmendjen, ishte zgjedhja e udhëheqsit polak, Donald Tusk në detyrën e lartë të kontinentit europian, në krye të Këshillit të Europës. Ai rrjedhë nga qyteti polak Gdansk, qytet ky që ka hyrë në histori si djepi i lëvizjes antikomuniste të punëtorëve polakë dhe njihet si qëndra e protestave antikomuniste që gjatë 1980-ave u përhapën anë e mbanë Polonisë, por influenca e të cilave u ndie më vonë në mbarë Europën Lindore e Qëndrore. I lindur në qytetin Gdansk me 1957, Donald Tusk, ishte njëri prej themeluesve të Komitetit Studentor të Solidarnostit – një degë kjo e Lëvizjes Solidarnost të puntorpve polakë, e udhëhequr nga Lech Walesa — dhe ka shërbyer si përfaqsuesi kryesor i Solidarnostit në Shtëpinë botuese Wydawnictwo Morskie,dhe ka punuar si gazetar për të përjavshëmen, “Samorządność”, organ i sindikatës së puntorëve Solidarnost. Për arsye të veprimtarisë së tij, në mbështetje të sindikatës Solidarnost, ai ishte vendosur nga autoritete komun iste, në “listën e zezë, gjë që e përjashtonte atë nga punësimi në firmat e drejtuara nga shteti dhe ngaqeveria komuniste polake e asaj kohe.
Zgjedhja e tij, tërhoqi vëmendjen pra jo vetëm sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që zgjidhet në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjetë më parë, në një moshë të re ishte në frontin e luftës kundër komunizmit. Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen anti-komuniste polake, Solidarnost, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe më vonë mundi regjimin komunist polak, 25 vjetë më parë. Z. Tusk edhe në ditët e sotëme ai nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuan drejt shëmbjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qëndrore. Si aktivist idikurëshëm i Lëvizjes Solidarnost, ai ka vazhduar gjithashtu t’i qëndrojë besnik edhe ikonës së lirisë polake dhe europiane, Z. Lech Walesa, ish udhëheqsit të kësaj lëvizjeje, i cili qe zgjedhur president Polonisë në vitin 1990, menjëherë pas rënjes së komunizmit.
Pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk u tha gazetarve se konsideron se dy prioritetet kryesore të mandatit të tij janë vendosja e një bilanci midis disiplinës buxhetore dhe rritjes ekonomike në vendet e eurozonës dhe të merret me kërkesat e Londrës,e cila kërkon me ngulm ndërmarrjen e reformave në radhët e Bashkimit Europian, pasi sipas, tij, “asnjë person i arsyeshëm nuk mund të imagjinojë Bashkimin Europian pa Britaninë e Madhe.” Si politikani i parë nga vendet anëtare të Europës ish-komuniste në BE-në, Z. Tusk, për tu zgjedhur detyrën e lartë të KE-së, ai kishte mbështetjen e Kryeministrit britanik David Cameron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, është e njohur tanimë si mbështetse e tij.
Në lidhje me politikën e jashtme, Kryeministri polak ka kritikuar Rusinë ç’prej fillimit të krizës në Ukrainë, duke kërkuar sanksione më të forta kundër Moskës për agresionin e saj në Ukrainë, ndërsa në lidhje me politikën europiane, ai njihet si mbështetës i një integrimi më të madh politik dhe ekonomik mbrenda BE-së, ndërkohë që ka kritikuar ato që ai i ka quajtur si, “monopolizime politike” të vazhdueshme nga vende me influencë si Gjermania dhe Franca. Në vend të këtij përqëndrimi të marrjes së vendimeve nga dy tre kryeqytete me rëndësi, ai ka thënë se nevojiten përpjekje të përbashkëta, ku secili vend anëtar të paraqesë propozimet dhe nismat e veta, sidomos kur është fjala për negociatat mbrenda eurozonës.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në një deklaratë të lëshuar mbrëmë në emër të Shteteve të Bashkuara, u drejtoi urimet e tija Kryeministrit polak, Donald Tusk dhe Ministres së Punëve të Jashtmë të Italisë, Federica Mogherini. Kryediplomati amerikan tha në mesazhin e tij se “pret që të punojë me të dy udhëheqsit e ri europianë për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballemi në lidhje me sigurinë, demokracinë dhe lirinë në lindje të Europës, në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe anë e mbanë botës dhe njëkohësisht të bashkveprojmë për të mbrojtur dhe për të realizuar vizionin tonë të përbashkët për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe.”Zoti Kerry nënvijoi në mesazhin e tij se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa ndajnë zotime të forta në mbështetje të lirisë, të sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të ligjit dhe të tregjeve të lira.”Ai përfundoi urimin e tij duke thënë se, “Ne jemi të bashkuar me lidhje të qëndrueshme kulturore dhe tregtare, me një histori të përbashkët, si dhe me shpresat tona për një të ardhme më të mirë… për të ndërtuar marrëdhënje edhe më të forta trans-atlantike si dhe një botë më të sigurtë dhe më të begatë për brezat e ardhëshëm.”
Zgjedhja e Z. Donald Tusk si President i Këshillit të Europës është simbolike dhe e rendësishme pasi ve në dukje se sa shumë ka ndryshuar, jo vetëm një vend ish komunist si Polonia në dy dekadat e fundit, por zgjedhja e tij shënon njëkohësisht edhe transformimin e vet Europës pas shëmbjes së komunizmit. Polonia, natyrisht, krenohet me zgjedhjen e tij në këtë detyrë me përgjegjësi, sepse sipas analistit polak, Pawel Swieboda, “asnjë burrë tjetër polak deri tashti, me përjashtim të Papa Gjon palit të II, nuk ka arrritur të sigurojë një post aq të lartë.” Duhet të krenohet edhe Europa me këtë vendim, pasi duket se “Europa e vjetër”është e gatëshme që të pranojë vendet ish-komuniste – të kësaj “zonë energjetike”, siç tha vet Z. Tusk — jo vetëm si anëtare të saj, por edhe si udhëheqse të fatit të përbashkët. Vetë Kryeministri Tusk e cilësoi zgjedhjen e tij në krye të Europës si një hap të madh për vendet anëtare të Europës Lindore, duke u thënë gazetarve se “është i sigurt fakti se diçka ka ndryshuar dramatikisht në Europë gjatë gjashtë muajve të fundit.”Ai u pohoi gazetarve të shtunën që kaloi se, “Prania e njerëzve me përvojë nga Europa Lindore, është tepër e nevojshme në Europë.”
Është e natyrshme që një patriot si Donald Tusk, në një detyrë aq të lartë që i është besuar nga Europa, ai do të punojë për interesat europiane dhe njëkohsisht është e logjikshme që ai të mos harrojë as interesat kombëtare të vendit të tij, por as ato të të rajonit të Europës Lindore ish-komuniste me të cilin ai dhe vendi i tij deri 25 vjetë më parë kanë ndarë të njëjtin fat të keq nën regjimet komuniste. Si përfaqsues i një vendi siç është Polonia, e cila ka vuajtur aq shumë nga komunizmi dhe që i njeh mirë hallet e tranzicionit, shpresojmë që Presidenti i ri i Këshillit Europain, Donald Tusk të luaj një rol të rëndësishëm edhe në politikën e integrimeve europiane, në mbështetje të zgjërimit të BE-së me vendet që ende nuk janë anëtzare, por që aspirojnë t’i bashkohen BE-së, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Ne Foto: Presidenti i ri i Këshillit të Europës, Donald Tusk
Shën Kozmai! Ne nuk jemi Grek, por të Krishterë!
Shën Kozmai një misionar i ortodoksisë dhe një kundërshtar i Greqisë së Lashtë e i gjuhës shqipe/
Nga Arben LLALLA/
Më 24 Gusht u festua në Kolkondas të Libofshës 300 vjetori i lindjes së Shën Kozma Etolis i cili ka propaganduar përhapjen ortodoksisë, por edhe asimilimin e popujve të tjerë si shqiptarët, bullgarëve dhe vllahët.
Propaganda për mbajtjen e këtij manifestimi hapi debate të ashpra deri në akuza të rënda. Ithtarët dhe përfaqësuesit e Kishës Autoqefale Shqiptare i akuzonin ata që ishin kundër këtij manifestimi si ateist, nuk i përkasin ortodoksisë dhe komunistë, ndërsa grupi që kritikonte madhështinë e këtij manifestimi thoshin se Shën Kozmai ka qenë një antishqiptar. Si pasojë e debateve të ashpra ky përkujtim kaloj i qetë, pa madhështinë e paralajmëruar, dështoj edhe Simpoziumi Shkencorë që do mbahej për nderim të tij.
Në tubimin kryesorë që u mbajt në Kolkondas nuk ishin më shumë se 500-600 veta, të cilët një pjesë e tyre kishin ardhur nga Greqia. Figura më e lartë e këtij manifestimi ishte deputeti i partisë greke Demokracia e Re (Nea Demokratia) i Larisës, ish-ministri Maksimos Harakopulos. Gjatë ceremonisë Kryepeshkopi Anastasios, si avokat mbrojtës i Shën Kozmait deklaroj se: “Në kohën kur veproj ai nuk kishte kufij shtetesh dhe gjuha shqipe nuk shkruhej, si e tillë ajo nuk mund të ishte pjesë e shërbesave fetare. Kështu, që Shën Kozmai kërkonte arsimimin e popullit duke hapur shkolla për të bërë të mundur njohjen e librave të shenjtë”.
Si diplomat dhe filozof, Hirësia e Tij, mundi ti radhisë mirë fjalët për të mbrojtur Shën Kozmain gjatë fjalimit para popullit, por ne do ti vërtetojmë me fakte dhe shkencë se Shën Kozmai hapte shkollat greke për të asimiluar popujt e tjerë jogrek. Kryepeshkop Anastasi disa herë ka përmendur se Shën Kozmain e kanë respektuar ndër vite shqiptarët. Kjo është shumë e vërtetë që një pakicë e shqiptarëve e respekton Shën Kozmain si imponim i bërë nga rrethanat e kohës dhe nga Patriarkana e Stambollit. Por nga ajo shumicë e shqiptarëve ortodoks që ka në Shqipëri, vetëm një pakicë i përkulet atij, kjo u vërejt edhe në 300 vjetorin e Kozma Etolos.
Interesant është fakti se Patriarku i Stambollit z.Bartholomeo qëndroj në Greqi nga data 20-24 Gusht, dhe nuk mbajti asnjë meshë në kujtim të Shën Kozmait dhe pse ka qenë Patriarkana e Stambollit që e ka shpallur atë të Shenjtë.
Kush është Kozma Etolos
Kozma Etolos lindi diku midis 1700-1714 (vit dhe datë të saktë nuk ka) në rajonin e Etolisë, në fshatin Mega Dhendron, afër qytetit Thermo, dhe u dorëzua murg në Malin e Agios Oros ku kreu shkollën Teologjike. Emri i tij i vërtet ishte Konsta Anifanti dhe prindërit ishin nga Epiri i Jugut-Çamëria, të rrethit të Prevezës. Familja e Kozmait ishte shumë e varfër, babai i tij mbante çantat e fshatarëve nga fusha për në shtëpitë e tyre për të siguruar bukën e gojës. Ka shumë mundësi që ai ta dinte gjuhën shqipe të përdorimit të përditshëm. (Për çudi edhe Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastasi është me origjinë nga ajo zonë, ndoshta është lidhja shpirtërore midis tyre që Kryepeshkopi e nderon kaq shumë Shën Kozmain, duke ndërtuar për nder të tij brenda 10 viteve rreth 6 kisha në Shqipëri). Në disa libra lexova se Kozma Etolos ishte vllah, këtë e shkruan edhe G.A.Papathanasiu, në librin, “Historia e Vllahëve”, botim, 1994, fq. 39. Në të vërtetë Kozma Etolos ishte nga zona që shumica e banorëve ishin vlleh, por kjo nuk do të thotë që ishte vlleh. Popullsia vllahe në Epir ka banuar vllezërisht vetëm me shqiptarët, prandaj edhe zakonet, veshja e tyre është pothuajse e njëjtë.
Pasi mbaroj shkollën fetare, ai filloj misionin për asimilimin e vllahëve, bullgarëve dhe shqiptarëve në Traki, Maqedoni dhe Epir. Sipas gojëdhënave ka hapur rreth 200 shkolla greke, fliste gjuhën turke, frengjisht, hebraisht, shqip dhe vllahishten. Që Kozma Etolos të ketë hapur rreth 200 shkolla greke në kohën kur nuk ekzistonte shteti grek është e pamundur. Kjo është thjeshtë një gënjeshtër sepse sipas të dhënave zyrtare të Greqisë, në 157 fshatra në Epir ka patur 78 shkolla greke më 1874. Pra, me gjithë financime dhe misionarë të shumtë, Greqia mundi në Epir të hapte vetëm 78 shkolla, ndërsa Shën Kozmai i vetëm 200. Kjo është e pamundur. Ka të dhëna se Shën Kozmai ka hapur vetëm një shkollë në Himarë më 1770, dhe një shkollë në Dropull më 1773. Shkollat greke kanë qenë të pakta deri në fillim të shek.19, ato numëroheshin me gishtat e njerëz dorë.
Kozma Etolos u arrestua në një fshat të Fierit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779. Në një shkrim Gjergj Mihalit, shkruan se Shën Kozmai u vra nga Mullai i Ahmet Kurt Pasha i Beratit, i cili ishte paguar nga hebrenjtë. Për pagesën që bënë hebrenjtë për të varrë Shën Kozmain shkruajnë edhe shumë autor grek sepse ai i urrente shumë hebrenjtë. Kozma Etoli më shumë ka qëndruar në Epir, në atë zonë që e njihte mirë gjuhën e banorëve. Ai bëri një udhëtim në Traki dhe Maqedoni, por misioni i tij dështojë në këto treva. Shën Kozmai ishte një murg i thjeshtë, pa një vend të sigurt qëndrimi, nuk shërbente në asnjë kishë, por bukën e gojës e siguronte duke mbajtur fjalime ortodokse në çdo fshat.
Sipas shumë biografëve Kozma Etolosit bënte propagandën që dita e pazarit në Greqi të mos jetë dita e Diel ashtu siç e kanë vendosur hebrenjtë, por të jetë dita e Shtunë me qëllim që njerëzit të Dielën të shkojnë në kishë për tu lutur. Thirrja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të Shtunën e dëmtojë rëndë bashkësinë hebrenj sepse të Shtunën ata kryenin rritet e tyre fetare. Në të vërtet nuk ishte ideja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të Shtunën dhe jo të Dielën, por e tregtarëve shqiptar të Epirit. Marko Gjolas(Markos Gkolias), në librin e tij, botim 1972, me titull: “Kozma Etolos dhe Epoka e tij”, në faqen 18, shkruan se Shumica e popullsisë ishte e krishterë dhe tregtarët e krishterë dëshironin të kishin pazaret e tyre në ditën e Shtunë duke dëmtuar tregtarët hebrenj. Financuesit e kësaj ideje ishin tregtarët shqiptar të Epirit të cilët financuan predikimet e Kozma Etolos për Ditën e Pazarit të jetë e Shtuna. Kështu, nga një propagandë e thjeshtë për tregti, ajo kaloj në një propagandë fanatike fetare e cila mori formën e plotë të urrejtjes ekstremiste midis ortodoksëve dhe hebrenjve.
Në fillimet e shek.18, shqiptarët po hynin fuqishëm si tregtarë në tregun e Perandorisë Osmane, ata mundën të organizonin Ditën e Pazarit duke ua marrë ekskluzivitetin hebrenjve të cilët kishin gjetur hapësirën e pasurimit të tyre pikërisht duke organizuar këtë ditë.
Për urrejtjen e hebrenjve ndaj Shën Kozmai, ai vetë ishte i ndërgjegjshëm. Më 2 Mars 1779, Kozma Etolos i shkruante vëllait të tij, Krisanthos se : “Dhjetëra mijëra të krishterë më duan, por vetëm njëri më urren, mijëra turq më duan, por vetëm njëri kaq shumë, mijëra hebrenj duan vdekjen time, por askush nuk e do jovdekjen time”. Pra, siç del nga letra Shën Kozmai ishte i bindur se vdekja do ti vinte nga hebrenjtë sepse ata kishin shumë arsye për ta vrarë atë. Më 2013, Rabini hebre, Morntehai Frizi, deklaroj publikisht se Hebrenjtë e vranë Shën Kozmain. Sipas legjendës, Shën Kozmain e varën në një pemë dhe trupin e tij e hodhën në Lumin Seman, pas tre ditësh e gjeti famullai i kishës dhe e varrosi në oborrin e saj. Një gojëdhënë thotë se kokën e Shën Kozmai e mori Ali Pasha dhe e lau me argjend si shenjë respekti për profecinë në favor të tij. Kozma Etolos nuk mundi të shkelte të gjitha trevat e Shqipërisë së sotme që banorët ishin në ato vite shumicë të krishterë si në Korçë, Elbasan, Durrës etj. Misioni i tij u ndal atje, në Kolkondas të Fierit.
Shën Kozmai u shpall Shenjtor në 20 Prill të 1961, nga Patriarkana e Stambollit
Fakte që Shën Kozmai ishte kundërshtar i Greqisë së Lashtë dhe gjuhës shqipe
Në Doktrinë e parë Shën Kozmai i drejtohet grekëve:
Ne nuk jemi Grek, por të Krishterë!
Dhe Unë, Vëllezërit e mi, që denjësisht qëndrova në këtë apostoli të shenjtë për mëshirën e Krishtit tonë dhe të Perëndisë sonë, Ju nuk jeni grek, Ju nuk jeni mosbesues, heretikë, ateistë, por ju jeni të krishterë ortodoksë të devotshëm, se ju jeni të pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, ju jeni bijtë e bijat e Krishtit tonë.
Këto vargje të Shën Kozmait kanë shfaqur shumë polemika dhe diskutime në Greqi sepse ai shpreh hapët luftën ndaj kulturës dhe Greqisë së Lashtë. Asaj Greqie që besojnë grekët e sotëm se janë trashëgimtar. Shën Kozmai ishte i vetëdijshëm se ,,grekëve,, që ju fliste ishin trashëgimtarët e Greqisë së Lashtë, por ata nuk flisnin greqishten e tij, por gjuhën e perëndive të Olimbit, që ishte dhe është shqipja. Shqiptarët e shekujve të kaluar ishin të bindur se ishin grekët e lashtë, këtë e ka deklaruar edhe ish-zëvendëskryeministri i Greqisë, Teodoror Pangallos më 2003, në Athinë.
Lufta kundër gjuhës shqipe e Shën Kozmait
Në të gjithë librat grek që lexova për Shën Kozmain ndesha në fjalinë e tij kundër gjuhës shqipe që thoshte në trevat shqiptare: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Me këtë teori Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Këtë shpjegim e thonë të gjithë studiuesit grek të biografisë së tij. Në kohën që Shën Kozmai mallkonte gjuhen shqipe, ishte vetë Sulltan Abdulhamiti më 31 maj 1779, që lëshoj një Ferman ku thuhej që të merret në mbrojtje kultura, gjuha greke, të mbrohen grekët nga shqiptarët, të ndiqen ata që mësojnë shqip. Por lind pyetja: Përse Kozma Etolos kërkonte të ndalohej gjuha vllahe dhe shqipe që flisnin banorët në territorin e Greqisë së sotme? Pra, kjo kërkesë e tij tregon se popullsia nuk ishte greke në ato territore ku propagandonte Shën Kozmai si në Trakia, Maqedoni dhe Epir, por vllahe dhe shqiptare.
Ka të dhëna se në vitin 1777, Kozma Etolos qëndroj në fshatin Baieasa ose Vovousa që banohej nga vllahët afër Janinës, ai ju tha banorëve: “Gjuha greke është gjuha e Zotit, ndërsa gjuha vllahe është gjuha e Djallit”.
Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, misionin e Shën Kozmait e vazhdon Kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anastas Gerasimos Janaullatos. Ai me anë të gjuhës melankolike, i butë dhe me një buzëqeshje ironike e me kulturën bizantine, Hiqu sikur s’ke, Hiqu sikur s’je, ka arritur ti fusë në kurthe politikanët shqiptarë për të siguruar pavdekshmërinë e misionit të tij të vërtetë. Por Hirësia e Tij duhet ti trembet vetëm hakmarrjes së Zotit, ditën e gjykimit, jam i bindur se ai i trembet vërtet shumë asaj dite.
Çfarë ishte në të vërtetë Shën Kozmai
Shën Kozmai nuk ishte grek sepse nuk ekzistonte kombi grek, as Greqia si shtet. Ai ishte një misionar i përhapjes së ortodoksisë së Bizantit duke sulmuar gjuhët dhe kulturat popujve të tjerë. Kozma Etolos nëse do ringjallej sot do të çmendej nga nderimet e mëdha që i bënë Greqia, sepse ai punoj dhe luftoj për ortodoksisë nën Perandorinë Osmane.
Sot Greqia Shën Kozmain e ka shpallur Babai i Greqisë Moderne, ky është një vlerësim i drejtë sepse ai tërë jetën e tij ia kushtojë gjuhës dhe kulturës ortodokse të sotme greke që s’ka lidhje fare me gjuhën dhe kulturën e Greqisë së Lashtë. Sipas kësaj del se Kombi i sotëm grek nuk është ai kombi grek që kanë shkruar filozofët dhe historianët e lashtë nga frymëzohet e tërë bota. Pra, historia e Greqisë së sotme fillon me Shën Kozmain, kjo sipas vetëm grekëve.
Ka disa vite që thonë se është gjetur një letër e Shën Kozmait e nënshkruan në fund nga dora e tij para se ta arrestonin. Për mendimin tim kjo është një mashtrim sepse nuk mund ta vërtetojë askush origjinalitetin e kësaj letre duke u nisur nga koha që jetoj Kozma Etolos. Nuk janë ruajtur letra të tilla për shumë arsye sepse ai nuk ishte ndonjë figurë qendrore e Kishës Ortodokse të Patriarkanës së Stambollit. Ato që i referohemi si profecitë e Shën Kozmait nuk janë veçse tekste, të cilat janë bazuar në predikimet e tij. Nuk ka dorëshkrime origjinale të tij, sikurse nuk ka edhe data të sakta për secilin prej tyre. Besohet se ndonëse fillesat janë predikimet e tij, ato janë shkruar dhe kopjuar vetëm pas vdekjes së tij, sikurse mund të ketë edhe modifikime si rezultat i këtij procesi. Bashkë me profecinë që shkruesit e më vonshëm i sollën deri në ditët tona japin edhe komentet që lidhen me kohën që jetoj Shën Kozmai.
Kozma Etolos ishte një fanatik i kishës ortodokse i cili propagandonte gjuhën e saj, ai kishte për qëllim që popullsitë që jetonin nënpushtimin osman si shqiptarët, vllahët, sllavët etj., ti kthente në një popullsi Unike në shërbim të Patriarkanës së Stambollit e cila ishte vënë në shërbim të Sulltanit prej kaq vitesh. A ishte profet Shën Kozmai? Ai nuk mund të ishte profet, në atë periudhë shumë njerëz përdornin fjalitë që kishin lexuar nëpër libra për të përfituar të holla. Ishte koha ku në perandorinë Otomane njerëzit ishin injorantë, të pa shkolluar, të shtypur, ishin skllevër që punonin për të paguar haraç dhe ishte e logjikës që një njeri i shkolluar në Manastire në Malin e Agios Oros të gjente terrenin për të propaganduar për atë që ishte paguar.
Shën Kozmai në fjalimet e tij nuk i referohej asnjëherë filozofëve të Greqisë së Lashtë, por librave të hebrenjve, librave të krishterimit që nuk ishin të autorëve grek, por hebrenj. Në këtë pikë kemi përplasje midis ideologjisë së Filozofëve dhe të Ortodoksisë. Ai ishte një mbrojtës i pushtimit turk, sepse shpesh herë predikonte se pushtimi turk është i mirë, ata i mbrojnë grekët nga kërcënimi i perëndimit.
Në përfundim të këtij studimi i cili është mbështetur mbi bazë të të dhënave serioze le të hedhin akuzat ata që besojnë në gënjeshtrën. Le të na quajnë Ateist, Komunistë, Heretik, jo i Krishterë, Nacionalistë, por e vërteta mbetet e vërtetë, edhe vetë ZOTI përkulet para fakteve të pamohueshme. Shën Kozmai duhet nderuar vetëm për realizim e Profetësisë së Tij që Greqia e sotme është një shtet fanatik Ortodoksë, ku minoritetet nuk njihen, ku qytetarët grek që i përkasin sekteve të tjera si mysliman, katolik, jakuva etj., shtypen, kërcënohen në vendin që pretendon se ka patur Demokraci që në kohën e Lashtë.
Bibliografia
Gazeta, ANAPLASIS, Janar, 1953
Revista Istorika Themata, Gusht, 2003, Greqi
Revista, ISTORIKO Grnosia, 2001
Revista CONTACT, 2001, Agrinio
Marko Giolas, Kozmai dhe Epoka e tij, 1975
Κ. Simopulos, Udhëtarët e Huaj në Greqi,
Thoma Paskidhu, Pellazgët, 1879, Greqi
G. D.Metallinu, I Zoi toy Kozma Etolos, 2003
Efstathios Gieorgios, Kozmas Etolos…, Thessaloniki, 2010
Menun Ioannio, Kozmas Etolos…., Athinë, 1979
Theothoru Zish, Agios Kozma Etolos, 2008
Stergios Sakkos, Agios Kozmas-Profetis
Nikoslaos Psimenos, Etolakarmane Llogji, 1981
www.history-of-macedonia.com
www.pare-dose.net
www.agioskosmas.gr
www.freeinquiry.gr
PARA NJË NGJARJEJE HISTORIKE
Nga Eugjen Merlika/
“Ndërkaq këtë vit është parashikuar Shqipëria, për dy arsye të rëndësishme. E para, sepse kanë arritur të bëjnë një qeveri të bashkimit kombëtar – po bëhet fjalë për Ballkanin, ë? – ndërmjet myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve, me një këshill ndërfetar që ndihmon mjaft, i ekuilibruar e harmonik, kjo është gjë e mirë. Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku. Nëse mendojmë pastaj për historinë e Shqipërisë, ka qenë i vetmi nga vëndet komuniste që kishte ateizmin të vendosur në kushtetutë : shkuarja në meshë ishte antikushtetuese ! Janë shkatërruar 1820 kisha, të tjera të kthyera në kinema, teatro, salla vallzimi…. “
Këto ishin fjalët që Papa Françesku, duke u kthyer nga udhëtimi i tij i tretë në botë, që nga shkurti i vitit të kaluar, kur u zgjodh, pothuajse njëzëri, në fronin e Shën Pjetrit, u tha gazetarëve në aeroplanin me të cilin fluturonte drejt Romës. Ishte vizita e parë në kontinentin aziatik dhe u zhvillua në Kore, në pjesën qëndrore të saj, në faltoren e Solmoes ku Kreu i Krishterimit pati takim me 6000 të rinj e të reja nga gjithë Azia.
Udhëtimi i tij i katërt do të jetë në Shqipëri. Është sihariqi më i mirë që mund të kishin shqiptarët në këtë fazë të trazuar të jetës ndërkombëtare e, do të thosha, edhe të jetës së Vendit. Është një sukses i politikës shqiptare, një nga të paktit, në këto 23 vjet të pas komunizmit, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në NATO e në BE. Në hapësirën e kohës prej 21 vjetësh Shqipëria vizitohet nga dy vikarë të Krishtit. Vizitat kryhen në dy çaste historike të ndryshme. E para u krye më 25 prill 1993 nga Papa Vojtila, i ngjitur në drejtimin e Vatikanit nga toka martire polake, njeriu që ndikoi në planin vetiak, më shumë se kushdo tjetër në shembjen e komunizmit. Ulja në gjunjë e puthja e tokës arbërore nga ana e Tij ishte nderimi më i madh që i bëhej një Vendi të varfër, që dilte nga përvoja më e keqe e komunizmit evropian, por që kishte dhënë edhe shëmbullin e qëndresës ndaj së keqes në pushtet, me martirizimin e klerit të tre besimeve, kryesisht me atë katolik. Duke puthur “tokën e fshikulluar nga përndjekja” e duke thirrur “Evropa nuk duhet të harrojë”, Papa polak i jepte një përkrahje të hapur, në nivel botëror, atdheut të Skënderbeut, për të cilin të tjerë parardhës të hershëm të Tij ishin shprehur me fjalët më të ngrohta e me ndihma. Nëse “porosia” e Gjon Palit II nuk pati rezultatet e pritura, arsyet duhet t’i kërkojmë në veten tonë, në klasën politike, që gënjente veten duke dashur të ndërtonte shoqërinë e tregut të lirë me metodat e mendësinë e socializmit ramizist. Sot Papa Françesku, “i ardhur nga fundi i botës”, pranon ftesën e Qeverisë shqiptare, duke i dhënë asaj përparësi në gjithë kontinentin. E bën këtë për të ngritur, para botës, një shembull harmonie të bashkëjetesës dhe bashkëqeverimit të tre besimeve fetare më të përhapura : të islamizmit, të krishterimit ortodoks e të atij katolik. Ai e quan atë dukuri si shfaqje të krijimit “të një qeverie të bashkimit kombëtar”. Është i qartë objekti në mendimin e Papës, edhe se nuk i përgjigjet së vërtetës në planin institucional, por kjo tregon një mangësi të këshilltarëve të tij, që nuk janë të njoftuar mirë për gjëndjen shqiptare.
Vlerësimi i Françeskut vjen në një çast të vështirë të gjëndjes ndërkombëtare, kur pakica myslimane në vende të ndryshme, nëpërmjet terrorit ushtarak po shpallin “kalifate”, duke shfarosur e dhunuar të gjitha pakicat e besimeve të tjera, madje dhe të atyre islame jo sunite. Shembulli i Shqipërisë është ndër të paktit në botë, në të cilin ndryshimi i besimeve, nuk ka ndikuar për keq jetën politike.
Duhet theksuar se kjo meritë nuk është veçanti e klasës politike pas komuniste, të lindur, rritur e formuar me ateizmin në kushtetutë, të ideuar nga Enver Hoxha e pasuesit e tij për të garuar me Mao Ce Dunin dhe revolucionin e tij kultural, por të “Etërve të Kombit”, që nga krijimi i Shtetit shqiptar e deri në ardhjen në fuqi të komunistëve. Të gjitha qeveritë shqiptare të para 29 nëndorit 1944, ruanin barazpeshën e përfaqësimeve fetare e krahinore. Shqipëria e Rilindjes kombëtare, duke lënë liri të plotë ushtrimi të besimeve fetare, kishte vënë në qendër të filozofisë së saj politike vargun madhor të Vaso Pashës “feja e shqiptarit asht shqiptarija”. Nuk ishte një prirje për të kufizuar apo ndaluar veprimtaritë e besimtarëve e klerikëve të tyre, mjaft prej të cilëve ishin aktorë të rëndësishëm të jetës politike, por e vetëdijes se duhej të ndërtohej një shtet laik, në shembullin e demokracive të Evropës, e se nxitja e dasive fetare do të ishte dukuria më shkatërruese për vetë Kombin. Enver Hoxha e komunistët shqiptarë e bënë “flamur” vargun e poetit e shtetarit shkodran, për të shkatërruar institucionet fetare dhe jetët shpirtërore të shqiptarëve. Kësaj tragjedie, të markës staliniane, të paparë në historinë bashkëkohore të botës, deri në ditët e sotme, kur po i a kalojnë nga përmasat e cilësia e dhunës, vetëm pasuesit aziatikë, afrikanë e evropianë të Bin Ladenit dhe Al Bagdatit, vjen t’i bëjë nderimin e tij dhe të Kishës që përfaqëson Papa i Romës, Françesku, figura më karizmatike e botës së sotme.
“Prania e Papës don t’i thotë gjithë popujve se mund të punohet së bashku.” A është Shqipëria e sotme politike një model i këtij parimi thelbësor për qytetërimin tonë ? Me keqardhje të thellë mund të them se jemi në të kundërtën e tij. Fatmirësisht, prania e tre besimeve fetare, deri tani, nuk ka penguar zhvillimin normal të jetës politike, e cila ka mbetur robe e mendësisë komuniste në një anë dhe e makutërisë së importuar kapitaliste, nga ana tjetër. Larg çdo parimi të respektimit të interesit të përgjithshëm mbi atë vetiak e të vlerësimit si mision të përkohshëm në dobi të Kombit, pjesëmarrjen në jetën politike, aktorët e asaj skene në Shqipëri shquhen për dasitë, jo të besimeve fetare apo bindjeve politike e morale, por për ndarjen në klane e grupe të interesit, që kanë të gjithë të njëjtin synim : pasurimin skajor të secilit.
Jeta politike e kësaj periudhe të pas komunizmit, duke përjashtuar deri diku vitet e para të ndërrimit të sistemit, është një luftë pa caqe për të zotëruar pushtetin, në të cilën nuk kanë munguar përpjekjet e çdo lloji për të tjetërsuar edhe përfundimet e votimeve. Sot marredhëniet mes shumicës qeverisëse dhe pakicës kundërshtuese në Kuvend janë një zinnxhir i gjatë mosmarrëveshjesh, grindjesh, fyerjesh, banalitetesh, deri në përdorimin e një gjuhe triviale, të padenjë jo për njerëz të institucioneve apo të politikës, por as edhe për sarahoshë mejhanesh. Në politikë kundërshtia është fiziologjike, por ajo duhet të jetë e varur dhe kontrolluar nga motive bindëse programore, jo teka njëshash, qofshin këta edhe kryetarë, të servirura si “interesa të atdheut”. Interesat e vërteta të Atdheut, për ata që i kanë ata jetike në qenien e tyre, imponojnë, kur është rasti, edhe qëndrime e marrëveshje në kundërshtim me bindjet, për më tepër me dobitë vetiake të çastit. Ishin ata interesa të Atdheut që shtynin Xhevat Korçën, në prag të 7 prillit 1939, t’i drejtohej Mbretit Zog për bashkëpunim, deri në luftë të përbashkët me armë kundër italianëve, e Mustafa Krujën, më 1943, t’i kumtonte atij, nëpërmjet Sali Myftisë, gatishmërinë për t’u vënë nën drejtimin e tij, si “ushtar i thjeshtë”. Kjo ndodhte mbas një jete të tërë mërgimi si kundërshtarë të Mbretit Zog. Rastet e “koalicioneve të mëdha” në Evropë janë të shumta e mësimdhënëse.
Ka vite që jemi të pranishëm në padi të ndërsjellta mes socialistëve e demokratëve për korrupsionin politik, por deri më sot nuk kemi parë asnjë të dënuar, për ato motive, në rradhët e drejtuesve kryesorë, sepse askush nuk ka interes t’a bëjë konkrete atë betejë. Ka vite që shohim një parregullsi të theksuar në jetën e Kuvendit, ligje e “reforma” që miratohen pa pjesëmarrjen e Opozitës në votime. Ndodhte ashtu kur qeveriste koalicioni PD – LSI, ndodh kështu tani, kur qeveris PS – LSI. Socialistët dilnin jashtë Kuvendit, kur bëhej fjalë për të dënuar krimet e komunizmit e për t’i dhënë dëmshpërblimet ish të dënuarve politikë, demokratët nuk marrin pjesë as në diskutime, as në komisione, as në votimin e një akti të rëndësishëm të shtetit, siç është reforma administrative. Për të mos u zgjatur, shëmbujt janë të shumtë e nxjerrin në pah papërgjegjshmërinë e politikës në përgjithësi.
Para një ngjarjeje madhore për historinë tonë bashkëkohore, siç është vizita e Papës Françesku, më 21 shtator, një ditë kur një pjesë e mirë e vëmëndjes së botës do të jetë e përqëndruar në Tiranë, është e arsyeshme dhe e urueshme që mosmarrëveshjet e pazarit të politikës të lihen mënjanë, që t’i jepet, qoftë edhe për një ditë, ideja botës se “dijmë të punojmë së bashku”. Le t’i lemë ca ditë në pushim “zëdhënësit” e partive që, çdo mbrëmje recitojnë përmendësh paditë e ndërsjellta, le të tërhiqemi për disa ditë nga veprimet e pushtimit të institucioneve të pavarura, funksionimi i të cilëve çon në çrregullime të mëdha për jetën e qytetarëve e të Shtetit, përfshirë këtu dhe vendime vetiake, në kundërshtim me interesat e tyre, siç është rasti i mos emërimit të prof. Ardian Ndrecës në funksionin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vatikan.
Le të japim përshtypjen, qoftë edhe të rreme, se besimit që na jepet nga bota dijmë t’i përgjigjemi me veprime të dobishme, le të vemë në pah vlerat tona e, pse jo, të japim një mësim qytetërimi, në pohimin e marredhënieve vëllazërore mes njerëzve të besimeve të ndryshme, kësaj trashëgimie morale kulturore të Kombit tonë, që merr vlera të jashtzakonshme në kontekstin konfliktual të botës së sotme. Le t’i lemë mënjanë shemëritë politike e t’i japim mbështetjen e përgjithëshme Kryeministrit tonë që, në mbledhjen e Berlinit, do të flasë në krah të Kancelares Merkel, jo vetëm në emrin tonë, por edhe të Ballkanit.
Kjo nuk do të thotë të njëjtësohemi me pushtetin, por të jemi t’arsyeshëm në betejën politike, duke dhënë përfytyresën e një Vendi që ka hyrë në rrugën e qytetërimit, që është i vendosur të respektojë parimet e tij në të gjitha fushat, edhe në atë të mbarështimit të Shtetit, edhe në rregullat e ballafaqimit të ideve e projekteve politike.
Le të jemi të gjithë në lartësinë e detyrës së një dite të shënuar për Kombin tonë. Mikut shumë të lartë, që na nderon me praninë e Tij në kryeqytetin tonë, t’i dëshmojmë jo vetëm mikpritjen tradicionale e respektin e thellë, por edhe vullnetin “për të punuar së bashku”, në dobi t’atyre parimeve që çojnë përpara qytetërimin, duke vënë në dukje, prerë e pa mëdyshje, shkëputjen tonë nga e kaluara komuniste, jo vetëm me fjalë.
Do të jetë shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit tonë e historisë së tij, nëse do të kemi vullnetin e dëshirën për t’a kryer atë.
Gusht 2014
NË BUKURESHT U MBAJT KONGRESI NDËRKOMBËTAR I ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË
Nga Frank Shkreli/
Shoqata Ndërkombëtare e ish të Përndjekurve të Europës post-Komuniste (INTERASSO), anëtare e së cilës është edhe Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zhvilloi punimet e Kongresit të 21-të të kësaj organizate në Bukuresht të Rumanisë. Kongresi i ish-të përndjekurve politikë, ku morën pjesë 14 delegacione nga vendet ish-komuniste të Europës, të përfaqësuar secili nga dy delegatë, u mbajtë javën e kaluar nga 21 deri më 24 gusht. Në këtë takim të shoqatave europiane të të ish-përndjekurve politikë, Shqipëria përfaqësohej nga Zotërinjt Simon Mirakaj dhe Haki Hoxha.
Burime nga Kongresi bëjnë të ditur se Kongresi vjetor u mbajtë në Pallatin e Parlamentit rumun, ose siç quhej në kohën e diktatorit komunist Çaushesku, "Shtëpia e Popullit", një ndërtesë kjo grandioze e cila për nga madhësia dhe absurditeti i saj, edhe sot flet për narcisizmin dhe megalamoninë e diktatorit Nikolai Çausheskut, ku thuhet se kanë punuar mbi një milionë rumunë dhe mijëra ushtarë, 24 orë në ditë, shtatë ditë të javës dhe i cili mori vite për tu ndërtuar. I frymëzuar për ndërtimin e këtij pallati nga vizita e tij në Kinë dhe në Korenë e Veriut, në vitin 19971 dhe i impresonuar nga kulti i personalitetit të diktatorëve Mao Tse Tung dhe Kim il Sung, diktatori Çaushesku kishte në plan që nga ballkoni i lartë i këtij pallati të mbante fjalime turmave të popullit mbi të sukseset e komunizmit, por rumunët e lodhur dhe të vuajtur nga regjimi i tij diktatorial, kishin plane të tjera dhe e ekzektuan atë në dhjetor të vitit 1989. Rumunët e urrejnë gjithnjë këtë "vepër" të Çausheskut, sepse, për relaizimin e tij, ai kishte shkatërruar pjesën më të bukur historike të qytetit për t’i bërë vend këtij pallati, por për më tepër edhe kur të merret parasyshë mundi e djersa e popullit rumun që është derdhur aty, për të mos thënë gjë edhe për numrin e rumunëve që thuhet se kanë gjetur vdekjen duke ndërtuar këtë pallat, i cili sipas të dhënave mbulon 1/5 e sipërfaqës së kryeqytetit rumun. Diçka e ngjashme me ndërtimin e 700-mijë bunkerëve në Shqipërinë komuniste, qëllimi i të cilëve ishte gjoja për t’u mbrojtur nga "armiku" i cili nuk sulmoi kurrë Shqipërinë -- "veprën" e madhe të Enver Hoxhës -- e cila ashtu si edhe projekti i Çausheskut, përpiu pasurinë dhe burimet material dhe njerzore të vendit, si dhe mundin e djersën e popullit. Qëllimet e dy projekteve mund të ishin të ndryshme, njëri për të venë në dukje megalomaninë e një diktatori komunist dhe tjetri i shtyrë nga paranoia e një diktatori që i shihte armiqët kudo. Të dy këto projekte absurde kanë lënë pasoja fizike, psikike dhe historike, të cilat vetëm koha do t'i shuaj.
Natyrisht, se është domethënse fakti që ish të përndjekurit politikë të regjimeve komuniste nga Europa të mbanin të Kongresin e Shoqatave Europiane të ish- Përndjekurve politikë, pikërisht aty në atë ndërtesë. Burimet nga Kongresi,-- punimet e të cilit vazhduan për tre ditë -- njoftuan se Kongresi u hap zyrtarisht nga Kryetari i deri tanishëm i kësaj shoqate, kroati Jure Knezhoviq, ndërsa Kryetari i parlamentit rumun, Valeriu Stefan Zgonea përshëndeti delegatët duke u uruar atyre mirëseardhjen dhe punë të mbarë. Gjatë punimeve të Kongresit, përfaqësuesit e delegacioneve të ndryshme europiane paraqitën raportet e tyre duke pasqyruar gjëndjen në vendet nga vinin, pothuaj një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit. Delegacioni shqiptar, në raportin e tij, u raportoi delegatëve të tjerë europianë për atë që duket se është një nostalgji e re për ish regjimin komunist shqiptar, duke përmendur ndër të tjera, ri-shfaqjen e portretit të Enver Hoxhës pas radhës së shtetarëve shqiptarë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe të Krye-parlamentarit Ilir Meta, tek Varrezat Kombëtare në Tiranë, nëntorin e kaluar. Delegacioni i ish të përndjekurve politikë shqiptarë njoftoigjithashtu delegatët e tjerë europianëpër ato që ata thanë se ishin largime të detyrueshme nga puna të disa të ish përndjekurve, vetëm e vetëm, për arsye të bindjeve të tyre politike, gjë që si përfundim çoi në grevë urie nga një grup ish-të përndjekurish politikë në Tiranë.
Gjithnjë sipas burimeve të Kongresit, pasi u lexuan raportet e paraqitura nga delegacionet e ndryshme,delegatëtmbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri të Shoqatës Europiane të ish-Përndjekurve Politikë, ku u zgjodh gjermani Kristian Fuchs. Në fund të punimeve tre ditëshe të ish-të përndjekurve politikë nga e mbarë Europa, Kongresi miratoi një rezolutë e cila thuhet seiu dërgua Këshillit të Europës (KE) dhe Bashkimit Europian (BE).
Në pikat kryesore të rezolutës së Bukureshtit i bëhet thirrje vendeve anëtare të KE-së dhe të BE-së që të dënohet publikisht komunizmi dhe të ndalohet propaganda komuniste nga nostalgjikët e atij sistemi.Në rezolutë theksohet, ndër të tjera, që të ndërmirren masa për ngritjen e monumenteve në nderim të viktimave të komunizmit.Gjatë qëndrimit të tyre në Bukuresht, delegatët mësuan se në kryeqytetin rumun po ndërtohej një monument gjigant në nderim të viktimave të regjimit komunist të Çausheskut, me një lartësi prej 28 metrash dhe me një peshë prej 120 tonësh, i cili sipas këtyre burimeve, pritet të inaugurohet mbrenda gjashtë muajsh.
Ndër pikat e tjera të rëndësishme të theksuara në rezolutë, kërkohet që shkollat në vendet ish-komuniste të ndërmarrin masa për të edukuar brezin e ri me një frymë anti-komuniste, si dhe hapjen e dosjeve ose të miratohet ligji i lustracionit, në vendet ku ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Në rezolutë u kërkua gjithashtu që të ndërpriten bisedimet për antarësim nëBashkimin Europian me vendet që nuk zbatojnë këto detyrime.Duke pasqyruar gjëndjen aktuale në Europë, Kongresi i ish të përndjekurve politikë, me rezolutën e tij drejtuar Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, dënon agresionin rus kundër Ukrainës dhe kërkon ndalimin e ndërhyrjes së trupave ruse në Ukrainë.
Në të vërtetë, pikat që theksohen në rezolutën që doli nga Kongresi i ish të përndjekurve politikë në Bukuresht, janë pothuaj të njëjtat kërkesa me ato të rezolutave të aprovuara më heret nga Këshilli i Europës (KE) dhe Bashkimi Europian (BE)me të cilat dënohen ashpër krimet e regjimeve totalitare komuniste.Ndër to dallohen, ndër të tjera, rezoluta e KE e vitit 2006, Deklarata e Pragës e vitit 2008, Rezoluta e Parlamentit Europian më 2009 si dhe Deklarata e Vilnius-it më 2009, e tjera.Në këto dokumente të Europës nënvijohen krimet e regjimeve komuniste dhe theksohet se ajo që i karakterizonte këto regjime ishte shkelja masive e të drejtave të njeriut, ç’prej fillimi të tyre, me qëllim për të qëndruar në pushtet, me çdo kusht.Në rezolutën e Këshillit të Europës nënvijohet se krimet e bëra nga regjime të komuniste kanë qenë të ndryshme, varësisht nga kultura, vendi dhe periudha historike, por që kanë përfshirë vrasje dhe ekzekutime individësh dhe grupe njerzish, përfshirë edhe vdekjet në kampet e përqëndrimit, urinë, deportimet, torturat, persekutimet e komuniteteve fetare dhe mohimin e lirisë së fjalës, të mendimit dhe të shtypit, përveç krimeve të tjera.
Kongreset vjetore të shoqatave europiane të përndjekurve politikë, si mbledhja që u mbajt javën që kaloi në Bukuresht, e ka rëndësinë vet praktike, në mos për asgjë tjetër, atëherë për tu rikujtuar sado pak brezave të tanishëm të vendeve ish-komuniste, krimet e regjimeve totalitare dhe njëkohësisht për tu kujtuar vendeve të ndryshme që të zbatojnë rezolutat dhe angazhimet që kanë marrë për një rishqyrtim të thellë të krimeve të regjimeve komuniste, krime të cilat janë bërë në emër të luftës së klasave dhe në emër të diktaturës së proletariatit. Pa një shqyrtim të tillë, sipas një rezolute të Këshillit të Europës, publiku në përgjithsi nuk ka aspak dijeninë e nevojshme mbi këto krime kundër njerëzimit dhe thekson se disa parti komuniste të cilat nuk kanë shqyrtuar ende krimet e bëra prej tyre gjatë sundimit të tyre, vazhdojnë të gëzojnë status ligjor në disa vende.
Ky siç duket ky është gjithashtu edhe mesazhi që doli nga punimet e Kongresit të Shoqatës Europiane të ish Përndjekurve Politikë që u mbajtë në Bukuresht fund javën që kaloi, dhe i cili njëkohësisht propozoi që Kongresi i vitit të ardhëshëm të Shoqatës Europiane të mbahet në Shqipëri ose në Hungari. Thuhet se qeveritë përkatëse janë njoftuar për këtë propozim tëShoqatës Europiane të ish Përndejkurve dhe se tasht prej tyre pritet një përgjigje mbrenda tre muajsh.
- « Previous Page
- 1
- …
- 34
- 35
- 36
- 37
- 38
- …
- 59
- Next Page »