• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEDERATA VATRA DHE DR. SALI BERISHA, PARA DHE PAS DORËHEQJES

July 4, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Pjesa më e madhe e vatranëve e kanë adhurur dhe vazhdojnë ta adhurojnë dr. Sali Berishën, ndërsa Vatra si institucion, i ka dhënë atij dhe Partisë Demokratike përherë përkrahje maksimale, duke besuar fort  se ai ishte udhëheqësi reformator i Shqipërisë Demokratike.     Që në vizitën e parë të tij në SHBA, Vatra i dha besim dr. Berishës dhe e mbështeti atë gjatë të gjithë kohës,ndërsa  dorëheqja e tij i ka shtangur vatranët ashtu si të gjithë ata që e kanë adhuruar liderin demokrat, ndërkohë që akti i dorëheqjes në vetëvete, sërish e ka lartësuar staturën e tij prej demokrati.Vatra  dhe vatranët kanë parë tek dr. Berisha performancën e një udhëheqësi  demokrat reformator, të vendosur, energjik, atdhetar, dhe kanë shpresuar shumë në rolin e tij si inspirues të  zhvillimeve demokratike. Bash për këtë besim dhe përkrahje të pakufishme, Vatra është “mallkuar” nga e majta dhe media e saj, është sulmuar nga gazetarë të opozitës, është sharë dhe fyer, është thashethemuar, por vatranët ishin të ndërgjegjshëm në përkrahjen ndaj Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj dhe nuk ndjeheshin të ofenduar as nga togfjalshi tashmë i konsumuar”pleqtë e Vatrës”! Ky togfjalësh vazhdon të përdoret edhe pse këto tre vitet e fundit në Vatër 80 përqind e të anëtarësuarëve janë mosha të reja dhe mesatare, por kritizerëve nuk u duhet realiteti, ata kanë mendjen dhe fantazinë e tyre dhe vazhdojnë të urrejnë pleqtë. A do të plaken vetë një ditë edhe ata!     Grupi i parë i vatranëve, që patën shkuar në Shqipëri që në zgjedhjet e para pluraliste kudo ku shkuan nëpër Shqipëri potencuan Partinë Demokratike, ashtu siç bëri edhe i pari ambasador amerikan në Shqipëri pas rivendosjes së marrdhënieve diplomatike me Amerikën. Në fakt në atë vizitë të parë, vatranët nuk u identifikuan me federatën, por u paraqitën si shqiptaro-amerikanë. Ata bënë thirrje që të përkraheshin forcat e reja demokratike dhe jo trashëgimtarët direkt të Partisë së Punës, që jo vetëm trashëguan iventarin dhe pasuritë e PPSH-së, por që edhe nuk pranuan të ndryshonin, qoftë edhe numrin e botimit të gazetës së tyre Zëri i Popullit, që ruante në progresion numrin e botimit, që nga 25 gushti i vitit 1942, numër që kishte dalë nën drejtimin e Enver Hoxhës.      Në vizitën e tij të parë në Amerikë si president i Republikës në vitin 1993, dr. Sali Berisha u prit nga vatranët dhe shqiptarët e Amerikës si hero. Pas kësaj, në çdo vizitë të tij, ai nuk harronte që të takonte vatranët. Darkat e punës me Vatrën u kthyen në traditë, aq sa kritizerët filluan ta sulmonin Vatrën për këto dreka, edhe pse kjo ishte në traditën shekullore të Vatrës dhe në bujarinë tradicionale shqiptare. Kështu i kishte pritur Vatra të gjithë personalitetet që vinin nga Atdheu i largët, përjashto udhëheqësit dhe diplomatët komunistë. Kështu kishte pritur  Vatra, At Gjergj Fishtën, kështu kishte pritë Mithat Frashërin, dhe të tjerë burra të nderuar të Kombit.       Përse Vatra nuk u ka ofruar mikpritje komunistëve? Së pari Vatra është antikomuniste. Së dyti, sepse vatranët që dhanë gjithçka për Kombin, u ndëshkuan nga komunistët sikur të ishin armiq. Kështu u pushkatua ish kryetari i Vatrës Kolë Tromara, kështu u pushkatua ish editori i Diellit, Bahri Omari, u çua në plumb ai që stërviti vullnetarët e Vatrës dhe i udhëhoqi në Luftën e Vlorës dhe në mbrojtjen e kufijëve jugorë më Greqinë okupuese, Aqif  Përmeti, kështu u dënua pa varr bashkëthemeluesi i Vatrës, ish kryetari i Besa-Besën, deputeti i Parlamentit Shqiptar, Konsulli, nënprefekti i Himarës dhe Bilishtit, kryetari i bashkisë së Korçës, Kristo Kirka, dora e djathtë e Nolit,u kalbën burgjeve ish kryetari Vatrës dhe editori i Diellit Aqile Tasi, Kolë Rodhja e të tjerë, ndërkohë që Ali Kuçi, kryetari i Pleqësisë së Vatrës në Pensilvania, që i priu fushatës “për shpëtimin e Shqipërisë’, vdiq nën torturat e hetuesëve në Berat. Po kështu u dënuan me moskthim në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës, që do të prisnin për 53 vite që të riktheheshin në Shqipërinë që ai i pat kushtuar jetën, mendjen, penën, oratorinë dhe gjithëçka tjetër. Ky është muri që i ndanë vatranët dhe vatrën e tyre të dashur nga komunistët. Ata që thonë se Vatra nuk është marrë në të shkuarën me politikë, gabojnë, nuk njohin historinë e Vatrës. Federata Panshqiptare  e Amerikës Vatra është marrë me politikë, edhe pse neni i pestë i kanunores ia ndalon formalisht.      Po le të kthehemi tek marrdhëniet e Vatrës me Partinë Demokratike dhe liderin e saj dr. Sali Berisha. Vatra i ka dhënë mbështetje Sali Berishës jo vetëm kur ka qenë në majë të pushtetit, por edhe kur ishte në opozitë. Edhe në vitet e vështira ’97-’98 vatranët ishin pranë Berishës duke i dhënë atij mbështetje nga rrëzimi i dhunshëm, nga grushti i shtetit, prej atij që ata e quajtën “ rebelim, revolucion i komunistëve”. Vatranët nuk e njohën qeverinë e kallashnikovëve, siç e pagëzuan ata qeverinë e dalë pas dhunës. Madje në qershor të vitit 1998 ekipi i Vatrës shkoi në Shqipëri për dy qëllime; që të ndihmonte luftën në Kosovë, udhëtoi deri në Tropojë, vizitoi të plagosurit e luftës, dha kontribute financiare për luftën dhe shfrytëzoi rastin përmes bisedash e intervistash në radio dhe televizone , ku përcollën mesazhe që suportonin ringritjen e dr. Berishës dhe të Partisë Demokratike. Vatranët e shoqëruan lëvizjen e ringritjes së Berishës dhe Partisë Demokratike përmes protestave “Nano ik”. Jo vetëm se ishin organizatorë të protestave në Nju Jork me moton” Nano ik!”, por  me 20 mars 2004, shkuan edhe në Tiranë dhe morën pjesë në një protestë të madhe në Sheshin Skënderbej, ku kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi u brohorit nga mesazhi që përcolli.    Nga ana e tij dr. Berisha e respektoi Vatrën si institucion historik. Ai në të gjitha vizitat e tij përcolli në komunitetin shqiptar në Amerikë mesazhe vlerësimi të rolit historik të Vatrës. Kulmin e vlerësimit ai e bëri në 100 vjetorin e Vatrës, ku mori pjesë në konferencën shkencorë”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit”. Në këtë përvjetor gazetat në shërbim të opozitës u morën gjatë me faktin pse qeveria e Berishës planifikoi 33 mijë dollarë, duke e trajtuar 100 vjetorin e Vatrës si prologun e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shifër është përfolur, është zmadhuar, është thashethemuar, pa u interesuar përfolësve se përse u dhanë dhe përse u përdor ajo shumë. Madje edhe ata që kritikojnë nga Amerika, nuk kanë pasur kohë që të vijnë në Shtëpinë e Vatrës dhe të shohin se si u ringjall historia e Vatrës përmes ekspozitës fotografike”100 vitetet e Vatrës”.     Në të vërtetë Vatra ka përkrahur Berishën dhe Qeverinë Demokratike, por nuk ka nguruar që t’i bëjë asaj oponencë për shqetësime që burojnë nga progarmi Kombëtar i Vatrës dhe Kanunorja e saj. Kështu psh Vatra ka mbajtur qëndrim publik kritik për ngritjen e varrezave greke në territorin shqiptar, ku të vrarët e ushtrisë pushtuse greke trajtohen si heronj dhe përjetësohen në mauzole në trojet shqiptare, ka mbajtur qëndrim kritik për çështjen e kufijëve detarë, ka denoncuar korrupsionin zyrtar, i ka bërë thirrje qeverisë që të respektojë kthimin e pronës tek pronarët e vërtetë,  ka dalë në mbrojtje të shtresës të të përndjekurëve politikë, kur ata janë lënë në harresë, madje kryetari i Vatrës vitin e shkuar i vizitoi grevistët”antiqeveritar”  duke e trajtuar vizitën e tij si humane për shëndetin e njërëzve që kishin vuajtur në diktaturë. Askush nuk mund t’ia mohojë Vatrës këtë oponencë ndaj Qeverisë Berisha.   Tash që rotacioni ndodhi, dhe që Berisha jo vetëm pranoi rezultatin, por uroi dhe kundërshtarin fitues, realiteti në Shqipëri duket se ndryshoi dhe Partia Demokratike duhet të reflektojë mbi shkaqet e humbjes duke kërkuar ringritjën perms reformimit, por tani pa kultin e Berishës. Në këto kushte Vatra duhet të pajtohet me realitetin e ri shqiptar, dhe të njohë atë që vetë Berisha e quajti: “Vendim të Sovranit”, pra të popullit votues, por pa hequr dorë nga oponenca e fortë ndaj qeverisë socialiste, që erdhi në pushtet me premtime të bujshme.     Pas dorëheqjes, Berisha mbetet mik i Vatrës dhe një udhëheqës i përmasave europiane, për të cilin historia do të flasë, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e Shqipërisë moderne.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, para dhe pas doreheqjes, Vatra dhe dr. Berisha

NË DITËLINDJEN E AMERIKËS

July 3, 2013 by dgreca

NGA AGIM NEZA/

4 Korriku është datëlindja e Amerikës! 237 vjet pavarësi dhe Amerika mbetet gjithmonë e re në shpirtin e saj demokratik. Kjo datë nuk lindi një komb të ri, por lindi parime të reja dhe këto parime u përfshinë në Deklaratën e Pavarësisë. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 Korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre. Ata që u mblodhën për të shpallur pavarësinë e Amerikës nuk ishin emra të mëdhenj, por përfaqësonin idealin e madh të popullit të tyre.
Ajo që e bën të kujtohet çdo ditë këtë Deklaratë të Pavarësisë është fakti se aty thuhej se, të gjithë kanë lindur të barabartë, të gjithë janë pajisur me të drejtën e patjetërsueshme dhe fuqia e qeverisë buron nga pëlqimi i të qeverisurve. Asnjë progres dhe asnjë sukses nuk mund të arrihet as në ditët e sotme, nëse nuk mbështetet në parimet e lartpërmendura. Zbatimi i këtyre parimeve i ka bërë të suksesshme zhvillimin e institucioneve amerikane.
Më 4 Korrik populli amerikan feston 237-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Është dita kur amerikanët festojnë pavarësinë kudo që ata ndodhen. Të e gjithë festojnë këtë ditë për të kujtuar lirinë, për të mos harruar ata që dhanë jetën për lirinë e çdonjërit.
Kjo datë (4 Korriku) është e lidhur edhe me fatet e vendit tonë. Kjo datë është kushtrim shprese për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresën tek shqiptarët se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15 shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi se “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Ai shkoi edhe më larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të veçantë për vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Gjatë këtyre viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Gjatë këtyre viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë kuadër festa e Amerikës është festë edhe për shqiptarët. Amerika nuk e feston këtë festë me parade tankesh, avionësh luftarakë apo me hapin rreshtor të ushtarakëve… Amerikanët dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA festojnë çdo 4 Korrik triumfin e pavarësisë, triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada, etj.
Në thelb çdo përvjetor ka skicimin e së ardhmes për një jetë më të mirë për çdo amerikan. Forca e vërtetë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk vjen as nga shkalla e pasurisë dhe as nga forca e armëve, por nga fuqia e idealeve të amerikanëve, që nënkuptojnë demokracinë, lirinë dhe shpresën për ta pasur Amerikën gjithmonë të papërkulur dhe të suksesshme.
Askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetjeje popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. Dy parime themelore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë e mbeten aktuale; mbështetja në drejtësi dhe vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Në këtë 237-vjetor të SHBA duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e të gjithë ambasadorëve shqiptarë dhe ambasadorëve të SHBA për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis shteteve tona. Të tillë janë ambasadorët dhe konsujt shqiptarë në Washington dhe New York në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; Kostandin Cekrezi (ambasador, 1921-1922), Koço Tashko (konsull në New York,1922-1924, Mehdi Frashëri (ambasador në OKB, 1926-1929), Faik Konica (ambasador,1926-1939), Roland Bimo (ambasador, 1992-1993), Lublin Dilja (ambasador, 1994-1997), Petrit Bushati (ambasador, 1997-2001), Fatos Tarifa (ambasador 2001-2005), Agim Nesho (ambasador në OKB, 2001-2005), Ferit Hoxha, (ambasador në OKB), Aleksander Sallabonda (ambasador, 2005-2009), Gilbert Galanxhi (ambasador 2009 në vazhdim).
Kontributi i çmuar i ambasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë: Ulysses Grant-Smith, emëruar më 22 shtator, 1922; C. Hart, emëruar më 27 maj, 1925; Herman Bernstein, emëruar më 17 shkurt, 1930; Post Wheeler, emëruar më 26 gusht, 1933; Hugh G. Grant, emëruar më 9 gusht, 1935 dhe e përfundoi misionin kur forcat italiane pushtuan Tiranën më 7 prill 1939;
Christofor Hill, i ngarkuar me punë, 15 mars 1991; William E. Ryerson (2 dhjetor 1991- 13 tetor 1994); Joseph E. Lake (5 korrik 1994 – 15 mars 1996); Marisa R. Lino (2 korrik 1996 – 20 maj 1999); Joseph Limprecht (7 korrik 1999 – 19 maj 2002); James F. Jeffrey (3 tetor 2002 – maj 2004); Marcie B. Ries (18 tetor 2004 – 30 tetor 2004); John L. Withers II (28 qershor 2007 – 2010); Alexander Armando Arvizu (10 nëntor 2010- korrik 2013).
SHBA, nëpërmjet ambasadorëve të tyre të akredituar në vendin tonë kanë dhënë një kontribut të veçantë dhe kanë inkurajuar marrëdhëniet bashkëpunuese të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm në drejtim të reformave.
Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë dhe respektin për pronën private etj.
Në këtë 237-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. E këtë mund ta bëjmë edhe ne shqiptarët.
Megjithëse kanë kaluar 237 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që kanë arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin.
E ndoshta, edhe në këtë drejtim amerikanët kanë një “sekret” dhe ky sekret është ajo që thotë ish-Sekretari i Shtetit të SHBA, Kolin Paull se: “Politika nuk ka pse të jetë gjithmonë një garë ku fitorja e dikujt është patjetër humbje e dikujt tjetër.”
SHBA kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet.
Në këtë ditë feste, eksperienca amerikane tregon se: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shtetërore…”.
Gëzuar festen e Amerikës! Zemra e vërtet e Qeverisë amerikane mbështetet në zemrën e popullit. Duke u mbështetur në zemrën e popullit mund të jesh i suksesshëm në çdo reformë.
Në këtë ditë të shënuar për pavarësinë dhe demokracinë amerikane, shpresoj dhe besoj, se pas këtyre zgjedhjeve të standardeve më të mira se çdo herë tjetër, e gjithë klasa politike shqiptare do të reflektojë për t’i bërë gjërat më mirë për qytetarin shqiptar dhe vendin tonë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Agim Neza, Ne ditelindjen e Amerikes

GËZUAR DITËLINDJEN AMERIKË!

July 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Skenë e artistit nga nënshkrimi i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 4 Korrik, 1776./

Me 4 Korrik, 1776, Kongresi i dytë Kontinetal,  miratoi Shpalljen e Pavarësisë të 13 kolonive amerikane duke shpallur kështu ndarjen, njëherë e mire,  të kolonive nga Britania e Madhe dhe shënon ditën ku iu shpallë mbarë botës se, “Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.”   Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte ideja e vet-qeverisjes, dmth. e drejta e një populli për të ushtruar vet të gjitha kompetencat e pushetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër.  Tomas Xhefersoni, kryeautori i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka thënë se vetqeverisja është një e drejtë që njerëzit e kanë, në bazë të “ligjeve të natyrës dhe të  Perendisë”.

Historia  e kombit te ri amerikan ishte plot e për plot konflikte të mbrendshme por edhe të jashtme, me vendet që kërcënoheshin nga krijimi i një sistemi republikan të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës së re amerikane.

Por pas shumë debatesh dhe argumentash, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, 237 vjetë më parë nga kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kombi të ri, — që sot quhet Shtetet e Bashkuaratë Amerikës — një dokument ky që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një frymëzim për  mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për sovranitet dhe pavarësi.    Anë e mbanë botës, për ata që duan t’i degjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë  bën  jehonë deklarata e Kushtetutës amerikane se, “Perëndia  i ka pajisë të gjithë njerzit me disa të drejta të pa tjetërsueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për  të qenë i kënaqur në jetë”.   Fjalët e para të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, se “ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”, kanë  bërë jehonë gjatë  histories së tre shekujve të kaluar, duke nxitur bërjen e ndryshimeve  për të siguruar barazi  për të gjithë, duke filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe për femërat.  Dokumenti i  Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, që zyrtarisht zyrtarizoi pavarësinë nga Britania e Madhe,  është në të vërtetë një përmbedhje e 10-amandamenteve të kushtetutës amerikane, dokument ky  që njihet si ”Bill of Rights”, që sot njihen si të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe të fesë, ndër të tjera.

Në Filadelfia të shtetit Pensilvania, 56 burra nga te gjitha kolonitë hodhën votën e parë për pavarësi nga Britania e Madhe duke nënshkruar  Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës  më 4 Korrik, të vitit 1776 dhe njëkohësisht duke i shpallur  edhe botës  së atëhershme parimin radikal për kohën, se qeveria duhet të bazohet në pëlqimin  dhe miratimin e saj nga  populli.   Ndonëse natyrisht  4 Korriku është një festë amerikane,  parimet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  janë bërë bazë gjithashtu edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj si e tillë, këjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të përbashkëta dhe universale të njerëzimit.   Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë edhe Francën.   Në dokumentat e Revolucionit francez mund  lexohet, se “Njerëzit janë lindur të lirë dhe mbeten të tillë, me të drejta të barabarta”.
Historianët thonë se ndikimi i Shpalljes së Pavarësisë amerikane ishte i drejtë për drejtë, në valën e shpalljeve për pavarësi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore me shëmbjen e perandorisë osmane, ruse dhe austro-hungareze, si dhe gjatë periudhës deri në fund të shekullit të kaluar, me shpartallimin e perandorive të tjera,  përfshirëa tëë komuniste, kur nga shpartallimi i  këtyre perandorive lindën një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
   

Edhe Shqiptarët kudo kanë të drejtë të festojnë sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, pasi ishin parimet për të drejtat universale të njeriut dhe për vetvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga këjo deklaratë — ato që shtynë Presidentin amerikan Uilson të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris në fillim të shekullit të kaluar —  dhe ishte  besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral, ai që detyroi Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Klinton, të  ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në fund të shekullit që kaloi,  për të  ndaluar shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe.  Politika uilosniane, “se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”, u çua në vend.

Në të vërtetë, ishin parimet që rrjedhin nga deklarata e Pavarësisë së Shteteteve të Bashkura, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që çuan në prishjen e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur në vitin 1945, Enver Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që  përfundoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë.  Me rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis tyre në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënjeve të mira, në bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të drejta të barabarta për të gjithë. Dhe duke u bazuar në parimin mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve — Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënsve amerikanë, vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të vendosura seriozisht që Shqipëria  dhe Kosova — si shtete sovrane dhe të pavarura — të realizojnë aspiratat e tyre për integrimin e plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, dhe në një Evropë, “të lirë, të tërë dhe në paqë”, aty ku e ka vendin dhe karrigën e vet.
Mesazhi i kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan — por edhe për të gjithë ata që vlersojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarësisë amerikane — është i thjeshtë por edhe i rëndësishëm sa vet jeta.   Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbanë botës — se të drejtat tona bazë, si qenje njerëzore, e “që janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë “, vijnë nga Perëndia dhe jo nga ndonjë autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për t’i mbrojtur këto të drejta, dhe jo për t’i shkelur ato.  Në të vërtetë ky ishte një mesazh radikal  për kohën, por është i tillë edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe ku nuk merret parasyshë dëshira e shumicës.   Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë  të  heqin qafe cilindo regjim që përpiqet t’i dhunojë këto të drejta.

Sot, në këtë ditë të shënjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët, por edhe popujt anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë  ata që shpallën  pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ata hodhën në veprim një forcë pozitive  që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerërzit jo vetëm sot, por  edhe për breznitë e ardhëshme anë e mbanë botës.   Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre — nevoja pra për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut — që çuan më në fund në shëmbjen e komunizmit në Evropë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri.   Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikan, Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Xhon Adamsit, Benjamain Franklinit e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që edhe sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.

Filed Under: Editorial Tagged With: Amerike, Frank shkreli, Gezuar ditelindjen

Assemblyman Mark Gjonaj: Happy 4th of July!

July 3, 2013 by dgreca

On this 4th of July, please join me to honor the determined spirit of our nation’s forefathers and to remember those who fought for our nation’s independence. That strength and courage continues to make America a free and great nation, and one that all Americans are proud of and should celebrate as one. 

Each day as we exercise our rights and freedoms in America, we celebrate Independence Day. Roberta, Nicholas, Joey and I wish you a safe and great Fourth of July.

 God bless America and all of you.

Assemblyman Mark Gjonaj

NYS 80th Assembly District

1126 Pelham Parkway South

Bronx NY 10461

Phone: (718) 409-0109

Filed Under: Editorial Tagged With: Assemblyman Mark Gjonaj, Happy 4th of July

Tendenca për të çmontuar civilzimin europian të kombit shqiptarë

July 2, 2013 by dgreca

Nga Gjon KEKA/

Ka kohë që kombi ynë po sulmohet nga brenda, pra më saktësisht nga armiqtë e brendshëm , që nënkupton një rrezik të dyfishtë, sepse kur ne e dim se kemi një armik të jashtëm atë e njohim ,e dimë strategjinë e tij demoniake dhe politikën diabolike kundër interesave tona kombëtare dhe ardhmërisë sonë si komb.

Këto sulme ndaj kombit tonë ,personaliteteve kombëtare e historike dhe të identitetit të tij rrënjësisht europian vijn direkt nga mbetjet sulltaniste dhe argatët e saj sllavë

Aq më keq që këto mbetje sulmojn kombin tonë në gjuhën shqipe ,flasin shqip , mbajnë flamurin tonë në dorë edhe pse e urrejn atë flamur sepse është flamur i Kastriotit, pra flamur i Arbërit ,por nga gjitha këto ata në brendësinë e tyre kanë shpirtin e errët të sulltanizmit dhe ideologjisë së saj islamike, është e qartë se ata e kanë mësuar gjuhën shqipe ashtu siç e mëson çdo i huaj gjuhën e vendit ku ai është vendos ,qoftë si emigrant e qoftë si pushtues e më pas si mbetje e saj. Jo rastësisht nënvizonte Cyrus mbret i babilonisë se,“njerëzit janë si bimët që marrin natyrën e tokës në të cilën ato janë vendosur”, dhe kjo thënie e tij jo vetëm se është e vërtetë, por kjo akma më shumë po forcohet edhe sot në shekullin XXI.

Prandaj nisur nga kjo ngjarjet qysh pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit nga barbaria serbe ,disa mbetje dhe individ të ideologjizuar të sulltanizmit po mbjellin farën e egër dhe të huaj ,farë kjo helmuese dhe kërcënuese për themelet e vërtetë të shtetit sekular,modern e demokratik dhe të vetë shpirtit e identitet europian të popullit shqiptar me një histori të lashtë e të lavdishme.

Kjo për faktin se shihet një lloj fryme e demonizuar e cila jo vetëm se po e dëmton natyrën e vërtetë dhe të identitet e imazhit europian të popullit shqiptar ,por edhe e futë atë në një laborator të rrezikshëm të ideologjisë aziatike islamike e që mund të prish apo çajë nga brenda unitetin dhe harmonin në mes të shqiptarëve të një gjaku dhe prejardhje gjenealogjike si popull.

Vetë kjo frymë e mbetjeve sulltaniste dhe ideologjisë së saj të sulltanizmit po shfaq për çdo ditë një zymtësi mbi qiellin arbëror dhe imazhin e tij ,po kjo mbetje sulltaniste ka ngritur shumë pyetje ,pyetje këto që po iu ngarkohen popullit shqiptare dhe po e futë atë në një kontradikët me të kaluarën e tij ,të tashmen dhe të ardhmen.

Kështu që këto mbetje sulltaniste duke injoruar faktet e pakundërshtueshme të vërtetën dhe duke u fshehur nga dielli shqiptar i të vërtetës në errësirën e tyre ideologjike po e fusin një pjesë të shoqërisë në avujt abstrakt të ideologjisë së tyre ,të mohimit ,të prishjes së imazhit dhe të futjes së gurëve që pengojn dhe ndajnë shqiptarët edhe shpirtërisht e vëllazërisht.
Në këtë mënyrë ata po e sulmojn qenjen e lashtë shqiptare ,po tallen me të ,pikërishtë në tokën tonë të arbërit, por ajo që është akoma edhe më keq ata po i sulmojn figurat apo thesarët e kombit shqiptar ,thesare këto që janë jo vetëm shtylla të kombit por edhe vlera e përjetshme ,pa të cilët kombin ynë mbetet i panjohur për nga lavdia dhe fama e mirë e tij në botën e civilizuar.

Pra janë këto mbetje që së bashku me argatët e tyre sllavë po e trashin “enigmën e shpifur” të sulltanizmit dhe sllavizmit si një vello mbi shqiptarët se a janë ata më të vjetërit në këtë kontinent,janë pikërisht këto mbetje që po mundohen ta zhveshin nga lavdia, nga fama dhe nga identiteti i lashtë dhe rrënjët europiane në kontinentin tonë europian si një komb i lashtë dhe autokton.Pra kjo tallje e këtyre mbetjeve sulltaniste dhe argatëve të tyre sllavë është tallje e sëmurë,është një përpjekje për të çmontuar civilzimin europian të kombit shqiptarë duke u munduar të fusin copa të sulltanizmi dhe ideologjisë islamike në mes të tij.

Se këto mbetje sulltaniste si armiq të brendshëm të kombit shqiptar janë argatë të sllavizmit këtë po e shprehin nga veprimet e tyre sipas frymës së tyre demoniake për ta dëmtuar kombin shqiptar dhe imazhin e tij si dhe sulmet që i bëjnë qenjes sonë dhe personaliteteve mbikohore kombëtare siç janë Gjergj Kastrioti Skënderbeu ,Pjetër Bogdani ,Nënë Tereza dhe shumë e shumë personalitet tona të vlefshme kombëtare.E gjithë kjo shihet tepër qartë se është duke u ndjek e njëjta linjë e sulltanizmit si në kohën kur ajo i kishte pushtuar në mënyrë barbare trojet e arbërit ashtu edhe tani por sipas frymës së saj demoniake ,dhe në bashkëpunim të pashkëputshëm edhe sot me sllavët ardhacak.Për ta vërtetuar këtë miqësi të këtyre dy pushtuesve barbarë deri në ditët tona mund vetëm të përmend këtu shumë shembuj që historia vetë flet për marrëveshjet e tyre në dëm të kombit shqiptar dhe qenjes së tij identitare e nacionale , por unë do të përmend këtu një thënie të një shkrimtari dhe politikani grek Jakovakis Rizo i cili vetë tregon për këtë miqësi dhe bashkëpëunim dhe ai shpreht kështu “pa marrë parasysh se si dhe sa e rëndë është të thuhet, kjo është fakt se politika turke ka synuar gjithmonë për të ndihmuar grekët dhe serbët kundër shqiptarëve.”

Duke parë këtë si më lartë si dhe rreziqet serioze të këtyre mbetjeve sulltaniste dhe argatëve të saj sllavë për ta dëmtuar ,helmuar dhe zhvesh kombin nga fama e mirë dhe të vërtetat e saj të lashta historike ,shqiptarët dhe vetë politikanët e shteteve kudo ku ka shqiptar duhet të fillojn të mendojn seriozisht në dëbimin sa më parë të kësaj të keqe ,të ideologjisë së saj dhe helmit që bartë ajo, prandaj vetë duke u bazuar në kushtetutën ,ligjiet dhe vetë të vërtetën e kombit shqiptar si një komb me identitet të pastër europian ,të gjithë duhet të veprojn për të ndal që luga e djallit të mos zgjatet më shumë ,sepse pasojat do të jenë katastrofale për vetë pozicionin historik ,politik ,gjeografik dhe të rrugëtimit të popullit shqiptar drejt rikthimit në familjen e lashtë europiane.Një veprim serioz i shtetit në këtë drejtim do ta ruante si shpirtin e kombit,unitetin ,harmonin në mes të shqiptarëve të një gjaku nga helmi ideologjik sulltanist ashtu edhe trupin e shtetit ,pra kështu do të shpetohet shteti dhe kombi nga një e keqe tepër e madhe për të dhe identitetin dhe rrugën e tij drejt të ardhmes.Në të kundërt çdo indiferentizëm ,injorim të kësaj ideologjie dhe këtyre mbetjeve sulltaniste nga shtete dhe të gjithë shqiptarët e vetëdijshëm do të thotë mbrojtje e të keqes,dhe siç thotë një fjalë e urtë “mbrojtja e mëkatit apo të keqes do të thotë mëkat i dyfisht.”

Me fjalë të tjera nuk duhet të lejohet në asnjë manyrë që të dëmtohen kufijët e brendshëm(shpirtëror) dhe të jashtëm(politik e shtetëror) të kombit shqiptarë europian nga kjo idelogjië e sulltanizmit dhe mbetjeve të saj në bashkëpunim me aletatët e saj sllavë ,sepse do ta dëmtonin kombin dhe do ta zhvlersonin natyrën e tij dhe do ti ndanin akoma më shum copat si të brendshem ashtu edhe ato të jashtme, dhe pikërisht kjo është qëllimi i errrët i tyre.

është shteti ai që duhet ruajtur kombin nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme dhe armiqtë e tij, pra vetëm në këtë mënyrë shteti do t’i shërbente kombit ,qytetarëve dhe shtetit në mënyrën më të mirë të tij dhe jo vetëm ,sepse ky duhet të jetë edhe qëllimi shtetit jo vetëm mbrojtja e individëve ,familjes, shoqërisë dhe popullit ,por ai duhet t’i shërbejë atyre dhe kombit më tërë forcën e saj.

Vetë shtetarët duhet të marrin shembull Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe urtësin e vizionin e tij të lidershipit në kohën e udhëheqjes së shtetit të Arbërit ,ai ishte ruajtës i shpirtëmadhësisë së kombit arbëror, ai ishte ruajtës jo vetëm i rrënjëve po edhe degëve të pemës së madhe të kombit shqiptar.Vetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu u shfaqet para gjithë Europës për çlirimin e popullit arbëror dhe jo vetëm kaq ai u bë edhe çlirues i dymbëdhjetë milion popujve tjerë brenda familjes europiane në atë kohë nga zgjedha e rëndë dhe barbari turke ,prandaj ai u bë një nga personalitet më të mëdha në bazë veprave të shkëlqyera të një heroi dhe lideri vizionar ndaj ajo dihet edhe në ditët tona, historia flet me llambën e saj në dorë ,nuk ka hije dyshimi kur llamba është pranë nesh.Sepsehistoria i ka ruajtur në copëra më tepër se kërkon frymën e kërkimit të një shkenctari ,historiani etj ,në një tërësi të lidhur, ne mund të dallojmë vetë me një besim të dyfishtë për të gjitha këto ,janë vepra e pavdekshme ato që flasin dhe gjurmët përgjatë gjithë historisë.Kështu që shihet se tani në këtë shekull ne si komb qëndrojm sikur në një epokë të hekurt, dhe po kjo epokë kërkon automatikisht edhe një gjenerat të hekurt.

Nga kjo mund të nënvizoj se historia jonë është e lehtë për t’u kuptuar vetëm tregoni brezave të vërtetën dhe ato do të jenë degë të shenjta të kësaj peme të lashtë të kombit tonë.Degët e jetës së shenjtë kombëtare të individëve që përfaqësojn në të vërtetë rrënjët në lidhje me degët si pasardhës të denjë të kombit, dhe ruajtës të imazhit dhe origjinës së tyre.Atëherë kur rrënjët janë të shenjta edhe degët shkëlqejnë të njëjën dritë si pasardhës të denjë , sigurisht që edhe kombi në tërësin e tij është i shenjtë.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: civilizimin, europian, Gjon Keka, te Kombit shqiptar, tendenca per et cmontuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT