• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERCILLUNI BREZAVE TRASHEGIMIN TRIMIJE VJECARE SHQIPTARE

December 6, 2012 by dgreca

Eksperienca e Kalueme dhe Hymja ne Shekullin e Dyte/

 Nga Prof. Sami Repishti/

Dedikim: O Plang , ku zanat bajne Kuvend/ Ku çerdhen Shqipja ngrehe pernjimend.?  O dheu  im e i  t’pareve,/                 O Nder e te gjithe Shqiptareve:/ Fale te kjofsha sot,/ E per gjithe mot!-  /Imzot Vinçens Prennushi/

– Sot 28 Nandor 2012, mbushen plo 100 vjet nga dita e shpalljes se Pavaresise se Shtetit Shqiptar ne Vlore, nga babaj I kombit tone , Ismail Kemal Bej Vlora.Vllazen, motra shqiptare: Urimet e mia ma te ngrohta per nji shekull te ri shqiptar te vllaznuem e ne liri, demokraci dhe perparim.

Prej Tivarit deri ne Preveze , kushdo qe buken e quen buke  dhe besen  e mban bese, asht shqiptar! Kete dite te madhe e festojne ma shume se dhjete miljone shqiptare dhe shqiptare. Urimet e mia per te gjithe ju arbereshe ne itali, arvanitas ne greqi, arnaute ne Turqi.

Urimet e mia per te gjithe ju vellazen e motra shqiptare qe moret rruget e kurbetit me shpetue nga tirania dhe vorfenia dhe jetoni sot ne te gjithe kontinentet, sidomos  ne Europe, ne Amerike e Kanada , dhe ne Australi.

Shqiperia juej dhe e jona asht per te gjithe ne Nana Shqiperi qe na jep nder, na frymezon, na jep emnin shqiptar dhe qe kerkon nga te gjithe ne te mbajme nalt kete emen dhe ta nderojme kudo qe jetojme. Dhe ashtu duhet te veprojme.

                                                                     ** *

Nji vale entuziasmi dhe krenarie ka perfshi sot te gjithe shqiptaret kudo qe jetojne. Njiqind vjet pavaresi: nji shekull perpjekjesh, luftash, invazionesh te hueja, diktaturash ekstreme e autoritare.

Megjithate , Shqiperia fitoi; ajo mbi jetoi!  Vitaliteti i saj dhe dashunia e shqiptareve per liri siguruen  nji Shqiperi shtet  shekullor e jo krijese te rastit.

Akoma ma shume! Sot, shqiptaret ne Shqiperi  kane themelue nji republike demokratike, megjithese anemike; nji Republike te Kosoves  se lire dhe  te  pavarun, me shume I  preobleme por me prespektive europiane; nji  grup te madh etnik me pemasa shtet-formuese ne Maqedoni dhe ne rrugen e emancipimit demokratik; nji pakice kombetare autoktone ne Kosoven lindore (Lugina e Presheves) dhe ne Mal te Zi, me te drejta te kufizueme , por me prespektive europiane.

Fatkeqesisht , Nana  shqiperi  gjithashtu vajton bijen e saj, Çamerine, te vrame, te masakrueme  akoma nen çizmen ushtarake greke.

                                                                        ***

Perkujtimi i “28 nandorit 1912” na gezon te gjitheve, dhe ngjall shpresa te reja se lidhjet vellazerore  te ketij grupi etnik, te “lagjeve shqiptare” ne Ballkan, dhe pertej,  qe perbejne “Kombin Shqiptar” do te rriten, dhe se nji afrim i deshirueshem  kulturo-edukativ, ekonomiko –financiar, dhe politik-modern, asht jo vetem i deshirueshem por edhe i  mundshem gjate viteve te shekullit te dyte te Pavaresise se shqiperise.  Une besoj me bindje se kjo ashte perspektiva shqiptare e shekullit 21, qe na duhet te ndjekim me kembengulje dhe  te plotesojme.

Vllazen, motra shqipatro-amerikane! Mos harroni Shqiperine, dashunine per vendin e prinderve tuej. Bani perpjekje me i  kalue breznise se re kete trashegim tremije vjeçar. Asht detyra e juej. Asht nji çeshtje krenarie kombetare. Perkrahni  shkollat shqipe, dhe çdo  veprimtari qe synon ruetjen e dashunise per token tone shqiptare dhe trashegimine e saj.

Dhe bahuni qytetare te ndershem te Amerikes, ketij vendi te bekuem qe hapi deren  ne ditet tona  te veshtira.

Rrofte Shqiperia! Rrofte Kosova! Rrofte Amerika! Rrofte paqa ne bote!

Vellaznisht,

Sami Repishti

28 Nandor 2012, Ridgefield, CT. USA,

SHENIM:

Kjo ishte pershendetje qe Prof. Sami Repishti i dergoi Konferences qe organizoi Akademia Shqiptaro-Amerikane me  dt. 27 Nentor ne Staten island, NY. Pershendetjen ia dergoi redaksise se Diellit, z. Bajram doka.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: drejtuar Akademise, pershendetja, Sami repishti

100 VITET E VATRËS DHE 100 VITET E PAVARËSISË

December 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/

28 prilli 1912, dita e deklarimit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” mbetet një ditë e shenjtë, jo vetëm pse u bekua nga një prift idealist siç ishte Fan S Noli, që kishte në krah një mendje të artë si e Faik Konicës, por edhe pse ajo dukej si dhuratë Perëndie në ato kohë të vështira, kur  egzistenca e Kombit shqiptar ishte në pikëpyetje dhe ende nuk ishte shpallë shteti i Pavarur shqiptar .

Vatra i priu pavarësisë së Shqipërisë. Më 17 nëntor 1912, njëmbëdhjetë ditë para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston kundër planeve të Fuqive të Mëdha për një ndarje të mundshme të Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Ajo i kërkoi Presidentit amerikan Taft, që të mbante një qëndrim të favorshëm për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Ndërsa, në telegramin që kryetari i Vatrës, Faik Konica, i dërgoi Kuvendit të Vlorës, i kërkoi orientim nga Perëndimi. Vatra luftonte për një Shqipëri si Danimarka, Belgjika, ose Holanda.

Shqiptarët dukeshin si të pafat në agun e lirisë pas 500 vjetëve sundimi nën Turqi, pasi nuk arritën që ta gëzonin shtetin e mosvarur shqiptar të 28 Nëntorit 1912, pasi lufta Ballkanike dhe Lufta e I Botërore e bënë vendin e shqiponjave shesh betejash.Princi që dërgoi Europa me kredencialet e Mbretit, dukej si jetim, pa përkrahje të vetë Europës. Pikërish që aty filluan punët e mëdha të Vatrës.Faik Konica, Fan S Noli, që së bashku me patriotët e tjerë lanë Amerikën dhe shkuan të punojnë për Shqipërinë nëpër Europë, ndërsa Vatra këtu kultivonte me Diellin dashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes Kombëtare. Vatra në SHBA, po llogariste fundin e luftës botërore dhe asaj  në Ballkan dhe fatin e Shqipërisë së mjerë, që vazhdonte të ishte e kërcënuar, me Pavarësi në udhëkryq. Duheshin miq në Evropë dhe këtu në SHBA, që të shpëtonte Shqipëria.Në këto kushte Vatra mori në dorë fatet e shtetit të vdekur dhe i doli për zot Kombit.Vatranët ishin në një mendje që Federata të financonte delegatët e saj-diplomatë në Londër, Gjenevë, Romë, Washington, me qëllim, që çështja shqiptare të kishte avokatët e saj. Ky shërbim diplomatik i ngritur nga Vatra e kishte kosto të lartë. Gjithëçka e financonte  vetë Vatra. Ata, vatranët që jetonin në kushte të vështira, 8-10, 12 vetë në një konak, hoqën mënjanë kursimet dhe i caktuan rrogë mujore kryedelegatit të Vatrës në Londër, Mehmet Bej Konica, që mbetet një figurë e shquar diplomatike dhe bëri aq shumë për të siguruar miq të çështjes tonë kombëtare në Londër. Nga 1300 franga në muaj, që iu caktuan më 1916, shifra shkoi në 1600 franga. Edhe diplomatët e tjerë nëpër Europë, dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, e të tjerë, ishin delegatë të Vatrës dhe punuan fort për çështjen shqiptare. Një kartë e fortë diplomatike ishte edhe miku i shtrenjtë i shqiptarëve, delegati tjetër i Vatrës, amerikani Erikson, që mbeti besnik i çështjes shqiptare deri ne vdekje. Të gjithë së bashku ata i dhanë zë çështjes shqiptare dhe e shpëtuan atë copëz Shqipërie të mbetur pas copëtimeve.

Mbetet një faqe nderi kontributi i Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë në Konferencën e  Paqes.Pikërisht para se të fillonte punimet ajo konferencë shqiptarët e Amerikës të grumbulluar rreth Vatrës, treguan se Shqipëria ishte mbi gjithçka për ta. Të ushqyer nga poezia e Nolit” Jepni për nënën”, vatranët iu përgjigjën zemërhapur thirrjes për shpëtimin e  Shqipërisë. Noli, prijësi i tyre shpirtëror, i kishte prekur atje ku nuk mund të duronin, në poshtërimin e Nënës, e cila diku, kishte qenë zonjë e rëndë, siç pat kënduar Vaso Pashë Shkodrani, por që tani e pafuqishme, e lodhur, e gjakosur nga fqinjët, kërkonte ndihmën e bijëve, që e kishin harruar detyrën ndaj Nënës. Dhe vargjet e Nolit shkonin drejt e në zemër:Qan e lutet Nën’ e mjerë,/Kërkon vatrën edhe nderë,/Do lirinë dhe atdhenë,/ Si ç’e pat me Skënderbenë,/ Bijt’ e besës thërret pranë./ Kur i thirri dhe s’i vanë?/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë,/ Se ke djemtë n’Amerikë.

Por që të shpëtohej Nëna duhej që shqiptarët e Amerikës të boshatisnin xhepat dhe të jepnin gjithçka për shpëtim. Noli, di ku t’i prekë bijtë e shqipes: ai e bën fakt të kryer se ata nuk do të kursejnë asgjë për shpëtimin e Nënës:Sa kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s’ndruhen!/ Trim i mirë do të japë,/ S’kursen jetën as paratë;/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të share/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë./ Se ke djemtë n’Amerikë…

Dhe djemtë nuk e turpëruan Nënën. Nëse u mendua në fillim të paktën të grumbulloheshin rreth 40 mijë dollarë, vatranët dhuruan më shumë se 150 mijë dollarë, shumë që u përdor për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Gazeta e Vatrës”Dielli” e mbajti të ndezur garën e madhe të dhurimeve duke nxjerrë në faqe të parë ata që dhuronin më shumë. Çdo dollar i dhuruar konsiderohej “plumb për armiqtë e çështjes shqiptare”.

Krahas punës diplomatike në Evropë, Vatra punoi fort edhe në Washington, me qëllim që të kishte me vete edhe votën amerikane. Ishte fat, që Fan S Noli, takoi me 4 korrik 1918, presidentin Wilson, i cili i dha fjalën bashkëthemeluesit dhe prijësit të Vatrës, se një votë që kishte do ta përdorte në favor të shqiptarëve.

Në Konferencën e Paqës, Vatra pagoi jo vetëm harxhet e delegatëve të vet, por edhe të delegatëve të tjerë, përfshirë dhe atyre të kolonisë të Rumanisë.Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u paguan agjensi që punuan për çështjen shqiptare, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”.

Misioni i Vatrës nuk mbaroi me “shpëtimin e Shqipërisë” në Konferencën e Paqës, jo, Vatra dërgoi djemtë e saj vullnetarë në Shqipëri, Trupat Vullnetare që mbërritën në Durrës me 3 prill 1920, dërgoi bandën muzikore Kombëtare ”Vatra” në mëmëdhe, dërgoi delegatë të saj në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, dhe shkëlqeu sërish me bujarinë e saj, kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, i kërkoi ndihmë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe për të shpëtuar nga falimentimi financiar. Qeveria dërgoi në SHBA Mit’hat Frashërin që shëtiti nëpër koloni, dhe ai pa me sytë e tij, dëgjoi me veshët e tij, shqiptarët e Amerikës, që ishin gati të jepnin gjithçka për shpëtimin dhe forcimin e Shqipërisë.”Huaja Kombëtare”, e organizuar me shqiptarët e Amerikës, e shpëtoi shtetin shqiptar. Plot 197 mijë dollarë, 707.89 u mblodhën nga ajo hua Kombëtare.

Ndër punët e Vatrës duhet llogaritur edhe kontributi kulturor e arsimor që dha ajo. Shumë prej vatranëve shkuan në Shqipëri dhe dhanë kontribut në administratën shtetërore,një pjesë edhe pse ishin antimonarkistë nuk e kursyen veten për t’i shërbyer shtetit. Vatra dërgoi në Shqipëri për nevojat e shkollave shqipe më shumë se 200 mijë libra, që i shtypi me harxhet e veta në shtypshkronjën e Diellit.

Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u shkuan në plumb, si ish editori i Diellit për tetë vjet, Bahri Omari, Aqif Përmeti, që përgatiti, stërviti 200 vullnetarët që shkuan në Shqipëri në vitet ’20 të shekullit të shkuar, burgosi e torturoi pa mëshirë vatranët mëmëdhetarë: Kristo Kirka ,(Themelues i Vatrës) Kolë Rodhja, dhe Koço Kotta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegat i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtësi i tij, poeti Arshi Pipa, do të klithte dhimbshëm: Vdiq flamurtari i moçëm!
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i “Vatrës” më 1917, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. Në 100 vitetet e Vatrës është edhe qendresa e vatranëve të gjysmës së dytë të një shekulli jetë të saj; këmbëngulja për ta mbajtur  të pashuar  zjarrin mëmëdhetar në Vatrën shqiptare, kur , si Beogradi edhe Tirana, përpiqeshin ta shuanin me cdo kusht. Në 100 vitete e Vatrës është edhe kontributi për lirinë e Kosovës si dhe për demokratizmin e Shqipërisë.

100 Vitetet e Vatrës, ne 100 vitete e Pavaresise se Shqiperise, e hijeshojne me shume festen dhe dëshmojnë rrugën e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Ky artikull u botua me 28 nentor 2012 ne numrin special per 100 vjetorin e Pavaresise se Shqiperise te gazetes ILLYRIA, gazete ne te cilen autori, punoi 10 vite si editor i sec. Shqip)

Filed Under: Editorial Tagged With: 100 vitet e vatres, dalip greva

BESIMI PER TE NDJEK ENDERREN AMERIKANE

November 7, 2012 by dgreca

Nga Barak Obama*/

Faleminderit. Faleminderit. Faleminderit shumë. Sonte, më shumë se 200 vite pasi një ish-koloni fitoi të drejtën të përcaktonte fatin e vet për të përsosur bashkimin tonë, ajo po ecën përpara. Po ecën përpara prej jush. Po përparon, sepse ju riafirmuat shpirtin që fiton mbi luftën dhe depresionin. Shpirtin që ka dhënë zemër për të dalë nga thellësitë e dëshpërimit në lartësitë e shpresës. Besimin se ndërkohë që secili prej nesh ndjek ëndrrën e vet amerikane, ne jemi një familje amerikane dhe do të kemi ngritjet dhe uljet tona si një komb dhe si një popull i vetëm. Sonte në këto zgjedhje, ju populli amerikan na kujtuat se megjithëse rruga jonë ka qenë e vështirë, udhëtimi ynë ka qenë i gjatë, ne jemi ngritur, ne kemi luftuar për t’u rikthyer dhe në zemrat tona e dimë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës më e mira nuk ka ndodhur ende. Dua të falënderoj të gjithë amerikanët që morën pjesë në këto zgjedhje. Ata që votuan për herë të parë apo ata të cilëve iu desh të prisnin në radhë për një kohë të gjatë; meqë ra fjala, duhet ta rregullojmë këtë gjë. Ata që janë endur rrugëve për një punë apo ata që iu janë përgjigjur telefonatave. Ata që mbanin stemën “Obama” apo ata që mbanin stemën “Romney”: zëri juaj u dëgjua dhe ju sollët një ndryshim. Sapo fola me guvernatorin Romni (Romney) dhe e urova si atë edhe anëtarin e Kongresit Rajan (Ryan) për fushatën në të cilën luftuan fuqishëm. Mund të kemi bërë luftë të ashpër, por kjo për shkak se e duam vendin tonë dhe na intereson aq shumë e ardhmja e tij. Që nga Xhorxhi (George) dhe Linora (Lenore), deri te djali i tyre Mit (Mitt) – familja Romni ka zgjedhur t’i shërbejë Amerikës përmes punës së tyre në administratën publike dhe këtë trashëgimi e nderojmë dhe përgëzojmë sonte. Në javët që vijnë, pres me padurim gjithashtu të ulem me guvernatorin Romni për të parë se ku mund të punojmë bashkë për ta çuar këtë vend përpara. Dua të falënderoj mikun dhe partnerin tim të katër viteve të fundit, “luftëtarin e gëzuar” të Amerikës, zëvendëspresidentin më të mirë që do të donim: Xho Baidenin (Joe Biden). Dhe nuk do të isha burri që jam sot pa gruan që pranoi të martohej me mua 20 vite më parë; më lejoni ta them këtë publikisht, Mishel nuk të kam dashur kurrë më shumë se sot. Nuk kam qenë kurrë më krenar se sa të shoh Amerikën gjithashtu të bjerë në dashuri me ty si gruaja e parë e vendit tonë. Sasha dhe Malia, përpara syve tanë po rriteni e po bëheni vajza të zgjuara e të bukura, po ashtu si mamaja juaj. Dhe jam kaq shumë krenar për ju; por do ju thosha tani për tani një qen ndoshta mjafton. Për skuadrën më të mirë të fushatës dhe vullnetarët më të mirë në historinë e politikës, më të mirët, më të mirët e të gjitha kohëve. Disa prej jush ishit të rinj këtë herë dhe disa prej jush kanë qenë me mua që në fillim, por të gjithë jeni pjesë e familjes, pavarësisht se çfarë bëni e ku do të shkoni tani, do të mbani me vete kujtimin e historisë që bëmë së bashku dhe do të keni vlerësimin e përjetshëm të një Presidenti mirënjohës. Faleminderit që keni besuar gjatë gjithë kohës, përmes çdo kodre, përmes çdo lugine, më keni ngritur gjatë gjithë rrugës dhe gjithmonë do t’ju jem mirënjohës për gjithçka keni bërë dhe për gjithë punën marramendëse që keni bërë. E di që fushatat zgjedhore mund të duken ndonjëherë të vogla, edhe të kota ndoshta, e kjo i ushqen mirë cinikët që na thonë se politika nuk është asgjë më shumë se sa konkurrencë egosh, apo fusha e interesave të veçanta. Por, nëse ju jepet mundësia të flisni me njerëzit që erdhën në tubimet tona dhe u ngjeshën në turmë përgjatë litarit rrethues të palestrës së ndonjë shkolle të mesme, apo të shikoni njerëz që punojnë deri vonë në një zyrë fushate në konte të vogla larg shtëpisë së tyre, do të zbuloni diçka tjetër. Do të dëgjoni vendosmërinë në zërin e një organizatori të ri në terren, i cili po punon shumë për të mbaruar universitetin e dëshiron të sigurohet se çdo fëmijë do ta ketë këtë mundësi. Do të dëgjoni krenarinë në zërin e një vullnetareje, e cili shkon derë më derë, sepse vëllain e saj e hoqën nga puna kur fabrika e makinave në zonën e saj shtoi një turn tjetër. Do të dëgjoni patriotizmin e thellë në zërin e bashkëshortes së një ushtaraku, e cila po punon me telefonatat deri natën vonë për të siguruar se cilitdo që lufton për këtë vend nuk do t’i duhet të luftojë më për të gjetur një punë apo një çati për të futur kokën kur të kthehet në atdhe. Kjo është arsyeja përse e bëjmë këtë, kështu mund të jetë politika, prandaj kanë rëndësi zgjedhjet. Nuk është gjë e vogël, është e madhe, është e rëndësishme. Demokracia në një komb prej 300 milionë njerëzish mund të jetë e zhurmshme dhe e rrëmujshme dhe e ndërlikuar. Ne kemi mendimet tona, secili prej nesh ka besime thellë brenda vetes dhe kur kalojmë kohë të vështira, kur ndërmarrin vendime të mëdha si një vend i vetëm, domosdoshmërisht që kjo nxit pasion, nxit e shkakton debat. Kjo gjë nuk do të ndryshojë pas natës së sotme e nuk duhet të ndryshojë. Këto debate që bëjmë janë shenjë e lirisë sonë dhe nuk mund ta harrojmë kurrë se ndërsa flasim, njerëzit në vende të largëta po rrezikojnë jetët e tyre pikërisht tani për të pasur një mundësi debatimi për çështjet e rëndësishme, një mundësi të hedhin votën e tyre ashtu siç bëmë ne sot. Por, pavarësisht gjithë ndryshimeve mes nesh, shumica jonë ka shpresa të përbashkëta për të ardhmen e Amerikës, ne duam që fëmijët tanë të rriten në një vend ku mund të pranohen në shkollat më të mira dhe të mësohen nga mësuesit më të mirë. Për një vend, i cili jeton me meritën e trashëgimisë së tij si udhëheqës global në teknologji dhe zbulim dhe risi. Me të gjitha punët e reja dhe bizneset që pasojnë. Duam që fëmijët tanë të jetojnë në një Amerikë jo të zhytur në borxhe, e cila nuk dobësohet nga pabarazia. Që nuk dobësohet nga fuqia shkatërruese e një planeti në ngrohje. Ne duam të lëmë pas një vend të sigurtë, të respektuar, të çmuar në gjithë botën. Një komb që mbrohet nga ushtria më e fortë në tokë dhe nga trupat më të mira që ka njohur ndonjëherë bota. Por, gjithashtu edhe një vend që kapërcen me besim këtë kohë lufte, e i cili do të formojë një paqe të ngritur mbi lirinë dhe dinjitetin e cilësdo qenieje njerëzore. Ne kemi besim për një Amerikë bujare. Një Amerikë tolerante, të hapur për ëndrrat e vajzës së një emigranti, e cila studion në shkollat tona dhe betohet përpara flamurit tonë. Për të riun nga pjesa jugore e Çikagos, i cili shikon jetë përtej qoshes së rrugës. Për fëmijën e punonjësit të mobiljeve në Karolinën e Veriut, i cili dëshiron të bëhet doktor apo shkencëtar dhe inxhinier apo sipërmarrës, diplomat apo edhe President. Kjo është e ardhmja për të cilën shpresojmë, vizioni i përbashkët që kemi. Pikërisht atje duhet të shkojmë. Përpara. Pikërisht atje duhet të shkojmë. Por edhe do të kemi mosmarrëveshje, ndonjëherë të ashpra, për mënyrën se si mund t’i arrijmë këto – siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj, përparimi do të vijë edhe me hope, nuk është gjithmonë vijë e drejtë, rruga nuk është gjithmonë e lëmuar. Por në vetvete pranimi se kemi shpresa dhe ëndrra të përbashkëta nuk do të mbyllë gjithë vendnumërotë, nuk do të zgjidhë gjithë problemet tona ose të zëvendësojë gjithë punën e lodhshme për të arritur në pajtim apo për të bërë gjithë kompromiset e vështira me qëllim për ta çuar vendin përpara. Megjithatë, kjo lidhje e përbashkët është pika ku duhet t’ia nisim. Ekonomia jonë po rimëkëmbet. Po përfundon një dhjetëvjeçar lufte. Fushata e gjatë tani përfundoi. Dhe pavarësisht nëse e fitova votën tuaj apo jo, ju kam dëgjuar, kam mësuar prej jush dhe ju më keni bërë President më të mirë; me historitë dhe përpjekjet tuaja kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe më i frymëzuar për punën që na pret për të ardhmen përpara nesh. Sonte ju votuat për veprim, jo për politikë si zakonisht. Na zgjodhët që të përqendrohemi në punët tuaja, jo tonat. Dhe në javët dhe muajt e ardhshëm pres me padurim të takohem dhe punoj me drejtuesit e të dyja partive për t’u përballur me sfidat që mund t’i zgjidhim vetëm bashkë; të ulim deficitin, të reformojmë kodin tonë të taksave, të rregullojmë sistemin e emigracionit, të çlirojmë veten nga nafta e huaj. Kemi akoma më shumë punë për të bërë! Por kjo nuk do të thotë se ju e mbaruat punën tuaj. Roli i qytetarit në demokracinë tonë nuk mbaron me votën tuaj. Amerika nuk ka pasur kurrë të bëjë me çështjen se çfarë mund të bëhet për ne, por me atë se ç’mund të bëhet nga ne, puna e vështirë, shkurajuese, por e domosdoshme e vetëqeverisjes. Ky është parimi mbi të cilin u themeluam. Ky vend ka më shumë pasuri se çdo komb, por nuk na bën kjo të pasur. Kemi ushtrinë më të fuqishme në histori, por nuk na bën kjo të fortë. Universiteti ynë, kultura jonë, janë zilia e botës, por pikërisht kjo bën që bota të vijë në brigjet tona. Ajo që e bën të veçantë Amerikën janë lidhjet që mbajnë të bashkuar vendin më të shumëllojshëm në botë, besimi se ndajmë një fat, se ky vend funksionon vetëm kur presim të kemi detyrime ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm, në mënyrë që liria për të cilën kanë luftuar dhe dhënë jetën kaq shumë amerikanë të shoqërohet me përgjegjësi, ashtu si edhe me të drejta dhe mes tyre janë dashuria dhe bamirësia dhe detyra dhe patriotizmi. Kjo e bën Amerikën të mrekullueshme. Jam plot shpresë sonte sepse kam parë të funksionojë shpirti në Amerikë. E kam parë në biznesin familjar, pronarët e të cilit janë gati të heqin rrogën e tyre përpara se të shkurtojnë nga puna fqinjët e tyre dhe te punëtorët që janë gati të shkurtojnë orët e tyre më mirë se sa të shikojnë kolegun të humbasë punën. E kam parë tek ushtarët që regjistrohen përsëri në shërbim, pasi kanë humbur një gjymtyrë dhe te Marinsat (SEALS) që mësynin shkallëve në errësirë dhe rrezik sepse e dinin që kishin një shok pas tyre, i cili u ruante shpinën. E kam parë në brigjet e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut, ku drejtuesit e të gjitha partive dhe niveleve të qeverisjes i kanë lënë mënjanë ndryshimet mes tyre për të ndihmuar komunitetin të marrë veten nga shkatërrimi i një stuhie të tmerrshme. E pashë edhe atë ditë në Mentor të Ohajos, ku një baba tregoi historinë e vajzës së tij 8-vjeçare, beteja e gjatë e së cilës me leuçeminë thuajse u kushtoi familjes së tyre gjithçka kishin po të mos kishte ndodhur miratimi i reformës së sigurimeve shëndetësore pak muaj përpara se kompania e sigurimeve të ndalonte mbulimin financiar të mjekimit të saj. Pata mundësinë jo vetëm të flisja me të atin e saj, por edhe të takoja vajzën e tij të mrekullueshme. Dhe kur ai foli me turmën, të dëgjoje historinë e atij babai, të gjithë prindërit në dhomë u përlotën, sepse e dinim që ajo vajzë e vogël mund të kishte qenë vajza e gjithsecilit prej nesh. Dhe e di se çdo amerikan dëshiron të ketë të ardhme po aq të ndritshme. Këta jemi ne. Ky është vendi të cilin jam krenar ta udhëheq si Presidenti juaj. Dhe sonte, pavarësisht gjithë vështirësive që kemi kaluar, pavarësisht shkurajimeve të Uashingtonit, nuk kam qenë kurrë më shumë i mbushur me shpresë për të ardhmen tonë. Nuk kam qenë kurrë me më shumë shpresë për Amerikën tonë. Dhe ju kërkoj ta mbani atë shpresë. Nuk po flas për optimizëm të verbër, për atë lloj shprese, e cila shpërfill pafundësinë e punëve që na presin apo pengesat përgjatë rrugës. Nuk po flas për idealizmin e dëshiruar që na lejon vetëm të ulemi në anë apo t’i bëjmë bisht luftës. Gjithmonë kam besuar se shpresa është ajo gjëja kokëfortë brenda nesh që këmbëngul, me gjithë provat e shumta për të kundërtën, se diçka më e mirë na pret përsa kohë kemi kurajën ta kërkojmë, të punojmë për të, të luftojmë për të. Amerikë, besoj se mund të arrijmë më shumë mbi përparimin që kemi bërë dhe të luftojmë për vende të reja pune dhe mundësi të reja dhe siguri të re për klasën e mesme. Besoj se mund ta mbajmë premtimin e themelimit tonë, idenë se nëse je gati të punosh fort, nuk ka rëndësi se kush je apo nga vjen apo ç’pamje ke apo çfarë dëshiron. Nuk ka rëndësi nëse je amerikan i zi apo i bardhë, amerikano-hispanik apo aziatik apo vendas, i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër, i aftë apo me paaftësi fizike, homoseksual apo heteroseksual. Mund t’ia dalësh këtu në Amerikë nëse je i gatshëm ta provosh. Besoj se mund ta kapim së bashku këtë të ardhme, sepse nuk jemi aq të përçarë sa na tregon politika. Nuk jemi aq cinikë sa na konsiderojnë. Arrijmë përtej shumës së ambicieve tona të marra së bashku dhe mbetemi diçka më shumë se sa një koleksion shtetesh të kuq e shtetesh blu, jemi dhe do të jemi përherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku me ndihmën tuaj dhe hirin e Perëndisë do të vazhdojmë të udhëtojmë përpara dhe t’i kujtojmë botës se ç’do të thotë të jetosh në vendin më të mrekullueshëm mbi tokë. Faleminderit Amerikë. Zoti na bekoftë. Zoti i bekoftë këto Shtete të Bashkuara.

*Fjalimi i Obames pas fitores

Filed Under: Editorial Tagged With: Barak Obama, endrra amerikane, presidenti

KEMI ARSYE TË KRENOHEMI ME NËNË TEREZËN

November 5, 2012 by dgreca

NGA AGIM REXHAJ*/

Një ndër veprat më të mëdha, të simbolit të shqiptarëve, në botën e qytetruar mu në zemër të Europës, është ndërtimi i Katedrales “Nëna Tereze” në zemër të Prishtinës, në Kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, e cila gjithësesi ka mbas vetes edhe kontributin e çmuar të shqiptarëve të Amerikës. Ky kontribut është një gjest dashurie, respekti, dhe bashkimi për tërë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

S’ka dyshim, se kur kujtojmë Katedralen “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës – do të çojmë ndër mend, edhe çastin e hedhjes së gurthemelit nga presidenti i ndjerë i Kosovës; Presdenti historik, arkitekti i Pavarësisë, dr Ibrahim Rugovën,i cili do të mbahet mend si paraprijës i këtij projekti.

Do të çojmë ndërmend edhe prijësin shpirtëror,Ipveshkvin e ndjerë, Imzot Mark Sopin, biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergjin,e shume te tjere. Kujtojmë, në mënyr të posaçme punën e tyre, në nismën për ngritjen e Katedrales në Prishtinë, më 19 gusht 2006, ate dite te bekuar, ku moren pjese Shqiptarë nga te gjitha trojet etnike, si dhe nga diaspora e tri besimeve fetare,katolikë,ortodoksë dhe muslimanë, kujtojmë praninë ndërkombëtare. Kjo Katedrale, është bërë sot, pikërishtë monumenti që i shkon përshtat një figure të rrallë , nje Nobelisteje, një shenjëtoreje shqiptare si Nëna Tereza

Ne shqiptarët kemi arsye të krenohemi për Shënjtëreshën Nënë Tereza, emrin e së cilës mban Katedralja. Krenohemi me simbolin e racës tonë Arëbërore. Ajo, grua imcake, me trup të vogël, por me zemër të madhe, siç ka thënë Papa Gjon Pali II, “i dha formën Shekullit të XX”, ndërkohë që Kardinali Paskal,do ta ngrintë lart Kombin Shqiptar, tek do të thoshte:” Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhënë një nënë kaq të madhe.”, ndërsa shkrimtari ynë i madh, kandidati i përjetshëm i Nobelit,Ismail Kadare,  do ta vajtonte simbolin e dashurisë së përbotshme me shprehjen:” Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa Nënë Terezën”.

Ne ndjehemi mirë që emri i Nënë Terezës është përjetësuar duke emërtuar Spitale, Qendra mjekimi, Shkolla, Aeroporte, rrugë, por ajo që do ta kujtojë përjetësisht misionin e saj, do të jetë Katedralja në mes të Prishtinës.

Dëshirojmë me zemër që kjo Katedrale, ashtu siç u konceptua që në gurthemel, të jetë edhe një një monument bashkimi për popullin e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, pavërsisht përkatësisë fetare.

Modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare për popullin shqiptar, është unik,i papërsëritshëm. Vëllazërimi mes feve është një tregues i qytetërimit dhe pjekurisë së kombit tonë. Kjo vlerë, në imazhin e Shqipërisë, përbën një shembull të rrallë në Europë e në botë. Le ta ruajmë këtë trashëgimi të të parëve tanë!

Me ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Pavarur të Kosovës, u realizua më në fund, amaneti i Presidentit historik të Kosovës dr Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit – të cilët nga dritarja e qeillit – shpirtat e tyre te ndjerë, sot gëzohen dhe na falenderojnë, të gjithëve ne për atë që bëmë si shqiptarët te Amerikës, atë që bëmë së bashku në dekada për çështjen shqiptare në SHBA, kontributin që dhamë në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe demokratizmin e saj, çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovë, avancimin e çështjes shqiptare ne Maqedoni Mal të Zi, por edhe për kontributin e dhënë qysh ne fillim me ndërtimin të Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë – Kosovë,

Ndërtimi i Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë , ishte rezultat i një pune të madhe që është bërë për t’i bashkuar shqiptarët e të tre besimeve fetare, pavarësisht bindjeve tona politike , pavarësiht viseve nga kemi ardhur.

Ndërtimi i këtij tempulli të besimit fetar në mes të Prishtinës, nxorri edhe një herë në pah bujarin dhe zemërbardhësinë e madhe te shqiptarëve të Amerikës që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosoves , por kontribuan dhe po vazhdojnë të kontribuojnë për ndërtimin e këtij tempulli të shenjt, monument fetar dhe kombëtar si dhe shenjë bashkimi në mes të Kosovës, në mes të Europës.

Mirenjohja dhe falenderimi u takojnë te gjithe Shqiptareve, kudo që janë, të cilët ndihmuan dhe po e ndhmojnë ndërtimin e Katedrales “Nena Terezë” në Prishtinë, një nderim i veçante shkon për famullitarin e palodhur e atdhetar të Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”,  Dom Pjeter Popaj,

A ka gje me te bukur se fakti i përfshirjes të të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trojet etnike, per  ndërtimin e Katedrales ne Prishtinë?

Në pamundësi për t’i përmend të gjithë, po i numëroj disa që kontribuan me shuma të konsiderueshme;

Nga arbëreshët e Italise , Joe Dioguardi ish Kongresmeni republikan , Xhim Xhema nga Presheva, Leke Gojçaj nga Hoti i Malesise, Zef Balaj nga Shqiperia,Hary Bajraktari nga Kosova, Ibrahim Kolari nga Dibra dhe shumë të tjerë.

Në prag të këtij 100 vjetori të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, falenderojmë mikun tonë të perjetëshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thoshte Presidenti historik i Kosovës, i njderi Dr. Rugova, për atë që bënë që Shqipëria të mos coptohej më tej dhe të ruante pavarësinë që e kemi tash e 100 vite. Pa mikun e madh, Kombin Amerikan, nuk do ta gëzonim pavarësinë e Kosovës, nuk do ta kishim Shqipëria në NATO.

Pra , le të shërbejë edhe sonte kjo darkë, e bukur bashkimi, për rritjen e Fondeve për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, si një darkë që na mbledhë së bashku që të kontribojmë, por edhe të festojmë, në prag 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin 1912, ditën kur plaku i urtë dhe i mençur i Vlorës Ismail Bej Qemali, ngriti me ata patriotët e mbeldhur së bashku nga e gjithë Shqipëria etnikie, flamurin kuq e zi të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut . Le t’i shërbejë kjo darkë qëllimit të saj, ashtu si dhe në të kaluarën me aktivitetet në veprimtaritë dhe kontributete e diasporës, sidomos në dy dekadat e fundit për grumbullimin e ndihmave në New York, për Kosovën, Shqipërinë e çështjen shqiptare në tërësi.

Pra si folësi i kësaj darke gjejë rastin të falenderojë secilin prej jush për këtë kontribut të çmuar dhe t’ju urojë të gjithëve mbarësi dhe lumturi në shtëpitë tuaja, Zoti u bekoftë për këtë dhuratë të madhe që po bëni për Katedralen e “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës-! Zoti i bekfotë Shqiptarët,Kombin shqiptarë , Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombin Amerikan!

  • Fjalimi që mbajti zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj më 14 tetor, në darkën e organizuar nga Komisioni Organizator i mbledhjes së Fondeve për ndërtimin e Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë.

Filed Under: Editorial Tagged With: agim Rexhaj, Editorial, Nene Tereza

LETËR PUBLIKE- NJË KONSULLATË DIPLOMATIKE NË QYTETIN E ALFABETIT – MANASTIRIT

November 3, 2012 by dgreca

Kryetarit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishanit

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z.Sali Berisha

Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë z.Edmond Panariti

Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup z.Arben Çejku

 Të nderuar Zotërinj!

Dhe pak ditë mbarë Kombi Shqiptar Feston 104 Vjetorin e Kongresit të Manastirit i cili i zhvillojë punimet e tij për Unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe nga data 14-22 Nëntor 1908 në qytetin e Manastirit. Kongresi i Alfabetit u mbajt në atë qytet ku ka qenë dikur qendra e lëvizjeve kombëtare. Burrat e mençur të kombit pa dallim feje dhe ideje vendosën njëzëri që alfabeti i gjuhës shqipe i cili deri në atë Kongres shkruhej me shkronja të ndryshme si arabe, greke dhe latine, vendosën që gjuha jonë e cila është e gdhendur në gurë, në gjak dhe në shpirtëra të kishte si të gjithë gjuhët e botës alfabetin e saj të njësuar me shkronja latine. Por sot pas kaq vitesh qyteti i Manastirit nuk është më qendra e kulturës shqiptare si dikur, popullsia jonë atje si pasojë e dhunës shtetërore nga ish-sistemi komunist jugosllav dhe nga shteti i sotëm sllavo-maqedonas e kanë braktisur dal ngadalë atë. Dhe ato pak familje shqiptare që kanë mbetur aty, jetojnë nën trysni dhe kërcënimet të vazhdueshme për tu larguar përgjithmonë nga shtëpitë e tyre.

Në qytetin e Manastirit gjenden rreth 12 përfaqësi diplomatike të vendeve të ndryshme si konsullata greke, kroate, turke, izraelite, ukrainase, franceze, ruse etj,. Shumë nga këto përfaqësi nuk kanë popullsi etnike në atë qytet, por përfaqësitë diplomatike janë hapur duke e ditur rëndësinë qytetit të lashtë të Manastirit.

Shqipëria para shumë viteve ka pasur konsullatën e saj në Manastir, nga periudha e Mbretërisë së Zogut, por edhe pas luftës së dytë botërore dhe gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, por me disa ndërprerje.

Në Gusht të vitit 2007, ish-ambasadori i Shqipërisë, tashmë i ndjerë z.Vladimir Prela deklaroj për mediet se brenda atij viti Republika e Shqipërisë do të kishte zyrë në Manastir me flamurin Kombëtar, pra 100 vjetori i Kongresit të Alfabetit do ta gjente të paktën me Konsull Nderi, por kaloj 100 vjetori i Kongresit dhe Konsullata nuk u hap. Amaneti i të ndierit ambasador z.Prelës nuk u realizua.

Në filli të vitit 2010 shoqata Kulturore – Atdhetare “Kongresi i Bashkimit” i dërgoj letër institucioneve të shtetit shqiptar për hapjen e Konsullatës dhe në Maj të vitit 2011, ish-Kryetari i Republikës së Shqipërisë z.Bamir Topi deklaroj se ka sensibilizuar Institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili ka iniciativën ligjore për realizimin e këtij misioni Diplomatik, por që atëherë kaloj një vit dhe ende asgjë.

Atëherë zotërinj të nderuar të paktën për 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar bëjeni një dhuratë shqiptarëve kudo që janë, hapjen e Konsullatës në Manastir, sepse ky qytet na dhurojë një Alfabet të Njësuar.

Të nderuar vëllezër!

Ju themi dhe ju quajmë vëllezër, pasi edhe na ndajnë vendi ku jetojmë dhe punojmë, nuk pushojmë së qënuri vëllezër, sepse të gjithë shqiptarët kudo që gjendemi sot, jemi pasardhës të pellazgjëve, Pirros, të Aleksandrit dhe të Skënderbeut të Madh. Shumë shqiptarët ndër shekuj që u larguan nga trojet etnike pas fatkeqësive kombëtare dhe ekonomike nuk harruan as gjuhën, as traditat, as edhe detyrat kundrejt atdheut Mëmë. Mirëpo, sado që të gjendemi larg atdheut tonë të dashur Amë, sado që të bëhemi të mëdhenj në vend të huaj si njerëz, politikan, bizesmen, gjeneralë dhe ministra, nuk e harrojmë kurrë atdheun tonë të vërtetë nga i kemi rrënjët. Në Amerikë na thonë amerikan, në Itali italianë, në Greqi grekë, në Turqi turq, në Gjermani gjerman, në Zvicër zviceran e kështu me radhë, ne jemi mirënjohës ndaj këtyre kombeve që na përbujtin dhe na nderojnë si vëllezër të tyre, na besojnë poste drejtuese në qeveri, ushtri dhe në fushat e tjera të jetës, dhe ne nuk lamë asgjë pa bërë që të tregohemi bij të denjët të atdheut të dytë duke ju shërbyer me besnikëri siç u ka hije njerëzve të ndershëm dhe shqiptarëve me Besë. Por ne gjithnjë ëndërrojmë atë ditë të lavdishme e të ndritur që kombi shqiptar të ketë vendin e merituar, i respektuar nga kombet e tjera, të mos lëndojë nga përbuzja dhe përçarjet. Prandaj mendojmë që Shqipëria kudo ku ka shqiptar, kudo ku dikur qytetet në botë kanë qenë qendra të lëvizjeve kombëtare të hapen përfaqësi Diplomatike ose Konsullata Nderi. Nëse shteti shqiptar ka probleme ekonomike për ta hapur Konsullatën shqiptare në Manastir, do të ishte në nderit tonë si Lëvizje të Re – PUSH, me qendër në SHBA, tju ofrojmë ndihmë ekonomike për shpenzimet vjetore. Ne, shqiptarët kudo në botë të anëtarësuar në PUSH, jemi në gjendje ashtu si që moti të udhëhequr nga Noli, Konica dhe shumë burra të tjerë të mençur të marrim iniciativa të tilla kombëtare, kur bëhet fjalë për shtetin tonë Amë.

Duke besuar se letra ime nuk ka rënë në vesh të rëndë, ju urojmë të gjithë vllazve tanë. Gëzuar Festën e Kongresit të Alfabetit!

Emin Eddie EGRIU/ Kryetar i PUSH-SHBA/ Ish-kandidat Demokrat për në Kongresin Amerikan

03.11.2012

NEW JORK

Filed Under: Editorial Tagged With: Eddi, emin Egriu, leter publike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT