• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dërgimi i Gardës Kombëtare, përplasja e re mes Trump-it dhe shteteve demokrate

October 8, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Në një zhvillim të tensionuar politik e institucional, administrata e presidentit Donald Trump ka urdhëruar dërgimin e trupave të Gardës Kombëtare nga Teksasi në shtetin e Illinois, duke ndezur një tjetër valë polemikash mbi përdorimin e ushtrisë në territorin amerikan për qëllime të brendshme. Trupat u panë të martën, më 7 tetor 2025, në qendrën rezerviste të ushtrisë amerikane në Elwood, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Çikagos — shenjë e qartë e vendosmërisë së Shtëpisë së Bardhë për të zbatuar planin e vet pavarësisht padive gjyqësore dhe kundërshtimeve të hapura nga guvernatorët demokratë.

Konflikt institucional dhe politik

Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, reagoi ashpër, duke akuzuar presidentin Trump se po përdor trupat si “vegla politike” dhe “pengje në një lojë elektorale”. Ai theksoi se nuk ishte njoftuar nga Pentagoni për vendosjen e trupave, ndërsa Washington-i ka refuzuar të komunikojë drejtpërdrejt me administratën e tij. Një situatë e ngjashme po zhvillohet edhe në Oregon, ku një gjykatës federal ka ndaluar përkohësisht dërgimin e Gardës Kombëtare në Portland pas protestave të zgjatura pranë zyrave të emigracionit.

Paditë e ngritura nga shtetet e Illinois, Oregon dhe Kalifornia e akuzojnë presidentin për tejkalim të kompetencave dhe përpjekje për të ndërtuar një “polici federale paralele”, në shkelje të ligjit 150-vjeçar Posse Comitatus Act, që ndalon përdorimin e ushtrisë për zbatim të ligjit civil. Trump, megjithatë, ka paralajmëruar se është gati të aktivizojë Insurrection Act, i cili i jep të drejtë presidentit të dërgojë trupa aktive në shtetet që “refuzojnë të zbatojnë ligjin federal”.

Konteksti i brendshëm: imazhi i qyteteve demokrate dhe politika e frikës

Trump ka goditur vazhdimisht qytetet e drejtuara nga demokratët si “qendra të krimit dhe kaosit”, duke përdorur retorikë të ashpër kundër Çikagos, të cilën e ka quajtur “një ferr i krimit”. Megjithatë, statistikat zyrtare të policisë tregojnë një rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme: vrasjet në Çikago kanë rënë me 31% deri në gusht të këtij viti, ndërsa në Portland numri i tyre është përgjysmuar krahasuar me vitin 2024.

Këto të dhëna e vënë në dyshim arsyetimin zyrtar të administratës për “nevojë emergjente sigurie”. Kritikët e shohin këtë lëvizje si pjesë të strategjisë politike të Trump-it për të demonstruar forcë ndaj “kaosit urban” në shtetet demokrate dhe për të fituar terren në elektoratin konservator që kërkon ligj dhe rend të hekurt.

Reagimet lokale dhe kundërshtimet ligjore

Kryetari i Bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, ka firmosur një urdhër ekzekutiv që ndalon përdorimin e pronave bashkiake nga agjencitë federale për qëllime arrestimi ose ndalimi emigrantësh. Ai e cilësoi vendosjen e trupave si “një provokim të panevojshëm që minon rendin kushtetues”. Ndërkohë, banorët e zonës së Elwood, ku janë dislokuar trupat nga Teksasi, shfaqin përzierje ndjenjash. Disa e konsiderojnë një masë të tepruar, duke paralajmëruar për “militarizimin e jetës civile”. Siç tha një banor lokal: “Presidenti po e tejkalon kufirin e kompetencave të tij.”

Një strategji kombëtare për shtrirje federale të kontrollit

Ky është vetëm një fragment i një strategjie më të gjerë që Trump ka nisur gjatë mandatit të dytë, duke përfshirë dislokime trupash ose diskutime për vendosje në të paktën 10 qytete: Baltimore, Uashington D.C., New Orleans, Memphis, si dhe në qytete të mëdha të Kalifornisë si Oakland, San Francisko dhe Los Angeles. Në disa raste, gjykatat federale kanë gjetur se Shtëpia e Bardhë ka “shkelur me vetëdije” ligjin federal, siç ndodhi me vendosjen e Gardës Kombëtare në Los Angeles në shtator.

Në Tennessee, guvernatori republikan Bill Lee ka konfirmuar se trupat do të “deputizohen” nga Shërbimi i Marshalëve për të ndihmuar policinë lokale — edhe pse roli i tyre nuk është sqaruar plotësisht. Në anën tjetër, guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, ka deklaruar publikisht se “nuk ka asnjë kryengritje në shtetin tonë” dhe se “Oregon është i bashkuar kundër militarizimit të komuniteteve”.

Përfundim: Një përplasje për pushtet dhe simbolikë

Kriza e re e Gardës Kombëtare po shndërrohet në një përballje simbolike mes një presidenti që kërkon të projektojë autoritet të pakufizuar dhe një blloku shtetesh demokrate që mbrojnë autonominë e tyre kushtetuese. Kjo përplasje nuk është vetëm juridike, por edhe ideologjike — mes konceptit të një shteti federal që synon të kontrollojë territorin përmes forcës dhe vizionit të një Amerike ku shtetet gëzojnë vetëqeverisje të garantuar. Në sfond, mbetet pyetja thelbësore: a po rikthehet SHBA drejt një modeli autoritar të qeverisjes së brendshme, ku ushtria përdoret për kontroll politik, apo kjo është thjesht një manovër për të forcuar bazën elektorale në prag të një klime të re politike të polarizuar? Në çdo rast, dislokimi i trupave në Illinois dhe përplasja me gjykatat federale sinjalizojnë një fazë të re tensioni midis qeverisë federale dhe shteteve — një test serioz për kufijtë e pushtetit presidencial në demokracinë amerikane.

Filed Under: Emigracion

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit

October 1, 2025 by s p

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit.

Filed Under: Emigracion

Big news: Congressman Lawler has officially agreed to join the Albanian Issues Caucus in Congress!

September 30, 2025 by s p

Valon Nikçi/

Thank you to Congressman Lawler for meeting with his constituents in the Albanian American community and taking the time to update us on both local concerns and important issues in the Balkans.

🇺🇸🇦🇱 Big news: Congressman Lawler has officially agreed to join the Albanian Issues Caucus in Congress! A major step toward strengthening our voice in Washington and advancing the causes that matter most to Albanians worldwide.

Thank you to everyone who showed up today, your presence made all the difference. This is only the beginning. More dialogue. More allies. More action.

Together, we’ll make it happen. 🇺🇸❤️🇦🇱🇽🇰

…

Një tjetër moment historik për komunitetin Shqiptaro-Amerikan! 🇺🇸🇦🇱

Dje u mblodhëm për një bisedë të frytshme me Kongresistin Mike Lawler, një aleat, një dëgjues, dhe një mik i vërtetë i shqiptarëve.

Lajm i madh: Kongresisti Lawler pranoi të bëhet pjesë e Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongres! Një hap i rëndësishëm për forcimin e zërit tonë në Washington dhe avancimin e kauzave që kanë më shumë rëndësi për shqiptarët kudo në botë.

E falënderuam për kohën dhe gatishmërinë e tij për të dëgjuar, si dhe për informimin mbi çështjet lokale dhe ato që lidhen me Ballkanin. Si anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, zëri i tij ka peshë si në SHBA, ashtu edhe për çështjen shqiptare.

🙏 Faleminderit të gjithëve që morët pjesë, prania juaj e bëri këtë takim të vlefshëm. Ky është vetëm fillimi: më shumë dialog, më shumë aleatë, më shumë veprim. Së bashku, do ta bëjmë realitet.

Filed Under: Emigracion

Presidentit i Republikës Së Shqipërisë Z. Bajram Begaj Vizitoi Shkollën Shqipe “Alba Life” Në Bronx

September 28, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dita e shtunë e Nju Jorkut që ishte si një ditë pranverore dhe në harmoni magjike me Misionin e shenjtë shqip, jo vetëm që ishte një ditë mësimi, por u konceptua dhe si një ditë e bukur feste në respekt të vizitës së Presidentit të Shqipërisë z. Begaj. Gjithë stafi i Shkollës së mesme publike amerikane Christopher Columbus e cila ndodhet në Pelham Parkway, me një dashamirësi të tejskajshme duke filluar nga policia, sigurimi, punëtorët e shërbimit, teknikët ishin në dispozicion të Alba Life për të pasur një aktivitet sa më komod, sa më mbresëlënës. Mirënjohje pafund drejtoreshës së kësaj shkolle, zonjës së madhe të arsimit amerikan, znj. Julia Neriman që e falënderoj publikisht.

Zoti Bajram Begaj u mirëprit në librarinë e shkollës në mjediset e mrekullueshme pranë librit, pranë vatrës së dijes me duartrokitje të ngrohta nga nxënësit, prindërit, mësuesit dhe gjithë të pranishmit në Bronx në shkollën publike amerikane Christopher Colombus. Presidenti Bajram Begaj ishte i shoqëruar nga zonja e parë Armanda Begaj, shtoj këtu një kontribuese në arsimin shqiptar, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington DC z.Ervin Bushati dhe Ambasadore Dr. Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Shkëlqesia e tij Bajram Begaj u mirëprit nga z. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe gjithë mësueset zonja të nderuara të Alba Life. Dy buqeta me trëndafila të kuq u dhuruan nga nxënësit e shkëlqyer Lorena Përgjegjaj dhe Glauk Ujkaj, Zonjës së parë të Shqipërisë Armanda Begaj dhe Ambasadores Janina.

Ishte kënaqësi që sot midis nesh të kishim kreun më të lartë të shtetit shqiptar i cili erdhi dhe nderoi Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx, një nga degët e rrjetit më të madh në Diasporë të Alba Life. 7 Shkollat e saj të ngritura në gjithë Nju Jorkun deri në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, peshojnë sa 7 kala. 19 vjet mësim shqip pa u ndalur qoftë dhe një sekondë nga programi ynë, 19 vjet shqip, mund, djersë, beteja dhe të gjitha këto janë kthyer në pika floriri si shkronjat e arta të Gjuhës sonë.

Falënderimet e prinderve tejet të kënaqur nga se shkollat do t’i bëjnë të jenë të zënë me punë kualitative se sa të qorrojnë sytë pranë I-padit, lojnave shpesh të cmendura bëhen frymëzim për të gjithë ne. Është gjuha e nënës sime më tha një nxënës gjatë bisedave të shkurtra para mësimit, i cili më preku thellë dhe më kujtoi prozatorin e shquar Mitrush Kuteli qe thotë:

Të falem ty, o Gjuhë, hoj,

ty, zëth i nënës, qetësi,

ty, këngë e foshnjës, kaltërsi,

ty, afshi i zemrës, dashuri,

gjithmonë e ëmbël,

…mjaltë zgjoi.

Ky program serioz, skrupuloz dhe professional nuk do të kishte sukses pa mësueset e talentuara si Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni, Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Albana Lazëri, Vjollca Skënderi, Era Shkëmbi, Edvina Belishta, Gresila Basha e shumë të tjera para tyre si Davida Hasanaj më parë, por që sot ndodhej midis nesh, por po përmend vetëm vitin akademik 2024-2025 që kaloi. Alba life është shumë e suksesshme dhe në programin e gjuhës shqipe të caktuar nga shteti i Nju Jorkut që në se nxënësit kalojnë testin ju njihen 12 kredite kolegji, pra kalojnë një semestër dhe ndërkohë kursejnë dhe dollarin. Konkretisht kemi ish nxënësin Oresti Salillari që ka ardhur qysh fëmijë, i pari nxënës i Alba Life 20 vjet më parë dhe sot është student në Baruk College në Manhattan, kemi nxënësen Sarah Bandilli midis nesh që kaloi testin ish asistente njëkohësisht në Brooklyn dhe sot ka filluar

Yale University një nga universitetet më të mira në botë.

Programi filloi me dy himnet kombëtare amerikane dhe shqiptare udhëhequr nga artistja e shquar me përmasa botërore ish udhëheqëse e programit artistik të Alba Life Dëshira Ahmeti Kërliu.

Në emër të stafit përshëndeti z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Ndërmjet të tjerash ai tha se sot është një ditë e veçantë se midis nesh është Presidenti i Shqipërisë z. Bajram Begaj, të cilit në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit i uroj mirëseardhjen dhe e konsiderojmë një vlerësim që i bëhet punës 19 vjeçare të stafit të Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Është shumë e vështirë të përmbledh gjithë punën e përkushtimin e mësueseve gjatë këtyre 19 viteve në pak minuta, për të cilën gjej rastin t’i falënderoj gjithë mësuesit që kanë punuar gjatë këtyre viteve, por dua të theksoj se Shkollat Alba Life kane qenë një burim frymëzimi edhe për shkollat e tjera në mbarë Diasporën.

E theksoj këtë se edhe në kohën e vështirë të pandemisë së Covid 19 nuk e ndalëm mësimin e gjuhës shqipe, por ishim të parët që filluam menjëherë mësimin në Online, falë përvojës të mësimit në Online që kishte Doktore Valbona Zylo Watkins nga dhënia mësim në Online në Universitet edhe para periudhes së pandemisë. U trainuan jo vetëm mësuesit e shkolllës sonë, por edhe Keshillin e Arsimtarëve të Diaspores ku edhe unë bëja pjesë në Kryesinë e keshillit për disa vite. Në vitet e pandemisë Shkollës Alba Life” iu bashkuan edhe Shkollat ne Chicago, Halifaks, Kanada, Suedi e mjaft nxënës e studentë nga Amerika dhe Europa po ashtu.

TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit i prezantojnë Presidentit të Shqipërisë z. Bajram Begaj çmimin e lartë të mirënjohjes si President i parë i Shqipërisë që viziton Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx, New Jork dhe bëhet frymëzim për të vazhduar më tej këtë Mision Kombëtar.

Presidenti Begaj në fjalën e tij përshëndetëse, elekuente dhe me një qetësi në të shprehur, simbol i unitetit të Kombit, tha: Është kënaqësi të ndodhem midis jush në këtë vatër të kulturuar të rrjetit të madh të shkollave “Alba Life” që është një histori suksesi. Alba Life është dëshmi e kulturës amtare për Shqipërinë dhe ka qenë dritare e hapur për fëmijët e Diasporës për të rritur krenarinë dhe kulturën edhe në ditë më të vështira të pandemisë, ku tregon qartazi se nuk u ndalën kurrë nga vështiresitë. Kam falënderim të veçantë për të gjithë mësuesit që punojnë me durim dhe profesionalizëm. Përkushtimi i familjes Zylo është një shembull frymëzues për të gjithë ne dhe ju përgëzoj për atdhetarizmin tuaj të dashur duke sjellë fëmijët që të mesojnë shqip, ADN-ja e kombit shqiptar. Alba Life e ka marr titullin Ambasador i Kombit, por ju meritoni më shumë me punën e madhe që keni bërë dhe po e vazhdoni pa u ndalur. Gjuha Shqipe është lidhja jonë me të kaluarën, jane rrënjët e identitetit shqiptar. Ju e keni në zemër shqiptarinë ruajeni atë se do t’ju bëj më të fortë dhe më të pasur shpirtërisht. Ju falënderoj për mikpritjen tuaj dhe ju siguroj se Shqipëria është krenare me ju.

Une dua ta mbyll me një shprehje të huazuar:

Shqip do flas dhe shqip do shkruaj/ Edhe pse jam në dhe të huaj/ Gjuhë të nënës shqipen kam/ jam krenar që shqiptar jam.

Proklamatë mirënjohjeje iu dha Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj nga Ansambleisti i Parlamentit të Nju Jorkut z. John Zaccaro, nje mik i madh i Alba Life dhe i gjithë shqiptarëve. Vlerësimi i lartë u mirëprit me duartrokitje të stuhishme nga të pranishmit.

Me nderime dhe respekt përshëndeti zonja Alina Dowe, MBA nga zyra e Kryetaritt të Bashkisë z. Erik Adams i cili në pamundësi për të ardhur kishte autorizuar zonjën Dowe drejtore e sektorit të çështjeve të komunitetit të qytetit të Bronx-it.

Artistja e shquar me zë brilalnt Valbona Peraj udhëheqëse e programit artistik interpretoi bashkë me nxënësit këngët aq të dashura si “Xhamadani vija vija”, Kënga e Alfabetit Shqip me tekst të Parashqevi Qiriazit dhe Gjuha Shqipe Gjuha Jonë, Hymni i Shkollave Shqipe Alba Life të përgatitura me kujdes nga mësueset Helena dhe Erinda.

Vallja e Tropojës u intepretua mjeshtërisht nga nxënësit dhe tërhoqën vëmendjen e publikut të gjerë me duartrokitje. Vallja Çame aq e dashur për të gjithë u interpretua nga nxënësit e Staten Island me mësuesen e tyre profesionale Elonën.

Poezia “Mësueseve të dashura” u interpretua nga Laura Lekaj nxënëse e shkëlqyer në Staten Island dhe sapo ka filluar shkollën e mesme në programin me nxënës me rezultate të larta.

Kënga “Lulja e Dukagjinit” u këndua si një profesioniste nga Eliona Shala, nxënëse e shkëlqyer në Bronx.

Nxënësit, të pranishmit u argëtuan nga Odise Salillari inxhinier audio me DJ.

Filmuan dhe fotografuan aktivitetin Amir dhe Aaron Suka, Shug Dula, Valon Gërbeshi, Dritan Haxhia, Xhevit Picari, Albert Zefi, Nazmi Saliu, Noli Show dhe Mike O director.

Së shpejti kjo ditë historike do të transmetohet në kanalin televiziv 27 në paketën digitale TVALB.

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Emigracion

Gabriela Tabárez: pasardhëse shqiptare në Argjentinë që ruan traditat e gjyshit të saj

September 26, 2025 by s p

Intervistoj Mihal Ciko

Gazetar/

Nga Buenos Airesi për gazetën tonë

Një rrugëtim nga Korça në Buenos Aires

Gabriela Tabárez, nënkryetare e Shoqatës Patriotike Shqiptare “Skënderbeu” në Buenos Aires, tregon historinë e saj dhe të gjyshit të saj, Xhelal, i cili emigroi nga Korça në Argjentinë në vitin 1930, në moshën 25 vjeçare. “Gjyshi im erdhi këtu për shkak të gjendjes ekonomike, por gjithmonë mbajti dashurinë për Shqipërinë në zemër,” tregon Gabriela.

Ruajtja e traditave dhe identitetit shqiptar

Gabriela ndan me lexuesit sesi kultura dhe traditat shqiptare u transmetuan brez pas brezi: “Që kur isha e vogël, ndjeja dashuri për Shqipërinë dhe për gjithçka që gjyshi im më mësoi – këngët, vallet, dhe festat kombëtare.” Ajo tregon se aktiviteti i saj në Shoqatën “Skënderbeu” është një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me origjinën e saj.

Përvoja në Shqipëri

Në vitin 2019, Gabriela mori pjesë në diasporën shqiptare të organizuar në Tiranë: “Kur zbrita për herë të parë në Tiranë, nuk mund të përmbaja lotët. Ishte një ndjenjë çlirimi dhe gëzimi, por edhe një hije trishtimi. Ndiqja hap pas hapi historinë e gjyshit tim dhe ndjeva se po e nderoja atë në çdo moment.”

Për të ardhmen e diasporës shqiptare

Gabriela është mësuese dhe formuese e mësuesve të rinj: “Përpiqem të përcjell kulturën shqiptare tek fëmijët e mi dhe ata që unë formoj si mësues. Marrim pjesë të gjithë në festat kombëtare, duke ruajtur kështu lidhjen e gjallë me traditat tona.”

Mesazhi për brezat e rinj

“Është e rëndësishme që të mos harrojnë prejardhjen e tyre, të njohin historinë e familjeve të tyre dhe të ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditat. Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar sakrificat e gjyshit tim dhe të gjithë emigrantëve shqiptarë,” përfundon Gabriela. 

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 185
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT