• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pavarësia, Çlirimi, Kusarët…

November 29, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht, dëshiroj t’ju bashkohem urimeve të mbarë-Shqiptarëve: ‘‘Gëzuar 112 vjetorin e pavarësisë si dhe 80 vjetorin e çlirimit nga nazi-fashistët”. Po ashtu përsëris: “përuljen” për martirët e flijuar në shekuj për pavarësinë dhe çlirimin nga okupatorët, si dhe “nderimin” për luftëtarë e një gjenerate patriotësh që pa dallim feje, bindjesh politike dhe krahine j’u bashkuan fitimtarëve të koalicionit anti-fashist në Luftën e II–të botërore.

Ndërsa 47 vjet (1944 – 1991) ndasitë biografike ishin me pasoja fatale, mbetet shumë e shëmtuar që përleshja politike për datën e çlirimit nga nazifashistët (28 apo 29 Nëntor) vijon edhe në 33 vitet e demokracisë fasadë! Pyetja mbetet fare e thjeshtë: “për axhendën e kujt (?!) çdo fund nëntori riciklohet kjo luftë mes paranojakësh”? Po ashtu është e sigurt edhe përgjigja: “përleshjet, përfshi kurorat/rutinën bollshevike për datën e çlirimit”, kurrësesi nuk i’u kanë shërbyer shqiptarëve dhe as intereave kombëtare.

Fatmirësisht, 33 vjet pas vetë-rrëzimit të regjimit komunist është provuar për këdo (përjashto të sëmurët fatëkeq) që: “beteja si e stalingradit për datën e çlirimit nga nazi-fashistët” nuk ka të bëjë me “nderimin e gjakut të dëshmorëve”, as me respektin për sakrificat e Shqiptarëve!

Në të kundërt, gjatë 33 viteve ky teatër i neveritur, j’u ka shërbyer vetëm interesave të një sekti-politikanësh me kullaro demokratike, ose siç i quan në revoltën poetike i ndjeri Arben Duka: “kopeje e hajdutëve* (titulli), gjysma ngjyrë e Blu, gjysma ngjyrë e Kuqe”, të cilët, mbasi hipotekuan Partitë, i’u vodhën Shqiptarëve pronat, ëndrrat si dhe ardhmërinë Euroatlantike, ndërsa ende përpiqen të mbajnë të frymëzuar ushtritë e nostalgjikëve, militantëve dhe sekserëve në betejat elektorale për të mbajtur apo marrë me çdo çmim pushtetin.

E përsëris se aq sa i merituar nderimi që mbart kjo ngjarje për dëshmorët, po aq e pështirë beteja për Ne, të gjallët: “kryesisht aktorët/pronarët e partive, shtetarët kusarë dhe sekserëve rrotull tyre”. Gjithësesi në vijim gjeni një “paketë me 6 të vërteta/vlera”, që shpresoj t’i bashkojnë shqiptartët rreth datës së çlirimit:

E vërteta nr. 1: përtej “detajeve cinike” për orën, ditën, natën, emrin dhe nr.këpucëve të nazistit që u largua i fundit nga Hani i Hotit: “çlirimi i Shqipërisë nga okupatorët nazi-fashist mbetet një ngjarje e lavdishme në historinë kombëtare”. Thënë këtë, duhet mëshiruar mohuesit edhe shtrembëruesit e luftës N-ÇL, pasi pikësëpari ata/ato minojnë përpjekjet për pajtim kombëtar.

E vërteta nr.2: “Shqipëria e vogël, u rreshtua në koalicionin e madh të fitimtarëve”. E vërtet kjo e konfirmuar edhe nga H.Kissinger: “Shqipëria, ndër të vetmet vende që u çlirua pa prezencën e Ushtrisë së kuqe dhe as të aleatëve perëndimorë”.

E vërteta nr.3: Zgjimi i vetëdijes kombëtare mbi ekzagjerimet bolshevike të LANÇ, çka do të shërbente edhe si falje/pendesë për vrasjet dhe burgosjet ndaj jo vetëm kundërshtarëve politik të pushtetit por edhe mijra bashkëluftëtarëve. A nuk do të ishte shumë cinike të mos përulemi me të njëjtin nderim edhe para mijëra shqiptarëve që dhanë jetën, pasurinë dhe gjithçka për çlirimin dhe e orientimin perëndimor; por u vranë dhe persekutuan brutalisht nga regjimi komunist i para/pas Nëntorit 1944 deri në 1991 ?!

Pa pranuar këtë të vërtetë, pa kërkuar ende falje shtetërore (jo nga kusarë) si dhe pendesë njerëzore për mijëra vrasjet, burgosjet, internimet, etj, pajtimi kombëtar “mes sho-shoshoqit” jo vetëm për datën e çlirimit nga nazi-fashistet do vijojë të mbetet mision i vështirë, në mos i pamundur.

E vërteta nr.4: vendet e vogla si Shqipëria, do vijojnë ta kenë të pamundur të vetë-përcaktojnë fatet gjeopolitike! Si e tillë, edhe çlirimi nga nazi-fashistët dhe rreshtimi në kampin lindor: “as i mitizon, as i shfajëson aktorët politik të kohës”. Kështuqë përtej patriotëve folklorik, do duhet të pranohet urtësisht që kontributi i Shqipërisë ishte gjithësesi modest në fitoren e madhe të luftës së II-të botërore. Shqipëria do ishte çliruar gjithësesi “jo më vonë se 8 Maji 1945”, apo Jo ?

E vërteta nr.5: mbas viteve 1990, në shumicën e vendeve të sunduara nga “stalininizmi”, u aplikua dënimi për krime kundër njërëzimit i “udhëheqësve suprem, anëtarëve të Byrosë Politike, Sigurimit të Shtetit etj”. Ndërsa modeli zhgënjyes i RDSh duke dënuar “për kafe” aktorët/autorët e rregjimit kriminal, ndërsa duke promovuar si funksionarë të lartë shtetërorë, deputet, ministra, etj ish-Hetues dhe Spiunë të regjimit kriminal, mbetet gjithësesi një thik në shpinën e aspiratave demokratike !

E vërteta nr.6: bazuar në arkivat shtetërore, deri në 1947, 28 nëntori është festuar zyrtarisht edhe si datë e çlirimit nga nazifashistët. Kjo konfirmohet edhe nga vetë Enver Hoxha, citoj: “28 Nëntori, dita e flamurit u bë dy herë e shenjtë …”! Kështu duke e njehësuar me festën e çlirimit të Federatës Jugosllavisë, 29 nëndori mbetet edhe si një provë e vasalitetit të pështirë të diktatorit E.Hoxha ndaj Marshallit Tito.

Në shtesë, “nëse nuk mund ta ndryshojmë për mirë të ardhmen, pse do duhet të harxhojmë kohë/energji duke diskutuar për historinë/kaluarën”, thotë filozofi/gjeniu i kohëve moderne HARARI në librin NEXUS. Duke mbajtur në konsideratë gjetjet e sa më sipër, si datë zyrtare e çlirimit të Republikës së Shqipërisë nga nazi-fashistët do të ri-sugjeroja një nga 3 opsionet/datat në vijim:

Opsioni parë: data 28 Nëntor, duke i bashkuar si vlera komplementare 2 ngjarjet madhore (Pavarësinë dhe çlirimin e RSh nga zazi-fashistët)!

Opsioni dytë: data 17 Nëntor, çlirimi i Tiranës, ndërsa edhe me definicionin: “data zyrtare e çlirimit, ose data kur në kryeqytet është ulur flamuri i pushtuesit dhe është ngritur flamuri kombëtar”!

Opsioni i tretë: data 8 Maj, ose bashkimi me fitoren e koalicion të fitimtarëve mbi fashizmin (8 Maj 1945), datë që e festojnë edhe +20/32 vende të NATO-s.

NË PËRMBLEDHJE, mbetem shpresëplotë se secila nga këto 3 data/opsione do ishte një zgjidhje e mënçur/munguar për 47+33 vjet, pasi jo vetëm do të shërbejë si “ilaç për të mjekuar plagët e luftës kriminale të klasave”; por do të mbjellë kohezion kombëtar, konsensus të gjerë mes politikanëve të gjeneratës së Re si dhe do të kontribuonte për pajtim jo vetëm rreth datës çlirimin nga nazifashistët!

Me këtë rast, shpreh mirënjohjen për ushtarakët, punonjësit e policisë, emergjencave civile, mjekët dhe infermierët, si dhe ndaj kujdo tjetër, që me përkushtim shëmbullor sakrifikojnë për mbrojtjen e sovranitetit/interesave kombëtare; për sigurinë e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve; stabilitetin demokratik të shoqërisë si dhe integrimin në strukturat e vlerave Euro-atlantike.

Po ashtu, krahas të përsëris përuljen për të rënët, nderimin për luftëtarët dhe sakrificat sublime; po pëpiqem të zgjoj “institucionin e mos-harresës” për të punuar/luftuar çdo ditë kundër riciklimit të rrënjëve të luftës çnjerëzore nga neo-Nazistët, neo-stalinistët dhe neo-Enveristët me kullaro demokratike.

Së fundmi, me duhet ta qartësoj se sa gjetjet e këtij opinioni, si edhe në qindra produktet strategjike, nuk po bëj intelektualin e spikatur dhe as analistin e gjithëditur, por duke j’u përulur (po të doni), shpresoj të kontribuojnë, qoftë modestisht për të “zgjuar vetëdijen Kombëtare/Euroatlantike mbi të vërtetat, vlerat, kërcënimet dhe interesat që i përbashkojnë mbarë-Shqiptarët”.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Emigracion

PLLAKA E URDHËRIMIT TË 11-TË…

November 29, 2024 by s p

– si një datë çlirimi –

Teksa shëtisja shkujdesur, pa e ditur se ku dhe pa datë çlirimi, që gjithsesi kthehet në një prangë të padukshme, gjethet e rëna mbulonin gjurmë këpucësh të atyre që kishin kaluar para meje, kur befas më tërheq vëmendjen në anë të trotuarit një lehëz e vogël plot pllaka me vizatime me ngjyra, një florë me estetikën e së lirës, një ekspozitë përdhé, – po thosha me vete.

Ndjeva respekt nga njerëz që s’ishin aty, që s’e dija cilët ishin, nuk të njohin, që s’e dinë se je.

Desha t’i fotografoj pllakat, mos duhej marrë leje? S’ishte askush përreth dhe unë isha në një ditë lirie timen. Nxora celularin dhe sytë më shkuan mbi njërën nga pllakat, ku ishte shkruar:

“Be kind”.

Jemi mësuar me tabelat e rrugëve, me emrat e tyre, me sinjalistikën: kthesë, udhëkryq, tren, – s’ka tabela për lamtumirat, – restorant, hotel, – dashuria aty, – shpejtësia e lejuar, kamera në krye, – kujtime në erë dhe dëshirat, – etj, reklama, mall, madje ndodh të shkruajnë me të madhe dhe një ditë çlirimi për të gjithë, e pamundur kjo, etj, etj, por rallë ndodh të gjesh një porosi e tillë, kaq thjeshtë, miqesisht e me besim:

Be Kind!

Ji i mirë, – e thashë me zë në shqipen time, se ka më fokus emocional dhe universal, po i shpjegoja vetes dhe menjëherë m’u ndërmendën pllakat e gurta të “10 Urdhërimeve” të Hyjit në Bibël, që ranë nga Qielli për Moisiun në Malin Sinai (Eksodi 31:18) dhe që u bënë baza e etikës me ndikim të thellë në kulturat e botës.

Të jesh i mirë, – lexon befas në rrugë anglisht: Be Kind! – Porosi që këtë radhë vinte nga toka. Dhe i ngjan një çlirimi të munguar.

I kundrova dhe një herë të gjitha pllakat, vizatimet dhe ngjyrat m’u dukën se kishin diçka nga duart e fëmijëve. Është Urdhër i tyre, besoj, pa ndonjë shenjë pikësimi në fund, pikë a pikëçuditëse a tre pika dhe na e kishin lënë aty ku ecim, te këmbët, por në anë për të mos penguar. Fëmijët s’guxojnë më shumë ndaj nesh dhe sa të sinqertë që janë, sa të mençur! Ata janë çlirimtarët e vërtetë.

Ji i mirë, që tani, edhe i rritur… Apo ato pllaka i kanë punuar të rriturit, brenda të cilëve ende ruhet fëmija dhe na i vunë përpara si në një lojë gazmore, por sa serioze! Një porosi aq e urtë s’të bën keq. S’është si një datë e dhunshme çlirimi e një vendi, kur njerëzit s’janë të lirë. Të dish të arrish tek tjetri si tek vetja, të shkosh si në histori tek e ardhmja me një çelës që e dije të humbur, por e kanë lënë në anë të rrugës për ty:

Be kind!

Ji i mirë!

Visar Zhiti

Filed Under: Emigracion

NËNTORËT SHQIPTARË – SHTYLLAT HISTORIKE TË LIRISË DHE PAVARËSISË KOMBËTARE

November 28, 2024 by s p

Nëntori, muaj historikisht simbolik për shqiptarët, bart ngjarje që përfaqësojnë përpjekjet më të rëndësishme për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar. Ky muaj përfshin tri momente të papërsëritshme në historinë e kombit shqiptar: ngritjen e Flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997. Këto ngjarje, të lidhura përmes një periudhe pesë-shekullore, përbëjnë themelet e qëndresës kombëtare dhe të ndërtimit të identitetit shqiptar.

Nëntorët shqiptarë – 1443, 1912 dhe 1997 – përfaqësojnë një lidhje të pandashme të përpjekjeve kombëtare për liri dhe pavarësi. Kjo festë është e pakrahasueshme dhe pazëvendësueshme për shqiptarët, duke mbetur një simbol i përbashkët që lidh Krujën, Vlorën dhe Drenicën.

Më 28 Nëntor 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin shqiptar mbi kalanë e Krujës, duke shpallur çlirimin e saj nga sundimi osman. Ky akt nuk ishte vetëm një fitore ushtarake, por një simbol i fuqishëm i rezistencës kombëtare kundër pushtuesve. Skënderbeu, një strateg dhe udhëheqës vizionar, u bë simbol i unitetit shqiptar dhe frymëzues për brezat e ardhshëm. Rezistenca e Skënderbeut nuk ishte thjesht një luftë për tokë, por një përpjekje për të ruajtur identitetin, kulturën dhe fenë në një kohë të rrezikut të asimilimit. Flamuri i tij, që bart simbolin e shqiponjës dykrenare, vazhdon të jetë simbol i krenarisë kombëtare dhe shprehje e aspiratave për liri dhe pavarësi.

Plot 469 vite pas çlirimit të Krujës, shqiptarët shënuan një tjetër moment historik të madh më 28 Nëntor 1912. Në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duke vendosur themelet e shtetit të parë të pavarur shqiptar. Ky akt përfaqësonte kulmin e një lëvizjeje shekullore për çlirim nga Perandoria Osmane dhe përbënte një kthesë vendimtare në historinë kombëtare. Shpallja e Pavarësisë u realizua në një kohë sfidash të mëdha. Gjatë periudhës që pasoi, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912/13) vendosi kufij që lanë jashtë Shqipërisë më shumë se 60% të territoreve shqiptare, duke përfshirë Kosovën, që iu aneksua Serbisë. Megjithatë, shpallja e Pavarësisë shënoi një fitore morale dhe juridike për kombin shqiptar, duke vendosur themelet për zhvillimet e ardhshme. Vlora, si epiqendra e këtij akti madhor, mbetet një simbol i rezistencës politike dhe shprehim i vullnetit të popullit për të pasur një shtet të pavarur. Kuvendi i Vlorës përfshiu përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, duke treguar unitetin kombëtar dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.

Fundi i shekullit XX shënoi një tjetër kulm historik për shqiptarët. Më 28 Nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli publikisht në Llaushë të Skenderajt, duke shpallur vendosmërinë e popullit shqiptar për t’u çliruar nga sundimi serb. Kjo ngjarje përfaqësonte vazhdimësinë e qëndresës kombëtare, duke lidhur përpjekjet e UÇK-së me traditën historike të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Dalja publike e UÇK-së ishte një akt guximi dhe frymëzimi, duke shënuar fillimin e fundit të represionit serb në Kosovë. Pas dekadash të persekutimit dhe spastrimit etnik, lufta e UÇK-së mishëroi aspiratat e popullit për liri, drejtësi dhe pavarësi. Drenica, si epiqendra e kësaj lëvizjeje, u bë simbol i sakrificës dhe qëndresës për lirinë e Kosovës.

Po më 28 Nëntor, në vitin 1955, lindi komandanti legjendar Adem Jashari, i cili mishëron heroizmin dhe sakrificën për çlirimin e Kosovës. Jashari u bë një ikonë e luftës për liri, duke i dhënë kësaj date një dimension të ri simbolik. Familja Jashari dhe veçanërisht akti i tij heroik në Prekaz janë dëshmi e sakrificës sublime që shqiptarët bënë për liri.

Këto momente – çlirimi i Krujës më 1443, Pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe dalja publike e UÇK-së më 1997 – nuk janë thjesht ngjarje të veçuara historike, por hallka të pandashme të përpjekjeve të hqiptarëv për liri dhe pavarësi. Nëntori i bashkon këto ngjarje, duke i kthyer ato në simbole frymëzuese për të gjithë kombin shqiptar.

Kruja, Vlora dhe Drenica përfaqësojnë tri shtylla të rezistencës kombëtare, ndërsa 28 Nëntori mbetet një ditë ku historia, krenaria dhe aspiratat kombëtare ndërthuren për të përkujtuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen. Kjo datë, që mbart në vete sakrificën, qëndresën dhe triumfin, frymëzon brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin kombëtar dhe lirinë e fituar me sakrificë.

Haxhi Ademi, Doktor i Shkencave të Historisë

Filed Under: Emigracion

Në qytezën Dumont të Nju Xhersit, u ngrit flamuri shqiptar

November 26, 2024 by s p

Në qytezën Dumont të Nju Xhersit, u ngrit flamuri shqiptar në shenjë të nderimit të ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Ky manifestim ishte organizuar nga z.Andi Necaj dhe shqiptarët që jetojnë në këtë qytetet. Po ashtu në organizimin e këtij manifestimi, morën pjesë dhe Shoqata Rozafa me Edi Drishtin si dhe Federata Vatra, përfaqësuar nga Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, dhe anëtarë i Vatrës nga kjo qytezë, Pjeter Gjelaj, dhe “Albanian Knights”. Një eveniment i shkëlqyer atdhetar që nderon historinë tonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

E mira dhe e keqja është konstrukt social dhe ekziston veç në brendësinë tonë

November 25, 2024 by s p

Artan Nati/

Nuk ka dyshim se çdo person, në përgjithësi, është më pak i mirë nga sa imagjinon se është ose dëshiron të jetë. Të gjithë kanë një anë të errët. Dhe sa më shumë të përpiqeni ta fshihni atë, aq më e zezë dhe më e dendur bëhet. E mira që shohim në botë përcaktohet nga e keqja që ne perceptojmë. Pa të keqen, nuk ka të mirë. Pa errësirë, nuk ka dritë. Pa një antihero të përcaktuar qartë, nuk ka hero. Dhe kjo shpjegon pse ne jemi kaq të shpejtë për të demonizuar ata që mendojnë ndryshe ose që na kundërshtojnë. Tribalizmi është në strukturën e qenies sonë. Kultura jonë aktuale kërkon dëshpërimisht për antiheroin sepse ne duhet të etiketojmë të keqen në mënyrë që të kemi një ndjenjë të mirë. Nëse mund të gjejmë një person negativ, kjo na lejon të ndihemi moralisht superiorë. Nëse nuk ka një antihero, ne do të krijojmë një të tillë. Dhe tani shoqëria jjonë është më e ndarë se kurrë. Me cilëndo palë që të shoqëroheni, pala tjetër duhet të demonizohet. Sa më shumë që i perceptojmë si djaj, aq më të polarizuar bëhemi. Por pyetja është, si mund të jeni i sigurt nëse jeni në anën e së mirës? Edhe personazhet më të këqij në histori mendonin se ishin në anën e së mirës. Shpesh gjërat djallëzore bëhen në emër të drejtësisë dhe të jeni të sigurt se kushdo, i çfarëdo kombësie, qëndrimi politik apo feje, shkon gjithmonë në luftë me një ndjenjë të drejtësisë së plotë. Ana tjetër është djalli. Sigurisht që të gjithë nuk mund të jenë në anën e mirë, përndryshe e keqja nuk do të ekzistonte. E vërteta e çështjes është se e mira dhe e keqja ekzistojnë vetëm në syrin e shikuesit. Nuk ka kufi midis së mirës dhe së keqes. Vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon midis Kosovës e Serbisë, as midis Shqipërisë e Greqisë, apo midis PS-së dhe PD-së dhe as midis Ramës e Berishës dhe as midis demokratëve dhe socialistëve, por kalon në zemrën e çdo njeriu, në mënyrën se si ne mendojmë e gjykojmë. Hitleri konsiderohet si njeriu më i keq që ka jetuar ndonjëherë, por në fillim të viteve 1930, Hitleri u shpall si një hero, jo vetëm në Gjermani, por në pjesën më të madhe të Evropës. Ai kishte lulëzuar ekonominë gjermane dhe po ndërtonte një shoqëri efikase, të pasur, inovative. Në vitin 1936, Hitleri dhe gjermanët organizuan Olimpiadën, e cila shfaqi prosperitetin gjerman për të gjithë botën. Në vitin 1938, ai ishte Njeriu i vitit i shpallur nga revista prestigjoze ”Time” . Regjimi nazist u mbështet dhe u vlerësua nga intelektualë, ekonomistë, fitues të çmimit Nobel dhe media. Si çoi ky prosperitet në kampe përqendrimi dhe dhoma gazi? Nuk ndodhi brenda natës. U desh një proces hap pas hapi që nazistët të mendonin se po bënin mirë, duke menduar se ishin në anën e fisnikërisë dhe virtytit, duke menduar se çdo veprim që bënin ishte për përmirësimin absolut të njerëzimit. Motoja e Hitlerit ishte, e mira e përbashkët përpara së mirës individuale, dhe përfundimisht ideologjia e tij për të arritur të mirën e përbashkët do të çonte në një holokaust. I njëjti proces ka ndodhur në çdo gjenocid në histori, nga Pol Poti në Kamboxhia te Mao në Kinë e deri te Stalini në Bashkimin Sovjetik. Nuk bën përjashtim as krimineli Enver Hoxha dhe rregjimi i tij komunist. Enver Hoxha u konsiderua si shpëtimtari i kombit, si personi që do të bënte shqiptarët të hanin me lugë të florinjtë, që do të bënte Shqipërinë fanar ndriçues. Dhe ishte pikërisht ky besim, se ideologjia komuniste ishte fitimtare dhe kundështarët ishin djaj dhe armiq, që do ta shndërronte vendin në kamp përqëndrimi dhe ferr në tokë. Ishin komunistët e verbuar nga egoizmi i tyre, se vetëm ata ishin engjëj dhe gjithë të tjerët ishin djaj, që shkatërruan jetën e shqiptarëve dhe pjesës më vitale të vendit. Të gjithë këta njerëz menduan se po rregullonin qytetërimin. Ata të gjithë kishin një vizion për të krijuar një utopi, por për të arritur në atë utopi, vuajtjet masive dhe vrasjet masive u bënë të nevojshme. Fatkeqësisht tragjeditë e vendit tonë nuk mbaruan me zhdukjen e komunizmit, por vazhduan edhe në demokraci, sepse mënyra e të menduarit nuk ndryshoi shumë, sepse komunizmi u zhduk, por mënyra komuniste e të menduarit ishte mes nesh. Pas viteve 90, demokratët erdhën në pushtet (një pjesë e mirë demokratë vetëm në emër) me besimin se ata ishin në anën e drejtë të historisë dhe të pagabueshëm. Ky mentalitet bardh e zi prodhoi tragjedinë më të madhe politike-ekonomike në vend, luftën civile të 97-tës. Kjo tragjedi ishte produkt i mentalitetit komunist, edhe në krye të PD-së, e cila u uzurpua nga ish komunistët në kurriz të klasës së persekutuar në vend . Por hallet e Shqipërisë duket se nuk mbarojnë këtu, biles edhe me ardhjen në pushtet të një brezi më të ri, të përfaqësuar nga Edi Rama e Erion Veliaj, me premtimin e madh se ata janë e ardhmja dhe kuptojnë përkatësinë europiane të vendit. Shumë shpejt u kuptua se ata kishin trashëguar egoizmin dhe besimin se ishin të pagabueshëm dhe armiqtë po i sabotonin kudo. Kjo ka sjellë në vend korrupsion galopant, degjenerim social si edhe krim të organizuar. Ky është kuptimi i fjalës së urtë të lashtë, rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira. Në mënyrë që të shpëtojmë botën nga e keqja, ne duhet të shkëputemi nga egoja dhe të njohim demonët tanë të brendshëm. Kuptimi nga kjo është se e mira dhe e keqja nuk janë gjë tjetër veçse konstruksione mendore. Të gjithë ne, por veçanërisht politikanët tanë, duhet të kuptojnë se ata si të gjithë ne, janë krijesa kapriçoze dhe me kujtesë të kufizuar dhe mbi të gjitha me një talent për vetëshkatërrim.

========================================================================

Në dramën e Shekspirit “Julius Cesar” në dialogun midis dy fisnikëve Casius dhe Brutus thuhet : “Faji, i dashur Brutus, nuk është tek yjet tanë, por tek ne”

Cassius vazhdon duke i kujtuar Brutit se Cezari është thjesht një njeri, jo një zot, dhe se ata janë njerëz të barabartë me Cezarin. Ata kanë lindur të gjithë njëlloj të lirë, dhe pse do t’u duhej papritur t’i përkuleshin një politikani tjetër? E aplikuar në politikën bashkëkohore shqiptare, fare mirë mund të themi se faji në Shqipërinë e sotme nuk është në fatin tonë, por në veten tonë, sepse kemi zgjedhur të jemi mediokër në të menduarit tonë, të paqartë në këndvështrimet tona dhe dritëshkurtër në pikëpamjet tona për gjërat që ndodhin rreth nesh.

Duket sikur Shqiperia është ndarë në dy popuj, atë demokratik dhe socialist,të cilët jetojnë në egoizmin e tyre dhe mendojmë se ata janë engjëj dhe kundeshtarët djaj . Pjesa tjetër mendojnë se ky vend është e thënë se nuk bëhet dhe se kjo është e shkruajtur,ndoshta mallkim, osé yjet apo astrologjia thonë se këtu nuk ka të ardhme gjë që na kujton Shekspirin se fati yne nuk varet nga yjet por nga ne. Ashtu si Brutus duhet të shkëputemi nga egoizmi ynë dhe të mendojmë se besnikëria jonë është ndaj demokracisë dhe përkatësisë europiane të vendit dhe jo ndaj monarkëve të rinj, që ashtu si Jul Çezari, duan ta kthejnë vendin në perandorinë e tyre.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 185
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT