• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kodra, Musei Vaticani dhe një foto historike e Mjeshtrit Post-Kubist me Papa Palin VI

April 7, 2023 by s p

(Me rastin e 50-Vjetorit të inagurimit të Koleksionit Papal të Artit Modern dhe atij Kontemporan në Musei Vaticani (1973-2023)     

                              Melsen Kafilaj- Studiues, Città del Vaticano                                                                                  

C:\Users\Admin\Desktop\imageedit_32_2981051200.png

   Mjeshtri Ibrahim Kodra duke shtërnguar duart me Papa Palin VI (© Fratelli Spalinger)

                                    [Shfaqet për herë të parë për publikun shqiptar]

Për Mjeshtrin Ibrahim Kodra të gjithë kërkojnë të shkruajnë.Aq i vërtetë është ky fakt saqë mjafton ti hedhësh një sy Internetit për tu bindur mbi morinë e “artikujve” të prodhuar.Mesa duket, Jonathan Swift kishte plotësisht të drejtë kur pohonte që sa më e madhe të jetë mungesa e informacionit mbi një temë a çështje të caktuar, aq më i dëndur është edhe numri i subjekteve që flasin a shkruajnë për të…Por fatmirësisht, kemi ende në mesin tonë një grusht njerëzish të cilët ia dinë vlerën shprehjes: “Heshtja është flori” dhe flasin vetëm atëherë kur kanë diçka të rëndësishme për të thënë.Njerëz të cilët me penën e tyre, siç do të shprehej edhe kolosi i gazetarisë italiane Indro Montanelli na i bëjnë paksa më të përballueshëm në përditshmëri triumfin e Mediokritetit.Kodra për të cilin jemi thelluar në këtë artikull nuk është produkt i të ashtuquajturit “churnalism” (Tony Harcup, Oxford Dictionary of Journalism, 2014, p.53), një term i përdorur për herë të parë prej gazetarit të BBC, Waseem Zakir (2008) apo “fast-food info” i cili na ofrohet përditë me bollëk përmes Medias së Shkruar. Ai është fryt i një kërkimi të palodhshëm e të pandërprerë; kërkim i cili na lidh pazgjidhshmërisht me një prej ngjarjeve më të rëndësishme jo vetëm për Kishën Katolike por me impakt të gjerë në të gjithë botën; Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962-1965) 

I paralajmëruar si Koncil që në vitin 1959 prej Papës Reformator Papa Gjoni XXIII ky Koncil Ekumenik do të hapej prej këtij të fundit në vitin 1962, duke u çuar përpara dhe mbyllur me sukses prej pasuesit me po të njëjtin shpirt reformues; Papa Palit VI. Eshtë interesante të theksojmë që brënda këtij “Zeitgeist” dhe ere transformimesh të mëdha Papa Pali VI do të mbante më 7 Maj të vitit 1964 në Kapelën Sistine “Meshën e Artistëve”.Në këtë Meshë  domethënëse (për nga brendia dhe mesazhet e përçuara) në të cilën do të merrte pjesë edhe artisti ynë, Kodra (tashmë i konvertuar në Katolik) Papa jo vetëm që do të kërkonte falje ndaj Artistëve për braktisjen dhe distancën sociale në Modernitet midis tyre dhe Kishës por gjithashtu do t’ju zgjaste dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit; “të një Miqësie në Veprim,” siç do ta cilësonte Ai, “e cila duhet rithemeluar dhe bërë edhe më të fortë se më parë”.

C:\Users\Admin\Desktop\paolo-vi-sistina(Artists' Mass 1964).jpg

Papa Pali VI duke mbajtur Meshën e Artistëve në Kapelën Sistine (© L’Osservatore Romano)

Në fakt, sinjale të kësaj marrdhënie të Artistëve Bashkëkohor me Kishën Papa Pali VI i kishte dhënë edhe më herët me dokumentin e parë të formuluar (nga 16 të tillë gjithësej) prej Koncilit të Dytë të Vatikanit, pra në Kushtetutën e Liturgjisë së Shenjtë (Sacrosanctum Concilium) 4 Dhjetor, 1963 dhe specifikisht në Kapitullin 7 të saj e cila pohonte se “Artit të ditëve tona që vjen prej çdo race dhe vendi të botës do t’i jepet gjithashtu hapësirë ​​e lirë në Kishë.”(f.18) Kështu psh, brënda kontekstit të këtij artikulli një mesazh tjetër i vyer, buruar prej tekstit të kësaj Meshe të cilin do të doja ta theksoja jepet më poshtë: 

“Ne kemi nevojë për Ju.Shërbesa jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj.Kjo ndodh sepse siç e dini thirrja dhe misioni ynë është që të predikojmë, të bëjmë të aksesueshme, të kuptueshme dhe të lëvizshme Botën e Shpirtit, të së Padukshmes, të së Pagabueshmes, të Zotit. Dhe në këtë veprim, i cili transmeton botën e padukshme përmes formulave të aksesueshme dhe inteligjente ju jeni Mjeshtrit.Eshtë mjeshtëria dhe misioni juaj; arti juaj është pikërisht ai i të kuptuarit të Thesareve të Qiellit të Shpirtit dhe ti vishni këto thesare me anë të fjalëve, ngjyrave dhe formave, duke i bërë të aksesueshme për të gjithë.”(f.2) 

Kjo thirrje kuptimplotë dhe vokacioni i treguar prej Papa Palit VI ndaj Artit do të dëshmohej sërish edhe me “Mesazhin e Tij drejtuar Artistëve” më 8 Dhjetor të vitit 1965 gjatë mbylljes së Koncilit të Dytë të Vatikanit. Në këtë tekst, (në vlerësimin tim një diamant i prerë në mënyrë perfekte dhe i mirëlustruar) do të gjejmë një prej mesazheve më të bukura që një Papë mund t’ju ketë përcjellë Artistëve ndonjëherë më parë! I inspiruar prej maksimës së shkrimtarit dhe filosofit ekzistencialist rus, Fyodor Dostoyevsky “E Bukura do të shpëtoj Botën” ky mesazh ngrihet gjithashtu në një nivel sipëran, duke u shndërruar në vetvete në një vepër arti të Retorikës dhe Estetikës Papale. Ja përmbajtja e tij:

“Bota në të cilën jetojmë ka nevojë për Bukurinë për të mos u zhytur në dëshpërim.Eshtë Bukuria, e cila posi E Vërteta (Veritas) sjell gëzim në zemrat e njerëzve, është pikërisht ky frut i çmuar i cili i reziston bjerrjes së Kohës, që bashkon gjeneratat dhe i bënë njerëzit ti bashkëndajnë gjërat me admirim.Dhe e gjithë kjo është falë duarve tuaja.Qofshin këto duar përherë të pastra e bujare.Dhe mos harroni që Ju jeni Gardianët e së Bukurës në Botë!”(f.1) 

Papa Pali VI, ky Papë Humanist, i pagëzuar nga Intelektualët edhe si “Papa i Artistëve” jo vetëm që do të insistonte për afrimitetin e Artistëve Bashkëkohor me Kishën por do të ishte gjithashtu edhe një shkëndijë artistike për ta, shpesh duke i frymëzuar me mesazhet e dhëna përgjatë misionit të tij pastoral.Një prej artistëve të frymëzuar prej këtyre mesazheve do të ishte edhe Kodra ynë.

Kështu psh, gjatë vizitës së Papa Palit VI në Indi gjatë datave 2-5 Dhjetor, 1964 (E para vizitë e realizuar prej një Pape në këtë vend) siç informohemi prej Dr. Micol Forti, Drejtuese dhe Kuratore e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani, Kodra e përjetëson këtë moment historik me pikturën: “Mesazhi i Paqes” (1964). Kjo pikturë e përfunduar prej Artistit në datën 25 Dhjetor, paraqet edhe një tjetër aspekt interesant pasi në pjesën e pasme të saj Kodra shkruan në mënyrë kaligrafike: “Dokument simbolik i udhëtimit në Indi i Shenjtërisë së Tij, Papa Pali VI/ (Shenjtëria e Tij i foli zemrës së Botës) / Ibrahim Kodra.” Piktura “Mesazhi i Paqes,” të cilën e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar dëshmon jo vetëm për Humanizmin Kodran por ajo është gjithashtu edhe një pasqyrë e perceptimit të Artistit dhe përkthimit me anë të gjuhës dhe mjeteve artistike të mesazheve të përçuara para dhe gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit.Në këtë kuptim, kjo vepër si një produkt i një kohe dhe konteksti të caktuar (Citoj Panofsky-n) jo vetëm që e rafiguron më së miri Frymën e Vatikan II, por ajo gjithashtu kanalizon dhe bën të aksesueshëm për të gjithë ne Zotin e Paqes (Deus Pacis)  në Art! 

C:\Users\Admin\Desktop\Kodra, Musei Vaticani.jpg

“Mesazhi i Paqes” (1964), vaj në telajo, 146 x 148 cm (© Musei Vaticani) Piktura e   Kodrës në Koleksionin e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor të Musei Vaticani 

Papa Pali VI, “Njeriu i Dritës” siç e quajti Kardinal Martini, ishte një lider reformator, një njeri vizionar dhe një koleksionist i apasionuar i veprave të Artit Bashkëkohor.Personi përgjegjës për këtë koleksion do të ishte Monsinjor Pasquale Macchi, Sekretari Personal i Papës.Ky koleksion i nisur që në vitet 50-të, do të pasurohej në vazhdimësi me një sërë veprash moderne dhe artistësh bashkëkohorë si Chagall, Dali, Picasso, Braque, Matisse, De Chirico, Bacon,  Klee, Carra, etj aq sa numri i veprave të tij (më së shumti të dhuruara) do të arrinte në 800 (Micol Forti, I Musei Vaticani e L’Arte Contemporanea, 2003, f.9). 

Midis shumë artistëve të tjerë bashkëkohor, kontribues në këtë koleksion do të ishte edhe Mjeshtri Ibrahim Kodra.Vepra “Mesazhi i Paqes”(1964) do ti dhurohej Papës prej vet Autorit dhe ajo mban numrin e inventarit “MV.23254.0.0”(Mario Ferrazza & Patrizia Pignatti, L’Appartamento Borgia e L’Arte Contemporanea in Vaticano, 1974, p.91).Në 20 Qershor të vitit 1973 Papa Pali VI do ta prezantonte këtë koleksion, duke inaguruar kështu edhe themelimin e Galerisë së Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani. Gjatë “Fjalimit Inagurues,” Papa Pali VI do të kumtonte atë frazë-obelisk e cila na kujton paksa poetin e thellë gjerman Friedrich Hölderlin: “Artisti është poeti dhe profeti i kohës tonë!”(f.1) Në fund të këtij inagurimi në të cilin qe prezent edhe Mjeshtri Post-Kubist Kodra do të realizohej edhe fotoja historike me Papa Palin VI të cilën e kemi bashkangjitur në fillim të këtij artikulli. 

Më 1 Janar të po këtij viti “Me rastin e Kremtimit të Ditës së Paqes” Papa Pali VI kishte folur për Artizanët e Paqes (burrat e shtetit, diplomatët, shkenctarët, industrialistët, poetët, artistët, etj) dhe pjesëmarrjen e tyre konstruktive për bërjen të mundur të paqes në botë.Pikërisht në momentin e shkrepjes së kësaj fotoje, Papa Pali VI do ti shqiptonte Kodrës këto fjalë: “Ju jeni artizan i paqes dhe mesazher i saj!”

Filed Under: Emigracion Tagged With: Melsen Kafilaj

NDRYSHIMET E KUSHTETUTËS NË RVM, ÇFARË DO TË MARRIN SHQIPTARËT NGA HISJA E VET?

April 3, 2023 by s p

Skënder Karaçica

Populli shqiptar si popull i dytë shumicë në hapësirën etnike në RVM-së ende me ligjet e Kushtetutës ka mbetur në statutin e pakicës kombëtare me shenjën e barazisë me pakicat tjera.

Qysh në fillim kanë dalur zërat e partive politike maqedonase,që trumbetojnë lidhur me ndryshimet e Kushtetutës të këtij vendi multietnik dhe, gati-gati i brishtë në të ardhmen e saj evropiane,kur e kur sajojnë ,,amandamente kuturu (sic!)për shtetin e një populli (lexo:maqedonas,-shënimi ynë,-sk) dhe i pakicave në këto hapësira.

Në dritën e këtyre ngjarjeve,faktori politik maqedonas shkon më tej duke e vënë në qendër të ligjeve kushtetuese(ndryshimet), ku në marrëveshje me Bullgarinë për çështjen e pakicës bullgare dhe të ,,gjuhës maqedonase,, (sic!) dhe të identitetit të këtij shteti i sajuar nga boshti pansllavist në Beograd ,Moskë dhe Athinë, të avancohet në shtetformues(sic!).

Ndryshimet e Kushtetutës në RVM-së çfarë do të marrin shqiptarët si popull i dytë shumicë (lexo:40 përqind të përberjes kombëtare të referencës zyrtare të Samitit NATO në Çikago(2015), a do të avancohet çështja kombëtare me shenjën e barazisë shtetformues apo do të mbetët në logon e ligjeve kushtetuese pakicë me shenjën dalluese me pakicat tjera?

Për aktualitetin e ndryshimit të Kushtetutës, faktori politik shqiptar, bota kademike, unversitare dhe shoqëria civile në hapësirën etnike në RVM-së duhet të rreshtohen në vijën e unifikimit dhe, pa asnjë hezitim të kërkojnë hisën e vet në preambulën e ndryshimit të Kushtetutës në këtë vend, në shkallë të barazisë kombëtare si shtetformues e jo pakicë kombëtare.

Thirrje nga Amerika: Shqiptarët si popull i dytë shumicë të avancohen në shtetformues në RVM-së!

Çikago,1 prill të motit 2023

Filed Under: Emigracion

“Rikard” , dokumentari si vepër e artistit për artistin

April 3, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Qasje refleksionuese pas premierës së dokumentarit të Mevlan Shanaj për artistin sharmant Rikard LjarjaDokumentari “Rikardi” i regjisorit Mevlan Shanaj është një vepër e artistit Shanaj, për artistin Ljarja, të cilët, në jetë dhanë provën e gjatë të të qenit edhe mik për mikun. “Rikard” ofron dhe plotëson një mundësi për shumëkënd, për njohjen me jetën, veprën, personalitetin dhe vlerën e lartë njerëzore të Rikard Ljarjes. Më i vyer bëhet ky dokumentar, për të sotmit dhe sidomos të ardhmit kinema-dashës, kudo në hapësirën shqiptare.Kjo vepër e çiftit të artistëve, regjisorit Mevlan Shanaj dhe skenarin e shkrimtares Natasha Lako, shton një shenjë dhe sprovë të bukur e të realizuar, në filmin memorial shqiptar. Është dokumentar për një personalitet që jetoi dhe influencon në dy kohë të ndryshme shoqërore. Ljarja, mishëroi të vetmen kohë karakteriale të vetvetes. Është artisti me disa regjistra pasionesh, talenti, punësh dhe veprimtarish. Autori Shanaj e mban në këtë realizim shpërfaqjen e plotë të portretit të artistit sharmant, së pari mes dy hiseve themelore të jetës së njeriut: vendlindjes dhe familjes. Emri i artistit shkodran, u shpërnda si talent dhe u konfirmua si artist, në harkun kohor të mbi 60 viteve në Shqipërinë nën komunizëm dhe këtë të pastajmen. Erdhi, u rrit, aktroi dhe jetoi në kostumin e patradhëtueshëm të vetvetes. I gjykoi kohët në këtë kohë të lirisë gjykuese, pa transferuar dhe pa këmbëngulur në kërkime justifikimesh për artin dhe brendinë e tij ideore. Pjesa e vetërrëfimit prej Ljarjes në dokumentar është autentike. Aktori udhëtoi bashkë me disa pasione dhe aftësi prej artisti, në fusha të tjera. (Ndër të paktët aktorë e regjisorë që ishte instrumentist për disa instrumenta, shkrimtar me disa libra, skenarist me disa skenarë dhe filma të suksesshëm, piktor me shumë punë dhe intelektual me sqimë. Ljarja ishte intelektual, me aktivizëm mendimesh e fjale publike. Nuk i përkiste llojit me pjesëmarrje në kore portative partish apo prijësish të fiseve politike, si në kohë të parë dhe të dytë, të jetës së vet. Për këtë shtysë, si qytetar në ADN, ai e mishëroi pasionin për shkrimtarinë si dijeni dhe si dëshmi të pohuar më herët, prej Hygoit se ” letërsia krijon qytetërim”. Në vlerësimin kapital që ekziston për Rikardin, prej shumëkujt, aq më tepër njerëzve të kinemasë dhe regjisë, konfirmohet fakti që solli aktrimin ndryshe. Ai pasuroi gamën e karaktereve që tërheqin dhe spikasin, sikundër edhe bënë diferencë, prej veçanësisë aktoriale të traditës pararendëse dhe asaj në të cilën hyri e vijoi. Rolet e Rikard Ljarjes, krijoheshin vetiakisht duke ekspozuar një botë të brendshme atipike ndër gjithë tipologjinë e imponuar të kinemasë socialiste. Rikardi evitoi patetizmin vokal, edhe pse gëzoi zërin më të rrallë. Ai, e arriti shpejt shqueshmërinë prej valencës dhe talentit, si edhe prej portretit që aq shumë antropologjikisht europianist mbeti.Premiera e dokumentarit të ndjekur nga disa qindra shikues në kinemanë “Milenium” të Tiranës, si për herë të parë, u mbush me karafila të kuq të cilët i kishte sjellë enkas, seicili pjesëmarrës. Edhe ky detaj regjisorial, i sugjeruar prej autorit të dokumentarit, i dha edhe më tepër emocion dhe peshë nderimi, shfaqjes. Ishte simbolikisht homazhi i munguar për Ljarjen, kur në pikun e pandemisë së COVID-19 humbi jetën dhe u strehua nën dhé, në mungesë të njerëzisë që e do.Mevlan Shanaj nuk e tejkaloi raportin personal të mikut dhe artistit, me artistin e adhuruar shqiptar. Kamera regjisoriale e nis filmin-dokumentar, me një stand-up të regjisorit protagonist, duke e vendosur pashmangshmërisht Rikard Ljarjen në vendlindje dhe vendqëndrimin e përjetshëm, në Shkodër. Përmes kësaj hyrjeje, Shanaj ia del të evidentojë edhe më realisht bëmën e plotë dhe të bukur artistike, si dhe jetën krijuese të Ljarjes, në kontekst dhe brenda Shkodrës. Në filmat e njohur “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Rrugë të bardha”, “Plagë të vjetra”, “Radiostacioni”, ”Shtigje lufte”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “ Skëter ‘43”, etj., etj., Rikard Ljarja qysh në fillim të dokumentarit, përcaktohet prej autorit, si një emër emërshtues për qytetin hijerëndë dhe sharmant të Shkodrës. Imazhet filmike, pasazhet vetërrëfyese të Rikardit, rrëfimi i detajshëm i arkivistit të Teatrit “Migjeni”, fletëpalosjet njoftuese të koncerteve, në një prej të cilave Rikard Ljarja rreshtohet si instrumentist i fagotit, më pas fotografitë e tij si fizarmonicist e pianist,…etj., etj, janë detaje që në dokumentar pasurojnë dijen publike për jo-bashkëkohësit e tanishëm dhe ata të ardhëm, për një artist kapacitetesh. Skenari dhe regjia me finesë na sollën Rikardin që erdhi në jetë nga dy prindër me rrënjë e investim qytetar e kulturor. Përgjatë gjithë dokumentarit, dashuria e Rikardit për Shkodrën është aq e prekshme dhe dhimbshme si e thënë me vargun e Fatos Arapit :” Ç’dhembje qenka të dashurosh ty.” Rikard Ljarja nuk e thotë askund me zërin e tij të bukur dhe sytë e vet aq folës, asnjëherë brengën penguese. Jo se shfaqej në vetëçensurim. Por për shkak se u bë kapërcyes me talentin dhe kulturën që i zotëronte si asete vetiake. Në librin triptik të tij “Prill”, në faqen e parë rrëfen një detaj artisti të penguar. Gati 40 vite më parë shkroi një prozë të cilën e kishte konceptuar të mjaftueshme për tri filma të shkurtër. Vetëm pjesa e dytë e triptikut arriti të bëhej film. Duke ndjekur dokumentarin, tentativa e regjisorit Shanaj, për t’i marrë një intervistë birit të vetëm të artistit, Leandrit, dështon për shkak të prekjes së thellë të tij dhe lotimit nën peshën e dhimbjes për atin. Është një ndër detajet më shprehëse të krejt dokumentarit, ku natyra e raportit bir-at, triumfon mbi çdo ligjërim apo rrëfim verbal sado i shumtë mund të jetë me fakte. Të njëjtin plotësim, në një mënyrë më fakt-thënëse, solli bashkëshortja e artistit, aktorja Marjeta Ljarja. Dokumentari ia ka dalë të rrokë dhe paraqesë plotësisht shtatin dhe portretin specifik të artistit të shumë lëmive, regjisorit të risive dhe talentit që meriton më shumë vlerësim të sotëm e të ardhëm. Shanaj na solli imazhin filmik të qytetarit me kalibra e me ndërgjegje, të personalitetit me cilësi antropologjike si shqiptar european dhe aq më tepër, me thelb të tillë.Rikardi ishte artisti që jetoi intensivisht me punët e njëpasnjëshme që realizoi, por edhe i rrethuar dhe i gjendur përherë në një mjedis kulturor jo të ndenjur, por gjallues. Dokumentari ofron emrat e shquar të artit shqiptar që shpallin vlerësimet e tyre dhe çmimet vetiake për Rikardin. Dimensioni më imponues i Rikardit ka qenë dhe i tillë shfaqet plotësisht edhe në dokumentar, thjeshtësia. Jetoi dhe krijoi duke mbetur më i vërtetë se natyra. Në këtë premierë, në sallë shumë të pranishëm u përlotën. Njohja e mundësuar prej dokumentarit për imazhin real dhe gati shenjtëror të Rikardit, të shtyn të zgjohen lotët nga dremitja në thellësinë e errët të vetvetes. Artistët e ikur, ua marrin natyrshëm këtë dobësi të bukur të gjallëve.

Filed Under: Emigracion

Një përurim i shkëlqyer për veprën që i kushtohet Heroit, Xhavit Haziri

April 1, 2023 by s p

SHKRUAN: Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Një përurim i shkëlqyer për veprën që i kushtohet Heroit, Xhavit Haziri

Para pak ditësh u bë përurimi i veprës jetëshkruese “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri”   në praninë e rreth 200 pjesëmarrësve, në një sallë të madhe, në Achen të Gjermanisë, ku erdhën familjarët, shokët e heroit Xhavit Haziri, studiues e veprimtarë, si dhe bashkatdhetarë, të cilët shfaqën nderimet  e dëgjuan shumë dëshmi të dhëna, përshkrime ngjarjesh e idesh pikërisht për Xhavit Hazirin, si shëmbëlltyra më mirë e vazhdimësisë shqiptare dhe veprimtarisë atdhetare.

Përurimi i veprave dhe vlerave të mirëfillta kulturore, shoqërore e atdhetare ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për pjesëmarrësit e një tubimi të tillë, por mbi të gjitha ka rëndësi edhe për vetë rrugën që duhet shtruar mirë,  në të cilën brezat e rinj e nisin jetën e vazhdojnë përpjekjen dhe veprimtarinë për të qenë edhe ata pjesë e rrënjëve dhe shpirtit atdhetar të etereve e stërgjyshërve të tyre. Njëkohësisht, veprat të cilat përshkruajnë jetën e veprimtarinë e dëshmorëve, heronjve e njerëzve të përkushtuar në rrugën e lirisë, pavarësisë, emancipimit, të humanizmit e atdhedashurisë, janë e do të jenë gjithmonë shkëlqimi më i mirë për vetë njerëzit që kanë qenë bashkëkohës të dëshmorëve e  heronjve, për njerëzit që janë dashamirës e për vetë brezat e së ardhmes. Vepra e poetit dhe veprimtarit Mustafë Krasniqi për heroin e popullit dhe të atdheut Xhavit Haziri, është një vepër ku shquhet jo vetëm përshkrimi për ta paraqitur  jetën dhe veprën së këtij heroi, por ajo së bashku me vepra të tjera për heronjtë e dëshmorët e atdheut janë edhe  porosi që e thërrasin ndërgjegjen shqiptare.  Kështu jeta e lavdishme dhe veprimtaria heroike e bijve e bijave më të mirë të atdheut, që dhanë çdo gjë, pra edhe jetën e tyre,  duhet të jetë një lidhje e natyrshme e vazhdimësisë  me brezat e popullit shqiptar, duke shprehur gjallërinë jetës  së tyre e duke pasur si busull drejtimi veprën e jetën pikërisht të këtyre heronjve e dëshmorëve si heroi Xhavit Haziri. Pikërisht, këtu është një moment për të dalë edhe te përurimi i veprës : “ Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri “. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur vepra e dëshmorëve e heronjve përkujtohet e shënohet e përurohet nga brezat e rinj. Në këtë kuptim organizimi për përurimin e veprës për heroin Xhavit Haziri, nga familjarët e tij nga shoqëria e tij që u bë në Achen të Gjermanisë është një nga veprimtaritë e shkëlqyera atdhetare e shoqërore. 

Programin e këtij përurimi e udhëhoqi mësuesja e shkollës shqipe Elizabeta Statovci. Ajo pasi përshëndeti dhe uroi mirëseardhjen e të pranishmëve, pasi foli për rëndësinë e librit dhe heroit Xhavit Haziri ia dha fjalën menjëherë, shokut të idealeve të veprimtarisë e të burgut të Heroit Xhavit Haziri, bashkatdhetarit tonë, Binak Berisha. Ai në fillim tha:

─ Jam shumë krenar e i lumtur që shoh shumë njerëz në këtë mbrëmje për përurimin e e veprës së shokut tonë, Xhavit Haziri. Kjo më bën të ndjehem mirë, meqë shoh se mundi, sakrifica, veprimtaria dhe gjithçka që ka bërë Xhavit Haziri dhe shokët e tij ka dhënë frytet e çlirimit, lirisë e bashkimit të Atdheut! Dua ta falënderoj Mustafën e Arbenin të gjitha ata që dhanë ndihmesën e tyre në këtë mbrëmje përurimi, por arsyeja e vërtetë pse jemi këtu është heroi Xhavit Haziri. Për këtë hero, po ta kishin një të tillë popujt të tjerë, do të kishin bërë dhjetëra libra e filma.

Dua që në fillim ta bëj një vërejtje, për sa i takon titullit të veprës: “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri” më duket se do të ishte mirë të thuhej  “Atdhetari udhës së madhe të lirisë”, sepse unë, Mustafa e disa shokë të Xhavitit, kemi mbetur në shtigje, ndërsa Xhavit Haziri e shtroi udhën e madhe të lirisë, udhë kjo në të cilën ka mundur të hyjë secili shqiptar. Megjithëkëtë, e falënderoj, Mustafë Krasniqin, sepse e ka bërë një vepër shumë të mirë për shokun tonë e heroin Xhavit Haziri. 

Xhavitin pata rastin e njoha në ditët e kohërat e vështira, kur vepronim ilegalisht për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia pushtuese. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, vetë pamja e tij tregonte: mirësi, bujari, dashuri, atdhetarizëm, sakrificë etj., me ato syze që na shëmbëllente si heroi Qemal Stafa. Unë mund të flas edhe për kohë kur qemë në burgje. Ai qe stoik dhe nuk i trembej syri kurrë. Ai vepronte edhe në burgje dhe arrinte t’i bashkonte shokët, por edhe kurrë nuk u dorëzua gjatë torturave çnjerëzore që i bënte armiku dhe kurrë nuk gjunjëzua.

Më pas fjalën e mori Arbër Haziri, njëri nga pjesëtarët e familjes së Heroit Xhavit Haziri, ndër të tjera tha:

─ Jam shumë krenar, që sot keni ardhur për përurimin e kësaj vepre. Jeni shumë të nderuar të gjithë, por disa i falënderoj në mënyrë të veçantë, se kanë bërë qindra kilometra për të ardhur këtu, për ta nderuar Heroin Xhavit Haziri, për të na nderuar ne. Ju falënderoj nga zemra dhe unë nuk dua ta zgjas më shumë fjalën time, sepse studiuesit e veprimtarët para publikut do t’i thonë ato që kanë përgatitur. 

Ein Bild, das Decke, Person, Im Haus, Boden enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Mësuese Elisabeta sipas programit e ftoi profesor dr. Vaxhid Sejdiun. 

Profesor Vaxhidi e nisi fjalën e tij me përgëzimet për veprën e Mustafë Krasniqit, foli edhe për atë se kurrë nuk mund të thuhen të gjitha ato të dhëna, ngjarje  e veprimtari që i ka bërë një dëshmor, një hero, siç është Xhavit Haziri. Profesor Vaxhidi, duke bërë një punë të shkëlqyer sistematike e me përkushtim, analizën për veprën e kishte ndarë në disa nëntituj dhe ndër të tjera tha:

─ Nuk ka titull më të lartë, se titulli hero. Xhavit Haziri është hero, ai dha gjithçka për ne, për lirinë, për Atdheun, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë Shqipërinë. Ne kemi nevojë të mësojmë, studiojmë e ta nderojmë veprën e tij e të dëshmorëve e heronjve të tjerë. Ne kemi nevojë të ecim sipas mësimeve e veprimtarisë që ata e bënë.

Si mund të përkufizohet, përpjekja, organizimi e veprimtaria e heroit Xhavit Haziri? Si mund t’i themi disa fjali të përmbledhura për punën, veprimtarinë, përkushtimin, sakrificat e tij e të shokëve të tij, gjeneratës së tij, të cilët qenë në shërbim të Atdheut?

Mund të themi me plot gojën, se ideali i tyre që i ka shtyrë, që ua ka mbushur shpirtin, që i ka  udhëhequr është gjuha, trojet shqiptare, Shqipëria, bashkimi i tërësisë së saj, flamuri shqiptar e motivet e shkëlqyera njerëzore.

Kështu, vijmë edhe te edukimi i Heroit dhe bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtarëve, bashkëvuajtësve të tij, duke theksuar, se pikërisht ato që u cekën më sipër, ato ideale e motive që fëmijë e të rinj janë ushqimi i tyre shpirtëror, edukativ. Për ta, pra gjuha, kultura e Atdheu janë një e të pandara. Ky pra është mësimi më i mirë edhe për të gjithë ne. Të gjitha këto që u thanë lidhen pa u ndarë me atdhedashurinë.

Ndër të tjera profesor Vaxhidi tha se liria që e gëzon Kosova, si shteti i dytë shqiptar, për të cilin vepruan shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare, kurrë nuk do të dilte në dritë, kurrë nuk do të vinte, pa sakrificën e veprimtarinë e heroit Xhavit Haziri e të shokëve të tij, bashkëveprimtarëve të tij, të cilët përkushtimin e veprimtarinë e kulmuan me krijimin e UÇK – së heroike dhe fitoren e çlirimin e Kosovës.

Profesor Vaxhidi, aty nga fundi tha:

─ Heroi ynë Xhavit Haziri dhe bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij ditën të bashkohen jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trevat shqiptare, sepse vetëm bashkimi i shqiptarëve  dhe i të gjitha trevave të tona shqiptare sjell forcë, përparim kombëtar e shoqëror.

Më pas ma dhanë fjalën edhe mua edhe si redaktor i librit. Unë të them të drejtën fola për disa ngjarje e për rëndësinë e librit. Shokët që kanë shkruar më parë siç janë: profesor Vaxhid Sejdiu, e Mustafë Krasniqi e kanë përfshirë në shkrimet e tyre edhe atë që thashë unë, por edhe në librin “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri” e kam vështrimin tim, prandaj nuk do të doja t’ i përsërisja ato që kam shkruar e thënë, por dua të theksoj një moment kur e shfrytëzova pas recitimeve të nxënësve e fjalimeve të kumtuesve. Në atë rast thashë se është vështirë, madje e pamundur të përfshihen të gjitha ngjarjet e të dhënat në një libër të vetëm për heroin, prandaj do të doja që kushdo që ka të dhëna t’i mbledhë ato dhe t’i dërgojë te autori ose te njerëzit që mund të shkruajnë për heronjtë e dëshmorët dhe të botohen edhe libra të tjerë. Por, unë e shfrytëzova edhe këtë rast për të folur për arsimin, për gjuhën shqipe, për shkollat e nxënësit në diasporë, për rëndësinë që ka shkolla shqipe, për shqetësimet tona, sepse një pjesë e madhe e njerëzve tanë  po e bjerrin, po e humbasin gjuhën, kulturën e rrjedhimisht edhe shqiptarësinë tonë, prandaj me dhembje të madhe dhe emocione të fuqishme thashë:

─ Unë kam vënë re se një pjesë e madhe e fëmijëve nuk dinë shqip, nuk i dërgojnë prindërit  e tyre në shkollat shqipe, kjo është shumë e dëmshme, sepse gjuha është çelësi më i mirë që i hap dyert, të cilat i mbyll harresa, i mbyllin ndikimet e zhvillimet e dëmshme në vendet e huaja. Gjuha na e ruan zanafillën tonë, kulturën e shqiptarësinë.

Më pas, gati me lot në sy, thashë se edhe dëshmorët e heronjtë si Xhavit Haziri, vepruan, e derdhën gjakun për lirinë, pavarësinë e bashkimin e atdheut, por u flijuan edhe për ne në mërgim, për fëmijët tanë që të mos shuhen këtej në vendet e huaja, por ta ruajnë gjuhën e përkatësinë shqiptare, prandaj dërgoni fëmijët në shkollat shqipe e t’i mësoni të flasin shqip! Por, uroj që të mos shkojë dëm edhe puna e vepra jonë, si mësimdhënës!

Edhe vetë autori Mustafë Krasniqi, foli e i falënderoj pjesëmarrësit, foli me admirim për heroin Xhavit Hziri etj. Në këtë linjë foli edhe poeti Hasan Qyqalla.

Më pas me emocione e me nderim të thellë përshëndeti të pranishmit edhe Arsim Haziri, vëlla i Heroit Xhavit Haziri, i cili tha:

─ Të dashur bashkatdhetarë ju përshëndes në emër të familjes Haziri, në emër të shoqes e të dy djemve të Xhavit Hazirit! Kjo është një ditë plot mall e kujtime, por edhe gëzime se po shoh kaq shumë njerëz, shokë të Xhavit Hazirit, bashkëveprimtarë të tij e studiues për jetën e veprën e vëllait tonë.

Ai përshëndeti mysafirët nga Zvicra e Italia, njerëzit e afërm e të gjithë të pranishmit që e nderuan jetën e veprën e heroit Xhavit Haziri.

Nxënësit  e shkollës shqipe të mësueses së nderuar  Elizabeta Statovci, të cilët ajo i kishte përgatitur mrekullisht e të cilët mbanin veshur edhe kostumet kombëtare shqiptare, recituan vjersha për heroin Xhavit Haziri, por edhe disa krijime që vetë Heroit që i kishte shkruar.

Në fund po e theksojmë nderimin dhe respektin për Arsim Hazirin, Arbërin e për të afërmit e tyre të cilët na u gjetën pranë e na nderuan, na pritën e na përcollën me dashuri e përkushtim të madh vëllazëror. Nderime pa fud!

Lavdi të përjetshme Heroit Xhavit Haziri!

Ein Bild, das Decke, Person, Im Haus, Wand enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Filed Under: Emigracion

Albania

March 27, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Keltët në Balkan kanë lënë gjurmë. Zakonet, veshjet, toponimet janë disa – tradita e fustanellës është një; toponimet janë një tjetër.Emri Albania vjen nga fjala Alb, që keltët e morë me vete. E përdorën edhe disa kohë. Shqip është e përkthyer.Alb në gjuhën kelte do të thotë ‘i bardhë’; fjala ‘alb’ solli ‘alp’ e ‘arb’, por dha edhe shkëmb, shkëlqim, shqip, shqiponjë.Të huajt e quajnë vendin Albania, ndërsa shqiptarët e quajnë në gjuhën e tyre, Shqipëri, me të njëjtin kuptim.Kjo ndodhi rreth shekullit XVI, kur vendi sapo kishte humbur lirinë. Dhe emri Shqipëri doli në dritë, si kujtesë për këtë humbje.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 185
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT