• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike për dy kulturat

December 10, 2025 by s p

Më 8 dhjetor 2025, në sallën “Nicolae Bălcescu” të Pallatit të Parlamentit në Bukuresht u zhvillua promovimi i veprës “Dicționar român–albanez / Fjalor rumanisht–shqip”, hartuar nga Dr. Renata Melonashi -Topçiu dhe Dr. Luan Topçiu. Ky eveniment mblodhi përfaqësues të administratës qendrore, deputetë, sekretarë shteti, personalitete të botës akademike dhe të kulturës, si edhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Ishin të pranishëm kryetari i Grupit Parlamentar të Pakicave Kombëtare, prof. dr. Varujan Pambuccian, Sekretari i Shtetit Dincer Geafer, deputetët Ștefan Boudă dhe Frizcak Iulius Marian, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ish-ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Viorel Stanilă, ish-diplomati Gheorghe Bucura etc. Ishin, gjithashtu, të pranishëm Atë Ștefan Buchiu me origjinë shqiptare, ish-dekan i Fakultetit të Teologjisë në Bukuresht, i cili është djali i priftit të fundit që ka shërbyer në Kishën Ortodokse Shqiptare në Bukuresht. Morën pjesë profesorët e Universitetit “Ovidius” të Konstancës, të cilët janë edhe redaktorët e fjalorit, prof. dr. Cosmin Căprioară dhe prof. dr. Cristina Dafinoiu.

Deputeti Bogdan-Alin Stoica dhe Kryetari i ALAR-it, Dr. Radu Săvulescu, theksuan se botimi i këtij fjalori përbën një moment historik për komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe jo vetëm. Ai është rezultat i një pune të gjatë e të mundimshme dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin e studimeve krahasuese midis dy gjuhëve dhe kulturave. Ngjarja u përcoll edhe nga Televizioni Publik Rumun, TVR1. Folësit e vlerësuan fjalorin si një arritje të shumëpritur dhe një moment të rëndësishëm në historinë e leksikografisë rumune dhe asaj shqiptare.

Ky fjalor, me rreth 1.800 faqe, përmban 50.000 njësi leksikore dhe mbi 100.000 shprehje, idioma dhe struktura frazeologjike. Botuar nga Editura Asdreni, ai përfaqëson një vepër akademike të tipit thesar dhe plotëson dy korpuset themelore të leksikografisë dygjuhëshe: shqip–rumanisht dhe rumanisht–shqip. Kjo arritje është fryt i një pune shumëvjeçare, që kërkoi përkushtim, rigorozitet shkencor dhe bashkëpunim të ngushtë intelektual. Faqosja e volumit u realizua nga Znj. Clara Aruștei, bija e poetit të njohur rumun me origjinë shqiptare, Cezar Ivănescu, ndërsa digjitalizimi i kësaj vepre u krye nga Gresa Shukle, e cila punoi me përkushtim dhe vetëdije të lartë profesionale.

Kjo vepër është vazhdimësi e një tradite të gjatë kërkimesh gjuhësore. Që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur në Europë lulëzonin shkollat e mëdha të gjuhësisë krahasuese, studiuesit vunë re afritë e thella ndërmjet rumanishtes dhe shqipes. Fjalori i ri i sistematizon dhe i dokumenton këto lidhje, duke ofruar për herë të parë një panoramë të plotë dhe të verifikueshme të marrëdhënieve midis dy gjuhëve. Fjalët-tituj u takojnë historisë dhe etnografisë, fesë dhe mitologjisë, shkencës dhe administratës, politikës, por më së shumti gurës popullore e stilit bisedimor popullor, që pasqyrojnë fizionominë e e dy kulturave, asaj shqiptare dhe rumune.

Përtej ekuivalentëve leksikorë, ai nxjerr në pah afri stilistike, paralele frazeologjike, ngjyrime të përafërta semantike dhe struktura shprehëse që pasqyrojnë botëkuptime dhe manifestime kulturore të ngjashme, sespe autorët kanë synuar jo vetëm paraqitjen sa më të plotë të leksikut të rumanishtes si dhe të spektrit semantik të fjalëve, përfshirë kuptimet e figurshme të tyre dhe kontekstet e përdorimit të tyre, por edhe pasurinë frazeologjike të dy gjuhëve, proverbat e përbashkëta, shpesh, të shoqëruara me informacione plotësuese me karakter historik, stilistik apo shkencor. Nga ana tjetër, fjalori rumanisht-shqip reflekton gjuhën shqipe në zhvillimin dhe diversitetin e saj stilistik, duke përfshirë fjalë të vjetra, arkaike, dialektore, krahinore etj. Kështu, fjalori bëhet jo vetëm një mjet i domosdoshëm për përkthim apo mësimin e dy gjuhëve, por edhe një hapësirë dialogu ndërkulturor dhe një terren i ri kërkimi për filologët në përgjithësi, për specialistëe e balkanologjisë, të gjuhësisë së krahasuar dhe fushave humaniste.

Kjo arritje monumentale i vendos emrat e dy autorëve mes kontributeve më të rëndësishme të leksikografisë rumune dhe shqiptare.

Realizimi i kësaj vepre do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e institucioneve dhe dashamirësve. Autorët dhe botuesit shprehin mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështetën projektin.

Botimi i fjalorit është realizuar me ndihmën financiare të shtetit rumun, nën kujdesin e deputit Bogdan-Alin Stoica dhe Presidentit të ALAR-it, albanologut Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, të cilët ofruan përkrahjen dhe ndihmën e tyre të pakushtëzuar për botimin e tij. Ky botim shënon një moment të rëndësishëm për botën akademike dhe për marrëdhëniet kulturore e gjuhësore ndërmjet dy popujve.

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, dhjetor 2025

Filed Under: Emigracion

REZOLUTË KONGRESIONALE PËR SHQIPTARËT NË LUGINË TË PRESHEVËS

December 3, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Edhe një lajm historik e fantastik nga dëgjimi kongresional në Komitetin për Punë të Jashtme që ende po vazhdon në Capitol Hill!

Sot u shkrua HISTORI për Luginën e Preshevës — në zemër të Kongresit Amerikan. 🇺🇸🇦🇱

Kongresisti Self: “”Sot po e prezantoj edhe një rezolutë për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Ka ardhë koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për diskriminimin etnik ndaj tyre…”

Për mbi dy dekada kam pasur nderin të jem i angazhuar në Washington, DC për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sot, në dëgjimin për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit, respektivisht në Nëkomitetin për Evropë, ndodhi diçka që deri dje dukej e pamundur:

Miku ynë, kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, prezantoi REZOLUTËN e parë në historinë e Kongresit Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës.

Po, e lexuat mirë: HERA E PARË NË HISTORI.

Kjo rezolutë kërkon nga Departamenti i Shtetit të përgatisë dhe të paraqesë një raport zyrtar mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginë nga Beogradi — përfshirë:

• pasivizimin e adresave, të cilin Kongresi e quan hapur “spastrim etnik me mjete administrative”

• mosnjohjen e diplomave

• mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore

• dhe praktika të tjera diskriminuese, të faktuara e të dokumentuara prej vitesh

Kongresi Amerikan, sot, i dha zë të fuqishëm Luginës.

Për mua personalisht — pas gjithë viteve punë, lobim, takime, raporte, shkresa, dhe angazhim të palodhur — kjo është një ditë që s’e harroj kurrë.

Çfarë nderi… Çfarë krenarie… Çfarë shpërblimi për gjithë atë angazhim… dhe çfarë motivimi për të vazhduar edhe më fuqishëm!

Ky është një mesazh i qartë: Lugina e Preshevës NUK është e harruar. Të drejtat e shqiptarëve NUK mund të shkelën pafund. Dhe zëri ynë, kur është i bashkuar, dëgjohet deri në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sot u hap një kapitull i ri. Sot i treguam botës se drejtësia vonon, por kur vjen… vjen me ZË TË MADH.

Mirënjohje e përzemërtë dhe e përjetëshme për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan në Dallas, veçanërisht per z. Gino Mulliqi dhe miqët e bashkëpatriorët tjerë që e bënë të mundur këtë ngjarje historike, dhe takimin tonë me Kryetarin Self në Dallas në Tetor 2025.

Vazhdojmë përpara — më të fortë se kurrë!

Filed Under: Emigracion

Shkolla shqipe Arbëria në Chicago festoi plot gjallëri Festën e Pavarësisë

December 1, 2025 by s p

Mirela Kanini/

Atmosfera e këndshme bëhej edhe më e shkëlqyer nga zërat e fëmijëve që jo vetëm flisnin aq bukur me një shqipe të kulluar, por ata recituan, kënduan shqip dhe vallëzuan me radhë vallet tona tradicionale. E ftuar ishte dhe Kryetarja e Vatra Chicago, Zj. Mirela Kanini e cila përgëzoi stafin drejtues për punën e mirë duke premtuar bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen të degës të cilën ajo drejton. Kjo shkollë u themelua në vitin 2006 e drejtuar nga mësues dhe administratorë të devotshëm e të përkushtuar.

Qëllimi kryesor i kësaj shkolle është të ruajë dhe kultivojë kulturën dhe gjuhën shqipe për fëmijët në Chicago dhe zonat përreth. Përmes mësimdhënies së strukturuar, aktiviteteve kulturore dhe bashkëpunimit të familjeve shqiptare synimi është që fëmijët të rriten me dashuri dhe krenari për rrënjët e tyre. Përveç mësimit të gjuhës shqipe kjo shkollë ofron edhe mësime valleje nëpërmjet grupit të kërcimeve “ Grupi Arbëria”, I cili prej vitesh përfaqëson kulturën dhe traditat tona nëpër aktivitete komunitare.

Semestri i dytë fillon më 1 Shkurt 2026 dhe drejtuesit e shkollës ju bëjnë thirrje të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre online në faqen: shkollashqipearberia.org Studentët e rinj janë të mirëpritur krahëhapur të behen pjesë e kësaj familje të madhe kulturore. Vlen për tu përmendur për punën e palodhur drejtoresha e shkollës Zj. Thea Kotomelo. Asistentja administrative Zj. Blerina Musaraj, mësueset Zj. Albana Romacka, Zj. Teuta Verria, Zj. Theodora Gjergji.

Filed Under: Emigracion

Flamuri shqiptar valëvitet krah atij amerikan në Ditën e Pavarësisë para Bashkisë së Bostonit

November 30, 2025 by s p

Mashqip.com/

Në qytetin e Bostonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zhvillua sot ceremonia zyrtare e ngritjes së Flamurit Kombëtar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Aktiviteti u organizua nga Federata Pan-Shqiptare VATRA, dega Boston dhe MAASBESA, të cilat mblodhën dhjetëra shqiptarë, përfaqësues lokalë dhe miq të komunitetit për të nderuar këtë ditë historike.

Flamuri kuqezi u ngrit para godinës së Bashkisë së Bostonit, përkrah flamurit amerikan, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionale për komunitetin shqiptar në qytet.

Pas intonimit të himnit kombëtar shqiptar dhe atij amerikan, u lexua proklamata e Kryetares së Bashkisë së Bostonit, e cila uronte shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe vlerësonte kontributin e komunitetit në qytet.

Më pas, deklarata zyrtare e Guvernatores së Massachusetts, që njeh 28 Nëntorin si “Ditën e Shqiptarëve në Massachusetts”, u lexua nga z. Faton Limani, anëtar i Këshillit Bashkiak të Arlington.

Në emër të MAASBESA-s foli zv/kryetarja Jorida Qirollari, e cila theksoi se kjo organizatë, prej 20 vitesh, së bashku me komunitetin shqiptar, ka mbajtur traditën e ngritjes së flamurit në Boston, duke organizuar aktivitete shkollore, kulturore dhe festive.

Në vijim, z. Mentor Maksutaj, kryetar i Federatës Pan-Shqiptare VATRA dega Boston, mbajti një fjalë të ngrohtë ku me emocion kujtoi burrështetasit shqiptarë që sakrifikuan për lirinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai theksoi rolin historik të Vatrës në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe u bëri thirrje shqiptarëve të mos harrojnë rrënjët dhe të jenë pjesë aktive e organizatave shqiptare në SHBA.

Ceremonia u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe “BESA” nga MAASBESA dhe “ABC” nga “Albanian Boston Comunity Center, ndërsa atmosfera festive u ndez nga vallet e shkollës “Bashkimi Dance” dhe nga këngë të kënduara nga shoqata “Labëria” Boston dhe DJ Ledio që mbylli aktivitetin.

Gjithashtu, si çdo vit tashmë që është kthyer në traditë, nëpër qytetin e Bostonit u zhvillua edhe parada me makina, e organizuar nga Neritan Xherimeja dhe grupi i të rinjve “Çunat e Bostonit”, të cilët, duke valvitur flamurin shqiptar, u mblodhën në sheshin e Bostonit.

E gjithë ngjarja u moderua me profesionalizëm nga studentja e Harvardit, Jonada Shukarasi.

Filed Under: Emigracion

GËZUAR 28 NËNTORI, 2025 – DITA E PAVARËSISË SË SHQIPTARËVE!

November 28, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”  Naim Frashëri,

A group of people standing in front of a flag

AI-generated content may be incorrect.GËZUAR 28 Nëntorin 2025, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit të Kombit dhe të Heroit Kombëtar Gjergj-Katriotitit -Skenderbe!

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”, ka thënë Naim Frashëri, dhe gjithnjë gjallë do të jetë! 113 vjet Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi e vonuar, pas disa shekujsh nën Perandorinë e egër osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të brendshme. Megjithkëtë, gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar i qëndroi besnik identitetit dhe trashëgimisë së vet kombëtare, duke kundërshtuar dhe duke luftuar armiqtë dhe pushtuesit që donin t’ a zhduknin nga faqja e dheut. Ëndrra shekullore për liri që digjte në zemrat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë, i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Si e tillë, Festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerëzit mund të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar, 55-vjet pas shembjes së komunizmit. Por, me gjithë këtë nuk duhet harruar se Kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund, shqiptarët ia kanë arrijtur qëllimit. Ndoshta për herë të parë në histori, fati i shqiptarëve sot, është dorë të tyre! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase aktuale politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone shqiptare në Ballkan, që më në fund, të lënë mënjanë, të heqin dorë, njëherë e mirë, nga dallimet, grindjet politike, korrupsioni dhe inatet, nga interesat antikombëtare vetjake dhe partiake, ndoshta edhe të huaja,  dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta kombëtare, me qëllim që, më në fund të ndërtohet një bashkësi vëllazërimi dhe ideali kombëtar, në interesin e vërtetë të gjithë shqitarëve, pa dallim, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e tjerë, në vitin 1912 –113-vjet më parë. 

Është përgjegjsi morale e këtij brezi që të bëjë ç’ mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkëjetese, bazuar në besë e bashkim me njëri tjetrin, për një komb të përbashkët, ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, Kombi shqiptar nuk ka qenë në gjendje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’ është sot, që përfundimisht, të harmonizojë dhe të bashkërendojë mundësitë, interesat dhe aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, duke iu përshtatur vlerave perëndimore dhe në bashkëpunim me organizmat euro-atlantike, pjesë e të cilave ka qenë gjithëherë Kombi shqiptar. 

Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së Kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duart tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve, me një bashkëpunim më të ngusht politik dhe atdhetar — mbi interesat personale e partiake — do të nderonit Atdheun dhe të kujtonit lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e Kombit shqiptar më 28 Nëntor 1912. Me një bashkpunim të tillë politik, njëkohësisht, do të ringjallnit ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë Kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në zë në historinë e fiseve dhe të kombeve”.  

 Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zërë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të përparuara, para se të zhytet edhe në një errësirrë tjetër të historisë ssë tij. Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetëdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të Kombit, të cilët nën rrethana shumë më të vështira se sot, gjetën mënyra bashkëpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur Kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që kujton dhe gëzon sot Kombi shqiptar në dy shtete –Shqipëri e Kosovë. 

Njëkohësisht, klasa politike aktuale shqiptare i ka borxh brezave të ardhshëm që, me papërgjësitë e tyre politike dhe keq-qevrisjes, të mos shkelen dhe mos të nëpërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindësve që i dhuruan Kombit pavarësinë!

Prandaj, sot le të kujtojmë ata burra të Kombit, në këtë ditë, për sakrificat e tyre, krenarinë kombëtare dhe dashurinë e tyre, të pa kushte, për Atdheun dhe ndaj njëri tjetrit.  Uroj që Flamuri Kombëtar i Gjergj Kastriotit- të valojë sot dhe gjithmonë me krenari, në trojet e lashta historike, iliro-arbërore dhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë.

Të pakën kjo është dëshira ime e sinqertë nga Amerika e largët dhe besoj e shumicës së shqiptarëve kudo në botë.  Për shumë vite gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të mbarë Kombit.  

Frank Shkreli

      Të gjithë shqiptarëve kudo që janë: Gëzuar këtë Ditë të Shënjtë të Kombit

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 185
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT