• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trashëgimia e udhëheqësisë dhe vlerat identitare kombëtare

April 27, 2026 by s p

“Kam ngritur një monument më të qëndrueshëm se bronzi,” -shkruante Horaci. Dhe kishte të drejtë. Sot pas më tepër se 2000 mijë vitesh ne e citojmë sërish “monumentin” e tij. E njëjta maksimë vlen edhe për udhëheqësinë. Nëse trashëgimia e udheheqësisë nuk mbrujtet me tharmin e vlerave identitare kombëtare, koha e fshin njësoj siç valët e detit shuajnë shkrimet mbi rërë.

Para pak ditësh, në Verona, u gjenda përballë monumentit të Kamillo Benso, Kontit të Kavurit (1810-1861). Kjo vepër qëndron dinjitetshëm pranë Kastelvekios, në brigjet e lumit Adixhe, si simbol i shtetit modern italian.

Nuk është rastësi. Në thuajse çdo qytet të Italisë gjen një shesh, rrugë apo monument që mban emrin e tij.

Kombet serioze nuk ndërtojnë vetëm institucione. Ato ndërtojnë edhe kujtesë kolektive për ata që i krijuan ato.

Pas shpalljes së Mbretërisë së Bashkuar të Italisë, Konti Kavur mori detyrën si Kryeministri i parë i Italisë. Por, ai vdiq pas vetëm tre muajsh në detyrë dhe nuk jetoi për të parë bashkimin e plotë të vendit pas pushtimit të Romës në vitin 1870.

Ndërkohë, në Shqipëri, figura e Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të shtetit modern shqiptar, nuk përfaqësohet me të njëjtin dinjitet në hapësirën publike.

Kjo nuk është thjesht çështje monumentesh. Është çështje standardi, kulture dhe etike. Mënyra si i nderojmë themeluesit tanë tregon shumë për mënyrën se si e kuptojmë shtetin sot.

Një komb që nuk ndërton simbole të forta për figurat e tij themeluese, është i dënuar që të mbetet i dobët edhe në vetëdijen e tij shtetformuese. Problemi ynë nuk është mungesa e historisë. Por mënyra se si zgjedhim që ta rrëfejmë dhe përfaqësojmë atë.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Emigracion

Sot vendosa një kurorë lulesh…

April 25, 2026 by s p

Merita Mccormack/

Duke nderuar Viktimat Shqiptare të Komunizmit iu përula kujtimit të tyre duke iu lutur Zotit për lirinë e të gjithë atyre që vuajnë nga shtypja, represioni dhe pushtimi i së keqes….

Faleminderit Victims of Communism Memorial Foundation!

23 Prill 2026

Mëngjesi i sotëm më gjeti duke udhëtuar për në zemër të qytetit Uashington DC. Mezi gjeta një vend për të parkuar makinën dhe mbërrita tek lapidari ngritur posaçërisht për viktimat e Komunizmit dy dekada më parë .

Takova miqtë që njihja dhe pasi vendosa kurorën që e kisha thurur vetë, për martirët shqiptarë tek vendi i caktuar, mendova të bëja një vizitë tek pjesa tjetër e lulishtes ku vendosen të gjith kurorat , me radhë, në pritje për tu sjellë një nga një para monumentit të quajtur “ Pishtari i Lirisë”

I bëra një video gjithë kurorave të sjella nga ambasadat e vendeve që e kanë pësuar nga komunizmi. Mes tyre vura re ambasadat nga Kroacia, Bullgaria, Rumania , vendet balltike , bile edhe Ambasada e BE-së e një grup grek.

Pastaj me radhë grupet sipas organizatave .

Prej shqiptarisë ishim vetëm dy persona të pranishëm, artisti strugan Haxhi Dauti, dhe unë.

Secili nga ne kish sjellë nga një kurorë në emër të organizatave që përfaqësojmë, për të nderuar gjithë shqiptarët e vuajtur nga thundra e grushti i hekurt komunist.

Folësit Amerikanë, ambasadorë, kongresmenë, klerikë e akademikë , njëri pas tjetrit sollën ndërmend , nderuan kujtimin e 100 milionë njerëzve të zhdukur nga komunizmi në gjithë botën dhe bënë thirrje për të qenë vigjilentë e për të mos e lejuar komunizmin si ideologji të zerë rrënjë në SHBA; ata i mëshuan domosdoshmërisë për të edukuar brezin e ri me të vërtetën e Zotit dhe me historitë e kombeve të robëruara ( si historia jonë)

Nga ne shqiptarët Haxhi Dauti, Familja Dakoli, Çezar Ndreu dhe komuniteti që unë përfaqësoja ishin ndër sponsorizuesit e këtij aktiviteti dhe ata u falendruam nga organizatorët.

I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë shqiptarëve tanë që humbën jetën për mbrojtjen e të drejtës e për rezistencën ndaj së keqes.

Lavdi Martirëve Shqiptarë që mbrojtën të drejtën e të vërtetën e Zotit nga e keqja djallëzore.

Filed Under: Emigracion

Radio «Jehona e Shqipes» në 40-vjetorin e saj

April 25, 2026 by s p

Dyzet vjet. Katër dekada që, çdo të diel në orën 15:00, një zë i njohur ngrihet në valët belge për të thënë, në shqip, se ne ekzistojmë, se mbetemi të lidhur me rrënjët tona dhe se qëndrojmë në këmbë pavarësisht të gjitha përpjekjeve, të Shtetit shqiptar, për të mohuar ekzistencën tonë. Katër dekada që « Jehona e Shqipes », kjo radio e lindur nga ideja fillestare e “Këshillit të Përbashkët të Nacionalistëve Shqiptarë në Belgjikë” (që përfshinte kryesisht Legalistët, Bllokistët dhe të pavarurit e mbledhur rreth Muharrem Bajraktarit) dhe e materializuar më vonë nga një grusht idealistësh në një studio modeste të Radio Panik në Bruksel, është bërë shumë më tepër se një program i thjeshtë: ajo është një institucion i diasporës shqiptare në Bruksel.

Në shkurt të vitit 1986, kur Sakip Skepi, i shoqëruar nga miq antikomunistë, lançoi emisionin e parë, ne ishim ende në zemër të natës komuniste. Për ne, shqiptarët e emigracionit politik – ata që, si familja e vetë Sakip Skepit, kishin ikur nga diktatura e Enver Hoxhës – ky emision ishte menjëherë një tronditje emocionesh dhe shprese. Më në fund, një radio në gjuhën amtare na fliste nga një tokë e lirë! Ajo ishte filli i padukshëm që lidhte Brukselin me Shqipërinë, me familjet tona që kishin mbetur pas perdes së hekurt. Ishte dëshmia se zëri i antikomunistëve shqiptarë në Bruksel nuk ishte shuar. Na rikthente, çdo të diel, një frymëmarrje dhe ëndrrën e çmendur të një kthimi të mundshëm.

Pastaj erdhën ndryshimet e viteve 1990–1991. Muri i Berlinit ra, diktatura më në fund u rrëzua, Shqipëria u hap. Për emigrantët politikë të viteve 1950 dhe 1960, që kishin ikur fëmijë apo adoleshentë, si dhe për pasardhësit e tyre të lindur në Belgjikë, kthimi në vendin e prindërve dhe gjyshërve ishte një përvojë tronditëse. Të gjithë u kthyem për të vizituar, për të përqafuar të afërmit dhe për të zbuluar (ose rizbuluar) një Shqipëri që koha e kishte transformuar thellësisht. Dhe pikërisht aty kuptuam, me një farë hidhërimi, se koha kishte bërë punën e saj. Ne kishim evoluar në një shoqëri perëndimore, demokratike dhe të hapur, ndërsa ata kishin jetuar në izolim, frikë dhe sidomos në një regjim indoktrinimi total. Një kthim përfundimtar në Shqipëri nuk ishte më i mundur për shumicën prej nesh. Ne ishim bërë të ndryshëm.

Duke kontribuar në ruajtjen e identitetit shqiptar të emigracionit politik të viteve 1950 dhe 1960, « Jehona e Shqipes » ka zbuluar gjithashtu një realitet të dhimbshëm për pasardhësit tanë të lindur në Belgjikë: deri më sot, autoritetet shqiptare nuk e njohin të drejtën e këtyre pasardhësve për të rifituar shtetësinë shqiptare, të cilën madje as diktatura e Enver Hoxhës nuk ua kishte hequr prindërve të tyre dhe të cilën ata vetë nuk e kishin mohuar kurrë. Kjo radio ka nxjerrë kështu në pah një plagë ende të hapur, duke vazhduar njëkohësisht të ruajë lidhjen shpirtërore dhe kulturore që na lejon të mbetemi shqiptarë pa mohuar jetën që kemi ndërtuar këtu.

Por radioja nuk ka shërbyer vetëm në një farë mënyre për ruajtjen e identitetit tonë. Ajo ka ofruar mbi të gjitha një platformë të çmuar ku shqiptarët e Belgjikës, pavarësisht bindjeve të tyre, kanë mundur të shprehen lirshëm, të informohen dhe të debatojnë. Kur shpërtheu lufta e Kosovës në vitet 1998–1999, « Jehona e Shqipes » u bë tribuna bashkuese e të gjithë diasporës shqiptare në Belgjikë dhe më gjerë. Çdo të diel, ajo mblidhte familjet tona rreth radios, përcillte informacionet, përforconte zërat tanë dhe mobilizonte solidaritetin. Ajo i lejoi një komuniteti ndonjëherë të përçarë të bashkohej rreth një kauze të përbashkët dhe të ishte i vëmendshëm ndaj fatit të bashkëkombësve tanë në Kosovë.

Dyzet vjet më vonë, jetëgjatësia e « Jehona e Shqipes » imponon respekt. Ajo ka kaluar të gjitha sfidat që kanë njohur mediat tradicionale: ardhjen e kanaleve satelitore shqiptare, shpërthimin e internetit, revolucionin e rrjeteve sociale. Shumë gazeta dhe radio janë zhdukur. Jo ajo. Sepse ajo nuk ka qenë kurrë vetëm një ndërmarrje mediatike. Ka qenë gjithmonë një mision, i udhëhequr nga vendosmëria e Sakip Skepit dhe nga përkushtimi i sinqertë i të gjithë atyre që kanë kontribuar në të. Ajo ka ditur të mbetet e pavarur, jopartiake, thellësisht kombëtare dhe njerëzore.

Sot, «Jehona e Shqipes» vazhdon të jetë, për komunitetin shqiptar në Belgjikë, ai takim i domosdoshëm i së dielës: një moment kur dëgjohet gjuha jonë, kur qeshim së bashku, kur debatojmë, kur kujtojmë dhe kur shohim drejt së ardhmes. Ajo është dëshmia e gjallë se një radio e vogël e lindur nga ëndrra e të rinjve të mërguar politikë mund të bëhet një institucion i qëndrueshëm, i respektuar jo vetëm nga publiku, por edhe nga autoritetet belge dhe nga institucionet shqiptare dhe kosovare. Në emër të të gjithë atyre që, si unë, janë rritur me këtë «Jehonë» në vesh dhe në zemër, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për këto dyzet vite besnikërie ndaj gjuhës sonë, kulturës sonë dhe dinjitetit tonë. Le të vazhdojë kjo zë të jehojë edhe për shumë kohë, i qartë dhe i fortë, në valët e Brukselit dhe përtej.

Ramadan Gjanaj

Politolog

Bruksel, prill 2026

Filed Under: Emigracion

AG APOLLONI NË HARVARD – TAKIM LETRAR PËR ROMANIN “KËSULËKUQJA, PËRRALLË PËR TË RRITUR”

April 24, 2026 by s p

Më 23 prill 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shkrimtari Ag Apolloni ishte i ftuar në një takim të posaçëm në Universitetin Harvard.

Në Harvard Art Museums (Menschel Hall), u zhvillua aktiviteti “Meet with the writer”, kushtuar romanit të tij “Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups” (“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”).

Takimi mblodhi studiues, profesorë dhe studentë, duke shënuar një moment domethënës për prezantimin e letërsisë shqipe në një nga qendrat më prestigjioze akademike në botë.

Një moment i veçantë i këtij takimi ishte prania e studiueses së njohur të përrallave, Prof. Maria Tatar, e cila kishte lexuar romanin dhe ndau vlerësime për të. Interesant është fakti se Apolloni i është referuar studimeve të saj gjatë procesit krijues të veprës, duke e bërë këtë takim edhe një përmbushje të një dialogu të nisur më herët në planin intelektual. Vetë romani, që rikthen dhe riinterpreton motivin e “Kësulëkuqes” në një kontekst bashkëkohor dhe kulturor të ri, ngjalli interes të veçantë në diskutim.

Takimi u hap me një prezantim nga Prof. Ekaterina Pirozhenko (Department of Germanic Languages and Literatures), e cila foli për autorin dhe për tre romanet e tij të përkthyer në anglisht.

Në vijim, diskutimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me Prof. Maria Tatar dhe autorit, ndërsa në fund të pranishmit kontribuan me pyetje dhe komente, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë të gjallë dialogu letrar.

Pjesëmarrja e Ag Apollonit në këtë aktivitet, si dhe interesimi i studiuesve ndërkombëtarë për veprën e tij, dëshmojnë për një prani gjithnjë e më të konsoliduar të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Forum 26 – Ag Apolloni- Përmes Fjalëve

Filed Under: Emigracion

1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”

April 22, 2026 by s p


Stafi i spitalit Mbreti Zog I në 1935 ; ulur : Prof. Wilhelm Schlesinger (majtas), Dr. Sabri Tefiku (në mes) dhe Prof. Walter Lehmann (djathtas) ; në këmbë : Stafi i spitalit duke përfshirë 2 gra — Dr. Quastler, pediatre (djathtas) dhe Dr. Schlesinger, biologe (majtas).


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Prill 2026

“The Carmel Pine Cone” ka botuar, të enjten e 9 janarit 1958, në faqen n°3 dhe 6, një shkrim për Dr. Walter Lehmann, ish-mjekun e Mbretit Zog, rreth sugjerimit të tij asokohe për fitoren e luftës kundër kancerit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dr. Walter Lehmann

Nga Rosalind Sharpe

Foto nga John Livingstone

Burimi : The Carmel Pine Cone, e enjte, 9 janar 1958, faqe n°3 dhe 6
Burimi : The Carmel Pine Cone, e enjte, 9 janar 1958, faqe n°3 dhe 6

Me qetësinë, thjeshtësinë dhe gjallërinë intelektuale që e karakterizon, Dr. Walter Lehmann është një nga burrat më intriguesë të qytetit. Një kirurg i shquar në Gjermani, të cilën e la në vitin 1935 për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit të Hitlerit, ai më vonë u bë kirurg kryesor në dy nga spitalet më të mëdha të Shqipërisë dhe, në vitin 1937, mjek privat i Mbretit Zog dhe i familjes mbretërore.

Në vitin 1939, vetëm dy ditë para pushtimit italian, Dr. Lehmann, zonja e tij dhe dy djemtë e tyre, Klaus dhe Hans, u larguan nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara, duke marrë anijen e fundit që largohej. Ditën pasardhëse, nuk mund të largohej më askush nga vendi.

Familja Lehmann ndjeu se vendimi ishte udhëhequr nga intuita ; nuk kishte asnjë shenjë të dukshme që paralajmëronte pushtimin. Ata u tronditën kur mbërritën në Romë disa ditë më vonë dhe dëgjuan se Shqipëria ishte pushtuar.

Edhe pse Dr. Lehmann kishte menduar të vinte në Amerikë, ai nuk kishte planifikuar të vinte në 1939. Megjithatë, një forcë e pazakontë e shtyu të largohej në kohën e duhur dhe ta këmbejë paranë shqiptare me dollarë amerikanë vetëm një ditë para se të ishte tepër vonë. Ai e përshkruan veten si njeri jo-intuitiv, pa përvoja të çuditshme apo mistike, dhe pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në kirurgjinë më kërkuese dhe precize që njeh njeriu modern.

Në Amerikë, Dr. Lehmann nuk mundi të ushtronte menjëherë mjekësinë. Megjithëse kaloi provimet mjekësore të Nju Jorkut dhe mori licencën, nuk iu dha mundësia të përdorte spitalet aty. Ai u vendos në Carmel, një zgjedhje që nuk e ka penduar kurrë. Siç thotë zonja Lehmann, “Tërheqja i dha Dr. Lehmann mundësinë të studiojë dhe të mendojë për gjëra për të cilat më parë nuk kishte kohë”.

Interesi kryesor i tij ka qenë kërkimi mbi kancerin. Ai beson se shumica e mjekëve janë tepër ortodoksë dhe ngurrojnë të provojnë metoda të reja. Metoda Hoxsey, edhe pse e kundërshtuar nga Shoqata Mjekësore Amerikane, ka dhënë rezultate në raste ku kirurgjia tradicionale ka dështuar. Sipas Dr. Lehmann, kjo metodë përfshin përdorimin e pilulave bimore dhe një dietë të veçantë. Ai nuk pretendon se është “zgjidhja e vetme”, por thekson se në disa raste funksionon dhe është vlerësuar nga dhjetë mjekë në Klinikën Hoxsey në prill të vitit 1954.

Dr. Lehmann e sheh kancerin si një sëmundje të organizmit në tërësi, jo vetëm si një rritje lokale, dhe kjo sipas tij shpjegon pse metodat tradicionale, rrezet X dhe kirurgjia, shpesh dështojnë. Ai shton se shumica e pacientëve që kërkojnë Dr. Hoxsey janë në faza të avancuara, prandaj ka shumë dështime, por në disa raste duket se ka kurime të vërteta. Ai beson se Shoqata Mjekësore Amerikane gabon duke dënuar një metodë që nuk e ka hetuar plotësisht.

“Personat që mbështesin metoda joortodokse janë të persekutuar nga mjekësia tradicionale,” thotë Dr. Lehmann. “Mendoj se në dhjetë apo njëzet vjet nuk do të ketë më operacione për kancer ; ose më saktë, do të ketë më pak kirurgji.”

Dr. Lehmann thekson rëndësinë e dietës dhe thotë se në shumë raste artriti dhe kanceri janë përmirësuar me ndryshime ushqimore. “Le të ndryshojmë plotësisht dietën e njerëzve,” thotë ai. “Trupi është i mbushur me toksina, le t’i largojmë.”

Ai ka botuar jo më pak se 61 monografi dhe artikuj mbi tema shumë teknike si trajtimi i tetanosit te kafshët, operacionet e nervave periferikë dhe funksionimi i fibrave nervore të shtyllës kurrizore.

Dr. Lehmann është marrë gjithashtu me zhvillime të reja në fushën e para-psikologjisë, e njohur ndryshe si kërkim fizik. Ai është i impresionuar nga studimi që Dr. Rhine në Universitetin Duke ka bërë mbi fenomene të tilla si telepatia mendore, shikimi i mprehtë dhe aftësia e mendjes njerëzore për të kontrolluar objektet e jashtme, siç ilustrohet në eksperimentin me zare. Dr. Lehmann ka zhvilluar një korrespondencë të gjerë me Dr. Rhine në vitet e fundit.

Zonja Lehmann gjithashtu kishte studiuar për mjekësi, por la profesionin për t’u martuar me Dr. Lehmann. Familja ka dy djem, Klaus dhe Hans. Klaus punon në Hollywood në një studio televizive, ndërsa Hans në San Francisko për Emporium-in, i interesuar për menaxhimin e biznesit.

Familja Lehmann thotë se nuk do ta shkëmbejë Carmel-in me asnjë vend tjetër në botë. Ata kanë jetuar në Kanë, në Rivierën Franceze, dhe kohët e fundit vizituan përsëri Evropën, duke takuar edhe Mbretin Zog, që jeton në ekzil në Kanë që nga pushtimi rus (në fakt, italian) i Shqipërisë.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 197
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit
  • Kërkohet një Kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së
  • Mira Murati, krenari për femrat shqiptare
  • Nga Cancuni në Zvernec e Sazan
  • Senator Bob Dole, një përkujtim e mirënjohje në ditëlindjen e tij
  • PASLUFTAT E MIA
  • Shqiptarët mahnitës në pikturat e ushtarak austriakut, Rudolf Otto von Ottenfeld
  • Shoqata Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia ju fton në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar
  • Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi XI-Albani
  • Politika në trojet shqiptare
  • Institucionet shtetërore të Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT