
Qysh nga nisja e Revolucionit Flamingo diçka ka ndryshuar në Shqipëri. Njerëzit kanë filluar të flasin më hapur dhe të kritikojnë më fort. Nuk është i rëndësishëm vetëm fakti që njerëzit po protestojnë. Është edhe fakti se po ndryshon pragu i asaj që shqiptarët konsiderojnë të pranueshme nga shteti.
Ajo që po ndodh është më shumë se një protestë kundër një qeverie. Është një shenjë e krizës së marrëdhënies midis qytetarit dhe shtetit.
Pas trembëdhjetë vitesh, kjo qeverisje po përballet me një bilanc që nuk mund të mbulohet më vetëm me narrativën e pushtetit. Korrupsion. Përqendrim i pushtetit. Dobësim i mekanizmave të kontrollit. Betonizim i territorit.
Një model qeverisjeje që favorizon pak njerëz në kurriz të interesit publik. Të gjitha këto kanë krijuar një pakënaqësi që shkon përtej politikës së ditës. Për shumë shqiptarë, shteti nuk shihet si garant i së drejtës dhe mirëqenies. Ai ngjason me një mekanizëm që vendos, ndërton dhe kontrollon pa dhënë llogari.
Pushteti mund t’i fitojë zgjedhjet. Por nuk mund ta fitojë përgjithmonë besimin e qytetarëve. Mandati politik nuk është një licencë për të qeverisur pa llogaridhënie.
Demokracia nuk fillon dhe nuk mbaron ditën e votimit. Ajo vazhdon ditën kur qytetari kërkon llogari. Institucionet nuk janë pronë e pushtetit, por kufiri i tij. Prandaj protesta shkon përtej përplasjes së zakonshme mes qeverisë dhe opozitës.
Sot një pjesë e shoqërisë nuk pranon më të zgjedhë vetëm mes dy binjakëve siamezë të politikës. Kjo nuk duhet parë si apati. Është shenja e një kërkese tjetër. Jo thjesht për të ndryshuar emrin e atij që qeveris, por për të ndryshuar vetë mënyrën se si qeveriset.
Kjo është sfida e kohës sonë. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeveri tjetër. Ka nevojë për një shtet tjetër.
Një shtet ku ligji është mbi pushtetin. Ku institucionet janë më të forta se individët. Ku pushteti kontrollohet edhe kur është i fortë. Ku zhvillimi nuk matet me numrin e kateve, por me cilësinë e jetës. Ku i riu shqiptar nuk e sheh të ardhmen vetëm jashtë vendit.
Në këtë model qeverisjeje, edhe suksesi është bërë pjesë e narrativës së pushtetit. Në mënyrë selektive, renditjet ndërkombëtare shpallen si prova të një Shqipërie që ecën përpara, ndërsa treguesit që japin një pamje tjetër rrallë marrin të njëjtën vëmendje. Por një shtet demokratik nuk matet vetëm me vendet që zë në tabela.
Një renditje në sigurinë kibernetike nuk mund të përdoret si matës i demokracisë, transparencës apo cilësisë së jetës. Një qeveri nuk mund të zgjedhë vetëm treguesit ku duket mirë dhe t’i paraqesë ata si provë të suksesit të përgjithshëm të shtetit.
Problemi nuk është vetëm vendimi, por mënyra si merret vendimi. Reforma territoriale është një shembull i kësaj mënyre qeverisjeje: vendoset nga lart dhe konsultohet nga poshtë pasi vendimi është marrë.
Aspirata për një Shqipëri të Re kërkon më shumë se një protestë. Kërkon qytetari të organizuar, institucione të pavarura dhe një kulturë të re politike. Vetëm institucionet e forta demokratike mund të ndryshojnë një shtet.
Ndarja më e rëndësishme politike e kohës sonë nuk është vetëm mes së majtës dhe së djathtës. As mes një partie dhe një partie tjetër. Është një ndarje mbi mënyrën se si konceptohet pushteti dhe shërbimi publik. Është ndarja mes atyre që e shohin pushtetin si shërbim ndaj qytetarit dhe atyre që e shohin shtetin si instrument në shërbim të vetes dhe tarafit të tyre.
Kjo është gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur në këto protesta. Shqiptarët nuk kanë gjetur vetëm një arsye për të protestuar. Kanë gjetur zërin e tyre.
Problemi nuk është vetëm se kush ka pushtetin. Problemi është se çfarë kufizimesh ka pushteti kur e merr atë.
Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë vetëm ndërrimin e qeverisë. Duhet të kërkojnë që qeveria e radhës të mos ketë mundësinë të qeverisë si qeveria aktuale.
Në një republikë demokratike, shteti nuk është pronë e qeverisë. Qeveria është një mandat i përkohshëm për t’i shërbyer qytetarit dhe Republikës. Prandaj, beteja e sotme nuk është vetëm për pushtetin e radhës. Është për të ardhmen e Republikës.
Dr. Evarist Beqiri