• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARJA E SHENJTE, SOT 7 VITE

September 5, 2023 by s p

Albert Vataj/

Nënë Tereza, “Gruaja që kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt!”

Më 4 shtator 2016 Nënë Tereza u shpall shenjtore. 7 vjet pas kësaj ngjarjeje, bota vijon të pyesë: “E kush është kjo grua?”…. Kësaj pyetje po përpiqemi t’i japin përgjigje në tre vjetorin e shenjtërimit të Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të famshme të gjakut shqiptar që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt.

“E kush ishte kjo grua?”….”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?” – pati pyetur e vijon të pyesë bota. Kush ishte kjo grua, që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.

Po ishte ende gjallë.

Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari bardh e blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja. Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje, aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.

Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.

Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.

“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.

“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.

“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.

Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.

Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.

Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!

Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik.

Mos ta lëmë të shkojë kot!

May be a black-and-white image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

1010

Filed Under: ESSE

DEGRADIMI ETIK I POLITIKËS NË KOSOVË

September 4, 2023 by s p

Shkruan: Prend Ndoja, SHBA/

Lufta na bashkoi dhe së bashku me miqtë tanë e fituam lirinë, ndërsa me karakterin tonë e humbëm paqen…! E çliruam Kosovën nga robëria dhe i dhamë krahë ta lirojmë Shqipërinë nga mjegullirat e mbetura të komunizmit. Përmes aleancës së krijuar me miqtë tanë për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 90-ta, i dhamë mundësi Shqipërisë të krijojë aleanca më vendet vendimmarrëse, në të mirë të kombit tonë. Nga brenda dhe jashtë atdheut, me flijime sakrifica dhe përkushtim janë arritjet që ne sot i shijojme, ndonëse nganjëherë nga dëshira për t`i realizuar të gjitha qëllimet tona që na takojnë, ato të arritura na duken fare të vogla, por në realitet, pa marrë parasysh ngecjet, janë arritjet më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Me çlirimin e Kosovës, edhe Shqipërisë iu hapën horizonte të reja të zhvillimit ekonomik e politik dhe në të gjitha aspektet tjera, e në veçanti, në fushën e turizmit dhe infrastrukturës. Thonë: Miku i mirë në ditë të vështirë, ndërsa vëllai i mirë është gjysma tjetër e njeriut, është pjesa tjetër e jetës së njeriut, ku hidhërimet dhe gëzimet i kanë të përbashkëta. Fati i kombit tonë është i përbashkët, si një trup që nuk mund të ndihet i qetë, nëse një gjymtyrë vuan nga ndonjë sëmundje, pra nuk kemi shpëtim dhe as qetësi kombëtare pa unitet kombëtar. Me unitetin kombëtar dhe njohjen dhe respektin e vetvetes, dyert e Europës do t´ia hapim vetes sonë, së pari në shtëpinë tonë, aty ku është ardhmëria.

Kosova është dashur dhe duhet ta deklarojë veten e saj në mënyrë më të denjë, në veçanti politikisht, me programet e saj politike të koordinuara thellë me Shqipërinë, si dy shtete me një

trup të vetëm. Shqipëria sot, me gjithë ngecjet e saj, është shtet me prespektiva dhe arritjet më të shpejta ndër shtetet ballkanike; ka një vizion dhe strategji parimore; ka një shtrirje prespektivash që prin shumë para Kosovës dhe shumë vendeve tjera europiane, andaj Kosova duhet patjetër ta konsiderojë dhe respektojë bashkëpunimin njëzëri me Shqipërinë. Mendimet stoike të ideologjive që e mbyllin vendin në kornizë, sjellin vetëm fatkeqësi, e, shkas i këtyre mendimeve dhe atyre të pakontrolluara, siç dihet, edhe në të kaluarën, populli brenda dhe jashtë kufirit është i shqetësuar me ngërqin apo situatën kaotike të krijuar brenda vetes sonë, e në veçanti në pjesën veriore të vendit, në Mitrovicë. Gjitmonë Kosova duhet ta mbajë në qendër të vëmendjes faktin se jemi në varësinë Europës dhe Amerikës dhe se këto dy vende nuk e pëlqejnë lulëzimin e një shteti europian, nëse frymon jashtë Europës dhe Amerikës. Koha kërkon lidhshmëri më botën e përparuar, unitetin kombtar që t´i bëjmë ballë presionit dhe qëllimkëqinjve që, ashtu si gjithmonë, pretendojnë ta shqyejnë ndonjë copë nga trupi ynë. S’është koha, as nuk ka qenë kurrë për sharje e fyrje në mes njëri- tjetrit, mes partive apo ideologjive. Zërat që luftojnë kundër njëri-tjetrit, përpos që tingëllojnë të neveritshëm, përmbajnë edhe efekte negative, duke e sulmuar njëri-tjetrin, informacionet dhe synimet tona ia dhurojmë falas Serbisë e cila i merr ato të gatshme. Zërat që kërkojnë unifikimin kombëtar janë në të mirë të kombit. Në sferën politike nuk duhet të ketë rast që “nxënësi” i dobët prapë ta përsërisë klasën, por ai duhet të largohet nga skena politike, andaj reformimet e shpeshta janë nevojë e prespektivave, mos të rrënjosen të njëjtat figura që kurrë nuk guxon t´i mposhtë tehu i mprehtë i intelegjencies kohore të brezave të rinj. Ndërkaq, diaspora që para lufte e shkriu çdo gjë për atdheun, me ngritjet  profesionale të fituar në vendet e përparuara, duhet të inkuadrohet thellë në politikën vendore, sepse ata kanë vizion për hapjen e dritareve të reja dhe prespektivave moderne  për vendin. Pas luftës nga mungesa e përgjegjësisë shtetërore, ata edhe sot e mbajnë gjallë pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit tonë. Ata nuk duhet të shikohen vetëm si furnizuese ekonomik, por duhet të jenë në brendi të zhvillimeve ekonomike dhe politike të vendit, sepse vendi ka nevojë për frymëzime të reja që vijnë jashtë kornizës së vendit. Në vendin tonë, përpos “zhurmës”, shumë rrallë dëgjohet për zhvillimin ekonomik dhe prespektivat e vendit, ndërsa çdo ditë dëgjojmë trofe fyerjesh, sharjesh, akuza ndër më të ulëtat për njëri-tjetrin, deri edhe me atë “tradhtarë”, e, kush, për kë? Vëllai për vëllain. Në traditën tonë janë të njohura disa veçori që dalloinë nga popujt tjerë, Me një peshë të veçantë, që vështirë të kalohet, ka qenë prekja në nderin e familjes. Por një më e rëndë se ato është me peshë sa guri i bjeshkës ta quash dikë tradhtar. Te nderi i shqiptarit kjo ka qenë më e rëndë se sa vdekja, edhe pse historikisht kemi pasur “vdekje” të tilla shumë shpesh gjatë rrjedhave historike. Sot japin dhe marrin “tradhti” çdo ditë, si të ishte fjalë përshëndetëse, Por, tradhtia, edhe sot peshën e ka të njëjtë – më të rëndë se vdekja. Nga pamja dhe niveli i komunikimit në “elitën” politike, dallon qartë që ka rënë poshtë nderi dhe karakteri i njeriut të sotëm në skenen politike, andaj nga niveli i ulët i karakterit njerëzor në atë fushë nuk pritet që të shkëlqejnë sukseset. Ta dallojmë ideologjinë, mendimin ndryshe nga tradhtia, ndërsa tradhtarin ta zhveshim haptas me argumente dhe fakte, e jo me dyshime apo fjalë boshe!  

– Këta nuk mund t´i quajmë tradhtarë:

1)Tradhtarë nuk janë ata që kanë ideologji dhe parime ndryshe nga të tjerët, pasiqë askush nuk di mjaft e që mos të ketë nevojë për ndonjë ide tjetër.

2)Tradhtarë nuk janë ata që e japin një mendim, pa marrë parasysh se sa prapanik apo absurd është, sepse ata nuk e dinë atë që duhet ditur, apo atë që duhet për ta thënë.

3)Tradhtarë nuk janë ata që japin mendime të gabuara ndaj ndonjë religjioni apo ndonjë partie politike tjetër, sepse ata, atë e dinë për të vërtetë.

4)Trdhtarë nuk janë ata që nuk e vënë çështjen kombëtare në radhë të parë, sepse mund të ndodhë se ende nuk e kanë arritur ta kuptojnë mirë vlerën e kombit.

5)Tradhtarë nuk janë ata të cilët shajnë dhe fyejnë të tjerët pandalur, gjer në një masë. Ata nga paaftësia e tyre i derdhin ndjenjat dhe mendimet e tyre të mykura.

6)Tradhtarë nuk janë ata që bashkëbisedojnë haptas me armiqtë apo ish- pushtuesit tanë, komunikimet janë akti i parë njerzëor qe mund të hapin gjithmonë dritare të reja.

7)Tradhtarë nuk janë ata që nuk pajtohen me asgjë, nëse ka të tillë, atyre u mungon drita brenda trupit të tyre, ata vuajnë ngase nuk i dallojnë ngjyrat, e, në veçanti u mungon ngjyra e bardhë.

8)Tradhtarë nuk janë ata që, për t´u pasuaruar, shkelin moralin dhe etikën e punës. Ata gjithmonë në mendje dhe zemër mbesin të varfër dhe të paplotësuar.

9)Tradhtarë nuk janë ata që harrojnë dorën ndihmëtare që i ka ngritur, apo i ka ndihmuar në ditët më të vështira, atyre vështirësitë do t´u përsëriten prapë.

10)Tradhtarë nuk janë ata që e respektojnë kulturën dhe doket e çdo kombi tjetër, edhe të armikut, gjersa ato nuk e damkosin kulturën tonë. Respekti është kulturë që i paraprin paqes ndër popuj.

-Këta mund t´i quajmë tradhtarë apo të dyshar për tradhti:

1)Tradhtar është ai që bashkëpunon me ish-okupatorët e kombit tonë, në dëm të kauzës kombëtare.

2)Tradhtar është çdonjëri prej udhëheqësve politik që, për ndonjë interes personal, apo çfarëdolloi tjetër, me vetëdije i dëmton parimet e kombit.

3)Tradhtar është ai që për ndonjë çmim, për ndonjë bindje, besim, me vetëdije e përbalt imazhin e kombit.

4)Tradhtar është ai që për bindje fetare, me vetëdije shkel mbi vëllain e tij nga kombi dhe pretendon që atë ta zëvendësojë me ndonjë tjetër “vëlla” të ndonjë kombi tjetër.

5)Tradhtar është ai që qëllimisht bën përçarje në mes kombit, pa marrë parasysh ngjyrat e tyre.

6)Tradhtar është ai që e shkel kulturën e tij dhe mbi atë pretendon të mbjellë doke dhe zakone të huaja.

7)Tradhtar është ai që nuk i respekton heronjtë kombëtarë, flamurin dhe lirinë.

8)Tradhtar është ai që për ndonjë qëllim të caktuar, apo ndonjë çmim, pretendon që ta ndryshojë të vërtetën e historisë kombëtare.

9)Tradhtar është ai që bën takime të fshehta me armikun, pa marrë parasysh arsyen, mbetet dyshim tradhtie.

10)Tradhtar është ai që e kërkon ndihmën e armikut, për ta mposhtur vëllain e tij nga kombi.

-Njerëzit pa skelet, me shumë fytyra (butakët):

1)Gënjeshtarët janë çerdhja e të gjitha ligësive, Të gënjeshtari, edhe e vërteta rri strukur.

2)Njerëzit që rrinë indifirentë ndaj kombit, ndaj qenies së tij, shohin, dinë dhe nuk reagojnë.

3)Njerëzit që, për të depërtuar me lehtë, tjetërsohen apo për dëshirën e ndonjë “bosi” i ikin realitetit dhe e flasin ndryshe, servilohen.

4)Njerëzit që nuk e vlerësojnë dhe respektoinë shoqërinë dhe të mirat e saj, shprehjet e tyre edhe ndonëse jo më ndonjë qëllim të caktuar, sjellin nxitje kaosi të kotë, zhurmagjinj.

5)Njerëzit që i shikojnë nga “lart” të afërmit dhe shoqërinë e tyre dhe duke i përçmuar të tjerët mendojnë ta ngrisin veten e tyre, qeshen në prezencë dhe të përbaltin pas shpine.

5)Njerëzit që pasurohen me djersën e të varfërve, pa e shpërblyer atë djersë aq sa e ka meritën dhe duke respektuar të varfrin, ashtu si çdo njeri tjetër.

6)Njerëzit që ankohen për çdo gjë dhe nuk bëjnë asgjë dhe mbeten gjithmonë asgjë, ata kanë ekzistuar, por kurrë nuk kanë jetuar.

7)Njerëzit që nuk dëgjojnë, nuk e dinë që nuk dinë dhe ligjërojnë për diturinë dhe e nxënë vendin e të diturit, pamaturia e tyre krijon çdo lloj rrjeti të rrezikshëm.

8)Njerëzit që informacionet e gabuara apo demagogjike i vënë në praktikë dhe për interesa të tyre politike i shpërndajnë të parët.

9)Njerëzit që nuk dinë ta dalloinë vlerën e njeriun nga njeriu dhe i shërbejnë me të njëjtën monedhë të gjithëve, ata më së shumti shkojnë si delja pas turmës.

10)Njerëzit që nuk dinë çka i takon njeriut dhe dalin jashtë kornizës dhe ligjeve natyrore të njeriut dhe kultivon fuqi negative në rrethin ku jetojnë.  

Njerëz të thjeshtë të jetës normale me saktësinë e sensit njeri:

1) Duke e njohur vlerën e tij, i vlerëson dhe respekton edhe të tjerët dhe asgjë tjeter nuk vlerëson më shumë se njeriun dhe parimet njerëzore.

2) Ata që nuk vrapojnë për të nxënë miq, por i fitojnë ngadalë dhe jetojnë gjatë duke e shijuar jetën me ta.

3) Ata që nuk flasin shumë për besën, moralin, karakterin, diturinë, besimin, patriotizmin, por ato i ruajnë të shkruara në brendi të gjoksit të tyre.

4) Ata që jetën e kanë ndërtuar në bazë të së vërtetës, nuk lëndojnë kurrë dhe e njohin mirë arsyen e jetës.

5) Ata që kur fitojnë tituj, pasuri, prapë mbesin të njëjtit njerëz të mirë, ngase e kuptojnë se ta fitosh pasurinë, nuk do të thotë që e ke fituar edhe diturinë.

6) Ata që e njohin veten dhe i dëgjojnë të tjerët me dashuri, flasin pak, sepse asnjëherë nuk duhet thënë të gjitha.

7) Ata që dinë t´i hapin udhë të mbara jetës me dritën e mendjes dhe nuk e presin fatin, por fatin e sjellin vetë në jetën e tyre.

8) Ata që më në fund e kuptojnë se çdo gjë është kalimtare dhe pasuria shpirtërore dhe dashuria ndërnjerëzore është boshti i të jetuatit bukur.

9) Ata që bashkëbiseduesit ia kuptojnë edhe “plagët” e padukshme të tij, edhe nëse nuk mund t´ndihmojë, të paktën nuk ia lëndojnë plagët, në veçanti mërgimtarëve që vijnë në atdhe.

10 Ata që në errësirë e vënë mendjen të udhtoinë, e jo syrin, sepse në mendje u peshojnë hapat e tyre.

Filed Under: ESSE

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë

August 31, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë, për Zotin – Atin tonë të mirë, si dhe Njeriun – vëlla apo motër.

Ajo me Dashuri dhuroi gjithçka, sipas thënies së saj gjeniale: “Kush nuk ka asgjë, jep gjithçka, sepse dhuron vetveten.”

Nëna jonë Tereze në çdo fjalë, fjali, resht, uratë, ishte poete, si dhe çdo poezi e saj ishte uratë, prej zemrës zemrave, për fisnikërim dhe bujarim të çdo mendje dhe zemre.

Në vëllimin  Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, “Poezi dhe Uratë”, të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHKK), 1998, me përkthyes: Dr. Don Lush GJERGJI, Visar ZHITI, Don Pren KOLA dhe Sali BASHOTA, recenzues: Ali PODRIMJA, Frrok KRISTAJ dhe Sali BASHOTA, ia mundësuam publiku tonë që ta “shijonte” damarin poetik të Nënës tonë të Madhe.

Në vitin 2010, për 100 – vjetorin e lindjes së Gonxhes sonë,  botuam një vëllim tjetër në tri gjuhë, anglisht, shqip dhe gjermanisht, me titull kuptimplotë: Teach Mi to Love – Mësomë të dua, Lehre mich zu lieben, Rozafa, Prishtinë, 2010, me ilustrime të piktorëve me të njohur shqiptarë, në 16 faqe,  që për mendimin dhe vlerësimin tim është botimi më komplet i poezive dhe uratave të Nënës Tereze.

Përkthimin anglisht e ka bërë Avni Spahiu, ndërsa gjermanisht Hns – Hoachim Lankesch.

Me atë rast tashmë i ndjeri Ali Podrimja ndër të tjera më tha kështu: “Don Lush Gjergji, Nëna Tereze paska merituar edhe Shpërblimin Nobel për Letërsi, sepse ajo qenka gjeniale edhe në këtë lëmi.”

Unë iu përgjigja kështu: “Ali i dashur, kush është i madhe dhe frymëzuar, është i tillë në çdo lëmi dhe krijimtari. E tillë ishte Nëna jonë Tereze që nga fëmijëria dhe rinia, deri të kalimi i saj në amshim. Reshti: Nuk ka rëndësi, jepe pjesën më të mirë të vetvetes, mbetet një lloj ftese dhe  testamenti shpirtëror për të gjithë ne, sidomos për poetët tanë.”

Ju me orën letrare kushtuar Shën Nënës Tereze, jeni duke ofruar “pjesën më të mirë të vetvetes”, frymëzimin, krijimtarinë, poezitë, nderimin dhe falënderimin tuaj bujar dhe fisnik. 

Paçi shëndet, lumturi mbi të gjitha Dashuri!

Filed Under: ESSE

ROBËR TË KOHËS

August 29, 2023 by s p

Prof.Dr.Ylli Pango/

…kemi qenë e jemi robër të kohës. Në të gjithë kohrat…Në duar të kohës kemi qenë e jemi…ajo na zotëron,..robër…kinse frymorë luksi…robër të saj…

…Që kur jemi lindur në një kohë të quajtur, të caktuar-jemi robër të saj. Jetojmë, endemi, mbyllim ciklin në një kohë të caktuar( të limituar)…Riprodhohemi të programuar brenda mureve kohorë të pakalueshëm…Vdesim në një kohë pak a shumë të përcaktuar. E shohim edhe fundin e pasardhësve tanë, me sytë e kohës, atje tej, në dukje, në pamje aq larg murit tonë të ekzekutimit, gjithsesi fatalisht jo aq larg.Relativisht shumë pranë murit tonë, papërcaktueshmërisht larg mureve pafundësisht të largëta, pa fund të kohës…

Lindim, jemi, mbetemi e tretemi nën diktatin e kohës. Nën kamxhikun e pamëshirshëm të kohës…vit pas viti nën goditjet e fshikullit të kohës, që brazdon e shton rrudhat e zhubrat në fytyrat e trupat tanë…shpirtrat tanë.

…Lodrojmë artistë të gëzuar, qënie të trishtuara, monotonë, narcisë mendjeshkurtër shumë-fytyrash, në teatrin, cirkun, cirkuitin e madh, pa fund të saj…të kohës…

…Ne do jemi të lirë vetëm atëhere kur të shembim muret e kohës që na mban skllavëruar…në Kohë…dhe së fundmi “do të çajmë ferrën” tej në hapsirat pa kohë e pa fund…meteorë të lirë në S’di-se-kund, Askërkund, Kurrë-Kund…

Do vijë njē kohë…antikohë pa an e fund…Me gjasë, a…Kush ende s’e di…

…Gjithsesi, sot për sot, bëni qejf në tokë, në pyll, në plazh…nē diell. Në det…. Me veten, me njeri tjetrin…jini përkohësisht të lumtur…Bēni dashuri me të dashurën tonë Natyrë…me bijtë e bijat e saj bujare…,

të gjithë ata, ato, Deti, pylli, Dielli etj., edhe ne, jemi tanët…janë tuajt, janë si ne…pranë nesh si lloj…Të vdekshëm si ne. E kanë një fund…Edhe ata, dielli. pylli, bora e malit, Mali…Edhe deti…edhe ata janë robër, sado më të mëdhenj se ne…robër edhe ata. Rob Zotër…të Kohës…

Ç’absurd! Se mos vetëm të ikurit…Edhe ne sot e të tjerë më pas…deri nuk dihet kur…nuk do arrijmë ta shkokolepsim dot…

((…”teorina”, po më thotë ndokushi… “

“ e pse nuk i fut, nji mendje të lehtë”…

—Nj’aty m’rri vllajo! …ke t’drejt;

Ani…se s’e pata me ty;

ty s’mundem me “t’rrejt”…))

Filed Under: ESSE

DITA KOMBËTARE E QENIT

August 28, 2023 by s p

– nga Çarli Çaplin te Atjoni –

Nga Visar Zhiti/

…26 gushti në SHBA është shpallur si Dita Kombëtare e Qenit, pra, i kushtohet mikut më të mirë të njeriut, asaj miqësie legjendare të mijëra vjetëve dhe falenderohet Zoti për dhuratën. Është një dashuri që duam t’ja tregojnë botës, thoshte avokatja e jetës së qenve, Colleen Paige, krijuesja e kësaj festë të re, në vitin 2004.

Dhe m’u shfaqën imazhi i aktorit gjenial Çarli Çaplin me qen në filmin e tij, “A dog’s life”, dhe Atjoni student, djali i shtrenjtë yni me qenin në shtëpi, në Durrës. Sa ngjajnë, jo ata, jo, por dashuritë e tyre, ai përdëllim i bukur, ai gjumë me kryet mbështetur mbi qentë e tyre, sikur shikojnë të njëjtën ëndërr, por në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshëm…

Të ndërgjegjësohen njerëzit, ta mbajnë pranë qenin, t’ia sigurojnë jetesën, të lumtur madje, pa abuzime dhe ta shijonë këtë miqesi, të tilla janë dhe kumtet e atyre që na dhanë “Ditën Kombëtare të Qenit” dhe që nga 2004 rreth një milion qen janë shpëtuar në SHBA duke i adoptuar shtëpive.

Kjo ditë gjithashtu duhet për të tërhequr vëmendjen, edhe me art, se si qentë janë futur në shoqërinë tonë dhe se si punojnë, udhërrëfyes, vënia e jetës së tyre në shërbim për të ndihmuar forcat e rendit në gjurmimin e bombave ose trafikantëve të drogës deri te ofrimi i ndihmës për ata që kanë nevojë, qentë, që identifikojnë edhe kancerin tek pacientët, etj. Po qeni artist? Qeni në cirk, qeni në kinematografi, aktor. Qeni në letërsi…

QENI DHE SHQIPTARËT

Më pëlqen kjo temë, duhet të ketë një histori patjetër, tërheqëse… tregohen bëma dhe lidhjet me qenin, roje shtëpie, i kopshtit dhe i kopeve në stane, besnikëri dhe braktisje, kjo e dyta nga ana e njeriut. Qeni në luftë dhe qeni në burg, në revoltën e Spaçit qeni morì anën e të burgosurve kundër policisë, e dënuan dhe qenin, janë shkruar dhe tregime, edhe unë librin tim “Valixhja e shqyer” e nis me tregimin “Ngjarje të gëzuara, pastaj të trishtuara dhe përsëri

të gezuara, që i ndodhën një qeni”. Kam dhe një tregim tjetër, “E shtuna e qenit”, është botuar dhe në Itali.

Emblematik ishte qeni i poetit Lasgush Poradeci, por shkrimtarët e Realizmit Socialist i urrenin qentë, të ishe me qen shihëshe si borgjez. Kujtoj si socializmi nuk i donte qentë, përveç qenve ushtarakë, madje kishte dhe poema për

qentë e kufirit, ndersa qentë e tjerë edhe përndiqeshin, helmoheshin apo vriteshin rrugëve natën.

Dhe kur ra diktatura, shqiptarët që kishin urryer njeri-tjetrin me luften e klasave sipas porosive të Partise dhe Enverit, etj, etj, u kujtuan që kishte dhe qen dhe që mund të duheshin. U shfaqēn imitues të Lasgushit, jo të poezisë së tij, ajo s’arrihej, por të qenit, po mbanin qen si ai dhe unë shkruajta diku që qentë po rrinë dhe me shqiptarë, e kisha me ata që kishin urryer dhe kishin dëmtuar të tjerë, e kam treguar dhe herë tjetër dhe tani, që të qetësonin disi ndërgjegjet, ledhatonin si mēkatin e tyre qenin. Dhe qeni rrinte me ta si falje. Dhe lehin ata në vend të qenve, kam shkruar…

Dita Kombëtare e Qenit është në një trajektore rritëse dhe vazhdon të rritet në popullaritet dhe mbulohet gjerësisht nga media çdo vit, lexova sot dhe urohej që të kalohet kjo ditë duke pranuar se sa të mrekullueshëm janë qentë.

Po!

Dhe kërkova foton me qen të Çarli Caplinit dhe të Atjonit me qen. Qeni i Çaplinit po fle bashkë me të zotin, ai i Atjonit është zgjuar për një çast dhe po vigjëlon, ka ngritur pak kokën, por me kujdesin që të mos e lëvizë shtatin, të mos e zgjojë Atjonin. Sytë e qenit nuk po shohin në largësi sikur rreziku të jetë afër. Ajo ngrohtësi e mirë kafshe, me atë gëzof butësie, me atë merak të sinqertë kanë një mister besimi që të prek. Nga dita e qenit duhet të mësojmë… për të qenë më njerëz…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT