– nga Çarli Çaplin te Atjoni –
Nga Visar Zhiti/
…26 gushti në SHBA është shpallur si Dita Kombëtare e Qenit, pra, i kushtohet mikut më të mirë të njeriut, asaj miqësie legjendare të mijëra vjetëve dhe falenderohet Zoti për dhuratën. Është një dashuri që duam t’ja tregojnë botës, thoshte avokatja e jetës së qenve, Colleen Paige, krijuesja e kësaj festë të re, në vitin 2004.
Dhe m’u shfaqën imazhi i aktorit gjenial Çarli Çaplin me qen në filmin e tij, “A dog’s life”, dhe Atjoni student, djali i shtrenjtë yni me qenin në shtëpi, në Durrës. Sa ngjajnë, jo ata, jo, por dashuritë e tyre, ai përdëllim i bukur, ai gjumë me kryet mbështetur mbi qentë e tyre, sikur shikojnë të njëjtën ëndërr, por në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshëm…
Të ndërgjegjësohen njerëzit, ta mbajnë pranë qenin, t’ia sigurojnë jetesën, të lumtur madje, pa abuzime dhe ta shijonë këtë miqesi, të tilla janë dhe kumtet e atyre që na dhanë “Ditën Kombëtare të Qenit” dhe që nga 2004 rreth një milion qen janë shpëtuar në SHBA duke i adoptuar shtëpive.
Kjo ditë gjithashtu duhet për të tërhequr vëmendjen, edhe me art, se si qentë janë futur në shoqërinë tonë dhe se si punojnë, udhërrëfyes, vënia e jetës së tyre në shërbim për të ndihmuar forcat e rendit në gjurmimin e bombave ose trafikantëve të drogës deri te ofrimi i ndihmës për ata që kanë nevojë, qentë, që identifikojnë edhe kancerin tek pacientët, etj. Po qeni artist? Qeni në cirk, qeni në kinematografi, aktor. Qeni në letërsi…
QENI DHE SHQIPTARËT
Më pëlqen kjo temë, duhet të ketë një histori patjetër, tërheqëse… tregohen bëma dhe lidhjet me qenin, roje shtëpie, i kopshtit dhe i kopeve në stane, besnikëri dhe braktisje, kjo e dyta nga ana e njeriut. Qeni në luftë dhe qeni në burg, në revoltën e Spaçit qeni morì anën e të burgosurve kundër policisë, e dënuan dhe qenin, janë shkruar dhe tregime, edhe unë librin tim “Valixhja e shqyer” e nis me tregimin “Ngjarje të gëzuara, pastaj të trishtuara dhe përsëri
të gezuara, që i ndodhën një qeni”. Kam dhe një tregim tjetër, “E shtuna e qenit”, është botuar dhe në Itali.
Emblematik ishte qeni i poetit Lasgush Poradeci, por shkrimtarët e Realizmit Socialist i urrenin qentë, të ishe me qen shihëshe si borgjez. Kujtoj si socializmi nuk i donte qentë, përveç qenve ushtarakë, madje kishte dhe poema për
qentë e kufirit, ndersa qentë e tjerë edhe përndiqeshin, helmoheshin apo vriteshin rrugëve natën.
Dhe kur ra diktatura, shqiptarët që kishin urryer njeri-tjetrin me luften e klasave sipas porosive të Partise dhe Enverit, etj, etj, u kujtuan që kishte dhe qen dhe që mund të duheshin. U shfaqēn imitues të Lasgushit, jo të poezisë së tij, ajo s’arrihej, por të qenit, po mbanin qen si ai dhe unë shkruajta diku që qentë po rrinë dhe me shqiptarë, e kisha me ata që kishin urryer dhe kishin dëmtuar të tjerë, e kam treguar dhe herë tjetër dhe tani, që të qetësonin disi ndërgjegjet, ledhatonin si mēkatin e tyre qenin. Dhe qeni rrinte me ta si falje. Dhe lehin ata në vend të qenve, kam shkruar…
Dita Kombëtare e Qenit është në një trajektore rritëse dhe vazhdon të rritet në popullaritet dhe mbulohet gjerësisht nga media çdo vit, lexova sot dhe urohej që të kalohet kjo ditë duke pranuar se sa të mrekullueshëm janë qentë.
Po!
Dhe kërkova foton me qen të Çarli Caplinit dhe të Atjonit me qen. Qeni i Çaplinit po fle bashkë me të zotin, ai i Atjonit është zgjuar për një çast dhe po vigjëlon, ka ngritur pak kokën, por me kujdesin që të mos e lëvizë shtatin, të mos e zgjojë Atjonin. Sytë e qenit nuk po shohin në largësi sikur rreziku të jetë afër. Ajo ngrohtësi e mirë kafshe, me atë gëzof butësie, me atë merak të sinqertë kanë një mister besimi që të prek. Nga dita e qenit duhet të mësojmë… për të qenë më njerëz…