• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mësimdhënia dhe cilësia e saj në shkolla shqiptare

November 24, 2025 by s p

Prof. Florenca Stafa/

Mora shkas nga një video shumë e bukur në pamje (krijuar me IA), por fatkeqësisht me gabime shkencore.

Pikërisht në Ditën e Alfabetit, më 22 nëntor 2025, reklamohet si një punë e shkëlqyer e një fëmije/nxënësi vetëm 10 vjeç, i cili mëson dhe edukohet në një shkollë të vendit tonë.

E përgëzoj vogëlushin që ka krijuar këtë video mbresëlënëse me anë të teknologjisë, por nuk e di kush është mësuesja e historisë së këtij nxënësi.

Në video flitet për personalitete që morën pjesë në Kongresin e Manastirit dhe që me mendjen e fjalën e tyre të mençur sollën një moment shumë të rëndësishëm për historinë e kombit tonë: njëshimin e alfabetit (Kongresi i Manastirit, 14–22 nëntor 1909).

Në video përmendet Petro Nini Luarasi dhe po ashtu Faik Konica, si personalitet i Kongresit.

Ndërkohë që në dokumentet arkivore dhe në shtypin e kohës, Faik Konica ishte personaliteti që nuk e pranoi thirrjen e Kongresit të Manastirit dhe madje nuk mori pjesë, për dy arsye:

1. Ftesa për të marrë pjesë në Kongres iu dërgua me vonesë;

2. Konica kishte një koncept tjetër për rrugën që duhej ndjekur për njëshimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Sipas tij, kjo çështje kaq e rëndësishme nuk duhej vendosur nga një forum i gjerë dhe me përbërje të larmishme.

Fakti që në Kongres nuk morën pjesë edhe intelektualë të tjerë të njohur në fushën e gjuhësisë, si Aleksandër Xhuvani, Asdreni, A. Z. Çajupi, Shtjefën Gjeçovi dhe vetë Konica, ka qenë i paramenduar, për të mos i pasur si “ngatërrestarë” gjatë punimeve.

E citova këtë fakt historik për të treguar se mësimdhënia ka humbur rolin dhe misionin e saj në epokën moderne. Mësues që nuk njohin të vërtetat shkencore, mësues që nuk i ballafaqojnë faktet, mësues që u flasin nxënësve për ngjarje dhe figura historike pa shfletuar e verifikuar burimet…

Personalisht, me një përvojë 20-vjeçare në arsimin parauniversitar dhe universitar, gjykoj se është e domosdoshme rishikimi i kurrikulës, ku lëndës së historisë duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë. Historia duhet të jetë prioritet kombëtar. Formimi i nxënësve që në moshë të hershme me koncepte të sakta shkencore konsolidon personalitetin e tyre si qytetarë evropianë.

Mësuesit kanë nevojë të trajnohen edhe në anën shkencore, të organizohen tryeza diskutimi për risitë në shkencë, të ballafaqohen me të vërtetat dhe të jenë në shërbim të formimit të brezit të ri.

Do të ishte edhe më shqetësuese nëse vogëlushi i videos e ka marrë tekstin nga libri i historisë që studion. Përpos kësaj, nuk edukohet përmes punëve krijuese, por thjesht përmes fasadave me ngjyra dhe efekte të IA-së.

Si nuk i shkoi mendja mësueses që e ka monitoruar këtë punë që vogëlushi të kujdesej për një fakt shumë të rëndësishëm: pjesëmarrjen për herë të parë të një gruaje në kongres — të Sevastisë Qiriazi!

Kjo do të kishte vlerë të jashtëzakonshme në edukimin qytetar të fëmijëve, do t’i bënte të zhvillonin të menduarin kritik dhe do të fitonin kompetencën qytetare natyrshëm.

Pjesëmarrja e një gruaje në Kongres në atë kohë ishte një arritje e madhe. Nxënësit do të kuptonin shumë për barazinë gjinore në vendimmarrje, për të drejtat dhe përgjegjësitë e individit në shoqëri, dhe për rëndësinë e arsimimit për konsolidimin e shtetit-komb.

Të gjithë biem dakord për një fakt: “problemi me tekstet shkollore”, Altertekstin apo edhe kurrikulën në tërësi.

Por mësuesi duhet të dijë diçka të rëndësishme — diçka që u them shpesh studentëve të programit të mësuesisë dhe mësuesve në detyrë:

“Mësuesi sot duhet të jetë në gjendje të ndërtojë vetë orën e mësimit me burime dhe materiale krejtësisht të ndryshme nga teksti, por duke iu përmbajtur me rigorozitet programit të miratuar nga Ministria e Arsimit.”

Kjo nënkupton që mësuesi duhet të heqë dorë nga teksti shabllon, nëse ai nuk përputhet me nevojat e nxënësve ose nuk ofron aparatin pedagogjik të duhur.

Por a janë në gjendje ta bëjnë këtë mësuesit në sistemin tonë parauniversitar? Fatkeqësisht jo.

Për shumë arsye… ku një rol të rëndësishëm e luan edhe kurrikula e arsimit të lartë dhe modulet e ofruara.

Personalisht, jam një mbështetëse e fuqishme e gjithë arsimtarëve dhe — po të kisha në dorë — ata do të ishin njerëzit më të paguar në vend, me një standard të vetëm:

“Në arsim qëndron ai që e MERITON.”

Por në një sistem ku i paafti e ka vënë përpara me injorancën e tij të diturin, intelektualin, mësuesin vizionar, është bërë mision i pamundur.

Të dashur mësimdhënës, bëjeni punën tuaj me pasion. Fëmijët dhe nxënësit tuaj nuk kanë asnjë faj për këtë sistem. Por mos i lini “çalamanë” të përhershëm mbi tokë. Nëse gabimi i mjekut të fut në dhe, gabimi i mësuesit të lë sakat përjetë!

Filed Under: ESSE

“Nga rrënjët në Manastir tek degët e gjuhës në diasporë: Njësimi, standardizimi dhe sfida e shqipes”

November 22, 2025 by s p

Besian Gjika/

Gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar shqiptar. Rruga e saj drejt njësimit ka qenë e mbushur me vështirësi, por edhe me përpjekje titanike që kulmuan në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku alfabeti latin u miratua si bazë e përbashkët (Demiraj, 1988). Ky akt emancipues i dha gjuhës një status mbarëkombëtar dhe e shndërroi në mjet të vetëdijes politike e kulturore. Më pas, standardizimi i vitit 1972 siguroi një normë të unifikuar për arsimin, administratën dhe letërsinë (Akademia e Shkencave, 1973), duke sjellë përfitime të mëdha, por edhe problematika lidhur me ruajtjen e pasurisë dialektore (Pipa, 1989). Sot, në epokën e globalizimit dhe migrimit masiv, shqipja pasurohet përmes teknologjisë dhe kulturës, por përballet me sfida të reja, veçanërisht në diasporë, ku ekspozimi ndaj gjuhëve vendase është i madh (Elsie, 2005).

I: Kongresi i Manastirit dhe njësimi i gjuhës

Kongresi i Manastirit, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, përfaqëson një moment kulmor në historinë e gjuhës shqipe. Delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora u mblodhën për të zgjidhur një problem madhor: mungesën e një alfabeti të unifikuar. Kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa sekretare Parashqevi Qiriazi, duke treguar përfshirjen e gjerë të figurave të kulturës shqiptare. Në fjalën e tij, Frashëri theksonte: “Kombi ynë nuk mund të ecë përpara pa një gjuhë të përbashkët, pa një alfabet që të na bashkojë” (Demiraj, 1988, f. 112). Vendimi për miratimin e alfabetit latin ishte një akt emancipues, i cili i dha gjuhës një status mbarëkombëtar dhe e shndërroi në mjet komunikimi e vetëdije kombëtare. Siç vëren Buda (1968), ky ishte “një hap i domosdoshëm drejt modernizimit të kombit shqiptar”.

II: Standardizimi i vitit 1972

Pas më shumë se gjysmë shekulli, Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. Me pjesëmarrjen e 87 delegatëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe komuniteti arbëresh i Italisë, ky kongres vendosi normën e sotme të shqipes letrare (Akademia e Shkencave, 1973). Tema e kongresit ishte domethënëse: “Një komb, një gjuhë.” Ky hap solli përfitime të mëdha: një gjuhë e unifikuar për arsimin, administratën dhe letërsinë, duke lehtësuar komunikimin dhe prodhimin kulturor. Megjithatë, standardizimi nuk ishte pa problematika. Pipa (1989) e kritikoi standardin si kufizim të gegërishtes dhe si imponim politik, ndërkohë që Çabej (1976) e mbështeti, duke e parë si domosdoshmëri për unitetin kombëtar. Ky tension mes normës së përbashkët dhe trashëgimisë dialektore mbetet i gjallë edhe sot.

III: Pasurimi i gjuhës sot dhe sfidat në diasporë

Në ditët e sotme, shqipja pasurohet përmes teknologjisë, shkencës, letërsisë dhe kulturës popullore, por përballet edhe me sfida të reja. Globalizimi dhe ndikimi i anglishtes e bëjnë të nevojshme ruajtjen e identitetit gjuhësor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në diasporë, ku ekspozimi ndaj gjuhëve vendase është i madh dhe rreziku i humbjes së shqipes është real. Siç thekson Lafe (2002): “Standardi i gjuhës nuk është thjesht një rregull drejtshkrimor, por një mjet për të ruajtur identitetin kombëtar.” Ndërkohë, Elsie (2005) vëren se diaspora ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës përmes letërsisë dhe kulturës. Mësimi dhe përdorimi i saj në mërgatë përvçse është një akt i lartë kulturor, po ashtu është domosdoshmëri për ruajtjen e rrënjëve kombëtare dhe për bashkimin e brezave të rinj me historinë e tyre.

Përfundim

Nga përpjekja titanike e Manastirit, te standardizimi i vitit 1972 dhe pasurimi i sotëm, gjuha shqipe mbetet një pasuri e paçmuar dhe një simbol i bashkimit kombëtar. Në diasporë, ajo është ura që lidh të shkuarën me të ardhmen, duke garantuar që historia dhe identiteti i një populli të mos humbasin në dallgët e globalizimit.

Bibliografi

• Akademia e Shkencave e RPSH. (1973). Materialet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Buda, A. (1968). Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit. Tiranë: Universiteti i Tiranës.

• Çabej, E. (1976). Studime gjuhësore. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Demiraj, Sh. (1988). Gjuha shqipe dhe historia e saj. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Elsie, R. (2005). Albanian Literature: A Short History. London: I.B. Tauris.

• Lafe, E. (2002). Artikuj mbi drejtshkrimin dhe standardin e shqipes. Tiranë: Universiteti i Tiranës.

• Pipa, A. (1989). Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste. München: Otto Harrassowitz.

• Prifti, K. (2008). 100-vjetori i Kongresit të Manastirit. Tiranë: Akademia e Shkencave.

Filed Under: ESSE

PROF. ZIAUDIN H. KODRA – DIBRANI QË JETËSISHT STUDIOI GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN ARBËRESHE

November 20, 2025 by s p

Vilma Jazexhiu Proko/

Veprimtari përkujtuese në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të prof. Ziaudin H. Kodra ishte veprimtaria që u organizua në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për një nga personalitetet më të shquar të albanologjisë dhe letërsisë shqipe e asaj arbëreshe, prof. Ziaudin Kodrën, në vendlindjen e Tij, Dibër, nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” (Tiranë), në bashkëpunim me Shoqatën për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra” (Dibër), Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), dhe familjen Kodra, me rastin e 112-vjetorit të Lëvizjes së Bashkësisë Dibrane në Tiranë, në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës-Dibër (RMV), z. Fisnik Mela; Profesor Emeritus Emil Lafe, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), Kryeredaktor i “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” (2008-2009) dhe Kryetar i Këshillit të Botimeve të QSPA-së nga krijimi (2020); akademik Adem Bunguri, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë); studiueset dr. Jolanda Lila dhe dr. Vilma Proko nga QSPA; Kryetari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, prof. as. Saimir Shatku, Kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Rruzhdi Keçi; Kryetarja e Shoqatës për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra”, dr. Qëndresa Paçuku, pedagogë e studiues nga Universiteti i Tetovës, universitetet e Shkupit: “Nënë Tereza” dhe “Sh. Kirili dhe Metodi”; intelektualë dibranë nga të dyja anët e kufirit, të ftuar nga Tirana, Dibra, Prishtina dhe anëtarë të familjes Kodra.

Për të pranishmit u shfaq dokumentari kushtuar prof. Z. Kodrës, i siguruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në të cilin u pasqyrua përkushtimi i studiuesit Kodra në dokumentimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi komunitetin arbëresh, gjatë vizitës në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë në v. 1965, raporti i ekspeditës studimore në po këtë vit, dhe fragmente filmike nga konferenca shkencore e mbajtur në Tiranë (1964), me rastin e 150-vjetorit të lindjes së De Radës, ku prof. Z. Kodra ishte një prej kumtuesve kryesorë.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga prof. as. Saimir Shatku, Kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ku theksoi se prof. Ziaudin Kodra (1909–1965) ishte një nga studiuesit e parë shqiptarë të gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë arbëreshe. I arsimuar në Liceun Francez të Korçës dhe në Universitetin e Firences, ai zhvilloi një karrierë të pasur si mësues, drejtor dhe pedagog i letërsisë shqipe në institucionet kryesore arsimore të vendit. U persekutua nga regjimi fashist dhe u internua në Itali, por vazhdoi punën shkencore me përkushtim, duke hartuar tekstet themelore mbi letërsinë e vjetër shqipe dhe arbëreshe, metodikën e gjuhës dhe letërsisë, dhe me bashkautorësi “Historinë e letërsisë shqipe”, duke mbetur ndër të parët që studioi në mënyrë sistematike kulturën dhe letërsinë arbëreshe.

Ligjëruan me kumtesat e tyre: Profesor Emeritus Emil Lafe, i cili në fjalën e tij theksoi që emrin e Ziaudin Kodrës e njeh nga teksti “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe”, që përdorej në vitet ’50 në shkollat e mesme, kur prof. Lafe qe nxënës. Më pas, e njohu nga afër gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës. Ajo që i mbetet e pashlyer në kujtesë kujtdo që e ka njohur prof. Z. Kodrën, – tha prof. Lafe, – është njëjtësimi i tij me objektin e punës: të dukej sikur ai dhe Bota Arbëreshe përbënin diçka të pandashme: Bota dhe letërsia arbëreshe ishin jeta dhe shtëpia e tij e përjetshme. Prof. Z. Kodra u nda nga jeta 56 vjeç, kur kishte arritur shumë falë pasionit të studiuesit dhe punës së tij të ngulët, por ai kishte në mendje e në letër edhe shumë shestime shkencore për të sjellë studime e vështrime të reja për letërsinë dhe folklorin arbëresh. Bibliografia e tij shkencore është mjaft e pasur dhe zbulon një intelektual aktiv e energjik. Deri sot trashëgimia e tij studimore, e përderdhur në revista dhe botime të ndryshme shkencore, nuk ishte mbledhur në një botim të veçantë.

Bashkë me kolegun e vyer dr. Thoma Qendro, e quajtëm si detyrim qytetar që ta nderonim kujtimin e prof. Z. Kodrës, duke kryer punën filologjike për botimin e veprës së tij. Z. Ilir Kodra, nip i prof. Z. Kodrës, qe gjithnjë në gatishmëri për të mbledhur dhe kompjuterizuar gjithë lëndën. Jemi përpjekur që të përgatisim një ribotim cilësor të shkrimeve të autorit, që shtrihen në një periudhë 30-vjeçare: 1935–1965, gjatë së cilës gjuha letrare shqipe në tërësi dhe stili i veprimtarisë shkencore në veçanti, patën një zhvillim dinamik. Për këtë arsye kemi mënjanuar luhatjet e zakonshme drejtshkrimore e gramatikore dhe shumë luhatje të tjera që kanë të bëjnë me emërtime arbëreshe, por natyrisht kemi ruajtur gegërishten letrare që ka përdorur autori deri nga mesi i shekullit të shkuar.

Vëllimi i pranishëm përbën një vepër konsultimi dhe studimi për letërsinë arbëreshe deri në gjysmën e parë të shek. XX, por është njëkohësisht edhe një antologji e vlerave më të spikatura të asaj letërsie, përfshirë edhe letërsinë popullore. Pjesët më të rëndësishme të vëllimit janë kapitujt e hartuar nga prof. Z. Kodra për veprën “Historia e letërsisë shqipe”, të botuar nga UT (dy vëll., 1959), që mbetet ende e pakapërcyer nga gjerësia dhe kriteret shkencore të hartimit, po ashtu edhe një varg artikujsh për autorë të veçantë arbëreshë që thellojnë e plotësojnë trajtimin e tyre në atë vepër. Prandaj, shpreh bindjen se kjo përmbledhje studimesh të prof. Z. Kodrës, e nisur si një peng nderimi ndaj tij, është gjithashtu një vepër studimi, që u drejtohet studentëve të letërsisë shqipe në universitetet tona, po ashtu mësuesve të kësaj lënde në mbarë hapësirën shqiptare dhe gjithë atyre që kanë dëshirë, kureshtje e interes kulturor për letërsinë arbëreshe. Këtu do të gjejnë pa dyshim materiale dhe analiza nga një specialist i dorës së parë në këtë fushë.

Prof. Lafe e përfundoi fjalën e tij me disa mbresa nga vizitat e tij në vendbanimet arbëreshe të Kalabrisë rreth viteve ’80. Dr. Jolanda Lila, QSPA mbajti on line fjalën e titulluar “Tri hullitë kryesore të veprimtarisë së Ziaudin Kodrës”, përmes së cilës paraqiti rolin e studiuesit Kodra për njohjen e figurës së De Radës në Shqipëri në vitet 1952-1965, kur ai ndahet para kohe nga jeta, përmes tri mënyrave: Përshtatjes së 15 kangjeljeve të kryeveprës deradiane “Milosao” për lexuesit e sotëm; Hartimit të kapitujve me të dhëna rreth jetës e veprës së De Radës (krahas autorëve të tjerë arbëreshë) në tekstet historiografike: “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe”, 1952 dhe “Historia e letërsisë shqipe” (1959, I, II), si dhe botimit në shtypin shkencor dhe kulturologjik të shkrimeve për De Radën.

Dr. Vilma Proko nga QSPA mbajti kumtesën “Trashëgimia arbëreshe dhe kontributi i prof. Ziaudin Kodrës në studimet shqiptare”, të cilën po e paraqes shkurtimisht më poshtë: Studiuesi poliedrik Ziaudin Kodra (1909–1965) mbetet një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në Shqipëri dhe një ndër zërat më të angazhuar në studimin dhe përhapjen e vlerave të letërsisë arbëreshe në vitet e pas Luftës II Botërore. Krahas veprimtarisë së vyer si studiues i arsimit, u dallua edhe në mbledhjen me kujdes dhe durim të veçantë të këngëve lirike dhe liriko-epike arbëreshe, të cilat përbëjnë një thesar të çmueshëm gjuhësor, duke i përshtatur tekstet letrare dhe folkloritike arbëreshe me një shqipe të qartë e të rrjedhshme, të pasur me të dy dialektet e saj kryesore. Më 1957 u botua përmbledhja e përgatitur prej Tij: “Poezija popullore arbëreshe”, me rreth 200 faqe, një antologji që mbetet edhe sot një dëshmi e gjallë e trashëgimisë shpirtërore të arbëreshëve, ku çmon rolin e rëndësishëm të folklorit në ngjizjen e letërsisë arbëreshe.

E kam ndeshur për herë të parë emrin Ziaudin Kodra gjatë punës për hartimin e “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, 3 vëll., ASHSH, 2008-2009, e më pas, që nga v. 2020 e në vijim, gjatë punës në Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) përmes një materiali të gjerë të dokumentuar në revista shkencore, botime të ndryshme, shtypin e kohës etj., e deri me pjesëmarrjen në Simpoziumin shkencor “Ziaudin Kodra–Studiuesi i vyer i botës arbëreshe”, organizuar më 18 dhjetor 2024 nga QSPA, në nder të 115-vjetorit të lindjes. Në këtë simpozium u mbajtën kumtesa nga Prof. Emeritus E. Lafe, prof. Y. Çiraku, prof. Klara Kodra etj., përmes të cilave u dhanë vlerësime mbi veprën dhe kontributin shkencor të këtij personaliteti.

Në kumtesën e mbajtur prej meje të titulluar: “Ziaudin Kodra i vështruar si studiues i shqipes dhe i arbërishtes” u përpoqa të paraqes figurën e shumanshme të Z. Kodrës si studiues i historisë së letërsisë shqipe e sidomos asaj arbëreshe dhe punën e tij të kujdesshme për mbledhjen e këngëve lirike dhe liriko-epike arbëreshe, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar gjuhësore, si dhe aftësinë për t’i përkthyer e përshtatur ato në një shqipe të pastër, të rrjedhshme dhe të pasur me elemente të dy dialekteve. Vlerësohet botimi i v. 1950 i “Gjahut të malësorëvet” të Kristoforidhit, që mundëson lexim paralel në gegërisht dhe toskërisht.

Po ashtu analizova studimin “Përkujtime” mbi “Bletën Shqiptare” (me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së Thimi Mitkos), si dhe disa çështje të arbërishtes të trajtuara prej Z. Kodrës në revistën “Studime filologjike” si edhe në shkrime e studime për Gavril Darën, Zef Seremben dhe Françesk Santorin, duke nxjerrë në pah origjinalitetin e tyre dhe rolin e gjuhës arbëreshe si një laborator të gjallë të shqipes. Madje Z. Kodra, e ka përcaktuar Seremben si “poet të lindur” (në kuptimin e një talenti spontan, individual) dhe duke u ndalur në begatinë e figuracionit në poezinë e tij, të cilën për herë të parë e lidh me poezinë popullore, ka theksuar karakterin aktual dhe modern të poezisë së Serembes, duke hedhur një hap para në zbulimin e origjinalitetit të tij. (Marrë nga V. Proko, “Në 180-vjetorin e lindjes së Zef Serembes”, (f. 281), në Kuvendin e Parë të Studimeve Arbëreshe: “Gjendja aktuale e studimeve për arbëreshët”, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 27-29 shtator 2021, botuar më 2022.

Po ashtu, përmenda edhe paraqitjen time me kumtesën: “Kontributi i Ziaudin Kodrës për gjuhën dhe letërsinë arbëreshe”, në Konferencën shkencore “Figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës (25-26 tetor 2025), ku ndër të tjera analizova faktin se prej letërsisë arbëreshe ky studiues i zellshëm ka arritur të sjellë e dëshmojë kumtet shpirtërore të një komuniteti të larguar prej shekujsh nga toka e të parëve, por që e mbajtën përherë gjallë kujtimin e saj.

Akademik Adem Bunguri në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen për ftesën e foli për kontributin e bashkëvendasit të tij, prof. Z. Kodrës, në fushën e studimeve albanologjike, e sidomos atyre arbëreshe, duke theksuar se ky përkujtim është një homazh për studiuesin dibran, prof. Ziaudin Kodra që jetoi për dijen dhe kulturën shqiptare, dhe që shërben si një nxitje për brezat e rinj të ndjekin shembullin e tij të ndershmërisë intelektuale, përkushtimit dhe dashurisë për gjuhën e kombit.

Dr. Qëndresa Paçuku, Kryetare e Shoqatës për Histori dhe Trashëgimi Kulturore “Dibra” e përmbylli fjalën e saj me shprehjen: “Unë, në mënyrë metaforike mund të them, se dibranët e Tiranës nuk u shkëputën kurrë nga Dibra, por Dibrën e morën me vete në Tiranë!”

Në fund të takimit u promovua edhe vepra shkencore “Studime Arbëreshe” (përmbledhje e dorëshkrimeve dhe studimeve në botime të ndryshme etj., pa përfshirë dorëshkrimet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ASHSH), përgatitur nga Familja Kodra, redaktuar nga prof. Emil Lafe dhe Dr. Thoma Qendro, dhe botuar nga Fondacioni Kulturor & Social Alsar, Tiranë 2025. Në fjalën përmbyllëse, z. Ilir Kodra, nipi i i prof. Ziaudin Kodrës, falënderoi të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë për kumtuesit në këtë përvjetor të 60-të të ndarjes së prof. Kodrës, me theks kontributin e tij të vyer në studimet mbi letërsinë arbëreshe, të cilat përbëjnë një kontribut të çmuar për letërsinë shqipe e botën arbëreshe.

Filed Under: ESSE

Elitat intelektuale, mendimi qytetar dhe reflektimi i shoqërisë

November 15, 2025 by s p

Artan Nati/

Nëse do të gjesh simptomën më të qartë të falimentimit moral të një shoqërie, mos shiko parlamentin, por shiko sallonet e letrave, skenat e artit, panairet e kulturës. Aty ku dikur frymonte shpirti kritik, sot dëgjon zhurmën e duartrokitjeve për dekorata, çmime dhe sponsorizime. Arti është kthyer në biznes, letërsia në konkurs, ndërsa morali është bërë një luks që asnjë krijues nuk e përballon dot pa një kontratë. Në këtë vend ku dikur luftohej për liri, sot luftohet për fonde projektesh. Një pjesë e elitës kulturore që dikur mbante mbi supe idealin e ndërgjegjes, sot mban dosjet e tenderëve kulturorë. Dhe në këtë tranzicion grotesk, shoqëria e pranon me një lloj cinizmi të ëmbël: “Të gjithë kështu bëjnë.” Në çdo civilizim që e meriton këtë emër, ekziston një “busull morale dhe intelektuale” që orienton jetën publike. Në Europën Perëndimore kjo busull nuk është shpikje e qeverive apo e partive. Ajo është krijuar nga shekuj debatesh filozofike, revolucionesh shpirtërore e shkencore, dhe përpjekjesh për të pajtuar lirinë me përgjegjësinë. Por ajo nuk është e përjetshme: çdo brez duhet ta rishikojë, ta kalibrojë, ta përshtasë me realitetin e kohës. Këtë punë delikate e bëjnë elitat mendore: filozofët, juristët, shkrimtarët, psikologët, historianët, artistët, pra, ata që mbajnë barrën e kuptimit.

Filozofi Jürgen Habermas e quante këtë “sferën publike racionale”: hapësira ku elitat e dijes debatojnë mbi bazën e arsyes, jo të pushtetit. Roli i tyre është të krijojnë një “marrëveshje simbolike” që mban bashkë shoqërinë, një ide të përbashkët për të drejtën, të mirën dhe drejtimin që duhet ndjekur. Filozofi e juristi janë busulla morale, shkrimtari dhe historiani janë memoria e gjallë e kombit. Në Perëndim, elitat funksionojnë si rrjet i shpërndarë përmes universiteteve, mediave, institucioneve kulturore dhe forumeve publike. Demokracia ushqehet pikërisht nga tensioni mes mendimit kritik dhe pushtetit politik. Çdo epokë ka mitet e veta: progresin, lirinë, barazinë, por nëse nuk rishikohen, ato ngurtësohen dhe bëhen ideologji. Elitat kujtojnë se realiteti është ndërtim njerëzor që mund të ndryshohet përmes mendimit. Ato janë roje të lirisë, që zbulojnë mënyrat e fshehta të pushtetit dhe ekspozojnë mendimin e rremë që shitet si e vërtetë.

Kur elitat heshtin apo shiten, busulla humbet: filozofët zëvendësohen nga ekspertë që justifikojnë, shkrimtarët nga figurina televizive, juristët nga interpretues të interesit të ditës. Shoqëria atëherë humbet jo vetëm drejtimin, por edhe vetëdijen për veten. Busulla e një civilizimi është dialogu i tij i brendshëm, zërat që mendojnë ndryshe, që debatojnë dhe e mbajnë gjallë imagjinatën e lirisë. Pa këtë kalibrim, edhe Perëndimi rrezikon të mbetet një trup i pasur, por pa shpirt. Në rastin shqiptar, mungesa e kësaj “busulle morale dhe intelektuale” është bërë një nga plagët më të thella të jetës publike. Shqipëria, ndryshe nga vendet e civilizuara perëndimore, nuk ka pasur një proces të qëndrueshëm kalibrimi të ndërgjegjes shoqërore, as nga elitat, as nga institucionet. Jo sepse shqiptarët nuk kanë pasur mendimtarë, por sepse shoqëria nuk i ka lejuar ata të bëhen busull, por i ka përçmuar, përjashtuar ose korruptuar.

Në kohën e mbretit Zog dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria pati një brez të artë intelektualësh që deshën ta zgjonin kombin me libra, ese dhe ide, por përfunduan duke folur me vete. Faik Konica, aristokrati i sarkazmës, u lodh duke i shpjeguar shqiptarëve se kultura nuk është dekor kombëtar, por mënyrë jetese. Ernest Koliqi kërkoi të shpëtonte shpirtin shqiptar përmes gjuhës e shkollës, ndërsa Branko Merxhani shpiku “neoshqiptarizmën”– një ide e bukur në teori, por e pamundur në një vend ku “arsyeja kombëtare” zëvendësohej me “rregullore partie”. Migjeni e pa realitetin si tragjedi sociale, Lasgushi si ëndërr poetike, Mehdi Frashëri si debat politik, e të gjithë bashkë si një iluzion kombëtar. Ata deshën ta fisnikëronin mendimin, por Shqipëria i kërkoi heronj, jo mendimtarë. Dështuan sepse folën për ideale në një vend që kërkonte bukë, për kulturë në një shoqëri analfabete, për moral në një kohë kur pushteti ndërrohej me pushkë.

Në kohën e Zogut, inteligjenca shqiptare kishte më shumë libra sesa tituj, më shumë ide sesa interesa. Ishin njerëz që gabonin ndoshta politikisht, por jo moralisht; ishin të përçarë në bindje, por të bashkuar në dinjitet. Pas ’90-s, panorama ndryshoi si nga bardhë e zi në shumë ngjyra, pak përmbajtje. Ben Blushi u shpall “Rousseau i tranzicionit” për sa kohë që botoi një roman politik, pastaj u bë reformator pa reformë. Zëri kritik i Blushit tani ka më pak peshë. Ikona e “profetit të letrave” është zbehur për shkak të imazhit të “biznesmenit të medias”. Thellësia e tij shihet si “strategjike” dhe e llogaritur, jo e sinqertë, gjë që e delegjitimon atë si një udhëheqës të mendimit intelektual. Ndërsa Fevziu është një mjeshtër i sipërfaqes. Ai di të pyesë, por rrallë gërmon thellë. Formatet e tij shpesh shërbejnë si lavatriçe publike për politikanët, ku çdo gjë diskutohet, por asgjë nuk zgjidhet. Kjo mungesë guximi për të thyer tabutë e vërteta dhe për të vënë gishtin aty ku dhemb vërtet, e bën atë një “intelektual” të rehatshëm, por jo një udhëheqës të mendimit. Lorenc Vangjeli gjeti filozofinë në qetësinë e korrupsionit: “Sistemi nuk është perfekt, por na mban të gjithë gjallë.” Andi Bushati shpiku “opozitën dixhitale”, një revolucion që zhvillohet ekskluzivisht në Facebook, me hashtag patriotikë. Ndërsa Besnik Mustafaj, që nisi si poet i lirisë, mbaroi si diplomat i ekuilibrit, një shembull klasik i mënyrës shqiptare për të ruajtur idealin pa e rrezikuar postin.

Por ironia më e madhe qëndron te qëndrestarët e vërtetë të regjimit komunist. Ata u gjendën pas ’90-s brenda të njëjtit sistem me ish-persekutorët e tyre, tashmë të rilyer si demokratë. Problemi ishte se falja u kthye në harresë, dhe harresa në bashkëqeverisje. Në vend të elitës që pyet, Shqipëria ka prodhuar elitën që përshtatet. Filozofi është bërë komentator politik, shkrimtari është shndërruar në dekor për ceremonitë e pushtetit, juristi në zëdhënës të ligjit të fortit, historiani në mbartës të miteve kombëtare të rreme. Kështu, vendi është zhytur në një anarki simbolike, ku çdo ide, çdo vlerë, çdo e vërtetë relativizohet sipas interesit të çastit.
Përse Shqipëria, ndryshe nga vendet e civilizuara të Perëndimit, nuk ka njohur kurrë një proces të qëndrueshëm kalibrimi të ndërgjegjes shoqërore? Kjo nuk është një pyetje thjesht historike, por ekzistenciale, sepse prek themelin e vetëdijes kombëtare, atë forcë të brendshme që i lejon një kombi të përballet me gabimet e veta, t’i kuptojë dhe t’i shndërrojë në mësim moral.
Në Perëndim, rruga drejt ndërgjegjes ka qenë gjithmonë e mundimshme, e shoqëruar me dhimbje, luftë dhe reflektim. Rilindja evropiane solli çlirimin nga errësira e dogmës. Revolucioni Francez rrëzoi fronet e frikës dhe ngjizi idealin e qytetarisë. Iluminizmi e bëri arsyen moralin e ri të botës moderne, ndërsa pas dy luftërave botërore, Evropa u detyrua të shikojë veten në pasqyrë dhe të përballet me hijet e veta: me nazizmin, kolonializmin dhe iluzionet e vetëpërkëdhelura të qytetërimit. Ky proces i dhimbshëm pastrimi moral krijoi kulturën e vetëkritikës, bazën e një ndërgjegjeje të qëndrueshme shoqërore.

Në Shqipëri, historia është jetuar si përrallë, pa reflektim. Ndërgjegjja kolektive ngjan me një laborator të braktisur. Ngjarjet përsëriten, heronjtë riciklohen sipas pushtetit,. e vërteta bëhet mall sezonal. Kemi ndërruar flamuj, por jo mendësi, historia ecën, ndërgjegjja mbetet në vend.
Përshtatshmëria shqiptare nuk është ves, por mekanizëm mbijetese. Ajo vjen nga frika për t’u përballur me të vërtetën. Kështu lind “njeriu fleksibël”: pa shtyllë, por me shumë antena, që nuk beson në vlera, por në interesa.

Në Perëndim, individi ndërtohet mbi përgjegjësinë morale. Në Shqipëri, morali është kolektivizuar: askush s’është fajtor sepse të gjithë janë pjesë e sistemit. Dhe kur faji shpërndahet, ndërgjegjja shuhet. Prandaj elitat tona s’e njohin autokritikën. Në vend të njeriut që pyet, u krijua ai që pranon; në vend të rebelit moral, oportunisti estetik. Shqipëria s’ka pasur filozofë që formojnë ndërgjegje, por mendimtarë që zbukurojnë pushtetin. Tragjedia jonë është kjo: për të mbijetuar, kemi sakrifikuar vetëdijen. Dhe çdo brez rifillon nga e para, jo se s’ka kujtesë, por se kujtesa na shqetëson. Ndryshimi nis vetëm kur vetëkritika të shihet si emancipim dhe leximi si reflektim, jo si vetëkënaqësi.

Nëse Perëndimi ka mësuar të ndërtojë vetëdijen përmes leximit kritik të veprave të mëdha, Shqipëria ende lexon për t’u vetëngushëlluar. Kadare mbetet kështu një “pasqyrë” e ndaluar: të gjithë e citojnë, por pak kush e kupton. Ai nuk i përkiste vetëm letërsisë, por një projekti të madh kulturor, atij të ndërgjegjës kombëtare që di të reflektojë mbi vetveten. Derisa të mësojmë ta lexojmë Kadarenë jo si një mit të paprekshëm, por si një manual të ndërgjegjes shqiptare, do të mbetemi peng i iluzioneve tona. Derisa historia jonë të mos lexohet më si një epope lavdishme, por si një refleksion ku duhet të shohim plagët e vetes, nuk do të ecim përpara. Duhet të mësojmë të kërkojmë reflektimin, jo lavdinë; të mësojmë nga përvoja botërore, jo ta përbuzim atë si të huaj. Përndryshe, do të vazhdojmë të rrotullohemi në të njëjtin vend: krenarë për një të kaluar që nuk e kuptojmë dhe të verbër ndaj një të ardhmeje që nuk e ndërtojmë.

Filed Under: ESSE

“Eleganca e lotëve” dhe “vajza e karafilave”

November 14, 2025 by s p

Luan Rama/

E lexova në dorëshkrim këtë libër që do të doja të ishte një roman historik dhe jo në kuadrin e dëshmisë historike dhe kjo, pasi më tërhoqi shumë, jo thjesht për kujtimet mbi gjyshen dhe “elegancën e lotëve” të saj, pikturuar nga një piktor hebre, por për atë vajzë adoleshente që merrte udhën e burgjeve të familjarëve të saj që sa më shumë merrte ato udhë aq më shumë e kuptonte atë botë totalitare. E pikërisht kështu ndodhi ajo që ndodh rrallë të jepesh tërësish pas asaj vajze që në çdo udhëtim burgu ajo rritet, trishtohet, revoltohet nën zë, pajtohet me vuajtjen dhe kapet fort pas asaj gjysheje që e ka rritur, pa mundur ta ndihmojë atë në dramën e saj të madhe, me dy dashuri të mëdha që s’mundi ti gëzonte gjatë, i pari, burri i saj, një atdhetar ikur pas çlirimit në Amerikë dhe mbetur atje gjer në vdekje, si kundërshtar i regjimit të Hoxhës, dhe tjetri, biri i vetëm, i burgosur, që do të endej nga një burg në tjetrin.

Nuk më ka ndodhur ndonjëherë ta vë veten në vendin e autorit të një libri dhe të hyja kështu në “infraction” dhe pa të drejtë në botën e saj ashtu siç e shfaq ajo, të jem mes personazheve të saj realë dhe të krijoj ndërkohë në mendje, larg saj, dialogje, fjalë, me një zë “off”, duke hyrë në botën e romanit që nisa të dëshiroj dhe që ajo vajzë adoleshente të niste të ma tregonte atë çka ajo ka ndjerë, përjetuar, frikën për humbjen e njerëzve më të dashur siç ndjejnë fëmijët, pafajësinë e saj me realitetin e egër e brutal, me ëndrrat dhe zhgjendrat e saj, pasi kuptohet se ç’ndodh në jetën e një adoleshenteje, i cili, në vend që të gëzojë botën, duhet të marrë udhët e burgjeve të shumtë, midis erës dhe dëborës, në atë bukuri që të “vret” sytë kur të shfaqen telat me gjemba dhe imazhet e kampit të Qafë Barit me 300 kthesat e tij, në magjinë e maleve me dëborë. Kur Iris Halili shkruan për udhëtimin gjatë kthimit nga burgu i Zejmenit dhe Mjeda për në Tiranë, unë pashë një skenë filmi që do të doja ta shihja gjatë, me atë vajzë që zbulonte kthinat e asaj lokomotive dhe ata njerëz të mirë që transportonin një tren mallrash, në natën e bukur e plot yje, nën kupolën qiellore kur ndonjë yll binte e që siç ndodh zakonisht fëmijët thonë dëshirat e tyre… gjithë kjo do të ishte për faqet e një romani si të ishte një copëz e “Doktor Zhivago-s”. Ç’kontrast i bukurisë qiellore dhe raskapitjes së gjyshes dhe nënës, që pas një kalvari udhëtimi ato nuk arritën ta shihnin njeriun e tyre të dashur. Ç’kontrast i pafajësisë me botën e dëshpërimit.

Sigurisht, gjithçka që shkruaj, nuk i heq asnjë vlerë këtij libri të botuar nga “Onufri”, aq të nevojshëm në rradhën e veprave-deshmi të një historie që mbetet aq e prekshme në botën shqiptare. Por si lexues, dhe ndoshta pa të drejtë, dëshira më shtyn drejt romanit dhe besoj që autorja do të m’a falë këtë ndërhyrje pasi në formën e romanit historik, parë në optikën e udhëtimeve të njëpasnjëshme të kësaj adoleshenteje në udhët e largëta të burgjeve, do ta bënte atë një vepër unikale dhe për lexuesin përtej kufijve shqiptarë, pasi për mua, në botën e Lindjes europiane të shoqërive ish totalitare, refleksionet mbi këtë kohë janë thënë por ajo që është një gjetje e jashtëzakonshme është pikërisht kjo bredhje në botën e burgjeve duke ndjekur gjyshen e saj. Është pikërisht kjo që më prek, më frymëzon, më bën të kthej sytë pas dhe në jetën time, në natën e gjatë të krakëllimës së armëve, në dënesën e njeriut të shtrenjtë që kërkon të fshehë lotët dhe të mbahet me dinjitet e të ruajë krenarinë ku udha e shpresës është tepër e gjatë. Është ajo vajzë, sytë e saj, brishtësia dhe ëndrrat që thyheshin para telave me gjemba, në takimet me të burgosurit, në dyert e Ballshit, të Qafë Barit, Burrelit, Ballshit, Zejmenit…

Çdo udhë është një kalvar. Një mësim historie përmes artit të shkrimit. Një kalvar gjithnjë i ngjashëm e njëkohësisht i veçantë, një ritual me kujtime të tjera, me shpalosje të tjera të shpirtit të plagosur dhe pyetjet e panumurta të asaj adoleshenteje: kur vallë do të mbarojë ky kalvar, kjo errësirë e pafund? Lënda është tashmë në këtë libër, ndodhitë historike, e po ashtu dhe personazhet e ndryshme të shoqërisë përreth që simbolizojnë njëkohësisht tipa e karaktere të jetës shqiptare të asaj kohe totalitare, ku tashmë na mbetet të hyjmë ndryshe në botën e këtij afresku, të ecim dhe ne në ato rrugë që nuk i kemi shkelur, të humbim shpresën dhe ta rifitojmë atë, ta ringjallim, të ndezim dritën e besimit.

Kur mbarova së lexuari këtë libër m’u shfaq përsëri ajo “vajza me karafil” në sfondin e telave me gjemba të burgut të Ballshit. Karafilë në burg dhe një prift bahçevan që s’ishte tjetër veç një humanist i madh, At Zef Pllumbi. Një skenë gjeniale e përjetuar realisht kur daja i saj i sillte karafilat e priftit, diçka frymëzuese për këdo aq sa dhe unë këtu, kaq larg sa jam, e ndjej aromën e atyre karafilëve, se ndryshe nga “Ferri” i Dantes, në burgun shqiptar kishte njerëz që mbillnin karafilë për një botë tjetër. Këta karafilë do na e kujtojnë gjithnjë atë.

Pas këtij libri prekës, a do të kemi nesër një roman? Nuk di pse do doja që Irisi ta kapërcente pragun dokumentar për të parë afreskun e një botë më të plotë, ku në qendër të vendosej pikërisht kjo vajzë dhe përjetimet e saj. Çdo udhë drejt një burgu, është një kapitull jete dhe midis çdo udhe shoh gjithë atë botë njerëzore që përjetohet nga “vajza me karafilë”. E uroj me zemër këtë autore që më bëri ta ndjej thellë jetën e saj dhe të shoh gjatë në retinën e syve të saj atë çka është ngjizur e që nuk shqitet më.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT