• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njё arap Vlore qё quhet Otello

January 25, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Me Otello, Arapi i Vlorës , Ben Blushi sjell në letrat shqipe librin më të mirë të dashurisë. Sёrish na intereson universalja si koncept, fabula intriguese, shkrimi si art mё vete, shkrimtari i çliruar nga skemat dhe origjinaliteti. Blushi i ka rrokur nё njё dorё tё gjitha kёto. Çudia ёshtё ulur diku, andej, nga njё kёnd gjoja i parёndёsishёm: letërsia e tij ёshtё tërësisht frojdiste.

Autori ka arritur tё krijojё një roman ku klasikja, romantikja e modernia gërshetohen mjeshtёrisht në një mit universal dhe kjo ёshtё shenjё edhe e letërsisë bashkëkohore më të sukseshme nё botё.

Lexojmё: mendimi pёrshkon gjithё librin, ёshtё filli lidhёs i karaktereve, vёzhgimi i hollё tё depёrton, pёrfundimi nuk ёshtё njё, po njё sistem i tёrё pёrfundimesh qё kthehen nё filozofi jete. Blushi e sheh botën me sy të zhveshur, krejt të lirë, vetvetishëm, sikurse duhet të shprehet shkrimtari i mirfilltë.

Është i mbushur me elemente tё njё feje qё besohet, aq sa ta gjejё atje revoltën për dashurinë. Është aq familjar, sa të vlerёsojë kanunet e kёsaj bёrthame tё vogёl tё shoqёrisё, por pa hezituar ta ndajë dashurinë prej saj, duke e përcaktuar si një perandori më vete, apo si “e vetmja sëmundje ngjitëse qё duhet përballuar” . Si kurorёzim i gjithçkaje, triumfon lirija dhe dashuria, si e vetmja zgjidhje e mrekullueshme, që të gёzon, tё mbush e tё zbras nё tё njёjtёn kohё, pasi kёto janё ndjenja “gjithmonë të pangopura” . Kjo është edhe fjalia e fundit e romanit. Po pse shpresonim nё njё mbyllje tjetёr mё teatrale, me fjalё tё latuara e tё lumtura?! Ndoshta, sepse kjo ёshtё skema e njё pёrralle. Por, ai, kasten, i shmanget.

Sipas Blushit, të gjitha historitë, zgjidhjet, luftrat apo intrigat bëhen vetëm në emër të dashurisë, dallgёt e sё cilёs shtyjnё pёrpara jetёn qё i pёrngjan njё anijeje.

Dashuria ёshtё gjithkund. Nuk nguron ta bёjё reale kёtё ndjenjё qё mendja shpesh e fut nё njё strofull virtuale. E ndesh nё çdo faqe, nuk njeh konvencione, nuk njeh Bibёl, Kuran, as Afrikë, apo Europë, as vlonjat, as venedikas, as burrё, as grua, as të pasur, as të varfër, as pasha, as komandant, as prijës, as piktor, as të bardhë, as të zi. Perandorinë e dashurisë e vendos mes shpirtrave, por edhe trupave. Sepse dashuria është ashti: ekziston si lëng, si trup, si gotё, domethёnё ёshtё materia dhe qiellorja. “Gratë në fillim prekin trupin dhe lëkurën dhe pasi i kanë pushtuar ato, kërkojnë zemrën dhe shpirtin. Otello, e kishte dhe zemrën dhe shpirtin, por lëkura ia kishte mbuluar të dyja. Desdemona ishte trembur nga lëkura e tij. Nuk mund ta donte sepse ai ishte Arap..”

Dhe e vёrteta e madhe: dashuria nuk gjendet lehtë, humb po aq lehtë nёse nuk e shtrёngon fort dhe, bie nga qielli pikё-pikё, si shi i dёshiruar nё krahёt e njё shkretёtire. “Duke zgjedhur atë që do, mes gjërave apo njerёzve që nuk do, e mëson shpirtin dhe trupin tënd t’i kushtohet diçkaje, që pasi mendon se të duhet, mund ta duash dhe nëse vendos ta duash, përpiqesh ta marrësh dhe nëse e merr, lufton që ta mbrosh dhe, nëse e mbron, detyrohet ta ruash, sepse nëse nuk e ruan, e humb” .

Të bën të mendosh se dashuria është në ajër. Nuk mjafton ta shikosh, ta gjesh, por më e vështira është ta bësh tënden, duke mos harruar kurrë ta ushqesh. Me përcaktime gati çehoviane, Blushi e konsideron dashurinë një sëmundje qё shёrohet vetёm nga vetvetja, ripёrtёrihet nga forca e madhe qё lind ndjenja e madhe.“Plagët e dashurisë kanë një veti: ato nuk i shëron asnjë ilaç tjetër, përveç dashurisë. Plagët e thikës nuk mbyllen me thikë, plagët e zjarrit nuk shuhen me zjarr, ato të murtajës nuk zbuten me murtajë, ndërsa plagët e dashurisë qetësohen vetëm me dashuri. Dashuria është edhe sëmundja edhe ilaçi i dhembjeve të veta” .

Dashuria është sublime, sfiduese, i mbijeton çdo rregulli, guri a huri. “Lëngu i dashurisë nuk vjetërohet. Vitet nuk e kalbin, por e forcojnë. Njerёzit kanë arritur t’i shpëtojnë dashuritë e tyre edhe pse i kanë lënë të presin në shi, i kanë hedhur në det, i kanë harruar në rërë, apo i kanë groposur në male..Por dashuria është më e fortë dhe prandaj atë e trajtojnë keq, duke ditur se ajo i mbijeton çdo klime” .

Të gjitha karakteret e Blushit janë karaktere që dashurojnë me mënyrën e tyre dhe që lexuesi i njeh pak a shumë prej Shakespear-it dhe veprёs sё tij Tragjedia e Otellos, arapit tё Venetikut . Po t’i referoheshim Roland Barthes-it, semiologut francez, do të thoshim se Blushi ka “vjedhur” mitin shekspirian të xhelozisë. Sipas Barthes-it, simbolet e njerёzimit janë vërtitur gjithmonë rreth një universialiteti dhe artet s’kanë bërë gjë tjetër veçse tё “vjedhin” këto simbole apo mite. Kohё pas kohe, shkrimtar pas shkrimtari, ato transformohen, çmitizohen, domethёnё, mund t’u jepet krejt një tjetër pamje, ose të merren të plota duke u “vjedhur” tërësisht. Ajo që sjell origjinalitetin dhe krijon artin e mëvetësishëm, është forma me të cilën përcillet miti nëpërmjet gjuhës artistike . Po të vazhdonim me kёtё teori, do të thonim se tek romani “Otello, Arapi i Vlorës” kemi transformimin e mitit shekspirian, pa shkuar deri në çmitizim tё tejskajshёm, përderisa janё ruajtur pikё pёr pikё konvencionet e emrave apo simboli i shamisë sё tradhёtisё. Dashuria ёshtё, nё tё dyja veprat, fija lidhëse e pandarë që vë në lëvizje të gjitha ngjarjet. Miti i transformuar tek Blushi, shtrihet në dy kontinente gjeografike, por në tre botë të ndryshme historike: në Venedik, shkretёtirë afrikane dhe Vlorë. “Nje vit në Vlorë ishte më shumë se një vit në shkretëtirë, dhe një vit në shkretëtirë ishte më shumë se një vit në Vendik” , shkruan. Përcaktimi më i mirë i secilёs botё vjen nga krahasimi qё bёjnё personazhet e librit që udhëtojnë sa andej këndej. Dhe për të treguar ndryshimin, Blushit i duhet shumë art, që atij s’i mungon, i duhen shumë hollёsi e hulumtime historike, zbёrthime psikologjike, njohje kulturore e djersitje klimaterike. Dhe na jep devizën e madhe, se popujt dallohen edhe nga mënyra si dashurojnë. Pёr tё bёrё kёtё, i mjafton vetëm një personazh, Otelloja dhe shumё tё tjerё, çikёrrima, në funksion të tij. Otello, një personazh i dashuruar, që përpiqet të pёrjetojë dashurinë e tij, rrethuar nga të tjerë. “Vjedhja” e mitit vazhdon edhe tek detaji i shamisë. Në të dy tragjeditë, shamija bëhet shkak për vdekjen e Desdemonës, vetёm se tek Shakespeare-i shamija e gjendur në xhepin e Kasos, e vënë nga Jago, krijoi xhelozinë e tërbuar të Otellos, ndërsa Otelloja i Blushit është i brishtë në karakter, por i fuqishëm në dashuri, aq sa të mund ta përballojë xhelozinë dhe të përpiqet edhe një herë për ta fituar atë. Dashuria si koncept duket disi e transformuar nga i pari tek i dyti, sikur rrugët nga dhe tek dashuria janë hedhur krejt tё transformuara. Ndryshe nga Shekspiri, Blushi beson se dashuria është triumfuese ndaj tradhëtisë, apo të paktën heroi i tij, Otello, beson kështu. Thotё: “Si çdo burrë, edhe ai do të qetësohej, me shpresën se mund të merrte nga krahët e një burri tjetër gruan që kishte dashur, pavarësisht se ajo ishte pak e shkopsitur dhe ndoshta e mbushur me vulat e dhëmbëve të tij. E megjithatë Otello do ta falte. Si çdo burrë ai donte Desdemonën dhe jo të shkuarën e saj. Në fund të fundit dashuria është më e fortë se tradhtia, sikundёr e ardhmja është më e fortë se e shkuara. Tradhtitë bëhen në të shkuarën, dashuritë në të ardhmen dhe prandaj dashuritë janë të lidhura me shpresën, ndërsa tradhtitë me harresën” .

Nё thelb, edhe tё kёsaj vepre, ёshtё raporti dashuri- xhelozi, dy ndjenja tё fuqishme njerёzore qё ndёrtojnё dhe shkatёrrojnё, nё tё njёjtёn kohё. Dashuria nuk jeton dot pa xhelozinё dhe kjo e fundit ёshtё si ai krimbi i vogёl qё e shoqёron pa u ndier dhe e gёrryen. Jagoja, sёrish ushqen ligёsinё, xhelozinё, sёrish brenda tij rreh njё zemёr e vogёl, qё bёn tё duket e vogёl edhe kёtё ndjenjё tё madhe qё shpesh mendon vetёm pёr vete, e shpesh mbushet me njolla tё çuditshme, tё zeza, qё quhen xhelozi.

Brenda një romantizmi dhe fataliteti të tillë, ndërtohet Otelloja e Blushit. Ai arrin të krijojë një tekst origjinal, tё ndërtuar tërësisht nga një rrëfim i gjallё, me ngjyra tё llojllojshme qё i vishen edhe intrigave rrёnqethёse, edhe mendimit universal që pёrshkruan çdo hollёsi të një mjedisi shqiptar, vlonjat më saktë, nё dukje periferik.

Çelёsi pёr zbёrthimin e shumё episodeve, ёshtё psikoanaliza. Pas traditës modeste të Migjenit dhe Ernest Koliqit, Ben Blushi është ndёr tё parёt shkrimtarё shqiptarё tërësisht frojdist. Kjo duket që nga përcaktimet që bën për jetёn dhe ekzistencën në pёrgjithёsi, e deri tek ndërtimi i karaktereve, që janë tërësisht prototipe frojdiste. Fëmijëria, si mosha vendimtare që përcakton karakterin e njeriut, meriton edhe vёmendjen e Blushit. Ai thotё: “Çdo vendim që marrim e ka burimin tek fëmijëria jonë. Urrejtja, dashuria, tradhtia, lumturia dhe xhelozia. Fëmijëria i mëson njeriut të gjitha artet e shpirtit, sepse është e vetmja shkollë në të cilën të drejton instikti dhe jo vullneti. Njeriu rritet dhe plaket duke humbur fëmijërinë e vet dhe prandaj i kërkon aty përgjigjet e çdo ndryshimi që i ndodh” .

Jago, ky karakter tjetër i huazuar nga miti shekspirian, sipas psikoanalizës, do të cilësohej si nekrofil i lindur. Marrëdhënien e tij me motrat e zbërthen Freud-it me teorinё për nekrofilinë apo xhelozinë për motrën a vёllanё e vogёl, tё sapolindur . Kompleksi i Edipit nga i cili Jago nuk u çlirua dot kurrë, është djepi ku rritet dhe vepron nekrofilia e tij. Edhe fizikisht Blushi e përshkruan Jagon me tiparet dalluese të një nekrofili me sy vjollcë dhe flokë të kuq dhe që përgjatë gjithë kohës ndërtohet si vetë “thelbi i problemit”. Të sqarojmë lexuesit se Jago i Blushit, sikundёr ai i Shakespear-it, duket si personazh dytësor në roman, por nё tё vërtetё, ai ёshtё “zoti” vendimtar i fateve të personazheve kryesore, që mbeten pёrherё biofilë të brishtë. Marrja e Jagos si huazim shekspirian, por edhe si karakter, është bërë përsosur nga Blushi, deri në atë pikë sa askush nuk mund të thotë se është kopjuar, pasi janë tërësisht të kundërta rrethanat, arsyet pse e bëjnë Jagon të lig, apo veprimet e tij tё poshtra.

Po kështu “fshehja” e Desdemonës në shtëpi kur ishte ende e vogël. Ajo “luan” me të atin që rend me një përkushtim të pashembullt prej prindi për ta gjetur. Na shkon ndёr mend t’i japim njё kuptim psikoanalist kёtij episodi, sipas të cilit fëmija vepron sikur do të donte të vepronin të rriturit, çka do të thotë se Desdemona e vogël nuk e do praninë e të atit në shtëpi e pёrpiqet t’i fshihet atij. Aq i vërtetë është ky ngulmim, sa urdhёri i të atit pёr tё mёnjanuar dashurinë e Otello arapit, është shumë domethënës e të shpie tek teoria tjetër e Freud-it që ka të bëjë me kompleksin e Elektrës. Desdemona nuk u çlirua kurrë nga ky kompleks, ndaj dhe përfundoi nё mёnyrё tragjike. Vetë dashuria si një forcë e pavetëdijshme e konceptuar si e tillë nga Blushi, e gjen përgjigjen tek teoritë frojdiste.

Romani mbetet shumë origjinal dhe i guximshëm, për nga përcaktimet që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pavarёsisht se të gjitha ngjarjet në roman kanë si bosht dashurinë, Blushi ndalet gjatë në episode të trilluara historike, duke sjellë karaktere po kaq të trilluara, por të njohur historikisht, si Marko Polo, apo Balshajt. Themi se këto karaktere janë sa historike, aq edhe fictionale, sepse fantazia e shkrimtarit nuk rresht së ndërtuari ato literarisht, çka do të thotë, se ato duhen marrë pikë së pari si të tilla.

Sipas autorit, shqiptarët kanë gёzuar atё fat që u vinte i imponuar nga vetë karakteri i tyre. “Zoti i ka dhënë Vlorës gjithçka ka pasur në dorë: natyrën, detin, qiellin, diellin dhe erën, me përjashtim të njerëzve. Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë ta shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë” .

Diku, më përpara, autori shprehet: “Nganjëherë ngrihem natën dhe mendoj se sa e bukur do të ishte Vlora sikur ne të ishim më të zgjuar, më të dhimsur dhe më të ndershëm”. Pastaj: “Ai qytet ka më shumë vrasёs se peshkatarë, më shumë hajdutë se luftëtarë, më pak trima se kusarë”. Blushi na sjell ndër mend shkrimtarin Kasёm Trebeshina, pasi shkruan sipas stilit të tij dhe në gojë të personazhit që është emëruar thjesht Turku vë këto fjalë: “Nëse Shqiptarët do të dinin të ndryshonin veten, Vlora nuk do të ishte kaq e mjerë. Megjithatë, unë nuk i urrej ata. Urrejtja që kanë për njëri -tjetrin mjafton dhe më shijon sepse më shërben për t’i pushtuar sa më shpejt, pa i lodhur ushtarët e mi” .

Universialiteti i romanit mbështetet në të gjitha mesazhet që përcjell shkrimtari, të tilla që do të mbeten aktuale edhe për lexuesin e pas pesёdhjetё viteve. Boshti kryesor i romanit mbetet dashuria qё merret me shpirtrat. “Asaj nuk i interesojnë trupat, duart, këmbët , muskujt apo organet e tjera. Ato janë çështje mishi, jo dashurie. Për dashurinë, të gjitha zemrat janë njëlloj, pavarësisht se në cilin gjoks rrahin”, ashtu sikurse dashuria kalonte “nga fjala, bukuria dhe vetmia” .

Për të gjitha këto që thamë, mendoj se studiuesit e letërsisë, do të vazhdojnё të shkruajnë për Otello, Arapin e Vlorës, edhe nё tё ardhmen. Ndoshta një regjisor do të tundohej në realizimin kinematografik të këtij romani. Edhe pse do t’i duhej të punonte shumë për t’u hyrë në brendësi personazheve të Blushit, që janë vërtetё të vështirë për t’u përtypur. Ndoshta do tё tё duhen dy frymё pёr t’i parё e pёr t’i kuptuar, dy zemra pёr t’i dashur e shumё pyetje brenda vetes pёr të përballuar sinqeritetin e Blushit. Edhe ai vetё lodhet e shpërthen në pёrfundime apoliptike: “Si me të gjitha gjërat e vlefshme, edhe me fuqinë, shqiptarët, nuk lidhen për një kohë të gjatë. Ndoshta ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë fuqive të natyrës, diellit, erës, shiut, natës dhe tërmetit, por fuqitë njerëzore dinë t’i shkatërrojnë më mirë se kushdo duke i tradhtuar…. Copëtimi është arti i tyre. Ata ishin kundër çdo gjëje të madhe që u jepte mundësi ta zvogëlonin”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Iris Halili, Njё arap Vlore qё quhet Otello

Fetari Filozof

January 24, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj/

Feja dhe filozofia shpeshherë takohen me njëra-tjetrën te metafizika. Përveç kësaj, ato nuk kanë pothuajse asgjë tjetër të përbashkët. Të vërtetat universale feja i ka të zbuluara në një libër të caktuar (p.sh. Dhjata e Vjetër, Bibla, Kurani, etj.), të cilin nuk ka as lejen e as guximin ta vërë në dyshim. Për sa kohë që je besimtar i një feje, të vërtetat që zotëron ajo fe janë absolute, përfundimtare, universale dhe nuk mund të vihen në dyshim e aq më pak të hidhen poshtë. Pra, pak a shumë, feja e ka arritur fundin e historisë pasi i di të gjitha të vërtetat në mënyrë absolute. Në fakt, përdorimi i termit “fundi i historisë” na kujton librin e Francis Fukuyama me të njëjtin titull. Fukuyama në këtë libër hidhte idenë se tashmë njerëzimi në botën e zhvilluar perëndimore e kishte zbuluar dhe arritur tashmë fundin e historisë së vet në aspektin politik dhe ekonomik. Vetëm këtë të vërtetë përfundimtare pretendonte se kishte zbuluar Fukuyama dhe rrezikoi të bëhej aq qesharak sa u detyrua më vonë të shkruante librin “Second Thoughts”. Pra, filozofia dhe feja nuk pajtohen me njëra-tjetrën, pasi e para është gjithmonë në kërkim të së vërtetës, ndërsa e dyta i di të vërtetat të cilat për të janë të pandryshueshme. Filozofia dyshon mbi gjithçka, feja nuk dyshon mbi asgjë që ndodhet në librin e saj të shenjtë.

Filozofia nëpërmjet dyshimit dhe kërkimit të pafund të së vërtetës është kontribuues në zhvillimin e botës. Feja nga ana tjetër, me pasjen e të vërtetave absolute përfundimtare universale, ka ndaluar në zhvillimin e botës. Po t’i referohemi filozofit të madh gjerman, Immanuel Kant, në esenë e tij “Ç’është Iluminizmi”, botuar në revistën “Berlinische Nonatshrift” në vitin 1784, në lidhje me fenë, ai shkruan: “Të bashkohesh me një institucion fetar të pandryshueshëm, askush të mos e vërë në dyshim, qoftë edhe për një periudhë kohe të gjatë sa jeta e njeriut, e thënë ndryshe, të anulosh një periudhë kohe në progresin e njerëzimit drejt përmirësimit, ta shterpëzosh, madje ta bësh dëmprurëse edhe për pasardhësit, është absolutisht e paligjshme”. Pra, sipas Kantit, feja e cila pretendon që zotëron pa asnjë dyshim të vërtetat e universit dhe si pasojë është e pandryshueshme, madje e padyshueshme, është një pengesë në përparimin e botës dhe si pasojë duhet të shpallet e paligjshme. (Theksojmë këtu se Kanti në asnjë vepër të tij nuk e ka mohuar ekzistencën e Zotit.) Për sa kohë që filozofia dhe feja kanë këtë përplasje themelore, është e pamundur që një person të jetë edhe besimtar i një feje (islam, krishtërim, judaizëm) dhe filozof në të njëjtën kohë. Mund të jetë fetar dhe studiues i filozofisë, por kurrsesi nuk mund të jetë fetar dhe filozof për sa kohë që nuk vë në dyshim asgjë nga Kurani, Bibla, Dhjata e Vjetër apo ndonjë libër tjetër i konsideruar i shenjtë. Dikush që i di të vërtetat e botës, madje dhe të universit, dhe nuk guxon t’i vërë në dyshim ato, e ka të pamundur të jetë filozof, detyra e të cilit është të vërë në dyshim çdo gjë dhe të rendë pa fund pas të vërtetave.

Në fakt, në histori njohim disa fetarë të cilët kanë shkruar libra me pretendime filozofike. Të tillë mund të përmendim Shën Agustinin, Thoma D’Akuinin, Al-Ghazalin, Al-Farabin, etj. Pikërisht këtu na del në shteg teologjia, e cila merret me studimin e feve. Shpeshherë teologët, kryesisht besimtarë të një feje, përdorin mjetet, konceptet, qasjen filozofike për të shpjeguar apo mbështetur një fe të caktuar. Pra, ata nuk kërkojnë të zbulojnë të vërtetat pasi të vërtetat për ta janë të shfaqura prej kohësh në librat fetarë. Ata thjesht mundohen që nëpërmjet qasjeve filozofike, t’i arsyetojnë ato. Kjo në fakt më kujton kohën e regjimit komunist në Shqipëri, ku në shumë fusha, të vërtetat i caktonte partia dhe shkencëtarëve iu mbetej vetëm t’i vërtetonin ato. Teologu mund të jetë ose jo fetar. Ai mund të studiojë fetë, duke besuar ose jo në ndonjërën prej tyre apo edhe në Zot. Madje mund të jetë teolog dhe klerik në të njëjtën kohë. Pavarësisht kësaj, si klerik ai ka një detyrë të caktuar, ndërsa si studiues, ka detyrë tjetër. Po t’i referohemi sërish Kantit në të njëjtin shkrim, ai shprehet: “Përdorimi që i bën një famullitar arsyes së tij përballë bashkësisë është vetëm një përdorim privat, meqenëse kjo është gjithmonë një mbledhje familjare, sado e madhe; përballë saj ai, si prift, nuk është i lirë, madje s’duhet të jetë, sepse zbaton një detyrë të ngarkuar nga të tjerë. Nëse ai gjen në fe diçka kundërshtuese, nuk mund ta administrojë pozicionin e tij me ndërgjegje, kështu që duhet ta braktisë. E kundërta, si studiues, kur i drejtohet publikut me mendimet e veta, domethënë gjithë botës, pra si klerik por në përdorimin publik të arsyes vetjake, gëzon liri të pakufizuar për ta shfrytëzuar arsyen e tij dhe për t’iu folur të tjerëve në vetën e parë”. Ky është dallimi që kleriku dhe teologu duhet të kenë, edhe pse mund të jenë i njëjti person.

Pra, fetari, kur e vendos arsyen në përdorim privat, mbetet thjesht një zbatues i doktrinës fetare. Kur e vendos arsyen në përdorim publik, ai mund të bëhet teolog, mund të dalë nga besimi i tij fetar, madje mund të bëhet edhe filozof. Ai ka mundësi të bëhet filozof atëherë kur vë në dyshim çdo gjë dhe është gjithmonë në kërkim të të vërtetave, duke lënë sërish hapësirë për dyshim në çdo të vërtetë që mund të zbulojë. Fetari nuk mund ta vërë në dyshim fenë e tij për sa kohë është i tillë. Mirëpo, pa vënë në dyshim fenë dhe ato çka thotë feja, ai mund të jetë teolog, por nuk mund të jetë filozof. Kështu që atij i duhet të zgjedhë ndërmjet fetarit dhe filozofit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viliem Kurtulaj

KONTRIBUT  PËR GJEOGRAFINË HISTORIKE TË  POPULLIT  SHQIPTAR

January 23, 2023 by s p

Peter Bartl-Injac Zamputi, Vincenzo Zmajevich- Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703), Botoi:  Albanisches Institut –Faik Konica, St.Gallen-Prishtinë, 2022

Në jetën e një populli  nuk janë të rrallë rastet ku disa personalitete kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarje të ndryshme, të cilat janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Ne këtë gamë të çështjeve  te shqiptarët  në të kaluarën  vend nderi  zënë klerikët e nderuar si Buzuku, Bogdani, Bardhi, Budi etj., ndërsa  këtyre iu shtohet edhe teologu Vinçenc Zmajeviqi i cili veçohet me dy kontribute me peshë të veçantë. E para është roli i tij në organizimin e Kuvendit të Arbrit(14 janar 1703) dhe e dyta, ka të bëjë  në emigrimin dhe vendosjën e shqiptarëve nga krahina e Krajës dhe e Shestanit në Zarë  të Dalmacisë në vitin 1726. 

Dr.Nail  Draga

Por, ky personalitet  i nderuar në sajë të angazhimit jo vetëm teologjik ka mbledhur të dhëna me interes për shqiptarët që i ka shkruar në veprën Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703) e cila për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur për opinionin e gjerë, por në sajë të angazhimit të përbashkët në mes Institutit Shqiptar në St.Gallën në Zvicër dhe SHB”Faik Konica”në Prishtinë, na vjen e botuar në shqip në vitin 2022.

Në sajë të informacionit që disponojmë, Relacioni i ipeshkvit Vincenc Zmajeviqit i vitit 1702/1703 është vepër e tre autorëve: Vincenc Zmajeviq, Peter Bartl dhe Injac Zamputti. Zmajeviqi e ka shkruar këtë relacion nga vizita apostolike në ipeshkvitë e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1702/1703. Këtë relacion e ka botuar italisht (versioni i arkivit të Vatikanit) Peter Bartl më 1979 në librin “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte Im 17. Und 18. Jahrhundert“ fq. 1-186, përcjellë me shpjegime e shënime nga vet Bartl-i. Ndërsa në shqip është përkthyer nga Injac Zamputti më 1988, që ishte përkthim i pabotuar deri tani.

Autoritet i kohës së tij 

Vincenc Zmajeviqi ka lindur në Perast (Mali i Zi i sotëm) më 23. 12. 1670 në një familje kroate e njohur në historinë e rajonit dhe më gjerë.  Me ndihmen e xhaxhai i tij, Andrija Zmajeviqi,i cili  ishte ipeshkëv i Tivarit (1671- 1694),  dërgohet në “Collegium Urbanum” në Romë, ku përfundon studimet në filozofi e teologji, ku edhe   doktoroi më 30. 03. 1695. Pas shugurimit meshtarak, më 1696 kthehet në vendlindje dhe emërohet famullitar në Perast. Më 1701 papa Klementi XI e emëroi ipeshkëv të Tivarit me dekretin: “Vicentius Zmajevich, archiep. Antibarensis 8 Iulii 1702 deput. visit. apost. ecclesiarum et missionum prov. Epiri seu Albaniae iuxta decr. S. Congr. Prop. 13 Iun. 1702 emanatum et a S.S. 19 Iun. 1702 approbatum”. Vincenc Zmajeviqi ishte ipeshkëv i Tivarit deri sa u emërua ipeshkëv i Zarës në Kroaci, më 1713, ku edhe vdiq më 11.09.1745. 

Pas emërimit të tij ipeshkëv i Tivarit më 1701, Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) emëroi Zmajeviqin Vizitator Apostolik në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari, dhe këtë vizitë e filloi në shtator të vitit 1702 e që zgjati deri në shkurt 1703. 

Pasi Zmajeviqi kishte vizituar si i dërguar i Vatikanit ipeshkvitë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bullgari, kishte parë gjendjen e mjerueshme të katolikëve shqiptarë, jo vetëm materiale por edhe organizative, strukturore nën Perandorinë Osmane. Një situate e tillë aspak e favorshme  ndikoj  që  ai të ndërmarrë diçka konkrete për Kishën Katolike në trojet shqiptare. Kështu falë Zmajeviqit u thirr dhe u organizua  Kuvendi i Arbrit i cili u mbajt më 14 dhe 15 janar 1703 në Mërçi në afërsi të Lezhës, ku u tubuan ipeshkvijtë e klerikët katolikë, apo më mirë të themi, përfaqësuesit kishtarë shqiptarë për të diskutuar dhe vendosur rregulla për jetën kishtare në trojet shqiptare.

Gjatë historisë kishtare, organizime ipeshkvore apo ndëripeshkvore ka pasur edhe më parë  por “Kuvendi i Arbrit” ishte me përmasa të mëdha, pasi për këtë ishte informuar mirë Papa Klementi XI dhe dokumentet e botuar pas Kuvendit ishin të shumta, latinisht e pastaj edhe shqip, me interes shumëplanesh studimi,  si kishtare, historike, gjuhësore, gjeografike e  etnografike, duke qenë i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar.

Relacioni i vitit 1702/03 i Zmajeviqit nuk është me interes vetëm për historianët e shekullit XVII. Përmbajtja e tij do të mund të përshkruhet në pika të shkurtra kështu. Faqet e para ia kushton gjendjes jo vetëm historike shqiptare, por edhe asaj ekonomike, pozicionit gjeografik, dioqezave në trojet shqiptare, gjendjes së mjerueshme të të krishterëve nën sundimin e Perandorisë Osmane, por edhe kritikat ndaj klerit katolik nuk mungojnë. Në këtë pjesë, Zmajeviqi shkruan se duhet thirrur një koncil provincial shqiptar, çka edhe bëri më 1703 (Kuvendi i Arbrit). 

Përshkrimet e Zmajeviqit në këtë relacion janë detaje për kohën, jo vetëm për jetën e besimtarëve apo të klerikëve, për hapësirën gjeografike që ai vizitonte, për shkatërrimin e kishave, tjetërsimet nëpër kisha, por jep edhe numra të saktë të besimtarëve katolikë nëpër famulli. Në këtë kohë, siç dihet, islamizimi kishte shtrirë rrënjët jo pak në popullin shqiptar dhe jeta ishte tejet e vështirë jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që ishin islamizuar. Kishte edhe të tillë që, në brendi mbaheshin të krishterë, kurse jashtë si myslimanë. 

Relacioni trajton, me nga një kapitull të veçantë, dioçezat që ai vizitonte e ku jetonin katolikët, si ato të: Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës, Administratën e Durrësit, Budues, gjendjen e kishave të Serbisë dhe Administratën e Shkupit, gjendjen e të krishterëve në Bullgari. Jep po ashtu edhe ide për dalje nga kjo gjendje e mjerueshme, nevojat e misionarëve françeskanë etj. Kemi të bëjmë me një relacion të detajuar nga një indvidë I përgatitur jo vetëm në aspektin teologjik, që ishte model për kohën kur është shkruar,por e them pa hezitim se  mund të shërbejë model edhe për kohën tonë, duke ofruar të dhëna me interes  shumëdimensional.

Vendbanime të shpopulluara

Duke  analizuar  këtë botim ku ofrohën të dhëna për një numër të konsideruar të vendbanimeve, unë me këtë rast jam përcaktuar për disa vendbanime të cilat sot janë në kuadër të Malit të Zi. Pikërisht duke marrë parasysh   të dhënat  për vendbanimet e prezantuara në kuadër të famullive të tyre, del qartë se në ditët tona pas me shumë se tre shekujve disa vendbanime nuk ekzistojnë me. Ata janë shpopulluar  për shkaqe të ndryshme të kohës qoftë  në sajë të emigrimit, sëmundjeve të ndryshme apo çështje të tjera sociale  dhe si të tilla i takojnë gjeografisë historike. Në këtë aspekt na ndihmojnë edhe hartat e publikuara për kohën përkatëse për të deshifruar më saktë vendndodhjen e tyre.

Shasi-famullia kryesore në Anë të Malit 

Me këtë rast dua të ceki disa të dhëna qe kanë të bëjnë me famullitë në  Anë të Malit,  sepse kemi të bëjmë me disa  të dhëna me interes gjeografik, historik e etnografik. 

Kështu për famullia krysore e Anës së Malit është ajo  e Shasit  e cila përbëhëj nga  9 vendbanime (Brija, Shasi, Milla, Krytha, Kllezna, Brajsha,Selita, Suma dhe Bukmira)  të cilët gjithsejt kanë 114 shtëpi me 923 banorë, ndërsa në aspektin fetarë ishin: 69 shtëpi katolike dhe 602 banorë, 41 shtëpi myslimane me 290 banorë si dhe 4 shtëpi ortodokse me 31 banorë. 

Nga këto vendbanime më së shumti shtëpi katolike  kishte Milla 18 shtëpi me 171 banorë, duke pasuar nga Brija e Kllezna. Ndonëse ishte seli e famullisë Shasi kishte 1 shtëpi katolike me 3 banorë,ndërsa kishte 12 shtëpi myslimane me 90 banorë, dëshmi e  procesit të islamizimit të popullsisë shqiptare, duke filluar nga viti 1571, nga koha kur Shasi  është okupuar e shkatërrur nga Perandoria Osmane. Ndonëse para okupimit Shasi ishte ipeshkvi, nga ajo traditë kishtare tash kishte statusin e famullisë, me numër minimal të banorëve. 

Në relacion V.Zmajeviqi  për Shasin  ofron të dhëna për të kaluarën e tij duke cekur disa kisha me emër, të cilat në kohën tonë tash dihet me emër vetëm për dy prej tyre(katedrala e Shën Gjonit brenda qytetet dhe ajo e Shën Mrisë, jashtë mureve të qytetit).

Bria dhe Bukmira i takojnë gjeografisë historike

Nga  numri I përgjithshëm të vendbanimeve  të cilat prezantohen në këtë botim dy vendbanime janë të diskutueshme. Fjala është për dy  vendbanime në Anë të Malit, e ata janë  BRIJA, e cila gjindej në pjesën veriore  të liqenit të Shasit, ku sot gjindet vendbanimi me emrin Kllezna  Poshtë. Në vitin 1703 kishte  11 shtëpi katolike  me  115  banorë, ndërsa  të fesë islame ishin 3 shtëpi me 25 banorë. Por, nga të dhënat e mëvonshme ky vendbanim nuk figuron, sepse sipas një informacioni që disponoj në vitin 1756 popullsia e  42 shtëpive e tëra ka emigruar në Itali. Nuk ka të dhëna se kush ishte motivi i emigrimit kolektiv, ku supozohet sëmundja e kohës apo ndonjë motiv tjetër social.  Por, nga ajo kohë e më pas këtu është vendosur një popullsi e ardhur nga Mirdita, dhe Shkreli që është e pranishme edhe në ditët tona. Nga ajo kohë humbi emri I mparshëm BRIJA, ku si dëshmi janë gërmadhat e shtëpive të asaj kohe, ndërsa me banorët e rinjë vendbanimi quhet Kllezna Poshtë, në analogji me vendbanimin e njëjtë i cili quhet Kllezën, e më pas Kllezna e Sipërme(Naltë).

Nga këtë aspekt kemi edhe  vendbnimin BUKMIRA, në afërsi të Shasit të sotëm, e cila kishte  4 shtëpi katolike me  41  banorë dhe 2 shtëpi të fesë islame me 13  banorë. Kemi të bëjmë me një vendbanim me pozitë të përshtashme gjeografike me resurse natyrore që sipas të dhënave është vendbanim i vjetër dhe i banuar. Në atë kohë  këtu bëhët fjalë për kishën Shën Pelegrinit, për të cilën sot nuk dihet. Por, nga ajo kohë e me pas nuk ekzistojnë të dhëna se popullsia është rritur, por e kundërta duke mbetur pas Shasit.  Mbetet të hulumtohet për ish popullsinë e Bukmirës dhe numrin e tyre me pas, sepse ka mbetur pa banorë.

I cekëm këto dy vendbanime sepse me pas ata nuk figurojnë, sepse popullsia  për shkaqe të ndryshme ka emigruar, që mbetën çështje për hulumtim, ku si të tilla këto vendbanime i takojnë gjeografisë historike. 

Nuk ka dilemë se një çështje e tillë ekziston edhe në dioçezat tjera shqiptare  ku iu takon studiuesve të japin kontributin në hulumtimin e tyre në terren, por edhe të emërtimi, sepse disa kanë evoluar për nga forma që paraqet   vështirësi në  identifikimin  e tyre.

Nga ana tjetër duhet cekur se V.Zmajeviqi përveç përkatësisë fetare katolike e islame të popullsisë ofron të dhëna edhe për përkatësinë fetare ortodokse të vendbanimeve shqiptare. Këtu mendoj për  disa vendbanime në famullitë në Anë të Malit e në   Krajë e cila  më pas  është eliminuar  duke kaluar në ate islame, që  dëshmohet me pas në sajë të dhënave  në terren në këto mjedise. Ndërsa të dhënat në këtë relacion për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kelmendi në vitin 1700 të  rreth 250 familje për në Peshter, Novi Pazar, Rozhajë etj., të cilët si të përkatësisë  fetare katolike ne mungesë të meshtarëve rrezikonin të asimiloheshin në mysliman apo ortodoks sllavë, dukuri e cila më vonë ndodhi në realitet, duke humbur identitetin kombëtar.

Përfundimisht analiza e vendbanimeve në kuadër të dioçezave, përkatësisht të famullive përkatëse nga ajo kohë e deri në ditët tona ofron mundësi për analiza të ndryshme. Pikërisht në këtë aspekt ky relacion do të    nxitë kureshtjen  e lexuesve, sepse kemi të bëjmë me një botim i cili i ka munguar literatures shqipe. Ndërsa i botuar në prag të vitit jubilar të  Kuvendit të Arbrit është një dhuratë  jo vetëm për  studiuesit e profileve  shkencore por edhe  për opinion e gjerë.                                                                                                                  

(Lexuar me rastin e shënimit të 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, në Merçi-Lezhë, më 14 janar 2023)

C:\Users\123456\Desktop\325554900_1534316590328980_1659092181621443488_n.jpg

Filed Under: ESSE

Tregime të historisë

January 21, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Dihet se ‘Common Sense’ i Thomas Paine frymëzoi Revolucionin Amerikan dhe pushtoi Amerikën koloniale në 1776. Edhe pasi shpërthyen armiqësitë e armatosura midis kolonistëve amerikanë dhe forcave britanike në 1775, shumë kolonistë të shquar dukeshin hezitues për të marrë në konsideratë idenë e shkëputjes nga Britania dhe në vend të kësaj këmbëngulën se ata ishin ende subjekte besnikë të saj, edhe pse i rezistonin asaj që panë, si ligjet e saj tiranike dhe taksat e padrejta.
Por një broshurë e vetme prej 47 faqesh – ekuivalenti i shekullit të 18-të i një libri me kapak – bëri shumë për ta ndryshuar shpejt këtë dhe për ta zhvendosur ndjenjën amerikane drejt pavarësisë. Common Sense, shkruar nga Thomas Paine dhe botuar për herë të parë në Filadelfia në janar 1776, ishte pjesërisht një polemikë e ashpër kundër padrejtësisë së sundimit nga një mbret. Por autori i saj bëri gjithashtu një argument tjetër se amerikanët kishin një mundësi unike për të ndryshuar rrjedhën e historisë duke krijuar një lloj të ri qeverisjeje në të cilën njerëzit ishin të lirë dhe kishin fuqinë për të sunduar veten.
“Ne kemi çdo mundësi dhe çdo inkurajim për të formuar kushtetutën më fisnike më të pastër në faqen e dheut,” shkroi Paine. “Ne e kemi në fuqinë tonë për të filluar botën nga e para.”
Shekuj para ekzistencës së internetit, Common Sense arriti të bëhej virale, duke u shitur rreth 500,000 kopje. Deri në fund të Luftës Revolucionare, rreth gjysmë milioni kopje ishin në qarkullim në të gjithë kolonitë.
Duke promovuar idenë e përjashtimit amerikan dhe nevojën për të formuar një komb të ri për të realizuar premtimin e tij, pamfleti i Paine jo vetëm tërhoqi mbështetjen publike për Revolucionin, por i vuri udhëheqësit e rebelimit nën presion për të shpallur pavarësinë. Dhe madje edhe pas fitores ndaj britanikëve, ndikimi i Paine vazhdoi dhe disa nga idetë e tij gjetën rrugën e tyre në Kushtetutën e SHBA dhe Ligjin e të Drejtave.
Pamfleti provokues i Paine ishte suksesi i parë i vërtetë në jetën e tij. I lindur në 1737 në Angli në një familje me vështirësi financiare, atij iu desh të linte shkollën në moshën 13-vjeçare për të punuar si çirak. Pastaj, për një periudhë të shkurtër punoi si marinar në një anije private në moshën 20-vjeçare dhe u përpoq dhe dështoi të fillonte një biznes artizanal. Ai arriti të gjente një punë në qeveri si mbledhës taksash, por u pushua nga puna dy herë, herën e dytë pasi drejtoi një fushatë të pasuksesshme për paga më të larta. Përpjekjet e tij të dështuara për të lobuar në Parlament e lanë atë me një pikëpamje të zbehtë për sistemin britanik të qeverisjes.
I zhveshur nga perspektivat në moshën 37-vjeçare, ai e bindi Benjamin Franklinin, të cilin e kishte takuar në Londër, t’i jepte një letër rekomandimi dhe emigroi në Amerikë. Kur Paine mbërriti në Amerikë në 1774 dhe gjeti punë si gazetar në Filadelfia, kolonitë tashmë ishin në trazira për kundërshtimin e përpjekjeve të Britanisë për të vendosur taksa të reja dhe për të kufizuar tregtinë. Paine i dëshmoi të gjitha dhe mendoi se këta njerëz ishin të pjekur për një revolucion.
Në 1775, me inkurajimin e Franklinit, Paine filloi të shkruante një broshurë që do t’i nxiste amerikanët të shkonin përtej rezistencës së thjeshtë ndaj autoritetit britanik. Ai i inkurajoi ata të kuptonin se nuk ishin britanikë, se ata ishin amerikanë.
Paine fillimisht donte ta quante pamfletin e tij The Plain Truth, por redaktori i tij, e bindi atë ta emëronte Common Sense. Kjo shprehje përshtatet me një nga nocionet më të rëndësishme të Paine, që amerikanët duhet t’u besojnë ndjenjave të tyre, në vend që të zhyten në debate abstrakte politike.
“I Plotfuqishmi na ka ngulitur këto ndjenja të pashuara për qëllime të mira dhe të mençura”, shkroi Paine. “Ata janë ruajtësit e figurës së tij në zemrat tona.”
Qëllimi i qeverisë ishte t’i shërbente popullit. Paine e përshkroi qeverinë si një “të keqe të domosdoshme”, e cila ekzistonte për t’u dhënë njerëzve një strukturë në mënyrë që ata të mund të punonin së bashku për të zgjidhur problemet dhe për të përparuar. Por për ta bërë këtë, duhej t’u përgjigjej nevojave të njerëzve.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Va, pensiero

January 20, 2023 by s p

-Tregim-

C:\Users\viron\Desktop\Ne pune 7\5b388c6ce7248virona kona (1) (1).jpg

   Viron KONA

Në përkujtim të veprës së kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi

Sapo ne ushtarët e rinj, me kokat e qethura “zero”, mbërritëm në repart, ushtarët e vjetër na shihnin  me qesëndi e kureshtje. 

            -Hë, o “rrula”, erdhët!  Do hani dynjanë, po nuk na u bindët! Dhe, shikoni se, mos i thoni kapterit, se ju piu e zeza! 

           -Ej, ti, rrul, hidhi dru zjarrit! 

           -Ti tjetri, ti or rrul, o  veshgjatë më sill pakë këpucët! 

            -Hej ti, pinguin, fërkoje këtë tokëzën time që të shkëlqejë. Fërkoje mirë, hë, se do të të bëj t`i thuash derrit dajë! Hë, o mace e lagur, lëviz! 

        Më i tmerrshmi ishte Sela. Ai iu drejtua Baçit, një djali të shëndetshëm, që i shihte ushtarët e vjetër si me habi e frikë. 

            -Ej, ti buall kënete,  hajde m`i lyejë këpucët me bojë. Hajde, shpejt, mos më ecë si zonjushat në paradën e modës, por tundu! – Dhe, ndërsa Baçi i bindur nisi  lyerjen, ai i bërtiste: – Dëgjo, të më shkëlqejnë, hë! Kape mirë furçën dhe jo sikur mban në dorë një tigan me speca djegës!        

        Disa nga ushtarët e vjetër zgërdhiheshin me kënaqësi dhe sikur viheshin në garë se kush të na fyente dhe të na keqtrajtonte sa më rëndë. Mbase, sepse edhe atyre ashtu ua kishin bërë dhe kjo sjellje ishte një lloj hakmarrje që përcillej si stafetë. Pse, kështu do të vepronim edhe ne kur të bëheshim ushtarë të vjetër? 

        Ndërsa të vjetrit silleshin si kapo dhe bënin të fortët e repartit, ne  të rinjtë thuajse nuk flisnin. Unë zieja përbrenda. Më vinte çudi sesi oficerët dhe kapterat nuk ndërhynin. -E po, – thosha me vete, – kjo sjellje do të jetë kalimtare. Eprorët nuk e dinë sesi sillen këta të vjetrit, kurse ne nuk guxojmë t`u ankohemi. Se, ndryshe, pse duhej të vendoseshin ato lloj marrëdhëniesh mes nesh, që ndodheshim aty për të njëjtin qëllim, kryenim shërbimin e detyrueshëm ushtarak. 

        Në vazhdim po rrëfej edhe një episod apo një histori të vogël, e cila u bë nxitje për të shkruar këtë tregim. Nëse keni durim, lutem më dëgjoni:

        Atëherë, në Radio Tirana transmetohej një emision i titulluar “Program, sipas kërkesave të ushtarëve”. Edhe unë kisha bërë një letër – kërkesë në Radio Tirana, me anën e së cilës  përshëndesja familjen time e, veçanërisht njërin nga vëllezërit e mi, Llambin, inxhinier mekanik që punonte në Azotikun e Fierit. Azotiku ishte një uzinë e rëndësishme për vendin. Për të thuhej se mbante me bukë Shqipërinë, pasi bujqësia duke përdorur plehrat azotike, nitrat amoni dhe të tjera, e rriti disa herë prodhimin e grurit që ishte kultura kryesore. Uzina ishte moderne e prodhimit italian. Im vëlla më thoshte se në përbërje të plehut kishte 32 % azot, që ishte shumë i rëndësishëm për bimën bujqësore. Kështu që im vëlla, Llambi dhe kolegët e tij e meritonin plotësisht një përshëndetje dhe unë e bëra, aq më tepër që për ndërtimin e uzinës, bashkë me inxhinierët shqiptarë punonin edhe inxhinierë italianë. Kisha zgjedhur “Korin e  skllevërve” (pjesën Va, pensiero) nga opera “Nabuko” e Verdit.2)  I kisha lajmëruar që një javë përpara shokët e mi  ushtarë, se, edhe unë kisha bërë një kërkesë në Radio – Tirana. Java kaloi shpejt dhe erdhi dita dhe ora e emisionit. Ditë e  diel,  ora 13.00. Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër, qëndronim nën hijen e një rrapi të madh dhe  mbanim sytë dhe veshët nga dy altoparlantë që ndodheshin sipër tij. Radioja ndodhej në zyrën e kapter Manes, kurse zëri, vinte deri tek dy altoparlantët nëpërmjet një kablli.

       Ndjeva emocion kur folësja në radio, tha: “-Tani i plotësojmë kërkesën ushtar Vironit, i cili me një pjesë muzikore nga opera “Nabuko” e Verdit, përshëndet familjen dhe vëllanë e tij, Llambin, inxhinier  në Azotikun e qytetit të Fierit”. 

       Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër u bëmë gati të dëgjonin. Nisi pjesa muzikore e operës, e cila mua më tërhiqte shumë. Kisha lexuar disa libra dhe kisha parë filma që flisnin për kompozitorë të shquar si Bethoveni, Moxarti, Verdi, Puçini, Rosini, Belini, Donizeti, Vagneri e shumë të tjerë mjeshtra të mëdhenj të kompozimit të muzikës klasike botërore. Por, për Verdin kisha dobësi. Thuajse i dija përmendësh emrat e shumë prej operave të tij: “Nabuko”, “Rigoleto”, “Aida”, “Traviata”, “Othello”, “Falstaf”…, dhe, diku – diku edhe ndonjë pjesë që e merrja me fishkëllimë. Kurse im vëlla, Llambi ishte tepër i veçantë. Ai mund të konkurronte me këdo që pretendonte se i njihte mirë veprat muzikore operistike. Nga opera “Nabuko”, mua më pëlqente shumë, sidomos ajo pjesë kur skllevërit kërkonin lirinë dhe kori i tyre ngrihej i fuqishëm me fjalët: 

“Mbi krahët e ëndrrave u nisëm sot,

Atje ku shtrihen fushat, kodrat e përrenjtë,

Ku lulëzon çdo gjë e qesh mbi tokë,

Në pyje dhe liqej të atdheut tonë të shtrenjtë”. 

       Muzika që kisha kërkuar unë po transmetohej, ndërsa ushtarët e ulur nën hijen e rrapit, po dëgjonin. Ndonjërit prej tyre, që nuk  e kishte të edukuar veten me dëgjimin e pjesëve muzikore klasike dhe operistike, nuk po i rrihej. U ngrit pa folur. Pas tij edhe një tjetër, edhe një tjetër. Nga rreth 30 ushtarë, thuajse gjysma u ngritën dhe u larguan që në sekondat e para, të heshtur, pa thënë ndonjë fjalë. Muzika vazhdonte. Me tingujt e magjishëm e të  jashtëzakonshëm dhe me ndjenjat e thella që pasqyronte, ajo të shkaktonte drithërima dhe të  ngrinte peshë, teksa  kori buçiste dhe oshtinte: 

Atdhe, atdhe i bukur dhe i humbur!

Kujtim i shtrenjtë, kujtim i hidhur…

        Ndonëse kisha humbur mendjen pas muzikës, po ndihesha keq, kur shihja që, edhe disa nga shokët e mi më të afërt ishin gati të largoheshin.  Zani më shihte disi me keqardhje. Ai ishte nga malësia dhe do të preferonte të dëgjonte  një këngë me çifteli për ciklin e kreshnikëve; Eduardi, sigurisht që do të parapëlqente ndonjë këngë me iso të Jugut; Sadiku do të pëlqente më shumë Xhixhilenë; Kozi,  “Bijën e Tarres”; Letoja ndonjë nga këngët e bukura korçare si ajo: “Vajza të bukura, faqka pa puthura…!” Thuajse të gjithë kishin këngët e tyre të parapëlqyera. Por ja që unë kisha zgjedhur një muzikë që ata nuk  e kishin dëgjuar, ose më saktë, nuk ishin përqendruar ta dëgjonin kur Radio -Tirana e jepte herë pas here. E ndjeja se, me përjashtim të Ademit, që e pëlqente muzikën operistike, disa qëndronin aty sepse donin të më bënin qejfin, nuk donin të  më fyenin. Por, për habinë time po qëndronte edhe Sela, ushtari i vjetër, që, me sjelljen e tij të ashpër, na e merrte shpirtin ne “rrulave”. Ai dëgjonte me vëmendje dhe kohë pas kohe shihte nga unë.  Ndjeja djersë mbi ballë, por gjithsesi, përqendrimin e mbaja te pjesa muzikore. I ndjeja thellë në shpirt, edhe libretin e rrallë që kishte shkruar Themistokli Soleri, por sidomos muzikën drithëruese të Verdit të madh, që depërtonte gjer thellë në shpirt e në zemër dhe të rrëmbente drejt qiejve të kaltër dhe diellit të praruar… E, dalëngadalë po ndjeja se, ajo muzikë e rrallë po depërtonte si pa u ndjerë edhe tek ata ushtarë që, në fillim qëndruan aty te rrapi për të mos ma prishur qejfin. Ishte forca e magjishme dhe magnetike e atij arti të madh, që i kishte mbërthyer aty nën rrap, dhe ata dëgjonin tërë përqendrim, teksa në fytyrat e tyre shfaqeshin herë – herë pamje ëndërruese.

       Ata, vazhdonin të qëndronin si të stepur dhe me dëshirën që ajo muzikë, të zgjaste e të zgjaste e të mos përfundonte kurrë…Nuk e di pse, por po më dukeshin shumë të afërt ata shokë ushtarë. Emocionet m`u shtuan kur po shihja se, edhe disa nga ata që ishin larguar, ushtarë të vjetër dhe të rinj, po afroheshin dalëngadalë e si pa u ndjerë. Dukej sikur një forcë e mistershme, magnetike dhe magjike i tërhiqte  drejt trungut të rrapit, teksa më bëhej se, edhe fletët e drurit shekullor lëkundeshin lehtë – lehtë, si të ndiheshin pjesëmarrëse në atë kor hyjnor…. 

       Më në fund, muzika që kisha zgjedhur pushoi. Ngrita vështrimin nga shokët e mi ushtarë dhe këmbyem buzëqeshje të çiltra me njëri – tjetrin. 

       Sela u ngrit nga vendi dhe më shtrëngoi  dorën.

           -Të falënderoj, se më kënaqe! Nuk  kisha dëgjuar ndonjëherë si kjo lloj muzike. 

   Të gjithëve u bëri përshtypje sjellja e Selës, aq më tepër që ai nuk e përdori fjalën “rrul”.

    Edhe të tjerët më uruan dhe më dhanë dorën.

            -Ka shumë gjëra të bukura, por ne nuk i dimë, nuk i njohim, – tha Ademi.

           -E  Selë, – u dëgjua nga larg zëri ironik i Gajtazit, – ta morën mendjen rrulat, hë!

          -Ik ore, mbushu! – iu përgjigj Sela.

          -Ç`pate! – i tha tjetri duke iu afruar?

           -Iç, asgjë nuk kam. Vetëm, mos i jep shumë gojës se të futen miza! Ndonjëherë do të të futet edhe ndonjë zhapik dhe do të na hapësh punë!

    Të gjithë sa ishin aty qeshën. Gajtazi u bë xhind, por nuk u ndje. Veçse herë – herë, e shihte shokun tij të vjetër me habi, pa kuptuar dot se çfarë kishte ndodhur me të. 

     Ndërkaq, kapter Maneja doli nga zyra dhe nisi të hidhte hapat ngadalë drejt nesh. Barku i kërcyer përpara i lëkundej sa majtas – djathtas si  një patok i ushqyer mirë. Që nga dhjetëra metra larg, erdhi zëri i tij ironik.

           -Aty e keni atë ushtarin e operave?

           -Për kë e keni fjalën shef? – e pyeti Astriti që ishte më pranë tij.

           -Për atë mor, atë që na shet mend se  gjoja i kupton operat!

           -Urdhëroni shef! – i thashë dhe  u ngrita në këmbë.

            -Ulu, ushtar, ulu! – më tha ai, – por tjetër herë na bëj kërkesë për ndonjë këngë të bukur, jo si kjo që dëgjuam.

           -Edhe ajo e bukur është, – guxova dhe i thashë.

           -Ah, dashke të në bësh të kulturuarin tani? – më ironizoi ai përsëri dhe qeshi me të madhe. Edhe dikush nga ushtarët qeshi. Fajzoja, që ne të gjithë e quanim “servili” i kapterit. 

           -Servil, servil, – thoshim ne me njëri – tjetrin, – por, Fajzoja ka shkuar dy herë me leje brenda  tre muajve, kurse ne mund të shkojmë vetëm pas gjashtë muajve apo pas një viti. Edhe  atëherë, ku i dihet, shkojmë a s`shkojmë!

           -Hë, – më tha kapter Maneja, – pse s`flet, apo “të hëngri macja gjuhën”? 

           -Jo, – iu përgjigja, – jam mirë, dhe…nuk kam se çfarë fjalësh të tjera të them. Muzika që dëgjuam  tha shumë gjëra. 

           -E çfarë gjërash na tha ajo muzikë? – tha kapteri, duke rrudhur vetullat me qime si në ngjyrë të kuqërremtë, – muzikë e një gjermani ishte, nuk ishte e jona.

          -Verdi është italian, – tha Ademi.

           -Edhe gjermanët, edhe francezët, edhe rusët, edhe anglezët…, të gjithë kanë muzikën e tyre të bukur, – guxova i thashë kapterit.

      Ai heshti një çast dhe më hodhi një vështrim dyshues:

           -Çfarë, do të na japësh mësime muzikore tani, apo do të na bësh propagandë? 

      Sigurisht që kapteri po e tepronte. Situata dukej delikate.

           -Ç`thua, o kapter? – u dëgjua zëri i Selës. – Pse e ngatërron atë muzikë të bukur me ato gjëra të shpifura! Këtu po flitet  vetëm për muzikë. Po të ishte ashtu si mendon ti, Radio-Tirana nuk do t`ia plotësonte kërkesën këtij shokut tonë!

       Kapteri nuk foli më. I shtrëngova krahun Selës. Ushtarët, për shkak të vapës, po i drejtoheshin fjetores. 

          -Mos u mërzit, – më tha duke ecur Jani, kuzhinieri i repartit kur më pa të menduar, – ajo muzikë ishte shumë e bukur dhe mua më pëlqeu. Ja, shiko, edhe tani i kam krahët kokrriza – kokrriza, ngaqë drithërohesha kur e dëgjoja.

       Jani heshti një çast. Fytyra i mori një pamje të menduar, pastaj, si të zgjohej nga një ëndërrim, m`u kthye duke më parë drejt e në sy:

         -Ku të vajti mendja që kërkove atë muzikë! Dreq je, edhe ti! – qeshi kuzhinieri dhe më ra shpatullave ngrohtësisht.

      Mbaj mend se ajo muzikë e fuqishme e Verdit dhe diskutimet që u ngjallën në repart, sikur na afruan më shumë ne ushtarët me njëri – tjetrin. Fjala “rrula”, përdorej gjithnjë e më rrallë. Kjo më gëzonte. “Arti i lidh dhe i afron njerëzit”, – thosha me vete, – ashtu si ata skllevërit që, me atë muzikë të fuqishme, ngriheshin me vendosmëri të çliroheshin nga zgjedha e robërisë. Në një film, mbaj mend disa sekuenca, kur në Italinë e pushtuar nga austriakët, dy grupime të mëdha u gjendën përballë njëri – tjetrit: Popull kryengritës nga njëra anë dhe ushtarë në shërbim të ushtrisë austriake, që kishte pushtuar Italinë, nga ana tjetër. E, teksa dy grupimet ishin në prag të përleshjes, papritmas midis tyre u fut me shpejtësi një karrocë, ku ndodhej vetëm një njeri. Ai ndali karrocën, pikërisht në mes të dy grupimeve dhe u ngrit në këmbë.  Nga të dyja anët u shpreh habi dhe kureshtje. Kush ishte ai burrë i moshuar, që ishte futur mes  zjarrit  të armëve që priteshin të  shpërthenin nga çasti në çast? Dikush thirri:

           -Verdi! Ai është Verdi!

Dhe, teksa emri i kompozitorit të madh, kalonte gojë më gojë, një zë, e, më pas dhjetëra e qindra zëra nga turma e  luftëtarëve për liri nisën të këndonin  pikërisht atë muzikë:”Va, pensiero”, të operës “Nabuko”. 

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/6/66/Va%2C_pensiero.jpg/400px-Va%2C_pensiero.jpg

        Në krahun përballë kryengritësve, në fillim pati një stepje dhe hutim, e, pastaj, papritmas, të gjithë, nga të dy anët e përballjes, populli dhe ushtarët, nisën të këndonin me zëra të fuqishëm. Verdi u kishte kujtuar të dy palëve lirinë dhe, ata, duhej ta ruanin dhe ta mbronin atë si gjënë më të shtrenjtë: Jo duke vrarë njëri – tjetrin, por duke u bashkuar dhe  vëllazëruar me njëri – tjetrin. Të dy palët, kishin vetëm një armik: pushtuesin. 

        Nga leximet mbaja mend se, për “Marsejezën”, këngën – kushtrim për revolucionin francez, Viktor Hygoi patë thënë: “Gjysma e fitoreve franceze i detyrohen “Marsejezës”. Atëherë, batalioni çlirimtarë, duke kënduar:

”Përpara bijtë e atdheut!

Çasti i lavdisë po afron! 

        Dhe me refrenin:”Rrëmbeni armët, qytetar!”, marshonte i vendosur drejt Parisit, që kërcënohej nga pushtimi. Në atë marshim të zgjatur disa ditorë, të gjithë ata njerëz të atij batalioni, si një trup i vetëm marshonin pa u ndalur duke kënduar pa pushim “Marsejezën”. 

         Kurse, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kënga “Lili Marleen”, me tekst të një ushtari gjerman dhe e kompozuar po nga një kompozitor gjerman,  u bë kënga më e preferuar jo vetëm e ushtarëve gjermanë, por e të gjithë ushtarëve që luftonin në frontet e Luftës së Dytë Botërore. Këtë këngë, ushtarët gjermanë, anglezë, rusë, amerikanë, francezë…, e këndonin me lot në sy, secili në gjuhën e vet dhe shkonin të vdisnin duke menduar “Lilin” e tyre, që e kishin lënë kushedi se ku… Kënga “Lili Marleen” u përkthye në 48 gjuhë. Fashistët gjermanë, duke parë efektin e kundërt që po bënte kënga, dhanë urdhër ta ndalnin, por, përkundrazi, kënga mori përhapje akoma më të madhe. Suksesi i saj u motivua me këto fjalë: “Era, a mund të thotë përse u kthye në stuhi?”.

         Pas një jave, më erdhi një letër nga im vëlla. Ai e kishte ndjekur emisionin dhe përshëndetjen që i bëja unë me muzikën e Verdit dhe më falënderonte. Por ajo që më befasoi dhe ma shtoi gëzimin, ishte se  në atë letër  kishin firmosur dhe kishin shkruar fjalë  përshëndetëse për mua edhe disa nga shokët e tim vëllai, e, midis tyre, edhe dy inxhinierë italianë, që e donin dhe e  respektonin tim vëlla, Llambin, edhe për faktin se ai e njihte mirë dhe e pëlqente muzikën operistike të Verdit…

…………….

1.Va, pensiero! (Fluturo mendim!). Ky është përkthimi artistik. Fjala “va” (shko!) është zëvendësuar me “fluturo” sepse shkon më mirë me “krahët e  praruar…” (që vijon origjinali).

2.Opera “Nabuko”, me libret të Themistokli Solerit dhe muzikë të Xhuzepe Verdit u shfaq për herë të parë në Teatrin e njohur La Skala të Milanos më 9 mars 1842. “Va, pensiero” është ndoshta pjesa më e dashur e muzikës nga e gjithë opera, e cila shpesh kryhet dy herë. Ngjarja  e operas “Nabuko”, zhvillohet në Jerusalem dhe Babiloni në vitin 583 p.e.s. Tregohet  historia e Nabukodonosorit, Mbretit të Babilonisë dhe skllevërve hebrenj, të kapur dhe të burgosur në Babiloni. Kori i ‘Va, pensiero” ndodh në pjesën e tretë të operës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viron Kona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT