• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KISHËN KATOLIKE “ZOJA E SHKODRËS” U NGRIT FLAMURI KOMBËTAR

November 29, 2021 by s p

Dielli/

Më 28 Nëntor, 2021 në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York u kremtua Mesha kushtuar të gjithë heronjve e dëshmorëve të Kombit Shqiptar, në vazhdim pas meshe në kambanoren e Kishes u ngrit Flamuri Kombetar Shqiptar nga Dom Pjetër Popaj dhe besimtarët. Nënkryetari i Federatës Vatra, Drejtuesi i fondit Studentor Dr. Pashko Camaj në fjalën e rastit u shpreh: “Më lejoni që në emër të Famullitarit Dom Pjeter Popaj dhe Këshillit te Kishes sone, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë përvjetor të randësishëm për mbarë kombin tonë. E kaluara jonë është e përmbushur me sakrifica, dhe vuajtje të shumta për liri e pavarësi. Kjo ngjarje i shërben rifreskimit të kujtesës sonë kolektive, kombëtare, dhe përcjelljes së saj te breznitë që vijnë. Shqiptaria së bashku po nderon të kaluarën e vet, dhe po flet për të ardhmën. Ky është obligimi i kësaj gjenerate. Ne kemi harmoni si komb, si shoqeri e si kulture, kjo eshte edhe esenca e mesimeve te Shenjtës Nana Tereze. Kjo eshte dhurate prej Zotit. Eshte dicka e vecante qe nuk gjendet te popujt dhe kombet e tjera. Ne jemi NJË, dhe kjo është KOHA JONË. Shekulli 21 do te jete shekulli jonë ne menyre qe te cojme perpara amanetin e Ismail Qemalit, At Gjergj Fishtes, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtines e shume personaliteteve te shquara te kombit shqiptar” përfundoi Nënkryetari i Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës, Dr. Pashko Camaj. Per te pranishmit ne festen kombetare te ngritjes se flamurit, Angjelina Nika (Mjeshter i Madh) me grupin e saj artistik Rozafati dhuruan caste te bukura artistike.

Filed Under: ESSE

ALEANCA BALLKANIKE DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE NË PRAG TË PAVARËSISË

November 27, 2021 by s p

Zef Ujkaj

SHQIPTARËT DHE FQINJËT

Ballkani ishte një pikë e rëndësishme strategjike, nyja që bashkonte Detin e Zi me Adriatikun e Mesdheun, Evropën Danubiane me atë Juglindore dhe për këtë arsye do të shndërrohej në një zonë rivaliteti mes Fuqive të Mëdha. Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia të interesuara për vendosjen e ndikimit në Ballkan do të përpiqeshin të lidheshin me popullsitë vendase, për të fituar simpatinë e tyre. Kështu Luftërat Ballkanike do të nxiteshin nga interesat antagoniste të Fuqive, dhe veçanërisht nga kontradiktat mes dy blloqeve kundërshtare. Pushtimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe krahinës së Sanxhakut nga Austro-Hungaria, shpallja e pavarësisë së Bullgarisë dhe mundësia e fitores së autonomisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë po i jepte fund ruajtjes së status quo-së në Ballkan.

Shqiptarët do të kërkonin bashkëpunim me shtetet ballkanike në luftën e përbashkët antiosmane, pasi të zhgënjyer nga politika xhonturke synonin pavarësi dhe liri kombëtare. Disa nga shtetet ballkanike do të ndihmonin kryengritësit shqiptarë gjatë viteve 1909-1912, por gjithmonë për interesat e veta, duke dashur të dobësonin pozitën e tyre dhe atë të turqve. Duke qenë se ekzistonin kontradikta të skajshme mes qëllimit të shqiptarëve dhe shteteve ballkanike, nuk do të arrihej ndonjë marrëveshje për luftë të përbashkët antiosmane. Përpjekje për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe shteteve ballkanike kundër Turqisë ishte ajo e Nexhip Dragës me kryeministrin serb Pashiq, i cili shprehu dakordësinë e shteteve ballkanike për një Shqipëri që shtrihej midis lumenjve Mat dhe Vjosë, por Draga iu përgjigj se një marrëveshje e tillë do t’i detyronte shqiptarët të luftonin përkrah turqve.Edhe tentativat e Ismail Qemalit me Greqinë dështuan, pasi kishin pretendime ndaj Shqipërisë se Jugut. Në gusht 1912 mbreti Nikolla tentoi të ftonte Ismail Qemalin në Tivar për bisedime rreth një lufte të përbashkët kundër Turqisë, por Ismail Qemali nuk pranoi meqë tashmë njiheshin planet e aleatëve ballkanikë lidhur me Shqipërinë. Gjatë vitit 1912 anëtarë të organizatës së fshehtë ushtarake serbe “Dora e Zezë” u munduan të hynin në bisedime me Isa Boletinin, i cili do të shprehej se shqiptarët do të luftonin kundër turqve, përkrah serbëve vetëm nëse ata nuk do të shfaqnin pretendime shoviniste ndaj territoreve shqiptare, në të kundërt do të kundërvepronin ndaj tyre.Ndërkohë Hasan Prishtina zhvilloi bisedime në Shkup me përfaqësuesin e Organizatës Vërhoviste Maqedonase, të cilit i propozoi shpërthimin e një kryengritjeje të përbashkët shqiptaro-maqedonase, por ai refuzoi në mënyrë kategorike një aksion të përbashkët antiturk. Kështu shqiptarët mbetën jashtë Aleancës Ballkanike, por jo për faj të tyre. Ata ose duhet të luftonin përkrah osmanëve dhe të pësonin fatin e tyre, ose përkrah shteteve ballkanike, pa kushte, në mënyrë që të lehtësonin copëtimin e vendit të tyre mes fqinjëve.

ALEANCAT MES SHTETEVE BALLKANIKE

Të gjitha shtetet ballkanike do t’u kundërviheshin kërkesave të shqiptarëve për një Shqipëri autonome. Kryeministri serb Millovanoviq i cilësonte shqiptarët të paaftë për krijimin e një shteti të civilizuar, prandaj, sipas tij, problemi shqiptar zgjidhej vetëm me copëtimin e Shqipërisë mes Serbisë dhe Greqisë. Propaganda antishqiptare e fqinjëve arrinte deri aty, sa shqiptarët i paraqisnin të ndarë në fise, pa gjuhë, alfabet e pa fe të përbashkët, pa histori, pa identitet dhe pa përvojë vetëqeverisjeje, me qëllim që të pengonin krijimin e shtetit shqiptar, i cili shihej si pengesë për aspiratat e Aleancës Ballkanike, dhe legjitimitetin e pushtimit të tokave shqiptare prej tyre.

Bisedimet mes serbëve dhe bullgarëve filluan që në vitin 1910 dhe nëtetor të vitit 1911 ata u pajtuan për ndarjen e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Territoret në veri dhe në perëndim të vargmaleve të Sharrit bashkë me vilajetin e Shkodrës do t’i përkisnin Serbisë, ndërsa Adrianopoja, Traka dhe një pjesë e madhe e Maqedonisë do t’i kalonin Bullgarisë. Marrëveshja e miqësisë dhe aleancës serbo-bullgare u finalizua në mars 1912, ndërsa Konventa ushtarake në prill 1912.

Fuqitë e Tripalëshit ishin kundër një aleance mes shteteve ballkanike dhe bënë përpjekje të shumta për të penguar afrimin e tyre. Kryeministri serb Pashiq i shprehu shqetësim ministrit të Jashtëm rus Sazonov në qershor 1912 në lidhje me rrezikun që shfaqte Austro-Hungaria për Lidhjen Ballkanike pasi ishte e interesuar për një Shqipëri të Madhe. Austro-Hungaria dhe Italia pavarësisht rivalitetit të tyre të fortë për zotërimet e Ballkanit Perëndimor ishin të vendosura për të ndaluar daljen e Serbisë në Adriatik dhe forcimin e pozitave të shteteve sllave, për të mos u rritur ndikimi rus në Ballkan. Prandaj Vjena u mundua të ndalonte Malin e Zi dhe Greqinë të bëheshin pjesë e kësaj aleance.

Kryeministri Venizellos nisur nga përvoja e humbjes së grekëve në luftë kundër Perandorisë Osmane në vitin 1897, u bind që bashkëpunimi politik dhe ushtarak me vendet ballkanike ishte i pashmangshëm. Kështu qysh në vitin 1910 filluan bisedimet greko-bullgare që kishin për qëllim “çlirimin” e Maqedonisë. Në maj u lidh Traktati bullgaro-grek, me karakter mbrojtës në rast sulmi nga Turqia, ndërsa në tetor konventa ushtarake, me karakter sulmues kundër zotërimeve osmane. Përsa i përkiste Shqipërisë, Greqia pretendonte territoret ku banonte popullsia ortodokse, duke e konsideruar fenë si sinonim të kombësisë, pavarësisht gjuhës që flisnin, gjë që mund të arrihej sipas tyre me përçarje fetare përmes politikës kishtare dhe arsimore.

Mali i Zi që ishte një territor i vogël malor dhe me një popullsi prej 250 mijë banorësh, nuk u përfill aq shumë nga shtetet e tjera ballkanike duke qenë se nuk posedonte forca të mëdha luftarake dhe shfaqte pretendime të tepruara. Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911, mbreti Nikollë i bëri Serbisë një ofertë për bashkëpunim kundër Turqisë dhe ndarjen e territoreve shqiptare. Pejën, Shkodrën dhe Lezhën do t’i aneksonte Mali i Zi, ndërsa pjesën tjetër të Kosovës dhe Shkupin Serbia. Serbia nuk u dakordësua me propozimin malazez pasi ajo vetë synonte të dilte në Adriatik përmes Shëngjinit dhe Durrësit duke pohuar se akoma nuk ishin pjekur kushtet për një luftë kundër osmanëve. Duke qenë se Mali i Zi nuk ishte përfillur nga shtetet ballkanike, Rusia, në maj 1912, mendoi që edhe kjo mbretëri e vogël mund të jepte kontribut në Aleancën Ballkanike. Kështu në gusht Mali i Zi arriti marrëveshje verbale me Bullgarinë, me të cilën Sofja i njihte të gjitha territoret që do të pushtonte, kundrejt mbështetjes ushtarake kundër Turqisë, ndërsa mbret Nikolla kërkoi mjete financiare për të aramatosur ushtrinë e vet. Serbia arriti marrëveshje politike dhe ushtarake me Malin e Zi vetëm më 6 tetor 1912, marrëveshje që u ratifikua më 4 nëntor 1912. Të dyja palët zotoheshin t’i shpallnin luftë Turqisë jo më larg se 14 tetori 1912. Kontakte gjysmëzyrtare pati midis Greqisë e Serbisë dhe midis Greqisë e Malit të Zi gjatë verës 1912, mirëpo nuk prodhuan ndonjë marrëveshje të shkruar, duke bërë që aleancat të mos ishin krejtësisht të qarta pasi nuk ishte nënshkruar një traktat shumëpalësh apo një promemorie në vija të përgjithshme e pranuar nga gjithë aleatët. Kështu Aleanca Ballkanike mori trajtën përfundimtare në shtator 1912 me marrëveshjet formale të Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë me Malin e Zi, pa një traktat të shkruar. Kështu inati, indinjata dhe tmerri u bashkuan me synimet nacionaliste dhe interesat territoriale, dhe po vërtetohej thënia e rilindasve shqiptarë në fund të shek. XIX se qeveritë ballkanike “po lehin kundër njëra-tjetrës dhe të gjitha së bashku kundër qeverisë turke për të copëtuar atdheun tonë”. Megjithëse aleanca ishte krijuar për luftë kundër Turqisë, ajo ishte në fakt një komplot për copëtimin e Shqipërisë dhe zhdukjen e emrit shqiptar.

FUQITE E MËDHA DHE BALLKANI

Shkaqet e krijimit të Aleancës Ballkanike dhe luftës që do të pasonte, ishin: dobësia dhe paaftësia e Turqisë për të parashikuar të ardhmen, paaftësia e Evropës për të zbatuar reforma në Turqi, rraskapitja e popullit shqiptar nga luftrat e vazhdueshme antiosmane, gatishmëria e shteteve fqinje për të “çliruar” bashkëkombasit e vet brenda Perandorisë Osmane, lakmia për të pushtuar toka të reja, përkrahja e aleatëve ballkanikë nga Fuqitë e Mëdha dhe qëndrimi i tyre negativ ndaj çështjes shqiptare. Megjithatë shkaku kryesor i shpërthimit të luftrave ballkanike ishin padyshim kryengritjet shqiptare të viteve 1908-1912, të cilat në gusht 1912 e detyruan Perandorinë Osmane të pranonte kërkesat e kryengritësve për autonomi të Shqipërisë.

Austro-Hungaria duke parë që nuk mund të ruhej më gjendja e status quo-së në Ballkan, gjatë muajit tetor do të mbante konferenca të shumta në Vjenë ku do të diskutohej për të ardhmen e Ballkanit, e ku mes të tjerash do të shprehej për një autonomi të Shqipërisë me kufij sa më të gjerë ose pavarësi në rast disfate të osmanëve, duke qene e gatshme të mbronte këto territore edhe me luftë pasi nuk donte shtrirje të gjerë të ballkanasve në drejtim të Adriatikut dhe Jonit. Ndërkohë që Gjermania u shpreh kundër luftës, Italia u shpreh në favor të saj, pasi do t’i lehtësohej barra për pushtimin e Tripolit. Anglisë dhe Francës iu interesonte ruajtja e status quo-së pasi kishin fituar kapitulacione të mëdha nga Perandoria Osmane, kështu që kërkonin shtypjen e lëvizjes shqiptare për autonomi. Megjithatë Fuqitë e Antantës nuk do të pranonin që Blloku Tripalësh të kishte vazhdimësi të pandërprerë territoriale nga Gjermania, Austro-Hungaria, Ballkani për të dalë në Turqi, prandaj shpreheshin për këputjen e kësaj lidhjeje para se të fillonte lufta e madhe mes tyre.

Përpjekjet e Ismail Qemalit, Preng Bibë Dodës dhe të tjerëve për të fituar mbështetjen e Austro-Hungarisë si e vetmja fuqi e interesuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare do të ishin të vazhdueshme. Vjena iu propozonte shqiptarëve të mbanin anën e osmanëve në rast sulmi nga shtetet ballkanike. Në bisedimet e shumta që Ismail Qemali pati me përfaqësues austro-hungarezë pranonte edhe protektorat mbi Shqipërinë pasi ndodhej e kërcënuar të zhdukej si komb nga aleatët ballkanikë. Nga ana tjetër dom Ndre Mjeda, dom Luigj Bumçi, kryepeshkopi i Shkodrës Zef Serreqi i bënin thirrje Vjenës që të pushtonte sa më shpejt Shqipërinë para se të binte në dorë të shteteve grabitqare ballkanike.

Rusia ndërhyri pranë Stambollit që të kufizonte lëshimet ndaj shqiptarëve, ndërsa privilegjet e dhëna për ta të shtriheshin edhe në kombësitë e tjera. Stambolli i kufizoi lëshimet ndaj shqiptarëve dhe u bëri të ditur aleatëve ballkanikë se shqiptarëve nuk do t’iu jepej autonomia. Porta frigohej nga ndërhyrja e shteteve ballkanike, kështu në shpalljen e saj ajo shmangu njohjen e kombësisë shqiptare, përcaktimin e kufijve territorialë të Shqipërisë dhe nuk përmendi askund emrin shqiptar apo Shqipëri, e gjitha kjo për të qetësuar shtetet ballkanike dhe për t’iu lënë të kuptonin se privilegjet do të shtriheshin edhe mbi popujt joshqiptarë. Megjithatë shtetet ballkanike do të mbeteshin të pakënaqura, pasi e dinin se shteti autonom shqiptar në kuadër të katër vilajeteve ishte në krijim e sipër.

Fuqitë e Mëdha vazhdonin të mbështesnin parimin e ruajtjes të status quo-së si dhe detyrimin për ruajtjen e paqes mes shteteve ballkanike dhe Stambollit. Ato pranuan propozimin e kryeministrit francez Poincaré për një ndërhyrje kolektive në Ballkan dhe Stamboll, ku Austro-Hungaria dhe Rusia do të paraqisnin kushtet në emër të tyre. Më 7 tetor ato iu deklaruan shteteve ballkanike se Fuqitë do të dënojnë të gjitha masat që shkaktojnë prishjen e paqes, në bazë të nenit 23 të Traktatit të Berlinit, ndërsa ata do të merrnin në dorë kryerjen e reformave administrative në Turqinë Evropiane, por pa cënuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Perandorisë. Në rast shpërthimi të luftës ato nuk do të pranonin ndryshimin e status quo-së. Të njëjtat kushte iu bënë të ditura edhe Stambollit. Por kjo deklaratë e Fuqive të Mëdha tashmë ishte e vonuar, pasi nuk kishin asnjë mekanizëm për ta parandaluar shpërthimin e luftës. Të njëjtën ditë, ambasadori i Malit të Zi në Stamboll i paraqiti një notë qeverisë turke, ku i bëhej e ditur se Mali i Zi ishte i detyruar të mbronte të drejtat e tij me luftë, meqë qeveria turke nuk kishte përmbushur dëshirat e tij për rregullimin e vijës kufitare. Duke qenë se Fuqitë e Mëdha nuk dhanë ndonjë rezultat në parandalimin e luftës ballkanike, Porta e Lartë filloi mobilizimin ushtarak në pjesën evropiane, ku mori të njëjtën përgjigje edhe nga shtetet ballkanike. Lufta shpërtheu të nesërmen e protestës së Fuqive të Mëdha, më 8 tetor 1912, kur Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë, e më pas më 17 tetor  pasuan Serbia dhe Bullgaria, ndërsa më 18 tetor Greqia.

Filed Under: ESSE Tagged With: Zef Ujkaj

UDHËTIM NË DY KOHË

November 26, 2021 by s p

Përshkrim

Nga arkivi i gazetarit

Abdurahim Ashiku

Pas ngeli Zogu i Zi me zhurmën e makinerive të ndërtimit, me renë e pluhurit dhe makinat e vogla e të mëdha që kërcejnë nëpër gropa në dhimbjen e një bote në transformim. Kjo nyje është prezantimi i parë me kryeqytetin, është ajo që sheh kur hyn dhe ajo që ndjen kur ikën. Kur e kalon këtë nyje, si lart po ashtu poshtë ndjen të renë, atë që është transformuar dhe atë që është në transformim, ndjen qendrën e kryeqytetit, Parkun Rinia, Lanën nën një gjelbrim të ripërtrirë. Ndjen Rrugën e Durrësit deri në lidhje me autostradën në një hapsirë që rrallë kryeqytete të botës moderne e kanë..

Mikrobusi i djalit të një mikut tim, Rexhep Manit, një njeri që gruas sime i bëri përshtypje të veçantë për kulturën e komunikimit me njerëzit, hyn në urën mbi lumin e Tiranës tek ish fabrika e tullave. Ura është e ngushtë, dy makina mund të kalojnë mbi të me kujdes, me vështirësi. Ura lidh dy rrugë, ende në zgjerim e në ndërtim që përcjellin në të dy krahët dy rradhë makinash. E ngushtë ura tek shtrydh morinë e makinave që vijnë e ikin drejt Veriut. E ndërtuar që në vitin 1963, pas shirave tepër të rrëmbyera të dhjetorit 1962, shira rryma e të cilëve e bëri aq kryeneç lumin sa ta rrëmbejë si një fije kashte urën e drunjtë, pas pasarelës së përkohëshme që na lidhëte ne studentët e bujqësorit me kryeqytetin, do të ndërtohej e betontë, e fortë. Ashtu është edhe sot. Por ajo do zgjeruar, don që të hidhen këmbë të reja mbi shtratin e lumit…E don koha, e don zhvillimi…

Ura e Matit, apo e shënuar në kujtesën e popullit si Ura e Zogut, është e heshtur, është si një urë muze, si një relike e kohës së largët. Mbi të, megjithëse nga larg, nga Greqia ku punoj e jetoj, pata parë një kronikë televizive ku me figurë e zë flitej për rikonstruksionin e saj. Sot nuk pashë ndonjë makinë të kalojë mbi të. Blloqet e betontë e kufizonin hyrjen nëpër të…

E përmenda sepse ura më kujtoi një kohë të shkuar, vitet pesëdhjetë, gushtin e vitit 1954 kur mbi të kalova natën, udhëtimet e më vonëshme ditën. Asokohe, me autobuzin e linjës niseshim nga Tirana në orën 7 të mëngjesit për t’i rënë rreth e qark nga Vora, nëpër një rrugë të paasfaltuar e për të arritur në Rrubik në mesditë. Atje, në një gjelltore që shihte Fanin, nxirrnim nga trastat bukën e marrë me triskë ose të bërë në shtëpi dhe merrnim ndonjë gjellë. Në Peshkopi arrinim vonë, shumë vonë, pas 13 -15 orë rrugë.

Kjo rrugë do të mbyllej aty nga viti 1957, do t’a përpinte liqeni i Ulzës…

Nuk hymë në Urën e Zogut, morëm djathtas me pamjen në të majtë të deltës që formohet kur bashkohet Mati me Fanin, me luginën e Fanit në njerin krah e atë të Matit në krahun tjetër. Në këtë pamje nuk ka se si syri të të mos ndalet në kurrizin e një rruge, mbi shinat që dikur kaloi treni, shina tek tuk të shqyera e të rrëmbyera. Kjo pamje do të na humbiste nga sytë kur merr krahun drejt Rrubikut e Rrëshenit për të na u shfaqur në Burrel e në luginën e lumit që të çon në Klos. Kurrize të shqyera, shina  që në vend të trenave e lokomotivave mbajnë tenda rrushi, ura të betonta diku të plota e diku vetëm në këmbët e betonta, stacione treni me ndonjë kolonë betoni të lartë si dëshmi e një dëshire të parealizuar…

Lugina e Matit është ndër luginat më të bukura të vendit. Në atë luginë ka diçka epike e heroike, nga e kaluara e largët kur Sënderbeu kalonte këtej ushtrinë e vet në pusitë që i zinte armikut. Nga e kaluara e afërt kur njerëzit, varur me litar, çanin me qysqi shëmbin e gëdhendnin  atë që do të hynte në historinë e jetës sonë si një monument i jashtzakonshëm trimërie e burrërie, atë që do të quhej  ( që quhet edhe sot ) Rruga e Dritës. 

Në Shkopet pimë një kafe në një lokal ku syu nuk ka se si të mos të ndalet tek një tabelë ku shkruhet në formë harku “ Hidrocentrali i Shkopetit -1963 “. E kam vizituar atë hidrocentral në shkëmb menjëherë pas ndërtimit. E kam vizituar edhe hidrocentralin e Ulzës, menjëherë pas  ndërtimit, në vitin 1957. Detyra e gazetarit më ka përcjellë në mjediset e brendëshme të të dy hidrocentraleve në fund vitet ’70. Hidrocentrali i Ulzës, ndërtimi i tij, ka një histori që nuk ka se si mos të jetë një nga monumentet më madhështore të historisë sonë të pasluftës. Në një stadium të lojrave me dorë në Athinë, një burrë i moçëm nga jugu i Shqipërisë ma pat përcjellë mendjen menjëherë në Ulzë. Jo në Ulzën e sotme me Liqenin e bukur që pikturon me hollësi retë në kaltërsinë e qiellit, por me Ulzën e viteve ’50- të me vullnetarët nga e gjithë Shqipëria, me Ulzën që pas hekurudhave, bëri hapa të fortë në zgjimin e gruas dhe vajzës shqiptare, në luftën kundër analfabetizmit dhe në frymën shoqërore, në Ulzën që lidhi dashuritë e mëdha midis të rinjëve e të rejave, dashuri që thyen zakonet e egra të kohës. Në një shtëpi tiranase një përmetar që në ato vite kishte punuar në Peshkopi me rininë, më tregon se si punonin asokohe për të zgjuar brezin e ri nga errësira e së kaluarës, si punonin për t’i përcjellë të rinjtë dhe të rejat që nuk kishin kaluar kufijt e fshatit, në hidrocentral…Një faqe, nga më të lavdishmet e historisë sonë të re që çuditrisht është fshirë nga media jonë, është fshirë nga politika jonë pas tabusë se ajo kohë dhe ato veprime, ato hidrocentrale dhe ato tubime- shkollë ishin të regjimit komunist e të Enver Hoxhës. Ato tubime, ato hidrocentrale, që nga ai i vitit 1951 që i dha, siç thotë kënga, “Ujë e Dritë Tiranës” e deri tek ai i Vaut të Dejes, Fierza e Komani, ato tunele të hidrocentraleve që nga ai i Selitës ku emri i Sabri Shinit hyri në legjendën e kohës si “luani i tunelev” e deri tek ai i Fierzës e Komanit, ishin dhe janë djersë dhe gjak i një populli të tërë, ishin dhe janë emancipim i gjërë dhe i thellë i një brezi sakrificash teje të mëdha. Dhe në qoftëse ky brez, këta njerëz, të nxitur nga një idealizëm i lartë ngritën në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale ( të Tiranës, Ulzës e Shkopetit ) a nuk meritojnë një mirënjohje të thellë kombëtare? A nuk meritojnë një lapidar të madh diku në luginën e Matit apo gjetkë ? Dhe në qoftëse ata njerëz, të nxitur nga ideali i kohës, bënë në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale, pse brezi i sotëm, politikanët e sotëm, në pesëmbëdhjet vjet nuk ndërtuan asnjë hidrocentral, madje edhe një hidrocentral të lënë përgjysëm si ai i Banjës e lanë në harresë, e abandonuan dhe e shaktërruan ?…Dhe marrin dritë nga djersa dhe gjaku i brezit të shkuar ?…

…Me Burrelin më lidhin shumë kujtime të moshës së rinisë dhe të kohës kur punoja si gazetar i ATSH-së. Sot, tek përballem me të diçka më gëzon dhe më shqetëson. Bulevardi kryesor i tij ëshë çarë nga kanale të shumtë. Po rikonstruktohet. Po zgjerohet e po transformohet, po bëhet më i bukur se ka qenë. Kjo më gëzon. Po ajo që më hidhron janë gardhet dhe gardhiqet e tij, produkt i një mentaliteti të ngushtë për pronën. Burreli, për t’a kaluar atë, ka pasë një unazë, ose më mirë me thënë dy gjysëm unaza. Njera shkonte djathtas për të dalë tek rruga e Qafë-Shtamës dhe muzeu historik, e tjetra shkonte majtas për të zbritur pjerrësinë e fortë e për t’u takuar poshtë me gjysmën tjetër të unazës. Nëpër të parën shonin e vinin makinat e rënda të ngarkuara me mineral kromi e me metal ferrokromi. Në të dytën shkonin e vinin skodat me rimorkio që merrnin kromin e Bulqizës, Batrës, Cërrujës. Të dy këto gjysëm unaza të Burrelit nuk jetojnë më. Ato janë coptuar si të ishin prej kashte nga pronaret e trojeve… Dhe ne… detyrohemi të kalojmë rrugicave të tij, mes pallateve e pazareve për të dalë në qosh të tij, përballë burgut të njohur të tij, nën një lloj “burgimi” rrugor.

Lugina nga Zenishti në Klos është shumë e bukur. Mati ujë kristal, herë zhytet e herë del kanioneve të thella të gjelbruara. Misri, nën ujin jetëdhënës të një kanali në funksion harbon duke mbajtë nën krahë kallinj të mëdhenj që varin mustaqet e gjata deri poshtë. E re në këtë luginë janë lokalet e shërbimit, njeri më i bukur se tjetri, ngritur në burime ujrash, në tunele gjelbrimi. Në këto lokale, po të gërmosh pak nën cipë, do të gjesh djersën e emigrantëve, të djemëve të Matit që rrahën Greqinë, Italinë, Gjermaninë, botën. Matjanët nuk kanë qenë shquar për shërbime të ushqimit social. Ky konstatim imi, i jetuar në shumë vite udhëtimi e pune, sot ka ndryshuar, është bërë tjetër. Djemtë e Matit, bashkë me paratë dhe investimet, sollën në vendlidje edhe përvojën e tyre në shërbimet e ushqimit social nga vendet  ku punuan e jetuan…

Në Klos, kur merr kthesën e i ngjitesh të përpjetës për në Qafë të Buallit vështrimin m’a qepin me gajtanë, pashë më pashë, dy pamje. 

Njera lidhet me një luginë që shkëputet nga ajo e Matit dhe merr djathtas. Andej ka kaluar në histori ajo që në gjuhën e popullit quhet “Rruga e Dibrës” e në gjuhën e historianëve quhet “Rruga e Arbërit”. Historitë e kësaj rruge i kam dëgjuar që në fëmini, asokohe kur babai me një kalë misër apo groshë, udhëtonte drejt Tiranës duke bërë tre ditë vajtje e tre ditë ardhje rrugë më këmbë. E prisnim me gëzim por edhe me frikë atë javë të lodhëshme udhëtimi. Me gëzim e prisnim se do të merrnim ndonjë rrobë të re, ndonjë karamele, portokall apo ullinj që me bukën e misërt shkonin shumë. Me frikë e prisnim se Shkalla e Tujanit, nga tregimet e shumëta ishte shkalla e frikës, shkalla ku kuajt, në atë tërkuzë ecjeje nëpër shkëmb, rrëshqisnin e nuk i gjëndej nami e nishan kafshës dhe mallit. Kësaj rruge, të transformuar disi në kohë, thuhet se do të kalojë rruga e re drejt Dibrës e më tej drejt Gostivarit e Tetovës. Madje, në fushatën elektorale, pamë nga Athina kryeministrin të presë shiritin e fillimit të punimeve.. Kur të bëhet (kurdo që të bëhet ) Tirana me Peshkopinë nuk do të jetë më larg se Tirana me Fierin.

Nga lartësia ku po ngjitem, në vështrim pa i ulur sytë, ushëtoj me mendje në një tjetër rrugë, rrugë që thonë se është rrahur nga makinat në fund të viteve 40-të. Në atë rrugë, shtruar me një kalldrëm të trashë, kam udhëtuar në tetor të vitit 1964 në shoqëri të një publicisti të madh, të një diplomati të dëgjuar, të Javer Malos. “Gazi”, me 15 – 20 kilometra në orë, na ngjiti në bjeshkët e Shëngjergjit, një bukuri e rrallë e maleve tona të Shqipërisë së Mesme, pamjen madhështore të të cilës e ruaj ende në kujtesë. Nuk e di pse kësaj rruge nuk ia kam dëgjuar zërin, nuk e di pse kjo bukuri e maleve tona mbahet ende fshehur nga syri i udhëtarit vendas dhe të huaj. Asaj kohe mund të justifikohej me sekretet ushtarake e strategjike. Sot nuk ka asnjë arsye që ajo rrugë, ato vende të heshtin…

Kur ngjitesh në Klos Katund, Patini që zhytet mes gjelbrimit t’i ngjit sytë si me zamkë. Të ngjit edhe veshët nëpërmjet një kënge me çifteli, një kënge të re epike, këngë që flet për një djalë të fisit të Pisleve, Flamurin, një djalë për të cilin një regjisor grek ka krijuar një film të tërë, filmin ‘ Omiros ‘ – Pengu. Një emigrant që është edhe në këngë, edhe në film…

Duke u ngjitur më lart vështrimi më ndalet te dy traverbankët dhe tek fabrika e pasurimit të kromit e Klosit. Traverbankët synonin nivelin e pestë të minierës së kromit të Bulqizës. Nëpër to do të kalonte lumi i kromit shqiptar. Do të kalonte edhe lumi i ujërave të nëntokës së Bulqizës që do të vinte nën ujë pjesën kodrinore e malore të luginës së Matit. Fabrika e pasurimit të kromit do të lidhej me hekurudhën. Traverbankët e shohin luginën si dy sy të verbër. Fabrika, në shkatërrimin e saj hesht.

Kështu hesht edhe Rampa e Qafës së Buallit në ballin e së cilës sa e sa herë kam zbritur dhe kam fotografuar njerëzit në punë. Ajo synonte nivelin e pestë në zbritje e ngjitje me kamionë…

Bulqiza është po ajo. Me fabrikën e pasurimit në qetësi, me minierën mbi krye që nuk nxjerr  më shumë krom se sa nxirrej një herë e një kohë në një muaj, me qytetin që duket se mbijeton nga tregëtia e rrugës dhe kafenetë e shumëta, me qytetin e ri dhe atë të vjetër në mes të të cilëve është ringjallur këneta e dikurshme, një “liqen”  zgjerohet ditë për ditë e vit për vit…

Kur hyn në luginën e Zallit të Bulqizës ndjen  bukurinë që sjellin livadhet e Zerqanit. Kur del prej saj e hynë mes për mes Shupenzës, përshtypje të bën gjelbrimi i misrit dhe i jonxhës, ngarkesa e pemëve, shfrytëzimi deri në madhësinë e pëllëmbës së dorës i tokës. Përshtypje të bëjnë ndërtimet e bukura me çati të tipit alpin, lokalet e ngritura e në veçanti një lokal që zgjatet mbi ujrat e Drinit, pak poshtë ku ai takon ujërat e Zallit, ujëra që vijnë nga Bulqiza,  Ostreni e Okshtuni.

Maqellara është  këthyer në një qytet të vërtetë. Këtë përshtypje nuk t’a krijojnë vetëm ndërtesat e bukura në qendër dhe në fshatrat për rreth por edhe gjallëria e jetës, gjallëria që sjellin duart punëtore të maqellarasve, të emigrantëve që prej vitesh rrahin rrugët e largëta të Evropës..

Qenokut, në majë të të cilit ndahen të Dy Dibrat, ajo e poshtmja me Nëntë Malet dhe e Sipërmja me Dibrën e Madhe m’atanë, prerë mizorisht nga Evropa e 1913-s, i ka mbetur diçka nga e kaluara, I kanë mbetur disa blloqe me kumbulla ( që këtë vit nuk kanë prodhuar fare), i kanë mbetur edhe arrat që pas plakjes së kumbullave do të përbëjnë një pyll të tërë. Kështu e patëm menduar në vitin 1966 me Xhavit Hysën kur piketonim dhe mbillnim bllokun frutor të Qenokut, bllok asokohe me 53 mijë rrënjë pemë. Në një pjesë të tij, atje ku në dorë e morën “të zotët e zabelit” këtë ide të madhe të Xhavit Hysës, njeriut që meriton një lapidar të madh për ndihmesën teknike e shkencore në krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër e sheh të gjallë…

Kthesa e Llasenit të sjell në pëllëmbë të dorës Peshkopinë. E ndarë mes për mes nga përroi i llixhave, e prerë në dy pamje që të japin qytetin në dy kohë, atëhere kur nga një fshat i zakonshëm  u kthye ( nga prerja drastike që iu bë qytetit të Dibrës ) në kryeqendër të krahinës dhe pamjes sot.  Peshkopia duket si një gonxhe që matet të çelë. Nga e bukura e pesëmbëdhjet vjeteve të shkuara ka mbetur shetitorja e saj  ku blinjtë përqafohen njeri me tjetrin në tërë gjatësinë, ku njerëzit, të pa shqetësuar nga makinat, shetisin mbrëmjeve dhe mëngjeseve, ku duart e kujdesëshme mëngjeseve e mbrëmjeve lajnë, si të lajnë shtëpinë e tyre, tërë gjatësinë e rrugës. Nga e kaluara, nga ajo që jam rritur e jam gëzuar si fëmijë, nga lulishtet e shumëta që shoqëronin tërë rrugët e qytetit, nga lulishtet e Agush Selishtës, njeriut biografia fioristike e të cilit fillon nga Pallati i Pionierëve në Tiranë, lulishtja pas monumentit të Skënderbeut e Parku Rinia, pothuajse asgjë nuk ka mbetur, pothuajse të gjitha janë shëndrruar në beton e pllaka të ngjyrave të ndryshme…

Në perëndim të ditës, atëhere kur dielli pushon paksa mbi Runjë, mora rrugën drejt Zdojanit, fshatit tim ku linda dhe kalova fëmijërinë për t’u çmallur me gurët e drurët, me vendet dhe njerëzit, me pamjen me Drinin tërkuza e ujtë e të cilit më sjell shumë kujtime e ngjarje…

Abdurahim Ashiku

Tiranë – Peshkopi 13 gusht 2005.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

Flamuri ynë Kuq e Zi

November 25, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani

Nëntori është muaji i Shqipërisë, muaji i shqiptarëve, muaji i flamurit. Sa herë që afrohet 28 Nëntori, mendja na fluturon te flamuri ynë Kuq e Zi, flamuri ynë i lyer me gjak që sjell në kujtesën tonë përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona. Na sjell në kujtesën tonë Epokën e lavdishme të Skenderbeut që me shekuj mbajti gjallë qëndresën, shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar. U valvit pa u përkulur kurrë nëpër dallgët e stuhitë e historisë dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, Flamuri i Skenderbeut u ngrit në qiellin e Shqipërisë së saposhpallur shtet i pavarur. Vite më vonë mbi kokat e shqiponjës i vunë simbole të huaja ideologjike, por shqiponja nuk i duroi, i shporri se ia zinin frymën, ia zinin frymën Shqipërisë, popullit shqiptar. Shqiponja dhe shqiptari e duan vetëm lirinë dhe qiellin e kaltërt mbi kokat e tyre.

Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri ynë. Është ky flamur që na priu nëpër beteja të përgjakshme shumëshekullore në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. Për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë. Është ky flamur i bukur e hijerëndë që rrezaton pastërtinë morale, dinjitetin, nderin e kombit tonë, sepse atë nuk e shemtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë! Ështe ky flamur që i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara. Është kjo shqiponjë që nën krahët e saj të fuqishëm, me një ngrohtësi prej nëne i mban së bashku të gjitha bijat dhe bijtë e saj kudo që ndodhen në botë. Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë! Këtë forcë e kam ndier, e kam përjetuar vetë që në moshë të njomë. Në femijërinë time, në Kosovë flamuri ynë ishte i ndaluar. E dinim si dukej flamuri ynë, e kishim parë nëpër librat e ndaluara, por kurrë nuk e kishim parë duke u valvitur para syve tanë. Por një ditë nëntori të vitit 1968 në qytetin tim te Suharekës (Therandës), nxënësit e gjimnazit, normales dhe qytetarët organizuan një parakalim, një demonstratë të fuqishme dhe ne ballë u printe Flamuri Ynë Kuq e Zi që ishte qëndisur fshehurazi. Organizator ishte studenti, Haxhi Bajraktari, i cili e kishte siguruar edhe flamurin.  Policia u mundua t’i ndalonte, por nuk ia doli dot. Që nga ajo ditë flamuri ynë u valvit i lirë ne qytetin tim dhe në tërë Kosovën. Ishte ajo ngjarja më e shënuar, dita me e lavdishme në jetën e qytetit tim dhe është ngulitur thellë në qenjen dhe kujtesën time. Ishte ajo ngjarje, ishte ai flamur që nga një femijë, më bëri burrë para kohe, më ngjalli krenarinë kombëtare, ma shtoi e ma thelloi edhe më tepër dashurinë për Shqipërinë, kombin tim, historinë tonë. Me shporri frikën dhe mbolli guximin në zemrën time të njomë. Flamuri ynë është flamur që të trimëron, të jep zemër, të jep guxim, të jep shpresë. Atë ditë nuk valvitej një copë pëlhurë, por valvitej Shqipëria, shqiptarizmi, krenaria jonë kombëtare. Po, ai flamur ishte vetë Shqipëria! Dhe atë ditë së bashku me gjimnazistët, normalistet marshonin edhe bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, fytyrat më të ndritura të kombit tonë. Të mbështjellur me flamur, ata kishin zbritur nga qielli i perjetësisë, kishin dalur nga faqet më të lavdishme të historisë sonë, nga rrëfimet e baballarëve tanë dhe u prinin rinisë sonë, u jepnin zemër, u shkrinë me ta dhe u bënë një, u bënë flamur. Si dikur në Vlorë, aty ishin edhe Ismail Qemali e Isa Boletini me trimat e tij. Shqiptarët tani ishin zgjuar nga gjumi i thellë, e kishin shporrur frikën, përbuzjen shekullore, i kishin ringjallur energjitë e tyre të fjetura. Lëvizja për lirinë e Kosovës tani kishte marrë hov dhe flamuri ynë na printe drejt cakut, qëllimit tonë përfundimtar – pavarësisë së Kosovës. Më në fund ajo ditë e shumëpritur, ajo ditë e bekuar arriti më 17 shkurt të vitit 2008 – plot dyzet vite pas Vitit të Madh 1968.

Marrëdhënja, afërsia e shqiptarit me flamurin, ndjenjat, dashuria e shqiptarit për flamurin janë diçka karakteristike dhe të paspjegueshme që fjalët nuk mund t’i shprehin aq lehtë, diçka që na dallon nga kombet tjera. Kuptohet, edhe popujt dhe vendet tjera e duan dhe e nderojnë flamurin e tyre, por asnjëri nuk përnjeëjtësohet (identifikohet) më tepër me flamurin sesa shqiptarët. Festa jonë kombëtare ka hyrë në kujtesën e popullit tonë si, “Dita e Flamurit”, ndersa himni ynë kombëtar është: “Rreth flamurit të përbashkuar”. Ai është bërë gjymtyrë, pjesë e qenjes, ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kolektive si komb. Flamuri ynë është historia jonë e qëndisur në pëlhurë, aty është i shkruar rrugëtimi ynë nëpër shekuj si komb, aty janë të shkruara përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona për liri e pavarësi. Populli ynë këngët më të bukura ia ka kushtuar flamurit, poetët tanë atij ia kanë kushtuar vargjet më të bukura: “O flamur gjak, o flamur shkabë”. Nga të gjitha kombet që njohim ne, shqiptarët janë të vetmit që fëmijve të tyre u vënë emrin: Flamur. Dhe tingëllon bukur! Tani flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë, por janë edhe zemrat që rrahin për kombin, atdheun, të ardhmen tonë.

Rreth flamurit tonë kombëtar të bashkohemi si shqiptarë e të mos përçahemi nga ideologjitë e huaja.Ta mbajmë gjithmonë të pastër e lart e më lart Flamurin e Shenjtë të Skenderbeut, flamurin e lirisë, flamurin e bashkimit kombëtar! Një komb, një flamur, një shtet i përbashkët për të gjithë shqiptarët!
Shqiptarë, kudo që jeni: Gëzuar Ditën e Flamurit!

Philadelphia, nëntor, 2021
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Sadik Elshani

“28 NANDOR”

November 24, 2021 by s p

Kujtime…

images

Pergatiti: Fritz RADOVANI
Melbourne, 24 Nandor 2021.

At Pjeter Meshkalla S.J.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!? Përgjithësisht pesimizëm: Jo pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin. 

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë u trumhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; kénka pra, një Shqipni! 

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se njêllim zi… Na u gjuenim me gurë përditë e përnatë… kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte… 

Shkolla, mësimet, librat, kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë, jerm, kllapi! 

Paj vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin. Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?” Kujt i flet?… Por edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron.., e pertrinë… 

Binim me fjetë… Ndër “boka”(kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi: Malësoret, Turku, Mali i Zi, !?

Në fund të fundit qé, e vërteta: Ishte një popull, që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull. Sot njëzet e sa vjet, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që pohonin se ka Shqipni. Sado me i pasë mpref sytë, sado me e pasë ngreh dylbinë… nuk u dukte kurrkund! 

E pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte endè gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija. 

Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë… Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u kthye dalë (mbrapa)! 

Kemi endè shumë të meta; e dijmë… Kemi ba shumë gabime; kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?! Jo, kurrë! Kjo nuk asht zmbrapsje, ky asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahet mjegulla; po të jenë vullneti i mirë marrveshja lind rrugës e, mbas saj edhe bashkëveprimi. 

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrëshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi. Trinomi i lumtunisë: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por, na nuk duem shkatrrim! Duem Përparim e Shqipni të lumtun! 

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta. Prej Përparimit njihet parimi si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti të thuesh: Me provë e kundër-provë.  

Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë mandej, dlirët (pastrohet). Latini thotë, sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham se e ka gabim. 

Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithë atë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme. 

Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse pa ketë themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte mbështetet në forcat tona, në Ideal.

Jemi tue u ngjitë një mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohun: Një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetet me u çilë, por kemi besim të ngultë se dikur do t’i kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do t’u japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do t’i kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme. 

Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!! Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku, na ka zanë nata.., jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet. 

Rri të rrimë!..

PËRPARA!… Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim!

PËRPARA!… Çdo hutim paguhet shtrenjt! 

PËRPARA!… Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!… Edhe kur drejtimi të na ketë humbë! 

PËRPARA!… Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë! 

Disiplinë e Vullnet e, … Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë! 

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën… 

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra… Ka mbarue. Nuk ngrihet ma gja në kambë!” 

Optimizmi thotë: “Zemër…Të gjitha shpresat nuk kanë humbë endè, diçka kemi ngritë në kambë… Zemër!”. 

Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë, ma mirë nuk ka si bahët!”. 

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën,si të keqën. 

Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija që zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: 

Ideali, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht! 

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta, sigurisht, do të dalim në breg! Egoizëm e abnegacion, edhe këto janë fjalë të hueja por, që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme. 

Për me kalue ndonjë ujë hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët.., zhdukën e nuk shihën ma, hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë.., derisa bahet i mujtun kalimi, keq o mirë, po bahet; ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë! Na jemi gurtë (të mëdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, që zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë! 

Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma!

Egoizëm… Abnegacion!

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik. Padyshim, të gjithë e kanë për detyrë; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin ma i pari.

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë! Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuem me zhgulë një rranjë marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal në emulacion të natyrshëm e veprues?

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuen të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuen e të bamë féle-féle (copa-copa). 

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuem atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!

Prej të Parëve pritëm një Shqipni të Lirë! 

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!..

                                                                                               Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq.  337-340.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT